VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Tony Blair: Koronavirus nuk largohet, duhet të mësojmë të jetojmë me të

By | July 25, 2020

Komentet

Bjellorusi, rreth 3 mijë të arrestuar në protestat e paautorizuara

Minsk

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Bjellorusisë, Olga Chemodanova, deklaroi se rreth 3.000 persona u arrestuan si rezultat i incidenteve që ndodhën gjatë demonstratave të paautorizuara në vend pas njoftimit se Alexander Lukashenko ka fituar zgjedhjet presidenciale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Chemodanova tha në një deklaratë se mbrëmë në mesnatë, protestuesit zhvilluan protesta të paautorizuara në 33 vendbanime në vendet ku gjendeshin kutitë e votimit dhe sheshe.

“Përafërsisht, 3 mijë njerëz u arrestuan në demonstratat e paautorizuara në gjithë vendin. Rreth 1 mijë prej tyre u arrestuan në Minsk dhe më shumë se 2 mijë në pjesë të tjera të vendit”, deklaroi zëdhënësja e ministrisë.

Po ashtu, Chemodanova deklaroi se nuk u përdorën armë kundër protestuesve dhe se nuk kishte vdekje gjatë incidenteve.

Nga ana tjetër, media bjelloruse raportoi se 39 oficerë policie dhe më shumë se 50 protestues u plagosën në demonstrata, bazuar në burimet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Tikhanovskaya: “Nuk e njoh rezultatin e zgjedhjeve”

Ndërkohë, njëra nga kandidatët, Svetlana Tikhanovskaya, deklaroi se kishte të plagosur si rezultat i ndërhyrjes së policisë në demonstrata, por që ende nuk është konfirmuar asnjë informacion rreth ndonjë rasti fatal.

“Shpresoj që askush të mos vdesë, sepse ky do të jetë fillimi i fundit”, tha Tikhanovskaya.

Tikhanovskaya tha se janë në favor të një ndryshimi paqësor dhe se qeveria zgjodhi përdorimin e forcës, duke kërkuar që pushteti ta dorëzojë qeverisjen në mënyrë paqësore.

Tikhanovskaya deklaroi se nuk i njeh rezultatet ende të padefinuara të zgjedhjeve dhe se do të vazhdojnë të luftojnë në lidhje me rezultatet.

“Jemi të gatshëm t’i vazhdojmë protestat”

Mariya Kolesnikova, një nga përfaqësueset e Shtabit Zgjedhor, deklaroi se protestat mund të vazhdojnë.

“Ne jemi të gatshëm për protesta të gjata dhe reagim shoqëror kundër asaj që po ndodh tani”, tha ajo.

Ndryshe, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bjellorusisë, Lidiya Yermoshina, njoftoi se presidenti aktual Lukashenko është fituesi i zgjedhjeve presidenciale me 80,23 për qind të votave, ndërsa Svetlana Tikhanovskaya ka siguruar 9,9 për qind.

Të ardhurat e naftës të Rusisë zvogëlohen për 35 për qind

Moskë

Të ardhurat e Rusisë nga eksporti i naftës ranë në 39 miliardë dollarë duke u ulur për 34,8 për qind në periudhën janar-qershor në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të Shërbimit Federal Doganor të Rusisë, vëllimi i eksportit të naftës në vend në 6 muajt e parë të vitit në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019 u zvogëlua për 2,6 për qind duke arritur në 125 milionë tonë. Në periudhën në fjalë edhe të ardhurat nga eksporti i naftës ranë në 39 miliardë dollarë me një ulje prej 34,8 për qind.

Të ardhurat e vendit nga eksporti i naftës edhe vitin e kaluar në krahasim me një vitë më parë kishin shënuar ulje për 6 për qind duke arritur në 121 miliardë dollarë.

Eksporti i naftës dhe gazit natyror përbëjnë rreth 40 për qind të buxhetit federal të Rusisë.

COVID-19, numri i të infektuarve në mbarë botën tejkalon 20 milionë

Numri i të prekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 20 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë, deri tani në mbarë botën janë regjistruar gjithsej 20.026.161 raste të koronavirusit.

Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në SHBA, me gjithsej 5.199.444 raste deri tani.

Pas SHBA-së renditen Brazili (3.035.582), India (2.215.074), Rusia (887.536), Afrika e Jugut (559.859), Meksika (480.278), Peru (478.024), Kolumbia (387.481), Kili (373.056), Spanja (361.712), Irani (326.712), Britania (310.825), Arabia Saudite (288.690), Pakistani (284.660), Bangladeshi (257.600), Italia (250.566) dhe Argjentina (246.499).

Ndërkaq, në Turqi, numri i të diagnostikuarve me COVID-19 ka arritur në 240.804.

Vendet e tjera me mbi 100 mijë të infektuar janë Gjermania (217.281), Franca (197.921), Iraku (150.115), Filipinet (129.913), Indonezia (125.396), Kanada (119.451) dhe Katari (112.947).

Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa deri tani jetën e kanë humbur 734.020 persona. Ndërkaq, 12.900.625 milionë njerëz janë shëruar nga virusi, ndërsa ende vazhdojnë trajtimin 6.391.516 raste aktive.

Arrestohet njëri ndër biznesmenët më të njohur në Hong Kong

Në Hong Kong është arrestuar biznesmeni Jimmy Lai nën akuzat për bashkëpunim me forcat e huaja.

Zyrat e një gazete në pronësi të tij janë bastistur.

Ky është arrestimi i një profili më të lartë deri tani sipas ligjit të diskutueshëm të sigurisë të vendosur nga Kina në muajin qershor.

Lai ka qenë një zë pro-demokracisë dhe një mbështetës i protestave që shpërthyen vitin e kaluar.

Trump i jep fund trajtimit të privilegjuar të Hong Kongut

Në shkurt 71-vjeçari, i cili gjithashtu zotëron nënshtetësinë në Mbretërinë e Bashkuar, u akuzua për kërcënim dhe organizim të tubimeve të paligjshme.

Media shtetërore kineze Global Times të hënën e përshkroi biznesmenin Lai si “përkrahës të trazirave ” dhe publikimet e tij si “nxitje të urrejtjes, përhapje të thashethemeve dhe njollosje të autoriteteve të Hong Kongut”.

Kombet e Bashkuara kritikojnë arrestimet e fundit në Hong Kong

Global Times gjithashtu raportoi se dy djemtë e tij si dhe dy drejtuesit të kompanisë Next Digital, gjithashtu ishin arrestuar.

Hong Kongu ka pasur një shkallë të lartë të autonomisë që kur u kthye në sundimin kinez më 1997, dhe banorët kanë pasur një nivel shumë më të lartë të lirisë së shprehjes dhe mediave sesa njerëzit në pjesën tjetër të territorit kinez.

Legjislacioni i ri i sigurisë i miratuar nga Kina, kriminalizon ndarjen, përmbysjen e pushtetit shtetëror, terrorizmin dhe bashkëpunimin me forcat e huaja.

Kjo e bën më të lehtë ndëshkimin e protestuesve dhe zvogëlon autonominë e Hong Kongut.

Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar miratimin e këtij ligji. rel

Nagasaki shënon 75-vjetorin e sulmit me bombë atomike

Qyteti japonez Nagasaki më 9 gusht shënoi 75-vjetorin e sulmit me bombë atomike nga SHBA-ja, duke iu bërë thirrje liderëve që të bëjnë më shumë në ndalimin e armëve bërthamore.

Në orën 11:02 – në kohën e saktë kur bomba atomike u hodh mbi këtë qytet – të mbijetuarit dhe pjesëmarrësit e tjerë mbajtën një minutë heshtje për të nderuar mbi 7,000 viktimat.

Bombardimi i 9 gushtit të vitit 1945, erdhi tri ditë pasi Shtetet e Bashkuara hodhën bombën e parë atomike në Hiroshima – sulmin e parë në botë me një armë bërthamore. Nga sulmi në Hiroshima u vranë 140,000 persona.

Japonia ishte dorëzuar më 15 gusht, 1945, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.

Kryetari i qytetit të Nagasakit, Tomihisa Taue e lexoi një deklaratë të paqes, ku ai ngriti shqetësimet lidhur me zmbrapsjen nga përpjekjet për çarmatim, të shteteve që kanë armë bërthamore.

Taue veçanërisht përmendi Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, duke thënë se po rrisin rrezikun e kërcënimit bërthamor, duke hequr dorë nga Traktati për armët bërthamore.

“Si rezultat i kësaj, kërcënimi se armët bërthamore mund të përdoren po bëhet edhe më shumë real”, tha ai.

Ai po ashtu i bëri thirrje Qeverisë japoneze dhe ligjvënësve që të nënshkruajnë Traktatin e vitit 2017 për ndalimin e armëve bërthamore.

Shënimi i këtij përvjetori të sulmit në Nagasaki ishte më ndryshe këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në ngjarjet për të shënuar këtë ditë morën pjesë vetëm 500 persona, ndërkaq, një vit më parë, kishin marrë pjesë 5,900 njerëz.

Bejrut, policia përplaset me protestuesit

Në kryeqytetin e Libanit, policia përdori gaz lotsjellës ndaj demonstruesve që u përpoqën të kalojnë një barrierë për të arritur në ndërtesën e parlamentit, ndërkohë që numri i të vdekurve nga shpërthimi së martës në portin e Bejrutit arriti në 158.

Rreth 5,000 njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër mënyrës se si qeveria po e trajton shpërthimin shkatërrimtar.

Njerëzit u mblodhën në Sheshin e Dëshmorëve në qendër të Bejrutit, disa prej tyre duke hedhur gurë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës, kur disa protestues u përpoqën të kalojnë barrierën në një rrugë që të çonte drejt parlamentit.

Protestuesit thërrisnin “Populli kërkon rënien e regjimit,” dhe mbanin pankarta me fjalët “Ikni, jeni të gjithë vrasës”.

“Duam një të ardhme me dinjitet, nuk duam që gjaku i viktimave të shpërthimit të shkojë kot”, tha protestuesja Rose Sirour.

Shpërthimi i së martës në port, më i madhi në historinë e Bejrutit, solli shkatërrime të mëdha në qytet. Qeveria ka premtuar se do të gjejë shkaktarët dhe do t’i verë përpara përgjegjësisë.

Disa banorë, që përpiqeshin të vinin rregull në apartamentet e dëmtuara rëndë nga shpërthimi, denoncuan qeverinë, të cilën e shohin si të korruptuar, duke thënë se ajo përsëri i la në baltë.

“Nuk kemi besim te qeveria jonë,” tha studentja Celine Dibo teksa pastronte gjak nga muret e apartamentit të saj. “Uroj që Kombet e Bashkuara ta marrin nën administrim Libanin.”

Disa njerëz thanë se nuk ishin aspak të befasuar që Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi këtë javë lagjet e tyre, ndërsa udhëheqësit libanezë nuk e bënë këtë.

“Ne po jetojmë në nivelin zero. Shpresoj se një vend tjetër do të donte të na merrte nën administrim. Udhëheqësit tanë janë një bandë njerëzish të korruptuar,” tha psikologia Maryse Hayek, shtëpia e prindërve të së cilës ishte shkatërruar nga shpërthimi.

Partia Kataeb e Libanit, një grup i krishterë që kundërshton qeverinë e mbështetur nga Hezbollahu i lidhur me Iranin, njoftoi të shtunën dorëheqjen e tre ligjvënësve të saj nga parlamenti.

“I ftoj të gjithë ligjvënësit të japin dorëheqjen në mënyrë që njerëzit të mund të vendosin se kush do t’i qeverisë, pa iasnjë imponim,” tha kreu i partisë Samy Gemayel, duke e njoftuar vendimin gjatë funeralit të një anëtari drejtues të partisë, i cili vdiq në shpërthim. zëri i amerikës

Aeroplani i kompanisë Air India ndahet në dysh

Një aeroplan i kompanisë, India Express, me 191 persona në bord, është rrëzuar në një aeroport në shtetin jugor, Kerala, kanë thënë zyrtarët.

Aeroplani, që ishte në rrugë nga Dubai, është rrëzuar jashtë pistës dhe është ndarë në dysh në aeroportin Calicut, ka thënë Autoriteti i Aviacionit në Indi.

Operacionet e shpëtimit janë në rrugë e sipër, derisa atje kanë arritur shërbimet e emergjencës.

Sipas BBC-së, të paktën dy persona, përfshirë pilotin, kanë vdekur si pasojë e aksidentit.

Një zëdhënës i linjës ajrore indiane ka thënë se shumë persona janë plagosur.

Në aeroplan është thënë të kenë qenë 184 pasagjerë, duke përfshirë 10 fëmijë dhe gjashtë anëtarë të bordit.

Ky incident ka ndodhur në kohën e reshjeve të mëdha të shiut në këtë rajon.

Kohën e fundit është raportuar për vërshimeve të mëdha dhe rrëshqitje të tokës, ndërkohë që sezona e shirave të rrëmbyeshëm në këtë vend po arrin pikun.

Në maj të vitit 2010, 158 persona kanë vdekur kur një aeroplan i kompanisë, Air India Express, ka tejkaluar pistën e aeroportit Mangalore dhe është rrëzuar.

Presidenti i Libanit: Shkaqet e shpërthimit masiv ende nën hetim

Anchal Vohra

Presidenti i Libanit tha të premten se një hetim mbi shpërthimin e së martës, më i madhi në historinë e Bejrutit, do të përcaktojë nëse ai ishte shkaktuar nga një bombë apo ndonjë ndërhyrje tjetër e jashtme.

Kërkimet për të zhdukurit janë intensifikuar, ndërkohë që ekipet e shpëtimit vazhdojnë gërmojnë nën rrënoja, me shpresën për të gjetur të mbijetuar pas shpërthimit që la pas 154 të vdekur dhe shkatërroi një pjesë të madhe të qytetit.

Shkaku nuk është përcaktuar ende. Ekziston një mundësi e ndërhyrjes së jashtme me ndonjë raketë apo bombë ose ndonjë akt tjetër”, tha Presidenti Michel Aoun në komentet e së premtes.

Sipas tij po shqyrtohet edhe mundësia që shpërthimi të ketë ndodhur nga pakujdesia apo si pasojë e ndonjë aksidenti.

Përpjekjet për rimëkëmbje pas shpërthimit masiv

Çernobili i Libanit, kështu po përshkruhet nga disa njërëz shpërthimi masiv që tronditi Bejrutin. Treqind mijë njerëz humbën shtëpitë e tyre dhe një numër spitalesh gjithashtu u goditën rëndë. Një nga shenjat e mbështetjes ndërkombëtare ishte një vizitë nga Presidenti Francez Emmanual Macron, i cili i shkoi nga afër lagjet më të dëmtuara të kryeqytetit libanez.

Bejruti, dikur i njohur si Parisi i lindjes, përsëri duket si një zonë lufte, i shkatërruar nga një shpërthim që është përshkruar si gati-bërthamor për nga intensiteti i tij.

Të rinjtë kanë filluar të pastrojnë rrugët nga copëzat e xhamave të thyera të dritareve, për të lehtësuar udhëtimin e njerezve drejt shtëpive të tyre dhe përpjekjet për të gjetur personat që akoma janë në listën e të zhdukurve. Dhjetra njerëz thuhet se janë akoma nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Deri tani, mbi 130 njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 5000 të tjerë janë plagosur.

“Ne tashmë kishim shumë probleme, ekonomia ishte në gjendje të rëndë, lira libaneze kishte rënë shumë ndaj dollarit, koronavirusi dhe tani këto shpërthime”, tha studentja Dalia.

Të plagosurit u dërguan me shpejtësi në spitale, por edhe ato u dëmtuan rëndë. Spitali universitar i Shën Xhorxhit, një nga spitalet më të mëdha të qytetit, evakuoi qindra pacientë. Disa nuk mund të shpëtoheshin. Disa vdiqën, përfshirë një numër infermierësh.

Spitali tashmë është duke apeluar për ndihmë për rindërtim dhe rifillim të punës.

“Ne kemi nevojë për gjithçka. Ne kemi dhënë detaje se si mund të na gjeni në internet. Çdokush mund të ndihmojë”, tha George Saad, Menaxher i Spitalit të Shën Xhorxhit.

Ndërsa shenjat tregojnë për një shpërthim të shkaktuar nga një sasi e madhe e nitrat amonit të ruajtur në mënyrë të papërshtatshme në një depo, pavarësisht paralajmërimeve kundër këtij veprimi, aktivistët po bëjnë thirrje për një hetim të pavarur.

Pas muajve të demonstratave antiqeveritare, mosbesimi ndaj udhëheqjes së vendit vazhdon të jetë i pranishëm. Presidenti i Francës të enjten u prit nga thirrje të kritikëve kundër politikanëve të Libanit.

Presidenti francez Emmanuel Macron ofroi ndihmë dhe i bëri thirrje elitës qeverisëse të Libanit që menjëherë të fillojë zbatimin e reformave të mirëfillta.

“Unë dua të jem në gjendje t’ju dëgjoj, kuptoj dhe të ndihmojë në organizimin e ndihmës dhe mbështetjes ndërkombëtare për Bejrutin dhe popullin e Libanit.”

Nga sulmet izraelite deri tek trupat tokësore siriane dhe lufta civile e viteve 1980, libanezët kanë përjetuar katastrofa më shumë se një herë.

Por asnjë përvojë nuk mund të kishte përgatitur njerëzit për këtë.

Përsëri, banorët e këtij qyteti po përpiqen të rimëkëmben. zëri i amerikës

Libani i shkatërruar, dikur krahasohej me Zvicrën

Qytetarët e Bejrutit kanë shprehur pakënaqësi me zyrtarët libanezë, të cilët e pranuan se shpërthimi i fuqishëm, që ndodhi më 4 gusht, ka qenë i parashikueshëm dhe që zyrtarët e portit ishin paralajmëruar në disa raste se duhet të ruajnë në mënyrë të sigurtë ngarkesën me kimikatin: nitrat të amonit, që gjendej aty.

Nga shpërthimi kanë humbur jetën së paku 135 njerëz, janë plagosur mbi 4 mijë të tjerë dhe rreth 300.000 kanë mbetur të pastrehë.

Kërkimi i të zhdukurve që kanë mbetur nën rrënoja, ende po vazhdon. Ndërkohë autoritetet po përpiqen të normalizojnë jetën, edhe përmes ndihmave të premtuara nga vendet të ndryshme në botë.

Tragjedia që ndodhi në Bejrut, është e fundit në listën e gjatë të problemeve që ka Libani, pasi kriza politike dhe ekonomike e ka tronditur vendin për vite me rradhë.

Drejtori i Portit: E dinim për rrezikun, por jo si të tillë

Pasi u njoftuan detaje të hetimit, organet e drejtësisë urdhëruan arrest shtëpiak për zyrtarët e portit, të cilët kishin njohuri se materiali i rrezikshëm ishte ruajtur për gjashtë vjet, pa masat e duhura të sigurisë.

Presidenti i Libanit, Michel Aoun tha se arsyeja e shpërthimit ishin 2,750 tonë nitrat amoni, të ruajtura në mënyrë jo adekuate në depo.

Nitrati i amonit u shkarkua në port, më 2013 pasi mbërriti atje nga një anije ruse që kishte probleme teknike.

Kreu i portit të Bejrutit dhe shefi i administratës doganore iu tha mediave se ata disa herë u kanë shkruar organeve të drejtësisë, duke kërkuar që kimikatet të eksportohen, ose shiten, sepse porti nuk është i sigurt me një ngarkesë të tillë.

Drejtori i Përgjithshëm i Portit, Hassan Korajtem, tha se ata ishin të vetëdijshëm se materiali ishte i rrezikshëm “por jo në atë masë”.

Këshilli i Lartë i Mbrojtjes i Libanit insiston të shqiptohen “dënime maksimale” për ata që janë përgjegjës.

Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International dhe Human Rights Watch (HRW) po kërkojnë që të zhvillohet një hetim i pavarur.

HRW tha se ekzistojnë “shqetësime serioze për aftësinë e gjyqësorit libanez për të kryer një hetim të besueshëm dhe transparent”.

Administrata libaneze shpalli një gjendje të jashtëzakonshme dy-javore në Bejrut, duke ia dorëzuar ushtrisë, kontrollin e sigurisë në kryeqytet.

Numri i vdekjeve ende nuk është përfundimtar.

“Sigurisht ka më shumë (viktima) nën rrënoja dhe ne po pranojmë dhjetëra informacione për njerëz të zhdukur”, tha ministri i Shëndetësisë Hamad Hassan.

Gati 300,000 njerëz mbetën të pastrehë, pasi shtëpitë e tyre ishin të dëmtuara nga shpërthimi.

Deri në tre miliardë dollarë vlerësohet të jetë shkaktuar dëmi në Bejrut dhe në një zonë më të gjerë.

Mungesë e pajisjeve mjekësore, ushqimit dhe strehimit

Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hasani tha se në spitale nuk ka shtretër të mjaftueshëm dhe pajisje mjekësore. Guvernatori i Bejrutit, Marwan Abud, i tha BBC-së se vendi kishte nevojë për ushqim dhe shumë gjëra tjera.

“Bejrutit i duhen rroba, shtëpi, materiale për të rindërtuar shtëpitë. Bejrutit i duhen hapësirë për refugjatët, për banorët e tij”, shtoi Abud.

Shumë organizata ndërkombëtare, dhe vende, kanë ofruar ndihmë humanitare.

Tre aeroplanë francezë me 55 anëtarë të ekipeve të shpëtimit, pajisje mjekësore dhe një spital të lëvizshëm ku mund të mjekohen 550 pacientë, kanë arritur në Bejrut.

Presidenti Francez, Emanuel Macron, ishte udhëheqësi i parë botëror që arriti në Liban.

Libani ka qenë koloni franceze.

BE-ja, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Katari, Tunizia, Turqia, Irani, dhe shumë vende të tjera gjithashtu po dërgojnë ndihma.

Shtyhet aktvendimi për vdekjen e ish-kryeministrit Hariri

Shpërthimi ndodhi afër vendit, ku më 2005, nga një makinë bombë u vra kryeministri i atëhershëm i Libanit. Rafik Hariri. Gjykata e përkrahur nga Kombet e Bashkuara, kishte planifikuar të publikonte ditën e premte vendimin për katër persona që akuzohen për vdekjen e Haririt. Por, Tribunali Special për Libanin ka njoftuar se ka shtyrë për 18 gusht vendimin.

Më 2005, shumë besuan se Siria ishte prapa këtij atentati, sepse Hariri, si një politikan suni, kërkoi tërheqjen e forcave siriane, të stacionuara në Liban që nga viti 1976.

Pas vrasjes, pati protesta masive, rënie të qeverisë libaneze pro-siriane dhe Damasku vendosi që pas gati 30 vjetësh të largojë trupat.

Pakënaqësia e qytetarëve ka ekzistuar edhe para shpërthimit

Qytetarët e Libanit akuzojnë autoritetet për korrupsion, neglizhencë dhe keqmenaxhim jo vetëm për shkak të kësaj tragjedie, por edhe krizës që ka tronditur Libanin për shumë vite.

Kjo është arsyeja pse pati një zënkë në qendër të Bejrutit, midis një grupi demonstruesish dhe truprojave të ish-kryeministrit Saad Hariri, i cili, siç shkruan “Guardian”, ilustron zemërimin që ndiejnë qytetarët ndaj politikanëve.

Shpërthimi ndodhi në një moment shumë të ndjeshëm në Liban. Numri i personave të sëmurë me COVID-19 po rritet, kështu që spitalet ishin të mbingarkuara edhe para kësaj tragjedie. Në të njëjtën kohë, vendi po kalon krizën më të keqe ekonomike që nga lufta civile 15-vjeçare që përfundoi në 1990.

Në periudhën e fundit ka pasur protesta masive të qytetarëve kundër korrupsionit dhe varfërisë. Në qytetet e Libanit, ka mungesë të shpeshtë të energjisë elektrike gjatë ditës, ujit të pijshëm, ndërsa shërbimet shëndetësore publike janë të kufizuara.

Pjesën më të madhe të produkteve ushqimore, Libani i importon, kështu që shumë njerëz janë të shqetësuar se do të ketë mungesë të ushqimit pasi një sasi e madhe grurit ishte ruajtur në port, i cili u shkatërrua gjatë shpërthimit.

Depoja kryesore, e cila mund të mbajë 85% të drithërave të vendit, është shkatërruar. Është i pasigurtë fati i portit të shkatërruar, i cili është shumë i rëndësishëm për ekonominë.

Përkatësisht, Libani importon 80 për qind të mallrave që konsumon. Nga kjo, 60 për qind zakonisht kanë kaluar nëpër portin e Bejrutit.

Presidenti, Michelle Aun, njoftoi se Qeveria do të ndihmojë drejtpërdrejt me 66 milionë dollarë, por vlerësohet se pasojat ekonomike të kësaj tragjedie do të jenë afatgjata.

Borgji Publik, i treti më i larti në botë

Borxhi publik i Libanit në raport me prodhimin e brendshëm bruto është i treti më i madh në botë. Papunësia është 25 për qind, dhe gati një e treta e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë. Qytetarët akuzojnë elitën qeverisëse, e cila ka mbizotëruar prej vitesh, për grumbullimin e pasurisë së madhe për veten e tyre, pa bërë ndryshimet e nevojshme për të zgjidhur problemet.

Sipas The Washington Post, miliarderët libanezë zotërojnë 20 për qind të të ardhurave të vendit, që është dy herë më shumë sesa në Shtetet e Bashkuara.

Tarifa ndaj WhatsApp, nxiti protestat

Në fillim të tetorit të vitit 2019, për shkak të mungesës së valutave të huaja, monedha libaneze filloi të humbiste vlerën. Importuesit e grurit dhe karburantit kërkuan të paguheshin në dollarë, që do të thoshte një rritje të çmimeve të këtyre produkteve. Në këtë situatë sindikatat bënë thirrje për grevë.

Ndërkohë zjarret kapluan malet në perëndim të vendit, duke shpërfaqur mungesën e investimeve në shërbimin e zjarrëfikësve. Në mes të tetorit, qeveria propozoi tarifa të reja për duhanin, karburantin, dhe madje edhe aplikacionin WhatsApp. Sidoqoftë, vendimi për këto masa u tërhoq, për shkak të protestave të qytetarëve.

Këto protesta mblodhën qytetarët pavarësisht vijave tradicionale ndarëse sektare, për herë të parë që nga lufta civile. Kryeministri i sapoemëruar, Hassan Diab tha se për herë të parë në histori, Libani do të pezullojë shlyerjen e borxheve të huaja, sepse rezervat e këmbimit valutor kanë arritur një nivel “kritik dhe të rrezikshëm, kështu që paratë duhet të kursehen për të paguar mallrat e nevojshme të importuara”, shkruan BBC.

Pandemia nxori në pah sistemin e dobët

Më paraqitjen e pandemisë së koronavirusit, demonstratat u pezulluan. Pandemia e përkeqësoi situatën ekonomike dhe tregoi ndjeshmërinë e sistemit shëndetësor. Shumë qytetarë humbën vendet e tyre të punës.

Pastaj, u zgjerua hendeku midis kursit zyrtar të këmbimit dhe vlerës së tij në tregun e zi dhe bankat shtrënguan kontrollin mbi kapitalin e tyre.

Për pasojë, filluan rritjet e çmimeve, duke e bërë më të vështirë për shumë familje edhe blerjen e gjërave themelore. Kriza e ekonomike çoi në protesta të reja.

Qeveria, ndërkohë, ka miratuar një plan të rimëkëmbjes dhe pret të marrë 10 miliardë dollarë ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në momentin kur kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë filluan të lehtësohen në muajin maj, çmimet e disa produkteve ushqimore u rritën pothuajse dyfish. Kryeministri paralajmëroi për rrezikun e thellimit të krizës.

“Shumë libanezë tashmë kanë ndaluar blerjen e mishit, frutave dhe perimeve, dhe së shpejti mund të jetë e vështirë të sigurojnë edhe bukën”, shkroi Diab në Washington Post.

Ndarjet mes sekteve dhe ato politike

Ndarjet sektare konsiderohet si një arsye kryesore pse Libani nuk mund të dalë nga kriza. Vendi ka zyrtarisht 18 bashkësi fetare – katër myslimane, 12 të krishtera, druze dhe hebreje.

Sipas marrëveshjes së vitit 1943, kur Libani fitoi pavarësinë, tre funksione kryesore – kreu i shtetit, presidenti i parlamentit dhe kryeministri – u ndanë midis tre bashkësive më të mëdha: të krishterët , myslimanët shiitë dhe sunitë.

Të krishterët përbëjnë 41 për qind të popullsisë dhe myslimanët 54 për qind.
Ekzistojnë gjithashtu 128 vende në parlament për të krishterët dhe muslimanët, përfshirë pakicën druze. Kjo strukturë komplekse shpesh çon në bllokada politike dhe lejon ndërhyrjen e aktorëve të huaj, siç është Irani, i cili mbështet Hezbollahun shiit, i cili konsiderohet grupi më i fortë ushtarak dhe politik në Liban.

Korrupsioni në shkallë të gjerë

Që nga përfundimi i luftës civile, të gjithë liderët politikë janë përpjekur të ruajnë pushtetin përmes grupeve të interesit në përpjekje për të ruajtur interesat e komunitetit që ata përfaqësojnë, ndërsa në këmbim kanë ofruar stimuj financiarë. Kjo është arsyeja pse në raportin e Transparency International për vitin 2019, Libani u rendit në vendin e 137 nga 180 vendet.

Sipas Washington Post, në 30 vitet e fundit, Libani është përpjekur me çdo kusht të ruajë një sistem ekonomik absurd, i cili më së miri mund të përshkruhet si një “përzierje toksike” e sektarizmit, territorializmit dhe kapitalizmit të tregut.

“Prandaj, sektori i tij i madh i madh publik po përdoret si një mekanizëm për të blerë besnikëri dhe vota politike, pa investime të konsiderueshme në shëndetin publik, arsim dhe programe të tjera të nevojshme”, shkruan gazeta.

Shkëlqimi i zbehtë i ‘ish-Parisit të Lindjes së Mesme’

Libani ka qenë mëse 400 vite nën sundimin e Perandorisë Osmane. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Libani ishte nën sundimin francez dhe pavarësinë e fitoi më 1943.

Vendi ishte mjaft i përparuar, me një ekonomi shumë të zhvilluar, përfshirë turizmin, sistemin bankar, tregtinë dhe bujqësinë.

Për shkak të fuqisë së tij financiar dhe stabilitetit gjatë viteve 1950 dhe 1960, Libani u quajt “Zvicra në Lindje” dhe Bejruti “Paris i Lindjes së Mesme”.

Sidoqoftë, në 45 vitet e fundit, vendi është zhytur nga kriza në krizë.

Libani u bë sinonim i shkatërrimit dhe kaosit për shkak të luftës civile në vitet 1980. Megjithatë, kryeqyteti Bejrut u ringjall gjatë viteve të 90-ta, duke rifituar, sipas The New York Times, reputacionin e tij si një vend tërheqës për të pasurit dhe një strehë për intrigat politike të Lindjes së Mesme.

Edhe pse shumë ndërtesa kanë mbetur me vrima plumbash nga lufta, nuk ka furnizim të rregullt me energji, dhe ndarjet politike nuk janë tejkaluar, Libani për tre dekada ka arritur të tërheqë investime nga rajoni dhe të marrë miliona dollarë nga diaspora.

“Kjo garë duket se ka përfunduar në vitin 2020, kur u dëshmua se vendi ishte i ngarkuar me kredi që nuk mund të shlyente. Neglizhenca dhe burokracia – që u kushtoi me jetë shumë libanezëve – kontribuan në një nga fatkeqësitë më të këqija në historinë moderne të vendit”, shkruan New York Times.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

OBSH: Avioni me 20 tonë furnizime shëndetësore zbarkon në Bejrut

Një aeroplan që transportonte 20 tonë furnizime shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka zbarkuar në Bejrut për të mbështetur trajtimin e pacientëve të plagosur nga shpërthimi masiv që tronditi kryeqytetin libanez, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Pajisjet do të mbulojnë 1 mijë ndërhyrje të traumës dhe 1 mijë ndërhyrje kirurgjikale për njerëz që vuajnë nga lëndime dhe djegie si pasojë e shpërthimit”, tha OBSH.

Në përgjigje të urgjencës shëndetësore, qendra logjistike e OBSH-së në Dubai organizoi dhe përcolli dërgesën.

“Po punojmë nga afër me autoritetit kombëtare të shëndetësisë, partnerët shëndetësorë dhe spitalet që trajtojnë të plagosurit për të identifikuar nevojat shtesë dhe për të siguruar mbështetje të menjëhershme”, citohet të ketë theksuar Dr. Iman Shankiti, përfaqësuesi i OBSH-së në Liban.

Për shkak të shpërthimit, OBSH tha se tre spitale në Bejrut aktualisht janë jo funksionale, ndërsa dy janë dëmtuar pjesërisht. Sipas OBSH-së, kjo vendos një “hendek kritik” në kapacitetin e shtretërve spitalor.

Pacientët e lënduar po transferohen në spitale në mbarë vendin nga qyteti jugor Saida deri në atë verior Tripoli.

OBSH njoftoi se furnizimet do t’i shpërndajë në spitalet prioritare të Libanit që pranojnë dhe trajtojnë pacientë të plagosur.

“Kjo urgjencë e fundit vjen në kontekstin e trazirave civile, në një krizë të madhe ekonomike, në shpërthimin e virusit COVID-19 dhe në barrën e madhe të refugjatëve”, tha OBSH, duke përmendur “rezistencën legjendare të popullit libanez”.

Të martën, Bejruti dhe rrethina e saj u tronditën nga një shpërthim masiv, që la të vdekur të paktën 135 persona dhe rreth 5 mijë të tjerë të plagosur.

Kryeministri Hassan Diab të mërkurën e shpalli “ditë zie kombëtare”.

Shpërthimi tronditi Libanin përderisa vendi po përjeton krizën e saj më të keqe ekonomike, së bashku me rënien dramatike të vlerës së paundit libanez ndaj dollarit amerikan.

COVID-19, numri i rasteve në mbarë botën tejkalon 19 milionë

Numri i të prekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 19 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë, deri tani në mbarë botën janë regjistruar gjithsej 19.614.000 raste të koronavirusit.

Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në SHBA, me gjithsej 4.973.741 raste deri tani.

Pas SHBA-së renditen Brazili (2.862.761), India (1.967.700), Rusia (871.894), Afrika e Jugut (529.877), Meksika (456.100), Peru (447.624), Kili (364.723), Spanja (352.847), Kolumbia (345.714), Irani (317.483), Britania (307.184), Arabia Saudite (282.824), Pakistani (281.863), Bangladeshi (249.863) dhe Italia (248.803).

Ndërkaq, në Turqi, numri i të diagnostikuarve me COVID-19 ka arritur në 236.112.

Vendet e tjera me mbi 100 mijë të infektuar janë Argjentina (220.682), Gjermania (214.104), Franca (194.029), Iraku (137.556), Filipinet (119.460), Indonezia (118.753), Kanada (118.187) dhe Katari (111.805).

Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa deri tani jetën e kanë humbur 711.622 persona. Ndërkaq, 12.188.295 milionë njerëz janë shëruar nga virusi, ndërsa ende vazhdojnë trajtimin 6.100.493 raste aktive.

Japonia përkujton 75-vjetorin e bombardimit të Hiroshimas

Pamje nga Parku i Paqes në Hiroshima.

Të enjten në Hiroshima janë dëgjuar këmbanat teksa ky vend ka shënuar 75-vjetorin e bombardimit të parë atomik në botë, ndonëse ceremonitë janë organizuar për më pak njerëz për shkak të pandemisë me koronavirus.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe ka qenë pjesë e ceremonisë, mirëpo vizitorët e huaj kanë qenë të paktë.

Hyrja në Parkun e Paqes në këtë qytet është kufizuar dhe pothuajse vetëm të mbijetuarit dhe familjet e tyre kanë mundur të jenë pjesë e ceremonisë përkujtimore.

Kryetari i qytetit, Kazumi Matsui ka thënë se rëndësia e bombardimit që ka lënë të vdekur 140,000 persona, i ka shtyrë ata të mbajnë ceremoninë pavarësisht pandemisë.

“Më 6 gusht të vitit 1945, një bombë e vetme atomike ka shkatërruar qytetin tonë. Në mesin e thashethemeve që kanë qarkulluar atë kohë kanë qenë dhe ato se ‘asgjë nuk do të rritet këtu për 75 vjet’”, ka thënë Matsiu.

“Por prapë, Hiroshima është ringjalluar dhe është kthyer në symbol të paqes”.

Në orën 8:15 të 6 gushtit të vitit 1945, një aeroplan ushtarak amerikan ka hedhur në qytetin japonez bombën e ashtuquajtuar “Djaloshi i Vogël”, duke shkatërruar qytetin me një popullsi prej rreth 350,000 banorëve.

Mijëra persona kanë vdekur më vonë për shkak të plagëve dhe sëmundjeve të lidhura me rrezatim.

Bombardimi i Hiroshimas është përcjellur tri ditë më vonë nga hedhja e bombës në Nagasaki, duke lënë të vdekur 75,000 persona.

Japonia ishte dorëzuar gjashtë ditë më vonë, duke i dhënë kështu fund Luftës së Dytë Botërore.