1.
Më 1979 në Zagreb, një kroat me vetulla si të Mirosllav Kërlezhës më pyeti:
– Shqiptar je ti?
– Po! – i thashë.
Pas një heshtje, me historitë e shkruara e të pashkruara vazhdoi:
– Ju shqiptarët shpresoni gjatë. Durimin dhe pritjen i keni deri atëherë ku për çdo gjë bëhet vonë.
Shkurt e me një fjalë, edhe pse nuk desha të besoj, ky dialog nuk kishte si të kuptohej ndryshe.
Larg e larg kërkoj e nuk gjej realitet tjetër.
Nga inati më erdhi t’i them: jo! Por prapë nga inati as kroati me vetulla si të Mirosllav Kërlezhës e as unë nuk kishim kohë për të humbur. Aty ku s’ta pret mendja dhe ku i nisin gjërat mirë, me keqardhje mund të na ndodhë ta harrojmë realitetin e kohës.
Larg, përtej aftësive tona, kur nga zjarri dhe hiri rishfaqet, rimendohet koha e ilirëve dhe ëndrra e cila duke ecur edhe prapa na ndihmon për ta gjetur Trojën e për ta vazhduar rrugën.
Mos më keqkuptoni, të kaluarën e shqiptarëve nuk mund ta ndryshojmë. Edhe kur nuk e kuptoni, mos pyetni pse! Nuk di se ç’ndodhi me ne shqiptarët. Si mbetëm gjallë. Kush na sheh më thellë lexon një histori tjetër. Nga ligjet e pashkruara si u bëmë të njohur.
Fama na erdhi nga armët që vishemi me to. Nga armët që dalim në fotografi, të mburremi me to. Herë me emër e herë pa emër. Dhe nga stolitë e ëndrrave mashtruese, aty e atëherë kur nis të flet historia e “sojlinjve”…
2.
Për të shkuar larg e për t’u kthyer prapë te ne, legjenda thotë: Në një betejë detare, Servantesi i famshëm spanjoll u zu rob nga piratët e kapedan Arnaut Manit.
Për ta vuajtur dënimin me burg, piratët e kapidanit shqiptar Arnaut Manit e dërguan Servantesin për të vuajtur dënimin me burg në Dhomën e Heshtjes, në bodrumet e Kullës së Balshajve apo të një kullë tjetër afër saj…
Sa kohë ka qëndruar si i burgosur në Kalanë e Ulqinit, as legjenda, as historia s’kanë arritur ta dokumentojnë. Por flitet për një sekret që shkon edhe më thellë.
Nga dritarja e vogël, duke e parë një copë qiell, shikimi i Servantesit do të jetë takuar me shikimin e ulqinakes së bukur me bylyzyk ari te zogu i këmbës…
3.
Servantesi këtë ëndërr të fshehur e ka ruajtur për shikimin e vet afër dritares së ngjarjeve të paharruara edhe gjatë viteve të pleqërisë.
Për zotin e dobësive njerëzore, këtë kujtim të lavdishëm, si gravurë të shekullit XVI apo XVII ia tregoi protagonistit të personazhit të vet, Don Kishotit. Në atë gravurë shihet deti Adriatik, Kalaja e Ulqinit, Kulla e Balshajve, ku emri i Ulqinit si qytet quhet Dalcino.
Për fiksionin e Don Kishotit doli si Dulqinia, për ta pagëzuar gruan e zemrës pas së cilës i humbi mendja…
4.
Servantesi, krijuesi i Don Kishotit, në Kalanë e një mbretërie të largët çka paska parë. Çka paska gjetur te ulqinakja e bukur e porsa dalur nga deti?!… Me bylyzyk ari te zogu i këmbës, të cilën Servantesi nuk e kishte harruar as gjatë ditëve të pleqërisë…
Me stil e karakter ekspozues, më kanë bindur dhe nuk më kanë bindur aq sa duhet. Për ta zbuluar dhe dokumentuar rrjedhjen e identitetit edhe sot pas tre katërqind viteve flitet se Don Kishoti është personazh komik, por unë nga jomodestia ime po kërkoj pak kohë të lirë dhe po them: Don Kishoti nuk është personazh komik, as mashtrues, as intrigues por personazh kokë në vete me doza të një surrealizimi tragjik dhe komplet i çmendur pas ëndrrallave të veta.
Për një fotografi artistike në Kalanë e Ulqinit, te Kulla e Balshajve, ku shumë histori kanë mbetur të pashkruara, për t’i ruajtur mitet, legjendat, natyra shpesh na ndihmon të shkojmë deri aty, atje ku ai që s’ka një ëndërr s’ka asgjë…
5.
Për të mos thënë legjendë, Servantesi ka thënë se Don Kishoti problematik e kishte një kokëfortësi me një dërrasë të çmendurisë.
Para e pas çdo lufte që bënte na i drogonte ëndrrat dhe na fuste në sherr…
Me historitë e pafajshme të viktimës i fillonte dhe i mbyllte ëndrrat e çdo dite.
Për humbjen e çdo lufte kurrë nuk është penduar. Për të ato kanë qenë luftëra origjinale e me ligje të pashkruara… Shpesh i ndodhte që luftën ta përsëriste kur mendonte se e drejta e saj është në pikëpyetje.
Për ta bërë namin, edhe kur ishte i sëmurë çohej dhe shkonte për ta mbrojtur besueshmërinë e vet…
6.
Don Kishoti, që s’është tamam, nga pamja, nga sjellja, e nga luftërat imagjinare që i bënte ka qenë, të themi, jashtë kohe. Por edhe pse veten e kishte shpallur kalorës për përralla, besnikëri e iluzione, si trim zgjodhi idenë që zonjën e zemrës ta pagëzonte me emrin Dulqinia e Tobozës, emrin e së cilës Servantesi ia kishte mbjellur në kokë. Bashkë me kohën që i përgjigjet lavdisë së piratëve të kapedanit shqiptar Arnaut Mani i atyre ditëve, kur Servantesi nga dritarja e vogël e burgut e kishte parë ulqinaken e bukur me bylyzyk ari te zogu i këmbës.
Kur deti, malet, fushat dhe hëna mbi Kalanë e Ulqinit e në Plazhin e Vogël, e në det e tokë këndohej kënga:
“O ti det o ujë i njelmët
Ti gjithmonë u gjete plot
Sa vaporret, sa gjemije
Mbi ty shkojnë e bajnë zullum.
Ti ke hyqëm me i përbi,
Por je i gjanë e duron shumë.”
7.
Meqenëse jeta vazhdon, me maskën e vet mijëvjeçare, me qëllime të mira e kuptime të çmendura, prapë po kthehem te të dy personazhet e lavdishme të krijuara të Servantesit.
Tipat janë njëri i thatë e me këmbë të gjata, i gjatë e i gdhendur si me sopatë. Tjetri i shkurtër e i trashë e me zemër të një budallai besnik. Me apo pa vetëdije, atëherë kur në mejdan s’ka asgjë mistike, Don Kishoti nga fanitja shpesh nuk e dëgjonte as vetveten. Hijet e lisave i dukeshin si armiq.
Ndoshta ka qenë tepër trim për të bërë aq shumë marrëzira si ato që i bëri tre-katër shekuj më vonë Enver Hoxha me sejmenët e vet.
Gjatë ecjes, si nëpër teh të shpatës, populli s’kishte se kujt t’i ankohej.
Ne shqiptarëve, për të shpëtuar nga vetvetja, prapë na duhet të kërkojmë një armik. Hapur. Thjesht. Jo armik, por mik që na nxjerr nga magjia e na bën të qeshemi me vetveten dhe nga dëshpërimi në një gjuhë tjetër të idolit të Enver Hoxhës ta përqeshim fatin kur nuk e kuptojmë…
8.
Më 1995, me një ëndërr të re, gjatë verës në galerinë Kulla e Balshajve në Ulqin e hapa një ekspozitë.
Ajo natë me hënë mediterani na shoqëroi deri pasmesnatës.
Për ta mbushur kohën e për t’i rimenduar e rikrijuar ngjarjet e jetës, të ilirëve të Ulqinit, me Shkodrën, Rozafatin dhe të Ulqinit, kohanik me Dyrrahun të kohës së Cezarit e të Krishtit dhe para Krishtit e të kohës së Durrësit të vijave të bardha horizontale dhe të vijave të zeza vertikale e të romanit “Atdheu im Torzo” të shkruar e të vizatuar më 1997, për të shpëtuar nga “Filozofia e parashikimeve” kur nuk kemi dëshirë të hyjmë shumë thellë në disa të vërteta.
9.
Pasi i kujtuam, i rikujtuam dhe i harruam perandoritë që na shtrembëruan samarin dhe drejtpeshimin, prapë dola te Plazhi i Vogël në Ulqin.
Te valët e detit ku me vite e vite, në mbrëmje çikat e fejuara, nuset e reja e prindërit pritnin njerëzit e detit dhe fëmijët e vegjël baballarët e tyre të ktheheshin nga deti.
Dëgjohet kënga për detin, kënga për kapedanin e ri, kur deti na bën t’i kuptojmë largësitë.
Ashtu si ishim e sa ishim shkuam në restorantin “Amfora”. Pronari i restorantit na priti mirë.
Me parandjenjën e zhvilluar të peshkatarit, të detarit e të pronarit të restorantit, me pamje kah deti, pak para se ta mbyllim muhabetin, nuk e di se kush i tha, por mua pronari i restorantit ma solli Librin e Përshtypjeve dhe miqësisht më luti ta firmosi e të shkruaj diçka për Ulqinin.
Unë, duke e kërkuar vetveten, si në psqyrën e gjakut i pashë të gjitha historitë…
Si mbetën gjallë shqiptarët? Si u bënë të famshëm?
Dhe krejt në fund duke kërkuar vetveten në Librin e Përshtypjeve të restaurantit “Amfora” nuk e di si më erdhi e pse më erdhi të shkuaj: “Një violinë e kaloi detin Adriatik. Unë përfaqësuesi i së kaluarës u ndala në Ulqin më 1995 te Kulla e Balshajve, e vizatova një Skënderbeg në kalë. Historia ma futi në gjak”.
Janar, 2016
Komentet