VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Si shënohet Ramazani në Shtetet e Bashkuara

By | June 14, 2018

Komentet

SHBA konfirmon vizitën e Boltonit në Moskë

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton do të udhëtojë drejt Moskës në ditët në vijim për të diskutuar ndonjë takim të mundshëm në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit rus, Vladimir Putin, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, disa orë pas deklaratave të Kremlinit për mundësinë e një takimi të tillë.

“Më 25-27 qershor, Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton do të takohet me aleatët amerikanë në Londër dhe Romë për të diskutuar çështjet e sigurisë kombëtare dhe do të udhëtojë në Moskë për të diskutuar zhvillimin e ndonjë takimi eventual në mes të presidentit Trump dhe homologut të tij rus, Putin”, ka njoftuar asistentja speciale e presidentit, Garrett Marquis.

Ende nuk është bërë e ditur agjenda e Boltonit gjatë këtyre ditëve.

Njoftimet amerikane kanë ardhur disa orë pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve se ka mundësi që Bolton të vizitojë Moskën.

“Për aq sa dimë deri tash, takimi do të ndodhë. Kjo është e gjitha që mund të themi tani”, ka thënë Peskov para gazetarëve më 21 qershor.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Rusia është e gatshme “për të kontaktuar” me Shtetet e Bashkuara.

“Nëse arrihet marrëveshja për mbajtjen e takimit të nivelit të lartë, do të bëhet publike”, është shprehur ai.

Më 9 qershor, Peskov ka thënë se presidenti rus dhe ai amerikan kanë diskutuar detaje të takimit të tyre, në një bisedë telefonike në muajin mars, duke përmendur Vjenën si vend të mundshëm për takim.

Presidenti amerikan pati thënë në muajin mars se do të takohej me Putinin, mirëpo nga ajo kohë marrëdhëniet në mes të Uashingtonit dhe Moskës janë përkeqësuar për shkak të konfliktit në Siri dhe helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal në Britani.

Trump, urdhër ekzekutiv për të mbajtur të bashkuara familjet emigrante

Presidenti i SHBA Donald Trump thotë se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv mbi emigracionin për të trajtuar çështjen e ndarjes së familjeve emigrante në kufi.

“Ne duam të mbajmë së bashku familjet,” tha Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. “Do të nënshkruajmë së shpejti një urdhër ekzekutiv”, tha ai.

Komentet e tij erdhën pas njoftimeve se Sekretarja e tij e Sigurisë Kombëtare Kirstjen Nielsen kishte hartuar një akt ekzekutiv për t’u nënshkruar nga zoti Trump, që udhëzonte këtë departament për t’i mbajtur familjet së bashku në paraburgim pasi të ishin ndaluar gjatë kalimit të kufirit.

Administrata Trump është vënë nën kritika të ashpra lidhur me politikën e saj për ndarjen e familjeve emigrante kur kalojnë ilegalisht kufirin jugor të SHBA.

Ndërkohë Presidenti amerikan Donald Trump iu rikthye të mërkurën sulmeve të tij ndaj medias dhe opozitën demokrate për mënyrën se si ata po e përshkruajnë politikën e administratës së tij për të ndarë familjet e imigrantëve kur ata kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin jugor amerikan.

Zoti Trump thotë se mediat kryesore amerikane “nuk po përmendin sigurinë e vendit kur flasin për imigracionin e paligjshëm”. Sipas tij “ligjet amerikane të emigracionit janë më të dobtat dhe më të këqijat se kudo në botë” dhe se demokratët “nuk do të bënin asgjë për t’i ndryshuar”.

Është faji i demokratëve, ata nuk po na japin votat e nevojshme për të miratuar legjislacionin e duhur për emigracionin“, shkruante zoti Trump duke injoruar faktin që republikanët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit. “Ata duan kufij të hapur, që ushqejnë krime të tmerrshme, republikanët duan sigurinë. Por unë po përpiqem të bëj diçka” ”, shkruante zoti Trump.

SHBA tërhiqen nga Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën të martën nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, duke e akuzuar atë për “subjektivizëm kronik ndaj Izraelit”, një hap që aktivistët paralajmërojnë se do ta bëjë edhe më të vështirë përparimin e të drejtave të njeriut në nivel global.

Duke qëndruar përkrah sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, kritikoi Rusinë, Kinën, Kubën dhe Egjiptin për pengimin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për reformimin e këshillit. Ajo gjithashtu kritikoi vendet që ndajnë vlerat amerikane dhe e inkurajuan Washingtonin të qëndrojë, por “nuk ishin të gatshëm të sfidojnë seriozisht status quo-në”.

Administrata e presidentit Donald Trump kishte kërcënuar prej një kohë të gjatë se do të largohej nga këshilli prej 47 anëtarësh me seli ne Gjenevë, nëse ai nuk riorganizohet.

“Shikoni anëtarësinë e këshillit dhe shihni një mosrespektim të tmerrshëm për të drejtat më themelore”, tha ambasadorja Haley, duke vënë theksin tek Venezuela, Kina, Kuba dhe Republika Demokratike e Kongos.

Nikki Haley tha gjithashtu se “përqendrimi i pabarabartë dhe armiqësia e pafundme ndaj Izraelit, është një provë e qartë se këshilli është i motivuar nga paragjykimet politike e jo nga të drejtat e njeriut”.

Sekretari Pompeo, tha se nuk kishte dyshim se këshilli dikur kishte një “vizion fisnik”.

Por “sot duhet të jemi të sinqertë. Këshilli i të Drejtave të Njeriut është një mbrojtës i dobët i të drejtave të njeriut”, tha ai.

Tërheqja e Uashingtonit është refuzimi i fundit i një angazhimi shumëpalësh, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe marrëveshja bërthamore me Iranin.

Ajo pasoi edhe kritikat e shtuara ndaj Shteteve të Bashkuara për ndarjen e fëmijëve nga prindërit emigrantë në kufirin me Meksikon. Komisionari i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al-Hussein, i bëri thirrje të hënën Washingtonit t’i jap fund politikës së “paskrupullt”.

Grupet për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar administratën e presidentit Trump që nuk i ka bërë të drejtat e njeriut përparësi të politikës së jashtme

Ambasadorja Haley tha se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Këshilli, “nuk është tërheqje nga përkushtimi ynë ndaj të drejtave të njeriut”.

Dymbëdhjetë grupe të të drejtave të njeriut dhe të ndihmës, përfshirë edhe organizatat, Save the Children dhe CARE, i shkruan sekretarit Pompeo duke paralajmëruar se tërheqja “do ta bëjë më të vështirë përparimin e të drejtave të njeriut dhe ndihmën për viktimat e abuzimeve gjithandej nëpër botë”.

Grupi hebraik i të drejtave të njeriut, qendra Simon Wiesenthal, mirëpriti tërheqjen amerikane dhe u bëri thirrje vendeve të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë.

Këshilli mblidhet tri herë në vit për të shqyrtuar shkeljet e të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Ai ka mandatuar hetues të pavarur për të shqyrtuar situatën në Siri, Korenë e Veriut, Mianmar dhe Sudanin Jugor. Rezolutat e tij nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por kanë peshë morale.

Kur Këshilli u krijua në vitin 2006, administrata e presidentit amerikan, Xhorxh W. Bush, e shmangu atë.

Gjatë mandatit të presidentit Barack Obama, Shtetet e Bashkuara u zgjodhën dy herë radhazi nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Në vitin 2016, pas një vit pushimi, Washingtoni u rizgjodh për mandatin e tij të tretë.

Nikki Haley tha një vit më parë se Uashingtoni po rishikon anëtarësinë e tij dhe bëri thirrje për reforma dhe eliminimin e një “subjektivizmi kronik ndaj Izraelit”. Trupi ka një pikë të përhershme të rendit të ditës mbi shkeljet e dyshuara të kryera nga Izraeli në territoret e okupuara palestineze gjë të cilën Washingtoni donte që të hiqej.

Muajin e kaluar këshilli votoi për të hetuar vrasjet në Gaza dhe e akuzoi Izraelin për përdorimin e forcës së tepruar. Shtetet e Bashkuara dhe Australia ishin të vetmet që votuan kundër.

Strategjia e Presidentit Trump për zgjedhjet e Kongresit në nëntor

Presidenti Donald Trump pritet ta vërë theksin tek forcimi i ekonomisë dhe përpjekjet diplomatike me Korenë e Veriut, gjatë fushatës për të mbështetur republikanët në zgjedhjet e kongresit të këtij viti, ku përcaktohet fati i kontrolli të senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve. Aktualisht ky kontroll është në duart e republikanëve dhe demokratët e opozitës pritet të fitojnë terren duka ia ndërlikuar atij shpresat për rizgjedhje në vitin 2020.

Donald Trumpi shpreson që imazhet e përpjekjeve të tij diplomatike me Korenë e Veriut, do t’i ndihmojnë republikanët që të ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

“Por Kina ka bërë një punë të mrekullueshme. Po ashtu edhe President Xi dhe Presidenti Moon. Të gjithë po bashkëpunojmë falë meje”.

Por ditët e fundit, vëmendja është zhvendosur tek kufiri jugor i Shteteve të Bashkuara dhe protestat kundër politikës për “tolerancë zero” së administratës ndaj imigracionit të paligjshëm, që përfshin ndarjen e fëmijëve nga prindërit.

Demokratët si kongresmeni Jerrod Nadler, po ngrenë zërin.

“Këto janë gabimet e një administrate që flet në emrin tonë, por së cilës i mungon një kompas moral”.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen po e mbron këtë qëndrim.

“Ne duhet të bëjmë punën tonë. Nuk do të kërkojmë ndjesë se po bëjmë punën tonë.”

Zoti Trump është ndoshta në qendër të fushatës për zgjedhjet e kongresit këtë vit dhe kandidatë republikanë si Katie Arrington në Karolinën e Jugut, e mbështesin atë pa rezerva.

Kandidate republikane

“Ne jemi partia e Presidentit Donald Trump.”

Por disa republikanë paralajmërojnë kundër kultit të individit të Presidentit, përfshirë senatorin që po del në pension, Bob Corker.

“Nuk është e shëndetshme për asnjë parti që të përfundojë me një situate kulti individi përsa i takon presidentit”.

Mbështetja e ulët në sondazhe për presidentin Trump, është rritur së fundmi por pozita e tij vazhdon të jetë politikisht e luhatshme. Ndërsa afrohen zgjedhjet e Kongresit, thotë eksperti i sondazheve, Frank Newport.

“Shifrat për mbështetjen e zotit Trump nuk janë pozitive. Çdo president do që të ketë mbi 50 për qind miratim dhe për zotin Trump është 42, 43 për qind. Megjithatë këto shifra nuk janë shumë të ndryshme nga ato të disa presidentëve, një vit pas pas marrjes së detyrës”.

Presidentët Ronald Reagan, Bill Clinton dhe Barack Obama përsuan humbje në zgjedhjet e mesit të mandatit në mandatin e tyre të parë, një prirje që mund të vazhdojë edhe për zotit Trump, thotë analisti Bill Galston.

“Duket se demokratët janë më entuziastë për zgjedhjet e këtij viti sesa republikanët. Gjithashtu historikisht, partia e Presidentit humb terren në zgjedhjet që mbahen dy vjet pas zgjedhjes”.

Zoti Trump pritet t’i përqendrojë përpjekjet për të rritur mirëqenien në vend dhe paqen në arenën ndërkombëtare, ndërsa përpiqet të ndihmojë republikanët dhe veten në nëntor.

Senati amerikan miraton ndalimin e shitjes së avionëve luftarakë në Turqi

Avion luftarak F-35

Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi një projektligj që do të bllokojë shitjen e avionëve luftarakë amerikanë F-35 në Turqi, nëse kjo e fundit nuk heq dorë nga një marrëveshje për blerjen e sistemeve të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia.

Legjislacioni po ashtu përmban një dispozitë që bllokon marrëveshjen e presidentit Donald Trump me Kinën, për t’i mundësuar gjigantit të telekomunikimeve ZTE të mbetet në biznes, pavarësisht shkeljes së sanksioneve amerikane kundër Iranit dhe Koresë së Veriut.

Dy dispozitat që prekin Turqinë dhe ZTE-në janë pjesë e një Akti masiv të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili autorizon mbi 700 miliardë dollarë në shpenzimet për programet ushtarake dhe armët.

Projektligji duhet të nënshkruhet nga presidenti Trump.

Zyrtarët e NATO-s e kanë paralajmëruar vazhdimisht Turqinë se sistemet ruse S-400 nuk janë në përputhje me mbrojtjen e NATO-s, por Turqia i ka hedhur poshtë këto shqetësime.

Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për reformën e emigracionit

Ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve përgatitet për të votuar këtë javë në lidhje me reformën në ligjin e emigracionit, administrata e Presidentit Trump i doli në mbrojtje ndarjes së fëmijëve imigrantë pa dokumente nga prindërit e tyre.

Dikur një praktikë e rrallë, tani punonjësit e rendit ndajnë rregullisht familjet që kërkojnë azil apo përpiqen të futen në Shtetet e Bashkuara në rrugë të paligjshme. Afërsisht 2 mijë fëmijë janë ndarë nga familjet e tyre gjatë një periudhe gjashtë javore deri në fund të majit, thanë zyrtarë të administratës javën e kaluar.

Pamjet e publikuara nga qeveria amerikane tregojnë kushte humane në një vend strehim për fëmijët. Por zemërimi po rritet lidhur me politikën e “tolerancës zero” të administratës për kalimet e paligjshme në kufi.

Komisioneri i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad Al Hussein, tha të hënën se pengesa e prindërve duke shkaktuar abuzim ndaj fëmijëve është e “padrejtë”.

“Zoti President, njerëzit nuk humbasin të drejtat e njeriut duke kaluar kufirin pa viza”, tha zoti Zeid.

Mbrojtja e Politikës

Presidenti Trump vazhdon ta shohë debatin për emigracionin përmes lentes së sigurisë publike, duke përmendur shpesh anëtarë të një bande kriminale nga Amerika Qendrore, ndërsa kërkon politika më të rrepta.

Presidenti po ashtu ka fajësuar vazhdimisht demokratët për të ndarjet e familjeve, duke pretenduar në mënyrë të gabuar se ata janë përgjegjës për situatën. Administrata aktuale po zbaton politikën e arrestimit të të gjithë imigrantëve që kalojnë kufirin në rrugë të paligjshme, përfshi ata që kërkojnë azil, dhe meqenëse fëmijët nuk mund të dërgohen në të njëjtat qendra ndalimi, ata po ndahen nga prindërit e tyre.

“Demokratët duhet të bashkëpunojnë me homologët e tyre republikanë për të zgjidhur disa çëshjte së sigurisë kufitare. Mos prisni deri pas përfundimit të zgjedhjeve, sepse ju do humbisni”, tha zoti Trump mbrëmjen e së dielës përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Republikanët e zotit Trump kanë shumicën në të dy dhomat e Kongresit. Presidenti ka në plan të takohet të martën me shumicën republikane të Dhomës së Përfaqësuesve për të diskutuar dy projektligje të propozuara nga ata për reformën e imigracionit.

Që të dy propozimet do të siguronin status ligjor për qindra mijëra imigrantë pa dokumente të sjellë në Shtetet e Bashkuara si fëmijë. Propozimet po ashtu do të bënin ndryshime gjithëpërfshirëse në ligjet aktuale të imigracionit të ligjshëm si dhe do të shtonin sigurinë kufitare. Nuk është e qartë nëse propozimet do të marrin vota të mjaftueshme.

Ekspertë të imigracionit dhe specialistë ligjorë thonë se administrata Trump po i interpreton ligjet aktuale si asnjë administratë tjetër. Demokratët e kanë dënuar si politikën ashtu edhe logjikën e administratës për të zbatuar atë politikë.

“Në botë dihet se njerëzit mund të kërkojnë azil, përveç me sa duket në Shtetet e Bashkuara”, u shpreh Nancy Pelosi, udhëheqëse e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve.

Protesta në Teksas

Gjatë fundjavës u zhvilluan disa protesta në mbarë vendin ndërsa ligjvënës, udhëheqës fetarë dhe shtetas amerikanë kritikuan politikën për ndarjen e familjeve.

Ligjvënësi demokrat nga shteti i Teksasit, Beto O’Rurke udhëhoqi qindra njerëz në një marshim të dielën në Tornillo të Teksasit, vend ku qeveria po mban disa prej fëmijëve të ndarë nga familjet e tyre. Qëllimi i marshimit, tha ai, ishte të “ndihmonte vendin të ndërmerrte vendimin e duhur, dhe pjesë e saj është njohja e situatës”.

Zotit O’Rurke, i cili po sfidon senatorin republikan Ted Cruz, iu bashkua edhe kongresmeni Joe Kennedy i Masaçusets, po ashtu demokrat. Udhëheqësi fetar Franklin Graham, një mbështetës i zëshëm i Presidentit Trump, po ashtu foli kundër politikës së ndarjes së familjeve.

Zonja e Parë, Melania Trump publikoi një dekleratë që duket se kundërshton politikën e bashkëshortit të saj.

“Zonja Trump urren të shohë fëmijët që ndahen nga familjet e tyre dhe shpreson që të dy palët të bashkëpunojnë që të arrijnë një reformë të suksesshme imigracioni. Ajo beson se ne duhet të jemi një vend që zbaton të gjitha ligjet, por edhe një vend që qeverisë me zemër”,thuhet në dekleratën e publikuar të dielën nga zyra e saj.

Ish zonja e parë, Laura Bush shkroi në gazetën “Washington Post” se politika ishte mizore dhe imorale.

“Qeveria jonë nuk duhet të merret me futjen e fëmijëve në dyqane të konvertuara si qendra strehimi apo hartimin e planeve për t’i vendosur ata në tenda në një shkretëtirë pranë qytetit El Paso. Këto imazhe të kujtojnë kampet japoneze të Luftës së Dytë Botërore, që tani konsiderohen si një prej episodeve më të turpshme në historinë e Amerikës”, thuhet mes të tjerash në artikullin opinionist të zonjës Bush në gazetën Washington Post.

Melania Trump shpreh shqetësim për politikën e emigrimit në SHBA

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara Melania Trump dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, foto nga arkivi.

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump ka shprehur shqetësimin e saj për politikën e emigrimit që ndan familjet që ilegalisht hyjnë në SHBA.

Zëdhënësja e saj ka thënë se zonja Trump “urren kur sheh fëmijë të ndarë nga familjet e tyre” dhe dëshiron të shohë “reforma të suksesshme të emigrimit”.

Komentet e saj kanë ardhur pas rritjes së pakënaqësive për politikën “zero-tolerancë” për emigrimin të presidentit amerikan, Donald Trump.

Për këtë çështje ka folur edhe ish-Zonja e Parë amerikane, Laura Bush, duke e cilësuar politikën në fjalë si të “pamoralshme”.

Në periudhën e fundit gjashtë-javore është raportuar për rreth 2,000 ndarje të familjeve për shkak të kalimit ilegal të kufirit.

Të rriturit që tentojnë të kalojnë kufirin, shumica prej të cilëve planifikojnë të kërkojnë azil, janë duke u përballur me vepra penale për hyrje ilegale në shtet.

Si rezultat i kësaj gjendje, qindra fëmijë janë duke u mbajtur në qendra të ndalimit, larg prindërve të tyre.

Kjo politikë është kritikuar edhe nga grupe për të drejtat e njeriut dhe është cilësuar e pashembullt.

Giuliani këshillon presidentin të mos japë falje presidenciale

Një nga avokatët e Presidentit Trump tha të dielën se e ka këshilluar të mos falë asnjë individ të lidhur me hetimet mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale 2016, pasi do të krijonte përshtypjen se ka pasur shkelje.

Rudy Giuliani, ish-kryebashkiak i Nju Jorkut dhe një ndër avokatët e Presidentit Trump, tha në një intervistë për rrjetin CNN se nuk do të falet ndonjë individ që ka qenë nën hetimet e Prokurorit Mueller. Por ai shtoi se gjatë muajve të ardhshëm, nuk përjashtohet mundësia e faljeve presidenciale, nëse zoti Trump arrin në përfundimin se një person është trajtuar në mënyrë të padrejtë.

Gjatë javëve të fundit Presidenti Trump ka falur disa figura të njohura konservatore, por Rudy Giuliani tha se askush që po hetohet nga Mueller nuk duhet të varë shpresat tek falja presidenciale.

Por zoti Giuliani shtoi se është në dorë të presidentit, pasi ai gëzon autoritetin për të falur.

Ish-drejtuesi i fushatës presidenciale të Donald Trump, Paul Manafort u arrestua javën e kaluar, duke zgjuar pyetje nëse Presidenti Trump do ta falë ish-bashkëpunëtorin e tij. Manafort u akuzua se është përpjekur të pengojë drejtësinë duke u bërë presion dëshmitarëve. Presienti e kritikoi arrestimin e Manafortit duke e quajtur një veprim të padrejtë. https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1007679422865006593

Nuk ka shenja se hetimet e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller po i afrohen fundit.

SHBA: Rreth 2 000 të mitur ndahen nga prindërit

Rreth 2 000 të mitur janë ndarë nga familjet e tyre në kufirin me Shtetet e Bashkuara, gjatë një periudhe gjashtë javore, sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Të dhënat tregojnë se 1 995 minorenë janë ndarë nga 1 940 të rritur nga 19 prilli deri m2 31 maj të këtij viti.

Ndarjet u bënë për arsye të ndryshme si, hyrje ilegale, thyerje të rregullave të emigrimit, si dhe krime të mundshme. Nën masa zero tolerante, ky vendim i marrë nga Prokurori i përgjithshëm, Jeff Sessions, ka bërë që zyrtarët e sigurisë shtetërore t’i shqyrtojnë hyrjet ilegale si hetime për krime.

Protokolli i SHBA-ve nuk lejon ndalimin e fëmijeve me prindërit e tyre sepse fëmijët nuk akuzohen për krim ndërsa prindërit e tyre po.

Derisa beteja në Kongres lidhur me këtë vendim po vazhdon, ky vendim ka hyrë në fuqi nga maji i këtij viti.

DASH, paralajmërim për shtetasit amerikanë në Rusi

Departamenti i Shtetit ka nxjerrë paralajmërim për shtetasit amerikanë që të shmangin planet për turizëm në Rusi, pasi mund të bëhen objekt “terrorizmi ose ngacmimesh”.

Udhëzimi doli sot, ndërkohë që në Rusi po zhvillohet Kampionati Botëror i Futbollit me ndeshje në 11 qytete të ndryshme të vendit.

Paralajmërimi i Departamentit të Shtetit thotë se aktivitete të mëdha ndërkombëtare si Botërori “përbëjnë një objektiv me interes për terroristët” dhe se “sulmet mund të ndodhin papritur në objekte me interes për turistët, në mjete të transportit urban ose në vende publike”.

Po sipas udhëzimit “shtetasit amerikanë bëhen shpesh viktima frikësimesh, keqtrajtimesh dhe ngacmimesh të tjera nga forcat e rendit dhe zyrtarë të tjerë” dhe se shpesh herë “personeli konsullor pengohet në përpjekjet për t’u ofruar ndihmë shtetasve”.

Po ashtu Departamenti i Shtetit thotë se Rusia ka reduktuar numrin e diplomatëve amerikanë në atë vend, duke kufizuar “aftësinë e misioneve diplomatike për t’u ofruar shërbime shtetasve amerikanë”.

Trump: Obama është fajtor pse Rusia ka aneksuar Krimenë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se “është i mundshëm” takimi i tij me presidentin rus, Vladimir Putin gjatë kësaj vere, derisa ka vazhduar të shtyjë përpara idenë që Moska t’i kthehet grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7).

Në një takim me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë më 15 qershor, Trump ka fajësuar paraaardhësin e tij në presidencë, Barack Obama, për lejimin e Rusisë që të aneksojë Krimenë nga Ukraina.

Rusia është përjashtuar më 2014 nga ajo që atëherë ishte quajtur G8, për shkak të vendimit të Moskës për aneksuar Krimenë dhe për mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës.

Para nisjes së samtit të G7-ës në Kanada, këtë muaj, Trump ka shokuar aleatët e tij kur ka thënë se kombet anëtare “duhet të lejojnë kthimin e Rusisë” në grupin elitar.

Trump u ka thënë gazetarëve se Obama është fajtor që ka lejuar Rusinë ta pushtojë Krimenë.

“Putin nuk ka respektuar presidentin Obama… presidenti Obama ka humbur Krimenë, vetëm ta dini”, është shprehur ai.

Deklaratat e Trumpit për ndonjë takim eventual me Putinin kanë ardhur pasi lideri rus ka thënë më 10 qershor se ai do të kishte dëshirë të takonte Trumpin kurdo që Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të mbajtur samitin.

Ka kohë që Trump kërkon të rregullojë marrëdhëniet me Moskën, ndonëse administrata e tij ka vazhduar politikën e Obamas për të shënjestruar Rusinë me sanksione.

Demokratë dhe disa republikanë në Kongresin amerikan i kanë bërë thirrje Trumpit të vazhdojë presionin ndaj Rusisë.

Ish-menaxheri i fushatës së Trumpit do të mbahet në paraburgim

Të premten një gjykatës federal urdhëroi që ish-drejtuesi i fushatës së zotit Trump, Paul Manaforti të mbahet në burg lidhur me akuzat për manipulim të dëshmitarëve, duke refuzuar lirimin e tij me kusht.

Zoti Manaforti u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave të reja për manipulim të dëshmitarëve, të ngritura nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller.

Por gjyqtari federal i distriktit Amy Berman Jackson, pranoi mocionin e zotit Mueller për të hedhur poshtë një garanci pasurore nga ana e zotit Paul Manaforti, duke e dërguar atë në burg, ku dhe do të presë zhvillimin e procesit gjyqsor në ngarkim të tij, që nis në muajin shtator.