Është përmbyllur me një darkë joformale samiti i Berlinit u cili u organizua nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në përpjekje për t’i dhënë shtytje proceseve të pajtimit dhe integrimit në Ballkanin Perendimor.
Por Samiti duket se ka pasur pak rezultatet pasi presidenti, Hashim Thaçi, në përfundim të tij tha se emërues i përbashkët i të gjitha diskutimeve ishte fakti se “u pajtuam për të mos u pajtuar”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se takimi nuk ka qenë i lehtë dhe se ka theksuar gjatë bisedimeve se faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi. Po ashtu Thaçi ka thënë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së.
“Kundërshtimet kryesisht janë bërë duke keqinformuar dhe duke rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike. Por, këto pretendime kanë qenë dhe janë tërësisht të pavërteta! Kurdo që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm. Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm. Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tone”, ka thënë Thaçi.
Një Samit i ngjajshëm, sipas presidentit Thaçi pritet të mbahet më 1 korrik në Paris nën organizimin e presidentin të Francës, Emmanuel Macron.
Përderisa Thaçi në samitin e Berlinit ka folur për nevojën e demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Haradinaj ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, në kufijtë e saj ekzistues.
“Ky është realiteti që duhet pranuar dhe kështu mund të ecim përpara. Diskutimet për ndarje etnike dhe kufij, hapin rrugë për tragjedi të reja në Ballkan dhe askush më mirë se ne, nuk i kupton përjetimet e para dy dekadave”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha pas bisedimeve disa orëshe në kuadër të Samitit se nuk është i kënaqur me “status quon”.
“Do dëshiroja që të fillonim dialogun sepse ai është garanca e vetme për stabilitet”, tha Vuçiq.
Presidenti serb tha se gjatë bisedimeve të gjithë kanë kërkuar nga Kosova të heqë taksën ndaj mallrave serbe e cila e ka bllokuar dialogun Kosovë-Serbi që nga nëntori i vitit të kaluar.
Në hapje të samitit, Kancelarja gjermane Angela Merkel porositi që zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet “të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”.
Në një konferencë për media se bashku me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, si nikoqir të Samitit të Berlinit, Merkel tha se në kuadër të këtij samiti do të diskutohet hapur për të gjitha sfidat.
Nga ana e tij, presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjithashtu porositi që në kuadër të samitit të diskutohet hapur për të gjitha opsionet që janë në tryezë sa i përket Serbisë dhe Kosovës.
“Nuk e kemi për qëllim të imponojmë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën. Ne dëshirojmë që të shqyrtojmë gjitha mundësitë, por edhe të shmangim tensionet e mundshme në rajon të cilat mund të ndodhin për shkak të opsioneve që janë në tryezë”, tha Macron.
Merkel dhe Macron përmendet Marrëveshjen për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut si një shembull të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes vendeve të rajonit.
Merkel dhe Macron përmendet Marrëveshjen për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut si një shembull të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes vendeve të rajonit.
Më herët gjatë ditës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi iu tha gazetarëve se“Bashkimi Evropian është shumë i dobët dhe jo unik për të lëvizur gjërat përpara në Ballkan prandaj duhet përfshirja e Shteteve të Bashkuara”.
Delegacioni i Kosovës ka zhvilluar një takim edhe me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell.
Para se të fillojë Samiti i Berlinit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë takuar ndaras Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
“Një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është jetike që të ecim të gjithë përpara së bashku. E kemi përkrahjen e Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe tërë botës për ta arritur një marrëveshje paqësore, përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë. Ne jemi të gatshëm të rifillojmë dialogun në Bruksel”, ka shkruar Thaçi në Facebook pas këtij takimi.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit me Mogherinin tha se duhet te ketë një zgjidhje kompromisi.
“Nëse askush nuk dëshiron kompromis dhe mendon se duke bërë presion mbi Serbinë atëherë vjen deri të zgjidhja këtu përfundon filmi”, u shpreh Vuçiq.
I pyetur për çështjen e ndryshimit të kufijve, Vuçiq tha se “kur bëhet fjalë për çështjen e ndryshimit të kufijve, pyetja ime është cilët kufij: ata që njohin Kombet e Bashkuara, Spanja apo Italia. Gjermania e njeh Kosovën si shtet, ndërsa Serbia nuk e njeh sikurse nuk e njohin Kina, Rusia, India. Pikërisht për këtë unë them se duhet gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka kërkuar sërish heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës si mundësi e vetme për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Samiti joformal i Berlinit shënon takimin e parë të drejtëpëdrejtë të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit të kaluar kur bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u ndërprenë për shkak të vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Prishtinë – Kryeministri i Republikës, Albin Kurti ka thënë se në bisedën e djeshme telefonike me presidentin francez, Emmanuel Macron ka shprehur besimin që Franca ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte të mëtejme.
“Në një telefonatë me presidentin Macron, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Francës për Kosovën dhe shpreha besimin tonë se Franca do të mbështesë Kosovën në Këshillin e Evropës, pa parakushte të mëtejshme, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike. Gjithashtu insistova në respektimin dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë”, ka shkruar Kurti në platformën X.
Ndërkohë, më herët në një komunikatë nga pallati presidencial i Francës, kanë theksuar se Macron ka nënvizuar rëndësinë që Franca i kushton progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të zbatimit nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati thotë se nënshkrimi i një marrëveshjeje për një kredi prej 90 milionë eurosh me Bankën Botërore për për politikat, është një lajm i mirë për Kosovën. Zoti Murati i cili ndodhet në Uashington për takimet e pranverës të FMN-së dhe Bankës Botërore, në një intervistë për Zërin e Amerikës, thotë se rënia ekonomike i atribuohet sfidave të shumta globale, por se qeveria e Kosovës po merr masa të ndihmojë grupet e cenueshme. Duke folur mbi vendimin e dinarit, ministri Murati e sheh problemin tek Beogradi që sipas tij, refuzon t’i bëjë transfertat në mënyrë të rregullt. Ai komentoi gjithashtu mbi vlerësimin për herë të parë të kreditit të Kosovës nga Fitch Ratings, duke thënë se do të ndihmojë me investimet e huaja.
Zëri i Amerikës: Në fillim një pyetje për një lajm të fundit, sipas së cilit Kosova për herë të parë ka marrë një vlerësim krediti nga Fitch Ratings. Çfarë do të thotë kjo për shëndetin financiar të vendit?
Hekuran Murati: Është lajm tejet i mirë për vendin tonë meqenëse është hera e parë që marrim vlerësimin kreditor nga një agjenci ndërkombëtare që bën vlerësime të tilla, në këtë rast është Fitch. Çfarë do të thotë kjo për shtetin tonë? Kjo do të thotë që fillimisht prezantohemi në skenën ndërkombëtare si një shtet me politika të matura fiskale. Pastaj, ky vlerësim, shërben edhe si një pasaportë e Republikës së Kosovës për çdo investitor të huaj i cili do të investojë në vendin tonë. Pra mund ta shohë shkurtimisht se si qëndron vendi dhe tjetra gjë është që kjo po ashtu ul edhe koston e financimit për shkak se rritet besueshmëria në vendin tonë. Kjo rrjedhimisht ul edhe koston e financimit për sektorin privat dhe ekonominë reale.
Zëri i Amerikës: Gjatë qëndrimit këtu në Uashington ju nënshkruat një marrëveshje me Bankën Botërore. Mund të na njihni me detajet e kësaj marrëveshjeje?
Hekuran Murati: Patjetër. Marrëveshja ka të bëjë me një kredi të butë, me kushte koncesionare, të formës “development policy operation” apo një kredi për politika zhvillimore dhe mbështetjen e tyre. Në këtë rast, ne na është dashur të bëjmë një sërë reformash në disa shtylla të ndryshme të prioriteteve, në mënyrë që të përmbushim kushtet për të përfituar nga kjo marrëveshje. Marrëveshja ka vlerën 90 milionë euro dhe kushtet koncesionare janë që do të ketë zero për qind normë interesi, gjë që është tejet e favorshme sidomos në këtë kohë.
Zëri i Amerikës: Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova pritet të shënojë një rritje prej 3.7 për qind për këtë vit, më e larta në rajon, por me rënie krahasuar me fillimin e mandatit tuaj. Ekspertët thonë se kjo rritje është e pamjaftueshme. Si përgjigjeni ju?
Hekuran Murati: Që në fillim të mandatit, siç e dini, kishte një rritje ekonomike dyshifrore. Megjithatë për shkak të sfidave të vazhdueshme kemi pasur një ngadalësim. Vitin e kaluar e kemi përmbyllur me 3.4 për qind, por siç edhe e thatë, parashikimet edhe nga Banka Botërore por edhe institucionet tjera, janë që trendi të rikthehet në rritje të mëtutjeshme, nën supozimet që përfundimisht e kemi tejkaluar këto krizat globale që na prekin të gjitha shteteve.
Zëri i Amerikës: Le të flasim pak lidhur me dinarin. Rregullorja e Bankës Qendrore për pagesat me para të gatshme krijoi probleme me aleatët ndërkombëtarë. Ndërkohë, ajo që është pjesa e prekshme, konkrete është si të lehtësohen banorët serbë nga një masë e tillë…
Hekuran Murati: Tash, rregullorja si e tillë, e miratuar nga Banka Qendrore, parasheh vetëm se kërkesat minimale sa i përket trajtimit të transfereve të nivelit ndërkombëtar, pra siç janë në këtë rast ndihmat financiare që jepen nga shteti serb tek banorët rezidentë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës me kombësi apo përkatësi etnike serbe. Ne çfarë kemi kërkuar është që kjo gjë të mos bëhet përmes transferte kesh, pra me thasë me para siç e ka quajtur Kryeministri, sepse në atë formë krijohet mundësia për financim të aktiviteteve ilegale dhe terroriste, siç edhe pamë që ndodhi në shtatorin e vitit të kaluar. Por kjo gjë, nëse synimi është të ndihmohen qytetarët, të bëhet përmes transfertave ndërkombëtare. Tani çështja u problematizua pikërisht nga shteti serb në mënyrë të padrejtë dhe propagandistike, sepse shihet që nuk është urgjenca e nivelit të cilit ata e kanë thënë. Kemi tash katër takime në Bruksel ku vetë pala serbe refuzon të arrijë në një dakordim se si të lehtësohet ky transferi i mjeteve ndërmjet sistemit tonë bankar.
Zëri i Amerikës: Po kjo është ana e konsideratës politike, por konkretisht çfarë masash po merren që të mos preket popullsia nga një lëvizje e tillë?
Hekuran Murati: Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi masa të ndryshme mbështetëse. Do të thotë nëse flasim për pensionistë, përveç pensioneve kontributpaguese të shtyllës së dytë, që është fondi pensional, kemi edhe pensionin bazik, të cilin e përfiton secili person mbi 65 vjeç pavarësisht përkatësisë etnike apo diçka tjetër. Do të thotë, nuk është se kanë mbete të gjithë pa mjete. Por, edhe një herë po e them, problemi qëndron në faktin që shteti serb tani refuzon, përkundër propagandimit që është çështje urgjente, të gjejë mënyrën e duhur, përmes kanaleve zyrtare dhe të ligjshme të bëjë këto transfere.
Zëri i Amerikës: Zoti Ministër, kur qeveria e zotit Kurti erdhi në pushtet, një nga premtimet kryesore ishte përmirësimi i gjendjes së vendit. Ai theksoi se ky ishte njëri nga përparësitë e qeverisë së tij. Megjithatë, partitë opozitare e akuzojnë qeverinë tuaj se gjatë mandatit tuaj jeta e qytetarëve është përkeqësuar, çmimet janë rritur dhe pagat jo në proporcion me rritjen e inflacionit. Si përgjigjeni?
Hekuran Murati: Jeta është vështirësuar në nivel global. Unë besoj që edhe këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka raste e raste kur qytetarët ankohen për shkak të rritjes së kostos së jetesës, sidomos produktet bazë.
Zëri i Amerikës: Por, në këtë rast po flasim për Kosovën…
Hekuran Murati: E njëjta gjë është transmetuar edhe në vendin tonë, në Kosovë, sepse kemi të bëjmë me inflacion të importuar. Çfarë mund të bëjë qeveria në këtë rast është të rrisë mbështetjen për grupet e cenueshme. Kemi rritur edhe pagat në sektorin publik. Vitin e kaluar total kostoja e pagave buxhetore është rritur në nivelin 17 për qind mesatarisht, krahasuar me vitin paraprak, pra është përtej nivelit të inflacionit. Sektorin privat po ashtu e kemi mbështetur me masa të subvencionimit për rritje të pagave, por kemi miratuar edhe disa ligje, siç është ligji për çmimet tavan, i cili pikërisht nga opozita është refuzuar dhe dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë. Dhe është edhe ligji për rritjen e pagës minimale, i cili po ashtu nga opozita është dërguar në Gjykatë Kushtetuese, që të bllokohet. Pra në vazhdimësi kemi veprime të opozitës që pengojnë të gjitha masat që mundohet qeveria t’i marr për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve.
Zëri i Amerikës: Por duhet që qytetarët vet t’i shikojnë këto masa lehtësuese, çfarë po bëhet që, siç të thuash, xhepat e qytetarëve t’i ndjejnë këto lehtësira?
Hekuran Murati: Sa për këtë, ne kemi pasur të konfirmuar edhe sipas Bankës Botërore, pakon më të madhe mbështetëse në rajon. Do të thotë ka qenë 4.3 për qind e bruto produktit vendor masa mbështetëse për të tejkaluar krizën e kostos së jetesës të inflacionit dhe krizën energjetike. Ka qenë një paketë gjithëpërfshirëse për pothuajse të gjitha shtresat në mënyrë që ta përballojnë më lehtë. Mirëpo gjithsesi kemi pasur edhe masa tjera, por që nganjëherë pengohen nga vet opozita.
Vijon mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila po ballafaqon presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Këshilltarja e presidentes, Engesa Vitia ka publikuar pamjet kur Vuçiç duket se nuk e zë vendi kur presidentja Osmani i përmend Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin e Shyhrete Tahirin, të cilët serbët i kanë vrarë familjet e i kanë dhunuar.
Postimi i plotë:
Ky është reagimi i Vuçiqit kur Presidentja Vjosa Osmani flet për Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin e Shyhrete Tahirin.
Këto katër heroina janë simbol i forcës, i guximit, i mbijetesës, por edhe i sukseseve të Kosovës.💪sn
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot mban seancën e radhës për Kosovën. Seanca fillon në orën 16:00, sipas kohës lokale të Kosovës, respektivisht në ora 10:00, sipas kohës së New York-ut.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në SHBA për ta përfaqësuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit, e cila do të përballet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, njofton RTK..
“Në seancën e KS të OKB-së, Presidentja Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën. Presidentja poashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Po ashtu bëhet e ditur se përgjatë qëndrimit në New York, Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara.
Ndërsa, Vuçiqi ka thënë se Serbia do t’i vazhdojë përpjekjet e saj, pavarësisht “poshtërimit” që i është bërë deri më tani.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për Serbinë, për popullin tonë, për jetën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, që të shkojmë me kokën lart, pa marrë parasysh se ata u përpoqën të na poshtërojnë me dhunë”, ka shkruar presidenti i Serbisë në llogarinë e tij në rrjetet sociale.
Të dielën në veriun e Kosovës po mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe, që do t’u hapnin rrugën zgjedhjeve të reja, por mes thirrjeve të Listës Serbe për bojkotimin e tyre, votimi nuk pritet të përmbushë këtë synim
Deri në orët e vona të pasdites sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në votime morën pjesë vetëm disa qindra veta nga rreth 46,500 votues të regjistruar.
Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.
Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, u pajtua të organizojë zgjedhje të reja, përmes një votimi për shkarkimin e kryetarëve aktual.
Në muajin janar qytetarët serbë në komunat veriore nënshkruan një peticion për shkarkimin e kryetarëve dhe pas kësaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli ditën e votimit për shkarkim.
Por, ndonëse mori pjesë në nënshkrimin e peticionit, Lista Serbe e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi njoftoi me 7 prill se nuk do të marr pjesë në votime duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po bën përpjekje të vazhdueshme që ky votim të dështojë. Lista tha se një ndër arsyet e mospjesëmarrjes është edhe fryrja e listës së votuesve, por pa ofruar ndonjë provë për këtë pretendim.
Vendimi nxiti reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që i kërkuan kësaj partie ta rishqyrtojë vendimin ndërsa qeverisë së Kosovës të trajtojë me ndjeshmëri shqetësimet e ngritura nga qytetarët në veri të vendit.
Autoritetet në Prishtinë akuzuan Beogradin për trysni ndaj serbëve të Kosovës.
Pavarësisht situatës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi vazhdimin e procesit duke hapur 23 qendra votimi. Sipas udhëzimeve, qytetarët mund të përgjigjen me “Po” ose “Jo” në pyetjen se a pajtohen që kryetari i komunës të shkarkohet.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00.
Tani për tani është e paqartë se çfarë do të ndodhë nëse dështon referendumi që kërkon 50 për qind plus një të votuesve, meqë një i tillë nuk mund të organizohet para se të kenë kaluar 12 muaj.
Procesi i organizimit të zgjedhjeve të reja në veri ishte mbështetur nga perëndimi në përpjekje për uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që vazhdojnë të mbeten të larta.
Serbia reagoi me zemërim gjatë javës pasi Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësim në këtë organizatë. Beogradi është hedhur në fushatë për te penguar votimin në Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi në muajin maj. Të mërkurën autoritetet e Beogradit bllokuan nëpër vendkalimet kufitare për më shumë se 18 orë shumë udhëtarë nga Kosova që po ktheheshin në shtëpi nëpër territorin e Serbisë. Ndonëse Beogradi tha se nuk bëhej fjalë për pengim por “shtim të masave të sigurisë”, Prishtina akuzoi Serbinë për veprime hakmarrëse pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dënuan cenimin e lëvizjes së lirë.
Më herët gjatë këtij muaji Lista Serbe, i bëri thirrje komunitetit serb ta bojkotojë regjistrimin e popullsisë që filloi me 5 prill.
Javën që vjen Kosova dhe Serbia do të mbajnë një raund të ri bisedimesh në Bruksel lidhur me përdorimin e dinarit në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb, një çështje që nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, por është mospajtimin e diplomatëve perëndimorë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë vënë në përpjekje për të nxitur zbatimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon, pasi një oficer i policisë së Kosovës u vra me 24 shtator të vitit të kaluar nga një grup serbësh të armatosur në veri.
Bashkimi Evropian i ka paralajmëruar të dyja palët së dështimi për të normalizuar marrëdhëniet dëmton aspiratat e tyre për anëtarësim në bllok.
Në tetor të vitit të kaluar, udhëheqësit evropianë i kërkuan Beogradit të përmbushë të gjitha marrëveshjet që çojnë në njohjen “de facto” të Kosovës, ndërsa Prishtinës të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Të dielën votohet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, që do t’u hapte rrugën zgjedhjeve të reja, por mes thirrjeve të Listës Serbe për bojkotimin e tyre, votimi nuk pritet të ketë sukses.
Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.
Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, u pajtua të organizojë zgjedhje të reja, përmes një votimi për shkarkimin e kryetarëve aktual.
Në muajin janar qytetarët serbë në komunat veriorë nënshkruan një peticion për shkarkimin e kryetarëve dhe pas kësaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli ditën e votimit për shkarkim.
Por, ndonëse mori pjesë në nënshkrimin e peticionit, Lista Serbe e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi njoftoi me 7 prill se nuk do të marr pjesë në votime duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po bën përpjekje të vazhdueshme që ky votim të dështojë. Lista tha se një ndër arsyet e mospjesëmarrjes është edhe fryrja e listës së votuesve, por pa ofruar ndonjë provë për këtë pretendim.
Vendimi nxiti reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që i kërkuan kësaj partie ta rishqyrtojë vendimin ndërsa qeverisë së Kosovës të trajtojë me ndjeshmëri shqetësimet e ngritura nga qytetarët në veri të vendit.
Autoritetet në Prishtinë akuzuan Beogradin për trysni ndaj serbëve të Kosovës.
Pavarësisht situatës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi vazhdimin e procesit duke hapur 23 qendra votimi. Sipas udhëzimeve, qytetarët mund të përgjigjen me “Po” ose “Jo” në pyetjen se a pajtohen që kryetari i komunës të shkarkohet.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 19:00.
Tani për tani është e paqartë se çfarë do të ndodhë nëse dështon referendumi që kërkon 50 për qind plus një të votuesve, meqë një i tillë nuk mund të organizohet para se të kenë kaluar 12 muaj.
Ministria e Jashtme e Kosovës njoftoi të enjten mbrëma se zëvendës drejtori i policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç është liruar nga autoritetet serbe.
Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla shkroi në rrjetet sociale se pas trysnisë së madhe ndërkombëtare, “Dejan Jankoviç sapo është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë”.
Ministrja Gërvalla tha se “ky arrestim ishte vetëm një prej akteve të dëshpëruara hakmarrëse të Serbisë pas votës masive të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë nga më të rëndësishmet ndërkombëtare”, shkroi ministrja Gërvalla.
Zëvendës drejtori i policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç dhe nëntë pjesëtarë tjerë të policisë së Kosovës ishin ndaluar të mërkurën në raste të ndryshme nga Serbia.
Të gjithë pjesëtarët e policisë tashmë janë liruar ndërsa sipas ministrisë së Brendshme të Kosovës, oficerët e përkatësisë kombëtare shqiptare dhe serbe “ishin ndaluar në vendkalimet kufitare Merdar, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë”.
Të njejtën ditë të paktën gjashtë autobusë nga Kosova u ndaluan për orë të tëra nga policia serbe në vendkalimet kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë.
Autoritetet në Prishtinë thanë se afër 1 mijë e 500 qytetarë të Kosovës janë ndaluar, disa janë arrestuar dhe janë marrë në pyetje lidhur me kaluarën e tyre dhe lidhjet e tyre me ish Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Autoritetet serbe mohuan të kenë bllokuar udhëtarët nga Kosova, por thanë se shtimi i kontrollit të sigurisë mund të ketë shkaktuar vonesa.
Bashkimi Evropian tha se ndalimi i udhëtarëve “paraqet shkelje të marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në dialog”.
Ngjarjet e së mërkurës ngjallën reagime të ashpra në Kosovë ku autoritetet vendase akuzuan Serbinë për akt të ultë hakmarrjeje ndaj suksesit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Kryetarja e parlamentit serb, Ana Bërnabiç, tha të enjten se ndalimet janë pjesë e veprimeve për të mbrojtur rendin kushtetues të Serbisë. Javën e kaluar presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se Serbia do të arrestojë këdo që prek rendin kushtetues të saj, pak pasi policia e Kosovës arrestoi një qytetar serb në veri të vendit nën dyshimet për përfshirje në cenimin e rendit kushtetues të Kosovës.
Serbia u shpreh e zhgënjyer me votimin e së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i dha dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm. Beogradi ka paralajmëruar se do të vazhdojë luftën kundër anëtarësimit të Kosovës, ndonëse sipas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën të dyja vendet janë pajtuar vitin e kaluar, palët nuk duhet të pengojnë njëra tjetër në proceset integruese.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, sot ka bërë homazhe edhe në Dyz të Podujevës. Në 25- vjetorin e masakrës së kryer nga forcat e armatosura të Serbisë, atje përkujtoi mbi 200 vrarët.
“Forcat e Serbisë këtu në trevat e Gollakut e të Llapit, në Dyz e në Koliq, kanë vra mbi 200 civilë të paarmatosur, të pambrojtur, pa i kursyer moshat e shtyra apo fëmijët e vegjël. Sot e kësaj dite ndonëse e kemi lirinë, pavarësinë, shtetin e demokracinë, nuk e kemi edhe drejtësinë për këto humbje të tmerrshme që i ka përjetuar populli e në veçanti familjet”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti tha se e vërteta e plotë ndodhet në arkivat në Beograd, të ushtrisë e të policisë atje. Ai ritheksoi nevojën për drejtësi dhe thirrjen ndaj prokurorisë dhe gjyqësorit tonë për të intervistuar dëshmitarët, për të grumbulluar evidencat materiale e për të filluar me aktakuza, gjykime e dënime në mungesë.
“Ne nuk duhet të harrojmë që edhe lirinë që e gëzojmë, por edhe përgjegjësitë që i kemi në shtet i kanë rrënjët tek gjaku i dëshmorëve që nuk shlyhet dhe te emrat e tyre që nuk harrohen, sepse i përkasin historisë së popullit tonë tashmë”, përfundoi Kryeministri, duke nderuar dëshmorët e martirët e rënë heroikisht në Dyz, Llap e Gollak, dhe anembanë Kosovës.
Në këto homazhe Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale.
Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Para 25 vjetëve, teksa e zbatonte projektin gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve, forcat e Serbisë këtu në trevat e Gollakut e të Llapit, në Dyz e në Koliq, kanë vrarë mbi 200 civil të paarmatosur, të pambrojtur, pa i kursyer moshat e shtyra apo fëmijët e vegjël. Sot e kësaj dite ndonëse e kemi lirinë, pavarësinë, shtetin e demokracinë, nuk e kemi edhe drejtësinë për këto humbje të tmerrshme që i ka përjetuar populli e në veçanti familjet, dhe për këto plagë të hapura të cilat vazhdojnë të kullojnë meqenëse edhe urdhërdhënësit edhe ekzekutorët nuk u përballen asnjëherë me drejtësi.
36 varre janë këtu në Dyz, por gjithsej janë mbi 200, sepse para 25 vjetëve në mes të prillit, banorët e këtyre trevave përpiqeshin që të gjenin rrugën e shpëtimit edhe në fshatra si Makoc, Llukar, Grashticë, Dyz e Koliq, domethënë këtu kanë qenë vendet në të cilat janë përpjekur të shpëtojnë, por ata kanë qenë të ndjekur prej forcave të cilët nuk kanë pasur dilema mbi vrasjen e shqiptarëve. Të vetmet dilema i kanë pasur se si t’i zhdukin gjurmët e krimit, si t’i zhdukin kufomat dhe në këtë mënyrë të mos merret vesh ai krim.
E vërteta dihet. E vërteta e plotë ndodhet në arkivat në Beograd, të ushtrisë e të policisë atje. Por neve na nevojitet drejtësia dhe për këtë i bëj thirrje edhe njëherë Prokurorisë dhe gjyqësorit tek ne, që të bëjnë gjithçka munden e dinë, të intervistojnë të gjithë dëshmitarët, të grumbullojnë evidencat materiale dhe të fillohet me aktakuza, me gjykime e me dënime në mungesë për të vrarët në këtë rajon.
Sepse ne nuk duhet të harrojmë që edhe lirinë që e gëzojmë, por edhe përgjegjësitë që i kemi në shtet i kanë rrënjët tek gjaku i dëshmorëve që nuk shlyhet dhe te emrat e tyre që nuk harrohen, sepse i përkasin historisë së popullit tonë tashmë.
Lavdi gjithë dëshmorëve e martirëve, këtu në Dyz, në Llap e në Gollak dhe anembanë Kosovës që ranë heroikisht para një çerekshekulli! – Zyra e Kryeministrit
Në oborrin e një shtëpie në komunën e Zveçanit është hedhur një mjet shpërthyes, në orët e hershme të 18 prillit, me ç’rast janë shkaktuar dëme materiale.
“Dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore”, ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zherovnicë.
Dragan Mllagjoviq konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se një bombë u hodh në oborrin e shtëpisë së tij në orën 02:34 të 18 prillit.
Mllagjoviq është distributor i produkteve në veri të Kosovës i kompanisë “Devolli Vita Corporation” nga Peja. Ai tha se beson se arsyeja e sulmit ishte se, pasi ka shpërndarë produkte të qumështit të kompanisë nga Peja, ka nisur shpërndarjen në veri edhe të mishit të kësaj kompanie.
“Kur dola nga shtëpia rreth orës 06:00 me djalin tim, pash që xhamat e shtëpisë ishin thyer, dyert, fasada dhe furgoni im ishin dëmtuar. Kam kontaktuar policinë e cila ka ardhur për të kryer hetime”, tha ai, duke shtuar se në dhjetorin e vitit të kaluar, ka pasur një problem në aplikacionin e mesazheve, Telegram.
Radio Evropa e Lirë mëson se grupe në Telegram e kishin cilësuar atë si “tradhtar” dhe ishte publikuar fotografia e tij së bashku me 12 serbë të tjerë ku ishte shkruar mesazhi se ata ishin “mbeturinat më të mëdha të shoqërisë”.
“Kompania e djalit tim nisi shpërndarjen e qumështit dhe kosit nga Peja. Para një muaji kemi nisur me shpërndarjen e mishit nga Peja, i cili është i cilësisë së lartë dhe të cilin restorantet dhe dyqanet kanë filluar ta blejnë. Unë dyshoj, dhe i thashë policisë se arsyeja për gjithçka [shpërthimin] është se ne punojmë me ato kompani”, tha Mllagjoviq.
Ai shtoi se po i bën konkurrencë dikujt që merret me këtë biznes në 25 vjetët e fundit.
“Dhe, tash dikujt po i pengojmë dhe duan të na trembin me bomba, në mënyrë që të na ndalojnë. Tani që kemi nisur të merremi me këtë punë, ata duan të na trembin”, u shpreh Mllagjoviq, që tha se do të vazhdojë të punojë, pasi biznesi i tij është i rregullt dhe i ligjshëm.
“I gjithë veriu punon me shqiptarë. Pse mos ta bëj edhe unë, sepse jam i vetmi distributor që kam marr përsipër disa produkte dhe tani kam probleme. Pse mos të punoj dhe të punësoj dikë”, u shpreh ai.
Në të kaluarën, në komunat në veri të Kosovës – ku gjendet edhe Zveçani – të banuara me shumicë serbe, ka pasur incidente me mjete plasëse dhe zjarrvënie, por edhe dëmtim të pronës.
Më së shpeshti, cak i këtyre incidenteve kanë qenë serbët që kanë regjistruar makinat e tyre me targat e Kosovës, por edhe serbët që punojnë në institucionet e Kosovës. REL
Gazetari Venhar Isufi në një intervistë për Syri TV tha se ka një shtim të trupave të KFOR që patrullojnë përgjatë kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.
Isufi tha se që nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, prania e NATO-s është shtuar në Kosovë. Ai tha se Serbia nuk është e gatshme të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.
“Kemi parë provokimet me deklarata nga zyrtarët serbë, por edhe me lëvizjet ushtarake në kufi me Kosovën. Në kushte të tilla, për të parandaluar një tensionim kemi parë një shtim të patrullimeve përgjatë kufirit dhenjë shtim të trupave të KFOR-it përgjatë kufirit”, tha ai.
Isufi tha se edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është ngritur shqetësimi për të rritur kapacitetet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është parakusht për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pas zërave se ajo duhet të bëjë hapa në këtë drejtim para votimit vendimtar në maj.
Duke folur të mërkurën në një konferencë për media në Prishtinë, një ditë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi që Kosova të pranohet në këtë organizatë, Ahmeti tha se Asociacioni është kusht pas pranimit.
“Neni i 11-të i raportit të Dora Bakoyyanis [për Kosovën] tregon qartë se, sa i përket këtij zotimi, duhet të adresohet pas anëtarësimit”, tha Ahmeti i pyetur nëse Kosova do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese draft-statusin e Asociacionit para votimit në maj.
Ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës do të vendosin përfundimisht rreth çështjes së anëtarësimit të Kosovës gjatë një takimi më 16 maj.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Por më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Ahmeti theksoi se “Dora Bakoyyanis tha dje qartazi dhe haptazi se kjo nuk është një gjë që mund të arrihet për momentin, sepse…kjo temë i përket një procesi, që nuk varet vetëm nga Kosova, aty jemi tre palë, Kosova, Bashkimi Evropian dhe Serbia”.
Duke folur për themelimin e Asociacionit në Kosovë, Bakoyyanis tha dje në Asamble në Strasburg se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës, “prandaj, kjo çështje nuk është në duart e Këshillit të Evropës”.
Të gjitha rekomandimet e Serbisë për futjen e themelimit të Asociacionit si kusht para pranimit të Kosovës u rrëzuan gjatë votimit të së martës në Strasburg.
Gjatë debatit në seancën e Asamblesë Parlamentare të martën, deputetët nga Franca thanë se do të ishte mirë që Kosova të bëjë hapat e parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para votimit final të ministrave.
Deputeti francez Alain Milon tha gjatë debatit se do të votonte pozitivisht, por se “raporti nënvizon madhësinë e punës që duhet ta bëjë Kosova si themelimi i Asociacionit”… që sipas tij, është hap që mund të bëhet para votimit në maj.
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha të martën se Kosovën e pret tani “një punë e vështirë” për t’i bindur ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës ta miratojnë anëtarësimin e saj në këtë organizatë në maj.
Ka pasur zëra në qarqet diplomatike ditëve të fund që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.
Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe./ REL/
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një intervistë në “Lajmet e fundit” tha se Kosova e ka një shancë të jashtëzakonshme për anëtarësim në KiE dhe se sipas tij nuk ka ndonjë rast në historinë e Këshillit të Evropës që Këshilli i Ministrave ka shpërfillë mbështetjen e Asamblesë Parlamentare.
“Mbështjetja për Kosovën nuk ishte thjeshtë vetëm masive por ishte edhe e thellë meqenëse edhe debati dhe argumentet u fituan”, tha mes tjerash Kurti.
E duke folur për çështjen e “Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, Kurti tha se nuk dëshirojnë që ta shndërrojnë marrëveshjen bazike në mjet për atë që quhet “Asociacioni i Komunave” me shumicë serbe.
Ai tha se Kosova sa i përket të drejtave të pakicave ka formulimet e saja kushtetuese dhe ligjore si pak kush tjetër në botë.
Duke folur për kërkesat e shteteve të QUINT-it Kurti tha se vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet nuk bën që të mbajnë qëndrim më poshtë se deputetja greke Dora Bakoyannis.
“Shtetet e QUINT-it mos të kërkojnë më pak për Kosovën se Dora Bakoyannis, ose mos të bëjnë për Kosovën trysni më shumë se ajo (Bakoyannis) që vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën”, tha Kurti.
Kurti tutje tha se Kosova është e gatshme që të bashkëpunojë por theksoi se nuk mund të presim që Kosovën të tjerët ta duan më shumë se ne.
I pyetur se a është i gatshëm që të rrezikojë anëtarësimin në Këshill të Evropës, nëse çmimi është lëvizja drejt asociacionit, kryeministri Kurti tha: “Unë nuk bëj hapa që e rrezikojnë sovranitetin, integritetin territorial, kushtetueshmërinë dhe ligjmërinë e Kosovës”.
Komentet