VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

TË JETOSH ËSHTË GJË E BUKUR, O VËLLA – 21 poezi nga NAZIM HIKMET – Shqipëroi MUSTAFA V. SPAHIU, Shkup

By | September 23, 2020

Komentet

RJEPENI NANËN ( Parodi sipas Nolit te madh ) Nga Faruk Tasholli

Ç’asht ajo pa kunorë n’kokë
E rrëzueme shesh për tokë,
Flokëlëshueme fytyrëzanë
Që në kangë i thoshim nanë?!
Ç’asht ajo në diell e ngelun
Me lëkurën e shpervjelun,
Ç’asht ajo që za s’po qet
Tek e rjepin djemtë e vet?!
Rjepeni e mos kurseni
Asht ngjitun mos i leni,
Zyrtarë grykësa të pangeshëm
Gjeneralë me ushtarë t’rrejshëm,
Mbahu nan-o rri krekosun
Para djemve t’armatosun,
Do me kmesa do me thika
Që s’i ndal turpi as frika!
Rjepeni e mos u ndalni
Asnji grimcë mos ia falni,
Prefektë rrenca rjepacakë
Deputetë o bothcullakë;
Ju ministra kavalera,
Ju që vidhni në tendera,
Ju që rrini krye shtetit-
E ia rritni pagat vetit!
Ç’asht ajo që ka ulë kr’t
Kush i pari ia nxjerr sytë,
Seç po shtyhen qysh me shky
Kush n’Europë e kush n’Azi!
Rrinë gojëlidhun akadamikët
Kur e çojnë zanin klerikët,
Sa shumë duron Nan’shkreta
Me djem mbetun te Mesjeta.
Rjepeni e mos pushoni
Se kështu veten forconi,
Politikanë e pushtetarë
Djem të dijes e ofiçarë,
Kush e zen i pari anën
Rjepeni me hez nanën,
Që nga Sharri tej n‘Çakorr
Mos i leni vend as vorr!….

Hap dyert shtëpia muzé e poetit kombëtar Gjergj Fishta

Falë një investimi prej 5.5 milionë lekësh nga Ministria e Kulturës, shtëpia e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë është shndërruar në një muze që rrit atraksionin turistik në të gjithë zonën. Shtëpia e rinovuar u përurua ditën e sotme gjatë një vizite të Kryeministrit Rama.

Objekti i rikthyer në identitet është shtëpia ku autori i “Lahutës së Malësisë”, një prej penave dhe Rilindasve më të shkëlqyer që ka nxjerrë Shqipëria kaloi vitet e tij të rinisë. Për hërë të parë, shtëpia u shpall monument kulture në vitin 2008, por asnjëherë në të nuk ishte vënë dorë, duke bërë që ajo të degradonte deri në pikën që të rrezikonte shkatërrimin e plotë.Për fat të keq, shtëpia ku Ati lindi tashmë nuk ekziston më. Godina u shpall monument kulture në vitin 1991, por në 1994-n u shemb përfundimisht. Në atë vend mendohet të ngrihet një shesh dhe një monument përkujtimor për veprën dhe jetën e Gjergj Fishtës.

Rindërtimi i shtëpisë ku Fishta kaloi fëmijërinë e tij është vetëm një ndër hallkat e projektit “Gjurmët Fishtiane”, që synon të nxjerrë nga harresa të gjithë vendet ku Rilindasi kaloi etapat e jetës së tij. Midis ndërhyrjeve të studiuara është famullia e Troshanit, vendi ku u zbulua në moshën 6-vjeçare talenti i tij i jashtëzakonshëm dhe shkolla françeskane në Shkodër, aty ku Gjergji mori formimin e tij të parë. Një fond i posaçëm pritet t’i dedikohet restaurimit dhe pasurimit të bibliotekës brenda Kuvendit dedikuar figurës së Fishtës.

Një tjetër gjurmë fishtiane është Kuvendi i Troshanit, i inauguruar në vitin 1882, vendi ku Ati kthye në vendlindje si mësimdhënës. Brenda Kuvendi të Troshanit, i shpallur monument kulture shumë vonë, vetëm në vitin 2017, mendohet të krijohet një kënd unik dedikuar Fishtës. Një tjetër propozim i përket restaurimit dhe muzealizimit të selisë së shoqërisë “Bashkimi”, që bashkoi së bashku me Fishtën edhe personalitete të shkëlqyera si Luigj Gurakuqi, Dom Ndoc Nikaj, Atë Ambroz Marlaska, Franc Baron Nopça, etj.

Në shoqërinë “Bashkimi”, Fishta mori pjesë aktivisht në të gjithë botimet e shoqërisë, duke nisur nga Abetarja, librat e këndimit dhe deri tek përpilimi i një fjalori të vyer të gjuhës shqipe. Shndërrimi në muze i kësaj godine, aktualisht gjysmë të rrënuar, në lagjen Sarreq të Shkodrës do t’i shtonte pas Marubit një tjetër muzeum me shumë vlera Shkodrës.

Të tjerë objekte ku mendohet të ndërhyhet për t’u përkujtuar jeta dhe vepra e Gjergj Fishtës janë Kisha famullitare e Dom Lleshit – Zoja Nunciatë, në Lezhë si dhe Kisha famullitare e Gomsiqes. Ekziston gjithashtu një propozim për të krijuar një kënd të ri dedikuar Fishtës edhe në godinën ku u mbajt Kongresi i Manastirit, në Maqedoni dhe ku Fishta, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” ligjëroi në mbështetje të një alfabeti latin.

Paralelisht, Ministria e Kulturës ka parashtruar edhe disa propozime të tjera, si ai për ngritjen e një faqe dixhitale që të përkujtojë jetën dhe krijimtarinë e At Gjergj Fishtës, nritja e një memoriali të bashkëjetesës fetare në Shkodër dhe në Tiranë, ku të citohen fjalët e Papa Françeskut në vizitën e tij në Shqipëri, kur tha se: “Në Shqipëri nuk ka bashkëjetesë fetare, por vëllazëri fetare” dhe ngritja e një busti në “Villa Borghese” në Romë, krahas autorëve të tjerë të famshëm si Gëte. Fshati Fishtë është gjithashtu një ndër përfituesit e programit të “100 fshatrave” turistikë. Këto do të ishin të paplota, nëse edhe fshati Fishtë nuk do t’i nënshtrohej një ndërhyrje të plotë dhe të gjithëanshme, si pjesë e projektit të “100 fshatrave”.

… A mundem me u rrfye … (Prelatit t’shejtë At’ Gjergj Fishta ) – Poezi nga ZEF BARDHI

Eh’ sa u idhnova ner inate pa t’njofte at’here ,
une camerdhoku i Nderfanes vjeter i pa’ditun,
mllefesh idheta te ngujueme zemres mjere,
Kullen e bardhe te gjyshneve djegun dy here,
zezuen flakve e territ treten here per nji liber,
komunistat shpyrtzi t’pa fe’ bese e t’pa ndere,
Kryqet t’parve i thyen e’ i muluen murana dheu.
Bardet’ e lashte si knoshin pri votrash i turiten,
hapsanes hekrave me vorre e fisnaje e pjelle`..
* * *
“Lahuta Malcise” i thoshin robt’ e bekue te Zotit,
piskames terpishme qe therte idhet hapsinen,
si zojte e qjellve te metuna jetime pranverave,
Fjalve t’saj krenije Ilire per nipat e Kastriotve,
dhimtave knonin t’gjalle e t’dekun si bajn drite,
dashnia Jote’ dhendi Shqyptarise lterit t’zemrave,
Kulla e shpyrtit asht kalaja e qenreses Arbnore,
kangsh rinohet e perjetsis knon bijve t’njerzise ,
buroja si pertrihen qjellve ashtit te bjeshkve,
* * *
Ka’ mote e breza prej mnise e dreqnive,
dheut tone te trishtue mortes e zise,
leqeve e gjaksive komuniste te pa’besa,
Zanat e ujnave e pylles krejt lafiten mensh,
helmeve t’flliqta si lshuen kunra dashnise,
vneri i zemres i sterpiku idhet si shemertena,
Mrizet u shkrumuen u pine’ hijesh shterpa,
pa krojna e lugje ku uji e druni thurin muzike,
gurrat e malit si fyelli pa fryme u than hajnise,
Muern hiken travajesh fertonave e deteve,
cubat e qartun t’maleve e qjelllve te lirise,
udhve t’botes jan ba’ si veshtllat e gjrenzeve,
Un’ buj` nermjet tyne si çoku i strukun varrejve,
tuj’u lute si fretnit e hershem perunjun Zotis`,
fjala Jote’ t’na bekoj’e dheut ton ta lidhim kryet..
ZNB. Nderfane, Alb.

“Qerbelaja” e Naim Frashërit, aspekti historiko-simbolik i poemës – Nga Sadik Bejko*

“Qerbelaja”, vepër e Naim Frashërit, botuar në Bukuresht më 1889, është një poemë epike me subjekt nga historia e Kalifatit arab. Poema shtjellon ngjarje që ndodhin në shekujt IX-XV. Ngjarjet kryesore zhvillohen në luginën e Qerbelasë, në Irak.

Treva e Qerbelasë si gjeografi shtrihet në një largësi prej 100 kilometrash në jugperëndim të Bagdadit, në kufi të shkretëtirës arabe, buzë lumit Eufrat.

Aty, në tetor të vitit 680, nipi i Profetit Muhamed, Imam Huseni u vra bashkë me 72 meshkuj luftëtarë të Familjes së Profetit, ndërsa femrat e tyre, të mbetura gjallë, u robëruan dhe u keqtrajtuan nga ushtria e Jezidit, kundërshtarit fitimtar. Një gjakderdhje e përmasave të tilla, therorizimi i kaq burrave të një familjeje, flijimi i fëmijëve dhe i grave, i bënë ngjarjet e fushës së Qerbelasë tërheqëse për poetët me frymëzim tragjik. Fusha e Qerbelasë tej e përtej e përgjakur jepte dorë për të thurur vepra epike të mbrujtura me frymë sublime.

Si temë e zymtë dhe e madhërishme, kjo do t’i shkonte përshtat talentit të një poeti siç ishte Naim Frashëri, poet i dimensioneve tragjike dhe universale. Naimi e mori këtë ngjarje të ikonave themelore historiko-fetare të myslimanëve arabë, e mori këtë histori të largët Lindore dhe e ktheu në poemë epike që fliste shqip, fliste edhe për shqiptarët.

Për të hyrë në thelbin e ngjarjeve, le të shohim ç’thonë kronikat e lashta për motivet që çuan në tragjedinë e Qerbelasë.

Historia e trazuar e Kalifatit arab merr një kthesë të papritur pas vdekjes së Profetit Muhamed më 632.

Udhëheqësit që e zëvendësuan Profetin pas vdekjes së tij, u quajtën Kalifë, domethënë mëkëmbës të Profetit, ndërsa pushteti perandorak arab i ushtruar prej tyre u quajt Kalifat.

Me ardhjen si Kalif i kësaj perandorie të imam Aliut, dhëndrit të Muhamedit, Kalif që sundoi nga viti 665 deri më 661, filloi lufta civile, përleshja me armë me Mavijen, guvernatorin e Sirisë, pinjollin nga familja e rëndësishme e Umajadëve. Nga kjo luftë për pushtet Aliu mbetet i vrarë. Mavijes, fitimtarit, i mbeti barra e stabilizimit të Perandorisë arabe. Dhe ai ia arriti.

Historia vijon me dinastinë e Umajadëve me qendër në Damask, me dinastinë e Abasidëve me qendër në Bagdad, familje që kryesuan Kalifatin arab, e shtrinë sundimin e tij deri në Spanjë dhe nën udhëheqjen e tyre, qytetërimi i veçantë arab arriti kulmet e lulëzimit të tij.

Nga ana tjetër, kjo periudhë do të shoqërohej me revoltat e kundërshtarëve të Umajadëve, të cilët ishin përqendruar në Iran, Irak etj. Këta mendonin se Kalifati i takonte Aliut dhe pasardhësve të tij si trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Profetit. Umajadët, sipas tyre, ishin uzurpatorë. Kjo ndarje jo vetëm politike, por edhe teologjike, fetare vazhdon deri më sot.

Familja e Aliut e mëtonte trashëgiminë e Kalifatit si zgjedhje të dhënë nga ana e Zotit dhe e Profetit Muhamed. Sipas tyre, Profeti para se të ndërronte jetë, në Luginën e Gadirit takoi krerët që e pasonin dhe u la porosi që pas tij të vinte në krye Imam Aliu, i emëruar prej tij si Imam i gjithë umetit mysliman.

Meqë kjo nuk ndodhi, plasën luftërat shekullore për pushtet, luftëra për kryesimin e Kalifatit.

Këtu e merr lëndën poema e Naim Frashërit.

Përtej lëvozhgës historike të luftërave civile për pushtet, realiteti i miliona viktimave të dhunës çnjerëzore, flijimi i të pafajshmëve, i të pafuqishmëve, i të pambrojturve, u dhanë ngjarjeve të Qerbelasë një përmbajtje të lartë ideologjike, përmbajtje fetare, frymëzim hyjnor të luftës mes së mirës dhe së së keqes e, të luftës mes Zotit dhe djallit, pra, u gatua një lëndë e së madhërishmes, e tragjikes, lëndë që ushqeu dhe ushqen ndarjet përçarëse fetare të përmasave të tilla që vazhdojnë edhe sot.

Në këto motive të therorive të përgjakshme e ngjeu penën për të shkruar poemën e tij Naim Frashëri. “Qerbelaja” si vepër artistike formëson poetikisht këtë brumë të përzishëm tragjik me burim nga historia.

Qerbelaja, shkretëtira e mbuluar nga përgjakja e të flijuarve njerëzorë, me ndërhyrjen e poezisë, nga një lëndë e gjallë, konkrete, shndërrohet në materie artistike, kthehet në simbol të së përzishmes, në metaforë therorije, ngjashëm me vende të rrënuara, vende të kthyera në hi, vende të shfarosura me rrënjë nga luftërat çnjerëzore, vende që historikisht e përjetësisht simbolizojnë fatkeqësi, mizori, katastrofa, si Troja, Kartagjena, Vaterloja…

Qerbelaja në poemë nuk është më toka… është idealiteti, frymorja, hyjnorja.

Vende si Troja, Kartagjena, Qerbelaja… nuk janë vetëm shenja në histori, por dhe topikë në simbolikë, në idolatri.

“Qerbelaja” e N. Frashërit nuk është vepër historike, është poemë epike himnizuese me mesazhe metafizike që nuk njohin hapësirë dhe kohë konkrete. Ajo u flet të shtypurve të çdo kohe dhe të çdo hapësire, u thotë se si duhet vepruar nën dhunën dhe nën mizoritë e tiranëve. U thotë të shtypurve se ju, duke paguar me heroizëm, me gjak dhe me sakrifica sublime për një ideal të lartë, do të krijoni një kauzë të shenjtë që nuk do të harrohet kurrë ndër shekuj.

 

Pse Naim Frashëri në vitin 1889, një vit para se të vdiste, botoi “Historinë e Skënderbeut” dhe “Qerbelanë”, dy poema epike, njëra me ngjarje dallueshëm kombëtare, tjetra me frymëzim fetar dhe me temë ndërkombëtare?

Për “Historinë e Skënderbeut” dihen shtysat. Ai ishte poeti misionar i popullit të vet. Ishte mësuesi, ideologu kombëtar. Figura e Skënderbeut ishte në përputhje me idealet e Rilindjes Kombëtare.

Po “Qerbelaja”, përse duhej shkruar?

Studiuesit kanë dhënë shumë shpjegime, që nuk i përjashtoj.

Naimi ishte i frymëzuar nga kultura persiane, ishte ndikuar nga paraardhësit e vendlindjes që shkruanin poema të gjata me tema historiko-fetare. Naimi ishte filozof i bektashizmit. Ishte panteist, ishte mistik. Po. Këto dhe të tjera shpjegime kësisoj, janë të pranueshme. Të gjitha.

Veç me një ndryshim… Mbase është koha të themi edhe diçka tjetër. Poeti është poet. Si poet me talent ai i shpërthen kufijtë, del jashtë kohës dhe jashtë vendit të vet. Bëhet qytetar i botës.

Poezia, materia poetike me cilësitë e saj universale, e bëjnë poetin qytetar të botës. Jo tjetër gjë. Poeti i mirë nuk mbetet vetëm apostull në altarin e kohës së tij e të kombit të tij.

Temat ngjethëse, temat tragjike, universale, madhështitë pa kohë e pa vend, që nga poet Bajroni edhe më përpara tij, ishin të parapëlqyera nga gjithë poetët, në veçanti nga romantikët. Ata i gjuanin gjëmat, tragjeditë botërore.

Kështu dhe Naimi ynë me “Qerbelanë”.

Si poezi me lëndë tragjike ajo i përket gjithë njerëzimit, si frymëzim fetar u flet vetëm besimtarëve bektashinj.

Është një poemë që sot mund t’i flasë më afër një lexuesi që adhuron tarikatet e Islamit. Kjo ngaqë himnizon gjakun e dëshmorëve të Qerbelasë, vajton flijimin e pjesëtarëve nga Familja e Profetit.

Poema “ Qerbelaja” është ndarë në 25 këngë. Në secilën këngë ka heronj që nuk veprojnë në këngët më pas. Poema shqyrton ndodhi, vuajte, sakrifica, trimëri dhe përcjell mesazhe humane dhe hyjnore.

Lënda e marrë nga historia fetare arabe shtrihet prej shekullit IX deri në shekullin XVII. Lufta fillimisht zhvillohet ndërmjet Profetit Muhamed dhe Sufjanit, pastaj mes Imam Aliut dhe Mavijes, mes Imam Husenit dhe Jezidit si dhe mes Muhtarit me Mervanin (birin e Jezidit), pra, luftëra të pandërprera mes dy fiseve që shkojnë nga një brez në tjetrin.

Poema fillon me lajmërimin e ardhjes së një feje të re me misionar Profetin Muhamed. Vazhdon me flijimin e nipit të tij Imam Husenit, me hakmarrjen e Muhtarit, stërnip i brezit të katërt, dhe përmbyllet në këngën XXV me një mesazh për popullin shqiptar, për të krishterët dhe për myslimanët. Naimi do të edukojë te bashkatdhetarët ndjenjat e larta të fisnikërisë, të humanitetit, të besimit në hyjnoren.

Për lexuesin e sotëm, një poemë si “Qerbelaja”, përtej mesazheve fetare, ia vlen të lexohet për shijen e tragjikes, për madhështinë e flijimit njerëzor, për bukurinë e gjuhës, për rrjedhën muzikore të vargjeve, për arkitekturën mjeshtërore të strukturës së saj, për cilësitë artistike të një vepre të periudhës së pjekurisë të një poeti si Naim Frashëri.

*Me rastin e 120-vjetorit të vdekjes së poetit, në Vitin e Naimit, mbajtur në Kryegjyshatën Bektashiane Tiranë

XLV – 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS – Profesor Simon Rrota: “Po shkruej për vedi e për Shkodren” – Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

XLV – 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS – Profesor Simon Rrota: “Po shkruej për vedi e për Shkodren” – Përgatiti për botim Fritz RADOVANI

Profesor Simon Rrota: “Po shkruej për vedi e për Shkodren”

Profesor Simon Rrota (1887 – 1961) shkruen:

Zoti krijoi me dorë baballarët ! Poezi nga Laureta Petoshati

Kur bie shi thonë engjëjt qajnë
dhe shpirtrat kullojnë pikë-pikë,
miliarda shpirtra tokën e lajnë,
miliarda shpirtra na bëjnë vizitë.

Një shi që bie me vëtëpërmbajtje,
si të jetë parfum, me butësi,
gjatë gjithë natës në dritare,
lotët e tim eti janë aty.

Dua të dal e të më lagin,
diçka prej tij dhe unë të prek,
lotët lajmëtar të mallit,
që nuk pranojnë sakrilegj.

Se vërtetë zoti krijoi dimër,
përlotet vendi nga të qarët,
por enkas ai krijoi prindër,
mburojë për ne janë baballarët.

Kur bie shi thonë qajnë engjëjt
por dhe demonët qajnë me shtrëngatë,
duan të shkulin çdo gjë nga rrënjët,
se nuk bëjnë ligjin dot më, atje lart.

Mendoj babanë dhe ndihem në kullë,
shtëpia dhe kombi mbahen nga trarët,
ca lotë shiu më vijnë si ninullë,
se Zoti krijoi me dorë baballarët.

 

 

© Vlorë 21 tetor 2020

 

 

Mbylleni sa më parë këtë farsë – Nga SULEJMAN MATO

Se kujt i ka shkrepur më tru, pas një heshtje të gjatë tridhjetëvjeçare, të vlerësojë poetin laureat të vitit.
Madje për këtë aktivitet kanë sjellë ndërmend dhe 25 letrarë nga të cilët poetë të mirëfilltë mund të jenë vetëm katër- pesë vetë.
Mirë kjo, se njeri prej tyre dhe mund të laurohet, por, së pari, me çfarë kritere do të vlerëhohet? Së dyti, pse nuk janë kujtuar të fusin në këtë listë dhe nja 20 poetë të tjerë, tepër të afirmuar, në vite? Së treti: Kush e zgjodhi këtë juri poezie e cila nuk ka asnjë lidhje me poezinë?
Pashë komisionin e vlerësimit dhe u pataksa. Mirë Besnik Mustafaj që është dhe vet poet dhe mund të gjykojë, edhe pse nuk do ta paragjykoj për subjektivitietin e vet, por tjerët që janë futur në këtë juri nuk di të kenë ndonjë lidhje me poezinë. Të parën që pashë në listë ishte. Arlinda Dudaj. Çfarë lidhje ka kjo zonjë me poezinë? E kemi parë nëpër televizione të ndryshme herë si analiste e herë si moderatore, por asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të flasë për poezinë…
Ka mbaruar degën e frëngjishtes, fati e ka dashur të hapë një shtëpi botuese.O.K. Po me poezinë çfarë e lidh dhe nuk e di në mund të gjykojë kjo zonjë dhe zonja tjetër Viola Isufaj për vlerat e poezisë sonë në këto tridhetë vjet?
Ndaj ju lutem, mbylleni këtë nisiativë sa më pare.
Në qoftë se dikush dëshiron të dijë për vlerat poetike të poetëve shqiptarë, së pari duhet të ketë lexuar nja 30 poetë… Dhe kjo nuk mjafton. Poetët janë të ndryshëm. Nuk ngjajnë me njeritjetrin. Vetvetiu lind pyetja: Mbi çfarë kriteresh do të përzgjidhet poeti më i mirë? Dikur kriteret ishin të qarta dhe ne që bënim pjesë në juritë e dikurshme i kishim të qarta kërkesat. Po tani çfarë kërkesa keni ju zotërinj dhe zonja të jurisë? Pse iksi është më i mirë se Ypsiloni?
Së pari vihen kërkesat e, së dyti, zgjidhen poetë me eksperiencë dhe të shquar për të vlerësuar poetët. Disa nga emrat e vënë në këtë listë ishin për të qeshur.
Në atë liste ka pak poetë. Një ndër ta është Skënder Buçpapaj, i përmasave europjane, që pak kush e njeh poezinë e tij në Shqipëri, me që ai jeton dhe punon në Zvicër.
A mund te më thotë ndonjë nga anëtarët e jurisë pse poeti i përzgjedhur është më i mire dhe ku dallon nga të tjerët…?
Kriteri i vlerësimit duhet të jetë përmbajtja, problematika shoqërore, thellësisht shqiptare dhe qytetare, dhe ajo e veçantë artistike, novatore ose tradicionalisht shqiptare, që e dallon këtë poezi nga poezitë e vendeve të tjera.
Po kujt t’ia themi këto? Viola Isufajt? Çfarë lidhje ka kjo profesoreshë me poezinë? A e di ajo që ka ca poetë si Agim Shehu, Hiqmet Mecaj, Faslli Haliti, Moikom Zeqo, Xhevahir Spahiu, Ndoc Paplekaj, Roland Gjoza, Petraq Risto, Agim Bajrami, etj, (duhet te kem harruar dhe disa te tjere) të cilët nuk kanë nevojë për t’i lauruar ajo juri pasi i ka lauruar koha dhe lexuesi shqiptar.
Në qoftëse do të donit të ishit sa më të drejtë në dhënien e një çmimi të tillë, së pari duhet të kishit nisur një diskutim paraprak në gazeta letrare apo Facebook e të grumbullonit mendimin e lexuesit të poezisë.
Por dhe kjo nuk mjafton, pasi poetët janë të ndryshëm.
Poezite e poetëve nuk janë si domatet, fiqtë dhe mollët, ku mund të zgjedhësh në treg atë që të pëlqen. Poezitë nuk janë shalqinj e as qershi, mollë e dardhë.
Miqësisht do t’ju sugjeroja ta ndalni këtë lloj çmimi pasi do të jetë formal dhe do të nxisë debatin si një çmim i dhënë nga persona jo kompetentë.

I garantoj sukses të plotë librit të Agim Hushit me prozë të shkurtër “Udha e qumështit” Nga Ymer Nurka

Shkrimtari jo rrallëherë gjendet përpara dilemës krijuese: “Të shkruash, a të mos shkruash?!”

Megjithatë kjo mëdyshje nuk vlen për ata më të talentuarit, për ata që e kanë “hambarin” e përvojës jetësore plot, të cilët krijimtarinë artistike e kanë jo vetëm një ndër dimensionet e personalitetit, por edhe një nga misionet e jetës së tyre. Vullneti qëndron tek ata krijues, të cilët guxojnë të rrëfejnë vizionin e tyre e që besojnë se ka ligje dhe energji të mjaftueshme për transformimin e shoqërisë, duke perfeksionuar e përmirësuar gjithë sistemin e vlerave humane. Nëse një krijues nuk udhëhiqet nga motive të tilla idealiste, në veprat e tij, pa dyshim, do të ketë “kërcitje” nga lënda e materies. Për fat të mirë, apo të keq, qëllimi kundrejt pragmatizmit për individin e sotëm është kthyer në një filozofi jetike. Te kapitali si doktrinë, konvergojnë dhe vërtiten tërë aksiomat dhe idetë, aty janë orientuar pothuajse gjithë sensorët e shoqërisë njerëzore.

Teksa lexova me ëndje vëllimin me prozë të shkurtër, me titullin kozmik “Udha e Qumështit”, të poetit Agim Hushi, jo thjesht u mrekullova, por njëkohësisht dhe u freskova në këtë zheg korriku, u freskova me tematikën e larmishme të përzgjedhjes për t’ia sjellë përpara lexuesit.

Fati im të kem në dorë këtë libër dhe të jem nga të parët lexues që “degustoj” këtë koktej ngjyrash, ndjenjash, udhëtimesh, të sjella me mjeshtëri nga përvojat e çmuara, në etapa të ndryshme të moshës së autorit.

Ngjarjet vijnë të përshkruara, nëpërmjet një verbi të bukur rrëfimtar, të spikatur dhe modern, pa predikime, moralizime dhe mesazhe të drejtpërdrejta. Lojën e bëjnë personazhet, autori rrëfen duke ruajtur me kujdes statusin si asnjanës, e më tej duke shpalosur çastet më mbresëlënëse e më të papërsëritshme të jetës së tij.

Jam i sigurt se një thesar i tillë shpirtëror do të bënte ziliqar çdo poet, ose shkrimtar, madje çdo eksplorator të pasionuar, pas aventurave për udhëtime të gjata e me plot surpriza.

Natyrisht që një komoditet të tillë nuk e ka gjithkush. E cilësova “komoditet” edhe pse nuk është i tillë, përveçse fryt i një pune titanike, i një durimi gati mitik, për të arritur në majat e artit, pikërisht aty ku gjendet sot poeti, prozatori, piktori, akademiku dhe tenori me famë botërore, Agim Hushi.

Nuk e teproj aspak nëse individualitetin e tij e cilësoj si një diamant të çmuar, i cili u zbulua së pari në këtë vend dhe i përket deri në krenari po kësaj toke që quhet Shqipëri.

Autori shkon e vjen natyrshëm nga skaji në skaj, ku pavarësisht amplitudave të jetës, sukseseve të arritura, ai nuk mohon aspak rolin e vendlindjes për formimin e tij bazik si qytetar dhe si artist.

Qyteti i vogël, është pikënisja e ëndrrave, e konvertuar në vargje dhe vokalica, për të ardhur deri këtu, në majat triumfuese, gati të pabesueshme, të auditorëve dhe skenave botërore.

Pa një jetë aktive, gjithmonë në lëvizje të autorit, në këto tregime do të na mungonte larmia e fakteve, karaktereve dhe motiveve, e mbi të gjitha do të na mungonte filozofia njerëzore, që me përzgjedhjen e kujdesshme të tematikës, së bashku me radhitjen e ngjarjeve në kohë, ravijëzon tamam si në një “puzzle”, portretin e saj.

Shkrimtari nuk trillon, ai i njeh thellësisht të dyja ekstremet e jetës, që nga fëmija i braktisur e deri tek “Udha e Qumështit” në Malajzi, ku të lë të kuptosh se uria e popujve nuk mund të shuhet me një apo me dy vakte të dhuruara, por do zgjidhje madhore. Pastaj autori, si për të mbushur boshllëkun shpirtëror të lexuesit, shenjtëron edhe më tepër natën e falënderimeve te “Darka e shenjtë”, duke ngjallur shpresën e duke shuar urinë e Sofisë dhe dy fëmijëve të saj në një tryezë të bollshme. Përsëri të fut në mendime se hallet e njerëzimit nuk zgjidhen me magji. Shkrimtari e ka në dorë situatën dhe me një të rënë të lapsit mund ta ndryshojë rrjedhën e subjektit, por ai nuk e bën këtë sepse nuk i shmanget problematikës. Krijimtaria e çdo autori të njeh me opinionet dhe mendimet që ka ai kundrejt fenomeneve sociale, por në të njëjtën kohë krijimtaria shpalos dhe karakterin e tij. Agim Hushi me zgjidhjen që u jep rrëfimeve shfaq botën e tij të madhe dhe të ndjeshme. Të kreshpëron tregimi “E përdala” që zbulon instinktet e paskrupullta të turmës dhe të rrëqeth te tragjedia “Dy vëllezërit”. Dhe kapërcimet vazhdojnë me kontrastet e thella, që lindin nga njëri tregim, tek tjetri. “Profesori”, simboli i dijes, ai që sa e sa fëmijëve u ndriçon mendjen, pse jo u ndryshon edhe fatin, pikërisht ky njeri ndihet i braktisur dhe i harruar; merr një pagë gjysmake që e detyron të zgjidhë urinë në kazanin e plehrave.

Autori nuk ka për qëllim thjesht të tregojë bëma dhe gjëma, por të sjellë argumente të pakundërshtueshme pse jemi katandisur kështu. Ai sjell dramën e jetës, që në çdo çast merr përmasat e një tragjedie për brezin e ri, ku mendja fluturon ndër ëndrra dhe dëshira, ndërsa këmbët janë në llumin e varfërisë dhe injorancës. Si të mos mjaftonte kjo autori trajton një temë edhe më të guximshme, atë të kalbjes së sistemit shoqëror, pikërisht atje në krye të tij. Marrëdhëniet midis njerëzve nuk janë aq humane, diçka i provokon rëndë ato. Ajo që më befason është se autori di të bëjë diferencimin e temave, pasi Shqipëria dhe vendet e qytetëruara nuk kanë të njëjtat halle. Nga uria e fëmijëve, nëpër metropole dhe zona rurale, te “Mbretëresha”, që jeton në luks. Jeta mondane e monarkes së plakur, e cila dremit dhe kërkon paqen mbi qefinin e një kohe që po perëndon. Përfundimi në çdo rast vjen natyrshëm.

Po autori nuk do të ndalet as këtu. Në një tjetër çast ai e çon lexuesin të udhëtojë bashkë me të, me avion drejt Sidneit e në një tjetër moment zbret në Moskë e niset me tren për “Një takim në stepë” drejt Siberisë.

Me shtegtimin për në Polin e Jugut, përshkruan shpirtin njerëzor deri në dhimbje, te “Shtëpia e engjëjve” aty në sediljet e vendosura pranë dritares së avionit takon personazhin më interesant, murgun budist, një krijesë “e fortë”, pjellë e mëkatit, i cili transformohet në një qenie e brishtë e mishërimit të mirësisë. E në Polin e Veriut, heroi lirik, zbulon “vëllanë” e burrëruar me një peng të madh në zemër, “produkt” i një sistemi kriminal, që mbi çdo gjë, e mbi gjithçka vendos dogmën e një filozofie utopike.

Barbaria sintetizohet qartazi deri në ekstremitet, te tregimi “Pata e artë”. Një rrëfim jetësor, që e sjell thjesht me naivitetin e një krijese delikate, siç është fëmija, duke përcjellë natyrshëm gjendjen e degraduar sociale të një shoqërie që vret deri në qelizë ndjenjën latente, besimin e natyrshëm dhe lirinë sublime të fëmijëve, duke e nxjerrë lakuriq atë kohë, plot slogane dhe dogma, e cila në emër “të shumicës” degradoi personalitetin e njeriut, shkatërroi boshtin themelor të vetë arsyes, për hir të së cilës dhe jemi në këtë jetë.

“Pata e artë”, në harkun kohor sa hap e mbyll sytë, kryen fluturimin tragjik, duke përcjellë natyrshëm mesazhin se një shoqëri që nuk respekton dëshirat e fëmijëve, herët a vonë, është e destinuar të shembet.

Por vektori i krijimtarisë së shkrimtarit përsëri lëviz me shpejtësi, në një rreze të gjerë në hapësirë dhe në kohë, ai në çdo rast mban për seli shpirtërore vendlindjen, atë qytetin e vogël rrëzë kodrave të ulëta në breg të Adriatikut. Aty bën një retrospektivë romantike, me “cicmicet” e dashurisë në adoleshencë, pasi për Agimin, nuk ka tema të mëdha apo të vogla, për të ka qëllime të shprehura me art, në funksion të mesazhit social. “Shtriga” e bukur, me ndjenjën mbisunduese, që me një egoizëm femëror ndan të sapodashuruarit, të bën të vësh buzën në gaz e ta duash më fort. Është një psikologji e tërë që duhet të merret me këtë fushë.

Ndonjëherë, surpriza të befason me rastësitë e saj e të bën të dyshosh, si mundet të ndodhë kështu?! Te “Maskat e Romës”, “Udhëtim për në stepë”, edhe vetë autori e kupton këtë, por gjithçka kryet në funksion të asaj çka duhet thënë. Apo “Ullishta” që fshehu dhe zbuloi njëherësh surprizën e padëshiruar të djelmoshave. Mësuesja e tyre e bukur, idhulli i ëndrrave të tyre, etaloni me të cilin ata do të matnin bashkëshortet e ardhshme, na dashuruaka dikë?! “Ullishta”, pa dyshim, që përgjithëson aq bukur ndjenjat e asaj moshe, ku zhgënjimi lë vragë në shpirt, e cila zbehet vetëm kur personazhet rriten.

Papritur autori si një shtërg i bindur shtegton përsëri, por këtë radhë në Europë. “Maskat e Romës” një nga tregimet më tronditëse. Simoni, ky personazh me tipare tejet njerëzore, i cili beson verbërisht në virtytet e gruas së tij, shokohet pikërisht në atë moment kur dhe vetë tundohej të kryente aktin e parë të tradhtisë bashkëshortore. Ai kuptoi se tradhtia paskësh qenë e ulur këmbëkryq në vatër me kohë, por shpeshherë i zoti e merr vesh i fundit. Kjo ngjarje mund të sillte goditjen fatale për familjen, po çuditërisht godina e saj nuk u shemb, por qëndroi më këmbë, pasi hyri në lojë gjykimi dhe arsyeja, e ardhmja e fëmijëve, mbi të cilët nuk qëndron asgjë.

“Maskat”, simbol i hipokrizisë njerëzore. Ato askush nuk guxon t’i heqë, pasi tashmë ato për qytetërimin janë bërë tabu. Nëse guxojmë t’i prekim, atëherë do t’i ndiejmë deri në palcë tërmetet sociale.
Autori herë pas here kthehet dhe trazon kujtimet, të cilat i rrëfen me një butësi të admirueshme, e pastaj si bën një tango të bukur së bashku me avionin “Çesna”, “degdiset” te “Fillimi i botës”, aty për aty zbret në tokë e vallëzon me aborigjenët, të cilët ruajnë ende në shpirt zakonet e moçme, raportet arkaike, por tejet të besueshme të njeriut me zotat dhe me mëmën natyrë.

Ajo çka të trishton pasi ke mbaruar leximin, është braktisja deri në harresë të plotë e këtyre njerëzve, ndërsa ajo çka më mahnit se tepërmi, janë detajet e dhëna për pilotin, për shpirtin e tij të aventurës.

Një përshkrim gati personifikues i avionit “Çesna”, që çante qiellin dhe dukej sikur për karburant përdorte merakun dhe dashurinë e pakufishme të Berrit. Vërtet ky është udhëtimi më magjik i kryer ndonjëherë, por nga rrëfimi, në rrëfim mbizotërojnë kontrastet e thella.

Tregimi që të bën të sëmbojë/të sëmbon në zemër është “Armiku”. Një subjekt i papërsëritshëm, me një mesazh të madh. Historia e tmerrshme e luftës së klasave, shpëlarja e trurit, ku njeriu urren njeriun, ku mendja halucinante, pasi zgjohet, kupton rrethin vicioz të barbarisë që ka kryer. Ndërgjegjja nuk ka më paqe dhe kërkon drejtësinë dhe faljen e madhe, të cilat i lyp si një çelës, që duket sikur nuk kanë asnjë vlerë tjetër, veç për të hapur portën e botës së përtejme.

Këto rrëfime, me të gjitha elementet e një proze klasike, diku më shfaqen si prozë poetike, madje vijnë si një poezi me varg të bardhë. “Dreri” bart një mesazh universal edhe pse duket një subjekt gati si një përrallë.

Zbritja me një trajektore në kohën e luftës shekullore për liri te “Nata e fundit”, stoicizmi epik i personazhit Jaho, të lë mbresa të pashlyera në kujtesë. Proza e shkurtër përgjithësisht kërkon fabul, këtu kam parasysh tregimet e Mopasanit, Çehovit, apo Elin Pelinit, pse jo dhe të Dino Buxatit, por te ky libër nuk ka trill, as “surpriza” të sajuara me stil, me qëllimin e vetëm për të mbajtur në ankth lexuesin. Tek “Udha e Qumështit” do të gjeni jetë dhe vetëm jetë, të shprehur pa pompozitetin e një letrari të madh. Vëllimin e përshkon fund e krye si një fill i kuq, gjuha e thjeshtë deri në modesti e autorit, që mund të vinte edhe në formën e ditarit, por autori me ndërgjegje ka zgjedhur këtë gjini artistike, pasi këtu galeria e personazheve të tij, me simbolikën e përgjithësimit, merr gjithë vëmendjen e lexuesit. Një nga një tregimet ngjajnë si substancat e një tharmi, nga ku mundet të zinin fill rrëfime më të gjera, në nivele novelash apo romanesh, por autori e njeh mirë psikologjinë sociale të shoqërisë së konsumit, e cila është e prirë drejt esencës dhe i do gjërat t’i rrufisë “flesh”.

Me këto impresione, që po marr nga këto tregime, i garantoj sukses të sigurt librit “Udha e Qumështit”, duke shpresuar që së shpejti krijimtaria e poetit Agim Hushi, përpos poezisë dhe tregimit, të kulmojë me romanin e tij të parë!

Një fillim i mbarë të çon gjithmonë drejt majave dhe këtë më mirë se çdokush tjetër e di poeti Agim Hushi.

 

Ymer Nurka

ZOJA E SHKODRËS NË DY POEZI

Kisha Katolike përkujtoi me 18 tetor vig jilien e festës së “Zojës së Shkodrës”, pajtores së g jithë Shqipërisë. Historia e saj lidhet me ikjen e pashpjegueshme në 1467 të një afresku ku paraqitet Zoja e Bekuar (Shën Mëria) me Jezusin fëmijë nga një kishë buzëKalasë së Shkodrës, kur osmanët po afroheshin për ta pushtuar qytetin. Ajo u vendos në Gjenacano tëItalisë ku g jendet akoma dhe sot. Ky moment ështëparaqitur nga dhjetra piktorë, si Kolë Idromeno, Lin Delia e deri edhe Lekë Tasi. Historia e kësaj ngjarjeje shpjegohet më së miri nga Italo Sarro në librin “Zoja e Këshillit të Mirë: historia e një shtegtimi të jashtëzakonshëm”, përkthyer nga Ardian Ndreca dhe botuar në shqip në 2017.

Shumë poetë të veriut i kushtuan poezi Zojës, disa syresh edhe si lutje për rikthimin e saj në Shkodër. Mëposhtë po paraqesim dy pre tyre, njërën të shkruar nga Luig j Gurakuqi dhe tjetrën nga Atë Gjerg j Fishta:

Dallëndyshja u kthye

LUIGJ GURAKUQI

Ti dallndyshën porosite,

Vendin tand me shkue me e pá,

Nepër Shkodër me shetitun,

Mbi vorr t’bab’s e t’nans me kjá,

N’ shkoll, n’ shpi tande ‘i herë m’u ndalë,

Me miq t’ motshëm m’u përfalë.

Erdh njimend, e nepër Shkodër

Shum kërkoi tuj fluturue,

Rrugs, n’ livadhe, n’ mal e n’ kodër,

Me kang t’vet na ka gazmue,

N’ fush t’ Rrmajit asht ndalue,

E mbi vorre ka vajtue.

Në prendverë ktej porsa mbrrini

Miqve tu i u fal me shndet,

Nepër shkollë, n’për kisha hini,

Me t’a hiek at kasavet,

E n’ shpi t’ vjetër ku ke le

Ka godit’ çerdhen e re.

Por kur kthej, me t’than a diti

Miqt, qytetin, punt si i la?

Para sysh Shqypnin a t’ qiti?

A e harroi ndoj send beldà?

A t’ kallxoi gjithshka kish pamun?

Si mbi vorre kishte kjamun?

Po prej prindsh ndoj shndet, ndoj fjalë,

Ndoj bekim a t’a ka pru?

Mbi rras’ t’ tyne kur u ndal,

Ndoj tub’ lule a e kish vu?

T’ zezat t’ona a t’i kallxoi?

Me kang’ t’ vet a t’i diftoi?

Shkodrën brengat e kan marrë,

Tjetër s’ndin veç gjamë e ankime,

Ma shpesh shifen se nej par

Gjaksi t’ mrapshta e turbullime.

S’ ka mbet’ gja pa u çoroditë,

Ma fort prangat na jan rritë!

Por ani, Zojën e kena,

Qi me dije na i shin lott,

Në Tê, na t’vorfnit pshtetun jena,

Na ruen Zoja e na del zot!

Varrën tonë na e ankon

Si bylbyli kur gjimon!

Mir’ po shoh se ke shum mall

Për me u gjet’ njiher’ n’ Shqipni.

Ik pra e eja për të gjall

Me miq tu m’u knaq’, m’u ngi.

Eja vetë Zojën m’e pa,

Eja vetë n’ Rmaj me kja!

 

Zoja Shkodrës – Shkodra e Zojës

ATË GJERGJ FISHTA

Zoja e Shkodrës

Kúr permbrenda atij Tempullit të rí,

Mue per nen dollma t’Rozafatit true,

N ’g jűj shoh Shkodranin ulë me pervűjtní,

M’bjen n’mend se Zoja e Shkodres më thonë mue.

E kúr per rreth e qark t’eltervet t’mí,

Si stina e bukur t’nise me lulzue,

Fmín e Shkodranit ndiej tue m’kndue n’brohrí,

Vedin Shkodrane m’ kandet me e kujtue

Por edhe atë herë, po, kúr Shkodrani t’kjajë

E t’ dnesë nder t’ vshtira, neper t’ cillat jeta

Ati i pershkohet, syt mue m’mbushen m’vajë,

E askurr nuk lâ pingul që Shkodren zhgjeta

E mnís s’ qiellës t’a shinojë, perse e verteta

Âsht kjo: qi Shkodra â’ emja e un e sajë.

 

Shkodra e Zojës

Atë botë mbi Shkoder kúr mâ i bukur dielli

Ndritte, e larg nâmi ksajë mbi tokë kumote,

Perpara elterit t’And Shkodrani fielli

Vîte, e Ty lavde me haré t’këndote.

E kúr mbi Shkoder xű m’u muzgun qielli

E per tę t’vshtira m’u endun stinë e mote,

Me Ty Shkodrani zęmren prap e kthielli,

Kah gurt e lterit t’And me lot rigote.

Por edhe sod Shkodra pshtjellë âsht n’ zí

E jeten si n’nji vorr ajo âsht tue shkue,Shkodrani

Ty po t’ ngrehë nji tempull t’ rí.

A ‘i mend, prá, o Zojë, se doret ké me lshue

Shqipninë e mjerë, e se edhe s’ke me ndí’

Dhimbë për Shkodrani, kurr qi s’t’ ka harrue?

( Marrë nga ExLibris)

MBI TRAGJEDINË E PAPËRFUNDUAR “HAJRIJA” TË ATË GJERGJ FISHTËS – Nga Zef Zorba

Përgatiti për botim: Andreas Dushi

Vepra e fundit e Atë Fishtës që u vu në skenë para se ai të shpallej i ndaluar ishte “Juda Makabé” me reg ji të Zef Zorbës, në përvjetorin XXXIII të pavarësisë. Ajo u dha në teatër për tre ditë deri kur, me urdhër direkt nga Mehmet Shehu, g jithçka u ndalua. Si për ironi të fatit, dekada më vonë, kur tanimë figura e Atë Gjerg j Fishtës po konsolidonte vendin që i takonte në letërsinë shqipe, po Zef Zorba merr pjesë me një kumtesë në një ndër konferencat e para që mbahen për fratin e madh. Ajo kumtesë ruhet në arkivin personal të Zef Zorbës dhe botohet për të parën herë me dëshirën e vajzave të tij, Elena dhe Luçia.

Data “7 Fruer 1939” që gjindet në dorëshkrimin e tragjedisë “Hajrija” të nisur së shkruari nga Fishta është vështrimplotë.

Në atë kohë, ai, edhe pse i mposhtur nga sëmundja (do të vdiste pak muaj mbrapa), rreket sërish me vazhdu prodhimtarinë letraro – artistike, edhe pse i vrarë e i zhgënjyer në idealet e veta patriotike e shoqërore nga rrjedhja e asohershme e punëve në vendin tonë. Ose ndoshta për virtyt të instinktit ironik të vet (çka duket se i gëzojnë poetët) po parashikonte, i tmerruar e i pezmatuar, kobin e “7 –të Prillit”.

Sepse mbetet gjithmonë ajo që ka pasë kodifikuar Shelley: “Poetët janë buritë që thërrasin për beteja, poetët janë ligjvënësit anonimë të botës”.

Dhe ai, si katapult për të tillë sulm shkallmues, si kurdoherë në mbrojtje të drejtësisë, do të zgjidhte mjetin më efikas e të preferuem: dramatikën, art të cilin e ka pasur kështjellë të pamposhtur e ngallënjyse gjithmonë. E për shumë arsye madje.

Së pari, dashuria e prirja që ka pasë vazhdimisht për skenën. Ai e ndjente në shpirt se prej nje podi të tillë, tribunë objektivizmi estetik, mund të shpaloste pa cen subjektivizmin që i mufatej – hareshëm ose edhe kobshëm – me poliendrizmin e shpirtit të vet. Me sypar të hapun e shifte vetvehten, jo vetëm nismëtar e flakërues idealesh e parimesh, por njëherit edhe personazh dialogues me popullin. E dëshmon këtë, jo vetëm prodhimtaria e tij e gjerë në dramatikë, por edhe thurja teatrale që ndeshet rëndom edhe në gjinitë e tjera poetike të përqafuara prej tij. Ai deri një sonet satirik “lum i forti” e ndërton si bocet skenik me personazhet dialogues të emërtuar ( jashtë metrikës) në krye të vargjeve – batutë. Së dyti, e kjo më kryesorja, e saktë se Fishta e ka ditur mirë sa virtuozitet e afërsi mbartte në vete raporti audio – viziv me masën. Si predikator i shquar që ka qenë, e ka pasë të qartë se komunikimi shqisor është më emotiv e i frytshëm sesa raporti liberator “autor – lecites”, pavarësisht nga popullariteti që mund të gezojë faqja e shkruar. Pse në fund të fundit leximi ka më tepër tipar akademik të kufizuar, kurse spektakli është kurdoherë asociativ. Prandaj Fishta kurdo që ka ndjerë nevojën e një kuvendimi, referenduar në synim, i është drejtuar skenës. Qoftë për të fishkulluar të meta e dobësi, qoftë për të dënuar pa mëshirë mendësi e komplotime të poshtra, të ishin ato edhe nga “Fuqi të Mëdha”, që mizorisht po coptonin atdheun. “Juda Makabé” i shkruar në vorbullën e Luftës Ballkanike, bëhet akuzë aq e fuqishme, saqë At Gjergj Fishta, i turitur nga padrejtësitë, duke harruar petkun e vet fetar dhe virtytet theologjike, rrëshqet pasionalisht në blasfemi:

“ O Perëndi, a ndjeve?

Tradhëtarët na lanë pa atdhe

E Ti rrin e gjuen me rrfe

Lisat n’për male kot!”

Tri janë tragjeditë e Fishtës: ”Juda Makabe”, ”Ifgjinia” dhe “Hajrija”. Kjo e fundit, mjerisht e pambaruar, i janë gjetur e botuar vetëm dy aktet e para. Dy tragjeditë e para, sikundër edhe pjesa dërrmuese e veprave të tjera skenike të tija, kanë gëzuar mjaft herë skenat teatrale, kanë hasur aty miratim emotiv të gjithëmbarshëm, që pa frikë mund të konsiderohet kritikë popullore. S’ka pasë si të ndodhte kështu me «Hajrijen». Nga ana tjetër, «Hajrija» e Fishtës është mjaft pak e njohur edhe si lexim, megjithëse në dy aktet e botuara, shtron e zbulon shumë veçori të spikatura estetike, si dhe mjaft për të qëmtuar mbi evolucionin poetik të autorit.

Për këtë arsye, por edhe për tiparin ultimativ të saj, duket me vend kufizimi te «Hajrija ». Do të dëshironim që këto pak fjalë të vlenin sadopak për një këndvështrim tjetër të artit të Fishtës, qoftë ky edhe i karakterit limitativ.

Edhe pse me folë për heterogjeninë e veprave teatrale të tija, ka rrezik me shkarë në kodifikime bibliografie e komentative që shpeshherë tingëllojnë pedante.Porse edhe analiza spekulative mbi një vepër të papërfunduar i ka rreziqet e veta. Veçse edhe shmangiet mund të mënjanohen, po të mos u largohemi treguesve të gjetur si dhe analogjive krahasimore. Mbase, na ndihmon këtu, ligji matematik i probabilitetit.

Mbështetje, madje edhe inkurajim, na jep kritika e përbotshme që dendur merret edhe me vepra cunge e fragmentare, të trashëguara nga lashtësia. Kushedi pse, po kur lexoj dy aktet e ‘Hajrijes‘, më vete mendja gjithmonë te ”Skllavi“ i papërfunduar i Mikelanxhelos, te rropatja e tij e stërmundimshme për t’u shkoqur prej gurit që e robëron.

Vështirësia për një gjykim panoramik mbi këtë tragjedi thellohet edhe ma tej, ngase, siç duket, s’është gjetur ndonjë skenë ose stesure paraprake e thurur nga autori. Të ketë humbur ajo bashkë me të tjera gjëra të vyera gjatë bastisjeve rrënimtare të kryera në Kuvendin Françeskan? Sepse s’është e besueshme që Fishta, i ballafaquar me një temë aq të harlisur, të ketë nisur redaktimin e tragjedisë në mënyrë bashkëkohore, pa pasë hartuar paraprakisht tërë zhvillimin psikologjik e skenik të veprës. Për një skemë të tillë, flasin projektimi i veprës në 5 akte, si dhe renditja në listën e vehtjeve të dramës të mjaft personazheve që nuk dalin në skenë në dy aktet e para të tragjedisë.

Nga ana tjetër, tregues të tjerë analogjikë, mbase na hapin rrugë për të gjykuar mbi veprën e sidomos mbi autorin vetë, qoftë edhe nëse tani i mertisur nga një vel trishtimi, por gjithsesi i kordinuar si gjithmonë te moduli i vet poetik.Në dy tragjeditë e tjera (sikurse te “Lahuta”) protogonist i mirëfilltë përshkues është ideja e lirisë e pavarësisë dhe personazhet të gjithë – duke ruajtur identitetin e vet – shërbejnë për ecjen zhvillimore, te ”Hajrija”, drama e tragjedia thelbësisht subjektive është njëkohësisht e egërsisht objektive. Ajo, travajimet e veta, i flakëron dhunshëm kundër mjediseve, shoqërisë, kundër mykurive e përçudnimeve që e ngujojnë.

S’ka dyshim që Fishta të jetë njohur me mitin e Medeas nëpërmjet veprave të Euripidit, Senekës, Kornejit e sa e sa dramaturgëve të tjerë, që janë marrë me këtë subjekt.Për të gjithë ato, burim ka qenë mitologia greke: Medea e tradhëtuar prej burrit të vet – Jasonit, hero i Argonautëve – hakmerret duke mbytur fëmijët që ka pasë me të.

Pra, pak a shumë të gjithë ato Medea kanë një bosht erotik të përçudnuar nga xhelozia. Kurse ”Hajrija” e Fishtës nuk ngacmohet nga e tillë ndjenjë e sidomos s’është mitologjike. Ajo është historike, e martuar në një mjedis amoral e çnjerëzor. Autori s’na ka lënë shtjellimin psikologjik të personazhit, por mund ta imagjinojmë atë mjaft mirë. Duke njohur personazhet e tjera femërore të Fishtës (Tringa, Ifgjenia, Motra e Avdisë, Ferina etj.), e sidomos duke i ditur bindjet e tija të mbështetuna fuqimisht në eskatologjinë theologjike, por edhe në filologjinë zakonore, na lejohet të supozojmë se ”Hajrija”e Fishtës është fondamentalisht humane, edhe pse e rrasur në infanticid nga pabesia e zvetëtimi, ku e kanë katandisur rrebeshet.

Ndoshta nga ndikimi i Molierit që “Tartufin”e neveritshëm e nxjerr në skenë vetëm në aktin e tretë e mbrapa, edhe Fishta, Hajrijen nuk e paraqet në dy aktet e para. Por ngurrimi i Fishtës është dhimbja për personazhin, e cila do të jetë dinjitoze e fisnike edhe në krim. E këtë tipar, ajo duhet ta konfirmojë edhe në katarsin sublimativ të vetëvrasjes (e thotë këtë edhe folklori e s’do mend që Fishta do të jetë bazue mbi këtë). Kurse infanticida mitike, Medea, mbijeton e madje vazhdon rrugën e vet erotike e kriminale.Një tjetër veçori për t’u rilevuar është raporti krejt specifik “vëlla – motër” që vërehet në literaturën tonë edhe gojore e që shpesh e kemi takuar të gjithë në mesin tonë deri në ditët e sotme. Antigona e Sofokliut ngre krye kundër tiranisë e diktaturës edhe me vetëflijim, kurse Hajrija shkon më tutje, shumë më tutje.

Pastaj, gjuhëtarë të shquar na mësojnë, se ndërsa në gjuhët e tjera indoeuropiane nga rrënja sankriste “ma” kanë ardhur termat: motër, matter, mat, madher, në shqipe termi është tjetërsuar në substantivizëm “motër”. Kjo mund të ketë ndodhur nga zhvillimet demografike e klanore, por mbase s’është guxim të menduarit që në kodin gjenetik të femrës shqiptare të jetë i tiparizuar ky dualizëm raportativ : nënë – motër”. Si rrjedhojë, mund të afirmohet se Hajrijes i kanë tradhëtuar e vrarë vëllezër e bij, njëheri.E prej kësaj, s’është i vështirë dallimi me zemrën e brengosur të poetit, kërkimi i një shtegu për të përligjur, në mos etnikisht, protagonisten fatzezë e për t’ia drejtuar rrufetë e veta çmoralizuesve të kombit.E këtë na e pasqyron ma së miri me ravijëzimet e mjedisit amoral dhe të personazheve kriminelë e çnjerëzorë të dy akteve të para, përgjegjës këto për tragjedinë e Hajrijes e të kombit të robnuar e të nëpërkëmbur.Mos ai t’i ketë parë ata prapë të ngrysyra e gjithnjë të thëngjillosura dhe pas njëzet e shtatë vjetësh pavarësie aq fort të dihatur dikur?

E u rrek t’i gjuante me rrfe!

Shkodër, më 1.10.1991

Nga e majta në të djathtë: Willi Kamsi, Kolec Çefa, Pjerin Deda, Zef Zorba, Gjon Shllaku me të shoqen Neta Shllaku, Ndrekë Luca dhe Luigj Martini.

( Marrë nga ExLibris)

“Tregtia e madhe e letrave” që Luigji Pirandello i shkroi Zef Skiroit – Nga Matteo Mandalà

Sasia e madhe e dokumenteve, më së shumti të pabotuara, që kanë dalë në dritë këto dhjetëvjeçarët e fundit, na lejon të njohim më mirë veprimtarinë letrare që zhvilloi Zef Skiroi gjatë periudhës rinore, sidomos gjatë viteve ’80 të shek. XIX, që ishin ndër më të rëndësishmet e krijimtarisë së tij. Mes këtyre dokumenteve rëndësi të veçantë paraqesin letrat që ndër vitet 1886-1890 i dërgoi Luigji Pirandello, sepse këto japin një ndihmesë, shpeshherë vendimtare, qoftë në rindërtimin e kuadrit historik e kulturor palermitan në të cilin u ngjizën veprat rinore të poetit arbëresh, qoftë në qëmtimin e elementeve biografike private, marrëdhënieve shoqërore dhe ndjenjave që e nxitën dhe e frymëzuan. Po aq të rëndësishme janë këto letra për Pirandello-n: nga njëra anë ato ndihmojnë në rindërtimin e njërës prej përvojave më interesante që përjetoi shkrimtari dhe dramaturgu i shquar italian gjatë periudhës së miqësisë së ngushtë me Zef Skiroin. Nga ana tjetër, këto letra japin dorë për një shqyrtim kritik më të thellë e më të kujdesshëm të krijimtarisë së gjerë rinore të Pirandello-s, një pjesë e mirë e së cilës i përket pikërisht periudhës kur banonte në Palermo. Pa kuptuar drejt vlerën që pati ajo periudhë rinore për jetën private dhe publike të Pirandello-s, që i la mbresa aq të thella sa e bëri të piqej para kohe, ndoshta Leonardo Sciascia nuk do të kishte shkruar se «pa aventurën e squfurit nuk do të kishte qenë as aventura e të shkruarit e të rrëfyerit», ndërsa Andrea Camilleri nuk do t’i kishte vënë librit të tij, kushtuar Pirandello-s, titullin “Biografia e një biri të ndryshuar”. Në këto shënime të shkurtra do të lëmë mënjanë ato pjesë të letërkëmbimit që hedhin dritë mbi zhvillimet artistike të dy miqve në periudhën kyçe të formimit të tyre rinor, pasi do të përqendrojmë vëmendjen vetëm në disa momente njerëzore dhe intelektuale të marrëdhënies së tyre, duke e lënë për një rast tjetër thellimin e aspekteve mirëfilli letrare.

 

Pirandello njihet me Skiroin aty nga viti 1882, kur u transferua bashkë me familjen në Palermo, ku prej disa vitesh ishte vendosur Zefi. Prej asaj kohe dy të rinjtë lidhën një miqësi të ngushtë dhe të sinqertë, që ushqehej, përveçse nga një vlerësim i ndërsjellë, edhe nga interesa e aspirata të përbashkëta artistike dhe letrare. Deri pas vitit 1890 kur marrëdhëniet mes tyre u ftohën, Pirandello dhe Skiro mbajtën një letërkëmbim të rregullt, prej të cilit na ka mbërritur vetëm një pjesë e letrave që ata i shkruan njëri-tjetrit. Korpusi i letërkëmbimit, përveç letrave që kemi në dorë, duhej të përmbante medoemos edhe të tjera që kanë humbur. Nuk dimë asgjë mbi letrat që Skiroi i shkroi Pirandello-s. Deri më sot njihen vetëm letrat që Pirandello u shkroi familjarëve dhe miqve. Megjithëse ka shumë të ngjarë që Pirandello të mos i ketë ruajtur letrat e Skiroit, nuk përjashtohet që ato të gjenden diku në ndonjë arkiv privat. Botimi i plotë i letrave i përket vitit 2002 ( shih Peppino mio: lettere di Luigi Pirandello a Giuseppe Schirò (1886-1890), a cura di Antonino Perniciaro, Filomena Capobianco, Cristina Iacono, con un saggio introduttivo di Matteo Mandalà, Biblioteca museo Pirandello di Agrigento, 2002), pas një botimi të pjesshëm dhe të cungët të vitit 1994 (Luigi Pirandello, Amicizia mia. Lettere inedite al poeta Giuseppe Schirò (1886-1887), a cura di A. Armati, A. Barbina, Istituto di studi pirandelliani. Quaderni 9, Bulzoni, Roma, 1994).

Pirandello qëndroi në Palermo gjatë viteve 1882-1887. Skiroin, me gjasa do ta ketë takuar korridoreve të liceut klasik “Vittorio Emanuele II” të Palermos: Skiroi, dy vjet më i madh, e mbaroi liceun në vitin 1884, ndërkohë që Pirandello ishte ende në vitin e dytë. Këtyre viteve u përkasin sprovat e para letrare. Shtatëmbëdhjetëvjeçari Luigji në vitet 1884-1885 botoi tregimet e para. Nga ana e tij Zefi, mes viteve 1882 dhe 1885 botoi disa lirika italisht në LaNuova Età e më vonë, në vitin 1885,falë interesimit të kushërirës Cristina Gentile Mandalà, botoi disa poezi te Fiamuri Arbërit, që ishte themeluar e drejtuar nga De Rada. Këto sprova të para letrare i bashkojnë dy të rinjtë dhe u hapin rrugën veprave të mëpasme.

Dy të rinjtë nuk takoheshin vetëm në shkollë. Familja e Pirandello-s fillimisht u vendos me banim në rrugën Porta di Castro, pranë Pallatit Mbretëror të Normanëve, e pas një viti u transferua në lagjen Borgo, pranë Foro Italico, në një apartament që gjendej përballë kishës së Shën Luçisë; ndërsa familja e Skiroit u vendos në rrugën Porrazzi, që gjendej në krah të Corso Vittorio Emanuele. Pra të dy banonin në qendër të qytetit, fare pranë liceut, por edhe pranë bibliotekës publike Vittorio Emanuele, që të dy e frekuentonin rregullisht. Gjatë kësaj periudhe Pirandello shkonte shpesh edhe në shtëpinë e Skiroit, ku të dy bashkë ushtroheshin në artin e vargëzimit. Me siguri Pirandello njihte edhe vëllanë e Skiroit, sepse e përmend në letrën e tetorit 1887.

Kjo nuk ishte një shoqëri e rastit, por një miqësi e qëndrueshme, që u forcua falë takimeve të shpeshta, interesave dhe shqetësimeve të përbashkëta e madje edhe falë dashurive të para. Skena ideale e kësaj miqësie ishte Palermo, «qyteti i nismave taraskoniane», sikundër do ta quajë Pirandello në letrën që i dërgon më 27 gusht 1887 mikut Carmelo Faraci, i lumtur që pikërisht aty ka kaluar periudhën «më të mirë të jetës së tij të varfër», «stinën më të bukur». Imazhi i Palermos fin de siécle do të mbetet i pashlyeshëm në zemrën dhe në mendjen e të riut Luigji. Shëtitjet më këmbë a me karrocë përgjatë Foro Italico ose nëpër rrugët e gjera të qendrës, rrethuar me ndërtesa të mrekullueshme të stilit liberty, mes rrugës Maqueda dhe corso Vittorio Emanuele, lokalet që frekuentoheshin nga studentët, akulloret dhe kafetë, bibliotekat dhe libraritë, poezitë lirike botuar në revistat më prestigjioze, admirimi për mjeshtrat Giuseppe Pitrè (1841-1916), Salvatore Salomone-Marino (1847-1916), Giuseppe Pipitone-Federico (1860-1940), dëshira për t’i ngjarë Mario Rapisardit (1844-1912) e sidomos adhurimi për Eliodoro Lombardin (1834-1894), diskutimet e zjarrta mbi politikën dhe letërsinë, bëmat dashurore, dyshimet dhe pasiguria për të ardhmen; këto kujtime do të ringjallen shpesh në kohën e pjekurisë dhe as vitet, as buja e suksesit nuk do të mund t’i shlyejnë dot.

Periudha e parë e banimit në Palermo për Pirandello-n zgjati deri në verën e vitit 1885, ndërsa qëndrimi i dytë në Palermo u zgjat për gjithë dimrin e vitit 1886 deri më 14 korrik kur u kthye në Porto Empedocle për pushimet e verës. Prej këtej në gusht dhe shtator të vitit 1886 i shkroi letrat e para mikut Zef. Këto janë letra të përzemërta, por edhe të trishta, plot «dhimbje të parrëfyeshme», në të cilat shohim një Pirandello «dembel, të mërzitur, indiferent». Atë e mundon ideja se «çastin që mund ta kishte kaluar lumturisht, duhet ta shkojë duke vrarë mendjen me mendime që të mbysin idealin dhe të helmojnë jetën».

Kjo është një periudhë turbullimesh të thella, që në dukje shkojnë përtej shqetësimeve rinore e që më vonë do të rikthehen në formën e kujtimeve autobiografike, por që në të vërtetë s’janë veçse shkëndijat e para të pjekurisë poetike të Pirandello-s. Në fakt në atë turbullim vihen re pasojat e rënda të dashurisë që Luigji ushqente për kushërirën Lina, «katër vjet më e madhe se ai». Së bashku me vëllanë e saj Ettore, «thuajse bashkëmoshatar me Luigjin», dhe me shokë të tjerë ndër të cilët ishte edhe Skiroi, ai shkonte shpesh në shtëpinë e kushërirës. Me Linën, Pirandello ishte dashuruar qysh kur mbërriti në Palermo: «pesëmbëdhjetëvjeçari i pjekur para kohe mbeti i magjepsur nga hiri femëror i zonjushës nëntëmbëdhjetë vjeçare», por asokohe ishte tepër i ri për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm. Fejesa formale me Linën, që u bë në vjeshtën e vitit ’87, vetëm në dukje i qetësoi ujërat. Të tjera andralla e presin Pirandello-n. Në Porto Empedocle, siç e thamë më lart, u përpoq të mbante fjalën e dhënë, pra të mësonte pranë të atit zanatin e tregtarit, por nuk ia doli dot të linte mënjanë dashurinë e madhe për letërsinë dhe artin. E kështu zë fill një fazë e re mundimesh për Luigjin, që do ta shpjerë ngadalë dhe pakthyeshëm drejt ndarjes me Linën, për t’i dhënë fund një herë e mirë asaj rrokopuje “iluzionesh”, “zhgënjimesh” dhe “mashtrimesh”. Do t’i duhet të presë dy vjet për t’u çliruar nga ajo barrë që ishte bërë e padurueshme. Fillimisht lë Palermon për të shkuar në Romë, duke u larguar kështu fizikisht nga Lina, derisa dy vjet më vonë vë në dijeni të atin për prishjen e fejesës.

Nëse për Pirandello-n mundimet e dashurisë ishin “mizore”, nuk ishin më të pakta mundimet që hoqi Zefi. Vasha që u bë shkak i vuajtjeve të tij mbante të njëjtin emër me të fejuarën e mikut: ajo si për ironi të fatit quhej Lina Pirandello. Skiro kishte rënë në dashuri me motrën e madhe të Luigjit, Linën, bashkëmoshatare më të, dhe kishte ushqyer shpresën ta bënte për vete, duke i kërkuar ndihmë mikut, të cilit i kishte hapur zemrën «një natë të paharrueshme». Në fakt Luigji nuk mund të bënte asgjë për mikun dhe me një letër të datës 31 korrik 1887 i jep lajmin «e hidhur» të fejesës së Linës me «një inxhinier të pasur dhe shumë të mençur». Letra e Luigjit dëshmon një lojë të vërtetë mes palëve, një përmbysje të roleve: Luigjit tani i takon të ngushëllojë dhe t’i japë zemër mikut të lënduar, sikurse ai kishte bërë më parë me të. Të bën përshtypje fakti se këshillat e Luigjit janë të njëjta me ato që i kishte dhënë i ati disa ditë më parë këtij të fundit. Po aq përshtypje të bëjnë edhe mendimet mbi Dulcinea-n dhe Aldonza-n, pra mbi faktin se nuk dashurojmë «thuajse kurrë gruan ashtu siç është në të vërtetë, por gjithmonë siç besojmë se ajo është», po të mbajmë parasysh se pikërisht mbi këtë “mashtrim” u thyen “iluzionet” e tij mbi dashurinë që ushqente për Linën. Luigji natyrisht që nuk donte ta vinte në lojë mikun e dashur, përkundrazi ai u përpoq ta zhdramatizonte ngjarjen përmes sarkazmës dhe t’i jepte tone groteske një marrëdhënieje që në fakt nuk ekzistonte, por ishte vetëm fryt i një “dëshire të dëshpëruar” pa shpresë për t’u realizuar.

Ndihma që i dha mikut, këshilla për të mos e marrë seriozisht atë histori dhe për t’i vënë gishtin kokës nuk mjaftoi. Zefi u përgjigj me një letër të hidhur, plot dhimbje e mundim. Luigji mbeti i tronditur nga ajo përgjigje dhe në letrën e datës 12 gusht 1887 shprehu “keqardhjen” për mikun, u orvat t’ia platitë «lodhjen dhe trishtimin» me fjalë ngushëllimi. Nga kjo letër e Luigjit kuptohet se dashuria e Zefit për Linën nuk ishte aq “për të qeshur”, por një ndjenjë e zjarrtë dhe e sinqertë, një dashuri që i riu arbëresh kishte shpresuar vërtet se mund të realizohej. Në fakt Lina në korrik ende nuk ishte fejuar me inxhinierin e minierave Calogero De Castro, por më 16 tetor ’87 do të martohet, duke u transferuar menjëherë në Sardenjë. Pra nuk mbetej asnjë fill shprese për Zefin dhe këtë Luigji ia bëri të qartë mikut. Reagimi i Zefit, i menjëhershëm dhe publik, u shfaq në formën e një Shënimi hyrës në vend të parathënies së përmbledhjes poetike me titull Versi që doli nga shtypi në fund të vitit 1887. Edhe pse u paraqitën si «këngë të varfra gjimnazisti», ato poezi ishin frymëzuar nga një dashuri rinore, që Skiroi e quajti “trillim poetik”: po të ishte vërtet ashtu, atëherë nuk kuptohet as përse ato poezi do të ngjallnin zemërimin e një anonimi që poeti i ri «nuk njihte e as që donte të njihte», veç në mos bëhej fjala për dikë që ishte dashuruar me të njëjtën vajzë që donte Skiroi, por atëherë nuk do të ishte një trillim poetik, e as përse ia kishte lënë botuesit Amenta barrën të shpjegonte arsyet e rishtypjes së vëllimit.

Një gjë është e sigurt: Skiroi nuk e pranoi lehtë dështimin. Më kot Luigji u rrek ta takonte në Palermo, para se të nisej për në Romë. Më 1 shtator të vitit 1887 i komunikoi se do të mbërrinte në qytet javën e ardhshme, por Zefi jo vetëm që nuk shkoi ta takonte mikun, por i dërgoi një letër që e la pa gojë. Ajo letër, përmbajtjen e së cilës nuk e njohim, e tronditi aq shumë Pirandello-n, sa për të parën herë iu përgjigj pa fjalët e përzemërta me të cilat hapte zakonisht letrat. Është një përgjigje gjithë bezdi, a thua se i dërgohej një të panjohuri a një “armiku”. Edhe ajo “Lamtumirë” e shkarravitur në fund të letrës duket sikur e vulos përfundimisht ndarjen. E me gjithë ashpërsinë e përgjigjes, Pirandello gjen fuqinë ta informojë mikun për planet e së ardhmes së afërt, duke e lënë kështu portën të hapur, a thua se donte t’i thoshte “po deshe, ti e di se ku mund të më gjesh, të pres”.

Në fakt, pas disa javësh, në pusullën e fundit që i dërgon Skiroit në vitin ’87 para se të nisej për në Romë, Luigji e fton të takohen në Palermo. Kësaj here dy miqtë takohen, sigurisht që diskutojnë për zhgënjimin e hidhur të Zefit, ndoshta sqarohen, të ndihmuar edhe nga martesa e Linës, çka me gjasa e shtyu Skiroin ta pranonte faktin që s’mund të zhbëhej më. Me siguri mund të themi se qysh prej asaj dite marrëdhëniet mes tyre nuk do të jenë më si më parë. Në vitet që pasojnë Luigji do t’i dërgojë mikut pak letra, vetëm dy nga të cilat na kanë mbërritur, njërën në vitin 1888 nga Roma, pak përpara se të nisej për në Gjermani, tjetrën nga Boni në vitin 1890. Letrat e tjera që thotë se ka shkruar kur ishte në Romë, nuk gjenden në arkivin e Skiroit e ndoshta kanë humbur përgjithmonë.

Doemos që heshtja e gjatë e Zefit do të jetë interpretuar nga Luigji si një lloj largimi: edhe ai gjatë muajve që pasojnë nuk do t’i shkruajë më mikut dhe kur vendos t’i dërgojë një letër nga Boni, s’bën gjë tjetër veçse kujton të shkuarën e largët, mallin «për tregtinë e madhe të letrave të atyre ditëve dhe për ëndrrat e bukura të atëhershme», «ëndrra të perënduara». Një dëshirë dhe mall që vetmia gjermane e thellonte, duke i mbushur me trishtim shëtitjet përgjatë lumit Ren. Luigji, i përfshirë nga një valë malli, kopjon dy këngë të poemës Belfagor dhe ia dërgon Skiroit bashkë me një letër. Një tjetër këngë të kësaj poeme ia kishte dërguar prindërve më 1 shtator të vitit 1890. Duke komentuar këtë letër, Elio Providenti shkruan: «data e dashur është ajo e fejesës me Linën, gjatë “vjeshtës së freskët” të vitit 1887 për të cilën flasin vargjet [që shoqërojnë letrën]. Më tutje do ta përmendë sërish në letrën e gjatë dërguar të atit në mes të gushtit 1891, ku përmbledh gjithë historinë e asaj dashurie». Prapë hija e Linës pllakos miqësinë që Luigji ushqen për Zefin: malli për “vjeshtën e freskët të vitit ’87”, tashmë të largët, përkund kujtimin e asaj stine, ringjallet dashuria e vjetër dhe e sinqertë për mikun e atyre viteve, por zgjat veçse një çast; pas muzgut gjerman bie heshtur mbrëmja mbi Bon. Në Palermo, në muzgun italian të vitit 1890, Skiroi do t’ia kthejë nderin mikut duke i kushtuar botimin e parë të idilit Milo e Haidhee, hartimin e të cilit Luigji e kishte ndjekur varg pas vargu. Pirandello, nga ana e tij, i rrëmbyer nga dashuria e re gjermane, do të përkthente gjermanisht këngën e parë të poemës së mikut arbëresh, duke e transkriptuar te dorëshkrimi i tij Gedanken (1890) i sapobotuar (shih Giuseppe Faustini, Un amore primaverile. Inediti di Luigi Pirandello e Jenny, Mauro Pagliai Editore, Firenze, 2019, f. 181-184). Në marrëdhënien e tyre të heshtur, këto qenë aktet e fundit që vulosën perëndimin e miqësisë së madhe që i lidhi gjatë viteve më të rëndësishme të rinisë së tyre të jashtëzakonshme.

Interes paraqet edhe një çështje që i ka intriguar gjithmonë studiuesit e Pirandellos. E kemi fjalën për njohjen e shqipes nga ana e shkrimtarit të madh italian, i cili pati përkthyer italisht poezinë Jashta Jetës të mikut Zef (shih Arbri i rii, viti I, nr. III, Palermo, 1887, f. 11-12c). Ka të ngjarë që përkthimin ta ketë bërë vetë Skiroi dhe t’ia ketë ofruar në shenjë homazhi mikut. Në fakt Pirandello kurrë nuk pohoi hapur se e njihte aq mirë shqipen sa t’ia hynte një përkthimi të tillë. Gjithsesi do mbajtur parasysh se Luigji u mor me shqipen, siç del nga shënimet autografe në fletoren e njohur me titullin “Provenzale” që përmban studime të filologjisë romane, shkruar në Bon mes viteve 1889-1891 (shih Luigi Pirandello, Provenzale. Bonn a/Rh. 1889-91. Manoscritto, Regione Siciliana Ass. BB.CC.AA. e P.I., Biblioteca-Museo “Luigi Pirandello” di Agrigento, Siracusa, 2002, f. 191). Nuk përjashtohet që Pirandello t’i ketë kërkuar ndihmë mikut Skiro, i cili asokohe kishte fituar njohuri të thella mbi gjuhën shqipe duke studiuar veprat më të njohura të albanologjisë së kohës, mes të cilave edhe Albanesische studien të Johannes Georg von Hahn që u botua në Jenë në vitin 1854 në tri vëllime. Pikërisht vëllimin e dytë të kësaj vepre citon edhe Pirandello. Edhe në këtë aspekt gjenden gjurmët e miqësisë së thellë mes dy të rinjve sicilianë.

( Marrë nga ExLibris)

SHQIPËRIA – Poezi nga NAIM FRASHËRI

Bota që kur është zënë
Shqipëria gjall ka qënë,
Pellazg’u thonin më parë,
Më së fundi Shqipëtarë.
Gjuh’që kishin Pellazgjitë,
Atë flisnin Perënditë,
Atë kanë Shqipëtarët,
Siç e kishin dhe të parët.
Greqishten ajo e polli,
Llatinishtja q’atje dolli,
Bijtë t’anë jan’ Elinët,
Si-ndë-kur edhe Llatinët
Edhe gjithë Evropianët,
Që kan dalë nga Romanët.
Neve jemi më të parë
Në Evropë nga ç’do farë.
Gjithë bota vin që moti
Në Tomorr ku ishte Zoti,
Që t’i falen Perëndisë,
Zotit math të Shqipërisë.
Zëri, flaka s’ishte kot
Q’i nxjerr Tomorri dhe sot,
Ahere kish s’di se cinë,
Tani ka Abas Alinë,
Shqipëtari trim me fletë
Ka rrojtur në këtë jetë,
Kemi pasur mbretërira
Edhe fort shumë të mira.
Kemi bërë shumë punë,
Po gjithë vanë për lumë.
Aleksandri ish Shqiptar
Q’u tha i madh kordhëtar.
Selefkët dhe Ptolemenjtë
Edhe gjithë të mëdhenjtë
S’qenë Grekër as Bullgarë,
Ata ishin Shqipëtarë.
Pirua qe nga Shqipëria
Që po e lëvdon istoria.
Skënderbegu Kastrioti
Q’u dëftye aq’i zoti,
Ishte burr i Shqipërisë
Q’i dha dërmënë Turqisë.
Ç’burra ndron Shqipëria
Që i shkruan istoria.
Bajraktar e Qyperlinjë,
Shkodran e Mehmet Alinë,
Xhavella e Marko Sulë,
Babulinë e Mihaulë,
Q’i dhanë dërmën Turqisë
Dh’i vunë nder trimërisë.
Si këta e si të tjerë
Që qenë shumë të ndjerë.
Po nga gjithë trimëria
Nuk fitoi gjë Shqipëria.
Për këdo që ne luftuam,
E mbajtmë e i liruam.
Të gjithë na u harruan
Dhe sot të ligën na e duan.
Me kaqë burra të vyer
Qysh u ndothmë të gënjyer?
E ç’e desha trimërinë
Kur s’mu ndoth për Shqipërinë?
Me nder t’ënë rroj Turqija
Po aq vuan Shqipëria.
Ka vuar edhe vuan
Turqit neve nuk na duan.
Neve e bëmë Greqinë
E po Grekërit na e dinë?
S’duan fare të na shohin,
Shqipërinë sot s’e njohin.
Shqipëria ron si ropi.
Mendohet për të Evropi?
Mos durofsh i Madhi Zot
Të jetë në zgjedhë sot!
Burr i math që luftuar
Edhe botën ke liruar!
Ç’të na bënjë trimëria
Sa me qënë gjallë padija?
Shqipëri! Pse s’ish e zonja
Të bënje tri katër shkronja?
Pse të jesë Shqipëria,
Ta mbulonjë babëzia?
Duke pasur burra trima
Të humbet si vetëtima?
Ah! Zoti mos e dhëntë!
Ejani të mbledhim mentë!

Send this to a friend