VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Trump: Kartelet meksikane të drogës të fshihen nga faqja e dheut

By | November 6, 2019

Komentet

Trump: E “dërmuam plotësisht” çështjen e ngritur nga demokratët

Katherine Gypson

Presidenti Donald Trump tha të dielën se avokatët e tij “dërmuan plotësisht” çështjen që kanë ngritur demokratët kundër tij duke synuar shkarkimin nga detyra.

Një një postim në twitter pasi ekipi i tij ligjor mbylli ditën e parë të paraqitjes së argumenteve mbrojtëse Presidenti shkruante se “gjuetia e shtrigave është një ndërhyrje masive në zgjedhje që nuk është parë kurrë më parë“.

Ai sulmoi prokurorin kryesor të demokratëve, ligjvënësin Adam Schiff, duke e cilësuar atë si “politikan të korruptuar” dhe siç shtonte më tej ai “ndoshta një njeri shumë të sëmurë.

Ai (Schiff) nuk e ka paguar çmimin, për atë që i ka bërë vendit tonë!“, shkruante zoti Trump.

Zoti Schiff tha për televizionin NBC News se ai i sheh komentet e zotit Trump si një kërcënim.

Ai është një president i inatosur dhe hakmarrës dhe nuk kam asnjë dyshim për këtë”, tha zoti Schiff. “Dhe nëse mendoni ndryshe, mjaft të shihni postimet e tij për mua sot, ku shkruan se duhet të paguaj një çmim”, tha ai.

Java e parë e gjyqit ndaj Presidentit Donald Trump në Senat u mbyll të shtunën, ndërsa avokatët e presidentit filluan mbrojtjen e tij, duke argumentuar se Presidenti nuk kishte bërë asnjë gabim në komunikimet e tij me Ukrainën. Ekipi i avokatëve mbrojtës ka tre ditë kohë për të argumentuar para 100 senatorëve të cilët do të vendosin për largimin ose jo nga detyra të Presidentit Trump. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson sjell hollësitë.

Në një ditë të shkurtër të shpalosjes së argumenteve fillestare, të përshkruar si një prezantim paraprak, avokatët e Shtëpisë së Bardhë sulmuan nga fronte të ndryshme demokratët. Së pari ata e quajtën të pabazë akuzën për shkarkimin e Presidentit.

“Demokratët akuzuan presidentin se përdori ndihmat për sigurinë për të detyruar Presidentin (Voldymyr) Zelenskiy të njoftojë hapjen e hetimit (ndaj djalit të ish nënpresidentit Biden). Por si mund të jetë e mundur kjo kur ukrainasit nuk ishin në dijeni se ndihma e sigurisë ishte pezulluar? Nuk mund të ketë një kërcënim, nëse personi që po kërcënohet nuk e di. Nuk mund të ketë një ofrim të një favori, nëse favori nuk ekziston”, tha Mike Purpura, avokat i Shtëpisë së Bardhë.

Avokatëtë e Shtëpisë së Bardhë argumentuan se presidenti ka kompetenca të gjera për vendimmarrje.

“Mos rënia dakord me vendimet e presidentit për çështje të politikës së jashtme, ose mbi atë se nga kush i merr këshillat, nuk është një arsye për shkarkimin e tij”, tha avokati i Shtëpisë së Bardhë, Jay Sekulow.

Avokatët e Presidentit Trump kritikuan gjithashtu menaxherët e demokratë të gjyqit për hamendjet në lidhje me motivet e presidentit.

“Kjo është e rreme. Kjo nuk është thirrja e vërtetë. Kjo nuk është provë. Ky nuk është transkripti (i telefonatës)”, tha avokati Mike Purpura.

Demokratët thonë se problemi mund të zgjidhet me lehtësi nëse republikanët lejojnë paraqitjen e dëshmisë së dorës së parë që republikanët deri më tani kanë refuzuar ta bëjnë.

“Përshtypja ime e fortë nga dy orët e para është se çështja e sjelljes së dëshmitarëve dhe dokumenteve është bërë edhe më e rëndësishme”, tha senatori demokrat Tim Kaine.

Demokratët kanë kërkuar paraqitjen si dëshmitarë të disa zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të administratës, duke përfshirë Ambasadorin John Bolton dhe Shefin e Personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney, i cili u tha gazetarëve vitin e kaluar se pezullimi i ndihmës ishte i lidhur me kërkesat e presidentit.

“Nëse kjo ishte me të vërtetë për luftimin e kurrupsionit nga Presidenti Donald Trump, atëherë pse e fshehu atë nga Kongresi? Pse nuk i thanë popullit amerikan se çfarë po bënin? Arsyeja që ata nuk e kanë njoftuar popullin Amerikan është sepse ishte një kërcënim i korruptuar për t’i ndihmuar ata që të vidhnin zgjedhjet”, tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff, menaxher i gjyqit në senat.

Prezantimi dy orësh nga mbrojtja e Presidentit Trump dukej se kishte më shumë efekt tek republikanët sesa argumentet shumë më të gjatë të demokratëve.

“Për 23 orë nuk dëgjuam asgjë përveç disa vogëlsirave dhe një këndvështrimi të vetëm. Në këto dy orë, unë mendoj se ata bënë më shumë përparim sesa tërësia e asaj që ata na vunë, me male informacioni, gjëra të vogla dhe thjesht nuk arritën në pikën e duhur”, tha senatori republikan Mike Braun.

Gjyqi pritet të rifillojë të hënën me vazhdimin e paraqitjes së argumenteve nga avokatët mbrojtës të Presidentit.

Vdes në aksident ajror ylli i basketbollit Kobe Bryant

Ylli në pension i basketbollit Kobe Bryant ka humbur jetën pasi helikopteri me të cilin po udhëtonte u rrëzua në Calabasas të Kalifornisë të dielën në mëngjes, njoftoi agjencia e lajmeve TMZ.

Kobe Bryant po udhëtonte me të paktën tre persona të tjerë në helikopterin e tij privat kur zbriti në Calabasas, rreth 65 kilometra në veriperëndim të Los Angeles.

Sherifi i Qarkut në Los Anxhelosit shkruante në Twitter se pesë vetë humbën jetën pas rrëzimit të një helikopteri në Calabasas dhe se nuk kishte të mbijetuar. zëri i amerikës

Trumpi zotohet për publikim të planit për paqe në Lindje të Mesme

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se planifikon të prezantojë planin e tij për paqe në Lindje të Mesme më 28 janar, në ditën kur është raportuar se do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Uashington.

“Ndoshta do ta prezantojmë planin pak para vizitës”, u ka thënë Trump gazetarëve teksa ishte nisur për në Florida, pas pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

“Është një plan fantastik. Është një plan për të cilin kemi punuar shumë”, ka shtuar ai.

Palestinezët, që nuk kanë qenë të ftuar në Shtëpinë e Bardhë në takimin me Netanyahun, kanë dënuar menjëherë këtë njoftim.

Nabil Abu Rudeineh, zëdhënësi i presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, ka thënë: Ne e paralajmërojmë Izraelin dhe administratën amerikane që të mos kalojnë linjat e kuqe”.

“Ky hap vetëm rikonfirmon kundërshtimin tonë absolut të asaj çfarë ka bërë administrata amerikane deri tani, sidomos me njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izrealit”, ka thënë zëdhënësi.

Palestinezët janë zemëruar edhe nga ajo që e konsiderojnë si qasje pro-izraelite e Trumpit, duke përfshirë vendimin për transferim të ambasadës amerikane në Izreal nga Tel Avivi në Jerusalem.

Palestinezët kërkojnë që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i tyre në të ardhmen.

Izraeli ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe ka shpallur gjithë qytetin si kryeqytet, një hap që nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Trump po ashtu nuk ka përkrahur zgjidhjen me dy shtete për konfliktin disa dekadësh, një formulë ndërkombëtare që do të mund të rezultonte me funksionimin e shtetit palestinez dhe Izraelit.

Presidenti amerikan ka thënë se ka biseduar “shkurt” me palestinezët, të cilët sipas tij “kanë shumë motiv për të arritur marrëveshje”.

“Jam i sigurt se në fillim mund të reagojnë në mënyrë negative, mirëpo plani është shumë pozitiv për ata”, ka thënë Trump. rel

SHBA, kufizime për “turizmin e lindjeve”

Administrata e Presidentit Donald Trump publikoi të enjten rregulla të reja vizash që synojnë kufizimin e “turizmit të lindjeve”, një praktikë me të cilën gratë vijnë në SHBA për të lindur, në mënyrë që fëmijët e tyre të marrin shtetësinë amerikane.

Aplikantëve do t’u refuzohen vizat turistike nëse zyrtarët konsullorë përcaktojnë se ato synojnë të vijnë në SHBA kryesisht për të lindur. Por për zyrtarët do të jetë e vështirë të bëjnë dallimin nëse ato vijnë për shkaqe mjekësore apo për të lindur. Gratë me nevoja mjekësore do të trajtohen si të huajt e tjerë që hyjnë në SHBA për trajtim mjekësor dhe duhet të dëshmojnë se i kanë paratë për të paguar, përfshirë shpenzimet e transportit dhe të jetesës.

Praktika e udhëtimit në SHBA për të lindur është në thelb e ligjshme, megjithëse ka patur raste që autoritetet kanë arrestuar operatorët e agjencive të turizmit të lindjeve për mashtrime me vizat ose evazion fiskal.

Në rregulloren e re thuhet se Departamenti i Shtetit “nuk beson që vizitat në Shtetet e Bashkuara me qëllim kryesor marrjen e nënshtetësisë amerikane për një fëmijë, duke lindur në Shtetet e Bashkuara, janë një veprimtari legjitime për kënaqësi ose e një natyre rekreative”.

Administrata e Presidentit Donald Trump po i kufizon të gjitha format e imigracionit, por Presidenti Trump ka shprehur shqetësim të veçantë për çështjen e marrjes së nënshtetësisë me anë të lindjes. Sipas Kushtetutës amerikane, kushdo që ka lindur në SHBA konsiderohet shtetas amerikan.

Presidenti ka kërcënuar se do t’i japë fund kësaj praktike, por studiuesit ligjorë kanë thënë se kjo nuk është aq e lehtë për t’u realizuar. zëri i amerikës

SHBA, nis paraqitja e argumenteve në gjyqin ndaj Presidentit

Në Uashington, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve akuzuan të mërkurën Presidentin Donald Trump se vuri në lëvizje një “skemë korruptive” për t’i bërë presion Ukrainës që ajo të hetonte rivalin e tij politik, ish-nënpresidentin demokrat Joe Biden, me synimin mashtrues për të fituar zgjedhjet presidenciale të 2020-s.

Kongresmeni Adam Schiff u tha të 100 anëtarëve të Senatit që luajnë rolin e jurisë në gjyqin e presidentit se “Presidenti ka treguar që ai beson se është mbi ligjin dhe se i përbuz kufijtë që i njeh ligji.”

Demokratët kanë ngritur dy akuza ndaj Presidentit republikan Trump, me synim shkarkimin e tij në gjyqin që po zhvillohet në Senat.

Ligjvënësi Schiff, duke paraqitur në Senat argumentet e demokratëve kunër zotit Trump, tha se presidenti i 45-të i vendit kërkoi “ndihmë nga jashtë për të favorizuar politikisht veten e tij” në zgjedhjet amerikane.

Zoti Schiff është anëtari kryesor i grupit të Dhomës së Përfaqësuesve që luajnë rolin e prokurorëve në këtë gjyq. Ai tha se presidenti pezulloi 391 milion dollarë ndihma ushtarake të miratuara nga kongresi për Ukrainën, “një vend në luftë me Rusinë”, ndërsa i bënte presion Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për të hapur hetime ndaj zotit Biden dhe djalit të tij Hunter në bordin e një kompanie ukrainase të gazit natyror.

Për këtë, tha zoti Sciff, “ai përdori fuqitë shtetërore që i ishin besuar vetëm atij,” dhe shtoi se veprimet e Presidentit Trump “shkelën betimin e tij të shenjtë ndaj detyrës”.

Ligjvënësi tha se presioni i zotit Trump ndaj Presidentit Zelenskiy ishte njëlloj si t’i kërkonte një udhëheqësi të huaj “të bënte punën e tij të ndyrë politike”, pasi në zgjedhjet e nëntorit do të përballet ndoshta me rivalin Biden, i cili është në krye të sondazheve të votuesve demokratë.

Gjatë 13 orëve debat që filloi të martën pasdite dhe përfundoi të mërkurën herët në mëngjes, demokratët humbën disa votime radhazi ndaj shumicës republikane të Senatit rreth çështjes nëse do të paraqiten në gjyq dokumente dhe dëshmitarë të tjerë.

Pasditen e së mërkurës ishte radha e demokratëve të dilnin në foltoren e Senatit për të paraqitur me hollësi argumentet e tyre rreth veprimeve të Presidentit Trump në Ukrainë. Kjo ishte e para nga tre seancat tetë-orëshe ku ata do të flasin për çështjen.

“Nuk ka asnjë mosmarrëveshje serioze në lidhje me faktet themelore,” tha zoti Schiff, duke shtuar se në vend të kësaj, avokatët e Shtëpisë së Bardhë që mbrojnë zotin Trump thjesht do të argumentojnë se ai nuk mund të hiqet nga detyra për abuzimin e pushtetit presidencial.

Para se të fliste në Senat, zoti Schiff u tha gazetarëve: “Faktet janë diskredituese dhe ne do t’i paraqesim ato në detaje të hollësishme.”

Të shtunën, avokatët e Presidentit Trump do të fillojnë mbrojtjen e tyre gjatë tre ditëve. Presidenti përballet me dy akuza: shpërdorim pushteti dhe pengim i përpjekjeve të kongresit për të hetuar veprimet e tij të lidhura me Ukrainën.

Demokratët argumentojnë se Presidenti Trump nuk kishte asnjë interes për të luftuar korrupsionin në Ukrainë, siç pretendojnë disa republikanë, përveçse ta bindëte Zelenskiy-n të shpallte hetime kundër zotit Biden dhe të birit të tij.

Pat Cipollone, avokat i Presidentit Trump

Pat Cipollone, avokat i Presidentit Trump

Avokatët e Presidentit thonë nga ana e tyre se ai thjesht po bënte politikë të jashtme, diçka legjitime për një president, prandaj duhet të lirohet menjëherë nga akuzat. Ata thonë se Dhoma e Përfaqësuesve nxitoi të ngrejë akuza për shkarkimin e zotit Trump me një proces të çalë, në të cilin presidenti nuk u trajtua në mënyrë të drejtë.

Ndërsa gjyqi zhvendoset tek thelbi i akuzave kundër zotit Trump, është pëothuajse e sigurt se Senati, me shumicë republikane, do ta nxjerrë atë të pafajshëm. zëri i amerikës

Trumpi do t’i bashkohet nismës për një trilion pemë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA-ja do t’i bashkohet nismës për një trilion pemë, të ndërmarrë në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës.

Trump i bëri komentet në hapje të Forumit, i cili po shoqërohet me thirrjet e aktivistëve për të ndërmarrë më shumë hapa për luftimin e ndryshimeve klimatike.

Me planin e shpallur, një trilion drunj duhet të mbillen këtë dekadë me kontributet financiare të bizneseve, qeverive dhe filantropëve.

Iniciativa synon t’i japë një impuls ripyllëzimit në mbarë botën, për të luftuar dioksidin e karbonit të tepërt në atmosferë, i cili, sipas shkencëtarëve, është përgjegjës për rritjen e temperaturave globale.

“Jam besimtar i madh i mjedisit. E dua ujin më të pastër dhe ajrin më të pastër”, tha Trump.

Trump iu adresua Forumit Ekonomik Botëror vetëm disa orë përpara se në Senatin e Shteteve të Bashkuara të nisë gjykimi i tij.

Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival të tijin politik.

Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara, e udhëhequr nga rivalët e tij demokratë, i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor. rel

Trump në Davos: SHBA, në mesin e një bumi ekonomik

Presidenti i SHBA Donald Trump përshëndeti arritjen e dy marrëveshjeve të mëdha tregtare dhe tha se amerikanët po “fitojnë përsëri si kurrë më parë”, ndërkohë që mbajti fjalimin e hapjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Fjalimi mbahet pak orë përpara se në Senatin e SHBA të fillojë në formën e plotë gjyqi rreth akuzave të ngritura nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që synojnë shkarkimin e tij.

Presidenti Trump bëri një përshkrim të atyre që i quajti fitore për punonjësit e shtresës së mesme dhe bizneset, përfshirë fazën e parë të një marrëveshjeje tregtare me Kinën dhe miratimin nga Senati të një marrëveshjeje të re tregtare me Kanadanë dhe Meksikën.

“Kur fola në këtë forum dy vjet më parë, ju thashë se kishim filluar rimëkëmbjen e madhe të Amerikës” tha Presidenti Trump. “Sot jam krenar të deklaroj se Shtetet e Bashkuara janë në mesin e një bumi ekonomik, të tillë që bota nuk ka parë kurrë më parë.”

Ai u bëri thirrje vendeve të tjera të ndjekin shembullin e tij dhe të çlirojnë qytetarët e tyre nga “burokracia shtypëse”.

Në agjendën e Presidentit Trump para kthimit në Uashington të martën pasdite ishin takimet me disa udhëheqës botërorë, mes të cilëve Presidenti i Irakut Barham Salih, Kryeministri pakistanez Imran Khan, Presidentja e Konfederatës Zvicerane Simonetta Sommaruga, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, si dhe presidenti i qeverisë rajonale të Kurdistanit, Nechirvan Barzani.

Në konferencën vjetore të Davosit janë ftuar më shumë se 3,000 pjesëmarrës, ndërkohë që numri i personelit ushtarak dhe policisë për masat e sigurisë arrin në 5,000.

Qindra protestues, disa të veshur me kostume të koalave për të rritur ndërgjegjësimin për zjarret shkatërruese në Australi, u drejtuan për në Davos duke marshuar përmes një shtegu malor dhe pastaj me tren, pasi autoritetet kanë ndaluar hyrjen në këmbë në këtë qytet alpin. Ata kërkojnë që udhëheqësit globalë në forum të tregohen më agresivë lidhur me ndryshimin e klimës.

Presidenti Trump foli gjithashtu mbi përqëndrimin te rritja ekonomike dhe kundërshtoi ata që i quajti “profetë të pesimizmit me parashikimet e tyre të apokalipsit”.

“Ata parashikuan një krizë të mbipopullimit në vitet ’60, uri masive në vitet ’70 dhe fundin e naftës në vitet 90. Këta alarmistë kërkojnë gjithmonë të njëjtën gjë: fuqi absolute për të dominuar, transformuar dhe kontrolluar çdo aspekt të jetës sonë. Ne nuk do t’i lejojmë kurrë socialistët radikalë të shkatërrojnë ekonominë tonë, vendin tonë ose të zhdukin lirinë tonë”, tha Presidenti Trump.

I pyetur për aktivisten e mjedisit Greta Thunberg, e cila do të hapte një debat për shmangien e një “apokalipsi klimatik” menjëherë pas fjalimit të Presidentit Trump, udhëheqësi amerikan tha se ishte njeri që besonte shumë te mjedisi dhe shtoi se dëshironte ajër dhe ujë të pastër. zëri i amerikës

Trump niset për në Davos para fillimit të gjykimit të tij për shkarkim në Senat

Washington

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është nisur për në Zvicër ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, një ditë para fillimit të gjykimit për shkarkimin e tij në Senat, transmeton Anadolu Agency (AA).

Trump nuk do të jetë në Washington dy ditët e para të seancave të gjykimit në Senat.

Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Trump në Davos do të zhvillojë takime dypalëshe me presidentin irakian, Barham Salih, kryeministrin e Pakistanit, Imran Khan, kreun e Qeverisë Rajonale Kurde (KRG) të Irakut, Nechirvan Barzani, presidenten e Konfederatës Zviceriane, Simonetta Sommaruga, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe themeluesin e Forumit Ekonomik Botëror, Klaus Schwab.

Pritet që Trump të mbajë një fjalim në hapjen e sesionit në ditën e parë në Davos si dhe të bëjë vlerësime gjithëpërfshirëse lidhur me marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike të SHBA-së me vendet pjesëmarrëse në samit.

Ndërkohë tërheq vëmendjen se Trumpi do të takohet edhe me presidentin irakian i cili pas tensioneve ushtarake me Iranin ka kërkuar largimin e ushtarëve amerikanë nga vendi.

Burimet e Shtëpisë së Bardhë njoftuan se Trump gjatë periudhës që do të qëndrojë në Davos do të jetë vazhdimisht në kontakt me ekipin e mbrojtjes në Senat dhe se do të ndjekë nga afër zhvillimet.

Gjithçka gati për nisjen e gjyqit kundër Trumpit në Senat

Todd Prince

Senati i Shteteve të Bashkuara do të dëgjojë argumentet në gjyqin e tretë që është duke u zhvilluar ndonjëherë për shkarkim të një presidenti në pozitë, në historinë gati 250-vjeçare amerikane.

Gjyqi kundër presidentit amerikan, Donald Trump ka nisur më 16 janar, pas betimit të kryer nga shefi i Gjykatës Supreme, John Roberts, në pozitën e udhëheqësit të këtij procesi.

Shefi i Drejtësisë në SHBA, John G. Roberts.

Shefi i Drejtësisë në SHBA, John G. Roberts.

Liderët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë lexuar akuzat, të njohura si Artikujt për Shkarkim, të cilat kanë shtyrë Senatin e udhëhequr nga demokratët që të informojnë edhe zyrtarisht presidentin Trump për gyqin, dhe t’i ofrojnë atij mundësinë e përgjigjjes ndaj akuzave.

Gjyqi, që do të transmetohet edhe në kanale televizive dhe i cili mund të zgjasë disa javë, po zhvillohet në periudhë kritike për jetën politike në SHBA, pasi demokratët janë duke u përgatitur për rrethin e parë të zgjedhjeve, të cilat ka mundësi të përcaktojnë se kush prej demokratëve do ta sfidojë republikanin Trumpin, në zgjedhjet e muajit nëntor.

Katër kandidatë që garojnë për të fituar nominimin e demokratëve për president, Michael Bennet, Amy Klobuchar, Bernie Sanders, dhe Elizabeth Warren, janë senatorë, andaj atyre do t’iu duhet të kufizojnë aktivitetet e fushatës së tyre, në mënyrë që të marrin pjesë në gjyqin kundër Trumpit.

Rrethi i parë i zgjedhjeve do të zhvillohet në Ajoa më 3 shkurt.

Për çfarë akuzohet Trumpi?

Presidenti amerikan akuzohet për abuzim të pushtetit në lidhje me veprimet e tij kundrejt Ukrainës, si dhe për pengim të punës së Kongresit, i cili ka nisur hetime lidhur me veprimet e Trumpit.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë thënë se Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake në vlerë të 400 milionë dollarëve për Ukrainën, dhe ftesën për vizitë në Shtëpinë e Bardhë për presidentin e ri ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, duke i kërkuar Kievit që të nisë hetime kundër një rivali politik.

Trump ka kërkuar nga Ukraina të hetojë Joe Bidenin, i cili është aktualisht një prej kandidatëve kyçë në garën e demokratëve për ta sfiduar Trumpin.

Përveç ish nën-presidentit amerikan, Trump ka kërkuar hetime edhe për djalin e Bidenit, Hunter.

Ish nën-presidenti amerikan, Joe Biden.

Ish nën-presidenti amerikan, Joe Biden.

Hunter Biden ka qenë pjesë e bordit të kompanisë, Burisma Holdings, e cila prodhon gaz, derisa babai i tij ka shërbyer në administratën e ish-presidentit amerikan, Barack Obama dhe ka qenë njeriu kryesor i Shtëpisë së Bardhë në çështjet e lidhura me Ukrainën.

Prokurorët ukrainas më 2014 kanë hapur një rast për korrupsion kundër kompanisë Burisma, e cila është në pronësi të një ish-kryeminsitri.

Trump pretendon, pa të dhëna, se Biden i ka bërë presion Kievit që të shkarkojë prokurorët në mënyrë që të mbrojë kompaninë Bursma dhe djalin e tij.

Biden në anën tjetër ka mohuar akuzat.

Trump po ashtu i ka kërkuar Ukrainës të hetojë një teori diskredituese që thotë se Ukraina, dhe jo Rusia, ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë arritur në përfundim se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, në të mirë të Trumpit.

Presidenti është përballur me hetimet për Rusinë në pjesën më të madhe të udhëheqësisë së tij, ndonëse vazhdimisht këtë proces e ka cilësuar “mashtrim” dhe “gjueti shtrigash”.

Dhoma e Përfaqësuesve ka nisur hetime për të kuptuar nëse Trump i ka bërë presion Ukrainës në muajin shtator dhe nga ajo kohë ka ftuar për dëshmi një varg dëshmitarësh nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti amerikan i Shtetit dhe agjenci tjera.

Trump ka urdhëruar disa zyrtarë që të mos u përgjigjen ftesave për dëshmi, situatë që ka rezultuar me akuzën e dytë për pengim të punës së Kongresit.

A nuk është shkarkuar veçse Trumpi?

Po, sipas Dhomës së Përfaqësuesve.

Mirëpo kjo vetëm i bie se ai është akuzuar zyrtarisht, pas hetimeve dhe votimit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Pas përfundimit të hetimeve, Komiteti për Inteligjencë i kësaj Dhome ka publikuar një raport më 3 dhjetor të vitit të kaluar, duke e akuzuar presidentin për kryerje të krimeve.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi duke nënshkruar artikujt për shkarkim të Trumpit.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi duke nënshkruar artikujt për shkarkim të Trumpit.

Në procesin e zhvilluar më 18 dhjetor, 230 kongresistë kanë votuar në të mirë të akuzës së parë, 197 kundër dhe 229 për akuzën e dytë në krahasim me 198 që kanë qenë kundër.

Të gjithë republikanët kanë votuar kundër dy akuzave, derisa disa demokratë kanë abstenuar apo kanë kundërshtuar ato.

Si do të zhvillohet gjyqi?

Pjesëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve do të udhëheqin procesin gjyqësor në Senat. Në ekipin ligjor të presidentit përfshihen: Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone, avokati personal i Trumpit, Jay Sekulow, Ken Starr, që ka hetuar ish-presidentin amerikan, Bill Clinton në vitet 1990 dhe Alan Dershowitz, profesor i ligjit kushtetues në Harward dhe avokat që ka përfaqësuar figura të mirënjohura botërore, siç është kampioni botëror i boksit, Mike Tyson dhe ylli i futbollit, O.J. Simpson.

Gjyqi do të nisë më 21 janar në orën 13:00 sipas kohës lokale dhe do të zgjasë gjashtë ditë në javë, nga e hëna në të shtunë.

Seancat ditore pritet të zgjasin 4-5 orë.

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell.

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell.

Sipas gjyqit kundër ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, një model që ka shtyrë përpara lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell, secila palë nuk mund të ketë më shumë sesa 24 orë për të prezantuar deklaratat hyrëse.

Më pas secila palë do të duhej të kishte 16 orë, ashtu që senatorët të kenë mundësi për të shtruar pyetje me shkrim.

Senati ka shumë mundësi që të votojë si të vazhdojë me procedurat e gjyqit, duke përfshirë ftesat për dëshmitarë dhe dokumente tjera.

Një shumicë prej 51 senatorësh duhet të votojë për të miratuar prezantimin e dëshmitarëve apo të dhënave tjera.

Aktualisht në Senatin me 100 ulëse, gjenden 52 republikanë.

Teksa janë prezantuar të dhëna të reja që mbështesin akuzat për shkarkim të Trumpit, demokratët në Senat kanë kërkuar dëshmitarë të rinj dhe qasje në dokumente shtesë.

Lev Parnas, qytetar amerikan, i lindur në ish-Bashkimin Sovjetik, gjendet në qendër të të dhënave të reja, pasi ai u ka treguar mediave për herë të parë javën e kaluar se ai i ka kërkuar Ukrainës që të hetojë Bidenët me urdhër të avokatit personal të Trumpit, Rudy Giuliani.

Parnas po ashtu ka thënë se ka gatishmëri për të dëshmuar.

Ndërkohë Dhoma e Përfaqësueseve kërkon siguri që gjykimi nuk do të përfundojë shpejt ashtu që Trump të shpallet i pafajshëm nga republikanët e Senatit.

Republikanët në anën tjetër kanë refuzuar kërkesa për diçka të tillë.

Sipas ligjit, gjykatësi, Justice Roberts do të mbikëqyrë procesin, siç parashihet me ligj. Robert është emëruar shefi i drejtësisë nga ish-presidenti republikan, George W. Bush më 2005.

Përgjatë gjyqit, senatorët do të vëzhgojnë në qetësi procesin.

Pas përfundimit të procesit, senatorët do të votojnë për secilën akuzë.

Nëse dy të tretat e senatorëve, 67 nga 100, e shpallin presidentin fajtor, Trump largohet nga zyra.

Megjithatë, mundësia e jetësimit të këtij rasti të pashembullt është e pakët.

Republikanët kanë 53 nga 100 ulëse sa ka Senati, që nënkupton se 20 prej këtyre pjesëtarëve do të duhet të kalojnë linjat partiake, për të votuar për shkarkim të presidentit republikan.

A ka pasur gjyq për shkarkim të ndonjë presidenti tjetër në Senat?

Po. Demokrati, Andrew Johnson ka qenë presidenti i parë amerikan që është përballur me gjyq për shkarkim.

Johnson, ka fituar pushtetin pas vrasjes së Abraham Lincolnit.

Ai është akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, atëbotë e kontrolluar nga republikanët, për shkarkim të paligjshëm të Sekretarit për Luftë, John Stanton më 1868.

Senati nuk ka miratuar akuzat kundër tij për një votë, mirëpo Johnson nuk ka fituar nominimin e partisë për të garuar për president në zgjedhjet e vitit 1868.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton.

Më 1998, demokrati, Bill Clinton është akuzuar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve se ka gënjyer nën betim dhe ka penguar punën e drejtësisë në çështjen rreth marrëdhënies të tij seksuale që ka pasur me një praktikante.

Megjithatë, Senati i kontrolluar nga demokratët nuk ka votuar për largimin e tij nga zyra.

Presidenti i 37-të i SHBA-së, Richard Nixon, ka dhënë dorëheqje para se të votohej për gjyqin kundër tij në Dhomën e Përfaqësuesve.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Trump: Fluturimet Kosovë-Serbi, një fitore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump e quajti fitore marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për vendosjen e fluturimeve të drejtpërdrejta mes dy vendeve.

Në një postim në Twitter të hënën në mbrëmje, Presidenti Trump shkruante:

“Të gjithë thoshin se nuk bëhej dot. Por për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime të drejtpërdrejta midis Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore.”

Në postimin e tij, Presidenti Trump falenderon Ambasadorin Robert O’Brien, këshilltar i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë dhe Ambasadorin e SHBA në Gjermani, Richard Grenell.

Diplomatët amerikanë ndërmjetësuan të hënën nënshkrimin e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, në një përpjekje për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve.

Marrëveshja u nënshkrua nga Milun Trivunac, sekretar shtetëror në ministrinë serbe të Ekonomisë dhe Eset Berisha drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës në ambasadën amerikane në Berlin.

Të pranishëm ishin ambasadori i SHBA në Berlin, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi si dhe këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

Martin Luter Kingu në 2 minuta (video)

Martin Luter King ishte mishërim i luftës së afrikano-amerikanëve për të drejta të barabarta, para gjysmë shekulli.

Marsin e vitit 1963 ai mbajti në Uashington fjalimin historik “Unë kam një ëndërr”, ku të pranishëm ishin rreth 250 mijë njerëz.

Fjalia që ai tha se “Nga një mal dëshpërimi, një gur shprese…”, frymëzoi krijuesin e përmendores.

Ky “mal” është nëntë metra i lartë, ndërsa “guri i shpresës” është i gdhendur në të.


Punimi është realizuar nga artisti kinez Keu Yixin.

Muret e monumentit janë të mbushura me citate të Martin Luter Kingut.

Skulptura e tij duket sikur është një vepër e papërfunduar, sikurse edhe jeta e aktivistit u ndal në gjysmë, pasi ai u vra në vitin 1968 në moshën 39 vjeçare.

Në fakt, ai i dha historisë amerikane një drejtim të ri.

Martin Luter Kingu vazhdon të frymëzojë njerëzit në mbarë botën. zëri i amerikës

Amerikanët kujtojnë Martin Luther Kingun

Në ditën e Martin Luther King-ut, që kremtohet të hënën e tretë të çdo janari, pretendentët demokratë për zgjedhjet presidenciale vizituan një kishë baptiste në Karolinën e Jugut dhe me krahë të bashkuara marshuan bashkë me dhjetëra mijë njerëz të tjerë.

Përpara marshimit, në kishën e Zionit në qytetin Kolumbia, kandidatët Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren shtrënguan duart në shenjë pajtimi pas debatit presidencial mes demokratëve pak ditë më parë, ku zonja Warren refuzoi ta bëjë këtë.

Të dy ata së bashku me rivalen Amy Klobuchar morën pjesë në shërbesën përkujtimore dhe më pas, në marshimin në rrugë drejt rezidencës së guvernatorit, me ta u bashkuan kandidatët Joe Biden, Pete Buttigieg dhe kandidatë të tjerë.

Në debatin e javës së kaluar, Warren dhe Sanders u përplasën rreth disa komenteve të bëra në një bisedë private mes tyre rreth shanseve që zgjedhjet presidenciale të fitohen nga një grua. Senatori Sanders i zgjati dorën rivales së tij por ajo nuk ia shtrëngoi.

Tani, në ditët e fundit para se të hidhen votat e para në garën presidenciale demokrate për zgjedhjet e 2020-s, kandidatët kryesorë të partisë po e ndajnë kohën e tyre midis shteteve të rëndësishme të votimeve paraprake, Karolina e Jugut dhe Ajova, duke marrë pjesë në ceremoni të ndryshme për nder të Martin Luther Kingut.

Marshimi i së hënës mblodhi më shumë kandidatë sesa në dy debatet e fundit. Gjatë marshimit të tyre, në altoparlante buçiste fjalimi historik i Martin Luther Kingut “Unë kam një ëndërr”. zëri i amerikës