VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Shqiptarët e Amerikës protestojnë para Shtëpisë së Bardhë

By | July 8, 2019

Komentet

Partitë politike: Ndryshimi i kufirit, ide që nuk negociohet

Bekim Bislimi

Partitë politike, të cilat po garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, thonë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm, por asnjëra nga to nuk do ta marrë në konsideratë idenë për ndryshim të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si opsion i zgjidhjes së kontestit ndërmjet dy vendeve.

Për më shumë, shumica e këtyre partive thonë se lidhur me këtë çështje kanë shprehur edhe me herët qëndrime të qarta se janë kundër kësaj ideje dhe se, sipas tyre, këto qëndrime nuk do të ndryshojnë edhe nëse e marrin pushtetin për të qeverisur me vendin.

Zëvendëskryeministri në largim i Kosovës, Enver Hoxhaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që subjekti politik të cilit i takon, do të angazhohet për dialogun me Serbinë, për të përmbushur interesat strategjike të Kosovës, siç janë njohja e ndërsjellë me Serbinë dhe anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq, sipas tij, për ndryshim të kufirit nuk do të pranojë të flitet fare.

“Ne mendojmë që duhet të mbyllet shtet-ndërtimi i Kosovës brenda këtyre kufijve dhe brenda këtij territori. Ky është pozicioni i Partisë Demokratike të Kosovës. Por, ne i besojmë dialogut dhe mendojmë që në dialog do të arrijmë që t’i përmbushim interesat dhe pritjet që i ka Kosova. Nuk mendoj që Kosova do ta bëjë dhe nuk do të lejojmë në asnjë formë të ketë asnjë kompromis të ri në raport me Serbinë. Ajo se ku mund të shpërblehet Serbia, mund të jetë se çfarë i ofron Bashkimi Evropian, përmes integrimit evropian dhe jo dikush tjetër”, tha Hoxhaj.

Ai ka shtuar se varianti i vetëm në të cilin mund të flitet për kufirin, është çështja e demarkacionit me Serbinë, si proces teknik, por vetëm pasi që kjo e fundit ta njohë Kosovën si shtet në kufijtë ekzistues.

Qëndrim refuzues karshi idesë së ndryshimit të kufirit ka edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Anëtari i kryesisë së këtij subjekti politik, Kujtim Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk do ta marrin fare në konsideratë mundësinë për tu negociuar tema e ndryshimit të kufirit.

Demarkacionin e kufirit e shohin vetëm si proces teknik, pas njohjes së Kosovës në kufijtë ekzistues nga Serbia.

“Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga LDK-ja, nuk do të pranojë asnjëherë që të diskutojë për një çështje të tillë, në asnjë rast. Kufijtë e Kosovës janë përcaktuar, janë të njohur dhe të qartë, të njohur edhe ndërkombëtarisht. Ndërkaq, procesi i demarkacionit është vetëm proces teknik dhe nuk ka të bëjë fare me territoret. Do të thotë është një proces, përmes të cilit shënohet kufiri që kemi, kufiri ekzistues. Në këtë rast me Serbinë do të bëhet si edhe me vendet tjera”, tha Shala.

Rexhep Selimi, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për Radion Evropa e Lirë shpreh mendimin që detyrë parësore e cilësdo qeveri në vend, është ruajtja e integritetit dhe sovranitetit të vendit. Kjo sipas tij është edhe detyrë e qeverisë së ardhshme, të cilën e synon Lëvizja Vetëvendosje.

“Çfarëdo lloj marrëveshje që vjen në kundërshtim të Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit, normalisht që as që duhet dikush ta mendojë që ta bëjë, ta realizojë, ta ratifikojë e aq më tepër që ta draftojë. Është e qartë që në mbrojtje të Kushtetutës, të rendit kushtetues, të sovranitetit dhe integritetit, pra ne nuk do të duhej të bënim hapa të tillë, që deri më tash janë vetëm pjesëza ose copëza të disa takimeve në mes (presidentit të Kosovës, Hashim) Thaçit dhe (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit”, tha Selimi.

Ai ka shtuar se duhet të ekzistojë një itinerar i temave që kanë të bëjnë me kufirin ndërmjet dy vendeve, por para së gjithash duhet të ketë njohje ndërmjet tyre. Sipas tij, në radhë të parë ky kufi duhet të ekzistojë dhe të njihet prej të dy vendeve, si dhe pastaj të bisedohet eventualisht për demarkacion të kufirit ndërmjet tyre.

Ahmeti Isufi, nënkryetari Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila përzgjedhjet e 6 tetorit do të garojë në koalicion me Partinë Socialdemokrate, ka thënë se ky koalicion as që do të merret fare me idenë e ndryshimit të kufirit.

“Kosova është në kufijtë e saj, nga pavarësia që është shpallur me 17 shkurt 2008 dhe absolutisht nuk merret me temën e kufijve. E vetmja temë, me të cilën do të merret Kosova në dialog, sipas Qeverisë Haradinaj, është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, pa të cilën nuk ka asnjë temë që mund të shtrohet. Pas njohjes që mund të ndodhë nga ana e Serbisë, duhet të bëhet edhe demarkacioni i kufirit(si proces teknik)”, u shpreh Isufi.

Sidoqoftë, ideja për ndryshim të kufirit, si zgjidhje e mundshme e kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë , pati dalë në pah në qershor të vitit 2018.

Në fund të muajit gusht të po atij viti, dy protagonistët kryesorë të dialogut Kosovë-Serbi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë Alakdandar Vuçiq, në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, patën elaboruar në pika të shkurta idenë që marrëveshja të përfshijë edhe ndryshimin e kufirit, e cila, më pas, nga presidenti Thaçi u quajt si ‘korrigjim i kufirit’, ndërkaq nga presidenti Vuçiq si “përcaktim i kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”.

E pabesueshme- Qytetarët: Tërmeti shkatërrimtar shemb “Shkëmbin e Kavajës” (Video)

Një tërmet i fuqishëm ka goditur sot vendin tonë duke sjellë edhe dëme të mëdha në objekte por edhe persona të plagosur. Sipas IGJEUM epiqendra ka qenë në Durrës. Pikërisht zona e Durrësit deri në Shëngjin është edhe më e goditura por edhe kryeqyteti, Tirana.

Ndërkohë qytetarë nga Kavaja raportojnë në “BalkanWeb” se tërmeti ka shkaktuar shembje tek Shkëmbi i Kavajës. Nuk ka ende informacion zyrtar për këtë gjë, por qytetari që ka dërguar edhe një video në “BalkanWeb” shprehet se për shkak të lëkundjeve të forta kanë rënë shkëmbinj dhe një re pluhuri është ngritur në zonë.

27 të plagosur në Spitalin Ushtarak- Bilanci fillestar i tërmetit të tmerrshëm në Shqipëri

Gazetari i çështjeve sociale të “News 24”, Erjon Skëndaj raporton se në spitalin Ushtarak janë shtruar 27 persona të plagosur nga pasojat e tërmetit. Fatmirësisht, askush nuk ka humbur jetën.



Të gjithë të plagosurit janë nga zona Durrës-Tiranë. Tërmeti 5.8 shkallë Rihter që goditi Shqipërinë është më i forti i 30 viteve të fundit dhe e pati epiqendrën tek Kepi i Rodonit.

FOTOLAJM – Termeti i fortë në Durrës, çahet në dysh pallati

Lëkundjet e termetit kanë qenë shumë herë më të forta në qytetin e Durrësit.

Raportohet se në këtë qytet një pallat është çarë në dysh si pasojë e tronditjeve të forta.

Dëshmitarët raportojnë se në Durrës është krijuar nëj situatë paniku dhe qytetarët kanë përjetuar moment tmerri.

Për momentin nuk raportohet për të lënduar.

Ministria e Brendshme publikon numrat: Ja ku duhet të telefononi për të kërkuar ndihmë

Ministria e Brendshme ka publikuar numrat ku qytetarët mund të kërkojnë ndihmë, pas dy lëkundjeve të forta të tërmetit.

Njoftimi

Pas lëkundjeve të tërmetit të rënë pak minuta më parë, Ministria e Brendshme, në bazë të raportimeve të para që ka marrë nga Drejtoritë Vendore të Policisë, Shërbimet Zjarrfikëse dhe Prefekturat, njofton se nuk ka persona të lënduar dhe as dëme të rënda materiale.

Të gjitha strukturat e rendit janë në gadishmëri të plotë dhe do të marrin çdo masë për të qenë pranë dhe në shërbim të qytetarëve.

MB dhe Policia e Shtetit fton këdo që ka nevojë për ndihmë, të telefonojë në nr falas 112.

Ky është njoftim paraprak dhe pas thellimit të informacionit do të japim të dhëna të tjera.

Zëri i Amerikës – Tiranë: Stoku i dosjeve dhe vetingu bllokojnë Gjykatën e Lartë, thotë studimi i Qendrës INFOÇIP

Qendra Studimore INFOÇIP publikoi të shtunën një studim mbi Gjykatën e Lartë para dhe pas Reformës në Drejtësi mbi transparencën dhe llogaridhënien e drejtësisë shqiptare.

Sipas studimit, Gjykata e Lartë dha 7 herë më pak vendime në vitin 2018, vetëm 217 vendime, nga 1500 që dha në 2015-ën, kur reforma nuk kishte nisur ende. Më 2019 u morën vetëm 12 vendime deri në 30 prill.

Gjyqtari i fundit u shkarkua nga vetingu në korrik 2019, dhe ky ishte kryetari Xhezair Zaganjori.

“Organet e reja gjyqësore ende nuk kanë marrë një vendim se sa duhet të jetë numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, kundrejt 19 anëtarë, që ishin deri dje. Gjykata e Lartë duhet plotësuar me trupë të shtuar gjyqësore urgjentisht. Rekurseve që presin të shqyrtohen i janë shtuar rreth 2 vjet vonesa, këtë herë jo për pasojë të eficencës problematike të Gjykatës së Lartë, por si pasojë e Reformës në Drejtësi dhe mos-plotësimit të vakancave” – thuhet në studim.

Në Gjykatën e Lartë presin shqyrtimin gjyqësor rreth 30 mijë dosje (28 mijë e 863 deri në fund të vitit 2018), ndaj për ta përballuar këtë mbingarkesë për 10 vjet duhen marë 3 mijë vendime në vit, ose 10 vendime në ditë, pa pranuar rekurse të reja gjatë kësaj dekade.

“INFOÇIP vlerëson që nëse Gjykata e Lartë do të plotësohej me trupë të re gjyqësore prej 19 anëtarësh dhe kolegjet të nisnin punën rregullisht, për të marrë vendim për rekurset që presin, do të duheshin rreth 20 vjet, nëse e përllogarisim eficiencën me mesataren e vitit 2015, më e mira e 5 viteve të fundit” – tha Gerti Shella, drejtues i kësaj qendre studimore.

Nëse stoku i dosjeve duhej shmangur brenda një viti, pa pranuar rekurse të reja, do të duhej që të jepeshin 107 vendime përfundimtare çdo ditë pune, secili kolegj do të duhej të merte 36 vendime në një ditë të vetme pune.

“Për të përballuar volume të tilla, Gjykata e Lartë do të duhej të kishte një trupë gjyqësore me të paktën e dyfishin e anëtarëve dhe trefishin e ndihmësave ligjorë. Nëse Gjykata e Lartëë do të ketë të njëjtën trupë gjyqësore siç ka patur, pra me 19 anëtarë, me nga dy këshilltarë secili, ajo është e destinuar të zvarrisë shqyrtimin gjyqësor pashmangshmërisht për shkak të backlog-ut që trashëgon. Një nga premisat e Reformës në Drejtësi, që ishte eleminimi i zvarritjes së proçeseve gjyqësore, rrezikon të mbetet objektiv i parealizueshëm në Gjykatën e Lartë” – thuhet në studimin e INFOÇIP.

Sipas vëzhgimeve të vazhdueshme, në 5 vitet e fundit Gjykata e Lartë dha 4054 vendime përfundimtare. Në vitin 2019, për shkak të largimit të trupës gjyqësore si pasojë e vetingut, Kolegji Administrativ arriti të jepte vetëm 12 vendime deri më 30 prill 2019. Kolegji Penal dhe ai Civil vendimet e tyre të fundit i dhanë në 30 Qershor 2018.

Për periudhën 2015-2019, Gjykata e Lartë ka dhënë mesatarisht rreth 1 mijë vendime në vit. Viti 2015 ka të dhënat më të larta, me 1 mijë 462 vendime nga kjo gjykatë.

“Gjykata e Lartë është ankuar shpesh lidhur me ngarkesën që përballon, por nga ana tjetër, vetë ajo ka pranuar më shumë rekurse se sa ka patur mundësi të gjykojë. Raporti i përllogaritur nga ky studim është 2/1 (pra 2 pranime për 1 shqyrtim të përfunduara). Ky tregues e ngarkon me përgjegjësi vet Gjykatën e Lartë, tashmë të shpërbërë, pasi konsiderohet si shkaku kryesor i vonesave të theksuara në dhënien e drejtësisë prej saj” – tha zoti Shella i INFOÇIP.

Procesi i vetingut ekspozoi para publikut probleme serioze të integritetit të trupës gjyqësore të kësaj gjykate, thuhet në studim.

Vlerësohet si rasti më flagrant ai i gjyqtarit Admir Thanza, i cili u fshehu autoriteve shqiptare faktin se një gjykata italiane e kishte dënuar në vitin 1999 me vendim të formës së prerë (me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë). Dënimi i tij penal në Itali u zbulua nga përfaqësuesit e ONM-së. Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor atë dhe e dënoi më 31 mars 2018 me 9 muaj burg, të konvertuar në 18 muaj shërbim prove.

Një tjetër anëtare e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, u përfshi në marrje ryshfeti për një vendim pronësor. Ky skandal gjithashtu goditi rëndë reputacionin e Gjykatës së Lartë, e cila e shpalli fajtor të pandehurën Majlinda Andrea për veprën penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë.

“Prania e personave të tillë në trupën gjyqësore të Gjykatës së Lartë përbën padyshim një skandal me përmasa dramatike. Rrethana të tilla kanë legjitimuar plotësisht vetimin e ashpër të gjithë trupës gjyqësore, që përfundoi në korrik 2019 me largimit e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Besimi tek Gjykata e Lartë ka marrë goditje të rëndë” – vlerësoi INFOÇIP.

Qendra INFOÇIP thotë se mosplotësimi i vendeve vakant në Gjykatën e Lartë, është një e metë e reformës në drejtësi.

“Pamundësia e organeve të reja gjyqësore, por edhe e institucioneve të larta vendimarrëse për të menaxhuar krizën e thellë që ekspozoi procesi i vetingut në Gjykatën e Lartë është tregues që nuk flet në favor të një planifikimi të kujdesshëm”. Ligjvënësit shqiptarë duhet të kishin parashikuar “planin e kontigjencës” për një situatë të tillë të paprecedentë. Organet e reja gjyqësore duhet të marrin në dorë situatën pa vonesa dhe pa justifikime të mëtejshme, duke nxjerrë si fillim vendimin për organikën. Zbrazja e Gjykatës së Lartë nga trupa gjyqësore ka prodhuar një moment të vështirë jo vetëm sa i takon palëve që kanë depozituar rekurse, por edhe për gjithë sistemin gjyqësor në tërësi, i cili tashmë nuk orientohet dot përmes praktikës së unifikuar. Gjykata e Lartë, tashmë e zbrazur, ka paralizuar vendimmarrjen për trupën e Gjykatës Kushtetuese” – thotë zoti Shella.

Gjykata e Lartë ka trashëguar stokun më të lartë se çdo gjykatë analoge në Europë, me mbi 30 mijë dosje. Shumica dërrmuese e tyre janë rekurse administrative, ku palë e paditur janë institucionet shtetërore.

Rreth 60% e këtyre rekurseve kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore, pensionet e ushtarakëve dhe pushime nga puna. Gjykata e Lartë ka dhënë vendime të ndërmjetme për pezullim ekzekutimi të vendimit të apelit, ku shteti ka qenë palë humbëse.

“Kjo konsiderohet një praktikë negative, madje antikushtetuese, që ka mohuar drejtësinë për qytetarët që kanë fituar në Apel. Për më tepër, ajo rrezikon të rrisë në përmasa domethënëse kostot që mund t’i faturohen taksapaguesve shqiptarë në një kohë të dytë sa i takon dëmshpërblimeve nëse rekurset fitohen nga individët kur Gjykata e Lartë të rifillojë punën sërish” – vlerëson INFOÇIP në studimin e publikuar sot.

Mediat e huaja me sytë nga Tirana, çfarë shkruajnë pas vendimit të Gjykatës për Saimir Tahirin

Pas më shumë se 10 orë në dhomën e këshillimit, Gjykata për Krime të Rënda dënoi me 5 vite burg ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për “Shpërdorim detyre”, ndërsa rrëzoi 3 akuzat e ngritura nga Prokuroria. Dënimi me burg i Tahirit u pezullua dhe kaloi në shërbim prove për tri vite. 

 

Ndërkohë, Prokuroria akuzonte Tahirin për “Trafikim të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, por për Gjykatën këto akuza nuk faktohen me prova dhe për këtë është bërë ndryshimi i cilësimit të veprës penale, duke e gjetur fajtor për “Shpërdorim detyre”.

***

Vendimi i bërë publik nga treshja e gjyqtarëve në orët e mbrëmjes, nuk ka kaluar pa u komentuar nga mediat ndërkombëtare, të cilat që në titull raportojnë se një gjykatë shqiptare e ka liruar nga akuzat për trafik droge ish ministrin Saimir Tahiri.

Ja çfarë shkruajnë mediat e huaja sot:

REUTERS: “Një gjykatë shqiptare e shpalli fajtor ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri të enjten për shpërdorim detyre por të pafajshëm për trafik droge, dhe e dënoi atë me tre vjet shërbim provë. Prokurorët kerkonin që Tahiri, dikur një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Edi Rama, të burgosej për 12 vjet me akuzën e korrupsionit, trafikut të drogës dhe të qenurit pjesë e një grupi kriminal, një rast që ka tronditur administratën e majtë.

Vendimi vjen një muaj para se vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të interesuar të shohin Tiranën të rritë luftën e saj kundër korrupsionit, të takohen për të vendosur nëse do të mbështesin ofertën e Shqipërisë për të filluar bisedimet e pranimit të rekomanduara nga Komisioni i BE”.

Ansa: “Ish-minister ne kabinetin e kryeministrit socialist të Edi Ramës, në detyrë deri në marsin e kaluar 2017, Tahiri përfundoi në gjyq pas hetimeve të kryera në Itali, hetime që çuan, në tetor të po këtij viti, në shkaterrimin e një organizatë kriminale e përbërë nga italianë dhe shqiptarë, disa të afërm të ish-ministrit, qe merreshin me trafikimin ndërkombëtar të drogës dhe armëve. Tahiri tashmë ka njoftuar se do të apelojë vendimin”.

Euronews: “Ligjvënësit socialistë në pushtet refuzuan thirrjet për të hequr imunitetin e Saimir Tahirit vitin e kaluar dhe per tja dorezuar drejtesise, por ai hoqi dorë vetë nga mandati i deputetit në muajin maj pasi shtetet e BE kërkuan nga Tirana që të luftonte seriozisht korrupsionin nëse dëshironte të anëtarësohej ne BE.

Një nga yjet në ngjitje të Partisë Socialiste kur u emërua ministër i Brendshëm në vitin 2013, kur ishte vetëm 34 vjeç, Tahiri filloi modernizimin e forcës policore dhe i dha fund prodhimit në shkallë industriale të kanabisit në Lazarat në fillim të vitit 2014.

Sidoqoftë, kanabisi më pas u përhap në të gjithë vendet e Ballkanit dhe trafikantët kanë zbarkuar ngarkesa deri në një ton në Itali”.

BalkanInsight: “Gjykata i jep ish-ministrit të Brendshëm një dënim me burg të pezulluar për shpërdorim detyre, por e konsideron atë jo fajtor për akuzat më të rënda për trafik droge, në një aktgjykim që partia kryesore e opozitës e quajti “të turpshem”.

Sali Berisha: Vendim i turpshëm, mafia e drogës nuk dënon veten

Mafia e droges veten nuk e denon!

Miq, parodia e procesit Tahiri qe sapo perfundoi, fakton ne menyre perfundimtare se mafia e droges veten nuk e gjykon dhe nuk e denon! Ky vendim i turpshem eshte i ngjashem me ato te karteleve, ne te cilat droga, trafiqet jane merite dhe jo krim dhe kumbaret kryesor mbrohen e nuk denohen.

Narko prokuroria, siç kane faktuar mediat fakte thelbesore dhe prova perveluese te bashkepunumit te Saimir Trafikut me Habiljat, nuk i vendos dhe si trajton si te tilla ne aktakuzen e saj.

Narko prokuroria kerkon per veprat penale qe e akuzon nga se paku 40 vite burg vetem 12 vite.

Narko gjykatesit mezi priten ti kerkonin ndjese Saimir Trafikut se ishte i pafajshem, por te detyruar dhe vetem sa per sy e faqe te shqiptareve dhe nderkombetareve po te japin nje akuze koti per abuzim detyre dhe jo kurre per kanabizimin se bashku me shefin e madh Edvin Mafine te mbare vendit sepse ti o Sajmir Trafiku ke zbatuar vetem porosine e tij.

Si perfundim miq, ky proces deshmon perfundimisht se per narkoshtetin e vetem dhe e te pare ne Europe shteti ligjor nuk ekziston. Vetem qytetaret shqiptar me guxim dhe sakrifica mund te nxjerrin fatin e tyre nga kthetrat e mafies se droges te kryesuar nga Edvin Mafia! Sb

Mesiç: Kufiri Kosovë – Serbi është i paprekshëm, nuk kishte arritur ta ndryshonte as Millosheviqi

Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, në një intervistë për edicionin e DW-së në gjuhën polake, ka folur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Mesiç ka thënë se problemi i Bosnje e Hercegovinës është një prej problemeve që duhet zgjidhur, pasi, sipas tij, është një prej problemeve më komplekse në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Mesiç ka kritikuar ndërkohë politikën e Beogradit karshi Bosnjës, pasi siç thotë ai, në njërën anë serbët deklarohet se e respektojnë një Bosnje e Hercegovinë të unifikuar, ndërkohë në të njëjtën kohë mbështesin politikat e Millorad Dodikut, i cili nuk e njeh si shtet Bosnjën.

Tutje ish-presidenti kroat ka folur edhe për paprekshmërinë e kufijve të shteteve në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar faktin se të gjitha luftërat në Ballkan janë bërë për shkak të kufijve.

“Absolutisht. Të gjitha luftërat në Evropë kanë filluar për shkak të kufijve. Dhe të gjithë agresorët kanë gënjyer duke thënë se po tentojnë të mbrojnë minoritetet kombëtare në vendin tjetër. Sidoqoftë ata më pas pushtonin territore të popujve tjerë. Ata thjesht kanë gënjyer”, ka thënë Mesiç, transmeton Gazeta Express.

Teksa ka folur për regjimin e Sllobodan Millosheviqit, Mesiç ka thënë se presidenti famëkeq dëshironte një Serbi të Madhe etnikisht të pastër.

Por ish-presidenti kroat thotë se Millosheviq edhe përkundër ushtrisë së fuqishme që kishte nuk kishte mundur të ndryshonte asnjë milimetër kufijtë në mes të republikave të ish-Jugosllavisë dhe provincave.

“Pra kur Millosheviqi me ushtrinë e tij të fuqishme nuk arriti t’i ndryshonte kufijtë, askush nuk mund t’i ndryshojë ata as tani”, ka potencuar Mesiç, transmeton Gazeta Express.

Ish-presidenti kroat shton tutje se tendenca e Millosheviqit për krijimin e një “Serbie të Madhe” e të pastër etnikisht kishte shkaktuar persekutimin dhe spastrimin etnik të popujve tjerë joserbë të Ballkanit.

Teksa është pyetur për mundësinë e ndonjë shpërthimi të mundshëm në Ballkan, Mesiç ka thënë se nuk beson që situata është në atë fazë që mund të pritet diçka e tillë, duke ritheksuar si problematike, Republika Srpskan e Dodikut në Bosnje e Hercegovinë.

Intervista – Mathew Palmer: Kosova duhet të marrë kontrollin e fateve të veta

Mathew Palmer, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor i tha Zërit të Amerikës se administrata amerikane mbetet e angazhuar në Ballkan. Në një intervistë me korrespondenten e VOA pranë Departamentit amerikan të Shtetit Nike Ching, ai foli mbi përparësitë në detyrën e re si i dërguar i posaçëm, si dhe mbi pritshmëritë e SHBA për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zëri i Amerikës: Cilat janë përparësitë politike në rolin tuaj të ri, duke pasur parasysh se ky është një pozicion i ri, i krijuar nën administratën e tanishme. A ka një rritje të interesit dhe angazhimit amerikan ndaj Ballkanit?

Matthew Palmer: Sigurisht, mendoj se vendimi i Sekretarit të Shtetit për të emëruar një përfaqësues të veçantë për Ballkanin Perëndimor tregon qartë dhe në mënyrë konkrete, angazhimin tonë për rajonin, angazhimin tonë për të qenë partner për rajonin dhe ambicien tonë për të ndihmuar rajonin, të zhvendoset më pranë bashkësisë perëndimore të kombeve. Prandaj, unë e shoh rolin tim si diçka që në fakt më mundëson të ndihmoj vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin aspiratat e tyre për integrim evropian dhe euro-atlantik. Ne kemi shpresë se kjo fillon me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke u dhënë mundësinë për të hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu dëshirojmë të shohim Serbinë dhe Kosovën, të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Dhe, natyrisht, do të donim po ashtu që Bosnja dhe Hercegovina të vazhdojë procesin e reformës dhe të afrohet më shumë në rrugën e saj evropiane dhe euro-atlantike. Është një axhendë e madhe, ka shumë punë për të bërë, por unë jam i përkushtuar të qëndroj në partneritet të ngushtë me rajonin dhe t’i ndihmoj ato vende të ecin përpara.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, nxitja e Kosovës dhe Serbisë për të rifilluar bisedimet është një nga përparësitë. Në ç’mënyrë?

Matthew Palmer: Mendoj se gjëja e parë që duhet të bëjmë është të presim derisa Kosova të zhvillojë zgjedhjet më 6 tetor. Pastaj do të ketë një proces të formimit të qeverisë. Ne do ta bëjmë të qartë pritshmërinë tonë se qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë një qeveri pro dialogut, e gatshme të pezullojë tarifat të cilat janë pengesë për rifillimin e procesit të dialogut, e gatshme të formojë një ekip negociator të fuqizuar si dhe e gatshme të angazhohet me Serbinë në tryezën e bisedimeve me seriozitetin e qëllimit për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara do të jenë me ta së bashku në çdo hap të këtij procesi, por Kosova duhet të marrë kontrollin e fateve të veta.

Zëri i Amerikës: Cila është pritshmëria juaj për zgjedhjet e 6 tetorit?

Matthew Palmer: Kjo varet në të vërtetë nga populli i Kosovës, por çfarëdo partie politike të dalë në krye, të jetë në gjendje të provojë për të formuar një koalicion, shpresojmë që ajo parti të lëvizë shpejt drejt formimit të qeverisë dhe drejt krijimit të një koalicioni të përkushtuar për të rihapur procesin e dialogut në mënyrë serioze.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, pika më e vështirë duket se është, së pari tarifat e Kosovës ndaj importeve serbe dhe së dyti fushata diplomatike e Serbisë për të bllokuar njohjet e Kosovës. Çfarë do të bënte SHBA? Cilat janë zgjidhjet e mundshme?

Matthew Palmer: Ajo që ne do të dëshironim të shohim është që qeveria e ardhshme e Kosovës të pranojë se përparësia e saj është një marrëveshje normalizimi me Serbinë dhe që pezullimi i tarifave është pjesë e kësaj. Ne kemi shpresë që Serbia do të përgjigjej pas kësaj me disa stimuj nga ana e saj dhe që kjo të përfshinte pezullimin e mundshëm të fushatës për bllokimin e njohjeve. Dhe me këtë si bazë, pra me pezullimin e tarifave dhe fundin e fushatës për bllokimin e njohjeve, palët mund të kthehen në tryezën e bisedimeve në një atmosferë pozitive me vështrimin drejt arritjes së një marrëveshjeje.

Zëri i Amerikës: A do t’i rigjallëroni përpjekjet tuaja për t’i nxitur palët, siç është letra e përbashkët nga ju dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, për t’i kërkuar Kosovës që të heqë tarifën prej 100 për qind, tani që në Shtëpinë e Bardhë do të jetë Këshilltari i ri i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien?

Matthew Palmer: Kur flas në emër të qeverisë amerikane, nuk flas thjesht në emër të Departamentit të Shtetit. Si Përfaqësues Special do të paraqes pozicionet e Shteteve të Bashkuara që përfshin Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes. Ne flasim si qeveri amerikane me një zë të vetëm koherent dhe me një politikë të vetme. Kështu që, kur shkoj në Kosovë dhe takohem me zyrtarë të Kosovës, unë flas në emër të Shteteve të Bashkuara. Kjo presupozon se e gjithë qeveria amerikane qëndron prapa çdo gjëje që unë them.

Zëri i Amerikës: Nëse ngërçi vazhdon, a do të ketë kjo ndikim negativ në mbështetjen e SHBA për të ndihmuar integrimin e Kosovës dhe Serbisë në bashkësinë perëndimore?

Matthew Palmer: Ne mbetemi të përkushtuar për këtë, kjo është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Ne jemi të përgatitur të punojmë në partneritet me Beogradin, në partneritet me Prishtinën, në partneritet me autoritetet serbe, në partneritet me autoritetet në Kosovë për arritjen e këtij qëllimi dhe objektivi. Ne nuk mund ta bëjmë këtë vetë. Janë vetë palët që duhet ta udhëheqin këtë përpjekje. Ne duam një zgjidhje që të jetë në pronësi lokale, që të jetë e qëndrueshme, që të jetë e pranueshme tek të dyja palët. Një zgjidhje të cilën Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët në bashkësinë ndërkombëtare të mund ta mbështesin. Ne jemi partnerë për ta në këtë proces, por janë ata që duhet të jenë në timon.

Zëri i Amerikës: Do të doja ta zhvendosja intervistën te Kina, pasi Kina po zgjeron nismën e saj Një Brez një Rrugë. Disa analistë thonë se investimet kineze në Ballkanin Perëndimor po marrin vrull. A është kjo diçka negative për ju kur ju flisni mbi përparësitë e politikës amerikane? Cili është ndikimi i kësaj në marrëdhëniet e SHBA me rajonin?

Matthew Palmer: Po. Ne e kuptojmë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të prirur të gjejnë marrëveshjet më të mira të mundshme për veten e tyre dhe publikun e tyre, kur përpiqen për projekte të mëdha infrastrukturore. Kjo është normale. Ajo që ne bëjmë është të përpiqemi të sigurojmë që loja të jetë e barabartë për të gjithë. Pra, që kompanitë amerikane, ndërmarrjet perëndimore të jenë në gjendje të konkurrojnë në mënyrë të drejtë për këto mundësi, kur ato shfaqen. Dhe ne po i inkurajojmë qeveritë në Ballkanin Perëndimor të shqyrtojnë në mënyrë të gjerë, nëse disa nga këto marrëveshje me Kinën janë vërtet në interesin e tyre. Dua të them që kemi parë në raste të tjera që lidhen me nismën Një Brez, Një Rrugë një lloj qasjeje grabitqare që i fut vendet në borxhe përmes këtyre programeve, ku shifrat që ofron Kina mund të duken shumë tërheqëse për qeverinë në fjalë, por kostot e mirëmbajtjes, mungesa e krijimit të vendeve të punës që kinezët sjellin bashkë me projektet, dhe më e rëndësishmja, ngarkesa e borxhit që ndikon në aftësinë e këtyre vendeve për të mirëmbajtur të mirat kapitale që ato marrin, në fakt krijojnë kosto afatgjata dhe pasoja që ato nuk i kanë menduar me aq kujdes. Pra, ekzistojnë konsiderata të sigurisë, ekzistojnë konsiderata financiare dhe çështje të marrëdhënies më të gjerë që këto vende do të donin të krijonin me korporata shumëkombëshe, të cilat duhet të faktorizohen në këto vendimmarrje.

Zëri i Amerikës: Sekretari i Shtetit Mike Pompeo shpesh i ka paralajmëruar aleatët në lidhje me rrezikun e përdorimit të firmës kineze HuaWei për rrjetet 5G. Ndërkohë Serbia po intensifikon bashkëpunimin e saj me Huawei-n. Si ua shpjegoni vendeve të tilla si Serbia, të cilat mund t’i shohin si më tërheqëse pajisjet apo paketat financiare kineze?

Matthew Palmer: Ajo që ne u kërkojmë njerëzve të bëjnë është të marrin në konsideratë tërësinë e çështjes. Sigurisht, diçka si infrastruktura e telekomit është çështje e sigurisë kombëtare, po aq sa është një investim financiar nga ana e qeverive në fjalë. Por a duan ata vërtet të angazhohen për të bërë biznes me një kompani që ka demonstruar se nuk është e sigurt? Ne inkurajojmë Serbinë dhe vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, që ato t’i japin përparësi sigurisë së rrjeteve të tyre, përveç përparësisë që i japin faktit se sa tërheqëse janë paketat financiare që u ofrohen.

Palmer për Shqipërinë: SHBA nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike

Zëri i Amerikës: Të flasim për Shqipërinë, ku ndaj kryeministrit të tanishëm ka shumë kritika. Ç’mendim keni për situatën politike në Shqipëri?

Matthew Palmer: Ne do të donim që ngërçi i tanishëm politik në Shqipëri të zgjidhej. Ne kemi një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë ashtu siç kemi pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë e mëparshme. Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike, askund, dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku jam duke u përpjekur të bëj punën time. Ne punojmë me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike. Ne i kuptojmë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesim qëllimin e reformave. OSBE-ja ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë. Ndërkohë, është e rëndësishme që Shqipëria të krijojë një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që ajo të gjykojë mosmarrëveshjet që do të lindnin në sferën politike. Por, mbi të gjitha, dhe kjo është shumë e rëndësishme, populli i Shqipërisë mund të mbështetet tek miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara. Aleatët tanë, partnerët tanë janë Shqipëria dhe populli shqiptar. Politika është politikë, por marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është e fortë dhe e qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Përsa i përket Maqedonisë së Veriut, cilat janë hapat konkretë me të cilat Shtetet e Bashkuara mund ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të integrohet në bashkësinë perëndimore?

Matthew Palmer: Ne kemi shumë shpresë që Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat për anëtarësim, pas mbledhjes së Këshillit Evropian më 16 tetor. Ne besojmë se qeveria në Maqedoninë e Veriut e ka kaluar këtë kriter, madje shumë herë. Në fakt, Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave të pranimit me Shkupin për nëntë ose 10 vitet e fundit me radhë. Pra, ne e kemi bërë të qartë këtë qëndrim tek partnerët tanë evropianë. Ne mendojmë se do të ishte jashtëzakonisht e dobishme. Natyrisht, Maqedonia e Veriut, mund ta ndihmonte çështjen e saj duke vazhduar të ndjekë axhendën e reformës, duke zbatuar ligjin e ri për prokurorinë speciale. Konsultimet dhe bisedimet e tyre për këtë çështje në Shkup janë duke vazhduar. Ne do të dëshironim që të bashkëpunonim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut në mbështetje të axhendës së reformës dhe dëshirojmë ta ndihmojmë vendin të ecë përpara. Ne gjithashtu kemi shpresë se Maqedonia e Veriut do të ecë përpara në rrugën e NATO-s dhe se mund të shohim që Maqedonia e Veriut të bëhet vendi i 30-të anëtar i NATO-s qysh në dhjetor, nëse gjërat ecin mirë.

Zëri i Amerikës: Ju keni punuar më parë me Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien. A keni diçka për të ndarë me ne? A shihni se një njoftim i tillë do të jetë një gjë e mirë për politikën e ardhshme të SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor?

Matthew Palmer: Robert O’Brien është një profesionist i rrallë. Ai ka qenë një partner i shkëlqyer për mua dhe zyrën time për një numër çështjesh të rëndësishme dhe unë e uroj që u ngrit në postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare. Jam i sigurt se ai do të bëjë një punë të shkëlqyer. Marrëdhënia jonë midis Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Ballkanin Perëndimor ka qenë gjithmonë shumë e ngushtë dhe bashkëpunuese. Ne i kuptojmë gjërat në të njëjtën mënyrë. Ne punojmë shumë ngushtë në drejtim të formësimit dhe zbatimit të politikës. Unë pres që kjo të vazhdojë nën Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare.

Zëri i Amerikës: Ju faleminderit.

Shqipëria, Korea e Veriut e Europës Nga Christoph Dieckmann

 

Historiani gjerman: Enver Hoxha e shndërroi Shqipërinë në vend invalid, por për krimet e regjimit të tij s’flet askush, as nuk dënohet askush

 

Së fundi kanë qëndruar për vizitë në Shqipëri 20 shkencëtarë gjermanë, të cilët merren me trajtimin e së kaluarës. Qëllimi i vizitës ka qenë që me palën shqiptare të krijohen kontakte për bashkëpunim. Shkencëtarët kanë vizituar kampet e internimit në Spaç dhe Tepelenë, kanë qëndruar në Shkodër dhe kanë diskutuar me të mbijetuar të diktaturës së Enver Hoxhës. Pas kësaj vizite historiani Christoph Dieckmann ka shkruar një tekst të gjatë në gazetën DIE ZEIT të Hamburgut mbi historinë e Shqipërisë në shekullin e XX dhe trajtimin e së kaluarës komuniste – ose thënë më mirë: mungesën e gatishmërisë për të trajtuar krimet e komunizimit.

 

Dieckmann përshkruan fillimisht një vizitë në Spaç, dikur minierë e bakrit dhe qendër e kampit më të tmerrshëm të shfarosjes të ndërtuar më 1968 nga regjimi i Enver Hoxhës. Dieckmann e quan Spaçin «kamp përqendrimi». Në minierën e Spaçit punonin 1400 të burgosur. Më 1973 dhe 1985 në Spaç u shtypën dy kryengritje të të burgosurve. Shtatë udhëheqës të revoltës u vranë. Në vitin 1990 kampi u mbyll, më 2009 qeveria vendosi që në Spaç të hapë një muze. As sot e kësaj dite ky muze nuk është hapur. Fabian Kati, njëri nga të burgosurit në Spaç, thotë se shoqëria shqiptare nuk e sheh të domosdoshme të merret me trajtimin e diktaturës komuniste. Përse ishte dërguar në burgun e Spaçit Fabian Kati? Sepse me një antenë «kundërrevolucionare kishte dëgjuar pop-muzikë», e cila nga regjimi konsiderohej armike e klasave. Kati kishte përkthyer edhe tekste të këngëve, ky ishte mëkati i tij i radhës.

 

Historiani gjerman Christoph Dieckmann citon ish të burgosur të cilët thonë se një e treta e shqiptarëve janë përndjekur nga regjimi, Spaçi ka qenë Auschwitzi ynë, thotë një tjetër, dhe njëri shton: Auschwitzi u çlirua pas tri vitesh, Spaçi tek pas disa dekadave. Dieckmann përshkruan me ton telegrafik vërtitjen e Shqipërisë komuniste nga aleanca me Bashkimin Sovjetik te thellimi i raporteve me Kinën. Më 22 nëntor 1967 Radio Tirana njoftoi se Shqipëria ishte shpallur shteti i parë ateist në botë. 2035 objekte kulti u shkatërruan apo iu ndërrua destinimi, dinjitarët fetarë u vranë apo internuan, lutjet dënoheshin me masa drakonike. Mes alpeve shqiptare dhe Detit Jon u ndërtuan 173 mijë bunkerë. Shërbimi sekret Sigurimi nuk ndalej së zbuluari armiqtë klasorë, më 17 dhjetor 1981 kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në shtratin e tij. «Kur vdiq Enver Hoxha më 1985, ai la pas vetes një vend invalid, krejtësisht të izoluar. Pas autokratit pushtetin e mori zëvendësi i tij Ramiz Alia, pas diktaturës personale erdhi oligarkia partiake», shkruan Dieckmann.

 

Pushkatimi i Nikolai Çausheskut dhe gruas së tij në Rumani më 1989 i frikësoi komunistët shqiptarë, të cilët lejuan themelimin e partive politike. Më 1990 u themelua Partia Demokratike. Dieckmann shkruan: «Demokratët e rinj nuk kishin një Havel apo një Valensë. Ata nuk rridhnin nga skena e disidentëve, as nga lëvizja sindikale, as nga kisha e distancuar nga regjimi, as nga grupi i kuadrove të ekzilit. Të gjithë vinin nga sistemi i mbyllur, të gjithë ishin edukuar në frymën komuniste. Ky është totalitarizëm. Sot të dy partitë funksionojnë si sisteme klanore dhe klienteliste. Në Shqipëri qarkullon një maksimë: të majtit janë më të djathtë se të djathtit dhe e kundërta».

 

Historiani gjerman Christoph Dieckmann tregon hollësisht vrasjen e murgeshës Marije Tuci. Ajo vdiq më 1950, ishte 22-vjeçare – vdiq për shkak se refuzoi të shtrihet në shtrat me shefin lokal të Sigurimit. Marije Tucin e futën në një thes, bashkë me një mace të egër, dhe e mbytën duke e goditur me shufra. Ajo sot është martire e kishës, martirë janë edhe 36 priftërinj dhe një imam. Vetëm në Shkodër regjimi burgosi 2890 njerëz, 601 i vrau, 136 vdiqën nga torturat. Në Shqipërinë diktatoriale u vranë 6000 njerëz. Pjerin Mirdita, i cili drejton një qendër memoriale në Shkodër, thotë se vrasësit e kohës së diktaturës as nuk përmenden, as nuk ndiqen penalisht. Nga vullneti i arsimtarëve varet nëse ata e tematizojnë diktaturën e Hoxhës në shkolla. Sipas Pjerin Mirditës shumë njerëz në Shqipëri kanë qejf të flasin për të arriturat e vendit në periudhën e Luftës së ftohtë. Pleqtë duan të harrojnë.

 

Rrugës për në Tepelenë, shkruan Dieckmann, shihen gra me shami të bardha duke punuar arat, burra me gomarë duke medituar, djem mbi mure duke përshëndetur me dorë, minare dhe një pikë karburanti, ku mes pastës së dhëmbëve dhe marmelatës së fikut gjenden CD me këngë që e lavdërojnë Enver Hoxhën. Tepelena, sipas historianit gjerman: para muzeut një përmendore e Ali Pashë Tepelenës, në muze kiç partizan, përfshirë një dhomë në kujtim të diktatorit Hoxha. Një pikturë revolucionare e paraqet atë duke e edukuar popullin, lart mbi luginë dhe lumë. Në Tepelenë Simon Mirakaj tregon historinë e tij: si u internua si fëmijë në kampin e Tepelenës, si pa dhe përjetoi vuajtje, vaj e vdekje – dhe Ilda Themeli, përkthyesja e shkencëtarëve gjermanë, kërkon një pauzë, sepse duhet të qajë.

 

Shumica e të internuarve në Tepelenë nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim, nuk ka dokumente për kampin e Tepelenës, s’ka as fotografi, ekzistojnë vetëm disa vizatime dhe tregime të të burgosurve. «Arkivi i diktaturës së Shqipërisë janë kujtimet e familjeve. Organizatat e viktimave punojnë të ndara në rajone, janë të fragmentuara, nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nuk ka diskurs kombëtar mbi diktaturën ose konsenzus mbi historinë», shkruan Dieckmann.

Në fund të vizitës Dieckmann flet edhe në emër të kolegëve të tij gjermanë, kur thotë: jemi të tronditur kur shohim se deri më sot në Shqipëri autoriteti i dosjeve të Sigurimit ka përpunuar dhe miratuar vetëm 1500 kërkesa për zbardhjen e dosjeve. Ligjin përkatës e ka miratuar qeveria socialiste e Edi Ramës, opozita demokrate nuk ka votuar, shoqatat e viktimave e quajnë ligjin «demagogji». Shqipëria, shkruan Dieckmann, është planet tjetër, s’mund të krahasohet me Gjermaninë e cila pas bashkimit është ballafaquar me të kaluarën komuniste të Gjermanisë Lindore./Përktheu Enver Robelli

 

 

Arba Kokalari zgjidhet zv.presidente e PE-së për Partitë Popullore

“Arba Kokalari zgjidhet zëvendëspresidente e Parlamentit Europian për Partitë Popullore. Në profilin e saj publik në rrjetet sociale, ajo ka njoftuar se do të jetë gjithashtu raportuesja përgjegjëse që do të udhëheqë punën e BE-së për Stambollin”, ka shkruar Majko në Facebook.

Arba Kokalari, 32 vjeçe nën programin e partisë “Moderata” arriti të hynte në PE, duke u bërë e para shqiptare që ulet në këtë parlament, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka lindur në Tiranë më 27 nëntor 1986, më pas bashkë me prindërit, motrën dhe vëllain emigruan drejt Suedisë. Arba është mbesa e Musine Kokalarit, vajzës së bukur me beretë të bardhë, jeta e të cilës u shkatërrua nga sistemi komunist.

Musine Kokalari është ndër disidentet e para gra ndaj sistemit komunist që në vitin ’46. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Më pas në ’43-shin ajo botoi gazetën “Zëri i Lirisë”. Më 23 janar të vitit 1946 ajo u arrestua nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet burgim. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen për 22 vjet të tjera, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981 u sëmur me kancer dhe dy vjet më vonë u largua përgjithmonë nga jeta. Asaj nuk iu dha as mundësia për t’u kuruar në spitalin onkologjik.