VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Trumpi i kërkon NASAs të dërgojë njerëz në planetin Mars

By | May 27, 2017

Komentet

Presidenti Trump i bën thirrje ushtrisë së Venezuelës të braktisë Nicolas Maduron

Presidenti Donald Trump, në një fjalim që mbajti në Miami të hënën, bëri thirrje që t’i jepet fund socializmit në Venezuelë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kërkojnë një tranzicion paqësor të pushtetit, por të gjitha opsionet janë të hapura.

Presidenti Trump, u bëri thirrje në Miami, ushtarëve venezuelianë të shpërfillin urdhërat e Nicolas Maduros dhe të pranojnë ofertën e amnistisë të bërë nga kreu i asamblesë kombëtare, Juan Guaido, i cili tani njihet si presidenti i Venezuelës nga Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 vende të tjera.

“Ju nuk do të gjeni port të sigurt, asnjë dalje të lehtë dhe asnjë rrugëdalje. Ju do të humbni gjithçka”, u tha ai.

Presidenti Trump paralajmëroi gjithashtu anëtarët e ushtrisë venezueliane që të mos bllokojnë ndihmën e huaj për vendin.

Tre aeroplanë ushtarakë të SHBA të ngarkuar me ndihma humanitare për Venezuelën u ulën në Cucuta të Kolumbisë të shtunën, duke shtuar tonelata me ushqime dhe ilaçe, që presin të kalojnë kufirin.

Sidoqoftë, ndihma e dërguar nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera nuk ka arritur asnjë venezuelian, por është grumbulluar në Kolumbi, Brazil dhe Curacao.

Nicolas Maduro thotë se ndihma është e panevojshme dhe e paligjshme dhe se lejimi i saj për të hyrë në Venezuelë do të nënkuptonte një pushtim ushtarak nga ana e SHBA-së.

Venezuela vuan nga mungesa e ushqimit, ilaçeve dhe sende të tjera të nevojave të përditshme dhe ka gjithashtu shkallën më të lartë të inflacionit në botë. Tre milionë njerëz – rreth 10 për qind e popullsisë – kanë ikur nga vendi.

Paralajmërimet e Donald Trumpit për socializmin, se është “vetëm një pushtet për klasën sunduese”, synonin gjithashtu që ai të grumbullojë bazën e tij politike, ndërsa presidenti ka përpara fushatën e rizgjedhjes vitin e ardhshëm.

“Nuk ka asgjë më pak demokratike se socializmi dhe Amerika kurrë nuk do të jetë një vend socialist”, – deklaroi presidenti Trump.

“Nuk ka dyshim se fjalimi ishte pjesë e fushatës së tij elektorale dhe ai nuk fliste për popullin venezuelian, por për votuesit në Florida. Kjo është zhgënjyese”, thotë Dany Behar, një ekonomist nga Venezuela në Institutin Brookings, transmeton VOA News.

Bernie Sanders njofton kandidaturën për zgjedhjet presidenciale

Listës së demokratëve që duan të përballen me Presidentin Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, iu shtua të martën edhe senatori Bernie Sanders, i cili njoftoi pjesëmarrjen në garë.

Zoti Sanders u përpoq të siguronte emërimin e Partisë Demokrate në zgjedhjet e vitit 2016, por ai e humbi garën brenda partisë me ish Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton.

77-vjeçari Sanders mundi të sigurojë mbështetje të madhe, pasi bëri të njohura planet për ta bërë arsimin e lartë falas dhe premtoi që qeveria ta zgjerojë rolin e saj, për t’u siguruar shërbim shëndetësor të gjithë amerikanëve.

Bernie Sanders hyn në garë krahas me një një numër të madh demokratësh, të cilët tashmë e kanë shpallur kandidaturën një vit para se të fillojë periudha e zgjedhjeve paraprake të 2020-ës.

Në mesin e demokratëve që kanë deklaruar kandidaturën për zgjedhjet presidenciale janë senatorët Elizabeth Warren, Cory Booker, Amy Klobuchar, Kristen Gillibrand dhe Kamala Harris.

Senatori i shtetit verilindor të Vermontit e njoftoi kandidaturën të martën në mëngjes, përmes një emaili dërguar përkrahësve të tij, ku kërkonte regjistrimin e 1 milion njerëzve, për të filluar një lëvizje të bazës së partisë, për t’iu kundërvënë interesave speciale.

Zoti Sanders, një kritik të vazhdueshëm i Presidentit Trump, shkruan në email se Donald Trump është “presidenti më i rrezikshëm në historinë moderne të Amerikës”. Ai shton: “Ne do të kandidojmë kundër një Presidenti, që është gënjeshtar patologjik, një mashtrues, racist, seksist, ksenofob dhe një njeri që po e minon demokracinë amerikane, ndërsa na udhëheq drejt autoritarizmit.”

Bernie Sanders është në mesin e politikanëve, të cilët në anketat e publikut, kryesojnë listën e kandidatëve të mundshëm demokratë për zgjedhjet e 2020-ës, por ai përballet me sfida nga një grup i madh demokratësh të tjerë me pikëpamje progresive, të cilët mbështesin shumë nga çështjet që zoti Sanders solli në Partinë Demokrate në fushatën zgjedhore të 2016-ës.

Numri i madh i liberalëve që janë në garën e demokratëve, mund t’ia bëjë të vështirë zotit Sanders, që të sigurojë të njëjtën mbështetje që pati në fushatën e tij të vitit 2016. Ai gjithashtu mund të përballet me pikëpyetje për çështjen e moshës dhe me faktin që Partia Demokrate po përfaqësohet në garën presidenciale nga një numër në rritje grash dhe pakicash, grupe të cilat zoti Sanders e pati të vështirë t’i siguronte si mbështetëse në garën e vitit 2016.

Djegia e mandateve – Ambasadorja e SHBA dhe ai i BE-së takim në zyrën e Ramës

Pas vendimit të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj për të djegur mandatet e tyre në Parlament, në zyrën e kryeministrit Rama kanë mbërritur për takim dy ambasadorët më të rëndësishëm në Shqipëri.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca dhe dhe Zv/ambasadorja amerikane Leyla Moses-Ones kanë shkuar në Kryeministri për të zhvilluar një takim me kreun e qeverise.

Edhe nuk dihen detajet, por mesohet se temë e diskutimit mendohet të jetë pikërisht situata politike e krijuar në vend, pas protestës së 16 shkurtit.

Heather Nauert tërhiqet nga shqyrtimi i ofertës për ambasadore në OKB

UASHINGTON – Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se zëdhënësja Heather Nauert është tërhequr nga shqyrtimi i ofertës për ambasadore të SHBA-ve në OKB.

Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, bëri të ditur se propozon Nauert për pozitën në OKB, si zëvendësim për ambasadoren Nikki Haley, por deri te Senati nuk është dërguar nominimi formal.

“Jam falënderuese presidentit Trump dhe sekretarit shtetëror Pompeo për besimin e dhënë për faktin se më morën parasysh për pozitën e ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara”, theksoi Nauert në njoftim.

“Megjithatë, dy muajt e fundit kanë qenë të lodhshëm për familjen time dhe për këtë arsye është në interesin më të mirë të familjes sime që ta tërheq emrin tim nga konsiderata”, tha ajo.

Ajo hyri në rolin e zëdhënëses së Departamentit Amerikan të Shtetit në vitin 2017 pa ndonjë përvojë të politikës së jashtme dhe nën kujdesin e saj Departamenti në mënyrë dramatike shkurtoi konferencat e shtypit.

Në njoftim thuhet se Trump së shpejti do të njoftojë emrin e ri për pozitën në OKB.

Zëri i Amerikës: Presidenti Trump kërkon marrëveshje për njohje të ndërsjellë Kosovë – Serbi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje presidentëve të Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve si një veprim thelbësor për të ardhmen e tyre.

Thirrjet ishin pjesë e një letre që presidenti Trump i dërgoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe një letre dërguar presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë.

Ne letrën dërguar presidentit Thaçi, thuhet se “marrëdhëniet e fuqishme dypalëshe janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të përqendrohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare. Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është thelbësore për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse“.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në letër, “u mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës“.

Ndërkaq në letrën dërguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, presidenti Trump thekson se “Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në përkrahjen ndaj angazhimit tuaj për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe në veçanti për përpjekjet tuaja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërsa u takon palëve që të arrijnë një marrëveshje që mund ta mbështesin të dyjat, vlerësojmë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë element thelbësor i normalizimit afatgjatë të marrëdhënieve. Një marrëveshje e tillë historike me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën për synimet e Serbisë për integrime evropiane dhe rritje ekonomike“, thuhet në letër.

Në dhjetor të vitit që lamë pas presidenti Trump u kishte shkruar të dy presidentëve duke bërë thirrje që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi ndërmjet tyre, duke theksuar se “do të mirëpriste të dy presidentët në Shtëpinë e Bardhë, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike“.

Por, bisedimet ndërmjet të dyja palëve mbetën të pezulluara për shkak të tensioneve politike dhe tarifave ndaj mallrave serbe që vendosi qeveria e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara disa herë kanë bërë thirrje për pezullimin e tarifave dhe kanë marrë e paralajmëruar veprime dënuese për shkak të refuzimit të qeverisë për ta bërë një gjë të tillë.

Trysnia amerikane la bërë që të shtohen përpjekjet në Kosovë për të gjetur një zgjidhje që do të shmangte dëmtimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara roli i të cilave vlerësohet i pazëvendësueshëm në proceset politike përfshirë edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës 11 vjet më parë.

Ish shefi i FBI: Zyrtarët shqyrtuan mundësinë e shkarkimit të presidentit

Administrata e Presidentit Donald Trump reagoi ndaj komenteve të një ish-drejtori në detyrë të FBI-së, i cili tha se dy vjet më parë, zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit po shikonin mundësinë e përdorimit të një amendamenti kushtetues për të hequr presidentin, pasi ai kishte shkarkuar drejtorin e atëhershëm të FBI-së James Comey.

Ish zyrtari Andrew McCabe, në një intervistë për televizionin CBS News, tha gjithashtu se ai hapi një hetim ndaj presidentit për shkak të shqetësimit se hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller rreth lidhjeve ndërmjet fushatës Trump dhe Rusisë do të rrezikohej nëse ai do të shkarkohej.

“Isha shumë i prokupuar për ta vënë çështjen e Rusisë në një terren absolutisht të fortë dhe në mënyrë të pashlyeshme”, i tha zoti McCabe intervistuesit të televizionit CBS, Scott Pelley. “Qëllimi ishte që, nëse më hiqnin me shpejtësi ose më shkarkonin apo transferonin, çështja të mos mbyllej ose të shuhej pa gjurmë”, tha ai.

Departamenti i Drejtësisë, i cili mbikëqyr FBI-në, e quajti shpalosjen e fakteve nga zoti McCabe “të pasaktë dhe faktikisht të gabuar”. Në një deklaratë, departamenti thotë gjithashtu se inspektori i përgjithshëm i tij gjeti se zoti McCabe “në shumë raste nuk ua tregoi të vërtetën autoriteteve federale dhe kjo çoi në shkarkimin e tij nga posti në krye të agjencisë.”

Pak pas përfundimit të intervistës së zotit McCabe, Presidenti Trump e quajti ish-zyrtarin “një turp për FBI-në dhe një turp për vendin tonë”.

Presidenti Trump përmendi në Twitter zgjedhjen e tij në vitin 2016 në garë me demokraten Hillari Klinton, duke thënë: “Ish-drejtori në detyrë i FBI-së, Andrew McCabe, tashmë i larguar me turp, pretendon të jetë ‘një engjëll i vogël’, kur në të vërtetë ishte pjesë e madhe e skandalit të Mashtrueses Hillary që shpiku çështjen e Rusisë, si dhe një kukull e James Comey-t, që nxirrte lajme për mediat”.

Në mars 2018, Jeff Sessions, në atë kohë Prokuror i Përgjithshëm, e shkarkoi zotin McCabe, duke e privuar atë nga përfitimet e pensionit të plotë.

Bloomberg: Trump, presidenti më ksenofob

VOAL – “Historia amerikane dhe ëndrra amerikane janë nën sulmin e presidentit amerikan, vështirë për t’u besuar, por presidenti më ksenofob i jetës sonë vjen nga kryeqyteti i emigracionit në SHBA, qyteti i Nju Jorkut”: miliarderi Michael Bloomberg , ish-kryebashkiaku i Big Apple, ka sulmuar kështu Donald Trump në një ndërhyrje në Miami (Florida) që ‘dukej një provë për përfshirjen e tij të mundshme për në garën drejt Shtëpisë e Bardhë, në mesin e demokratëve. ansa

Epidemi e fruthit në Shtetet e Bashkuara

Zyrtarët e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët për fruthin, pasi janë shtuar rastet e përhapjes së kësaj sëmundje. Më 5 shkurt, u njoftuan 50 raste të reja në shtetin Uashington, dhe pesë raste në Hjuston, të Teksasit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, shumica e rasteve janë fëmijë të pavaksinuar.

Fruthi u eliminua plotësisht në Shtetet e Bashkuara 19 vjet më parë. Rastet që shfaqen tashmë janë të importuara nga vende të tjera. Kjo po ndodh më shpesh.

“Fruthi është tmerrësisht ngjitës. Po hyri në komunitet është shumë i vështirë pasi transmetohet përmes ajrit”, thotë Dr. Camille Sabella, i Klinikës Cleveland.

Tetëmbëdhjetë shtete i lejojnë prindërit të mos i vaksinojnë fëmijët nëse kanë kundërshtime morale, personale ose filozofike.

Një epidemi e fruthit në shtetin e Uashingtonit ka alarmuar zyrtarët e shëndetësisë që po përpiqen ta izolojnë përhapjen.

“Shpresoj të jem gabim, por mendoj se rastet do të shtohen dhe do të përhapen në mbarë vendin nga kjo epiqendër”, thotë Dr. Jason Hanley, i Qendrës Mjekësore “PeaceHealth Southwest”.

Zonat rurale në Shtetet e Bashkuara kanë më shumë fëmijë të pavaksinuar. Por, edhe në qytete si Hjuston, Ostin dhe Siatëll ka nivel domethënës immunizimi të pamjaftueshëm.

Qyteti i Hjustonit njoftoi dy raste fruthi tek fëmijë nën 2 vjeç.

Doktorët dhe Shërbimit Mjekësor i SHBA-së po u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët.

“Dua që të jenë të gjithë vetëdijshëm se mbrojtja më e mirë është vaksinimi”, deklaroi për publikun amerikan kreu i Shërbimit Mjekësor, Gjeneral Jerome Adams.

Vaksina ka efikasitet prej pothuajse 100%. Doktorët rekomandojnë që fëmijët të marrin dy doza.

“Me një dozë të vaksinës, rreth 95% e fëmijëve imunizohen kundër fruthit. Arsyeja pse japim një dozë të dytë është pasi tek 5% e fëmijëve nuk ka efekt doza e parë. Pra, me dy doza, mbi 99% e fëmijëve janë të mbrojtur nga fruthi”, thotë Dr. Sabella.

Fruthi është sëmundje e rëndë dhe është veçanërisht e rrezikshme tek fëmijët e vegjël.

“Një e treta e këtyre rasteve përfundojnë në spital për arsye të ndryshme”, thotë Dr. Roberta DeBiasi, e Qendrës Kombëtare Mjekësore të Fëmijëve.

Komplikacione si pneumonia, encefaliti dhe enjtja e trurit, mund të shkaktojnë vdekjen ose dëmtime të pariparueshme.

Për këtë arsye, doktorët u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët.

Kongresmeni John Dingell vdes në moshën 92-vjeçare

John Dingell, kongresmeni që ka shërbyer më së gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara, ka vdekur në moshën 92-vjeçare.

“Ai ka qenë luan i Kongresit të SHBA-së dhe një djalë, baba, burrë, gjysh e shok i dashur”, ka thënë zyra e gruas të tij, Debbie Dingell.

Demokrati nga Miçigeni ka qenë forcë shtytëse për një varg ligjesh dhe programesh.

Ai është zgjedhur për herë të parë më 1995 si kongresmen në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ka qenë pjesë e këtij trupi për 59 vjet.

Ai është pensionuar më 2015.

Pasi është larguar nga Kongresi ai ka vazhduar të qëndrojë afër politikës, duke bërë publike qëndrimet e tij përmes postimeve në rrjetin social Twitter.

Ai ka vdekur të enjten në shtëpinë e tij në Dearborn, Miçigen.

Dingell ka qenë vetëm 29 vjeçar kur ka fituar në disa zgjedhje të veçantë për ulësen e babait të tij, pas një vdekjeje të papritur më 1955.

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama e ka përshkruar atë si një nga ligjvënësit me më shumti ndikim në histori.

Duke njoftuar për vendimin e tij për pensionim më 2015, ai pati thënë: “Nuk dua që njerëzit të ndjehen keq për mua. Nuk dua që të bëjë punë që nuk mund ta kryej në mënyrë adekuate”.

Dingell ka shërbyer përgjatë mandateve të 11 presidentëve të SHBA-së.

Presidenti Trump në Mëngjesin e Lutjeve

Rep. James Lankford, R-Okla., left, President Donald Trump, center, and Sen. Chris Coons, D-Del., pray during the National Prayer Breakfast, Feb. 7, 2019, in Washington.

Presidenti Donald Trump tha se do të jetë gjithmonë në mbrojtje të njerëzve të besimit. Ai i bëri komentet në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve sot në Uashington.

National Prayer Breakfast

Presidenti Trump i falënderoi udhëheqësit fetarë për mbështetjen ndaj përpjekjeve për reformën e drejtësisë penale që ka ndërmarrë administrata e tij. Ai tha se nën drejtimin e tij, administrata lufton për të mbrojtur liritë fetare. Presidenti tha gjithashtu se besimi është një element qëndror për familjen dhe lirinë amerikane.

“Ne, tha ai, duhet të ndërtojmë një kulturë që mishëron dinjitetin dhe pacenueshmërinë e jetës së pafajshme njerëzore. Të gjithë fëmijët, të lindur e të palindur, janë pasqyrim i imazhit të shenjtë të Zotit”.

Mëngjesi i Lutjeve mbahet të enjten e parë të çdo muaji shkurt dhe që nga viti 1953 bashkon në një sallë presidentë, politikanë, udhëheqës fetarë dhe personalitete të tjera të vendit si dhe të huaja.

Disa pjesëmarrës që e morën i bënë thirrje Presidentit Trump dhe kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi që të lenë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të pajtohen për hir të së mirës së përgjithshme.

Akvititeti i përvitshëm zhvillohet ndërkohë që vendi përballet me afatin e 15 shkurtit që mund të çojë përsëri në një mbyllje të pjesshme të qeverisë, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth ndërtimit të një muri në kufirin me Meksikën.

Presidenti Trump dhe kryetarja e Dhomës Pelosi morën pjesë në Mëngjesin e Lutjeve së bashku me më shumë se 180 anëtarë të Kongresit.

Presidenti Trump sulmon kritikët për taksat e tij

Presidenti i SHBA, Donald Trump sulmoi ashpër një prej kritikëve të tij demokratë, i cili po vë në veprim një komision të fuqishëm të Kongresit për të hetuar financat e tij personale.

Presidenti Trump tha se veprimet e Kryetarit të Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff përbëjnë ngacmime ndaj presidentit dhe dëmtojnë vendin.

“Një mrekulli ekonomike po ndodh në Shtetet e Bashkuara dhe e vetmja gjë që mund ta ndalë janë luftërat pamend, politikat ose hetimet partiake qesharake”, tha Presidenti Trump.

Ndërkohë, një komision i Dhomës së Përfaqësuesve mban të enjten një dëgjesë mbi çështjen e taksave të presidentëve, një hap i parë i një procesi që mund ta bëjë komisionin e drejtuar nga demokratët të hetojë taksat e Presidentit Donald Trump.

Muajin e kaluar, demokratët u shndërruan në parti shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe po fillojnë një numër hetimesh në nivel komisionesh për të shqyrtuar interesat financiare të zotit Trump si dhe për të parë nëse ato mund të motivojnë vendime të caktuara politike të tij.

Taksat janë konfidenciale, por sipas ligjit, kryetari i Komisionit për Tatimet ka autoritetin të shqyrtojë taksat e kujtdo.

Zoti Schiff tha se komisioni do të vazhdojë të shqyrtojë veprimet e Rusisë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, si dhe kontaktet midis ekipit të fushatës Trump dhe Moskës, por tani do të hetojë gjithashtu “nëse ndonjë aktor i huaj është përpjekur të kompromentojë ose të ketë ndikim financiar mbi zotin Donald Trump, familjen, biznesin, ose bashkëpunëtorët e tij.”

Komisioni i zotit Schiff votoi gjithashtu të mërkurën për t’i dërguar prokurorit të posaçëm Robert Mueller më shumë se 50 intervista të zbardhura të komisionit lidhur me hetimin për Rusinë.

Përgjigja e demokratëve ndaj fjalimit të presidentit

Stacey Abrams, Kryetare e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të Shtetit Xhorxhia, ish-kandidate për guvernatore të këtij shteti në zgjedhjet e fundit, e hapi fjalimin me një histori të shkurtër të familjes së saj që e përdori si simbolizëm për karakterin e popullit amerikan:

“Forca dhe fuqia jonë si amerikanë jeton tek puna jonë e palodhur dhe tek besimi i të krijuarit më shumë.

Familja ime kuptoi nga vetë eksperienca e saj se megjithëse suksesi nuk është i garantuar, ne jetojmë në një vend ku mundësia ekziston.

Por nuk ja dalim mbanë të vetëm – në këto Shtete të Bashkuara, kur kohërat janë të vështira, ne mund të ngulmojmë pasi miqtë tanë dhe fqinjët do të na vijnë në ndihmë”.

Zonja Abrams kritikoi politikat e administratës duke i fajësuar për mbylljen e qeverisë së nga fundi i dhjetorit deri 10 ditë më parë.

“Vetëm pak javë më parë, unë iu bashkova vullnetarëve për të shpërndarë ushqim për punonjësit federalë të pezulluar nga puna. Ata pritën në radhë për një kuti me ushqime dhe për një grimcë shprese, pasi nuk ishin paguar për javë të tëra. Të shndërrosh mjetet e tyre të jetesës në vegël për lojëra politike është një turp.

Mbyllja e qeverisë ishte një truk i sajuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara duke sfiduar çdo parim drejtësie dhe duke braktisur jo vetëm njerëzit tanë, por edhe vlerat tona”.

Zonja Abrams foli edhe për nevojën për konsensus e bashkëpunim ndërpartiak:

“Për shtatë vjet, unë udhëhoqa Partinë Demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Xhorxhia. Nuk isha gjithnjë dakord me Kryetarin tonë republikan, apo me Guvernatorin, por kuptova se për votuesit tanë nuk ishin të rëndësishme partitë tona politike – të rëndësishme për ta ishin jetët e tyre.

Kështu që, kur na u desh të negocionim reformën e drejtësisë, apo transportin, apo përmirësimet në sistemin e birësimit, udhëheqësit e shtetit tim nuk e mbyllën punën – ne u bashkuam. Dhe e mbajtëm fjalën.

Nuk duhet të jetë ndryshe në kryeqytetin e vendit tonë.

Vërtet mund të vijmë nga kahe të ndryshme të politikës, por përkushtimi ynë i përbashkët ndaj idealeve të këtij vendi nuk mund të jetë i negociueshëm”.

Pas theksit të fortë që i vuri Presidenti Trump rritjes së ekonomisë dhe papunësisë së ulët në fjalimin e tij, zonja Abrams u shpreh me kritika se për një pjesë të mirë të amerikanëve punët ekzistuese nuk ofrojnë një jetë me siguri ekonomike:

“Në Xhorxhia dhe në mbarë vendin, njerëzit po përpiqen të krijojnë një klasë të mesme, me një pagë që vërtet përfaqëson sigurinë ekonomike.

Por, realisht shpresat e familjeve po dërrmohen nga udhëheqja republikane që injoron jetën reale apo thjesht nuk e kupton atë”

Përfaqësuesja e demokratëve që foli të martën në përgjigje të Fjalimit të Presidentit Trump mbi Gjendjen e Vendit, u shpreh se shumë amerikanë vërejnë se po përdoren forma të ndryshme për t’u mohuar ose kufizuar atyre të drejtën e votës:

Kjo është beteja e radhës për demokracinë tonë, një betejë në të cilën të gjithë qytetarët të mund të shprehin mendimin e tyre për vizionin që duam për vendin tonë.

Duhet ta refuzojmë cinizmin që thotë se të lejosh të dëgjohet dhe të numërohet çdo votë është “kapje e pushtetit”.

Amerikanët e kuptojnë se këto janë vlerat e burrave dhe grave tona me uniformë dhe për të cilat veteranët tanë rrezikojnë jetën e tyre për t’i mbrojtur.

Themelet e udhëheqjes tonë morale në mbarë globin janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, nëpërmjet të cilave votuesit zgjedhin udhëheqësit e tyre – dhe jo për politikanët që të zgjedhin votuesit e tyre,” tha Stacy Abrahms në fjalimin që mbajti në emër të Partisë Demokrate, në përgjigje të Fjalimit mbi Gjendjen e Vendit që mbajti Presidenti Trump.