VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Trumpi mbledh mbi 88 milionë dollarë për fushatën për rizgjedhje

By | July 16, 2018

Komentet

Presidenti Trump sulmon mediat për mbulimin e hetimit të ndërhyrjes ruse

Presidenti Donald Trump sulmoi mediat kryesore amerikane të martën, duke thënë se ato janë duke u dënuar në të gjithë botën.

“Media kryesore janë duke u kritikuar dhe duke u përbuzur në të gjithë botën si të korruptuara dhe të rreme,” shkroi zoti Trump në Twitter. “Për dy vjet ato nxitën gënjeshtrën për një marrëveshje të fshehtë me Rusinë, ndërsa e dinin se ajo nuk ekzistonte. Ato vërtet janë armiku i popullit dhe partia e vërtetë e opozitës!” Presidenti Trump përsëriti në Tweeter thënien e një përkrahësi të tij se hetimi prej 22 muajsh i Prokurorit Special nuk duhet të kishte filluar fare. Në një përmbledhje të konkluzioneve të zotit Mueller, Prokurori i Përgjithshëm William Barr, tha të dielën se Prokurori Special kishte arritur në përfundimin se zoti Trump dhe fushata e tij e vitit 2016 nuk patën komplotuar me Rusinë për ta ndihmuar atë të fitonte; por raporti i zotit Mueller nuk arrin në ndonjë përfundim nëse udhëheqësi amerikan ka penguar drejtësinë, duke u përpjekur të pengonte hetimin.

Sulmi i zotit Trump ndaj mediave, për të cilat ai është ankuar prej një kohe të gjatë, vjen pasi ai dhe aleatët republikanë në Kongres u zotuan se do të kryejnë hetimet e tyre për kritikët kryesorë të Presidentit dhe për ata që qëndrojnë pas hetimit mbi lidhjet mes fushatës së vitit 2016 dhe përpjekjeve të Rusisë për t’i prishur zgjedhjet amerikane.

Trump: Asnjë president nuk duhet të hetohet për “tregime të rreme”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, la të kuptohet se armiqtë e tij politikë mund t’i shpaguajnë “gjërat e këqija” që i kanë bërë.

Komentet u bënë pas publikimit të përmbledhjes së raportit të këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, i cili konstatoi se ai nuk ka bërë komplot me Rusinë, që kjo e fundit të ndërhyjë në zgjedhjet e vitit 2016, për të ndihmuar zgjedhjen e Trumpit president.

Raporti, megjithatë, nuk nxori përfundim nëse Trump ka bërë përpjekje ose jo për të penguar drejtësinë.

“Ka shumë njerëz që kanë bërë gjëra shumë, shumë të këqija. Do të thosha gjëra të pandershme kundër vendit tonë”, tha Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, por pa përmendur askënd me emër dhe pa përmendur ndonjë veprim specifik.

“Këta njerëz do të vëzhgohen”, tha Trump.

Duke folur në Zyrën Ovale, ai tha se asnjë president tjetër nuk duhet të hetohet për “tregime të rreme”.

“Ka qenë një tregim i rremë, një gjë e tmerrshme, nuk mund të lejojmë që kjo t’i ndodhë ndonjë presidenti tjetër”, tha Trump.

Senatori Lindsey Graham gjatë konferencës për media, lidhur me publikimin e përmbledhjes së raportit të Muellerit.

Senatori Lindsey Graham gjatë konferencës për media, lidhur me publikimin e përmbledhjes së raportit të Muellerit.

Senatori Lindsey Graham, kryetar i Komitetit të Senatit për Drejtësi dhe aleat i Trumpit, u tha gazetarëve se do të kërkojë nga prokurori i përgjithshëm, William Barr, të caktojë një këshilltar të posaçëm për të hetuar nëse zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë bërë gabime në hetimet e tyre.

Mueller ka hetuar ndërhyrjen e Rusisë në fushatën zgjedhore të vitit 2016, së bashku me akuzat se anëtarë të fushatës presidenciale të Trumpit dhe të tjerë të lidhur me të kanë bërë konspiracion me Qeverinë e Rusisë në përpjekjet e saj për të ndërhyrë.

Ofensiva e Trumpit erdhi pasi demokratët i përsëritën thirrjet për prokurorin Barr, që të nxjerrë raportin e plotë të Muellerit në Kongres, deri më 2 prill.

Askush jashtë Departamentit të Drejtësisë nuk e ka parë ende raportin, përfshirë Shtëpinë e Bardhë.

Departamenti i Drejtësisë nuk tha nëse do ta publikojë raportin e plotë të Muellerit ose jo, por Barr tha se ai do të jetë sa më transparent.

Trump dhe aleatët e tij u dukën të gëzuar pasi Barr tha, në një letër drejtuar Kongresit më 24 mars, se raporti i Muellerit nxjerr në pah se hetimet “nuk kanë konstatuar se anëtarët e fushatës së Trumpit kanë komplotuar ose janë koordinuar me Qeverinë ruse për ndërhyrjen e saj në zgjedhje”.

“Derisa ky raport nuk konstaton se presidenti ka bërë krim, ai po ashtu nuk e shfajëson atë”, tha po ashtu Barr, teksa publikoi përmbledhjen e raportit.

Zyrtarët dhe ligjvënësit rusë e shfrytëzuan përmbledhjen e prokurorit Barr për të përsëritur pretendimet e Moskës se ajo nuk ka ndërhyrë në fushatën presidenciale në SHBA.

Trump tha se i takon prokurorit Barr të vendosë nëse gjetjet e hollësishme nga raporti i Muellerit do të bëhen publike.

Përgatiti: Valona Tela

Trumpi nënshkruan shpalljen me të cilën njeh sovranitetin izraelit mbi Golanin e pushtuar

Trumpi nënshkruan shpalljen me të cilën zyrtarisht njeh sovranitetin izraelit mbi lartësitë e pushtuara të Golanit.

Washington
Trumpi nënshkruan shpalljen me të cilën zyrtarisht njeh sovranitetin izraelit mbi lartësitë e pushtuara të Golanit.

Përmbledhja e hetimeve të Robert Muellerit lë shumë pyetje pa përgjigje

Alan Crosby

Kur Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, ka bërë publike disa thekse të raportit të Këshilltarit Special, Robert Mueller më 24 mars, një gjë është bërë e qartë brenda pak minutave: hetimi nëse fushata e presidentit amerikan, Donald Trump ka kryer komplot apo është koordinuar me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, ende nuk e ka zgjidhur këtë çështje.

Ekipi i Trumpit veçse ka nisur festimet, duke pretenduar se presidenti ka vepruar drejtë.

Sipas Prokurorit Barr, raporti i Muellerit tregon se hetimi i tij nuk ka gjetur se anëtarët e fushatës së Trumpit janë koordinuar me Qeverinë ruse.

“Sa u përket aktiviteteve të ndërhyrjes në zgjedhje, Këshilltari Special nuk ka gjetur ndonjë bashkëpunim dhe nuk ka hasur në ndonjë ndërhyrje. Prokurori i Përgjithshëm, Barr dhe zëvendësi i tij, (Rod) Rosenstein kanë treguar se nuk ka pengim të drejtësisë”, ka thënë Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders përmes një postimi në Twitter.

The Special Counsel did not find any collusion and did not find any obstruction. AG Barr and DAG Rosenstein further determined there was no obstruction. The findings of the Department of Justice are a total and complete exoneration of the President of the United States.”

— Sarah Sanders (@PressSec) March 24, 2019

Vetë presidenti Trump, pas publikimit të përmbledhjes së prokurorit Barr ka konsideruar se është turp që SHBA-ja është dashur të përballet me këtë hetim.

“Pas një hetimi të gjatë, pasi shumë persona janë lënduar shumë, pasi nuk është parë ana tjetër ku janë shkaktuar dëme dhe pas shumë gjërave të këqija që i kanë ndodhur shtetit tonë, tani është bërë e ditur se nuk ka pasur bashkëpunim me Rusinë, gjëja më qesharake që mund ta kisha dëgjuar ndonjëherë. Nuk ka pasur bashkëpunim me Rusinë dhe nuk ka pasur pengim të drejtësisë”, ka thënë ai.

Por kundërshtarët e Trumpit kanë thënë se as Mueller e as Barr nuk kanë deklaruar një gjë të tillë. Në pyetjen nëse Trump ka penguar drejtësinë gjatë hetimeve, raporti nuk është aq i prerë.

“Këshilltari Special ka deklaruar se ‘ndonëse raporti nuk gjen se presidenti ka kryer krim, ai po ashtu nuk e shfajëson atë’”, ka thënë Barr, i përzgjedhuri i Trumpit në këtë pozitë, në përmbledhjen e tij katërfaqëshe, që përfshin të gjeturat kryesore të hetimit të Muellerit, i cili ka zgjatur 22 muaj.

Sipas Barr, Mueller ka paraqitur faktet mirëpo “nuk ka dhënë qëndrime përfundimtare” nëse është penguar drejtësia, por sipas tij dhe zëvendësprokurorit, Rosenstein, të dhënat e ofruara nga hetimi i Muellerit nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar se presidenti ka kryer krim apo se ka penguar drejtësinë”.

Barr, po ashtu ka thënë se ekipi i Muellerit nuk ka plane për të bërë padi të reja.

Demokratët kanë qenë të shpejtë për të kundërshtuar frazën e përdorur nga Shtëpia e Bardhë, të marrë nga përmbledhja e prokurorit Barr, dhe kanë përmendur mundësinë e thirrjes për intervistim për Muellerin, që të dëshmojë për të gjeturat e plota të raportit të tij.

Gjatë hetimit të tij, Mueller ka nisur rreth 2,800 thirrje për intervistim dhe ka paditur dhjetëra persona dhe subjekte për akuza të ndryshme.

Këshilltari i Posaçëm, Robert Mueller.

Megjithatë, asnjë nga akuzat nuk ka pasur lidhje direkte me pyetjen nëse ka pasur koordinim në mes të ndihmësve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Për më tepër, Mueller, që ka kaluar gati dy vjet duke hetuar pretendimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, për t’i ndihmuar Trumpit që të mposhtë kundërshtaren e tij, Hillary Clinton, nuk ka thënë nëse është kryer ndonjë krim, duke i lënë prokurorit Barr të marrë këtë qëndrim.

“Vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm për të ofruar vetëm një përmbledhje të raportit, nuk është i mjaftueshëm. Kongresi kërkon raport të plotë ashtu që komitetet të mund të kryejnë një punë të pavarura, duke përfshirë ndonjë çështje shtesë që mund të ngrisë raporti i Muellerit”, ka thënë kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Ndërkohë që Barr dhe Departamenti i Drejtësisë shqyrtojnë mundësinë nëse raporti i Muellerit mund të publikohet në tërësi, analistët ligjorë kanë thënë se beteja rreth asaj se çfarë mund të publikohet, apo çfarë mund të jetë konsideruar shkelje e kryer nga Trump mund të lidhen me mundësinë e organizimit të votëbesimit për presidentin amerikan.

Në të gjetura përmendet se Mueller nuk ka vërtetuar se fushata e Trumpit apo kushdo që ka qenë i lidhur me të, ka kryer komplot apo është koordinuar me Qeverinë ruse në përpjekjet për të ndikuar zgjedhjet “pavarësisht ofertave të shumta nga individë të lidhur me Rusinë për të ndihmuar” në fushatë.

Kopja e letrës së Prokurori Barr që ua ka dërguar anëtarëve të Komitetit të Senatit për Drejtësi, ku i ka njoftuar për raportin e Këshilltarit Mueller.

Në përmbledhje nuk janë përmendur emrat e këtyre individëve dhe, demokratët, përveç tjerash, kanë kërkuar më shumë informacione se si është arritur deri te përfundimi se nuk ka pasur komplot.

Robert Reich, profesor në Berkeley dhe ish-Sekretar amerikan i Shtetit gjatë administratës së presidentit Bill Clinton, ka thënë se rasti për pengim të drejtësisë kundër Trumpit është “i fuqishëm”.

“Përmbledhja e Barr jo vetëm që flet mbi gjetjet dhe lë hapësira në raportin e Muellerit, mirëpo ai po ashtu përmban një detaj kritik. Barr ka vendosur që të mos ngre padi kundër Trumpit për pengim të drejtësisë gjatë hetimeve. Ai ka bërë këtë pavarësisht faktit se vetë Trump ka pranuar se ka shkarkuar James Comeyn ka pozita e drejtorit të FBI-së, për të ndaluar hetimet rreth Rusisë”, ka thënë ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Barr: Nuk ka patur komplot me Rusinë për ndërhyrje në zgjedhje, sipas raportit të z. Mueller

Prokurori i Pergjithshem Bill Barr

Prokurori i posaçëm Robert Mueller thotë se as Presidenti Donald Trump, as fushata e tij dhe as ndonjë tjetër i lidhur me këtë fushatë, nuk kanë komplotuar me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, sipas një përmbledhjejr të paraqitur të dielën nga kreu i Departamentit të Drejtësisë (Prokurori i Përgjithshëm) William Barr.

Por përsa i përket pyetjes nëse Presidenti Trump u përpoq të pengonte drejtësinë duke ndërhyrë ose duke u orvatur të prishë hetimin e prokurorit Mueller, zoti Barr tha, “Raporti nuk arrin në përfundimin se presidenti ka kryer ndonjë krim, por as nuk e përjashton këtë”.

Zoti Barr publikoi një përmbledhje të raportit të shumëpritur për hetimin që zgjati 22 muaj rreth akuzave se fushata e zotit Trump kishte bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet e 2016-s në favor të zotit Trump.

Prokurori i Përgjithshëm Barr ia dërgoi përmbledhjen e tij Kongresit dhe e bëri atë publik të dielën. Zoti Mueller e dorëzoi raportin e tij në Departamentin e Drejtësisë të premten.

“Hetimi i Prokurorit të Posaçëm nuk arrin në përfundimin se fushata Trump apo dikush i lidhur me të ka bashkëpunuar … me qeverinë ruse në aktivitetet për ndërhyrjen në zgjedhje,” thuhet në përmbledhjen e zotit Barr.

Zoti Barr thotë se raporti arrin pikërisht në këtë përfundim, megjithë “ofertat e shumta nga individë të lidhur me Rusinë për të ndihmuar fushatën Trump”.

Sipas zotit Barr, Prokurori i Posaçëm Mueller nuk nxjerr përfundime nëse Presidenti Trump ka penguar drejtësinë, duke ia lënë këtë çështje zotit Barr dhe Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein. Kreu i Departamentit të Drejtësisë shkruan se nuk ka prova të mjaftueshme për të konkluduar nëse zoti Trump ka kryer krimin e pengimit të drejtësisë. Ai thotë se kjo nuk bazohet në ndonjë nocion se ndaj një presidenti në detyrë nuk mund të ngrihet aktpadi.

“Për të arritur në ngritjen e akuzave për pengim të drejtësisë dhe për t’i mbështetur këto akuza, – shkruan ai, – qeveria do të duhej të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm se një person që vepron me synime të korruptuara, angazhohet në sjellje penguese”.

Megjithë pohimet e zotit Barr se raporti i Prokurorit të Posaçëm Mueller nuk e nxjerr presidentin plotësisht të pastër, zoti Trump shkruante kështu të dielën në Twitter: “Asnjë bashkëpunim i fshehtë, asnjë pengim i drejtësisë, pafajësi e plotë. Le ta mbajmë Amerikën të Madhe”.

Më vonë, ai u tha gazetarëve se hetimi ishte “gjëja më qesharake që kam dëgjuar ndonjëherë … është turp që vendit tonë iu desh të kalojë nëpër këtë sprovë… është një turp që presidenti duhej të kalonte nëpër këtë sprovë, madje qysh përpara para se unë të zgjidhesha – ky ishte një akt ipaligjshëm poshtërimi që dështoi dhe shpresojmë se dikush do të hetojë edhe palën tjetër.”

Deri tani ka patur vendime të shumta gjykatash që e mbështesin ligjshmërinë e hetimit të zotit Mueller.

Në përmbledhjen e zotit Barr vihet në dukje se gjatë hetimit gati dy vjeçar, Prokurori i Posaçëm Mueller pati në dispozicion të tij 19 avokatë dhe 40 agjentë të FBI-së që punonin me të, lëshoi më shumë se 2.800 thirrje për paraqitje, bisedoi me rreth 500 dëshmitarë dhe kreu gati 500 urdhra për bastitje.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi njëzëri këtë muaj për një rezolutë e cila kërkonte që raporti i plotë i zotit Mueller të bëhej publik. Shumë ligjvënës duan gjithashtu të shohin ndonjërën nga dëshmitë që e bënë zotin Mueller të arrinte në përfundimet e tij, sidomos tani që zoti Barr shkruan se raporti i Prokurorit të Posa]ëm Mueller “nuk e nxjerr të pafajshëm” zotin Trump, edhe nëse presidenti thotë të kundërtën.

“Letra e Prokurorit të Përgjithshëm Barr ngre po aq pyetje sa edhe jep përgjigje,” thanë në një deklaratë të përbashkët kryetarja demokrate e Dhomës Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i demokratëve të Senatit, Chuck Schumer. “Duke pasur parasysh rekordin publik të zotit Barr për njëanshmëri ndaj hetimit të Prokurorit të Posaçëm, ai nuk është një vëzhgues neutral dhe nuk është në gjendje të bëjë përcaktime objektive rreth raportit”.

Kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës, Jerry Nadler, tha se komisioni i tij do të thërrasë zotin Barr të dëshmojë në një të ardhme të afërt “në dritën e mospërputhjeve shumë shqetësuese dhe vendimit përfundimtar në Departamentin e Drejtësisë pas raportit të Prokurorit të Posaçëm, ku zoti Mueller nuk e nxjerr të pafajshëm presidentin.”

Disa kandidatë demokratë për president, Kirsten Gillibrand, Cory Booker, Kamala Harris dhe Elizabeth Warren thanë gjithashtu të dielën se një përmbledhje e raportit të zotit Mueller, e filtruar përmes “prokurorit të përgjithshëm” të presidentit, është i pakënaqshëm.

Por udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, tha se letra e zotit Barr e bën “mjaft të qartë dhe pa asnjë hije dyshimi, se nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë”. Ai tha se vendi i mirëpret përfundimet e raportit.

Një nga aleatët më të afërt të Presidentit Trump, senatori republikan Lindsey Graham, tha se zoti Mueller bëri një “punë të madhe” dhe e quajti të dielën një “ditë të mirë për sundimin e ligjit” dhe një “ditë të keqe për ata që shpresonin se hetimi i zotit Mueller do ta rrëzonte Presidentin Trump”.

“Tani është koha të ecim përpara, të qeverisim vendin dhe për të përgatitemi për të luftuar Rusinë dhe aktorët e tjerë të huaj në prag të zgjedhjeve të 2020-s,” shkruante ai të dielën.

Çfarë përmban raporti i Prokurorit Mueller?

Prokurori i Posaçëm Robert Mueller dhe Presidenti Donald Trump

Amerikanët janë në pritje të detajeve të hetimit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Zoti Mueller e dorëzoi raportin e tij konfidencial të premten tek Prokurori i Përgjithshëm William Barr, i cili informoi në vazhdim udhëheqësit e Kongresit nëpërmjet një letre ku shprehej se “mund t’ju njoftoj për gjetjet kryesore të Prokurorit të Posaçëm, ndoshta që këtë fundjavë”.

Por ndërsa zoti Barr po njihet me raportin, sipas zëdhënësit të Departamentit të Drejtësisë, përmbledhja që ai do t’i dërgojë Kongresit do të vonohet me të paktën edhe një ditë.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, tha se Shtëpia e Bardhë nuk e ka marrë raportin dhe se as nuk është informuar rreth tij. Duke përsëritur qëndrimin e Sekretares së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, të shprehur të shtunën, ai tha se hapat e mëtejshëm në këtë proces janë në dorën e zotit Barr.

Pikëpyetjet kryesore

Disa nga pikat kryesore që zoti Mueller, ish-drejtor i FBI-së, do të trajtonte janë:

A bashkëpunoi me rusët fshehurazi Donald Trump, apo ndihmësat e tij, për të dëmtuar fushatën e demokrates Hillary Clinton në vitin 2016, nëpërmjet email-eve të vjedhura nga Komiteti Kombëtar Demokrat dhe nga drejtuesi i fushatës elektorale Clinton? Apo pati presidenti i ardhshëm thjesht fatin të përfitojë prej taktikave dashakeqe të Rusisë? A u mundua ai të sabotonte hetimin që pasoi, për të mbrojtur veten dhe këshilltarët e tij politikë dhe ndihmësat?

Njoftimi që Departamenti i Drejtësisë i dërgoi Kongresit për konkluzionet e hetimit të Prokurorit Mueller

Hetimet kanë sjellë ngritje akuzash për 37 individë dhe entitete, shumica e tyre operativë rusë që nuk janë kapur. Shtatë persona, ndër ta pesë ish-bashkëpunëtorë të Presidentit Trump, janë vetëdeklaruar fajtorë, si dhe pesë janë dënuar me burg.

Ndër rastet e nivelit të lartë janë ish-këshilltari i sigurisë kombëtare Michael Flynn, që u vetëdeklarua fajtor për mashtrim të FBI-së rreth bisedave të tij me ambasadorin e Rusisë, si dhe Paul Manafort, ish-kreu i fushatës elektorale Trump, i cili u dënua rishtazi për një sërë veprash penale.

Pak përpara dorëzimit të raportit hetimor, pati spekullime të shumta se prokurori i posaçëm do të sugjeronte ngritje akuzash të mëtejshme, por nuk u ndërmorën hapa të tjera ligjore përpara dorëzimit të raportit tek Departamenti i Drejtësisë.

Me dorëzimin e raportit, procesi hetimor i Prokurorit Mueller është efektivisht i përmbyllur, por nuk u jep fund telasheve ligjore për Presidentin. Gjatë muajve të fundit, Prokurori Mueller ka deleguar pjesë të hetimit të tij tek degët e prokurorëve të Shteteve të Bashkuara, ndër to edhe Distrikti Jugor i Nju Jorkut, ku prokurorët kanë filluar tashmë hetime të veçanta për Organizatën Trump dhe entitete të tjera të grupit Trump.

Në çfarë stadi gjendet çështja?

Është ende e panjohur nëse raporti Mueller do të sjellë shpagimin për Presidentin, apo ngritjen e akuzave për shkarkimin e tij nga Kongresi, apo ndonjë alternativë të rrëmujshme të ndërmjetme.

Në bazë të ligjit, është Prokurori i Përgjithshëm Barr që vendos nëse dokumenti do t’i bëhet i ditur Kongresit dhe publikut, dhe nëse po, cilat pjesë të tij.

Presidenti Trump e ka quajtur në mënyrë të përsëritur hetimin e prokurorit të posaçëm një “gjueti shtrigash” dhe ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk ka prova të bashkëpunimit të tij me rusët. Ndërsa Presidenti ka thënë se “nuk e ka problem” nëse raporti bëhet publik, ka gjasa të ketë shkëmbime të konsiderueshme ligjore mes Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Drejtësisë, avokatit personal të zotit Trump, si dhe Kongresit, përpara se pjesë të raportit, apo i gjithi, të bëhen publike.

Rregullorja i kërkon Prokurorit Mueller të paraqesë një “raport konfidencial” të gjetjeve të tij tek Prokurori i Përgjithshëm, i cili duhet të “njoftojë” Kongresin për këtë zhvillim. Por, nuk ka asnjë parashikim ligjor që e detyron atë të informojë publikun.

Ligjvënësit kërkojnë publikimin e raportit të Prokurorit Mueller

Prokurori i Posaçëm Robert Mueller ka përfunduar tashmë raportin e shumëpritur të hetimit të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 dhe përfshirjen e mundshme të Presidentit Trump dhe ekipit të tij elektoral. Përmbajtja e raportit është ende konfidenciale dhe vendimin për publikimin e tij do ta marrë Prokurori i Përgjithshëm William Barr. Ndërkohë që Departamenti i Drejtësisë konfirmoi se raporti nuk sugjeron ngritje akuzash të mëtejshme, ligjvënësit po bëjnë thirrje për publikimin e këtij raporti.

Prokurori i posaçëm Robert Mueller u pikas nga gazetarët duke hyrë në godinën, vendndodhja e së cilës ishte mbajtur deri më tani sekret, ku mendohet se u përpilua raporti hetimor. Rezultatet e raportit hetimor vazhdojnë të mbahen konfidenciale, por Departamenti i Drejtësisë konfirmoi se në raport nuk sugjerohen ngritje akuzash të mëtejshme. Por, megjithëse nuk është bërë pra ende e ditur përmbajtja e raportit, Uashingtoni zyrtar ka filluar tashmë të reagojë.

“Nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë (me Rusinë). Nuk ka patur pengim të drejtësisë. Është i gjithi një rreng i madh. Do shohim ç’do ndodhë”, deklaroi Presidenti Donald Trump.

Raporti gjendet tashmë në duart e drejtuesit të Departamentit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm William Barr, i cili do të vendosë se çfarë pjesësh të raportit do t’i bëhen të ditura Kongresit apo publikut.

Demokratët mendojnë se është “thelbësore” që raporti të botohet i plotë për publikun.

“Tashmë që Prokurori i Posaçëm Mueller i ka paraqitur raportin e tij Prokurorit të Përgjithshëm, është thelbësore që zoti Barr ta publikojë të plotë raportin, si dhe t’i japë Kongresit dokumentacionin mbështetës dhe konkluzionet. Prokurori i Përgjithshëm Barr nuk duhet t’u ofrojë Presidentit Trump, avokatëve të tij dhe stafit të tij mundësinë e njohjes paraprakisht me gjetjet e Prokurorit të Posaçëm Mueller dhe me provat. Gjithashtu, Shtëpia e Bardhë nuk duhet të lejohet të ndërhyjë në vendimmarrjen se cilat pjesë të konkluzioneve apo provave duhet të bëhen publike”, deklaroi Senatori demokrat Chuck Schumer.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se Shtëpisë së Bardhë nuk i është dërguar raporti dhe as është informuar rreth tij. Ajo tha se “presim me padurim që ky proces të shtjellohet” dhe se hapat e mëtejshme “janë në dorën e Prokurorit të Përgjithshëm Barr”.

Senatori Mitch McConnell, kreu i maxhorancës repulbikane në Senat, tha se shpreson që Prokurori i Përgjithshëm Barr do “të ofrojë informacionin më të madh të mundshëm” për gjetjet e hetimit, dhe me “transparencën më të madhe të mundshme”.

Kreu i Departamentit të Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm Barr, u shpreh se mund të informojë Kongresin ndoshta brenda kësaj fundjave për gjetjet e raportit që përmbledh hetimin gati dy-vjeçar të Prokurorit të Posaçëm Mueller.

Prokurori i Posaçëm Mueller përfundon hetimin për Rusinë

Prokurori i Posaçëm Robert Mueller ka përfunduar hetimin e tij thuajse dyvjeçar rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe rreth një bashkëpunim të mundshëm të fshehtë të fushatës Trump me Rusinë.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi se zoti Mueller i dorëzoi të premten raportin e tij përfundimtar kreut të këtij departamenti, Prokurorit të Përgjithshëm William Barr, i cili po e shqyrton.

Raporti i zotit Mueller, ende konfidencial, pritet të shndërrohet në një arenë për beteja të ashpra publike që do të vijojnë.

Hapat e ardhshëm që mund të ndërmerren pas dorëzimit të raportit të shumëpritur do të varen tani nga Prokurori i Përgjithshëm Barr, nga Kongresi dhe, me shumë gjasë, gjykatat federale.

Nuk është e qartë se sa pjesë të raportit do t’i vihen në dispozicion publikut ose do t’i jepen Kongresit. Zoti Barr ka thënë se do të hartojë raportin e tij ku do të përmbledhë faktet e gjetura nga zoti Mueller.

Hetimi i zotit Mueller ka hedhur hije mbi presidencën Trump dhe ka rezultuar në akuza kriminale kundër 34 personave, duke përfshirë gjashtë vetë që shërbenin në ekipin e fushatës së zotit Trump.

TRUMP: RAPORTI LE TË BËHET PUBLIK

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se raporti përfundimtar i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller duhet të bëhet publik.

Por presidenti ai përsëri vuri në pikëpyeti bazat për hetimin, gjatë të cilit është shqyrtuar gjithashtu nëse vetë presidenti e ka penguar atë.

“Nëse doni që publiku ta shoh raportin, le ta shohin,” u tha presidenti Trump gazetarëve.

Presidenti Trump vuri në pikëpyetje se si prokurori Mueller – një njeri ” i cili kurrë nuk ka marr asnjë votë” – mund ta hetojë atë, duke pasur parasysh fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2016.

Presidenti Trump e ka quajtur në mënyrë të përsëritur hetimin e prokurorit Mueller një “gjueti të paligjshme shtrigash” gjatë dy viteve të fundit dhe e ka etiketuar ekipin e tij të hetuesve politikisht të njëanshëm.

Ndërsa prokurori Mueller ka lënë pak të kuptohet për mënyrën se si ai e sheh presidentin Trump dhe familjen e tij, si objektiva të mundshëm të hetimit, presidenti dhe Shtëpia e Bardhë kanë shtuar fushatën e tyre politike për të minuar legjitimitetin e hetimit.

“Asnjë bashkëpunim, nuk ka patur asnjë bashkëpunim”, deklaroi presidenti Trump të mërkurën.

“Ishte fitorja më të madhe elektorale në historinë e vendit tonë, një nga më të mëdhatë,” tha ai. “Ishte një sukses i madh, dhjetëra miliona votues .Tani dikush do të shkruajë një raport, dhe ai kurrë nuk mori asnjë votë.

“Do të shohim se çfarë thotë raporti. Le të shohim nëse është e drejtë.”

SHBA: JIMMY CARTER ËSHTË ISH PRESIDENTI MË JETËGJATË

VOAL – NEW YORK, 22 MARS – Jimmy Carter  (Xhimi Karter) zyrtarisht është presidenti më jetëgjatë në historinë amerikane. Tashmë 94 vjeç dhe 172 ditësh, ish-komandant i përgjithshëm amerikan nga viti 1977 deri më 1981, kaloi jetëgjatësinë e George H.W. Bush, president nga viti 1989 deri 1993, i cili vdiq nëntorin e kaluar kur ishte 94 vjeç dhe 171 ditësh.

Bush Sr. u bë presidenti më i gjatë më 2017, duke kaluar Gerald Fordin, i cili jetoi 93 vjet dhe 165 ditë dhe vdiq në vitin 2006.
Pas presidencës, Carter ishte ndër ish-presidentët më aktivë, veçanërisht në një nivel filantropik. ansa

Presidenti Trump përpiqet të diskreditojë raportin e prokurorit Mueller

Presidenti Donald Trump po shton përpjekjet për të diskredituar një raport të shumëpritur të prokurorit të posaçëm për hetimin mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

Në një intervistë me televizionin Fox Business Network Presidenti Trump tha: “Fakti që një zyrtar i administratës sime emëron dikë për të hartuar një raport rreth meje, për të vendosur mbi presidencën time, njerëzit nuk mund të jenë dakord me këtë.”

Komentet e Presidentit bëhen ndërkohë që prokurori i posaçëm Robert Mueller pritet që së shpejti të dorëzojë në Departamentin e Drejtësisë një raport për hetimin e tij mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Në intervistë, Presidenti Trump u ankua për emërimin e zotit Mueller, duke e quajtur atë “mikun më të ngushtë” të ish shefit të FBI-së James Comey, i cili më pas u shkarkua nga Presidenti.

Zoti Comey u shkarkua ndërkohë që po drejtonte hetimin rreth një bashkëpunimi të fshehtë të mundshëm midis fushatës Trump dhe Rusisë. Nuk ekziston ndonjë provë nëse zoti Comey dhe prokurori Mueller janë miq të ngushtë.

Rregulloret e Departamentit të Drejtësisë përcaktojnë thjesht që zoti Mueller t’i dorëzojë kreut të Departamentit të Drejtësisë një raport konfidencial që shpjegon se çfarë vendimesh mund të merren dhe nëse duhen ndërmarrë ndjekje penale ndaj dikujt.

Zoti Mueller nuk ka lënë të kuptohet se kur mund ta dorëzojë raportin dhe çfarë përmban ai, por muajt e fundit ka patur shenja se raporti mund të jetë gati së shpejti.

Kreu i Departamentit të Drejtësië, William Barr thotë se ai parashikon dy raporte, një për ligjvënësit dhe për konsum publik dhe një të dytë për krerët e Kongresit.

Shtëpia e Bardhë nuk jep informacion për bisedat Trump-Putin

Helsinki, korrik 2018.

Shtëpia e Bardhë refuzoi kërkesën e tre komiteteve të Kongresit amerikan për informacione rreth bisedave private midis presidentit Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, gjatë takimit në Helsinki, verën e kaluar.

“Presidenti duhet të jetë i lirë të angazhohet në diskutime me udhëheqësit e huaj, pa frikë se këto komunikime do të zbulohen”, tha në përgjigje këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone.

Tre komitetet e Dhomës së Përfaqësuesve kërkuan detaje nga bisedat e Trumpit dhe Putinit ballë për ballë dhe përmes telefonit.

Ata po ashtu kërkuan të verifikojnë nëse Trump ka bërë përpjekje të fshehë ndonjë dëshmi rreth këtyre bisedave.

Prejse demokratët kanë marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, ata janë bërë më këmbëngulës në hetimin e Shtëpisë së Bardhë.

Në takimin në Helsinki, Trump ka habitur shumë ligjvënës republikanë dhe demokratë të Kongresit amerikan, kur ai i ka kundërshtuar të gjeturat e agjencive amerikane të inteligjencës rreth ndërhyrjes së Rusisë në çështjet politike të SHBA-së.

Në një postim të mëvonshëm në Twitter, ai po ashtu i ka cilësuar hetimet e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, rreth ndërhyrjes ruse, si “gjueti të manipuluar shtrigash”.

Trump: Është koha të njohim sovranitetin e Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se është koha që SHBA-ja të njohë sovranitetin e Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit.

Izraeli e mori nën kontroll këtë territor nga Siria pas luftës së vitit 1967. Siria vazhdimisht ka kërkuar të rikthejë sovranitetin mbi rajonin.

Përmes një postimi në Twitter, presidenti Trump deklaroi se Rrafshnalta e Golanit ka rëndësi strategjike dhe të sigurisë për Izraelin dhe rajonin.

“Pas 52 vitesh është koha që Shtetet e Bashkuara të njohin plotësisht sovranitetin e Izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit, që është e një rëndësie strategjike dhe të sigurisë për Izraelin dhe stabilitetin rajonal”, shkroi presidenti amerikan, Donald Trump.

After 52 years it is time for the United States to fully recognize Israel’s Sovereignty over the Golan Heights, which is of critical strategic and security importance to the State of Israel and Regional Stability!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) March 21, 2019

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, menjëherë reagoi duke falenderuar presidentin Donald Trump.

“Në një kohë kur Irani kërkon të përdorë Sirinë si një platformë për të shkatërruar Izraelin, Presidenti Trump pranon me guxim sovranitetin izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit” tha Netanyahu.

At a time when Iran seeks to use Syria as a platform to destroy Israel, President Trump boldly recognizes Israeli sovereignty over the Golan Heights. Thank you President Trump! @realDonaldTrump

— Benjamin Netanyahu (@netanyahu) March 21, 2019

Izraeli ushtron administrimin në Rrafshnaltën e Golanit që nga viti 1981 por qeveritë tjera nuk e njohin këtë akt.