VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Trumpi mohon se ka fshehur detaje nga takimet me Putinin

By | January 13, 2019

Komentet

Hetohen lidhjet e supozuara të shefit të Pentagonit me kompaninë Boeing

Ushtruesi i detyrës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan.

Pentagoni ka nisur hetime për ushtruesin e detyrës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan për supozimet se ka favorizuar kompaninë ku ka punuar më parë, Boeing.

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes do të hetojë këtë çështje pas një ankese të bërë nga një grup vëzhgues.

Shanahan është akuzuar se ka lavdëruar shpesh kompaninë Boeing në takime kur është diskutuar për kontrata qeveritare.

Shanahan, që ka mohuar ndonjë keqbërje, ka kaluar 30 vjet duke punuar në kompaninë në fjalë.

Ai ka thënë javën e kaluar gjatë një seance në Komitetin e Senatit për Shërbime të Armatosura se do të mbështeste çdo hetim.

Senatorja demokrate, Elizabeth Warren, anëtare e këtij paneli, ka thënë se ajo ka nxitur thirrjet për hetime.

Ky hetim mund të vendosë një hije në emrin e Shanahan, teksa Shtëpia e Bardhë shqyrton mundësinë e nominimit të tij në pozitën e Sekretarit ë Mbrojtjes, pas dorëheqjes së Jim Mattis nga kjo pozitë në muajin dhjetor.

Ndërkohë kompania Boeing aktualisht është nën preson për shkak të rrëzimin të aeroplanit të kësaj kompanie në Etiopi javë më parë.

Si pasojë edhe këtij incidenti dhe një tjetri në Indonezi me aeroplanin e llojit të njëjtë, kompanitë më të mëdha ajrore kanë pezulluar fluturimet me avionin Boeing 737 Max 8.

Presidenti Trump thellon grindjen me bashkëshortin e ndihmëses

Presidenti i SHBA Donald Trump shkallëzoi të mërkurën grindjen e tij me bashkëshortin e një prej ndihmëseve të tij kryesore, Kellyanne Conway, duke e quajtur të shoqin e saj George Conway “një dështak i madh dhe bashkëshort prej ferri!”

Presidenti e sulmoi zotin George Conway për të dytën ditë me radhë, pas komenteve të avokatit republikan që është edhe kritik i presidentit, i cili thotë se Presidenti Trump po shfaqet gjithnjë e më i dobët mendërisht.

Brenda 20 minutash, zoti Conway u përgjigj me një koment therës në Twitter, duke iu drejtuar presidentit me fjalët: “Ju dukeni i vendosur për të provuar argumentin tim. Aq më mirë për ju!” duke shtuar “#NarcissisticPersonalityDisorder. (Çrregullimi narcisistik i personalitetit).”

Në një tjetër koment në Twitter, zoti Conway shkruante: “Ju. Jeni. I çmendur”.

Zoti Conway, i cili dikur ka përfaqësuar zotin Trump në transaksione ligjore, tha të martën se një vit më parë ai vendosi të mos e pranonte pozitën që i kishte ofruar presidenti, si kreu i sektorit civil në Departamentin e Drejtësisë, pasi Presidenti Trump sulmoi zyrtarët e lartë të agjencisë dhe shkarkoi zotin James Comey, në atë kohë drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve.

Zoti Conway është bërë një kritik i shpeshtë i presidentit.

Të dielën, kur Presidenti Trump shfreu zemërimin me një breshëri komentesh në Twitter, zoti Conway citoi Manualin diagnostik të Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë duke pretenduar se presidenti mishëron “një sens madhështie dhe rëndësie për vetveten”, është “i preokupuar me fantazitë e suksesit, pushtetit dhe shkëlqimit të pakufizuar” dhe shfaq shenja të “nervozizmit dhe agresivitetit”.

“Gjendja e tij po keqësohet”, shkruante zoti Conway.

Bashkëshortja e tij, e cila shfaqet shpesh në programet televizive të lajmeve duke mbrojtur Presidentin Trump, tashmë është mësuar me kritikat dhe provokimet e të shoqit ndaj presidentit.

Ajo hodhi poshtë vlerësimin e të shoqit për stabilititetin mendor të Presidentit Trump.

“Jo, nuk ndaj shqetësime të tilla,” tha ajo të hënën.

George Conway, 55 vjeç dhe Kellyanne Conway, 52, janë të martuar që nga vitin 2001 dhe kanë katër fëmijë.

Zoti Conway i tha një intervistuesi vitin e kaluar se ai e di që gruaja e tij nuk i pëlqen komentet e tij therëse ndaj shefit të saj, presidentit.

“Por unë e kam thënë: nuk më pëlqen kjo administratë, kështu që jemi barabar”, saktësoi ai.

Sulmet e presidentit Trump kundër të ndjerit McCain shkaktojnë reagime

Senatori republikan Johnny Isakson i shtetit Georgia, kritikoi ashpër Presidentin Donald Trump të mërkurën për sulmet e tij të përsëritura ndaj senatorit të ndierë John McCain, dikur kandidat republikan për president dhe i burgosur i Vietnamit, i cili vdiq nga kanceri i trurit rreth shtatë muaj më parë.

Ditët e fundit, zoti Trump ka përsëritur sulmet ndaj të ndierit McCain, duke e fajësuar atë si nxitës i hetimit për Rusinë dhe si senatori që hodhi votën vendimtare, e cila bëri të dështojë përpjekja e Presidentit Trump për reformimine politikave të kujdesit shëndetësor, që ishin arritja kryesore legjislative e paraardhësit të tij Barak Obama.

“Kurrë nuk kam qenë tifoz i John McCain-it, dhe nuk do të jem kurrë,” u tha zoti Trump gazetarëve të martën.

Disa ligjvënës e kanë kritikuar Presidentin Trump për aludimet e tij kundër zotit McCain, por askush më tepër se senatori Isakson, i cili tha se fakti që presidenti Trump vë në shënjestër të ndjerin McCain “më bën të çmendem”.

“Vendi meriton më shumë, familja McCain meriton më shumë. Nuk më intereson nëse ai është president i Shteteve të Bashkuara, zotëron të gjitha pasuritë e paluajtshme në Nju Jork ose po ndërton sistemin më të madh të imigracionit në botë”, tha senatori Isakson në një fjalim. “Asgjë nuk është më e rëndësishme se integriteti i vendit dhe ata që luftuan dhe rrezikuan jetën për të gjithë ne,” tha ai.

Senatori ngriti shqetësime për mesazhin që Presidenti Trump u dërgon trupave amerikane duke vënë në shënjestër të ndjerin McCain, një pilot i marinës i cili u rrëzua gjatë një bombardimi në Luftën e Vietnamit, pastaj u kap dhe u mbajt si rob lufte në Hanoi për 5 vjet e gjysmë.

Udhëheqësi demokrat i senatit Chuck Schumer, ish-kundërshtar politik i zotit McCainit, ka kërkuar që njërit prej komplekseve të zyrave të Senatit t’i vihet emri i “heroit amerikan, Senatorit Xhon Mekein”. Ndërtesa ndodhet në një rrugë të Uashingtonit pranë Kapitoli, ku John McCain ishte ligjvënës për 35 vjet me radhë.

Pas sulmeve të Presidentit Trump në Twitter të shtunën, vajza e të ndjerit McCain, Meghan McCain, shkruante: “Askush nuk do t’ju dojë ndonjëherë ashtu si e donin babanë tim … Do të desha të kisha kaluar më shumë të shtuna me të. Ndoshta duhet ta kaloni të shtunën me familjen tuaj se sa të komentoni në Twitter, duke u fiksuar tek e shtuna ime.”

Prej kohësh Presidenti Trump ka shprehur mospëlqimin e tij për senatorin e ndjerë McCain.

Gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2015, zoti Trump kritikoi statusin e zotit McCain si ish-rob lufte, duke thënë: “Ai nuk është hero lufte, ai është hero lufte thjesht sepse u kap rob, mua më pëlqejnë njerëzit që nuk kapen”.

Trump: Brazili mund të jetë aleat i NATO-s

Presidenti Trump priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Brazilit, Jair Bolsonaro.

Duke folur për raportet ndërmjet SHBA-së dhe Brazilit, presidenti Trump tha se planifikon të përcaktojë Brazilin si një aleat kryesor nga vendet joanëtare të NATO-s.

“Siç i thashë presidentit Bolsonaro, unë gjithashtu kam për qëllim të përcaktojë Bazilin si aleat të madh nga vendet joanëtare të NATO-a, apo ndoshta edhe aleat të NATO-s. Më duhet të flasë me shumë njerëz. Ndoshta si aleat i NATO-s do të ishte një përparim në sigurinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve” tha presidenti Trump.

Në konferencën për media pas këtij takimi, Presidenti Trump u pyet edhe për bisedimet tregtare me Kinën, për të cilat tha se janë duke shkuar mirë, por nuk dha më shumë detaje.

“Bisedimet me Kinën po shkojnë shumë mirë” tha presidenti Trump.

Lufta tregtare ndërmjet dy superfuqive ka tronditur tregjet globale dhe ka rritur frikën se mund të ngadalësojë ekonominë në mbarë botën.

New York, hapet struktura gjigante “The Vessel”

New York

Në metropolin amerikan New York është hapur struktura gjigante e pazakonte e emërtuar si “The Vessel”, raporton Anadolu Agency (AA).

E projektuar nga dizajnuesi Thomas Heatherwick, struktura në formën e një hualli gjendet në rajonin Hudson Yards pjesën perëndimore të Manhattanit.

Struktura, ndërtimi i së cilës filloi në vitin 2017, përfshin 157 shkallë, 2.500 shkallare dhe 80 pika lidhëse.

Struktura është ndërtuar në qendër të rajonit, ndërsa vizitorët do të kenë mundësi të ngjiten dhe të vështrojnë qytetin.

Bush: Emigrimi është bekim dhe forcë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, George W. Bush, u tha shtetasve të rinj amerikanë në një ceremoni të natyralizimit se “emigrimi është bekim dhe forcë”, pavarësisht politikave të ndërlikuara.

Bush dhe ish-Zonja e Parë, Laura Bush, folën para 51 njerëzve nga më shumë se 20 shtete në një ceremoni në Dallas të Teksasit.

Ai i tha grupit se shpreson që “ata që janë përgjegjës në Uashington, do të qetësojnë retorikën, do të lënë politikën mënjanë dhe do t’i modernizojnë ligjet e emigrimit”.

Komentet vijnë në kohën e një debati të thellë në SHBA mbi politikat e emigrimit.

Presidenti Donald Trump është zotuar se do të ndërmarrë masa ndaj emigrimit edhe të ligjshëm, edhe të paligjshëm, duke thënë se ai do që njerëzit të migrojnë në bazë të një sistemi meritash.

Bush, republikan sikurse edhe Trumpi, ka qëndruar kryesisht jashtë debatit politik që nga përfundimi i mandatit më 2009.

Ai bëri thirrje për, siç tha, reformën e ligjeve “të vjetëruara dhe joefektive” të emigrimit dhe tha se “kufijtë nuk janë arbitrarë dhe duhet të respektohen”.

Bush u tha amerikanëve të rinj se ata po i bashkohen një “demokracie të trazuar” dhe u bëri thirrje atyre që të marrin pjesë në të dhe të votojnë.

Trump, mes tjerash, është zotuar se do të ndërtojë një mur të gjatë në kufi me Meksikën, për të ndaluar hyrjen e emigrantëve të paligjshëm në SHBA.

Sulmi në Zelandën e Re shton kritikat ndaj presidentit Trump

Shtëpia e Bardhë të dielën hodhi poshtë çdo përpjekje për ta lidhur Presidentin Donald Trump me supremacistin e bardhë të akuzuar për vrasjen e 50 personave në dy xhami të Zelandës së Re.

“Presidenti nuk është një supremacist i bardhë”, tha shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney, për programin “Fox News Sunday”. “Nuk jam i sigurt se sa herë duhet ta themi. Le ta quajmë atë që ndodhi në Zelandën e Re ashtu siç është: një akt tragjik i tmerrshëm”.

Sulmuesi i dyshuar Brenton Harris Tarrant, një 28-vjeçar australian, thotë në një manifest prej 74-faqesh që e publikoi pak para se të ndodhte masakra në dy xhami në Christchurch se e shihte Trumpin si “një simbol të identitetit të bardhë të rinovuar dhe synimit të përbashkët”, por se nuk i mbështeste politikat e tij.

Kjo deklaratë rigjallëroi kritikat se presidenti Trump nuk ka dënuar me forcën e duhur nacionalizmin e bardhë.

I pyetur të premten pas incidentit në xhami nëse shihte një rritje të nacionalizmit të bardhë, presidenti Trump tha: “Nuk e besoj. Mendoj se është një grup i vogël njerëzish që kanë shumë, shumë probleme serioze”. Presidenti tha se nuk e kishte lexuar manifestin.

Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë tha: “Nuk mendoj se është e drejtë ta portretizojmë këtë person si mbështetës të Donald Trumpit ashtu si nuk do të ishte e drejtë t’i shihnim më shumë pasazhet e tij eko-terroriste në manifest të përafërta me ato të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi apo ligjvënëses Alexandria Ocasio-Cortez”.

Presidenti Trump u sulmua gjerësisht pas një tubimi vdekjeprurës supremacist në Sharlotsvillë të Virxhinia, në vitin 2017 kur ai barazoi supremacistët e bardhë me protestuesit, duke thënë se “të dyja palët” duhet të fajësoheshin dhe se kishte “njerëz të shkëlqyer” në të dy anët e protestës.

Senatorja Kirsten Gillibrand, një nga demokratët e shumtë që kërkojnë nominimin e partisë për të kundërshtuar zotin Trump në zgjedhjet e vitit 2020, tha në Twitter pas sulmit në Zelandën e Re: “Kohë pas kohe, ky president ka mbështetur dhe inkurajuar supremacistët e bardhë dhe në vend që të dënojë terroristët racistë, ai i mbron ata. Kjo nuk është aspak normale apo e pranueshme. ”

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame: Myslimanë, mos i lini xhamitë

Washington

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR) u ka bërë thirrje myslimanëve që të bashkohen në unitet dhe solidaritet pas vrasjes së 49 besimtarëve në sulmet terroriste në dy xhamitë në Zelandën e Re gjatë namazit të xhumasë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Mos u frikësoni dhe mos i lini xhamitë, as sot, as kurrë”, ka thënë kryetari i CAIR, Nihad Awad para gazetarëve.

Ai rikujtoi se në SHBA ka 3000 xhami në të cilat miliona myslimanë marrin pjesë rregullisht në lutjet e së premtes.

“Ata ndjejnë frikë shumë të arsyeshme, dhe atyre disa u thonë që t’u friksësohen atyre që përhapin dhe mbështesin supremacinë e të bardhëve dhe liderëve politikë të cilët besojnë në mbizotërimin e të bardhëve”, ka thënë Awad.

Më pas i dërgoi një mesazh presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke kritikuar retorikën e tij në dy vitet e fundit ku në mënyrë eksplicite ka thënë: “Islami neve na urren”.

“Zotëri Trump, fjalët tuaja janë të rëndësishme. Vedimet tuaja janë të rëndësishme. Ato ndikojnë në jetët e njerëzve të pafajshëm këtu në shtëpi, por edhe në nivel global. Edhe ju duhet ta dënoni këtë jo vetëm si krim të urrejtjes, por edhe si sulm terrorist të supremacisë së bardhë”, ka thënë Awad.

Presidenti Trump dënon sulmet në xhami, mohon rrezikun e nacionalizmit të bardhë

Pas sulmeve vdekjeprurëse ndaj dy xhamive në Zelandën e Re, Presidenti amerikan Donald Trump ofroi ngushëllime, por mohoi se nacionalizmi i bardhë është një kërcënim në rritje. Sulmet rindezën debatin në Shtetet e Bashkuara rreth faktit nëse retorika politike kundër emigrantëve po kontribuon në rritjen e krimeve të urrejtjes.

Ishte një e premte e zymtë për amerikanët myslimanë. Besimtarët në Qendrën Islamike të Uashingtonit mbajtën zi për viktimat e sulmit me armë në xhamitë e Zelandës së Re.

“Të gjithë rrotull meje qanin. Mendoj se të gjithë ndjenë zinë kolektive për viktimat në Zelandën e Re”, thotë Suha Malik, amerikane myslimane.

Sulmi me armë në dy xhamitë e qytetit Christchurch, ndërsa mbaheshin faljet e së premtes, shkaktoi vdekje e 49 vetëve plagosje e dhjetëra të tjerëve.

Sulmuesi mendohet se është shtetas australian. Kryeministri i vendit e përshkroi të dyshuarin si një “terrorist i dhunshëm, ekstremist i krahut të djathtë”.

Shtëpia e Bardhë dënoi me forcë sulmin, duke e quajtur një “akt mizor urrejtjeje”.

“Është një gjë e tmerrshme, e turpshme dhe një akt i tmerrshëm”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Donald Trump ofroi ndihmën e Shteteve të Bashkuara, por nuk e quajti veprimin një akt terrorist. Gjithashtu, ai nuk e shikon nacionalizmin e bardhë si një kërcënim në rritje nëpër botë.

“Vërtet nuk mendoj kështu. Mendoj se është një grup i vogël njerëzish që kanë një problem shumë, shumë serioz”, tha Presidenti Trump.

Të dhënat më të fundit të FBI-së tregojnë një rritje prej 17% të krimeve të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara.

Kryetari i një organizate të amerikanëve myslimanë i ngarkon përgjegjësi Presidentin Trump.

“Zoti Trump, fjalët tuaja kanë rëndësi, politikat tuaja kanë rëndësi. Ato ndikojnë jetën e të pafajshmëve në vend dhe në botë”, tha Nihad Awad, drejtor ekzekutiv i organizatës “CAIR”.

Në llogarinë në mediat sociale që mendohet se i përket autorit të sulmit u shfaq edhe një manifest me ndjenja supremacie të bardhë, kundër emigrantëve dhe kundër myslimanëve.

“Ky sulm me armë është një reflektim ekstrem i rritjes së retorikës së nacionalizmit të bardhë”, thotë Jonathan Metzl, i Universitetit Vanderbilt.

Zoti Metzl mendon se retorika politike kundër emigrantëve dhe minoriteteve i ka bërë më të pranishme idetë e nacionalizmit të bardhë.

“Nuk më shqetësojnë vetëm këto komunitete në internet që kanë qenë aty prej kohësh. Është më tepër mënyra se si kjo dhunë ndaj komuniteteve cënueshme të minoriteteve dhe retorika që e nxit, janë normalizuar shumë më tepër në sferën tonë politike”, thotë zoti Metzl.

Ndërsa mbajnë zi, komunitetet myslimane në Shtetet e Bashkuara po rrisin vigjilencën e tyre. Në qytete si Nju Jorku, besimtarët mblidhen nën masa mbrojtëse të forta të policisë.

Presidenti Trump nënshkroi veton e parë të presidencës së tij

Presidenti Trump nënshkroi të premten veton e parë të presidencës së tij, duke hedhur poshtë legjislacionin që i kundërvihej deklaratës tij për një emergjencë kombëtare për të financuar një mur përgjatë kufirit jugor.

Projektligji që bllokonte deklaratën për emergjencën kombëtare në kufi siguroi mbështetje të rëndësishme të republikanëve në Kongres.

“Sot unë po i vë veton kësaj rezolute”, u tha Presidenti Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. “Kongresi është i lirë të miratojë rezolutën e tij por edhe unë kam për detyrë t’i vë veton.”

Presidenti e quajti rezolutën e Kongresit “të rrezikshme” dhe “jo të matur”.

Me presidentin Trump ishin Zëvendëspresidenti Mike Pence, Prokurori i Përgjithshëm William P. Barr dhe Kirstjen Nielsen, sekretare e sigurimit të vendit. Zoti Barr tha se urdhri i emergjenës kombëtare i presidentit ishte “i autorizuar në mënyrë të qartë sipas ligjit” dhe “i bazuar fort në ligj”.

Vetoja e presidentit, e cila pritej, e kthen legjislacionin përsëri në Kongres, i cili ka shumë të ngjarë të mos i ketë votat e mjaftueshme për ta anuluar dhe kjo do të thotë se deklarata e zotit Trump për emergjencën kombëtare do të mbetej në fuqi.

Presidenti ka insistuar prej kohësh se në kufirin me Meksikën ka një krizë sigurie dhe humanitare.

Demokratët thonë se të dhënat e qeverisë tregojnë se nuk ka një vërshim të emigrantëve me të kaluar kriminale që hyjnë në vend. Këtë pikëpamje e ndajnë edhe disa republikanë në Kongres.

Boeing nxjerr nga përdorimi avionët 737 Max

Kompania amerikane Boeing tha se do t’i pezullojë fluturimet e të 371 avionëve.

Administrata Federale e Aviacionit në SHBA tha se provat e reja dhe të dhënat satelitore nxitën vendimin për ndalimin e përkohshëm të avionëve.

Të dielën, nga rrëzimi i avionit 737 Max, i kompanisë ajrore të Etiopisë, humbën jetën të 157 njerëzit në bord.

Tetorin e kaluar, një avion i Boeing-ut, po ashtu i llojit 737 Max, është rrëzuar në Indonezi, duke shkaktuar vdekjen e të 189 njerëzve në bord.

Gjatë kësaj jave, disa vende, përfshirë SHBA-në, Brazilin, Australinë, Kinën, kanë njoftuar se kanë ndaluar së operuari me Boeing 737 Max.

“Po bëjmë gjithçka që mundemi, në partneritet me hetuesit, për të kuptuar shkakun e aksidenteve dhe për të përmirësuar sigurinë”, tha presidenti i Boeing-ut, Dennis Muilenburg.

DASH: Korrupsioni, mungesa e fondeve kufizuan mediat e pavarura në Shqipëri

Të mërkurën, Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin mbi të drejtat e njeriut në botë. Në pjesën për Shqipërinë trajtohen një numër çështjesh. Ja disa prej tyre:

Mosndëshkimi mbeti problem. Ndjekja penale dhe sidomos dënimi i zyrtarëve që kryenin abuzime ishte sporadik dhe jokonsistent. Zyrtarët, politikanët, gjyqtarët dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje të shmangnin ndjekjen penale. Në përgjigje të kësaj, autoritetet kanë ndërmarrë një veting të monitoruar ndërkombëtarisht të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kanë skualifikuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje me krimin e organizuar.

Korrupsioni vazhdoi të ishte një problem serioz në qendrat e paraburgimit.

Edhe pse qeveria ka mekanizma për të hetuar dhe dënuar abuzimin dhe korrupsionin, korrupsioni në radhët e policisë mbeti problem.

Liria e shtypit dhe e medias

Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi pikëpamjesh, megjithëse pati përpjekje për të ushtruar presion politik dhe ekonomik të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë mbi median, duke përfshirë kërcënimet dhe dhunë ndaj gazetarëve që u përpoqën të hetonin krimin dhe korrupsionin. Pronarët e bizneseve kanë përdorur lirshëm mediat për të përfituar favore dhe për të promovuar interesat e tyre pranë partive politike. Shumica e pronarëve të televizioneve private përdorën transmetimet e tyre për të ndikuar në veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tjera të tyre.

Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan mediat e pavarura të shtypit. Gazetarët besohet se praktikuan vetëcensurimin. Pasiguria ekonomike për shkak të mungesës së kontratave të detyrueshme të punës uli pavarësinë e gazetarëve dhe kontribuoi në anshmërinë e raportimeve. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vazhdoi të raportojë vonesa të mëdha në pagesat e pagave për gazetarët në shumicën e mediave, në disa raste deri në 10 muaj. Problemet financiare i kanë bërë disa gazetarë që të mbështeten më shumë në burimet e jashtme të të ardhurave, duke ngritur pyetje të integritetit.

OJQ-të pohuan se etika profesionale ishte një prioritet i ulët për disa nga portalet, që vlerësohet se arrijnë në rreth 700, duke ngritur shqetësime rreth përhapjes së lajmeve të rreme në përfitim të interesave të veçanta financiare ose politike. Rritja dramatike e mediave në internet solli një larmi pikëpamjesh.

Kriza ekonomike dhe praktikat e menaxhimit në mediat shqiptare kanë pakësuar financat dhe cilësinë e raportimit në media.

Ka pasur raporte të shumta për dhunë dhe kërcënime ndaj anëtarëve të mediave, ndërkohë që interesat politike dhe të biznesit i vunë gazetarët në presion.

Më 30 gusht, një person i panjohur qëlloi 10 herë në shtëpinë e prindërve të reporteres së krimit Klodiana Lala. Zonja Lala raporton shpesh për krimin e organizuar dhe çështjet e zbatimit të ligjit, duke përfshirë reformën gjyqësore.

Në shtator, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë deklaroi se 12 gazetarë kishin paraqitur kërkesa për azil në vendet anëtare të BE, duke përmendur kërcënime për shkak të vendeve të tyre të punës.

Censura:

Gazetarët shpesh praktikojnë vetëcensurim për të shmangur dhunën dhe ngacmimin dhe si reagim ndaj presionit nga botuesit dhe redaktorët që kërkojnë të avancojnë interesat e tyre politike dhe ekonomike.

Autoriteti për komunikimet elektronike dhe postare dekretoi më 15 tetor se 44 portale të mediave kishin 72 orë për të marrë një numër identifikimi tatimor dhe ta publikonin në faqet e tyre të internetit ose qeveria do t’i mbyllte ato. Lista përfshiu disa faqet e lajmeve hulumtuese, duke përfshirë BIRN. Deri në fund të vitit, qeveria nuk i kishte mbyllur portalet që nuk kishin marrë numrin e identifikimit tatimor.