VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

TANI – Poezi nga ALBERT CAMUS – Përktheu FASLLI HALITI

By | November 7, 2018

Komentet

Veterani dhe Kulaku – Tregim nga PËRPARIM HYSI

 Si Veterani,ashtu dhe Kulaku ishin ardhës apo më mirë:jabanxhinj dhe qenë,që të dy, nga një krahinë juglindore e vendit. Njiheshin  qysh para luftës dhe gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, sado në fronte të kundërta, nuk ish se kishin ndonjë urrejtje, për jetë a vdekje, me njëri-tjetrin. Tek do tregoj për këtë raport midis tyre, me lexuesit dua të  bëj një”pakt”: ndajshtimet”Veteran” dhe”Kulak” do t’i shkruaj me gërmë të madhe,në vend të emrave që kishin. Unë i kam njohur që të dy: edhe Veteranin, por edhe Kulakun. Veterani ka qenë i lavdishëm gjatë luftës,sa nuk ka  patur nxënës shkolle që nuk kish dëgjuar për të.
Në gjykimin tim ,- asnjëherë nuk dua të jem i njëanshëm.- nuk ishte burrë i keq: nuk mbahej   dhe as kapërdisej sidozot nga ndonjë i gjashëm që kish  bërë “kiametin” gjatë luftës. Jo vetëm kaq: kurrë nuk qe bërë bezdi në lagjen ku jetonte që të mbushte “pushkët” e t’i zbrazte kundër armikut të klasës. Qe mplakur goxha dhe rronte, kur i thonë fjalës:të shtynte “Ditët e prapme të Pompeut”. Këto fjalë në thonjëza janë të miat,se ai,Veterani,sado që kish luftuar dhe kish bërë emër në luftë me njësitin e tij,as që dinte në kish në botë as Cezar dhe as Pompe. Qe një luftëtar,den baben fshatar i atij tipit të KOMANDANTIT RRAPO që e ka ngritur në apogje, DRITËROI tek romani”Komisari Memo”.
Gjatë luftës,Veterani, kish bujtur në këtë shtëpinë e këtij që sot është kulak.
Kulaku ka patur një shtëpi të madhe ( më të madhen në krahinë) dhe  aty, në atë shtëpi, kanë bujtur partizanë dhe nacionalistë(ballistë). Në këtë shtëpi rronin 6-vëllezër me familjet e tyre dhe,sado që dhanë për luftën (djali i njërit prej vëllezërve shkoi partizan), megjithatë, aty nga viti 1947, vëllan e madh e arrestuan (kish përkrahur Ballin) dhe në burg,pa dalë në gjyq, një nga policët e “zellshëm” e hodhi kollotumba nga shkallët dhe vdiq “pa dhënë llogari para (Ç)Drejtësisë Popullore. Që nga kjo kohë, kur thonë në Myzeqe”Ferra e mori Uratën”. Filloi mbi  këtë familje të ndershme, e ashtuquajtura “lufta e  kllasës” dhe Familja e madhe u cilësua me titullin famkeq:kulak. Ua morën pasurinë: me laçkë e plaçkë dhe ua bënë jetën të padurueshme.
Atëherë, për t’i shpëtuar sadopak kularit që po u vinin mbi qafë, në vëllazëri u mor një vendim: të ndaheshin mëdysh.
Dy vëllezër me atë pak ekonomi të mbeteshin aty dhe tre të tjerët, së bashku me familjen e vëllait  të ndjerë,shtegtuan në Myzeqe. Sado larg e larg mërguar/dy male kaptuar,damka e”artë” e kulakut nuk iu hoq nga balli.
Sidoqoftë, me punë sfidonin taksat e rënda (ato si  me shaka,Kulaku, i quante “thela mbi bisht”, dhe, pothuaj,rronin barabar me bashkëfshatrët e tjerë.Por… ku të lë i ligu që të ngresh kasolle. Persekucionet mbi këtë familje u shtuan,por Kulaku qe burrë i zgjuar që nuk ia hante qeni shkopin dhe ku me zotësi dhe ku me”dhelpëri” arrinte që ta zbuste,sado pak trysninë që binte mbi këtë familje që,sado e copëtuar, përsëri ishte goxha e madhe. Kulaku vet, pothuaj, nuk punonte. Punonin vëllezërit,gratë e shtëpisë dhe fëmijët, rritur pa rritur. Vet Kulaku qe si një farë”menazheri”, kur thonë sot, dhe qysh në rininë e tij ,kish një ves: qe pijanec i madh. Jetoi mbi 90-vjeç dhe nuk e zmadhoj, po të them: ka pirë një autobot me raki. Më sakt:gjatë jetës ka pirë më shumë raki se sa ujë. Sado që pinte, kurrë nuk bëri sherr me njeri dhe nga mendja qe qiqër:si esëll,ashtu dhe kur ish i pirë. Duhanin kurrë nuk e ndau nga buza dhe tërë jetës e pinte me çibuk. Sado burrë i moshuar, kurrë nuk mbajti mustaqe (kam frikë se m’i presin,-shpotiste ai) dhe, kur i thosha:- Pse pi duhan me çibuk, më përgjigjej,natyrisht nën zë:-Dua t’i ngjaj atij “mustaqefshesës” që na solli këtë modelin e”kulakut”. Mustaqefshesa qe Stalini. Kam shumë kujtime për këtë”Kulakun” se ne qemë miq familjarë  me të. Ky,Kulaku, gruan e kish kushërirën e parë të babait tim dhe ai, vëllai, që e hodhën nga shkallët kish grua hallën time. Epo ne,skraparlinjtë (se andej qe edhe Kulaku) bëjmë marrje-dhënie apo ilakara të përsëritura).
Me Kulakun banonim përballë njëri-tjetrit në dy pallate që kish ndërtuar ferma. Unë qeshë kryetar i Fontit për fshatin dhe, kur shkoja për të vjelë kuotat e Frontit (dy lekë të vjetra në muaj),merja vetëm lekët për të shoqen që ishte anëtare,se kulakët qenë të përjashtuar, ai,sado që e dinte, më thoshte:- Po unë? Ti,- i thosha unë,- je kulak dhe nuk ke triskë fronti.
Po të linte rehat ai:- Po unë ç’bëj me këtë të”fronit” apo dhe për këtë do”kapar” dhe ia jepte të qeshurës. Por unë as që do ta shkruaja këtë tregim, vetëm për kaq. Tregimi vazhdon me gojën e”Kulakut”.
*     *    *
Unë  kisha zbritur në qytet për një hall. Tek pirisja për të gjetur ndonjë të njohur që guxonte të ulej me mua,kur u shfaq VETERANI. Qemë takuar dhe më parë me të dhe,sado më i madh nga unë në moshë (ai i kish kapërxyer të shtatëdhjetat), kish marrë pak nga ai “huqi” im. Donte të pinte, por, pak ndryshe nga unë: unë gjithmonë me xhepin tim, ai kish filluar që të pinte qelepir. Sa më pa, sikur t’i digjej xhani për mua, bërtiti:- U,”Kulaku!!”. Jo vetëm më takoi,por më hodhi duarët në qafë, pa iu dridhur musteqja e Veteranit. Bëra sikur e kafshova grepin që më hodhi dhe, tek më shtyu si me dashuri drejt klubit, priti që të bëja porosinë.
Epo as vrarë e prerë nuk qeshë me të dhe as atë”samarin” mbi kurriz nuk ma vuri ai dhe, tek mija,qindi, kur thonë, bëra porosinë:
– Na sill nga një teke raki,- porosita unë.
– Atë timen,- tha Veterani,- bëje dopio dhe një meze me mëlçi.
Thashë me vete:-Mos kujton atë kohën  e partizanllkut atje në shtëpinë tonë të madhe që nuk na mungonte gjëkafshë dhe nuk e di që”kulakllëku” më ka bërë për leqendi.
  Megithatë, bëra sikur nuk e shihja atë”grep” që më kish zgjatur dhe aty,për aty,mendova:- Nëse ka katandisur si qelepirxhi, do ta vë në provë:
– Edhe nga një teke,- përsërita unë.
– Atë timen, dopio dhe një meze me mëlçi!!!
-Aha,- thashë me vete,- paska vdekur Veterani dhe qenka gjallur “qelepirxhiu”. Siç duket, Veterani i kish bërë hesapet, pa e pyetur “hanxhinë”. E ktheva teken time të dytë
   dhe i thirra kamerieres.
Kur erdhi ajo, i thashë:- Këtu mbaj lekët për dy teket!
– Po të miat?- thuaj se bërtiti ,Veterani.
-Epo ne, kulakët,- shpotita unë,- s’para i begenisim mezetë,se na bëjnë dëm dhe që ta dish ti, mor mik, kulakllëkun nuk  ma heq dot!
Kur thashë kështu, të pranishmit shqyen sytë dhe ua lexova buzëqeshjen. E lashë atje, të krrusur dhe nuk e di a ia preva huqin?
Por kjo histori nuk mbaron me kaq.
Si  Veterani dhe,pas tij,Kulaku e lanë këtë jetë. Aty,prag përmbysjes së diktaturës, në vitin 1989 Kulakut iu hoq ajo damka nga balli. Qe 90-vjeç dhe ndërroi jetë,ardhur pa ardhur demokracia. Në vitet e para të demokarcisë, djali i KULAKUT që me djersë e gjak,duke punuar murator në sektorin e ndërtimit në fermë,sapo kish mbaruar  shtëpinë me dy kate. Qe i vetmi që veproi kështu. Qe sfidë për pushtetin që i kish punuar qindin. Por sa krahënjomë dhe i zoti i punës që qe, aq nuk  harronte ato që kish hequr familja në kohën e diktaturës. Sado që  nuk qe”ngopur” me shtëpinë e re, sa erdhi demokracia,e shiti.
-Nga do  ia mbash?- e pyeta.
-Drejt e në Tiranë,- më tha.
– Në  Tiranë?- pyeta dyshueshëm unë.
-Atje,- më tha. Vetëm me një qëllim:- Do ble shtëpinë ku u themelua partia! Jo vetëm do  ta ble,- vazhdoi me optimizmin e tij,- por do ta ribëj dhe do shkruaj mbi mur:- Qesh ai që qesh i fundit!
Shkoi,por imukshëri nuk e bleu dot atë shtëpinë,se nuk shitej dhe mendonin se do mbetej si shtëpi-muze.
I thyer nga mosplotësimi i kësaj dëshire, atëherë u kthye në Durrës dhe mu tek” Vila e Zogut” ngriti shtëpinë dyktashe që e ka  dhe sot.
Nipi i Veteranit jo vetëm aderoi në PD,por u bë kuadër me rëndësi atje ku aderon dhe sot.
Janë të çudtishme “kthesat historike” që dominojnë dhe mbi fatet e njerëzve.
 
                               Tiranë,  20 janar 2019

DO JESH SI DETI Nga Aida Meti

Një thesar i fundosur
është dashuria ime,
jetë blu që nuk ik
dhe gjurmon me shumë krah ëndrrash.
Do të çoj ta kërkosh nëpër dete e oqeane,
premtoj që do ta gjesh thesarin tim sekret,
veç valëve e pulëbardhave, besniket e detit
ato do të shoqërojnë
edhe unë bashkë me ato,
si një sirenë ujërash ëndrre të bardhë
të zhytem, të përqafoj shpirtin që kam mallë.
Dashurinë aty do gjesh, si një hero deti
dhe marinarët do të shikojnë me zili,
kur puthjet tona do ndalojnë egërsinë
e dallgës së trazuar
për shpirt që gërmon hapësirë.
Oh, aty do më gjesh në fund të gjithë atij uji
që kam pritur e pres akoma,
ku e fsheh në thellësitë e tij thesarin.
Atëherë do mendoj të të prek, do jesh det…
dhe po hap sytë, lirshëm të marr frymë,
e sigurt që po vjen e do më kërkosh në fund
dhe përtej çdo limiti do të puth, gati të vdes
në krahët e tu.

NOBELI i paqes për Dr. RUGOVËN – Dramë nga GJERGJ JOZEF KOLA (Akti i parë)

Presidentit Rugova, legjendës shqiptare të Kosovës e Frau Renate Flottau, mikes së mirë të kombit shqiptar në ditë të vështira: Ja kushtoj!

Akti i parë

A djelë, 4 Prill 1999

Dhoma e ndejes në vilen tre katëshe të Presidentit të Kosovës. Disa fëmijë po ngjyrosin 4 vezë të mëdha, sa ato në kambë e herë mbas here qeshin me za të naltë, të ciltër. Presidenti Rugova dhe gazetarja e Spiegel-it gjerman, Renate Flottau kanë marrë pozicione të ndryshme në dhomë. Ata flasin paralel me njeni tjetrin, ma shumë me zanin e mrendshëm, pa hi në dialog… Presidenti Rugova shef telefonin e sillet rreth tij. Gazetarja gjermane shkruen…

Rugova
Nelt në katin e sipërm ka ushtri serbe,
poshtë në katin përdhe ka polici serbe
unë rri këtu si nji rrufe në mes dy resh të zeza…

(Ndihen zhurmë kambësh, thirrje, krisma, njerëz që levrojnë nëpër shpi.)

Renate Flottau
(shkruen e flet)

A djelë, 4 Prill 1999. Sot asht ditë Pashkësh. Ka shumë mundësi që kjo të jetë Pashka e fundit e jetës teme. Rugova qëndron disa metra lerg mejet e ndihet për disa minuta si President i nji populli 2 milionësh.

Fëmija
(Qeshin të gëzuem e plot çiltërsi në botën e lojës së tyne e lyejnë në vezet e Pashkës së njeni tjetrit me nji nga nji penel që e ngjyejnë herë mbas herë në kuti boje.)

Nji
Dy
Tre
Vizatojme per atdhe….

Rugova
Sa u bana President e shpalla ditë pushimi festën e Pashkëve, deshta edhe unë që fëmija e Kosovës të jenë pushim si mbarë fëmija në Europë.

Renate Flottau
Fëmija po ngjyrosin vezët e Pashkëve e me duket se në kët ritual të ri asht mbledhë tanë lumtunia e tyne. Presidenti Rugova shef nga telefoni e duket sikur pret nji lajm shelbimit. Për mue asht hera e parë në jetë që gjindem ne qendren e botes. Prej BBC e deri te ORF tanë kamerat e botës janë drejtue këtu. Unë jam e vetmja LIVE. NJi herë te vetmë në jetë jam e vetmja gazetare e botës LIVE në nji ngjarje. Kjo dhomë asht syni i Uraganit ku asht perqendrue tane njerzimi ne keto dite te vitit 1999. Më duket vedi si Jona në barkun e balenës. Emocione të jashtzakonshme më kalojnë kur mendoj se unë jam këtu…

Rugova
Gandi ka thanë njiherë se „ në fillim nuk të marrin seriozisht, mandej të kërcënojnë e në fund krejt fiton ti“. Unë mendoj se sekreti në arritjen e nji qëllimi nuk asht forca brutale, porse ajo brishtësia origjinale e bimës kur nxjerr kryet në botë.

Renate Flottau
Prishtina asht tashma e shkretë, të gjithë banorët e saj i kanë përzanë. Asht hera e parë në historinë e kohës së re që nji kryeqytet zbrazet krejtësisht. Këtu ka qëndrue vetëm Presidenti Rugova, Familja e tij dhe unë. Të tre e kena pasë mundesinë me ikë para makinerise ushtarako-policore serbe, porse për nji arësye të madhe kena ndejë…

Rugova
(i drejtohet asaj)
Frau Renate Flottau ku po të çojnë mendimet aq lerg në kët ditë të rrethueme me ushtri?

Renate Flottau
Ah, i dashtun President, nuk janë shume lerg, janë këtu me ju e familjen tuej. Jena të vetmit që kena ndejë në Prishtinë, ju me i kallxue botës së hylli i paqes shndrin fort në natën e territ e unë me e dëshmue kët në shtypin e perëndimit.

Rugova
Frau Renate Flottau a po e ndani mendjen? Spiegel-i e shtypi gjerman nuk kanë me ma falë kurrë nese ty te gjen gja e kjo ditë Pashkësh lahet me gjakun tand.

Renate Flottau
Nuk e di si qëndrojnë shancet. Me u dorëzue të serbët, më marrin si spiune, e më vrasin, me ndej këtu si pjestare e familjes, asht ma mirë ndoshta…

Rugova
Nëse na vrasin ne dhe kjo ka shume mundësi me ndodhë se bombat e Natos e kanë ba me „folë me vedi“ milloshevicin, e prej nji te krisuni gjithcka pritet, atëhere asht vone me ju thanë se ti je gjermane dhe s`ke punë me familjen tonë. Kështu ata as përgjegjësi nuk marrin para opinionit botnor.

Renate Flottau
U banë 4 ditë këtu, sot asht ditë Pashkësh dhe kjo asht nji ditë e bukur me vdekë. Fundja ma mirë të vdes këtu me Ju se sa të vdes e vetme në hotel apo në rrugë, në nji kanal e vrame nga nji snajper. E kam urrye gjithnji me vdekë vetëm.

Rugova
Ah, mike e mirë, mos e përmendni atë fjalë, sidomos sot që jeta e ka mujtë vdekjen.

Renate Flottau
Kush asht ky person në foto?
(ban me shejë nga portreti i Pjetër Bogdanit e të dy e shofin PORTRETIN…)

Fëmija
Qeshin të lumtun e plot ciltërsi e vizatojnë në vezët e njeni tjetrit
Nji
Dy
Tre
Vizatojmë për atdhe….

Rugova
Ky asht Pjetër Bogdani, heroi jem, frymezuesi jem, gjuhëtar, poet , Arqipeshkëv katolik i Shkodres, Prishtines e i Shkupit. Pjetri i madh i kombit tone, u përndjek tanë jeten nga serbet dhe nga turqit për fajin e vetem se perhapte gjuhen shqipe. “Çeta e Profetëve” asht vepra e tij e pare e madhe ne shqip, plot kulture e dije. Ne fund e vrane e nuk u nginë me kaq. Kur u varros nga populli, ata ja hapën vorrin, së bashku: turqit e serbet e ja hodhen ne lumë eshtnat.

Renate Flottau
(nen za)
Makabritet ballkanik.

(Jashtë dëgjohen bomba që shpërthejnë dhe krismat e armëve që e ndajnë përgjysë heshtjen e skenës…)

Rugova
Çka po mendoni kështu Zonja Renate Flottau e mbytun në hije të randë të detyrës?

Renate Flottau
Po mendoj se jam me fat, me të vërtetë jam me fat, që policia serbe më mori si të familjes kur erdhi dhe zabtoi shpinë. Sikur ta marrin vesht se jam gjermane do me djegin të gjallë.

Rugova
Në praninë tonë ju keni nji aureolë mbrojtëse, nuk kam e ju prekë askush. Madje unë besoj se sa të jeni ju këtu ata nuk kanë me na prek, megjithse nuk e dijnë se ju jeni këtu.

Renate Flottau
Cka doni me thanë me kët zotni President? Mistikë ballkanike? Mos harroni se unë jam agnostike e nuk besoj pa pasë prova.

Rugova
Kombi jonë shqiptar nuk asht as plackë e serbeve, e as turqve, as e komunistave e as e vdekjes, ai asht pasuni e njerzimit.

Renate Flottau
Njerzimit? Të njerzimit jena te tanë. Madje ka disa nën sisteme totalitare që ju duket vedi se janë të përzgjedhun. Simbas propagandes se cmendun serbe, ushtarët gjermane të stacionuem në Maqedoni nga frika paskan dorëzue armët dhe paskan dezertue në Greqi, nga frika prej serbëve të Miloshevicit….

Rugova
Tashma lufta bahet në ajër dhe aviacioni e vendos fatin e saj. Unë vi nga vendi i shqiponjave dhe e di mirë kët…Megjithse unë vazhdoj me mbrojtë mendimin se Natoja duhet me ndërhye edhe nga toka dhe ambasadorit Jeferson ja kam ba me dije me kohë mendimin tem.

Renate Flottau
Këtu jena të nji mendimi, milloshevici asht dikator e nuk e lëshon pa gjak. Ai si cdo diktator asht gati me sakrifikue edhe kombin e vet për cmendinë e diktatorit, njilloj si hitleri. Te tane diktatorat kur e shofin se po e humbin pushtetin kalojnë në cmendi, në vend që me u tërhjek me urti.

Rugova
Tanë bota ka hjedh sytë këndej
e unë nuk ndihem si i fundit
Porse si i pari i Mohikanëve
Sepse unë nuk do vdes
pa e pa popullin e Prishtinës
të kthehet në sofrat e tyne.

Renate Flottau
Nuk munden me e fshehë, kjo asht hera e parë dhe e fundit qe ndodhem në synin e Uraganit. Më duket vedi si spektatori që papritmas e kane marrë diku në premieren e nji drame në Teatrin e Berlinit, i kanë dhanë nji rrol dhe ai luen në skenë, tanë frikë se kanë me e zbulue dhe me e dënue si spektator….si spiune, në rastin tem.

Fëmija
Qeshin të lumtun e plot ciltërsi e vizatojnë në vezët e njeni tjetrit
Nji
Dy
Tre
Vizatojmë për atdhe….

Rugova
Natyra njerzore ka nji farë aureole me të cilën mbron me mbijetëse qenjen e saj. Darvini e ka zbulue kët në udhëtimin e tij në Australi tek speciet e rradha që kishin mbijetue vetëm atje…

Renate Flottau
Zotni President, ndoshta nuk jena ma nesër as une as Ju, ndoshta na pushkatojnë për hakmarrje, ndoshta bjen nji bombë si padashje. Më kallxoni, sikur të më rrefeheni, sikur të jetë rrëfimi i fundit. Kush jane shqiptarët? Ma kallxoni thelbin e tyne?

Rugova
A don me e dijtë nga kureshtja si gazetare apo me e dijtë sepse jashtë asht luftë, e na presim nga casti në cast me hi forcat serbe, me na kapë me force, me na nxjerrë në oborr e me na pushkatue?

Renate Flottau
Ku ka ma mire se ne momentet kur vdekja te ka rrethue nga tana anët, me kenë afër nji Presidenti të nji populli dy milionesh e me ndie historinë e nji kombit që mbijeton tash sa shekuj ne mes te fqinjeve agresore, i ndame në katër shtete, si nji stigmatë qiellore.

Rugova
Zoja gazetare po cka ju duhet kjo dëshmi nëse e ndjeni zagushinë e vdekjes ne gji?

Renate Flottau
Më duket vedja se po vdes e pasun, ma e pasun se kurrë tue marrë me vedi nji sekret. Unë po e shkruej kët testament dhe po e mshefi nën këto gurë me shpresën se nji ditë nëse nuk mbijetojmë ka me u gjetë e me i kallxue kujtesës së botës se kush ishin shqiptarët e Kosovës…

Rugova
Po me duket vedja si Montezuma.

Renate Flottau
Ndërsa mue si e bija e tij që merr sekretin e thesarit.

Rugova
Në dramat e jetës teme e të popullit tonë nuk ka pasë kurrë rrëfime realsocialiste, porse ngjarja ka rrjedhë gjithnji nën prronin e psikologjisë së thellësisë. Pra ndije mirë rrëfimin e nënvetëdijes historike, ku me kohën ngjarjet jane kthye në legjenda e ato në hije e luejnë herë mbas herë në skenën tonë.

(Jashtë ndihen bomba që shpërthejne dhe krismat e armëve që e ndajnë përgjysë heshtjen e skenës. Fëmija fshehen sejcili mbas vezës se vet.)

(Vazhdon)

Psherëtimë yjesh – Cikël poetik nga QAZIM SHEHU

PENDESA…

Në psherëtimë yjesh të të përqafoj,

Në zilinë e ftohtë të qiellit,

Thosha atëhere ,dhe tani të ftoj

T`i kthejmë mbrapsht vitet…

Është aq largësi,thua ti,jemi afër,

Nëse është e mundur, s`dihet ç`ndodh,

s`do të kisha dashur…

NATA

Nata na mbulon dështimet

Me çadrën e saj të stërmadhe,

Por nata na mpin arsyetimet

Që nxjerrin ndonjë diamant  ndonjë radhe.

Atëhere futemi në humnerën tonë

Duke kujtuar se është e zbrazët,

Në fundnatë agimi

Me fasha drite na lidh plagët…

MURET E BARDHË

Ato nuk tunden nga gjëmimet e  mbytura

As mallëngjehen nga trupat lakuriq,

As për orët e grira nga hamendjet,

Kanë dëshirë të jenë kuti hedhur në valë

Liqenesh.

Ata s`pengojnë as vendimet e marra

As të bërit keq,as të bërit mirë,

Sepse janë mure dhe suvaja

Frymën e thith në pore duke e shkrirë…

Kanë parë, sa kanë parë,

Në jetën e tyre katrore,

Njerëz duke u sharë,

Të tradhtuar me dashnore.

Për shumëçka u vjen mirë

Veç për të keqen janë nxirë…

NGUSHËLLIM…

Kur ndizen majat si qeleshe eposi

Majat e zhveshura me gurë ose pa to,

Mendoj se ç`do ndodhte, po të ndizeshin fundajat,

Dhe të shkonte e kundërta mbrapsht asaj që graviteti e ço.

RRATHËT E LISIT

Daulle trungjesh të prera

Goditen nga shkopinj fjalësh,

Në rrathë lisash  ku era

Mpin mesazhet…

Dielli ndrit si përhera.

Atëhere kjo e ftohtë nga vjen?

Se në rrathë lisash të moçëm

Fytyrat e gjyshërve gjen…

CIJATJE

Në kopsat e holla të bluzës

Cijat flladi.

Ti bëre ike tutje

Dhe zjarr të mori shtati.

S`e dija se kaq ndezës

Ishte flladi…

VRASJA E LAJMËTARIT TË LIRISË (Elegji për mikun tim Enver Maloku) – Nga Sinan KAMBERAJ

1.

9 Maj ka qenë

Dita e Fitores mbi Fashizmin

Kur ra telefoni

 

 

 

Mirëmbrëma!

Ishte Enveri

 

 

 

Këtu është ditë, – i thashë

Ah, po!, – tha dhe ofshani

Po, këtu është Natë

Është Kosovë është Ballkan

Është Burg –

Është Ferr e Terr e Tmerr!

 

 

 

Ai m’u lut të shihja telefaxin

Nëse kish ardhë nji Lajm –

Nga qindra që i niste çdo ditë

Anekënd botës –

Enveri –

I pari – Lajmëtari!

 

 

 

Nxire n’faqe t’parë t’gazetës –

Të lutem!

Dhe nëse s’të vjen e qartë fotoja –

Gjeje diku nji Engjëll – vizatim

Për ilustrim!

 

 

 

Nxire n’faqe t’parë –

Anglisht!

Dëshmi se Fashizmi

Është ringjallë –

Serbisht

Në Kontinentin e Vjetër

Sy bote –

Mizorisht!

 

 

 

E kanë Vra nji Fëmijë

Sot!

Nji Fëmijë e kanë vra!

Tri orë ma parë –

Në Pazar!

 

 

 

 

Në ekranet e TVP serbe

Tash tri orë –

Vrasja e qenve endacakë

Është lajm kryesor!

 

 

 

Për vrasjen e Çunit

Hë për hë dijnë

Vetëm ata –

që e kanë parë –

Të shtrirë në trotuar!

 

 

 

Se këtu është Ferr

Është Tmerr e Terr!

 

 

Alo …

 

 

S’ka më sinjal telefoni

Ka heshtje –

si gulçimë –

si dënesje …

 

 

Është Terr e Tmerr e Ferr!

 

 

Ah, more Enver!

 

 

*

 

 

E kishin vrarë një fëmi’

Emrin – s’ia dinte njeri!

 

 

S’e kishte zbatuar urdhërin

“Stoj!”

Ndonëse do ta këtë ditur

Se “Stoj” i bie shqip: Vdekje!

Fatkeqi s’e kish zbatuar

urdhërin e milicit serb –

Në përpjekje për ta shpëtuar

Box-in me cigare – ‘Kent’!

 

 

 

Dy milicë të tjerë –

bashkë me një civil ishin parë

tek mblidhnin –

pako cigaresh të përgjakura –

Nē trotuar!

 

 

 

Çuni, – thoshte Lajmi

mund ta këtë mbiemrin I …

sepse në xhepin e xhupit

i ishte gjetur një recetë ilaçesh

të një gruaje me mbiemrin I.

Dhe –

Ajo mund të ishte e ëma e tij!

 

 

 

Në lajm thuhej se njerëzit

Ishin shtangur për një çast

Tek kishin parë Çunin –

Përmbys në pellgun me gjak!

 

 

 

Dhe ishin larguar të tmerruar –

Kush më parë!

Oh, njeri s’afrohej –

Kufomën ta “kthente mbarë”!

 

 

 

Këtu përfundon Lajmi

Që ishte shkruar në Ferr

Në Terr me Tmerr!

 

 

 

Ah, more Enver!

 

 

2.

 

 

R. M.

Miku dhe kolegu i tij

E kujtoi sot –

Në 20-vjetorin e vrasjes

(Mbas Atentatit të Parë)

 

 

 

 

Me lotë e zemërvrarë!

 

 

Enveri i kishte treguar

Një mbrëmje –

tek po dilnin nga Zyrat e punës

Se ishte kërcënuar me vrasje

Dy herē!

 

 

 

Ah, more Enver!

 

 

Kërcënimi ishte – shqip!

I Pari dhe i Dyti – shqip!

 

 

– Mos!

Dhe kish mbetë pa fjalë

 

 

 

– Unë s’mund të heq dorë nga Lajmi! –

ia kishte përsëritur Mikut R.

Dy herë

Njeriu që sfidonte Terrin –

Lajmëtari i Madh – Enver!

 

 

 

(Enveri mund t’i ketë besue Kanunit të Lekë Dukagjinit:

“Laimtari nuk bân Faj …”

Ndaj, s’vritet, assesi – përjetë!

Se e mbron –

Nye e Njiqindepesëdhetetetë!)

 

 

Po, Enveri u vra!

 

 

 

“U ndal Dielli në Breg të Diellit”

Thoshte atë ditë acari –

Miku i tij Poet –

Në të njëmbëdhjetën ditë Janari!

I plagosur dhe vetë –

Në Kryeqytet!

 

 

3.

 

 

Enveri ishte vrarë!

 

 

Ai që kur Lajmëronte …

Bubullima krijonte

Bubullonte e bubullonte

Kur në Ferr ishte Terr –

e Tmerr!

 

 

Enveri ishte vrarë –

Në sy të fëmijëve e kishin vrarë

Në Prag të Shtëpisë

Lajmëtarin që Terrin e çante –

Me Flakadan në dorë

Për të dhënë –

Lajmin e Madh të Lirisē!

 

 

Të vranë o Enver të vranë

Në Ag të Lirisë të vranë –

Se në Ty – Viganin panē!

————

New York

11 Janar 2019

G J A K U P E L L A Z G – Poezi nga ATDHE GECI

 

Çasti është  shqiptarët  të  bashkohemi
çasti është të bëhemi  një  bashkështet
çamët dhe arvanitët jemi një vëlla, një
gjuhë, një alfabet dhe një tërësi etnike.
Këtu është Shqipëri dhe askund  tjetër
këtu është Dardani dhe  askund  tjetër
këtu është Iliriadë është  askund tjetër
këtu është Çamëri  dhe  askund  tjetër
Shqipëri ka vetëm  në  gjuhën  shqipe
lufta me  fqinjët  ende  s´ ka  mbaruar,
Bashkimi i Shqipërisë kudo na thërret,
Kosova Shqipëri është zëri Shqipërisë
Çamëria Shqipëri  është zëri i Janinës,
Çamëria Shqipëri  është zëri Prevezës,
Çamëria Shqipëri  është  zëri i Pargës,
Çamëria Shqipëri  është bashkimi ynë.
Çasti është shqiptarët  të  bashkohemi,
në një bahkështet  dhe  nën një flamur,
Folë atdheu ynë i ndarë, folë Shqipëri,
Atdheu  njeh  Republikën e Çamërisë!…

Atdhe Geci – Dortmund, 2019

“Një Sagë e vogël” e Besnik Mustafajt, një vepër për dhunimin e mendjes – Nga ALESSANDRO GNOCHI, Il Giornale

Pas pritjes entuziaste që ka pasur botimi në Francë dhe në Gjermani, romani “Një Sagë e vogël” i Besnik Mustafaj ka tërhequr edhe vëmendjen e kritikës letrare italiane. Kritiku i njohur Alessandro Gnoçhi është ndalur në këtë roman dhe i ka kushtuar një shkrim në gazetën “Il Giornale”.

 

“Me një temë identike me këtë është marrë edhe Martin Amis, në romanin ‘House of Meetings’ (Shtëpia e takimeve), me rezultate të diskutueshme. Këtu është mirë të sjellim ndërmend autorë klasikë si Aleksandër Sollzenicin dhe nuk rrezikojmë ekzagjerimin. ‘Arqipelagu Gulag’ është shumë i gjerë përkundrejt ‘Sagës së vogël’ familjare, por edhe Rusia është e shtrirë në një territor më të gjerë se Shqipëria”, shprehet Alessandro Gnoçhi.

NGA ALESSANDRO GNOCCHI*

“Një sagë e vogël” (shqip Toena 2017; italisht Castelvecchi 2018) e Besnik Mustafaj, shkrimtar dhe ish-ministër shqiptar, është një roman që të mbetet gjatë në mendje.

Burgjet janë ato të regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. Fati i të burgosurve duket si i lidhur me fundin e tyre pas hekurave apo në kryqëzimin e jetëve të tyre me të dënuarit e tjerë. Ka edhe diçka arkaike, rituale e popullore në të. Diçka që zbardh historinë, edhe pse e rikrijon atë. Ndryshe nuk do të ishte një sagë. Kapitulli i gjatë qendror është edhe ai më i rëndësishmi i librit ashtu si edhe një moment i vërtetë shokues për lexuesin. I dënuari fiton mundësinë për të kaluar një natë me të shoqen në mjediset e brendshme të burgut.

Kopertina e librit të botuar në gjuhën italiane

Në mënyrë që të mos rrezikonte mohimin e kësaj mundësie aq shumë të pritur, ai i nënshtrohet çdo lloj detyrimi. Për javë të tëra ëndërron vetëm puthjet dhe përqafimet e së shoqes. Ai, përherë një karakter i mbyllur dhe introvert, kësaj radhe do i tregojë asaj që ka ndryshuar dhe më në fund do t’i thotë se sa shumë e dashuron.

Por kur më në fund afron nata e shumëpritur, të dënuarit i vjen dyshimi se dikush kërkon ta kapë gafil të shoqen dhe do ta fusë në një qeli. Fatkeqësisht, këtë dyshim të tij nuk mund t’ia shprehë gruas. Në këtë mënyrë, nata e dashurisë kthehet në një natë dhimbjeje. Ai nuk mund të flasë. Ajo nuk mund të kuptojë. Ai nuk e lë veten të lirë. Ajo ndihet e refuzuar. Më në fund vjen agimi si një shpëtim për të dy.

Kjo pjesë e librit vendoset si një element krahasimi për këdo që do të kuptojë se si totalitarizmi futet thellë në mendjet e njerëzve, për t’i ndryshuar ata me qëllimin për t’i shkatërruar përfundimisht. Me një temë identike me këtë është marrë edhe Martin Amis, në romanin “House of Meetings” (Shtëpia e takimeve), me rezultate të diskutueshme. Këtu është mirë të sjellim ndërmend autorë klasikë si Aleksandër Sollzenicin dhe nuk rrezikojmë ekzagjerimin.

“Arqipelagu Gulag” është shumë i gjerë përkundrejt “Sagës së vogël” familjare, por edhe Rusia është e shtrirë në një territor më të gjerë se Shqipëria. Gjatë leximit të këtij libri kuptohet se sa e panjohur është për ne italianët historia e Shqipërisë. Sigurisht që kanë mbaruar kohët kur fqinjët tanë vinin të kërkonin fatin e tyre në Itali. Sot Shqipëria është një vend që paraqet shumë risi, kryesisht në fushën turistike. Kujtesa e fashizmit është ende e gjallë për shqiptarët: është një prej kapitujve të sagës së tyre të burgimit.

(“Il Giornale”)

EDWARD HIRSCH: Poezia mund të shpëtojë më pak shpirtëra nëse njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje (Intervistë)

 

Në këtë epokë të medias digitale dhe ndërkohave të shkutëra të vëmendjes, cila është e erdhmja e poezisë për të rinjtë?

EDWARD HIRSCH: Mungesa e vëmendjes ndaj kulturës është shumë shqetësuese tash në Amerikë, dhe unë mendoj se kjo vë shumë gjëra në rrezik, jo thjesht poezinë. Nuk ka pasur kurrë një kulturë pa poezi në historinë e botës. Në çdo kulturë, në çdo gjuhë ka një lojë shprehëse, lojë shprehëse me fjalë; ka një gjuhë të përdorur për qëllime të ndryshme të cilën e quajmë poezi. Prandaj unë mendoj se poezia do të mbijetojë. Dhe nuk mendoj se ne jemi të fundmit e poezisë – një sulmi egër na bëhet nga masmediat sa herë që vuajmë nga kjo dukuri, dhe ne nuk dimë në të vërtetë çfarë të mendojmë për këtë. Unë mendoj se disa gjëra janë në rrezik. Unë nuk mendoj se poezia do të vdesë, por unë mendoj se poezia kërkon një vëmendje të caktuar ndaj gjuhës. Kërkohet një hapësirë e caktuar në mënyrë që ajo të lexohet. Dhe mendoj se kjo hapësirë është disi e kërcënuar nga mungesa e vëmendjes që njerëzit kanë ndaj saj dhe e sasisë së kohës që ia kushtojnë asaj.

Unë i mendoj llojet e kufizimeve të përvojave që njerëzit mund të kenë me poezinë. Poezia do të mbijetojë; kjo nuk më shqetëson mua. Por ajo mund të shpëtojë më pak shpirtëra nëse njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje.

Programet (Master of Fine Arts -Master në Artet e Bukura) pe ndihmojnë apo e dëmtojnë poezinë?

EDWARD HIRSCH: Mendoj se mund t’i ketë të dyja anët varësisht nga poeti. Mendoj se ana e errët e programeve MFA është se janë duke prodhuar më shumë poetë se mund të absorbojë (përthithë) kultura jonë. Dhe poezinë janë duke e shkruar më shumë poetë se mund ta lexonin atë apo të jetonin me të. Ky është një stres i sistemit dhe një gjë e dhimbshme për shumë poetë të rinj që janë duke kërkuar ta lidhin jetën me poezinë – kjo është gjëja që ata nuk po janë të zotët ta arrijnë.

Gjëja vërtet e mirë e programeve MFA është demokratizimi i tyre. Ato sjellin shumë njerëz të nndryshëm rrotull tryezës. Në historinë e poezisë ka shumë poezi ku ju e trashëgoni pozitën e poetit nga paraardhësit tuaj, dhe unë mendoj që nëse ju lejoni cilindo të bëhet poet bazuar në një shoqëri aristokratike, atëherë shumë njerëz që kanë çfarë të sjellin vërtet, përjashtohen. Programi MFA është një mënyrë për të sjellë plot njerëz të ndryshëm rrotull tryezës dhe për t’i ftuar ata. Prandaj mendoj se është shumë gjë e mirë.

Unë do të isha më i lumtur nëse njerëzit që përfshihen në programet MFA të jenë gjithashtu, prej atëherë, lexues të përkushtuar të poezisë. Sepse ne kemi nevojë për lexues të poezisë po aq sa për krijues të poezisë. Në kuptimin e shkollimit të një numri lexuesish, programet MFA janë shumë të mira. Fjalën e kam tek modeli i programeve MFA – ku një poet i ri përshihet në program, boton një numër librash, gje vend pune për mësimdhënie – kjo përbën disi rrezik. Kultura mund të absorbojë aq njerëz sa shkruajnë poezi dhe përpiqen ta fitojnë jetesën me poezi.

Cila është këshilla juaj për një poet të ri të ardhshëm?

EDWARD HIRSCH: Para së gjithas, unë mendoj se poezia është shumë fisnike, dhe unë gjithmonë e kam në veten time shqisën e fisnikërisë së poezisë. Dhe kur ju jeni duke hyrë në poezi, në çfarëdo niveli të ndodheni, ju jeni duke marrë pjesë në diçka me një traditë shumë të gjatë. Dhe kështu unë do t’ia kujtoja një poeti të ri se ju jeni duke hyrë në diçka që është shumë e rëndësishme, që ka qenë gjithmonë shumë e rëndësishme nga pikëpamja e shqetësimeve njerëzore.

Mënyra për t’u bërë poet është të lexosh poezi, të imitoni ato që lexoni, të lexoni me pasion e gjerësisht dhe ta përjetoni atë sa më thellë që të jetë e mundur. Nuk është e thënë që ju të lexoni gjithçka. E domosodshme është që ju të thelloheni në gjërat që lexoni dhe të dheni diçka që vërtet ka rëndësi për ju e të përpiqeni të bëni diçka si atë që lexoni. Për derisa ju keni poetë përpara jush nga të cilët mund të mësoni, atëherë rruga është krejt e hapur për ju. Ka gjithmonë hapësirë ku të shkosh.

Ju nuk keni nevojë për ushtrime; ju nuk i keni të domosdoshëm miqtë; ju mund të miqësoheni nga vetë letërsia. Emily Dickinson i quan poetët paraardhës “kushërinjtë e raftit” të saj. Ju mund të këshilloheni gjithmonë nga kinsmeni juaj i raftit, dhe mund të merrnin pjesë në poezi duke ecur nën shembullin e tyre dhe duke u përpjekur të bëhesh mik i vlefshëm i tyre. Gertrude Stein thoshte: “Unë shkruaj për veten dhe për të panjohurit.” Unë do të thoshja se shkruaj për veten, të panjohurit dhe për të vdekurit e mëdhenj./Skënder Buçpapaj

Më 20 janar 1950 lindi poeti i shquar amerikan Edward Hirsch

VOAL – Edward Hirsch (Eduard Hirsh) ka lindur në Çikago më 20 janar 1950 dhe është shkolluar në Grinnell College e në University of Pennsylvania, ku mori doktoratën në folklor.

Përmbledhja e parë e poezive e tij, For the Sleepwalkers (Për sonambulët), u botua më 1981 dhe fitoi çmimin Lavan Younger Poets Award nga Akademia Amerikane e Poetëve dhe çmimin Delmore Schwartz Memorial Award nga New York University. Përmbledhja e tij e dytë, Wild Gratitude (Mirënjohje e egër, 1986), mori çmimin National Book Critics Circle Award. Prej atëherë ai ka botuar disa libra me poezi, më së fundi Special Orders (Urdhëra speciale, Alfred A. Knopf, 2008); Lay Back the Darkness (Kthema terrin, 2003); On Love (Mbi dashurinë, 1998); Earthly Measures (Matje tokësore, 1994); dhe The Night Parade (Parada e natës, 1989).

Ai është edhe autor i vëllimeve në prozë The Demon and the Angel: Searching for the Source of Artistic Inspiration (Demoni dhe engjëlli: Kërkimi i burimit të frymëzimit artistik, Harcourt, 2002), Responsive Reading (Leximi i përgjegjshëm, 1999), dhe bestsellerit kombëtar How to Read a Poem and Fall in Love with Poetry (Si të lexosh një krijim poetik dhe të biesh në dashuri me poezinë, 1999), të cilin poeti Garret Hongo e quajti “produkt të një reflektimi i pasionuar i një jetë të tërë” dhe “një libër i mrekullueshë, për si për të shkolluarin dhe për analfabetin”. Kohët e fundit botoi Poet’s Choice (Përzgjedhja e poetit, Harcourt, 2007), ku përmbledh esetë më të mira javore të botuara në Washington Post Book World.

Për poezinë e tij, poetja Dana Goodyear shkroi në Los Angeles Times Book Review, “Është një poet i madh pasues i Homerit, Virgjilit, Dantes, dhe Miltonit në ferr. . . poezitë e Hirsch janë të dhembshura, të buta, nganjëherë pamëshirshëm të ashpëra”.

Hirsch ka marrë një mori çmimesh nga fondacionet, universitetet dhe institucione të tjera prestigjioze amerikane dhe botërore.

Ai ka qenë profesor i anglishtes në Wayne State University dhe në University of Houston. Hirsch është aktualisht president i John Simon Guggenheim Memorial Foundation.

Më 2008, ai u zgjodh kancelar i Akademisë Amerikane të Poetëve.

Më 19 janar 1829 u vu për herë të parë në skenë “Fausti” i Gëtes (Pjesa I)

Më 19 janar 1829 u vu për herë të parë në skenë “Fausti” i Johann Wolfgang von Goethe (Pjesa I). Autori ka punuar në këtë vepër monumentale 60 vjet, nga 1772 deri më 1831.

MBI FAUSTIN E GOETHES (I)

Nga Erlind Sulko

1. Fillimi i pamundur

Nuk është as e rreme e as e re të thuash se Fausti i Goethes është një nga veprat më të madhërishme letrare të shkruara ndonjëherë. Nuk jam as i pari e, me siguri, as i fundit që e pohoj këtë gjë. Shkrimet mbi Faustin e Goethes janë të mbushura me vlerësime të tilla,- e jo pa të drejtë.  Filozofi i madh Friedrich Schelling e quan Faustin poema më e mirë gjermane. Matthew Arnold dhe Thomas Carlyle e adhuronin këtë vepër. Karl Gutzkow tha se Goethe u urdhërua nga hyjnitë që të niste bashkëkohësinë nëpërmjet Faustit. Pushkini e quan Faustin Iliada e jetës bashkëkohore. Dhe për ta mbyllur këtë radhitje pak të zgjatur vlerësimesh, nuk mund të lë pa përmendur vlerësimin e çuditshëm, por të parapëlqyerin tim. Ai vjen nga Friedrich Schlegel, figura më e rëndësishme e romantizmit gjerman dhe themeluesi i revistës më të mrekullueshme të botuar ndonjëherë: Athaneum. Në një hulumtim të quajtur “Sprovë mbi stilet e ndryshme në veprat e hershme e të mëvonshme të Goethes,” Friedrich Schlegel ndërmerr të krahasojë dhe shqyrtojë veprat më të rëndësishme të Goethes. Kur vjen radha e Faustit, ndalon, e vetëm thotë se mbi Faustin e Goethes: “asgjë nuk mund të thuhet tani për tani, përveç se është vepra më e madhe që fuqia e njeriut ka sendërgjuar ndonjëherë” (Schlegel, 109). Duket sikur Schlegel nuk gjen as guximin të thotë edhe dy fjalë mbi Faustin. Ose do i duhet të thotë gjithçka mbi të, ose s’do thotë asnjë gjë mbi të. Ky është edhe tmerri që të ndjek nga pas kur ndërmerr të shkruash mbi vepra të mëdha si Fausti: do të duhet të krijosh as më pak e as më shumë se sa vetë Goethe-ja. Thuaj më pak dhe je duke e thjeshtëzuar. Thuaj më shumë dhe je duke e tepruar. Thuaj të njëjtën gjë dhe the një hiç.

2. Zanafilla e Faustit

Fausti, para se të kthehej në një vepër letrare, ishte një gojëdhënë popullore. Megjithëse Goethe e ndryshoi, shtoi dhe i dha një kuptim të ri Faustit, vepra e Goethes prapëseprapë ngelet në thelb e bazuar tek legjenda e vjetër e Faustit. Prandaj, për të kuptuar më mirë Faustin e Goethes është tepër e rëndësishme që të shqyrtojmë zhvillimin e kësaj gojëdhëne. Legjenda të ngjashme me atë të Faustit, ku një njeri ia shet shpirtin e tij Qoftëlargut, janë shumë të hershme,- mbase që në periudhën e fillimit të krishterimit. Por, gojëdhëna e Faustit merr me njëmend trajtën që ka sot rreth shekullit të 16-të dhe rrëfen jetën e gjermanit Georg Faust, një shkencëtari mesjetar që merret me astrologji, alkimi e filozofi (Brown, 87). Mendohet se George Faust ishte një njeri i njëmendtë që jetoi rreth shekullit të 15-të dhe gjermanët e asaj kohe e dëbonin atë nga çdo qytet, duke menduar se ai ka bërë marrëveshje me të Paudhin (Brown, 87).

Gojëdhëna e Faustit u shkrua për herë të parë në 1587 nga një prift gjerman protestant me titullin Historia von D. Johan Fausten. Kjo vepër përkthehet në anglisht pas vetëm dy vjetësh dhe lexohet nga dramaturgu i madh anglez Christopher Marlowe, i cili u bazua mbi këtë libër për të shkruar dramën e tij të mirënjohur, Historia Tragjike e Jetës dhe Vdekjes të Doktor Faustit. Këtu, legjenda e Faustit më pas merr një flurudhë të çuditshme: vepra e Marlowe përkthehet në gjermanisht dhe kthehet në një shfaqje të luajtur shpesh nga trupat teatrore shëtitëse dhe teatrot e kukullave (Brown, 87).  Goethe e pa Faustin për herë të parë të luajtur nga një teatër kukullash (Brown, 87),- me shumë gjasa një simotërzim i shtrembëruar e i ndryshuar i Faustit të Marlowe, përshtatur për kukulla.

Legjenda e Faustit pati një rilindje të përgjithshme gjatë Iluminizmit Europian të shekullit 18-të. Kjo rilindje i dha një dritëhije tërësisht ndryshe legjendës. Legjenda e Faustit lindi në shekullin e 16-të si një përgjigje fetare ndaj etjes së pashtershme për dije që po përhapej gjatë Rilindjes Europiane: Fausti mbase do kuptojë botën e ndërlikuar, por do humbasë pafajësinë e vetvetes. Por gjatë periudhës së Iluminizmit, kjo legjendë rilindi për arsye krejtësisht të tjera. Për Iluministët, Fausti nuk ishte më një viktimë e dijes. Ai u kthye në një hero, në një dëshmor të dijes. Shkrimtari i parë që e ktheu Faustin në një hero dhe ku Fausti për herë të parë nuk dënohet në Skëterrë është Gotthold Lessing (Boyle, 220). Lessing, një nga figurat më të rëndësishme të Iluminizmit Gjerman, si ndonjë profet në 1759 në veprën e tij “Letra mbi Letërsinë Bashkëkohore” shkruan se kryevepra e letërsisë gjermane mund të lindë vetëm po të trajtojë temën e Faustit. Lessing mendonte se drama gjermane ishte e ndikuar më shumë se sa duhet nga dramat franceze dhe e shikonte Faustin si një mundësi për të ndërtuar një traditë dramaturgjike të veçantë gjermane. Lessing shkroi edhe vetë një dramë mbi Faustin, por nuk është gjetur e plotë dhe vetëm disa pjesëza të saj kanë ngelur. Një figurë tjetër e Iluminizmit Europian që shkroi një dramë mbi Faustin në të cilën Fausti si përfundim nuk shkon në Skëterrë është nga Paul Wieldman. Fausti i Paul Wieldman u luajt në teatër në Pragë në vitin 1775 (Boyle, 220). Një dramë tjetër mbi Faustin u nis nga Friedrich Müller, një mik i Goethes; Müller nuk e mbaroi asnjëherë këtë dramë, por pjesë të saj u botuan në shtyp (Boyle, 220).

Historia e gjatë e punimeve dhe ripërpunimeve të Faustit nga autorë të ndryshëm tregon diçka tepër të rëndësishme mbi Faustin e Goethes: vlera e saj nuk qëndron tek origjinaliteti. Fausti i Goethes nuk ndërton një histori të re. As rimarrja e legjendës së Faustit për të krijuar një dramë nuk ishte e re,- siç u tha me parë, disa autorë gjatë periudhës së Goethes e bënë këtë gjë para Goethes. Goethe vendos të shkruajë për Faustin në një periudhë kur Fausti ishte çështje bashkëbisedimi midis njerëzve. Madhështia e Goethes qëndron pikërisht se ai mori një temë deri diku të zakonshme, diçka që njerëzit mund ta kishin dëgjuar në jetën e përditshme, diçka që mund ta kishin parë rastësisht në ndonjë shfaqje teatrale rrugëve dhe e ktheu atë në të jashtëzakonshme: i dha thellësi dhe pikëpamje të reja një drame të vjetër dhe popullore. Tek Fausti i Goethes gjejmë bashkimin e mendimeve, qasjeve, filozofive, botëkuptimeve të një periudhe të tërë të bashkuara në një vepër të vetme. Mbase, jo vetëm një periudhe. Se siç thoshte vetë Goethe për Faustin, kjo vepër do të përshkruajë gjithçka, nga Skëterra deri tek Qielli. Dhe vlera e Faustit të Goethes qëndron pikërisht se nëpërmjet një vepre të fundme, ai krijon një gjithësi të pafundme.

Fausti i Goethes kaloi në katër periudha kryesore deri në botimin e tij të plotë:

  1. Kemi dorëshkrimet e hershme të Faustit që quhen Urfaust ose Fausti në trajtën e saj origjinale. Këto dorëshkrime duhet të jenë filluar rreth vitit 1773 (Brown, 89).
  2. Kemi botimin e parë të Faustit të Goethes në vitin 1790; ky botim përmbante vetëm pjesëza të pjesës së parë të Faustit.
  3. Kemi botimin e parë të plotë të pjesës së parë të Faustit në vitin 1808.
  4. Kemi dhe botimin e parë të pjesës së dytë të Faustit në 1832. Në vitin 1831, Goethe e mbaron përfundimisht Faustin dhe lë porosi që të botohet vetëm pas vdekjes së tij (Brown, 89). Në 1832, Goethe vdes dhe pjesa e dytë e Faustit është libri i parë i Goethes që u botua pas vdekjes së tij (Brown, 89).

3. Udhëtimi i Faustit dhe Mefistofelit

Thelbi i Faustit të Goethes mund të përmblidhet në kaq pak fjalë: Fausti niset në një udhëtim për të përjetuar gjithçka dhe kuptuar fshehtësinë e gjithësisë. Për të arritur këtë qëllim, Fausti bënë një marrëveshje me Mefistofelin: Fausti pranon që t’i shërbejë Mefistofelit gjatë vdekjes, nëse Mefistofeli do i shërbejë atij gjatë jetës.

Fausti i Goethes ka dy personazhe kryesore: Faustin dhe Mefistofelin. Fausti, në fillim para se të nisë udhëtimin e tij me Mefistofelin, shfaqet si një hulumtues skolastik: një njeri i zhytur në botën e zymtë të librave mesjetarë. Fausti e paraqet vetveten për herë të parë duke thënë:

“Sa kam studjue filozofi,

jurisprudencë e medicinë,

e ty, o e shkreta teologji,

me sa dishirë, me sa mundim!

E ja, tashti ku je, o i marrë,

po aq i mendshëm sa mâ parë!”

Fausti është marrë për një kohë të gjatë me shqyrtime shkencore nga më të ndryshmet (teologjia në mesjetën europiane ishte një nga shkencat kryesore), e ai nuk mësoi asgjë nga to. Ai ndihet po aq i paditur saç ishte para se t’ju futej këtyre hulumtimeve shkencore dhe kjo gjë e mundon tmerrësisht. Fausti është bërë tepër mosbesues ndaj këtyre dijeve shkencore dhe më në fund ka kuptuar se, megjithëse i ligjëron të tjerëve mbi to, ai me njëmend nuk di asgjë. Jeta e Faustit ishte e mbyllur tek dhoma e tij: një vend i mbushur me libra të kotë, myk, rraqe të vjetra e pluhur. Por, Fausti do të dalë nga kjo depo e ndyrë në të cilën ka mbyllur vetveten; ai është ende i etur për dije, por jo më për dije shkencore që lexon nëpër libra. Fausti thotë:

“Sikur t’i njoh s’fundi taman

çka gjithky Dhé n’vehte përmban,

e pa u kapë mâ për fjalë kote

t’ia dij forcën e rranjët kësaj Bote.”

Fausti nuk do më të ta kuptojë gjithësinë duke lexuar libra e duke u marrë me fjalë boshe: ai nuk do të jetë më një akademik. Ai do të hyjë brenda gjithësisë, të dijë se çfarë gjithësia ka në vetvete e të kuptojë rrënjët e Botës. Metafora e rrënjëve të Botës është mjaft e goditur këtu: rrënjët janë poshtë Botës e të padukshme, por ato mbajnë Botën gjallë. Fausti më vonë thotë:

“Ah, sikur Shpirtnat t’mujshin me ma shprehë

atë Botë të pazbulueme qi rrin fshehë”

Sërish Fausti shpreh dëshirën për të kuptuar jo botën e dukshme, por botën e padukshme e të fshehur. Fausti nuk do të dijë botën në mënyrë shkencore: ai do të prekë përfshehtësinë e gjithësisë.

Megjithëse do të përjetojë e të arrijë përfshehtësinë e hyjnishme të botës, Fausti nuk është fetar,- në kuptimin se ai nuk është pjesë e një feje të caktuar. Siç e kanë venë re edhe shumë kritikë letrarë, Fausti është një vepër jashtëzakonisht shumë shekullare. Kur flet për vetveten gjatë Natës, Fausti thotë se “nuk i kam frikë as Ferr as Djall.” Por mbase edhe më e rëndësishme për këtë gjë është çasti kur Fausti shikon dhe dëgjon popullin e thjeshtë duke festuar Pashkët dhe thotë:

“Pse, o kangë qiellore t’ambla e të fuqishme,

m’kerkoni shkrrye në pluhun? Nga hareja

kumboni ju për zemra mâ të ndijshme!

Ndigjoj lajmin e ri, por m’mungon feja.

Mrekullija e fesë foshnja mâ e hijshme.”

Fausti shkon deri aty saqë i quan festat fetare zhgërryerje në pluhur. Ai i dëgjon turmat që kremtojnë ringjalljen e Krishtit, por atij i mungon feja. Sërish, më ngjan se Fausti nuk është se e urren fenë: atij thjesht i duket feja diçka e së shkuarës, diçka në të cilën ai e ndiente dhe merrte pjesë kur ishte fëmijë, por tashmë nuk e bën më dot. Jo vetëm në këto dy raste, por vazhdimisht, Fausti e tregon se ai do të ikë përtej kufizimeve të fesë: udhëtimi i tij dhe tejkalimi i vetvetes ja kërkon këtë gjë. Por mendoj se Fausti do ta tejkalojë fenë jo duke zhbërë tërësisht fenë sepse ai ende kërkon përfshehtësinë e hyjnishme.

Le të kthehemi tani tek karakteri tjetër: Kush është Mefistofeli? Si fillim duhet theksuar se Mefistofeli nuk është një karakter i krijuar nga Goethe. Si Faustin, edhe Mefistofelin e gjejmë në gojëdhënat e vjetra gjermane; atë e hasim si i Paudhi, Dreqi, Qoftëlargu. Por, në veprën e Goethes, Mefistofeli merr një rëndësi dhe kuptim filozofik: ai është mohimi, shkatërrimi dhe vdekja në udhëtimin hyjnor të Faustit. Mefistofeli është ana tjetër e Faustit: ai përfaqëson të kundërtën e Faustit, megjithëse ai nuk i ndahet Faustit. Fausti dhe Mefistofeli janë të kundërt, por të pandashëm,- më të kundërt e më të pandashëm se sa vetë Don Kishoti dhe Sanço Pança.

Letërkëmbimet midis Schillerit dhe Goethes mbi veprën e Faustit e qartësojnë këtë marrdhënie të ngushtë midis Faustit dhe Mefistofelit,- dhe tregon se Goethe nuk ishte i pavetëdijshëm për këtë. Miqësia e ngushtë midis Goethes dhe Schillerit, që mbase është miqësia me e madhërishme në historinë e letërsisë botërore, ka lënë edhe rreth një mijë letra që ata i kanë dërguar njëri-tjetrit. Letërkëmbimet midis Goethes dhe Schillerit janë të mrekullueshme jo vetëm për të kuptuar Goethen apo Schillerin, apo vetëm Faustin: por do shkoja aq larg sa të thoja tërë frymën e asaj periudhe në Europë. Në këto letra gjen bashkëbisedime të shpeshta mbi shkencën, artin modern, letërsinë e lashtë greke, filozofët në zë të asaj kohe e shumë çështje të tjera. Por, në lidhje me këtë shkrim, po i përmend letërkëmbimet midis Goethes dhe Schillerit sepse mendoj se ato janë tepër të rëndësishme për të kuptuar vetë Faustin dhe marrëdhënien e tij me Mefistofelin. Goethe dhe Schiller qenë në një bashkëbisedim të vazhdueshëm mbi Faustin, vepër me të cilën Schilleri ishte i magjepsur, dhe Goethe shpesh e pyeste Schillerin se çfarë mendonte mbi pjesë të ndryshme të saj. Në 22 qershor të 1797, Goethe, që në atë periudhë ndodhej në Weimar, i dërgon Schillerit një letër ku i kërkon të dijë se çfarë mendon ai mbi Faustin dhe ti “interpretosh për mua ëndrrat e mia si një parathënës i njëmendtë.” Vetëm një ditë më vonë, në një letër të 23 qershor të 1797, Schiller i përgjigjet Goethes duke i vënë  në pah vështirësinë dhe thellësinë e veprës: “Fausti kërkon shqyrtim si filozofik ashtu edhe poetik.” Por më shumë se kaq, Schillerit duket se dy gjëra i kanë bërë më shumë përshtypje nga Fausti në tërësi: “dyzimi i natyrës njerëzore dhe përpjekja e dështuar e bashkimit të hyjnishmes me botën fizike.” Për hir të arsyetimit dua të përqendrohem vetëm tek pjesa e parë e asaj që tha Schilleri: dyzimi i natyrës njerëzore tek Fausti. Tani duhet të shtrojmë pyetjen: për çfarë dyzimi po flet Schilleri? Çfarë dyzimi kemi tek Fausti? Dyzimi për çfarë? Përshtypja ime është se Schilleri po flet pikërisht për dyzimin midis Faustit dhe Mefistofelit. Gjëja më e rëndësishme është se Schilleri i shikon ata si një: Fausti dhe Mefistofeli janë së bashku natyra njerëzore. Më duket e gabuar ndarja e Faustit nga Mefistofeli: Fausti si një njeri, ndërsa Mefistofeli si një Djall përtej dhe jashtë njeriut. Fausti dhe Mefistofeli janë të ndryshëm, por jo të ndarë. Kam përshtypjen se Schilleri këtu ka të drejtë: Fausti dhe Mefistofeli të bashkuar janë natyra njerëzore. Mefistofeli nuk mund të jetojë pa Faustin dhe Fausti nuk mund të jetojë pa Mefistofelin: çdo pohim përmban një mohim, e mohimi parakupton një pohim të mëparshëm.

Udhëtimi i Faustit dhe Mefistofelit është një luftë e vazhdueshme dialektike: një luftë midis jetës dhe vdekjes, midis ndërtimit dhe shkatërrimit, midis dashurisë shpirtërore dhe dashurisë epshore, midis natyrës në krijim e sipër dhe natyrës si veprimtari e përfunduar. Nuk jam i vetmi që po vë në dukje këtë dialektikë midis Faustit dhe Mefistofelit. Ka pasur edhe kritikë letrarë të mëparshëm që e kanë parë marrëdhënien e Faustit dhe Mefistofelit si një dialektikë,- ku më i rëndësishmi është hulumtuesi dhe kritiku i madh Hungarez György Lukács. Në librin e tij Goethe dhe Periudha e Tij,  Lukács e shqyrton gjithë veprën e Faustit duke e krahasuar atë me Fenomenologjia e Frymës të Hegelit: çdo episod i Faustit, sipas tij, është një trajtë ndërgjegje e caktuar dhe lëvizja nga një trajtë në tjetrën është pasojë e dialektikës midis Faustit dhe Mefistofelit. Pavarësisht ndryshimeve midis Goethes dhe Hegelit, mendoj se ky krahasim i Faustit me Fenomenologjia e Frymës është jashtëzakonisht ndihmues në kuptimin e të dyja veprave: aq shumë saqë shpesh mendoj se Fausti është Fenomenologjia e Frymës e shkruar në poezi, ndërsa Fenomenologjia e Frymës është Fausti i shkruar në prozë. Ngjashmëria midis Faustit dhe Fenomenologjisë së Frymës nuk është për tu çuditur: Goethe ishte mik i ngushtë me Hegelin dhe takoheshin shpesh bashkë për të biseduar mbi artin, shkencën, filozofinë e letërsinë.

Por, le të kthehemi sërish tek Mefistofeli. Si në rastin e mikut dhe armikut të tij Faustit, Mefistofeli shpesh thjeshtëzohet më shumë se sa duhet. Shpëtim Çuçka, për shembull, në hyrjen e tij mbi Faustin e shikon Mefistofelin thjesht si përfaqësim i së keqes ose Djallit. Nuk mendoj se Mefistofeli është thjesht mishërimi i së keqes: të thuash vetëm kaq do të thotë të thuash asgjë sepse ende lihet e pasqaruar se çfarë është kjo e keqe. Le ta shikojmë se si e përshkruan vetveten Mefistofeli kur i paraqitet Faustit:

“Un jam pra shpirti, qi mohon çdo gjâ.

E kam të drejtë: çdo gjâ qi âsht mbi dhè

e meriton t’shembet përdhe.

Ma mirë asgjâ në dritë mos të kish dalë!

Shkatrrimi, e zeza, me nji fjalë,

çka quejmë të keqe, mkatet:

ja bota qi m’përshtatet.”

Mefistofeli është në thelb shpirti që gjithnjë mohon. Ai mohon çdo gjë: jetën, të bukurën, dashurinë, veprimin, të hyjnishmen e vetë nevojën për të vazhduar udhëtimin. Mefistofeli është shkatërrimi dhe vdekja e nevojshme: pa vdekjen dhe shkatërrimin e Mefistofelit, Fausti nuk do mund të vazhdonte udhëtimin e tij drejt një bote të re. Prandaj, dhe të kundërtat bashkohen tek Fausti dhe Mefistofeli.

Gjithë personazhet e tjerë në veprën e Faustit janë të përkohshëm e kalimtarë dhe duhen trajtuar si të tillë: ata janë vetëm pjesë e një bote ku Fausti dhe Mefistofeli hyjnë e ikin, por nuk duan të qëndrojnë. Fausti niset për këtë udhëtim sepse ai nuk do të burgoset në një botë të caktuar; ai do gjithmonë ta tejkalojë vetveten, të udhëtojë nga një botë, në një botë tjetër, pa ngelur në asnjë nga ato. Prandaj, kritikët letrarë që i mëshojnë më shumë se sa duhet marrëdhënies midis Faustit dhe Margaritës në pjesën e parë nuk e kuptojnë që dashuria midis Faustit dhe Margaritës është vetëm një botë: hyrja e Faustit në botën e dashurisë së çiltër, të thjeshtë e të virtytshme. Por Fausti del i zhgënjyer e i tmerruar nga bota e dashurisë, siç doli nga bota e librave të mykur që pas shumë hulumtimesh e lanë po aq të paditur, siç doli nga bota e gëzimeve kalimtare mes pijanecëve në tavernën e Leipzigut apo nga orgjia e epsheve shtazore në natën e Valpurgës.

Shumë kritikë letrarë që kanë shkruar mbi Faustin janë si Margarita: ata nuk e kuptojnë dot pse Fausti e braktis e do të shkojë përtej botës së thjeshtë e të bukur të dashurisë. Dhe mbase jo për fajin e tyre. Se, Fausti në veprën e Goethes është shpallja e një njeriu të ri, ose më saktë një mbinjeriu: një njeriu që nuk i përket më askujt e nuk do të burgoset askund. Fausti do të kthehet në një mbinjeri sepse ai do të gjejë pushim duke ecur, të përfshijë gjithë njerëzimin brenda një njeriu të vetëm, do të qëndrojë duke udhëtuar e të ndërtoj një botë që përfshin të gjitha botërat, pa qenë pjesë e asnjërës prej tyre në veçanti. Kjo anë e Faustit shprehet qartësisht gjatë një bashkëbisedimi që ai ka me Shpirtin e Tokës, gjatë Natës, ku Shpirti i thotë:

Ja, ku më ke; ç’frikë t’kapi, o qyqar,

ty, mbinjeri? Ku ke atë shpirt të fortë,

atë parzëm, ku ndërtue kishe nji botë

qi e mbante gjallë, thue Bota s’i mjaftonte

e me ne Shpirtnat desh t’u krahasonte.

Shpirti i Tokës e quan Faustin një mbinjeri: ajo që kërkon ai të bëjë është përtej njeriut. Fausti, sipas Shpirtit të Tokës, kishte ndërtuar më parë një botë që e mbante gjallë, por kjo nuk e plotëson dot kërshërinë e pafundme të dëshirave të tij. Fausti kërkon të jetë i lirë si Shpirti i Tokës: të jetë gjithkund e askund në të njëjtën kohë. Në mënyrë që të kuptojmë Faustin dhe arsyen pse ai do të jetë si Shpirti, është tepër e rëndësishme të shikohet se çfarë Shpirti thotë për vetveten:

“Në oqean të jetës, në tufan

t’veprimit hyp e zbres

e shkoj e vij,

jetoj e vdes!

Nji det i pakufi

lëvizje pa mbarim,

jetë e pa pushim,

ku unë po end n’tezgjah t’potershëm t’motit

pëlhurën e pamort, petkun e Zotit.”

Shpirti i Tokës është një lëvizje pa mbarim, një veprim i pafund, një jetë tërë kohën në lëvizje e pa pushim. E për çfarë? Pse vepron Shpirti i Tokës? Qëllimi i Shpirtit është të endë pëlhurën e pavdekshme të Hyjnisë. Dhe kjo tregon mjaft qartë se çfarë qëllimi ka edhe Fausti: nëpërmjet udhëtimit të tij, Fausti do të endë trajtën e pavdekshme dhe ngjyrat hyjnore. Udhëtimi i Faustit nuk është vetjak; përkundrazi, ai niset për të shpëtuar nga vetja dhe për të arritur tek e hyjnishmja.

4. Përkthimet në shqip të Faustit.

Pjesa e Parë e Faustit të Goethes ka deri tani tre përkthime të shkëlqyera: përkthimin e fuqishëm të Pashko Gjeçit, përkthimin e hijshëm të Skënder Luarasit dhe përkthimin e ëmbël të Shpëtim Çuçkës. Rrallë herë ndodh në gjuhën shqipe që të kesh një përballje të tillë përkthyesish të mëdhenj: të ngjan si ndonjë luftë titanësh. Është tepër e vështirë të vendosësh se kush nga këto përkthime është më i mirë: varet se çfarë kërkon ti nga libri dhe mendoj se çdo variant ka anët e tij të forta e anët e dobëta. Por, mendoj se pasja e tre përkthimeve tepër të mira është një pasuri e jashtëzakonshme dhe krahasimi midis tyre duhet t’ju shërbejë në veçanti përkthyesve. Mund të mësosh pafundësisht mbi përkthimin duke krahasuar ndryshimet midis tyre: të shikosh se si i kanë lidhur vargjet, si i kanë shndërruar shprehjet e ndonjëherë edhe thjesht se si i kanë përkthyer vetë fjalët.

Gjithsesi, nëse do më detyronin të zgjidhja një pjesë të parë të Faustit të Goethes, do zgjidhja përkthimin e Pashk Gjeçit. Për këtë shkrim kam përdorur përkthimin e Pashk Gjeçit, meqenëse edhe shkrimi përqendrohet tek Pjesa e Parë e Faustit. Ka shumë pjesë ku përkthimi i Pashk Gjeçit është më i thellë dhe metaforik,- por ka edhe disa vargje ku përkthim i Skënder Luarasit është më i bukur, më i qartë,  dhe më i rrjedhshëm. Përkthimi i Çuçkës, ndërkohë është munduar tej mase që ta rimojë gjithçka, ndonjëherë duke shkelur edhe mbi thellësinë poetike të veprës. Çuçka ka dashur që ta sjellë sa më afër origjinalit duke i rimuar vargjet, por mendoj se e kundërta ka ndodhur: rimat shpesh më kujtonin poezitë e rilindësve shqiptarë më shumë se sa Goethen. Gjithmonë dyshoj tek shqipërimet që mundohen që ta rimojnë poezinë e përkthyer: diçka e rëndësishme do humbë gjithmonë në të. Por duhet theksuar se Skënder Luarasi dhe Shpëtim Çuçka janë të vetmit që kanë bërë një përkthim të të dyja pjesëve të Faustit dhe e pajisën veprën me një hyrje të mrekullueshme. Ndërkohë, Luarasi e përgatiti veprën edhe me një shtojcë sqarimesh tej mase ndihmuese. Përfundimisht, mendoj se përkthimi më i përkryer do ishte një bashkim i pjesëve më të mira të përkthimit të Gjeçit me pjesët e Luarasit: por një gjë të tillë nuk ka, prandaj do zgjedhja përkthimin e Gjeçit.

Në një botim të ri të Faustit nga Shtëpia Botuese Çabej, kjo shtëpi botuese ka përzgjedhur përkthimin e Pashko Gjeçit, me ilustrimet e Harry Clarke dhe si hyrje një shkrim të hershëm të Gjegj Fishtës mbi Faustin. Para se të shkoj tek shkrimi i Gjergj Fishtës, dua të them dy fjalë edhe për ilustratorin e madh Irlandez Harry Clarke. Ilustrimet e Clarke janë një përzierje stilesh të ndryshme ku më shumë se gjithçka dallohet estetika e tyre gotike: ilustrimet e tij kanë gjithmonë diçka të errët, diçka të frikshme dhe ngjethëse. Edhe njerëzit janë të shpërfytyruar: të gjatë, hollakë e gati gjithmonë në trajtën e ndonjë përzierje prej përbindëshi. Siç rrëfehet në librin Harry Clarke, his graphic art nga Nicola Bowe, Clarke ishte gjatë jetës së tij i adhuruar nga ca dhe i urryer nga ca të tjerë. Ca njerëz nuk i pëlqenin ilustrimet e Clarke dhe ishin mosbesues ndaj tyre sepse mendonin se ai fuste më shumë ndjenja personale dhe vështrime vetjake se sa duhet në librat e të tjerëve. Edhe vetë shtëpia botuese që botoi për herë të parë Faustin me ilustrimet e Clarke, nuk ia pranoi  një nga ilustrimet e pikërisht për këtë arsye: ata mendonin se ky ilustrim nuk lidhej me tekstin. Ilustrimi në fjalë, është një ilustrim i Clarke të pjesës Paralojës në Teatër të Faustit,- të cilën e kam përfshirë më poshtë në trajtën e një dritëshkroje. Ndërkohë, shumë të tjerë i adhuronin ilustrimet e tij: Clarke, sipas tyre, nuk ishte i skllavëruar tërësisht nga fjalët e librit, por i jepte vetes lirinë që t’i jepte librave interpretimet e tij dhe të krijonte një bashkëbisedim me librin. Gjithsesi, koha ka treguar që këta të fundit kanë pasur të drejtë: ilustrimet e Clarke janë tepër të njohura, të vlerësuara dhe përfshihen shpesh nëpër botime të Faustit. Ilustrimet e Clarke të Faustit u botuan për herë të parë në 1925 në një përkthim të Faustit nga John Anster në anglisht nga shtëpia botuese Dingwall Rock, në New York. Ky është një libër shumë i rrallë sepse vetëm dy mijë kopje u botuan: një mijë u shpërndanë në Angli e një mijë në Amerikë. Thomas Fisher Rare Book Library në Universitetin e Torontos ka një nga botimet e para të Faustit me ilustrimet e Clarke dhe disa nga faqet i kam skanuar dhe përfshirë më poshtë. Përveç ilustrimeve duhet thënë që Clarke ishte edhe një mjeshtër i punimeve në qelqe me ngjyra dha ka krijuar kryevepra brenda këtij lloji. Punimet në qelq me ngjyra të Clarke janë përmbledhur në një libër të botuar në 2010 nga Lucy Costigan dhe Michael Cullen, i quajtur Strangest Genius: The Stained Glass of Harry Clarke.

(Ilustrimi i Harry Clarke për pjesën Paralojë në Teatër, tek pjesa e parë e Fausti. Ky ilustrim nuk u pranua nga shtëpia botuese për t’u përfshirë tek botimi i Faustit në 1925.)

(Faqja e parë e botimit të parë të Faustit të ilustruar nga Harry Clarke)

(Pjesë nga botimi i parë i Faustit të ilustruar nga Harry Clarke.)

(Pjesë nga botimi i parë i Faustit të ilustruar nga Harry Clarke.)

(Pjesë nga botimi i parë i Faustit të ilustruar nga Harry Clarke.)

faqja-e-fundit

(Faqja e fundit e botimit të parë të Faustit me ilustrimet e Harry Clarke)

5. Kritikat e Fishtës mbi Faustin

Në një shkrim të quajtur “Fausti i Goethes,” Gjergj Fishta ndërmerr të shqyrtojë pjesën e parë të Faustit. Fishta vlerëson jashtëzakonisht vlerat estetike dhe bukurinë e fjalëve tek Fausti i Goethes dhe mendon se kjo është një nga veprat më të madhërishme të shkruara ndonjëherë. Fishta e adhuronte këtë vepër aq shumë kur ishte i ri, saqë mendonte shpesh të krijonte një Faust shqiptar. Por, Fausti i linte Fishtës gjithmonë një zbrazëti përbrenda, prandaj ai vendosi që ta shqyrtonte më hollësisht natyrën dhe ndërtimin e Faustit.

Fishta del në përfundimin se Fausti i Goethes ka dy mangësi: a) vepra nuk ka njëjtësi organike në vetvete; b) vepra nuk ka një protagonist të qartë ku të përmbahet zhvillimi moral. Kritika e parë e Fishtës është tërësisht formale: ka të bëjë vetëm me ndërtimin e veprës. Që një vepër të ketë individualitetin e vetë e të jetë një vepër e bashkuar, ajo duhet të ketë një lidhje organike (Fishta, 179). Fishta e përkufizon lidhjen organike si ajo lidhje ku “pjesët e saja të rrjedhin domosdo njana prej tjetrit” (179). Kjo gjë nuk ndodh tek Fausti (Fishta, 179). Prandaj, përfundimi është se Fausti i Goethes nuk ka bashkim organik.

Kritika e dytë e Fishtës është pakëz më e dobët dhe është një kritikë letrare e bazuar tek gjykimet e tij morale. Kritika fillon pak a shumë kështu: karakteri i Faustit nuk është protagonisti i veprës së Faustit (Fishta, 180). Që një karakter të jetë protagonisti i veprës ai duhet të jetë shpirti i gjithë zhvillimit të veprës dhe cilësitë tipike të këtij shpirti duhet të rrjedhin nga zhvillimi moral (180). Protagonisti, sipas Fishtës, duhet të jetë në qendër të veprës nëpërmjet zhvillimit të tij moral e jo sepse autori thjesht ka thënë se ai është protagonisti. Por tek karakteri i Faustit nuk gjejmë një zhvillim të tillë moral: Fausti është, sipas Fishtës, një kukull që nuk bën asgjë, as kur shkon tek taverna, as ku shkon tek shtriga, e për më tepër shkatërron plotësisht dhe jetën e Margaritës së pafajshme. Jo vetëm që Fausti si karakter nuk ka një zhvillim moral, por, sipas Fishtës, Fausti është tërësisht i pamoralshëm, i pashpirtë, i pa fe, e i pa turp (180). Fishta duket aq i revoltuar nga Fausti saqë e quan atë një lugat, një përbindësh (182). Pra, veprës së Faustit i mungon një protagonist i njëmendtë. Kjo mungesë e një protagonisti të përcaktuar qartësisht e çon Fishtën të thotë diçka tepër të çuditshme: Margarita është protagonistja e vërtetë e veprës (182). Fishta e shikon Faustin si një luftë midis jetës shpirtërore të Margaritës dhe jetës saj trupore: ku jeta shpirtërore e Margaritës është protagonisti, ndërsa jeta e saj trupore është antagonisti (182). Fishta mendon se vepra e Faustit është më e ngjeshur, më e bukur dhe intensive gjatë pjesës ku shfaqet dashuria e Margaritës: aty ndodh zhvillimi moral i veprës sipas tij (182).

6. Përgjigje Kundër Kritikave të Fishtës

Do e filloj përgjigjen nisur nga kritika e fundit e Fishtës, nga kritika e tij e dytë. Si fillim më ngjan tërësisht e paarsyeshme që të kërkosh nga një libër që protagonisti të jetë se s’bën qendra e vlerave dhe zhvillimit moral. Pse? Pse duhet të jetë patjetër kështu? Me ngjan një gjykim i pabazë. Ka plot libra ku protagonisti mund të interpretohet nga të tjerët si imoral, ndërsa fundi i tij të gjykohet si moral: Parajsa e Humbur e Milton është një shembull. Në qendër të Parajsës së Humbur është Djalli, të cilin ne duhet ta interpretojmë si i pamoral, por Milton e shikon fundin e veprës në tërësi si një mësim moral: në vargun 36 të Këngës së Parë ai thotë se kjo vepër do të “të shpallë të drejtë vendimin e Zotit për njeriun.” Kritika e Fishtës nuk është se një libër duhet të jetë se s’bën i moralshëm: kjo do ishte një kritikë plotësisht ndryshe e do e çonte bashkëbisedimin në një drejtim krejtësisht tjetër. Kritika e Fishtës është se çdo protagonist duhet të jetë domosdo i moralshëm: Fausti nuk është i tillë, prandaj Margarita është protagonistja e veprës. Kjo më duket një nevojë tepër tekanjoze,- për më tepër kur ka edhe libra që e kundërshtojnë këtë parim. Mendoj se Fishta, duke i vënë më shumë rëndësi se sa duhet zhvillimit moral të protagonistit, po e gjykon Faustin si një prift, e jo si një kritik letrar.

Kritika e parë e Fishtës bazohet tek parimi thelbësor letrar që gjejmë tek Poetika e Aristotelit. Tek libri Poetika, padyshim libri me më shumë ndikim në gjithë historinë e kritikës letrare, Aristoteli mendon se gjëja më e rëndësishme që një vepër letrare duhet të ketë është “mythos”: që mund të përkthehet si forma, bashkimi ose trajta organike që një vepër ka, e që e bën atë të gjallë dhe i jep asaj njëjtësinë e saj. Mendoi se Fishta ka të drejtë kur thotë se Fausti i Goethes nuk ka një bashkim organik, – të paktën jo një bashkim të ngjashëm me kuptimin që ka Aristoteli mbi atë. Një ngjarje tek Fausti nuk e bën të nevojshme ngjarjen e mëpastajme: për shembull, pjesa tek Taverna e Leipzigut nuk e bën të nevojshme që pjesa tjetër të jetë Kuzhina e Shtrigës. Mund të ndiqet më pas nga një pjesë tjetër. Por, kjo nuk është mangësi më shumë se sa një vëzhgim i pamatur: Fausti i Goethes ka një njëjtësim organik, megjithëse ky njëjtësim nuk është ashtu siç e përshkruan Aristoteli apo Fishta. Mendoj se ka lidhje të ndryshme organike dhe ajo që ka përmendur Fishta është vetëm një prej tyre. Lidhja e një vepre ka të bëjë me atë që ndodh në një vepër në tërësi dhe Fausti në tërësi është në thelb asgjë më shumë se sa udhëtimi i Faustit me Mefistofelin. Dhe rëndësi këtu ka fjala: udhëtim. Faustin nuk e lidh një pjesë, një marrdhënie e caktuar, nuk e lidh një botë: trajta organike e Faustit gjendet tek udhëtimi. Bashkimi organik tek Fausti nuk gjendet tek qëndrimi, por tek lëvizja. çfarë e bashkon Faustin është e njëjta gjë që e bashkon Fenomenologjinë e Frymës të Hegelit: lëvizja e Frymës. Ata që ngecin në një trajtë ndërgjegje apo një episod të caktuar nuk e kanë kuptuar as Faustin,- e as Hegelin ç’është e vërteta. Fishta shpesh më ngjan se nuk e ka kuptuar thellësinë e njëmendtë të veprës dhe kritika e tij vuan nga thjeshtëzime që ai i bën Faustit: si për shembull, kur Fishta thotë se Fausti niset me Mefistofelin sa me gëzue jetën. Gjithsesi, nuk mendoj se kritika e Fishtës mbi mungesën e bashkimit organik është tërësisht e pavend: Schilleri i ngriti të njëjtën kundërshtim Goethes në një letër që ja dërgoi në 26 qershor të vitit 1797. Në përgjigjen e tij, Goethe mendon se teoria e re mbi natyrën e epikës, të cilën ai e ndërtoi në bashkëpunim me Schillerin mund ta bashkojë dhe njëjtësojë veprën e Faustit. Kjo teori e epikës bashkë me një shqyrtim të hollësishëm të pjesës së dytë të Faustit do shikohen në pjesën e dytë të këtij hulumtimi.  


Bibliografia

Aristotle. Poetics. Trans. Malcolm Heath. London: Penguin, 1997. Print.

Boyle, Nicholas. Goethe: The Poet and the Age. Oxford: Clarendon, 1991. Print.

Bowe, Nicola Gordon. Harry Clarke: His Graphic Art. Mountrath, Ireland: Dolmen, 1983. Print.

Brown, Jane. “Faust.” The Cambridge Companion to Goethe. Ed. Lesley Sharpe. Cambridge:     Cambridge UP, 2002. 84-100. Print.

Fishta, Gjergj. “Fausti i Goethes.” Ed. Ndriçim Kulla. Antologji E Mendimit Shqiptar: 1870-   1945. Tiranë: Plejad, 2003. 177-82. Print.

Goethe, Johann Wolfgang Von. Goethe’s Faust: The Original German and a New Translation and           Introduction. Trans. Walter Arnold Kaufmann. New York: Anchor, 1990. Print.

Goethe, Wolfgang Von. Fausti. Përkth. Pashk Gjeçi. Tiranë: Çabej, 2016. Print.

Goethe, Wolfgang Von. Fausti. Përkth. Skënder Luarasi. Tiranë: INFBOTUES, 2004. Print.

Goethe, Wolfgang Von. Fausti. Përkth. Shpëtim Çuçka. Tiranë: Toena, 2007. Print.

Hegel, Georg Wilhelm Friedrich. Phenomenology of Spirit. Trans. Arnold V. Miller. Ed. J. N.          Findlay. Oxford: Clarendon, 1977. Print.

Lukács, György. Goethe and His Age. London: Merlin, 1968. Print.

Milton, John. Paradise Lost. Ed. David Scott. Kastan and Merritt Yerkes Hughes. Indianapolis:   Hackett Pub., 2005. Print.

Rose, William, ed. Essays on Goethe. London: Cassell, 1949. Print.

Schelling, Friedrich Wilhelm Joseph Von. The Philosophy of Art. Ed. Douglas W. Stott.   Minneapolis: U of Minnesota, 2008. Print.

Schlegel, Friedrich Von. Dialogue on Poetry and Literary Aphorisms. Ed. Ernst Behler and      Roman Struc. University Park: Pennsylvania State UP, 1968. Print.

Schiller, Friedrich, and Johann Wolfgang Von Goethe. Correspondence between Schiller and     Goethe: From 1794 to 1805. Ed. L. Dora. Schmitz. Vol. 1. London: G. Bell, 1877. Print.

Schiller, Friedrich, and Johann Wolfgang Von Goethe. Correspondence between Schiller and     Goethe: From 1794 to 1805. Ed. L. Dora. Schmitz. Vol. 2. London: G. Bell, 1877. Print.

SHIGJETA E KUQE -Esé nga Mustafa Xhepa

 

Java e parë e Bertit, Robert Papës në ambasadë. Bomba tek “Vefa” thuajse i mori jetën. Akti më i rëndë ato ditë i terroristëve komunistë. “Fillimi i revolucionit Leninist”, e quajti “Heritage Foundation – Fondacioni i Trashëgimisë”, nga më prestigjiozët në Amerikë. Kohë më vonë, në auditorin kryesor të tij, në formë amfiteatri, në konferencën mbi rëndësinë e evidentimit të krimeve të komunizmit, ku të ftuar ishin ambasada të ish-vendeve komuniste, organizata dhe shoqata me qendër në Uashington, si dhe ish të dënuar dhe persekutuar nga regjimi komunist në vende të ndryshme të botës, foli edhe heroi antikomunist Pëllumb Lamaj, i cili në mënyrë të detajuar tregoi për torturat mbi trupin e tij të njomë.
“I shikoni këto duar”!
Pëllumbi zgjati duart përpara.
“Me ditë të tëra m’i shtrëngonin me hekura që futeshin thellë në mish dhe mbuloheshin me gjak”.
Heshtje frike pushtoi të pranishmit, kamerat u drejtuan nga ai, aparatët fotografikë fiksonin duart me shenja prangash. Në fund të takimit foli edhe drejtori i “Fondacionit të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit”, Lee Edwards, mbi rëndësinë e një muzeu si “Holokausti”. Në pjesën e fundit, pyetje-përgjigje, ku shumë të pranishëm ishin të interesuar të dinin se çfarë e pengonte ngritjen e muzeut, bëra edhe unë një pyetje.
“Zoti Edwards, a është e interesuar qeveria amerikane të ekspozohen krimet e komunizmit”?
Zoti Edwards u zu ngushtë, shikoi përreth, nuk e priti pyetjen.
“Nuk mendoj se ka kundërshtim”.
Tha dhe fjalën e mori dikush tjetër që vazhdoi me pyetje të tjera. Në fillim të konferencës përfaqësuesi i ambasadës hungareze, ambasadori, i kishte dhuruar drejtorit në fjalë një çek prej një milion dollarësh nga qeveria e tij. Eh, hungarezët, të parët i vunë gjoksin tankeve sovjetike, të parët edhe tani.
Kishim filluar punë në ambasadën e re. E bukur, katërkatëshe, historike, me pamje në njërën nga avenjutë kryesore të kryeqytetit. Presidenti Berisha na e la detyrë, kur erdhi në takimin historik me Presidentin Klinton.
“Në kryeqytetin e botës, vendin mik të kombit tonë, na duhet një ambasadë dinjitoze, Mustafa filloni të shikoni”!
Në katin e dhjetë tek një ndërtesë e vjetër në rrugën K, dy dhoma dhe një furrik kishin shërbyer si Ambasada e Shqipërisë në Amerikë. Atje kishim përgatitur edhe vizitën më të rëndësishme në historinë e kombit. Vizitë që nisi miqësinë me Presidentin Klinton dhe që do të pasonte me çlirimin e Dardanisë, po nga ai president. Me ndihmën e miqve në Departamentin e Shtetit ngritëm një grup pune, Barbara financiere e dëgjuar dhe Rima arkitekte me emër. Një vit të tërë kërkuam vendet më prominante të kryeqytetit dhe fati e solli të gjenim godinën që kemi edhe sot. Aprovimin për ambasadë duhej ta jepnin edhe banorët e lagjes. U mblodhën në sallë të madhe, ishim të pranishëm edhe ne të ambasadës. Midis të tjerëve kundërshtoi edhe një i moshuar, me tipare të errta, si prej arabi.
“Këta nuk kanë bukë të hanë, e jo të mbajnë një ambasadë”!
Zhurmë karrigesh, u kthyen koka në drejtimin tonë.
“Është grek”.
Pëshpëriti Barbara.
“Banon në një apartament larg godinës, kontaktoi edhe me ne”.
Ta dinte i ngrati se jo shumë vite më vonë, vendi i orgjinës që pretendonte se ishte, do të kërkonte derë më derë që të mos shuhej. Në të njëjtën kohë ambasada amerikane në Tiranë trefishonte hapsirën e saj. E prisnin krahëhapur shqiptarët.
“Dua të blej pak ushqim edhe për fëmijën”.
Tha Berti, që nuk e kishte marrë ende patentën nga zyra e protokollit. Morëm mikrobusin, me të bënim pazaret, ishte i vjetër, mbi dyqind mijë milje. Prishej rrugës. Në atë gjendje e kishte dhuruar një biznesmen i fuqishëm, shqiptar nga Detroiti. Legjenda për të shkonte edhe më tej. Në qendër të Tiranës kishte hapur një restorant, nga më të shtrenjtët. E kishte blerë. Të kishte ndikuar edhe mikrobusi? Pronarët e vërtetë prisnin me vite tek zyra e privatizimit.
Për të shkuar nga supermarketi “Giant”, pranë ambasadës, deri tek shtëpia e Bertit na duhej një çerek ore me makinë. Ndaluam në një kryqëzim. Ishte ndezur sinjali i verdhë. E kisha bërë zakon që të mos kaloja, kur sinjali i verdhë më zinte pa hyrë në kryqëzim. Po prisnim pas të kuqit të hapej jeshili. Rruga ishte me dy linja nga të dyja krahët. Berti po tregonte i revoltuar.
“Nuk më besuan, dukej sikur nuk ishin të interesuar të dëgjonin”.
Ishte kthyer nga një takim në Departamentin e Shtetit. U hap sinjali jeshil. Në anën tjetër nuk kishte makina. Fillova të marr kthesën ngadalë, kthesë U. Pa hyrë mirë në linjën time, nga dheu mbinë katër makina të policisë. Dy na prenë rrugën përpara, dy prapa.
Kështu kishte ndodhur edhe me diplomatët e Alisë në Nju Jork. Na e treguan në ambasadë. Incidente të tilla kishte plot. Dy kampet armike ushtronin presion mbi diplomatët, sipas baticës dhe zbaticës së luftës së ftohtë. Miku im Gaspër Kici, i arratisur dhe jetonte në Amerikë që nga viti 45-së, më kishte këshilluar të isha i kujdesshëm.
“Është herët për amerikanët të dallojnë se cili është me ta”.
Moska ishte kampione për akte të tilla. Ambasadorit francez në Moskë, mikut të presidentit Charles de Gaulle, KGB-ja ia kishte bërë edhe më zi. E kishin rrahur për vdekje. I kishin futur një agjente të bukur, përkthyese, ambasadori kishte rënë në dashuri. E kishte ftuar në shtëpinë e saj bukuroshja dhe kur kishin arritur qiellin e shtatë, dera ishte shqyer me forcë. Tre sampistë, ai që e godiste më shumë hiqej si bashkëshorti i saj. Hante dru ambasadori dhe nuk ndihej. Urdhërin e kishin marrë të prerë – të mos e godisnin në fytyrë. Ambasadori atë natë do të merrte pjesë në një pritje, ku do të fliste për miqësinë e dy vendeve. Vajti i ngrati në pritje, me zor qëndronte në këmbë. Sa herë përmendte fjalën miqësi, bosët e krimit përplasnin duart me të qeshura. Ambasadori nuk pranoi të bashkëpunojë, të nesërmen njoftoi mikun e tij, presidentin, i cili i lënduar rëndë e degdisi në një vend të humbur të Francës deri sa ndërroi jetë.
Diplomatët e Ramizit kishin marrë një bukuroshe në makinën e misjonit. Ajo, agjente e fshehtë. Kishte ekspozuar pjesë të trupit, kur të uriturit kishin filluar të josheshin me xhevahiret e saj, policia i kishte ndaluar. Se çfarë kishte ndodhur më tej, asnjëherë nuk u mësua saktë. Një gjë mbeti enigmë, diplomati Hoxha, njëri prej tyre, bëri karjerë të gjatë në diplomaci. Ambasador i të gjitha ngjyrave që pasuan. U akuzua i ngrati se kishte humbur edhe një kompjutër me sekrete. Punë që asnjëherë nuk u dihet fundi.
Po rrinim në makinë pa lëvizur. Katër oficerë policie u afruan tek mikrobusi. Më pranë derës, femër. Ula xhamin.
“Dokumentat”!
Foli ajo me ton urdhërues.
“Përse”?
Pyeta i qetë.
“U kthyet me shigjetë të kuqe”!
Më shikoi me inat.
“Nuk kishte shigjetë të kuqe, dritë jeshile po”.
Ruajta qetsinë.
“Me shigjetë të kuqe”.
Nguli këmbë. U afrua një civil. I bënte me shenjë të shikonte brenda.
“Fëmija nuk është në karrigen për fëmijë”!
“Ka mbushur moshën”.
Ndërhyri Berti që ishte në sediljen e parë të pasagjerit. Civili u afrua të hapë derën.
“Mos e prek derën, jam diplomat, hapni rrugën”!
U panë sy ndër sy dhe ikën.
“Të lumtë”!
Shpërtheu Ardita, gruaja e Bertit, mbesa e Hasan Prishtinës, që ishte ulur prapa meje. Ato ditë Shqipëria digjej. Fshatari shqiptar që kishte mohur orgjinën e të parëve, Tenet, kishta hyrë disa herë në jug.

Prapë dashuroj – Cikël me poezi lirike nga PËRPARIM HYSI

 
1.  Pse?
Pse më bëhet sikur vjen?
(Vjen një mike që e dua)
Vjen? Apo kështu më pëlqen?
Çfarë po ndodh kështu me mua?
Zemra dridhet dhe rënkon
Sepse shpirti aq ma do
Ah, moj zemër që s’harron!
Ç’të harrosh? Që, obobo!

Se kur vinte djalërisë
Qe”ilaç” që shëron
Ndaj dhe”plaga” pleqërisë
Nën korë, zë e pikon.

2. Prapë dashuroj
Më ka zënë malli
Dhe nuk kam si e mohoj
Unë,kokëbardhi,
Prapë dashuroj.

Nuk kam si e bëj hasha
NJë syulli
Ah, që e”qafsha!”
Më hëngri  me sy.

Jo veç me sy,
Por fët-fët me vetull
Më plaçin të dy
Se,ende, s’kam vdekur.

Shkova pas syrit
I dola përballë
Në palcë të  dimrit
E”hëngra” të gjallë.

 
3. I vetmuar
I vetmuar kam mbetur unë
(shpreh dëshira pa”doganë”)
Dua t’i gjej pak vetes punë
Thërres miken në “mejdan”
Punë e madhe, në nuk është
(Vet Ali e vet “kadi”)
Mendja ime ia bën “fësht”
Për akcilën dashuri.

Mendja ka dalë nga burgjia
As  njeh gardh dhe as  sinore
E thërret nostalgjia
Tutje, në kohërat rinore.

Tutje, në kohërat rinore
Në ca çaste të pakthim
O vetmi,  je fare “qorre”
Mblidhe mendjen, Përparim!

 

4. Ç’më bëre?!!!

Ç’më bëre kështu, moj balukedredhur?
Më erdhe këtu, fare papandehur.
Fare papandehur, si një befasi
M’u hodhe në kokë, porsi gjarpëri!

Malli yt i mbledhur,gjatë kohës:pikë-pikë
Mbi mua është derdhur, më”veli” içikë.

 
5. Trishtim *

          Mikut tim,KOZMA  ÇUKO!

Jam si një dru i zhveshur nga gjethet
Mbi zemrën time ka rënë trishtimi
Në palcë të janarit më  zënë”ethet”
Po kërcet dhëmbët Përparimi.

Kështu po ndodh,jo se kam  ftoht
Por mbi shpirtin tim sikur ka rënë dëbora
Trishtimi më bën vërtet të dobët
I trishtuar jam nga një lajm i dhimbshm që mora.

NJë mik i shtrenjtë imi,iku në amshim
Ndërroi jetë fare papritur
E këputën hallet dhe stresi mikun tim
Ah, lamtumirë! Sa je e hidhur!

*Ndërroi jetë më 12 janar 2019

 
                   Tiranë, 17 janar  2019