VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

BE: Trumpi s’mund të ndryshojë formatin e G7-ës

By | June 2, 2020

Komentet

Macron emëron Jean Castex kryeministër të Francës

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka emëruar nëpunësin e lartë civil, Jean Castex, i cili hartoi politikën për lehtësimin e masave të izolimit gjatë pandemisë, si kryeministrin të ri të vendit.

Vendimi është pjesë e një riorganizimi qeveritar.

Castex, 55 vjeç, ka shërbyer gjithashtu si president i Agjencisë Kombëtare të Sporteve në Francë dhe ka mbikëqyrur përgatitjet për Lojërat Olimpike të “Paris 2024”.

Pallati Elysee njoftoi emërimin më 3 korrik, vetëm disa orë pasi Edouard Philippe dha dorëheqjen si kryeministër.

Masa e Macronit për të rifreskuar qeverinë e tij, vjen pasi partia e tij shënoi humbje në zgjedhjet lokale.

Vëzhguesit thonë se zëvendësimi i Philippes, i cili është më i popullarizuar në publik sesa presidenti, mund të provokojë një bixhoz të rrezikshëm politik për Macronin, pasi ish-kryeministri mund të dalë si një rival presidencial më 2022.

GJEDNJ: Franca trajtoi në mënyrë çnjerëzore azilkërkuesit

Paris

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka vendosur që Franca ka bërë trajtim çnjerëzor ndaj azilkërkuesve, transmeton Anadolu Agency (AA).

GJEDNJ dha vendimin e saj për ankesën e parashtruar nga katër persona që kërkuan azil në Francë, me arsyetimin se ata ishin lënë të jetonin në kushte të këqija dhe çnjerëzore për muaj të tërë.

Gjykata vendosi që Franca ka shkelur nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që ka të bëjë me trajtimin çnjerëzor, në lidhje me azilkërkuesit N.H. nga Afganistani, K.T. nga Rusia dhe A.J. nga Irani.

Ndërkaq, për azilkërkuesin e katërt, S.G. nga Rusia, gjykata ka vendosur se nuk është shkelur neni në fjalë.

Gjykata po ashtu tha se autoritetet franceze nuk kanë respektuar detyrimet ligjore dhe janë përgjegjëse për periudhën disamujore në të cilën azilkëruesit në fjalë kanë jetuar në rrugë, pa të ardhura, pa qasje në shëndetësi dhe pa pasur mundësi t’i plotësojnë nevojat themelore.

GJEDNJ theksoi se personat e lartëpërmendur janë përballur me trajtim çnjerëzor dhe poshtërues.

Në vendimin e gjykatës thuhet se Franca duhet të paguajë dëmshpërblim prej 12 mijë eurosh për K.T., 10 mijë euro për A.J. dhe rreth 12,4 mijë euro për N.H.

Kryeministri francez Edouard Philippe jep dorëheqje

Paris

Kryeministri i Francës Edouard Philippe ka dhënë dorëheqje pasi pritet që në ditët në vijim të bëhet riorganizimi i qeverisë, njoftoi sot Presidenca franceze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Deklarata nuk sqaroi nëse Philippe do të zëvendësohet apo do të qëndrojë në krye të qeverisë së re.

Presidenti Emmanuel Macron po kërkon të hapë një kapitull të ri për dy vitet e mbetura të mandatit të tij që do të përqendrohet në përpjekjet për ringritjen e ekonomisë franceze të goditur thellësisht nga kriza e koronavirusit (COVID-19).

Rikonstruimi vjen disa ditë pasi në zgjedhjet lokale rezultatet më të mira i korri Partia Ekologjike- të Gjelbrit. Macron pa që partia e tij e re centriste kishte humbur në qytetet më të mëdha të Francës.

Rikonstruimi i qeverisë ishte planifikuar para zgjedheve, pasi qeveria e Macron-it u përball me pengesa dhe kritika para zgjedhjeve të së dielës dhe gjatë krizës së COVID-19.

Viola von Cramon shpreson në arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi në vjeshtë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se shpreson që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të finalizohet me një marrëveshje për njohje reciproke në vjeshtën e këtij viti.

Sipas saj, këtij synimi i paraprin një konferencë në Paris ndërmjet të dyja palëve, me presidentin francez, Emmanuel Macron si nikoqir.

Përmes një video-mesazhi në rrjetin social, Twitter, von Cramon ka thënë se pas takimeve që ka zhvilluar i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak me kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe pasi blloku evropian të marrë drejtimin, procesi do të mund të shkojë përpara.

“Hapi i ardhshëm, dhe më i rëndësishëm, do të jetë mbajtja e një konference në Paris, e iniciuar dhe organizuar nga presidenti (francez, Emanuel) Macron dhe më pas natyrisht, pritjet janë që më në fund do të mund të shohim arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke përgjatë vjeshtës. Kjo është ajo për të cilën duhet të punojmë me të dyja palët për të arritur këtë rezultat të suksesshëm, deri në fund të këtij viti”, ka thënë ajo.

Kujtojmë se dialogu mes këtyre dy shteteve është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Një ditë më parë, zyrtarët e BE-së kanë thënë se synojnë të vazhdojë përpjekjet për rifillimin e dialogutpor në këto plane, nuk e përfshijnë më presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i ka udhëhequr negociatat me Serbinë në emër të Kosovës për vite me rradhë.

Zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se pas paraqitjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, për krime lufte, ndaj Thaçit, ata nuk e konsiderojnë më presidentin e Kosovës, një partner në procesin e dialogut.

Javën e kaluar, Prokuror i Specializuar në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur aktakuzë kundër presidentit të Kosovës, nën dyshimin se është i përfshirë në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Thaçi ka vendosur të qëndrojë në pozitën e presidentit, duke thënë se ai do të japë dorëheqje vetëm nëse konfirmohen pretendimet në aktakuzë nga ana e gjykatësit të procedurës paraprake. rel

Ngjarje e pazakontë, grabiten deputetët brenda në Parlamentin Europian (video)

Të paktën 50 eurodeputetëve u janë grabitur sendet personale në zyrat e tyre të Parlamentit Evropian, që ndodheshin të mbyllura për shkak të pandemisë.

‘Politico.eu’ raporton se eurodeputetëve u janë vjedhur kompjuterët, tabletat apo sendet e tjera që kishin në zyra.

Grabitjet duket se kanë ndodhur kryesisht ndërsa ndërtesa ishte e zbrazët dhe hajdutët kanë mundur që të shkatërrojnë dollapët e kyçur në zyrat e eurodeputetëve, për të marrë sende me vlerë.

Deputeti gjerman, Nico Semsrott, të cilit i ishin vjedhur dy laptopë, tha për ‘Politico’ se është i zhgënjyer nga mungesa e përgjigjes nga kompania që merret me sigurinë në Parlamentit Evropian:

“Ky është një skandal i madh dhe nuk e di pse të gjithë po e mbyllin gojën. Jemi shumë të sigurt se grabitësit kaluan nëpër duar të gjitha gjërat tona, pasi ishte rrëmujë”.

Ai tha se, 40 deri në 100 eurodeputetë kanë raportuar se u janë marrë gjërat personale nëpër zyra.

Ai postoi edhe një video në YouTube për të treguar se çfarë i mungonte.

Në mars, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, prezantoi masa të rrepta për të ndaluar hyrjen e vizitorëve të jashtëm dhe inkurajoi eurodeputetët dhe stafin që të punojnë nga vendet e tyre të lindjes, si një masë paraprake kundër përhapjes së virusit.

Parlamenti mbeti kryesisht bosh deri në maj. Një zëdhënës i parlamentit tha se asambleja u informua për vjedhjet dhe ka nisur një hetim për ngjarjen, – shkruan portali Tiranapost

32 europarlamentarë i kërkojnë kancelares gjermane liberalizimin e vizave për Kosovën

Në një letër të përbashkët, 32 deputetë të Parlamentit Evropian i kërkuan kancelares gjermane Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm Horst Seehofer, që të vënë në rend dite çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Nga e mërkura Gjermania merr kryesimin e Bashkimit Evropian.

Në letrën e nënshkruar edhe nga raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, deputetët thanë se ka dy vjet që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.

“Aktualisht, Kosova është një nga vendet e pakta evropiane, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen pa viza. Sidoqoftë, kjo nuk varet më nga qytetarët e Kosovës. Procesi për të siguruar liberalizimin e vizave supozohet të mbështetet në kritere objektive, të cilat, siç njoftohet nga Komisioni Evropian, janë përmbushur në korrik të vitit 2018, saktësisht dy vjet më parë, dhe që atëherë vendi ka pritur vendimin përfundimtar të Këshillit për liberalizimin e vizave”, thuhet mes tjerash në letër.

Deputetët shfaqin shpresën se lidhjet historike dhe angazhimi i Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor mund të përdoren për të zgjidhur këtë çështje. Ata hedhin poshtë pretendimet se Kosova nuk mund të përfitojë për shkak të numrit të kërkesave të pabazuar për strehim dhe problemeve me krimin e organizuar.

“Kosova ka përmbushur standardet. Ajo i ka kryer detyrat e shtëpisë, tani është radha jonë të mos e thyejmë premtimin. Ne po humbasim besueshmërinë tonë kur një vend po bënë atë që ne kërkojmë, por ato nuk përfiton nga premitmet tona. Si mund të kërkojmë ndonjë reformë tjetër nga vendet në fqinjësi, kur ata nuk mund të jenë të sigurt se mund të përfitojnë ndonjë gjë nga puna e tyre?” theksohet në letër.

Letra u mirëprit nga ambasadori amerikan Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi.

“Më në fund. Ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse ka si qëllim vetëm disa biznese. Përqendrimi i Shteteve të Bashkuara në normalizimin ekonomik ka motivuar evropianët të ndërmarrin veprime”, shkroi mes tjerash ambasadori Grenell.

Qytetarët e Kosovës të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Propozimi i parë për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian qe dhënë në maj të vitit 2016, por procesi i u bllokua për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas gati tri vjet debatesh e përplasjesh në parlamentin e Kosovës, por edhe jashtë tij, marrëveshja u ratifikua në mars të vitit 2018.

Në shtator të atij viti Parlamenti Evropian votoi në favor të liberalizimit, por Këshilli Evropian nuk arriti pajtim për përmbushjen e këtij synimi. zëri i amerikës

Francë, në zgjedhjet bashkiake fitojnë ekologjistët

VOAL – Paris mbetet në duart e Anne Hidalgo, 61 vjeç, socialiste, e cila është imponuar në balotazh me rreth 50% preferencë, gjithashtu e ndihmuar nga shtytja “e gjelbër” që po kalon në politikën transalpine dhe nga humbja e partisë së Presidentit Macron në kutinë e votimit , La République en Marche.

Zgjedhjet e kryetarëve të bashkive në Francë në të vërtetë kanë parë konfirmimin e valës së pritshme të ekologjikut në disa qytete të mëdha: Lyon dhe Marseille, ndër të tjera, bëhen qytetet e “gjelbërta”, por edhe të mesme, si Besançon në lindje dhe Poitiers në qendër , ose Annecy kanë zgjedhur kryetarët ekologjikë, të cilët bëhen forca kryesore e majtë në Francë në valën e emergjencës klimatike.

Partia e Macron, siç u përmend, pasi ndërtoi alternativen e saj në qendër, u ndëshkua në nivel vendor, ku shihet si protagonist i një politike të krahut të djathtë. Fituesi i vetëm nga shumica, Edouard Philippe, i konsideroi alter ego i presidentit dhe ndoshta shumë shpejt do të zëvendësohet në krye të qeverisë.

Rassemblement National, formacioni i drejtuar nga Marine Le Pen, ka rifituar bashkinë në një qytet me mbi 100,000 banorë që nga fitoret e 1995 në Toulon. Në Perpignan: Louis Aliot, me 53.09% të preferencave, mundi Jean-Marc Pujol në largim.
ATS

Ish kryeministri francez dënohet 5 vjet burg për shpërdorim të fondeve publike

VOAL – Pas disa muajsh gjykimi, gjykata e Parisit dënoi të hënën François Fillon dhe gruan e tij Penelope për shpërdorim të fondeve publike.

Ish-kryeministri, i cili hoqi dorë nga gara për Elysée në vitin 2017 i detyruar nga akuzat se kishte paguar gruan dhe dy fëmijët e tij, u dënua me 5 vjet burg, 3 prej të cilave me kusht dhe 2 për t’u vuajtur.

Gruaja, e akuzuar se kishte marrë një pagë “disproporcionale” në krahasim me punën e asistentit që ajo kryente, u dënua me 3 vjet me dënimin me kusht.

ATS

Deputetët e Parlamentit Evropian kërkojnë nga Merkel ta ketë në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën

Deputët e Parlamentit Evropian kanë nënshkruar një letër përmes të cilës kanë kërkuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel të vendosë në agjendë të Këshillit Evropian çështjen e libëralizimit të vizave për Kosovën.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter, eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk, ku ka bashkëngjitur edhe dokumentin me nënshkrimet e deputetëve.

“Së bashku me Viola von Cramon (raportuesen e Kosovës në Parlamentin Evropian) dhe kolegët e tjerë, kemi dërguar një letër tek (kancelarja) Angela Merkel me kërkesen për të vendosur në agjendë të presidencës gjermane të Këshillit Evropian çështjen e tej-zgjatur të libëralizimit të vizave për Kosovën”, thuhet në postim.

Gjermania pritet të marrë udhëheqjen e Këshillit Evropian që nga 1 korriku.

Deputetët shprehen se Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara dhe tash i takon BE-së që të përmbush pjesën e saj të obligimit.

“Ne po humbim kredibilitetin tonë kur një shtet i tretë e bën atë që ne kërkojmë nga ta, por nuk marrin avantazhin të cilin ua kemi premtuar. Si mund të kërkojmë çfarëdo reforme tjetër nga një shtet në fqinjësinë tonë, kur ata nuk mund të jenë të sigurtë se do të përfitojnë çfarëdo nga puna e tyre. Integrimi Evropian nuk ësstë domosdo opcioni i vetëm i shteteve në rajon. Ku do ti çojë nrruga e tyre nëse jo në BE?” kanë shkruar këta deputetë.

Në mesin e tyre është edhe Raportuesja për Kosovën, gjermanja Viola von Cramon-Taubadel, nënkryetari i grupit socialist Tonino Piculla nga Kroacia si dhe deputetët nga të gjitha grupet më të rëndësishme në Parlamentin Evropian.

“Ne e dimë se lëvizja e lirë është një prej përfitimeve më të prekshme të integrimit evropian, dhe besojmë se qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e hyrjes në zonën e Schengenit pa pengesa. Jo pse ata kanë ndonjë të drejtë të veçantë, por për shkak se institucionet e tyre shtetërore e kanë bërë atë që ne kemi kërkuar nga ta. Ky është rasti juaj për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe ta sjellni Kosobvën më afër BE-së” ,kanë shkruar këta deputetë.

Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kishin konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash. Por, çështja ka ngecur në Këshillin e BE-së ku disa shtete të rëndësishme nuk janë pajtuar që të liberalizohen vizat për Kosovën.

MPJ e Gjermanisë: Mbështesim punën e Speciales, presim të njëjtën gjë nga Kosova

Qeveria federale e kancelares gjermane, Angela Merkel, mbështet plotësisht punën e Dhomave të Specializuara dhe thonë se një gjë të tillë e presin edhe nga Kosova. Ky është qëndrimi gjerman pas publikimit të lajmit se në Hagë ka aktakuzë ndaj Presidentit Thaçi. Gjithashtu, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, i ka thënë Gazetës Express se presin që dialogu Prishtinë-Beograd të rifillojë pa vonesa.

Prokuroria Speciale e Hagës më 24 qershor ka bërë publike aktakuzën për krime lufte që ka iniciuar ndaj dy ish-funksionarëve të lartë të UÇK’së, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kreut të PDK’së, Kadri Veselit.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale, Thaçi,Veseli dhe disa të tjerë janë përgjegjës për krime të ndryshme dhe për rreth 100 vrasje përfshirë edhe kundërshtarë politikë.

Kjo aktakuzë është bërë publike ende pa marrë dritën e gjelbër të gjykatësit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara i cili është duke e shqyrtuar atë.

Një veprim i tillë është kritikuar shumë, megjithatë në njoftimin për aktakuzën e publikuar nga Prokuroria Speciale thonë se kanë qenë të detyruar që t’i bëjnë publik emrat dhe aktakuzën, pasi Thaçi dhe Veseli kanë bërë përpjekje për të penguar punën e Dhomave të Specializuara.

Lidhur me një zhvillim të tillë në Kosovë, Gazeta Express, ka dërguar pyetje në adresë të Berlinit zyrtar.

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë thotë se Dhomat e Specializuar kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë së drejtuar nga kancelarja, Angela Merkel, dhe kujtojnë se ka qenë vetë Kosova që ka themeluar Specialen.

Nga Berlini thonë se presin që edhe Kosova të mbështesë punën e Speciales.

“Dhomat e specializuara të Kosovës janë themeluar nga Republika e Kosovës dhe gëzojnë mbështetjen e plotë të Qeverisë Federale të Gjermanisë. Ekziston një pritje e qartë nga Komuniteti Ndërkombëtar, përfshirë Qeverinë Federale të Gjermanisë, që Kosova ta nderojë këtë angazhim dhe të mbështesë punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës”, ka thënë ky zëdhënës i MPJ-së gjermane për Express.

Aktakuza ndaj presidentit Thaçi ka bërë që të anulohet edhe takimi i Ëashingtonit i planifikuar të mbahej më 27 qershor. Për Amerikë nuk ka udhëtuar as kryeministri, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se duhet të kthehet në Kosovë për t’u marrë me situatën.

Megjithatë Gjermania pret që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të rinisë pa vonesa dhe se përkrahin punën e Përfaqësuesit Special të BE’, Miroslav Lajcak.

“Ri-inicimi i dialogut politik të lehtësuar nga Bashkimi Evropian midis Beogradit dhe Prishtinës dhe çështjeve të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet pa vonesa. Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian Miroslav Lajcak për këtë qëllim. “, kanë thënë për Express nga zyra për media e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Pas akuzave të Speciales në drejtim të Thaçit dhe Veselit sot ka folur edhe Raportuesi për Kosovën në Bundestagun gjerman, Peter Beyer, i cili thotë se aktakuza është një hap pozitiv drejt drejtësisë dhe se nuk i ul vlerat e UÇK’së.

Vetë presidenti Thaçi ndërkohë sot është lajmëruar nga Tirana dhe ka treguar se të dielën në Prishtinë do t’iu drejtohet qytetarëve pas aktakuzës nga Specialja.

Berlini kërkon mbetjen e EULEX-it në Kosovë si mbështetje për Gjykatën Speciale

Misioni i EULEX-it është bërë objekt diskutimesh publike në relacionet Kosovë -Gjermani, dy ditë pasi Haga bëri publik lajmin për aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit.  Dje në media është publikuar lajmi se Presidenti i Kosovës pavarësisht se është përballur me presion të madh për të vazhduar mandatin e EULEX’it, nuk ka pranuar të bëjë diçka të tillë. Sot, gjermanët kanë kërkuar që EULEX të mbetet në Kosovë për të mbështetur Gjykatën Speciale dhe sundimin e Ligjit.

Për një zhvillim të tillë ka reaguar Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Susanne Schutz.

Ajo thotë se misioni i EULEX-it ka mbështetjen e Gjermanisë për përkrahjen që ia bën punës së Gjykatës Speciale dhe thotë se një gjë e tillë duhet të ruhet.

“Që nga viti 2008, EULEX-i ka qenë një shtyllë për sigurinë dhe një ambient të sigurt në Kosovë. Roli vital i EULEX-it për ndihmesën e institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe për Dhomat e Specializuara ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë dhe kjo duhet të ruhet”, ka shkruar Schutz.

Një debat i tillë rreth EULEX-it vjen në kohën kur ndaj kreut të shtetit të Kosovës, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë  për krime të ndryshme  gjatë luftës. Thaçi bashkë me Veselin dhe të tjerët sipas Prokurorisë pretendohet se janë përgjegjës për rreth 100 vrasje.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, megjithatë nuk ka pranuar që të vazhdojë mandatin e misionit të EULEX-it në vend.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga zyra e tij në Prishtinë, duke shpjeguar se kreu i shtetit e kishte bërë të qartë se viti 2018 do të jetë edhe hera e fundit kur këtij misioni i vazhdohet mandati në Kosovë.

Përveç kësaj, nga Zyra e Presidentit, thonë se ka pasur presion të madh për vazhdimin e mandatit ekzistues të EULEX-it.

“Presidenti Thaçi në takimet me përfaqësuesit e BE-së dhe të EULEX-it është shprehur mirënjohës për ndihmën e vazhdueshme në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe e vlerëson si të suksesshëm misionin e EULEX-it. Por tani është koha që të gjitha kompetencat e EULEX-it të kalojnë te institucionet vendore. Kosova më nuk ka nevojë për EULEX-in, por do të pranojë çdo përkrahje në forcimin e rendit dhe ligjit nga ana e BE-së, sikur që është rasti në vendet e rajonit. EULEX-i tanimë nuk ka mandat për të qëndruar në Kosovë”, thuhet në fund të përgjigjes së Zyrës së Presidentit të publikuar dje në Insajderi./Express/

Brukseli ia kujton Vuçiçit se Kosova është çelësi në rrugën drejt integrimit

Dialogu i Serbisë me Kosovën mbetet një çështje e rëndësishme. Kështu ka deklaruar me anë të një shënimi në Twitter presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

”Dialogu me Kosovën mbetet një çështje kyçe”, ka shkruar ajo pas takimit.

Gjithashtu, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi deklaron se “bashkëpunimi rajonal mbetet thelbësor dhe dialogu me Prishtinën është çelësi”.

Këto deklarata të dy udhëheqësve të institucioneve të Bashkimit Evropian vijnë pas takimeve që kanë pasur me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

Dje kryeministri Hoti është takuar në Bruksel, derisa sot presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë ishte planifikuar që të udhëtonin drejt Washingtonit për të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit atje, megjithatë aktakuza e Prokurorisë Speciale të Hagës ndaj presidentit Thaçi ka ndryshuar të gjithë rrjedhën e ngjarjeve.

Kreu i shtetit pritet që të arrijë shpejtë në Kosovë, dhe të dielën siç ka njoftuar do t’i drejtohet opinionit./Express/