VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Tirana, evoluimi i një kryeqyteti 100-vjeçar

By | February 11, 2020

Komentet

Akademia e Shkencave dhe Arteve: Partitë politike dhe institucionet në Kosovë të vetëpërmbahen deri në fund të pandemisë

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) i ka ftuar subjektet politike dhe institucionet të tejkalojnë përçarjet dhe situatën e krijuar politike në Kosovë gjatë kohës së pandemisë me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Përmes një komunikate, ASHAK-u ka shfaqur, siç është thënë shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me situatën e krijuar pasi, “qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, janë vendosur nën një trysni të paparë të retorikave nxitëse, ndërkohë që subjektet politike dhe militantët e tyre nuk duan të zmbrapsen nga veprimet me prapavijë konflikti”.

ASHAK-u ka ftuar për tejkalimin e kësaj situate dhe kthimin “te vlerat e vërteta të mirëkuptimit dhe humanizmit.

“Në emër të këtyre vlerave, mbi të cilat kemi besuar gjithnjë se është ndërtuar shoqëria jonë, Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës fton subjektet politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës për vetëpërmbajtje, së paku deri në fund të kësaj pandemie, duke u rezervuar me vullnet të mirë si nga retorika nxitëse opozitare, ashtu edhe nga vendimet institucionale, të cilat shkaktojnë përçarje dhe nxisin konflikt”, thuhet në komunikatën e ASHAK-ut.

Përveç tjerash, Akademia ka bërë thirrje, që për shkak të situatës së krijuar, secili të tregojë gatishmëri për solidaritet dhe përbashkim, “duke vendosur mbi interesin pushtetar interesin e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës, për ta fituar betejën kundër pandemisë, duke refuzuar dhe duke anashkaluar të gjitha dallimet politike dhe etnike”.

Në komunikatë është thënë edhe se institucionet e Kosovës dhe njerëzit e vullnetit të mirë e kanë obligim që përkujdesjen dhe solidaritetin ta ushtrojë në çdo cep të Kosovës, përfshirë minoritetet dhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë.

Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 145 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 23 pacientët që janë shëruar.

Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.

Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.

Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

Ndalimi i lëvizjes së njerëzve në kuadër të masave të qeverisë është në fuqi nga ora 17:00 deri në 06:00, çdo ditë.

VIDEO – Lotë, vaje, duartrokitje! Përcillet në banesën e fundit aktori Gëzim Kruja

Shkodra i ka dhënë lamtumirën e fundit, kolosit të humorit Gëzim Kruja. Në orën 12:00, kortezhi me trupin e pajetë të mjeshtrit të madh ka përshkuar rrugën që ai bënte çdo ditë me shokun e tij të pandarë biçikletën, duke u ndalur edhe para Teatrit Migjeni, në tempullin e artit dhe të kulturës.

Edhe pse ishte paralajmëruar që të mos kishte pjesëmarrje, nuk kanë qenë të paktë qytetarët e Shkodrës që kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore, si një shenje falenderimi për buzëqeshjet që u ka dhuruar me humorin e tij. Teksa trupi i tij i pajetë po linte shtëpi ku u rrit dhe jetoi, pati edhe duartrokitje, ndonëse në sfond më shumë se ato, u dëgjuan më shumë të qarat e të afërmve që po përcillnin Gëzim Krujën, për mos u kthyer më.

Gëzim Kruja u nda nga jeta një ditë më parë, pas një sëmundje që e kishte prekur para një viti. Gëzim Kruja, është një nga kolosët e estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, duke u renditur me emra të tjerë të mëdhenj të kësaj estrade, si Besnik Cinari, Zyliha Miloti, Drande Xhaj dhe i madhi Zef Deda i cili qëndroi pranë tij deri në ditën e fundit të jetës.

Gëzim Kruja, ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor. Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh” ./Shqiptarja.com

James Pardew: “Washingtoni përzihet tinëzisht në Ballkan derisa koronavirusi mbërthen botën”

James Pardew është ish-ambasador i SHBA-së në Bullgari dhe ish-ndihmëssekretar i NATO-s. Përmes një vështrimi të publikuar në “The Hill”, ai ka komentuar qasen e administratës Trump karshi Kosovës.

Në vijim po e japim të plotë vështrimin e tij:

Cili interes i mundshëm amerikan realizohet përmes diplomacisë së vazhdueshme të administratës Trump, e cila është duke e destabilizuar Kosovën, shtetin e vogël dhe të brishtë pro-amerikan të Ballkanit, gjatë një pandemie globale? Dhe, përse ekipi e Trumpit e bën këtë, kur ishte SHBA-ja ajo që e ndali Serbinë – me forcë – që të kryejë gjenocid në Kosovë më 1999?

Një gjë e tillë zgjon kureshtje të veçantë, pasi që SHBA-ja ishte akterja kryesore në pavarësimin e Kosovës dhe pasi që Kosova ka qenë shteti më pro-amerikan në Evropë, pas pavarësisë. Sidoqoftë, diplomacia e vazhdueshme amerikane sot e favorizon Serbinë, aleaten më të afërt të Rusisë në rajon.

I dërguari i Trumpit, Richard Grenelli është duke u munduar ta detyrojë Kosovën që t’i pranojë kërkesat serbe, në kuadër të “negociatave” për normalizimin e raporteve midis dy shteteve.

Grenelli po i udhëheq përpjekjet e tanishme diplomatike në Kosovë, ai po ashtu mban postin e ambasadorit të SHBA-së në Gjermani dhe është ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës amerikane. Është kjo një gamë absurde detyrash për dikë me përvojë të kufizuar diplomatike dhe pa kurrfarë përvojë në inteligjencë.

Grenelli raportohet të ketë qenë katastrofik si ambasador në Gjermani, nëse si standard merret raporti bashkëpunues me aleatin më të rëndësishëm demokratik të Amerikës në Evropë. Zyrtarët gjermanë mezi që e presin largimin e Grenellit, transmeton KOHA.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Susan Rice e quajti Grenellin “njërin prej personave më të papëlqyeshëm dhe më të pasinqertë që kam takuar ndonjëherë”.

Serbia sot udhëhiqet prej presidentit Aleksandër Vuçiq, nacionalistit serb që po e shfrytëzon urrejtjen etnike si mjet politik për të fituar përkrahje lokale politike – ashtu si bëri Slobodan Milosheviqi në vitet nëntëdhjetë. Sot, liderët serbë në Beograd vazhdojnë të nxisin përçarje dhe armiqësi, si në Bosnjë, ashtu edhe në Kosovë. Vladimir Putini është i gatshëm ta ndihmojë Beogradin në gjithçka që e cenon unitetin e Evropës Perëndimore dhe SHBA-së.

Ajo çfarë po bëjnë tani në Kosovë Trumpi dhe Grenelli, paraqet një shkëputje prej politikave të suksesshme amerikane në rajon, në mënyrë rrënjësore.

Një parim i SHBA-së që solli paqe në rajon nga 2008-ta, ishte koncepti se kufijtë ishin të pandryshueshëm dhe se zgjidhjet politike duhej të gjendeshin Brenda kufijve të shteteve të caktuara. Marrëveshja e Ohrit që e parandaloi luftën në Maqedoni shkruan në mënyrë të qartë se “nuk ka zgjidhje territorial për çështjet etnike”. Të drejtat, jo territoret, janë zgjidhje e këtyre problemeve.

Udhëheqja amerikane me një koalicion të fortë të partnerëve ndërkombëtarë përdori diplomacinë intensive dhe forcën ushtarake për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Bosnjë, për ta ndalur një fatkeqësi mizore humanitare të radhës në Kosovë dhe për ta parandaluar një luftë civile në Maqedoni, gjatë viteve 1995-2008, teksa ish-Jugosllavia po shpërbëhej. Përpjekjet e udhëhequra prej amerikanëve në ish-Jugosllavi ishin një sukses i madh i politikës së jashtme për SHBA-në, në periudhën e hershme post-sovjetike.

Sot, Kosova është shtet sovran demokratik, i njohur prej 97 shteteve. Por, Serbia e ka përdorur ndikimin e saj për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në institucionet tjera ndërkombëtare. Si kundërpërgjigje, Kosova ka vënë tarifë 100 për qind mbi mallrat serbe që hyjnë në vend. Grenelli e ka nxitur Kosovën që t’i heqë tarifat, në mënyrë që të vazhdojnë negociatat e ndërprera.

Përderisa sanksionet ndërkombëtare dhe tarifat janë politikë e preferuar e administratës Trump, kundërshtimi, prej Trumpit, i tarifave legjitime si levë ndërkombëtare, është më shumë se ironik.

Për t’i bërë presion Prishtinës që ta heqë embargon, SHBA-ja pezulloi ndihmat e domosdoshme për Kosovën. Disa zyrtarë në Washington madje edhe e shtruan mundësinë e largimit të kontingjentit të vogël të trupave amerikane në Kosovë, esencialë për sigurinë në Ballkan që nga 1999-ta. Ishte ky faktor i rëndësishëm në rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, teksa koronavirusi po përhapej nëpër rajon. Kosova tani qeveriset prej një Qeverie në detyrë.

Grenelli duket se e preferon qasjen e politikanit të kahmotshëm të Kosovës dhe presidentit aktual, Hashim Thaçit, i cili e ka favorizuar një marrëveshje me Beogradin, madje edhe nëse përfshin shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Beogradit.

E këshillova Thaçi gjatë një bisede personale në Washington, para më shumë se një viti, se marrëveshja për shkëmbim territoresh ishte një truk serb që nuk do të shpinte askund dhe se ai nuk mund t’ besonte administratës Trump në çfarëdo negociatash me Beogradin. Ai ka shpërfillur këtë këshillë timen.

Shumë pyetje ngritën lidhur me misionin e Grenellit në Kosovë. Përse dikush me përvojë aq të kufizuar dhe me portofol aq të rëndësishëm shtetëror do të përfshihej në negociatat midis dy kundërshtarëve të dobët në Ballkan? Përse Grenelli po mban qëndrim pro-serb në bisedime? Përse SHBA-ja po e destabilizon një shtet pro-amerikan në një periudhë aq të brishtë?

Diçka këtu është e dyshimtë.

Si entuziast i përkushtuar i Trumpit, Grenelli thjeshtë mund të synojë që me çdo kusht ta gëzojë shefin e vet. Por, dyshoj se në këtë mes ka diçka më shqetësuese, posaçërisht pasi që kam dyshime të thella rreth raporteve të Trumpit me Vladimir Putinin. Dyshoj – pa dëshmi – se Putini ia ka paraqitur qëndrimet e veta pro-serbe Trumpit, e ka theksuar se shqiptarët janë myslimanë dhe pastaj i ka kërkuar Trumpit ndihmë në negociata.

Ashtu si edhe me të gjitha emërimet tjera të pamenduara mirë, Trumpi e bëri shërbëtorin e tij lokal, Grenellin agresiv dhe armiqësor, njeriun e tij kryesor për Kosovën. Kjo do të ishte një dhuratë për Putinin, që kënaqet në nxitjen e telasheve – të çfarëdo lloji – në Evropë.

Të kesh angazhim diplomatik të inspiruar prej Trumpit në ish-Jugosllavi është sikur ta lësh një dyvjeçar të luajë me qiri të ndezur midis kashtës.

Misioni i Grenellit në Kosovë rrezikon të nxisë jostabilitet në Ballkan dhe nuk i shërben asnjë interesi shtetëror amerikan. Politika aktuale amerikane në Kosovë do të mund të përkufizohej paaftësi diplomatike në rastin më të mirë, e mbase edhe keqpërdorim zyrtar.

Teksa COVID-19 ka mbërthyer SHBA-në dhe Evropën, Grenelli nuk duhet të nxisë përplasje në Ballkan, ku i mungojnë njohuritë, përvoja dhe aftësia diplomatike për përmirësimin e gjendjes.

Në vend të kësaj, SHBA-ja duhet ta promovojë një qeveri stabile në Kosovë, për t’u përballur me krizën aktuale shëndetësore.

Raporti Kosovë-Serbi është problem afatgjatë që meriton vëmendje serioze dhe profesionale, e jo politika gjysmake të njëanshme që shkojnë në favor të interesave serbe dhe ruse.

(Express)

”Luftoi fort, si një kampion që nuk dorëzohet”, Meta mesazh ngushëllimi për Skënder Kurtin

Presidenti Ilir Meta, i shpreh ngushëllimet familjes së Skënder Kurtit, trajnerit të boksit për ndarjen nga jeta sot prej komplikacioneve me koronavirusin.

Meta thotë se Kurti luftoi edhe në këto ditë të vështira luftoi si një kampion që nuk dorëzohet lehtë teksa mbetet një prej ikonave të sportit kryeqytetas.

 

STATUSI I PRESIDENTIT ILIR META

Me hidhërim të thellë mësova lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të boksierit🥊dhe trajnerit të shquar të Ekipit Kombëtar🇦🇱, njërit prej ikonave të sportit kryeqytetas, Skënder Kurti!

I admiruar nga të gjithë brezat e sportdashësve për rezultatet e tij në ring dhe pasionin e jashtëzakonshëm për sportin e dorezave, Ner Kurti gëzonte respektin e të gjithëve, veçanërisht të tironasve të mrekullueshëm që aq shumë e donin dhe i donte!

Edhe në këto ditë të vështira i madhi Ner Kurti luftoi fort, si një kampion që nuk dorëzohet lehtë!
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kurti, të afërmve, bashkëpunëtorëve e miqve të shumtë, në veçanti qytetarëve të Tiranës e tifozave të ngjyrave bardhë e blu🔵 për këtë humbje të pazëvendësueshme!
LAMTUMIRË KAMPION!

Kosovë: Ambasada amerikane dhe kryeministri Kurti kërkojnë shmangien e ndarjeve etnike në kohë pandemie

Ambasada amerikane në Prishtinë bëri thirrje të dielën që të lihen anash ndarjet ndërmjet komuniteteve në kohën e përballjes më virusin COVID-19.

Komentet e ambasadës pasuan debatet që u nxitën pas futjes në karantinë të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe komunës së Zveçanit, të banuara me shumicë serbe. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Lidhja Demokratike si dhe partitë opozitare kritikuan qeverinë në detyrë për situatën në veriun e Kosovës, duke theksuar se ajo po lejon kësisoj “ndërhyrjen e Serbisë”.

Në një komunikatë të ambasadës përgëzohen “përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, me rrezik të madh, për të penguar zgjerimin e COVID-19 në Kosovë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Të punoni së bashku, duke ndjekur udhëzimet e profesionistëve të shëndetësisë dhe duke lënë anash ndarjet ndërmjet komuniteteve është thelbësore për ta mundur COVID-19-tën”, thuhet në komunikatë.

Kurti: Ka politikanë në Beograd e Prishtinë që duan konflikt në veri për të cuar në ndarjen e Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën ndërkaq se është ministria e Shëndetësisë që ka shpallur karantinën në ato dy komuna.

“Jemi angazhuar maksimalisht që të ndalim shpërndarjen e virusit duke ndihmuar të gjithë qytetarët dhe secilin prej tyre pa dallim komune dhe etnie. Ne e dimë që Serbia ka pretendime ndaj shtetit tonë të pavarur të cilën ajo nuk e njeh. Ne e dimë që ajo ndërmerr veprime edhe kundër institucioneve tona, posaçërisht në veri. Të gjitha këto ne po i raportojmë te KFOR-i dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë. Ne veprojmë e sillemi me kujdes sidomos në këtë kohë kur askush nuk mund të ketë prioritet tjetër përveç shëndetit publik”, tha ai në një videopostim ne llogarinë e tij në facebook.

“Po ka politikanë e zyrtarë të lartë në Beograd që duan konflikt në Kosovë sidomos në veri të Ibrit, mirëpo ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë që duan konflikt në Kosovë sidomos në veri të Ibrit. Ata duan të provokojnë tensione sepse ata duan incidente. Projekti i tyre i shkëmbimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim; pasi që nuk arritën ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë që ta shpallin. Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, serbëve dhe pakicave tjera në Kosovë, e posaçërisht në Mitrovicë, që të kenë kujdes, që ta ruajnë gjakftohtësinë e të mos bien në kurthin e atyre të cilët për t’i zbrazur shampanjat e tyre, kanë nevojë të derdhët gjaku jonë. Mos bini në provokime e insinuate e intriga të ndryshme. Ato janë kurthi në të cilin do të bien vet ata brenda”, tha kryeministri në detyrë.

Numri i personave të infektuar me koronavirus në mjediset e banuara me serbë ka shkuar në 22, ndërsa një pjesëtar i këtij komuniteti ka vdekur nga pasojat e infektimit në një spital në Nish, një qytet në jug të Serbisë.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike deri të dielën është 140.

Ndahet nga jeta aktori i madh i humorit Gëzim Kruja

Ndahet nga jeta mjeshtri i madh, aktori i humorit Gezim Kruja.
Per mbi 60 vite kontribuoi duke u bërë një prej figurave më të dashura të artit shqiptar me pjesë të pafundme humoristike. Është nje nga emblemat e skenes se humorit. Gezim Kruja u nda nga jeta ne moshen 80 vjeçare pas disa problemeve shëndetësore.

Gëzim Kruja ka lindur në Shkodër, në vitin 1939. Karrierën humoristike e ka nisur që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me Estradën amatore nisin që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdon aktivizimin në vitin 1960 me Estradën profesioniste të Shkodrës.
Gëzim Kruja ka mbaruar në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë po në qytetin e lindjes. Ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmorë.

Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”.

Më 5 prill 2007 Kuvendi miratoi deklaratën që mbështet propozimin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës më 5 prill të vitit 2007, ka miratuar një deklaratë për përcaktimin e statusit të Kosovës ku mbështetet propozimi i kryenegociatorit Martti Ahtisaari.

Më 2 shkurt 2007, Ahtisaari dorëzon propozimin Prishtinës dhe Beogradit, ku thuhej se Kosova do të jetë një shoqëri shumë-etnike, që e qeveris veten në mënyrë demokratike dhe me respekt të plotë për rendin ligjor, nivelin më të lartë të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të pranuara nga bota ndërkombëtare, dhe që nxit ekzistencën paqësore dhe të lulëzuar të gjithë banorëve të saj.

Ndërkohë, më 10 qershor 2007, Presidenti amerikan, George W. Bush, viziton Tiranën, ku thotë se Kosova do ta marrë pavarësinë.

Pas disa bisedimeve, Kosova u shpall më 17 shkurt 2008 i pavarur.

PREDKU I PLOTË I PAPËS NË KOHËN E EPIDEMISË – E përktheu Eugjen Merlika

 

(Fjala e Papa Françeskut gjatë çastit të lutjes së jashtzakonshme

 në rrafshinën e Sheshit Shën Pjetrit)

 

“Mbasi erdhi mbrëmja” (Mc 4,35). Kështu fillon Ungjilli që ndigjuam. Prej javësh duket se ka zbritur mbrëmja. Errësira të dëndura janë grumbulluar mbi sheshet tona, rrugët, qytetet; kanë zotëruar jetët tona duke mbushur gjithshka me një heshtje shurdhuese e një zbrazësirë dëshpëruese, që paralizon çdo gjë që kalon: ndihet në ajër, kuptohet nga veprimet, e thonë vështrimet. Jemi gjindur të frikësuar e të përhumbur. Si dishepujt e Ungjillit jemi zënë në befasi nga një stuhi e papritur dhe e furishme. Kemi kuptuar se jemi në të njëjtën varkë, të gjithë të  dobët e të çorientuar, por në të njëjtën kohë të rëndësishëm e të nevojshëm, të gjithë të ftuar t’u grahim lopatave së bashku, të gjithë nevojtarë të ngushullojmë njeri tjetrin. Mbi këtë varkë…. jemi të gjithë. Si ata dishepuj, që flasin me një zë të vetëm dhe me ankth thonë: “Jemi të humbur”, kështu edhe ne kemi marrë vesh se nuk mund të shkojmë përpara secili për hesapin e tij, por vetëm së bashku.

Papa lutet për fundin e pandemisë

Është e lehtë të gjindemi në këtë tregim. Ajo që del e vështirë është të kuptohet qëndrimi i Jezuit. Ndërsa dishepujt janë natyrisht të alarmuar e të dëshpëruar, Ai qëndron mbi kiç, pikërisht n’atë pjesë të varkës që zhytet e para. E çfarë bën? Megjithë pështjellimin fle i qetë, me besim tek Ati – është e vetmja herë në Ungjill në të cilën e shohim Jezuin të flejë. Kur e zgjojnë, mbasi ka qetësuar erën dhe ujrat, u drejtohet dishepujve me ton qortimi: “Përse keni frikë’ Nuk keni ende besim?”

Përpiqemi të kuptojmë. Ku qëndron mungesa e besimit të dishepujve, që i kundërvihet besimit të Jezuit. Ata nuk kishin reshtur së besuari tek Ai, në fakt po i luteshin. Por të shohim si i luteshin: “Mjeshtër, nuk të bëhet vonë se jemi të humbur?”. Nuk të bëhet vonë: mendojnë se Jezusi nuk interesohet për ta, se nuk kujdesohet për ta. Ndërmjet nesh, në familjet tona, një nga gjërat që dhëmb më shumë është kur dëgjojmë të na thonë: “Nuk të bëhet vonë për mua?”. Është një fjalë që plagos e shkakton stuhi në zemër. Do t’a ketë tronditur edhe Jezuin. Sepse askujt, më shumë se Atij i bëhet vonë për ne. Në fakt, sapo u thirr, i shpëtoi dishepujt besimhumbur.

Stuhia i heq perden prekshmërisë sonë dhe le të zbuluar ato siguri të rreme e të kota me të cilat kemi ndërtuar ditarët tanë, projektet tona, zakonet e përparësitë tona. Na tregon se si kemi lënë të përgjumur e të braktisur atë që ushqen, mbështet e fuqizon jetën tonë dhe bashkësinë tonë. Stuhia lë të të zbuluar të gjithë synimet për të “paketuar” e për të harruar atë që ka ushqyer shpirtin e popujve tanë, gjithë ato përpjekje për të përgjumur me zakone në dukje “shpëtimtare”, të paafta t’i bëjnë thirrje rrënjëve tona e kujtesës së të moshuarve tanë, duke mbetur kështu pa imunitetin e nevojshëm për të përballuar vështirësitë.

Me stuhinë ka rënë makiazhi i atyre stereotipeve me të cilët mbulonim “egot” tona, gjithmonë të shqetësuar për përfytyresën tonë; ka mbetur e zbuluar edhe njëherë tjetër, ajo (e bekuar) përkatësi e përbashkët së cilës nuk mund t’i shmangemi: përkatësia si vëllezër.

Përse keni frikë? Nuk keni ende besim?” O Zot Fjala e jote sonde na prek e na përket  ne të gjithëve. Në këtë botën tonë, që Ti e don më shumë se ne, kemi shkuar përpara me shpejtësinë më të madhe, duke u ndjerë të fuqishëm e t’aftë për gjithshka. Të etur për fitim jemi lënë të thithemi prej gjërave dhe të trullosemi prej nxitimit. Nuk jemi ndaluar përpara qortimeve të tua, nuk jemi zgjuar përballë luftërave dhe padrejtësive planetare, nuk e kemi dëgjuar thirrjen e të varfërve e të planetit tonë të sëmurë rëndë. Kemi vazhduar të patrembur, duke menduar se do të mbeteshim gjithmonë të shëndoshë në një botë të sëmurë. Tani, ndërsa jemi në një det të trazuar të lutemi: “Zgjohu o Zot!”

Përse keni frikë? Nuk keni ende besim?” O Zot, na bën një thirrje, një thirrje për besim. Që nuk është aq të besojmë se Ti ekziston, por të vijmë tek Ty, të të besojmë Ty. Në këtë Kreshmë tingëllon thirrja jote urgjente: “Silluni nga un”, “kthehuni nga un me gjithë zemër”. Na thërret t’a presim këtë kohë prove si një kohë zgjedhjeje. Nuk është koha e gjykimit tënd, por e gjykimit tonë: koha e të zgjedhurit mes asaj që vlen dhe asaj që kalon, të ndarjes mes asaj që është e nevojshme dhe asaj që nuk është. Është koha të kthejmë rrugëtimin e jetës drejt Teje, o Zot, e drejt të tjerëve. Dhe mund të shohim drejt shumë shokëve shëmbullorë të rrugëtimit që, në frikë, kanë kundërvepruar duke dhënë jetën. Është fuqia vepruese e Shpirtit, e derdhur dhe e ngjizur në kushtime të guximshme e bujare. Është jeta e Shpirtit e aftë të shpërblejë, të vlerësojë e të tregojë se si jetët tona janë të endura e të mbajtura nga njerëz të zakonshëm, zakonisht të harruar, që nuk dalin në titujt e të përditëshmeve e të revistave, as në urat e mëdha të shfaqjes së fundit por, pa dyshim, janë duke shkruar sot ngjarjet përcaktuese të historisë sonë: mjekë, infermiere e infermierë, punonjës të mbitregjeve, të pastërtisë, kujdestarë, trasportues, forca të rendit, vullnetarë, meshtarë, murgesha e shumë e shumë të tjerë që kanë kuptuar se askush nuk mund të shpëtojë i vetëm. Përpara vuajtjes, ku matet zhvillimi i vërtetë i popujve tanë, zbulojmë dhe sprovojmë lutjen meshtare të Jezuit: “ që të gjithë të jenë një gjë e vetme”. Sa njerëz  ushtrojnë çdo ditë durimin dhe ngulisin shpresën, duke u kujdesur për të mos mbjellur panik, por bashkëpërgjegjëshmëri. Sa etër, nëna, gjyshër e gjyshe, mësues, i tregojnë fëmijëve tanë me veprime të vegjël e të përditshëm, se si përballohet e kalohet një krizë duke përshtatur zakonet, duke ngritur vështrimet dhe nxitur lutjet. Sa njerëz luten, ofrohen dhe ndërmjetësojnë për të mirën e të gjithëve. Lutja dhe shërbimi i heshtur: janë armët tona fitimtare.

Përse keni frikë? Nuk keni ende besim?”. Fillimi i besimit është të dijmë se jemi nevojtarë për shelbim. Nuk jemi të vetëmjaftueshëm, të vetëm; të vetëm fundosemi: kemi nevojë për Zotin, si lundërtarët e lashtë për yjet. Të ftojmë Jezuin në varkat e jetëve tona. T’i besojmë frikërat tona, që Ai t’i mundë. Si dishepujtë të sprovojmë që, me Atë në bord nuk do të ketë mbytje. Sepse kjo është fuqia e Zotit: të kthejë për së mbari gjithshka që na ndodh, edhe gjërat e këqija. Ai sjell qetësinë në stuhitë tona, sepse me Zotin jeta nuk vdes kurrë.

Zoti na pyet, dhe në mes të stuhisë sonë, na fton të zgjojmë e të vemë në punë solidaritetin dhe shpresën, të afta të japin qëndrueshmëri, mbështetje e kuptim këtyre orëve në të cilat duket se gjithshka po përmbytet. Zoti na zgjon për të zgjuar dhe gjallëruar fenë tonë të Pashkës. Kemi një spirancë: në kryqin e tij kemi qënë shëlbyer. Kemi një timon: në kryqin e tij kemi qënë shliruar. Kemi një shpresë: në kryqin e tij kemi qënë shëndoshur e përqafuar që asgjë dhe askush të mos na ndajë nga dashuria e tij ringjallëse. Në mes të veçimit, në të cilin po vuajmë mungesën e përzemërsive e të takimeve, duke sprovuar mungesën e shumë gjërave edhe një herë tjetër lajmërimi na shelbon: është ringjallur e jeton pranë nesh. Zoti na pyet nga kryqi i tij për të gjetur jetën që na pret, për të vështruar drejt atyre që na kërkojnë të forcojmë, të njohim e të nxisim hirin që kemi në vetvete. Mos të shuajmë flakën e zbehtë, që nuk sëmuret kurrë e të lemë të rindizet shpresa. Të përqafohet kryqi i tij do të thotë të gjindet guximi për të përqafuar gjithë kundërshtinë e kohës së sotme, duke braktisur për një çast gjithë gulçimin e plotfuqishmërisë e të zotërimit për t’i dhënë hapësirë krijimtarisë që vetëm Shpirti është i aftë të frymëzojë. Do të thotë të gjindet guximi për të hapur hapësira ku të gjithë të mund të ndihen të ftuar e të lejojnë forma të reja të mikpritjes, vëllazërimit dhe solidaritetit. Në kryqin e tij kemi qënë shëlbyer për të pritur shpresën e për t’i dhënë mundësi asaj të fuqizojë e të mbështesë të gjitha masat e rrugët e mundëshme që mund të na ndihmojmë të ruhemi e të ruajmë. Të përqafojmë Zotin për të përqafuar shpresën: ja fuqia e besimit që shliron nga frika e jep shpresë.

Përse keni frikë? A nuk keni ende besim?”  Të dashur vëllezër e motra, nga ky vënd që tregon fenë shkëmbore të Pietrit, sonde dua t’u le të gjithëve në dorën e Zotit, me ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar, shëndeti i popullit të saj, ylli i detit në stuhi. Nga këto kollona që përqafojnë Romën dhe botën le të zbresë përmbi ju, si një përqafim ngushullues, bekimi i Zotit. O Zot bekoje botën, jepi shëndet trupave dhe ngushullim zemrave. Kërkon prej nesh të mos kemi frikë. Por besimi i  ynë është i dobët dhe jemi të ndrojtur. Por Ti, o Zot mos na lerë në mëshirë të stuhisë. Përsërit ende: “Ju mos kini frikë”. Dhe ne, bashkë me Pietrin, “hedhim tek Ti çdo shqetësim, sepse Ti kujdesesh për ne”

E përktheu Eugjen Merlika

 

(Video) Intervista e plotë e Grenellit dhënë të premten Berat Buzhalës

Emisari i presidentit amerikan në bisedimet Kosovë–Serbi, Richard Grenell, në një intervistë ekskluzive për emisionin Pressing të T7, e ka hedhur poshtë çështjen e shkëmbimit të territoreve si një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka theksuar se disa herë publikisht ka bërë me dije se bëhet fjalë vetëm për thashetheme, e jo për ndonjë opsion në bisedime. “Unë personalisht jo. Unë nuk e shoh këtë si opsion”. Grenell ka folur edhe për tarifën ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, duke thënë se kryeministri Kurti i kishte premtuar se do ta hiqte atë. “Ai më shikoi në sy dhe tha se ata do ta largojnë taksën”, ka thënë Grenell. Gazeta Express sjell të plotë intervistën me Richard Grenellin, emisarin e Presidentit Trump, të cilën e ka zhvilluar gazetari Berat Buzhala.

Zotëri Grenell, do të doja ta filloj këtë intervistë duke jua bërë pyetjen që e preokupon shumicën e njerëzve në Kosovë tash për tash. A nuk ishit ju shumë të ashpër me z.Kurti sa i përket pozicionit të tij për taksën?

R. Grenell: Shikoni, ne, Shtetet e Bashkuara, e kemi pasur një qëndrim të gjatë se taksa prej 100 për qind që është zbatuar para z.Kurti ka qenë duke i dëmtuar ekonominë dhe popullin e Kosovës më së shumti. Kjo është një politikë afatgjate, kjo është diçka që ia kemi komunikuar secilit udhëheqës para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve dhe të jem i sinqertë, ne e kemi pasur zotimin nga të gjithë para zgjedhjeve se ata do të përkushtohen për heqjen e taksës. Kjo është diçka me të cilën Shtetet e Bashkuara bindshëm pajtohen njëzëri dhe me përkrahjen e dy partive se taksa është duke e dëmtuar ekonominë e Kosovës. Prandaj, për ne nuk ka kuptim që të ketë politika që janë duke e dëmtuar ekonominë, që nuk i lejojnë bizneset të lëvizin përpara dhe të krijojnë vende pune. Kjo i prek të rinjtë që duan vende pune dhe kur politikat e dëmtojnë vetë ekonominë, nuk duhet të pritet nga ne, Shtetet e Bashkuara, që të vazhdojmë t’i përkrahim politikat që janë duke i dëmtuar njerëzit dhe aktivitetin e krijimit të vendeve të punës. Ne jemi të përqendruar për ta ndihmuar anën ekonomike dhe mendoj se ka shumë vëmendje të përqendruar në çështjet politike. Administrata e presidentit Trump po përpiqet ta ndihmojë procesin e dialogut. Ne kemi vendosur para një kohe të gjatë se zgjidhja në mendjet tona do të ishte krijimi i hapave nxitës ekonomikë, lënia e politikës politikanëve dhe ndihma ndaj ekonomisë. Ekonomia nën udhëheqjen e Trumpit ka qenë e mahnitshme dhe ajo që më kërkoi mua presidenti Trump është që të përpiqem të ndihmoj për të krijuar hapa nxitës ekonomikë dhe një atmosferë pro-biznesore në mënyrë që të rinjtë të gjejnë vende pune. Vazhdimisht kemi parë dëshmi se bizneset, qofshin ato biznese amerikane apo evropiane, ngurrojnë të vijnë në Kosovë për shkak të disa politikave dhe për shkak të problemeve të përceptuara që ato po i krijonin, e keni parasysh, praktikisht për shkak të bllokadave. Bizneset nuk kishin vullnet në vinin kur ekzistonte një krizë e perceptuar.

Ju thatë se e keni pasur një zotim nga të gjithë para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve se ata do ta largojnë taksën. A u zotua zotëri Kurti për këtë?

R.Grenell: 100 për qind po. Ai më shikoi në sy dhe tha se ata do ta largojnë taksën.

Pse mendoni se ju gënjeu?

R.Grenell: Shikoni, unë nuk do të përfshihem në politikë dhe në atë se si është situata atje, në atë se si përgjigjen udhëheqësit politikë para dhe pas zotimeve, por realiteti është se ne jemi duke qëndruar jashtë politikës. Ne do të punojmë me secilën qeveri që dëshiron të krijojë një atmosferë ku ju e largoni taksën dhe ndihmoni për të krijuar vende pune për të rinjtë, për qytetarët që janë atje. Bizneset duan të vijnë në këtë rajon. Kjo është njëra nga arsyet që kur administrata e Trumpit erdhi në pushtet dhe kur presidenti Trump më kërkoi që të jem i dërguar special, gjëja e parë që e bëra kur arrita në Prishtinë, gjëja e parë që bëra kur arrita në Beograd ishte takimi me komunitetin e sektorit privat, jo me politikanët. Shkova në Odën Ekonomike, shkova te bizneset dhe ajo që dëgjova nga të gjithë ishte se ata nuk mund të kenë tregti normale për shkak të këtij problemi politik. Prandaj, gjëja e parë në të cilën u përqëndrova ishte të sigurohet një linjë fluturimi, e cila do t’i përfshinte mallrat dhe udhëtarët. Një numër jo i mjaftueshëm i medieve janë përqendruar në aspektin e mallrave të kësaj linje historike të fluturimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Kjo do të krijonte një mënyrë për bizneset që t’i transportojnë mallrat në rajon shumë shpejt. Ju e dini, kemi kompani që ofrojnë vetura me qira. Kur e merrni një veturë me qira, për shkak të këtyre problemeve, njerëzit nuk mund ta kalojnë kufirin lehtë. Ata nuk mund të shkojnë te një kompani që jep vetura me qira, ku mendonin se do të mund të shkonin. Kjo po i bën bizneset të vuajnë. Gjëja e dytë që vendosëm për ta bërë ishin marrëveshjet për hekurudha dhe autostradë. Këto janë çështje që i dëshiroi komuniteti i biznesit dhe më lejoni që të ballafaqohem me një çështje sa u përket hekurudhave, sepse ishte një marrëveshje mes udhëheqësve në Serbi dhe udhëheqësve në Kosovë për hekurudhat dhe më vonë, pasi ajo u nënshkrua, kishte pyetje për atë se cilën rrugë do ta merrte. Shikoni, ne kemi qenë shumë të qartë për këtë rrugë, duke thënë se nuk kemi një preferencë. Ne kishim nevojë që të dyja palët të pajtohen. Ju nuk mund ta keni njërën palë që e dëshiron një rrugë, ndërsa palën tjetër që e dëshiron një rrugë tjetër. Ka fonde të kufizuara që janë në dispozicion nga evropianët ose nga amerikanët që do ta ndihmojnë financimin e këtyre projekteve. Ju nuk mund të zgjedhni rrugë që nuk janë të realizueshme për të dyja palët ose që janë shumë të kushtueshme. Pra, ne nuk e kemi zgjedhur rrugën, dy palët e kanë zgjedhur atë. Unë qëndroj fuqishëm në atë se ne nuk po iu imponojmë dy palëve zgjidhje amerikane. Ajo që po mundohemi të bëjmë është që të sigurohemi se nuk po i çojmë dëm të hollat tona dhe kur populli amerikan ofron ndihmë për të financuar projekte ose për të bërë gjëra të caktuara, ato të holla të mos shkojnë dëm. Pra, kur të dyja palët bëhen bashkë dhe e kuptojnë se kjo është rruga më e realizueshme me fondet e kufizuara, sepse rruga e propozuar më parë ishte përmes disa pjesëve të Serbisë që nuk është përkrahur nga qeveria serbe, që ishte shumë e shtrenjtë për t’u ndërtuar dhe thjesht nuk ekzistonin fondet në kuptimin e kalimit nëpër zona malore.

Zotëri Grenell, mbrëmë ju, së bashku me Mattheë Palmerin dhe ambasadorin Kosnett, e lëshuat një deklaratë. Ishte një sqarim shumë i nevojshëm pasi që gjatë javës së kaluar e veçanërisht gjatë debatit në Kuvend, zotëri Kurti dhe ministri i tij vazhdimisht deklaronin se ekziston një marrëveshje sekrete dhe nëse largohen taksa dhe reciprociteti, Kosova do të humbë një pjesë të territorit. Kjo çështje tashmë duket e zgjidhur, por për audiencën tonë, për të mos lënë asnjë pikë dyshimi, as ju dhe as ndonjë pjesëtar tjetër i qeverisë amerikane kurrë nuk keni diskutuar me presidentin Thaçi apo presidentin Vuçiq për shkëmbimin e territoreve, apo jo?

R.Grenell: Kurrë. Kurrë nuk është ngritur si çështje në praninë time dhe siç thashë, kjo nuk është diçka që e kam parë ose që është folur për të dhe meqë ra fjala, më lejoni të jem shumë i qartë. E kam thënë këtë më parë. E kemi thënë këtë në Tëitter, kemi lëshuar deklarata për medie, kur ato kanë kërkuar. Kjo nuk është hera e parë që kemi qenë të qartë se këto thashetheme janë thjesht kaq, janë thashetheme. E kemi thënë këtë qe një kohë, por disa po zgjedhin të mos e besojnë dhe kjo nuk na përket neve. Ne vetëm mund të vazhdojmë t’i deklarojmë ato që i dimë se janë fakte dhe fakti është se unë kurrë nuk e kam parë atë (marrëveshjen sekrete) dhe kurrë nuk është diskutuar, thjesht nuk është opsion.

A besoni se shkëmbimi i territoreve është opsion i mirë për t’i zgjidhur problemet me Serbinë?

R.Grenell: Unë personalisht jo. Unë nuk e shoh këtë si opsion, por unë dua të jem shumë i qartë se të gjitha këto çështje politike…Ne, Shtetet e Bashkuara, jemi vërtet të përqendruara në çështjet ekonomike. Besimi ynë është që ne mund të krijojmë një atmosferë ndryshe, ku bizneset evropiane dhe amerikane vijnë në rajon për shkak se konflikti i perceptuar ka marrë fund dhe që mund t’i shtyjmë bizneset që ta shohin këtë rajon si pjesë e zgjerimit të tyre. Ne krijojmë vende pune, krijojmë vende pune për të rinjtë në mënyrë që njerëzit të mos largohen nga Kosova ose Serbia dhe që rajoni të bëhet më i gjallë. Ne besojmë se kjo është zgjidhja për problemet politike, besojmë që zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës krijojnë shpresë, krijojnë nxitje (ekonomike) dhe problemet politike do të bëheshin më të pakta. Ajo për të cilën më duhet të jem i qartë është që shumë nga problemet janë të lidhura me ekonominë dhe aty duhet të shpenzohet energjia. Ne të gjithë vërtet duhet të ndalemi së luftuari dhe të fillojmë të përpiqemi që të krijojmë vende pune në rajon dhe në këtë kemi qenë të përqendruar.

Tani duket se me humbjen e mocionit të mosbesimit nga ish-kryeministri Kurti, taksa për mallrat serbe mund të hiqet. Sidoqoftë, për një periudhë të caktuar kohore, shumë njerëz ishin të shokuar që ndihma amerikane për zhvillim po pezullohej dhe tërheqja e trupave po përmendej për herë të parë. Sa afër ishim ne që ta humbim përkrahjen tuaj në mënyrë rrënjësore, zotëri Grenell?

R.Grenell: Shikoni, populli amerikan e do popullin e Kosovës. Jemi të përkushtuar ndaj popullit të Kosovës, por kur kemi politika, Shtetet e Bashkuara, qeveria amerikane, populli amerikan, fillon të ketë rregulla për ndihmat tona. Ne nuk duam të jemi në aso pozicioni që ndihmat tona të jenë të garantuara, pavarësisht çfarë ndodh në anën tjetër. Ne besojmë rrënjësisht se taksa ishte duke e dëmtuar popullin e Kosovës dhe vendosëm të kemi një politikë amerikane që ishte shumë e fuqishme. Ne besojmë se taksa duhet të largohet pa mëdyshje dhe menjëherë, sepse po e lëndonte popullin e Kosovës. Nuk është duke e ndihmuar zhvillimin ekonomik, që është qëllimi ynë, prandaj ne ishim duke u siguruar që të gjitha agjencitë qeveritare të Shteteve të Bashkuara do ta përkrahnin atë politikë. Por e vërteta është që ne e duam popullin e Kosovës dhe duam që të largohet taksa në mënyrë që të vazhdojnë bashkëpunimi dhe puna jonë dypalëshe.

A ishte e mundshme për qeverinë amerikane që të vazhdonte të punonte me qeverinë e kaluar (të Kosovës)?

R. Grenell: Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të punojë me çfarëdo qeverie në Kosovë që dëshiron të krijojë vende pune dhe të lëvizë përpara. Ne qëndrojmë me popullin e Kosovës. Ne jemi të përkushtuar dhe jemi atje, por përsëri po kthehem te politika e Shteteve të Bashkuara, e cila zhvillohet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan. Prandaj, kur besojmë se taksa 100 për qind, e vendosur nga qeveria e Kosovës, është duke e dëmtuar ekonominë tuaj, atëherë ju nuk mund të prisni që ne ta vazhdojmë financimin e projekteve që ne besojmë se nuk do të jenë efektive, sepse taksa thjesht është duke ia zënë frymën ekonomisë. Nuk duam t’i çojmë dëm paratë tona.

Dy pyetjet e fundit. Pas më shumë se një viti të mungesës së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, vetëm disa shtete evropiane duket se janë të interesuara rreth agjendës suaj aktive dhe për marrëveshjet që i keni lehtësuar në Mynih dhe Berlin për transportin. A jeni ju në kontakt me kryeqytetet evropiane sa i përket çështjes së dialogut?

R.Grenell: Po, me disa, me disa që janë përkrahëse. Mendoj se kjo është paksa e ekzagjeruar, sepse janë disa individë, qeveri dhe udhëheqës evropianë që ofrojnë shumë përkrahje për ta çuar dialogun përpara. Kam parë përkrahje të pabesueshme për marrëveshjen e linjës ajrore, marrëveshjen historike të linjës ajrore, të cilën duhet ta përfundojmë dhe ne jemi të përqendruar për ta përfunduar atë në mënyrë që të mund të zbatohet. Ne kemi përkrahje të madhe për marrëveshjet e hekurudhave dhe autostradës. Megjithatë, nuk ka dyshim që gjithmonë do të ekzistojnë ata që do të ulen anash dhe do të ankohen vazhdimisht. Ajo që ne duam ta bëjmë është që të shkojmë përpara. Për shembull, unë e kam ngritur çështjen e liberalizimit të vizave drejtpërdrejt me kancelaren Merkel. Kam thënë se kjo është një politikë që duhet të rregullohet dhe se qeveria gjermane përfundimisht mund të ofrojë ndihmë. E ngrita këtë çështje vitin e kaluar, në nëntor apo dhjetor, drejtpërdrejt me kancelaren Merkel. Ajo më tha drejtpërdrejt se ka mënyra me të cilat ata do të mund të punonin për ta rregulluar këtë dhe për të ofruar ndihmë, ndoshta për viza të punës ose viza të industrive specifike. Kur i ngrita këto pika në mënyrë specifike, ajo tha “Po, ka gjëra që mund t’i bëjmë.” Ajo e këshilloi ekipin e vet që ta bënte këtë. E kam ngritur këtë çështje shumë herë. Nuk e kam parë ende të zbatuar, por ne besojmë se ka gjëra që evropianët mund t’i bëjnë, që janë zotuar se do t’i bëjnë dhe që duhet t’i bëjnë, por që nuk i kanë bërë ende.

Të paktën që nga viti ’92 e tutje, kosovarët kanë besuar në Shtetet e Bashkuara dhe në Shtëpinë e Bardhë. A duhet ta vazhdojnë ata besimin në Shtetet e Bashkuara dhe në Shtëpinë e Bardhë?

R.Grenell: Shikoni, unë mendoj se ju duhet t’u besoni evropianëve, duhet t’u besoni amerikanëve. Ne të gjithë jemi së bashku në këtë çështje. Ne duam të lëvizim përpara. Unë besoj fuqishëm se ka shumë njerëz në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara që janë të bërë bashkë duke dëshiruar të bëjnë përparim dhe nuk janë duke shikuar se kush merr merita ose kush çfarë bën. Ka mjaft gjëra për t’i bërë që ne të gjithë ta ndihmojmë rajonin.

Si pyetje e fundit, çfarë prisni ju nga kryeministri i ri, zotëri Grenell?

R.Grenell: Shikoni, ne nuk do të përfshihemi në politikë. Populli i Kosovës do ta zgjedhë qeverinë e vet, ata do ta zgjedhin udhëheqësin e vet, por Shtetet e Bashkuara do t’i zgjedhin politikat e veta dhe politika jonë është shumë e qëndrueshme, pavarësisht kush është në detyrë. Taksa duhet të hiqet, sepse ne besojmë se taksa 100 për qind që e ka Kosova është duke e dëmtuar ekonominë tuaj. Ne po përpiqemi ta ndihmojmë Kosovën, ta ndihmojmë Serbinë, tërë rajonin, për ta krijuar një zonë apo rajon që ka vende pune dhe shpresë për të rinjtë në mënyrë që ata të qëndrojnë në rajon dhe të kenë vende pune cilësore, të rriten familjet e tyre dhe ato familje të kenë mirëqenie. Pra, ne e caktojmë politikën tonë dhe politika jonë është shumë e qartë. Taksa të hiqet dhe pastaj ne mund të bashkëpunojmë në rrugë të gjera.

Pyetja e fundit, shumë njerëz që ju kundërshtojnë e kanë përdorur orientimin tuaj seksual, zotëri Grenell – ju jeni homoseksual dhe këtë e pranoni haptazi – si argument për t’i minuar autoritetin dhe aftësinë tuaj për ta udhëhequr këtë proces. Si e komentoni këtë?

R.Grenell: Shikoni, kam parë komente ku thuhet se unë po gënjej dhe kam marrë shumë mesazhe nga njerëzit që po përpiqen të përdorin ofendime homofobike ose anti-homoseksuale. Unë nuk besoj se këta njerëz janë shumica në Kosovë ose në rajon. Kjo qartazi duhet të dënohet. Jam shumë krenar që jam homoseksual, kështu si jam lindur dhe unë nuk tërhiqem nga kjo dhe mendoj se çfarëdo ofendimi anti-homoseksual ose homofobik duhet të dënohet gjerësisht.

Faleminderit shumë, zotëri Grenell!

R. Grenell: Çdo të mirë!

Shoqëria duhet të jetë aq e fortë sa Matterhorn që ta kalojmë stuhinë me emrin Covid 19 !

voal.ch – Një zemër mbi Matterhorn ❤️ (Cervino) : nga e Premtja 27 Mars deri në 19 Prill çdo mbrëmje nga kur nis perëndimi i diellit deri në 23:00 të mbrëmjes,

një fashë drite drejtuar në majë të malit do të transmetojë mesazhe shprese në botën e prekur nga koronavirusi.

Nisma, e promovuar nga Komuna Zvicerane e Zermatt në Kantonin e Valais, është vepër e artistit Gerry Hofstetter,

i cili është gjithashtu autori i një projekti të ngjashëm në Saint Maurice, po në Kantonin e Valais.

“Shoqëria duhet të jetë aq e fortë sa Matterhorn – thonë autoritetet e Zermatt – në mënyrë që të kapërcejnë stuhinë që po kalon. Drita u zgjodh sepse përfaqëson shpresën”.

Cervino në italisht apo Mattahorn në gjermanisht është një mal nga Alpet që ndahet midis Zvicrës dhe Italisë në lartësinë 4478 metra./(📷 LaPresse)/EB

 

Cervino – Matterhorn

Nona Lina, 102 vjeç, me emrin e bukur Italica – shërohet nga koronavirusi

voal.ch – Gjyshja Lina, 102 vjeç, shërohet nga koronavirusi. Mjekët: “Ne e quajtëm malësore –Highlander”.
Historia e Italica Grondona, kështu quhet gjyshe Lina, ka bërë xhiron e botës, duke përfunduar në CNN.
Ditët e fundit, gjyshja e Xhenovës ishte shtruar në spital në San Martino pasi paraqiti simptomat e Covid-19.

Shpresat për shërim nga Covid 19, veçanërisht për moshat e mëdha, dukeshin të zvogëluara, por Nona Lina i sfidoi statistikat.

Për të dhënë lajme për shërimit, doli vetë guvernatori i Liguria-s Giovanni Toti, me një postim në Instagram.
«Doja të të dëgjoja personalisht në telefon – shkruan Toti – sepse tashmë është bërë një simbol i shpresës për të gjithë ne. Është gjithashtu një shembull se si trajtohen të gjithë, pavarësisht nga mosha. Nuk ka asnjë dallim. Nona Lina më falënderoi duke thënë se ishin kujdesur shumë për të që më dha forcë të jashtëzakonshme. Jeta e secilit prej nesh është e çmuar, përfshirë atë të gjyshërve tanë për të cilët luftojmë çdo ditë, jo pa vështirësi! Historia e saj ka shkuar nëpër botë: ata e quajnë Highlander –malësore. Për ne ajo është thjesht një Liguriane e shkëlqyeshme: e fortë, rezistente … tani ajo po shuan 102 qirinjtë në tortën Panarello! Nona Lina dhe faleminderit, emri juaj nuk është rastësi, Italica: ju jeni një faqe e bukur në historinë tonë! ».

Për të festuar shërimin e gjyshes Lina, u bë pjesë gjithashtu edhe doktoreshë Vera Sicbaldi, e cila e trajtoi atë. “Ne e quajtëm atë Higlander, të pavdekshme”. Nipi i saj Renato Villa Grondona e përshkruan kështu: “Dashuria e jetës, Freddie Mercury dhe Valentino Rossi”. Urimet më të mira gjyshe Lina!/Corriere.it/EB