VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Trumpi më 3-5 qershor do të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar

By | April 23, 2019

Komentet

Peter Handke mori çmimin Nobel mes reagimesh e protestash

Shoqatat e viktimave të luftës në Bosnje, vendosën një ekran gjigant elektronik në qendër të Sarajevës, duke portretizuar laureatin e çmimit Nobel për letërsinë, Peter Handke, si një djall që qëndron pranë kafkave, me një mesazh ku thuhet “turp të keni”.

Në Stokholm, grupe protestuesish vendosën slogane si “Jo Nobel për lajme të rreme”, dhe thirrje “Handke kërkoi ndjesë për viktimat e Srebrenicës. Sot”,

Këto ishin pjesë e protestave kundër autorit Handke, të cilin kritikët e quajnë mohues të gjenocidit, dhe vënë në pah lidhjet e tij me Sllobodan Millosheviçin, deklaratat në mbrojtje të nacionalizmit serb dhe kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ai kishte mbajtur edhe fjalim në vitin 2006 në funeralin e ish presidentit serb i cili vdiq në Hagë derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.

Ambasadorët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Truqisë, bojkotuan ceremoninë.

“Sot është ditë e turpshme për Evropën dhe njerëzimin”, shkroi ministri i jashtëm i Kosovës në largim, Behgjet Pacolli. Kjo, tha ai “tregon se Evropa vuan nga harresa për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, Bosnjë e Kroaci”, shkroi ai.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, shkroi se “Mohimi i gjenocidit duhet të kundërshtohet Kemi udhëzuar ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Suedi që të mos marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për (Peter) Handken”, shkroi ai.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, më herët gjatë ditës akuzoi Akademinë Suedeze për shpërblim të shkelësve të të drejtave të njeriut duke i dhënë çmimin Nobel autorit Handke.

Të hënën edhe Kroacia e Bosnja thanë se kanë udhëzuar ambasadorët të bojkotojnë ceremoninë.

Peter Handke refuzoi javën e kaluar t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me mbështetjen e tij për Sllobodan Millosheviçin, në një paraqitje në Stokholm. zëri i amerikës

OSBE-ja paralajmëron Shqipërinë të mos kufizojë lirinë e mediave online

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) u ka bërë thirrje autoriteteve në Shqipëri që të ndryshojnë projektligjin rreth sistemit të ri të regjistrimit të mediave online.

Përfaqësuesi për liri të mediave në këtë organizatë, Harlem Desir, ka kërkuar nga Parlamenti i Shqipërisë që ndryshimet të bëhen ndonëse shumica prej tyre do të varen nga “zbatimi”.

Ai ka theksuar se agjencia rregullatore duhet të jetë plotësisht e pavarur dhe e lirë nga ndikimi politik.

Projektligji i vitit të kaluar për mediat online dhe kërcënimet e qeverisë për vendosje të gjobave të ashpra në mediat e paregjistruara elektronike janë kritikuar nga OSBE-ja dhe organizatat e mediave.

Desire ka thënë se ligji nuk duhet të interpretohet si e drejtë për censurë apo kufizim i lirisë së shprehjes.

Sipas tij mundësia e bllokimit të qasjes në materiale online duhet të kufizohet në tri aspekte: pornografi të fëmijëve, promovimi i akteve terroriste dhe shkelja e sigurisë kombëtare.

Kriza në lindje të Ukrainës kthehet në axhendën globale

Gjermania, Franca, Rusia dhe Ukraina rifillojnë dialogun në formatin e Normandisë për të gjetur një zgjidhje të krizës në Ukrainën lindore, raporton Anadolu Agency (AA).

Samiti i Katërshes së Normandisë do të zhvillohet sot në Paris me pjesëmarrjen e Kancelares gjermane, Angela Merkel, Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Kjo do të jetë ngjarja e parë zyrtare me pjesëmarrjen e liderëve ukrainas dhe rusë, të cilët do të zhvillojnë një takim dypalësh të veçantë në margjinat e samitit për të diskutuar mbi situatën në Krime dhe Donbass.

Zelensky vazhdon përpjekjet e tij për t’i dhënë fund krizës në Ukrainën lindore, në përputhje me premtimet e tij zgjedhore, dhe ka arritur të ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, duke përfshirë shkëmbimin e të arrestuarve dhe kthimin e anijeve ukrainase të kapura nga Rusia në një konfrontim vitin e kaluar.

Presidenti i Ukrainës nxiti rifillimin e bisedimeve në formatin e Katërshes së Normandisë, që pezulluan në vitin 2016 dhe dukej se ishin harruar nga Perëndimi.

Grupi trepalësh i kontaktit në Donbas, falë Zelenskyt, miratoi planin e veprimit “formula e Steinmeier-it” gjatë bisedimeve të shtatorit në Minsk.

Ky është një mekanizëm që sugjeron zbatimin gradual të marrëveshjes së Minskut të vitit 2015 për të ndaluar konfliktin në Ukrainën lindore, duke propozuar një autonomi më të gjerë në rajonet Donetsk dhe Lugansk të Ukrainës dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale nën mbikëqyrjen e Kievit.

Është arritur dakordim që Formula Steinmeier të paracaktojë samitin e Normandisë gjatë takimit në Minsk.

Ish-Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, mohoi formulën e Steinmeier, duke thënë se forconte pozicionet e separatistëve. Moska e quajti të pamundur takimin e Putinit dhe Zelenskyt pa marrëveshje për këtë çështje të veçantë.

Megjithë presionin e madh të opozitës, Zelensky miratoi mekanizmin, duke gjetur reagim pozitiv te Gjermania, Franca dhe Rusia.

Pozicioni rus ka qenë i vazhdueshëm që nga fillimi i krizës në Ukrainën lindore, ndërsa Ukraina, nën drejtimin e Zelenskyt, provon mjete diplomatike dhe nuk kërkon konfrontim të mëtejshëm me Moskën.

Edhe pse Zelensky shihet si një politikan i papërvojë, ekspertët thonë se hapat e tij të ardhshëm mund të çojnë në një zgjidhje paqësore të tensioneve në lindje të Ukrainës.

Së paku pesë të vdekur nga vullkani në Zelandën e Re

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.

Një vullkan shpërtheu në Zelandën e Re, duke lënë të vdekur së paku pesë persona dhe plagosur disa të tjerë.

Vullkani shpërtheu në Ishullin e Bardhë, nga ku u shpëtuan 23 vetë.

Autoritetet thanë se rreth 100 persona besohet të kenë qenë pranë.

“E dimë se ka pasur një numër turistësh në dhe përreth ishullit në atë kohë, si qytetarë të vendit, ashtu edhe vizitorë”, tha kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.

Ajo shtoi se policia ka nisur operacionin e kërkim-shpëtimit, porse hiri i vullkanit po i pengon përpjekjet.

Vullkani në Ishullin e Bardhë është një nga më aktivët në Zelandën e Re.

Më 3 dhjetor, ueb-faqja e monitorimit të rreziqeve gjeologjike GeoNet paralajmëroi se “vullkani mund të jetë duke hyrë në një periudhë kur aktiviteti shpërthyes ka më shumë gjasa të ndodhë”, megjithëse shtoi se “niveli aktual i aktivitetit nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për vizitorët”.

Trump realizon vizitën e parë në Afganistan

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë rinisur bisedimet me talibanët, teksa ka realizuar një vizitë të papritur për Festën e Falënderimeve te trupat amerikane në Afganistan, duke shënuar kështu vizitën e parë në shtetin e shkatërruar nga lufta prej kur ka nisur udhëheqësinë më 2017.

Talibanët dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje dhe ne do të takohemi me ata”, u ka thënë ai gazetarëve në veri të Kabulit, duke shtuar: “Ne kemi thënë se duhet të ketë armëpushim dhe ata më parë nuk kanë dëshiruar armëpushim dhe tani duan të kenë armëpushim”.

“Me siguri se do të funksionojë ashtu”, ka thënë ai.

Udhëtimi i Trumpit vjen një javë pas lirimit të dy pengjeve perëndimore nga talibanët, në këmbim të tre të burgosurve talibanë, duke rritur kështu shpresat për rikthim të bisedimeve për paqe.

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë zhvilluar bisedime gati një vit për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare në Afganistan, para se Trump të pezullonte bisedimet në muajin shtator.

Agjencia e lajmeve, Reuters ka raportuar se zyrtarë talibanë ka thënë se ky grup është takuar me zyrtarë të lartë amerikanë në Doha në fundjavën e kaluar, duke shtuar se shumë shpejt do të rikthehen bisedimet.

“Qëndrimi jonë vazhdon të jetë i njëjtë. Nëse nisin bisedimet për paqe, do të vazhdojnë aty ku janë ndalur”, ka thënë zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid për Reuters, pak pasi Trump ka thënë se bisedimet do të rinisin.

Në bazën ajrore në Bagram, presidenti amerikan ka pranuar se numri i trupave amerikane është duke u zvogëluar, mirëpo ka insistuar se SHBA-ja do të vazhdojë të ketë prezencë aty derisa të arrihet marrëveshje apo të ketë fitore, meqë sipas tij talibanët duan që patjetër të ketë marrëveshje.

Aktualisht janë rreth 13,000 trupa ushtarake në Afganistan, dhe forca evropiane që marrin pjesë në kuadër të misionit të NATO-s.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij afgan, Ashtaf Ghani.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij afgan, Ashtaf Ghani.

Ekipi i presidentit afgan, Ashraf Ghani ka publikuar muajin e kaluar një propozim prej shtatë pikave, me qëllim të rikthimit të bisedimeve mes SHBA-së dhe talibanëve.

Deri më tani talibanët kanë refuzuar që të bisedojnë me Qeverinë afgane, duke e konsideruar kukull të perëndimit.

Në Bagram, Trump është pritur nga gjenerali ushtarak amerikan, Mark Milley.

Presidenti amerikan është shoqëruar nga Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, është takuar me presidentin afgan Ghani, zyrtarët e të cilit kanë thënë se kanë kuptuar për vizitën e Trumpit vetëm disa orë përpara.

Lideri afgan ka falënderuar Trumpin për “shtyrje përpara të paqes që do të garantonte arritjet e vitit të kaluar dhe do të garantonte siguri”.

Më vonë, përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, Ghani ka thënë se “në takimin tonë bilateral, ne kemi diskutuar përparimin e rëndësishëm që kemi bërë bashkërisht në përpjekjet ushtarake në fushëbetejë, duke përfshirë shkatërrimin e grupit militant, Shteti Islamik në lindje të Afganistanit. Presidenti Trump ka vlerësuar përpjekjet e palodhshme të forcave afgane të sigurisë në këto luftime”.

“Të dyja palët kanë vlerësuar se nëse talibanët janë të sinqertë në përkushtimin e tyre për arritje të paqes, ata duhet të pranojnë armëpushimin. Ne po ashtu kemi vlerësuar se për të zgjatur paqja, strehët e sigurta për terroristët jashtë Afganistanit, duhet të shpërbëhen”, ka shkruar Ghani.

Gjatë vizitës së tij në bazën ushtarake, Trump ka shtruar darkë për trupat amerikane, për nder të Festës së Falënderimeve.

Presidenti Trump u ka shërbyer ushqim ushtarëve amerikanë për nderë të Festës së Falënderimeve.

Presidenti Trump u ka shërbyer ushqim ushtarëve amerikanë për nderë të Festës së Falënderimeve.

Në këtë festë, që është traditë në SHBA, që familjet amerikane të darkojnë së bashku.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Sudani shpërbën partinë e diktatorit Omar al-Bashir

Pamje nga protestat në Sudan para disa muajve.

Sudani ka urdhëruar partinë politike të diktatorit të rrëzuar nga pushteti, Omar al-Bashir, që të shpërbëhet dhe asetet t’i konfiskohen, teksa ky shtet i Afrikës verilindore ka marrë një tjetër hap drejt demokracisë, pas disa mujave të protestave.

Autoritetet e reja po ashtu kanë shfuqizuar një ligj të kohës së Bashirit për të rregulluar sjelljen dhe veshjen e grave.

Në dekret është thënë se “Partia e Kongresit Kombëtar do të shpërbëhet dhe regjistrimi i saj do të anulohet nga lista e partive politike në Sudan”, duke shtuar se një komiteti do të formohet për të konfiskuar të gjitha pronat dhe asetet.

Bashir me partinë e tij kanë udhëhequr shtetin nga 30 qershori i vitit 1989, para se të nisin protestat për largimin e tij nga pushteti më herët gjatë këtij viti.

Pas largimit të Bashirit dhe disa javëve të protestave pro-demokracisë, gjeneralët e Sudanit patën arritur një marrëveshje në korrik për ndarje të pushtetit dhe liderët e protestave, në mënyrë që të mos përshkallëzohet më shumë situata.

Bashir fillimisht ka qenë në arrest shtëpiak dhe më pas është transferuar në burgun në Kartum.

Protestuesit kanë kërkuar që ai të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, ku përballet me akuza duke përfshirë krime kundër njerëzimit.

Profesori italian më 1943: Tërmetet, Shqipëria e dyta në botë pas Japonisë, ja zonat e rrezikuara

Rezarta Delisula – Duke kërkuar në bibliotekën personale mes gazetave të vjetra e librave shkencorë mbi tërmetet, gjeta gazetën “Roja Kombëtare” të ditës së mërkurë më 4 prill 1943 dhe pikërisht një shkrim mbi tërmetet në vendin tonë. Titulli i bazuar në studimin e Dr. Carlo Morelli “Tërmetet, Shqipëria zë vendin e parë në Europë e të dytin në botë pas Japonisë” më tërhoqi vëmendjen ndaj për lexuesit e “Gazeta Shqiptare” po risjellim këtë artikull të vitit 1943, por që për ne është fare i panjohur.

Pyeta dje një shok:- A s’më thua sikur të kqyrim Shqipërinë nga pikpamja e veprimtarisë sizmike në lidhje me shtetet e tjera të botës, ç’vend kujton ti se ka për të zënë? Mejtoi pak dhe pastaj u-përgjegj: – Sigurisht vendin e fundit. Nuk e pyeta se ku u-bazua por e mora me mendje se këtë përfundim e nxorri pasi solli në mëndje popullsinë e Shqipërisë dhe hapësirën e saj në kilometra katrorë, domethënë shteti më i vogël i botës. Pra i vogël duhet të figurojë dhe në shkallëzimin e lëkundjeve të tërmetit. Dhe duket se u bazua në të tilla argumenta sepse e pashë të hapij sytë nga habija kur dëgjoi ti thoshja:- Shqipëria zë vëndin e parë në të gjitha shtetet e Europës dhe po ta kqyrim në lidhje me shtetet e gjithë botës, kjo vjen e dyta se vendin e parë në tërmete e zë Japonia! – Bëri sikur të më kundërshonte po s’e lash. – Këndo, shtova librin e këtyre muajvet të fundit që ka botuar Dr.Carlo Morelli me titullin “Carta sismica del l’Albania” nën kujdesin e Akademisë Mbre-tërore të Italisë dhe do të bindesh. Uli kryet, por nga habitja nuk hoqi dorë. Zaten edhe unë kur këndova këtë libër hapa sytë. Po ju përkthej fjalë për fjalë një pjesë të hyrjes së librit:

“Veprimtaria sismike e shtratit superficial të tokës është shumë e ndryshme: këtu mund të dallohen vënde në të cilat askush nuk mba mënd të ketë dëgjuar tërmete kurse në vënde të tjera, fatkeqësisht, lëkundjet janë shumë të shpeshta dhe shumë herë edhe çkatërronjëse. Nga kjo pikpamje, po të kqyret çështja, toka shqiptaremund të konsiderohet klasike për tërmete, kaq përsa u përket përsëritjevet, sa dhe, sidomos, përsa i përket intensitetit. Në të vërtetë Shqipëria është vëndi i Evropës ku përsëriten më shpesh tërmetet çkatëronjës, dhe midis vendevet që janë edhe Ekstra-evropjane. Shqipëria nga kjo pikpamje vjen e dyta pas Japonisë. Natyrisht nuk e japim në mënyrë sihariqi këtë konstatim dhe do të preferonim që nga kjo pikpamje Shqipëria të mos përmendej fare, sesa të kishte primatin në Evropë dhe vëndin e dytë në të gjithë botën. Por fakti është ky fatkeqësisht sipas të thënavet të Morellit, dhe meqënë se është një gjë që i përket vëndit t’onë, është mirë t’a njohim vëndin t’onë dhe nga kjo pikpamje. Nuk është vetëm për të kënaqur një kureshtje ose për të shtuar njoftunitë t’ona, por më shumë është dhe për arësyen që duke patur njoftime të plota kush bën shtëpi në vëndet ku janë shënuar më shumë lëkundje t, të përpiqen që t’i bëjnë sa është e mundur më antisismike. Morelli e ka shpurë studimin që në vitëret e moçme kaq sa shënon edhe vitin 334 Pas krishtit, por lëkundjet e epokës së largme nuk mund të dihen me saktësi sepse mungonin veglat edhe pse nuk gjënden kollaj shënimet. Tërmetet e atyre korhravet, nëse dihen edhe sot, kanë qënë nga ata tërmete që kanë bërë kërdinë, kurse lëkundjet më të lehta, por edhe këto ckatrim-tarenuk kishin mundësi të diheshin dhe të merreshin e të mbaheshin shënime. Për shëmbëll kujton tërmetin e vitit 334 pas Krishtit që çkatëroi Durrësin por ne do të merremi vetëm me ato lëkundje që kanë ngjatë nga viti 1800 e tëhu.

2000 të vrarë
në Vlonë
Nga viti 1833 Vlona është lëkundun tridhjet e tri herë por vetëm 13 kanë qenë ato që kanë bërë çkatërime dhe viktima. Por lëkundja më e fortë dhe që ka bërë dëmet më të mëdha është shënuar më 12 tetor të viti 1851. Godinat e qytetit po thuaj të gjitha pësuan dëme të mëdha kurse shumica e tyre u shëmb. Ujrat e detit u-ngritnë përpjetë më shumë se gjysmë metro dhe pikërisht 66 centimetra. Tjatër lëkundje shënohet në shtator 1859. Në titin 1866 janë bërë shtat lëkundje të forta dhe me dëme jo të vogla…Pas tre vjet Vlona përsëri ka tërmet: Më 14 gusht 1869 dhe më 18 dhjetor 1920 shënon tërmetin e fundit por mjaft të madh.

Elbasani vjen në serën e dytë
Pas vlonës vjen Elbasani me 10 lëkundje. Këtu tërmeti i parë u dëgjua më 1843, datë 5 shtator, me dëme të ndjeshme. Lëkundja e dytë u bë më 20 tetor tëtor 1851 edhe ky me dëme. Pas 13 vjetvet përsëritet lëkundja dhe kështu më 21 gusht 1864 kemi dëme të tjera në Elbasan. Pastaj kemi më 21 qershor 1895, më 1 mars 1906, më 16 gusht 1907, 13 shkurt 1912, 18 dhjetor 1920, 21 tetor 1921 dhe 7 janar 1923.

Në sërë të tretë vjen Kanima (besoj se flitet për Kaninën) e cila është më pranë Vlonës. Po shënojmë datat e nënd lëkundjevet që ka vuajtur Kanima: Më 1833, 1851, 1858, 1859, 1860, 1862, 1866 (tri herë, 1867 dhe 1869).
Durrësi që nga fillimi shekullit që kaloi (i referohet shekullit të XVIII) e gjer më 1926 ka pësuar 9 troditje të forta nga të cilat më të dëmshmet kanë qenë ato të vitit të fundit. E para lëkundje më 1 shtator 1869, e dyta 6 korrik 1895, 10 shkurt 1986 dhe ajo e fundit në vitin 1926 mr tri përsëritje 16, 17 dhe 25 dhjetor. Lëkundja e parë e vitit të fundit u dëgjua në orën 17,54 minuta dhe 52 sekonda që bën më shumë dëme në rrethet e Shijakut. Të nesërmen pas një lëkundje të fortë në orën 06.21 minuta e 16 sekonda ndjehet një lëkundje e dytë katastrofike që lë dëme të mëdha në shtëpi dhe shtrëngon me mijra njerëz të gjejnë strëhime në baraka. Vazhdojnë lëkundje të lehta gjer më 25 dhjetor, kur në orën 16.14 minuta dhe 22 sekondadëgjohen dy lëkundje përsëri katastrofike që përsëriten më 27 të atij muaji. Lëkundje të lehta vazhduan për disa muaj. Më pas renditet Berati dhe Shkodra dhe çkatërimi i Tepelenës më 1920 me 200 të vrarë.
Carlo Morelli: Carta sismica dell’Albania- Felice Le Monnier-Firenze, 1942Lit.45

Presidenti turk u kërkon vendeve islamike të ndihmojnë Shqipërinë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoga u kërkoi vendeve islamike që të ndihmojnë Shqipërinë të tejkalojë situatën e rënduar pas goditjes nga tërmetit që shkaktoi shumë viktima.

“Përgjegjësia bie mbi ne. Është obligim i yni si Organizatë Islamike për Bashkëpunim, që të bëjmë hapin e parë në planifikimin dhe organizimin e donatorëve. Tani, duhet të mbështesim Shqipërinë në trajtimin e të lënduarve dhe strehimin e atyre që iu shkatërruan shtëpitë. Marrja e këtij hapi mendoj se është i dobishëm dhe në të njëjtën kohë e kemi detyrim ndaj vëllezërve tanë”. zëri i amerikës

Dy ekspertë amerikanë dalin me analizë për tërmetin në Shqipëri, tregojnë shkaqet e mundshme

Dhjetëra persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë kanë mbetur të lënduar e pa strehë si pasojë e një tërmeti të fuqishëm prej 6.4 ballësh që ka goditur Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit. Kjo lëkundje është shoqëruar edhe më një seri të vazhdueshme goditjesh më të vogla, të cilat janë ndier edhe në Kosovë.

Gjithë kjo tragjedi që ka prekur Shqipërinë ka nxitur ekspertë të sizmologjisë të analizojnë gjithë situatën dhe goditjet sizmike që e kanë përfshirë këtë vend.

Doktori amerikan i shkencave, Ross Stein, dhe magjistri i Shkencave, Volkan Sveilgen, e kanë publikuar një analizë të përbashkët në “Tamblor” rreth tërmetit fatal që e ka goditur Shqipërinë.

Në pjesën e parë të kësaj analize, dy shkencëtarët kanë treguar për numrin e viktimave dhe shkatërrimin që ka ndodhur si pasojë e tërmetit, megjithatë potencojnë se gjendja ka mundur të jetë edhe më e keqe.

Këtë e kanë thënë teksa kanë përmendur faktorët fizikë dhe pasojat që kishte lënë në Shkup në vitin 1963 një tërmet i cili ishte edhe më i vogël se ky që e ka goditur Shqipërinë.

Në korrikun e vitit 1963, tërmeti prej 6.1 ballësh që e kishte goditur Shkupin i kishte lënë të vdekur 1 mijë e 70 njerëz, të lënduar deri në 4 mijë, më shumë se 200 mijë pa kulm mbi kokë dhe e kishte shkatërruar rreth 80 për qind të qytetit.

Përveç tjerash, kanë folur edhe për goditjet më të dobëta të cilat kanë pasuar pas tërmetit 6.4 ballësh, duke thënë se ky lloj aktiviteti është i pazakontë dhe që nuk e bën më të lehtë parashikimin e tërmetit.

Ndërkohë e kanë bërë edhe një ndërlidhje mes tërmetit prej 6.4 ballësh, që epiqendrën e pati në afërsi të Tiranës, dhe atij që kishte ndodhur pranë qytetit të Mostarit në Bosnjë e Hercegovinë pas një periudhe kohore prej 6 orësh, me fuqi prej 5.4 ballësh.

Dy ekspertët thonë se kjo mbase mund të jetë e rastësishme, por nëse bëhet një lidhje, atëherë një gjë e tillë do të mund të jetë shkaktuar nga valët sizmike të tërmetit që e goditi Shqipërinë pasi ato shpërndahen me minuta të tërë.

Teksa kanë kaluar nëpër histori të tërmeteve, kanë thënë burimi i tërmetit që e ka goditur Shqipërinë është si pasojë e ngjeshjes tektonike të kores së Tokës, që shtrihet nga jugu i Kroacisë deri në Greqi. Kjo ngjeshje e kores së Tokës, siç kanë theksuar ata, është e dukshme edhe në tkurrjen që është bërë në sipërfaqen e Tokës pas matjeve me GPS dhe gjithashtu nga historia e tërmeteve të mëdha që kanë ndodhur në rajon. Sipas tyre, Ballkani Jugor është ka aktivitet më të lartë sizmik se Italia.

Në këtë analizë të tërmetit që e ka goditur Shqipërinë, dy ekspertët amerikanë gjithashtu e kanë krijuar një hartë, në të cilën tregojnë se si zonat në afërsi të bregdetit në Durrës, Thumanë e Lezhë janë zona toke të ngopura me ujë, të papërforcuara dhe të dobëta e të cilat gjenden përreth epiqendrës së tërmetit 6.4-ballësh.

Këto zona të dobëta tronditen katër herë më shumë se pjesët e tjera pasi që toka e tyre është shndërruar pothuajse në gjendje të lëngshme dhe që s’mban asgjë e që si pasojë, një gjendje e tillë e dheut, kur pëson tronditje, shkakton edhe shembje dhe fundosje të ndërtesave.

Në fund të analizës së tyre, dy ekspertët amerikanë thonë se gjeologët e sizmologët do të japin detaje dhe do të mësojnë më shumë ditëve në vazhdim rreth tërmetit, por ajo që potencojnë ata është se rreziku nga një tërmet i tillë nuk ka qenë i paparashikueshëm./GazetaExpress/

Zjarrfikësi italian: Ka ende kohë, kemi shpëtuar njerëz dhe pas 72 orësh

Operacionet e kërkim-shpëtimit të personave të bllokuar poshtë rrënojave që la pas tërmeti po vazhdojnë në Durrës dhe Thumanë.

Një nga efektivët e trupave të ardhura nga Italia ka deklaruar se po punohet ende për të shpëtuar njerëzit në banesën e familjes Lala, edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga tërmeti i shkallës 6.4 Rihter.

Në një prononcim për A2 CNN ai tha se ka ende shpresa pasi në Itali ata kanë arritur të nxjerrin trupa të gjallë edhe pas 72 orëve.

“Jemi 160 zjarrfikës italianë, të specializuar në kërkimin poshtë rrënojave. Do të vijnë edhe të tjerë. Ka ende kohë, në Akuila kemi shpëtuar njerëz që kishin 72 orë nën rrënoja. Gjithmonë punojmë me objektivin për të shpëtuar njerëz”, deklaroi zjarrfikësi italian duke shtuar se operacioni është i vështirë pasi “shtëpia është shembur e gjitha dhe të katër katet kanë përfunduar sipër njëri-tjetrit”

Papa Françesku mesazh për shqiptarët: Lutem për shpirtrat e të humburve

Ati i Shenjtë i është drejtuar me një mesazh të gjithë popullit shqiptar në këtë ditë zie kombëtare për vendin.

Në emër të Papa Françeskut, Sekretari Kardinal i shtetit të Vatikanit Pietro Parolin, dërgoi një telegram për viktimat e tërmetit 6.4 të shkallës Rihter.

“Ati i Shenjtë po lutet për shpirtrat e atyre që vdiqën në katastrofë. Të lutemi për ata që janë prekur nga kjo fatkeqësi. Lutemi edhe për personelin e urgjencës që po ndihmojnë. Unë jam afër viktimave, lutem për familjet, Zoti e bekoftë këtë popull për të cilin unë e dua aq shumë. ”, thuhet në telegram.

Deri më tani për shkak të tragjedisë kanë vdekur 31 persona dhe janë lënduar mbi 650.

Ende vijojnë kërkimet në Thumanë dhe Durrës pas tërmetit, pasi 25 persona janë ende të humbur. Mëngjesin e sotëm janë gjetur nën rrënoja të pajetë, Klement Çupi bashkë me babain e tij, Hajredin Çupi. Ndërsa në spitalin e Traumës, humbi jetën Sajmir Greku, 31-vjeç. Ndërkohë janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat çifti Çelnike Greku dhe Përllumb Greku, prindërit e Sajmirit.

“Çaste të trishtuara”, Senati Italian solidarizohet me Shqipërinë: Ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave!

ITALI

Presidentja e Senatit të Italisë, Maria Elisabetta Alberti Casellati, i ka shprehur sot dhimbjen dhe solidaritetin Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi për humbjen e jetëve njerëzore nga tërmeti shkatërrimtar që preku sot vendin tonë.

“Senati italian dhe unë ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave, të lënduarit, me të gjithë njerëzit që vuajnë si edhe me ekipet e shpëtimit të jetëve njerëzore.Në këto çaste të trishtuara rikonfirmojmë bashkëpunimin, solidaritetin dhe ndjenjat vëllazërore të popullit italian për popullin shqiptar.”-shkruan Presidentja e Senatit Italian Maria Elisabetta Alberti Casellati.