VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Trumpi pritet t’iu japë fund dilemave të vrasjes së Khashoggit

By | November 18, 2018

Komentet

Zëri i Amerikës: Presidenti Trump kërkon marrëveshje për njohje të ndërsjellë Kosovë – Serbi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje presidentëve të Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve si një veprim thelbësor për të ardhmen e tyre.

Thirrjet ishin pjesë e një letre që presidenti Trump i dërgoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe një letre dërguar presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë.

Ne letrën dërguar presidentit Thaçi, thuhet se “marrëdhëniet e fuqishme dypalëshe janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të përqendrohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare. Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është thelbësore për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse“.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në letër, “u mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës“.

Ndërkaq në letrën dërguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, presidenti Trump thekson se “Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në përkrahjen ndaj angazhimit tuaj për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe në veçanti për përpjekjet tuaja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërsa u takon palëve që të arrijnë një marrëveshje që mund ta mbështesin të dyjat, vlerësojmë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë element thelbësor i normalizimit afatgjatë të marrëdhënieve. Një marrëveshje e tillë historike me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën për synimet e Serbisë për integrime evropiane dhe rritje ekonomike“, thuhet në letër.

Në dhjetor të vitit që lamë pas presidenti Trump u kishte shkruar të dy presidentëve duke bërë thirrje që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi ndërmjet tyre, duke theksuar se “do të mirëpriste të dy presidentët në Shtëpinë e Bardhë, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike“.

Por, bisedimet ndërmjet të dyja palëve mbetën të pezulluara për shkak të tensioneve politike dhe tarifave ndaj mallrave serbe që vendosi qeveria e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara disa herë kanë bërë thirrje për pezullimin e tarifave dhe kanë marrë e paralajmëruar veprime dënuese për shkak të refuzimit të qeverisë për ta bërë një gjë të tillë.

Trysnia amerikane la bërë që të shtohen përpjekjet në Kosovë për të gjetur një zgjidhje që do të shmangte dëmtimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara roli i të cilave vlerësohet i pazëvendësueshëm në proceset politike përfshirë edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës 11 vjet më parë.

Ish shefi i FBI: Zyrtarët shqyrtuan mundësinë e shkarkimit të presidentit

Administrata e Presidentit Donald Trump reagoi ndaj komenteve të një ish-drejtori në detyrë të FBI-së, i cili tha se dy vjet më parë, zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit po shikonin mundësinë e përdorimit të një amendamenti kushtetues për të hequr presidentin, pasi ai kishte shkarkuar drejtorin e atëhershëm të FBI-së James Comey.

Ish zyrtari Andrew McCabe, në një intervistë për televizionin CBS News, tha gjithashtu se ai hapi një hetim ndaj presidentit për shkak të shqetësimit se hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller rreth lidhjeve ndërmjet fushatës Trump dhe Rusisë do të rrezikohej nëse ai do të shkarkohej.

“Isha shumë i prokupuar për ta vënë çështjen e Rusisë në një terren absolutisht të fortë dhe në mënyrë të pashlyeshme”, i tha zoti McCabe intervistuesit të televizionit CBS, Scott Pelley. “Qëllimi ishte që, nëse më hiqnin me shpejtësi ose më shkarkonin apo transferonin, çështja të mos mbyllej ose të shuhej pa gjurmë”, tha ai.

Departamenti i Drejtësisë, i cili mbikëqyr FBI-në, e quajti shpalosjen e fakteve nga zoti McCabe “të pasaktë dhe faktikisht të gabuar”. Në një deklaratë, departamenti thotë gjithashtu se inspektori i përgjithshëm i tij gjeti se zoti McCabe “në shumë raste nuk ua tregoi të vërtetën autoriteteve federale dhe kjo çoi në shkarkimin e tij nga posti në krye të agjencisë.”

Pak pas përfundimit të intervistës së zotit McCabe, Presidenti Trump e quajti ish-zyrtarin “një turp për FBI-në dhe një turp për vendin tonë”.

Presidenti Trump përmendi në Twitter zgjedhjen e tij në vitin 2016 në garë me demokraten Hillari Klinton, duke thënë: “Ish-drejtori në detyrë i FBI-së, Andrew McCabe, tashmë i larguar me turp, pretendon të jetë ‘një engjëll i vogël’, kur në të vërtetë ishte pjesë e madhe e skandalit të Mashtrueses Hillary që shpiku çështjen e Rusisë, si dhe një kukull e James Comey-t, që nxirrte lajme për mediat”.

Në mars 2018, Jeff Sessions, në atë kohë Prokuror i Përgjithshëm, e shkarkoi zotin McCabe, duke e privuar atë nga përfitimet e pensionit të plotë.

Bloomberg: Trump, presidenti më ksenofob

VOAL – “Historia amerikane dhe ëndrra amerikane janë nën sulmin e presidentit amerikan, vështirë për t’u besuar, por presidenti më ksenofob i jetës sonë vjen nga kryeqyteti i emigracionit në SHBA, qyteti i Nju Jorkut”: miliarderi Michael Bloomberg , ish-kryebashkiaku i Big Apple, ka sulmuar kështu Donald Trump në një ndërhyrje në Miami (Florida) që ‘dukej një provë për përfshirjen e tij të mundshme për në garën drejt Shtëpisë e Bardhë, në mesin e demokratëve. ansa

Epidemi e fruthit në Shtetet e Bashkuara

Zyrtarët e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët për fruthin, pasi janë shtuar rastet e përhapjes së kësaj sëmundje. Më 5 shkurt, u njoftuan 50 raste të reja në shtetin Uashington, dhe pesë raste në Hjuston, të Teksasit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, shumica e rasteve janë fëmijë të pavaksinuar.

Fruthi u eliminua plotësisht në Shtetet e Bashkuara 19 vjet më parë. Rastet që shfaqen tashmë janë të importuara nga vende të tjera. Kjo po ndodh më shpesh.

“Fruthi është tmerrësisht ngjitës. Po hyri në komunitet është shumë i vështirë pasi transmetohet përmes ajrit”, thotë Dr. Camille Sabella, i Klinikës Cleveland.

Tetëmbëdhjetë shtete i lejojnë prindërit të mos i vaksinojnë fëmijët nëse kanë kundërshtime morale, personale ose filozofike.

Një epidemi e fruthit në shtetin e Uashingtonit ka alarmuar zyrtarët e shëndetësisë që po përpiqen ta izolojnë përhapjen.

“Shpresoj të jem gabim, por mendoj se rastet do të shtohen dhe do të përhapen në mbarë vendin nga kjo epiqendër”, thotë Dr. Jason Hanley, i Qendrës Mjekësore “PeaceHealth Southwest”.

Zonat rurale në Shtetet e Bashkuara kanë më shumë fëmijë të pavaksinuar. Por, edhe në qytete si Hjuston, Ostin dhe Siatëll ka nivel domethënës immunizimi të pamjaftueshëm.

Qyteti i Hjustonit njoftoi dy raste fruthi tek fëmijë nën 2 vjeç.

Doktorët dhe Shërbimit Mjekësor i SHBA-së po u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët.

“Dua që të jenë të gjithë vetëdijshëm se mbrojtja më e mirë është vaksinimi”, deklaroi për publikun amerikan kreu i Shërbimit Mjekësor, Gjeneral Jerome Adams.

Vaksina ka efikasitet prej pothuajse 100%. Doktorët rekomandojnë që fëmijët të marrin dy doza.

“Me një dozë të vaksinës, rreth 95% e fëmijëve imunizohen kundër fruthit. Arsyeja pse japim një dozë të dytë është pasi tek 5% e fëmijëve nuk ka efekt doza e parë. Pra, me dy doza, mbi 99% e fëmijëve janë të mbrojtur nga fruthi”, thotë Dr. Sabella.

Fruthi është sëmundje e rëndë dhe është veçanërisht e rrezikshme tek fëmijët e vegjël.

“Një e treta e këtyre rasteve përfundojnë në spital për arsye të ndryshme”, thotë Dr. Roberta DeBiasi, e Qendrës Kombëtare Mjekësore të Fëmijëve.

Komplikacione si pneumonia, encefaliti dhe enjtja e trurit, mund të shkaktojnë vdekjen ose dëmtime të pariparueshme.

Për këtë arsye, doktorët u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët.

Kongresmeni John Dingell vdes në moshën 92-vjeçare

John Dingell, kongresmeni që ka shërbyer më së gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara, ka vdekur në moshën 92-vjeçare.

“Ai ka qenë luan i Kongresit të SHBA-së dhe një djalë, baba, burrë, gjysh e shok i dashur”, ka thënë zyra e gruas të tij, Debbie Dingell.

Demokrati nga Miçigeni ka qenë forcë shtytëse për një varg ligjesh dhe programesh.

Ai është zgjedhur për herë të parë më 1995 si kongresmen në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ka qenë pjesë e këtij trupi për 59 vjet.

Ai është pensionuar më 2015.

Pasi është larguar nga Kongresi ai ka vazhduar të qëndrojë afër politikës, duke bërë publike qëndrimet e tij përmes postimeve në rrjetin social Twitter.

Ai ka vdekur të enjten në shtëpinë e tij në Dearborn, Miçigen.

Dingell ka qenë vetëm 29 vjeçar kur ka fituar në disa zgjedhje të veçantë për ulësen e babait të tij, pas një vdekjeje të papritur më 1955.

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama e ka përshkruar atë si një nga ligjvënësit me më shumti ndikim në histori.

Duke njoftuar për vendimin e tij për pensionim më 2015, ai pati thënë: “Nuk dua që njerëzit të ndjehen keq për mua. Nuk dua që të bëjë punë që nuk mund ta kryej në mënyrë adekuate”.

Dingell ka shërbyer përgjatë mandateve të 11 presidentëve të SHBA-së.

Presidenti Trump në Mëngjesin e Lutjeve

Rep. James Lankford, R-Okla., left, President Donald Trump, center, and Sen. Chris Coons, D-Del., pray during the National Prayer Breakfast, Feb. 7, 2019, in Washington.

Presidenti Donald Trump tha se do të jetë gjithmonë në mbrojtje të njerëzve të besimit. Ai i bëri komentet në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve sot në Uashington.

National Prayer Breakfast

Presidenti Trump i falënderoi udhëheqësit fetarë për mbështetjen ndaj përpjekjeve për reformën e drejtësisë penale që ka ndërmarrë administrata e tij. Ai tha se nën drejtimin e tij, administrata lufton për të mbrojtur liritë fetare. Presidenti tha gjithashtu se besimi është një element qëndror për familjen dhe lirinë amerikane.

“Ne, tha ai, duhet të ndërtojmë një kulturë që mishëron dinjitetin dhe pacenueshmërinë e jetës së pafajshme njerëzore. Të gjithë fëmijët, të lindur e të palindur, janë pasqyrim i imazhit të shenjtë të Zotit”.

Mëngjesi i Lutjeve mbahet të enjten e parë të çdo muaji shkurt dhe që nga viti 1953 bashkon në një sallë presidentë, politikanë, udhëheqës fetarë dhe personalitete të tjera të vendit si dhe të huaja.

Disa pjesëmarrës që e morën i bënë thirrje Presidentit Trump dhe kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi që të lenë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të pajtohen për hir të së mirës së përgjithshme.

Akvititeti i përvitshëm zhvillohet ndërkohë që vendi përballet me afatin e 15 shkurtit që mund të çojë përsëri në një mbyllje të pjesshme të qeverisë, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth ndërtimit të një muri në kufirin me Meksikën.

Presidenti Trump dhe kryetarja e Dhomës Pelosi morën pjesë në Mëngjesin e Lutjeve së bashku me më shumë se 180 anëtarë të Kongresit.

Presidenti Trump sulmon kritikët për taksat e tij

Presidenti i SHBA, Donald Trump sulmoi ashpër një prej kritikëve të tij demokratë, i cili po vë në veprim një komision të fuqishëm të Kongresit për të hetuar financat e tij personale.

Presidenti Trump tha se veprimet e Kryetarit të Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff përbëjnë ngacmime ndaj presidentit dhe dëmtojnë vendin.

“Një mrekulli ekonomike po ndodh në Shtetet e Bashkuara dhe e vetmja gjë që mund ta ndalë janë luftërat pamend, politikat ose hetimet partiake qesharake”, tha Presidenti Trump.

Ndërkohë, një komision i Dhomës së Përfaqësuesve mban të enjten një dëgjesë mbi çështjen e taksave të presidentëve, një hap i parë i një procesi që mund ta bëjë komisionin e drejtuar nga demokratët të hetojë taksat e Presidentit Donald Trump.

Muajin e kaluar, demokratët u shndërruan në parti shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe po fillojnë një numër hetimesh në nivel komisionesh për të shqyrtuar interesat financiare të zotit Trump si dhe për të parë nëse ato mund të motivojnë vendime të caktuara politike të tij.

Taksat janë konfidenciale, por sipas ligjit, kryetari i Komisionit për Tatimet ka autoritetin të shqyrtojë taksat e kujtdo.

Zoti Schiff tha se komisioni do të vazhdojë të shqyrtojë veprimet e Rusisë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, si dhe kontaktet midis ekipit të fushatës Trump dhe Moskës, por tani do të hetojë gjithashtu “nëse ndonjë aktor i huaj është përpjekur të kompromentojë ose të ketë ndikim financiar mbi zotin Donald Trump, familjen, biznesin, ose bashkëpunëtorët e tij.”

Komisioni i zotit Schiff votoi gjithashtu të mërkurën për t’i dërguar prokurorit të posaçëm Robert Mueller më shumë se 50 intervista të zbardhura të komisionit lidhur me hetimin për Rusinë.

Përgjigja e demokratëve ndaj fjalimit të presidentit

Stacey Abrams, Kryetare e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të Shtetit Xhorxhia, ish-kandidate për guvernatore të këtij shteti në zgjedhjet e fundit, e hapi fjalimin me një histori të shkurtër të familjes së saj që e përdori si simbolizëm për karakterin e popullit amerikan:

“Forca dhe fuqia jonë si amerikanë jeton tek puna jonë e palodhur dhe tek besimi i të krijuarit më shumë.

Familja ime kuptoi nga vetë eksperienca e saj se megjithëse suksesi nuk është i garantuar, ne jetojmë në një vend ku mundësia ekziston.

Por nuk ja dalim mbanë të vetëm – në këto Shtete të Bashkuara, kur kohërat janë të vështira, ne mund të ngulmojmë pasi miqtë tanë dhe fqinjët do të na vijnë në ndihmë”.

Zonja Abrams kritikoi politikat e administratës duke i fajësuar për mbylljen e qeverisë së nga fundi i dhjetorit deri 10 ditë më parë.

“Vetëm pak javë më parë, unë iu bashkova vullnetarëve për të shpërndarë ushqim për punonjësit federalë të pezulluar nga puna. Ata pritën në radhë për një kuti me ushqime dhe për një grimcë shprese, pasi nuk ishin paguar për javë të tëra. Të shndërrosh mjetet e tyre të jetesës në vegël për lojëra politike është një turp.

Mbyllja e qeverisë ishte një truk i sajuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara duke sfiduar çdo parim drejtësie dhe duke braktisur jo vetëm njerëzit tanë, por edhe vlerat tona”.

Zonja Abrams foli edhe për nevojën për konsensus e bashkëpunim ndërpartiak:

“Për shtatë vjet, unë udhëhoqa Partinë Demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Xhorxhia. Nuk isha gjithnjë dakord me Kryetarin tonë republikan, apo me Guvernatorin, por kuptova se për votuesit tanë nuk ishin të rëndësishme partitë tona politike – të rëndësishme për ta ishin jetët e tyre.

Kështu që, kur na u desh të negocionim reformën e drejtësisë, apo transportin, apo përmirësimet në sistemin e birësimit, udhëheqësit e shtetit tim nuk e mbyllën punën – ne u bashkuam. Dhe e mbajtëm fjalën.

Nuk duhet të jetë ndryshe në kryeqytetin e vendit tonë.

Vërtet mund të vijmë nga kahe të ndryshme të politikës, por përkushtimi ynë i përbashkët ndaj idealeve të këtij vendi nuk mund të jetë i negociueshëm”.

Pas theksit të fortë që i vuri Presidenti Trump rritjes së ekonomisë dhe papunësisë së ulët në fjalimin e tij, zonja Abrams u shpreh me kritika se për një pjesë të mirë të amerikanëve punët ekzistuese nuk ofrojnë një jetë me siguri ekonomike:

“Në Xhorxhia dhe në mbarë vendin, njerëzit po përpiqen të krijojnë një klasë të mesme, me një pagë që vërtet përfaqëson sigurinë ekonomike.

Por, realisht shpresat e familjeve po dërrmohen nga udhëheqja republikane që injoron jetën reale apo thjesht nuk e kupton atë”

Përfaqësuesja e demokratëve që foli të martën në përgjigje të Fjalimit të Presidentit Trump mbi Gjendjen e Vendit, u shpreh se shumë amerikanë vërejnë se po përdoren forma të ndryshme për t’u mohuar ose kufizuar atyre të drejtën e votës:

Kjo është beteja e radhës për demokracinë tonë, një betejë në të cilën të gjithë qytetarët të mund të shprehin mendimin e tyre për vizionin që duam për vendin tonë.

Duhet ta refuzojmë cinizmin që thotë se të lejosh të dëgjohet dhe të numërohet çdo votë është “kapje e pushtetit”.

Amerikanët e kuptojnë se këto janë vlerat e burrave dhe grave tona me uniformë dhe për të cilat veteranët tanë rrezikojnë jetën e tyre për t’i mbrojtur.

Themelet e udhëheqjes tonë morale në mbarë globin janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, nëpërmjet të cilave votuesit zgjedhin udhëheqësit e tyre – dhe jo për politikanët që të zgjedhin votuesit e tyre,” tha Stacy Abrahms në fjalimin që mbajti në emër të Partisë Demokrate, në përgjigje të Fjalimit mbi Gjendjen e Vendit që mbajti Presidenti Trump.

Presidenti Trump mban Fjalimin mbi Gjendjen e Vendit (video)

Presidenti Trump mbajti të martën Fjalimin mbi Gjendjen e Vendit. Presidenti foli para një Kongresi të ri të zgjedhur në nëntor.

Ky ishte fjalimi i dytë mbi gjendjen e vendit që mban Presidenti Trump që kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë.

“Zonja Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, zoti Nënpresident, Anëtarë të Kongresit, Zonja e Parë e ShBA, bashkatdhetarët e mi amerikanë! Takohemi sonte në një moment me potencial të pafund. Me fillimin e punimeve të Kongresit të ri, dal para jush i gatshëm për të punuar me ju për të arritur suksese historike për të gjithë amerikanët. Miliona bashkatdhetarë të mi që na shohin tani të mbledhur në këtë seli, shpresojnë se ne nuk do të qeverisim si dy parti, por si një komb i vetëm. Axhenda që do të prezantoj sonte nuk është as republikane, as demokrate, por është axhenda e popullit amerikan”.

Me këto fjalë, Presidenti hapi fjalimin e tij para një Kongresi të ri që rezultoi nga zgjedhjet e 6 nëntorit. Presidenti e hapi fjalimin me një nga temat e theksuara shpesh në fjalimet e tij, mbrojtjen e interesave të punëtorëve amerikanë, duke vënë në plan të parë interesat e Amerikës:

“Shumë prej nesh bënë fushatë me të njëjtat premtime: mbrojtje të vendeve të punës dhe tregti e drejtë për punëtorët amerikanë; rindërtimi dhe përmirësimi i infrastrukturës së vendit; ulja e çmimeve për kujdesin shëndetësor dhe ilaçet; krijimi i një sistemi të imigracionit që është i sigurtë, i ligjshëm dhe modern, si dhe një politikë e jashtme që vë në plan të parë interesat e Amerikës.

Mundësi të reja i paraqiten politikës amerikane me kusht që të kemi kurajon që t’i shfrytëzojmë. Fitorja nuk kërkon që të shënojë pikë partia jonë. Fitorja arrihet kur fiton vendi”.

Duke e vënë theksin mbi sukseset e Amerikës në dekada, presidenti u ndal tek disa momente historike të rolit amerikan në kontribut të njerëzimit:

“Këtë vit, vendi do të shënojë dy përvjetorë të rëndësishëm që dëshmojnë madhështinë e misionit të Amerikës, si dhe fuqinë e krenarisë amerikane.

Në qershor mbushen 75 vjet nga ajo që Gjenerali Ajzenhauer e quajti “Kryqëzata e Madhe” – operacioni i forcave aleate për të çliruar Evropën. Në operacionin e 6 qershorit, 1944, 15 mijë të rinj amerikanë u hodhën me parashuta, u sulën nga deti dhe toka, për të shpëtuar civilizimin tonë nga tirania. Në sallë kemi të ftuar tre nga nga këta heronj amerikanë: Joseph Reilly, Irving Locker and Herman Zeitchik. Zotërinj, ju përshëndesim!

Në 2019-ën mbushen 50-vjet që kur astronautët e rinj udhëtuan një çerek-milion milje në hapësirë për të vënë flamurin amerikan në Hënë. Gjysmë shekulli më pas, kemi në sallë një nga astronautët e misionit “Apolli 11″: Buzz Aldrin. Këtë vit astronautët amerikanë do të rikthehen në hapësirë me raketa amerikane”.

Imigracioni, një ndër temat parësore që ka theksuar në politikat e brendshme Presidenti Trump, ishte edhe në fokusin qendror të Fjalimit mbi Gjendjen e Vendit.

“Asgjë nuk e dëshmon më qartë ndarjen e thellë mes klasës politike dhe klasës punëtore amerikane se sa imigracioni. Sot ju bëj thirrje të mbroni kufirin jugor të vendit tonë në emër të dashurisë për njerëzit tanë. Politikanë që jetojnë në lagje të mbrojtura, pas hekurave, nuk duan t’ia dinë për klasën punëtore amerikane që preket nga mbingarkimi i shkollave, i spitaleve, rreziku ndaj jetës, ndërkohë që pagat e tyre dëmtohen nga konkurrenca e imigrantëve”.

Presidenti kërkoi nga Kongresi mbështetje për propozimet që ai ka parashtruar për zgjidhjen e sfidave që sjell imigracioni:

“Administrata ime i ka dërguar Kongresit një propozim të logjikshëm për t’i dhënë fund krizës në kufirin tonë jugor. Propozimi përfshin asistencë humanitare, më shumë zbatim të ligjit, zbulimin e drogave në portet tona, mbylljen e të çarave që mundësojnë trafikimin e fëmijëve, si dhe plane për një barrierë të re fizike, ose një mur, për të siguruar zonat e gjera ndërmjet pikave hyrëse kufitare. Në të kaluarën, shumica e njerëzve në këtë sallë votuan për një mur, por muri i vërtetë nuk u ndërtua kurrë. Unë do ta ndërtoj.

Kjo është një barrierë inteligjente çeliku që lejon të shikohet në anën tjetër, dhe jo thjesht një mur betoni. Do të vendoset në zonat e identifikuara nga agjentët e kufirit si zonat që e kanë më të nevojshme, dhe siç mund t’jua thonë vetë agjentët, aty ku ngrihen muret, kalimet e paligjshme bien.

San Diego kishte dikur numrin më të madh të kalimeve të paligjshme në vend. Në përgjigje të kërkesave të banorëve të San Diegos dhe të udhëheqësve politikë, u vendos një mur i fortë sigurie. Kjo barrierë e fuqishme pothuajse i dha fund krejtësisht kalimeve të paligjshme të kufirit.

Qyteti kufitar El Paso, në shtetin Teksas, kishte dikur një nivel jashtëzakonisht të lartë të krimeve të dhunshme, një nga më të lartat në vend, si dhe konsiderohej një ndër qytetet më të rrezikshme të vendit tonë. Tashmë, me një barrierë të fuqishme, El Paso konsiderohet si një ndër qytetet tona më të sigurta.

Thënë më thjesht, muret funksionojnë dhe muret shpëtojnë jetë. Prandaj, le të të punojmë së bashku, të bëjmë kompromis, dhe të arrijmë një marrëveshje që do ta bëjë vërtet më të sigurtë Amerikën”.

Presidenti foli edhe për politikat amerikane të bashkëpunimit ndërkombëtar për sigurinë duke përsëritur se Shtetet e Bashkuara po mbajnë një barrë më të madhe dhe të padrejtë krahasuar me aleatët e tyre:

“Gjatë dy viteve të fundit kemi filluar të rindërtojmë plotësisht Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, me një buxhet prej 700 miliardësh vitin e kaluar, dhe këtë vit me 716 miliardë. Po i shtyjmë edhe vendet e tjera të paguajnë pjesën e tyre të drejtë. Për vite, Shtetet e Bashkuara janë trajtuar shumë padrejtësisht nga NATO-ja, por ne tashmë kemi siguruar një rritje prej 100 miliardë dollarësh të shpenzimeve ushtarake të vendeve aleate të NATO-s”.

Në Fjalimin e tij mbi Gjendjen e Vendit, Presidenti Trump u ndal edhe tek politikat ndaj Rusisë:

“Si pjesë e forcimit të ushtrisë sonë, Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë një Sistem për Mbrojtjen nga Raketat të modernizuar.

Nën Administratën time, ne nuk do të kërkojmë kurrë ndjesë për avancimin e interesave të Amerikës.

Për shembull, dekada më parë Shtetet e Bashkuara nënshkruan një traktat me Rusinë duke rënë dakort të kufizojmë dhe të reduktojmë aftësitë tona në fushën e raketave. Ndërkohë që ne e zbatuam marrëveshjen pikë për pikë, Rusia i shkeli kushtet e marrëveshjes në mënyrë të përsëritur. Për këtë arsye, unë njoftova se Shtetet e Bashkuara po tërhiqen zyrtarisht nga Traktati për Armët Bërthamore me Rreze të Mesme (INF).

Ndoshta mund të negociojmë për një marrëveshje të ndryshme, ku të shtohet edhe Kina apo vende të tjera; ose ndoshta nuk e arrijmë dot, dhe në këtë rast do të shpenzojmë më shumë dhe do të arrijmë më shumë inovacion se të gjithë të tjerët”.

Presidenti bëri thirrje për një politikbërje më gjithëpërfshirëse:

“Duhet të heqim dorë nga politika e hakmarrjes, rezistencës dhe shpagimit dhe të përqafojmë potencialin e bashkëpunimit, kompromisit dhe të mirës së përbashkët”.

Dhjetë ditë pas rihapjes së qeverisë që rezultoi nga përplasjet mes administratës dhe Kongresit lidhur me buxhetin, presidenti foli për nevojën për një politikbërje të udhëhequr nga kompromisi dhe bashkëpunimi.

“Nëse duam paqe dhe përparime, nuk duhet të ketë luftë e investigime. Ndryshe nuk funksionojnë gjërat. Ne duhet të jemi të bashkuar brenda vendit për të arritur të mundim kundërshtarët tanë jashtë vendit”.

Presidenti i bëri thirrje Kongresit që të miratojë pa vonesa kandidatët e tij për poste në administratën e tij.

Presidenti i kushtoi një pjesë të madhe në fjalimin e tij përparimeve ekonomike gjatë dy viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë:

“Ne kemi mundësuar një zhvillim ekonomik të paparë. Kemi krijuar 5.3 milionë vende të reja pune dhe, më e rëndësishmja, kemi shtuar 600 mijë vende të reja pune në prodhimin industrial që të gjithë thonin se ishte e pamundur”.

Administrata ime ka reduktuar pengesat burokratike në një kohë më të shkurtër se kushdo tjetër. Kompanitë po rikthehen në vendin tonë falë reduktimeve historike të taksave e pengesave ligjore”.

Ai përsëriti politikat e tij të mbrojtjes së tregut amerikan të punës dhe synimin e tij që në shkëmbimet tregtare me vende të tjera të vërë në plan të parë interesat e punëtorëve dhe kompanive amerikane.

SHBA, raporti qeveritar nuk gjen ndikim nga jashtë tek zgjedhjet e 2018

Një raport i klasifikuar i qeverisë amerikane lidhur me ndërhyrjen e huaj tek zgjedhjet për në Kongres të nëntorit të 2018-ës, arrin në përfundimin se ndërhyrja nga jashtë “nuk pati ndikim material” tek integriteti dhe siguria e votave, duke lënë të hapur çështjen në se do të merren sanksione për ndikimin e huaj në fushatat elektorale.

Ndërsa përfundimet e hollësishme të raportit nga Departamentet e Drejtësisë dhe të Sigurisë Kombëtare janë të klasifikuara, të dyja këto agjenci deklaruan të martën se nuk kishin gjetur “të dhëna që aktivitetet e një qeverie, apo agjenti të huaj të kenë patur ndikim material tek integriteti, apo siguria e infrastrukturës elektorale, apo politike në zgjedhjet e mesit të mandatit.”

Në raportin e të dy agjencive nuk thuhet në se fushtatat e ndikimit të huaj me objektiv votuesit amerikanë patën sukses që të ndikonin tek rezultati i zgjedhjeve, një çështje që zyrtarët amerikanë të zbulimit nuk janë përpjekur t’i përgjigjen.

Raporti u përgatit me urdhërin ekzekutiv të Presidentit Donald Trump, i nënshkruar në shtator, që autorizonte sanksione ndaj aktorëve të huaj, në rast se do të kishte ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.

Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, gjenerali Matthew Whitaker dhe Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kirstjen Nielsen ja dorëzuan raportin e agjencive të tyre Presidentit Trump.

Forum në Uashington, Evropa Juglindore dhe ndikimi rus

Në një nga sallat e Senatit amerikan u mbajt të martën një forum për sigurinë në Evropën Juglindore me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe parlamentarëve nga 17 vende të Evropës. Forumi zhvillohej nën kujdesin e senatorit republikan James Inhofe. Zyrtarët bënë thirrje për të mos e zvogëluar praninë e Shteteve të Bashkuara në rajon, si garanci për të penguar shtrirjen e ndikimit rus, të cilin ata e shohin si faktor që mund të sillte një destabilizim politik.

Në forum mori pjesë si i ftuar nderi presidenti i Shqipërisë Ilir Meta. Kosova përfaqësohej nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

Forumi i përvitshëm, i ndërmarrë me nismën e deputetit nga Shqipëria Fatmir Mediu, zhvillohet prej katër vjetësh nën kujdesin e komisionit të Forcave të Armatosura të senatit amerikan. Këtë vit, në drejtimin e forumit ishte senatori James Inhofe, kreu i këtij komisioni.

Forumi titullohej “Sfidat e tanishme të Evropës Juglindore dhe luftimi i sjelljes keqdashëse të Rusisë në rajon.”

Presidenti Meta, në një koment për Zërin e Amerikës tha se sfidat e Shqipërisë kanë të bëjnë me rritjen e rolit të saj si faktor për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor. Ai e shpjegon kështu arsyen:

“Dihet që ka një angazhim të aktorëve të tretë për të cënuar këto procese stabilizuese dhe integruese në rajonin tonë, të cilat falë angazhimit të përbashkët dhe koordinimit të shkëlqyer në dy dekadat e fundit të SHBA, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, kanë sjellë një progres solid. Jemi në një moment ku nuk duhet të kemi jo vetëm një ulje të kësaj pranie amerikane, të NATO-s apo të BE-së, por ku edhe koordinimi i tyre për çështjen e rajonit është mjaft i rëndësishëm për të mos lejuar hapësira për depërtimin e aktorëve të tretë.”

Drejtori i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia të Nju Jorkut, David Phillips, thotë se Shqipëria përballet me sfida nga vende të tjera që synojnë të projektojnë ndikimin e tyre atje.

“Ndikimi negativ i Turqisë që ble asete dhe influencon politikanët si dhe një Rusi që po e shtrin dorën në shtetet e periferisë së saj, përfaqësojnë një sfidë serioze për interesat dhe sovranitetin e Shqipërisë. Synimi i Rusisë është të pakësojë ndikimin amerikan dhe, meqenëse Shqipëria dhe SHBA janë miq shumë të ngushtë, Rusia e ka vënë në shënjestër Shqipërinë. Ajo përpiqet gjithashtu të ngushtojë sferën e NATO-s në rajon dhe fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s përfaqëson një kërcënim për Rusinë.”

Ligjvënësit amerikanë që morën pjesë, nga Senati dhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, e shohin forumin si një rast për të ndërtuar partneritete në rajon dhe për të diskutuar mbi gjeopolitikën në Evropën Juglindore. Ata thanë se në dritën e sjelljeve keqdashëse të Rusisë në Ballkan, diskutimi i këtyre çështjeve me udhëheqës të lartë të rajonit është me rëndësi kritike.

Në vitet e kaluara, pjesëmarrësit kanë diskutuar mbi tema të tilla si ndikimi i ISIS-it në Ballkan, siguria kibernetike dhe gjeopolitika në Ballkan.

Pritshmëritë për fjalimin e Presidentit Trump para Kongresit

Presidenti Donald Trump pritet të lavdërojë gjendjen e ekonomisë amerikane dhe të këmbëngulë për nevojën për një pengesë fizike në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën në fjalimin e tij sonte mbi gjendjen e vendit. Fjalimi i presidentit Trump ishte planifikuar fillimisht për më 29 janar, por u shty për në 5 shkurt për shkak të mbylljes më të gjatë të qeverisë në histori amerikane, të shkaktuar nga mosmarrëveshjet mes presidentit republikan dhe shumicës demokratike në Kongres mbi financimin për ndërtimin e një muri në kufi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke thotë se një debat në Senat të hënën dha sinjalet e asaj që mund të pritet nga fjalimi i presidentit Trump.

Presidenti Trump pritet të paraqitet si një lider i fortë që po përmbush premtimet e fushatës së tij. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell la të kuptohet se suksesi i ekonomisë amerikane mund të jetë tema kryesore e fjalimit.

“Politikat pro-rritjes ekonomike dhe pro-familjes të republikanëve kanë ndihmuar krijimin e vendeve të punës dhe gjallërimin e bizneseve të vogla, ndërsa familjet e klasës së mesme në mbarë vendin vazhdojnë të përfitojnë nga këto politika”.

Demokratët janë të përgatitur të përgjigjen, siç treguan komentet e udhëheqësit të pakicës në Senat, Chuck Schumer.

“Nesër, presidenti do të thotë, siç pritet, se gjendja e vendit tonë është e fortë, por e vërteta është se gjendja e ekonomisë së krijuar nga zoti Trump po dobëson klasën e mesme amerikane. Gjendja e sistemit të kujdesit shëndetësor është duke dobësuar familjet amerikane dhe administrata Trump është e përfshirë në kaos dhe paaftësi”.

Presidenti Trump e ka pranuar se mund të mos jetë në gjendje të marrë mbështetje të mjaftueshme në Kongres për të financuar ndërtimin e një muri kufitar – premtimi i tij kryesor gjatë fushatës. Ai ka thënë se mund të deklarojë një emergjencë kombëtare për të marrë fondet e nevojshme dhe mund ta përdorë fjalimin mbi gjendjen e vendit për të nxitur këtë mundësi. Senatori Lindsay Graham u ka kërkuar republikanëve të tjerë që ta mbështesin presidentin.

“Nëse demokratët nuk do të punojnë me të, mendoj se do të ishte gabim për republikanët ta sabotojnë presidentin, nëse ai përpiqet të vendosë barrierat në vend, duke përdorur autoritetin e tij si komandant i forcave të armatosura”.

Presidenti Trump gjithashtu ka gjasa të deklarojë suksesin në ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara në Afganistan, si një justifikim për t’i dhënë fund angazhimit 17 vjeçar amerikan në atë vend. Rand

Paul, një senator republikan nga Kentaki, është gjithashtu një mbështetës i pasionuar i tërheqjes së trupave amerikane nga Siria dhe Afganistani.

“Ne jemi fitimtarë, në çdo aspekt. Kemi vrarë bin Ladenin, kemi ndërprerë kampet terroriste në Afganistan. A është Afganistani me probleme? Sigurisht, është dhe do të jetë i tillë”.

Por disa ligjvënës nga të dyja partitë e kundërshtojnë tërheqjen nga Afganistani.

“Një nga kolegët tanë, senatori nga Florida Marco Rubio, tha se terrorizmi është si një tumor, si kancer. Mund të përpiqemi ta eliminojmë atë, por nëse nuk jemi të suksesshëm në eliminimin e tij, edhe pse e kemi zvogëluar, ai do të rikthehet sapo të të ulet presioni”.

Presidenti Trump pritet gjithashtu të thotë se ka patur përparim në negociatat tregtare të administratës së tij me Kinën dhe bisedimet me Korenë e Veriut për çnuklearizimin e Gadishullit Korean.