VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Shqiptar, mos ik por qëndro si një mur guri! – Nga Aurel Dasareti*

By | May 9, 2019

Komentet

MARTIN LUTHER KINGU DHE ADEM DEMAÇI BARTËS TË VLERAVE TË PËRBASHKËTA TË LIRISË – Nga Frank Shkreli

 

“Askujt nuk i shërben urrejtja…” (Adem Demaçi)

 

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës kujton dy gjigantë të tjerë drejtave të njeriut — një shqiptar dhe një amerikan: Dr. Martin Luther King-un dhe Adem Demaçin, si dy kampionë të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore për të gjithë njerëzit, pa dallim dhe kudo. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka filluar të  botojë, nepërmjet portalit të saj facebook, një seri të veçantë, për të kujtuar personalitete të njohura të së kaluarës nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova, të cilët gjatë jetës dhe veprimtarisë së tyre kanë mbështetur vlerat e përbashkëta të dy popujve, mbi të gjitha lirinë dhe demokracinë.

 

Në njoftimin e dytë të kësaj serie, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka vendosur të kujtojë ikonat e të drejtave të njeriut, Dr. Martin Luther King-un nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disidentin e njohur shqiptar, Adem Demaçin nga Kosova.

 

Javën që kaloi, përfaqësia diplomatike amerikane në Prishtinë, e filloi këtë seri njoftimesh të vlerave të përbashkëta duke kujtuar dhe duke krahasuar Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës dhe kongresistin amerikan Xhon Luis, i cili ndërroi jetë kohët e fundit, në moshën 80-vjeçare — e të cilët u përkujtuan si udhëheqës shembullorë me influencë dhe frymëzues të shoqërive, jo vetëm në vendet ku ata kanë jetuar dhe vepruar, por edhe në mbarë botën.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Philip S. Kosnett

Ashtu siç kam njoftuar edhe në shkrimin e javës së kaluar mbi këtë subjekt, kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës dhe Kongresistit John Lewis, duket se ky projekt ka për qëllim, jo vetëm të theksojë vlerat e përbashkëta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të venë në dukje personalitetet nga të dy vendet, të cilët kanë lënë pas këtë trashëgimi të pasur vlerash të përbashkëta lirie e demokracie, por edhe si një mjet për të forcuar edhe mëtej marrëdhëniet tona, nepërmjet këtyre vlerave dhe personave, të cilët sa ishin gjallë ishin bartësit e këtyre vlerave kombëtare dhe universale.

 

Ambasada amerikane jep një përshkrim të shkurtër të Dr. Martin Luther King-ut dhe Adem Demaçit, këtyre dy burrave të dalluar të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, për të shpjeguar, shkurtimisht, arsyen dhe meritat që i kanë dalluar ata, si dhe vlerat për të cilat ata kanë luftuar, për veten dhe popullin që ata kanë përfaqësuar.  Në epokën që ata jetuan e vepruan, këta dy burra — njëri amerikan e tjetri shqiptar — u dalluan si heronjë dhe udhëheqës me influencë në përpjekjet e tyre për sigurimin e të drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut — njëri në Shtetet e Bashkuara, e tjetri në Kosovë, por zëri i të cilëve u dëgjua edhe përtej kufijve ku ata jetonin e vepronin.

 

Për të paraqitur Adem Demaçin, ikonën e të drejtave dhe lirive në Kosovë, Ambasada amerikane në Prishtinë pasqyron një citim frymëzues të tij mbi rëndësinë që kishte liria për të:  “Nëse ne, vërtetë, e duam lirinë, ne duhet të jemi vet krijuesit e lirisë sonë.  Faktori i brendshëm është elementi parësor për të fituar lirinë, ndërsa faktori i jashtëm është i dorës së dytë.  Ky është ligji i jetës që nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë për hir të askujt, madje më pak për hir të vetes sonë. ” (Adem Demaçi)

 

Në faqen e rrjetit social Fejsbuk të Ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se Adem Demaci ishte një aktivist, shkrimtar dhe veprimtar i shquar në mbështetje të drejtave të njeriut.  Ai kaloi 28 vjet në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë komuniste, si pasojë e mbrojtjes pasionante të drejtave të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve.  Mbi të gjitha, thuhet në atë njoftim, ai mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes kombëtare.  Demaçi paraqitet si simbol i ndarjes së vlerave të lirisë, së bashku me veprimtarin e njohur amerikan të drejtave të njeriut dhe të drejtave të civile për afrikano-amerikanët dhe të tjerë, Dr. Martin Luther King.

 

Në portalin e ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se Martin Luther Kingu ishte një nga mbështetësit më të njohur të shekullit XX për bërjen e ndryshimeve shoqërore dhe politike, pa dhunë.  Përmes aktivizmit dhe fjalimeve të tij të zjarrta dhe frymëzuese, ai ka luajtur një rol kryesor në dhënien fund të ndarjes ligjore të shtetasve afrikano-amerikanë nga të bardhët dhe të padrejtësive të atij sistemi, këtu në Shtetet e Bashkuara.  Ai ishte gjithashtu edhe arkitekti i Aktit të të Drejtave Civile, të vitit 1964 dhe Aktit për të Drejtat e Votimit.  “Kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël, një ditë do të jetojnë në një komb ku ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.”  Ishte kjo një ëndërrë që u realizua me votimin me shumicë të amerikanëve – të bardhë dhe afrikano-amerikanë – të Presidentit Barak Obama (2009 to 2017) në detyrën më të lartë të Shteteve të Bashkuara, por që ende mbetet shumë për tu bërë.

 

Martin Luther King ka shkruar mbi lirinë, në “Letrën nga Burgu Birmingham” në vitin 1963: “Ne jemi të vetdijshëm nga përvoja jonë e dhimbshme se liria nuk jepet kurrë vullnetarisht nga shtypësi.  Ajo duhet të kërkohet me këmbëngulje nga të shtypurit”, citohet të ketë shkruar nga burgu i qytetit Birmingham të shtetit Alabama, Martin Luther Kingu, mbi vlerën dhe rëndësinë që ai i kushtonte lirisë, për veten dhe për komunitetin që ai përfaqësonte dhe për të drejtat e të cilit luftonte ditë e natë.

 

Amerikani Martin Luther King dhe shqiptari nga Kosova, Adem Demaçi – të cilët mund të konsiderohen edhe si dy ndërgjegje të dy popujve tanë — ishin dy personalitete që u pasqyruan nga Ambasada amerikane në Prishtinë, jo vetëm si shembuj bartës të vlerave të përbashkëta midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës – por edhe si ikona të lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë, të cilët do të mbahen mend dhe do të kujtohen si personalitete me influencë dhe si frymëzues në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë së vërtetë edhe për të tjerët – madje edhe përtej kufijve të vendeve të tyre.

 

Sa ishte gjallë, Adem Demaçi kërkonte nga shqiptarët që të përpiqeshin të gjejnë pikën e përbashkët: “Që të bashkojnë dijen, kulturën, arsimin dhe sidomos të kultivojnë midis tyre frymën e tolerancës”.  “Askujt nuk i shërben urrjetja…”, ka këshilluar Adem Demaçi.

 

Martin Luther King: “Jeta jonë fillon të marrë fund, kur heshtim për gjërat e rëndësishme”, siç janë liria dhe demokracia e vërtetë, për të gjithë njerëzit dhe pa dallim.

 

Martin Luther King: “Më në fund, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqëve, por do të kujtojmë gjithmonë heshtjen e miqëve tanë”, përballë shkeljes së këtyre të drejtave për liri e demokraci.

 

Martin Luther King: “Paqa e vërtetë nuk është, thjesht, mungesa e tensioneve, por është prania e drejtësisë së vërtetë”, në një shoqëri.

 

Pa drejtësi të vërtetë nuk ka paqë as harmoni!

 

Frank Shkreli

Dr. Martin Luther King                               Adem Demaçi

KRYEMINISTRI EDI RAMA DEKLARON: KOMUNISTËT DHE KOMUNIZMI NË ANËN E DUHUR TË HISTORISË!? – Nga Frank Shkreli

“Im at, po, ka qenë komunist, si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë”.  Kështu u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama gjatë një debati në parliament me disa deputetë të “opozitës”, të ënjtën që kaloi.  Me thënë të drejtën e dëgjova dy tre herë deklaratën e Kryeministrit shqiptar për të qenë i sigurt se vërtetë kështu u shpreh publikisht, madje nga foltorja e Kuvendit, kryeministri i Shqipërisë — i një vendi ish-komunist me regjimin më të egër të këtij lloji në botë, për pothuaj një gjysëm shekulli, aktualisht vend anëtar i NATO-s, një aleancë ushtarake që është themeluar, pikërisht, me misionin për të mbrojtur vendet demokratike perendimore nga kërcënimet e komunizmit sovjetik dhe aleatëve të tij.

 

Nuk më intereson aspak se cilat ishin ose si i kujton Edi Rama marëdhëniet me babain e tij kur i ati i shërbente regjimit komunist të Enver Hoxhës, ose cilat janë kujtimet e tija familjare tani që i ati është i ndjerë.  Gjithashtu nuk më interesojnë as marrëdhëniet e Edi Ramës ose pikëpamjet tija për ballistët, zogistët ose këdo tjetër, pasi ata të gjithë meritojnë njëri tjetrin.

 

Po ajo që më intereson dhe më shqetëson mua si një shqiptar i diasporës që gjithmonë dhe pa dallim ia do të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo, e që duhet të interesojë dhe të shqetësojë çdo shqiptar, pa dallime politike, fetare ose krahinore është kur Kryeministri aktual i Shqipërisë deklaron – 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit  nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë –se komunistët shqiptarë, në krye me Enver Hoxhën, njërin prej diktatorëve më gjakatarë që ka njohur historia — na paskan qenë, “në anën e duhur të historisë”.  Kush është ky njeri, a është Edi Rama “antikomunisti” i vitit 1990, a po simpatizant i komunizmit sot.

Është e vështirë të merret me mend një Kryeministër i cilitdo vend tjetër ish-komunist në Evropë dhe më gjërë, që sot në fillim të dekadës së tretë të shekullit 21, të deklarojë se — komunistët shqiptarë, përfshir babain e tij, që i kanë shërbyer me besinkëri njërit prej regjimeve më kriminale që ka njohur historia e njerëzimit e shekullit të kaluar – kanë qenë në anën e duhur të historisë.  Gjatë “debatit”, Z. Rama e quajti veten “socialist-demokrat”, “në kuptimin e të qenit demokrat”, tha kryeministri.  “Socialistët, ta dishë”, shtoi ai, “janë anti-fashistë dhe anti-komunistë”. Nëqoftse socialistët na qenkan “antikomunistë”, atëherë si mund të ishin komunistët në anën e duhur të historisë?  “Socialistët, nuk merren me personat, ata merren me ideologji, kjo është ndarja e madhe”, theksoi ai. Por, ai nuk tha se për cilën ideologji e ka fjalën.

 

Unë nuk jam i sigurt se cilën audiencë kishte parasysh, Z. Rama kur deklaroi se komunizmi shqiptar ishte në anën e duhur të historisë: drejtuar një dyzinë antarësh të Kuvendit që gjoja quhet opozitë, ish-zyrtarëve të komunizmit, sot anëtarë të Kuvendit si përfaqësues të partisë së tij në pushtet, me maska në fytyrë, sikur duan të mbulojnë të kaluarën e tyre kriminale, si ish-shërbëtorë të komunizmit, “në anën e duhur” të historisë, a po iu drejtuar mbarë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ose ndoshta vetëm donte të mobilizonte “pionerët e Enverit”?.  Unë besoj se ky mesazh patetik i Z. Rama u drejtohej votuesve shqiptarë në përgjithësi, me një sy tek zgjedhjet e ardhëshme, për të aktivizuar elementët më negativ të shoqërisë shqiptare.  Por, mbi të gjitha ishte një mesazh anti-njerëzor për të gjitha viktimat anti-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës dhe të përndjekurve të atij regjimi dhe  ndaj të gjithë atyre që kanë kaluar vitet më të mira të jetës nepër kampet e përqëndrimit e që sot sillen rrugëve të Tiranës dhe të qyteteve të tjera pa punë, pa të ardhura e pa pronë, pa pikë shprese për veten dhe familjet e tyre.  E vetmja shpresë që kanë është për tu arratisur nga Atdheu siç arratiseshin dikur nga Shqipëria komuniste, paraardhësit e tyre.  Për fat të keq, kjo deklaratë e kryeministrit shqiptar, mbi të gjitha, u bë në frymën e Vladimir Leninit, me qëllim “që të përhapë në masat e popullit urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen me ne.” (Lenini).

 

Të thuhet se “komunistët ishin në anën e duhur të historisë”, nuk është një shprehje që del nga zemra dhe mendja e një demokrati të vërtetë evropian të fillim shekullit 21.  Kjo nuk është demokraci as “politikë opinionesh e përballje ideshë”, siç pretendoi gjatë “debatit”, Z. Rama.  Ky është një debat me veten tuaj, i nderuar kryeministër!  Fatkeqësisht, kjo që ndodhë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është as shprehje opinionesh as përballje ideshë, por është një pasqyrim i falimentimit moral dhe politik i një klase politike pa parime dhe pa atdhedashuri.  Por që pasqyron edhe atë që, për shumicën e shqiptarëve tani, është një korrupsion materialist në të cilin është zhytur vendi, jo vetëm politika e ditës por edhe një pjesë e madhe e medias dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Mund të ishte një kohë dikur, dekada më parë, që ndoshta përkushtimi ndaj komunizmit dhe diktatorëve si Enver Hoxha të konsiderohej si një idealizëm i gabuar ose naiv, megjithëse i rrezikshëm dhe jo kurrë si në anën e duhur të historisë.  Por, sot jemi në një botë dhe në një shekull tjetër.  Për pjesën më të madhe të botës ish-komuniste dhe për njerëzit normal, periudha e komunizmit ka kaluar, është mbyllur, turpërisht, me shembjen e Murit të Berlinit.  Por, kjo magjepsje, kjo nostalgji e çmendur në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit — me të kaluarën komuniste në Shqipëri — siç dëshmon edhe deklarata e Kryeministrit Rama javën që kaloi — është absolutisht e pabesueshme, kur të konsiderohen krimet e atij regjimi, tani një pjesë e të cilave po dokumentohen nga entet përkatëse të jashtme dhe të brendshme të vendit, nga individë e historianë si dhe nga dëshmitë e shumë të vuajturve dhe të persekutuarëve të regjimit enverist.

 

Ata që janë moralisht të falimentuar, përsa i përket krimeve të komunizmit, anashkalojnë faktin se terrori dhe krimet anti-njerëzore ishin një prej mjeteve bazë që komunizmi përdorte për të qëndruar në pushtet, duke zhdukur, pa mëshirë, kundërshtarët e vet.  Në vend që të kërkojnë ndëshkimin e krimeve të komunizmit, ose të pakën përballimin zyrtar me të kaluarën komuniste, grupe të ndryshme, një pjesë e medias dhe nostalgjikët e komunizmit– për interesa të momentit– promovojnë regjimin komunist dhe figurat udhëheqëse më të shëmtuara të komunizmit shqiptar.  Tashti këtyre grupeve iu bashkua, zyrtarisht, edhe Kryeministi i vendit me deklaratën e tij bombastike se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  Një deklaratë kjo e cila u interpretua nga disa analistë si një përpjekje e qartë për të paraqitur ndryshe nga ç’ishte historia kriminale e komunizmit në Shqipëri.

 

I nderuar Z. Kryeministër, në vend të glorifikimit të komunizmit, si i pari i qeverisë së vendit, të takon, je i detyruar– politikisht, moralisht, por edhe kombëtarisht — që të ndihmosh në ndërgjegjësimin dhe në forcimin e dialogut rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale komuniste në Shqipëri.  Ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia e shoqërisë shqiptare për të kaluarën komuniste, është një rol që duhet të luaj personi i juaj, si një përgjegjësi morale dhe qytetare ndaj të gjithë shqiptarëve, pa dallim.  Sa larg ishte dhe është Shqipëria nga bota perendimore sa i përket komunizmit.  Ish-Presidenti amerikan John Kennedy, si një detyrim moral dhe patriotik kishte premtuar në kulmin e përhapjes së komunizmit në botë se për të ndaluar komunizmin, Amerika ishte gati të, “paguaj çdo çmim, të bartë cilëndo barrë, të përballojë çdo vështirësi, të mbështesë çdo mik, dhe të kundërshtojë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.  Liria në Shqipëri nuk mbrohet duke promovuar komunizmin, Z, Kryeministër.

 

Fatkeqësisht, nostalgjia për komunizmin është e rrënjosur thellë në psikozën e shqiptarëve dhe shprehet haptas nga trashgimtarët apologjetë të atij regjimi, në media dhe panele televizive, nga njerëz të cilët ende mbajnë detyra me përgjegjësi, në nivelet më të larta qeveritare dhe akademike.  Politika ka përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në vend, por këta ”këmisha bardhët me kravata” siç i quante Ronald Reagan, janë një ndër shkaqet kryesore që demokracia, liria e vërtetë dhe drejtësia, po tkurren dita ditës në Shqipëri.  Këta duhet të mbahen përgjegjës aq sa edhe politika, për gjëndjen e mjerueshme në vend.

 

Shqipëria jonë e vogël është me krime aq të mëdha e të kobshme të epokës së komunizmit, saqë s’ka ndërgjegje e kujtesë që i mban.  Të pazotë e të pandershëm si elita, si shoqëri, si parti politike dhe si shtet për t’u përballur me to, për fat të keq, duket se Tirana zyrtare ka zgjedhur rrugën e harresës, tjetërsimit të historisë dhe anashkalimit të krimeve të komunizmit, kësaj radhe me sanksionimin zyrtar të Kryeministrit të vendit.  Jeni në rrugën e gabuar!  Historia e komunizmit shqiptar, prej pothuaj gjysëm shekulli, ishte një histori tmeri, viktimash të pafajshme, kampesh pune e përqendrimi, burgjesh, arratisjesh dhe ekzekutimesh të kundërshtarëve të regjimit enverist.  Z. Kryeministër, po mbroni një trashëgimi krimesh, gënjeshtrash dhe shpifjesh.  Komunizmi ishte një kapitull i tmershëm dhe i pa njohur më parë në historinë e njerëzimit, për nga natyra e krimeve që ka kryer mbi njerëz të pafajshëm.  Si e tillë, kjo histori monstroze duhet të dënohet, në vend që të promovohet si një histori e duhur nga ana juaj.  Diktaturat e të gjitha ngjyrave, sidomos komunizmi me mbi 100-milionë të vrarë — nuk kanë qenë kurrë dhe nuk duhet të konsiderohen as sot si një sistem i duhur në historinë e Shqipërisë, as të njerëzimit.  Deklarata juaj, javën që kaloi, se komunistët dhe komunizmi 50-vjeçar në Shqipëri — megjithë krimet e mëdha në njerëz dhe dëmet materiale për të cilat nuk fole fare — ishin në anën e duhur të historisë, është e papërgjegjshme, ofenduese për të përndjekurit e komunizmit– të gjallë e të vdekur– imorale dhe kriminale për një kryeministër të një vendi anëtar i NATO-s.

 

Frank Shkreli

 

Në artikullin e bashkangjitur, shkruar para tre vjetësh, mund të shikoni foto-skica nga Piktori Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe pikërisht kampi famëkeq i Tepelenës.

 

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-piktori-i-kampeve-te-vdekjes-te-regjimit-te-enver-hoxhes/

UJGURËT NË KINË DHE E JONA “KURRË MË” – Nga PIERLUIGI BATTISTA – E përktheu Eugjen Merlika

 

 

E sikur të jetë e vërtetë, a nuk do të mbeteshit pak keq, a nuk do të ndjenit pak neveri? Vjen vërdallë një video kineze, me gjasë e marrë nga një dron i padiktuar, në të cilin shihet një grumbullim njerëzish të veshur me një uniformë burgu, në gjunjë e të poshtëruar në sheshet e një stacioni hekurudhor, nën mbikqyrjen e pushkëve të policisë së Pekinit, në pritje për të hipur në trenat e internimeve. I intervistuar nga Bbc, ambasadori kinez në Londër nuk ka mundur të mohojë se ata t’internuar të lidhur me zinxhirë, bënin pjesë në Ujgurët, pakica myslimane e përndjekur në Kinë e shpërngulur me milionë në kampet e përqëndrimit, në heshtjen bashkëpuntore të kançelerive të gjithë botës dhe në një opinion publik tashmë të mësuar me dhunimin e të drejtave njerëzore në shkëmbim të qëndrueshmërisë e të marrëdhënieve tregtare të kënaqëshme. A nuk kishim thënë “kurrë më” Aushvic, etj. e tjera? Ja, nëse ajo video është e vërtetë, e vetëm për një maturi të skajshme mund t’i lejojmë vetes mirësinë e dyshimit, a nuk duhej së paku të turpëroheshim për atë “kurrë më”, në mënyrë hipokrite të recituar e sistematikisht të pa zbatuar?

Lajmi i dytë, i gjithi për t’u vërtetuar, sepse jo vetëm në rrjet por edhe në gazeta të njohura qarkullojnë pallavra të stërmëdha, thotë se edhe mbulesat e gojës që vemë, pjesërisht janë prodhuar në kampet e punës, shkurt, thënë shkoqur, në lagerët, pra në vëndet e skllavizmit kinez ku nuk ndjhen protestat e Perëndimit, në të cilët janë mbyllur Ujgurët e përndjekur nga Pekini. Do të duhej të turpëroheshim dy herë, nëse është e vërtetë se mbrohemi nga virusi me mjete të arritura nëpërmjet punës së detyruar të milionë t’internuarve, si ata të fotografuar nga droni i fshehtë më parë se të hipnin mbi trenat e turpit. Edhe në këtë rast, ku përfundoi thirrja qesharake e të virtutëshmes “kurrë më”? Si është e mundur që ne kaq fjalëshumë, të zemëruar, të kacagjelosur në shqytet tona demokratike, këtë herë kundrejt Ujgurëve të martirizuar, mbetemi kaq ëmbëlsisht të heshtur? Po qeveritë e rrugës së mëndafshit çfarë thonë? Kurrë më nuk do të pushojmë të kthehemi nga ana tjetër për të mos parë në fytyrë hipokrizinë tonë dhe cinizmin tonë qesharak. Dhe “kurrë më”, e thënë nga ne, kthehet në mënyrë mjerane në një fjali komike.

 

“Corriere della Sera”, 26 korrik 2020          E përktheu Eugjen Merlika

NËNË TEREZA – SHËNJTËRESHA DHE KOMBI I SAJ- Nga Frank Shkreli

Kopertina e librit të ri,“Nënë Tereza: Shënjtëresha dhe Kombi i saj” – me autor Dr. Gëzim Alpion

Më duhet të them prej fillimit se kam qenë në dijeni se ky libër ishte në përgatitje e sipër, pasi autori, Profesor Dr. Gëzim Alpion, me besim e mirësi, më ka nderuar duke më kontaktuar disa herë me ndonjë pyetje ose për informacion në lidhje me ato që po shkruante– por fatkeqësisht, unë nuk e kam parë ende librin e botuar të cilin pres ta marr së shpejti.  Por, me kënaqësi mësova nga disa burime për botimin, përfshir edhe njoftimet nga shtëpia botuese britanike Bloomsbury, e cila ka reklamuar këtë vepër, si pjesë e njoftimeve paraprake të zgjedhura, siç është zakoni nga shtëpitë botuese kudo, para se të qesin në treg një libër.  Në mungesë të librit, por bazuar në këto burime të sakta, po shënoj për lexuesin lajmin e botimit të këtij libri në gjuhën anglisht, me titull “Mother Teresa –The Saint and her Nation”, ose  “Nënë Tereza – Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, me autor Profesor Dr. Gëzim Alpion.

 

Profesori Alpion është arsimuar në Universitetin e Kajros dhe në Universitetin Durham, ndërsa ka ligjëruar në universitetet britanike, Huddersfield, Sheffield Hallam dhe Newman para se të emërohej në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin Birmingham.  Prej aty, në vitin 2010, ai kaloi në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare dhe në vitin 2016, ai iu bashkua Departamentit të Politikave Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë, po në Universitetin e Biminghamit.  Specializimet e Gëzimit janë në disa fusha akademike, përfshir sociologjinë e fesë, nacionalizmin, famën, racën, median, filmin dhe autorësinë.  Mbi të gjitha, Dr. Alpion konsiderohet si autori më i njohur, në gjuhën anglisht, i jetës dhe i veprimtarisë së Shën Nënë Terezës dhe është, njëkohësisht, edhe themeluesi i “Studimeve mbi Nënë Terezën”.

 

Autori i librit të ri, “Nënë Tereza – Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, Dr. Gëzim Alpion pretendon se “Tragjeditë personale dhe origjina e saj shqiptare e kanë ndihmuar Nënë Terezën të bëhet personaliteti fetar më me influencë në botë, i kohërave moderne.  Krishtërimi shqiptar i ka rrënjët në lashtësinë Ilire dhe qendrimi i Kishës Katolike kundrejt shqiptarëve dhe sllavëve të jugut, ka shërbyer sim jet në formimin e jetës personale dhe fetare tël Nënë Terezës”, shkruan Dr. Alpion.

 

Dr. Gëzim Alpion

 

Siç thashë edhe më lartë, këto shënime po i sjellë për lexuesin, bazuar pothuaj ekskluzivisht në informacionin që jep shtëpia botuese Bloomsbury mbi librin, Nënë Tereza –Shënjtëresha dhe kombi saj, përfshirë edhe disa vlerësime e komente mbi librin nga një numër ekspertësh dhe akademikësh.

 

“Dalja në shesh e një personaliteti të kalibrit të Nënë Terezës, që njihet anë e mbanë botës, nuk ndodh rastësisht”, ka thënë Dr. Alpion, duke shtuar se, “Ne duhet ta shikojmë dhe ta kuptojmë jetën dhe veprimtarinë e saj në pasqyrën e familjes së saj, në traditat shpirtërore të Kombit Shqiptar”, por edhe në ndikimet e huaja në popullin e saj gjatë shekujsh.

 

Prandaj, ky libër, sipas botuesit, jep për lexuesin një portret të plotë të kësaj figure me influencë botërore.  Portreti i Nënë Terezës paraqitet në kontekstin e origjinës së saj familjare, etnike, kulturore dhe shpirtërore.  Jeta dhe veprimtaria e saj përshkruhen në dritën e informacioneve të reja mbi familjen e saj, të traditës shpirtërore të Kombit të saj, përpara dhe pas Krishtërimit, si dhe duke pasur parsysh edhe ndikimin e Vatikanit dhe fuqive të tjera me influencë, mbi popullin e saj shqiptar, ç’prej mesjetës e këndej.

 

Libri mbi Nënë Terezën i autorit Gëzim Alpion, në përmbajtje, përqëndrohet në traumat e jetës dhe në sukseset e saja, si një individ privat dhe si misionare publike, përfshir përshpirtëshmërinë e saj të ndërlikuar.  Në libër pretendohet se jeta e Nënë Terezës dhe e historisë së kombit të saj shqiptar, veçanërisht marrëdhëniet e bashkatdhetarëve të saj me Katolicizmin – janë të ndërlidhura me njëra tjetrën. Zbulimi i kësaj ndërlidhjeje është jetik për të kuptuar se si Nënë Tereza – kjo ikonë humanitare dhe shpirtërore e kohëve moderne – identifikon dhe paraqet para botës DNA-në kulturore dhe shpirtërore të Kombit të saj të lashtë.

 

Libri është i ndarë në tre pjesë.  Pjesa e parë i përgjigjet pyetjes: “Kush janë Shqiptarët e Nënë Terezës?” Flitet, ndër të tjera subjekte, për origjinën ilire të shqiptarëve e deri tek Perandoria Otomane dhe Turqia; viktimizimi i Shqiptarëve në shekullin e 19 dhe 20, Kalvari dhe vuajtjet e Krishtërimit shqiptar, e tjera ngjarje.  Pjesa e dytë e librit i kushtohet “Rrënjëve Shqiptare të Nënë Terezës dhe viteve të saja në Shkup”.  Tituj dhe nën-tituj të pjesës së dytë të librit, kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Nënë Terezës me prindërit e saj dhe me jetën familjare në përgjithësi, ndërsa pjesa e tretë e librit përqëndrohet në “Marrëdhëniet e Nënë Terezës me Vatikanin dhe me Kombin shqiptar”.

 

Thuhet se ky libër është i pari i këtij lloji që e trajton Nënë Terezën në kontekstin e rrënjëve të saja etno-shpirtërore, duke e shikuar misionin dhe thirrjen e saj prej murgeshe, si një pasqyrim i historisë së trazuar të popullit shqiptar, gjatë dy mijë vjetëve të kaluar.  Në librin mbi Nënë Terezën, autori përmend edhe ato që ai i konsideron si ndikime negative në Ballkan, nga Perandoria Otomane, nga Vatikani, nga Kisha Ortodokse serbe, nga Kisha Ortodokse greke si dhe nga Patriarkati Ekumenik i Konstandinopojës.  Sipas të dhënave nga botuesi, Dr. Alpion sugjeron në librin e tij se ekziston nevoja për studime objektive të mëtejshme që të pasqyrojnë rolin vendimtar të fesë në përcaktimin e identitetit kombëtar, por edhe rolin fetar në justifikimin e aneksimeve territoriale të rajonit të Ballkanit.

 

Por le t’i këthehemi protagonistës kryesore të librit të Dr. Alpion-it, Nënë Terezës, për të cilën autori thotë se Nënë Tereza nuk fliste kurrë për çështjet private të familjes së saj, si pasojë e disa përvojave jo të këndëshme më heret në jetën e saj, përfshir, “Shqetësimet që kishte rreth sigurisë fizike të nënës dhe motrës në Shqipërinë komuniste të pas vitit 1945.”  Dr. Alpion për një kohë të gjatë tani mbron tezën se vdekja e babait të saj, i cili është helmuar nga nacionalistët serbë në vitin 1919, kur ajo ishte vetëm 9-vjeçe, ka shkaktuar atë që ai cilëson si “një natë të errët në shpirtin e saj”.  Ky studim ofron prova të tjera, sipas botuesit, se humbja e 8 familjarëve të saj gjatë pandemisë spanjolle, në atë kohë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendimin e saj për tu bërë murgeshë, por edhe në themelimin më vonë të urdhërit të saj “Missionaries of Charity” në vitin 1950.

 

Por Dr. Gëzim Alpion këmbëngul se, “Përkushtimi i Nënë Terezës ndaj të varfërve ishte i sinqert dhe i patundur deri në fund të jetës së saj”, por, ama, sipas tij, “Prania e përherëshme e vdekjeve në familjen e saj kur ajo ishte fëmij, ka qenë një përvojë e rëndë shpirtërore, e cila ka patur një ndikim të thellë në jetën e saj shpirtërore, në marrëdhëniet e saja me Kombin dhe familjen, gjithë jetën e saj.” Por për “Nënë Terezën”, sipas autorit, “dinjiteti i çdo qenjeje njerëzore ishte i shenjtë.”

 

Nënë Tereza, e njohur gjithashtu në Kishën Katolike si Shën Tereza e Kalkutës, ka lindur në vitin 1910 në Shkup — atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës së pushtuar nga Perandoria Otomane.

Rrëfimi i Visar Zhitit: Takimi në SHBA me Arshi Pipën

 Po ndieja dëshirën të shfletoja “Librin e Burgut” të Arshi Pipës, s’e di pse, vetë dita sikur e donte, a ngaqë ma kishte dhuruar dikur në Uashington, apo nga letra absurde që një ish-kongresmen amerikan, emigrant arbëresh, por që sigurisht e kishin njohur njëri-tjetrin, ia dërgonte nga New Yorku kryebashkiakut në Tepelenë, ku sot atje përkujtohet kampi famëkeq i internimeve, i mbiquajtur “Aushvici shqiptar”, ndërkaq autografi i Arshi Pipës mbante këtë datë, 23 gusht. Si sot 24 vjet më parë…

 

Eda Zhiti me Prof.Arshi Pipën në Washington D.C

E pse të mos përkujtojmë një autograf, në fakt, kumtin që na vjen nga ai që e shkroi, qëndrestari i rreptë, ish-i burgosuri politik, i arratisuri guximtar dhe emigranti politik, profesori, eseisti, kritiku letrar, përkthyesi, filozofi, që shkruante jo vetëm në shqip, por dhe në anglisht e në frëngjisht, emblematiku sipëran Arshi Pipa. Çuditërisht nuk po përkujtohet dhe aq, për të mos thënë ndonjë gjë tjetër. Dita e shuarjes së tij është 20 korriku, u harrua, ndërkaq dhe data e lindjes, po në korrik, në 27. Pse kjo heshtje, teksa kujtohen herë pas here dhe sundimtarë, gjyqet e tyre, kur ata asgjësonin njëri-tjetrin, tamam “larje hesapesh mes vrasësish”, rilexojmë për ministrin e Brendshëm të diktaturës dhe Kryeministrin e (vetë)vrarë, që do të ndëshkohej se një djalë i tij u fejua me një vajzë të bukur, por që kishte dajë kundërshtarin e madh, armikun e diktaturës, Arshi Pipën. E pabesueshme për sot. 23 gushti s’ka ndonjë gjë tjetër të shënuar për Arshi Pipën, unë nuk di, veçse autografi i tij për mua, rastësisht, mban këtë datë. Uashington. Nuk e gjeta dot më vilën e tij, diku pas “Capitolit”, afër “Zërit të Amerikës” më nëpërmendej, por e kishim kujtuar me analistin e shquar, drejtorin e Divizionit të Europës dhe Azisë, z. Elez Biberaj, edhe me gazetarin dhe historianin e veprave të rëndësishme, z. Ilir Ikonomi, apo dhe me kryetarin e “Shtëpisë së Lirisë”, z. Muç Xhepa e me të tjerë. Por jo të gjithë donin të flisnin për të, kështu më dukej, ngaqë s’kishte qenë dhe aq “diplomat”, por i rreptë dhe i prerë, i debatit pa kompromis, i drejtë në kulm, sidomos ndaj persekutimit njerëzor, i mbajtjes së përgjegjësive dhe i ndëshkimit të së keqes, institucion i kujtesës, shumë ndryshe nga letra që erdhi në Tepelenë nga ish-kongresmeni i New York-ut. Profesori tjetër, Sami Repishti, shkrimtar ndërkohë, ishi burgosur politik dhe i arratisur, më kishte treguar se kur mbërriti në SHBA, u prit nga Arshi Pipa, u mbështet prej tij. Sa e madhe është Amerika, gjithkush aty gjen lirinë e mirëqenien, por edhe vetveten. Ndërkaq, duket se diaspora tani ka pësuar ndryshime dhe… dhe… Po shfletoj shënimet e mia nga takimi i paharruar me profesorin.

LIBRAT DHE HIRI I ARSHI PIPËS:

…telefonoi se na priste në shtëpinë e tij atë paradite në Uashington, ora 10:00. Meqenëse kishim dhe ca kohë, vendosëm të futeshim në librarinë pranë dhe pastaj të vazhdonim një shëtitje të shkurtër. Uashingtoni, po mendoja, është qytet me fizionomi klasike europiane: s’ka qiellgërvishtëes, siç ishte përfytyrimi i shqiptarëve të padalë për Amerikën, por sheh blerim kudo, rrugë të pastra e qetësi të bardhë. Mbase këtë ndjesi ta japin Shtëpia e Bardhë, Kapitoli, Bibliotekat e famshme të Kongresit, të gjitha të bardha. Një kryeqytet që ka shumë e shumë më tepër pemë, se… policë. Se na kishin thënë ndryshe. Dhe sa shumë ketra! Ketra qytetarë!…

Ndalnin, na shikonin në sy, s’kishin frikë nga njerëzit, madje prisnin t’u jepje diçka për të ngrënë; biskota, shiteshin enkas dyqaneve, afroheshin, tundnin bishtin e madh e të bukur si të argjendtë, dilnin dhe në rrugë, vraponin poshtë veturave të ndalura, endeshin, ktheheshin pas, u ngjiteshin me vrull pemëve, një zot e di se ç’kërkonin. Edhe ne tani po nxitonim. S’donim të bëheshim vonë për në shtëpinë e profesor Arshi Pipës, nën një diell që po më dukej i bardhë dhe ai. Mbas trokitjeve tona të buta, portën na e hapi motra e moshuar e profesorit, ndërsa në krye të shkallëve të drunjta lart, në katin e dytë, na priste vetë profesori, në këmbë, i gjatë dhe i hollë, i drejtë, me flokët e bardha, “të uashingtonta”, por dhe si borë e largët e atdheut, që nuk shkrin kurrë. Vetullat çuditërisht të zeza, siç dukej një shenjë e përzishme që nuk shkëputej për jetë nga fytyra fisnikërisht gjatoshe e tij. S’dita ta përcaktoj në e theksonin apo e neutralizonin pamjen disi skeptike të asaj fytyre, a i jepnin rini më shumë, bashkë me një pesimizëm të mençur, por gjithsesi me një përzemërsi të palodhur. – E di emrin tënd, – më tha, kur u ulëm në kolltukët e thjeshtë, – je poet i ri dhe ke qenë në burg. Kësaj së dytës unë i jap rëndësi… për shkrimtarin, – shtoi.Menjëherë i tregova ç’dija për “Librin e burgut” të tij, të botuar në vitin 1959 në Romë, ç’kisha dëgjuar dhe si e kisha lexuar më në fund. Kur autori qe arratisur, pikërisht ato sonete skëterrore kishin bërë rrugë të kundërt me autorin, po aq të rrezikshme, në mos më shumë, qenë futur fshehurazi në atdhe, përmes telave me gjemba. Kisha bërë përpjekje për të botuar një cikël prej tyre në shtypin e ri opozitar tonin. Kujtova sonetin për një të shtrirë në vig, që vdekja e shndërroi në arkivol lecke… – Më ka ndodhur… me tim atë, – shpjegoi profesori, – vdiq udhës në burg. Edhe zëri i tij sikur zbardhte, i njëllojtë, me pak ngjirje që ai ia vinte fajin torturave, – prandaj më del i tillë. Me ftohje. Çimento qelish. Në fisin tonë, – po tregonte profesori – s’kemi kënd me zë të tillë. Pastaj ne e çuam në spital, – qesh me ironi, por zëri iu prish. Kë kishin çuar në spital, babain e vdekur apo zërin? S’ka zë të tillë në fis…

– Ne e njohim këtë zë, – ndërhyra, – që s’e prishi dot diktatura. As liria e mirëqenia e suksesi. Dhe tregova librat e tij mbi tryezë, te të cilët po hidhte autografe, po m’i dhuronte mua. Ime shoqe shkrepi befas aparatin fotografik mbi ne. Me siguri do t’i jetë fanitur gjyshi i saj, të cilin dhe atë e burgosën në kënetën e Maliqit, ja, atje, ku ishte dhe Profesori, me siguri do të jenë njohur… mbi baltë, ku shpesh, policia të rrëzuarit, ata që binin nga mundimi i madh dhe uria e madhe, i shkelte me këmbë. Hipnin me çizme mbi shpinën e njeriut të dënuar derisa e zhysnin thellë e më thellë, në llumin e pafund, në kënetën e vdekjes. Po gjyshi i saj mbeti gjallë, edhe atëherë kur i hodhën një bombë policët e një njeri tjetër kërceu, se e dinte copë buke e donte ta priste, por u bë copë-copë. Dhe prapë do ta arrestonin Dane Zdravën, gjithmonë, sepse kishte qenë biznesmeni i parë, ai kishte sjellë kinemanë e parë në qytetin e tij, në Berat, po ja, që ishte dhe me akademi në Itali, sillte centrale elektrike, autokombajna në tokat e tij dhe falte peliçe apo bënte pajën e të gjitha vajzave të miqve të tij dhe teksa e nxirrnin nga shtëpia të lidhur me pranga, përqafon për herë fundit mbesën e vogël, të sapokthyer nga shkolla… e ajo tani fotografon bashkëvuajtësin e gjyshit.

Me siguri do të jenë njohur bashkë, kanë folur, edhe pa e ditur se cilët janë, atje, në kënetën e vdekjes, kanë shpresuar. Autori i soneteve të baltës së burgut pati fat pastaj, e kërkoi fatin, e bëri vetë dhe ja, tani, bisedon me atë që është i shoqi i saj, edhe ai me plot poezi burgu gjithë errësirë ferri. – Jam familje borgjeze, – vazhdonte të rrëfente profesor Pipa, – jo në kuptimin që e përdorin komunistët. Në familjen time janë marrë me gjyqësi të gjithë: gjykatës e avokatë ishin e mua m’u desh të bëja punë proletari, më të rëndë se proletarët. Po burgut i jap rëndësi, e quaj universitet… – … të zi, – shtova unë. Pastaj Profesori nisi të flasë për Fransua Vinjonin, poetin rebel, vagabondin, të burgosurin, të dënuarin me varje, por që i shpëtoi litarit… (Ah, Avzi Nela yni, nuk i shpëtoi dot… diktatura komuniste ishte më keq se mesjeta.) E dua Vijonin, – m’u duk sikur u rrëmbye profesori, por gjithsesi i qetë, me qetësinë e mistershme që gjen në një tempull. Me Vijonin shihet se jeta është tjetër gjë dhe tjetër poezia. Edhe krijimtaria e Kadaresë është kështu… Madje, edhe “Dasma” është roman disident…,-tha dhe heshti gjatë. S’doja t’i ndërhyja. Vetëm doja ta dëgjoja. Ashtu siç thuhej, Arshi Pipa shihej që ishte njeri i prerë, autoritar, “madhërisht i pamëshirshëm” me diktaturën, të cilën ai e sfidoi, jo vetëm si mërgimtar politik, por si poet dhe si mendimtar, mbi të gjitha. Profesori do të pohonte pa mëdyshje që Atdheu ynë është më mirë se dikur, me gjithë rezervat e mëdha që mund të kihen. Diktatura e bunkertë u ça nga brishtësia e demokracisë. Në fund të fundit, demokracia është edhe kritikë për të përmirësuar veten.

Dhe deshi të më tregojë përkthimet e tij nga klasikët e mëdhenj, Dante e Petrarka, Gëte… francezë, rusë e rumunë. – I kam përkthyer, – po thoshte profesor Pipa – ca me toskërisht e ca me gegërisht. Po t’i jap, por mos i boto. I përgëzoj botimet kosovare që arritën të shkruhen në gjuhën letrare, megjithëse ata ishin për përdorimin e dy dialekteve, edhe unë. Janë pasuri, – këmbënguli. – Edhe gjuha e përbashkët letrare është!, – iu përgjigja. – Erdhi shpejt, – tha sërish. Ndërsa pinim kafetë, unë u ngrita të shoh raftet e çuditshme të librave. Të gjatë dhe bosh! Bo-o(h)-osh… Vetëm ca fjalorë, dorëshkrimet e fundit në një qoshe, ksomblat e librave të tjerë, vepra të mikut të tij të madh, arratiakut tjetër, poetit Martin Camaj. Kaq! Dhe dhembje si e drunjtë. Ç’kishte vdekur aty? Ja, ca fotokopje të zmadhuara të letrave të cigareve, ku kishte shkruar dikur poezitë e burgut. Me ato ishte arratisur… Se si dukeshin ashtu raftet, dramatikisht bosh, si arkivole. Sërë-sërë. Ku janë librat, desha të bërtas së brendshmi. Kërkova se mos shoh nga dritarja ngrehinën e mrekullueshme të Librarisë së Kongresit Amerikan, që të lehtësoja frymëmarrjen disi. Të gjithë bibliotekën e tij, librat e të gjithë jetës, profesori ia kishte dhuruar bibliotekës së qytetit të Shkodrës. Ndihej dhe qytetar shkodran, edhe pse ishte libohovit me origjinë. Një gjest i lartë ky i dhurimit të librave, i dha qysh në gjallje, pa ia lënë si detyrë testamentit. Pse? Mendoja rrugës së kthimit. Ku e gjeti fuqinë të ndahet me librat e vetë, qëllimin e jetës së tij?

 

– Po merrem me filozofi tani, – më tha, kur e pyeta se ç’po shkruante. Pra, ai po guxonte të bashkëjetonte me vdekjen e vet, me ikjen e pashmangshme në jetë të tjera, qiejve. Mos ishte sfidë filozofike e të ngritur mbi të zakonshmen, mposhtje e vetë vdekjes, triumf i gjithëkohësisë? Dhe pikërisht, kur unë i tronditur kundroja atë boshësi të drunjtë, bibliotekën e librave të padukshëm, të mërguarën, dëgjoja zërin e tij që kritikonte një seminar ortodoks në Amerikë të lobit grek. Pastaj folëm për eposin ballkanik. Ka një trill dhe turp,- tha ai, për të vjedhur histori të të tjerëve. Zhvatim tokat dhe legjendat dhe trazojmë të vdekurit. Politizojmë miqësitë, por dhe sëmundjet. Eposi ynë, tha papritur. Jo se nuk është i bukur, përkundrazi, është i bukur, madhështor, por sepse karakteristikë për vargjet tona tradicionalisht është përdorimi i tetërrokëshit, kurse eposin e kemi njëmbëdhjetë rrokësh. Që e kanë sllavët e jugut. Atëherë ç’mund të themi? Shkrimtari jugosllav, Ivo Andriq, gjeta rast dhe po i thosha, thotë se Kënga e Gjergj Elez Alisë është shqiptare. Po, shqiptare është, pohoi me një kërshëri si të ftohtë Arshi Pipa. Ku do të dilja? Po a është njëmbëdhjetë rrokësh “Gjergj Elez Alia?”, gati bërtita miqësisht. Po, tha përsëri dhe heshti. Në sy po vezullonin rafte librash, kujtesa e tyre parake. Po shikoja dedikimet në veprat që më dhuroi: “… poetit të ri dhe shokut të burgut…”, “… këtë libër të shkruar dhe plotësuar në mërgim”, “për kujtim të takimit në Washington, më 23 gusht 1994, përzemërsisht…” dhe kishte firmosur poshtë emrit të shtypur në frontespic: “Arshi Pipa”, me shkronja të vogla. Seç m’u bë brenda në kraharor një si brengë dhe boshësi si ajo e rafteve. Desha të kujtoja patjetër ketrat dhe zgjata dorën në ajër, sikur po i ndillja. Arshi Pipën do ta takoja dhe një herë tjetër në Tiranë, mbajti një leksion të shkëlqyer për poezinë e Martin Camajt. Me poezinë e tij fillon paqja në poezinë shqipe, tha profesori. Më vonë erdhi lajmi mortor se Arshi Pipa kishte ndërruar jetë dhe kishte kërkuar që hiri i tij të shpërndahej… mbi atdhe. Në detin Adriatik. Hiri ka brenda ripërtëritjen, ai nuk është harrim, së pari është purifikues dhe ushqen tokën dhe kohën. Vepra e hirshme e Arshi Pipës është pasuri tashmë e jetës sonë, e qëndresës dhe e kulturës në tërësi, fosfor ndriçues në kujtesën kolektive, vlerë e pazëvendësueshme, veç me veten. Le ta hedhim sot mbi Tepelenë atë hi, mbi Spaç e QafëBari, Burrel e Lushnjë… mbi kujtesën tonë dhe ndërgjegjet tona!

BISEDË TË BURGOSURISH PËR ARSHI PIPËN: NGA LIBRI “RRUGËT E FERRIT”, BURGOLOGJI

…po më tregonte me mllef e zili se një ditë, kur qe ndodhur në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, vjen një pako me një libër gri, me kapak të fortë. Arshi Pipa. Libri i Burgut. Poezi. Botuar në Romë. Shqip. Desha ta shfletoj, të lexoja vetëm një poezi. Vetëm një. Një varg. Aty më këmbë. S’ma lanë as ta hapja. S’lejohej. Kishte ardhur posaçërisht për kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Dhimitër Shuteriqin, maskarai, shau, por do të futej në fondin e zi të Bibliotekës. Arshi Pipa është i arratisur. Ka qenë në burg, në kënetën e Vloçishtit. Mbeti gjallë. Doli nga burgu i Burrelit. Tani është profesor universiteti në Amerikë. Të burgosurit thonë se ai ka shkruar një skenar filmi “Qershiza”. Jo roman? Dhe është realizuar nga Hollivudi. Duket si e pabesueshme. Rrëfehen tmerret e burgjeve tona, sidomos atij të Burrelit. Se si i vrisnin të burgosurit në ditën e fundit, në atë të lirimit të tyre dhe i varrosnin tek ajo qershiza. Kishte nga ata që u binte të fikët, teksa shihnin filmin në Perëndim, vazhdonin të tregonin të burgosurit, ulërinin në kinema, vinte ndihma e shpejtë ambulanca, njëri kishte nxjerrë revolverin dhe kishte qëlluar mbi ekran për të prapsur një oficer shqiptar, që po copëtonte të burgosurin e vet. Nuk dimë gjë, thoshin ata që kishin ardhur nga jashtë si suedezët, Agron amerikani, francezët e Veriut, gjermani, grekërit… Sidoqoftë, thoshim, edhe po të mos jetë e vërtetë, ne, të burgosurit, e ndiejmë nevojën e një mbrojtjeje, të një apeli të madh kundër shtypjes që na bëhet, indiferencës së tmerrshme dhe harresës më të tmerrshme. Na duhet një vepër arti. Dikush po e bën a duhet ta bëjë. Ne kemi zgjedhur tani emrin e një bashkëvuajtësi, profesor Arshi Pipës, ai e mbart këtë nder, po ia besojmë. Të tjerët brenda, sa më shumë lavdi marrin, aq më shumë kanë mashtruar. Ka shumë mundësi që e tëra ajo të jetë krijim i yni, kolektiv. Qershiza është vërtet, por s’e dimë a është futur në letërsi? Ne ngushëllojmë vetveten. E ndihmojmë të qëndrojë. Dhe kështu ky art që s’është, ndërkohë është më magjepsësi dhe krijon artin tjetër anonim, tragjikun. Të cilit do t’i gjejmë një emër. Ndonjëherë gjërat me mungesën e tyre janë më të fuqishme.

NGA LIBRI “PANTEONI I NËNDHESHËM OSE LETËRSIA E DËNUAR”:

Poeti, eseisti dhe filozofi Arshi Pipa do të ishte ai që do të realizonte ëndrrën e të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë në diktaturë: ikjen. Të ikje dhe të tregoje nëpër botë burgjet e tmerrshme, vuajtjen e një populli pa liri. Se dilnin shkrimtarë jashtë shtetit, por ata s’e hapin gojën. Turp! 1000 herë turp! Fill pas burgut, Arshi Pipa do të arratisej, do të mbërrinte në Itali duke pasur me vete dhe poezitë e shkruara fshehurazi mbi letra të holla cigaresh. Gati sa një kuti shkrepësesh bëhej sasia e tyre dhe do t’i botonte në Romë në përmbledhjen gri të zymtë: “Libri i burgut”, një hata e vërtetë, ku Sonetet e Kanalit të asaj kënete të tmerrshme do të ishin, sipas meje, “Ferri” i poezisë shqipe. Pra, profesor Arshi Pipa kishte shkuar në SHBA, ku dha leksione në universitete të njohura, pa e shkëputur vëmendjen nga letërsia e dheut amë, madje dhe do të përkthente prej andej, siç do të sillte në shqip në të dyja dialektet poetë të mëdhenj klasikë nga bota. Profesori do të shkruante në anglisht dhe një studim “Montale dhe Dante”, me lejen e vetë Montales, që do të ishte në një farë mënyre, paraprijës i çmimit “Nobel”, që do t’i jepej poetit gjenovez. Korpusi i Veprës së Arshi Pipës po vazhdon të botohet pas vdekjes në atdhe në kujdesin e familjarëve, duke përfshirë dhe dorëshkrimet që i ruajtën përmes rreziqesh motra e tij Bukuria dhe i ndjeri kunati, shkrimtari tjetër i burgjeve, Uran Kalakulla.

SKEDË BIBLIOGRAFIKE PËR ARSHI PIPËN:

U lind më 28 korrik 1920 në Shkodër. Ndoqi studimet në Kolegjin Severian në Shkodrën e tij të lindjes dhe më pas studioi filozofi në Universitetin e Firences, ku në 1942 mori titullin “dottore” në filozofi, me një punim për konceptin e moralit në filozofinë e Henri Bergson. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë kthehet nga Italia bashkë me vëllanë e tij, Myzafer Pipën. Punoi si mësues në Tiranë dhe Shkodër dhe redaktor i revistës letrare “Kritika”. Mbas Luftës së Dytë Botërore, pas ekzekutimit të vëllait të tij Myzaferit, nga fitimtarët, Arshi Pipa, në prill 1946 u arrestua me akuzat për veprimtari kundër shtetit dhe u dënua me 10 vjet burg. Dënimin e vuajti në kampet e punës në Durrës, në kënetën e vdekjes në Vloçisht, në kalanë e Gjirokastrës dhe në ferrin e Burrelit. Me t’u liruar, arratiset në Jugosllavi dhe në 1958 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimisht punoi në Universitetin e Georgetown, Berkeley dhe pastaj në Universitetin e Minesotës në Mineapolis. Në vitin ’90 viziton Shqipërinë. Pritet me kërshëri, moskuptim, distancë dhe adhurim. Poezitë e para që shkroi në fund të viteve ’30 përfshihen në një ksomblë, që do të pasohej dhe nga të tjerë. Veçanërisht të vlefshme, lartësi e mendimit shqiptar janë veprat e tij në kritikën letrare, historinë e kulturës shqiptare dhe politikën e gjuhës në Shqipëri gjatë sundimit diktatorial të Enver Hoxhës. Vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Uashington DC, ku dhe mbylli sytë më 20 korrik 1997 në Uashington DC.

 

EVROPA NË VULËN E ANGELA MERKEL – Nga Maurizio Ferrera – Përktheu Eugjen Merlika

 

 

            Në demokracitë drejtuesit më t’aftë bëhen “shtetarë” me plot kuptimin e fjalës vetëm kur dalin nga skena. Ndoshta , mbas marrëveshjes mbi Recovery Fund, Angela Merkel meriton një përjashtim, së paku sa i përket rolit të saj evropian. Në kornizën BE – duke ndjekur Habermas-in – një shtetar njihet sepse din të “bëjë historinë”, pra vepron me vetëdijen se në disa çaste duhet të merren vendime që do të ndikojnë fatet e gjithë kontinentit e të shumë brezave t’ardhshëm.Mund të jemi pak a shumë të kënaqur për përmbajtjet e tij të veçanta, por është e vështirë të mohohet që plani “Next Generation Eu” përfaqëson një pikë kthese të madhe në këtë vështrim. Së bashku me monedhën, bashkëndarja e rreziqeve ekonomikë e shoqërorë është një nga tiparet që përcaktojnë bashkësitë politike dhe zotimin e tyre për të qëndruar në kohë.

Vetëm dhjetë vite më parë ishin shumë ata që mendonin se Merkel nuk kishte stofën e shtetares, aq më pak në skenën evropiane. Gjatë krizës së borxhit sovran Kançelaria ishte qortuar fuqimisht – jo pa ndonjë arsye – për karakterin e saj të ndrojtur, e prirjen për të shtyrë vendimet. Mbiemri i saj u kthye në një folje (merkeln) që nga ajo kohë do të thotë “hiq e mos këput”. Joschka Fisher,ish ministër i Jashtëm dhe një nga figurat më ndikuese në opinionin publik e paditi se kishte thyer boshtin mbajtës të politikës gjermane: evropianizimin e problemeve dhe zgjidhjeve, bërjen e Gjermanisë gjithënjë e më shumë evropiane. Me mbylljet e saj kundrejt solidaritetit financiar me Vendet e Jugut, Merkel kishte ndjekur rrugën e kundërt: të paloste Evropën nën parapëlqimin dhe interesat gjermane.

            Gjatë dhjetëvjeçarit Bashkimi është detyruar të përballohet me një “shumë-kriza” dramatike: rënia e madhe e ekonomisë, cunami i ardhjes së të shpërngulurve, Brexit. E në fillim të 2020 belegu më i tmerrshëm: koronavirusi. Një spikamë e vërtetë në profilin shëndetësor, ekonomik, politik, që do të kishte mundur t’a hidhte BE në darën e shteteve kombëtarë: mbyllje e kufijve dhe shkëmbimeve tregëtare (madje deri tek mbulesat e gojës), secili Vënd përsëri për llogari  të vet.

Bisedimet mbi planin Next Generation Eu (750 miliardë borxh të përbashkët për kredi dhe ndihma Vëndeve më të goditura si dhurata në tre vjet) u mbyllën në shenjën e bashkësisë së mendimit gjithë-evropian, madje me një akt altruizmi: Gjermania nuk ka pranuar të përfitojë nga ajo zbritje në ndihmesën që u mëtua nga Vendet kursimtarë, Hollanda në krye. Angela e ndreqi “boshtin mbajtës” të thyer një dhjetëvjeçar më parë dhe ka përhejruar një rol të ri për Gjermaninë, atë të Vendit mbisundues por të përgjegjshëm, të vëmëndëshëm ndaj interesit të përbashkët. Disa sigurisht do të vazhdojnë të shtrembërojnë turirin: a nuk jemi të gjithë të barabartë n’Evropë?

Formalisht po, por në fakt nuk mund të kemi të gjithë të njëjtën peshë vendim-marrëse, Gjermania ka përmasa ekonomike dhe popullsie të tilla që e bëjnë objektivisht më të barabartë se të tjerët. Një Gjermani që të dijë të veprojë duke mbajtur parasysh interesin evropian është shumë më e mirë se sa një Evropë e gjermanizuar. Në një deklaratë që, me gjasë, do të kujtohet në librat e historisë, më 23 prillin e shkuar, pak orë para një Këshilli në video-konferencë, Merkel i tha antarëve të Bundestagut se “zotimi kundrejt Evropës së Bashkuar është pjesë e arsyes së qënies të shtetit gjerman… Për neve Evropa është një bashkësi fatesh”. Dhe ka shtuar: nuk është një fjali për bujë, nga ato që lexohen në shtesat e të djelave në të përditëshmet. Bëhet fjalë për “diçka shumë praktike”, përfshirë edhe derdhjen e ndihmesave më të larta në bilancin e përbashkët.

Faktorë të ndryshëm i kanë lejuar Angela Merkel-it të veprojë si shtetare. Në shkurtin e shkuar, në prag të pandemisë, Kançelaria kishte njoftuar zyrtarisht se nuk do rë kandidohej përsëri në votimet e ardhëshme. Së paku pjesërisht, kjo e ka shliruar nga njëra prej rregullave më të “papëlqyeshme” të demokracisë: nëse kërkon flijime të tashme për fitime t’ardhëshme zgjedhësit të kthejnë krahët. Në sajë të mbarështimit të efektëshëm të spikamës shëndetësore, pëlqimi i Kançelares u ngjit në vlerën më të lartë, atë të 70 % dhe nuk zbriti kur u fillua të bisedohej për solidaritet “kundrejt miqve italianë e spanjollë” dhe u thye madje edhe tabuja e euro-bondëve. Nga fillimi i marsit Angela disa herë kishte përsëritur para njerëzve se mirëqënia e Gjermanisë është e lidhur në mënyrë të pazgjidhëshme me tregun e brëndshëm, pra me mbarëvajtjen e Bashkimit “në çdo pjesë të tij e në çdo Vend”.

Në këtë mënyrë Merkel ka krijuar kushtet më të volitëshme për ushtrimin e një udhëheqjejë të dyfishtë: të brëndëshme e të jashtëme. Një lëvizje e vështirë dhe guximtare në një sistem politik shumë-krerësh, “me shumë koka”, si BE ku drejtuesit shtyhen të mbrojnë burrërisht interesat e zgjedhësve të tyre. Siç u pa, bisedimet e sapo përfunduara nuk kanë bërë përjashtim, madje disa drejtues kanë luajtur lojëra paturpësisht t’egra. Sigurisht edhe Franca ka luajtur një rol të rëndësishëm. Por pa peshën e Angelas Makroni nuk do të kishte bërë shumë udhë: nuk zotëron një ligjëshmëri të mjaftueshme brënda për të investuar diçka n’Evropë. Kështu që Kançelaria që bëri investimin dhe shndërroi një stuhi të pritëshme të përsosur në të kundërtën e saj të plotë: përfundimin e një traktative që rrezikonte të dështonte duke krijuar çarje rrënimtare për tërësinë dhe mbarështimin e Bashkimit.

Atyre që do të vijnë pas u takon gjykimi i mundimshëm. Por nëse mbajmë një vështrim të gjatë, Angela Merkel-it pak lavdi mund t’i a japim që tani. Si mirënjohje së parës grua udhëheqëse të Gjermanisë e të BE dhe shtetare në zemër, mbi hullinë e një historie qindravjeçare, në të cilën luftërat ndërmjet Shteteve evropiane kanë mbizotëruar mbi bashkëndarjet e ndërsjellta.

 

“Corriere della Sera”, 24 korrik 2020     Përktheu Eugjen Merlika

RASTI DEMJANJUK DHE RASTI UNIK I SHQIPËRISË Nga ELIDA BUÇPAPAJ

(Ky shkrim mban datën 20.03.2012 dhe është i përfshirë në librin tim “Tirania e Tranzicionit”, botuar nga Onufri në vitin 2012. E risjell në vemendjen e lexuesit pas tetë vitesh kur në Gjermani është hapur një proces gjyqsor kundër Edmond Cajës, një ish-persekutor i burgut të Qafë Barit. Është gjyqi i parë që zhvillohet jashtë Shqipërisë. Deri më tani në Shqipëri nuk është bërë asnjë gjyq i këtij formati, nuk janë dënuar as krimet e diktaturës dhe as persekutorët, pa marrë parasysh se viktimat janë me mijra, duke përfituar nga kjo, bijtë e persekutorëve janë rikthyer në pushtet, pa kërkuar as ndjesën më të vogël për ato mijra e mijra jetë të djegura. EB)

Përpara disa ditësh vdiq John Demjanjuk, në moshën 92 vjeçare, i dënuar si kriminel nazist, paçka se nuk e pranoi asnjëherë fajin duke thënë se ishte vetë një viktimë e Nazizmit.

John Demjanjuk lindi e u rrit në një fshat të Ukrainës në një kohë kur vendi tronditej nga kriza e urisë dhe spastrimet e Stalinit. Me fillimin e Luftës të dytë Botërore atë e mobilizojnë me trupat e Ushtrisë të Kuqe, ku plagoset dhe pasi e kthejnë përsëri në front kapet peng nga forcat gjermane, të cilat pastaj e detyrojnë që të punojë në kampin e shfarosjes Sobibor, si një “Roje burgu” — rangu më i ulët i atyre të burgosurve që pranonin të bashkëpunonin me trupat SS, por mjaftueshëm për ta dënuar dhe etiketuar si kriminel nazist.

Me mbarimin e Luftëstë Dytë Botërore John Demjanjuk emigron në SHBA, merr shtetësinë amerikane dhe ndërton atje jetën deri kur, më 1983, e zbulojnë si „kriminel lufte”, kohë prej nga filloi një gjyq që zgjati 30 vjet dhe nuk rezulton të ketë mbaruar ende -ku John Demjanjuk gjykohet në tri kontinente, në SHBA, Izrael dhe Europë dhe në maj të 2011 dënohet nga gjykata e Mynihut në Bavierë me 5 vite burg pas 18 muaj gjykimi e 90 seancash. Në Mynih ai u dërgua në një shtëpi pleqsh muajt e fundit si i sëmurë terminal, ku edhe vdiq më 17 mars, duke mos e pranuar asnjë herë fajin. Në gjyqin kundër John Demjanjuk nuk pati asnjë dëshmitar që të vërtetonte se ai kishte qenë roje në kampin e shfarosjes. E vetmja provë ishtenjë kartë identiteti SS për të cilën John Demjanjuk insistonte se ishte një fallsifikim sovjetik i KGB-së.

Yehuda Bauer, një historiani Holokasutit nga Jeruzalemi tha se “Rasti i John Demjanjuk ilustron parimin se, edhe kur është fjala për një kriminel nazist të rrangut më të ulët, ai duhet të gjendet dhe të dënohet. Rëndësia nuk është tek dënimi apotek koha që duhet të mbahet në burg një person i tillë, e rëndësishme është që krimi të vijë në vemendjen e opinionit publik.” Ndërsa Dieter Graumann,presidenti i Këshillit Qendror të Hebrejve në Gjermani me vdekjen e JohnDemjanjuk shtoi se “Një vdekje është tragjike, por në rastin konkret duhet thënë se ishte e rëndësishme gjykimi dhe dënimi i tij, sepse drejtësia nuk e njeh statusin e kufizimit të dënimit për shkak të moshës dhe mosha e madhe nuk e mbronte dot John Demjanjuk nga dënimi. Kjo nuk ishte hakmarrje por drejtësi,” shtoi ai.

John Demjanjuk vdiq i vetëm larg familjes dhe fëmijëve të cilët jetojnë si shtetas amerikanë në Clevelend të SHBA. Ai i shpëtoi dënimit me vdekje në Izrael, sepse u konfondua me një tjetër kriminel që kishte kryer masakra në kampin famëkeq të Treblinkës.Atij iu hoq dy herë shtetësia Amerikane dhe u dëbua nga Amerika dhe rasti i John Demjanjuk u komentua edhe nga drejtësia e SHBA, si një reflektim i vendosmërisë së qeverisë amerikane për t’i sjellë kriminelët e luftës përpara drejtësisë, pa marrë parasysh se Demnjanjuk asnjëherë nuk e pranoi se kishte qenë „Roje burgu” në kampin e shfarosjes Sobibor. Të vetmin „faj” që pranoi ishte se kishte gënjyer kur kishte thënë se kishte lindur në Sobibor të Polonisë në vend të fshatit të tij në Ukrainë, nga frika se e kthenin mbrapsht.

E solla shembullin e John Demjanjuk, si një rast i trishtë, për të hedhur një paralele me nomenklaturën e shtetit komunist shqiptar që kreu genocid për 50 vite rresht, ndërkohë që edhe sot e kësaj dite për atë periudhë të zezë të historisë nuk ekziston asnjë fajtor, asnjë gjyq dhe asnjë gjykim apo dënim.

Rasti i John Demjanjuk dëshmon se si Gjermania distancohet nga e shkuara kriminale, ndërsa në Shqipëri e shkuara diktatoriale gjatë këtyre 20 viteve tranzicion është krejtësisht temë tabu, dhe Shqipëria rezulton një vend ku nuk ka ndodhur dekomunistizimi si proces i kapërcimit të trashëgimisë kriminale përmes dënimit të krimeve dhe pastrimit të aparatit shtetëror. Dekomunistizimi është i ngjashëm me denazifikimin, i cili iu kërkua Gjermanisë me detyrim prej Perëndimit, ndryshe nga dekomunistizimi i cili është penguar nga pseudoelitat e periudhës totalitariste në Shqipëri, ku krimet as nuk dënohen dhe as nuk zbardhen dhe ku ish eksponentët e diktaturës edhe sot e kësaj dite kanë pushtuar pika kyçe të administratës politike.

E djathta akuzon të majtën se është bërë strehë e vijimësisë së ish nomenklaturës përmes bijve dhe nipave, ndërsa e djathta vetë është bërë strehë e njerëzve me dosje dhe ishzyrtarëve të lartë të regjimit komunist.

Dhe pikërisht këtu qëndron shkaku i vërtetë se përse Shqipëria është vendi me një tranzicion kaq të mundimshëm, kur vendet e ish bllokut lindor tashmë kanë kohë që janë anëtare të BE-së dhe NATO-s.

Dënimi dhe zbardhja e krimeve të diktaturës komuniste është kthyer e rikthyer këta njëzet vjet me dhjetëra herë në qendër të debateve të qarqeve politike dhe opinionit publik,por pengesë kryesore në fakt është bërë vetë politika e cila ka probleme me të shkuarën e saj, duke mbajtur peng të ardhmen e shqiptarëve.

Jemi i vetmi vend në Europën Lindore që kemi rehabilituar pas 1997 ish eksponentët e diktaturës pas gjyqeve qesharake për kafe, ndërsa janë mbyllur sytë përpara krimeve kundër njerëzimit, genocidit dhe shfarosjeve pa gjyq të kundërshtarëve politikë dhe persekutimit të familjeve të tyre, të ekzekutuara për gjysmë shekulli nga regjimi komunist.

Jemi i vetmi vend ku njerëzit me dosje kanë 20 vjet që janë në majat e pushtetit politik e mediave,dhe klasa politike bën veshin shurdh ndaj të gjitha kërkesave e orientimeve që vijnë nga Perëndimi për të hedhur dritë mbi periudhën më të egër atë të terrorit komunist.

Jemi i vetmi vend ku edhe sot e pas njëzet vjetësh pjesa më e madhe e shtresës së të përndjekurve politikë, viktimat më tragjike të diktaturës, kanë shkuar në atë botë pa u dëmshpërblyer as moralisht dhe as materialisht dhe në administratën shtetërore, në parlamentin e Shqipërisë e në qeveri ushtrojnë aktivitetin eksponentë me hipoteka prej sistemit totalitarist.

Jemi i vetmi vend ku nuk kemi ligj që i dënon krimet e diktaturës komuniste, ku nuk kemi ligj që i merr në mbrojtje, ua jep pafajësinë, i rehabiliton viktimat e regjimit totalitarist.

Jemi i vetmi vend ku nuk kemi ligj që të kërkojë pastërtinë e figurës së zyrtarit publik, ku Ligji i Lustracionit u përgatit në mënyrë selektive, si mënyrë për hakmarrje por jo për të vënë drejtësinë në vend..

Jemi i vetmi vend në Europën Juglindore ku drejtësia nuk ekziston, ku fajtori nuk ndëshkohet, duke rrezikuar kështu sistemin dhe themelet e shtetit të së drejtës, ku historia e periudhës totalitariste nuk zbardhet, ku nuk ekziston asnjë muzeum i diktaturës, asnjë datë zyrtare, asnjë monumet që flet për tragjedinë kombëtare, ku data e rrëzimit të diktaturës kujtohet vetëm nga një parti, ku elitë ka mbetur ajo që gjatë diktaturës ka qenë superstruktura e regjimit, që vazhdon t’i mbajë të pushtuara vendet kyçe dhe më e keqja është se ka mbetur po aq dogmatike dhe persekutuese sa ka qenë në kohën e diktaturës, sepse korifejtë e kulturës shqiptare vazhdojnë të torturohen, të rivriten e të mbahen të burgosur në burgjet e ndërgjegjes së ndyrë të politikës, sepse janë të mbuluar nga heshtja dhe indiferenca që merr kontekst kriminal.

Jo më kot një ish historian i regjimit komunist, kunat i njërit prej xhelatëve kryesorë të diktaturës, Arben Puto, në moshën 88 vjeçare ka dalë me një libër ku i rietiketon si tradhtarë e kuislingë Konicën, Fishtën e Koliqin, ashtu si veproi për gjysmë shekulli terrori komunist. Jo më kot, gjatë njëzet vjet tranzicion nuk është bërë as përpjekja më e vogël për të rishkruar historinë nën dritën e fakteve apo për të rehabilituar personalitetet e artit dhe kulturës, të vrarë apo ekskomunikuar gjatë diktaturës, përkundrazi i kanë ridënuar përmes indiferencës dhe heshtjes. Me heshtje mbulohen dhe veprimtarët antikomunistë jashtë atdheut. Me luftë politike dhe me presion të të gjitha ngjyrave shpërblehen intelektualët e angazhuar që nuk e pranojnë këtë farsë politike, ku gjithçka ka mbetetur në mëshirën e fatit, me destinacion harresën kolektive.

Gjithçka ka mbetur në mëshirën e fatit. Jo më kot e përjashtuan nga politika Pjetër Arbnorin, i cili për nga vuajtjet që kishte hequr e tejkalonte Nelson Mandelën dhe duhet të ishte Nobelist i Paqes. Politika bëri gjithçka që t’i fshehë krimet. Pjesa më e madhe e viktimave nuk jetojnë më. Viktimat e terrorit komunist u përdorën nga politika vetëm për farsa elektorale, sepse politika vetë u komprometua duke vendosur në krye të drejtësisë njerëz të inkriminuar, siç është rasti i Fehmi Abdiut dhe sot të gjitha palët pranojnë se nuk ekziston drejtësia por nuk e pyesin kurrë veten se përse nuk egziston kultura e ndëshkimit të fajit.

Denoncimi i krimeve të komunizmit është bërë në mënyrë spontane nga viktimat vetë, apo familjarët e tyre me sakrifica të panumurta, siç është rasti i priftit françeskan Zef Pllumbi me librin e tij “Rrnoj për me tregue” dhe jo nga shteti. Dhe ata intelektualë që kanë ndërmarrë nisma në favor të dënimit të krimeve janë ekskomunikuar nga njerëzit e ish diktaturës që kanë njëzet vjet në rradhët e të djathtës.

Për qëndrimin mohues që ka mbajtur klasa jonë politike ndaj asaj tragjedie kombëtare që ka ndodhur në Shqipëri për pesëdhjetë vjet, meriton që të largohet nga politika, sepse, pa u vënë drejtësia në vend, në Shqipëri nuk mund të vendoset shteti i së drejtës.

E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të mbetet në duart e politikanëve të komprometuar gjatë periudhës së diktaturës. Shqipëria duhet të distancohet nga e djeshmja diktatoriale përmes dënimit dhe zbardhjes së krimeve, hapjes së dosjeve dhe largimit nga politika të emrave të konsumuar.

Rasti i John Demjanjukut është shembulli i asaj që do të duhej të kishte ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre njëzet viteve tranzicion, ku në fakt Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha kanë mbizotëruar skenën mediatike si shprehje e pushtetit të tyre të nëndheshëm ndaj politikës.

Nuk flitet për hakmarrje, flitet për drejtësi, e cila duhet të vihet në vend, aq më tepër kur sot Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, që e bën jo vetëm të jetë një vend i privilegjuar, por edhe të jetë i obliguar për të përmbushur detyrime e plotësuar standarte.

Nuk mund të ketë harresë, nuk ka harresë të krimeve, nuk harrohet terrori i diktaturës për gjysmë shekulli. Ka kujtesë, sepse vetëm duke kujtuar, ne nuk do të lejojmë që të ripërsëritet historia, sepse duke kujtuar viktimat e diktaturës, duke kujtuar se si një populli i gjithë u kthye në një viktimë të një grushti njerëzish, ne do të njohim vlerat e vërteta të demokracisë, që bën të funksionojë meritokracia dhe kërkon si domosdoshmëri njerëzit më të përkushtuar dhe me integritet të pastër.

Këtu nuk është fjala për interesat e njërës palë, këtu bëhet fjalë për interesat kombëtare të të gjithë shqiptarëve, që brezat e ardhshëm të kenë një shtet i cili u garanton atyre një jetë të qetë e të sigurt, sipas standardeve të sistemit demokratik.

Prandaj klasa politike e ka për obligim të vendosë drejtësinë dhe asnjë shqiptar nuk duhet të ketë frikë nga drejtësia.

Nuk do të ketë më harresë, harrim për hir të një pakice të komprometuar, por do të ketë bashkërendim pluralist dhe bipartizanizëm për të vendosur pikat mbi “i”. Ne shqiptarët nuk kemi asnjë arsye që të mbetemi robër të krimeve të kryera nga nomenklatura e kuqe, as peng i politikanëve me ndërgjegjë këllirë, të cilët shkaktuan drama kombëtare për interesa vetjake edhe gjatë këtyre njëzet viteve tranzicion.

Tani është koha e rizgjimit kombëtar. Vetëm duke qenë bashkë. Asnjëri prej nesh nuk është i tepërt. Ku mund të amnistohen vetëm ata që hedhin dritë dhe i bashkohen lëvizjes për rizgjimin kombëtar, që nis duke dënuar dhe zbardhur krimet, duke rehabilituar viktimat përmes shtetit të së drejtës dhe duke e kthyer në prioritet të prioriteteve integritetin e zyrtarit të lartë të administratës publike, përmes Ligjit të Lustracionit, jo si mjet të politikës për të larë hesapet, por si metodologji për të sjellë në krye të institucioneve shqiptarët më të mirë. Ligji i Lustracionit ndëshkon personat përgjegjës dhe assesi viktimat. Viktima janë edhe ata që nën torturë u detyruan të bashkëpunojnë, porse e vërteta duhet të zbulohet lakuriq. Jo si instrument plagosës, sepse boll jemi të plagosur, por si mjet shërues, rehabilitues. Sepse si thotë Buda as hëna, as dielli dhe as evërteta nuk mund të fshihen, apo si thotë i madhi Vaclav Havel se “E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet’’. Ky është objektiv strategjik kombëtar i shqiptarëve, që ne gazetarëve na vendos të parëve përpara përgjegjësisë.

©

MËKATI! – Nga HAMIT TAKA

 

Mëkati i këtij shkrimi qoftë i imi!

Zoti e populli e dinë, por, nëse jam duke bërë sevap me këtë shkrim, i gjithi qoftë i çdo prijësi në Shqipëri, i juaji Shkëlqesi Kryeministër, i juaji Fortlumturi President, i juaji Madhëri Kryetar i Kuvendit, i juaji Hirësi të Klerit, ndërsa mëkati vetëm imi…

Të nderuar zotërinj! Së pari, me emrin e Zotit dhe më pas me lejen e liri-demokracisë, mësova se mëkat më të madh se të vjedhësh nuk ka, madje mëkat tjetër veç vjedhjes nuk ka…                                          Përshëmbëll: mësova se heshtja është mëkat, sepse vjedh zërin… Të mos shkruash prej frikës është mëkat, sepse vjedh guximin… Të mos votosh atë që beson është mëkat se vjedh besimin… Të vjedhësh votën është mëkat se vjedh Themelin e Demokracisë… Të korrësh pa pushim, gjithashtu është mëkat, sepse vjedh të mbjellat…

Mësova se të rrish këmbëkryq, ndërsa dhunohen e përdhunohen përditë fëmijë e gra është mëkat, sepse vjedh shpresën… Të fshehësh është mëkat, sepse vjedh të dukshmen; të shmangesh sot, për qindra fëmijë, të sëmurë e të moshuar të vuajtur për të grënë është mëkat, sepse vjedh të pashmangshmen. Arsimi i dobët, aq më keq analfabetizmi, është mëkat, sepse vjedh dijen. Moskokëçarja është mëkat, sepse vjedh këmbënguljen.

Të bësh peshqesh Atdheun e të gjithëve është mëkat, sepse vjedh përkatësinë. Të qëndrosh krah për krah me përdhunuesin është mëkat, sepse vjedh nderin. Të duartrokasësh të keqen është mëkat, sepse vjedh të mirën… Edhe të përzesh Shqiptarët prej dheut të tyre është mëkat, sepse vjedh Atdheun…

Mësova shumë ndërkohë që mësoja …

Mësova se poshtërsia është mëkat, sepse vjedh lartësinë. Të urresh është mëkat, sepse vjedh dashurinë. Të gënjesh është mëkat, sepse vjedh të vërtetën. Të shtrembërosh është mëkat, sepse vjedh të drejtën… Të vjedhësh dhuratën është mëkat, se vjedh bujarinë.

Të nderuar Zotërinj!

Mësova se mëkat më të madh se të vjedhësh nuk ka, madje mëkat tjetër veç vjedhjes nuk ka… Ndërsa mësoja, gjithashtu edhe mendoja, se si ikën vjedhurazi këto 30 vite liri, po aq vite sa totalitarizmi shqiptar e izoloi Shqipërinë nga Lindja e Perëndimi dhe ndaloi ushtrimin e besimit ndaj Zotit. Mëkati qoftë veçse i imi, por i bindur jua them të hiqni dorë tashmë me kacavjerrjen në periudhën e të paudhëve… Kthehuni te e sotmja! Kthehuni te e sotmja dhe lavdëroni Zotin e Popullin që ju ngarkoi këtë amanet pikërisht për këtë kohë, në këtë vend dhe me këtë popull…

… Sepse edhe Shqipëria po përjeton kohëra të vështira ashtu si kohërat e mbërritjes së profetëve.… Sepse Shqipëria sot është i vetmi vend i shenjtë në botë që paqësisht ofron me dhjetëra rrugë të drejta ndaj dashurisë për Zotin…

Të nderuar Klerikë,

Nuk përtova dhe nuk rreshta së mësuari për asnjë çast edhe për udhën dhe gjykimin e Profetëve.

Të kryqëzosh shpirtrat e përvuajtur është mëkat, sepse vjedh Jezusin… Ti dorëzohesh këtij realiteti është mëkat, sepse vjedh Muhametin…Të dehesh me pushtetin dhe të kujtosh se feja është aq sa diametri i kapuçit mbi kokë është mëkat, sepse vjedh qiellin…

Të marrësh anën e të fortit është mëkat se poshtëron të dobëtin…

Them se Mëshirploti do t’jua falë mëkatet e të kaluarës, nëse filloni të reagoni ndaj çdo vjedhjeje, ndaj çdo dhunimi, ndaj çdo privimi lirie…

Ma besoni, Zoti gjithësecilit prej jush i dha një amanet të shenjtë, si asnjë Kleriku tjetër në botë. Për këtë, lëvdoni atë më shumë. Ju dha amanet situata të ngjashme me ato që u dha profetëve në kohërat e mbërritjes së tyre. Thellohuni më shumë…

Nga fundi, mësova se dita e gjykimit të madh nuk ngjante aspak me Gjykatat e liri-demokracisë… Nuk kish aty ik sot e hajde nesër. Nuk kishte as Veting e as SPAK… Atë ditë, edhe shurdhi do dëgjonte, edhe i verbëri do shikonte, edhe sakati do vraponte. Vetëm një seancë do zgjaste e tëra. As Apel, as Gjykatë e lartë, as Kasacion, as Venecie, as Strazburg nuk kish atje. Ish dita e të vërtetës së pamohueshme… Siç duhej të ishte tek ne 22 Marsi 1992…

Ku po shkon Turqia moderne e Qemal Ataturkut – vend anëtar i NATO-s?! Nga Elida Buçpapaj

Nuk është fake fotoja e Rexhep Erdogan me qylaf imami!

Perendimi ka mbetur i shtangur kur presidenti aktual i Turqisë me mikrofon si një lider fetar ka filluar të recitojë pjesë nga Kurani në Kishën e Shën Sofisë që e ka kthyer sa hap e mbyll sytë, me një të rënë të lapsit në xhami, duke përmbysur atë çka kishte vendosur Presidenti i Turqisë moderne Qemal Ataturk!

Turqia është Republikë laike, çka do të thotë se feja duhet të jetë e shkëputur nga shteti!

Kisha e Shën Sofisë prej 1935 është një monument historik dhe muzeum i trashëgimisë kulturore i mbrojtur nga UNESCO.

Me moshë mbi 1500 vjeçare Shën Sofia është dëshmitare e rrëzimeve dhe ngadhnjimeve të perandorive, e asaj që ka ndodhur nëpër shekuj.

E ndërtuar në Kostandinopojë (Stambolli i sotshëm) nga Perandori romak i Bizantit me prejardhje ilire, Justiniani I,  nga 537 deri në 1453 ishte katedrale kristiane, në fillim katolike pastaj ortodokse. Kthehet në xhami nga 29 maji 1453 deri në fund të vitit 1931.

Më 1935, presidenti i parë turk dhe themeluesi i Republikës së Turqisë moderne, Mustafa Kemal Atatürk, e shndërroi ndërtesën në një muze si simbol i paqes, harmonisë dhe tolerancës fetare.

Gjatë kësaj periudhe, përdorimi i kompleksit si një vend adhurimi ishte rreptësisht i ndaluar.

Kisha e Shën Sofisë për 85 vjet ishte një atraksion turistik, si profili i Turqisë laike.

Papa Vojtila ishte i pari Papë që kishte hyrë në Kishën e Shën Sofisë më 2001.

Në 2006 gjatë vizitës së tij në Turqi, do ta vizitonte Shën Sofinë edhe Papa Benedikti XVI.

Pak para vizitës së tij, qeveria turke vendosi që në kompleksin e muzeumit të ishte një dhomëz si vend lutjeje për të gjitha fetë.

Papa Benedikti XVI në respekt të traditave zbathi këpucët kur hyri në Shën Sofi. Ai shoqërohej nga Myftiu i Madh, i cili duke iu referuar shtypit të kohës, i lutet Atit të shenjtë të ndaleshin një moment për të medituar, ndërsa Shenjtëria e tij raportohet t’i jetë drejtuar Myftiut të Madh duke i thënë:  “Kjo vizitë do të na ndihmojë ne të gjithëve për të gjetur rrugën e paqes në të mirë të gjithë njerëzimit.”

Por rrjedha e ngjarjeve është devijuar dramatikisht dhe muzeu simbol i harmonisë fetare, krijuar prej Qemal Ataturkut para 85 vitesh, rikthehet në xhami, sikur në kohën e Perandorisë otomane që mori fund së ekzistuari një shekull më parë për t’i lënë vendin Turqisë moderne.

Presidenti turk si përfaqësues i unitetit kombëtar do të duhej të respektonte vullnetin e Ataturkut. Sepse nuk mundet ta kthejë rrotën e historisë të Turqisë mbrapsht. E megjithatë ai po përpiqet dhe më 10 korrikun e vitit 2020, me një dekret dekret presidencial pas 85 vjetësh e kthen rishtas Shën Sofinë në xhami!

Një veprim padiskutueshëm arbitrar që do ta ngrinte nga varri Qemal Ataturkun!

Përpara një skene surreale, ku presidenti i Turqisë laike me qylaf imami këndon syre të Kuranit në publik, çdokush ka të drejtë të pyesë: quo vadis Turqia, shtet europian dhe vend anëtar i NATO-s ?!

 

 

Bashkimi në një listë zgjedhore, e vetmja mënyrë e përfaqësimit dinjitoz të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi! – Nga XHELADIN ZENELI

Shqiptarët në Luginën e Preshevës fituan maksimumin e mundshëm të numrit të deputetëve në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet e muajit të kaluar; Subjektet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në zgjedhjet e këtij muaji ,arritën numër rekord të mandateve në Parlamentin qendror;.
Po shqiptarët në Mal të Zi, çka do të fitojnë në zgjedhjet e muajit të ardhshëm ?
E kam thënë edhe më parë se bashkimi apo bashkëpunimi i partive politike shqiptare në në Mal të Zi, duke përfshirë edhe formimin e një kualicioni të përbashkët zgjedhor nuk është më opcion por është e vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre politike duke pasur parasysh defaktorizimin gradual dhe rënien e fuqisë së tyre si pasojë e parcijalizimit dhe ndarjeve të shumta që ato kanë pësuar që nga koha e vendosjes së sistemit shumëpartiak në Mal të Zi. Ju rikujtojmë se në zgjedhjet e para shumëpartiake të vitit 1990 , një subjekt i vetëm politik shqiptar( LDMZ), fitoi 4 vende (deputetë) në Kuvendin e MZ.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016 nga rreth 10 parti (subjekte) egzistuese politike shqiptare , vetëm njëra prej tyre arriti të fitoi një mandat(deputet).
S’ka dushim një ndër faktorët që ka ndikuar negativisht në rënien e përfaqësimit të shqiptarëve, në dy zgjedhjet e fundit në Kuvendin e MZ ka të bëjë me ligjin egzistues zgjedhor i cili është diskriminues ndaj tyre, por mos të harrojmë se “plaga” lenduese më e rëndë ,shqiptarëve ia ka ardhur nga vetëvehtja duke themeluar parti të reja dhe duke shumëfishuar spektrin politik çka ka ndikuar në ndarjen, përçarjen dhe fragmentizimin e zgjedhësve(votuesëve) shqiptarë. Dhe ky shumëfishim vazhdon gjithënjë edhe në ditët e sotme,pasi që pak kohë më parë dega e partisë së dytë më të vjetër shqiptare në Mal të Zi- UDSH-ja , u shkëput nga partia e saj amë për të vazhduar si subjekt politik në vehte.
Sa herë që partitë politike shqiptare në Mal të Zi garojnë të ndara apo me lista të veçanta në zgjedhje, ata në fakt garojnë kundër njera tjetrës dhe jo kundër partive apo listave tjera joshqiptare . Pra, nëse në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me 30 Gusht 2020, partitë shqiptare dalin me lista të veçanta apo dy-tre kolona, atëherë ata si të tilla do të konkurojnë për një bazë të përbashkët zgjedhore, bazë kjo e cila fatkeqësisht vjen duke u tkurrur prej zgjedhje në zgjedhje si rezulltat i emigrimit të shqiptarëve,apatizmit qytetar, abstenimit (mosvotimit) të zgjedhësve të zhgënjuar në liderët e tyre partiak si dhe mos dhënia e mundësisë pjesëtarëve të diasporës shqiptare për të votuar nga vendet e tyre të qendrimit.
Prandaj, në gjendjen dhe rrethanat e tanishme të krijuara nga vetë subjektet politike shqiptare, ata nuk e kanë më luksin që të paraqiten apo garojnë të ndara dhe me lista të veçanta në zgjedhjet parlamentare por vetëm me një listë të përbashkët zgjedhore.
Sa më parë që t’a kuptojnë dhe të jenë të vetëdijshëm për këtë, aq më shumë do t’i kontribojnë subjektit të vet politik dhe njëherit aq më shumë do t’i ndihmojnë bazës së vet zgjedhore që ata përfaqësojnë.
Xheladin Zeneli
Korrik 2020

KUJTOHET DR. IBRAHIM RUGOVA SI NJË KAMPION I LIRISË DHE NJË BURRËSHTETI QË NDANTE VLERAT AMERIKANE – Nga Frank Shkreli

Përfaqësia e përherëshme diplomatike e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës kujton dy gjigantë të drejtave të njeriut — një shqiptar dhe një amerikan –Dr. Ibrahim Rugovën dhe Kongresistin Xhon Luis, si dy kampionë të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore për të gjithë, pa dallim.

 

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë njofton publikun nepërmjet një deklarate, në portalin e saj të fejsbukut se, në ditët e ardhëshme, do të kujtojë heronjë dhe udhëheqës nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova, të cilët gjatë jetës dhe veprimtarisë së tyre në jetën publike, kanë mbështetur vlerat e përbashkëta të dy popujve, mbi të gjitha, liritë bazë të njeriut, individë të cilët edhe kanë vepruar në mbrojtje të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë njerëzit kudo dhe pa dallim.  Fillimisht, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës ka vendosur të kujtojë ikonat e të drejtave të njeriut, Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës dhe kongresistin amerikan Xhon Luis, i cili ndërroi jetë ditët e fundit, në moshën 80-vjeçare — e të cilët kujtohen si udhëheqës me influencë dhe frymëzues të shoqërive, jo vetëm në vendet ku ata kanë vepruar e punuar, por edhe më gjërë.

 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Philip S. Kosnett

 

Duket se ky projekt ka për qëllim, jo vetëm të theksojë vlerat e përbashkëta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të venë në dukje personalitetet nga të dy vendet, të cilët kanë lënë pas këtë trashëgimi të pasur vlerash të përbashkëta edhe si një mjet për të forcuar edhe mëtej marrëdhëniet tona, nepërmjet këtyre vlerave dhe personave, të cilët sa ishin gjallë mbetën bartësit e këtyre vlerave kombëtare dhe universale.

 

Në njoftimin e ambasadës amerikane jepet një përshkrim i shkurtër i secilit prej këtyre burrave, për të shpjeguar arsyen se pse, pikërisht, këta të dy u përzgjodhën.   Në kohën e tyre ata u dalluan si heronjë dhe udhëheqës me influencë në luftën për sigurimin e të drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut, njëri në Shtetet e Bashkuara e tjetri në Kosovë.

 

Në njoftimin për përzgjedhjen e ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova thuhet: “Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës.  Ai ishte shkrimtar, akademik dhe politikan që zbatonte dhe mbronte një politikë të rezistencës paqësore ndaj sundimit serb, në fushatën e tij për të siguruar lirinë dhe pavarësinë për Kosovën shtet-të pavarur dhe sovran.  Fushatën e tij për liri ai e kishte bazuar në fushatat për liri dhe për të drejta civile në modelin e qendresës së Gandhit (në Indi) dhe Martin Luther King-ut (në Amerikë).  Ai besonte në fuqinë e politikës dhe jo në dhunën”, për të realizuar objektivat e tija, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.  Aty citohen edhe fjalët e Ibrahim Rugovës që përmbledhin, pak a shumë vizionin e tij për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe të marrëdhënieve me jashtë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës: “Vizioni im është të kemi një Kosovë të pavarur dhe demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi të qëndrueshme, një Kosovë të integruar në BE, NATO dhe me marrëdhënie të mira dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkluara të Amerikës”, përfundon citati i Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, botuar në faqen zyrtare fejsbuk të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

 

Kongresisti Xhon Luis, njëri prej bashkpuntorëve më të ngushtë të udhëheqsit të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara Martin Luther King-ut gjatë 1960-70-ave, ishte një politikan amerikan dhe udhëheqës i lëvizjeve për të drejtat civile gjatë disa dekadave,por edhe anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan nga shteti Xhorxha, duke filluar nga viti 1987 e deri që ndërroi jetë, disa ditë më parë, nga një sëmundje e rëndë.  Në njoftimin e ambasadës amerikane në Prishtinë citohet kongresisti Luis për bindjet e tija se, “Asgjë nuk mund të ndalojë fuqinë e një populli i cili është i përkushtuar dhe i vendosur për të bërë ndryshime në shoqërinë tonë.  Pse? Sepse qeniet njerëzore janë lidhja më dinamike me Hyjnoren në këtë planet.”, ka thënë Lewis.

 

Kongresisti Xhon Luis gjithë jetën e tij luftoi për të drejta të barabarta për vetën dhe për të tjerët, përfshir komunitetin e tij afrikano-amerikan.  Ai gjithmonë inkurajonte aktivistët e tjerë dhe qytetarët e thjeshtë që, “Mos ki frikë të bësh pak zhurmë dhe të shkaktosh telashe apo, ato që ai i quante “probleme për të cilat ia vlen të bëhet zhurmë, probleme që janë të nevojshme”, për të tërhequr vëmendjen e pushterarëve dhunues të lirive dhe të drejtave që duhet të jenë të barabarta për të gjithë.  Xhon Luis, konsiderohet si njëri prej “6 të mëdhejve”, të Lëvizjes së të Drejtave Civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që punoi gjithë jetën e tij për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave dhe lirive të afrikano-amerikanëve. Trashëgimia e tij, në mbrojtje të këtyre të drejtave dhe lirive, vazhdon edhe sot ndërkohë që përball nevojës për veprim dhe për protesta në mbrojtje të këtyre të drejtave të njeriut, fjalët e tija gjithnjë rezonojnë në veshët e atyre që ndoshta hezitojnë të aktivizohen në mbrojtje të këtyre të drejtave : “Nëse jo ne, atëherë kush?  Nëse jo tani, atëherë kur?

 

Nuk e dij se ide e kujt është kjo nismë që ka ndërmarrë ambasada amerikane në Prishtinë, por është vërtetë një ide unike dhe me vlerë –për të venë në dukje personat që ndajnë të njëjtat vlera – qofshin personalitete të njohura ose jo, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova.  Ndoshta nga shembulli amerikan, ndoshta jo, por Rugova shpesh fliste për faktin se shqiptarët e Kosovës 30-vjet më parë e kishin humbur frikën që mund të kenë pasur nga regjimi diktatorial komunist sllav, ndërsa kërkonin trajtim dhe të drejta të barabarta nga okupatorët serb.  Dr. Rugova ishte shprehur në atë kohë se kemi humbur frikën por edhe “kemi arrijtur që të lirohemi edhe brenda vetvetes”. Sikur shqiptarët e Kosovës, në fillim të 90-ave, i ishin përgjigjur pyetjeve për të cilat njihej Xhon Luis: “Nëse jo ne, atëherë kush?  Nëse jo tani, atëherë kur?

 

Bazuar në këto vlera të përbashkëta që, sipas ambasadës amerikane në Kosovë, pasqyrohen nga Ibrahim Rugova dhe Xhon Luis, Presidenti historik i Kosovës i vuri gur-themelet miqësisë së përherëshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, duke forcuar kështu mëtej lidhjet e forta midis dy kombeve tona, bazuar pikërisht në këto vlera të përbashkëta universale, për liri dhe drejtësi, për të gjithë dhe pa dallim.  Përveçse ndante dhe mbronte vlerat kombëtare dhe universale, Dr. Ibrahim Rugova u ofronte bashkbiseduesve edhe urtësinë e shqiptarit, vlerat e miqësisë dhe të qëndresës tradicionale, që pasurojnë vlerat universale, së bashku me besën, nderin e burrërinë, vlerata dalluese të Kombit shqiptar.

 

Presidenti Rugova besonte se bota, sidomos ajo perëndimore, do të kishte respekt më të madh për shqiptarët nëqoftse ata do t’u përmbaheshin këtyre vlerave bazë të identitetit të tyre arbëror.  Dr. Rugova ishte një burrështeti shqiptar ndryshe – ai jo vetëm që I mbronte si vlera të shtrënjta kombëtare, por edhe frymëzohej nga këto virtyte.  Ai me durim, guxim e besim — fillojë të shpaloste para botës – në përputhje me vlerat perëndimore dhe universale — dinjitetin dhe vlerat kombëtare të shqiptarëve, të nepër-këmbura për më shumë se 50 vjetë nga një ideologji sllavo-komuniste e anti vlerave perëndimore, por krejt e huaj dhe armiqësore edhe ndaj vlerave, kulturës dhe traditave më të mira shqiptare.

 

Ishin këto vlera, mbi të cilat Dr. Rugova dëshironte që të ndërtonte shtetin e Kosovës dhe jo bazuar në një ideologji të huaj sllavo-komuniste ose në trashëgiminë e saj autoritare, por mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të vërtetë të Kombit, në harmoni të plotë me vlerat e njohura universale për liri dhe të drejta të barabarta — themelore dhe të pa mohueshme për të gjithë njerëzit pa dallim.

 

Është inkurajues fakti që Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ve në dukje, në këtë mënyrë publike, se besimi në vlerat e përbashkëta amerikano-shqiptare që ndante Presidenti Ibrahim Rugova me kongresistin amerikan, Xhon Luis, është mënyra më e mirë për të ndërtuar institucionet e shtetit të Kosovës dhe për të forcuar mëtej miqësinë dhe bashkpunimin me Shtetet e Bashkuara.  Kam drojë se marrëdhniet e Kombit shqiptar me Amerikën kanë hyrë në binarë krejt ndryshe nga ato që dëshironte President Ibrahim Rugova.  Klasa aktuale politike shqiptare, në të dy anët e kufirit, do bënte mirë të nxirrte mësime edhe nga simbolikat.  Shqiptaria ka nevojë për burrshtetas si Ibrahim Rugova, vërtetë një burrë vlerash universale dhe kombëtare!  Krenar që e kam njohur!

 

Frank Shkreli

 

NDER DHE PRIVILEGJ QË E KAM NJOHUR KETË BURRËSHTETI TË KOMBIT SHQIPTAR! – NË VARRIMIN E TIJ MBARË BOTA TREGOI SE KUSH ISHTE IBRAHIM RUGOVA!

Ne, bijtë e Shqipërisë, duhet ta shpëtojmë atdheun nga shpërbërja – Nga Aurel Dasareti*

 

Çfarë ndodh kur shërbëtorët e shtetit bëhen zot i saj dhe e përdorin shtetin për qëllimet e veta?

Autoriteteve joligjore të dy shteteve tona të dështuara u është dhënë një fuqi jo vetëm mbi qytetarët, por edhe mbi sistemin. Ata kanë marrë kontrollin e asaj që është ideja themelore e baballarëve kushtetues – që institucionet duhet të mbajnë njëri-tjetrin nën kontroll, në mënyrë që shpërdorimi (abuzimi) të korrigjohet. Abuzimi është bërë sistemi. Kjo është pasoja kur shteti udhëhiqet (është kapur) nga shërbëtorët e pabesë.  

***

 “Përçaj dhe sundo” është një parim politik që synon t’i bëjë kundërshtarët e tyre të mos pajtohen me njëri-tjetrin, për t`i bërë ata më të dobët ashtu që t`i zotërojnë më lehtë individualisht.

Vitet e fundit, Shqipëria është helmuar nga përçarjet ideologjike, politike, fetare. Secili e lufton secilin. Dikush nga jashtë, me ndihmën e dobiçëve kriminelë shqipfolës dirigjon për shpërbërjen e kombit tonë:

  • Ta varfëroj sa më shumë popullatën ashtu që,
  • Shumica e të rinjve të shkojnë jashtë vendit
  • Ata që mbeten brenda, përmes keqpërdorimit të fesë të tjetërsohen në grekë dhe “myslimanë”
  • Vendi të mbushet (trashëgohet) me “refugjatë” arabik, aziatik dhe afrikan që brenda pak viteve do të ndryshojnë plotësisht demografinë…

***

Ti mund të heqësh dorë, të ndjehesh keq për veten tënde dhe të pranosh në mënyrë pasive atë që mund të marrësh. Ose mund të përpiqesh të vendosësh se çfarë duhet të përmbajë jeta jote.

Shqiptarët kanë nevojë për një unitet, bashkim të fortë dhe pandashëm që mbështetet në tiparet-veçoritë thelbësore të natyrshme dhe përhershme, sidomos vetitë dalluese të gjuhës dhe karakterit, pamja e veçantë e fytyrës, të mos harrojnë kurrë historinë dhe prejardhjen tonë të lashtë krenare pellazge-ilire dhe të luftojnë përherë për interesat apo qëllimet e përbashkëta, Zoti i tyre të jetë një lidhje e ngushtë vëllazërore ku edhe anët e ndryshme janë në përputhje të plotë. Kështu të bashkuar e unifikuar, nuk do të munden kurrë për të na poshtëruar dhe shkatërruar.

Më në fund, interesat shqiptare duhet të përfaqësohen nga dikush që në damarët e tij ka gjak shqiptari, mendon me kokën e tij, i cili ka forcën e besimit ndaj vendit të tij dhe popullit të tij, ndershmëri, qëndrueshmëri, i cili fut siguri te njerëzit, udhëheq me shembullin personal, mbush me entuziazëm dhe interesat kombëtare e të cilit janë mbi të gjitha interesat e tjera, sidomos mbi ato partiake e fetare.

Atëherë mund të përfundojmë se cila, në atë kuptim, ishte vlera e nderit dhe dinjitetit njerëzor për të cilin heroi më i madh gjithë-shqiptarë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (i njohur në gjithë botën) dhe pasuesit e tij luftuan për të arritur dhe në kohën më të vështirë.

Shpërbërja e kombit shqiptar është, në të vërtetë, vetëm një në një seri projektesh serbe, greke, turke, ruse që përmes tradhtarëve shqipfolës me përkatësi etnike të turbulluar, sidomos përfaqësuesve fetarë – priftërinjve ortodoks dhe hoxhallarë – përpiqen ta bëjnë sa me më shumë gjemba të jetë e mundur.

***

Tendenca midis shqiptarëve është përpjekja ta kuptojnë njëri-tjetrin sa më mirë. Janë vetëm politikanët oportunistë që mendojnë në kategoritë fisnore dhe që janë plotësisht të izoluar nga problemet e popullit të tyre Ata janë “njerëz” që përçmojnë Kombin e tyre dhe Vendin e tyre dhe që, për shkak të ambicieve politike, shfrytëzojnë qëndrime në vetëdijen e popullit tonë për të arritur qëllimet e tyre politike oportuniste dhe shuajnë etjen e tyre për pushtet dhe mbizotërim politik.

Ne kemi shumë prova që ndjenja kombëtare gradualisht është bërë e gjallë te shqiptarët. Uniteti kombëtar në luftën kundër shtypësve është një shprehje që do ta dëgjojmë pa pushim në të ardhmen e afërt.

***

Shqiptari kurrë nuk e ka ndjerë veten aq fort se kur është jashtë vendlindjes, prandaj shprehja Atdhe është e mahnitshme për të, kjo ritet fortë e më fortë në zemrat tona, gjithashtu edhe dashuria ndaj vendit tonë, Shqipërisë etnike. Unë do të shpreh shpresën se nuk do të kalojë një kohë e gjatë të jemi në gjendje për të treguar rrugën dhe do të krijojmë një Shqipëri vërtetë të lumtur, që të gjithë të mund të jenë krenar për të jetuar në te, dhe që të gjithë të ndihen në shtëpi, në një Shqipëri të rehatshme.

 

Sot i thash gjyshit tim, ish oficer dhe pjesëmarrës në shumë luftëra:

“Gjyshi, Shqipëria jonë gjendet buzë greminës, për fat të keq nuk janë oficerët në ushtrinë shqiptare ata që vendosin kufirin, vijën e kuqe për politikë-bërësit sesi duhet të kontrollohet vendi – por mund të ketë qenë një zgjidhje më efektive dhe më e mirë.”

“Po nipi im, këtu jemi plotësisht dakord, përkohësisht vendi do të ishte qeverisur më mirë nga disa gjeneralë në prapaskenë, sesa këta feministë të të dy gjinive, hajnave, servilëve të armiqve, analfabetëve, gjelave gjunjëzues, mashtruesve dhe tradhtarëve. Gjenerata jote duhet ta shpëtojë Vendin nga shpërbërja, patjetër.ishte përgjigja e gjyshit.

***

Disa ditë më parë vdiq nëna 63 vjeçare e një prej miqve të mi më të mirë Guran Neritani. Mjeke, e infektuar nga pacientët që i trajtonte në një spital nga virusi kinez. Miku-kolegu im dhe dy motrat e tij, që nga fëmijëria e hershme, u rritën pa babanë i cili vdiq në një aksident automobilistik. E ndaj dhembjen me mikun tim dhe të afërmit.

 

Miqtë e mirë janë engjëj që na ngrenë lartë  përsëri kur krahët tanë kanë harruar se si është të fluturosh.

 

Gjithkush ka të drejtë për kujtime. Është momenti që edhe unë të përshëndes disa kolegë  të mi nga Akademia Ushtarake, vëllezërit e fushëbetejës:

Të dashur miq, vitet që ne i kaluam bashkarish ishin vite të mira dhe të këqija. Ato ishin vitet e aktiviteteve dhe letargjisë (përgjumjes), vitet e respektit dhe të moskuptimeve, vitet e miqësisë dhe zemërimit, largimit dhe mbërritjes, shpërblimit dhe dënimit, qortimit dhe faljes, vitet e gëzimit dhe trishtimit. Kishte gjithçka me përjashtim të urrejtjes.

Ne së bashku mësuam, u edukuam dhe u jemi përmbajtur parimeve-rregullave. Oficerët domosdoshmërish të posedojnë katër fusha me rëndësi jetike: intelektuale, fizike, ushtarake dhe morale-etike. Kodi themelor i etikës së ushtarakut është: Detyra, Nderi, Atdheu. Një oficer nuk do të gënjej, mashtroj, vjedh ose toleroj ata që e bëjnë këtë.

 

Kujtimet rikthehen.

Në shtator 2012, me disa miq (midis tyre Gurani), koleg nga Akademia Ushtarake dhe bashkëluftëtarë të mi me prejardhje shqiptare të lindur në Australi, Amerikë dhe Kanada, afër dy muaj i kaluam “pushimet” në Vendin e Zemrave tona. Stërvitemi. Ditë e natë, ngjitemi pa pushim në bjeshkët madhështore të jugut dhe zhytemi në ujërat e kaltra të Ksamilit (Sarandës). Ne, bijtë e Shqipërisë.

Natën e fundit para ikjes, në ditarin tim shkrova: Fryrë zemrat dhe faqet me ngjyra të ndezura, homazh të dashurit Atdhe. Emri i shenjtë. Gjumi im është i heshtur, dhe askush nuk mund të ëndërrojë në mënyrë të lehtë dhe kështu të heshtur, kur malet dhe deti bie në gjumë, dhe askush nuk mund të buzëqeshë në mënyrë të qetë dhe të lumtur, kur zërat lundrues mbinatyror vdesin. Dhe, pyjet janë duke fjetur në luginë.

Shqipëri, Shqipëria ime, ma jep mua pranverën tënde, me diell mbi ujërat që lëkunden, por më dëgjo mua, më dëgjo mua kur ditët kalojnë dhe hijet e mbrëmjes mbulojnë ballin tim. Pastaj më mëso të zbehem, o Shqipëri moj nëna ime, dhe të hipi në një krevat në tokën tënde të shenjtë, kur vera e lënë vendin…

 

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)