Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Uashington, 26 shkurt, 2020.
Amra Zejneli-Loxha
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe më tej qëndron pas letrës së tij për Gjykatën Speciale në Hagë, të cilën në nëntor të vitit të kaluar ia kishte dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Thaçi, konsideron që Gjykata Speciale në Hagë (Dhomat e Veçanta dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar) po bën të kundërtën e asaj që fillimisht ishte paraparë dhe për të cilën ishte arritur pajtimi.
Letra që presidenti Thaçi i ka shkruar sekretarit Pompeo.
Qëndrimi i tillë është shprehur në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Zyra e presidentit Thaçi, pasi që janë publikuar detajet nga përgjigja që atij ia ka dërguar sekretari Pompeo. Në atë përgjigje, Pompeo e siguron Thaçin, ndër të tjera, për punën e paanshme të Gjykatës në Hagë.
Nga vet Dhomat e Veçanta nuk kanë dashur që të komentojnë shkëmbimin e letrave ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit. Siç thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, në Hagë nuk i komentojnë zhvillimet politike.
“Në tërësi jemi të fokusuara për zbatimin e mandatit tonë në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe me ndryshimet kushtetuese”, thuhet në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, të dërguar nga Zyra e Gjykatës Speciale përmes postës elektronike.
Theksi i letrës së Thaçit
Presidenti Thaçi, konsideron që qëllimi i institucioneve të Kosovës nuk ka qenë asnjëherë që puna e gjithë gjykatës të bëhet në një vend të tretë, në këtë rast në Holandë dhe se “krijimi i institucioneve paralele” me siguri që nuk do të ndikojë pozitivisht në sistemin juridik të Kosovës. Gjithashtu, fillimisht ishte paraparë që të hetoheshin krimet e kryera në të dyja anët e konfliktit, e që nuk rezultoi ashtu.
Lidhur me këtë, Thaçi i kishte shkruar Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në fund të nëntorit të vitit të kaluar.
Në letrën, të cilën e kanë publikuar mediat në Kosovë, autenticitetin e të cilës Radio Evropa e Lirë e ka konfirmuar në Zyrën e presidentit, në tre faqe e gjysmë të kësaj letre, Thaçi ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me Gjykatën në Hagë, duke shtuar që “Qeveria amerikane duhet urgjentisht të marrë parasysh që reformat kritike janë ndërmarrë para se gjërat të zhvillohen me tutje”.
“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe donatorët tjerë kanë ofruar mjete domethënëse për zhvillimin e kësaj infrastrukture fizike të Gjykatës në Hagë”, ka shkruar Thaçi në letrën e dërguar sekretarit Pompeo.
“Ky nuk është investim nga i cili përfitojnë qytetarët e Kosovës, në kohën kur investimet për forcimin e institucioneve gjyqësore dhe të prokurorisë janë mjaft të nevojshme”, ka shtuar Thaçi.
Përgjigja e sekretarit Pompeo
Ndaj letrës së Thaçit, Pompeo është përgjigjur duke thënë që “heqja ose dëmtimi i strukturës së punës ose lokacionit të Dhomave të Veçanta ose Prokurorisë së Specializuar, në çfarëdo mënyre, do ta dëmtonin seriozisht kredibilitetin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës”.
“Puna e Dhomave të Veçanta në formatin aktual është mënyra më e mirë që Kosova ta mbyllë këtë kapitull në historinë e saj”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e sekretarit Pompeo, autenticitetin e të cilës e ka konfirmuar Zyra e presidentit të Kosovës.
Thaçi nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij
Nga kjo zyrë kanë theksuar për Radion Evropa e Lirë që presidenti Thaçi “edhe më tej qëndron prapa letrës së tij, derisa të zgjidhen shqetësimet e theksuara në mënyrë të përshtatshme”.
Në letrën e tij, Thaçi flet se si gjykata edhe pesë vjet pas formimit, ka shënuar pak përparim në realizimin e mandatit të saj dhe që, para së gjithash, nuk e ka zbatuar mandatin e saj në mënyrën që është paraparë në shkëmbimin e letrave me Bashkimin Evropian dhe vendin nikoqir të gjykatës, Holandën. Konkretisht, ai thekson që qëllimi fillestar nga shkëmbimi i letrave me Bashkimin Evropian ka qenë që selia e gjykatës të jetë në Kosovë, ndërkaq që për procedurat e ndjeshme edhe në vendin e tretë, në këtë rast në Holandë.
“Me keqardhje të thellë, më duhet të shpreh shqetësimin tim për mënyrën me të cilën institucionet në fjalë vazhdojnë të punojnë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë që fillimisht ishte paraparë dhe ishte arritur pajtimi”, thuhet në letrën e Thaçit të dërguar sekretarit Pompeo.
Përderisa mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare për të siguruar integritet dhe siguri për proceset e ndjeshme është me rëndësi thelbësore, Thaçi ka shtuar që asnjëherë nuk ka qenë qëllim i institucioneve të Kosovës që i gjithë procesi të bartet në shtetin e tretë dhe të jetë “i hequr plotësisht nga sistemi ekzistues gjyqësor penal”.
“Krijimi i institucioneve paralele dhe ndërkombëtarizimi i procesit me siguri që nuk do të kenë ndikim pozitiv afatgjatë në sistemin juridik kombëtar”, ka thënë Thaçi.
Gjykata dhe pritjet
Thaçi ka theksuar që qëllimi për formimin e Gjykatës Speciale ka qenë që të mundësohet ekzistimi i kornizës ligjore dhe institucionale kombëtare të besueshme, i cili do të hetonte dhe do të procedonte krimet e pretenduara se janë kryer gjatë viteve 1998-2000 në Kosovë.
“Në këtë drejtim, është paraparë që krimet që pretendohet se janë kryer nga të dy palët e konfliktit do të hetohen plotësisht dhe në mënyrë të drejtë”, ka theksuar Thaçi.
“Është zhgënjyese të vësh re që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka investuar resurse domethënëse në hetimin e vetëm një grupi etnik, shqiptarëve të Kosovës, gjë që e minon besueshmërinë dhe legjitimitetin e procesit. Është më se e papërshtatshme që personat që janë përmendur në raportet publike, sikurse që është ai i senatorit zviceran Dick Marty në vitin 2010, kanë qenë të ekspozuar ndaj kërcënimit të hetimit dhe ndjekjes së mundshme për gati dhjetë vjet”.
Ai ka shtuar që ekzistojnë një varg opsionesh që Gjykata të mbetet në Hagë dhe që edhe më tej mundet të sigurojë qëllimet e të gjitha palëve.
Obligimet e Kosovës ndaj Gjykatës Speciale
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në përgjigjen e tij, e ka siguruar Thaçin që puna e Gjykatës Speciale nuk është e drejtuar në mënyrë specifike kundër asnjë grupi etnik, lëvizje, force apo njësie dhe ka shtuar që SHBA-ja pret nga të gjithë liderët e Kosovës që t’iu përmbahen obligimeve të dhëna qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, si dhe që të bashkëpunojnë plotësisht me gjykatën.
Arianit Koci, avokat nga Kosova në kuadër të Gjykatës Speciale, ndonëse në parim pajtohet me presidentin e Kosovës, ai thekson që reagimi i tij është i vonshëm sepse Kosova tashmë ka marrë mbi vete obligimet, të cilat duhet t’i respektojë.
“Unë nuk e di se çfarë marrëveshje ka pasur ndërmjet presidentit tonë, Gjykatës Speciale ose funksionarëve amerikanë, por e di se çfarë është miratuar (në Kuvendin e Kosovës). Unë kam qenë kundër Gjykatës Speciale në këtë format, kryesisht për shkak se kjo Gjykatë nuk do t’i hetojë kryerjen e krimeve të pretenduara nga të dyja anët e konfliktit. Kjo Gjykatë do të merret vetëm me pretendimet nga raporti i senatorit Dick Marty dhe dihet që ai raport merret vetëm me krimet e pretenduara të individëve të UÇK-së. Presidenti ynë është dashur të reagojë në këtë mënyrë para se të miratohen ligjet për Gjykatën Speciale”, thekson Koci.
Ai konsideron që ky shkëmbim i letrave ndërmjet presidentit Thaçi dhe sekretarit amerikan të shtetit Pompeo, absolutisht nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në punën e Gjykatës Speciale.
Çfarë është Gjykata Speciale dhe kush janë të intervistuarit?
Gjykata Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Veçanta dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, është kopje e sistemit gjyqësor të Kosovës në miniaturë, në Hagë. Ajo i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën prej janarit 1998 e deri në dhjetor 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.
Gjykata është formuar me vendimin e Kuvendit të Kosovës, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo kryesisht financohet nga Bashkimi Evropian. Prokurori i Specializuar, amerikani Jack Smith, më 14 shkurt, ka dorëzuar aktakuzat e para në gjykatë, të cilat, gjykatësi i procedurës paraprake, në këtë rast, gjykatësi francez Nicolas Guillou, në afat prej 6 muajsh duhet t’i konfirmojë ose t’i hedhë poshtë. Deri në vendimin e tij, përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale.
Prokurori në Hagë, deri më tash ka marrë në pyetje disa dhjetëra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), qoftë në cilësinë e të dyshuarve, qoftë në cilësinë e dëshmitarëve. Deri më tash, për t’u intervistuar deri më tash janë ftuar ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe udhëheqësit tjerë të UÇK-së, Azem Syla, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, ndërkaq në fillim të dhjetorit të vitit 2019, për intervistim është ftuar edhe Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Në raportin e senatorit Dick Marty, përmendet gjithashtu edhe emri i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dikush që ka qenë në krye të “Grupit të Drenicës”, e të cilën, siç thuhet në raport, e kanë përbërë personalitete të spikatura të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thaçi, gjatë kësaj jave, në një konferencë për media, i pyetur nga gazetarët se a është intervistuar nga Prokurori Special në Prishtinë apo në Vjenë, ka thënë që “nuk ka qenë i intervistuar asnjëherë, as në Prishtinë dhe as në Vjenë”.
Prokuroria e Peruxhas ka nisur hetimet për zhdukjen e biznesmenit Davide Pecorelli. Makina që ish-arbitri kishte marrë me qira u gjet e djegur në Reps, në zonën e Gjegjanit të Pukës, ndërsa brenda saj kishte dhe eshtra.
Pecorelli mbërriti në Shqipëri më 3 janar. Fillimisht shkoi në Vlorë, më pas në Shkodër e në Pukë, ku qëndroi për dy net. Gjurmët e tij u zhdukën në mesnatën e 6 janarit dhe nuk dihet ende nëse eshtrat e djegura të gjetura në makinën e djegur, i përkasin atij. Ndërkohë, mediet italiane zbuluan dje dhe mesazhin e fundit të biznesmenit Pecorreli të zhvilluar me një mik sipërmarrës nga Altotiberino.
“Davide kaloi pothuajse të gjithë muajin dhjetor në Shqipëri. Në datën 15, ai më shkroi në WhatsApp: “Unë hapa një show-room në një qendër tregtare… Deri në datën 6 është luftë. Unë kam rezervuar biletën e kthimit për 10 janar”, mësohet të ishte biseda mes tyre.
Më 6 janar ishte dita e fundit kur partnerja e tij shqiptare, me të cilin ka një fëmijë dhe ish-gruaja me të cilën ka tre fëmijë, nuk ishte në gjendje ta kontaktojnë atë. Megjithatë, thirrjet në celularin e tij shkonin, por nuk përgjigjej askush. Mediat italiane theksojnë se Pecorelli kërkoi që të zhvillonte biznes në Shqipëri dhe nuk dihet nëse zhdukja e tij, ka të bëjë me këtë. bw
Ministria e Jashtme shqiptare njoftoi sot se ka shpallur peron të padëshiruar dhe ka kërkuar largimin brenda 72 orësh, të Sekretarit të Dytë të ambasadës ruse në Tiranë Alexey Krivosheev, për shkak të mosrespektimit të rregullave Anti COVID të vendosura nga qeveria shqiptare
Sipas njoftimit, që prej fillimit të pandemisë, diplomati rus kishte sfiduar në mënyrë të përsëritur kufizimet e vendosura nga autoritetet shqiptare, edhe pas ankesave zyrtare që i ishin drejtuar ambasadës ruse.
Burime diplomatike, i shpjeguan “Zërit të Amerikës” se diplomati Krivosheev, kishte thyer së fundmi karantinën, duke qenë se ishte prekur nga Koronavirusi.
Ministria e Jashtme ka bërë të ditur se “përfaqësuesë të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mihail Afanasiev, duke i bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti COVID-19 nga diplomati. Ministria ka mirëpritur dhe e vlerëson thellë rolin plotësisht bashkëpunues të ambasadorit për këtë çështje, me premtimin se këto akte nuk do të përsëriten. Fatkeqësisht, ndryshe nga premtimet, diplomati ka vijuar me shkeljen e masave, pavarësisht shprehjes së dëshirës së mire të të dyja palëve për mospërsëritjen e shkeljeve”, saktëson njoftimi.
Sipas Ministrisë së Jashtme “sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë, dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej”.
Gazetarja Klodiana Lala zbardh për “BalkanWeb” dhe “News24” kërkesën e Policisë së Tiranës drejtuar Prokurorisë për rihapjen e dosjes së “21 Janarit”.
Në kërkesën e policisë, të cilën “BalkanWeb” e disponon të plotë, mes të tjerash thuhet që predha e nxjerrë nga trupi i viktimës Aleks Nika të dërgohet për ekzaminime kriminalistike në laboratorin e ndonjë vendi të Bashkimit Evropian ose jashtë saj.
Disa nga kërkesat e Policisë së Tiranës drejtuar Prokurorisë:
Të bëhet rieksperimentimi hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes për vrasjen e shtetasve Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Të bëhet riekspertimi i predhës së gjetur dhe sekuestruar në trupin e viktimës Aleks Nika, kjo duke i kërkuar Institutit të Policisë Shkencore nëse shkenca dhe teknika kriminalistike ekzaminuese ka përparuar.
Të bëhet ripyetja e personave që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gradës të planëzuar me shërbim në datë 21.01.2011.
Ripyetja e personave pjesëmarrës në tubim, të afërm të viktimave, si dhe persona dëshmitarë që kanë qenë pranë viktimave, nëse kanë mësuar ndonjë të dhënë të re me interes për hetimin.
Të bëhet rikëqyrja e pamjeve filmike të tubimit të datës 21.01.2011, duke u fokusuar konkretisht në vrasjen e shtetasve Ziver Veizi, Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Të kërkohet me anë të shkresës zyrtare IPSH Tiranë, nëse ka laborator për ekzaminime kriminalistike në vendet e BE-së ose jashtë saj në gjendje të ekzaminojë predhën e nxjerrë nga trupi i shtetasit Aleks Nika.
Si dhe veprime të tjera, që mund të dalin nga kryerja e detyrave të mësipërme.
Shoqata Patriotike “Çamëria” denoncon në një postim në “Facebook” se “Në Medvegjë po ndodh një politikë e kontrolluar e spastrimit etnik të shqiptarëve”.
Në kuadër të “Javës Çame”, Shoqata çeli ditën e sotme në ambientet e Kalasë së Tiranës ekspozitën “Spatrimi etnik i shqiptarëve: Çamëria dhe Lugina e Presheves” me foto nga këto dy treva shqiptare.
Njoftimi i plotë:
“Spatrimi etnik i shqiptarëve: Çamëria dhe Lugina e Preshëves”
Në Medvegjë po ndodh një politikë e kontrolluar e spastrimit etnik të shqiptarëve përmes pasivizimit të adresave. Shoqata Patriotike “Çamëria”, e cila këtë janar kremton 30-vjetorin e themelimit të saj, ka ngritur zërin për shqiptarët e Preshevës dhe ka kërkuar që historia e Çamërisë të mos përsëritet.
Në kuadër të “Javës Çame”, Shoqata çeli ditën e sotme në ambientet e Kalasë së Tiranës ekspozitën “Spatrimi etnik i shqiptarëve: Çamëria dhe Lugina e Preshëves” me foto nga këto dy treva shqiptare.
Fjalën e hapjes të ekspozitës e mbajti Kreu i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, z. Hektor Sejko, i cili u shpreh se kjo ekspozitë flet më shumë se çdo orator”. “Drama e Çamërisë po përsëritet në Medvegjë. Ne nuk e lëshojmë Çamërinë dhe do ta mbrojmë Medvegjën. Janë tokat tona, shtëpitë tona”, u shpreh ai.
Për kreun e Fondacionit “Hasan Tahsin”, z. Alket Veliu “shqiptarët e Çamërisë janë vetë viktima të një sistemi genocidar dhe e dinë shumë mirë se çdo të thotë të të dëbojnë nga vendi yt”.
“Në shekullin e kaluar, shqiptarët u përballën me spastrim të dhunshem etnik në Çamëri dhe Sanxhak, ndërsa sot misioni shpopullues serb në Luginën e Preshevës vazhdon me mjete të tjera duke detyruar shqiptarët të largohen nga shtëpitë e veta”, theksoi ai.
Ekspozitën e përshëndeti edhe kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi. Ai kërkoi “ndërgjegjësimin për spastrimin etnik që po iu ndodh shqiptarëve të Luginës dhe apeloi pë të mos lejuar kthimin e saj në një Çamëri të dytë”.
“Medvegja sot ka vetëm 10% të shqiptarëve, kurse 90% e tyre janë dëbuar. Malësia e Bujanocit është shkretuar gati tërësisht. Sot atyre nuk iu lejohet kthimi dhe janë fshirë nga regjistrat civilë. Ky presion i Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës është një diskriminim i pashoq në Evropën e sotme. Për të mos lejuar spastrimin e Luginës së Preshevës duhet angazhim më i madh i spektrit politik në Shqipëri e në Kosovë. Këto troje strategjike janë të Kosovës, janë të Shqipërisë, jo të Serbisë”, përfundoi ai.
Ekspozita do të zgjasë deri në datën 24 janar dhe është e hapur për të gjithë vizitorët.
Prokuroria e Tiranës zgjeron hetimet mbi personelin shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” pas zbulimit të skandalit ku sanitarja Tire Alldervishi i mori 8 milion lekë vajzës së një pacienteje, e cila ndërroi jetë nga Covid-19.
Sipas Prokurorisë ka dyshime se Tire Alldervishi ka bashkëpunuar me mjekë dhe infermiere dhe këto dyshime ngrihen për faktin se ajo herë pas here i ka dhënë vajzës së pacientes receta me ilaçe që ajo duhet të blinte për të ëmën.
Për të konfirmuar nëse këto ilaçe janë përdorur për mjekimin e pacientes prokuroria ka sekuestruar kartelën mjekësorë të pacientes, librat e shërbimit që do të konfirmojë turnet e mjekëve dhe infermierëve në 24 orë.
Gjithashtu janë sekuestruar telefonat celularë të së dyshuarës dhe vajzës që e ka denoncuar si dhe pamjet filmike të Covid 2. Prokuroria ka dyshime se gjendet përpara një skeme zhvatjeje ndaj pacientëve prekur nga Covid19.
Një ngjarje tragjike ndodhi për familjen Avdiaj nga Kosova mbrëmjen e djeshme në Rrugën e Kombit.
Blerim Avdiaj, 49-vjeç së bashku me bashkëshorten Anjezën dhe fëmijët po udhëtonin drejt Shqipërisë në momentin kur u përplasën me një mjet të tonazhit të rëndë.
Nga familja Avdiaj ka mundur të shpëtojë më e vogla Violeta, e cila është vetëm 3 vjeçe por ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë., ndërkohë që kanë humbur jetën 4 anëtarët e tjerë.
Dyshimet e para janë se makina me të cilën udhëtonte familja nga Kosova ka tentuar të parakalojë automjetet para tij në një kthesë.
Dhe nuk ka mundur ta shohë kamionin që vinte në drejtim të tij kur dhe ndodhi përplasja tragjike.
Drejtuesi i kamionit po nga Kosova, është shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje.
Mësohet se familja ishte nisur nga Kosova për në Rinas pasi do udhëtonin për në Zvicër.
Ndërsa policia vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti mjaft të rëndë.
“Që nga e shtuna e kaluar, telefoni i tij është i fikur dhe i paarritshëm”, kështu shkruajnë mediat italiane një ditë pas lajmit të bujshëm të arratisjes së trafikantit shqiptar të drogës, Moisi Habilajt, nga një banesë në provincën e Katanias, ku ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
43-vjeçari shqiptar mbahej në mbikëqyrje me byzylyk elektronik, pasi ishte dënuar me 15.5 vite burg, ndërsa dje kur policia ka shkuar për ta rikthyer në burg, ai nuk është gjetur në banesë.
“Misteri i fundit në lidhje me trafikantin shqiptar të drogës Moisi Habilaj kalon nga një apartament i vogël në San Michele di Ganzaria, në provincën e Catania, në atë që për dekada ka qenë territori referues i shefit të Cosa Nostras, Ciccio La Rocca”, shkruajnë mediat italiane.
Më tej, në shkrim thuhet se “Ku ka shkuar Habilaj? Avokatët që e mbrojnë atë përjashtojnë ekzekutimin e një urdhri ekstraktimi në Shqipëri, vend në të cilin Moisi Habilaj është përballur me një hetim paralel me atë të gjyqësorit Italian. 43 vjeçari Habilaj, para se të shkonte në San Michele di Ganzaria, ishte burgosur në burgun Bicocca. Pasi kaloi 954 ditë pas hekurave, 43 vjeçari u transferua në qytetin e Calatina ku ai ishte mysafir i një të afërmi, nga ana e babait për pak më shumë se një muaj”.
Në fazat e hershme të gjykimit të shkallës së parë, Habilaj bashkëpunoi me drejtësinë, por nuk u bë kurrë bashkëpunëtor i saj.
Ai pranoi pjesërisht akuzat, dhe kjo u vlerësua pozitivisht nga ana e gjyqtarëve, por nuk ndikoi në uljen e viteve të tij të dënimit, veçanërisht për shkak se ai kishte rolin e shefit të grupit kriminal.
Moisi Habilaj është arratisur në Itali pasi Policia shkoi për t’a rikthyer në burg pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Katanias, bëjnë me dije burime për BalkanWeb.
Prej majit të vitit të kaluar Habilaj ishte në arrest shtëpie, por në dhjetor 2020 Apeli i Katanias konfirmoi dënimin e Shkallës së Parë me 15 vite e 5 muaj dhe 5 ditë burg.
Grupi kriminal në të cilin bënte pjesë Habilaj operonte mes Shqipërisë e Siçilisë, për trafik kryesisht droge por edhe armësh luftarake.
Në këtë çështje u implikua edhe ish-ministri i brendshëm, Saimir Tahiri që është kushëri me Habilajt, por ndryshe nga ta Tahiri llogaritë e hapura i ka vetëm me drejtësinë shqiptare.
Si bazë e vëllezërve Habilaj, Moisi, Artan dhe Florian ishte pikërisht fshati Babicë në Vlorë, ku u kap një sasi e madhe droge prej 3.9 ton kanabis në vitin 2017.
Tashmë Moisi Habilaj rrjedhimisht duhet të shpallet në kërkim nga Italia dhe të vuajë vitet e dënimit me burg të caktuar nga Apeli i Katanias.
Shembet “ura me harqe” në Milot. Gazetari Elidon Ndreka raportoi për “BalkanWeb” se “Ura e Zogut” siç njihet nga të gjithë shqiptarët ka humbur në lumë në disa pjesë rreth 2 metra.
Ura e ndërtuar në 1927 është monument kulture, i mbrojtur nga shteti. Marrja e inerteve pranë këmbëve të urës si dhe një devijim i rrjedhës pranë këmbëve të urës, devijim i cili është përdorur për vaditje është arsye kryesore e kësaj shembjeje. Në këtë urë nuk është vënë dorë asnjëherë edhe pse është monumentet kulture i mbrojtur.
Ura e Zogut është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve i japin asaj vlerë muzeore. Ajo gjendet në të djathtë të rrugës që të çon në Mirditë, në të dyja ekstremet e lumit Mat.
E quajtur për shumë vite Ura e Zogut, vetë mbreti ishte ideatori i ndërtimit të kësaj ure shumëfunksionale, sidomos për kohën. Ato vite ajo ishte një portë e domosdoshme për të hyrë në Shqipërinë e epërme që përfshin Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën etj.
Ura është projektuar nga një inxhinier italian Martini dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga italianët. Zbatimi i projektit u bë nga një inxhinier shqiptar, Gjovalin Gjadri, inxhinier që ka projektuar rrugën automobilistike Milot-Burrel, që kalon nga livadhi i Turkut nëpër Mirditë. Sipas shtypit të kohës, ura është ndërtuar brenda një viti dhe dallohej për madhështinë e saj.
Ish-deputetja e PD, Nada Meçorapaj, ishte sot në segmentin e rrugës në Borsh, i shembur pas reshjeve masive në zonë. PD vuri në dukje shqetësimin e banorëve për mungesën e mirëmbajtjes së rrugës.
“Rruga e çarë në dysh nuk është pasojë e ndonjë tërmeti, por e korrupsionit të kësaj qeverie. Janë rreth 14 milionë euro që Edi Rama i jep kompanisë Salillari për të mirëmbajtur aksin e Jugut, por në vendngjarje është vetëm 1 punëtor dhe asnjë përpjekje për rregullim”, tha ish-deputetja.
Nada Meçorapaj solli në vëmendje premtimet e Ramës për rrugë me standarde, por duke iu referuar rrugës së çarë në dysh në Borsh, ajo theksoi se Edi Rama nuk mban asnjë premtim, pasi mendon vetëm për vete dhe oligarkët.
“Pak reshje shiu dhe vjedhja e qytetarëve del në sipërfaqe, duke nxjerrë gjendjen e rëndë të keqqeverisjes, abuzimit, vjedhjes, korrupsionit. Asgjë e mirë nuk mund të ndodhë me Edi Ramën në krye të qeverisë. Kemi edhe 105 ditë për të bërë ndryshimin!”, u shpreh ish-deputetja Meçorapaj.
Në Qarkun e Lezhës situata vijon të jetë problematike nga reshjet masive të shiut, ku deri tani rreth 3000 ha tokë bujqësore ndodhen nën ujë. Reshjet e këtyre ditëve kanë sjellë edhe dëmtime urash, rrugësh dhe banesash. Në Bashkia Lezhë deri më tani janë evakuuar 27 familje, të cilat rrezikoheshin nga përmbytjet, ndërsa dëmet e mëdha në tokat bujqësore në Zadrimë dhe Torovicë priten te llogariten pas largimit të ujit.
Rruga lidhëse Kallmet-Ungrej është shembur në një gjatësi afro 100m dhe ndërhyrja për riparim duket që do të vonojë, pasi ndodhet në një terren të thyer malor. Kjo është një rrugë e ndërtuar në vitin 2013, por që pas inaugurimit problemet me rrëshqitjen ishin evidente në disa pika të këtij segmenti. Shpyllëzimi i malit, si dhe mungesa e mirëmbajtjes së rrugës, ka bërë që jeta e banorëve të kësaj zone të vihet në rrezik të vazhdueshëm.
Një ure që shërben për lidhjen e fshatrave në Kalivaç sërish në njësinë Ungrej në Lezhë është ndarë në dysh nga prurjet e shumta të lumit. Në këtë urë nuk ishte ndërhyrë prej vitesh dhe pse dëmtimet ishin të dukshme.
-Në lagjen Varosh ka rrëshqitje të një masivi dheu, duke dëmtuar muret mbajtëse, si dhe duke rrezikuar 6 banesa, ndërsa janë evakuuar banoret dhe është bërë izolimi i vendit.
Rrëshqitjet pranë zonave të banuara ka pasur edhe në zonën e Mirditës, por banorët në Fan dhe Rrëshen kanë refuzuar të evakuohen.
-Shkarkimet në hidrocentralet Ulez- Shkopet për momentin janë 500meter kub /s.
Ndërsa nuk ka të dhëna mbi Hidrocentralin Qafë Mollë në Rrëshen, mbi sasinë e shkarkimeve e ujërave.
Hidrocentralet që shkarkojnë në lumin Mat, rrezikojnë daljen nga shtrati dhe dëmtimin e argjinaturave. Nga kjo rrezikohen Fushë Miloti, zona e Fushë Kuqes dhe Bregu i Matës.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, ndodhet sot në Athinë ku në program është një takim me homologun e tij Kyriakos Mitsotakis. Në një postim në Twitter, shoqëruar me foton e tij ndërsa zbriste nga avioni, në kryeqytetin grek, zoti Rama shkruajti gjatë ditës se ndodhej atje “për një drekë pune me Kryeministrin Mitsotakis, për të diskutuar mbi koordinimin e mëtejshëm në luftën e përbashkët kundër Covid19; forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve; bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian të rajonit tonë”.
Mediat greke e kanë përshkruar si “një vizitë informale”, udhëtimin e zotit Rama në Athinë. Në fakt ai nuk shoqërohet as nga ministtrja e Jashtme Olta Xhaçka, ndërkohë që vetë ka patur një takim me kryediplomatin grek Nikos Dendias, sipas të cilit “marrëdhëniet mes dy vendeve, perspektiva e Shqipërisë në BE dhe zhvillimet e fundit në rajon ishin në fokus të bisedës”. Ministri i Jashtëm Dendias ishte i pranishëm dhe ne drekën mes dy kryeministrave.
Vetë zoti Rama nuk ofroi ndonjë detaj me shumë për bisedimet e zhvilluara me homologun e tij grek, përpos faktit që dreka ishte shtruar në shtëpinë e zotit Mitsotakis. “Falenderues për shijen e shkëlqyer të mikpritjes në shtëpinë e kryeministrit Mitsotakis, ku bëmë një bilanc të situatës me Covidin, marrëdhënies mes dy vendeve tona dhe problematikave rajonale! Vullnet i plotë për ta zhvilluar bashkarisht më tej këtë marrëdhënie strategjike”, shkruajti zoti Rama për takimin.
Tirana dhe Athina, vendosën së fundmi që për çështjen e debatuar të përcaktimit të kufirit detar mes tyre t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Kjo u njoftua gjatë vizitës në tetor të zotit Dendias në kreyqytetin shqiptar.
Megjithatë mbetet e paqartë se si do të veprohet, përderisa ndërhyrja e Gjykatës në raste të tilla kërkohet mbi një mosmarrëveshje konkrete.
Ish ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, i cili udhëhoqi për dy vjet një proces dialogu me palën greke për një paketë çështjesh të mbetura pezull mes dy vendeve, përfshirë dhe çështjen e Detit, për të cilën nisën zyrtarisht dhe bisedimet, vuri në dukje javën e shkuar, në një shkrim të tijin, se shqyrtimi nga ana e një Gjykate ndërkombëtare “është gjithashtu një proces impenjativ që kërkon dije, përgatitje serioze dhe kohën e duhur. Pasi nuk kemi të bëjmë me transferim të përgjegjësive për mënyrën e adresimit të kësaj çështje, por me shprehjen e gadishmërisë të palëve ndërgjyqëse për të pranuar verdiktin e gjykatës ndërkombëtare. Para nisjes së procesit gjyqësor, Shqipëria dhe Greqia do të duhet të përfshihen sërish në një proces ndërveprues nga i cili duhet të hartojnë një dokument të përbashkët për lëndën që do t’i nënshtrohet gjykimit, ku duhet të evidentohen gjithashtu pikat e përbashkëta dhe diferencat mes palëve, për të cilat duhet të shprehet gjykata”.
Ajo që ka rënë në sy në vizitën e sotme të zotit Rama, është se takimet e tij në Athinë, vijnë një ditë pas kthimit të tij nga Ankaraja, ku delegacioni shqiptar që përfaqësohej me gati gjysmën e kabinetit qeveritar u prit me ceremonialet më të larta shtetërore turke, në prani të presidentit turk Rexhep Tayip Erdogan. Koincidencë ose jo, por dhe një vizitë e mëparshme e zotit Rama në Athinë, ku darkoi me homologun e tij grek, ishte paraprirë nga një takim i tij i beftë me presidentin turk Erdogan në rezidencën e tij verore.
Kryeministri shqiptar njihet për raportin e tij të ngushtë më presidentin Erdogan. Gjatë takimit të fundit ata të dy vunë theksin te “miqësia e ngushtë” mes dy vendeve. Ata të dy, nënshkruan deklaratën për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë, “gjë që e ngre partneritetin tonë të shpallur strategjik në stadin e një marrëdhënieje institucionale ndërqeveritare”, nënvizoi zoti Rama.
Presidenti turk premtoi ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit Brenda 3 muajve të ardhshëm si dhe restaurimin e Xhaisë së Plumbit në Shkodër. Ashtu sikundër ka ndodhur dhe më parë me përfaqësues të niveleve të ndryshme turke, të cilët kanë kërkuar nga Shqipëria dëbimin e anëtarëve të së ashtuquajturës Lëvizjes Gyleniste, e konsideruar nga Ankaraja një organizatë terroriste, edhe këtë herë presidenti Erdogan nuk la pa përmenduar këtë çështje, ndërsa deklaroi se “ne, bashkë me autoritetet shqiptare dakordohemi se organizata terroriste e FETO-s përbën një kërcënim për të dy vendet. Ne nuk do të lejojmë që FETO të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Turqia është angazhuar për të zënë vendin e institucioneve të shumta arsimore turke që financoheshin nga Faetllah Gyleni. Fondacioni shtetëror turk Maarif, bleu kohë më parë Universitetin e New York-ut në Tiranë, dhe siç u deklarua dhe gjatë konferencës së përbashkët mes kryeministrit Rama dhe Presidentit Erdogan, duket se pranë këtij Universieti do të atashohet dhe Universiteti teknik i Stambollit.
… [Trackback]
[…] Here you will find 32095 additional Information on that Topic: voal.ch/thaci-nuk-terheq-kritikat-ndaj-gjykates-speciale/ […]
… [Trackback]
[…] There you will find 64084 additional Information on that Topic: voal.ch/thaci-nuk-terheq-kritikat-ndaj-gjykates-speciale/ […]
… [Trackback]
[…] Read More to that Topic: voal.ch/thaci-nuk-terheq-kritikat-ndaj-gjykates-speciale/ […]
… [Trackback]
[…] Find More here to that Topic: voal.ch/thaci-nuk-terheq-kritikat-ndaj-gjykates-speciale/ […]
… [Trackback]
[…] Find More Information here to that Topic: voal.ch/thaci-nuk-terheq-kritikat-ndaj-gjykates-speciale/ […]