Luro Dëngu ishte pothuj i panjohur në lokalitetin e tij dhe, krejt anonim deri ditën kur përfundoi shkollën e mesme bujqësore “Miqësia‘shqiptaro-kineze”. Por eksperieca e parë e punës në jetën e tij, mjaftoi për ta bërë të njohur jo vetëm, në fshatin e tij, por në krejt kooperativën me katër fshatra, dhe, pak më tej.
I dobët dhe i gjatë si nje gjilpërë me kokë Luro u paraqit te zyra e kuadrit në kooperativën malore “Fitorja”.
-Dua një shënim për të filluar punë të përkohshme sa të dalin te drejtat e studimit dhe të hapet shkolla – tha djaloshi me drojë dhe një shkëndijim shprese në sy.
Shoqja Nadire e kuadrit, i tha të priste pak se do ta bisedonte me shokët.
Luro mbeti një grimëkohe i vetëm brenda zyrës pasi ajo doli ne korridor dhe hyri të një tjetër zyrë.
Kur u rikthye, në fytyrën e shoqes së kuadrit ndrinte një buzëqeshje dashamirëse. Sapo zuri vend mirë në ulësen e skrivanisë tha:
-Ti djalosh do te merresh hë për hë me këndin e emulacionit. Edhe shkrimin, nga kjo kërkesa që ke paraqitur, duket se e paske të mirë. Bukurshkrim duket,-shtoi duke parë një copë letre shkëputur nga mesi i një fletoreje me vija, ku Luro Dëngu kishte shkruar tri fjali si kërkesë për punë sezonale.
U vendos një heshtje dhe shoqja Nadire i hidhte sytë herë te kërkesa me shkrim dhe herë nga Luro. Ky, ndjeu t’i skuqen faqet dhe veshët iu bënë prush e paparunde nga droja. Nuk kishte faj. Hera e dytë që shkelte në një zyrë kooperative. Madje, hera e parë në jetë që shkelte në një zyrë kuadri.
-Paske shkrim të bukur! Bravo!- e përsëriti mbresën e saj shoqja e kuadrit.
Kjo e çliroi sadokpak djaloshin.
Atë çast, ia behu në zyrë një mesoburrë, veshur me pallto shajaku me një kadife jeshile në jakë. Ky, mbante në dorë një çantë inkeliti nga ato që aso kohe zyrtarët i mbanin shpesh për dokumenta.
-Hë more djalë, si je ti? Do fillosh punë?- iu drejtua djaloshit i sapoardhuri.
-Po,- belbëzoi Luro që ktheu kokën nga shoqja Nadire dhe sërish ndjeu angushti nga zori.
Burri e hapi befas çanten dhe nxori disa fije letre format A4 dhe i vendosi mbi tryezën e zyrës së shoqes së kuadrit. Pas tyre, nxori edhe dy lapsa me ngjyra, të kuqe dhe blu. Duke i vendosur të gjitha mbi sipërfaqen e tryezës, tha duke parë nga i riu:
-Tani, do të bëjmë një provë të vogël: do të shkruash me gërma kapitale: Rroftë populli kinez!
Luro rrëmbeu nga suprina e tavolinës dy lapsat me ngjyra dhe nisi të shkruaj me gërma kapitale, gjithë kujdes të shtuar e pasion: RROFTË POPULLI VËLLA KINEZ!
Pas shpinës dëgjonte se shokët e kooperativës diçka po pëshpërisnin.
-Bravo! Bën! Po po. Bën! Të mbulojë këndin e emulacionit. Këtë punë të bëjë.
-Urdhëro?-pyeti Luro duke u kthyer nga zyrtarët.
-Bën, bën!-tha me zë të plotë burri me jakë kadife.
-Edhe unë kështu them, shoku Sabri, -u përgjigj Nadirja e kuadrit. Pastaj, u kthye nga i riu që mbante shtrënguar lapsat dhe letrën në dorë.
-Shoku Sabri Qopeku, është sekretari i Byrosës së Partisë në Kooperativën tonë,- sqaroi me një ton triumfal shoqja Nadire!
Burri buzëqeshi dhe shtoi:
-Shiko, djalë! Meqë paske shkrim të mirë, domethënë ke kaligrafi edhe me shkronjat kapitale, ne, mendojmë që të punosh vetëm me këndin e emulacionit të kooperativës. Shiko, se është punë e lehtë vërtet, po me përgjegjësi.! Por ama, e bukur!
Sekretari i Byrosë nisi të bëjë disa hapa në hapësirën e ngushtë të zyrës.
– E bukur seee, do të shihet nga njerëzia, domethënë nga komunitetit i banorëve po se po, po edhe nga kalimtarët që vijnë nga rrethi, nga grupe të deleguarisht, e të tjerë, e të tjerë.
Heshti pak.
-Po edhe më tej, -dhe hodhi sytë nga dritarja. Përtej qelqeve dukej sheshi para zyrave të kooperativës, qendra shëndetësore dhe sheshi i mbërritjes së autobusit të linjës nga qyteti, poshtë pemëve që lidhte fshatin me qendrën e rrethit. Në atë miniqendër urbane dukej qartë edhe çezma publike me gurë të gdhendur me dy kamare. Shoqja e kuadrit dhe djaloshi e dëgjonin gjithë respekt Sekretarin e byrosë.
-Po, mund të vijnë medoemos edhe nga shokët e Partisë dhe Ministrive..-vijoi Sekretari.
E vështroi buzagaz të riun dhe shtoi:
-Për çdo gjë, do të marrësh porosi nga ne dhe shefi i sektorit të qendrës në kooperativë. Për çdo gjë do të komunikosh me shokun Serjan që ka ardhur nga rrethi me qarkullim. Që nesër,do bësh një listë për ç’ke nevojë dhe do të punosh këtu pranë, në një kthinë të sektorit qendër. Këtu janë edhe shokët e tjerë të zyrave. Këtu pranë është edhe mensa. Po deshe gjë, për barkun, domethënë…
Duke e udhëzuar punonjësin rishtar, ai më tepër shikonte nga shefja e kuadrit sikur do ta merrte andej pëlqimin për çdo hap që do të bënte djaloshi kandidat për student.
Pastaj, si për ta peshuar sa kilogramë e gramë peshonte bashkëbiseduesi i ri, shoku Sabri iu drejtua duke e pare në kokërdhok të syrit;
-Dakord? U kuptua? Për ndonjë gjë që lipset, si bazën materiale ndonjë ristelë, beze e më the të thashë, do bashkëpunosh me marangozin, shokun, Nesimi. Pesë çapa prej kësaj zyre e ke… Dakord buçko?-dhe i rrahu shpatullat.
-Si urdhëron! -tha djaloshi, si një ushtar i ri që sapo merr detyrën në vendroje.
Sa të priste porosite e para dhe të bënte kërkesën për një furnizim me bazë materiale, Luro ia behu nga prapavija e kooperativës dhe takoi marangoz Nesimiun. E njifte si fytyrë më parë.
-Punë të mbarë, o djalo!- e mirëpriti ustai i marangozisë duke pastruar ashklat nga një zdruk që kishte në dorë.- Këtu të viç, sa herë të duaç e të kërkoç ç’të duaç nga ato që kemi. Nuk të mban Nesimiu asgjë.
Pas ndonjë ore korrieri i kooperativës e njoftoi se në zyrë e priste shefi i sektorit, shoku Serjan.
Luro kishte marrë me vete një bllok shënimesh në dorë dhe një stilolaps për të shkruar porositë e para nga shefi i drejtpërdrejtë i tij. Ky, ndryshe nga shoku Sabri ishte më nursëz dhe hijerëndë. Mesa dukej, e mbante ende krenarinë e të qenit ish drejtor në një ndërmarrje në qytet nga ku ishte transferuar, siç thoshin këtu, me ulje.
Ia nguli sytë të sapëardhurit dhe mori një letër nga tryeza.
-Kemi një porosi nga kryetari. Kemi shumë dëme në bujqësi nga kafshët, në të mbjellat e të tjera. Po tani, duhet të dimë për raste nevoje iventarin e saktë të kafshëve të punës në fshat.Të detajuar. Një për një!
Rreshti pak dhe mori një tub letre nga etazheri i librave pranë.
-Domethënë, ti do të shkruash pa përjashtim listën e të zotëve të gomerëve të fshatit dhe të kafshëve të tjera të dorës….
-Domethënë?..-bëri djaloshi Luro i pasqaruar mirë.
-Domethënë, do bësh me kaligrafi listat emërore të banorëve pa harruar ata të zyrave të kooperativës të cilët kanë kafshë pune. Bile, kuadrot, t’i vësh të parët. Merre këtë letër. Këto që janë këtu me kalem, do t’i shkruash me shkronja kapitale sipas listës, llojeve: gomerët, mushkat, pelat, kujat, etj,. Dhe shiko; meqë ka më shumë gomerë, pothuaj derë më derë; do të shkruash të parën listën e tyre. Në një kolonë. Mbarove këtë? Shkruaj kolonën tjetër. Me estetike dhe shkrim të bukur. Kuptove?
-Kuptova shoku….
-Shoku shef, thuaj.
-Kuptova, Shoku Shef.
– Kjo është për fazën e parë. Në një fazë tjetër do ta bëjmë për çdo fshat. Pa përjashtim! Të dimë ku jemi. se po na hedhin hi syve!Na bëjnë edhe budallenj, pale!..Sepse, domethënë, kur e dimë që ky gomar apo mushkë e ka një zot dhe kapet nga bekshiu* marrim masa deri ne bllokim të kafshës. Sekuestrim fare, të gomarit apo mushkës përkatëse që dëmtoi bereqetin në parcelë, domethënë, bukën që e kemi objektiv kryesor!…Kështu, pra!. Je dakord?
-Po, plotësisht dakord, shoku Shef! .Shumë faleminderit.-shprehu kënaqësinë deri në lumturi Luro duke treguar zellin paraprak.
-Ashtu de! Hajde, punë të mbarë tani!
Audienca me shefin kishte mbaruar.
***
Ç’është e vërteta Luro ia nisi punës që atë ditë me plot ngazëllim kujdes dhe estetikë….në zbatim të porosive te shefit. Ndërkaq ishte furnizur me bazë materiale. me tabakë kartoni të bardhë, bojëra, dy penelë dhe xina kineze kaligrafie.
Pasi shkroi fjalët e para nisi t’i lexonte me zë duke i kundruar në një distancë dy metra larg, siç kundrojnë piktorët punët e tyre në kanavacë në studio.
-Koo-pe-ra-ti-va, në tho-një-za… “Mi-që sia “shqi-pta-ro-ki-ne-ze”. Varianti a: Lista e pro-na-rëve…..
-Stop!!-u dëgju një zë i fortë pas shpinës së tij. Ishte Nesimiu.Vigjilent. Diçka ishte bërë gabim…
– Të dalçin gavat, siç të kanë dalë! Po ku ka pronarë në socializëm, more karafil?.Mos u mërzit me mua, do bëj edhe ndonjë shaka..
-Ta heq?…-bëri Luro i hutuar. – Isha i përqëndruar…
-Ta heqësh, the?!….Me vrap hiqe se të piu e zeza!Do ta shohë Bardhil kryetari dhe sekretari i Byrose që është edhe anëtar i Plenumit të rrethit dheee, jo më, shkollë të lartë që nuk të japin po edhe për karvanjar me kafshët e blegtorisë në sektorin e Loficës dhe do të duhet të bësh lutje dhe deri në Komitetin Qëndror. Dhe pastaj, hip këtu, e shiko Stambollë!?…
Luro u hutua edhe më tepër dhe e prishi kartonin e parë me ojna e kaligrafi ku ende nuk ishin shkruar emrat e bashkëfshatarëve.
Kur Nesimiu ishte larguar për në shtëpi dhe mbrëmja e dhjetorit po binte, Luro vijoi punë me bojëra në karton dhe shkrim kaligrafik me ngjyra. Do t’i mbaroj sot të gjitha, tha me vete. Tani, nuk ka asnjë zhurmë dhe punoj i qetë dhe i përqëndruar. Dhe ashtu bëri.
Pasi shkroi kokat e kartonave si tituj, nisi të hedhë emrat një nga një sipas udhëzimeve që kishte marrë dhe listave në fletore. Si i përfundoi të gjitha listat, i afishoi me kujdes nën dritën e zbehtë të Këndit të emulacionit dhe u largua për në shtëpi i lodhur po me një ndjenjë gëzimi.
***
Të nesërmen, në mëngjes në sheshin e çezmës dhe atje ku mbërrinte koriera- autobuz që sillte pasagjerët nga qyteti, kishte më tepër njerëz nga ditët e zakonnshme. Grumbulli i njerëzve sa vinte e shtohej sidomos te Këndi i emulacionit, pranë parullës së shkruar me të bardhë mbi një beze të kuqe: “Ç’THOTË PARTIA BËN POPULLI, Ç’DO POPULLI BËN PARTIA!
Fare pranë saj në të djathtë të Këndit të emulacionit i përgjigjej parulla tjetër me theks aktual: “RROFTË MIQËSIA ME POPULLIN VËLLA KINEZ!”
Luro Dëngu erdhi pas grumbullimit të njerëzve te Këndi i emulacionit dhe listë-tabelave me ngjyra që kishte vendosur një mbrëmje më parë.
Dikush lexonte me zë dhe të tjerët zhurmonin por pas disa çasteve ia dhanë të qeshurit:
-Pushoni o njerëz te lexojmë të rejat e emulacionit socialist,- thoshte Dragush Guca, një i ri hokatar i njohur në ato anë që punonte si teneqexhi.
U vendos pak qetësi dhe sakaq u dëgjua zëri i Gucës që lexonte afishimet në Këndin e Emulacioni Socialist:
– Titulli. Lista e gomerëve të fshatit (pa përjashtim.)…1. Shoku Bardhyl Matamoara-kryetar i koopertivës, 2. Shoku Teno Pollozhani. përgjegjës i sektorit të blegtorisë…
Zëri ti tij u mbyt nga ndërhyrjet e personave që e kishin rrethuar dhe që mbanin sytë te Emulacioni.
Pastaj ai rinisi me zë më të lartë dhe ton prej regjisori të lëçiste listat e afishuara në faqen: EMULACIONTI SOCIALIST ndërsa të tjerët që e rrethonin qeshnin me të madhe
-Tre, tre… Mos më ndërprisni, o njerëz në kini rixha!… Tre. Shoqja Esma Bakiri, katër shoku Baftjar Taronina, pesë, shoku Petraq Kovi, gjashtë, Simon Driza, shtatë, Kozma Sedja, tetë, Mëhill Galishta…..
-Po bën theatro, more Drago?-u dëgjua një zë i fortë që po i afrohej te Emulacioni.
-Më vdekshin të gjithë!.- u betua Dragushi. – Shih e shkruaj, është këtu….
Zahallia te Emulacioni kishte tërhequr vëmendjen e atyre të zyrave të kooperativës aty pranë.
-Ç’a bën more theatro?-ju drejtua me zë të lartë Dragushit njeri prej të sapoardhurve nga zyrat.
-Hiç. Po lexoj shtypin….-u shfajësua njeriu që kryesonte koralen e kureshtarëve.
-Dy. Lista e kafshëve te tjera të dorës:-dëgjohej deri tej, te fusha e futbollit Grupi B- Mushkat: Një, Safa Gjonduka, Dy. Malo Saraqini, tre, Felek Mollogjeshi, katër Birbil Veliqoti,pesë, Partizan Zaimi, ..Vazhdojmë me mushkat , -dëgjohej zëri i Dragushit.
-Gjashtë. Bame Çorogunji, shtatë Kajo Hajdëri, tetë. Zalo Bambulli….
Befas, pas grumbullit të kureshtarëve te Emulacioni u dëgjua një zë i fortë dhe kategorik:
-Stop! Mbylle leximin! Largohuni andej.!
Ishte sekretari i Byrosë, shoku Sabri Qopeku, dora vetë.
-Afrim!,-iu drejtua ai personit që kishte mbërritur nga zyrat e kooperativës para tij.
-Kartonat e afishuara të hiqen menjëherë dhe djali i emulacionit të paraqitet sot në orën dymbëdhjetë te zyra ime.
Zhallahia te Emulacioni u davarit disi.
-Ta marrë dreqi, ta marrë!, tha me zë të ulët sekretari. Kësaj i thonë të nxjerrësh sytë me duart e tua!.///
—- oo0oo —-
——-
* roja
Komentet