Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka bërë me dije se Serbia e ka dënuar me 55 mijë dinarë, për shkak se vendosi flamurin shqiptar në ditën e Pavarësisë në selinë e partisë së tij, Alternativa për Ndryshim, dega Bujanoc.
Arifi shprehet se ky vendim është pjesë e kolazhit diskriminues dhe shkeljeve të drejtave sistematike individuale, kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ai shton se ndërsa Kosova është në fazën finale për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shqiptarëve të Luginës së Preshevës i mohohen të drejtat elementare njerëzore siç është vendosja e flamurit kombëtar.
Postimi i plot:
Deri kur?
55.000 dinarë dënim për vendosjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar 🇦🇱
Sot kam pranuar dënimin prej 55.000 dinarë nga Gjykata për Kundërvajtje në Vranjë lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar në selinë e Alternativës për Ndryshim — dega Bujanoc, me rastin e festës së 28 nëntorit, ditës së Flamurit.
Gjykata në fjalë ka nxjerrur AKTVENDIM lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar në selinë e partisë tonë në Bujanoc, me ç’rast ky dënim përbëhet prej 5000 dinarëve ndaj mua si person përgjegjës në pozitën e kryetarit të partisë “Alternativa për Ndryshim”, ndërkaq 50.000 dinarë për subjektin politik që kam drejtuar deri në shkurt të këtij viti, kur është datuar edhe ky aktvendim.
Ky aktvendim është pjesë e kolazhit diskriminues dhe shkeljeve të drejtave sistematike individuale, kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Derisa përgatitjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë në fazën finale për themelimin e ashtuquajturës “Asociacioni i komunave me shumicë serbe — Zajednica” me kompetenca të plota ekzekutive, shqiptarëve në Luginën e Preshevës i mohohen të drejtat elementare njerëzore siç është vendosja flamurit kombëtar.
Hapat e regresit të drejtave e minoritetit shqiptar në Serbi kanë një funksion divergjence me të drejtat e minoriteve serbe në Republikën e Kosovës.
Sa më shumë të drejta për serbet në Kosovë aq më pak të drejta për shqiptarët në Serbi. Deri kur? Panorama
Rinia rilindi shpresën
Së fundmi kanë nisur protestat e të rinjëve e që po vazhdojnë të nxisin fjalë, reagime, veprime në shumë drejtime. Kanë ngrohur e po ngrohin qeniet tona që ka kohë që i ka pushtuar plogështia e shoqëruar me ngrica dhe acar. Reshat Kripa e ndjen këtë ngrohtësi nga zjarri i ndezur i revoltës së sotme duke kujtuar vrullet e kohës së rinisë së brezit të tij me fjalët që bashkojnë breza e gjenerata të tëra shqiptare: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” Paolo Coelho thotë diku se një luftëtar drite nxit veten dhe të tjerët për të vepruar. Shumë gjëra janë thënë, përpjekje janë bërë e po bëhen, gjurmë e shenja kanë mbetur e do mbesin, shumëçka është shkruar e po shkruhet për rolin e moshës së mesme që duket të jetë ura që qëndron mes brigjeve të fëmijërisë e pleqërisë. Kimete Berisha derisa shkruan për protesën e sotme në Tiranë, përmend edhe protestat tona të këtej gardhit. Dhe lutet për një njeri që nga traktori u hidhte lakra e i këshillonte ta mbanin shpirtin edhe me to. Dhe na bije ndër mend se një pjesë e mirë e jetës sonë na ka shkuar edhe protestave. Ato që si fëmijë i mbajmë mend që nga viti 1989 e edhe pas vitit 1999 s’kanë reshtur organizimet, grevat, protestat për të pagjeturit e të pakthyerit e luftës, pastaj kundër ndarjes së urës mbi Ibër, kundër marrëveshjeve e planeve të hapura a të fshehura, kundër privatizimeve e lloj-lloj padrejtësie që na erdhi na të huajt a nga tanët, a nga kombinim strukturash e klanesh. E gati gjithëherë të pakënaqur me rezultatet. “O, vend gërmadhash, në ty shembej çdo gjë, /ç’dhembje nuk shprehe, ç’dhembje nuk të vërshen!”, janë vargje të poezisë “Këngë e dëshpëruar” të Pablo Nerudës. Dhe kthehemi te studentët që duan dhe po mundohen të mos i lënë të korruptuarit (o)pozitarë e të gjitha krahëve qofshin të mos infiltrohen. Këtë drojë e shfaqi edhe Shinasi Rama në një shkrim të tij duke paralajmëruar studentët se beteja nuk është aspak e lehtë dhe partitë e sotme për të ruajtur pushtetin që e ndrrojnë me rotacion do të bëjnë ç’është e mundur që këtë pakënaqësi ta fusin qorrsokaqeve, dhe do të ishte ogur i mirë sikur kjo protestë të shpiente kah rrugëzgjidhjet e drejta e të vërteta në dobi të shtetit e kombit shqiptar. Diku tjetër, në një faqe të dikurshme të gazetës “Çlirimi” shohim poezinë me titullin “Apel” të François Hirsch që fillon: “Rini, /Juaja fuqi kujt mund t’i vyejë/Nëse mëmëdheu loton/E zemrën tuaj peshë s’e çon”, dhe poezia vazhdon t’i drejtohet rinisë të jetë e pakompromis në luftën kundër padrejtësive e tiranisë. Ndërsa në një intervistë Hysamedin Feraj thotë se protesta s’është partiake por është politike kurse partitë janë antipolitike e të përpiqemi dhe të urojmë në suksesin e studentëve që vendin tonë nga të pajetueshëm t’ia kthejmë jetën e mirëqenien, përfundon Feraj. Nuk po dijmë çka të marrim nga poezia e Rexhep Hoxhës:”Rinia, ajo e diellit”, megjithatë po shkoqisim këtë strofë:
“M’bie n’mend rinia e Skënderbeut,/Ajo që në zemër ka plot guxim;/Ajo që t’zezat i zhbin prej dheut,/Ajo që t’drejtën ka për parim./”Dhe po vëmë dhe ca fjalë të Lazër Shantos që i pamë: “Nji zemër studentit sot qi nuk asht e zoja për sakrificë, o do të thahet o do të pelsasë”. Kjo shpresë që rilindi na bëftë që të hyjmë në një vit të mbarë. Protesta kumbon, protesta vazhdon…