Prokuroria e Tiranës ka nisur dje pasdite hetimet në lidhje me dëmet e shkaktuara në qytet gjatë protestës së opozitës në Ditën e 8 Dhjetorit.
Rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, tre prokurorë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, fillimisht në zonën ku ndodhet bunkeri pranë Ministrisë së Brendshme dhe më pas përgjatë bulevardit deri te kryeministria.
Burime jozyrtare nga Prokuroria kanë thënë se ka nisur hetimi për veprat penale “shkatërrim prone” bazuar në konstatimin e dëmeve të shkaktuara në godinat e disa ministrive dhe në ndërtesën e Kryeministrisë.
Ndërkohë policia ka referuar te prokurorët edhe informacione e prova që kanë të bëjnë me veprat penale të “tubimit të paligjshëm”, pasi është tejkaluar leja e dhënë, dhe “prishje të qetësisë publike”.
HETIMI
Pas shpërndarjes së protestuesve nga zona e Kryeministrisë dhe Ministria e Brendshme, policia ka vendosur aty shiritat “skenë krimi”.
Shiritat janë mbajtur për rreth tri orë, derisa përfundoi marrja e provave te Ministria e Brendshme dhe Kryeministria.
Një grup hetuesish nga policia ka fotografuar dje para riparimit të gjitha dëmet e shkaktuara kryesisht në katin e parë të Kryeministrisë. Në katin e dytë mësohet se janë thyer edhe xhamat e tri dritareve.
Ndërkohë, prokurorët kanë bërë këqyrjen e dëmtimeve në zonën e bunkerit te Ministria e Brendshme, te Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Transporteve.
Më pas mësohet se ka nisur administrimi i regjistrimeve nga kamerat e sigurisë publike për të parë nëse autorët e akteve të dhunës janë regjistruar në pamje.
Burimet e Prokurorisë thanë se për episode të caktuara do të kërkojnë foto dhe pamje me video edhe nga mediat që kanë regjistruar protestën. Policia e Shtetit ndërkohë mësohet se ka koleksionuar një numër të konsiderueshëm fotosh dhe videosh.
Komentet