TIRANA
Krahët gjigantë të vinçave,
Skica të sapohedhura
Në sfond të reve,
Përmasat e sakta përcaktojnë,
Në gjerësi dhe lartësi
Të kullave që po shfaqen
Dhunshëm
Ngjitur e ngjitur
Si mur mbyllës…
Do ta zënë diellin ato,
Kur të lindë
Dhe kur të perëndojë do ta zënë
Në horizontin tjetër…
Makinat shumërrotëshe,
Në barkun prej dinozauri
Bluajnë e bluajnë beton,
Tek shfryjnë e uturijnë
Rrugëve në kryeqytet.
Dridhet asfalti dhe dritaret,
Siç dridhen,
Kur bie tërmet…
Ku derdhet ky beton,
Ku rëndon ?
S’mbeti më një copë dhe i butë,
Humus i gjallë, ku të rriten pemët,
Lulet ku të çelin, e bari të blerojë,
S’ka më zogj,
Ikën e s’u kthyen !
Ka vetëm thatësirë djegëse,
Shira acidi ka, që djegin gjithashtu.
Por, lërini mënjanë
Shoqatat e mbrojtjes së mjedisit,
Debatet në televizione
Me nostalgjikët anakronikë
Të Tiranës tradicionale
Dhe protestuesit naivë
Që venë në krye
Ca kalamaj t’hutuar
Me slogane ndër duar,
Mënjanë lërini !
Të gjitha këto
Nuk ju lypsen,
Këshillojnë qortueshëm
Oligarkët e qeverisë.
Tirana e Re ,
Si gjithë metropolet modernë
Botës mbarë,
Do të globalizohet
Në shije, mentalitet, arkitekturë,
Proklamojnë programin e tyre
Oligarkët vendimarrës:
Të njëjtët ambalazhe përplot ngjyra
T’ushqime të gatshëm;
Mbi xhinse, mbi atlete dhe…
Mbi tutat sportive,
Të njëjtat etiketa do të shihni
Të brendeve shumëkombësh
Dhe, do të këndelleni që bota
Ju erdhi në përditshmërinë
E jetës suaj dinamike !
Ah, Milanoja dhe Parisi
Londra dhe Nju Jorku, ah !
Imazhet e tyre tashmë
Lehtësisht do t’ju përhihen !
Në daçi pyje dhe oksigjen,
Në male ngjituni, zotërinj.
Kur të përmalleni për diellin dhe jodin,
Rendni anëdetit…
Pushtetarë oligarkë
Të pandalshëm siç jeni dhe,
Të kriminalizuar,
Paratë tuaja peshojnë aq shumë
Sa mund të talleni
Haptazi dhe fyeshëm
Me këdo;
Me ligjin
Po se po !
Malet, nga ju janë kthyer
Në bokërima,
Detet në pellgje të pistë,
Ku pluskojnë plehrat e pambarimta.
Peshku që ta servirin në pjatancë
Përmban aq plastikë
Sa dhe karta e kreditit
Në xhepin tuaj…
Krahët gjigantë të vinçave,
Skicart e sapohedhura
Në sfond të reve,
Përmasat e sakta përcaktojnë
Në gjerësi dhe lartësi
Të kullave që po shfaqen
Dhunshëm
Për të zënë
Diellin në lindje
Dhe perëndim !
Por ku është vallë, ai vinç
Që do të na hedhë
Në një tjetër planet ?
2000
SHOKU KALLASHNIKOV
1997
I nderuari shoku Kallashnikov –
Kështu po të drejtohem, sepse e ndiej
Që nuk të shkon cilësori zotni –
Te ju, në Rusi , ashtu si edhe te ne,
Gjërat ndryshuan me shpejtësi
Qoftë për mirë , qoftë për keq…
E pra , shoku Kallashnikov,
Nëse i hipën avionit dhe zbret në Shqipëri
Të siguroj se do të pritesh me brohoritje ,
Do të përjetetosh çaste madhështore prej heroi
Pikërisht tani që s’e pret, në pleqërinë boshe,
Harruar tërësisht nga shteti dhe media,
Mbetur me një pension fyes, fare të vogël
Që s’të lejon asnjë lloj luksi,
Përveç një shisheje vodkë, që çuditërisht ,
Nuk markëtohet ende Vodka Kallashnikov .
Do të duken fatalisht të verbër njerëzit
Brohoritës,
Verbëri që rrezikon të përlajë edhe ty.
Por s’prish punë, s’prish asnjë punë,
Verbëria në Shqipëri
Eshtë institucion kombëtar
Prej kohësh…
E pra mund të vish tani , në Shqipëri
Veshur me kostum dosido, jashtë mode,
Ose me kapotë të gjatë e të ashpër ushtarake,
Pa grada;
Suksesi në çdo rast është i garantuar;
Një hije hollivudiane do të të zbresë në portret
Edhe pse vjen nga Rusia.
Krismat e armës tënde
Do të shpërthejnë në përshendetje;
Ngjajnë shumë ato
Me emrin tënd konfidencial shqiptar
Kallash
Kallash !
Kallash
Kallash ,
Emblema e ditës kallash,
Apokalipsi kallash!
Provo firmos pa krismën e tij,
Pa krismën e tij provo vendos !
Kallash
Kallash
I shembëm monumentet ne në Shqipëri
Njëlloj si ju, në Rusi , por sigurisht më egërsisht,
Dhe ,nuk u ngritën monumente të rinj.
Historia jonë nuk shkruhet ende,
Veçse çdo ditë bëhet e zhbëhet;
Dua të them në fund të fundit ,
Një monument për ty, kapter Nikov,
Fare mirë mund të ngrihet;
Ia kemi marrë dorën ne shqiptarët
Këtyre punëve…
Do të jetë një monument më i sigurt se ai
I Leninit,
Apo Stalinit;
Meriton më tepër se këta të shemburit.
Pastaj shqiptarët i repektojnë shumë
Shpikësit e mëdhenj të armëve…
Kallash
Kallash
Një ditë Shqipëria u gdhi me armë në çdo shtëpi,
Armën mitike , armën ligjvënëse.
Me të shkonin njerëzit në punë , me të në kafe,
Dhe në krevat;
Me të në bilardo, ku e përdornin si stekë…
Fëmijët me të loznin dhe argëtoheshin,
Me të vriteshin…
Ia mbërritëm të bëhemi lajmi i parë
Në të gjithë televizionet e botës,
E pra, ç’thua tani për një vizitë në Shqipëri
Shoku Aleksej Timofijeviç Kallashnikov ?
Po për ngritjen e monumentit tënd,
Ç’thua, Kapter Nikov ?
Nderin që s’ta bëjnë në vendin tënd,
Ndodh që ta bëjnë në një vend të huaj…
Veçse kujdes !
Ky monument,
Nuk duhet t’u ngjajë kurrsesi
Monumenteve të dikurshëm \
Të Leninit
Dhe Stalinit…
Apo , pikërisht atyre duhet t’u ngjajë
Ky monument ?
1997
MREKULLI TEKNOLOGJIKE
Nëse një ditë qëlloni me humor të mirë
Robotit mund t’i pozoni për t’ju
vizatuar portretin
Do t’ju bëjë euforik talenti i tij. kur
të shihni sesi ju ka
kapur në karakter, duke
iu theksuar një buzëqeshje
mirësie…
T’ardhmen tuaj, nëse doni ta dini
Një tjetër robot merrni në
dispozicionin tuaj;
Tregojini atij shkoqur dhe qartë se, kur
jeni lindur dhe ku, ç’profesion
ushtroni , ndonjë hobin tuaj, e ca
të tjera si këto…
Dhe, mos u trembni; e ardhmja juaj
nga goja e robotit , do të dalë
mrekullisht e lumtur…
Pastaj, një tjetër robot shtëpinë mund
t’jua ruajë,
Aq perfekt sa, edhe lidhjen me
policinë e bën vetë.
Nëse hajdutët iu mësyjnë brenda…
Fëmijët, madje, një robot mund t’i
ketë në përkujdesje; t’i veshë e t’i
mbathë, t’i ushqejë e t’i çojë në
banjë e, më pas t’i argëtojë…
Dhe, robotët s’kanë sindikata punëtorësh ,
S’bëjnë grevë dhe s’kërkojnë rritje
të herëpasherëshme page,
Së paku, tani për tani …
Po të dëshironi më tepër,
Një tjetër robot sexy doll gruan ua zëvendëson ;
Deri dhe me tipare të personalizuar mund ta porosisni;
bie fjala, që të ketë portretin e të dashurës suaj
t’ adhuruar, me të cilën je marrë vesh
më së miri që më parë…
Dhe, do të prekeni, si dikur romantikët ëndërrimtarë,
nga dhelet dhe besnikëria e të dashurës suaj
sexy doll, që ta zëvendëson përplot zell
e varacione erotikë atë,
atë të dashurën – njeri, që shpesh ,
e mbysin telashet…
Një tjetër ditë, gjithmonë, nëse jeni me
humor të mirë,
Roboti dhe vetë ju mund t’ju zëvendësojë…
1992
KETE MENGJES
Këtë mëngjes fushës rend mes barit të kositur;
Më pëlqen era e tij, madje më trondit.
Tutje qyteti me pallate të ngjeshur
Kompozim fluror është;
Qielli ndrit.
Shirave me ylberë dhe me bubullima,
Bleroi ky bar, gjithë vesë u rrit,
Tymrave helmues asfalteve të nxehtë,
S’jam sot dhe , mëngjesin thith.
Sa larg natyra nga jeta na iku,
Si mëkatar blerimin e vështroj tani.
Vargun cinik ndër dhëmbë bëlbëzoj:
Gjithçka po prish përbindëshi njeri …
1989
SHKUMBIN
Një libër me lirika për Shkumbinin
Poeti intimist shkroi gjithë mall.
Mbi ujë tashmë tek shtrij vështrimin,
Çdo valë që feks për mua është një varg.
Fusha ndanë zallit , male më tej,
Fshatra fshehur mjegullash diku…
Shkumbon Shkumbini;
Shelgjet brigjesh
Si shatërvanë derdhen, dridhen flu.
Ah, lumë përplot rima të stërkalta,
Që mugesh dimrit, pranverës qesh e ndrin.
Si rrjedha jote ,
Këngët rrjedhshin,
Shkumbin
Shkumbin …
1973
Komentet