VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Thesi bosh – Tregim nga VIRON KONA

By | August 10, 2018

Komentet

Telat me thepa nën hanë – Poezi nga MARTIN CAMAJ

S’mund ta harroj hanën mbi krye

kur ishte nji rrotull e rrezikshme

hekuri së kuqun. Preksha eshtnat

e shpatullave të mia, të ngurta

e trimnohesha.

Telat me thepa, kufini i botës:

përtej njerzija ishte e veshun

e pa tundime në shpirt,

këndej na lákur para njani tjetrit.

Npër parzmat e hollë tejshiheshin

përmbrencat; për të parën herë diktova

se edhe zemrat ishin ngjyra-ngjyra.

Hana ecte kadalë mbi krye:

astronomët rreth telash e vrejshin

me turbi të gjata në dorë.

Si e njofta Martin Camajn – Nga At Daniel Gjeçaj

Të parën herë e takova në Rrogam të Thethit në gusht të vjetit 1948, kur unë bashkohesha me çetën e komitëve kundra komunizmit të Enver Hoxhës. Jetojshin me krye në gërshanë, tue pritë çdo ditë dekën. Kishin nevojë për një atë shpirtnuer. Ma propozuen këtë detyrë mue, që e shifshe mirëfilli se së shpejti do të pësojshe fatin e sivëllazënve, të pushkatuem te zalli i Kirit. Si mora lejen prej të parëve, e bekimin prej Tringës, pranova e u bashkova me ta, me mendimin se kisha për të kalue një kohë të gjatë maleve e pyjeve, tue krye një detyrë, të cilën në kohë normale, nuk kisha mujtë as me e përfëtyrue. Profesori-kaçak; Frati-komitë. Do të më duhej me çue meshë shpellave, me i prî rruzares pyjeve, tue e ndërpré tash e parë për shkak të rrezikut të rrethimit; me rrëfye njerëz të ngrimë në armë, me kungue djelmoça, që bâheshin gati për jetën tjetër, me vojue të varruem për dekë në lule të moshës. Grupi, të cilit i shtohesha unë, përbahej prej 36 vetëve, ndër të cilët shumica të armatosun, të kryesuem prej Nikë Sokolit e kapidan Gjon Destanishës.

Flejshim ndër ledina, buzë vijave të ujit, gjithnjë me roje, ditë-natë. Ushqeheshim, në rasën ma të mirën, me bukë e djathë, që na e bijshin malësorët. Unë ndeja pak, vetëm katër dit, për shkak të rrethanave që u krijuen. Po të tjerët jetuen kështu mâ se katër vjet e, si më diftojshnin, mërrijtën me hangër deri pluhun sharre në vend të bukës, që shpesh edhe u mungoi, sepse kush e binte, e bânte ketë me rrezik kreje, e jo vetëm për veti. Rrezikonte me u zhdukë prej faqes së dheut me fis e me farë.

Grupit të vogël të kapidan Gjon Destanishës i përkiste Martini, një djalë krejt i rí, ish-student i gimnazit-licé të jezuitëve të Shkodrës e aspirant apostolin i të bijve të Shën Injacit. I temalas me fis, mësues ndër fshate të Veriut mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës e prandej edhe të shkollave e të seminareve të Françeskanëve e të Jezuitëve, Martini kishte rá në lidhje me kapidan Gjon Destanishën e me të nipin e tij Lazër Palin, të cilët tashmâ kishin katër vjet që jetojshin në mal, pa iu dorëzue komunizmit. Ndoq këta, pra edhe kur këta dy vendosën me u bashkue me çetën e Nikë Sokolit, i cili kishte mbledhë rreth vetit, përposë shokëve të vet të padám, Zef Zogun e Shpend Sadikun e edhe bajraktarin e Shalës, Prelë Markun, kryetarin e djelmnisë së Shalës, Sadik Markun me vëllá, Marash Kolën, Vat Marashin prej Shoshit etj. Martini ishte i vetmi që kishte pregatitje shkollore të mesme. Sadoqë i ri, këtij i silleshin për çkado lypte njohunia ditunore. Nuk ishte fort i gojës e prejsé ndodhej në një shoqní të panjoftun, ku s’gjente shokët e vet as të krahit të vet, rrinte mâ fort i vetmuem e plot mendime. Mbante krahin e Gjon Destanishës, të cilin e kishte ndjekë në arratí. Me mue nuk njihej, prandaj as me u shoqnue fort, s’shoqnohej. Kishte mâ të shkuem me fra Pashkun, i cili në grup paraqiste Savonarolën në gojë e Shën Gjon Kapestranin në luftë për lirí. Si françeskan ky kishte për armë vetëm kryqin e rruzaren të bâme me një spagë të gjatë me aq neje, sa janë shêjet e kokrrave të uratëve. Kishte grupin e vet të uratëve dhe me ta mblidhej për gjithë nadje e mbramje e lutej. Martini, megjithësé i edukuem ndër jezuit, rrallë e gati kurr merrte pjesë me grupin e uratës. Duket se koha e shkurtë e mësuesisë ndër male, e kishte ndërrue diametralisht jetën e të riut në drejtimin e fesë. Gjithnjë Martini s’ishte as kje kurr anmik i deklaruem i katoliçizmit as i moralit kristian.

Në diskutimin, që u çil në ditë të para të malit se a duhej të sulmoheshin apo jo autoritetet komanduese të komunistave në Dukagjin, Martini ndoq përherë mendimin e Gjon Destanishës që mos të damtohej populli me akisione të tilla të pamjaftueshme për me trandë qeverinë e kuqe të Tiranës. Lajme të vazhdueshme, që na vijshin se qeveria e Enver Hoxhës pregatiste forcat speciale të sigurimit për të na rrethue, e shterngojshin grupin me marrë vendimin e premë për kalimin në Jugosllavi.

U çuem më një anë të errët, përpara se të delte hana. Rruga, e pa rrugë, kalonte nëpër pyllë, gjithkund në të përpjetë. Në fillim s’shihej kurrgja; mbrapa sytë mësoheshin me dallue ndonjë send. Për né, të pamësuem në mal, ishte me ecë në terr të verbët, mâ tepër tue prekë me dorë e me shkop, se sa tue pâ se ku po vejshim kambën. Gjithnjë ata të malit, koçakët me përvojë të gjatë, na përcillshin e na drejtojshin pak a shumë të kapun dora-dorës. Dikur, ndoshta dy orë para mjesnatet, nisi me dalë hana si qêthë, përherë e ma e shndritshme. Majet e maleve të thepisuna e të bardha, shkamb i gjallë, dukeshin në tanë madhninë e vet kristaline, si të veshuna me argjend. Hijet e luginave e shpatet në kapt bâheshin ma të dêta e qitshnin në pahj trajtat e relievet një mijë formash me një sfond qiellet tejet të kaltër, ku hyjt zbeheshin në dritë, sa mâ fort çohej hana në udhëtim të vet.

Kalojshim nëpër shtigje e brija, nëpër rrgalla e zallina, nëpër shkambij e qeta ku vetëm dhitë e egra gjejnë banim e kullosë. Mbajshim, simbas porosisë së luftarëve të lirisë, të cilët malin e kishin shtëpinë e vet, anët nën hije. Qellimi ishte që të mos shiheshim prej rojeve të cilat mund të gjindeshin ndër maje e qafa të kufinit. Aq mâ fort porositeshim na, të pamësuemët në mal, mos të rrëzojshim gur as mos shkaktojshim dyndje zallit, që mujte me bâ zhurmë; zhurmë e cila, në qetësinë e natës e në jehonën e shkëmbit, zmadhohet e bâhet ushtimë orteku. Dikur, mbas orëve të rrugës të parrugë, herë shkambijve, herë zallit, herë thik në teposhtë e herë thik në të përpjetë, ku kamba doras, ku tue u mbajt për rrajça çetinash të thyeme prej boret e ortigjeve, u kapëm në qafën e kufinit, simbas udhëzimeve që na epshin mâ të mësuemët në bjeshkët e kësaj krahine. Një shteg i parrahun, por që të bânte me kalue prej njanës anë, në faqe tjetër të malit, në të cilën mujte njeriu me u kacavjerrë në teposhtë, tue u përshkue nëpër një zall të imtë, të formuem ndër shekuj prej grimcimit të shkambijve gëlqerorë nga bora e akulli, që në atë naltësí s’mungojshin gati kurr. Sigurisht s’ishte koha me vrojtë bukuritë, as veçantitët përherë tërhjekëse të maleve tona të vrashta e përherë të virgjra. Po të bâjshin aq shumë për vedi, sa me harrue ku ishe, prej kah ishe nisë e ku po shkojshe me mbarue. Ishte një çast takimi me bukurinë, me naltësitë. Martini mâ vonë i thadroi në art këto çaste tmerrësisht madhështore. Fryt i këtij takimi me hanën, rrethue prej telash ferrc, asht poezia “Telat me thepa nën hanë”, e cila ndoshta-ndoshta nuk kishte për t’u kuptue si duhet, pa këtë kornizë:

S’mund ta harroj hanën mbi krye

kur ishte nji rrotull e rrezikshme

hekuri së kuqun. Preksha eshtnat

e shpatullave të mia, të ngurta

e trimnohesha.

Telat me thepa, kufini i botës:

përtej njerzija ishte e veshun

e pa tundime në shpirt,

këndej na lákur para njani tjetrit.

Npër parzmat e hollë tejshiheshin

përmbrencat; për të parën herë diktova

se edhe zemrat ishin ngjyra-ngjyra.

Hana ecte kadalë mbi krye:

astronomët rreth telash e vrejshin

me turbi të gjata në dorë.

Këtë mendonte atë çast poeti, ndërsá kujdesi i atyne që na përcjellshin e na drejtojshin ishte frika e takimit me roje të kufinit, për të cilat s’kishim njoftësí as se sa ishin, as me ç’mjete luftarake ishin të pajisun. Ndoshta edhe ata kishin turbi të gjata të dorë. Për me pá hyjt. E me i vrá!

Gjithnjë na ishim pregatitë për ndeshje me armë. Po thom na, edhe pse shumica jonë ishte e parmatosun e ndër né kishte grá e vajza (tri grá e dy vajza). Të armatosunt me pushkë, mitraloza e bomba doret ishin jo mâ shumë se 10. Sigurisht për zemër, përvojë e trimní vlejshin mâ tepër se një batalion ushtarësh. S’dojshim me rá në pushkë, mbasi qellimi ynë ishte me kalue në Jugosllaví e prej andej – mendofshim na gabimisht – me nisë kryengritjen, të ndihmuem prej jugosllavëve të Titos, kundra komunizmit enverian, me të cilin Titoja ishte prishë pak kohë përpara. Na sa po i afroheshim vijës së kufinit, ku rreziku mërrinte kulmin, njani prej miqve të mi mâ të ngushtë m’u afrue e më tha me zâ të ultë në vesh: “Pater, mos kij frikë, në kjoftë se na kapin, fishekun e parë e kam për ty! E di se nuk mundesh me mbytë vedin se je meshtár; ashtu si e di se bâ me të kapë, kanë me të shkye kortár-kortár. Mâ mirë plumbi em, Pater, se në pastë pasë ndonjë herë plumbi i dekës mbrendë dashtëni, njëky emi sigurisht ka mâ fort dashtëní se dekë.”

E ndërsa isha ndërmjet plumbit të kuqve e të mikut, tashmâ e kishim kalue kufinin, tue hy në një tokë, ku s’na priste liria, por të gjitha të zezat.

Pal Dukagjini

Romë, qershor 2002

 

Kur të vish – Poezi nga Neki Lulaj

Do ja sjellësh një det gazi vatrës
Një fllad pranveror zemra do të nxjerrë.
Ah, kjo sëmundje të lëkundi si shkuma e valës
Mbi gozhdën e dashurisë
Sërish ujëvara  e fjalëve të ëmbla do të rrjedhë…

Ti po i ikën larg, larg dhimbjes e morfiumit
Do të na kthesh si ylber  buzagazin e humbur.
Merri aromë luleve më shumë se parfumi
Të zhduken ofshamat e heshtjes gozhdëngulur..

Do të vish ëmbëltore në odë dhe me pak  zhurmë
Jo si nga Saharaja orientale me sypërgjumur.
Të presin brigjet, dete e zogjtë nga degët e trungut
T’u sjellësh gjallëri, se nuk je lulekuqe  e këputur.

Ky fat i zi u këput nga retë si shkëmb i lartë
Ty të solli dhimbje e ne na dha shumë të liga.
Do ta bëjmë një meshë për betejën e gjatë
Të të bekojë me përrenj pastërtia e bamirësia..

Mos ërsërit fjalën gëzim dhjetra herë
gjej fjalë të reja gjuhëshqipja ka shumë të tillë

Më 9 korrik 1957 lindi Ardian Klosi, publicist, përkthyes, opinionist dhe aktivist shqiptar

Ardian Klosi (Tiranë, 9 korrik 1957 – 26 prill 2012) ishte publicist, përkthyes, opinionist dhe aktivist shqiptar.

Biografia

Ardian Klosi u lind në Tiranë më 9 korrik 1957, i biri i Bilbil Klosit dhe Jolanda Xhuvanit[2][3]. U diplomua në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në vitin 1981 me një tezë mbi përkthimin e Dickens dhe Thackeray. Prej 1981 deri më 1986 punoi si redaktor dhe përkthyes pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, duke përkthyer autorë si Th. Mann, S. Zweig, H. Böll, M. Twain etj. Prej 1986 deri më 1990 studioi Gjermanistikë dhe Letërsi të Krahasuar pranë universitetit të Innsbruck në Austri. Doktoroi me temën “Miti dhe zhvillimi i tij në Letërsinë Moderne të vendeve të Evropës Jug-Lindore”. Nga viti 1993-1998 ka qëndruar në Gjermani. Në vitin 1998 u rikthye në Shqipëri ku u emërua nga qeveria socialiste si Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar.

Qysh nga 2004 drejtoi shoqatën kulturore gjermano-shqiptare “Robert Schwartz”[1].

Ardian Klosi i dha fund jetës së tij më 26 prill 2012.

Vepra
Në shqip

“Refleksione” (bashkëautor Edi Rama), 1991↵”Shqipëria zgjim i dhunshëm”, 1991 ↵”Quo vadis Shqipëri”, 1993 ↵”Shqipëria ç’mund të jetë”, 1997 ↵”Robert Schwartz ose dritaret e qytetit tim”, 2007

Në gjermanisht

“Mbijetesë shqiptare”, 1993 (fotot Jutta Benzenberg)↵”Fjalor Gjermanisht-Shqip”, 1997 (me W. Fiedler)

Përkthime

Solli mjeshtërisht në shqip përmbledhjen e plotë të veprës së Franc Kafkës në prozë të shkurtër, si dhe veprën “Kështjella”, duke i përkthyer nga gjermanishtja pas një pune të gjatë. “Me syrin e një klouni”, nga Heinrich Böll↵”Adami dhe Evelina”, nga Ingo Schulze↵”I humburi”, nga Hans Ulrich Treichel↵”101 poezi dashurie”, nga Bertolt Brecht↵”Dasmë qyteti”, nga Bertolt Brecht↵”Baal”, nga Bertolt Brecht↵”Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit”, nga Peter Weiss↵”Skënderbeu”, nga Oliver Jens Schmitt↵”Arberia Venedike”, nga Oliver Jens Schmitt↵”Vizita e damës plakë” nga Friedrich Dürrenmatt↵”Ali Tepelena”, nga François Pouqueville↵”Udhëtim dimri”, nga Wilhelm Müller↵”Hija e Erës”, nga Carlos Ruiz Zafon.

Burime

^ a b Ardian Klosi, uebersetzercolloquium.de Archived 3 March 2016 at the Wayback Machine..
^ Ilnica E., Arsyet pse Ardian Klosi vrau veten (…) – flet Kozara Kati, panorama.com.al, 3 maj, 2012.
^ Një pyetje për Jolandën, Gazeta Shqip, 18 nëntor, 2014.

Ismail Kadare për Hyllin e Dritës: Martin Camaj është një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar

H. D. – A e keni njohtë Martin Camajn dhe çfarë marrëdhëniesh keni pas me të? Çfarë ideje keni për krijimtarinë e tij letrare?

I. K. – Kam pasur fatin ta takoj për herë të parë Martin Camajn, në tetor të vitit 1981, në Frankfurt. Pas mbarimit të një konference shtypi, m”u afrua një burrë i pashëm, i cili, pasi më foli shqip, tha emrin e vet: Martin Camaj. E njihja, pa dyshim, nëpërmjet revistës “Shejzat” të Koliqit dhe atij iu bë qejfi që ia thashë këtë. Biseduam një copë herë në këmbë, midis zhurmimít të zakonshëm te një mjedisi të tillë. Pas vendosjes sime në Paris, një mik i përbashkët gjerman, Werner Daum, që kishte qenë diplomat në Tiranë, më solli të falat e Martin Camajt, si dhe dëshirën e tij për t’u takuar përsëri, në kushte fare të tjera tani. Për fat, sapo kisha lexuar dy novelat e tij të gjata “Rrungajat e marsit” dhe “Pishtarët e natës”, të cilat më kishin pëlqyer mjaft dhe Werner Daum më tha se ishte i lumtur t`ia njoftonte këtë gjë Camajt, baslıkë me kënaqësinë time për t’iu përgjigjur ftesës së tij. E lamë takimin pas disa javësh,’ngaqë do të ndodhesha në Munih, ku ai banonte, në një forum ndërkombëtar shkrimtarësh. Isha i ftuar për drekë në shtëpinë e tij bashkë me Daum-in. E prisja me padurim këtë takim, kur vetëm disa ditë përpara tij, erdhi lajmi i pikëllueshëm se Martin Camaj nuk ishte më i kësaj bote.

Eshtë një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë.

Kadare, interviste me ” Hylli i Dritès”

 

ARBËRIT HOMERIK – Poezi nga ATDHE GECI

Vullkan i fjetur është Çamëria
Gjuhën Greqia na e ka burgosur
Shtëpitë-shkollë e bëjnë punën e
tyre, grupe Ipesh zihen mes vete
Koha për Çamërinë ka ardhur
Gjuha në luftë është këngëtari,
Liria udhët i ka tepër të shtrenjta
Atdheu kërkon, Epiri të çlirohet.
Greqisë borxhi ndaj shqiptarëve
po i shtohet, për krimet e bëra
ndaj çamëve dhe ndaj arvanitëve
zëri çamit jo homazh, kryengritje!
Lufta e shtëpisë kundër shtëpisë,
për çamë e arvanitët është e huaj
liria s ́ikën nga Arta dhe Morea
tek kjo tokë shqipet jemi të parët
Dashuria për liri fillon tek zemra
iku koha kur pushtimi bënte fatin
Çamëri, arbëresha jonë homerike
në mbështetje e ke tërë atdheun.
Atdhe Geci – Sarandë, 2016

RRËFIMI I NJË TË PENDUARI – Poemë nga FASLLI HALITI

 

                                                       

 

Unë një labirint piramide,

Katakombi

Një lesh e li

Një turbullirë

Hapësirë plot moçale

Lartësi gjithë vakuume

Shirit me gjysma fjalësh

Kasetë

Me gjysma bisedash

Me gjysma polemikash

Debatesh

Copëza këngësh

Tingujsh

Melodish

Liqen plot cektësira

Pa kaltërsi

Pyll

Pa lisa

Plot shkurre

Plot trungje shtrembakë

Pa zogj pa bilbila

Pa lauresha

Plot derra,

Ujqër,

Pa dhelpra

 

***

 

Unë

Jam një film fragmentar

Plot të këputura copë copë

Plot poza të djegura

Flu

Një arë

Me grurë të blertë breshke

Me kalli pa kokrra…

Kokëpërpjetë

Djerrinë

Plot gjembaçë

Plot driza dhe ferra

Unë

Mbjell

Nuk korr

Miellin e sit

Brumi vjen i kulluar

Unë s’e gatuaj s’e pjek

Shtëpinë e lë fare pa bukë

Librin e lë pa lexuar gjer në fund…

Filmin s’e ndjek

Gjer në end, fine, telos, kanjec

Fjalët e tekstit nuk i marr vesh

Nuk i kuptoj

Melodinë nuk e riprodhoj

Refrenin e mërmëris me vete

Dëshiroj shumë

Por pa arritje

Shtroj problemet

S’i zgjidh saktësisht

X y z më dalin me mbetje

Me përqindje

Në fund

Në ushtrimet algjebrike mbrëmjeve bëj minuse

Me qëllimin furbesk

Që t’i bëj pluse

Në mëngjes

Edhe rimat s’i qëlloj

Asonancat e mia janë anemike

Ngjyrat të përzjera llaҫ kobalt, pink

Krijoj njolla

Si trazirë ylberi mbi asfalt

Jam indiferent ndaj halleve të kujtdo

Vëmendja ime nuk u vë veshin telasheve të njerëzve…

Mendja bën fluturime nëpër qiejtë nëpër retë

Syri im

Sheh qimen

Në syrin e tjetrit

Nuk sheh trarin në syrin e vet

 

***

 

Unë

Një automatik difektoz

Fishekët  më dalin të pazbrazur

Unë

Një orë e çakërdisur

Herë shkoj para

Herë prapa

Herë

S’punoj fare

Më mërzitet koha e mërzitur

Ndaj e lë të ikë si pelë e azdisur

 

 

***

Unë

Tren

Pa trenistë

Dal nga shinat

Çaj mes baltrave

S’i duroj dot shinat

Më mërzitin paralelet

Të cilat s’takohen kurrë

Kujtesa ime një usb boshe

Kompjuter me plot mishmash

Me një stivë mbresash imcake

Me cirkovolucione të përgjumura

Tru smirëzi

Dhëmbë

Ҫatallë smeril

Hakmarrës i serta

I cili nuk fshihen dot

Me gomën e pendesës

Idhnak intolerant ekstremist i marrë

Vadis gjembaçin shkul zambakun e bardhë

 

***

 

Pështyj

Dhe lëpij të pështyrat

Fshij pikën e vesës në fytyrën e tjetrit

Lë pështymën e tjetrit në faqen time

Unë përtyp qelbësira të vjetra e të reja

Ha turpin me bukë,

Me bukë bajate

Pi në burim

Turbulluar

Nga unë

Vetë

Vdekjet

S’më hidhërojnë

Lindjet s’më gëzojnë

Nuk vete për ngushëllim

Në vakira s’qaj

Nuk vajtoj

Në dasma

Nuk këndoj

Mbaj vetëm iso

Nuk kërcej nukvallëzoj…

 

***

 

Ha dhe  mbetem i uritur

Pi dhe mbetem i etur

Si Tantali

Suksesi

I tjetërit

Më pikëllon

Më vret veshin

Pres me padurim

Dështimet falimentimet

Afishimet mbi xam: «Dyqani mbyllet!»

Flas  vetëm për të djeshmen

Për të sotmen heshtje

Goja

Kyҫur

Të ardhme

Të nesërmes

S ’ia vë fare veshin

Më mbetet koka duke pas

Rri me sy

Nga e djeshmja

Më pushton nostalgjia

Dashuria

S’më

Prek fare

Errësira më qetëson

Drita më vret sytë më verbon

Shoh si lakuriqi me veshë dëgjoj me sy

Akullin dhe avullin i kam miq

Me ujin jam në mëri në gjak

Unë digjem nga etja

Ai s’ma shuan

Buzën

S’ma lag

 

***

 

Unë

Hidrofob i tërbuar

Unë u thur himne torfës

Kënetave me ujë verdhanë

Selekëve të mbuluar me fier

Kallamave me idile puhish fine

Ujin e poshtëroj

Laj këmbët

Laj rrobat me njolla vaji të zi

Shaj lumin që shuan etjen e blerimit…

I marr lirinë ajrit dhe erës

I burgos në bombola

Në goma makinash

Shaj Oqeanet

S’i shoh dot

Gjërësitë, gjatësitë, thellësitë e tyre përpirëse

Pellggjeve u përkulem me reverancë

Rrëkeve iu mbaj ison pa tinguj

Laj sytë me sklepa burimeve

Kafshimi më ngop

Puthja e buzëve

Vishnjë qershi

Neveri

Tres

Vesën

Për plumba

Shes ndërgjegjen

Pa më vrarë ndërgjegjja

Tall

Trimërinë

Përkëdhel frikën

Dashuria më hap krahët me dashuri

Unë e përqafoj me urrejtje

Kuash më bëri

Mua kështu:

Unë s’jam krijues

Mua më bëri dikush

Po kush më bëri

Ju,

Jeta.

Shoqëria…

 

Apo më krijoi vetë Zoti, Perëndia…?

 

 

1996 – 2017

Prapafshehësi i gjithkahnajës! (Paralele…) – Esé nga REX KASUMAJ

Berlin, korrik 2020

 

1.
Në Faunën e Amerikës paskësh jetuar herët një krijesë e rrallë. Natyrisht, ajo do të popullonte vetëm fantazinë njerëzore. Porse a nuk pleksen shpesh mite, legjendë e jetë bashkë?

Ishte i Prapafshehuri dhe cilësohej kështu, sepse fshihej prapa gjithçkaje. Ky do t’ketë qenë shkaku (thotë i përnderti Mjeshtër i “Qenieve imagjinare”), që, megjithëse ngarkohej me vrasje, s’e përshkruante dot askush…

2.
Rilexoja këto radhë të Borges-it (n’rithurje të lirshme), e n’beft m’vinte një aluzion i trishtë: fryma krahasimore me Prapafshehësin e një bote dhe kohe tjetër, t’vonë e të largët.

Paralelja i ngjante një blasfeme. Por erdhi e paftuar. Dhe pa uruar behjen e saj. Kjenë një babël dëftejzash, të pamëshirë si mallkimi, që e prirën atë.

Ndërsa Prapafshehësi i amerëve s’kje veçse një trill fantast – ky i Visit verior të Arbërit dhe dyzimi i tij në Iliridë, është krejt real e shumëkrerësh. E pra, nëse bëmat e Pararendësit janë supozuar vetëm në përrallat dimnore pranë votrës së kuqëlimtë – këto të Pasvajtësit, me kurm e frymë njeriu, janë të prekshme ditë e natë. Pastaj, duke truar Orën e tij, Prapafshehësin e Faunës thuhet t’a kenë fajsuar për mbytje e përlarje druvarësh. E rëndë e dridhmuese, po, fundja, ç’ishte ai para Reinkarnantit të shumëzuar tokësor që godet e përlanë – jo druvarë të shkretë, por një popull të tërë?!

Dhe, ndryshe nga Legjendari, ky i Këndejmi e i Patretshmi i organizuar si kartelë përfekte, ka dhe një veçanësi tjetër misterioze: asnjëri nuk bën t’kqyrë a zhbirojë punët e tij të errta.

Hakmarrja e Shërbëtorisë për gabimtarin e gjorë që do provonte, është e rrufeshme. Dorëkeqen e tij pranë çdo pjerrine, nuk arrin t’a shohë kurrëkush. Kudo që venë mundimtarë të turmës, ai do t’gjendet tinëzisht prapa krahëve të tyre. I gjurmon, heton, përgjon, sehiron e rrëzon…

3.
Po kushedi. Një ditë edhe Zotat bien. Sipas kallzimeve të moçme, një palë janë shndërruar në gurë që vuajnë vetminë, ankthin e natës dhe mallkimin e valëve të tërbuara brigjeve të Siçilisë.

Mirëpo me Perënditë-Prapafshehsa të miljeut tonë është një grimë më ndryshe. Ata janë të shumtë si korbat e stuhisë dhe, ndaj, sado gjatësore të jenë grykëderdhjet e lumenjëve a të ndonjë l’kéni vogëlak, ngurtësimi i tyre do t’ndalonte ujërat. Fushat do thaheshin, vegjetacioni, lulet, gjallimi vetë.

Ndoshta, që këtej, nga Qielli do të zbresë një Urdhër i ri ogurmirë: të tejformohen në Derra, por të tillë që nuk kushtojnë mbajtjen, sepse do i përkisnin njëj lloji që hanë xyfshëm njëri-tjetrin. Pa seanca të përshpirtjes e pa pikëllim. Ngadalë e harrueshëm, ndjekur nga dhimbja që ndjen vetëm zemra dhe britma që dëgjojnë vetëm veshët e tyre. T’bërë shpuzë nga dëshirimi për t’u kthyer në trajtën e vjetër, tashmë të ftohtë e t’mbaruar, si ftyra e vdekjes..!

R. K.

ORËT QË KURDISEN NGA BLERIMI – Cikël poetik nga Federiko GARSIA LORKA (1898-1936) – Shqipëroi Mustafa V. SPAHIU

 

 

BARDHËSI UJI

 

 

VISORE

 

Nëpër ujin e zi

drunjtë janë shtrirë,

lule shqerrja

dhe lulëkuqet.

 

Udhës së vdekur

vijnë tre qe.

 

Nëpër ajër

bilbili,

zemër trungu.

 

 

DRITHËRIM

 

Në kujtimin tim do ta kisha

në kujtesën e argjendtë

gurin e vesës.

 

Në fushë pa breg

liqenin e dritës,

grykën e burimit.

 

 

 

LAKORJA

 

Me zambak në dorë

po të lë,

dashuria ime e natës!

Dhe, vejushën e yjeve të mij,

të takojë ty.

 

Zbutësin e fluturave

të errëta!

Eci rrugës time.

Do më shohish mua

pas një mijë vjetëve,

dashuria ime e natës!

 

Shtegut kaltërosh,

zbutësi yjeve

të errësirës,

rrugën do vazhdoj,

derisa Gjithësia bëhet

e tëra në zemrën time.

 

 

KOSHERJA

 

Jetojmë në hojet

e bilurta,

në kosheret e ajërit!

puthemi nëpër

bilur.

Errësira e mrekullueshme

dyert e të cilit

janë hëna!

VERIU

 

Nëpër rrugët

të yjeve të ftohtë.

 

Njerëzit venë, andej–këndej,

maleve tym.

Nën agimin e përjetshëm

kasollat ofkëllojnë.

 

Nga sëpatat

e rënda

si ubla boshe

jehojnë

maleve dhe luginave.

Nga sëpatë

e rënd!

 

 

 

LINDJA

 

Shkalla e amësimit

e zbret

Jugun

(në tubim të madh).

 

 

 

 

JUGU

 

Jugu,

magjia,

nga tejshikimi.

 

S’ka rëndësi të thuash

ylli ose portokalli,

lumi ose qielli.

 

Oh, shigjetë,

shigjetë!

Jugu

urdhëro:

shigjeta e artë,

pa goditje, me erë.

 

 

 

 

PERËNDIMI

 

Shkalla e hënës

kacavaret përpjetë

Veriut

(kromatike).

 

 

KËNGA

Canción

 

Sikur ta dëgjoja oleandrin

me zërin e shpërndarë,

dashuri, çka do të jepja?

Ofkëllova unë.

 

Sikur do ta shihja se të thërret

dritë e shkyqur flakë,

dashuri, çka do të jepja?

Mendove në bregun e detit!

 

Kur ty do të thoja njëherë

– të dua! – nëpër ullinjishte

dashuri, çdo të bëja atëherë?

Të plagosi me thikë, dije!

 

 

 

 

NATA

Suitë për piano dhe ndijim zëri

 

 

VIZATIM

 

Kjo udhë

pa frymë të gjalla…

Udhë kjo.

 

Ky bulkth

pa vatër…

Ky cinxër.

 

Dhe kjo këmborë

tashmë heshtake…

Kjo këmborë.

 

 

PRELUD

 

Kau

kapakët e syve mbyll

dalëngadalëzë…

(Ngrohtësia qëndron)

Prelud nate

është ky.

 

 

 

 

 

 

CEP QIELLI

 

Ylli

i vjetër

mbyll sytë e turbulluar.

 

Ylli

i ri

ka dëshirë hijen

ta kaltërson.

 

(Bukureza rrushemë

nëpër bregun e pishave.)

 

 

 

TËRSIRA

 

Dora e zefirit

miklon fytyrën e hapësirës

njëherë

po edhe njëherë.

 

Yjet i ngrejnë

kapelat e kaltërta

njëherë

po edhe njëherë.

 

 

 

 

 

 

YLLI

 

Një yll urtak

pa qepalla të syve.

– Ku është?

– Ylli

në ujin e fjetur

të kënetës.

 

 

LOZONJARJA

 

Rruga e shën Jagës.

(Oh, netët e dashurisë sime,

kur ishte “fota” e shkruar,

e vizatuar,

e vizatuar

në lulen e limonit.)

 

 

 

 

NJË

 

Ky yll romantik

(për manjola,

Për trëndafila.

Ky trëndafil romantik

marroset.

Din, don,

din, dan.

(Bretkosë, këndo,

prej kasollës tënde

të errët.)

 

 

NËNA

 

Arusha e Madhe

i mëkon yjet e vet

hardhitur:

hunguron se,

hunguron.

Yllyllushka vajzushka, pikoni,

yllushka delikate.

 

 

KUJTIM

 

Zonja Llunë s’degëzohet.

Me rrotë ka lozur

Dhe vetë shaka u bë

Lluna mendjelehtë.

 

 

BUJTINË

 

E – yjet mjeranë,

ata tashmë janë shkyqur,

çfarë dhimbë,

çfarë dhimbë

dhe mjerim!

Të braktisur

në kaltërsinë e turbulltë.

 

Çfarë dhimbë,

çfarë dhimbë

dhe mjerim!

 

 

KOMETË

 

Në Sirijus

ka fëmijë.

 

YLLI I DRITËS

 

Hapu he, sezam

i ditës.

Mbyllu he, sezam

i natës.

 

POSHTË

 

Hapësirë yllynjore

shkëlqen me tinguj.

Lozja spektrale,

harfa e lavirintit.

TRISHTIM I MADH

 

S’mund të shkohesh

në det.

Shikimet të thyhen

si kërcejtë e dritës.

Nata mbi tokë.

 

 

 

 

MAL I ORËVE

 

 

MAL I ORËVE

 

Hyra në mal

të orëve.

 

Gjethet prej tik-takeve,

rrënjët prej këmborëve

dhe nën orën e shumëfishtë,

shetitëse asteroide.

 

Zambakët e zinj

orët mortore,

zambakët e zinj

as sa orë e gjallë.

Të gjithë njësoj!

E-ari dashurisë!

 

Ka një orë vetmuar,

orë tepër e vetmuar!

Orë akulli!

 

 

SHKORRET

 

Depërtim

nëpër orën mortore.

Sakaq duke vdekur

dhe puthjet e fundit.

Orë e rënd që ëndërroj

këmbora përlotur.

 

Orë me qyqe.

I ndryshkur ylli

dhe plim i stërmadh

fluturash të verdha.

Në mes të gajushave

e psherëtimës

jehonin

organot

që i kisha si fëmijë.

 

Këndejza kalo,

zemër!

Këndejza,

zemër!

 

 

 

SHIKIM PËRGJITHËSUES

 

I tërë mali i parehatshëm

sa gjigande merimanga

që thurr pezhishkën tingëlluese

të shpresës,

së gjorës vajzë bardhoshe

një vajzë bardhoshake

që zhuritet dhe shikon plagët!

 

 

 

 

 

 

AI

 

Sfinga e vërtetë

është orë.

 

Edipi do lindi nga ninëzat.

Mjalton

Veriu me pasqyrë

e Juga

me mace.

Zonja Llunë është Hylli i dritës.

 

(Truall pa shije.)

 

Orët na sjellin

dimra.

 

(Dallëndyshet priftëresha

verën e shpërngulin.)

 

Zbardhëllimë ka

bunacës së orëve.

 

 

KY PËRMBYTET ËNDRRA

 

Lakuriqët po linden

nga rrethi qiellor.

E taroçat i ekzaminojnë

të merakosur.

 

Kur do të zhduket muzgu

për të gjitha orët?

Kur të gjithë

shfaqen prapa maleve?

 

 

 

JEHONA ORËS

 

E hetova ku më

është hapur koha:

prehjeje qetësimi,

qetësia

e bardhë.

 

Unazë e tmershme aty ku

u përplasën yjtë

me dymbëdhjetë numra të zinj

të cilët rrin pezull.

 

 

NË E PARË PERSIAS DHE KREDHEM

 

Kohësia e ka

ngjyrën e mugët

të errësirës së qetë.

 

Mbi hënën pesëmbëdhjetë

në mesnatë

amshueshmëria është ndalur.

Dhe kohësia përgjithmonë

në kullën e vet bënë gjumë.

Të gjithëve neve

ora na mashtron.

 

Kohësia e horizonteve

tashmë na zotëron.

 

 

 

 

 

 

ORA SFINGË

 

Në kopshtin tënd lulëzojnë

yjet e mallkuar.

Lindemi nën brirat e tu

dhe vdesim.

 

Orët e acarta!

I mbulon me çati të gurtë

fluturat lirike

dhe, në kaltërsi rri,

i pret

dhe i shkurton krahët.

 

Një… dy… tre.

Ora se ndalë tik-takun në mal.

 

Qetësi

e përmbushi me spinëra,

kurse shetitësja artë

e bartte fytyrën time

me ajër.

 

Ora se ndalë tik-takun në mal!

Orët e xhepave

si luzmë mizash

enden lart e poshtë!

 

Ora praruar

e sime gjyshe

në zemrën time punonte.

 

 

ÇDO KËNGË

 

Çdo këngë është

moçal i qetë

i dashurisë.

 

Secili yllush është

llogaçe heshtake

e kohës.

Nyje

e kohës.

 

E çdo psherëtimë

hurdhë heshtimi

thirmë!

PORTRET QENI – Tregim nga Konstandin Dhamo

 

Po, po, portret qeni, fotografia e të cilit gjendet e afishuar në këto ditë të lume, në tërë lagjen time , mbi shtyllat e llambave , mbi muret e pallateve , por ja , edhe mbi xhamat masivë të një kafeneje, pronari i së cilës, e ka lejuar të zonjën e brengosur të qenit të humbur, ta ngjisë aty, ngaqë e ka klienten e tij të rregullt.

O, por qenkësh një qenushe ! Ja : qenushja që shihni në foto quhet Xheni / Ka humbur më 09/ 08/ …Lutemi , kush e gjen të telefonojë në numrin 069 37…. Për Klodi S. / Shpërblimi do të jtë i konsiderueshëm…

Fotoja me ngjyra të zbehta e qenushes bardhoshe Xheni, me ata sytë e pikëlluar, gati më të qarë, dhe me atë fjongon rozë si prej çupëline, e lidhur papijon sipër, të prek thekshëm tek e sheh! Dhe, si të mos harrosh se, përballë ke gjithsesi një kafshëzë të humbur e jo një fëmijë, fryt të njeriut !

Epo sot, kjo përkatësi e secilës specie , së paku midis kafshëve shtepiake dhe vetë njerëzve, sikur s’para ndihet kushedi se çfarë…

Jo më kot, Klodi S. komunikonte me Xhenin përmes referencave humane: kujdes Xhen, të ka nëna shpirt / Xhen, eja nën’…

Por Xheni e dëborta, ç’e ka atë foton ashtu ?A thua e ka parandjerë humbjen e afërt, kur i pozoi nënës, për atë setin e fotografive me fjongon e re mbi krye ?

Melankolike Xheni e si në të qarë !

Edhe mimika e njëmendtë e një njeriu nuk do të shprehte më shumë emocione  sesa Xheni e mençur !

Lutemi Lutemi / numri i cel . 069 …

Tashmë , pale nga vërtitet rrugëve Xheni e drobitur, ashtu duke kuisur ! A thua të ketë rënë ndërkohë në dorën e ndokujt që e ka ndjellur tinëzisht , e asqë i vete ndër mend t’ia kthejë zonjës së tronditur ? E pse jo ?

Por mundet gjithashtu, që Xheni shpresëhumbur , t’i jetë vënë pas dikujt , që e ka perceptuar instinktivisht, pa u gabuar , si të sjellshëm dhe kafshëdashës dhe , duke iu spërdredhur nëpër këmbë plot kërcime lodërtare e përkëdhelëse, t’i ketë kërkuar prindërimin ?

Lutemi …

Por qentë, a vazhdojnë të jenë besnikë ndaj të zotit, apo më së fundmi edhe ata , pas mijëra vitësh bashkëjetesë të pandarë miqësore me njerëzit, e kanë humbur virtytin sublim të besnikërisë ?

Jo jo , s’ka mbërritur e keqja  deri aty, por Xheni , vogëlushja e brishtë dhe e frikësuar sa më s’ka, për më tepër , duke u ndier e braktisur, ç’të bënte, të vdiste urie ?

Ç’thoni ? Ajo është mësuar të hajë , veçse gjatë vakteve të rregullt, ushqim të zgjedhur, është edukuar të defekojë në vendin e caktuar, të lahet e të parfumoset, të vaksinohet periodikisht , të flerë në shtroje të buta e të ngrohta , të marrë mësime po se po …

Lutemi Lutemi…

Të zonjës nuk i shket tëposhtë në fyt kafja e mëngjesit , ajo e mesditës ca më ligsht;  iu prish rutina motivuese dhe, orët e mbetura bosh e nervozonin .

Shpërblimi për atë që e gjen…

Pas disa ditësh , te kafeneja , ku ulet Klodi S , nuk e pashë më portretin e Xhenit mbi xham. O , por pashë Xhenin prej vërteti, këtë herë pa fjongon rozë të lidhur papijon , por me qafore shtrënguese te një zinxhir fin , si ata të bizhuve, që përfundonte në dorën e mbledhur grusht të Klodit.

Xhenin e vogël do ta kishin qortuar pambukshëm, sepse s’m’u duk e këndellur. Apo s’i kishte ikur ende tronditja nga humbja ?

E bukura Xheni ! Sidoqoftë kujdes nga pasionet e lirisë …

Primo Shllaku: Bomba e Tares kundër Camajt e Koliqit implikon Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Fatmira Nikolli – Përmendja e Martin Camajt e Ernest Koliqit si bashkëpunëtorë të agjencive të huaja të inteligjencës, ka ngjallur reagime. Poeti Primo Shllaku sheh dashakeqësi dhe kërkon të mbajë qëndrim Akademia e Shkencave. Ai del kundër Auron Tares për çështjen e implikimit të Ernest Koliqit e Martin Camajt në agjenturat e huaja. “Nuk kam gjë të keqe me të, as të mirë më. Por dua të kuptoj se ku fle peshku tani, se këtu ka një peshk që fle. Ka kohë që ai e grric këtë histori. Derisa tani doli me paketë kundër tre autoriteteve të letrave e letërsisë, Camajt, Koliqit e Krist Malokit”- thotë Primo Shllaku.


Shllaku, ish-mësues në Prekal e ish-pedagog në Beograd si Camaj, thotë se nëse Camaj ka qenë apo jo pjesë e UDB-së, duhet vërtetuar me dokumente arkivore dhe jo me aludime mbi punësimin e martesën. Duke e parë studimin e Tares të botuar nga Ardian Vehbiu, i një bombe e hedhur, a si një silur, një përgjegjësi të madhe ai vë mbi shpatullat e Akademisë së Shkencave.
“Përderisa ai e ka botuar shkrimin në sajtin e Ardian Vehbiut, që është anëtari më i ri i Akademisë së Shkencave, unë mendoj se Akademia e Shkencave është e implikuar. Dhe tani unë dua të di, Akademia e re, me drejtues të ri, që unë e kam përshëndetur, ku e ka mendjen? Me sa shoh unë, Akademia e re e ka nisur me silurime”, thotë Shllaku. “Ai nuk është një studim, por është një koleksionim dokumentesh të deklasifikuara nga CIA, që mund të futet gjithkush, edhe me siguri që Tare ka një lloj hobi të merret me arkivat. Akademia e Shkencave ndodhet e implikuar me apo padashje, përderisa unë i shikoj emrin. Unë jam ndër kritikët e fortë të Akademisë së Shkencave, në kohën që kishte tjetër kryetar, edhe e kam përshëndetur ardhjen e të rinjve. E kam përshëndetur. Por, tani unë po shikoj, edhe më intereson që të di, se çfarë duhani pi kjo akademia e re, ku e ka mendjen?! Unë shikoj se e kanë filluar me sigurimin, por unë e dua fjalën e tyre. Nuk po them se janë gënjeshtra, por unë si studiues i Camajt, e dua mendimin e tyre”, shtoi ai.

“Po, Koliqi bashkëpunoi me fashistët. Kjo dihet. Hapi disa shkolla, bëri disa gjëra. Ndihmoi të shpëtohej jeta e Petro Markos në Itali, gjë që Tare e përdor me shumë djallëzi. Pse, a bëri keq ai që e shpëtoi Petro Markon? Duhet thënë se shumë figura të njohura kanë bashkëpunuar në kohë të ndryshme. Çfarë do t’u themi ne atyre që thonë se Pashko Vaso ka qenë satrap në Liban? Ndërkohë, a nuk ishin vëllezërit Frashëri me osmanët? Asnjë nuk vrau sulltanin, punuan për ta. Të gjithë, bashkëpunuan dhe ndihmuan vendin e tyre”, thotë mes të tjerash, Shllaku.

XXII – 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS – Prof. MARTIN CAMAJ: PSE ASHT AKTUAL GJERGJ FISHTA? – Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

XXII – 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS – Prof. MARTIN CAMAJ: PSE ASHT AKTUAL GJERGJ FISHTA? – Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

Dorëshkrimi i fundit i studimeve kritike (1991)

Fjala ‘aktualizim’ na qet ndërmend kthimin tek nji proces i nisun dhe i këputun në nji shej vendi. Ndoshta dikush mendon se vijimësia, rimarrja e procesit mbërrihet tue marrë dy fijet e këputuna e që ngjiten bashkë, bile tue i lidhë nyje po aty ku janë këputë para afër nji gjysmë shekulli.

Don me thanë zhvillimi i traditës kulturore ndër ne i këputun nuk ka shembull anaçor në asnjë kulturë të popujve të dalun nga diktatura staliniane dhe kërkojnë rrugë kthimi në traditën e vet të mirëfilltë.

Rasti ynë asht i veçantë, për ju të breznisë së re posaçe.