…Burojnë e nuk reshtin duke e përcjellë stafetën nga njëri brez në tjetrin..“Vala e Madhe”, kështu quhet “Dhurata” që mëma natyrë i fali këtij fshati që krahas traditës mikpritëse,bukurisë natyrore, klimës së freskët dhe ajrit të pastër që nuk ngopesh, të kishte edhe ujin e ftohtë. Sinica, me të drejtë quhet “E bukura e Devollit”. Kjo është e vërtetë, por e “e bukur e Devollit” nga natyra, nuk është hiçgjë nga bukuria që i japin dijet e dijetarët, që bu0rojnë “valë- valë” ashtu si buron uji nga “Vala e Madhe” dhe “Vala e Vogël”! Ja fali këto “dhurata” natyra krahas të tjerave, edhe si për të futur në sedër banorët e saj duke iu thënë: “Unë, e bëra punën time, ju solla ujvarat e bukura dhe ujin e ftohtë, sa për dijet, që edhe ato të “rrjedhin”e të mos shterrin kurrë, kjo, është në dorën tuaj, nëqoftëse doni që të jenë një e vetme, bukuria natyrore me atë njerrëzore….”. Dhe banorët sinicarë, ju “bindën” duke u bërë njësh me natyrën që nga lashtësia e deri në ditët e sotme.
E bekuar nga Zoti, e dënuar nga politika
Më tepër se një shkrim për Sinicën e dashur, këtë që po shkruaj e kam më shumë autokritikë, që jam i fundit që po njoh në brëndësi Sinicën dhe sinicarët aq të ngrohtë në komunikim, aq të ëmbël nga fjala, aq të pastër nga shpirti, aq të çiltër e bujarë nga zemra, aq të mençur në mendime aq të freskët nga kujtesa si ajri jetëdhënës. Mundet që të bëj edhe ndonjë gabim, por sinicarë, do të ma falin si vizitori i fundit që jam. Them “vizitori i fundit” mbasi Sinicën e kam njohur edhe më parë, por e kam njohur si ushtarak kur në stërvitjet e shumta që bënim, merrnim përsipër të “çlironim” Sinicën e “pushtuar” nga të “kaltërtit e perëndimit”! I njoh kodrat e bukura rreth e rrotull, e njoh Zonën përreth, por vetëm si ushtarak për të gjetur rrugët dhe format për të dhënë goditjen krahmarrëse apo shpinëmarrëse për të “çliruar” Sinicën“ që “armiku” e kishte pushtuar. Asnjëherë nuk e pashë Sinicën si vizitor për të parë e prapaganduar vlerat aq të shumta të Sinicës dhe sinicarëve. Sa më shumë të “gërrmosh” aq më shumë “minerale të çmuara” do të gjesh në këtë vënd të bekuar nga Zoti, të “ndëshkuar” nga politika e politikanët. Do ju kërkoj ndjesë banorëve të Sinicës, sepse me siguri nuk do të pasqyroj ashtu si e meritojnë ata në kaq pak rreshta e kaq pak njohuri që kam, krahasuar me “malin” e dijeve që kanë buruar e burojnë nga ky vënd përrallor….
Bashkë ortodoksë dhe myslimanë
E zbukuron këtë fshat lashtësia e objekteve të gjetura që datojnë nga fundi i shek. të 6-të e fillimin e shek të 7-të në tumat apo varret që janë karakteristika të fiseve ilire për të ardhur deri tek bukuritë më të fundit… Në Sinicë, është një realitet që duket midis dy lagjeve, asaj myslimane dhe asaj të krishtere, që preket, që jetohet siç është bashkëjetesa midis dy feve të ndryshme, ortodokse dhe myslimane. Në Kishë do të shkojnë edhe myslimanët. Në javën e tretë të Muajit maj, ditën e shenjtërimit të Nikollës, do të bëhet një festë e madhe ku do të vijnë të gjithë sinicarët, kudo që ndodhen brenda e jashtë Shqipërisë. Do të sjellin me vehte mallin e do të marrin, veç të tjerave, edhe dhimbjen. Bashkëjetesa është një realitet shqiptar dhe shembullin më të mirë për këtë e japin sinicarët që kanë dhënë e kanë marrë midis midis tyre. Vinë e nga nuk vijnë, nga Korça dhe Elbasani, nga Tirana e deri nga Amerika e largët. Për të shkruar për emigrantët e shumtë që janë larguar nga Sinica është një temë më vete dhe për këtë unë nuk do të rri pa shkruar posaçërisht për këta dijetarë që kanë lënë gjurmë kudo që kanë shkuar. Këtë do ta trajtoj në një tjetër shkrim mbasi ç’do fis është një histori më vete, si fisi Memeli, Ketri, Cicani, Dimoshi, Depo e shumë e shumë të tjerë. Do të shkruaj për atë ç’ka kanë të përbashkët. Kanë kulturën e lartë, kanë ndjenjën e punës, kanë atdhedashurinë e dashurinë për vëndlinjen.
Sinicarët dhe kultura
Sinicarët, kanë lindur bashkë me dijen dhe kulturën. Dijet dhe kultura janë “metalet më të çmuara” që më shumë se metalet e çmuara që datojnë nga periudha e dytë e hekurit, janë vlerat njerëzore, të mënçurisë të banorëve të kësaj Zone, të transmetuara dorë më dorë e brez pas brezi deri në ditët e sotme. Kjo është arësyeja që ata dhjetra e qindra të larguar, “marrin” me vete edhe Sinicën, marrin këngët e vallet e saj, marrin xibunin sinicar, marrin një grusht dhe që aromën sinicare ta kenë pranë, që vëndlindjen asnjëherë të mos e harrojnë. I marrin me vete, qëndrojnë bashkë dhe vijnë të çmallen. Kam parasysh këtu, Fuat Memelin gazetarin, publicistin, kronikanin e kineastin i cili për më shumë se dyzet vite punoi në këtë profesion. Fuati është ndër ata të shumtë sinicarë që “gjysmën”e trupit, të mëndjes e të syve e ka në Sinicë dhe “gjysmat” e tjera në Amerikë, atje pranë fëmijëve, nipave dhe mbesave. Shqetësimin më të madh, më shumë se për familjen e vet, Fuati e ka për shkollën e Sinicës, për ta kthyer atë shkollë ku mësoi e mori njohuritë e para, për ta bërë muze. Ka edhe një të veçantë tjerët Fuati: ai, në “valixhen” e tij nuk mori vetëm Sinicën e Devollin, por edhe atje ku shkoi, i “mblodhi” të gjithë sinicarë e devollinj bashkë e i bëri një “fshat” të vetëm. Të ndarëve nga jeta u vendosi nga një tufë me lule, u ka kushtuar kujtime, i ka bërë të njohur. E hap “valixhen”, çmallet, bisedon, kujton. Sikur ta kisha pranë, më telefonon edhe mua në Sinicë. Sa zë i malluar, sa mall ndjen ai për fshatin ku lindi.
Sinicarët emigrantë të përjetshëm
Kam qenë i larguar gjithmonë nga vëndlindja, por Devollin dhe Sinicën, mua dhe të gjithëve si mua, na e ka sjellë pranë Fuati, na e ka bërë të njohur ç’do pëllëmbë të Shqipërisë për afro gjysëm shekulli….. Jo vetëm që “trupin” Fuati e ka “ndarë” më dysh, por edhe kursimet e tij i ka ndarë përgjysëm me fshatin. Fuati është pjestar i “armatës” së sinicarëve që gjatë tërë kohës që ata kanë qenë të larguar, kanë bërë diçka edhe për fshatin, ndër të rrallët që kanë menduar dhe mendojnë kaq shumë për vëndlindjen. A ka vlerë më të madhe, a ka shembull më të shkëlqyer në këtë drejtim kjo që na japin sinicarët? Edhe Albert Hysolli, emigrant në Greqi, e ka ndjekur hap pas hapi Fuatin. Me kursimet e tij ka bërë rikonstruksionin e shkollës, ka bërë ujësjellësin e fshatit, e ka çuar ujin në c’do shtëpi. Po kështu, Alberti ka bërë edhe rikonstruksionin e shtëpisë së gjyshit të tij Abdurrahimit, Në respekt të atyre që janë ndarë nga jeta ka bërë pastrimin dhe sistemimin e varrezave të fshatit. Cfarë njerëz me zëmër të madhe… Ishte atdhedashuria e këtyre banorëve që qysh në orët e para të luftës për liri, rreshtoi në formacionet partizane mbi gjashtëdhjetë luftëtarë e bashkë me organizatorët e antarët e këshillit në fshat, apo në prapavijën partizane, bëheshin afërsisht njëqind. Në Sinicë, janë pesë dëshmorë të Atdheut. Nga Sinica është Andrea Themeli, një ndër dyqind komunistët e parë, E burgosën fashistët, por nuk e mposhtën shpirtin e tij antifashist. U arratis nga burgu dhe ashtu i plagosur erdhi në fshat ku ngriti në këmbë shokët e të afërmit e tij, bashkë me Bajram Memelin.
Sinicarët dhe arsimi
Nxënësit e parë liceistë ishin nga Sinica. Më duket sikur bëhem shumë i bezdisshëm kur e përsërit për të disatën herë që mendimet i sjell ashtu të ngatërruara. Vazhdimisht ndër breza, Sinica ka nxjerrë “Fan Nolë” të rinj si Ilia Ketri, ka nxjerrë profesorë, mjekë, agronomë, ushtarakë, inxhinierë. Njeri më i mirë se tjetri, njeri më i aftë se tjetri. Etja për dije i ka bërë sinicarët që nga kursimet e tyre të investojnë edhe për dijen dhe dritën. Me kontributin e vetë banorëve, në vitin 1922 u hap shkolla e parë e arsimit fillor. Në vitin 1929 fshati kishte 120 shtëpi dhe mbi 750 banorë. Periudha 1925-1935 ishte periudha kur të gjithë emigrantët investuan në fshatin e tyre dhe ndërtuan shtëpitë e reja me kursimet e veta. Ujin ia ka siguruar natyra të bollshëm, bukën dhe dritëën i kanë siguruar me forcat e veta, dijet i kanë patur në gjak. Me kursimet e tyre ngritën hidrocentralin e parë dhe siguruan dritën elektrike, me ujin e tij punonte edhe mulliri i fshatit. Ishin të parët sinicarët që siguruan dritën elektrike, gjashtëmbëdhjetë vite para se ajo të mbërrinte në Shqipëri. Buka, drita dhe dija, asnjëherë nuk iu kanë munguar sinicarëve, sepse nuk i kanë pritur nga të tjerët. Kam parasysh kollosin e dijes Dhimitër Farmaqi nga Qyteza, që për afro tridhjetë vjet ka qenë drejtor i shkollës shtatëvjecare e më vonë tetëvjecare. Kush tjetër shkollë kishte laborator me të gjitha pajisjet siç e kishte Sinica, kush tjetër shkollë kishte librezë kursimi në bankë përvec shkollës së Sinicës e cila me prodhimet e tre dynymëve tokë me fruta e perime siguronte shpenzimet e veta? Askush tjetër… Ishte kontributi i emigrantëve të shumtë që kontribuan për shkollën dhe në vitin 1936, ndërtuan shkollën e re. Mësuesin e kërkuan vetë banorët e Sinicës me insistim. Kërkuan që mësues në fshat të vinte Mantho Dono, deri në atë kohë inspektor në degën arsimore të Korçës. Mantho, që paguhej nga vetë banorët shtatë napolona flori në muaj, bëri një punë të shkëlqyer në përmirësimin e programit të shkollës që la gjurmë për shumë vite duke futur në program edhe sportin e volejbollit dhe atë të basketbollit.
Sinicarët mbrojtës të kulturës
Në vitin 1947 u çel shkolla shtatëvjecare e më vonë u kthye në tetëvjecare. Në këtë shkollë, vinin nxënës edhe nga Dardha edhe nga Qyteza. Stafetën, Manthoja ia dorëzoi Dhimitër Farmaqit për të cilin Fuat Memeli ka shkruar edhe një libër. Dhimitri për herë të parë vendosi uniformën e shkollës. Mbas afro tridhjetë vitesh Dhimitri e dorëzoi stafetën e shkollës tek Dhionis Themeli, Artimisi Depo, Stavri Dimoshi. Tërë historia e këtij fshati u vendos “e gjallë” në Muzeun e fshatit, fryt i kontributeve të përbashkëta të banorëve të fshatit dhe mësuesve. Forcave të errësirës nuk iu interesonte historia e fshatit, prandaj edhe e shkatërruan këtë muze siç shkatërruan çdo monument të kulturës e të dijes…Shkatërruan Muzeun por nuk mund të shkatërrojnë kurrë dijet, ashtu si diktatura që shkatërroi e ktheu në magazina qepësh kishat e xhamiat por nuk mundën të shkatërrojnë kulturën fetare të ngulitur thellë në ndërgjegjen e këtyre banorëve ashtu si në gjithë Shqipërinë. Kudo u gjendën Orhan Memelë, një bujk i thjeshtë, babai i “xhevahirëve” Memeli” që fshehurazi mori një nga një të gjitha ikonat e kishës e ’i fshehu për t’i nxjerrë pas shumë viteshpër t’i çuar në Kishë. Këtë të vërtetë, ai as fëmijëve të vet nuk u a tha.
Ujëvara “Vala e Madhe”
Kisha dëgjuar edhe për ujvarën “Vala e Madhe” por nuk kisha shkuar, duke i shprehur Dajlanit (Hysolli), i cili luan rolin e cicëronit në këtë fshat-muze, dëshirën për ta parë. Dajlani bashkë me bashkëshorten e tij Violetën nga fshati Kurilë i Devollit, janë të gatshëm të presin çdo të huaj që vjen në Sinicë e t’u urojnë mirëseardhjen me ato çka u ndodhen. Kanë një “marrëveshje” të hershme banorët me natyrën, ku njëra iu fal vizitorëve bukuri të rrallë, ajër të pastër dhe ujë të ftohtë, kurse banorët gatime tradicionale të shoqëruara me raki kumbulle. “Është terren i vështirë”, – më thotë Dajlani, – për të parë nga afër Ujëvarën “Vala e Madhe”!.. “E ç’është vështirësia që do të bëj unë deri atje, përpara vështirësive që u janë dashur juve që vetëm sot keni shkuar atje disa herë me vizitorët apo vështirësitë që u janë dashur sinicarëve të bëhen kaq të dëgjuar an e mbanë botës? Monopati ku zbresim për tek ujvarra është thikë. Një bukuri mahnitëse. Kështu, shumë të vështira kanë qenë edhe “monopatet” e historisë, ku kanë ecuar qindra sinicarë për të shkuar tek “mrekullitë” e dijes në të gjitha fushat, që kanë lënë gjurrmë. Sapo merr vesh për ardhjen tonë në Sinicë, sakaq vjen Vangjel Ketri. Vangjeli është tek të tetëdhjetat. Me mendimet e kthjellta, memorien e shkëlqyer, me rrjedhshmërinë e fjalëve, të jep përshtypjen e një të riu njëzet e pesë vjecar.”Sekretin” ai e thotë vetë: “Jemi shumë shokë “ të rinj”, edhe mbi të tetëdhjetat, që vijmë e kalojmë shtatë e më shumë muaj këtu në vëndlindje. Jemi dhe do të mbetemi të “rrinj”. ashtu si prodhimet e çdo viti që i mbjellim dhe i vjelim.
Djelmoshat 80-vjeçarë
Motin tjetër do të mbjellim prodhime të reja. Edhe ne “rinohemi”! Na mbajnë të freskët ajri i pastër, prodhimet bio, natyra e bukur dhe puna. Uji që zbret nga “Vala e Madhe” përgjatë përroit, e ndan fshatin në dy pjesë,” ashtu si Danubi që ndan Budapestin”, thonë banorët. Lumi i Sinicës, gjatë rrjedhës së tij mbas disa qindrametrash, tek vëndi i quajtur “Shkallëz”, bashkohet me lumin e Arzës dhe formojnë Lumin Devoll që vazhdon rrugën e tij derisa kthehet në dritë. Kështu kanë ecur edhe banorët e këtij fshati në rrugën e dijes, që ashtu si Lumi Devoll kthehet në dritë, edhe banorët e këtij fshati nëpër botë janë kthyer në në “Korpuset e dijeve” si më e përshtatshmja fjalë që më duket..Mirë e ka Stavri Dimoshi ish Drejtori I Shkollës për më shumë se pesëmbëdhjetë vite që banorët i thonë më shumë se njerrëzor, kur thotë: “Ne, jemi si dallëndyshkat. Ne vijmë me fillimin e prandverës dhe largohemi me fillimin e dimrit. “Stavri, nuk thotë “dallëndyshet” por “dallandyshkat” që edhe dijetarët e shumtë, edhe dijet të jenë gjithmonë të reja, të freskëta.Ka edhe një mësim tjetër që marrim nga Sinica, përvec atyre që thamë më lart. Këtë, po e lë për në fund, megjithse për nga rëndësia duhej të ishte në fillim.
Sinica jo në 100 fshatrat turistikë…
Sinica nuk është futur në njëqind fshatrat turistikë. Kjo është dëshmia më kuptimplotë që politika dhe politikanët kanë “alergji” nga dijet dhe dijetarët. Nuk mund të them që të mos jetë edhe fshati Arrëz, përkundrazi edhe Arrëza, edhe Nikolica edhe çdo fshat i Devollit e meriton një vlerësim të tillë. Tjetër kund e kam mendimin” te ajo që dijetarët nuk mund të qëndrojnë bashkë me politikën e cila është bërë më shumë se e mërrzitëshme si kudo edhe për banorët e kësaj Zone. Nuk e kanë thënë më kot filozofët dhe të mënçurit që “Politikani mendon për zgjedhjet e ardhëshme (siç edhe kanë ndezur motorët” shtatë muaj përpara), kurse dijetarët mendojnë për gjeneratat e ardhëshme! Kam një eksperiencë të hidhur për këtë që dija dhe kultura, nuk u intereson politikanëve. Rrugës shohim muzeun e gjeniut të letrave Dritëro Agolli, i cili shkruante: “O toka ime që të lërova e të thurra këngë? Që të kam dashur dhe plisin dhe barrin/ Që të kam fshirë me duar, me mëngë / Në ç’vënd ma le varrin’’. Atje në mes të fshatit të lindjes ua kanë lënë varrin Dritëroi i Madh, por jo varr si të të tjerëve por ashtu, “varrzbuluar”!
“Hakmarrja” e politikës
Rruga nga Mirasi për në Sinicë është një rrugë e tillë që nga Amerika udhëtarët vijnë brënda natës, nga Mirasi. Për të shkuar në Sinicë duhet të presin gjithë ditën ose ta marrin në këmbë mes pluhurit dhe baltës. Të jetë kjo një “hakmarrje” e politikës për dijet dhe dijetarët? Edhe mundet! Megjithse sinicarët nuk kanë nxjerë ndonjë politikan, kjo ia lartëson vlerat. “Ne, nuk jemi ziliqarë, – thotë Stavri Dimoshi, – le të jetë Arrëza fshat turistik, le ta bëjnë edhe rrugën për në Arrëz siç kanë premtuar, kurse për ne, ato 2 km që do të mbeten, me lugë e me thonj do t’i bëjmë dhe rrugën për në fshat, do ta rregullojmë me forcat e veta sic i kemi rregulluar të gjitha. Për këtë po mbledhim të holla…”. Le të jetë edhe kjo një thirrje e banorëve për politikanët derisa veshi i tyre të dëgjojë për rregullimin e rrugës. Thirrjes së tyre i bashkohen edhe zërrat e njomë të fëmijëve për të parë më nga afër gjyshërit e tyre që jetojnë larg, I bashkohet edhe zërri i Luiza Bodes mësueses nga Mirasi, nënë e dy fëmijëve që kjo rrugë i mori jetën duke shkuar për tek fëmijët në Arrëz që prisnin mësuesen e tyre. I bashkohen edhe shumë thirrje të tjera. Shpresojmë që politika të dëgjojë në këtë periudhë parazgjedhore për këtë hall e të kthejë sytë edhe nga njerëzit, edhe nga dijetarët dhe jo vetëm nga votuesit. Kështu i sheh politika qytetarët, si votues si njerëz me halle e shqetësime. A do të ndryshojë ndonjëherë kjo politikë e tillë? Shpresojmë të dalë ndonjë politikan e të lërë gjurmë si dijetarët dhe jo premtime boshe prej politikani, në qoftë se do të mbahet mënd për mirë nga qytetarët….
Komentet