VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Shtypi në Serb kundër Presidentit Nikoliç: Shkoni vetë në luftë ne na lini rehat

By | January 17, 2017

Komentet

Dhoma e Përfaqësuesve miraton rezolutë për ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi

Dhoma e Përfaqësuesve, miratoi të martën një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vërë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Eliot Engel, tha se kjo çështje ishte e rëndësishme për të, duke pasur parasysh lidhjet me komunitetin shqiptar dhe se ai e njeh personalisht familjen e vëllezërve Bytyçi. Zoti Engel tha se ai e di që autoritetet serbe e dinë se kush janë personat përgjegjës.

“Nëse Serbia do që të bashkohet me perëndimin, ajo duhet të përballet me të shkuarën dhe pranojë përgjegjësinë”, tha ai.

Ligjvënësi nga Nju Jorku, Lee Zeldin tha se kjo çështje është ngritur vazhdimisht me autoritetet serbe.

“Dua t’i them Serbisë se ky është një mësim i rëndësishëm, se pas 20 vjetësh ne (Shtetet e Bashkuara) nuk kemi harruar dhe nuk do të harrojmë kurrë. Ne do të këmbëngulim që drejtësia të vihet në vend”.

Menjëherë pas miratimit, reagoi vëllai i Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit, Ilir Bytyçi, duke shprehur vlerësimin e familjes së tij për rezolutën:

“Shpresojmë që i Dërguari i Posaçëm, Matt Palmer dhe i Dërguari i Posaçëm Rich Grenell t’i dëgjojnë këto zëra dhe ta bëjnë përparësi çështjen e vëllezërve Bytyçi dhe drejtësinë për krimet e luftës në punën e tyre. Sot Kongresi tregoi se viktimat nuk mund të injorohen”.

Rezoluta ishte miratuar në korrik të këtij viti nga Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve, vetëm pak ditë pas përvjetorit të vrasjes së vëllezërve Bytyçi. Ajo ishte hartuar nga ligjvënësit Eliot Engel dhe Lee Zeldin.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Trupat tyre u gjetën në në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.

Në Rezolutën e miratuar të martën thuhet se “Shtetet e Bashkuara duhet t’u kushtojnë vëmendje përpjekjeve të qeverisë së Serbisë dhe ministrave të saj përkatës, si dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët po ndërmarrin hapa për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat që besohet se janë përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e vullnetit, duhet të jenë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”, thuhet mesa tjerash në dokument.

Rezoluta u referohet fakteve rreth vrasjes bashkë me përfshirjen e zëvendës ministrit të brendshëm të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviç dhe Goran Radosavleviçit. Ajo përfshinë edhe premtimet e papërmbushura të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për ndriçimin e vrasjeve.

Që nga viti 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes. zëri i amerikës

Intervista – Osmani: SHBA nuk do të kërkojë ndryshimin e kufirit (video)

Arton Konushevci

Vjosa Osmani e cila ishte kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministres, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë shprehet optimiste se koalicioni i ardhshëm qeverisës me Vetëvendosjen do të formohet pas certifikimit të rezultatit zgjedhor. Ajo po ashtu flet për dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale, për cilën thotë se nuk duhet të arrihet pa bekimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë.


Radio Evropa e Lirë: Zonja Osmani, ku qëndron aktualisht procesi i bisedimeve midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm qeverisës?

Vjosa Osmani: Siç e dini, të dy partitë kanë shprehur vullnet të mirë që të negociojnë për një koalicion qeverisës. Tani ne përkundër faktit që e presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve për të arritur një marrëveshje finale, natyrisht që puna apo kontaktet ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk janë ndërprerë në asnjë moment. Përveç takimeve formale kemi edhe kontaktet joformale pothuajse në baza ditore, kurse takimet ndërmjet grupeve punuese të cilat po tentojnë harmonizimin e programit po mbahen vazhdimisht dhe takimi i radhës është nesër, pra të mërkurën, ku do të diskutohet edhe më tej për fuzionimin e ministrive, për mënyrën se si mund të funksionojnë ato, por edhe për disa çështje të tjera programore që do të jenë sfidat e para me të cilat do të ballafaqohen të dy partitë.

Një nga temat e radhës, për të cilën duhet të kemi një harmonizim 100 për qind është fusha e politikës së jashtme dhe besoj që pas këtij takimi të mërkurën, ne do të dakordohemi me Vetëvendosjen për një takim të radhës ku edhe do të diskutojmë, siç e thash, për këtë fushë ku kryesisht fokusi do të jetë te dialogu Kosovë-Serbi.

Por, kryesisht këto ditë po flasim për ekonominë për çështjet sociale, pra ka tema të shumta për të cilat është më rendësi ta gjejmë pajtimin tani në këtë fazë që po i presim rezultatet finale, në mënyrë që pastaj mos të humbim shumë kohë pas certifikimit të rezultateve dhe të arrijmë një marrëveshje politike lidhur me bashkëqeverisjen, gjithnjë duke marrë parasysh këtë vullnet të mirë që e kanë treguar të dyja partitë.

Radio Evropa e Lirë: A ka dallime të mëdha mes dy partive që mund të pengojnë tutje arritjen e një marrëveshjeje?

Vjosa Osmani: Nuk e besoj. Dallime natyrisht që ka sepse po flasim për dy parti të ndryshme që jo vetëm që kanë ideologji të ndryshme politike, por edhe programet tona dallojnë në disa fusha, sidomos te fusha e ekonomisë, te çështjet sociale. Deri diku kemi dallim edhe te politika e jashtme, mirëpo këto çështje patjetër që ne duhet t’i harmonizojmë.

Tani unë besoj se është në interes të Kosovës që të formojmë një qeveri të ndryshimit të madh, një qeveri e cila do t’i japë fokus luftës së krimit dhe korrupsionit dhe të merremi me nevojat më imediate të qytetarëve tanë duke u fokusuar në investime shumë më të mëdha në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë dhe mbi të gjitha të punësimit, e sidomos te punësimi i të rinjve.

Kjo nuk do të thotë që të lihet anash edhe politika e jashtme apo procesi i dialogut me Serbinë, por unë jam shumë optimiste se të gjitha këto, madje brenda një afati të shkurtër, do të arrijmë pajtim dhe do të kemi një qeveri në një afat më të shkurtër sesa që ka ndodhur në të kaluarën sepse për dallim nga e kaluara, kur sidomos kjo qeveria e fundit, ku kryesisht diskutimet në mes të partive kanë qenë pazare politike, fokusi ynë tani është te programi qeverisës në mënyrë që të kemi një qeveri që vërtetë ndryshon jetën e qytetarëve për të mirë. Prandaj edhe siç e thash, besoj që …natyrisht dallimet ekzistojnë, por nuk besoj që janë aq të mëdha sa do të mund ta pengoni një koalicion të ardhshëm.

Radio Evropa e Lirë: Ku janë këto dallime të mëdha që ju i konsideroni?

Vjosa Osmani: E përmenda, janë kryesisht në program, janë në fushën e ekonomisë janë në deri diku te çështjet sociale dhe ka dallime edhe te mënyra se si ne e shohim politikën e jashtme. Megjithatë, ende nuk kemi hyrë në detaje për të parë se sa ka fleksibilitet edhe nga pala tjetër, për të gjetur zgjidhje të cilat funksionojnë dhe të cilat janë më të mira dhe më në interes të qytetarëve.

Radio Evropa e Lirë: Pra, siç thoni ju, parimet kryesore mbi të cilat do të mbështetet marrëveshja nuk kanë të bëjnë me pozitat udhëheqëse, por me programin?

Vjosa Osmani: Dhe nuk do të duhet të lidheshim shumë me pozitat udhëheqëse në qoftë se qëllimi ynë është vërtetë të kemi një qeveri të ndryshimit dhe një qeveri e cila më në fund e kthen investimin te kapitali njerëzor apo te njerëzit tanë, që janë potenciali më i madh i shtetit tonë. Prandaj edhe natyrisht që për pozitat do të vijë koha që do të diskutohen edhe ato dhe secila parti i ka prioritetet e veta, mirëpo assesi unë nuk përkrahi gjuhën kushtëzuese lidhur me pozitat të cilat vetëm mund të pengojnë apo mund të dëmtojnë një raport mirëbesimi, i cili tashmë është në ndërtim e sipër në mes të dy partive tona.

Osmani e pavendosur për pozitën e saj në koalicionin e ardhshëm qeverisës

Radio Evropa e Lirë: Gjatë fushatës, Vetëvendosje disa herë e kishte përmendur mundësinë që ju të jeni në pozitën e kryetares së Kuvendit. E preferoni këtë pozitë apo një post ministror në Qeveri?

Vjosa Osmani: Po, tani Lëvizja Vetëvendosje ka përmendur shumë pozita jo vetëm këtë në raport me mua, mirëpo besoj që e kemi sqaruar përfundimisht që ky është vendim që më takon mua dhe LDK-së si parti e cila më ka propozuar dhe më ka përkrahur unanimisht, por besoj që duhet ta shikojmë këtë proces përtej individualizimit dhe përtej asaj se kush ku është.

Unë jam e bindur që do të mund ta ndihmoj këtë qeveri pavarësisht se ku do të jem në mënyrë që të jemi të suksesshëm, në mënyrë që ta dëshmojmë para qytetarëve që ne si LDK kemi çfarë të ofrojmë dhe t’i kontribuojmë këtij ndryshimi të madh, se ku do të jetë Vjosa është çështje që do të diskutohet pak më vonë dhe besoj se nuk është çështje prioritare.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë ju e keni në mendje se ku mund të jepni kontributin tuaj më të madh?

Vjosa Osmani: Unë e kam në mendje, por nuk e kam një vendim përfundimtar sepse është çështje që duhet ta mendoj edhe pak.

Radio Evropa e Lirë: Apo mund të ndryshojë ky mendimi që ju keni aktualisht?

Vjosa Osmani: Siç e thash janë disa opsione, mirëpo nuk ka ndonjë vendim final sepse për mua është tejet me rendësi ta shoh në fillim nëse po arrijmë pajtim për programet tona. Nëse po arrijmë pajtim se ku dëshirojmë ta shohim Kosovën pas katër vjetësh të këtij mandati tonë të përbashkët. Nëse do të arrijmë pajtim aty, pastaj unë do ta shoh se cili është vendi ku mund ta ndihmoj një program të tillë që të realizohet më së lehti dhe më së miri. Pra, kudo që jam, qëllimi im do të jetë që premtimet që i kemi dhënë para qytetarëve, që temat që janë në interes nacional, të punoj që ato të realizohen. Kjo është besoj shumë më e rëndësishme sesa pozita specifike.

Serbia nuk mund të përfitojë nga Kosova, por nga BE-ja

Radio Evropa e Lirë: Sapo jeni kthyer nga një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duket se qeverinë e ardhshme e pret mbase faza finale e bisedimeve me Serbinë. A morët ndonjë mesazh gjatë kësaj vizite rreth vazhdimit të dialogut?

Vjosa Osmani: Natyrisht që jo vetëm gjatë kësaj vizite, por është deklarim publik i Shteteve të Bashkuara dhe i partnerëve tanë evropianë, që ata presin që qeveria e ardhshme shumë seriozisht t’i qaset procesit të dialogut dhe kjo të bëhet në një periudhë sa më të shpejt.

Natyrisht që është tejet me rëndësi për ne si njerëz që përfaqësojmë interesat e qytetarëve, që të sigurohemi që edhe ta japim maksimumin që Kosova të jetë palë konstruktive, palë që përfaqëson interesat e qytetarëve të Kosovës, por në të njëjtën kohë të nxjerrim një marrëveshje kualitative e cila i mbron këto interesa, i mbron premisat kryesore të shtetësisë sonë, nuk lejon assesi që në tavolinë të hapen tema siç është tema e kufijve apo tema e sovranitetit shtetëror, tema e rregullimit të brendshëm. Dhe, për një gjë të tillë ne natyrisht që të kemi një pajtim brenda koalicionit qeverisës, të shkojmë, siç e thash me një program 100 për qind të harmonizuar dhe pastaj të arrijmë një pajtim me shumicën në Parlament sepse është tejet me rëndësi që edhe opozita të jetë e përfshirë në këtë proces jetik për Kosovën.

Tani, Shtetet e Bashkuara janë vendi kyç që e kanë ndihmuar Kosovën që të ketë sukses në periudha të ndryshme të historisë së saj dhe secili prej nesh duhet ta kuptojmë që asnjë marrëveshje e mirë për Kosovën nuk do të mund të arrihet pa bekimin e Shteteve të Bashkuara dhe natyrisht edhe shteteve të fuqishme të Bashkimit Evropian siç është Gjermania. Prandaj, për mua dhe për LDK-në është tejet me rëndësi që qëndrimet tona të harmonizohen me këto shtete përkrahëse, këto lidhje apo këto miqësi siç i quajmë – mirëpo mbi të gjitha janë marrëdhënie bilaterale – për ne janë ekzistenciale si një shtet që akoma ballafaqohet me probleme tejet të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Prandaj, do të jetë detyrë tejet e rëndësishme që të rindërtojë urat, që fatkeqësisht janë dëmtuar gjatë qeverisjes së kaluar, që të rikrijojë një partneritet mirëbesimi me këto shtete dhe të harmonizojë qëndrimet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Për ne është esenciale që të kemi aleatë në këtë proces sepse nuk mund të kemi sukses pa aleatë. Ne mund t’ia bëjmë qejfin njëri-tjetrit këtu në Kosovë, mirëpo përfundimisht marrëveshja që do të arrihet në Bruksel duhet ta ketë edhe bekimin e miqve tanë shpëtimtarë. Prandaj edhe këto kontakte janë tejet me rëndësi që të informohemi se cilat janë pak a shumë idetë që i kanë Shtetet e Bashkuara lidhur me atë se si duhet të vazhdojë dialogu dhe ne tashmë edhe bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje ka kohë që i diskutojmë – edhe pse vetëm në terma kështu më të përgjithshëm – këto çështje dhe jam e bindur që të do të arrijmë një marrëveshje.

Tani, me rëndësi është që ne ta japim tërë përkushtimin tonë që dialogu të vazhdojë dhe ta dëshmojmë edhe njëherë para bashkësisë ndërkombëtare që Kosova gjithnjë ka qenë dhe mbetet pala që nuk e kushtëzon dialogun për dallim nga Serbia që jo vetëm që e kushtëzon, por edhe diku mbi 90 për qind të marrëveshjeve të nënshkruara nuk i zbaton në praktikë, duke treguar kështu që mbetet palë që e destabilizon rajonin dhe nuk e mban fjalën sa i përket fqinjësisë së mirë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, parimet e dialogut me Serbinë dhe përfaqësimi i Kosovës në negociata a do të jetë pjesë e marrëveshjes qeverisëse?

Vjosa Osmani: Unë besoj që këtu do ta kemi mjaft të lehtë që ta arrijmë një marrëveshje me Vetëvendosjen dhe jam shumë e lumtur që tani edhe shtetet që na përkrahin janë në pajtim të plotë që dhe natyrisht kurrë nuk ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara që tema e kufijve të jetë në tavolinë, por kësaj radhe është më e theksuar që kjo çështje assesi nuk do të kërkohet nga ana e Amerikës, nga ana e Gjermanisë jo se jo sepse edhe deri tani janë deklaruar shumë kundër ideve të tilla.

Pra, sa i përket parimeve themelore tashmë siç e dini dy vjet që kemi bashkëpunuar me Vetëvendosjen në parlament, kemi pasur një pajtim të plotë rreth asaj që cilat janë temat që assesi nuk mund të diskutohen në Bruksel. Çështja e dytë për të cilën kemi pasur pajtim dhe kemi akoma është që Kosova duhet të përfaqësohet nga ana e qeverisë në dialog. Kjo do të thotë që kryeministri i ardhshëm nuk mund të ikë nga obligimet që i ka për të përfaqësuar Kosovën në këtë proces, siç ka ndodhur me zotin (Ramush) Haradinaj.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni ju zgjidhjen apo marrëveshjen finale, që mund të nënshkruajë Kosova që të jetë e pranueshme dhe për Serbinë dhe anasjelltas. Çfarë duhet të përmbajë kjo marrëveshje?

Vjosa Osmani: Po, tani detyra jonë themelore si përfaqësues të Kosovës do të jetë që të shohim se si marrëveshja të jetë e pranueshme për Kosovën. Pra, nuk është punë e jona të mendojmë se si të jetë ajo marrëveshje e pranueshme për Serbinë. Ajo është detyrë e Serbisë në radhë të parë. Unë mendoj që duhet ta rikthejmë dialogun në binarët e tij fillestarë sepse kur pat filluar në vitin 2010 (v.j. 2011) qëllimi ka qenë që marrëveshjet të jenë të tilla që prekin jetën e qytetarëve, për të mirë natyrisht, marrëveshje praktike që eliminojnë barriera, që integrojnë qytetarët, por mbi të gjitha që përfitimi i të dyja palëve do të jetë integrimi në Bashkimin Evropian.

Pra, kur ne sot pyetemi se çka është ajo që përfiton Serbia nga ky proces, natyrisht që ne nuk mund ta shikojmë Kosovën si një shportë me pemë nga e cila duhet Serbia të marrë diçka. Natyrisht që nuk është territori i Kosovës apo rregullimi i brendshëm i Kosovës diçka nga e cila Serbia duhet të marrë.

Ajo çka Serbia do të përfitojë është ajo çka ka qenë plani që nga fillimi, pra integrimi në Bashkimin Evropian dhe nuk ka përfitim më të madh për Serbinë, për një shtet që ka shkaktuar të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, që ka shkaktuar qindra mijëra viktima në ish-Jugosllavi, që ende s’ka kërkuar falje dhe vazhdon politikën e mohimit të këtyre krimeve sesa të ecë drejt integrimit në Bashkimin Evropian edhe pse akoma e shkelë parimin themelor të Bashkimit Evropian që është fqinjësia e mirë.

Prandaj, edhe përgjigja jonë asnjëherë nuk duhet të jetë se çka përfiton Serbia prej Kosovës. Serbia mund të përfitojë diçka nga Bashkimi Evropian, por jo të marrë diçka nga Kosova që e shndërron atë në shtet komplet jofunksional ose në një Bosnje të dytë, e cila sot po e ka ulësen në Kombet e Bashkuara, por është komplet jofunksionale dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare e shohin si një model që nuk do të duhej të ndiqej kudo në botë, e lëre më në rajonin tonë.

Lushnjë : Nderohen luftëtarët e Ballit Kombëtar që u pushkatuan më 1943 (video)

Raimond Kola

Në varrezat e dëshmorëve në qytetin e Lushnjës u zhvillua të hënën ceremonia e nderimit të 67 luftëtarëve të Ballit Kombëtar. Ata u pushkatuan në tetor të vitit 1943 nga partizanët e Brigadës së Parë Sulmuese nën drejtimin e Mehmet Shehut dhe Dushan Mugoshës.

Të dhënat historike flasin se pushkatimi erdhi pas kapjes së luftëtarëve gjatë një përplasje me forcat nacional-clirimtare në fshatin Golem, në afërsi të Lushnjës. Gjatë ceremonisë u zbulua një pllakë memoriale që shënon emrat e të pushkatuarve dhe u vendosën kurora dhe lule në nderim të tyre. 67 luftëtarët e Ballit Kombetar janë shpallur “Martirë të Demokracisë” me një dekret të Presidentit të kohës Bujar Nishani.

Në fjalimet e tyre gjatë ceremonisë përfaqësues të spektrit të djathtë politik kërkuan rivlerësimin e historisë mbi këtë ngjarje. Ndërkohë përfaqësues nga Autoriteti i Dosjeve u kërkuan familjarëve që të interesoheshin për të tërhequr dokumente që do të hidhnin dritë jo vetëm për ngjarjen, por edhe për pasojat që pësuan familjarët e të pushkatuarve duke vuajtur burgjet e persekutimet e regjimit komunist.

Çfarë thotë policia shqiptare për aksidentin ku ishte përfshirë eskorta e Albin Kurtit?

Policia e Shqipërisë në një përgjigje për Gazetën Express kanë dhënë detaje për aksidentin e mbrëmshëm ku u përfshi eskorta e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.

Gent Mulla, zëdhënës i policisë në Shqipëri i ka thënë Express-it se nëm aksidentin e mbrëmshëm ku u përfshi eskorta e Kurtit ka pasur vetëm dëme materiale, derisa asnjë person nuk ka pranuar tretman mjekësor.

“Nuk ka pësuar aksident z.Albin Kurti, makina e eksortës është goditur me një makinë tjetër, ka vetëm dëme materiale dhe asnjë lloj problemi tjetër”, ka thënë Mullai.

Vetura me të cilën Kurti po shkonte në Shqipëri për të festuar fitoren e VV-së, u aksidentua derisa eskortës që e shoqëronte atë i preu rrugën një makinë që vinte nga rrugët dytësore, që ecte me shpejtësi të ulët.

Albin Kurtit i është ofruar edhe një autoambulancë, por është refuzuar pasi nuk kishte pësuar lëndime.

Kurti, shoferi dhe dy persona të tjerë në automjet nuk janë lënduar, por vetëm janë tronditur nga përplasja.

Më pas Albini ka vijuar rrugën me një automjet tjetër drejt Tiranës, ku në orën 19:00 kishte planifikuar një takim te Millenium. Kurti arriti atje disa minuta me vonesë, dhe rreth orës 21:30 takimi ka përfunduar. Më pas u largua drejt Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar dje përmes një shkrimi në Facebook edhe Arlind Manxhuka nga sekretariati për media i VV-së.

“Sonte makina e Kryetarit të Lëvizjes Albin Kurti u aksidentua në një ndeshje zinxhirore të lehtë në Shqipëri kur po shkonte për te festa e fitores në Tiranë. Gjithçka është në rregull dhe asnjë njeri nuk është i lënduar. Aktivitetet vazhduan sipas axhendës dhe nuk ka vend për asnjë shqetësim”, ka shkruar Manxhuka./GazetaExpress/

Mark Gjonaj thërret më 29 tetor 2019 protestë kundër dhunës seksuale dhe krimeve të tjera të pandëshkuara serbe të luftës

VOAL – Asambleisti shqiptar i Nju Jorkut Mark Gjonaj, thërret protestë kundër dhunës seksuale dhe krimeve të tjera të pandëshkuara serbe të luftës:

Të dashur miq,

Bashkohuni me ne për të protestuar kundër Krimeve të Përdhunimit dhe të Dhunës Seksuale Serbe gjatë luftës në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, të Martën, 29 Tetor, ora 11 e mëngjesit, para Konsullatës së Përgjithshme të Serbisë, 62 West 45th St, NYC 10036.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar! Ne duhet të mbështesim dhe të jemi zëri i atyre që nuk kanë zë. Ndani fletushkën, përhapni fjalën me miqtë, familjen dhe anëtarët e organizatës suaj. Ndani në mediat sociale me hashtagun #RallyforHERJustice (Mark Gjonaj)

Zaev propozon zgjedhje të parakohshme

Shkup
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev: Propozoj të organizohen zgjedhje të parakohshme sa më parë që të jetë e mundur.

Kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij në Qeveri sot tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ky propozim i tij vjen pasi që dje nuk u mor data për fillimin e negociatave me BE-në.

“Duke parë zhvillimet që ndodhën dhe pas konsultave që kam zhvilluar zgjidhja më e mirë dhe për të mos humbur kohë janë zgjedhjet e parakohshme”, theksoi Zaev.

Ai tha se me këtë propozim do të shkojë edhe në takimin e nesërm të liderëve të thirrur nga presidenti Pendarovski.

“Para dy dite Brukseli na bëri padrejtësi, ne kemi kryer të gjitha obligimet. Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Ky është një gabim historik i Evropës. Falënderojmë shumicën e liderëve të Evropës. Kjo është një vendim i Evropës dhe problemeve të tyre të brendshme. Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve. Ëndrra evropiane e Maqedonisë nuk do të shuhet. Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve”- tha mes tjerash Zaev.

“Duhet më shumë të vazhdojmë me reformat pasi që aspiratat tona për BE nuk janë vetëm për tu anëtarësuar ne duhet të sjellim Evropën tek qytetarët . Nëse jemi të mençur do të iu tregojmë të gjithëve se kështu të de-motivuar do të vazhdojmë me reformat. Sepse vetëm kështu qytetarët do të ndjejnë Evropën. Marrëveshja e Prespës gjithsesi se do të vazhdon me siguri që është bërë për Evropën por që kemi lëvërdi ekonomike, Marrëveshja duhet të vazhdoj të implementohet.

Në pyetjen për qëndrimin skeptik të Makronit për zgjerimin e BE-së, Zaev tha se nuk ka dilema dhe se vendi ynë do të bëhet anëtare një ditë dhe këtu s`ka dilema.

“Këtu do të bëhet si Evropë këtë duhet ta vazhdojmë. Delegacioni evropian qendrën këtu. Unë e kuptoj dilemat e Francës por 27 shtete ishin pro. Evropa është bërë me qëllime të jetë e fortë. Mbrëmë më janë lajmëruar gati se të gjithë liderët për të na inkurajuar”-tha mes tjerash Zaev.

Më 19 tetor 2003 Papa Gjon Pali II shpalli lumnimin e Nënë Terezës

Më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Shën Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e elterit.

Çasti kulmor ishte shqiptimi i FORMULES SE LUMTURIMIT nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme:

“Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet “E Lume” e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.

Sot pra, me 19 tetor, nuk është festa liturgjike kishtare e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj, sepse kjo ditë, me të drejtë, u shpall festa e të gjithë shqiptarëve, për të cilët Nënë Tereza tani ndërmjetëson nga qielli, ndërsa vijon të na kujtojë se: “Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë se Zoti na do e se ne duhet ta duam njëri-tjetrin, ashti Ai na do ne. Po ku e ka fillimin dashuria? Në familje. Si fillon? Duke iu lutur së bashku Zotit. Familja që lutet së bashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar do ta doni e respektoni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë e paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri. Shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: “Jini të shenjtë, ashtu si Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve”.

E duke shfletuar kujtesën tonë historike i dëgjojmë përsëri zërat e shqiptarëve të cilët, nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, shprehen emocionin e thellë të atij çasti kur, si rrallëherë, mbarë bota përsëriste me nderim të thellë emrin e kombit shqiptar, që kishte nxjerrë nga gjiri i vet atë që Papa Shën Gjon Pali II e përshkoi gjatë kremtimit të lumturimit të 19 tetorit të vitit 2003 si figurë simbolike të misionit të Kishës, duke shtrënguar, me njërën dorë, atë të një fëmije e, me tjetrën, Rruzaren Shenjte.
Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, lutjes- pati thënë Shën Gjon Pali II.

Në përfundim të këtij përkujtimi, ti bëjmë tonat fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumturimit të saj në Vatikan me 19 tetor 2003:“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj”. Le të vazhdojmë ta ndjekim shembullin e saj e të jemi mjete të dashurisë hyjnore.

Teksti vjen nga faqja e internetit http://sq.radiovaticana.va

Haradinaj: Vuçiç-Thaçi-Rama ishin ideatorët e planit për ndarjen e Kosovës, ja prapaskenat

Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se nga vendosja e taksës ndaj Serbisë, Kosova ka përfituar 600 milion euro.

 

Gjatë një interviste për “360 Gradë” në Ora, e cila pritet të transmetohet sonte, Haradinaj paralajmëron Albin Kurtin. “Albin Kurti nëse e heq këtë taksë, bën gabim të madh!”, shprehet ai.

Nga ana tjetër, ai zbuloi se arsyeja e fshehtë e krizës politike në Kosovë ishte e ardhmja e minierës së Trepçes në Mitrovicë.

“Me një investim jo më të madh se sa 140 milionë euro, Trepçja jep një fitim neto rreth 500 milionë euro në vit, për 20 vjet bëjnë 10 miliardë euro, të cilat duhet ti gëzojë Kosova dhe Serbia”, thekson ai.

Haradinaj thotë se e parandaloi këtë grabitje dhe përsërit akuzat se 3-shja Vuçiç-Thaçi-Rama ishin ideatorët e planit për ndarjen e Kosovës.

“Ndalova grabitjen 10 miliardë euro, që do të  realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë  në realizimin e kësaj skeme. Por unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera  e Trepçes, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës”, nënvizon.

Haradinaj thotë se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj ka punuar kundër Kosovës, ndërsa Ditmir Bushati rezistoi kundër planit për ndarjen e Kosovës, derisa e larguan për të sjellë Cakajn, që ishte shumë aktiv, duke  promovuar ndërkombëtarisht këtë projekt.

Haradinaj tha se Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u dha mbështetje kundër ndarjes së Kosovës, po ashtu edhe opozita e Shqipërisë, Berisha, Basha dhe Kryemadhi. Sipas tij, tani mos ndarja e Kosovës është një betejë e fituar!

Duke u ndalur tek “Shengeni Ballkanik”, Haradinaj thotë se pa Kosovën është një gabim shumë i madh.”

“Kështu tregohemi shumë të dobët përpara Serbisë dhe Evropës”, – shprehet Haradinaj.

Për arsyet e dorëheqjes, Haradinaj thotë se ishte i  detyruar nga faktori ndërkombëtar dhe ai vendas.

Ismail Kadare fiton Çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë “Neustadt”

Ismail Kadare fiton çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë “Neustadt”. Ky çmim njihet edhe si Nobeli Amerikan. Janë 50,000 dollarë amerikanë që i jepen çdo dy vjet një poeti, romancieri apo dramaturgu.

Revista “Literatura Botërore Sot” e Universitetit të Oklahoma të letërsisë dhe kulturës ndërkombëtare njoftoi mbrëmjen e mbrëmjen e kaluar se Ismail Kadare është laureati i 26-të i këtij çmimi ndërkombëtar.

Robert Con Davis-Undiano, drejtori ekzekutiv i Letërsisë së sotme theksoi se shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare është “një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë dhe një kampion i demokracisë dhe fjalës së lirë”. Shkrimtari Kadare ka qenë disa herë i nominuar edhe për çmimin “Nobel” në Letërsi, por deri më sot nuk ka arritur ta fitojë dot.

Finalistët në këtë garë ishin; Jorie Graham (Shtetet e Bashkuara të Amerikës), Emmanuel Carrere (Francë), Jorie Jessica Hagedorn (Filipine / Shtetet e Bashkuara), Eduardo Halfón (Guatemala), Ismail Kadare (Shqipëri), Sahar Khalifeh (Palestinë), Abdellatif Laabi (Marok), Lee Maracle (Kanada) dhe Hoa Nguyen (Vietnam / Shtetet e Bashkuara).

Puna dhe vepra e gjeniut të letrave shqiptare, Ismail Kadare, ka bërë jehonë në shumë vende të botës dhe natyrisht ai vijon të mbetet një ndër “xhevahirët” e rrallë të letersisë shqiptare.

E pranon vetë qeveria, ekonomia shqiptare mund të përballet me skenarin grek

Analiza kritike e ish-ministrit të Financave për ekonominë 2019-eksporti është ngadalësuar, bankat e huaja ulen kreditimin dhe pse kriptomonedhat mund të kthehen në një mallkim për ekonomi si e jona

Në të njëjtën ditë që diskutonte buxhetin faktik me Kontrollin e Lartë të Shtetit ish ministri i Financave ka bërë një analizë të ekonomisë dhe risqeve të saj në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë ku ka kundërshtuar dyshimet për skenarin grek për Shqipërinë.

Siç raportoi Monitor, KLSH relatonte se “në kushtet e presioneve në treguesin e deficitit dhe borxhit publik, ndikuar nga problematikat sistemike të evidentuara në zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2018 nga entet publike, nga ana e strukturave përgjegjëse janë marrë masa jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke përfshirë mosplanifikim të plotë të shpenzimeve, mosrespektim të radhës prioritare për buxhetimin e projekteve në vazhdim, kryerjen e shpenzimeve të pambështetura me plan buxhetor, moslejim përdorimi fondesh buxhetore të miratuara nga Kuvendi për njësitë e pushtetit vendor, mosraportim të plotë të shpenzimeve për disa zëra buxhetorë, me qëllim raportimin e treguesit të deficitit dhe disa zërave buxhetorë brenda kufijve të miratuar.

Detyrimet e prapambetura dhe stoku në rritje i rimbursimit të TVSH nuk reflektohen në treguesit e konsoliduar fiskalë, treguesin e deficit, dhe treguesin e borxhit publik për vitin 2018”.

Në konstatimet e publikuara nga Monitor rezultoi se financat kanë fshehur detyrimet e prapambetura, të cilat realisht arrijnë në 75 miliardë lekë, nëse përllogariten dhe detyrimet kontigjente gjyqësore ndërkombëtare. Fshehja e shpenzimeve, një skenar i ngjashëm me Greqinë e cila kishte manipuluar të dhënat për shpenzimet, të ardhurat dhe borxhin te Bashkimi Evropian, FMN e BB. Nga raporti KLSH rezuloi se janë shtuar rreziqet për një paaftësi për të paguar detyrimet financiare në të ardhmen, teksa rritja ekonomike është përgjysmuar tashmë dhe PPP-të janë një tjetër rrezik për buxhetin.

Por ish-ministri i Financave tashmë kreu Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj tregon “sesi Shqipëria e kishte kapërcyer rrezikun e një skenari grek për ekonominë dhe përmes një pune shumë të kujdesshme në favor të konsolidimit fiskal, që edhe ishte shtruar rruga për një rritje ekonomike të qëndrueshme në nivelet 4%, të nxitur nga konsumi dhe investimet, dhe të shoqëruar me një rritje serioze të punësimit”.

Duke ju referuar vitit të kaluar Ahmetaj thotë se “atëherë diskutonim edhe sesi, për një ekonomi si jona por jo vetëm, edhe si e të gjithë rajonit, vija ndarëse mes suksesit dhe dështimit mbetet akoma tejet e brishtë dhe gjithnjë kërcënuese pa garancitë e vazhdimit të reformave”.

Por megjithëse thotë se Shqipëria e ka kaluar rrezikun e skenarit grek, Ahmetaj jo pa qëllim vëren se risqet janë shtuar krahasuar me një vit më parë kur ai drejtonte financat dhe ekonominë e vendit. “Sot mund të kemi një tjetër reflektim një vit më pas, por në këndvështrimin tim sfidat janë po ato dhe sërish në këndvështrimin tim, sfidat janë akoma më afër kërcënimit”.

Ahmetaj vijon me atë që e quan “provokim të dytë, praktikisht produktiviteti i faktorëve në Shqipëri është akoma më i ulëti në rajon. A është kjo arsyeja pse eksporti është ngadalësuar këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar apo edhe vitet e fundit, ku po t’i referohemi që nga 2014 praktikisht eksporti kërceu edhe me dy shifra? “

Duke folur për borxhin Ahmetaj thotë se “Kryeministri ka pasur dhe ka presion, unë kam pasur presion, ministrja sot besoj sërish ka presion për të rritur borxhin, por ulja e borxhit do duhet të rikthehet domosdoshmëri dhe e kam thënë edhe më herët në aktivitete publike, jo vetëm domosdoshmëri, por edhe objektiv patriotik”.

Ahmetaj e shikon patriotizmin edhe te bankat. “Është interesante të shohësh që bankat me kapital shqiptar e kanë rritur kreditimin në masë të konsiderueshme. Bankat me kapital të huaj, e kanë marrë “me nge”. Pyetje e kam, mos u përgjigjni sot se nuk besoj është ky auditori, por bankat me kapital shqiptar janë më pak të ndërgjegjshme për riskun? Bankat me kapital të huaj, janë më të sofistikuara në përllogaritjen e riskut në Shqipëri? Pyete e kam, nuk e di, thjesht po ju them shifra.

Ishi-ministri kishte gjithashtu një provokim sa i përket crypto currencies, kur thotë se “ka ardhur besoj momenti që autoriteti rregullator, por edhe ligjbërësit të mendojnë seriozisht sepse crypto currencies sa mund të jenë një bekim, mund të kthehen edhe në një mallkim, sidomos për ekonomi dhe sisteme si tonat. Besoj që duhet futur në axhendën e diskutimit mes jush, qeverisë dhe ligjvënësit”.

Vjosa e ka pas vetes gjithë LDK-në, e kalon Albinin e vitit 2017 (tabela)

Është kandidatja më e votuar e këtyre zgjedhjeve në Kosovë.

Vjosa Osmani në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’ia sjellë Lidhjes Demokratike të Kosovës 162 mijë e 209 vota, duke e lënë pas kështu Albin Kurtin e Vetëvendosjes i cili në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 kishte arritur t’i mbledhë 143 mijë e 642 mijë vota duke qenë lideri më i votuar në vend.

Por, situata ka ndryshuar në këto zgjedhje. Vjosa Osmani, si kandidate nga LDK-ja për kryeministre ka arritur të marrë rreth 20 mijë vota më shumë se sa Albin Kurti në vitin 2017.

Nga 200 mijë votat sa llogaritet t’i ketë LDK-ja në zgjedhjet e 2019-s, Vjosa Osmani ka arritur që t’i marrë 162 mijë e 209 vota.

Jeta e shqiptarëve në komunën e Medvegjës

Medvegja është një nga tri komunat e banuara me shqiptarë në jug të Serbisë. Shqiptarët atje, të mbetur të paktë në numër, ankohen për trajtim jo të barabartë nga shteti serb, ndërsa thonë se presin trajtim më serioz nga qeveria e re e Kosovës, të cilës tashmë i bëjnë thirrje të zbatojë reciprocitet në raport me serbët e Kosovës. Korrespondentja jonë, Edlira Bllaca, vizitoi Medvegjën.