VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

TI shpreh shqetësim për konflikt interesi në administratën Trump

By | January 27, 2017

Komentet

Express- Intervistë e Edward P. Joseph: Ideale që Asociacioni të negociohej në kuadër të marrëveshjes finale, ku Serbia njeh Kosovën

Eksperti dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe profesori amerikan i Universitetit  “Johns Hopkins SAIS” në Washington, Edward P. Joseph, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur më në detaje për disa prej çështjeve të mbuluara në Raportin e titulluar “Nga kriza në konvergjencë: një strategji për të trajtuar paqëndrueshmërinë në Ballkan në burimin e saj” dhe gjithashtu edhe për letrën që Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i ka dërguar ditë më parë kreut të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurtit.

Gazeta Express/ Intervistoi: Besnik Veliu

Lexo Edhe:

Edward P. Joseph e tregon pse është vendosur në raport propozimi për vendosjen e sanksioneve për ata që promovojnë bashkimin e Kosovës me Shqipëri dhe punën e emërimit të një emisari special amerikan për njohjen e Kosovës nga pesëshja mosnjohëse evropiane.

Gjithashtu profesori amerikan sqaron edhe konsatimin tjetër të raportit se Qeveria Kurti gjendet në mjegullnajë sa i përket orientimit gjeo-strategjik, duke përmendur këtu projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik.

Tutje, Edward P. Joseph në këtë intervistë flet edhe për mesazhet e letrës së Blinkenit për kryeministrin Kurti, vizitën e përmendur nga Kurti në Amerikë dhe për atë se çfarë duhet të ndodhë me marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe për çështjen e “Manastirit të Deçanit”.

Gazeta Express: Kur folët për sanksione, çfarë saktësisht deshët të thonit? Sepse, për shembull, nëse do të ketë sanksione për Kryeministrin Kurti nga ShBA-ja, ai do të duhej të jepte dorëheqje dhe kjo, me gjasë, do të shkaktonte një ngërç tjetër në procesin e dialogut.

Edward P. Joseph: Sanksionet e propozuara në raport janë të lidhura – qëllimisht dhe qartazi – me një zotim më të gjerë nga ShBA-ja për të arritur njohje të plotë ndërkombëtare për Republikën e Kosovës – jo për Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë ose të ngjashme. Pse duhet që ShBA-ja të caktojë një emisar të posaçëm për njohjen e Kosovës, mes hapave të tjerë në këtë drejtim, nëse Kosova është duke punuar që ta minojë konceptin për Kosovën, të cilin ShBA-ja dhe aleatët e saj e kanë për vendin?

Çështja është që njohja e Kosovës e nënkupton Kosovën si vend unik dhe funksional brenda kufijve të vet të tanishëm – jo në federatë ose konfederatë me Shqipërinë. As “Shqipëria e Madhe”, as “Serbia e Madhe” nuk janë në interesat e ShBA-së; kjo është kundër interesave të ShBA-së.

Kjo nuk është as në interesin e Kosovës. Për shembull, njohja nga Greqia do të mund të ishte transformuese për Kosovën dhe rajonin. Por është e qartë se Athina – si Uashingtoni – nuk sheh stabilitet që del nga ndonjë “bashkim” ose ndarje e Kosovës. Siç citojmë ne në raportin tonë në “Johns Hopkins SAIS-Wilson Center”, komentuesit grekë me ndikim presin një traktat mes Prishtinës dhe Athinës, që i përjashton aventurat e tilla.

Kërcënimi me sanksione është i rëndësishëm për të gjitha palët:

Për Prishtinën, që t’i kuptojë parimin dhe vizionin për Kosovën, të cilat e tërheqin përkrahjen e ShBA-së dhe të aleatëve.

Për Athinën dhe vendet e tjera, që nuk e njohin Kosovën, që të kuptojnë se zotimi i ShBA-së ka të bëjë me përkrahjen e sovranitetit të Kosovës – jo me përkrahjen e ëndrrave për bashkimin e popullit shqiptar.

Për Serbinë dhe për përkrahësit e saj në Rusi, Kinë dhe gjetiu, që të shohin se ShBA-ja ka një qasje strategjike, të mbështetur në bashkekzistencën demokratike dhe multietnike – pa i favorizuar ambiciet kombëtare shqiptare para ambicieve kombëtare serbe.

Gazeta Express: Raporti gjithashtu specifikon një paqartësi të Kurtit në lidhje me orientimin strategjik të Kosovës. Ju e përmendët çështjen e gazsjellësit të mbështetur nga ShBA-ja. Pra, nënkuptohet se çështja e gazsjellësit nuk është vetëm çështje “gypash”, siç ka thënë Kryeministri Kurti, por është çështje e orientimit strategjik, që do ta zmbrapste ndikimin rus në rajon.

Edward P. Joseph : Gazsjellësi Trans-Adriatik është pjesë e një strategjie më të gjerë për diversifikimin e burimeve të energjisë në rajon. Duke e marrë parasysh rrezikun e tanishëm të pushtimit rus të Ukrainës – ku Moska e përdor kërcënimin e tërthortë të ndërprerjes së furnizimit me energji për Evropën -, nevoja për diversifikim është e qartë. Kriza energjetike në Kosovë dhe rritja e çmimeve e bën rastin e Gazsjellësit Trans-Adriatik edhe më të logjikshëm. Ishte mirë që ministrja e Jashtme e Kosovës, Gërvalla, e diskutoi gazsjellësin, mes tjerash, në takimin e saj dje me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dendias. Ky takim ishte një shenjë tjetër e mirë për qasjen “konvergjente”, që ne e rekomandojmë në raportin tonë të “SAIS-Wilson Center”.

Gazeta Express: Sa kohë ju ka marrë ky raport në tërësi, a ka pasur ndonjë çështje për të cilën nuk jeni pajtuar me bashkautorët? Nëse po, për cilat çështje? Dhe a e keni dërguar këtë raport në adresa të rëndësishme të vendimmarrjes politike ndërkombëtare?


Edward P. Joseph:
Ky raport është rezultat i relfektimit të gjatë, të nisur nga unë në vjeshtën e vitit 2020 me zgjedhjen e parashikuar të Joe Bidenit president. Kam punuar në rajon dhe rreth rajonit gati që nga nisja e luftës në Bosnjë (kam arritur atje në gusht të vitit 1992, tre muaj pas fillimit të luftës). Kam shërbyer në të gjitha zonat e konfliktit gjatë luftërave në: Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoni Veriore. Gjithashtu kam shërbyer si zëvendësdrejtor i Misionit të OSBE-së në Kosovë, përfshirë vitin 2012. Unë e kam negociuar marrëveshjen për mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare serbe në Kosovë në maj të vitit 2012.

Siç shkruajmë ne në raport, përkeqësimi alarmues në rajon është “i vullnetshëm”. ShBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja e mbajnë përparësinë strategjike në tërë rajonin (ndryshe nga situata në Ukrainë). Është thjesht e pamundur për të kuptuar se tridhjetë vjet pas shpërthimit të luftës, përsëri flitet për luftën në Bosnjë e Hercegovinë, konfrontim në Kosovë dhe tensione të pashembullta në Mal të Zi.

Raporti e trajton pyetjen thelbësore: pse Ballkani është ende në një rrëmujë të tillë pas kaq shumë vjetëve dhe pas kaq shumë përpjekeve? Ne e identifikojmë burimin: paaftësia e Serbisë për ta pranuar rendin perëndimor. Ne e identifikojmë arsyen e kësaj paaftësie: leva që e mban Serbia mbi Kosovën – dhe ShBA-në e BE-në. Ne e identifikojmë zgjidhjen e kësaj gjendjeje: të gërryhet dhe përfundimisht të eliminohet leva serbe mbi Kosovën. Kjo bëhet përmes ndryshimit të pozicioneve të katër shteteve të NATO-s që nuk e njohin Kosovën: Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania. Ne përshkruajmë se si kjo mund të arrihet në një mënyrë shumë praktike, duke punuar kryesisht me Greqinë dhe kryesisht brenda NATO-s.

Gazeta Express: A keni pasur mundësi që ta lexoni letrën e Sekretarit Blinken për Kryeministrin Kurti dhe cilat janë konkluzionet tuaja për atë letër?

Edward P. Joseph :Po, e kam lexuar letrën dhe ajo është shumë e qartë: është një letër pozitive e përkrahëse nga Sekretari Blinken, me qëllim të përforcimit të përpjekjeve të dy diplomatëve të emëruar amerikanë, ambasadori Hovenier dhe emisari i posaçëm, Escobar. Sekretari Blinken po i cakton pritjet për bashkëpunim në çështje specifike të përmendura në letër. Letra është hartuar në mënyrë diplomatike.

Gazeta Express: Duke filluar nga fundi i vitit të kaluar, Kryeministri Kurti ka përmendur një vizitë të mundshme në ShBA. Herën e fundit kur Kurti foli për këtë vizitë të mundshme në Uashington, tha se ai mund të udhëtojë në kryeqytetin amerikan në fillim të vitit 2022. A e shihni këtë letër të Sekretarit Blinken si shenjë të “anulimit” të kësaj vizite të mundshme të Kryeministrit Kurti në Uashington? Dua të them, a shihni ndonjë arsye që Kurti ta vizitojë Uashingtonin pas asaj letre, që përmban gjithçka?

Edward P. Joseph : Kjo letër nuk ka lidhje të tillë me një vizitë dhe fjala “anulim” nuk duhet të përdoret në lidhje me këtë letër. Ajo i përfaqëson pritjet e ShBA-së për prioritete kyçe amerikane. Natyrisht, është çështje tjetër se a do të ndodhë kjo vizitë dhe në çfarë niveli. Vizita të tilla janë gjithmonë të lidhura me gjendjen e marrëdhënieve dhe me zhvillimet. Nuk ka dyshim që Uashingtoni është duke kërkuar progres për çështjet e përmendura në letër dhe kjo vërtet mund të jetë një faktor.

Gazeta Express: A besoni se Kryeministri Kurti do t’i përmbushë këto kërkesa të ShBA-së në letrën e Blinkenit, duke u bazuar në të kaluarën e Kurtit dhe në qëndrimet e aktivitetet politike të tij (Asociacioni i Komunave Serbe dhe Manastiri i Deçanit)?

Edward P. Joseph : Nuk do të parashikoj se çfarë do të bëjë Kryeministri Kurti. Mund të deklaroj se e shoh “Asociacionin/Komunitetin e Komunave me Shumicë Serbe” si çështje të ndarë nga Manastiri i Deçanit dhe vendimet e ndërlidhura juridike.

Kosova, ndryshe nga Serbia, është demokraci e kthyer në drejtimin e duhur, me respektim në rritje për sundimin e ligjit. Respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është një detyrim i hekurt për Kryeministrin Kurti – ose për cilindo kryeministër të Kosovës. “Asociacioni/Komuniteti” është një detyrim i një lloji tjetër; kjo është çështje politike e lidhur me një proces më të gjerë me Serbinë. Në mënyrë ideale, “Asociacioni/Komuniteti” do të negociohej si një çështje e statusit final, si pjesë e marrëveshjes në të cilën Beogradi e njeh Prishtinën. Vendosja e kësaj para statusit përfundimtar krijon ndërlikime në dialogun e udhëhequr nga BE-ja, ku Beogradi tashmë e ka përparësinë strategjike. (Beogradi është i kënaqur, nëse asgjë nuk ndodh në dialog, duke e lënë Kosovën në pozitën e tanishme të paqartë.)

Marrëdhëniet e komunitetit serb të Kosovës si bllok – dhe me Beogradin – janë drejtpërdrejt të lidhura me sovranitetin dhe funksionalitetin e brendshëm të Kosovës. Në të njëjtën kohë, Kosova zyrtarisht është e detyruar për “Asociacionin/Komunitetin”. ShBA-ja dhe BE-ja duhet të gjejnë mënyra për ta adresuar këtë sfidë negociuese. Në raportin tonë, ne e rekomandojmë avancimin e marrëdhënies së Kosovës me NATO-n, për shembull, duke e sjellë Kosovën në programin e NATO-s, “Partneritet për Paqe”, në mesin e hapave të tjerë. Kjo mund ta forcojë pozicionin e Kosovës, duke bërë të mundshëm ca progres për “Asociacionin/Komunitetin”, ndonëse bisedimet përfundimtare presin një marrëveshje finale./GazetaExpress/

Albin Kurti: Edhe formalisht u hap rruga për krijimin e Gjykatës Komerciale

Edhe formalisht u hap rruga për krijimin e Gjykatës Komerciale. Ishte ky zotim i yni zgjedhor, prioritet në programin qeveritar, që sot e mori epilogun nga Kuvendi i Republikës. I falenderoj të gjithë deputetët për votimin dhe diskutimet.

Shumë gjatë sektori privat është ballafaquar me sfida që kanë frenuar bizneset e tyre për shkak të mungesës së efikasitetit gjyqësor, procedurave të stërzgjatura për zgjidhjen e rasteve, ekspertizave profesionalisht jo të kënaqshme apo numrit të vogël të gjyqtarëve. Vetëm për tri vite (2018, 2019 dhe 2020), në Departamentin për Çështje Ekonomike janë hapur 2260 konteste mes bizneseve, nga të cilat 15 raste kanë vlerë mbi 1 milion euro secila.

Ligji për Gjykatën Komerciale krijon mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare, me qëllim që të drejtat e bizneseve të fituara nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare dhe administrative të realizohen pa vonesa, duke lehtësuar kësisoj shfrytëzimin e kapitalit. Ligji siguron lirinë e sipërmarrjes, barazinë e palëve, të drejtën e pronës dhe zbatimin e kontratave, në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Po ashtu, ndërton besimin e investitorëve, duke përfshirë mërgatën tonë, dhe i hap rrugë zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës.

Departamenti Ekonomik i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka operuar me kapacitete mjaft të kufizuara, me ç’rast mesatarja e zgjidhjes së vetëm një rasti të natyrës ekonomike merrte 4 deri në 5 vite kohë.

Themelimi i Gjykatës Komerciale do të përmirësojë gjendjen përmes aktgjykimeve meritore për zgjidhje përfundimtare të rasteve nga gjyqtarët, numri i të cilëve do të rritet konsiderueshëm, nga vetëm 5 sa kanë qenë deri tash. Mbi 3.000 raste qysh në fillim do të jenë subjekt shqyrtimi i kësaj Gjykate, që do të ketë juridiksion edhe për rastet përmbarimore, duke zgjidhur afërsisht 500 raste të kësaj natyre në vit.

Ky ligj do të ketë ndikim ekonomik tejet pozitiv në vendin tonë. Lehtësohet tërheqja e investimeve të jashtme, duke na bërë kredibilë, seriozë dhe të përkushtuar për drejtësi dhe të drejtën, drejt zhvillimit ekonomik. Ligji për Gjykatën Komerciale i shërben shtetit të së drejtës si parakusht të zhvillimit ekonomik. fb

SHBA dërgon në Ukrainë “ndihmë vdekjeprurëse” ushtarake

Kontigjenti me ndihma ushtarake që SHBA dërgoi në Ukrainë.

RFE/RL

Rreth 90 tonë të “ndihmës vdekjeprurëse” të Shteteve të Bashkuara ka arritur në Ukrainë, teksa tensionet janë të larta për shkak të grumbullimit të ushtrisë ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.

Kjo ishte dërgesa e parë e pakos së ndihmës të miratuar së fundmi nga ushtria amerikane për Ukrainën, ku përfshihen edhe municione për “mbrojtësit në vijën e parë” të frontit.

Kjo dërgesë arriti në Ukrainë pas vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Kiev gjatë kësaj jave, nga ku ai paralajmëroi për përgjigje të ashpër nëse Rusia pushton Ukrainën, raporton BBC.

Moska ka mohuar se ka plane për ta sulmuar apo pushtuar Ukrainën.

Presidenti amerikan Joe Biden, në dhjetor miratoi një pako të ndihmës së sigurisë në vlerë prej 200 milionë dollarësh.

Ambasada amerikane në Kiev tha se kjo dërgesë dëshmon “angazhimin e vendosur të SHBA-së ndaj të drejtës sovrane të Ukrainës për vetëmbrojtje”.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë të tillë për Forcat e Armatosura të Ukrainës në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të mbrojtur sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin territorial kundër agresionit rus”, tha Ambasada amerikane përmes një postimi në Facebook.

Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov, falënderoi SHBA-në për ndihmën.

Dërgesa me ndihma arriti disa orë pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologu i tij amerikan, Blinken zhvilluan bisedime në përpjekje për të ulur mundësitë e zgjerimit të konfliktit në Ukrainë.

Më 2014, Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë aleanca ushtarake e NATO-s ka paralajmëruar se ka rrezik real për një konflikt të ri në Evropë, pasi Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufi me Ukrainën.

Teksa sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Berlin, më 20 janar, për një rreth tjetër bisedimesh me aleatët evropianë, disa fotografi satelitore, të realizuara më 19 janar, shfaqin një grumbullim të madh ushtarak rus dhe manovra të forcave të Rusisë pranë kufirit me Ukrainën, teksa shumë njerëz druajnë se ky është prelud i një pushtimi. (Përgatiti: Trim Haliti)

Moska mohon se po planifikon ta pushtojë Ukrainën, por presidenti rus Vladimir Putin, ka prezantuar kërkesa për Perëndimin, që sipas tij, kanë të bëjnë me shqetësimet për sigurinë e Rusisë, përfshirë edhe kërkesën që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO.

Putin po ashtu dëshiron që NATO të mos zhvillojë stërvitje ushtarake dhe të ndalojë së dërguari armë në lindje të Evropës, duke i parë këto veprime si kërcënim direkt për sigurinë e Rusisë.

Presidenti Biden, konsultime me ekipin e sigurisë kombëtare lidhur me krizën mbi Ukrainën

Voronezh, Russia 2022.

Presidenti amerikan Joe Biden do të diskutojë gjatë fundjavës me këshilltarët e sigurisë kombëtare për hapat e ardhshëm lidhur me krizën mbi Ukrainën, ndërsa një takim mes Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov përfundoi pa marrëveshje. Kjo çështje vazhdon të jetë një nga më shqetësueset për Uashingtonin.

Presidenti Biden ka shkuar në Camp David, një vendpushim presidencial në shtetin e Merilendit ku do të kalojë fundjavën duke diskutuar me këshilltarët e sigurisë kombëtare, për të përcaktuar hapat e ardhshëm për krizën mbi Ukrainën.

Sekretarja e shtypit, Jen Psaki tha se Presidenti Joe Biden do të takohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për të diskutuar se “cilat do të jenë hapat e ardhshëm të duhur”.

“Ne do të formulojmë me shkrim shqetësimet serioze që ne dhe aleatët dhe partnerët e tjerë kemi në lidhje me veprimet e Rusisë, si dhe idetë se si mund të forcojmë ndjenjën e sigurisë tek njëri-tjetri në të ardhmen. Ka disa hapa që mund të ndërmarrim të gjithë ne, përfshirë Rusinë që po diskutohen, për të rritur transparencën, për të ulur rrezikun, për të avancuar kontrollin e armëve, për të ndërtuar besimin”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Frika për një sulm të mundshëm rus ndaj Ukrainës është e madhe, ndërsa takimi prej 90 minutash mes Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe Ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov përfundoi pa marrëveshje.

Si zoti Blinken dhe zoti Lavrov ranë dakord të vazhdojnë të bisedojnë.

Sekretari Blinken i tha homologut të tij rus se SHBA-ja do t’i jepte Rusisë përgjigje me shkrim ndaj propozimeve të Moskës javën e ardhshme dhe sugjeroi që të dy do të takoheshin përsëri.

Pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë infromacion se përgjigjet nga Uashingtoni do të ishin ndryshe nga refuzimet e qarta të shprehura tashmë nga aleatët e tij. Perëndimi tashmë ka hedhur poshtë kërkesën e Rusisë për të ofruar garanci se Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO.

Henry Hale, profesor i shkencave politike në Universitetin “George Washington”, i tha Zërit të Amerikës se vendimi për sulmin ndaj Ukrainës është në dorë të një personi, presidentit rus Vladimir Putin.

“Problemi i madh është se ne nuk e dimë realisht se çfarë dëshiron zoti Putin. Natyra e sistemit politik të Rusisë është e tillë që edhe ministri i jashtëm i Rusisë mund të mos e dijë se çfarë është ajo që ai përfaqëson në të vërtetë.”

Të shtunën në Kiev ka mbërritur dërgesa e parë e ndihmave ushtarake amerikane, pjesë e një pakete mbështetjeje prej 200 milionë dollarë. Më shumë se 100 mijë trupa ruse janë grumbulluara në kufi me Ukrainën.

Rusia mohon të ketë plane për një ofensivë të re ushtarake, por ka thënë se mund të ndërmarrë veprime të papërcaktuara ushtarake nëse Perëndimi nuk bie dakord me kërkesat e saj. VOA

‘6 marsi’- Berisha: Votoni në primare, le t’ia kthejmë shpinën Lul Kimikut

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, konfirmoi nga Mirdita se do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme më 6 mars.

Ai ftoi qytetarët që të marrin pjesë në votimet për kandidatët. Sipas tij, primaret janë një praktikë amerikane.

“Kemi vendosur që në këto 6 bashki të marrim pjesë në zgjedhje. Do caktojë qytetari për kandidaturat, jo Sali Berisha dhe të tjerët. Do bëhen zgjedhje në struktura, do jeni ju që do caktoni.

Meqë jemi në prag të këtyre primareve, që janë praktikë e mirëfilltë e lirisë së SHBA, ku votat e anëtarëve dhe qytetarëve përcakton kandidatin dhe jo ai që do kryetari apo kryesia,.

I ftoj të gjithë të marrin pjesë në votime dhe t’i kthejnë shpinën Lul Kimikut. I ftoj deputetët të vijnë te ju, se ju i keni votuar ata. Nuk i ka votuar Lul Kimiku. Ai mund t’u ketë marrë, e keni vetë parasysh ju,” tha Berisha. syri.net

Berisha: Dosja ‘Nick Muzin’ e Bashës në SHBA nuk do mbyllet kurrë

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, tha në Foltoren e Mirditës se Lulzim Bashës i është bërë presion nga SHBA me anë të dosjes së ‘Nick Muzin’.

Por ai tha se kjo aferë nuk mbyllet kurrë.

“Dosja Nick Muzin është një nga dosjet me historinë më kriminale në lobim. Ai ka bërë transferta të dënueshme me ligjet shqiptare dhe amerikane.

Atij në Shqipëri ia mbylli Edi Rama procesin. Në SHBA, kur prokuroria shqiptare kërkoi dosjen e Nick Muzin dhe dëshminë e tij, i cili ishte një person i ngatërruar në histori të tjera.

Dosja erdhi dhe Lulzim Brava u thirr dhe iu dha: me këtë dosje këtu dënohesh të paktën 12 vite, por akoma më rëndë mund të dënohesh atje. Zgjidh e merr. Ose largo Sali Berishën, ose dorëzo veten tënde.

Natyrisht pranoi të parën. Por a e zgjidhi problemin? Nuk e zgjidhi.

Zonja arriti një marrëveshje me peng-Bashën. Por SHBA është vend i lirisë dhe ajo aferë nuk mbyllet kurrë. Do e ndjekë gjithë jetën e tij,” tha Berisha.

“Nuk ka asgjë personale në këtë betejë. Unë i dal zot vetes dhe dinjitetit tim. Por po luftoj me ju për të rikthyer lirinë dhe sovranitetin,” shtoi ai. syri.net

Berisha: Përfaqësuesit e SHBA janë bërë si përfaqësuesit e Ramës

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, duke folur nga Mirdita, tha se është e habitshme se si Departamenti i Shtetit bën raporte me qëndrime shumë të ashpra, por këto qëndrime nuk reflektohen nga përfaqësuesit e SHBA në Tiranë.

Ai tha se në raportet e DASH, Shqipëria cilësohte si qendër operacionale e trafiqeve dhe krimit, por në Tiranë nuk thuhet asgjë për këtë.

“Si ka mundësi që këto deklarata nuk përkthehen në deklarata të përfaqësuesve diplomatikë në Tiranë?

Kujtoni për një moment, Shqipëria është sot ngjitur në vendin e dytë në botë për ryshfetin.

Ballkani i Hapur është vendosje e hegjemonisë serbe në rajon dhe pa dyshim kjo është influencë ruse në rajon. Brukseli dhe DASH dolën kundër. Por përfaqësuesit e SHBA e lavdërojnë sikur janë përfaqësuesit e Edi Ramës,” tha Berisha. syri.net

Berisha i drejton një pyetje Mark Markut: Ndjej dhimbje për këtë sjellje

Nga Foltorja e Mirditës, Sali Berisha i drejtoi një pyetje ish-deputetit të kësaj zone, Mark Markut, që mori votën e këtyre qytetarëve dhe u tall më pas me mandatin e tyre.

“Kur u caktua Mark Marku për deputet, e prita mirë pasi tetë vite qëndroi kundër Edi Ramës nëpër studio.

A mund ta marrë kush vesh tani Mark Markun?

Mark Marku bëri një diskutim shumë të mirë në Kuvendin e PD-së në qershor. Bëri gabim të madh që dha dorëheqjen në mënyrë enigmatike. Nuk erdhi te ju para se ta bënte këtë.

Tani, le ta pyesim së bashku zotin Marku: Mirë në Kuvendin e qershorit i the të gjitha ato, por për atë Kuvendin me 1954-shin pse nuk thua gjë? Je bërë një avokat i Lul Bravës? Çfarë të shtyn ty si pedagog dhe intelektual të bësh avokatinë e një njeriu, i cili atyre që të nderuan ty dhe të dhanë mandatin, u hedh helm, gaz, bomba shurdhuese dhe u thotë se 1954 vota janë 5004 vota?

Ky qëndrim është akt-akuza më e rëndë që i bën vetes tënde. Unë vlerësoj çdo kundërshtar që më del, por ndjej dhimbje të madhe kur njeriu sillet në këtë mënyrë ndaj vetes së tij,” tha Berisha. syri.net

Berisha i përgjigjet Ramës e Erdoganit: Vëllazërinë e kemi brenda vetes

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, foli nga Mirdita edhe në lidhje me vizitën e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.

Vetë Berisha e bojkotoi fjalimin e Erdogan në Kuvend, për shkak të ndërhyrjeve që ka bërë ai në proceset zgjedhore në Shqipëri.

Nga Mirdita, Berisha tha se Rama po sjell influencat e rrezikshme në vendin tonë, e megjithatë përfaqësuesit diplomatikë amerikanë në vend nuk po reagojnë.

Në mënyrë direkte, Berisha iu përgjigj Erdogan që foli për rregullat e vëllazërisë, kur kërkoi përndjekjen e organizatës FETO në Shqipëri.

“Erdogan tha në parlament se në vëllazëri ka rregulla. Në doktrinën islame është koncepti i vëllazërisë dhe jo i kombit. Por ne nuk e kemi pranuar këtë.

Sepse gjak shqiptar kanë katolikët e Mirditës, ortodoksët e Korçës. Unë isha fëmijë dhe festonim të gjithë festat fetare.

Vëllazërinë e kemi brenda vetes ne. Të tjerët i kemi miq,” tha Berisha. syri.net

Berisha: Lul Brava qëndron pas aferës së ‘5 Majit’ dhe Portit të Durrësit

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha solli shembuj të asaj që e quajti pseudopluralizëm.

“Edvin Kristaq Rama, ky bastard i bllokmenëve po e mbron pengun e tij me gardistë dhe hordhitë e narkopolicisë.

Në çdo vend qeveritë bëjnë gabime dhe korrupsion, por është qeveria ajo që qëndron në anën e qytetarëve.

Çfarë po shohim këto tre muaj? Atë që nuk e kemi parë kurrë në jetën tonë. Këto tre muaj po shohim se si po u rrafshohen shtëpitë njerëzve që e kanë ndërtuar me djersën e ballit, për të ndërtuar pallate bota e krimit, e bashkuar me Pallat Kapllanin e Lul Bravës. A mund të ndodhë kjo kund?

Pse është mynxyrë pseudopluralizmi? 800 mijë metra katrorë në Portin kryesor të Durrësit, duan të ndërtojnë pallate, një arab i falimentuar në shumë vende të tjera, me Edi Ramën dhe Lulzim Bravën.

Kush kërkon të na e shesë ne për pluralizëm Lulzim Bravën, Lulzim Bunkerin, Lulzim Kimikun? Çfarë lidhje kanë këta me lirinë e shqiptarëve?

Ne duhet të shporrim sa më parë nga pushteti këtë bandë dhe klikë kriminale.

Ne jemi sot në një moment kritik dhe kyç. Ose do i themi lirisë, liri, ose ne do rrokullisemi në honet e historisë dhe ky vend do boshatiset çdo muaj, çdo vit më shumë. Do konsolidohet narkoshteti,” tha Berisha. syri.net

Kurti në Prekaz: Kulla e Jasharajve, një margaritar i historisë sonë të lavdishme dhe të dhimbshme

Kryeministri Albin Kurti bashkë me disa ministra e deputetë të Vetëvendosjes sot ka bërë homazhe në Prekaz, me rastin e përvjetorit të 24-të të sulmit të dytë ndaj familjes Jashari, raporton Express.

Duke folur para mediave, Kurti tha se do të shikojnë edhe se si janë duke u bërë ndërhyrjet emergjente në Kullën e Jasharajve.

“Sot me rastin e 24 vjetorit të sulmit mbi Jasharajt në 22 janarin e vitit 1998 erdhëm që të bëjmë homazhe tek varret e tyre dhe njëkohësisht më pas të shikojmë se si janë duke u bërë ndërhyrjet emergjente në Kullën e Jasharajve, si janë duke u bërë ato shtrëngimet fillestare në mënyrë që kjo ndërtesë të mos degradohet dhe të mbrohet”, tha Kurti.

Tutje, i pari i Qeverisë tha se e kemi obligim që këtë objekt ta mirëmbajmë sepse është margaritar i historisë sonë të lavdishme dhe të dhimbshme.

“E kemi obligim institucional dhe kombëtar e shoqërorë që këtë objekt të historisë së veçantë të Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi ta mirëmbajmë, sepse është një margaritar i historisë sonë të lavdishme dhe njëkohësisht të dhimbshme“, tha Kurti.

Biden: Reagim i ashpër ndaj çdo lëvizjeje të trupave ruse në Ukrainë

Presidenti Joe Biden u përpoq të sqarojë keqkuptimet rreth komenteve të tij se “një ndërhyrje e vogël” nga Rusia në Ukraninë, do të merrte një përgjigje më të reduktuar. Ai tha se ia ka bërë shumë të qartë Presidentit rus Vladimir Putin, se çdo lëvizje e trupave ruse përtej kufirit, do të trajtohet si një pushtim, e do të pëballej me pasoja të rënda. Korrespondentja e ‘Zërit të Amerikës’ Cindy Saine, njofton.

Në një kohë kur Ukraina po përgatitet për një pushtim të mundshëm rus, Presidenti Joe Biden tha të enjten se homologu i tij rus, Vladimir Putin, është plotësisht i vetëdijshëm për pasojat.

Kam qenë absolutisht i qartë me Presidentin Putin dhe për të nuk ka asnjë mëdyshje. Nëse qoftë dhe një njësi (ushtarake) ruse kalon kufirin dhe hyn në Ukrainë, do të konsiderohej si pushtim e do të përballej me një përgjigje të ashpër e të koordinuar ekonomike, e diskutuar në detaje me aleatët tanë, si dhe e paraqitur shumë qartë për Presidentin Putin”.

Presidenti Biden ngriti shumë pikëpyetje gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, kur tha se një “inkursion i vogël” rus në Ukrainë mund të shkaktonte debat mes aleatëve të NATO-s mbi mënyrën se si duhet të përgjigjeshin. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, reagoi në Twitter ndaj komentit të Presidentit Biden, duke thënë se “nuk ka kombe të vogla dhe as inkursione të vogla”.

Michael Kimmage i Fondit gjerman ‘Marshall’ i tha ‘Zërit të Amerikës’ se ai nuk e konsideron komentin spontan të Presidentit Biden si të dëmshëm, pasi sipas tij mesazhi i përgjithshëm i udhëheqësit amerikan për Presidentin Putin, ka qenë shumë i qartë.

Mendoj se ajo që Presidenti Biden po përpiqej të thoshte, është se do të ketë një përgjigje të kalibruar në raport me ashpërsinë e çdo lëvizjeje nga ana e Rusisë, çka mendoj se është e logjikshme”, thotë ai.

Në Berlin, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë dhe gjatë një fjalimi të mbajtur të enjten ai theksoi rreziqet e larta që paraqet një pushtim i mundshëm rus .

Diplomati i lartë amerikan tha se një pushtim rus do të shkelte parimet e mbajtura prej kohësh të sovranitetit dhe integritetit territorial, duke shkaktuar një luftë të madhe në Evropë, që ka të ngjarë të shkaktonte me dhjetëra mijëra viktima.

Të lejosh Rusinë të shkelë këto parime pa u ndëshkuar, do të na fuste të gjithëve në kohëra shumë më të rrezikshme e të paqëndrueshme, si atëherë kur ky kontinent dhe ky qytet ishte i ndarë në dysh, e patrullohej nga ushtarë nën kërcënimin e një lufte të furishme që qëndronte mbi kokat e të gjithëve. Do të dërgonte gjithashtu një mesazh për mbarë botën, se këto parime janë të pavlera e mund të sakrifikohen. Kjo do të kishte rezultate katastrofike”, tha ai.

Në një kohë kur Perëndimi ka hedhur poshtë kërkesën e Rusisë për të ofruar garanci se Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO, analistët thonë se ka shumë çështje sigurie për t’u diskutuar.

Ka disa gjëra që nuk janë në tavolinë, por ka disa gjëra si dislokimi i raketave në Evropë, si stërvitjet ushtarake nga të dyja palët, si dislokimet e raketave nga NATO ashtu dhe Rusia, stërvitjet ushtarake nga NATO, dhe nga Rusia, këto janë çështje që mund të diskutohen. Dhe nëse Presidenti Putin dëshiron të ulet, të kërkojë një zgjidhje jo të dhunshme, këto janë në tavolinë”, thotë William Taylor, i Institutit amerikan për Paqe.

Rusia publikoi pamje filmike të forcave të saj ushtarake duke kryer stërvitje pranë kufirit me Ukrainën. Ekspertët thonë se Moska ka të ngjarë të pendohet nëse e pushton këtë vend, pasi ajo mund të kthehej në një luftë të gjatë e të kushtueshme.


Send this to a friend