VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Si të përgatisni mish pule të zier me lëng limoni – Shije e mrekullueshme

By | October 21, 2019

Komentet

Gliko me mandarina – Magjepsje nga delikatesat shqiptare

Tradita shqiptare e përgatitjes së reçelit e glikove është unike në botë.

Reçel me fruta nga më të ndryshmet e deri tek perimet, me një shije magjepsëse, të ëmbël që të përfshin tërësisht.

E nëse të gjithë reçelrat e glikotë shqiptare janë të veçantë në llojin e tyre, mahnitës në shije e ëmbëlsi është reçeli me mandarina.

Mandarinat janë frutat dhuratë të dimrit dhe aktualisht veshin gjithë tregjet me ngjyrën e tyre fantastike portokalli. Është pikërisht koha ideale për përgatitjen e reçelit me këtë frut të preferuar nga të gjithë.

Krejt lehtë për t’u përgatitur  në shtëpi dhe një ëmbëlsirë krejt unike për t’iu ofruar miqve si gosti por edhe si dhuratë.

Ky reçel fantastik është ideal sidomos për vaktet e mëngjesit, i kombinuar me bukë të thekur e një gotë qumësht.

AgroWeb.org u përcjell më poshtë recetën e përgatitjes së reçelit me mandarina në shtëpi.

Përgatitja e Reçelit me Mandarina

Përbërësit

1 kg mandarina

400 – 450 gr sheqer

Përgatitja

Si fillim pastrojmë mirë mandarinat.

U heqim me kujdes lëkurën në mënyrë të plotë dhe e ndajmë në thelat.

Me kujdes largojmë sa mundemi fijet e bardha të frutit si dhe bërthamat.

Lëkurat i vendosim të zjejnë në një enë me ujë të bollshëm përreth 10 minuta.

Më pas, i heqim nga zjarri dhe i lëmë të ftohen për t’i prerë në fije të holla.

Nga ana tjetër, përgatisim shurupin duke hedhur në tenxhere, sheqerin dhe një gotë me ujë.

Sapo shurupi të nisë të vlojë, shtojmë lëkurat e mandarinës të prera në fije si dhe thelat e saj.

I lëmë të zjejnë në zjarr të ngadaltë përreth 35-40 minuta derisa thelat e mandarinës të jenë bërë transparente dhe shurupi të jetë trashur.

E largojmë nga zjarri, i hedhim disa pika limoni dhe e përzjejmë.

Më pas, reçelin e hedhim në kavanoza të sterilizuar, i mbyllim kapakët fortë dhe i lëmë kokëposhtë derisa të ftohen plotësisht. Ruhen në frigorifer.

Glikoja e lehtë e portokallit – Perfekte pas festave

Vasilopita ka qenë receta me të cilën kam hapur blogun në 8 Janar 2019 dhe Gliko Portokalli një nga gatimet më tradicionale dhe të dashura të stinës mbyll këtë vit.

*Nga Valbona Furrari Lasku

Kjo recetë të cilën ma keni kërkuar shumë prej jush, besoj do jetë dhe e fundit për 2019, një vit i cili në aspektin profesional, familjar, të miqësive dhe te ndjekësve ka qenë i mbarë.

Vasilopita ka qenë receta me të cilën kam hapur blogun në 8 Janar 2019 dhe Gliko Portokalli një nga gatimet më tradicionale dhe të dashura të stinës mbyll këtë vit.

Mbyllje me ëmbëlsi dhe me produktet e bahçes, glikoja e portokallit është një “must“ në shtëpi.

Ndonëse sot nuk qerasim më si dikur, kjo gliko është ëmbëlsirë më vete në çdo kohë.

Kur të përgatisni dhe glikonë, lëkurën që do gërryeni mos e çoni dëm, por kthejeni në një super esencë, të cilën mund ta përdorni gjatë gjithë vitit në përgatitje keku dhe biskota me shije portokalle.

Po vijoj me recetën se në këtë sezon të ngarkuar nuk kemi shumë kohë për lexime.

Përbërësit:

2 kg portokalle

Për sherbetin

1 kg portokall i pastruar nga lëngu dhe farat, i shkuar në varg i kulluar

1 kg sheqer

700 ml ujë

Përgatitja

Portokallet i lajmë dhe me një rende të imët i heqim cipën sipër. Lëkurën e përfituar e bëjmë esencë sipas shpjegimit këtu.

Më pas portokallet i ndajmë në 4 copa dhe me një gërshërë gatimi presim fijet e bardha dhe shtrydhim lëngun dhe farat nëse ka.

Siç e kërkon dhe tradicionalja me një gjilpërë ku kemi shkruar pe, fillojmë i mbërthejmë portokallet si varg, duke i lidhur fundet e tyre.

Kjo mënyrë ndihmon që glikoja portokallit të ruajë formën e bukur të palosjes në servirje.

Vargjet i vendosim në një tas me ujë dhe e lëmë të paktën 1 ditë të plotë duke e ndërruar ujin disa herë gjatë ditës. Kjo do ndihmojë në nxjerrjen e hidhësisë që ka lëkura.

Pas 24 orësh vargjet i ziejmë 2 apo 3 herë në varësi të hidhërimit që ka lëkura vetëm me ujë, 5 minuta nga pika e vlimit duke e derdhur ujin dhe rimbushur përsëri për zierjen e dytë.

Më pasi vendosim vargjet në një kullesë dhe i lëmë të kullojnë për të paktën 1 orë.

Pasi portokallet kanë kulluar i peshojmë ato. Unë do ju jap masat për 1 kg portokalle të kulluara. Ju më pas rrisni ose zvogëloni sasinë e sheqerit sipas peshës së portokalleve tuaja.

Për 1 kg portokalle të kulluar shtojmë 1 kg sheqer dhe 700 ml ujë.

I trazojmë dhe i vendosim për të zierë pa kapak, në zjarr të mesëm të avashtë, derisa lëngu i glikosë të lidhet duke e provuar në një pjatë.

Hedh pak lëng nga glikoja dhe e ndan me lugë mes për mes.

Nëse të dy anët afrohen me ngadalë pranë njëra-tjetrës glikoja është bërë gati.

Vendoseni glikonë të nxehtë nëpër vazo dhe i ktheni ato me kokë poshtë./AgroWeb.org

Thjerrëza plot shije me llukanik – Merrni recetën që sjell ngrohtësi në çdo shtëpi

 

Janë të shumta recetat në përgatitjen e thjerrëzave, një nga ushqimet më të gatuara të stinës.

Një nga të cilat, më shije plota e pasur me vlera ushqyese është padyshim supa me thjerrëza dhe llukanik, një lloj salçiçeje e përgatitur me mish dhe erëza të ndryshme.

Sigurisht, kombinimi i të gjithë përbërësve ofron një shije speciale që kënaq gjithë organizmin por nga ana tjetër i dhuron atij edhe shumë vlera shëndetësore gjithashtu.

Krahas shijes së përsosur, kjo pjatë është fantastike edhe në efektet mbrojtëse që ka kundër virozave dhe gjendjes gripale.

Për të përfituar maksimalisht nga vlerat mbrojtëse të kësaj supe, AgroWeb.org sugjeron një recetë të lehtë për përgatitjen e saj në kushtet e shtëpisë.

Në përgatitjen e kësaj recete, AgroWeb.org ju këshillon të përzgjidhni llukanikë të freskët fshati, të cilët i gjeni në dyqane e pikat e shitjes së mishit të freskët.

Përgatitja e Thjerrëzave dhe Llukanik

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4 persona)

4 llukanikë të freskët

3-4 lugë gjelle me vaj ulliri ekstra të virgjër

2 karrota

1 patate

2 thelpinj hudhër

1 kokërr qepë e vogël

Gjysëm luge me spec djegës pluhur

1 filxhan çaji me thjerrëza

Dy lugë gjelle salcë domate

6-7 gota me ujë

Kripë

Gjysëm luge çaji me piper të zi të bluar

Majdanoz i freskët

Udhëzimet

Si fillim, AgroWeb.org ju këshillon të përzgjidhni llukanik fshati.

Prijini në feta jo shumë holla dhe më pas, në një tenxhere shtoni vajin e ullirit, pasi të jetë ngrohur shtoni copat e llukanikut dhe kaurdiseni për pak.

Më pas shtoni, qepën e grirë dhe karrotat e grira, kaurdisni derisa volumi i qepës të bjerë.

Shtoni thjerrëzat, patatet, specin djegës, kripën dhe piperin dhe hidhni 6-7 gota me ujë.

Lërini të ziejnë për 35-40 minuta me kapak të mbyllur.

Qëroni dhe shtypni thelpinjtë e hudhrës. Lërini mënjanë për 5-10 minuta që të çlirojnë të gjithë substancat mirëbërëse.

Hudhrën e shtypur shtojeni tek supa kur të jetë gati dhe lëreni të ziejë edhe për 5 minuta të tjera. Shërbehet e ngrohtë dhe spërkatet me majdanoz të grirë hollë dhe me disa pika vaj ulliri sipër.

Vlerat shëndetësore

Supa me thjerrëza është një burim i mirë proteinash dhe fibre. Çdo racion i kësaj supe përmban 11.1 gramë fibër që plotëson një pjesë të rëndësishme të dozës prej 25-38 gramë të fibrës që duhet të konsumoni çdo ditë.

Fibra i bën mirë sistemit tretës dhe zorrëve, duke parandaluar diarenë, konstipacionin dhe sëmundje të tjera të aparatit tretës.

Një racion me thjerrëza plotëson pothuaj të gjithë nevojën tuaj ditore për hekur.

Kompekaj – Ëmbëlsira e shpejtë e fundvitit

Fundi i vitit është koha më e ngarkuar për pastiçierët, pasi ëmbëlsirat janë të parat që përgatiten.

Shijet e mira në kuzhinë nuk kanë të mbaruar, por ëmbëlsirat duket se zënë një vend fare të veçantë.

Edhe nëse nuk jeni fans i tyre, me siguri që keni ndonjë të preferuar të cilën nuk nguroni ta provoni herë pas here.

Fundi i vitit është koha më e ngarkuar për pastiçierët, pasi ëmbëlsirat janë të parat që përgatiten.

Për të gjithë ju që dëshironi të provoni një shije të ndryshe dhe një ëmbëlsirë që përgatitet shumë shpejt, AgroWeb.org ka një sugjerim.

Kompekaj quhet keku i veçantë të cilin mund ta përgatisni posaçerisht për festat e fundvitit, për të kënaqur të dashur tuaj me shije shtëpie.

Ndiqeni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së kësaj ëmbëlsire.

Përbërësit

2-3 petë sfoliat

8 vezë

100 gr miell

25 gr kakao

100 gr sheqer

2 lugë gjelle gjalpë

150 gr arra

Për shërbetin

500 ml ujë

650 gr sheqer

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kompekasë, AgroWeb.org ju këshillon që të zgjidhni një enë të thellë.

Në të rrihni vezët bashkë me sheqerin, derisa vezët të fryhen dhe të krijojnë një masë kompakte, shtoni në fund gjalpin e shkrirë dhe vazhdoni me përzierjen.

Në një enë tjetër përzieni miellin me kakaon bashkë me arrat e coptuara ose të grira hollë.

Shtojeni miellin pak nga pak tek ena ku rrahët vezët, duke përzier me kujdes nga poshtë lart derisa të formohet brumi i kekut.

Ndërkohë zgjidhni një tavë pjekje, lyejeni me pak gjalpë ose vaj dhe shtroni në të petën sfoliat duke ngritur me kujdes anët e petës.

Hidhni në të brumin që përgatitët, duke e tundur herë pas here tavën në mënyrë që të dalë ajri jashtë ëmbëlsirës.

Sipër shtroni me kujdes petën e dytë sfoliat, duke bërë kujdes që ajo të mos zhytet në brumë.

Më pas futeni në furrë në temperaturën 180 – 200 gradë C për 30 – 35 minuta, derisa keku të piqet dhe peta të marrë ngjyrë të artë.

Ndërkohë që keku piqet përgatisni shërbetin, njësoj siç bëni me sherbetin e bakllavasë dhe kur të jetë trashur lëreni të ftohet.

Kur keku të jetë pjekur, nxirreni nga furra, lëreni të ftohet paska dhe priteni në copa të vogla.

Në fund shtoni shërbetin në të gjithë sipërfaqen e kekut dhe shijojeni menjëherë.

Ëmbëlsira e Krishtlindjes me fruta të thata – Duhet ta përgatisni patjetër

Me rastin e festave, AgroWeb.org ju këshillon një ëmbëlsirë me fruta të thata, konjak dhe erëza.

Ëmbëlsirat janë kryefjala e festave dhe gostitë për këto raste janë ideale për të shpalosur talentin në kuzhinë.

Me rastin e festave, AgroWeb.org ju këshillon një ëmbëlsirë me fruta të thata, konjak dhe erëza.

Ëmbëlsira e Krishtlindjes Me Fruta Të Thata Dhe Konjak

Përbërësit:

350 gramë rrush të thatë,

100 gramë kumbulla të thata pa bërthamë,

100 gramë sheqer kaf,

4 lugë gjelle rum ose konjak

100 gramë arra të copëtuara

100 gramë bajame

100 gramë bajame të bluara

100 gramë thërrime buke,

50 gramë miell shumë-përdorimësh,

100 gramë gjalpë

Gjysëm luge çaji arrëmyshk,

1 lugë çaji kanellë pluhur,

100 gramë qershi për kokteile

Përgatitja:

Në një enë qelqi përzieni rrushin e thatë, kumbullat e thata, sheqerin kaf dhe rumin ose konjakun.

Lërini për 24 orë.

Më pas, përzieni arrat, bajamet, pluhurin e tyre, thërrimet e bukës, miellin, gjalpin, erëzat dhe vezët dhe shtoni frutat e thata të njomura në rum.

Teksa përzieni, mos harroni të shprehni një dëshirë për festa.

Mbulojeni enën me letër kuzhine dhe lëreni mënjanë në një vend të freskët për 24 orë.

Me të mbaruar 24 orët, lyeni pak tavën e ëmbëlsirës me gjalpë.

Për këtë ëmbëlsirë, nevojitet një tavë në formën e tasit të thellë.

Sipër vendosni letër pjekjeje të cilën gjithashtu duhet ta lyeni me pak gjalpë.

Derdheni brumin në tavë, duke e shtypur herë pas here që të zëjë vend.

Pasi t’i keni dhënë formën, mbulojeni tavën me një letër të madhe pjekjeje dhe më pas me letër alumin të cilën duhet ta siguroni mirë me një filospangë.

Më pas, merrni një tenxhere të madhe të cilën duhet ta mbushni me ujë deri sa të mbulojë një të tretën e tenxheres.

Fusni aty tavën e ëmbëlsirës por sigurohuni që uji nuk e mbulon atë dhe as nuk i afrohet sipërfaqes.

Lëreni ujin të marrë valë, dhe kur të ndodhë kjo uleni temperaturën dhe lëreni të ziejë ngadalë për 5-6 orë.

Gjatë kësaj kohe, sigurohuni që kur uji të avullojë, të shtoni më shumë, pra tenxherja nuk duhet lënë pa ujë.

Kur keku të jetë gatuar, hiqeni tavën e thellë dhe lëreni të ftohet.

Për ta servirur, nëse ju pëlqen i ngrohtë, ndiqni të njëjtën metodë si më lart, ose nëse jeni të paduruar për shijen, ngroheni në mikrovalë./AgroWeb.org

Tavë Korani me Arra – Fama e traditës pogradecare

Korani është një nga peshqit më të shëndetshëm që mund të përfshini në regjimin tuaj ushqimor.

Një recetë e vjetër tradicionale e Pogradecit, qytetit të famshëm të këtij peshku fantastik në shije dhe vlera.

Korani është një nga peshqit më të shëndetshëm që mund të përfshini në regjimin tuaj ushqimor.

Shkencëtarët rekomandojnë konsumin e të paktën 100 gramë me peshk siç është korani, dy herë në javë.

Për të maksimizuar vlerat e marra nga korani, rekomandohen metodat e gatimit si skara, gatimi me avull ose pjekja.

Më poshtë do të gjeni një recetë interesante tradicionale të zonës së Pogradecit të gatimit të koranit me arra në furrë, një traditë e hershme .

Për 4-5 persona nevojiten

1 racion peshk 200-250 g

2 lugë gjelle me miell

2-3  lugë gjelle vaj ulliri

2-3 lugë gjelle arra të shtypura dhe kripe

Përgatitja e Koranit me Arra në Shtëpi 

Pastrojeni koranin dhe priteni në racione.

Lyejeni me miell dhe vendoseni në tavë.

Spërkateni me vaj ulliri dhe vendoseni të piqet në furrë

Hidhni pak ujë të nxehtë në tavë dhe lëreni të marrë valë për 5 minuta.

Më pas shtoni arrat e shtypura dhe hudhrat dhe hiqeni tavën pas 10 minutash.

Vlerat e koranit

Acidet yndyrore Omega-3

Një racion i gatuar i koranit ofron 981 miligramë të acideve yndyrore omega-3 e cila e tejkalon sasinë e rekomanduar ditore prej 250 miligramë në ditë.

Një regjim i pasur me acide yndyrore pakëson rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, hipertensionit, kolesterolit dhe disa llojeve të kancerit.

Acidet yndyrore parandalojnë çrregullime nervore siç janë skleroza, depresioni, çrregullimet bipolare dhe Alzheimeri.

Proteina

Një racion prej 100 gramësh ofron 21 gramë proteinë ose 37 përqind të dozës së rekomanduar për meshkujt dhe 46 përqind të nevojës ditore për femrat.

Studimet thonë se nëse e merrni proteinën nga peshku, keni më suhmë gjasa të humbisni në peshë, të ruani masën muskulare dhe të jeni më të ngopur.

Yndyra

Një racion prej 100 gramësh përmban 6 gramë yndyrë, 1.4 gramë yndyrë të ngopur dhe 60 miligramë kolesterol.

Përmbajtja e kufizuar e yndyrës e bëjnë koranin një variant të mirë proteinash dhe yndyrnash në krahasim me ushqimet e tjera.

Ndotësit e rrezikshëm

Korani është një ndër peshqit më pak të ndotur me merkur apo lëndë të tjera të rrezikshme.

Ka peshq të prekur nga nivele të larta të mërkurit që shkaktojnë lodhje, dëmtime të veshkave, çrregullime nervore dhe dëmtime në tru në veçanti tek fëmijët apo fetusi.

Si të përgatisni sallatën festive me agrume dhe shegë

Agrumet përmbajnë sheqena dhe fibër, kalium,folat, kalçium, thiaminë, vitaminën B6 e të tjerë.

Agrumet janë frutat ideale për shëndetin e njeriut.

Ato janë një burim i shkëlqyer i vitaminës C, por edhe i shumë ushqyesve të nevojshëm për organizmin.

Agrumet përmbajnë sheqena dhe fibër, kalium,folat, kalçium, thiaminë, vitaminën B6 e të tjerë.

Të gjithë këto përbërës forcojnë imunitetin ndaj janë një zgjedhje e natyrshme sidomos gjatë stinës së ftohtë, virozave dhe gripit.

Agrumet përfshijnë portokallet, limonët, mandarinat, qitron e shumë varietete të tyre.

Këto fruta mund të konsumohen veçmas ose të përfshihen në gatime të ndryshme, kryesisht në sallata.

Një prej tyre është sallata me agrume dhe shegë.

Ajo është ideale kur jeni vetëm dhe dëshironi një dozë të mirë vitamine C, por edhe për të gostitë e ndryshme me miq dhe të afërm.

Përbërësit:

4  agrume të larmishme e shumëngjyrëshe.

1 filxhan me shegë

Kokrra kulumbrie për zbukurim (opsionale)

Udhëzimet

Për këtë recetë mund të përzgjidhni portokalle, portokalle të kuqe, mandarina, qitro të bardhë , rozë e të kuq, limonë dhe limonë jeshil.

Larmishmëria është kryesore në këtë recetë, ndaj tregohuni dorëlëshuar në përzgjedhjen e agrumeve.

Qërojini të gjitha dhe këputini fetat e frutave një e nga një.

Vendosini në një pjatancë me rradhë sipas ngjyrave.

Hidhni sipër tyre kokrrat e shegës dhe të kulumbrisë.

Servireni duke e shoqëruar me një pije të ftohtë.

Kulumbria është një frut i të njëjtës familjes botanike ku bën pjesë edhe kumbulla. Lulet dhe frutat e bimës së egër të kulumbrisë përdoren në mjekësinë popullore.

Këto fruta kanë vlera të shumta dhe i bëjnë mirë stomakut dhe gjakut. Gjithashtu ato janë të pasura me antioksidantë.

Frutat nxisin nxjerrjen e lëngjeve me toksina nga trupi, djersitjen e rrjedhimisht largojnë papastërtitë dhe ulin temperaturën.

Kulumbria është pjesë e koleksionit shqiptar të bimëve mjekësore dhe përdoret në vend, por një pjesë e konsiderueshme e mbledhjeve të kësaj bime eksportohen nga kompanitë e bimëve medicinale.

Shega  nga ana tjetër, arrin të pengojë prodhimin e estrogjenit dhe pakëson rrezikun e shfaqjes së kancerit të gjirit.

Studimet kanë treguar se konsumi ditor i shegës ul nivelet e inflamacionit të prostatës që hapin rrugën drejt shfaqjes së kancerit.

Studimet shkencore kanë treguar se vaji esencial i kokrrave të shegës, lëngu dhe ekstraktet e saj i detyrojnë qelizat kancerogjene të vetë shkatërrohen.

Lëngu dhe ekstraktet nuk kanë të njëjtin ndikim tek qelizat e shëndetshme.

Kjo do të thotë se duke ngrënë çdo ditë, fruti mund t’ju vijë në ndihmë në parandalimin e kancerit.

Shega ju furnizon me vitaminë C që është kaq e domosdoshme në këtë stinë gripi dhe virozash./AgroWeb.org

Lëngu i hurmave të thata – Mrekulli për shëndetin

Lëngu i hurmave të Arabisë rrit pllakëzat e gjakut dhe ushqen lëkurën.

Pranohet gjërësisht që hurmat e Arabisë janë të mbushura me plot surpriza të këndshme për shëndetin.

Ato janë një dhuratë natyrale plot vlera, pavarësisht përmbajtjes së lartë të sheqerit.

Ndonëse diabetikët qëndrojnë larg hurmave të Arabisë, këto të fundit kanë në përmbajtje një sheqer më cilësor dhe më natyral se sheqeri i përpunuar i bardhë që jemi mësuar të konsumojmë çdo ditë.

Ruajnë shëndetin e kockave dhe dhëmbëve

Lëngu i hurmave të Arabisë është i pasur me minerale si kalcium, mangan, magnez, hekur dhe bakër.

Rrjedhimisht ky lëng luan një rol aktiv në ruajtjen e shëndetit të kockave por edhe në formimin e qelizave të kuqe të gjakut.

Përfitimet me lëkurën

Lëngjet e frutave janë shumë të mira për shëndetin.

Një gotë me lëngun e hurmave ofron shumë avantazhe për trupin të cilat projektohen në lëkurën tuaj.

Ushqimi i lëkurës

Lëngu i hurmave të Arabisë rrit pllakëzat e gjakut dhe ushqen lëkurën.

Kurseni para dhe konsumoni lëng të pastër hurmash që mund ta përgatisni në kuzhinë shumë thjeshtë.

Përfitimet për flokët

Përtypni disa hurma në ditë, ose pini lëngun e tyre dhe do të jeni dëshmitarë të ndryshimeve të mrekullueshme në flokët tuaj.

Ato do të jenë të shëndetshëm falë vitaminave, veçanërisht asaj B. Flokët do të jenë të trashë dhe të lëmuar.

Parandalojnë radikalet e lira

Lëngu i hurmave është i mbushur me antioksidantë që luftojnë radikalet e lira dhe dëmet e tyre në organizëm.

Rrjedhimisht, ky lëng është ideal për të rriturit dhe të rinjtë.

Luan rol laksativ

Që në lashtësi, hurmat e Arabisë janë konsideruar si zgjidhja ideale kundër konstipacionit për shkak të pranisë së fibrës së patretshme.

Hurmat dhe lëngu i tyre konsiderohet si një laksativ i shkëlqyer.

Kundër plakjes

Duke qenë se lëngu është i pasur me antioksidantë, të dobishëm kundër radikaleve të lira, ai është i shkëlqyer kundër kancerit dhe plakjes.

Ul nivelet e kolesterolit të keq

Ky frut është tejet i pasur me fibër dietike.

Ndaj ai është natyralisht i aftë të ulë nivelin e kolesterolit të keq në organizëm.

Receta e lëngut të hurmave

Hiqni farat e 3-4 farave. Hidhini në një gotë me ujë të ngrohtë për disa orë.

Në një misker hidhni gjysëm gote me qumësht dhe shtoni hurmat.

Përzijini së bashku dhe pijeni lëngun e shëndetshëm menjëherë. Agroweb.org

Çaji i gjetheve të mështeknës për pastrimin e gjakut dhe imunitet të fortë

Kjo pemë rritet shpejt dhe në vende ku asnjë bimë ose pemë tjetër nuk reziston dot.

Mështekna, pema e mirë dhe popullore e maleve të Shqipërisë ka dhënë gjithnjë rezultate pozitive në mjekësinë popullore.

Mështekna konsiderohet si një nga llojet më të lashta të pemëve në botë.

Kjo pemë rritet shpejt dhe në vende ku asnjë bimë ose pemë tjetër nuk reziston dot.

Mështekna në fakt është përdorur edhe për të pastruar tokën e ndotur dhe për ta gjallëruar atë. Aftësitë pastruese të mështeknës janë tregues të natyrës mirëbërëse të saj.

Çaji i bërë prej gjetheve të mështeknës ka aftësinë të pastrojë dhe t’i japë organizmit shëndet të mirë.

Ky çaj është fantastik për shëndetin e lëkurës, kundër inflamacionit dhe për shëndetin e sistemit imunitar.

Imunitet të fortë

Çaji i gjetheve të mështeknës lufton bakteret, virozat dhe parazitët, rrjedhimisht duke e ndihmuar organizmin të rimëkëmbet shpejt.

Ky çaj ul temperaturën. Ai përmban vitaminë C, një ushqyes i rëndësishëm për një sistem imunitar të fortë.

Tretje më të mirë

Çaji i gjetheve të mështeknës përmirëson tretjen dhe këshillohet kundër diaresë dhe dhimbjeve abdominale.

Ai njihet si toniku i tretjes dhe arrin të balancojë funksionet e tretjes.

Ky tonik ka edhe një ndikim laksativ dhe ndihmon lëvizjen normale të zorrëve.

Kundër dhimbjeve të gjymtyrëve

Ky çaj rekomandohet kundër dhimbjeve të gjymtyrëve.

Ai lufton inflamacionin dhe enjtjen e kyçeve.

Ky çaj përmban salicilat, një substancë natyrale kundër dhimbjeve.

Për veshkat dhe fshikëzën

Çaji i gjetheve të mështeknës përbën një kurë ideale për shëndetin e veshkave dhe fshikëzës.

Duke nxitur urinimin, çaji ndihmon në largimin e toksinave dhe lëngjeve të tepërta nga organizmi. Kjo veti është e dobishme për të parandaluar rrezikun e shfaqjes së gurëve në veshka.

Pastrimi i gjakut

Çaji përmirëson shëndetin e veshkave dhe pastron gjakun duke larguar papastërtitë prej tij. Në këtë mënyrë, çaji është i dobishëm për të luftuar disa çrregullime të gjakut.

Përgatitja e çajit të gjetheve të mështeknës

1. Merrni një grusht me gjethe të freskëta ose të thata. Periudha më e mirë për mbledhjen e tyre është mesi i verës ose mesi i Qershorit.

2. Zieni ujin në një çajnik dhe shtoni gjethet. Ziejini për pesë minuta.

3. Doza maksimale është tre filxhanë në ditë për 2 javë./AgroWeb.org

Mënyra më e shpejtë e përgatitjes së vajit të sherebelës në shtëpi

Vaji i sherebelës lufton inflamacionin në lëkurë, inflamacionin e shkaktuar prej etheve dhe largon toksinat që futen në gjak.

Ekspertët e bimëve mjekësore, betohen për vajin esencial të sherebelës dhe aftësitë kuruese e shëruese të tij kundër mykut, mikrobeve, inflamacionit dhe baktereve.

Ai luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e lëkurës, pastrimin e saj, heqjen e njollave, tretjen, stimulimin e ciklit tek femrat dhe uljen e temperaturës.

Ndiqni këshillat e AgroWeb.org dhe mësoni si të bëni vajin e sherebelës në kushtet e shtëpisë.

Përbërësit

2 filxhanë me vaj ulliri

2 filxhanë me gjethe sherebele

Një kavanoz të madh qelqi me kapak

Shishe vaji

30 kokrra piperi

Përgatitja e Vajit të Sherebelës

Lajini dhe thajini gjethet e sherebelës dhe futini në kavanozin e qelqit. Shtoni 20 kokrra të grira të piperit të zi. Hidhni sipër tyre vajin e ngrohtë dhe mbulojini gjethet mjaftueshëm.

Shtypini me një lugë druri deri sa të jeni mbuluar me vajin që keni përzgjedhur. Lëreni vajin të ftohet dhe më pas mbylleni kapakun e kavanozit.

Vendoseni kavanozin në një vend të errët e të freskët për 2 deri në 3 javë.

Kontrollojeni aromën e vajit është është e ndezur mjaftueshëm për shijet tuaja. Tre javë është maksimumi i ruajtjes së kavanozit me vajin e sherebelës në një vend të errët dhe të ftohtë.

Gjatë kësaj periudhe duhet ta tundni kavanozin tre ose katër herë në javë për të përmirësuar procesin e tretjes.

Pas 2 ose 3 javësh, kullojeni vajin dhe vendoseni në enën përfundimtare duke shtuar 10 kokrrat e mbetura të piperit të zi.

Vlerat shëndetsore të vajit të sherebelës

Përveç rolit që luan në kozmetikë, ky vaj i jashtëzakonshëm ka vlera të tjera shëndetsore të pakrahasueshme të cilat i gjeni të renditura më poshtë.

Lufton mykun, mikrobet dhe bakteret

Ky vaj ka aftësinë të luftojë mykun, bakteret dhe mikrobet nga organizmi. Ai është efikas kundër një sërë infeksioneve të lëkurës, plagëve, ose të çarave që shkaktohen nga infeksione të rrezikshme.

Antioksidantët

Vaji esencial përdoret gjërësisht në trajtimet e lëkurës kundër plakjes.

Ai është i pasur me antioksidantë të cilët luftojnë radikalet e lira në organizëm të cilët shkaktojnë edhe plakjen e parakohshme.

Kundër inflamacionit

Vaji i sherebelës lufton inflamacionin në lëkurë, inflamacionin e shkaktuar prej etheve dhe largon toksinat që futen në gjak.

Ndihmon me tretjen

Vaji i sherebelës lehtëson stomakun dhe përmirëson funksionet e të gjithë sistemit tretës kundër inflamacionit të shkaktuar nga aciditeti i tepërt.

Kundër njollave në lëkurë

Vaji esencial i sherebelës përdoret për eliminimin e njollave, strijave apo shenjave të shkaktuara nga lija, apo pezmatimi i lëkurës.

Ka efekt pastrues

Vaji esencial i sherebelës përshpejton largimin e toksinave nga gjaku nëpërmjet djersitjes dhe pastron gjakun duke shërbyer kështu si një pastrues efikas i organizmit.

Luan rol disinfektues

Vaji i sherebelës luan rol të fortë kundër mykut, baktereve dhe mikrobeve duke u transformuar në një disinfektues natyral që mbron trupin e njeriut nga infeksionet që i kanosen jashtë dhe brenda.

Luleakulli – Bima që ndihmon organizmin të jetojë gjatë

Në artikullin e mëposhtëm të AgroWeb.org do të zbuloni se si të përgatisni çajin e luleakullit.

Në latinisht, emri i luleakullit është ‘sempervivum’ dhe përkthehet ‘ jeto përgjithmonë,’ duke rrëfyer kështu vetitë e mrekullueshme të saj.

Luleakulli përdoret shpesh në mjekësinë popullore për shkak të aftësive luftuese kundër inflamacionit dhe nxitëse të urinimit.

Luleakulli përmban taninë, vajra esencialë, acid malik, rrëshirë, acid methanoik e të tjerë.

Shumë studime kanë konfirmuar se luleakulli përmban flavonoidë dhe karbohidrate. Luleakulli mund të përdoret në formën e lëngut, yndyrës dhe çajit.

Në formën e çajit, kjo bimë e njohur përdoret për të trajtuar lëndimet, çarjet e lëkurës, ulçerën, hemoroidet, parazitët në zorë, acarimet e fytit apo diabetin.

Në artikullin e mëposhtëm të AgroWeb.org do të zbuloni se si të përgatisni çajin e luleakullit.

Përbërësit për trajtimin e dhimbjeve

  • 200 mililitra ujë të nxehtë
  • 2 gjethe të luleakullit të grira hollë.

Përgatitja:

Hidhini gjethet në një çajnik dhe hidhni sipër tyre ujin e nxehtë. Lërini të qëndrojnë për 2 orë dhe më pas kullojeni lëngun.

Pini çerek filxhani përpara çdo vakti 3 deri në 4 herë në ditë.

Ky çaj është i dobishëm kundër diaresë, dhimbjeve të barkut dhe dhimbjeve të veshit.

Nëse vuani nga diabeti, konsumoni çdo mëngjes një gjethe të freskët të luleakullit.

Përbërësit për kurën që pastron organizmin

  • 500 gramë luleakulli
  • 1kg mjaltë

Gjethet e luleakullit duhet t’i copëtoni dhe t’i shtypni me dorë në një enë të thellë. Shtoni mjaltin dhe përziejini të gjithë përbërësit. Lërini të qëndrojnë në një vend të ngrohtë për 7 ditë.

Më pas, konsumoni një lugë gjelle çdo mëngjes me stomakun bosh dhe hani ushqim vetëm pas dy orësh.

Kjo kurë natyrale pastron organizmin nga toksinat dhe përshpejton metabolizmin.

Luleakulli kundër hemorroideve

  • 300 gramë gjethe luleakulli të shtypura fort,
  • 750 gramë mjaltë lulesh
  • 1 limon

Vendoseni limonin e qëruar në ujë dhe shtoni një lugë çaji me sodë buke. Lërini për një orë dhe më pas lajeni limonin dhe prijeni në feta.

Këto të fundit së bashku me gjethet e luleakullit duhen grirë së bashku dhe më pas tuli i formuar duhet kulluar nëpërmjet një nape. Lëngu dhe mjalti duhen përzier me një lugë druri.

E gjithë masa e krijuar duhet mbajtur në frigorifer. Çdo mëngjes përpara ngrënies duhet të konsumoni një lugë çaji. Kura duhet ndjekur me përpikmëri për një muaj e gjysëm.

Reçeli i konkave të pishës, ëmbëlsia kuruese për shëndetin

Reçeli i pishës është special, i njëtrajtshëm, tejet aromatik dhe i shijshëm.

Reçeli i pishës është special, i njëtrajtshëm, tejet aromatik dhe i shijshëm. Ai është jashtëzakonisht i dobishëm për sëmundjet e frymëmarrjes.

Reçeli i pishës konsiderohet si një ëmbëlsirë delikate dhe e veçantë.

Rrjedhimisht kushton shtrenjtë sidomos në Europë dhe shitet vetëm në zona turistike ekskluzive.

Por ky informacion nuk duhet t’ju ndalojë që ta përgatisni atë në shtëpi.

Reçeli me aftësi kuruese përdoret dhe rekomandohet kundër kollës.

Konet e pishës duhen kontrolluar nëse janë të përshtatshme për t’u gatuar. Për ta bërë këtë, shpojini lehtë me majën e thikës.

Konet e gjelbra me përmasa nga një deri në 5 centimetra janë të përshtatshme për reçel në kushtet e shtëpisë.

Përbërësit e nevojshëm:

1 kg kone pishe të njoma

1 litër ujë

1 kg sheqer

Udhëzimet

Për përgatitjen e reçelit është e domosdoshme që të mblidhni konet e buta e të gjelbra të një peme të shëndetshme. Ato duhen pastruar nga halat me kujdes.

Më pas duhen larë me ujë të bollshëm dhe duhen mbuluar me ujë në një enë të madhe.

Lërini të qëndrojnë në ujë për gjatë gjithë natës. Të nesërmen, përzierjen me gjysmën e koneve bashkojeni me sheqerin dhe vendoseni në një tenxhere. Lërini të ziejnë së bashku.

Pasi të jetë formuar shurupi i sheqerit, shtoni të gjitha konet e pishës. Gjatë zierjes, konet do të ndryshojnë ngjyrë menjëherë. Uleni temperaturën dhe lëreni zierjen të vazhdojë për një orë e gjysëm.

Nëse gjatë kësaj kohe, vëreni formimin e shkumës, uleni zjarrin në nivel minimal. Reçeli është bërë kur konet të jenë të buta dhe të përtypshme.

Reçeli i duhur do të ketë një nuancë mes të kuqes dhe kafes.

Pas zierjes, lëngu duhet lejuar të ftohet dhe më pas të hidhet në kavanozë. Ruajini ato në një vend të errët dhe të freskët./AgroWeb.org