VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Skandali me Rrugën e Arbrit- Falsifikoi dokumentet dhe mori 70 mld lekë për punë të papërfunduara, ARRSH: Të hetohet “Gjoka konstruksion”

By | September 15, 2019

Komentet

RRËNJËT ILIRO-DARDANE S’SHKULEN KURRË – ATY TOKA E QIELLI FLASIN SHQIP – Nga Azgan HAKLAJ

-Kujtesë historike për sanxhakët e Pazarit të Ri dhe Nishit.

-Dy treva të lashta të Qytetërimit Iliro-Dardan që nuk shuhen.

-Pushtuesit barbarë nuk mundën ta ndryshojnë ADN Arbërore e ta zvogëlojnë gravitetin shqiptar.

-Sanxhaku i Pazarit të Ri- Sebrenica e Parë.

 

Sanxhakët e Pazarit të Ri dhe Nishit provinca Iliro-dardane në epokën e mbretërive, në arealin e trojeve etnike shqiptare, që u ngritën 4-5 shekuj para epokës sonë, ishin jo vetëm qendra të fuqishme në aspektin politik, ekonomik, ushtarak e kulturor, të cilat mbronin vulën dhe identitetin e qytetërimit tonë të lashtë, por dhe rajone ku elementi iliro-dardan, thënë ndryshe struktura etnike e banorëve përbëhej nga një mazhorancë absolute shqiptare. Elementi i popullsisë së huaj ishte kaq i papërfillshëm sa nuk përmendet fare në analet e historisë së ankititetit të hershëm dhe atij të vonë.

Me pushtimin romak të Ballkanit, që u pasua me rënien e mbretërive Ilire-Dardane e asaj Maqedone, Nishi e Pazari i Ri u shndërruan në provinca romake.

Struktura e fortë etnike, historia e lashtë dhe madhështore e Qytetërimit Pellazgo-Ilir dhe kryengritjet e fuqishme ndaj Romës Perandorake e bënë të pamundur romanizimin e trojeve tona etnike.
Përballë fuqisë së kësaj Perandorie, me kapacitete kolosale ushtarake, teknike e ideologjiko-kulturore, ilirët rezistuan heroikisht duke ruajtur gjuhën, doket dhe zakonet e mënyrën e jetesës. E kunderta ndodhi me dakët (rumunët) e sotëm, u romanizuan apo Kartagjena e fuqishme e Hanibalit të madh u shemb me themele e toka e saj u lërua me parmendë.

Nishi është toka që e rriti Konstandinin e Madh, themeluesin e Konstadinopojës, Perandorin e ndritur, i cili i dha jetë 1.000-vjeçare “Rajhut” bizantin duke e shndërruar në perandorinë më jetëgjatë e më të lulëzuar europiane të të gjitha kohërave.

Dardania, pjesë e Ilirikut, u kthye në faktor në kohën e Bizantit.

Këtu janë rrënjët e tre identiteteve, administrativ me Dioklecianin, kishtar me Konstandinin e Madh, politik me Justinianin.

I theksova këto fakte për të treguar fuqinë kolosale që mbart në vetëvehte Geni Iliro-Arbëror, fuqi e cila demonstrohet në mënyrë gjeniale sa herë e kërkojnë kohërat e vështira dhe udhëkryqet e mëdha të historisë së njerëzimit. Dyndjet sllave në Ballkan të shekujve V-VI-VII ishin një termet shkatërrimtar për banorët e lashtë të gadishullit. Ilirët u gjendën në epiqendër të ciklonit.

Kujtesa historike është çertifikata e shpirtit dhe Identitetit të një populli.

Sanxhaku i Pazarit të Ri dhe ai i Nishit kanë pësuar nëpër shekuj reprezalje, genocid shfarosës, shpërngulje masive etnike, por njëkohësisht kanë lanë aty vulën e pashlyeshme të Identitetit dhe qytetërimit të tyre.

Aty akoma flet shqip toka e qielli, guri dhe druri, përmes rrënojave të kështjellave, të tempujve, përmes varreve të Ankititetit dhe të Mesjetës, përmes tokës së tyre që fsheh e ruan me fanatizëm në gjirin e saj margaritarë të shumtë që i deshmojnë Botës një kulturë e qytetërim tě nivelit botëror, produkt i shekujve e mijëvjeçarëve të banorëve autoktonë, të cilët Bota Perëndimore i quan Albanezë dhe vendin e tyre Albani.

Kur u erdhën hordhitë sllave në këto zona mes lumenjëve Ibër, Rashka, Lim, në shekujt Vl-VII pas Krishtit shkatërruan gjithçka. Ata ishin konglomerat popujsh barbarë që sulmuan Ilirikun dhe Dardaninë. Ishin njerëz barbarë të egër dhe pa besim.  Përqafimi i kristanizmit nga ana e tyre ka ndodhur rreth viteve Nëntëqind.

Të gjitha të dhanat historike flasin së Lugina e Lumit Rashka ishte e banuar nga Ilirët dhe se sllavët janë përballur me banorët autoktonë aty.

Këtu u krijua Mbretëria e Rashkës nga një fis tribal pellazg i lidhur me dardanët, ku sundoi Dinastia e Nemanjiqëve në shekujt XII-XIV-të. Ata janë me origjinë shqiptare dhe i takojnë fisit Nimani. Nimanjiqët ishin katolikë, pastaj ortodoksë, pas Skizmës – ndarjes së kishave në vitin 1054. Me pushtimin turk janë muslimanizuar.

Mbretëria e Rashkës nuk është Serbe, por e krijuar nga feudalë shqiptarë të ortodoksizuar pas Skizmës, në vitin 1165-1195, Shtjefën Nimani (Stefan Nemanja) Zhupani.

Historiagrafia serbe shtrembëron të vertetën edhe për Car Dushanin dhe krajl Milutinin. Të dy ishin feudalë ortodoksë arbëror.

Por të analizosh në dritën e historisë genocidin e Perandorisë, që mori emrin serb të Stefan Dushanit, të Mbretërisë së Karagjergjoviçëve, Obrenoviçëve, të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, e të Jugosllavisë Titiste, mbi Shqiptarët duhen volume të tëra.E shoh të arsyeshme ti referohem periudhës nga Kongresi i Berlinit në luftrat ballkanike, shpërbërjen e Jugosllavisë dhe kapitullimin e regjimit gjakatar të Millosheviçit.

Krijimi i provincës serbe pas kryengritjes së parë 1804-1813, udhëhequr nga Karagjorgji (Gjergji i Zi), shqiptar me origjinë nga Kelmendi, ishte produkt i mbështetjes së Rusisë Cariste, që kishte filluar që në kohën e Katerinës së Madhe, me mbështetjen e lëvizjes ortodokse në Ballkan, e cila synonte të shkatërronte Perandorisë Otomane, me qëllimin final për të futur Ballkanin nën protektoratin e saj, sipas modelit të Fuqive të Mëdha koloniale të kohës: Francës, Anglisë, Spanjës e Portugalisë. Rusia Cariste tërhoqi mbështetjen për rebelët serbë pas Traktatit të Bukureshtit: maj 1812, dhe pushtimit të territorit të saj: qershor 1812, nga Franca. Mbi 100.000 kryengritjes së bashku me Gjergjin e Zi u internuan në Perandorinë e Habsburgëve. Turqit e ripushtuan Beogradin në vitin 1813 duke kryer masakra të mëdha.

Në prill 1815 Millosh Obrenoviçi u zgjodh udhëheqës i Kryengritjes së Dytë dhe udhëheqës suprem i Revolucionit.

Periudha 1817-1835 dëshmoi një konsolidim paqësor të fuqisë politike të një Serbie autonome, e cila fitoi të drejtën e trashëgueshme të pushtetit të princërve serbë në vitin 1830 dhe zgjerimin territorial të monarkisë së re në vitin 1833.

Rusia filloi në Frontin Lindor beteja të përgjakshme kundër turqëve.

Në vitet 1877-1878 Perandoria Otomane pësoi disfatë të të rëndë në të gjitha frontet.

Në organizimin e Ri të vitit 1864 Perandoria Otomane Nishin e kishte kaluar në Vilajetin e Kosovës, kurse Sanxhakun e Pazarit të Ri me Pashallekun e Bosnjes.

Pas Luftës Ruso-Turke Nishi e rrethinat përjetuan një pushtim të egër e një barbarizëm të tillë nga serbo-sllavët të panjohur kurrë më parë në Historinë e Europës.

Gjatë Krizës së Madhe Lindore të viteve 1875-1878 Sanxhaku i Pazarit të Ri mori rëndësi, sepse zgjoi interesin e Austro-Hungarisë. Ajo donte të mbante të ndarë Serbinë dhe Malin e Zi dhe të mbante të okupuar Bosnjen.

Duhet të theksojmë faktin se Shqiptarët përbënin shumicën në Sanxhak.

Shqiptarët e Pazarit të Ri kanë kundërshtuar me forcë vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, që kërcënonte trojet shqiptare dhe Sanxhakun synonte ta ndanin mes Serbisë dhe Malit të Zi.

Me të njëjtën forcë kundërshtuan Kongresin e Berlinit. Edhe pse morën Pavarësinë në Kongresin e Berlinit Serbia dhe Mali i Zi, serbët dhe malazezët, ishin pakicë në këto vende, shumicën e bënin shqiptarët dhe vllehët, sipas burimeve austro-hungareze dhe osmane.

Habsburgët nuk kundërshtuan në Kongresin e Berlinit mbetjen e Pazarit të Ri nën Perandorinë Osmane, por në Vilajetin e Kosovës. Për ta kishte rëndësi të mos i përkiste Serbisë.

Shqiptarët e Sanxhaut të Pazarit të Ri u shquan për trimëri të pashoqe në Ushtrinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Betejën e Nokshiqit të udhëhequr nga Jakup Ferri e Ali Pashë Gucia për mbrojtjen e Plavë- Gucisë 140 vjet më parë 1879-1880. Aq të tmerrshme e të përgjakshme ishin betejat sa Lumi Lim u skuq nga gjaku e krenat e të vrarëve rrokulliseshin si gurë nëpër ujë.

Është fakt i pamohueshëm, i pranuar edhe nga historianët sllavë se në vitet 1877-1884 nga rajonet e Nishit, Prokopljes, Kurshumelisë, Vranjës, Toplicës, Jabllanicës, veç vrasjes barbare të mijëra shqiptarëve, të pambrojtur e të pafajshëm shqiptarë, burra dhe gra, pleq e fëmijë janë shpërngulur nga vatrat e shtëpitë e tyre 170.000 shqiptarë, janë zbrazur 800 fshatra, të pastra etnike duke i zëvendësuar me kolonë serbë.

Ideologjia kriminale e Ilia Garashaninit për shfarosjen e shqiptarëve si popull, apo teza e Vuk Karaxhiçit:- “Deri aty ku është qoftë një serb i vetëm quhet Serbi”, dhe “Të zhdukim çdo qënie njerëzore që në damarë nuk ka gjak serb” u vunë kështu me ngut në jetë.

Kundër kësaj ideologjie e platformë, e cila u ripërsërit vetëm nga Hitleri e Gebëlsi në Luftën e Dytë Botërore ndaj Popullit Hebre, shqiptarët reaguan si Komb i bashkuar.

Mijëra muhaxhirë të dëbuar nga pushtuesi i ri u pritën nga vëllezërit e Kosovës e u vendosën aty.

Vala e kësaj shpërngulje biblike, ashtu si e asaj të Millosheviçit në vitin 1999 mbërriti deri në brigjet e Adriatikut e të Jonit.

Kundër kësaj politike genocidale të Serbisë nga njëra anë e synimeve grabitqare të Malit të Zi nga ana tjetër, kundër Perandorisë Obskurantiste Osmane, e cila e konsideronte Shqipërinë si plaçkë tregu në prag të shembjes së saj, u ngritën shqiptarët të udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku shqiptarët startuan për herë të parë me platformë të qartë politike që nga Epoka e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut):
“Bashkimin e të gjitha vilajeteve në një vilajet të vetëm dhe mëvehtësimin, pra pavarësinë dhe krijimin e Shtetit Komb të Shqiptarëve”.

Në betejat e Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve shqiptare luftuan me trimëri jo vetëm qindra luftëtarë nga Sanxhaku i Pazarit të Ri, por dhe muhaxhirë të ardhur nga Nishi dhe rrethinat e tij.

Luftërat shkatërrimtare ballkanike, Lufta e Parë Botërore, ku trojet shqiptare u shndërruan në fushë-betejë, rënia e Perandorisë Austro-Hungareze, e cila ishte aleate e garante e të drejtave të shqiptarëve sollën tragjedi të reja për Popullin Shqiptar.

Konferenca e Londrës 1913 dhe ajo e Versajës në Paris, 100 vjet më parë, lanë më shumë së gjysëm e trojeve tona jashtë kufijëve të Shqipërisë Londineze.

Konferenca e Versajës krjoi Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, e cila goditi pamëshirshëm shqiptarët.

Nishit dhe rrethinave ia ndryshuan strukturën e popullsisë.

E njëjta histori u përsërit pas Luftës së Dytë Botërore ndaj Sanxhakut të Pazarit të Ri megjithëse shqiptarët kishin luftuar me heroizëm të pashoq kundër nazifashistëve.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore Sanxhaku i Pazarit të Ri u nda mes tre shteteve.

Nën tutelën fashiste u krijua “Shqipëria e Madhe”, në të cilën u përfshinë Rozhaja dhe Tutini, nën pushtimin gjerman mbeti Pazari i Ri (Novi Pazari), kurse rrethet e Pribojit, Sjenicës, Dezhevës, Zllatarit, Maleshevës, Shtavicës nën Serbi, ndërsa Bolanica, Bjellopolis, Llozani nën Malin e Zi.

Çetnikët serbë të udhëhequr nga Drazha Mihajlloviçi shkretuan vendin si stërgjyshërit e tyre Hunët e Atilës. Masakrat e tyre nuk rrëfehen e s’përshkruhen dot. Në Masakrën e Bihorit në vitin 1943, të ndihmuar dhe nga italianët, vranë afër 10.000 vetë. Ata ndërmorën një ekspeditë rrënuese, rrafshuan 82 fshatra, si Sjenicën, Rozhajën, Tutinin, Baranën, Peshterin, Ribariqin, Kolashinin, vranë mijëra vetë, mes të cilëve gra, vajza e fëmijë, u morën qindra robër dhe u dëbuan mijëra të tjerë përgjithmonë.

Barbarët ishin të frymëzuar nga doktrina e Vasa Çubriolloviçit “Nxjerrja e shqiptarëve jashtë” apo “Spastrimi i pykës shqiptare”, publikuar në vitin 1937, si dhe filozofia e Dobrica Qosiçit: “Të gënjesh për Serbinë është patriotizëm”.

Lumenjtë e Rashkës, Ibrit, Limit u skuqen nga gjaku i shqiptarëve.

Kjo masakër ia kalon përmasave të asaj të Sebrenicës.

Forcat jugosllave pushtuan Sanxhakun në dimrin e vitit 1944-1945. Marrëveshja e fshehtë Rankoviç-Popoviç synonte ndarjen e Sanxhakut mes Serbisë dhe Malit të Zi, taktikë e njëjtë kjo me atë marrveshje që patën bë Ribentropi me Molotovin për ndarjen e Polonisë.

Në mars 1945 Aleksandër Rankoviçi ia arriti qëllimit në bashkëpunim me Gjilasin, si përfaqësues i Malit të Zi.

Pas takimit Tito-Kyprylliu në Split dhe pas Paktit Ballkanik Turqi-Jugosllavi-Greqi në shkurt të vitit 1953 u organizua dëbimin masiv i shqiptarëve.

Gjatë periudhës komuniste Sanxhaku mbeti ekonomisht i pazhvilluar. Në vitin 1960 janë dëbuar 30 mijë banorë muslimanë nga Pazari i Ri për në Turqi.

Në këtë periudhë kemi asimilimin masiv të shqiptarëve.

Të njëjtën politikë kanë zbatuar dhe në Kosovë.

Në vitet 1951-1968 nga Kosova për Turqi janë shpërngulur mbi 400.000 shqiptarë dhe në Kosovë kanë sjellë mbi 60.000 kolonë serbë.

Sot Sanxhaku ka shumicë boshnjake.

Shqiptarët jetojnë në tri fshatra të rrethinës së Rozhajës.

Në vitin 1999 gjatë luftës për çlirimin e Kosovës pritën shumë vëllezër shqiptarë dhe dhanë kontribut për çlirimin e saj.

Sanxhaku i Pazarit të Ri dhe i Nishit janë pjesë e trojeve tona, historisë, gjuhës, kulturës, së Kombit Shqiptar.

Kush mendon se jemi të vonuar, apo me keq akoma të gabuar në të drejtën tonë historike ju sjell në vëmendje Historinë e Hebrejëve, të cilët pas 2.500 vitesh pa atdhe valvitën flamurin me yllin e Davidit në trojet e tyre biblike, apo spanjollët pas 6-7 shekujsh dëbuan pushtuesit arabë nga atdheu i tyre.

Sanxhaku dhe Nishi, ashtu si Presheva, Ulqini, Plavë-Gucia, Tivari, Shkupi, Tetova, Çamëria, janë sot e përgjithmonë pjesë e pandarë dhe e patjetërsueshme e tokës së shqiponjave, me të drejtën historike e bekimin e vetë Zotit.

Kosova pret miliona euro përfitime pas shkëputjes nga blloku energjetik i Serbisë

Nadie Ahmeti

Kosova parasheh përfitime prej disa milionë euro në vit nga shkëputja përfundimtare me sistemin rregullues energjetik të Serbisë dhe bashkimit me sistemin energjetik të Shqipërisë.

Këto parashikime i bëjnë zyrtarët e qeverisë në largim të Kosovës dhe ata të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Në fillim të muajit dhjetor (2019), Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) kanë nënshkruar në Tiranë marrëveshjen për themelimin e bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë-Shqipëri, e cila do fillojë së zbatuari nga muaji prill i vitit 2020.

Sipas KOSTT-it, për këtë marrëveshje është informuar edhe Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Kryeshefi Ekzekutiv në Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), Ilir Shala, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se me nënshkrimin e marrëveshjes me Shqipërinë, Kosova shkëputet nga ombrella e zonës rregulluese serbe (EMS – Rrjeti Elektroenergjetik i Serbisë) dhe bëhet pjesë e OST-së (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë).

Shala thotë se nga viti 2008 e deri tani, shteti i Serbisë, sipas tij, në mënyrë joligjore ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit të Kosovës dhe ka mbledhur të hyra prej rreth 65 milionë euro.

“Në aspektin financiar apo komercial definohet dimensionimi i kapaciteteve energjetike brenda bllokut Kosovë – Shqipëri, ku sipas kalkulimeve të dakorduara, kursimet do të jenë rreth 4 milionë euro në vit. Për OST-në përfitimet do të jenë 1.4 milionë euro, ndërkaq për KOSTT-në 2.6 milionë euro”, tha Shala.

Ministri në largim i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka, tha se Kosova pëson humbje prej deri në 12 milionë euro në vit nga Operatori i Sistemit të Serbisë (EMS) i cili vazhdon të mbledhë të hyrat e alokimit të kapaciteteve për linjat kufitare të Kosovës me shtetet fqinje.

Po në lidhje me humbjet financiare të Kosovës nga rrjeti energjik, Lluka thotë se më shumë se 10 milionë euro në vit janë shumat e faturave të energjisë së shpenzuar nga konsumatorët e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, ku nuk paguhet për energjinë e shpenzuar.

Kurse nga muaji prill i vitit të ardhshëm, ai thotë se Kosova do të kontrollojë kufijtë energjetikë dhe si rrjedhojë do fillojë të inkasojë mjetet për energjinë që kalon në transimionin e Kosovës. Kurse pjesa e veriut, sipas tij, mund të trajtohet deri në një zgjidhje përfundimtare.

Përveç marrëveshjes për bashkimin e sistemit energjetik Kosovë – Shqipëri, këto dy shtete kanë edhe një projekt të përfunduar, por që ende nuk ka filluar së zbatuari.

Fjala është për linjën energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri që ishte shpallur si projekt i përfunduar para tre vjetësh, por sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, arsye kryesore e mosaktivizimit të kësaj linje ka qenë Serbia, e cila, siç thuhet, nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për energjinë, të nënshkruar në Bruksel në vitin 2013, ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

E njëjta marrëveshje ishte konfirmuar më pas nga të dy kryeministrat, i Kosovës dhe ai Serbisë, në gusht të vitit 2015, kur kishin rinegociuar dhe ishin dakorduar për zbatimin e saj.

Por, me gjithë përfshirjen edhe të niveleve të larta politike, marrëveshja me Serbinë, e cila kryesisht përfshinte furnizimin me energji të komunave veriore të Kosovës, nuk është zbatuar asnjëherë.

ARBËRIA APENINE KËRKON CERTIFIKIMIN SHQIPTAR – Nga Azgan HAKLAJ

 

 

-Arbërshet e Italisë duhet të pajisen me pashaportë shqiptare

-Ata janë Nderi i Kombit Tonë.

-Edhe sot pas pesë shekujsh i kthejnë foshnjat e sapolindura me fytyrë nga Atdheu i të parëve.

-Askush nuk i ka vlerësuar deri më sot meritat e tyre historike në fushën e kultures e të patriotizmit shqiptar dhe kontributet e dhëna për çështjen kombëtare shqiptare.

 

 

Arbëreshët, mbartësit e emrit mesjetar të Shqipërisë, së Epokës Heroike të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), komuniteti që ka ruajtur mrekullisht Genin Iliro-Dardano-Arbëror, traditat, doket e zakonet tona të lashta emigruan drejt Italisë, pas vdekjes së Heroit Kombëtar, rënies së kështjellave të Krujës dhe Shkodrës e pushtimit të vendit nga barbarët e Azisë.

Shpërnguljet biblike të viteve 1470-‘80 të princërve, fisnikërisë e popullit të Arbërisë ishin prologu i natës së gjatë osmane që pllakosi trojet tona për 5-së shekuj me rradhë.

Bëhet fjalë për qindra e mijëra arbëreshë që kapërcyen dallgët për t’i shpëtuar robërisë, siç thuhet në një këngë të lashtë:

” Dyqindmjë kaluan detin

Për të ruajtur besën”!

Ata morën me vehte dashurinë për Atdheun, tokën e të parëve të tyre, këngët dhe legjendat, doket e zakonet, kostumet e mrekullueshme popullore dhe armët e tyre me të cilat vulosën Epopenë e Motit të Madh dhe bënë betimin për t’u kthyer përsëri në trojet nga lind Dielli e për të luftuar për çlirimin e Atdheut të robëruar.

Hemoragjia e Atdheut pas pushtimit turk ishte e tmerrshme. Familjet princërore arbërore dhe aristokracia ushtarako- politike e kulturore, e cila kishte hedhur rrënjë qysh me Shtetin e Arbërit 3 shekuj para Epokës së Moisiut tonë, Gjergjit të madh, u larguan nga Atdheu.

Nga ana demografike ky pushtim i shkaktoi një goditje aq dramatike Shqipërisë saqë Shqipëria Londineze në vitin 1912 numëronte rreth tetëqind mijë banorë.

Arbëreshët dëshmuan edhe atje, matanë brigjeve të Adriatikut, një forcë e vitalitet të jashtëzakonshëm dhe një dashuri të flaktë për Atdheun.

E ndërsa në fushat dhe malet tona pllakoste zia e trishtimi arbëreshët e mëdhenj Marlin Barleti, Dhimitër Frangu, Anonimi Tivaras, përmes veprës së tyre të shquar kushtuar Heroit Kombëtar, ndezën në zemrat e bashkëatdhetarëve të tyre flakadanin e lirisë.

Ishte ky ideal që jetonte i gjallë në zemrat e arbërorëve që frymëzoi Princin Gjon Kastrioti të zbarkonte në Himarë në vitin 1481, në krye të një armate të përbërë nga arbëresh napolitanë e venecianë për të çliruar Atdheun. Në tre vjet beteja Ai çliroi pjesën më të madhe të Arbërisë së asaj kohe, por nuk e mbajti dot përballë ushtrive ta panumërta e më armatim të rëndë tê kulçedrës aziatike.

Arbëreshët mbollën në tokën italiane një copëz Arbërie, por të vetëdijëshëm se guri i rëndë peshon në vend të vet dhe të shtyrë nga dashuria e flaktë për trojet stërgjyshërore nuk hoqën kurrë dorë nga ëndrra për t’u kthyer në Atdheun e tyre.

Është kjo kujtesë historike e ngulur thellë në genin e tyre, që është shprehur mrekullisht nga Rilindasi e poeti i shquar arbëresh Zef  Serembe përmes vargjeve poetike:

 

“Arbëria matanë detit na kujton

Se ne të huaj jemi tek ky dhé .

Sa mote shkuan e zemra nuk harron

Se nga Turku mbetëm pa Mëmëdhe”.

 

Nëse duam të zbulojmë të vërtetën historike rreth faktit se shqiptarët dhe Gjuha e tyre i shpëtuan në shekuj e mijëvjeçarë asimilimit nga pushtuesit e huaj e kemi tashmë një çelës për të zbërthyer këtë enigmë të madhe të historisë dhe ata janë Arbëreshët tanë të vendosur prej shekujsh matanë detit në Gadishullin Apenin.

“Një popull i asimiluar është i vdekur klinikisht, i paaftë për të reaguar, për të njohur vetëvehten e për të tjerët që e rrethojnë”. Këtë postulat të historisë e njihnin mirë burrat e mëdhenj të Arbërit Frangu, Barleti, Anonimi Tivaras, ashtu si Familja e shquar Albani e pinjolli i saj i madh Papa Klementi XI-të -Albani, nën kujdesin e të cilit u mblodh në fshatin Merqi të Lezhës, në vitin 1703 Kuvendi i Arbërit, i cili për nga roli e rezultatet që dha në shekujt që e pasuan e meriton plotësisht e përjetësisht të quhet Djepi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Papa Klementi në aksionin e madh kulturor, humanist e rojtar për të ndalur zhbërjen e popullit të tij të origjinës nuk harroi arbëreshët e Italisë, vëllezërit e tij të gjakut. Ai hapi kolegjin e Shën Adrianos dhe e financoi atë duke e kthyer atë në vatër të pashuar të kulturës të arbëreshëve të Italisë.

Ardhja e Rilindasit të madh Jorenim De Rada në skenën letrare, kulturore e patriotike shqiptare shenoi hopin e madh cilësor në levizjen patriotike e kulturore të Popullit Shqiptar.
Në moshën 23 – vjeçare shkroi kryeveprën e letërsisë sonë “Këngët e Milosas” e krahas kësaj me gazetën e tij “Flamuri i Arbërit” u angazhua e dha kontribut të madh për t’i treguar opinionit europian e kancelarive të Fuqive të Mëdha të vertetën për ekzistencën e Kombit Shqiptar, të historisë, gjuhës, dhe kulturës së tij. Me veprimtarinë e tij shumëdimensionale dhe ideve gjeniale për ta bërë Shqipërinë së pari një komb kulturor De Rada është i pari nacionalist e poet i madh shqiptar e njëherësh një nga figurat më të ndritura shqiptare të të gjitha kohërave.

Populli ynë ka një shprehje të urtë:

“Trimi i mirë me shokë shumë”

Komuniteti Arbëresh ka nxjerrë edhe figura të tjera të ndritura, të cilët me pushkë, penë e diplomaci dhanë gjithçka për Arbërinë e tyre të shtrenjtë.

Në vitet e Kongresit të Berlinit, kur trojet shqiptare ishin në rrezik të ktheheshin në plaçkë tregu mes armiqëve tanë, ishte Arbëreshi i madh Françesko Krispi, asokohe Kryeministri i Italisë së Bashkuar, i cili e dërgoi çështjen Shqiptare në tavolinën e burrështetasit të madh që kishte bashkuar Gjermaninë, Kancelarit të real-politikës Bismark dhe u bá avokat i saj.

Krahas De Radës njě kontribut të shquar në kulturën arbëreshe e atë kombëtare kanë dhanë Lek Matrenga, Gavril Dara e Zef Serembe e deri tek profesor Françesko Altimari.

Në vitin 1911 ishte arbëreshi Torenc Toçi, i cili pas një dekade aksioni patriotik e diplomatik pranë kancelarive përendimore arriti të organizonte një Kuvend të madh me përfaqësuesit e aristokracisë, krerëve e popullit të Veriut dhe të shpallte Qeverinë Kombëtare dhe planin e kryengritjes çlirimtare.

Komuniteti Arbëresh është një Arbëri e vogël në tokën italiane.

Kanë mbijetuar në sagën e gjatë përmes kasandrash e kulisash pa u asimiluar, megjithëse jetojnë në prani të një kombi e një kulture, e cila është prej mijëra vjetësh në panteonin e civilizimit europian e botëror.

Arbërorët tanë kthejnë edhe pas pesë shekujsh fëmijët e posalindur me fytyrë nga Atdheu i të parëve.

Ata janë Nderi i Kombit prej pesë shekujsh.

Ka ardhur koha më në fund që Zonja Mëmë Shqipëria të nderojë bijtë e bijat e saj:
T’u japë dy shtetësinë, sepse stërgjyshërit e tyre e lanë tokën e shqiponjave me gjak në luftë me hordhitë aziatike.

Dhjetori ’90 në kujtimet e një studenti periferik – Nga ERMAL MULOSMANI

Sa herë vjen Dhjetori kam një zgjim emocional të harlisur. Ka mbetur kënaqësia e fëmijës që endet mes përrallave me saje e babagjysh, që na përkund ëndrrat e na con në një botë imagjinare, krejt të ndryshme nga realiteti prozaik që na rrethon :(. Sa më e largët distanca me femijërinë aq më e zbehtë kjo ndjesi e mrekullimit… Ne imagjinatën time, Viti i Ri, paradoksalisht, kishte pamjen e plakut me mjekër e kapuç të bardhë, babaxhan e me trastën e shumëdëshiruar të dhuratave. Paçka se Viti i Ri duhet të ishte një foshnjë e sapolindur e gjithë gaz. Une prisja në shtepinë e ëndrrave, të rrethuar nga dëbora që vazhdonte të binte papushim por që ishte shumë e ngrohtë brenda.. Si në reklamën e Coca- Colas… Prisja e prisja, nga dhjetori në dhjetor :). Sa më e madhe është mungesa aq më e zjarrtë është imagjinata. Nuk dekurajohej nga zhgënjimet :).

 

Diçka nga ky mrekullim mbetet edhe sot e kesaj dite. Ndoshta është pjesa e fëmijës që rron bashkë me ne deri në fund…

Edhe Dhjetori ’90 më erdhi i tillë, gati si në femijëri. Po mendoja pushimet e Vitit të Ri, ato ditë kur do kthehesha të takoja miqtë e mi në qytetin tim të largët kufitar… Mezi i prisja ato ditë pushimesh. Isha në vitin e 3-të të Fakultetit dhe fantazoja zymtë të ardhmen. Shanset për të qendruar në Tirane ishin pothuaj zero. Rezultatet e mia ne Fakultet ishin shumë të mira por kjo nuk garantonte asgjë dhe më bënte konfuz për të ardhmen. Isha si pezull. Në atë periudhë e ardhmja e gjithë botës bashkë vlente shumë më pak se e ardhmja ime.

Në Qytetin Studenti ishte një atmosferë e padurueshme. Si asnjëherë më parë pati një rënie drastike të racionit ushqimor. Mbaj mend që, për herë të parë u fut marmalata e mollës në racionin e mëngjesit. Një marmalatë e tmerrshme që nuk kishte thikë ta priste. Çaj dhe marmelatë molle! Studentët, prisnin në orën 12 kur hapej menca me turma që vërsuleshin për të ngrëne. Më të duruarit rrinin poshte sallës 7/1, në bordurat e sheshit të ardhshëm “Demokracia”. Atëkohë nuk kishte emër, sigurisht. Po ta pagëzoja do t’i thosha “Sheshi i Urisë”. Atje, me barcaleta kundër sistemit e me një sy të vëmendshëm tek dera e mencës mundnim yshtjen për t’u sulur.

Si asnjë vit më parë…

Si të mos mjaftonte kjo gjendje, pasditet e fundnëntorit ishin shumë të ftohta. Rezistencat tona (furnelat elektrike) luftonin pa sukses me të ftohtin që na futej ne palce. Batanijet nuk bënin pune. E në këtë sfond mjeran, studentët lëshoheshin në séanca të pafundme bixhozi. Situata ishte depresive.

Ky ishte Dhjetori im ‘90. Sapo kishte hyrë me një të ftohtë karakteristik. Si të mos mjaftote gjithë kjo gjendje gri, filluan ikjet e dritave… Durimi po soste.

Një mbrëmje ndërsa isha shtrirë në krevat e po lexoja, rreth ores 7 pasdite, dëgjoj kore poshtë dritares sime. Uee çfarë entuziasmi pushtoi dhomen tonë! Kjo gjë nuk kishte ndodhur kurrë! Ishin rreth 50 vetë maksimum në perceptimin tim. Bërtisnin “Duam Drita” e kërkesa të tilla. U ngritëm menjëherë dhe u nisëm drejt sheshit te mencave. Atje, pashë një grup të paorganizuar studentësh, shumë pak, që po përpiqeshin të krijonin një solidaritet sa më të madh. Kryesorin prej tyre e njihja mire. E përshëndeta dhe u largova. Mu dukën të pashpresë në iniciativën e vet.

Ika pesimist…

Te nesërmen të gjithë flisnin për protestën e djeshme. Shumica e të thënave ishin fantazi. Edhe sot nuk jam në gjendje të ndaj ku mbaronte fantazia e ku fillonte realiteti. Por, na kapi nje dalldi kur u tha që protestat do të vazhdonin edhe sot. Çfarë mrekullie!

Në qytezën tonë, madje në të gjithë vendin tonë, nuk ndodhte asgjë! Pothuaj asgjë! Të gjithë duronim duke tejkaluar edhe profecitë apo aforizmat e njohura për durimin.

Nënshtrimi ishte shembullor dhe shtypja e pashembullt. Në 46 vjet nuk mbahej mend një protestë publike, vec thashetheme antiregjim që provokoheshin nga spiunë dhe pillnin viktima…Të burgosurit e fundit politikë shënoheshin 20 vjet të shkuara. Prej 20 vitesh disidenca ishte “tentativë arratisje” , ose ikje nga tmerri!

Madje edhe protesta thuhej të ishte vetëm ekonomike. Përmirësim kushtesh ekonomike. Opozitarizmi ishte në formë barcaletash. Keto kishin marrë dhenë në fakt, nuk kishte ambient që nuk thuheshin. Ndryshe nga 3-4 vjet më parë.

Dolëm në shesh gjithë qejf. Ndjehej në ajër që diçka pritej të ndodhte. Grupe studentësh endeshin në pritje… Ka të ngjarë që këto grumbullime të paorganizuara të kenë nxitur pjesëmarrësit e djeshëm per te vazhduar. Të vetëm ata ishin shumë të rrezikuar. Zemra na rrihte nga euforia, egzagjerimet dhe fantazitë filluan të merrnin dhenë. Më e pakta që ndjenim ishte që po bëheshim dëshmitarë dhe protagonistë të një historie të re. Bashkë me ne, sigurisht, nuk mund të mungonin nëpër hapësirat mes mencave edhe të dërguarit e Sigurimit… Por, pa forcën terrorizuese të viteve të shkuara. Ishim koshient se askush nuk mund të burgoste me dhjetra studentë dhe kjo na jepte forcë…

Nuk mbaj mend se kush e dha shkendijën e grumbullimit. As se si ndodhi. Veç mbaj mend se në shumë pak kohë, u improvizua nje tribunë e vogël ku filloheshin të mbaheshin fjalime. Kërkohej kryesisht që të bashkoheshim për të mundësuar përmirësimin e kushteve ekonomike skëterrë… të gjithë ishin dakort me këtë. Madje edhe ata që sodisnin nga larg, nën pemët e godinave të largëta. Tregohej një kujdes i skajshëm për të mos përfshirë politikën në mes. Madje, folësit e karaokes së improvizuar vazhdimisht bënin lëvdata për udhëheqësin në fuqi. Dhe shoqëroheshin me duartrokitje frenetike dhe pak fërshëllima. Shkollë nuk pati ata ditë. Turma sa vinte e rritej. Edhe folësit e karaokes shtoheshin. Edhe budallallëqet që thuheshin. Askush nuk merrej me atë që thuhej, të gjithë kujdeseshin që tribuna të mos mbetej bosh. Protagonistët nuk më pelqenin, nuk ishin në shijen time. Megjithatë i duartrokisja me gjithë shpirt. Nuk kishin rëndësi ata, i rëndësishëm ishte entuziasmi, vazhdueshmëria. Pasditja ishte e mrekullueshme, entuziasmi ishte në maksimum….

Te tjerat jane thënë… Pas atyre ngjarjeve të një intensiteti të paparë ndonjehëre, po vinte fundi i dhjetorit… Studentët filluan të largoheshin. Arrivistët rrinin tek selia e re e Partisë së re… Ishte funddhjetori dhe unë nuk e kisha më entuziasmin e fillimit për t’u kthyer në shtepi… Qyteza e studentëve po boshatisej, po braktisej… Me dt 05 Janar kisha provim… Amerika po bëhej gati të sulmonte Irakun. Une kisha frikë se kjo ngjarje do të spostonte vëmendjen nga Shqiperia. Ne ishim kryelajmi i VOA dhe BBC deri ato ditë…

Ka qene i vetmi Vit i Ri qe nuk më ka pelqyer . Viti i Ri, për mua, atë vit, ishin ato ditë të papërsëritshme fillim Dhjetori…

Peter H. dhe të tjerët duke kalëruar nëpër Ballkan Nga Enver ROBELLI

Një ndër arsyet pse Peter Handke i ka hipur kalit mbrapsht dhe kalëron në drejtim të gabuar qe gati 25 vjet sa i përket Ballkanit, është edhe gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Kjo gazetë, si asnjë tjetër në botën perëndimore, e ka kritikuar ashpër ultrancionalizmin pushtues të Beogradit. Njëri nga editorët e gazetës, Johann-Georg Reissmüller, në vitet 60-të ka qenë korrespondent në Beograd. Ai ka shkruar libra për rajonin, ka qenë njohë si madh i historisë së Ballkanit dhe eksperimentit jugosllav, të cilin e shihte me skepticizëm dhe të destinuar për të dështuar. Në librin e tij të parë për konfliktet në Ballkan të titulluar «Drejtësi për Serbinë» (botuar më 1996 në Prishtinë) Handke e quan «Frankfurter Allgemeine Zeitung-un» – një gazetë prijetare serbëngrënëse.

Jo vetëm Peter Handke, por edhe shkrimtarë të tjerë gjermanë, austriakë e zviceranë e shihnin Jugosllavinë si ideal të një parajse socialiste. Ata nuk jetonin në Jugosllavi. Ata e njihnin Jugosllavinë nga propaganda e regjimit të Josip Broz Titos, e njihnin nga fotografitë e takimeve që zhvillonte Tito me Willy Brandtin, kancelarin socialdemokrat gjerman – në një fotografi shihet se si Brandt ia ndez cigaren puro Titos gjatë një takimi në ishujt Brione, atje ku Tito tërhiqej sidomos gjatë verës dhe shijonte jetën, herë duke pritur politikanë si Brandti, herë duke zier pasta me aktore të bukura si Sophia Loren. E njihnin Jugosllavinë këta shkrimtarë dhe intelektualë gjermanë, austriakë e zviceranë edhe nga Shkolla Verore Ndërkombëtare në ishullin e Korçullës, aty ku çdo vit mblidheshin filozofë nga Perëndimi e Jugosllavia për të folur për marksizmin e socializmin me fytyrë njeriu. Që pak më tutje ishte ishulli Goli Otok, ku regjimi i Titos i kishte degdisur e terrorizuar mijëra njerëz – kush bëhej merak për këtë. Tito shihej si lider i një bote të tretë, që kundërshton Moskën dhe Washingtonin, bile te një pjesë e intelektualëve të lëvizjes së vitit 1968 Amerika urrehej edhe më shumë se Bashkimi Sovjetik stalinist. Handke i përket kësaj mendësie. Andaj ai ishte i tronditur kur publicistë gjuhëmprehtë si Johann-Georg Reissmüller e quanin Jugosllavinë projekt të dështuar.

Handke, ndërkaq, e shihte Jugosllavinë si utopi të tij personale. Së pari ai i mallkoi sllovenët që kërkuan pavarësi (nëna e Handkes ishte sllovene), pastaj Handke iu vërsul «Frankfurter Allgemeine Zeitung-ut» dhe Johann-Georg Reissmüller. Kishte gazetarë të tjerë në Gjermani që ose mbanin qëndrime proserbe ose thoshin: nëse popujt e Ballkanit bash kanë qejf të kënaqen me urrejtjen e tyre, atëherë nuk duhet t’i pengojmë (kështu ka thënë, për shembull, Marion Gräfin Dönhoff, botuesja aristokrate e «Die Zeit» të Hamburgut). Botuesi i «Der Spiegel» Rudolf Augstein ishte kundërshtar i çdo përzierje të Gjermanisë në Ballkan. Në gusht të vitit 1992 ai tallej me Reissmüllerin duke shkruar se pa «kolumnen» e tij të rregullt gjermanëve as që do t’u binte ndërmend të ndërhynin në Ballkan. Augstein e akuzonte Reissmüllerin si luftënxitës. Cinizmi i Augsteinit shkonte deri aty, saqë thoshte se pa komentet e «Frankfurter Allgemeine Zeitung-ut» dhe pa pamjet televizive që synonin të kenë efekt të shikuesit, nuk do të kishte ndodhur njohja e Sllovenisë dhe Kroacisë nga Gjermania. Domethënë: për Augstenin nuk ishte problem shkatërrimi i Vukovarit nga ushtria, policia dhe paramilitarët e Beogradit, por pamjet televizive. Më 1999 Augstein ishte kundër ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës – tani ai përkrahej edhe nga e bija e tij Franziska Augstein, e cila edhe sot, sa herë që e gjen rastin, kujdeset të përkujtojë publikun se çfarë gabimi ka bërë NATO më 1999 duke ndërhyrë kundër Serbisë.

Thuhet se në kuzhinën e Johann-Georg Reissmüllerit ishin vendosur xhama antiplumb për të evituar sulmet eventuale të kriminelëve nacionalistë serbë. Por kishte gjermanë të tjerë nga jeta publike që nuk kishin arsye të frikësoheshin nga plumbat serbë, madje disa tregonin mirëkuptim për plumbat serbë – kundër Kroacisë, Kosovës, Bosnjës. Peter Glotz, politikan prominent socialdemokrat, ka qenë njëri nga propagandistët më të egër promillosheviqian në Gjermani. Atij i mungonte vetëm kokarda e çetnikut. Pëshpëritësja e tij e afërt ishte Mira Beham, një publiciste çetnike që me vite të tëra ka bërë zhurmë në hapësirën gjermane. Horst Grabert, në vitet ’70 këshilltar i kancelarit Brandt dhe ambasador i Gjermanisë Perëndimore në Beograd (1979-1984), tregonte hapur simpati për serbët. Ai kërkonte sanksione për të gjithë, kërkonte që e drejta e vetëvendosjes të mos jetë maksimë e vetme, insistonte që nëse kroatët duan të jenë të pavarur, atëherë serbët e Kroacisë kanë të drejtë të kundërshtojnë këtë shtet. E kështu me radhë.

Peter Handke është vetëm zëri më i lartë dhe më i çjerrë i një grupi që Sllobodan Millosheviqin e shihte si shpëtimtar të Jugosllavisë së Titos. Që Millosheviqi ishte shkatërruesi i trashëgimisë së Titos – me këtë nuk pajtohen të verbrit. Gjermania është me gjasë vendi ku shërbimi sekret jugosllav ka vrarë më së shumti emigrantë – dhe qeveritë gjermane këtë në një mënyrë e kanë toleruar, sepse përveç protestave rutinore nuk kanë ndërmarrë asgjë kundër regjimit të Titos dhe udbashit të tij Stane Dollanc. Prandaj, nuk është shumë e habitshme që edhe tani, jo rrallë, bën vaki që Gjermania të heshtë kur duhet të protestojë. Më 2018 kryeministrja serbe Ana Bërnabiq në zemër të Berlinit tha se Srebrenica nuk ka qenë gjenocid. Asnjë gazetë gjermane nuk e regjistroi këtë skandal. Politika heshti. Tani Aleksandar Vuçiqi tha se Reçaku ka qenë një ngjarje e fabrikuar, jo masakër, dhe nga Berlini nuk dëgjohet asgjë. Kohërat, për fat të keq, kanë ndryshuar.

Në fund të viteve ’90 në shumë vende perëndimore qeverisnin idealistë me orientim multilateral (Bill Clintoni, Tony Blairi, Jacques Chiracu, Joschka Fischeri, më pak Gerhard Schröderi). Tani duket se koha e idealizmit, e mbrojtjes së të drejtave të njeriut e luftës për barazi nuk gëzon prioritet si më 1999. Tani nga qarqet e ekstremit të djathtë dhe të majtë Peter Handke shikohet si vizionar që kritikon Perëndimin që ka sulmuar serbët, të cilët s’paskan bërë gjë tjetër veçse luftuar disa myslimanë atje poshtë në Ballkan. Bota nganjëherë di të jetë cinike.

Shttt! Duhet te heshtni sot se dukeni te neveritshem! Nga Eva Idrizllari

#Kujtese #historike

#Liria nuk dhurohet. Duhet te luftosh diktaturen qe ta fitosh. Dhe lufta nuk behet duke kruar koken nga mendimi se çfare do perfitoj, duke korruptuar zemren. Por duke luftuar deri ne fund per ate qe mendon se eshte e drejte.

Kane kaluar plot 29 vite nga 8 dhjetori i vitit 1990, protesta madheshtore e studenteve kunder diktatures.
Natyrshem, sot me 8 dhjetor 2019, shtrohen pyetjet:

A e rrezuam vertet strukturen e diktatures?
A jemi realisht qytetare te lire?

#Koncepti i #lirise do te thote te veprosh pa shtrengime (pa e ngaterruar lirine me lejen per te bere çdo gje) dhe te zgjedhesh ne vetevendosje te plote (pa lenduar askend).

Njeriu qe mendon (me koken e tij) mbi parimet, qe vepron me vullnetin e tij (moral) pa shtrengime, ne vetevendosje te plote (i pakufizuar), qe zemren e tij e ruan te pakorruptuar, eshte vertet nje #njeri #i #lire.

Fatkeqesisht “heronjte” e dikurshem qe u shfaqen si “ithtaret” e permbysjes se diktatures pothuajse u korruptuan dhe i ashtuquajturi “Revolucion Demokratik” nuk arriti kurre ta permbushte permbysjen e struktures ish-diktatoriale.
Keta “heronj” formale, realisht jo te lire si qytetare, por te varur nga nomeklatura komuniste, e korruptuan zemren per poste dhe privilegje, duke adoptuar thjesht nje sistem te ri politik me rregulla te percaktuara nga kjo “kaste”, duke krijuar nje regjim ne dukje demokratik, por ne thelb totalitar. Nje genjeshter me etiketen “sistem demokratik”.

Shume nga keta pseudo-heronj, qe akoma sot edhe pas gjithe genjeshtres qe ndertuan fryhen si pjesemarresit e “Revolucionit” (Bullshit) per Demokraci, pergjate 28 viteve deshmuan praktikisht se ishin ne thelb njerez te shitur, te trashe, dembele, medioker, te paafte, mashtrues, hajdute, llafazane(gam-gam) dhe te babezitur.

Protesta idealiste e studenteve te dhjetorit 1990, perfundoi thjeshte me nje etikete fallco si “Demokraci” ne sistemin e nomeklatures komuniste.

Perbuzje per te gjithe mashtruesit qe vrane endrren e shqiptareve te ndershem dhe idealiste, per Demokracine e vertete.

Shttt. Duhet te heshtni sot se dukeni te neveritshem.

Ceremonia për ambasadorin amerikan, si e mbrojti Konica Mbretin Zog. Çfarë ndodhi në darkën madhështore në hotelin “Astor” – Nga DALIP GRECA

Në gazetën “DIELLI”, më e vjetra gazetë e shqiptarëve në botim, e cila me 15 shkurt 2019 mbush 110 vite nga dita e parë e botimit, gjenden kronika dhe shkrime të gjinive të ndryshme, që sjellin informacione të shumta, që nga dita e nisjes të ambasadorit amerikan drejt Tiranës e deri në ditëkthimin e tij.

Marrëdhëniet e Konicës dhe Vatrës me Herman Bernstein kanë qenë të shkëlqyera. Vatra e priti me gëzim emërimin e z. Bernstein ambasador në Shqipëri. Popullariteti që ai gëzonte jo vetëm te hebrenjtë, por edhe tek i gjithë opinioni amerikan, falë penës së tij dhe kurajës qytetare, mbështetja që gëzonte nga Presidenti amerikan, u jepte shpresë vatranëve se Shqipëria do të fitonte shumë nga ambasadori hebre. Dhe nuk u zhgënjyen.

Ambasadori amerikan, Bernstein

* * *

Në gazetën “Dielli” të 21 marsit 1930, faqja e parë i kushtohej pikërisht “Ekselencës së Tij, zotit Herman Bernstein, ministër i Shteteve të Bashkuara pranë Oborrit Mbretëror të Shqipërisë”. Ka vetëm një titull faqja e parë e “Diellit” të atij numri dhe pesë fotografi, të zotit Herman Bernstein, zonjës Bernstein dhe fëmijëve të tyre, Miss Dorothy, Mr. David dhe Miss Violet Bernstein.

Kopertina e gazetës “Dielli”, 1930

Ndërsa në faqen e dytë të gazetës, në vend të editorialit botohej shënimi “Ministri i ri i Amerikës”. Në momentin që janë publikuar fotografitë e familjes Bernstein në faqen e parë të “Diellit” dhe shënimi editorial në faqen e dytë, z. Bernstein ende nuk ishte nisur për në Tiranë, por po gatitej për nisje.

Në fakt, ai e kishte marrë emërimin që më 17 Shkurt 1930 dhe u nis nga Amerika të mërkurën e 2 prillit 1930 me avulloren “President Roosevelt”.

Ministri shqiptar në Uashington, Faik Konitza shkoi ta përcillte në avullore ditën e nisjes, duke dhuruar tri buqeta me trëndafila për të shoqen e ministrit dhe dy të bijat.

KUSH ISHTE HERMAN BENRSTEIN

Kush ishte Herman Bernstein deri në momentin e nisjes për në Tiranë? Herman Berstein ishte shkrimtar, gazetar dhe diplomat. Kishte lindur në Neustand-Scherëindt të Rusisë, më 21 shtator 1876.

Ishte i biri i David Bernstein, tregtar dhe njeri i ditur i hebraishtes. Hirsch Bernstein, ungji i tij, ishte themeluesi i gazetës së parë hebraisht në Shtetet e Bashkuara që më 1870. Herman Bernstein emigroi në SHBA më 1893, ku mësimet e nisura në Rusi i përfundoi në Amerikë. Ishte i prirur pas shkrimeve dhe gazetarisë. Që më 1900 ishte bashkëpunëtor i rregullt i gazetës “The New York Evening Post” dhe i të përkohshmeve “Nation”, “Ainslee’s Magazine” dhe “Independent”.

Gazeta e famshme “The New York Times” e dërgoi z. Bernstein si korrespondent të saj në Europë gjatë viteve 1908, 1909 dhe 1911.

Gazeta “Dielli” tek do t’ua prezantonte lexuesve të vet aktivitetin gazetaresk të z. Bernstein për këto vite, shkruante: “Në kohën e udhëtimeve në Europë, z. Bernstein pati intervista me disa nga njerëzit më të shquar të Europës si: Witte-n, Metchenikoff-in, Bergson, Bodi-n, Bernard Shown, Tolstoi-n dhe mblodhi subjektet për librin e tij ‘Me mësonjësit e mendjes’, që e botoi më 1912″. (“Dielli”, 21 mars 1930)

Kur u kthye në SHBA, Bernstein themeloi më 1914 gazetën “The Day”, e përditshme në gjuhën hebraishte. Ishte editori i saj deri më 1916. Ai po ashtu ishte botues dhe kryeditor i gazetës “The American Hebreë” nga vitet 1915- 1919.

Gjurmë ka lënë pena e tij në fushën e gazetarisë së kohës në vitet 1917, ku u dërgua në Rusi prej gazetës “The New York Herald”, ai përshkroi revolucionin dhe përmbysjen absolute të Carëve dhe qeverimin e Sovjetëve.

Ai mbahet si një ndër gazetarët më të rëndësishëm gjatë kohës së Luftës së Parë Botërore. Bernstein kreu një studim në ato vite për vendndodhjet e popullit izraelit në shtetet ku bëhej lufta.

Penës së Bernstein i dedikohet korrespondenca e bujshme mbi bisedën mes Carit dhe Kaiseri-t në kohën e luftës RusoJaponeze, ku ai nxori në dritën e diellit bisedat e fshehta që preknin interesat anglo-amerikane. “Herald”-i i Nju Jorkut e dërgoi Bernstein në Japoni, Siberi, e Çekosllovaki më 1918, ndërsa më 1919 ai ishte korrespondent special në Konferencën e Paqes në Paris.

Më 1920-‘21, gazeta “The New York American” i kërkoi Bernstein-t që të përshkruante shtetet e reja të Europës, që u krijuan pas Traktatit të Versajës. Për çdo vit, ai ndërmerrte udhëtime me qëllime gazetarie dhe letrare në Europë.

Karriera e Bernstein në Europë ishte e pasur. Ai ishte edhe editor i gazetës “The Jewish Tribune” nga vitet 1923 deri në 1928.

Herman Berstein ka lënë pas edhe vepra letrare, si vëllimi me poezi “Fluturimi i kohës”-1899; një vëllim me përralla “Në portën e Izraelit” 1902, ka shkruar librin “Herbert Hoover, “Njeriu që solli Amerikën përpara Botës”-1928 etj. Një trashëgimi të pasur ka lënë Bernstein në fushën e përkthimeve nga rusishtja. Ai përktheu drama dhe përralla nga Tolstoi, Maksim Gorkit, Leonid Andreiv e të tjerë.

Z. Herman Bernstein ishte martuar me 1 janar 1902 me zonjushën Sophie Friedman dhe kishin katër fëmijë: Hilda, e martuar me z. Murray Giltin, Dorothy (e cila e bëri dasmën në Tiranë), Violet dhe djali David Bernstein.

Është interesant të shënohet fakti se ceremoninë e dasmës së vajzës së Bernstein e drejtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Rexhep Jella, dhe në të morën pjesë të gjithë anëtarët e kabinetit qeverisës. Dasma u bë të dielën e 19 tetorit 1930 në Legatën Amerikane. Dorthi u martua me zotin Actius Nash, në atë kohë student i mjekësisë në një universitet francez.

 

DARKA MADHËSHTORE NË HOTELIN “ASTOR” NË NEW YORK, I FTUAR NDERI FAIK KONICA

Para nisjes së ministrit Amerikan, miqtë e tij dhe lobi hebre, shtruan të hënën e 31 marsit 1930, një darkë përcjelljeje në hotelin “Astor” në New York. Lajmin e nisjes së Konicës për në New York, gazeta “Dielli” e dha në numrin e 25 marsit, në faqen e parë.

Në darkë morën pjesë më shumë se 200 të ftuar, mes të cilëve shquheshin diplomatë, kongresistë, juristë, shkrimtarë, artistë, financierë të shquar, gazetarë etj.

Në këtë mjedis, i ftuar nderi ishte Ministri i Mbretërisë Shqiptare në Uashington, z. Faik Konitza. Në numrin e 4 prillit, “Dielli” përshkruante me shkëlqim darkën, ku merrnin pjesë personalitete më të njohura të kohës. Gjykatësi Otto A. Rosalsky, që “Dielli” e përshkruan si dollibashin e darkës, mbajti një fjalim të bukur rreth jetës dhe veprave të Herman Bernstein.

Më pas, ai ia ka dhënë fjalën milionerit filantropist Nathan Straus, i cili edhe pse i kishte kaluar të 80 vjetët, qëndroi deri në fund dhe foli për Bernstein, si një personalitet i kohës. Fjala më e zgjedhur u vlerësua ajo e zotit James W. Gerard, ish-ambasadori i Amerikës në Berlin, si dhe fjala e z. Robert Underwood Johnson, ishambasador i Amerikës në Romë.

Që të dy thurën fjalë të hijshme, tepër lëvdonjëse për kombin shqiptar, dhe që të dy shfaqën mërzinë që nuk patën mundësi ta vizitonin Atdhenë e Skënderbeut, Shqipërinë. Shumë u duartrokit edhe fjala e Dr. Samuel Schulman, i cili e lëvdoi shumë Shqipërinë dhe përmendi hebraisht fjalën e një profeti, kuptimi i së cilës ishte se një djalë izraelit nga populli do të dilte para mbretërve: kjo fjalë i shkonte pikë për pikë shkuarjes së Bernstein, që do ta priste Mbreti Zog. Në kronikën e fjalimeve të asaj nate plot shkëlqim, shënohet edhe fjala e Dr. Macfarland, përfaqësonjësi i Këshillit Federal të Kishave të Krishtit në Amerikë, i cili shtroi nevojën e vëllazërimit të popujve.

Vëmendjen e audiencës e ka tërhequr fjalimi që mbajti zonja Rebekah Kohut, kryetare e Kongresit të Përbotshëm të Grave Izraelite, e cila përmendi veprën e një spanjolli të shekullit XVI, i cili kishte përshkruar me admirim figurën e Heroit të Kombit Shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Pikërisht aty, e kishte marrë ngacmimin Longfellow, për të shkruar po emën e vet, që i jep lavdi heroit shqiptar.

Zonja Rebekah nuk harroi të përmendë edhe takimin që kishte pasur në Vjenë me motrat e Mbretit Zog I.

Atë natë u fol vetëm për Shqipërinë dhe Bernstein.

SHKËLQIMI I FAIK KONICËS NË DARKËN PËRCJELLËSE

Fjalimin e Faik Konicës, gazeta “Dielli”, që për atë kohë kishte editor Refat XH. Gurrazezi, e përshkruan me supershkëlqim, duke e paralajmëruar në faqen e parë: “Zoti Faik Konica jep një fjalë të pritur mirë… Përgënjeshtron propagandat e padrejta kundër Mbretit tonë… Lëvdon Trimërinë, Zotësinë, Zemërbardhësinë e Mbretit… Të gjithë të ftuarit ngrihen në këmbë dhe pinë Shëndetin e Madhështisë së Tij…”.

Ministri i Shqipërisë e kishte marrë fjalën pas orës 12 të natës. Ishte i parafundit në radhë, para ministrit amerikan Bernstein.

Në fjalën e tij, z. Konica e komplimetoi ministrin amerikan, z. Bernstein, si një njeri që bashkon në personin e tij dy gjëra, që rrallë janë të bashkuara- Ëndrrën dhe Veprimin: Zoti Bernstein,-tha ai, është-‘both a man of letters and a man of action, both a dreamer and a fighter’.

Konica shtoi se z. Bernstein pati fatin e çuditshëm të njihet dhe të fjaloset me figura historike si Papa Benedikti i XV dhe Presidenti Wilson, me shkrimtarë si Tolstoi dhe Bernard Shaw, me shkencëtarë si Mecnikof-i dhe Einstein-i, me artistë si August Rodin-i etj. I patrembur dhe i palodhur, si korrespondent lufte dhe kryengritjesh është futur në sheshet më të rrezikshme. Vetëm një popull kishte mbetur gjer tani i panjohur për zotin Bernstein-populli shqiptar dhe këtë popull do ta vizitojë për së afërmi si i Dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Konica e shfrytëzoi mjeshtërisht fjalimin për të vrarë me një gurë dy zogj; përgënjeshtrimin e shkrimeve të gazetarëve trillues, për të hedhur dritë mbi shpifjet kundër Shqipërisë dhe Mbretit, dhe së dyti për t’i bërë apel ministrit amerikan para miqve të tij dhe para gazetarëve, që ta shihte Shqipërinë me sytë dhe zemrën e tij, jo me të thënat e gazetave.

Faiku tha:- Një gjë që z. Bernstein ka për ta vënë re menjëherë, është ndryshimi i madh në mes Shqipërisë siç është, dhe Shqipërisë siç e kanë përshkruar gazetarët.

Konica shtoi se “njeriu mund t’i ndajë gazetarët në dy soje; gazetarët-historianë, që vazhdojnë me kujdes e me ndërgjegje historinë e sotme siç po bëhet në sytë tanë; dhe gazetarët-poetë, të cilët nxjerrin lajme jo nga burime të jashtme, por vetëm nga fantazia e tyre. Gjer më sot, më të shumtët gazetarë të huaj që janë marrë me Shqipërinë, janë të sojit të dytë”, tha Faiku.

Kryediplomati shqiptar, Konica, e bëri për vete auditorin, kur filloi të tregojë shembuj konkretë. Salla shpërtheu në të qeshura e habi kur ai tregoi: “Afro këtu e katër vjet më parë, qindra gazeta në Amerikë botuan lajmin se kish dalë në Shqipëri një vullkan dhe një liqen i ri me ujë të nxehtë që valonte:- shumë qytete dhe fshatra u prishën… Ministri shqiptar në Uashington nisi të marrë telegrame ngushëllimesh nga gjithë anët e Amerikës. Madje, edhe vizita zyrtare u bënë në ambasadë. Pasi u kabllua në Tiranë, u mësua se gjithçka nuk ishte e vërtetë, lajmi ishte i çpikur nga rrënja në majë”.

Pastaj Konica kishte shtuar me ironi: Ndoshta gazetari- poet që çpiku këtë lajm kish parë çiliminj të lozin afër një pellgu me ujë duke djegur kashtë…Të qeshura…!

Pasi dha edhe disa shembuj të tjerë, Konica komentoi se: “Sot, gazetarët kanë hequr dorë nga vullkanet dhe liqenet me ujë të përvëluar, mania e tyre është të çpikin lajme mbi Mbretin e Shqiptarëve dhe Shqipërinë. Mbretin, herë e përshkruajnë si njeri të shkurtër e të trashë, të veshur pa shije, herë si njeri pa mëshirë, herë si njeri të trembur që ruhet tepër, e të tjera marrëzira. Fakti është, tha Konica, se Mbreti Zog është një i ri 35- vjeçar, i qytetruar, i hollë, i veshur me shije dhe pa shkëlqim, jo vetëm më i dukshëm, por dhe më i zoti i të gjithë Mbretërve që rrojnë sot. Që të kuptojë njeriu zotësinë krijonjëse të tij, duhet të ketë njohur Shqipërinë si ish para se ta merrte ai fuqinë dhe si është sot. Vlera e një njeriu, veçan e një njeriu të kësaj shkalle, nuk matet me fantazi, por me studimin e kthjellët dhe të duruar të fakteve”.

Pas fjalës së Konicës, drejtuesi i darkës kërkoi të ngriheshin në këmbë dhe të pinin shëndetin e Mbretit të Shqiptarëve.

Banketi përfundoi me dhurimin e një busti mermeri të z. Bernstein, vepër e skulptorit të njohur të kohës, Moses Dykaar, dhuratë e miqve.

Ky banket madhështor u mbyll në orën 1 të mëngjesit të 1 prillit 1930. Shumë gazetarë i shtrënguan dorën Faik Konicës për informacionin e hollësishëm që dha për Shqipërinë dhe Mbretin Zog….

BERNSTEIN DREJT SHQIPËRISË

… Gazeta “Dielli” e 21 marsit e përcaktonte kështu personalitetin e ministrit amerikan Bernstein: “Shkrimtar i zoti, njeri me karakter, dhe me kurajë, z. Bernstein është një nga personalitetet më të forta të Amerikës. Është ai që e shtrëngoi Henry Ford-in të heqë dorë nga lufta fanatike që industrialisti i madh kish vazhduar disa vjet me radhë kundër izraelitëve. Sot, z. Ford është një nga miqtë e çquar të z. Bernstein, i cili ka një shumicë miqësh këtu dhe veçan, gëzon miqësinë dhe besimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Në komentin e tij, “Dielli” shënonte se “z. Bernstein shkonte si përfaqësonjës diplomatik në një vend që ka vuajtur qindra vjet dhe vazhdon së vojturi nga grackat dhe çpifjet e popujve të tjerë”.

Dielli shfaqte bindjen se z. Bernstein do ta përkrahte popullin shqiptar dhe se shpejt ai do të shfaqte simpatinë për shqiptarët, me gjithë mungesat e mëdha. Po ashtu, “Dielli” shfaqte bindjen se, “S’kemi asnjë dyshim se Shqipëria, e cila kurdoherë ka nderuar karakteret e forta dhe mendjet e holla, do ta bëjë z. Bernstein të ndjejë se është mes miqsh dhe si në shtëpinë e tij”.

Pasi prezantonte familjen e ministrit amerikan, artikulli mbyllej me urimin: “Vatra dhe Dielli, i urojnë udhë të mbarë!”

Fitimtarë dhe të mundur – Nga SKËNDER SHKUPI

Në prag të ditës së fitores  së komunizmit në Shqipëri u ngacmova nga ideja  e analizës së një të kaluare  aq fort të debatuar për zhvillimet politike dhe ushtarake  gjatë L2B në Shqipëri. Mirëpo, fatkeqësia e tërmetit të 26  nëntorit më bëri ta harroj në çast atë ngasje. Tashmë që  situata po shkon drejt qetësimit, vendosa t’i kthehem  sërish asaj teme, që prej vitesh më ka intriguar fort. Ne jemi i vetmi vend në botë që gjatë L2B kemi luftuar të nxitur nga motive ideologjike.

Të gjithë të tjerët kanë marrë pjesë në luftë të frymëzuar nga interesat e tyre kombëtare. Të nesërmen e 7 prillit 1939, Kryeministri i Britanisë së Madhe, njërit prej vendeve më demokratike të botës, Nevil Chembërlejn, i pyetur nga gazetarët për agresionin fashist të Benito Musolinit ndaj Shqipërisë u përgjigj ftohtë: ‘Ne nuk kemi interesa të veçanta atje’ (?!). Lemë mënjanë anglezët.

Po Bashkimi Sovjetik, vendi i reklamuar si më ‘antifashisti’ në botë përse nënshkroi traktat mossulmimi e miqësie me Gjermaninë? Sepse ia diktuan interesat shtetërore dhe kombëtare të Rusisë. Dhe po të mos e shkelte Hitleri marrëveshjen, Stalini as që do të pyeste për kampet e shfarosjes së nazistëve, të cilët, kuptohet, modelin e kampeve të tyre të shfarosjes e morën nga Bashkimi ‘i lavdishëm’ Sovjetik. Në historiografinë tonë të viteve të komunizmit theksohet me të madhe se gjatë konfliktit ‘ne ishim në kahen e duhur’.

Mirëpo, jashtë ideologjisë kemi dy fakte të thjeshta: Gjermania e njohu, në tetor të vitit 1943, situatën reale të bashkimit të pothuajse pjesës më të madhe të trojeve etnike shqiptare, kurse Britania e Madhe, përmes ministrit të saj të Punëve të Jashtme, Sër Entoni Iden, na dha në dhjetor të 1942-it, ‘sihariqin’ që kufijtë e Shqipërisë së Jugut do të rishiheshin mbas lufte, kuptohet në dobi të Greqisë. Ndërkohë, ‘miku’ i madh i vendit tonë, J.V.Stalini, e pyeti disi i çuditur Titon, ca vite më vonë, sipas librit të Milovan Gjilasit ‘Bashkëbisedime me Stalinin’: ‘Ende s’e keni gëlltitur Shqipërinë’?. Këta qenë miqtë e zgjedhur prej nesh që përbënin ‘drejtimin e duhur të historisë’.

Në të vërtetë, ky ishte drejtimi i duhur i vendeve sllave. Ata kishin interesa kombëtare filofranceze, filobritanike dhe filoruse. Dhe vepruan ashtu siç ua diktonte ndërgjegjja e tyre kombëtare. Po për Hungarinë e Rumaninë, përse historianët tanë nuk revoltohen që iu bashkëngjitën boshtit? Madje, edhe Bullgaria, ndonëse sllave, për shkak të lidhjeve historike me Gjermaninë, nuk iu kundërvu asaj, por mbeti asnjanëse. Pse? Sepse ia diktuan interesat e saj kombëtare.

Thuhet, ndër të tjera, se ne po të mos luftonim fort kundër gjermanëve, ‘do të na pinte e zeza pas lufte’, sepse do të na bënin copa-copa fqinjët. Po pse Bullgaria, Rumania apo Hungaria nuk u bënë copash? Vërtet që nga pak u kafshuan dy të fundit, por, nga ana tjetër, ne krejt rastësisht shpëtuam nga shndërrimi në Republikë të 7-të të Jugosllavisë, pra, jo nga zhvatja e ndonjë cope, por nga gllabërimi total. Kuptohet që anatemimi më i egër u është rezervuar atyre që thanë ‘të mbetemi neutralë deri sa të mbarojë lufta’, atyre që u quajtën ‘kolaboracionistë’. Ata qenë jo armiqësorë ndaj të huajve të paftuar të ardhur te ne nga 1000 km larg e që po u digjej koka nga sulmet e tmerrshme të tankeve ruse dhe avionëve anglo-amerikanë. Po, të tillë qenë ata.

Por a mund të krahasohen ata kolaboracionistë me skotën e shërbëtorëve të përulur e të neveritshëm të pasuesve të Enver Hoxhës që u bënë puthadorët e Titos e të Stalinit, duke e kthyer Shqipërinë praktikisht në një koloni të armiqve më të egër historikë të kombit shqiptar? Me ç’sy e faqe mund të krahasohet Ernest Koliqi që hapi shkollat në Kosovë për rilindjen e ndërgjegjes kombëtare të të rinjve të asaj treve me Enver Hoxhën, që propozoi në Mbledhjen e Beratit, në tetor 1944, që të shpallej Josif Broz Tito Sekretar i Parë i PKSH?

A nuk do të ishte më mirë që fill pas kapitullimit të Italisë, të gjitha forcat politike shqiptare të ndërtonin një qeveri të shpëtimit kombëtar, të shpallnin asnjanësinë ndaj palëve në konflikt e të prisnin qetësisht largimin e pashmangshëm të gjermanëve nga Shqipëria? Cili është ai budalla që beson se nazistët do të qëndronin këtu për vite të tjera po të mos u turreshin nga pas brigadat tona partizane? Ata që mburren se ne i thyem gjermanët këtu në brigjet e Adriatikut duhet së pari të na provojnë se vallë i patëm thyer më parë pushtuesit italianë?

Italia kapitulloi në shtator të 1943, nën goditjen e fuqishme të armatave amerikane dhe britanike në Sicili. Po ne në Shqipëri, a kemi çliruar qoftë edhe një qytezë të vetme nga italianët para kësaj date? Po të ishte ashtu, fill pas kapitullimit të Italisë, ne duhet të zinim të gjithë territorin e vendit dhe do t’u vinim që në kufi ‘kufirin te thana’ batalioneve gjermane që hynë në Shqipëri. Kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi sepse s’patëm këllqe të fitonim as ndaj një ushtrie të demoralizuar italiane e jo më ndaj trupave të Vermahtit. Ata do të iknin sepse nuk kishin asnjë perspektivë të qëndronin në Shqipëri kur trupat ruse dhe perëndimore po i afroheshin Berlinit. Pavarësisht nga propaganda e shfrenuar 50-vjeçare e historiografisë komuniste, të gjithë e dinë realitetin.

Pesë pushkë u zbrazën kundër gjermanëve në ikje në mënyrë që të mos ndahej pushteti pas lufte me partitë e tjera. E ky është realiteti i pastër i paretushuar. ‘Ne ishim në kahen e duhur’! – nënvizojnë me të madhe historiografët tanë komunistë. Pse? Kriteri përcaktues qenka rezultati ose fitorja e aleatëve pas lufte. Pra, ne, pasi llogaritëm që aleanca anglo-sovjeto-amerikane do të fitonte L2B, u treguam të mençur dhe lidhëm aleancë me ta. Po mirë, nëse një bandë hajdutësh sulmon një shtëpi paqësore, ne jemi të sigurt se banditët do të jenë fitimtarë. A ka sens që të bëjmë aleancë me ta meqë ata me siguri absolute do të jenë fitimtarë dhe të tallemi e të shpotisim viktimat paqësore të sulmuara prej tyre? Ky lloj arsyetimi është pervers.

Nuk ka as logjikë e as moral. Të vijmë te problemi i ndërgjegjes morale dhe historike. Ithtarët e qëndrimit tonë të vendosur në krahun e aleancës së madhe antifashiste mbështeten edhe në perceptimin tonë humanitar të pozicionuar fort kundër bishës naziste. Mirëpo, lind pyetja: a e dinim ne që bisha bolshevike ishte më e tmerrshme dhe më tinëzare se ajo e nazistëve? Për këtë flasin faktet. Milionat e rusëve të masakruar, të vrarë e të persekutuar nga Stalini janë më të shumtë nga ata që vrau e masakroi Hitleri. Madje, modelin stalinian zbatuam edhe ne këtu në Shqipëri. Pra, nuk kanë qenë motivet humanitare, por interesat e ngushta të pushtetit që vendosën aleancën tonë me tre të mëdhenjtë. Megjithëse ne kurrë nuk kemi qenë aleatë me anglo-amerikanët, pasi në të gjitha veprat e Enver Hoxhës të kohës së L2B shprehet mosbesimi, urrejtja dhe përçmimi për ta.

Ne ishim aleatë vetëm me Bashkimin Sovjetik. Dikush mund të thotë: ‘Ne nuk i dinim në atë kohë bëmat e Stalinit’. Mirëpo, deri më 1945, nuk diheshin gjithashtu as bëmat e Hitlerit. Në fund të fundit mund të përdorim këtu thënien e njohur të Benedikt Spinozës – ‘padija nuk është argument’. Kriterit të përzgjedhur të ‘llogaritjes së fitimtarëve të ardhshëm’, që bëri PKSH dhe shoku Enver, i mungon besueshmëria. Le të kthehemi 100 vite pas.

Gjatë L1B, të gjithë intelektualët patriotë shqiptarë u rreshtuan në një linjë me Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë. Dhe me të drejtë. Austro-Hungaria ishte fuqia kryesore që u përpoq, mbështeti dhe mbrojti pavarësinë e Shqipërisë. Patriotët shqiptarë nuk bënë llogari se kush do të fitojë, por u bënë totalisht me fuqitë qendrore. I vetmi që i bëri këto llogari ishte Esat Pashë Toptani.

Ai nuhati qysh në muajt e parë të luftës se fitorja do të jetë e Antantës. Kështu, u bë aleat me Anglinë e Francën dhe si rrjedhojë edhe me aleaten e mëvonshme të tyre, Italinë. Aleate e Antantës ishte edhe Serbia. Kështu që Esat Pasha u bë detyrimisht aleat edhe me Serbinë. Ai u pozicionua në ‘drejtimin e duhur’. Tani nuk e kuptojmë dot: ç’ndryshim ka Esat Toptani nga Enver Hoxha?

I pari gjeti drejtimin e duhur gjatë L1B, kurse i dyti gjatë L2B. Përse të parin e shajnë me ç’t’u vijë nëpër gojë historianët tanë komunistë, kurse të dytin, të paktën për periudhën e L2B, e justifikojnë plotësisht. Mbetet enigmë. Historia e Luftës sonë NC është një rebus që u mundua ta zgjidhte vetëm Kinostudio ‘Shqipëria e Re’. Janë disa dhjetëra filma ‘mallëngjyes’, që i kushtohen asaj lufte. Ajo, për fat të keq, nuk ekziston më, por ‘vepra’ e saj do të rrojë në shekuj.

Lajmet e rreme, një dukuri pa zgjidhje (video)

Arton Konushevci

Lajmet e rreme, si një fenomen global, por që viteve të fundit ka marrë përmasa të mëdha, nuk kanë lënë anash as Kosovën. Mediat online, të cilat krijohen pa një shpjegues se kush qëndron pas tyre, prej ku më pas përhapen me shpejtësi të madhe nëpër rrjetet sociale, konsiderohen si burimi kryesor i tyre.

“Fake news” apo lajmet e pavërteta, sikurse në çdo vend tjetër, edhe në Kosovë po konsiderohen si fenomen shqetësues.

Në Komisionin e Pavarur të Mediave [KPM] thonë se kanë pranuar në vazhdimësi dhe po pranojnë ankesa të shumta nga qytetarët dhe publiku lidhur me lajmet e rreme që publikohen.

Zyrtari për informim në Komisionin e Pavarur të Mediave, Arsim Dreshaj, thotë se ankesat më të shpeshta kanë të bëjnë me disa portale (media online).

“Komisioni i Pavarur për Media është duke punuar në zbatimin e projektit për Edukimin Medial për të gjithë qytetarët, si masë edukuese dhe mbrojtëse nga lajmet e rreme”.

“Edukimi medial është një proces, i cili u referohet aftësive dhe njohurive të të kuptuarit që u mundëson qytetarëve t’i përdorin mediat në mënyrë efektive dhe të sigurt”, thotë ai.

Sa i përket legjislacionit, ai thotë se funksionimi i mediave audiovizuale, është i rregulluar me Kodin e Etikës së Komisionit të Pavarur të Mediave, i cili parasheh rregullimin e paanshmërisë dhe saktësisë së lajmit.

“Por, sa i përket ankesave për lajmet e rreme ndaj medieve audiovizuale, palët mund të ankohen duke u bazuar te Kodi Etik i KPM-së, i cili parasheh masa ndëshkuese që nisin nga tërheqja e vërejtjes, gjobitja me të holla, e deri te heqja e licencës për mediat e licencuara”, thekson Dreshaj.

Blerim Halili, një qytetar nga Prishtina, thotë se lajmet e rreme janë bërë një mekanizëm, i cili po u shërben interesave e klaneve të ndryshme për qëllime të caktuara.

“Ka shumë raste, sidomos kur bëhen top-tema disa çështje shoqërore politike këtu te ne. Lajmi është shndërruar në një mjet propagande të fuqishme që i bën njerëzit të mendojnë për një çështje të caktuar në mënyrë jo reale”, shprehet Halili.

*Video nga arkivi: Fakescape, platforma që lufton “lajmet e rreme”

Ligjëruesi në Fakultetin e Filologjisë në Degën e Gazetarisë, Muhamet Jahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi me lajmet e rreme është se mediat online, nuk kanë një kornizë të rregullimit ligjor, as me Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

“Duhet të ngrihet niveli i vetëdijesimit qytetar, pra një lloj edukimi medial që t’i dallojnë këto lajme të rreme nga përmbajtjet e vërteta dhe në këtë formë fillojnë t’i bojkotojnë ato”.

“E dyta, mediat kryesore duhet t’i denoncojnë edhe ato këto lajme, edhe në të njëjtën kohë të marrin rolin e primatit të një gazetarie të vërtetë. Dhe, e treta, nxitja e një gjykimi kritik te publiku, sepse publiku është ai, i cili po i vuan pasojat e këtyre lajmeve që në esencë kanë qëllime të errëta”, vlerëson Jahiri.

Sipas tij, lajmet e tilla shpesh shkaktojnë panik te qytetarët dhe në të njëjtën kohë, po shkatërrojnë gazetarinë profesionale.

Edhe kryetarja e Asociacioni të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se ajo që është më së e nevojshme tash për tash, lidhur me lajmet e rreme është vetërregullimi i mediave online, edhe pse, siç shprehet ajo, janë mbajtur shumë takime e debate dhe nuk është gjetur një zgjidhje dhe nuk dihet se si do të duket ose do të duhej të ishte ai vetërregullim.

Begolli thotë se lajmet e tilla të pavërteta është shumë e vështirë të ndalohen, pasi që, siç thotë ajo, me një dukuri të tillë po ballafaqohen të gjitha shtetet jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë.

“Mënyra e vetërregullimit nga [mediat] dhe e vetëdijesimit të qytetarëve për lajmet e rreme, momentalisht shihet si e vetmja mundësi që të paktën të ketë numër më të vogël të tyre”, thekson Begolli.

Me shtrirjen e shpejtë dhe masiv të internetit, mediat online kanë gjetur një shtrirje të gjerë dhe kanë zëvendësuar gati se në tërësi mediat e shtypura (gazetat, revistat), kurse radiot dhe televizionet qëndrojnë ende në tregun medial duke u përshtatur me zhvillimet dhe trendët global, nëpër të cilët po kalojnë ato.

“S’e harrojmë kurrë ndihmën gjatë Holokaustit”, flet kreu i ekspertëve izraelitë

Koloneli Golan Vach

Izraeli është një prej shteteve që ka dhënë një ndihmë të madhe për vendin tonë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit.

Kolonel Golan Vach, drejtues i njësisë së kërkimit dhe shpëtimit i Ushtrisë izraelite, në një intervistë për televizionin “News 24”, thotë se populli i tij nuk e harron ndihmën që shqiptarët u kanë dhënë hebrenjve gjatë Holokaustit. Bashkë me inxhinierët, koloneli vetëm gjatë ditës së djeshme ka inspektuar 35 godina në qytetin e Durrësit, ku 90% e tyre ishin të sigurta dhe pa probleme.

Ekipi, i përbërë nga 10 persona, po përqendrohet në inspektimin e ndërtesave për të zbuluar nëse struktura e tyre ka mbetur e shëndoshë pas tërmetit.

“Dje, ne kemi inspektuar në Durrës 35 ndërtesa, jam i lumtur t’ju them se më shumë se 1000 familje u autorizuan të ktheheshin në banesat e tyre. Më shumë se 90% e godinave që ne inspektuam, kishin kodin jeshil, që do të thotë janë të banueshme për banorët”. Koloneli izraelit, i cili gjatë 15 viteve të fundit ka qenë i pranishëm në Meksikë, Haiti, Nepal e së fundmi në Brazil për të dhënë asistencën e tij në përballimin e katastrofave natyrore, deklaroi se kanë një plan konkret që prej dy ditësh po e vënë në zbatim. Ekipi do të këshillojë autoritetet lokale se si të menaxhojë fatkeqësinë.

“Kemi ekspertizën që konsultohemi direkt në Izrael, kemi interaktivitet të vazhdueshëm me ta. Ata u përgjigjen pyetjeve tona. Ne jemi këtu që të japim kontributin tonë me eksperiencën që kemi sigurisht në fatkeqësitë natyrore dhe në luftëra. Ne kemi një plan për të bashkëpunuar për të gjitha nevojat, jemi këtu për të ndihmuar qeverinë shqiptare dhe autoritetet për të planifikuar hapat e ardhshëm, duke u bazuar te të dhënat e mbledhura deri më sot. Ne kemi një pajisje qe e quajmë ‘Harta e dhimbjes’, ajo vendos të gjitha të dhënat së bashku dhe nxjerr në pah problematikat reale. Kështu vendosen piketat te prioritetet dhe fokusojmë fuqitë dhe burimet në vendet e duhura. Gjëja e dytë është kur inxhinieri vjen me kontraktorin, i cili bën gati rregullimet përfundimtare të nevojshme nëpër banesa, në mënyrë që njerëzit të mos rrinë jashtë banesave, vetëm se banesa e tyre ka nevojë për rregullime të vogla”, u shpreh koloneli.

Ai thekson se kanë sjellë me vete gjithë diturinë dhe eksperiencën e duhur, të cilën po ua përcjellin inxhinierëve shqiptarë.

“Kemi sjellë me vete disa koncepte të thjeshta, që do të jenë së pari shumë të nevojshme për inxhinierët shqiptarë, kur të ikim ne ata do ta dinë se çfarë të bëjnë. Ne do të lëmë metodologjinë në terren për ta, ata do të dinë ta zbatojnë shpejt dhe në mënyrë profesioniste dhe t’i bëjnë qytetarët të jenë të sigurt. Ata do të kthehen shpejt në banesat e tyre. Nesër do të trajnojmë një grup të madh me inxhinierë shqiptarë”, shtoi ai.

“News 24” ndoqi inspektimin e ekipit izraelit në një pallat në Durrës, ku me shpejtësi, fotografitë dhe informacioni u dërgohej në kohë reale kolegëve në Izrael për të vendosur për fatin e pallatit, nëse ishte i sigurt apo i pabanueshëm.

“Këtu jemi në mes të një inspektimi, u dërgojmë në kohë reale kolegëve tanë në Izrael fotografitë dhe kështu ndajmë me ta edhe opinionet tona. Dëmi në këtë banesë nuk është aq serioz, kemi parë më keq, por është vetëm një pikë në kolonën brenda, e cila do të inspektohet më mirë”, theksoi Golan Vach. Në fund, koloneli u shpreh se do të qëndrojnë pranë popullit shqiptar, derisa të rikthehet normaliteti.

“Dua t’i them popullit shqiptar se populli hebre nuk harron se çfarë keni bërë për ta në Holokaust. Dhe shteti i Izraelit gjithmonë i paguan borxhet. Qëndroni të sigurt dhe ju ndihmoftë Zoti dhe se do të jemi me ju për aq kohë sa ju duhet që t’i riktheheni jetës normale”, tha koloneli Vach. Gjashtë shtete anëtare të BE-së kanë dërguar 50 inxhinierë strukturorë, më shumë pritet të vijnë, për të vlerësuar dëmet së bashku me homologët vendës. Qeveria shqiptare i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë financiare dhe ndihmë ekspertësh, duke thënë se është e paaftë ta bëjë atë vetëm.

CAFO BEG ULQINI (1893 – 1977) “TOKAT E MIJA JANË TOKA SHQIPTARE”- Nga Fritz RADOVANI

 

 

  • ATDHETARI CAFO BEG ULQINI (Mustafa Osman Alibegu) U le në Ulqin në 1893 – Ka vdekë i Nderuem nga Populli i Shkodres, larg Familjes, me 25 Dhjetor 1977.

1940 Në krye të ma shumë se 5000 malsorëve të krahinave t’Ulqinit, Cafo Begu bashkë me Imzot Nikoll TUSHEN dhe Popin Ortodoks, shpallin autonominë e Ulqinit dhe të Tivarit, tue ngritë Flamurin e Kastriotit në kompanjelin e Kishës së Ulqinit. Per këte veper Atdhetare, Imz. Nikoll TUSHEN komunistët shqiptarë ua dorzojnë serbëve dhe ata e pushkatojnë me 4 Nandor 1946, bashkë me Popin Vaso FILIPI, Ali BEQIRIN dhe Lek MACIN. Cafo BEGU mbas 1944 ishte i mshefun tek Miku i vet Noc ZEFI.

NANDOR 1944 Rregjenti Cafo Beg Ulqini thonte: “Shërbimi i At Antonit për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi mundet me i ba Atdheut të vet. Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zanë vendin që meriton! At Anton Harapi asht kenë nji e nuk bahen dy!”

  • Më thonte i Nderuemi Cafo Beg: “Kaq shumë kanë rrejtë komunistat, sa vërej tashti në 1974, tue lexue dokumentat historike të botueme në këta 30 vjet, e tham sinqerisht, nuk gjej asnjë fakt historik të shkruem pa falsifikime dhe shtrembnime, madje, as edhe vetë aktin e Pavarësisë së Shqipnisë në Vlonë me 28 Nandor 1912, até që kanë botue këta..!”

25 Dhjetor 1919 Kongresi i Durrësit vendosi formimin e Qeverisë së Perkohshme me kryetar Turhan Pasha. Delegacioni i kryesuem prej tij per në Konferencen e Paqës, kishte edhe Imzot Luigj Bumçin dhe At Gjergj Fishten, dhe të dy Klerikët patne kenë kundershtue nga qeveria italiane, per pikpamjet e Tyne Atdhetare.

 

24 Dhjetor 1898 U le Don Shtjefen KURTI, Arrestohet në 1946, bani 15 vjet burg dhe, u arrestue se kishte “Pagzue një fëmij…” Per këte u pushkatue në 1971…

27 Dhjetor 1899 U le Lasgush PORADECI, Shkrimtar Atdhetar.

2 Dhjetor 1906 u le At Daniel DAJANI S.J. dhe u pushkatue me grupin e Parë antikomunist “Bashkimi Shqiptar” në Shkoder, me 4 mars 1946…

Dhjetor 1906 U le Don Lec SAHATCIJA (1906 – 1986) Vdiq në burgun e Tiranës në vitin 1986. “Nuk pranoi me akuzue Imz. Frano GJININ.”

5 Dhjetor 1931 U le Nikolin MUZHANI, aktivist i së Djathtes së Bashkueme në Shkoder me Mentor QUKUN,  Nikolin DESTANISHTEN, etj..,në fitoren e 1996.

14 Dhjetor 1933 U le në Shkoder muzikanti Mark KAFTALLI.

 

1 Dhjetor 1935 Shuguroet Meshtar Papa Josif MIHAJLI (1912 –  26 Tetor 1948).

1 Dhjetor 1928 U le Imz. Zef SIMONI (1928 – 2009) Ndihmes Ip. në Shkoder.

 

30 Dhjetor 1940 Vdiq Poeti Kombtar Shqiptar At Gjergj FISHTA O.F.M.

 

2 DHJETOR 1944 U le Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova (Vdiq 21 Janar 2006) Kujtimi i Tij do të jetë frymëzues përgjatë gjithë shekujve per Popullin Shqiptar!

 

2 Dhjetor 1945 Zgjedhjet e para të Frontit Demokratik pa asnjë grup ose parti kundershtare. Ky ishte hapi i parë i vendosjes Diktaturës sllavokomuniste në Shqipni.

31 Dhjetor 1945 Arrestohet At Daniel DaJANI dhe At Gjovani FAUSTI.

 

2 Dhjetor 1946 At Bernardin PALAJ mbytet në tortura me korrent elektrik…

4 Dhjetor 1946 arrestohet At Leon KABASHI dënohet dy herë, 12 vjet burg.

4 Dhjetor 1946 Arrestohet At Alfons ÇUNI, per armë të vume nga sigurimi..

6 Dhjetor 1946 Arrestohet Imz Jul BONATI (1874 – 1951), mbasi kthehet nga anglezët prej Italije, dhe dënohet me 5 vjet burg. Mbytet në çmendi.., në 1951.

10 Dhjetor 1946 Arrestohet At Sebastjan DEDA ( 1916 – 1984) Denohet 5 vjet.

11 Dhjetor 1946 Arrestohet At Aleks BAQLI  ( 1916 – 1993) per armët në Kishë.

11Dhjetor1946 Arrestohen At Pal DODAJ, Don Tom LACA, Don Nikoll SHELQETI, At Gjon KARMA,  At Mëhill MIRAJ,  Don Ndoc SAHATÇIJA dhe Fra Zef PLLUMI. Akuzohen per futjen e armëve në Kishen e Fretenve nga vetë sigurimi.

20 Dhjetor 1946 Nxirren  nga Kuvendi i tyne 60 Motrat Stigmatine të Shkodres.

 

19 Dhjetor 1947 Arrestohet At Anton LULI  (1910 – 1998) Një klerik i njohun per qendrimin e Tij burrnor në hetuesi dhe nder kampet e shfarosjes komuniste.

28 Dhjetor 1947 At Çiprian NIKA dënohet me vdekje… Pushkatohet 1948.

28 Dhjetor 1947 At Pal DODAJ dënohet me vdekje, i kthehet dënim i perjetshem dhe ka vdekë me 5 Shtator 1951.., në spitalin e burgut të Shkodres.

 

5 Dhjetor 1948 Arrestohet Don Kolec PRENNUSHI (1902 – 1950) Lirohet mbas 11 muejsh në Nandorin 1949 “I pafajshem”, dhe vdes nga torturat me 2 Korrik 1950.

20 Dhjetor 1948 Arratiset At Daniel GJEÇAJ…Drejtues i Radio “Vatikanit”.

28 Dhjetor 1948 Arratiset Don Prek NDREVASHAJ.

29 Dhjetor 1948 Arratiset At Bernard SERREQI (1907 – 1977).

 

5 Dhjetor 1956 vdes At Nikoll DAJÇI (1875 – 1956) nga Dajçi i B.Bunës…

Dhjetor 1956 Vdes në Burgun Burrel Don Rrok FRISKU (1892 – 1956)…

 

24 Dhjetor 1963 Arrestohet Don Errnest TROSHANI (1928) Shugurohet Meshtar nga Imz. Errnesto ÇOBA. Arrestohet në Dhjetor 1963 Lirohet 1981.

Papa Françesku e Emnon Kardinal me 12 Nandor 2016, në Vatikan, Romë.

 

21 Dhjetor 1964 Vdes At Justin RROTA ( 1889 – 1964)Historian dhe letrar…

 

25 Dhjetor 1972  Papa PALI VI njofton në mbledhjen e Kardinalave, perpjekjet pa rezultat per Lirinë e Fesë në Shqipni…Kujtohet per Festimin e 500 vjetorit të Gjergj KASTRIOTIT – Skenderbeut, në Vatikan me Shqiptarët jashta Atdheut…

 

10 – 12 DHJETOR 1990 Nga frika e formimit të Partisë Demokristjane në 13 Nandor 1990 në Shkoder, diktatori hipokrit Ramiz Alia, formon Partinë Demokratike simbas porosisë së Katovicës, tue percaktue: “Pushteti politik do të jetë perjetsisht yni…”

Pergjegjen e meritueme Ramiz Alia e mori nga Rinia Shkodrane të nesermen…

 

13 Dhjetor 1990… Rrëxohet në Shkoder busti i diktatorit tiran E. Hoxha…

Arrestohen mjaft të rinjë dhe torturohen barbarisht, me pasoja të randa per gjithë jeten.

 

25 Dhjetor 1990 Kremtohet në mesnatë Mesha e Parë e Krishlindjes mbas 1967 në Rrmaji,  nga Don Simon JUBANI… Marrin pjesë mbi 30.000 qytetarë Shkodranë…

 

  • SHKODRA I KA PARAPRIJË TË GJITHA ZHVILLIMEVE DEMOKRATIKE !

Ju uroj me gjithë zemer Vitin e At Gjergj FISHTËS 2020 ! Autori.

            Melbourne, 2 Dhjetor 2019.

Ju urrej! Nga Ismail Çala

Ju urrej!

Ju kam urryer qysh kur isha 11vjeç, qysh kur më përzute si qen nga shtepia ime bashkë me vëllezërit, motrën e vogël dhe prindërit e mi që tani janë në atë botën tjetër!
Qysh kur na latë ne baltë, atje mes hiçit, pa shtëpi e pa asnjë ndihmë!

Ju urreva me gjithë shpirt që më hoqet violinën nga dora!
Kur kullosja lopën ju mallkoja të gjithëve që më bëtë të vuaj aq shumë!

Ju urreja përditë kur shkoja ne shkollën tetëvjeçare një orë larg shtepisë, mes baltës e i lagur nëpër shi!

Ju urreja me vetëdije të plotë edhe kur shkova në gjimnaz, ndonëse për ne nuk lejohej ta vazhdonim atë shkollë!

Ju urrej akoma sot kur kujtoj se nuk blija dot bukë gruri për vëllezërit e mi që punonin në atë m…t kooperative të qelbur!
Ju kam mallkuar me shpirt kur nuk me latë të shkoja në universitet!

Ju urrej akoma më shumë sot kur i kujtoj ato ditë e javë kur bashkëmoshatarët e mi shkonin ne shkolla të larta.

Ju urrej sot e kësaj dite që harxhova tre vite të jetës sime në ushtrinë tuaj halabake, ku gënjenit djemtë e rinj me dokrrat e qelbura për mbrojtjen e atdheut të poshtëruar nga raca juaj e ndyre!

Ju urrej unë dhe gjithkush qe ka pak mend, për gjithçka që i bëtë këtij populli për gjysmë shekulli me radhë!

Ju urrej pafundësisht që askush nga ju nuk kërkoi falje, jo vetem mua, por gjithë shqiptarëve!

Ju urrej akoma sot që nuk ndaheni dot nga e kaluara juaj kriminale.

Ju urrej që tradhëtuat shokët tuaj që ranë në luftë për çlirimin e atdheut dhe mbrothësine e vendit!

Ju urrej që akoma sot e kësaj dite nuk keni turp e nuk pranoni, atë që i bëtë shqiptarëve aq dekada, që vazhdoni sot e kësaj dite të pëllisni në emër të dëshmorëve, të shokëve tuaj të idealeve, që i vratë e i pretë në emër të serbëve, rusëve e kinezëve!

Ju urrej edhe sot që po e shkatërroni këtë vend, që po e zbrazni Shqipërine, që e poshtëroni atë kudo ku vini dorë!
Ju urrej që tradhëtoni sot Kosovën fiks si etërit tuaj në 1945!

Çdo gjë që bëni ju, është djallëzore, është me hile, sepse djalli e hilja ju ka pjellë!
Qofshi te mallkuar, ju qelbësira komuniste, ju bastardë qe flisni e ngrifeni edhe sot, me krimet që i keni bërë këtij vendi e që vazhdoni t’ia bëni akoma edhe sot!

Ju urrej dhe ju njoh…ju di…dalloheni nga ecja, nga e folura, nga pamja..nga gjithçka që ju bën të jeni të urryer!

Nuk shpëtoj dot nga urrejtja që kam për ju, prandaj ju urrej akoma me shumë!