– Ështe poezia që na bashkon, jo vetëm ajo që shkruhet –
Kam qenë mes disporës shqiptare në SHBA, me histori shekullore, që ka “Vatrën dhe Diellin e saj”, që i bashkohet historisë së dheut amë, bëhet pjesë e qenësishme e saj, e mëvetësisë dhe lidhjeve me botën e përparuar, dhe ndërkaq i bashkon shqiptarët nga Shqipëria e Kosova, nga Maqedonia e Mali i Zi, etj, të besimeve e ideve të ndryshme, gjeneron breza të mrekullueshëm amerikano-shqiptarët dhe mbetet urë, duke u forcuar gjithnjë e duke u bërë më e qendrueshme e më e bukur për ecjen e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, miqësi e mbështetje e aleancë mes Shqipërisë së vogël me halle të mëdha dhe të Supershtetit më të fuqishëm të botës, më demokratikun dhe më të pasurin, që i dedikojmë pavarësinë dhe çlirimin e Kosovës…
Aty është dhe “Zëri i Amerikës” që flet shqip, që na ka prirë duke na thënë të vërtetën e rruget e demokracisë, aty janë dhe deri dhe bashkëvujatës të mi, të dalë nga burgjet e diktaturës komuniste që arritën ëndrrën e lirisë e të mirëqenies dhe jo vetëm, por dhe nga ata, të tjerët, kundërshtarë të doktrinuar të sistemi kapitalist, që panë fuqinë e kapitalizmit amerikan, aq sa begatisjellës, po aq dhe social dhe human.
Desha të thosha se kemi një diasporë dinjitoze, dhe në Itali, ku janë dhe ngulimet e hershme arbërshe, që ka shkuar deri në Argjentinë, një diaporë e magjishme plot ngjyra dhe këngë dhe poezi, me libra dhe media të re shqip, por dhe në Greqi me arritje dhe sfida e forcë, kujtojmë arvanitasit dhe çamët autoktonë, shkrimtarët, por dhe arbneshët në Kroaci e arnautët në Turqi, etj, diasporën e re në Zvicër, një pjesë e madhe nga Kosova, që mbushën dhe radhët e luftëtarëve për çlirimin e Kosovës, por në Zvicër është dhe sfida e bukur e kulturës, media e gjerë shqipatre “VOAL” një institucion përbashkues, etj, dhe vazhdojmë me diasporën në Gjermani e Austri, në Francë e Belgjikë, në Vendet Nordike e më tej, në Afrikë, në Egjipt, e më tej në Azi, në Australi, etj, etj, dhe, e lashë për të fundit, në Rumani, në Ballkan, që është shkaku i këtij shkrimi, që do të desha ta ndaj dhe me ju, madje dhe ato që thanë të tjerët…
PARALELE KULTURORE. TRADITË DHE RISI.
Vetë lajmi që zgjedhim të japim, është qëndrim. Përmbajtja e tij, ajo që nxëmë nga lajmi, nxitja që përftohet, nëse nxit për më tej për të bërë diçka më shumë për atë që duhet, qoftë dhe në gjëra që nuk duken të një rëndësie alarmante, që nuk bërtiten në protesta, më shtyjnë të shtjelloj në këto radhë, diçka nga ato që pashë, disa paralele të zbehta rumune.
Isha i ftuar në Bukururesht nga Lidhja e Shqiptarëve në Rumani, “ALAR”, tashmë e shquar për veprimtaritë e saj social-kulturore. Sapo kishin botuar një libër timin dhe do ta përuronim së bashku.
Vizita ime zgjati tre ditë, por ngjante më shumë se sa një veprimtari e zakonshme e shoqatës, kishte dinjitetin e institucionalizuar, jo vetëm sepse në fund të fundit fondet dhe mbështetja jepeshin nga shteti, teksa lajmin e dhanë dhe mediat shtetërore dhe në veprimtari do të merrnin pjesë dhe deputetë e shtetarë. Ka diçka më tej, që lidhet me traditën, me qytetarinë europiane dhe me atë se si duhet vepruar për të qenë ata që duhet.
Te ne po harrohen si shpesh ngjarjet e vërteta kulturore, dmth kultura e lartë dhe përgjegjshmëria shtetare ndaj saj, që s’është thjesht dukje protokollare, por dhe normalitet i së përditshmes së përzgjedhur.
Ja, së bashku me time shoqe, se ishim ftuar të dy, një gjest tjetër europian ky, në shoqëri me koordinatorin kulturor të ALAR-it, Dr. Luan Topçiu, si dhe me Presidentin e kësaj Shoqate, Dr. Radu Cosmin Savulescu, nisëm vizitat. Shkuam në muzeume të artit, të historisë dhe të letërsisë, në librari me shumë kate, duhen vlerësuar këto si bëma njohjeje, të vlerësimit dhe ecjes. U futëm në vende të shenjta, u endëm rrugëve trotuargjëra dhe ndalëm para skulpturave të mrekullueshme të shkrimtarëve kombëtarë si ajo e Karaxhales gjithë gazmend dhe e Emineskut (shtatore nudo siç duhet të jetë poeti para poezisë së vet), apo të grupeve skulpturore, gjithë ngjarje dhe lëvizje si ajo aq gazmore e personazheve të Karaxhales para teatrit dhe ato tronditëset, në sheshet e njohura të revolucionit, ku populli u ngrit kundër diktaturës dhe diktatorit, ku mes përmendoreve dhe kryqeve të shumtë, në njërin prej tyre lexohej se në atë vend nuk do të shkelnin më këmbët e neokomunistëve. Më tej imazhi i një kantautori të vrarë në ato ditë historike dhe kitara e tij e mermertë.
Në Shqipëri përftohen ndjesi të mangëta, të një harrese të qëllimtë dhe shpërdorim e banalizim të qendresës dhe të heroizmit. Edhe heronjtë gati janë të ndarë. Ndërkaq nuk ka një shtëpi të shkrimtarëve dhe të artistëve, jo më muze letërsie, që Bukureshti kishte dy. Kujtoj bustet e vëllezërve Frashëri në Tiranë, etër të Kombit, ku më shumë duket kamerieri i lokalit pranë se ata, që sikur e kanë humbur komunikimin me kohën dhe njerëzit. Aty do të duhej një panteon dhe jo piramida që kalbet përballë. Shtatoret e Abdylit, Naimit, Samiut, e udhëheqsave kombëtarë të veprimit, të shpirtit dhe të mëndjes, duhet të kishin flakën e pashuar te këmbë apo shkëmbin pas shtapullave, me citate të tyre të gdhëndura.
Në Bukuresht, po dhe në qytete të tjera të Rumaninë, ndërkaq ka shenja dhe memoriale për Shqipërinë dhe shqiptarët. Diku do të gjesh bustin e Skënderbeut si Hero europian, por dhe të Ismail Qemalit, si themeleues të shtetit modern shqiptar, ja, një pllakë, e shkruar dhe shqip, ku tregon kishën se ku Fan Noli mbajti meshë në gjuhën shqipe e diku është Naum Veqilharxhi i abetares së parë, etj, dhe kujtoj se gjithë vepra mahnitëse e Naimit tonë është shtypur këtu dhe jo vetëm, ndërsa në parkun e madh “Herastrau”, plot me skulptura të shkrimtarëve e artistëve të njohur nga bota si Viktor Hygo apo Tolstoi, Gogoli, Eminesku, etj, është dhe ai, Naimi ynë. Në piedestalin që kohë më parë, teksa shkulnin Leninët (Stalinët qenë flakur me kohë), u hoq Maksim Gorkij i socrealizmit dhe u vu Naim Frashëri, falë dhe punës dhe zellit të Dr. Topçiut. Shumëçka këtu tani ka dhe ndihmesën e tij.
Po a do ta kishin këtë guxim në Shqipëri?
Në Pallatin e Muzeut Antropologjik të Bukureshtit, në sallën Acvarium, u zhvillua takimi në përurim të librit tim me poezi “Aripa Franta”, (Flatra e mundur/e thyer), botim dy gjyhësh, i shtëpisë botuese “Asdreni”, (i atij që u solli nga Rumnia shqiptarëve Himnin Kombëtar që kanë sot).
Pjesëmarrja në takim m’u duk e gjerë, me miq të Shqipërisë dhe të poezisë së saj, të kulturës, me shkrimtarë e artistë e studentë, dhe ish të burgosur politikë të Rumanisë. U shtrëngova duart me dhimbje dhe më tringëlluan pranga, jo ishin zhurmat e ekspersit të kafesë përtej.
Takimin tonë e hapi një deputeti i Parlamentit të Rumanisë, ai për për shqiptarët, Bogdan Alin Stoica, duke përgëzuar veprimtarët për punët e bukura dhe të pranishmit. Po ne a i kemi vërtet të gjithë deputetët në parlament për shqiptarët dhe jo për interesa partikae e pasurim të vetes? Drejtori ekzekutiv i ALAR, Dr. Radu Cosmin Savulescu, nisi të flasë për jetën dhe veprën time, duke e konsideruar një privilegj leximin e saj në gjuhën rumune, një arritje e shkëlqyer e përkthyesve, – tha ai, – e përgatitësit, studiues dhe kritik arti, Dr. Luan Topçiu, dhe bashkëshortes së tij, Dr. Renata Topçiu – Melonashi. Sa fjalorë e guida gjuhësore kanë botuar së bashku! E sa antologji kanë botuar e vepra nga të dy letërsite. Do t’i bënin dot në atdhe? Githashtu u falenderua dhe Drejtori i Përgjithshëm i Muzeut Antropologjik të Rumanisë, z. Virgil Stefan Niţulescu, “për mundësinë e këtij manifestimi kulturor në këto mjedise, ndër më prestigjiozet në Bukuresht”.
E mori fjalën dhe z. Aledin Amet, sekretari shteti në Departamentin për Marrëdhënie Ndëretnike të Qeverisë Rumune. Ai përgëzoi Shoqatën Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë dhe për të gjitha veprimtaritë që ajo ka zhvilluar në 2 vitet e fundit, përmes të cilave ruhet dhe promovohet identiteti i pakicës shqiptare në Rumani. Dinjitari i lartë rumun kujtoi rolin vendimtar të gjuhës dhe letërsisë në gjuhën amtare për të ruajtur këtë identitet. Dhe ky libër sot, theksoi ai, ndihmon në ringjalljen e ndjenjave identitare, estetike, por edhe interesin për gjuhën amë.
A ka merak të tillë për gjuhën tek ne nga shtetarët? Sa lexojnë ata? Sa përqind u intereson kultura dhe letërsia? Fill mbas viteve ’90 në Parlament, mbaj mend, kishte dhe librari, deputetët blinin nga botimet e reja, ndërsa tani ka mbetur vetëm kafeneja, sherret dhe intringat që ua kalojnë intrigave të romaneve. Janë shtuar telat me gjemba dhe gomat që djegin protestuesit.
E ftuar speciale në takim ishte shkrimtarja Ana Barton, e njohur dhe si prani publike në të gjithë Rumaninë. Ajo foli për kontaktet e para që ka pasur, para më shumë se dy dekadash, me poezinë tonë. Znj Barton theksoi se shkrimtari dhe vepra e tij nuk mund të ndahen, se mes jetës dhe veprës nuk mund të ketë një dallim. Ajo kujtoi bashkëpunimin që ka pasur me Dr. Luan Topciun për përkthimin në botimet rumanisht të veprave të shkrimtarëve të ndryshëm shqiptarë.
Sa bukur tha ajo, që dashuria është atdheu i njeriut.
Folësit theksuan forcën e mbijetesës gjatë viteve të izolimit nga regjimi komunist, e materializuar me dinjitet dhe talent, jo vetëm përmes krijimtarisë, por dhe veprimtarisë sociale, etj.
Më preku shumë Presidenti i shoqatës së ish të burgosurve politikë të Rumansië, z. Mircea Duzineanu, kur tha se përvojat e vuajtjes ngjajnë, poezia juaj është dhe jona, edhe ne kemi bërë poezi në burg. Do të të ftojmë, – shtoi, – në takimet tona, që të tregosh.
Ne do të tregojmë, të fshehësh është gabim dhe mëkat. Në të ardhmen duhet të shkojmë të sinqertë dhe shpirtgjerë. Po kështu foli dhe znj. Dorela Alisar, grua që vinte nga persekutimet dhe ajo. Pashë time shoqe në sallë. Gjyshi i saj e përqafoi atë, kur ishte fëmijë, me pranga në duar në prag të shtëpisë dhe s’u panë më…
Qetësi tjetër. Akorde kitare të Daniel Bertesteanu-t. Ngrihet në këmbë aktori i ftuar. Mik i mirë i shqiptarëve të Rumanisë, – kështu e prezantuan Angel Rababoc-in nga Teatri Kombëtar “Marin Sorescu” i Krajovës, (e kisha takuar Soreskun dikur…), recitoi disa poezi, duke zgjuar emocione të forta. Ky aktor kështu ka befasuar publikun dhe në rastin e recitalit të Ditëve të Kulturës Shqiptare në qytetin e tij në Muzeun e Artit vitit e shkuar, – më treguan,
Në fund, sipas ritualit, fjala e poetit. Unë falenderova duke çmuar mikëpritjen rumune, interesin ndaj vlerave të përbashkëta, përgëzova Shoqatën “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë”, duke theksuar se shpesh ato bëjnë më shumë se sa një ambasadë e mbyllur apo i një instituti kulturor, (që ne na mungon, jo vetëm në Rumania, e cila ka akademi kulturore në shumë vende të Europës dhe botës, vendi ynë ende s’ka ngritur një të tillë, – mendopva).
Arritjet e Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë janë të çmuara dhe edukuese. Të ngazëllen kjo mrekulli e dy kahshme, nga njëra anë ajo që bëjnë shqiptarët këtu, mjafton të kujtojmë dy dekadat e fundit, në shpalosjen e vlerave shqiptare, në gjithë spektrin antropologjik, në histori dhe aktualitet, me art, ku mes shkrimtarëve të shquar, artistëve dhe veprimtarëve, vend qenësor zë dhe intelektuali europian, Ambasador i Kombit dhe ky, Dr. Luan Topçiu, ndërsjellës i vlerave të përbashkëta e të qëndrueshme. Ndërsa ana tjetër është populli rumun, intelektualët e tij, politikanët, që mes problemeve të shumta që ka vendi, arrijnë ta pranojnë tjetrin me zemërgjerësi, e lejojnë të shpallet, ia pranojnë programet dhe e mbështesin, në mënyrë që ai jo të humbë apo asimilohet, por ta bëjë vetveten e të integrohet në kontekst europian.
Me Rumaninë rrugën për t’u futur në Europë Shqipëria duhej ta kishte më qartë, që megjithëse i pëlqen të krahësohet herë pas here, prapë është larg.
Takimi përfundoi me një seancë autografesh që dhashë për të pranishmit e vënë në radhë.
Dhe m’u kujtuan radhët tona të dikurshme, aq shumë mjerane për bukë, djathë, vajguri, por dhe radhët e bukura që kisha parë në libraritë e Romës apo në muzeumet dhe teatrot e Uashingtonit.
Gjithsesi ndryshimet dhe tek ne janë të shumta e të rënësishme, të pabesueshme për mirë dhe për keq, por tranziocioni është bërë i lodhshëm tejet dhe korrupsioni e oligarkia kanë formëzuar çrregullime sociale sa akuzohemi si narkovend e varfëri, që mbi jetën rëndojnë si një lloj diktaturë tjetër.
Ndërkaq Televizioni Kombëtar Rumun dhe Radioja Kombëtare po kërkonin intervista. Për poezinë?
Po televizionet te ne, sa politikë e propagandë që kanë, deri dhe mashtrime e shpifje e mediokritet, atë të klanit të pronarëve të tyre, natyrisht jo të gjitha e jo gjithmonë, për fat!
Që poezia të mos duket e tepërt dhe e huaj, poeti do të merret dhe me çështjet kardinale të vendit në mbrojtje të fjalës. Se siç thotë Papa Françesku, cilësia e pemës ashtu siç njihet nga fruti, njihet edhe nga fjalët. “Kush është i mirë, nxjerr nga zemra e goja të mirën. E kush është i keq – të keqen.” Dhe shton plot guxim: “Nga goja nisin edhe luftrat”.
Po edhe paqja. Në kthim u gjendëm në qytetin e Tuzit në Mal të Zi, pikërisht në ditën historike kur shqiptarët fituan qytetin në zgjedhje, sepse u bashkuan. Fitorja ndihej që më parë, edhe në rrugë, te flamujt shqiptarë që valviteshin, të fytyrat e bukura të të rinjve. Ndoqëm meshën në kishën shqiptare, e mbushur plot e përplot, teksa kori këndonte shqip. Të gjithë bashkë. Së pari fitorja është e brendshme, shpirtërore, plot besim…
DASHURIA – ATDHEU I NJERIUT…
nga ANA BARTON
(një nga prozatoret më të njohura dhe më popullore të Rumanisë së sotme. Ka shkruar me qindra artikuj në shtypin letrar dhe ka botuar librat: “Prospekt i një gruaje”, “Mamifer dhe Betimi i humbjes së udhës”, “Parvazi i Zotiti”, “Libri i ndjesive”, vëllimin kolektiv; “I pavdekshmi i zakonshëm”, etj.)
E kam dashur Visar Zhitin qysh para njëzet e pesë vjetësh, ndonëse sot e takoj për herë të parë. Kam takuar poezinë e tij falë Luan Topçiut, i cili më tregoi për shkrimtarin e madh, duke përkthyer ad-hoc disa nga poezitë e tij. Lidhja u bë atëherë, e padukshme, e përjetuar, dhe poezia e Visar Zhitit filloi të jetojë përmes meje dhe nuk u ndal askurrë. Kamaret e zemrës janë të johapësinorta, kësisoj të shumta, mund të hyjnë në to, poezi, vise, poema, kurora pemësh të lulëzuara, dhimbje që buron nga toka, gjaku i shpirtit, hyjnë të gjitha të kashtosura, por pa shkelur këmbët e akëcilit “[…] Edhe trenat flenë në stacionin e fundit./Edhe unë do të vij të rri në buzët e tua,/të shëtisim bashkë nëpër flokët e tua/si në një pyll./Do ta tremb frikën tënde/ si pasqyrimin tënd mbi ujërat që fërgëllojnë,/do ta gëzoj gëzimin tënd/si një hënë pranvere që e mbushim me yje anash,/të gjitha dredhitë e jetës/me dredhi do t’i bëjmë të mira si e qeshura,/ si dhimbja,/ si besnikëria./ Do të vij, patjetër do të vij,/ jo si ankthi i të trokiturave në derë,/as si një letër e futur poshtë saj. Do të vij,/ i butë si zjarri, i egër si zjarri, i ngrohtë si zjarri,/ i marrë dhe i mençur si zjarri,/ tek ty do të vdes si zjarri që s’vdes.
I tillë ka qenë takimi me njeriun që arti i të cilit ka vuajtuar dhe u martirizua për lirinë për të shkruar poezi, për lirinë për t’u shndërruar në dritare nga del në botë poezia, sepse guxoi të ndjejë në mënyrë “të trishtë dhe hermetike”, të cilat u përkthyen në kohën e diktaturës si armiqësi ndaj popullit.
Visar Zhiti nuk bën “pronarin e fjalës’, por të dashurin intim të saj, ai është vena e zgjedhur e gjakut, përmes të cilit fjala i shpërndahet botës në formën e pastër dhe në formën primare të poezisë. Visar Zhiti është vendi prej mishi, gjaku, eshtrash dhe emocionesh në të cilin fjala trupëzohet dhe rritet, rrumbullakësohet, bëhet e plotë, që më pas t’i shpërndahet botës. Visar Zhiti – vendi i kalimit mes botësh dhe ai e di shumë mirë se si është atje, por e di si është dhe përtej, dhe me gazmim dhe përulësi ai shndërrohet në një urë. Ndihet si në poezinë e tij sesi fjala është ekstaza e heshtjes, energjia e fjalës është ajo që hyn tek njeriu pa lënë plagë tek ai, hyn dhe-zë vend, nuk frikëson, nuk zemëron, përkundet duke kënduar me gjakun e personit ku ka hyrë, e zbut dhe e pranon, e krip atë pak dhe e bën më përvëluese, sepse njeriu të mbetet ai që ka qenë që në gjenezë: dashuri, sepse nga dashuria ka ardhur dhe në dashuri do të kthehet. Dashuria është toka e njeriut. Kjo tokë në të cilat Visar Zhiti hedh rrufetë për ta mbjellë përjetësisht dritë.
(Përktheu L. T.)
POEZIA E VISARIT – NDËRGJEGJIA E VRARË E TË GJITHËVE
Nga Dr. LUAN TOPÇIU
(Kritik arti, estet, sociolog dhe veprimtar shqiptar në Rumani. Teksti i mëposhtëm është parathënia e librit “Aripa Franta”/ Flatra e mundur”, me titull Poezia, liria që nuk mund të prangoset)
Pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, si në çdo vend tjetër të Lindjes, u prit të dilte në dritë “letërsia e sirtarit”, siç është bërë zakon të quhet letërsia e censuruar, e pabotuar, dhe letërsia e burgjeve. Pas shumë dëshmive për dhjetëra dorëshkrime, vepra të pambaruara, drama e romane të shkruara në këtë atelie të ferrit njerëzor – dolën në dritë poezi, romane dhe letërsi që do t’i nënshtroheshin kriterit estetik dhe konkurrencës me letërsinë e botuar.
Një nga shkrimtarët më të talentuar, që kaloi nëpër ferrin komunist do të ishte Visar Zhiti, vepra e të cilit pasuron letërsinë shqipe me një përvojë të panjohur, me një zë që poezia e tejngopur dhe tepër lumtur komuniste nuk e njihte. Visar Zhiti solli në poezinë shqipe pamje nga ferri komunist, përvoja rrëqethëse që do t’i përjetonte vetë si viktimë e komunizmit. Poezia e tij ishte bashkëmoshatare me poezinë e realizmit socialist, e shkruar si në kor e komandë, plot me optimizëm, pa njohur trishtimin, vuajtjen, persekutimin, shtypjen e lirive. Çfarë mund të shënonte një poezi kombëtare që nuk e njihte trishtimin – këtë gjenerator themelor të poezisë-, një poezi që nuk e njihte humbjen, pendimin, brengën, melankolinë, vetminë, që nuk njihte praninë e frikën ndaj Zotit etj. Poezia e Visar Zhitit është pjesë nga e vërteta tragjike, pjesë nga e pathëna dhe e papranuara, është një letërsi që u gatua në errësirën, ku komunizmi u përpoq të mbyllte intelektualët, artistër, zëdhënësit e lirisë. Letërsia e burgjeve ishte një radiografi e shoqërisë shqiptare të kohës, e kryer në pjesën më të dhimbshme e më të turpshme të shoqërisë, në vendin ku shqiptari shtypte shqiptarin që mendonte ndryshe. Me daljen në dritë të kësaj letërsie do të kryej një akt drejtësie në ndërgjegjen kombëtare dhe letërsia shqiptare, aq deficitare ndaj të vërtetës, do të fitonte një përmasë që i mungonte. Me veprën e Visar Zhitit ndërgjegjja e vrarë kombëtare do të rifitonte diçka që e kishte humbur në 50-vjetët e fundit. Zëri që vinte nga kjo “heshtje” ishte tronditës, i rëndë, tragjik – ishte zëri i thellë i ndërgjegjes së lënduar, së shtypur. Ndërgjegjja nacionale kryente një akt pajtimi me vetveten, duke botuar atë pjesë të krijimtarisë kombëtare që ishte mohuar të shihte dritën e botimit.
Visar Zhiti, poeti që u burgos në moshën 27 – vjeçare, pa mundur të afirmohej plotësisht si poet, dënohet për disa poezi të pafajshme dhe detyrohet të kalojë disa nga vitet më të bukura të jetës në burgjet famëkeqe të Spaçit, Qafë Barit etj. Umberto Eco, një nga mendimtarët më të mëdhenj të kohëve tona, do të shprehej kësisoj për nocionin moral, juridik dhe etik të pafajësisë së poetëve të dënuar për shkak të poezisë, duke e ilustruar argumentin e tij me poetin shqiptar Visar Zhiti: Sa e gabuar ishte parathënia e vëllimit të mëparshëm, duke thënë se kishte për qëllim të përkujonte “mbijetesën e shumë shkrimtarëve që u burgosën padrejtësisht gjatë këtyre shtatëdhjetë e pesë vjetëve”. Pse «padrejtësisht»? Me të drejtë, do të thoja unë, të paktën nga pikëpamja e regjimeve që i arrestuan dhe i dënuan ata. Për të justifikuar nevojën e dënimit, nuk është e nevojshme që një shkrimtar të veprojë si subjekt politik, por ashtu si Zenone, ai komploton në mënyrë aktive kundër tiranit.
Shihet qartë në këtë libër rasti i Visar Zhitit: mjaftoi të shkruante poezi të konsideruara nga redaktorët e një shtëpie botuese “të trishtuara dhe hermetike” e pra, kundër regjimit. Pastaj, praktika i kaloi automatikisht Komitetit Qendror të Partisë Komuniste shqiptare e Ministrisë së Brendshme dhe Zhiti fitoi drejtësisht dhjetë vite burg. Kjo poezi i shkakton frikë regjimeve autoritare e diktatoriale edhe nëse flet, si në rastin e Zhitit, edhe për trëndafila.
Por koncepti “letërsia e sirtarit” nuk është aq i vlefshëm për poezinë e Visar Zhitit, sepse krijimi i saj bëhej në rrethana të jashtëzakonshme, ashtu siç do të dëshmonte vetë poeti: Në fillim nuk i shkrova, por i krijova me mend, mes mureve ciklopike të qelisë, në vetmi e ankth, i thosha dhe i thosha me vete që të sfidoja absurdin dhe tmerrin, hetuesinë dhe boshirin. Poezia do t’i bëhet e njohur publikut shqiptar pas viteve ’90. Visar Zhiti boton disa vëllime poetike “Kujtesa e ajrit” 1993, “Hedh një kafkë te këmbët tuaja” 1994, “Mbjellja e vetëtimave’’ 1994 etj. dhe së fundmi, më 2018 në Itali një tjetër përmbledhje në dy gjuhë “Nata është atdheu im”. Poezia e Visar Zhitit – është ajo që krijohet kur njeriu ndodhet në zgrip të jetës, i gjendur atje ku është vështirë të shohësh një pikë dritë (në kuptim të figurshëm dhe te drejtpërperdrejtë), në pikën – limit, ku vdekja është e pranishme, më pranë se kurrë. Poezia shndërrohet në mbrojtësen e tij – mbrojtësja e njeriut të pambrojtur. Nga kjo posturë e skajshme, poezia është shpëtim mendor dhe ekzistencial. Njeriu Visar Zhiti do të ndihej i lidhur ontologjikisht me poezinë, shkaktare e burgosjes së tij, do të shndërrohej në dashuri shpëtimtare. E krijuar si një krijesë e ndaluar, e rrezikshme, kanosëse, e paparashikueshme, tërheqëse deri në aventurë, mikluese deri në mëkat, poezia e Visar Zhitit nuk është një produkt komod profesional, por një përpjekje e mbinatyrshme, një kapërcim, një hop mbi kufijtë e njohur. Kjo poezi nuk është një poezi ludike, e krijuar për të kënaqur e luajtur me fjalët dhe kombinimet e tyre, por poeti do të kryejë këtë lojë të rrezikshme dhe ekzistenciale njëherazi. Krijimi është një problem i rëndë ontologjik. Poezia e Visar Zhitit, kjo parajsë-ferr, kjo liri-robëri, ky dënim dyfish, është një akt sublim. Poeti ka vendosur të flasë, sepse është i dënuar të shprehet, të kuvendojë. Duke folur do të thotë të kalosh përtej – në hapësirën imagjinare – në një çlirues të kohës shkatërruese. Liria duhet të jetë çlirimi nga rreziku i vdekjes dhe dhunës. Poezia, shkaktarja e burgosjes, poezia shtati i vetëm i lirisë, flatra e mundur dhe e vetmja e arratisë. Krijimi – ky mohim i vdekjes – shpëton mentalen dhe shpirtëroren tek poeti. Visar Zhiti, ndonëse pikturon pa e kozmetizuar gjendjen e tij, e sposton lirinë në një terren të papushtueshëm prej askujt, sepse kjo zonë është e dominuar nga subjektiviteti tërësisht i pakontrollueshëm: Duhet shpëtuar fjala/ Duhet shpëtuar kënga deri sa gropat e ditëve të mbillen me mollë/Le të na i pushkatojnë ballet, gjaku im do të hedhë rrënjë/Dhe do të lulëzojë. (Molla e dënimit)
Poezia është liria e paburgosshme. Poeti dëshmon se pikërisht këto zona të shpirtit janë të papushtueshme, ato prodhojnë liri dhe janë liria vetë. As gardianët, as sigurimi nuk mund të burgosin shpirtin e poetit, për fatin e tyre të keq, shpirti i poetit nuk mund të mbyllet. Tekstet, duke qenë se janë të endura (të radhitura, sepse sipas pohimeve të autorit kanë origjinë orale, si vetë gjeneza e vërtetë e letërsisë) në rrethana të skajshme ekzistenciale, nuk kanë shenja artificesh, kërkimesh formale, por burojnë natyrshëm, plot plasticitet, duke u rrekur të thonë të vërteta të mëdha dhe përfundimtare. Kjo lloj poezie nuk ka kohë për poza, modë, trille, gjeste të mistershme e tejet elegante – impaktin ajo e krijon me dëshmitë rrëqethëse, me mesazhin e saj nga “shtëpia e vdekjes”. Të tilla mesazhe do të dërgonin Dostojevski, Lorka, Sollzhenicini, Stainhard, Mitrush Kuteli, Petro Marko etj. Përpjekja për të thënë gjëra përfundimtare, të formuluara në kushte të skajshme jetësore – dëshmon energjinë e fshehtë e mbinatyrore të poetit. Poezia do të jetë rruga e komunikimit me botën – komunikim i ndaluar, poezia do jetë dashuria – dashuri e ndaluar, poezia do të jetë bota – bota e ndaluar. Poeti nuk niset nga ndjesia e formës, por nga vetë ndjenja. Struktura e tij introvertite, e ndjeshme, e trishtuar, zhvillohet përmes një impulsi rrëfyes, si një protestë dhe një thirrje implicite për ndihmë, me një aspekt emocional bruto, duke u gjendur më pranë rrënjëve të lirizmit. Poeti është i joshur të njohë, të përshkruajë me rigorozitet, shumë nga iluzionet, ëndrrat e veta, vuajtjet e veta – për të mos i lënë të vdesin. Zëri i tij është i thellë, tragjik për atë çka dëshmon. Goethe fliste për poezinë se është rregullator i imazheve. Poezia e burgut është vetëm njëra anë e poezisë së Visar Zhitit, por pa dyshim, më relevantja në vëllimin “Flatra e mundur”. Përmes këtyre pamjeve të tmerrshme, rrëqethëse, shokante, poeti krijon poezi, art – ashtu siç do të shprehej Majakovski se poezia zëvendëson bukurinë e thjeshtë të vdekjes në një tjetër bukuri.
Visar Zhiti, vjen përpara lexuesit rumun me librin e tij të tretë Flatra e mundur/Aripa franta. Diçka e re në këtë edicion është se po botojmë poezi të shkruara në Rumani gjatë vizitave të tij në Bukuresht, Konstanca, Curtea de Argeş, Sinaia; shumica e shohin dritën e botimit për herë të parë.
5 POEZI NGA LIBRI I RI I VISAR ZHITIT
Komentet