VOAL

VOAL

phl-7

October 27, 2014

Komentet

Po kthehej nga misioni luftarak, rrëzohet bombarduesi rus në lindje të Krimesë

Një bombardues rus me rreze të gjatë Tu-22M u rrëzua në rajonin e Stavropolit të Rusisë jugore, në lindje të Krimesë.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria ruse e Mbrojtjes e cituar nga agjencia e lajmeve Ria Novosti.

“Në Territorin e Stavropolit, pas përfundimit të një misioni luftarak gjatë kthimit në shtëpinë e aeroportit, një avion Tu-22M3 i Forcave Ajrore Ruse u rrëzua. Pilotët u shpëtuan,” thuhet në deklaratë, duke shpjeguar se ata u evakuuan tre burra ndërsa kërkonin një e katërt.

Sipas të dhënave paraprake të cituara nga RIA, shkaku i rrëzimit ishte një mosfunksionim teknik. Në bord nuk kishte municion dhe avioni u rrëzua në një zonë të shkretë.
(BalkanWeb)

Republika Sërpska miraton raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë

Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë e ka miratuar të enjten një raport, i cili thekson se vrasja e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjës, nuk përbën gjenocid.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli gjenocid krimin në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, presidenti nacionalist i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha para ligjvënësve se “nuk ka ndodhur gjenocid, prandaj një cilësim i tillë duket të hidhet poshtë”.

“Serbët nuk kanë kryer gjenocid”, shtoi ai.

Ky vendim u mor në një kohë kur Serbia dhe Republika Sërpska janë duke bërë fushatë kundër një draft-rezolute, e cila është duke u diskutuar në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet ta votojë në fillim të majit këtë draft-rezolutë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët. Ai druhet se rezoluta mund të krijojë bazën për boshnjakët që të kërkojnë dëmshpërblim lufte nga Serbia, aleatja e serbëve të Bosnjës gjatë luftës.

Rezoluta është pjesërisht e ngjashme me rezolutën për gjenocidin e Ruandës, ku rreth 800.000 tutsi dhe hutu ishin vrarë. Drafti i saj është zhvilluar nga një grup vendesh, përfshirë Ruandën, Gjermaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara.

Deri tani, më shumë se 50 njerëz janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.

Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska [1992/1995], entitetit kryesisht serb i cili bashkë me federatën boshnjake dhe atë kroate e përbëjnë Bosnjën, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera, përfshirë në Srebrenicë.

Komandanti i ushtrisë së Republikës Sërpska në atë kohë, Ratlko Mlladiq, po e vuan një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid po ashtu. Radio Evropa e Lirë

Izraeli raportohet se ka kryer sulm hakmarrës kundër Iranit

Izraeli ka kryer një sulm ndaj Iranit, raportuan mediat amerikane duke cituar zyrtarë qeveritarë amerikanë.

Ky duket të jetë sulm hakmarrës pas një sulmi të paprecedent ajror që Teherani kreu javën e kaluar në tokën e armikut të tij të përbetuar.

Media shtetërore iraniane tha se shpërthime janë dëgjuar më 19 prill afër qytetit të Isfahanit.

Një video e publikuar nga CNN dhe video të publikuara në rrjetet sociale shfaqën shpërthime të mëdha, që u raportua se kanë ndodhur afër Isfahanit.

Agjencia shtetërore e lajmeve iraiane, IRNA, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore qëlluan në një bazë të madhe ajrore në Isfahan, që është shtëpi e flotës së vjetër të F-14 Tomacts, të prodhimit amerikan, që ka Irani. Këta avionë luftarakë ishin blerë para Revolucionit Islamik të vitit 1979. Në Isfahan po ashtu ka ndërtesa që janë pjesë e programit bërthamor të Iranit, përfshirë edhe uzinën nëntokësore për pasurimin e uraniumit në Natanz.

Kjo agjenci nuk dha detaje të tjera dhe nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur nëse Izraeli nisi një sulm.

Televizioni shtetëror iranian tha se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë hapur zjarr në disa provinca në mes të raportimeve se janë parë dronë në qiellin iranian.

Asnjë zyrtar në Teheran nuk e ka pranuar në mënyrë të drejtpërdrejtë se Irani është nën sulm dhe ushtria izraelite nuk ka komentuar ende.

Teherani lëshoi mbi 300 dronë dhe raketa kundër Izraelit në mëngjesin e 14 prillit. Pothuajse të gjithë dronët dhe raketat u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes së Izraelit, por edhe u penguan nga forcat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Britanisë dhe Jordanisë.

Sulmi i Teheranit gjerësisht ishte pritur në Izrael, pas një sulmi të dyshuar ajror izraelit ndaj ndërtesës së Ambasadës iraniane në Damask të Sirisë, më 1 prill. Në atë sulm u vranë dy gjeneralë iranianë.

Që atëherë, diplomatët dhe politikanët në mbarë botën, duke pasur frikë nga një përshkallëzim i madh luftarak në Lindjen e Mesme, kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje, teksa prisnin përgjigjen e Izraelit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha më 17 prill se Izraeli do të vendosë si dhe nëse do t’i përgjigjet sulmit të paprecedent në tokën e tij.

Për dekada të tëra, Izraeli dhe Irani janë armiq të përbetuar. Por, ky është sulmi i parë i drejtpërdrejtë ndaj tokës së njëri-tjetrit, në vend se të përdorin forca aleate që të sulmojnë asetet e njëri-tjetrit që operojnë në shtete të treta. Radio Evropa e Lirë

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë prej 6 muajsh në burg në Rusi

VOA/Liam Scott

Të enjten u bënë 6 muaj që një gazetare amerikane qëndron pas hekurave në Rusi, për akuza që grupet që mbështesin lirinë e shtypit i kanë dënuar si false dhe të motivuara politikisht.

Alsu Kurmasheva, redaktore në Shërbimin Tatar të radios simotër të Zërit të Amerikës, Radios Evropa e Lirë, u arrestua më 18 tetor të vitit 2023 dhe që atëherë mbahet në paraburgim.

Personat që kanë nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe ruse akuzohen nëse nuk regjistrohen si “agjent i huaj” dhe për përhapjen e asaj që Moska e sheh si informacion të rremë për ushtrinë ruse.

Zonja Kurmasheva dhe Evropa e Lirë kanë hedhur poshtë akuzat kundër saj, për të cilat parashikohet një dënim prej 15 vitesh burg.

Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy i tha Zërit të Amerikës në një deklaratë të dërguar me e-mail se rastet e të gjithë shtetasve amerikanë të ndaluar në Rusi kanë vëmendjen e saj të plotë.

“Gjashtë muaj më pas, ne mbetemi thellësisht të shqetësuar nga ndalimi i Alsus”, tha Ambasadorja Tracy. “Ne kemi qenë të zëshëm në dënimin e përpjekjeve të vazhdueshme të Kremlinit për të heshtur, frikësuar dhe ndëshkuar gazetarët, zërat e shoqërisë civile dhe rusët e zakonshëm që flasin kundër luftës së Kremlinit në Ukrainë.”

Grupet ndërkombëtare për lirinë e shtypit kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të zonjës Kurmasheva.

“Gjashtë-mujori i ndalimit të Alsusë është i rëndësishëm, sepse ajo nuk duhet të ishte burgosur as për një ditë të vetme. Është një rast absolutisht i padrejtë, absurd me akuza të fabrikuara”, tha Gulnoza Said, koordinatore e programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).

“Alsuja duhet të lirohet menjëherë nga burgu dhe të jetë në gjendje të udhëtojë përsëri në Pragë dhe të shohë familjen e saj”, tha ajo për Zërin e Amerikës nga Nju Jorku.

Ambasada e Rusisë në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës për koment të Zërit të Amerikës të dërguar me postë elektronike.

Vizitë Urgjente

Me banim në Pragë, zonja Kurmasheva udhëtoi në Rusi në maj të vitit 2023 për një urgjencë familjare. Pasaportat e saj iu konfiskuan kur ajo u përpoq të largohej nga vendi në muajin qershor. Ajo priste që t’i ktheheshin pasaportat kur u arrestua rreth katër muaj më vonë.

Në fillim të prillit, paraburgimi i gazetarës Kurmasheva u shty sërish, këtë herë deri në qershor.

“Nuk është një proces ligjor, është një dredhi politike dhe Alsuja dhe familja e saj po paguajnë pa asnjë arsye një çmim të tmerrshëm. Rusia duhet t’i japë fund këtij mashtrimi dhe ta lirojë menjëherë atë pa kushte”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë Stephen Capus në një deklaratë në lidhje me zgjatjen e fundit të paraburgimit.

Qeveria ruse e shpalli Radion Evropa e Lirë si një “organizatë të padëshirueshme” në muajin shkurt.

Në seancën e saj të fundit gjyqësore, zonja Kurmasheva u tha gazetarëve se “nuk ishte shumë mirë fizikisht” dhe se kishte kujdes “minimal” mjekësor. Kushtet në burg “janë shumë të këqija”, tha ajo, duke shtuar se një vrimë në dyshemenë e qelisë së saj funksionon si tualet.

Ky përshkrim ka shqetësuar avokatët e lirisë së shtypit.

“Kushtet janë mjaft të këqija dhe ne jemi të shqetësuar për përkeqësimin e shëndetit të saj”, tha Jeanne Cavelier, shefe e zyrës për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore te organizata Reporterët pa Kufij (RSF), me bazë në Paris.

Deri më sot, qeveria ruse ka refuzuar kërkesat e Ambasadës amerikane për qasje te gazetarja Kurmasheva.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për ndalimin e Alsu Kurmashevës në Rusi,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në një deklaratë. “Akuzat kundër zonjës Kurmasheva janë një tjetër shenjë e dobësisë së regjimit të [presidentit rus Vladimir] Putin.”

Organizata që mbikqyr Radion Evropa e Lirë, Agjencia Amerikane për Media Globale (USAGM), ka kërkuar gjithashtu lirimin e menjëhershëm të gazetarës Kurmasheva.

“Mbajtja e Alsusë në paraburgim është diçka që është e vështirë edhe ta imagjinosh”, i tha Zërit të Amerikës në një deklaratë të dërguar me email, Shefja Ekzekutive e ‘USAGM-së’, Amanda Bennett. “Vonesat dhe paqartësitë rreth çështjes tregojnë se ky është një marifet politik për të çuar përpara agjendën e Kremlinit. Ajo po trajtohet si një subjekt pazaresh e jo si një qenie njerëzore”.

E para që u vu në shënjestër

Sipas ekspertëve të lirisë së shtypit, zonja Kurmasheva është personi i parë që vihet në shënjestër nga Rusia për mosregjistrim si agjent i huaj. Arrestimi i saj ka pasur një efekt rrëqethës te gazetarët e tjerë në Rusi, të cilët kanë frikë se mund të vihen gjithashtu në shënjestër.

“Kuadri ligjor i Rusisë dhe në mënyrë të veçantë legjislacioni shtypës, është shumë i gjerë. Ai është konceptuar qëllimisht në mënyrë të paqartë”, tha Karol Luczka, i cili drejton Institutin e Shtypit Ndërkombëtar në Europën Lindore. Ai citoi ligjin e Rusisë për agjentët e huaj, si një shembull konkret.

“Në këtë kohë, thuajse çdokush mund të konsiderohet agjent i huaj për shkak të një veprimtarie në të shkuarën. Në këtë kuptim, është shumë domethënëse se si ata e përdorin legjislacionin, sepse tregon se edhe kur nuk kanë akuza reale ndaj ndokujt, mund të gjejnë diçka”, tha zoti Luckzka, i cili ushtron veprimtarinë e tij në Vjenë.

Prej muajsh, grupe që mbështesin median e lirë i kanë bërë thirrje Departamentit Amerikan të Shtetit që të deklarojë se zonja Kumasheva po mbahet në mënyrë të paligjshme, çka do i hapte udhë burimeve të tjera shtesë që do të ndihmonin në lirimin e saj.

Më herët gjatë këtij muaji, Roger Carstens, i dërguari i posaçëm i Presidentit mbi çështjet e pengjeve, i tha Zërit të Amerikës se zyrtarët amerikanë ishin ende duke shqyrtuar vendimin nëse duhet apo jo të deklarojnë se zonja Kurmasheva është burgosur në mënyrë të padrejtë.

“E kemi parë me kujdes rastin e saj. Nuk është vendosur ende nëse ajo është burgosur në mënyrë të padrejtë”, tha zoti Cartens. “Por është një çështje për të cilat po vazhdojmë kërkimet për të marrë më shumë informacion”.

“Departamenti i Shtetit në mënyrë të vazhdueshme rishikon rrethanat lidhur me burgosjen e shtetasve amerikanë jashtë vendit, përfshirë ata në Rusi, për të parë nëse burgosja mund të jetë e paligjshme”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. Përgjigja e DASH-it ndaj një liste pyetjesh të detajuara, ishte një deklaratë e cila ishte identike me një tjetër që i ishte dërguar më parë Zërit të Amerikës.

“Kur bën vlerësime, departamenti kryen një rishikim ligjor, të mbështetur në fakte, që shqyrton tërësinë e rrethanave për secilin rast individualisht”, thuhet në deklaratë.

Zonja Kurmasheva është një nga dy gazetarët amerikanë të burgosur në Rusi. Për tjetrin, gazetarin e gazetës “The Wall Street Journal”, Departamenti i Shtetit ka deklaruar se është burgosur në mënyrë të padrejtë.

Zonja Kurmasheva dhe zoti Gershkovich janë në mesin e 22 gazetarëve të burgosur në Rusi, sipas të dhënave të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, deri në fund të vitit 2023.

Rusia renditet në vend të katërt në botë për burgosjen e gazetarëve, por që ka burgosur numrin më të lartë të gazetarëve të huaj.

Nga 22 gazetarë të burgosur në Rusi, 12 janë shtetas të huaj. Sipas të dhënave të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, veç gazetarëve Kurmasheva dhe Gershkovich, Moska ka burgosur 10 gazetarë ukrainas.

Trysnia është shtuar

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Rusi, Lynne Tracy tha se shtypja nga Moska është intensifikuar që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

“Autoritetet kanë mbyllur dhjetëra media duke përdorur gjobat dhe legjislacionin shtypës, kanë censuruar mijëra faqe interneti dhe vazhdojnë të përndjekin gazetarët”, tha ajo.

“Kjo prirje është shumë shqetësuese dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë thirrje për respektimin e të drejtave themelore në Rusi, përfshirë të drejtën e shprehjes, që i garanton vetë kushtetuta ruse”.

Një nga pikat e përbashkëta kyçe të rasteve të gazetarëve Gershkovich dhe Kurmasheva është se lirimi i tyre nuk do të ndodhë mbi bazën e një vendimi gjyqësor”, sipas zonjës Said.

“Nuk ka asnjë mënyrë që avokatët e tyre të provojnë se ata janë të pafajshëm përmes një procesi gjyqësor, sepse gjykatat në Rusi nuk janë të pavarura. Ata mund të lirohen përmes zgjidhjeve politike ose atyre diplomatike”, tha ajo.

“Prandaj ka kaq shumë rëndësi që Shtetet e Bashkuara të bëjnë gjithçka kanë në dorë për të ushtruar trysni ndaj autoriteteve ruse për t’i lënë ata të lirë”, tha ajo.

Ky artikull u shkrua edhe me ndihmën e korrespondentit të Zërit të Amerikës Jeff Seldin

Ministria e Jashtme: Lirohet zëvendës drejtori i policisë së Kosovës Dejan Jankoviç që po mbahej në Serbi

VOA/Leonat Shehu

Ministria e Jashtme e Kosovës njoftoi të enjten mbrëma se zëvendës drejtori i policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç është liruar nga autoritetet serbe.

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla shkroi në rrjetet sociale se pas trysnisë së madhe ndërkombëtare, “Dejan Jankoviç sapo është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë”.

Ministrja Gërvalla tha se “ky arrestim ishte vetëm një prej akteve të dëshpëruara hakmarrëse të Serbisë pas votës masive të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë nga më të rëndësishmet ndërkombëtare”, shkroi ministrja Gërvalla.

Zëvendës drejtori i policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç dhe nëntë pjesëtarë tjerë të policisë së Kosovës ishin ndaluar të mërkurën në raste të ndryshme nga Serbia.

Të gjithë pjesëtarët e policisë tashmë janë liruar ndërsa sipas ministrisë së Brendshme të Kosovës, oficerët e përkatësisë kombëtare shqiptare dhe serbe “ishin ndaluar në vendkalimet kufitare Merdar, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë”.

Të njejtën ditë të paktën gjashtë autobusë nga Kosova u ndaluan për orë të tëra nga policia serbe në vendkalimet kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë.

Autoritetet në Prishtinë thanë se afër 1 mijë e 500 qytetarë të Kosovës janë ndaluar, disa janë arrestuar dhe janë marrë në pyetje lidhur me kaluarën e tyre dhe lidhjet e tyre me ish Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Autoritetet serbe mohuan të kenë bllokuar udhëtarët nga Kosova, por thanë se shtimi i kontrollit të sigurisë mund të ketë shkaktuar vonesa.

Bashkimi Evropian tha se ndalimi i udhëtarëve “paraqet shkelje të marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në dialog”.

Ngjarjet e së mërkurës ngjallën reagime të ashpra në Kosovë ku autoritetet vendase akuzuan Serbinë për akt të ultë hakmarrjeje ndaj suksesit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Kryetarja e parlamentit serb, Ana Bërnabiç, tha të enjten se ndalimet janë pjesë e veprimeve për të mbrojtur rendin kushtetues të Serbisë. Javën e kaluar presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se Serbia do të arrestojë këdo që prek rendin kushtetues të saj, pak pasi policia e Kosovës arrestoi një qytetar serb në veri të vendit nën dyshimet për përfshirje në cenimin e rendit kushtetues të Kosovës.

Serbia u shpreh e zhgënjyer me votimin e së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i dha dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm. Beogradi ka paralajmëruar se do të vazhdojë luftën kundër anëtarësimit të Kosovës, ndonëse sipas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën të dyja vendet janë pajtuar vitin e kaluar, palët nuk duhet të pengojnë njëra tjetër në proceset integruese.

Zgjidhet juria për gjyqin penal ndaj ish-presidentit Trump

VOA/Marrë nga Associated Press

Një juri prej 12 anëtarësh, shtatë burra dhe pesë gra, u zgjodh të enjten në Nju Jork për gjyqin penal ndaj ish-presidentit Donald Trump për pagesat e bëra për të fituar heshtjen e dy grave, të cilat thonë se kanë patur marrëdhënie seksuale me të.

Juria do të shqyrtojë akuzat se presidenti i 45-të bëri një komplot në vitin 2016, pak përpara fillimit të fushatës së tij të suksesshme presidenciale, për të fshehur pagesat me para për dy grate, të cilat pretendojnë se kishin marrëdhënie jashtëmartesore me të.

Prokurorët pohojnë se zoti Trump u përpoq të fshihte informacione komprometuese rreth jetës së tij private nga votuesit amerikanë, pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Por zoti Trump, i cili ka mbajtur postin e presidentit nga viti 2017 deri në vitin 2021 dhe pritet të jetë kandidat i republikanëve në zgjedhjet e 5 nëntorit të këtij viti, i ka mohuar të gjitha 34 akuzat për krime në padinë e ngritur kundër tij një vit më parë.

Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet deri me katër vjet burg.

Anëtari i Gjykatës së Lartë të Nju Jorkut, Juan Merchan tha se hapja e argumenteve në këtë çështje mund të fillojë të hënën në mëngjes në një gjyq që mund të zgjasë gjashtë javë.

Përzgjedhja e jurisë pasoi heqjen e dy nga 7 anëtarët e jurisë, që u zgjodhën të martën. Një anëtare e përzgjedhur për jurinë gjyqësore u tërhoq pasi ngriti dyshime nëse do të ishte në gjendje të vepronte me paanshmëri dhe drejtësi. I dyti u hoq pasi nuk u paraqit në gjykatë për të qartësuar disa nga përgjigjet e dhëna gjatë pyetjeve të drejtuara më herët.

Të martën kishin bërë betimin shtatë anëtarë të jurisë.

Prokurorët i kërkuan të enjten gjykatësit Juan M. Merchan të marrë masa ndaj zotit Trump për shkak të shtatë postimeve të reja në mediat sociale, që prokurorët thonë se shkelin urdhrat e mëparshëm që i ndalonin atij të sulmonte dëshmitarët. Prokurorët kishin kërkuar të hënën që zoti Trump të gjendej fajtor për shpërfillje të urdhrit të gjykatës dhe të gjobitej për tre postime të tjera.

Ish-presidenti Trump ka thënë se është i pafajshëm për 34 akuzat e ngritura për falsifikim të të dhënave të biznesit në përpjekje për të fshehur historitë që mund të dëmtonin fushatën e tij elektorale në vitin 2016.

Akuzat kanë të bëjnë me pagesat për dy gra, aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe modelen e revistës “Playboy”, Karen McDougal, të cilat kanë thënë se kanë patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump vite më parë. Akuzat kanë të bëjnë edhe me rastin e një roje tek hyrja e kullës Trump, i cili ka pretenduar se ka patur njohuri për një fëmijë që zoti Trump ka patur nga një lidhje jashtëmartesore. Ish-presidenti ka mohuar të ketë ndodhur ndonjë nga këto lidhje seksuale.

Kjo është çështja e parë penale ndaj zotit Trump që shkon në gjyq.

SI U TËRHOQ ANËTARJA E PARË E JURISË

Një anëtare e përzgjedhur e jurisë u tërhoq pasi i tha gjykatës se ndjehej e shqetësuar për aftësinë e saj që të tregohej e paanshme.

Megjithëse emrat e anëtarëve të jurisë nuk janë bërë publikë, gruaja me profesion infermiere tha se “pasi e kishte menduar gjatë natës, kishte patur shqetësime për aftësinë për t’u treguar e drejtë dhe e paanshme në këtë çështje gjyqësore”, tha gjykatësi Merchan përpara se ta thërriste në sallë për t’i drejtuar pyetje.

Ajo tha se anëtarët e familjes dhe miqtë kishin ngritur pikëpyetje rreth rolit të saj të ardhshëm si anëtare e jurisë.

Duke kritikuar mediat që publikuan detaje për anëtarët e jurisë, gjykatësi Merchan tha se: “Ka një arsye përse kjo është një juri anonime. I kundërvihet këtij qëllimi kur kaq shumë informacion bëhet publik, që mund ta bëjë shumë të lehtë për çdokënd që të identifikojë se kush janë anëtarët e jurisë”.

“Shtypi ka qartësisht të drejtën të shkruajë për çdo gjë që përfshihet në të dhënat zyrtare”, shtoi gjykatësi.

ÇFARË NDODHI ME ANËTARIN E DYTË TË LARGUAR NGA JURIA

Statusi i anëtarit të dytë të larguar nga juria të enjten u vu në dyshim pasi personi nuk ishte paraqitur në gjykatë për t’iu përgjigjur disa pyetjeve të mëtejshme. Prokurorët patën zbuluar një artikull të viteve 1990, për një person me të njëjtin emër që ishte arrestuar për grisje të reklamave politike në qarkun Westchester. Reklamat kishin qenë të krahut të djathtë të politikës, tha ndihmës prokurori Joshua Steinglass. Ai gjithashtu informoi se një i afërm i po këtij personi mund të ketë qenë pjesë e një marrëveshjeje për pushimin e një hetimi të prokurorisë së Manhatanit në vitin 1990, e cila është e njëjta zyrë hetimore për çështjen ndaj zotit Trump.

Gjykatësi Juan M. Merchan e pati udhëzuar personin të paraqitej në gjykatë në 9:15 të mëngjesit të së enjtes, për t’iu përgjigjur pyetjeve të mëtejshme rreth tij apo të afërmve të tij. Ai nuk u paraqit në gjykatë.

Gjykatësi përmendi “ngurrimin me sa duket për t’u paraqitur” dhe i pyeti palët nëse do të ishin dakord për heqjen e këtij personi nga juria, pa patur nevojë për pyetje të mëtejshme. Avokati i ish-presidentit Trump, Todd Blanche tha fillimisht se do të dëshironte të dëgjonte se çfarë përgjigjesh do të jepte anëtari i jurisë. Kur ishte pyetur më herët këtë javë, personi kishte thënë se nuk ishte dënuar ndonjëherë.

PROKURORËT KËRKOJNË MARRJEN E MASAVE NDAJ ISH-PRESIDENTIT TRUMP PËR POSTIMET E REJA NË MEDIAT SOCIALE

Prokurorët i thanë gjykatësit Merchan të enjten se dëshirojnë që ish-presidenti të gjendet fajtor dhe të ndëshkohet për shtatë postime të reja që ata thonë se shkelin urdhrat e dhënë më herët nga gjykata.

Postimet e reja të zotit Trump u bënë pasi prokurorët kishin kërkuar më herët të hënën vendosjen e një gjobe prej 3 mijë dollarësh për tre postime të tjera në rrjetin Truth Social.

Prokurori Christopher Conroy tha se disa nga postimet e reja kishin të bënin me një artikull ku përshkruhej ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, si “një mashtrues serial”. Në një tjetër postim të bërë të mërkurën përsëritet një pretendim i bërë fillimisht nga një drejtues emisioni në kanalin televiziv Fox News se aktivistët liberalë po gënjenin me qëllimin që të arrinin të bëheshin anëtarë të jurisë.

Avokati i zotit Trump, Emil Bove tha se zoti Cohen “e ka sulmuar presidentin Trump në deklarata publike” dhe se zoti Trump vetëm po i përgjigjej.

Gjykatësi Merchan ka caktuar një seancë për javën e ardhshme me kërkesë të prokurorisë për të shqyrtuar mundësinë e ndëshkimit për postimet e zotit Trump.

GJYKATËSI URDHËRON GAZETARËT TË MOS RAPORTOJNË SE CILËT JANË PUNËDHËNËSIT E ANËTARËVE TË JURISË

Gjykatësi Juan M. Merchan kritikoi mediat që patën raportuar detaje për anëtarët e jurisë, të cilat mund të përdoren për t’i identifikuar ata. Gjykatësi urdhëroi të mos raportohen përgjigjet e dhëna nga kandidatët për anëtarë të jurisë, në lidhje me punëdhënësit e tyre në të kaluarën, apo të tanishëm.

“Siç është provuar nga çfarë ka ndodhur deri më tani, ky është një problem”, tha gjykatësi të enjten.

Ai gjithashtu i udhëzoi gazetarët “t’i përmbahen logjikës” dhe të shmangin raportimin për karakteristikat fizike të anëtarëve të jurisë.

“Sapo humbëm dikë që mund të kishte qenë një anëtare shumë e mirë e jurisë”, vazhdoi gjykatësi. “Ajo tha se ndjehej e frikësuar nga shtypi, nga i gjithë shtypi”.

Këndi i humorit: Një ateist po ecte në pyll dhe po mendonte

Një ateist po ecte në pyll dhe po mendonte:

– Çfarë pemësh madhështore! Çfarë lumenjsh të vrullshëm! Sa kafshë të bukura!

Ndërsa ecte përgjatë lumit, dëgjoi lëvizje në shkurret pas tij. Ai u kthye për të parë dhe pa një ari gjigant që po e sulmonte. Ai filloi të vraponte sa më shpejt që mundi të ngjitej në shtegun, por ariu po afrohej gjithnjë e më shumë.

Më në fund u raskapit dhe ra në tokë. Ai u rrotullua në përpjekje për t’u ngritur dhe për të vazhduar vrapimin, por ariu ishte pikërisht sipër tij, e kishte arritur dhe ishte gati ta godiste me putrën e tij. Atëherë ateisti bërtiti i tmerruar:

– O Zot!

Koha ndaloi. Ariu ngriu. Heshtja ra në pyll, një dritë verbuese shkëlqeu mbi njeriun dhe një zë bërtiti nga qielli:

– Ti e ke mohuar ekzistencën time gjithë këto vite, i ke mësuar të tjerëve se unë nuk ekzistoj, madje ia atribuon krijimin një aksidenti kozmik. Tani pret që unë të të ndihmoj? A duhet të të konsideroj besimtar?

Ateisti shikoi drejt dritës:

– Do të ishte hipokrite nga ana ime që të kërkoja papritmas të më konsiderosh besimtar tani, por ndoshta mund ta bësh ariun besimtar?

– Shume mire! – iu përgjigj zëri.

Drita u largua. Filluan përsëri tingujt e pyllit. Ariu uli putrën e djathtë, i bashkoi të dyja, uli kokën dhe tha:

– Zot, bekoje këtë ushqim që do të marr dhe për të cilin jam shumë mirënjohës…

Aforizmi i ditës – 19 prill 2024

When love is not madness, it is not love.

Pedro Calderon de la Barca

Kur dashuria nuk është çmenduri, nuk është dashuri.

Pedro Calderon de la Barca

HOROSKOPI E PREMTE 19 PRILL 2024

Horoskopi i Dashit

Të dashur Deshë, duket sikur energjia juaj po rritet në qiell, ndaj përfitoni nga kjo nxitje për të përballuar sfida të reja. Në punë ka mundësi që mund të mos duken në shikim të parë, vlerësojini me kujdes. Në planin financiar, kushtojini vëmendje detajeve: një shpërqendrim i vogël mund t’ju kushtojë shtrenjtë. Në dashuri dhe marrëdhënie shoqërore, periudha është pak lart e poshtë: merrni kohë për të reflektuar për atë që dëshironi vërtet.

Dashuria: 3
Puna: 4
Fat: 2
Financat: 3
Energjia: 5

Horoskopi i Demit

Të dashur Dema, duket se dashuria nuk është realisht pika juaj e fortë në këtë periudhë, ndërsa në punë mund të hasni disa sfida interesante. Mbani një sy në financat tuaja, mund të ketë disa surpriza. Sa për fatin… epo, le të themi se është pak i luhatshëm. Nga ana tjetër, sigurisht që nuk ju mungon energjia!

Dashuria: 2
Puna: 3
Fat: 3
Financat: 2
Energjia: 4

Horoskopi i Binjakëve

Të dashur Binjakë, duket si një periudhë mjaft e ekuilibruar për ju. Mund të vini re disa sfida në financat dhe karrierën tuaj që do të kërkojnë vëmendje. Dashuria dhe energjia janë në një fazë neutrale, asgjë shumë emocionuese, por as shqetësuese. Përdoreni këtë kohë për të balancuar jetën tuaj shoqërore me kujdesin personal.

Dashuria: 3
Puna: 2
Fat: 3
Financat: 2
Energjia: 3

Horoskopi i Gaforres

Të dashur Gaforre, duket se kjo periudhë ka përgatitur për ju një lloj slitë emocionale dhe të situatës. Energjia juaj luhatet shumë, gjë që mund të ndikojë si në karrierën tuaj ashtu edhe në marrëdhëniet tuaja personale. Në planin financiar, mbani një qasje të kujdesshme, nuk është koha për kumar. Në dashuri, mund të ndiheni pak konfuz, por mos harroni të komunikoni qartë për të shmangur keqkuptimet.

Dashuria: 3
Puna: 2
Fat: 1
Financat: 3
Energjia: 4

Horoskopi i Luanit

Përshëndetje Luanë! Kjo periudhë duket të jetë një përzierje interesante për ju. Në dashuri mund të gjeni disa sfida, por asgjë që nuk mund ta përballoni me karizmin tuaj të zakonshëm. Në punë gjërat duken të qëndrueshme, qëndroni të fokusuar dhe gjithçka do të jetë mirë. Fati mund të mos jetë gjithmonë në anën tuaj, ndaj shmangni baste të mëdha. Financat tuaja kërkojnë vëmendje: planifikoni mirë shpenzimet e ardhshme. Energjia? Do të jeni mesatarisht të ngarkuar, aq sa për të përballuar rutinën e përditshme.

Dashuria: 3
Puna: 4
Fat: 2
Financat: 3
Energjia: 3

Horoskopi i Virgjëreshës

Të dashur Virgjëresha, kjo periudhë duket se është një përzierje ulje-ngritjesh për ju. Aftësia juaj për t’u përshtatur me situatat mund të vihet në provë, por do të keni energji për të përballuar sfidat. Kujdes me financat, mund të ketë luhatje të papritura. Në dashuri ju këshilloj të ruani komunikim të hapur dhe të sinqertë.

Dashuria: 3
Puna: 4
Fat: 2
Financat: 3
Energjia: 4

Horoskopi i Peshores

Peshore të dashur, duket se kjo periudhë ju sjell një sasi të mjaftueshme aventure dhe energjie të konsiderueshme për të përballuar përvoja të reja. Sidoqoftë, mund të ndiheni paksa të ekuilibruar nga brenda dhe shëndeti juaj mund të kërkojë më shumë vëmendje se zakonisht. Në dashuri gjërat po shkojnë mjaft mirë, por në punë ka disa sfida për të kapërcyer. Mbajeni intuitën tuaj të lartë dhe përpiquni ta balanconi më mirë kohën tuaj.

Dashuria: 4
Puna: 3
Fat: 3
Financat: 3
Energjia: 4

Horoskopi i Akrepit

Akrepë, duket sikur shpirti juaj aventuresk është në më të mirën e tij kohët e fundit, shfrytëzojeni për të eksploruar horizonte të reja. Në dashuri, mund të ndiheni pak në gardh, ndaj gjeni kohë për të kuptuar se çfarë dëshironi në të vërtetë. Në punë gjërat janë të qëndrueshme por mos lejoni që rutina t’ju shkatërrojë. Financat tuaja kanë nevojë për menaxhim më të kujdesshëm në kohët e ardhshme dhe përpiquni të mbani energjinë tuaj të lartë!

Dashuria: 3
Puna: 4
Fat: 3
Financat: 2

Energjia: 5

Horoskopi i Shigjetarit

Të dashur Shigjetarë, jeta juaj e dashurisë duket mjaft e qëndrueshme për momentin, ndërsa financat tuaja mund të shfaqin disa luhatje. Në punë ju presin sfida, por jeni në gjendje t’i përballoni me energji. Fati nuk është saktësisht në anën tuaj kohët e fundit, kështu që është më mirë të vazhdoni me kujdes kur merrni vendime të rëndësishme.

Dashuria: 3
Puna: 3
Fat: 2
Financat: 3
Energjia: 4

Horoskopi i Bricjapit

Përshëndetje, Bricjapë! Duket sikur energjia juaj është paksa lart e poshtë kohët e fundit, apo jo? Për financat mos u shqetësoni shumë, në horizont ka shenja të një stabilizimi të lehtë. Në frontin e dashurisë, mund të ketë disa sfida për të përballuar, por asgjë që nuk mund ta përballoni me pragmatizmin tuaj të zakonshëm. Në punë qëndroni të qetë dhe ecni përpara me vendosmëri.

Dashuria: 3
Puna: 4
Fat: 2
Financat: 3
Energjia: 2

Horoskopi i Ujorit

Të dashur Ujorë, aventurieri juaj mund t’ju çojë në vende të reja dhe interesante, por kini kujdes të mos lini pas dore ekuilibrin tuaj të brendshëm. Në dashuri ka sfida që kërkojnë reflektim të thellë. Në punë gjërat duken të qëndrueshme, ndoshta ka ardhur koha të shtyni pak më shumë? Energjia juaj luhatet, ndaj dëgjoni trupin tuaj. Financat? Ata mund të përmirësohen me menaxhim të kujdesshëm.

Dashuria: 3
Puna: 3
Fat: 2
Financat: 3
Energjia: 3

Horoskopi i Peshqve

Hej Peshq, duket se kjo periudhë do të ketë ulje-ngritje për ju në një mënyrë mjaft të paparashikueshme. Në dashuri, gjërat mund të mos shkojnë ashtu siç shpresohet, ndaj mbajeni veten të hapur ndaj mundësive të reja. Gjithsesi në punë situata është më e qëndrueshme, por mos e humbni vigjilencën. Energjia juaj luhatet: përpiquni të gjeni një ekuilibër për të menaxhuar më mirë ditët tuaja.

Dashuria: 2
Puna: 3
Fat: 1
Financat: 3
Energjia: 2

Kurti: Vuçiç është kryemafioz i shtetit që u trimërua nga mungesa e sanksioneve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se mungesa e sanksioneve ndaj Serbisë e ka trimëruar atë duke bërë arrestime në masë ndaj qytetarëve kosovarë.

Kurti në konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë akuzoi Serbinë si shtet mafioz, derisa theksoi se kryemafiozi është presidenti Aleksandar Vuçiç.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se rreth 1500 qytetarë kosovarë dje janë ndaluar dhe malltretuar nga autoritetet serbe.

Sveçla tha se ky veprim i Serbisë përbënë kërcënim për sigurinë në rajon dhe është një precendtë i rrezikshëm.sn

Genc Burimi: Ndërkombëtarët të flasin për korrupsionin e Ramës. Ai gjen mënyra si të vjedhë zjedhjet

Analisti Genc Burimi shprehet se ndërkombëtarët ashtu siç reaguan ndaj deklaratave të kryetarit të PL-së, Ilir Meta, ndaj SPAK, duhet të reagojnë edhe për nivelin galopant të korrupsionit në Shqipëri.

Për News24, Burimi tha se deklaratat e Metës ndaj SPAK ishin formë e rëndë, por përmbajtja jo.

‘Drejtësia mund të kritikohet. Nuk është normale që ky kryeministër që drejton një vend që kërkon të integrohet në BE, të ketë këtë nivel korrupsioni.

Drejtësia në Shqipëri është e kapur. Nuk është normale që Qeveria e Shqipërisë nuk ka mekanizma që të ndalë korrupsionin madhor në vend. Ndërkombëtarët reagojnë menjëherë ndaj Metës, por të reagojnë edhe për korrupsionin. Të kritikosh korrupsionin, nuk është ndërhyrje tek drejtësia.

Perëndimorët nuk kanë ndërmend të dobësojnë Edi Ramën, kjo është gjeopolitika. Lideri i opozitës ka thënë se nuk hyn në zgjedhje me Ramën, sepse nuk ka besim tek ai, pra do qeveri teknike.

Është humbje besimi tek Rama, që çfarë do lloj gjëje të bësh, ai gjen mënyrën si të vjedhje zgjedhjet. Ose është kjo zgjidhje ose duhet të vijnë në Shqipëri me mijëra vëzhgues të huaj’, tha ai.

Serbia ndaloi mbi 1.400 kosovarë, teksa po kalonin tranzit nëpër Serbi

Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, dhe ka thënë se pret lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, DASH u bëri thirrje autoriteteve serbe të veprojnë me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë të ndaluar në Serbi dje.

“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 18 prill.

Sipas autoriteteve kosovare, Serbia ndaloi mbi 1.400 kosovarë, teksa po kalonin transit nëpër Serbi.

Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë.

Autoritetet thanë se nëntë zyrtarë policorë janë liruar, ndërkaq ndaj Dejan Jankoviq, Serbia ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh nën akuzën për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.

Sipas DASH, marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 2011 në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, “ofron parametra të qarta për hyrjen dhe daljen e qytetarëve kosovarë në dhe jashtë Serbisë”.

“Siç ka theksuar Bashkimi Evropian, vonesat si këto të fundit, përbëjnë shkelje të kësaj marrëveshjeje”, tha DASH.

Sipas marrëveshjes për lirinë e lëvizjes “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim”.

Departamenti i Shtetit tha se të gjitha palët duhet t’u shmangen veprimeve që mund ta rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Më herët gjatë ditës thirrje për lirimin e Dejan Jankoviqit bënë edhe Jeffery Hovenier, ambasadori amerikan në Prishtinë, dhe Jorn Rohde, ambasadori gjerman në Prishtinë.

Kosova ka akuzuar Serbinë se me veprimet e fundit ka kryer shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe ka shkelur marrëveshjet e arritura në dialog, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Edhe blloku evropian një ditë më parë tha se Serbia, me ndalimin e udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova, në kufijtë e saj me Hungarinë dhe Kroacinë, ka shkelur Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Kosova ka thënë se ndalimi dhe “maltretimi” i shtetasve të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi, u bë “në shenjë hakmarrjeje” pasi më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Serbia ka thënë se do të punojë që Kosova të mos pranohet në këtë organizatë gjatë mbledhjes së Këshillit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.Radio Evropa e Lirë