VOAL

Please Wait ...
0%

Transparency International: Kosova ndër vendet më të korruptuara në botë, por më mirë se Shqipëria

By | September 9, 2016

Komentet

Avion droge mbi aeroportin e Kukësit? Berisha publikon videon

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka publikuar sot në faqen e tij në rrjetin social “Facebook” një video nga Kukësi, ku duket një avion i vogël duke fluturuar mbi qytet.

Sipas mesazhit që i ka ardhur nga qytetari dixhital, Berisha bën të ditur se avioni që po fluturon mbi aeroportin e qytetit verilindor, është i përmasave të vogla, për transport droge.

LIDHJA SHQIPTARE NË BOTË: Kërkojmë që ligji për gjuhën shqipe të jetë i definuar qartë

  
Komunikatë
            Lidhja ShqiptareBotë, kuvendi për Maqedoni, duke e shqyrtuar situatën aktuale politike në Maqedoni njofton opinioni me sa vijon:
            1. Lidhja ShqiptareBotë, me rastin e votimit të ligjit për gjuhët në Kuvendin e Maqedonisë, del me këtë komunikatë dhe shfaq qëndrimin e saj për proceset në rrjedhë në IRJM.
            Ligji për gjuhët u miratua pas një varg procesesh, në të shumtën e rasteve denigrues për etninë shqiptare, që jeton në trojet e veta etnike. Vonesa e sjelljes së ligjit për gjuhët, për miratim në Kuvendin e Maqedonisë, kuptohet se erdhi si pasojë e qëndrimit  inferior të subjekteve politike të shqiptarëve në njërën anë dhe, nga ana tjetër mospasje fije transparence në politikën shtetërore nga pala sllave, mezi arriti projekt ligji në Kuvend dhe të kalojë procedurat e votimit.
2.Lidhja Shqiptare Botë përshëndet këtë arritje dhe kërkon, implementimin e plotë të këtij ligji në jetën institucionale. Gjithashtu kërkon që ligji të jetë i përpiluar mirë për sa i përket Gjuhës shqipe, sepse ka paqartësi në kontekst përfshirës, pra ligji për gjuhët, ku nuk është definuar se për cilën gjuhë është ligji. Lidhja Shqiptare kërkon të jetë i definuar qartë ligji dhe, poqe se kërkohet ndërhyrje në kushtetutë, të pësojë ndryshime edhe kushtetuta, dhe atë që nga Preambula e saj.
3. Lidhja ShqiptareBotë, po ashtu shfaq qëndrimin e saj për çështjen e emrit të shtetit të Maqedonisë, ka ofertë konkrete dhe racionale me të vërtetën historike të këtij territori. Deri sa bisedimet për emrin janë në fazën e parë, pas zhbllokimit të krizës politike në vend, propozomi i Lidhjes Shqiptare qëndron në korrelacion me të vërtetën historike,E vërteta historike e këtij territori është vërtetuar edhe shkencërisht tanimë, dhe shtrirja e territorit, IRJM-ja,  është pjesa e Dardanisë antike. Ky është qëndrimi që korrespondon me të vërtetën historike dhe etnike të territorit në fjalë.
4. Gjithashtu kërkojmë që për çështjen e emrit të ketë debat të hapur, konstruktiv dhe gjithëpërfshirës,    nga pala shqiptare, në këtë proces, kërkojmë të ketë të përfshirë edhe nga shtresa akademike dhe intelektuale, kuptohet në korrelacion me faktorin ndërkombëtar.
 
16.01.2018                                                                            LIDHJA SHQIPTARE NË BOTË
Gostivar                                                                         Kuvendi për Maqedoni, Gostivar

Ish Senatori Bob Dole nderohet me Medaljen e Artë të Kongresit

Ish Senatori Bob Dole nderohet me Medaljen e Artë të Kongresit “për shërbimin ndaj vendit”. Bob Dole ka qënë kandidat republikan për president në vitin 1996 dhe kryetar i shumicës republikane në Senat nga viti 1985 – 1996. Ai është veteran i Luftës së Dytë Botërore. Në ceremoni marrin pjesë Presidenti Donald Trump, Nënpresidenti Mike Pence, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, Kryetari i shumicës republikane në Senat Mitch McConnell, drejtuesja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe drejtuesi i demokratëve ne Senat Chuck Shumer.

Trysnitë ndërkombëtare zmbrapsin sërish nismën për Specialen

Hagë: Ndërtesa ku do të vendoset Gjykata Speciale

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka shtyrë edhe për një javë shqyrtimin e nismës së 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, përkatësisht të Gjykatës Speciale.

Kryesia e Kuvendit nuk ka arritur ta shqyrtojë fare kërkesën, për shkak të mungesës së kuorumit për punë, që është shkaktuar me mungesën e anëtarëve të saj në mbledhje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se është mirë që anëtarët e Kryesisë të marrin pjesë në mbledhje.

“Është e domosdoshme të jenë të pranishëm për të gjitha temat sepse e kemi obligim edhe para qytetarëve të Kosovës”, tha Veseli.

Paraprakisht, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie i kishte paralajmëruar se mund të përballen me pasoja të ashpra të gjithë ata deputetë dhe politikanë që qëndrojnë prapa nismës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke thënë se shfuqizimi i ligjit, po kërkohet për interesa individuale dhe në dëm të interesave të shtetit të Kosovës, të ardhmes së saj dhe në dëm të raporteve me aleatët ndërkombëtarë.

“Deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj përkundër mohimeve të tyre, do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra” ka deklaruar Delawie.

Po ashtu, para se të fillonte mbledhja e Kryesisë, ambasadori Delawie është parë të ketë realizuar edhe një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Thirrje liderëve të Kosovës dhe deputetëve për të mos e shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale u kanë bërë edhe shtetet e Bashkimit Evropian.

Ndryshe, përfaqësuesit e partive politike vazhdojnë të kenë mendime të ndryshme lidhur me ketë çështje.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ahmet Isufi, pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, tha se AAK është kundër kësaj gjykate, e cila sipas tij, e dëmton Kosovën.

“Ne edhe në mandatin e kaluar kemi votuar kundër. Edhe tani kur është proceduar lista me nënshkrime jemi nënshkrues të kërkesës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale sepse edhe atëherë edhe tash e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë të dëmshme për Kosovën sepse janë akuza të fabrikuar në Beograd”, tha Isufi për Radion Evropa e Lirë.

Ai nuk deshi të komentojë fare deklaratat e ambasadorit Delawie.

“Ne nuk i komentojmë deklarata e askujt sepse në ketë rast ne e shohim interesin e Kosovës”, tha Isufi.

Mirëpo, qëndrime tjera në raport me fillimin e punës së Gjykatës Speciale ka Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se është tragjike për vendin për mënyrën se si po funksionojnë institucionet e shtetit.

“Çështja që lidhet me Ligjin e Gjykatës Speciale, ju e dini qëndrimin e LDK-së. Normalisht në atë pikë ne do të jemi në mendimin e tonë dhe në atë pikë do ta lëshonim mbledhjen e Kryesisë”, tha Hoti.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i tha Radion Evropa e Lirë, se Vetëvendosje vazhdon të ketë dyshimet e saj lidhur me nismën e disa deputeteve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Ne konsiderojmë se kjo iniciativë është e dominuar prej motiveve personale. Nuk mendoj se ka qenë një iniciativë për të mirën e Kosovës. Po të ishte për të mirën e Kosovës, këta njerëz do të ishin ata që do ta kishin ndalur themelimin e saj qysh në vitin 2015. Por, pikërisht ata që vetë insistuan në themelimin e saj më 2015 tash e kanë ndryshuar mendjen”, tha Konjufca.

“Duhet t’i pyesni ata pse e kanë ndryshuar mendjen”, theksoi ai.

Konjufca, tha po ashtu, se në ditën kur kjo pikë eventualisht do të shqyrtohet në Kuvend, Vetëvendosje do të marr pjesë në seancë.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Delawie: Pasoja të rënda për ata që mbështesin shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, paralajmëroi të mërkurën se politikanët që mbështesin shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme, do të përballen me pasoja të rënda.

Ai i bëri këto komente pak para mbledhjes së kryesisë së parlamentit të Kosovës që në rend dite kishte edhe nismën e 43 deputetëve për të shfuqizuar gjykatën që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë.

“Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat personale mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet. Dhe më lejoni të jem i qartë, deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë, përkundër mohimit të tyre, do të jenë subjekt i pasojave specifike dhe të ashpra, nëse nisma do të ketë sukses. Ata e dinë këtë, ua kemi thënë”, tha ambasadori Delawie, në një paraqitje të mërkurën në Prishtinë, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithë çfarë është e mundur për t’u siguruar që gjykata të përmbushë mandatin e saj.

“Kosova ka luftuar më 1999 dhe ne kemi qëndruar pranë jush, kemi qëndruar me viktimat, kemi qëndruar përkrah drejtësisë. Askush nuk do të mundet ndonjëherë t’i rishkruajë librat e historisë për fushatën e krimeve mizore të Republikës Federale të Jugosllavisë, por realiteti është se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve, për çka edhe duhet të japin llogari”, tha ai.

Shfuqizimi i ligjit për gjykatën, tha ambasadori amerikan, do ta kthente Kosovën shumë mbrapa dhe gjykata sipas tij, është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara.

“Na intereson sepse Kosova nuk mund të jetë një vend ku mos ndëshkueshmëria është normë. Pranimi i një realiteti të tillë do të nënkuptonte kthim në epokën e stilit të udhëheqjes së Millosheviqit, të cilën një gjeneratë e qytetarëve të Kosovës luftoi për ta larguar. Na intereson Gjykata e Posaçme sepse duam ta shohim Kosovën duke zënë vendin që i takon si një shtet evropian duke iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.

Ideja për shfuqizimin e gjykatës pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet dhe plotësohet ligji për Gjykatën e Posaçme për krime lufte, të cilën ata e cilësojnë diskriminuese për Kosovën. Peticioni me 16 mijë nënshkrime është dorëzuar në parlament.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin “dhomat e posaçme” do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës. Ajo tha sot ambasadori amerikan do të trajtojë individët dhe “nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etnie”.

Joe DioGuardi: “Në Reçak nuk pati masakër, por akt gjenocidar!”

NEW YORK : Në ditën e përvjetorit të 16-të aktit gjenocidar kundër popullatës shqiptare në Reçak, ish-kongresisti dhe kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Joe DioGuardi – ka postuar në profilin e tij në facebook, një mesazh – ku ai ka theksuar se :Libri me titull “Mashtrim i Madh” të autorit Mr.Bardhyl Mahmutit ” tregon se “Reçaku, nuk ishte masakër, por një akt i gjenocidit!”.

Ai thotë se ky libër, është për të i treguar botës, mbarë, dhe për të kuptuar urrejtjen ekstreme që qeveritë serbe kanë promovuar historikisht kundër popullit tolerantë shqiptarë, që çuan atë në “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, dhe të një gjenocidi të paparë nga regjimi i Millosheviqit në Serbi nga periudha ; 1989 deri 1999.

“Ky libër, simbas DioGuardit, duhet të përkthehet në anglisht sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që gënjeshtrat e qeverisë serbe dhe partnerit të tyre, Kishës Ortodokse serbe, mund të jenë të ekspozuara nëpër botë, në mënyrë që njerëzit e ndershëm kudo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropës dhe gjithë botës, me fakte të mësojnë dhe të kuptojnë se cila është e vërteta dhe çfarë ka ndodhur në Kosovë. Dhe, në këtë mënyrë, edhe bota ka për të parandaluar atë që të mos ndodh kurr më” shkruan DioGuardi, i cili ka qenë së bashku me bashkëshorten e tij Shirli Cloyes – DioGuardi – Këshilltaren e Çështjeve Balkanike, për më shumë se dy dekada një nga udhëheqësit e parë dhe më të rëndësishëm të çështjes së Kosovës, dhe të gjitha trojeve shqiptare nën ish “Jugosllavi”, për më shumë të drejta, lirinë, çlirmin dhe pavarësinë.

Ish-kongresisti Joe DioGuardi dhe bashkëshortja e tij Shirley Cloyes DioGuardi së bashku me anëtarët e bordit të Ligës Shqiptaro Amerikane (AACL), kan dhë një kontribut të madh në çlirmin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe kan ngritur zërin e tyre për të drejtat e shqiptarëve në tokat e tyre dhe hapjen e Shqipërisë demokratizimin e saj.

“Në Reçak nuk pati masakër, por akt gjenocidar!”

Në të njëjtin mesazh Ramadan Avdiu ka shkruar se gjashtëmbëdhjetë vjet pas vrasjes së civilëve shqiptarë në fshatin Reçak, debati rreth asaj se a ishte ky veprim i forcave serbe një “masakër e vërtet” apo nuk ishte e tillë, ka bërë që edhe ndër shqiptarët të dominojë ky debat.

Ai thotë se libri i politologut Bardhyl Mahmuti, gjatë shkrimit të së cilit jemi konsultuar çdo ditë, sqaron se çka fshihet prapa debatit të tillë.

Avdiu ka sqaruar se :”Për të shmangur grackat e këtij debati që synojnë të fshehin gjurmët e gjenocidit, në librin “Mashtrimi i Madh” sillen aktet më të rëndësishme të së Drejtës Ndërkombëtare. Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit përcakton se cilat akte hyjnë në këtë kategori krimi. Duke analizuar këtë konventë që është në themelet e të Drejtës Ndërkombëtare Penale, lexuesi do të sheh se qëllimi i autorëve që pohojnë se “në Kosovë ka pasur masakra” ishte të fshihet fakti se në Kosovë ka ndodhur gjenocidi.”

Cilësimi i krimeve serbe në Kosovë si “masakra” është i qëllimshëm, sepse ky nocion nuk bën pjesë në përkufizimin e krimit të gjenocidit. Masakra, si nocion bën pjesë në krimet e luftës por jo në krimin më të rëndë kundër njerëzimit: gjenocidin!

Më tej në mesazhin e tij ai thotë “Sikur vrasjet në Reçak të kishin qenë vrasje të izoluara dhe që nuk do të kishin pasur për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm të shqiptarëve, atëherë do të mund të flisnim për “masakër”. Në Reçak ka ndodhur një akt gjenocidar që nuk mund të shihet i shkëputur nga ajo që ndodhi në Prekaz, në Obri, në Izbicë, në Krushë të Madhe, në Krushë të Vogël, në Gjakovë, në Meje, në Pejë, në Studime, në Makoc, në Suharekë, … në tërë Kosovën. Pra, në Kosovë ka ndodhur gjenocid!”

Në fund zoti Ramadan Avdiu, thekson se libri i Bardhyl Mahmutit, sqaron në mënyrë shkencore tërë këtë problematikë dhe do të jetë një armë e fuqishme në duart e politologëve, historianëve dhe të gjithë atyre që u intereson të dinë se çka ndodhi në Kosovë në periudhën 1998-1999.

Image
Image

 

 

Vuk Drashkoviçi: Oliver Ivanoviçi u ekzekutua sipas modelit të shërbimeve të Millosheviçit

Për vrasjen e lidert të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviç, i cili u ekzekutua nga persona ende të pa identifikuar, ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe (SPO), Vuk Drashkoviç.

Vrasjen e tij ai e ka vlerësuar si terrorizëm politik, i kryer sipas modelit të shërbimeve të sigurisë së Millosheviçit nga vitet 1990.

Drashkoviç ka thënë se të shtënat në Oliver Ivanoviçin janë të shtëna në Marrëveshjen e Brukselit, dialogun e brendshëm të Serbisë për Kosovën, stabilitetin e rajonit dhe rrugën evropiane të Serbisë.

“Oliver Ivanoviç ka qenë zëri i arsyes, politikan i arsimuar dhe lider i serbëve të Kosovës, i përkushtuar për dialog me shqiptarët dhe promovues i respektimit të ligjit në hapësirën ku shumëkujt i ka penguar pikërisht për këtë”, ka theksuar lideri i SPO-së.

Drashkoviç ka shtuar se organet hetimore të Kosovës, EULEX-it dhe UNMIK-u, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet përgjegjëse të Serbisë, janë të detyruara që t’i zbulojnë kriminelët e këtij rasti.

Joseph: Vrasja e Oliver Ivanoviçit mund ta tensionojë gjendjen në Kosovë

Eksperti i çështjeve të Ballkanit në Uashington, Edward Joseph, i cili e ka njohur personalisht zotin Ivanoviç, tha se vrasja e politikanit serb të Kosovës mund të sjellë një tensionim të përgjithshëm të gjendjes në Kosovë, edhe pse rrethanat janë ende të paqarta. Vrasjet me karakter etnik kanë prirje të sjellin pasoja politike serioze dhe të shkaktojnë trazira në këtë pjesë të Kosovës. Me zotin Joseph bisedoi kolegu ynë Festim Gashi.

“Incidente të tilla kanë prirjen të rrisin tensionet ndërentike në Kosovë, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet 2004 dhe 2012 kur vrasja ose plagosja e një personi nga një grup tjetër etnik shkaktoi trazira politike. Pasojat e vrasjes së Oliver Ivanoviçit do të varen nga ajo se kush është autori i vrasjes. Nëse autori i vrasjes është shqiptar, kjo mund të atëherë kjo mund të nxisë reagime të mëdha nga serbët dhe mund të shkaktojë trazira në veri të Mitrovicës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tashmë ka thënë se sulmi ndaj Oliver Ivanociçit është një sulm ndaj gjithë Serbisë dhe delegacioni serb në bisedimet me Kosovën në Bruksel u largua nga bisedimet. Pra, nëse hetimet dalin në përfundimin se vrasja është bërë nga shqiptarët, kjo do të zëmëronte serbët dhe do të shkaktonte tensione ndëretnike. Prandaj, është mirë që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka dënuar vrasjen dhe është zotuar se autorët e saj do të gjenden”.

Zoti Joseph shtoi se nëse hetimet dalin në përfundim se vrasja nuk është bërë nga shqiptarët por ishte thjeshtë një luftë mes serbëve, atëherë nuk duhet të nxisë tensione ndëretnike.

Haradinaj sot thirri mbledhjen e Këshilli të Sigurisë Kombëtare të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thirrur për sot në orën 18:00 mbledhjen e rregullt të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të diskutojë për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeminstrit.

Njoftimi vjen pas vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç, mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës.

Flitet për një plan sekret të Serbisë: Do ketë trazira në Kosovë gjatë vitit 2018

Instituti i Kosovës për Studime Ndërkombëtare, ka siguruar informacione se, Serbia është duke përgatitur plane sekrete për trazira në Kosovë gjatë vitit 2018.

“Sipas disa informacioneve që kemi siguruar si IKSN nga burime të mirë informuara, sigurimi shtetëror në Serbi ka themeluar një njësi të veçantë të quajtur (UJQIT), e cila  do të realizojë një plan sekret operativ, ku do të organizohen  aktivitete të dhunshme (trazira ndëretnike) në Kosovë.”

 

Këto burime më tej sqarojnë se ky njësit është i themeluar enkas për këtë plan sekret operativ, me ç’rast janë përzgjedhur zyrtarë elitar nga shërbimi inteligjent ushtarak si dhe ai policor. Ky plan operativ quhet “TOKA E SHEJTE” dhe do të udhëhiqet nga zyrtari i lartë Zoran Strakoviç me pseudonimin (Zoki) i cili është nga fshati Zaskok- komuna e Ferizajt, dhe i cili paralufte si dhe gjatë luftës ishte udhëheqës i lartë i sigurimit shtetëror serb, deri në largimin e forcave serbe nga Kosova. Aktualisht ai jeton në Beograd.

Sipas këtyre burimeve ky njësit bazën kryesore e ka në Nish të Serbisë, por operon në gjithë territorin e Kosovës, ku dyshohet se ka 8 qendra të tjera. Ky njësit ka të angazhuar gjithsej 22 agjentë në bazën kryesore në Nish, të cilët edhe në të kaluarën kanë qenë pjesë e strukturave serbe të sigurisë si ato ushtarake po ashtu edhe ato policore.

Ndërsa në Kosovë ka edhe 8 agjentë të tjerë të cilët udhëheqin me qendrat në RKS. Këta  agjentë janë nga komuniteti serb dhe jetojnë në Kosovë. Më tej këto burime tregojnë se këto 8 qendra kanë gjithsej rreth 154 bashkëpunëtor të cilët janë serb dhe jo serb, por të cilët veprojnë në gjithë territorin e RKS. Po ashtu këto burime thonë se për këtë plan operativ janë siguruar rreth 20 milionë euro.

Sipas këtyre informacioneve dyshohet se këto persona kanë për obligim organizimin e aktiviteteve të dhunshme ndaj minoriteteve serbe në enklava apo mjedise të tjera ku aktualisht veprojnë qytetarë të komunitetit serb.

Dyshohet se nga këto aktivitete dhune, ata pretendojnë se do të ndryshojë situata e sigurisë dhe kështu jeta e serbeve që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë  do të jetë e rrezikuar.

Nga ajo situatë e krijuar qeveria serbe do të kërkojë ndërprerjen e dialogut me Kosovën dhe do të kërkojë nga faktori ndërkombëtar, riorganizim të funksionalizimit të institucioneve të cilat iu takojnë serbëve, kështu duke siguruar jetët e tyre nga nacionalistet shqiptar të rebeluar e të cilët tani janë edhe duke udhëhequr me Kosovën.

Këto burime janë informuar se qeveria serbe do të dalë me këto kërkesa ndaj ndërkombëtarëve dhe qeverisë së Kosovës në mënyrë që të krijohen kushte për vazhdimin e dialogut:

1. Të themelohet një dhomë e parlamentit për komunitetin serb i cili do të vendoset në Graçanicë për arsye sigurie të përfaqësuesve serb,

2. Të zhvendoset kanali 2 i RTK-së në Graçanicë për arsye sigurie dhe të jetë i pavarur nga RTK,

3.Të krijohet drejtoria e policëve serb në kuadër të PK, e cila do të udhëheq me zyrtarët policor serb, dhe të ketë një zv/komandant të PK nga komuniteti serb i cili ka mandat të pavarur në udhëheqjen e policëve serb.

4. Të krijohet batalioni i komunitetit serb brenda FSK i cili do të jetë në veri të Mitrovicës, e cila do të komandohet nga një komandant serb, dhe të emërohet zv/komandanti i përgjithshëm i FSK-së nga komuniteti serb

5. Të krijohet një njësi e veçantë e serbëve në AKI dhe pozita e zv/drejtorit t’i takojë komunitetit serb

6. Të krijohet një njësi e veçantë e policëve serb si pjesë e PK dhe KFOR-it për sigurimin e trashëgimisë serbe si manastiret dhe kishat etj.

Ky njësit po ashtu do të ndihmojë edhe gjykatën speciale në grumbullimin e informacioneve për krimet të cilat i ka  shkaktuar UÇK, pas luftës dhe gjatë luftës në civilët serb si dhe atyre shqiptarë të cilët ishin lojal ndaj qeverisjes serbe deri më 8 qershor 1999.

Me këtë rast vlen të theksohet se ditëve të fundit kanë  filluar të riorganizohen edhe pjesëtarët e të ashtuquajturës AKSH, sidomos në  Besianë (Podujevë),  Artan (Novobërrd) dhe Kamenicë e Gjilan./RTK

Walker: Nuk jam i gatshëm të pranoj një dekorim nga Thaçi

Diplomati veteran amerikan dhe miku i madh i shqiptarëve, William Walker, ka treguar se a ishte i vërtetë lajmi që ka refuzuar të dekorohet nga presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi.

Walker ka sqaruar në Info Magazine se si ka qenë puna.

“Nuk është që kam refuzuar, por më është kërkuar nëse do të pranoja dhe për disa arsye kam thënë jo, për momentin jo, nuk jam i gatshëm të pranojë një dekorim nga Thaçi. Kemi dallime unë dhe ai”.

Dallimet me Thaçin Walker ka thënë se i ka edhe sa i përket dëgjueshmërisë së madhe që Thaçi ka treguar ndaj ndërkombëtarëve.

“Komuniteti ndërkombëtarë sipas mendimit tim ka bërë shumë gabime këtu dhe ai e ka dëgjuar shumë. Për shembull kushtetua nuk është e shkruar mirë, mendoj që duhet të ndryshohet”.

“Por, ka edhe arsye të tjera”.

“Pra, nuk e kam refuzuar medaljen, por jam pyetur nëse do ta pranoja dhe kam thënë se për momentin jo”.

FH: Shqipëria dhe Kosova – pjesërisht të lira

Organizata, Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, thekson në raportin e saj të publikuar të martën se parimet demokratike siç janë integriteti i zgjedhjeve dhe liria e medies, po dobësohen për të 12-tin vit me radhë.

“Ka më shumë vende, në vitin 2017 shumë më shumë, që po pësojnë rënie të lirisë në vend të përmirësimit”, tha Arch Puddington, nga Freedom House, duke folur për Zërin e Amerikës para se të publikohet raporti.

Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, në vitin 2017, 88 vende radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 janë me liri të pjesshme dhe 49 radhiten në mesin e vendeve jo të lira.

Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ndërsa Serbia dhe Kroacia, radhiten në mesin e vendeve të lira.

Liritë në Botë, publikohen që nga viti 1973, duke i dhënë mundësinë organizatës Freedom House të ndjekë trendet globale për më shumë se 40 vjet.

Ndër gjetjet kryesore të raportit, është dobësimi i Shteteve të Bashkuara si një kampion i demokracisë, një pozicion i ndërlikuar edhe më shumë për shkak të hetimeve të vazhdueshme për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.