Shqipëria është informuar të enjten e kaluar nga shërbimet sekrete partnere, se Tirana është një ndër objektivat primarë të sulmeve të ardhshme terroriste, dhe ky nuk është një fiksion, por një kërcënim serioz. Menjëherë pas këtij informacioni, po atë ditë, Ministria e Brendshme ndërmori menjëherë masat e para, duke shtuar patrullat e policisë dhe forcave të tjera speciale në rrugët e Tiranës dhe duke rikthyer në përdorim publik të tyre edhe mitikët AK-47 ose, siç i njohim në zhargon, ‘kallashët’.
Asgjë për t’u kritikuar deri këtu. Shumë e drejtë… Po atë natë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani thërriti në Presidencë kreun e SHISH-it, Visho Ajazi Lika, ndërsa një ditë më pas thërriti edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare, që tregon se sa serioze është realisht situata e kërcënimeve terroriste në Shqipëri. Deri këtu duhet thënë se u ndoqën të gjitha procedurat standarde me rigorozitet të plotë, ashtu siç parashikohet në manualet e funksionimit të shtetit kur kombit i kanoset një rrezik serioz. Por, sa seriozë janë shtetarët tanë 5 ditë pas këtij kërcënimi direkt për jetën e shqiptarëve? A e dini se sot, e mërkurë, 25 nëntor, zyrtari më i lartë vendimmarrës në Republikën Parlamentare të Shqipërisë është nënkryetari i Kuvendit, Shpëtim Idrizi? A e dini se sot, kryeministri Edi Rama ndodhet në Kinë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta po viziton Italinë dhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është nisur paradite drejt Kroacisë? Sot, larg qoftë, nëse vendit i ndodh diçka, krerët e shtetit janë në avion ose, siç thotë populli, “në tren”. Kjo situatë anakronike, në rastin më të mirë është thyerje e protokollit shtetëror, kur parashihet që, në çdo kohë, njëri prej drejtuesve shtetërorë duhet të jetë në krye të detyrës, plus që kërkohet gjithmonë që vizitat e krerëve të shtetit të koordinohen. Ndërsa në rastin më të keq, siç edhe me shumë gjasë është, kemi të bëjmë me një shkalafitje shtetërore të një kaste, ku askush nuk pyet për askënd, e aq më pak për ata që qeverisin, në këtë rast NE!… Sot Shqipëria është përfshirë zyrtarisht (referuar vetëm raporteve të shërbimeve sekrete partnere) në objektivin e mundshëm të sulmeve terroriste. Nuk dihet se për çfarë arsyeje, se për çfarë mesazhi e me çfarë qëllimi toka jonë ka “fituar” urrejtjen e terrorizmit. Kjo nuk duhet të na bëjë krenarë, por duhet të na bëjë të shqetësohemi fort për dy arsye. E para dhe më realja janë vetë qëllimet e terroristëve. Ata kanë treguar se, kur i vënë një qëllim vetes, arrijnë të godasin edhe Kullat Binjake në mes të Nju-Jorkut, por edhe në mes të Parisit, e madje, dy herë brenda vitit po deshe. Tani, imagjinoni një vend pa Ushtri e që mbrohet me policë të pajisur vetëm me kallash. I dyti shqetësim, dhe për mua ky është po aq serioz sa i pari, ka të bëjë me mënyrën se si po e trajtojnë situatën sot e gjithë ditën burrat e shtetit tonë.
I pari dhe më kryesori Edi Rama, në mënyrën më infantile të mundshme! Ai që pak ditë më parë në Turqi deklaronte se terrorizmi nuk ka lidhje me Islamin, u nis pardje për në Kinë, duke u lënë në derë shqiptarëve në shkrimin e tij “Asnjë frikë nga terrorizmi” termin “terrorizëm islamik”. E korrigjoi pak më vonë, por tashmë dëmi ishte bërë dhe “ferra i mori uratën” me këtë gafë, atij që nisi të heqë vetullat dhe, si shpeshherë në këto dy vite qeverisje, nxori sytë. Por nuk bëhet fjalë vetëm për fjalë. Po deshët, edhe për vepra. Agjencia Antiterror, falë Zotit është një nga njësitë më të specializuara që kemi në këtë farë shteti, me drejtuesit më të kualifikuar të mundshëm, por vetëm kaq. Kjo sepse, Ministria e Financave të shtetit që sot ka një kërcënim real për sulme terroriste, pra Shqipëria, në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk ka shtuar as edhe një gram lek për llogari të kësaj agjencie. E thënë ndryshe, kjo qeveri që nuk ka lënë banjë të asnjë ministrie pa rregulluar me taksat tona, nuk e sheh aspak të arsyeshme që paratë e shqiptarëve t’i projektojë për të përforcuar një agjenci jetike si ajo e Antiterrorit. Aq më tepër në kuadrin e kërcënimit që vërvitet mbi kokat tona nga e enjtja e tutje. Në këmbim ajo ka vendosur që me këto para të dyfishojë stafin e Kryeministrisë për vitin e ardhshëm. Absurde!
Pyetja është: çfarë do të bëjmë ne? Këshillat e vetme janë që të kemi kujdes në zonat e populluara, vendet publike, shkolla, kopshte, lokale, stacione autobusi dhe brenda në autobus apo edhe banka. Në mënyrën se si po “duken bathët”, është koha që seriozisht të ruajmë veten, ashtu siç kemi bërë gjithmonë ndër shekuj, sepse asnjë nga ata që kemi votuar për këtë punë nuk ka ndërmend ta bëjë. Zoti i ruajt Shqipërinë dhe shqiptarët!
Komentet