VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

SHQIPNIA DHE HUMNERA – Nga Fritz RADOVANI

By | June 19, 2019

Komentet

Le Siècle (1850)- Fjalimi brilant i Victor Hugoit në varrimin e Honoré de Balzacut

Honoré de Balzac (1799 – 1850)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Maj 2020

 

Më 18 gusht të 1850 u nda nga jeta në moshën 51 vjeçare shkrimtari, dramaturgu, kritiku letrar dhe i artit, eseisti, gazetari dhe botuesi i shquar francez Honoré de Balzac.

 

Me këtë rast, gazeta “Le Siècle” ka botuar, të enjten e 22 gushtit 1850, në faqen n°2, fjalimin brilant të mbajtur nga shkrimtari dhe politikani i shquar francez, Victor Hugo, në momentin e varrimit të Balzac-ut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Victor Hugo (1802 – 1885)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zotërinj,

 

Njeriu që zbriti në këtë varr ishte një nga ata për të cilët dhimbja publike mban kortezh. Në kohërat në të cilat ndodhemi, të gjitha trillimet janë zhdukur. Tani, sytë janë fiksuar jo më mbi kokat që mbretërojnë, por mbi ato që mendojnë dhe i gjithë vendi dridhet kur njëra prej këtyre kokave zhduket. Sot, zija popullore është vdekja e njeriut të talentuar; zija kombëtare është vdekja e njeriut gjenial.

 

Zotërinj, emri i Balzac-ut do të përzihet me gjurmën e ndritshme që epoka jonë do të lërë në të ardhmen.

 

  1. Balzac ishte pjesë e asaj gjenerate të fuqishme shkrimtarësh të shekullit të XIX-të, të cilët erdhën pas Napoleonit, ashtu si plejada e shekullit të XVII-të erdhi pas Richelieu-t, — sikur, gjatë zhvillimit të civilizimit, të ketë pasur një ligj i cili ka bërë që dominuesit e shpatës të pasoheshin nga dominuesit e mëndjes.

 

  1. Balzac ishte një nga të parët ndër më të mëdhenjtë, një nga më të lartët ndër më të mirët. Nuk është këtu vendi për të thënë gjithçka që përfaqësonte kjo mëndje e shkëlqyer dhe sovrane. Të gjithë librat e tij formojnë vetëm një libër, një libër të gjallë, të ndritshëm, të thellë, në të cilin mund të shohim që vjen dhe shkon, ecën dhe lëviz, nuk e di me diçka frikësuese dhe të tmerrshme të përzier me realen, i gjithë civilizimi ynë bashkëkohor; libër i mrekullueshëm të cilin poeti e ka titulluar komedi dhe që mund ta kishte titulluar me të drejtë histori, i cili merr të gjitha format dhe të gjitha stilet, i cili tejkalon Tacitus-in dhe që shkon deri te Suétone, i cili përshkon Beaumarchais dhe që shkon deri te Rabelais; libër i cili është vëzhgim por edhe imagjinatë; që vë në pah të vërtetin, intimin, borgjezin, të parëndësishmin, materialin (lëndën); dhe që herë pas here, përmes realiteteve të papritura dhe të copëtuara, papritmas zbulon idealin më të errët dhe më tragjik.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Pa dijeninë e tij, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo, pavarësisht nëse pajtohet me të, autori i kësaj vepre të jashtëzakonshme dhe të çuditshme bën pjesë në racën e fortë të shkrimtarëve revolucionarë. Balzaku shkon drejt e në pikë. Ai e sfidon shoqërinë moderne ballë për ballë. Ai zbulon diçka tek të gjithë, disave iluzionet, të tjerëve shpresën, disave të qarat, të tjerëve maskën. Ai gjurmon vesin, analizon pasionin. Ai gërmon dhe heton njeriun, shpirtin, zemrën, brëndësinë, trurin, humnerën që secili ka në vetvete. Dhe, nëpërmjet dhuntisë së natyrës së tij të lirë dhe të fuqishme, nëpërmjet privilegjit të zgjuarsive të kohës sonë që, duke parë nga afër revolucionet, shohin më mirë fundin e njerëzimit dhe kuptojnë më mirë Providencën, Balzac-u del në pah i buzëqeshur dhe i qetë nga këto studime të frikshme të cilat prodhuan melankolinë te Molière dhe mizantropinë te Rousseau.

 

Kjo është ajo që ai bëri mes nesh. Kjo është puna që ai na lë, një punë e lartë dhe e qëndrueshme, një grumbull i ngurtë vendesh prej graniti, një monument ! një vepër nga maja e së cilës tashmë do të shkëlqejë fama e tij. Njerëzit e mëdhenj krijojnë piedestalin e tyre; e ardhmja kujdeset për statujën.

 

Vdekja e tij mpiu Parisin ! Që prej disa muajsh, ai ishte kthyer në Francë. Duke e ndjerë se vdekja po afronte, ai dëshiroi të shihte sërish mëmëdheun, ashtu si një ditë para një udhëtimi të madh, kur vijmë për të puthur nënën tonë !

 

Jeta e tij ishte e shkurtër, por e mbushur; e mbushur më shumë me vepra sesa ditë!

 

Fatkeqësisht! ky punëtor i fuqishëm dhe kurrë i lodhur, ky filozof, ky mendimtar, ky poet, ky gjeni, jetoi mes nesh duke bërë një jetë stuhish, luftimesh, grindjesh, përballjesh, e zakonshme, në të gjitha kohërat, për të gjithë njerëzit e mëdhenj. Sot, ai gjendet në paqe. Ai u largohet kontestimeve dhe urrejtjeve. Po në këtë ditë, ai hyn në lavdi dhe në varr. Do të shkëlqejë tani, mbi të gjitha këto re që janë mbi kokat tona, midis yjeve të atdheut!

 

Të gjithë ju që jeni këtu, a nuk jeni të tunduar ta keni zili ?

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zotërinj, sido që të jetë dhimbja jonë në prani të një humbje të tillë, le t’i pranojmë këto katastrofa. Le t’i pranojmë ashtu siç janë me dhembshurinë e tyre. Ndoshta është mirë, ndoshta është e nevojshme, në një epokë si e jona, që herë pas here një vdekje e madhe tu komunikojë shpirtrave që gllabërohen nga dyshimet dhe skepticizmi një lëkundje (tronditje) fetare. Providenca e di se çfarë bën kur e vendos popullin ballë për ballë me misterin suprem, duke i dhënë atij mundësinë të meditojë për vdekjen, që është njëkohësisht barazia dhe liria e madhe.

 

Providenca e di se çfarë bën sepse është më e larta nga të gjitha mësimet. Nuk mund të ketë veçse mendime të errëta dhe serioze në të gjitha zemrat kur një mëndje e shkëlqyer hyn me madhështi në jetën tjetër! Kur njëra prej këtyre qenieve e ngritur shumë lart mbi turmën me krahët (fletët) e dukshëm prej gjeniu, papritmas, hap këto krahë të tjerë që ne nuk i shohim dhe zhytet në të panjohurën !

 

Jo, nuk është e panjohura! Jo, e kam thënë tashmë në një rast tjetër të dhimbshëm dhe nuk do të lodhem kurrë ta përsëris, jo, nuk është nata (ërrësira), por drita! Nuk është fundi, por fillimi! Nuk është asgjësia, por përjetësia ! A nuk është e vërtetë, të gjithë ju që më dëgjoni ? Arkivole të tilla demonstrojnë pavdekësinë. Në prani të disa të vdekurve të shquar, i ndiejmë më qartë fatet hyjnore të kësaj inteligjence që përshkon tokën për të vuajtur dhe për të pastruar veten e saj, dhe të cilën ne e quajmë njeri, dhe themi se është e pamundur që ata që kanë qenë gjeni gjatë jetës së tyre të mos jenë shpirtra pas vdekjes së tyre! (Duartrokitje të fuqishme.)

PIKTORI FERDINAND PACI – Nga Fritz RADOVANI

Në 80 vjetorin e lindjes…

Oborri i shkollës Pedagogjike e ma vonë salla e vizatimit e prof. Simon Rrotës, na lidhi si shokë me Ferdinand Pacin e, ma vonë si piktor të rijë, por edhe përjetsisht miq. Kujdesi dhe dashnia e prof. Rrotës për ne, na bani me dashtë artin për të cilin, atëherë ishte sakrificë e madhe me dashtë me tregue të vërtetën që na mësonte profesori  po, që, edhe na këshillonte si djelmët e Tij për me e ndjekë ate. E, ndoshta, sot mund të duket edhe e pabesueshme ajo që profesor Simoni, na fliste e na kshillonte…Na po përgatitëshim për mësues, por penelat e prof. Rrotës, na zbukuruen shpirtin me aq kujdes, sa përjetsisht mbetëm nxanësit e Tij, edhe atëherë, kur, vazhduem me kenë nën kujdes të prof. tjetër të pikturës Vladimir Janit, në rrethin e shtëpisë së kulturës. Ferdinandi ishte një talent i vërtetë dhe gjithmonë i njajti njeri i thjeshtë, i dashtun, i sinqertë dhe kurr egoist. Nuk dij asnjë rasë që të konstatonte në punimin tem ose të një shokut tjetër dishka të gabueme dhe të rrinte indiferent por, me dashamirsi, merrte penelin apo lapsen dhe vazhdonte korrigjimin e gabimit…

Ferdinand Nush Paci, u le nga prindët Nush e Luçia Paci, me datën 30 Maji 1940, pra plot 80 vjet ma parë në qytetin e lashtë të Shkodres. Baba i Tij Nushi, ishte mjeshter argjentar, po edhe një prind model si në dashamirsi ashtu edhe në sjelljen e Tij prej qytetari të njohun shkodranë, gjithmonë i ndihmuem nga zonja e Tij e nderueme Luçia.

Në shkollën pedagogjike Ferdinandi ishte ndër nxanësit e shkelqyeshëm në të gjitha landët, kjo kishte formue një përshtypje aq të mirë tek drejtori i shkollës prof. Gani Daiu, sa kur kemi mbarue shkollën, Ai na propozoi që të na jepej nga Ministria e Arësimit “madalje ari”, që për arësye biografije nuk e morem asnjeni as unë, as Ai.

Ferdinandi, shkoi në punë në repartin e pikturës së qytetit, ndersa, unë disenjator në kabinetin pedagogjik të arësimit.

Ferdinandi mbas shumë përpjekjesh e nderhymjesh e nga ana e prof. Vladimir Janit, ma në fund, mujti me shkue me disa provime plotsuese në Liceun Artistik në Tiranë, prej ku, me rezultatet e Tija të shkelqyeshme hyni në Institutin e Lartë të Arteve.

Atje u laurue si piktor në qershor të vitit 1965, vit në të cilin edhe unë përfundova Liceun Artistik me korespondencë. Vazhdonim Ai dhe unë rregullisht me marrë pjesë në ekspozitat lokale të pikturës në Shkoder ndërsa, mbasi u laurue Ai u ba pjestar edhe i ekspozitave kombëtare në Tiranë si dhe, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistave të Shqipnisë, tue theksue se këta arritje ishin vetëm për merita artistike dhe asnjëherë me rrugë tjera të terthorta ose të pandershme…

Në vitin 1966, Ferdinandi mbajti fjalën e rastit kur unë hapa ekspozitën personale, dhe për këte iu terhoq vërejtja nga Lidhja e Artistave, mbasi nuk duhet ta bante për një njeri me biografi si të temën…Menjëherë, mbas vitit 1967, Ferdinandi ishte Ai që më sinjalizoi për rrezikun që më kercnohej nga i famëshmi “Revolucion Kultural”…

Miqësia e jonë dyfishohej edhe nga piktori Ndoc Gurashi, i cili, ishte jo vetem një mik besnik po, dhe, një këshillues i pjekun ndër shumë rrethana të kohës për ne të dy, ndonse, me Ferdinandin lidhej edhe familjarisht. Ferdinandi ishte një pedagog i nderuem dhe për këte dëshmojnë shumë ma tepër se vetë të gjithë ish nxanësit e Tij, të cilët, edhe sot e kujtojnë me respekt emnin e mësuesit të vet. 

Me datën 3 shtator 1975, në Shkoder, u hap lajmi i zi i një aksidenti automobilistik që kishte ngja në Thethin e Dukagjinit, ku humbën jetën katër përsona në moshë të re, ndër të cilët ishte edhe Ferdinandi…Nuk ishte e meritueshme për një njeri si Ferdinand Paci një fund jete aq tragjik dhe i dhimbëshem…Asnjëherë, nuk mund të shlyej nga kujtesa eme, Atë portret aq fisnik të Ferdinandit, që kishin shkallmue shkrepat e Alpeve tona, me atë pamje të mnershme që unë përjetova në morgun e spitalit civil të Shkodres, atë natë…kur e pashë shokun tem të fëminisë dhe, nuk e njihshe cili asht mes atyne viktimave të asaj nate të zezë…pamje e cila aq mu tipos në trunin tem sa, mbas disa ditësh e ripërtrina në një vizatim…ku, tue e shikue sa herë e mendoj: “Pse, o Zot, a mundet kush me veprue pa vullnetit Tand, me vra një njeri si Ferdinandin..?”

…Ora e dorës që më dha një infermjere aty, tregonte ende shkapetjet…ndër gurë!

Atë, orë, njëditë…ia ktheva djalit të Tij, Adrianit…piktorit t’ardhëshem…sot, Burrë!

Ferdinand Paci u nda nga jeta në moshen 35 vjeçare…plot 45 vjet ma parë…

Veprat e artit që Ferdinandi i la familjes dhe Atdheut në galeritë e arteve Ate, e rëndisin ndër Artistët e Kombit tonë.

FERDINAND PACI, asht i paharrueshem nga Qytetaria e Shkodres, Ai asht artist i Pavdekshëm po, edhe Pedagog i Nderuem i brezit të ri, për moralin dhe dashninë e madhe që kishte për artin dhe Atdheun, ndjesi që Ai, edukoi dhe frymzoi tek Rinia e nderueme Shkodrane!

Ai ishte një zambak i bardhë i qytetit të Shkodres…Se, ashtu kishte edhe Shpirtin e Tij..

Në shenjë kujtimi ia kushtoj këta pak rreshta në këte 80 vjetor…

Melbourne, 30 Maji, 2020.

1985/Nxënësi që u dënua nga Spartak Braho dhe vuajti dënimin si minator në Qafë Bari Nga Kastriot Dervishi

Gjergj Tomor Hani është i datëlindjes 13.5.1969. Më 27.5.1985, ora 23.30, i vetëm tentoi të arratisej nëpërmjet liqenit në zonën e Linit, Pogradec. I pikasur nga ndriçimi i postës kufitare, kur ishte vetëm pak metra nga vija kufitare qëllohet me kallashnikov. Shpëton rastësisht, por dorëzohet për të mos u vrarë. U soll në Durrës. Gjykimi u bë sipas një stili komunist jo në sallën e gjykatës, por para kolektivit të shkollës “Naim Frashëri” me nxënës dhe mësues, në mënyrë që ata ta shihnin mirë “armikun e klasës”. Ishte zgjedhur gjyqtar Spartak Braho, pikërisht ai që në konflikt të plotë interesi, bën pyetje sot për Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit.

Sipas Brahos, Gjergj Hani “me veprimin e tij armiqësor, i kundërvihet tërë qëndrimit të rinisë sonë të pastër revolucionare, e cila në këto momente është mobilizuar më tepër se kurrë ta kthejë dhimbjen në forcë, punë e vigjilencë”. Me vendimin nr.77, datë 1.7.1985, Gjykata e Rrethit Durrës, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 5 vjet heqje të lirisë në bazë të neneve 47/gj (arratisja), 11 (përgatitja ose tentativa), 21 (vitet e dënimit), 30/dh (rrethanë lehtësuese). Asnjë vit nuk i uli gjyqtari.

Sipas nenit 21 të Kodit Penal të vitit 1977, “të miturit dënimin me heqje të lirisë e vuajnë në vende të veçanta”. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur. Nuk konsiderohet i mitur (kodi e kish qartë përcaktimit për moshat deri 18 vjet dhe pas kësaj moshe) dhe dërgohet në repartin nr.311 Qafë Bari, në shkelje të plotë me legjislacionin e asaj kohe.

Dënimin nuk mundi ta mbarojë sepse u lirua me dekretin me rastin e 40 vjetorit të shpalljes së republikës komuniste. Gjergj Hani u lirua më 13.1.1986. në fletën e tij të lirimit shënohej nga komanda e Repartit nr.311 Qafë Bari se ishte me profesion nxënës. Vitin pasues nga lirimi, Gjergj Hani u arrestua përsëri.

Le Matin (1921)- Më shumë së një vit pas vrasjes, trupi i Esat Pashës gjendet ende në morg, në fillim të rrugës Aubervilliers, në Paris

Esat Pasha në Paris (Excelsior, 4 prill 1916, fq.5) – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 29 Maj 2020

 

“Le Matin” ka botuar, të martën e 25 tetorit 1921, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me trupin e pajetë të Esat Pashë Toptanit, më shumë se një vit pas vrasjes, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Trupi i Esat Pashës është ende në morg

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kujtojmë ende vdekjen e gjeneralit Esat Pasha, ish-diktatorit të Shqipërisë, i cili, më 13 qershor 1920, u vra me revolver, në rrugën Rivoli, nga një prej bashkatdhetarëve të tij.

 

Trupi i gjeneralit fatkeq u transportua më pas në hotelin që kishte marrë me qira, Vila Said, dhe mbeti aty dy ditë, i ekspozuar në një katafalk. Pastaj, në pritje të ardhjes së gruas së tij, e cila do të vendoste për datën e varrimit, trupin e gjeneralit shqiptar e dërguan në morgun e qytetit të Parisit.

 

Por, pasi familja e tij që jeton jashtë vendit nuk e ka kërkuar kurrë trupin e tij, Esat Pasha është akoma duke pritur, midis katër fletëve plumbi dhe katër dërrasave abanozi, në fillim të rrugës Aubervilliers, që ta dërgojnë në shtetin e tij.

 

Në morg, na deklaruan :

 

— Ne nuk kemi pse të shqetësohemi për gjeneralin. Ai është në një sallë të ajrosur mirë dhe po presim vetëm një fjalë nga gruaja e tij që ta nisim me tren në destinacion të Shqipërisë. Ne marrim çdo muaj, përmes një banke, 45 franga të parashikuara nga rregullorja për kujdesjen e trupit. Ne nuk kërkojmë më shumë…

 

— Por, për sa kohë ju mund të mbani arkivolin ?

 

— Rregullorja nuk parashikon një datë. Ne do ta mbajmë atë për aq kohë sa familja paguan. Dyqind vjet, në qoftë se i pëlqen të paguajë 45 franga gjatë dymbëdhjetë muajve për dy qind herë…

 

— Po sikur familja të mos paguajë më ?

 

— Atëherë do ta varrosnim trupin në “transhenë e lirë”…

Zotnitë dhe Tirona Nga Beniamin Bakalli

 

Kjo foto na çon në 1937.

Kurrë në librat e historisë të shkruar me frymën komuniste nga Paskalët, nuk na është treguar e vërteta.

Por, falë besnikërisë të shumë familjeve fisnike, këto foto mbërritën në kohët tona.

Shumë u detyruan t’i djegin, se ishin elementë provokativë, për sistemin totalitar komunist, e duke gjykuar për kohën, bënë veprimin mbrojtës për familjet e tyre.

Por, shumë i ruajtën në “sepetet” e tyre, nga kolera komuniste.

Dhe kjo është historia e kësaj foto që po publikojmë sot e ruajtur nga familja e mrekullushme Kërluku.

Në foto në mes është zoti Adem Kërluku, major në Gardën Mbretërore Shqiptare, në Tiranë.

Mbas pushtimit komunist, Ademit ju sekustrua pasuria dhe shtëpia, e familja nacionaliste Kërluku u internua në Kavajë.

Në propagandën komuniste thuej: “Komunizmi ka luftuar gjithmonë për demokracinë, lirinë dhe mirëqenien e njeriut”.

Tani, ka ndonjë që mund ta dokumentojë këtë pohim, në cilindo vend të botës që prej Revolucionit të tetorit e deri më sot?

Ka ndonjë popull që mund të dëshmojë begatinë e arritur dhe liritë vetjake të fituara në një sistem komunist?

Asnjë!

Kjo është e vërteta e pa tjetërsuar !!!

Le Figaro (1922)- Mësimi i gjuhës esperanto në Shqipëri i detyrueshëm në të gjitha shkollat e mesme dhe profesionale!

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Maj 2020

 

“Le Figaro” ka botuar, të dielën e 30 korrikut 1922, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me mësimin asokohe të gjuhës artificiale esperanto në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Suksesi i gjuhës esperanto

 

Kush do të guxonte të pretendojë se gjuha esperanto nuk është gati të pushtojë botën ?

 

Qeveria shqiptare sapo ka njoftuar Lidhjen e Kombeve se ka bërë të detyrueshëm mësimin e esperantos në të gjitha shkollat e mesme (!) dhe ato profesionale në Shqipëri.

 

Kjo do t’i japë një ndihmë të madhe përhapjes së kësaj gjuhe.

XII – VIRUSI PYET: PO KET A E DI: KU ASHT TIRANIA?! – Nga Fritz RADOVANI

Karrshi Teatrit e keni…

Tirania asht shkencë në vete shumë e avancueme. Po bahet ma shumë se një shekull që ka gjetë livadhet e pershtatëshme me kullotë në Ballkan.

Vendlindja e saj asht Tirana, prej kah ka marrë edhe emnin “tirani”. Ata që e pollen sëpari ishin disa anadollakë të pashartuem, ndersa ma vonë, pasuesit e tyne u modifikuene me sllavë e grekë, e me i pa sot duken bash si t’ ishin të çilun nder çerdhet ma të njoftuna e të shetituna Europjane.

Per me u justifikue se nuk kanë mujtë me krye shkollat e nalta, fajsojnë një “virus”, që i ka detyrue me u ba terrorista e me u angazhue që, me të gjitha mënyrat me u mjekue në ministritë e mbrendshme moderne, që na sollen shtetet dashamirse, deri edhe tek KGB e Stalinit Math… Veni re, ju lutem, a nuk po persëritet autoritarizmi i vitit 1945 sot, nepermjet virusit të qeveritarëve të çatrafiluem, që dijnë vetem me kercnue dhe burgosë të shkretin Popull Shqiptar, tue i tregue vetem mundsinë e kullotjes nder livadhet e zharituna deri dje nga diktatura gjakatare e vrastare e Everit?

Sistemi terrorist everian ishte i ngritun vetem mbi pellgje gjaku dhe i mbrojtun nga vrastarët e msheftë të sigurimit të shtetit, pikrisht nga ata që tek “Rilindja” kanë trashigimtarët e tyne, të ushqyem nga virusi me të gjitha tiparet e vrastarëve torturues, hajdut dhe imoral, ma keq se edhe paraardhësit e tyne kriminela e tiranë të lindun dhe mashtrues. Hapen e mbyllen gjyqe n’ Europë, pa u marrë vesht asnjë vendim, vetem kur na tregon televizioni se “do të takohen këtu.., ose atje.., dhe do të bisedohet çeshtja e “trafikantave ose e kufijve të Kosovës”, dy problem pa zgjidhje qyshë se janë fillue nga të gjitha qeveritë ballkanike, që s’ mund të lidhin as të zgjidhin ushkurt e tyne pa urdhnue pashallarët e kuq të Kremlinit…

Llomotisin në Berlin, Bruksel e Romë.., mandej, vonë kah darka, i hypin dejshem  aeroplanit e shkojnë në Turqi.., puthen e nduken si motit.., dhe nenshkruejnë marrveshjet si dikur, baballarët e tyne pashallarë…

Fati ma i madh asht, se dokumentat janë në “gjuhën e njësuar të 1972”…

Kam ndigjue, nuk dij sa asht e vertetë: “Në dokumenta venë gishtin!”…

            Melbourne, 28 Maji 2020.

La France (1942)- Premtimi i Sekretarit amerikan të Shtetit, z. Cordell Hull, për Shqipërinë dhe luftëtarët e saj guximtarë

Cordell Hull

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Maj 2020

 

“La France” ka botuar, të shtunën e 12 dhjetorit 1942, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me premtimin askokohe të Sekretarit amerikan të Shtetit për Shqipërinë dhe luftëtarët e saj guximtarë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Uashington, 11 dhjetor. — Z. Cordell Hull i ka premtuar popullit të Shqipërisë që Shtetet e Bashkuara do t’i vijnë në ndihmë dhe do ta dëbojnë pushtuesin nga toka e tij.

 

Pasi tha se Amerika e njihte qëndrimin heroik të popullit shqiptar dhe të luftëtarëve të saj, ai deklaroi :

 

Qeveria dhe populli i Shteteve të Bashkuara po mendojnë ditën kur një ndihmë efektive do të mund t’u jepet këtyre njerëzve guximtarë që po dëbojnë pushtuesin nga shtëpitë e tyre. — (sipas Reuter-it.)

Kur “Othello” i Shekspirit do të shfaqej për herë të parë në Teatrin Kombëtar sipas versionit sovjetik (Paris-presse, 1952)

Edwin Booth në rolin e Jagos (1870)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Maj 2020

 

“Paris-presse” ka botuar, të shtunën e 20 dhjetorit 1952, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me shfaqjen “Othello” të Shekspirit në Shqipëri sipas versionit sovjetik, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Radio-Tirana (Shqipëri) : demokratizimi i Othellos

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Othello i Shekspirit sapo është demokratizuar nga rusët. Ai nuk është më një personazh i gllabëruar nga xhelozia, por një njeri i mirë, bujar dhe përparimtar.

 

Versioni sovjetik i shfaqjes, i cili së shpejti do të prezantohet (1) para publikut në Shqipëri, do të tregojë Jagon e vërtetë, një fashist të kohëve moderne, një nga ata burra që nuk ndalet para çdo lloj pengese për të shtypur dhe për të sunduar njerëzit.

 

(1) “Othello” i Shekspirit, me regji të A.J. Ricko është luajtur për herë të parë në Teatrin Kombëtar Shqiptar më 1953.

1945/Kur Shqipëria dekoronte Rankoviçin Nga Kastriot Dervishi

Në listën e të dekoruarve nga “heroi i popujve jugosllave”, E.Hoxha në vitin 1945, figuron edhe një prej figurave më famëkeqe antishqiptare si Aleksandër Rankoviçi. Në këtë listë gjenden edhe disa emrave të misioneve të tjera ushtarake që kishin qenë në Shqipërisë si britanike apo amerikane, por megjithëse roli i tyre kishte qenë i madh, ata ishin vendosur në bisht të listës me dekorata të rangut të ulët. Elementi jugosllav është i nderuar si aleat i rrallë. Po ashtu në listë gjenden edhe shqiptarët e Kosovës: Kolonel Fadil Hoxha, Bije Vokshi, dëshmorët: Hajdar Dushi, Emin Duraku, Xhevdet Doda, Vaso Strugari, Mihal Popoviç, si dhe: Elami Nimani (themelues i PKSH-së), Xhavit Nimani, Safete Nimani, Ymer Pula dhe Mehmet Hoxha.

Më 5.9.1945, kryeministri Enver Hoxha i propozoi Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar dekorimin “e shumë personaliteteve të vendeve të huaja” (të tillë quante edhe disa shqiptarë nga Kosova) që kishin kontribuar nga brenda dhe nga jashtë.

Mbi këtë propozim, me vendimin nr.117, datë 5.9.1945, Kryesia e KANÇ-it vendosi dekorimin e 55 personave. Jugosllavët janë këta:

-Gjeneral Ivan Milutinoviç, me urdhrin “Hero Kombëtar”

-Lolo Ribar me urdhrin “Hero Kombëtar”

-Ramiz Sadiku me urdhrin “Hero Kombëtar”

-Eduard Kardejl me urdhrin e “Flamurit”

-Bllazho Jovanoviç me urdhrin e “Flamurit” dhe medaljen e “Kujtimit”

-Radovan Zogoviç me urdhrin e “Flamurit”

-Dëshmori Miladin Popoviç me urdhrin e “Flamurit” dhe medaljen e “Kujtimit”

-Dushan Mugosha me urdhrin e “Flamurit” dhe medaljen e “Kujtimit”

-Gjeneral lt Arso Jovanoviç me urdhrin “Ylli partizan” të klasit I

-Gjeneral lt Aleksandër Rankoviç me urdhrin “Ylli partizan” të klasit I

-Gjeneral lt Milovan Gjilas me urdhrin “Ylli partizan” të klasit I

-Gjeneral lt Peko Dapçeviç me urdhrin “Ylli partizan” të klasit I

-Kolonel Velimir Stojniç, me urdhrin “Ylli partizan” klasit I

-Major Ivan Kostandin, me urdhrin “Ylli partizan” klasit I

-Gjeneral-major Svetovar Vukmanoviç, me urdhrin “Ylli partizan” klasit II dhe medaljen e “Kujtimit”

-Kolonel Vojo Todoroviç, me urdhrin “Ylli partizan” klasit II, urdhrin e “Trimërisë” dhe medaljen e “Kujtimit”

-Nënkolonel Mijat Vuletiç, me urdhrin “Ylli partizan” klasit II

-Major Savo Stanoju, me urdhrin “Ylli partizan” klasit II, urdhrin e “Trimërisë”

Fratari, dinastia që u martirizua nga tri regjime Flet Dine Fratari, pinjoll i familjes së njohur Fratari

Ganimet (Gjilani) Fratari me të shoqin, majorin Rauf Fratari

 

Atentati ndaj të arratisurit në SHBA me porosi të Sigurimit.

Dine Fratari, 70-vjeçari nga Mallakastra, pinjoll i fisit të njohur nga fshati me të njëjtin emër, e shfaq qysh në fillim krenarinë për të parët e vet, duke përmendur telegfarisht kontributet e tyre për pavarësi dhe prosperitet kombëtar.  Në fakt, biografia e dinastisë Fratari, së paku dy shekujt e fundit, ka qenë e tillë, që u bën nder jo vetëm pasardhësve të vet. Veçanërisht prania dhe roli në momentet kyçe të historisë kombëtare shënjon kreshpat më të larta në trajektoren e jetëshkrimit të tyre.

Ndoshta për këtë arsye, Dine Fratari, trashëgimtar i dinastisë së shquar, e rendit në vend të parë emrin e gjyshit, Hajredinit, mikut të ngushtë të Ismail Qemalit dhe njërit prej firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë. Po kaq dinjitoz për të mbetet historia e të atit, Raufit, ish-majorit të Gardës Mbretërore, diplomuar në Modena të Italisë, rreshtuar ndër të parët në Lëvizjen Antifashiste dhe pjesëmarrës në Konferencën e Pezës e të Mukjes në krah të Abaz Kupit. Krenaria për paraardhësit dhe burrat e tjerë të fisit me të njëjtin emër te 70-vjeçari Fratari bashkëjeton me brengën për fundin e tyre, si viktima të hakmarrjes së Haxhi Qamilit, fashizmit dhe Sigurimit të Enver Hoxhës, vorbulla e së cilës e ka përfshirë edhe atë. Gjatë rrëfimit për “Panorama”, Fratari, njëherazi me historinë e paraardhësve, kujton odisenë e vuajtjeve pas arratisë së të atit dhe zyrtarizmit të këtij të fundit si armik i popullit…

Firmëtari i Pavarësisë

Busti i deshmorit te atdheut, Hajdredin Fratari ne oborrin e shkolles me te njejtin emer, ne fratar te mallakastres

Hajredin Rakip Fratari me Sabire Fratarin, emrin e së cilës e trashëgoi vajza e Rauf Fratarit

Gjyshi i Dine Fratarit, Harjedini, të cilit i trashëgon emrin, është njëri nga protagonistët e aktit historik të shpalljes së Pavarësisë. Ai bëri emër e histori pas kthimit nga studimet në Stamboll, ku u diplomua në një nga shkollat e njohura për përgatitjen e kuadrove të administratës vendore. Në fillimet e veta ushtroi detyrën e nënprefektit të Pogradecit, me statusin  e nëpunësit të lartë të Perandorisë Osmane. Përtej profilit zyrtar të administratës së kohës, krijoi lidhje të afërta me atdhetarë të njohur, të angazhuar në lëvizjen për të zgjuar vetëdijen kombëtare për shkëputjen nga Turqia. Më shumë se kaq, Fratari njihet si një nga krerët e lëvizjes antiosmane që operoi në të gjitha viset e Shqipërisë. Nga jetëshkrimi i gjyshit, Dine Fratari veçon pjesëmarrjen me propozim të Ismail Qemalit e Dervish Himës në Kuvendin e Junikut, më 20 maj 1912, bashkë me Abdyl Gjirokastritin(Bakiun) e Ismail Klosin, si përfaqësues të Shqipërisë së Jugut. Me frymën e atij kuvendi, shton pinjolli i familjes Fratari, më 23 korrik 1912, bashkë me krerët e tjerë të lëvizjes së Jugut zhvilluan Kuvendin e Sinjës. Angazhimet e mëtejme në frontin e lëvizjes antiosmane e bënë një figurë të njohur e për mbarë opinionin. Pikërisht për këto merita Hajredin Fratari u zgjodh delegat i nënprefekturës së Mallakastrës në tubimin historik të ngritjes së  flamurit në Vlorë, ku u rreshtua me firmëtarët e tjerë të aktit të shpalljes së pavarësisë. Qeveria e pagëzuar në tubimin e Vlorës e caktoi nënprefekt të Skraparit. Gjatë kësaj kohe, Fratari u vu në krye të lëvizjes për të shtypur përpjekjet e xhonturqve dhe vasalëve të tyre për të rikthyer sundimin osman. Nga Skrapari u kthye në Mallakastër në fillimin e vitit 1914, kur Prefektura e Beratit u pushtua nga rebelët e Haxhi Qamilit, shpjegon nipi i Fratarit. Me rikthimin në vendlindje, Hajredin Fratari mbyllte kapitullin e shërbimit në administratën zyrtare, por jo atë në interes të çështjes kombëtare. I udhëhequr nga doktrina personale “shqiptarët kanë gjuhën e nënës për të folur shqip, kanë zemrën e babës për të qëndruar si burrat dhe jetën e tyre që u duhet për atdheun”, nuk u tërhoq për asnjë çast nga kauza e mikut të tij Ismail Qemalit, madje as përballë kërcënimeve nga më çnjerëzoret. Pikërisht në kulmin e këtij aksioni atdhetar, forcat e Haxhi Qamilit, që e ndiqnin këmba-këmbës, e arrestuan dhe e ekzekutuan pa gjyq bashkë me bashkëluftëtarët e tij Abdul Gjebrea (Gjirokastriti) e Ismail Kolosi. Homazhet e para në nderim të tyre, kujton nipi i Fratarit, u zhvilluan në vitin 1928, në ceremoninë përkujtimore të 10-vjetorit të pavarësisë, ku Monarkia i nderoi me  titullin “Dëshmor i Kombit”. Pinjolli i familjes Fratari vlerëson si pjesë të çmuar të integritetit moral të gjyshit të tij, kontributet e spikatura të bashkëshortes, Sabiresë mbesës së poetit të shquar Naim Frashëri, që ishte diplomuar në shkollën “Robert College”, në Stamboll të Turqisë. Një biografi po kaq dinjitoze, sipas tij,  pati edhe i biri, Rauf Fratari, që operoi në vitet e Monarkisë dhe ato të Luftës së Dytë Botërore…

Delegati i Pezës dhe Mukjes

Rauf Fratari me të shoqen, Ganimetin (1943)

Rauf Fratari ishte diplomuar në Akademinë Ushtarake të Modenas në Itali. Gjatë Luftës shërbeu si agjutant i Abaz Kupit. Mori pjesë në Konferencën e Pezës dhe atë të Mukjes. Në nëntor të vitit 1944 u largua nga Shqipëria. Vdiq në rrethana misterioze në Nju Xhersi të SHBA-ve në vitin 1973. I biri i tij, Dinja, thotë se ishte shok fëmijërie i Mehmet Shehut. Bashkë kishin bërë shkollën fillore e unike (shtatëvjeçare). Po bashkë ndoqën studimet në Itali. Raufi në Modena e më vonë në Romë. Mehmeti në Napoli, në Akademinë e Nënoficerëve. Pas shkollimit në Itali, Mehmeti mori pjesë në luftën e Spanjës. Raufi u kthye ushtarak karriere në Shqipëri, në gardën e Zogut. E priti me revoltë pushtimin e vendit, duke djegur publikisht flamurin e fashizmit. E arrestuan, shton Dinja, por falë miqësisë me Fejzi Alizotin, fitoi lirinë. Refuzoi urdhrin për t’u rreshtuar në formacionet e luftës italo-greke dhe e arrestuan sërish. Ishte përsëri Alizoti, miku i familjes, që e shpëtoi nga dënimi. Me të dalë nga burgu, kujton i biri, u kthye ne Mallakastër dhe u vu në krye të qëndresës kundër okupatorëve, duke krijuar çetën e parë antifashiste të zonës, të cilën e pagëzoi me emrin e të atit, Hajredin Fratari, e më vonë Çeta Plakë e Mallakastrës. Fratari pohon se në fillimet e veta ajo u drejtua nga Raufi dhe Mehmet Shehu, të cilët ndanin detyrën e komandantit dhe komisarit, por vetëm për pak kohë, pasi Shehu nuk pranoi frymën nacionaliste për një Shqipëri me Kosovën e Çamërinë. Ky moment, sipas Fratarit, shënoi divorcin përfundimtar midis dy ish-miqve të hershëm, të rritur e të shkolluar bashkë. Që këtej, shton ai, Rauf Fratari mbeti një nga armiqtë e betuar të tij dhe të regjimit. Shehu nuk rreshti asnjëherë në sulmet kundër ish-komandantit të çetës së Mallakastrës dhe delegatit të Konferencës së Pezës e të Mukjes.

Këshilltari i Abaz Kupit

Rauf Fratari është njohur ndryshe si një nga miqtë e afërt të Abaz Kupit. Madje jo vetëm kaq, por ai ishte i zgjedhuri i tij në pozicionin e këshilltarit. Shkak i këtij raporti kishte qenë karriera ushtarake dhe integriteti  moral i Fratarit, si oficer madhor, pinjoll i një familjeje atdhetare të njohur. Nga periudha e miqësisë me Abaz Kupin, që nisi në orët e para të lëvizjes antifashiste, i biri veçon pjesëmarrjen e tyre në Konferencën e Pezës dhe në atë të Mukjes. Lidhja e Kupit me Fratarin, shton ai, vazhdoi edhe pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes. Miqësia e tyre nuk u ndërpre deri në fund të Luftës. Fundi i Luftës, për ironi të fatit, shënoi fundin e miqësisë së tyre. Prapaskenat që prishën marrëveshjen e Mukjes dhe revanshi i Enver Hoxhës për pushtet personal, sqaron Dinja, duke iu kthyer rrethanave të mëvonshme, paravendosën jo vetëm fatin e lidhjes Kupi-Fratari, por edhe arratinë e tyre jashtë Shqipërisë, që e deshën si rrallëkush. Ndryshe, hakmarrja e komunistëve do të ishte fatale, shton i biri i këshilltarit të Kupit. Shtegtimi i detyruar pati stacion të parë kampin Rexhio-Emilia, të hapur nga forcat anglo-amerikane në Itali. Pas shtatë vjetësh aty, Fratari mori statusin e azilantit politik dhe u largua në SHBA për t’u vendosur në Nju Xhers, ku jetoi i vetëm deri në fund të jetës.

Me këtë zgjidhje, thotë i biri, Raufi i shpëtoi kryqëzatës së regjimit, por jo përfundimisht. “Skifterët” e Tiranës e gjetën edhe aty. Nga investigimet e të birit dhe miqve të tij, më së fundi është mësuar se Raufi është bërë viktimë e një atentati të porositur nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1973…

Ganimet Gjilani dhe Rauf Fratari në ditën e martesës

Majori Rauf Fratari me familjen, gruan Ganimeten, vajzën Sabiren dhe djalin Hajredinin

Familja Fratari, Ganimete Fratari, vajza Sabire Fratari (Halili) dhe djali Hajredin Fratari (I Riu)

Ganimet (Gjilani) Fratari

I biri i të arratisurit

Me arratinë në SHBA, Rauf Fratari, në një farë mënyre, mundi të shpëtojë kokën, po la peng në kthetrat e regjimit familjen: gruan Ganimete, djalin e pagëzuar me emrin e të atit dhe vajzën, Sabrie, që trashëgonte emrin e së ëmës. Megjithatë, kujton Dinja që është ndarë me të atin në moshën dyvjeçare, sistemimi pas largimit të babait, pranë familjes së gjyshit nga nëna, një familje e njohur kjo për kontributet e spikatura në Luftën Nacionalçlirimtare, u bë një rrethanë lehtësuese që na shpëtoi nga internimi. Për Fratarin, falë mbështetjes së gjyshit Avni dhe dajës Feti Gjilani, qëndruan në Tiranë e u shpëtuan goditjeve të regjimit, së paku rrebeshit të parë pas lajmit për arratinë e bujshme dhe zyrtarizmin e të atit në listën e armiqve të popullit. Nga bashkëjetesa me familjen e dajave, djali i të arratisurit në SHBA, mundi të përfitojë bursë për t’u diplomuar  me rezultate në shkëlqyera në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë. Sidoqoftë, kujton Fratari, makthet e goditjes dhe kufizimeve të regjimit na ndiqnin hap pas hapi. Trysninë më të madhe, sipas tij, e përjetonte e ëma, e cila kishte mbaruar institutin femëror “Nëna Mbretëreshë” dhe njihte disa gjuhë të huaja, por nuk e sistemuan kurrë me punë. Në këto kushte, djali i të arratisurit pas luftës, nisi karrierën e inxhinierit, duke ndërruar kantieret e ndërtimit, fillimisht në Pukë e më vonë në Tepelenë, ku projektoi e ndërtoi objektet më të rëndësishme publike të tyre. Në Tepelenë, shpjegon ai, u njoha me lajmin për vdekjen e babait, pa marrë vesh rrethanat në të cilat ndërroi jetë. Me të, sipas Fratarit, deri në vitin ‘70, familja shkëmbente letra, por më vonë shteti e ndaloi në mënyrë kategorike korrespodencën me të arratisurit. Për regjimin, lajmi për vdekjen e Raufit nuk përbënte lajm dhe si i tillë nuk mund të fashiste hijen e fantazmës së tij. Trajektorja e saj shoqëronte hap pas hapi të birin, duke e mbajtur në vëzhgim të pandërprerë, si kontingjent të armikut të klasës. I pafuqishëm të përballej me të, Dine Fratari nuk iu dorëzua fatit, por investoi dita-ditës për të shkëlqyer si konstruktor i talentuar. Goditja erdhi papritur, thotë i biri i Rauf Fratarit, duke kujtuar çastet kur i hodhën prangat “në emër të popullit”. Gjatë hetimeve që zgjatën një vit, e akuzuan për sabotim ekonomik dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Me këtë akuzë, në korrik të vitit 1980, Gjykata e Rrethit Tepelenë e dënoi me 20 vite burg. Plotë 20 vite firmosi edhe Gjykata e Lartë, shton Fratari, pavarësisht qëndrimit tim kundër provave të rreme dhe dëshmive të manipuluara. Që këtej nisi kalvari i tmerrshëm në burgjet e Burrelit, Qafë-Barit, Zejmenit, Ballshit, e së fundi në atë të Tiranës. Një bast i fituar i Hekuran Isait me Ramiz Alinë, thotë Dinja, u bë shkak të mbyllej para kohe kjo histori e trishtë. Ishte koha kur Alia i kërkonte Isait të ndërtonte për tri vite kompleksin sportiv “Dinamo”. Ky i fundit zotohej se do ta realizonte për dy vite. Ish-presidenti mosbesues vuri bast, por e humbi. Fratari sqaron se e ka thirrur në atë kohë ministri i Brendshëm dhe e ka pyetur për afatet. Inxhinieri, i ardhur nga qelitë e burgjeve politike, i është përgjigjur se kompleksi mund të realizohej për tetë muaj. Atëherë “O burra!” ka reaguar Isai dhe i ka vënë në dispozicion 800 të burgosur, me punën e të cilëve është mbyllur objekti para afateve të premtuara. Në euforinë e bastit të fituar me eprorin e vet, kreu i Ministrisë së Brendshme i kërkoi Fratarit të plotësonte kërkesën për t’i falur dënimin e mbetur, por ai nuk pranoi. Megjithatë, Isait i kërkova një nder, shton Dinja, duke kujtuar ndërhyrjen tek ai për të hapur procedurat gjyqësore në kërkim të pafajësisë. Falë këtyre të fundit, në vitin 1987 fitova lirinë, përfundon biznesmeni i njohur, një nga protagonistët e lëvizjes demokratike dhe rrëzimit të simboleve të komunizmit në Shqipëri.

Fratari në gjyqin e Hoxhës: Më dënoni pa faj, nuk ua fal
I fundit i dinastisë Fratari, Hajredini, (i Riu), pati rastin të demonstrojë vlerat e paraardhësve të vet, në bankën e të akuzuarve, kur e kryqëzuan për sabotim dhe agjitacion e propagandë. I vetmi peng që ka nga ajo përballje monstruoze 70-vjeçari Fratari, është mënyra si u shpërfytyrua dyzina e të njohurve që recitonte para trupit gjykues pamfletet e diktuara nga njerëzit e Sigurimit. Megjithatë, nuk pranon të përmendë emrat e tyre, duke e kaluar shkarazi me togfjalëshin magjik “të shkuara, të harruara”. Po historia e tij i kapërcen kufijtë e ballafaqimit me dëshmitarët e rremë. Përtej rebelimit ndaj tyre, Dine Fratari, siç konfirmohet nga dokumentet përkatëse, ka kundërshtuar fund e krye akuzat e montuara. Ka ndodhur kështu në procesin e Gjykatës së Tepelenës të datës 7.6.1980, por edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor të Gjykatës së Lartë, të datës 18.8.1980, ku gjyqtarët Eleni Selenica, Lumturi Resnja e Sofokli Krongo nuk i ndryshuan asnjë presje dënimit me 20 vite heqje lirie. Në dokumentin e mëposhtëm po zbardhim të plotë reagimin e Dine Fratarit në proces dhe argumentet e tij për pafajësinë përballë trupit gjykues që kishte paravendosur mbylljen në qeli të djalit të të arratisurit në SHBA…

Dokumenti
“Vendimi është i padrejtë si në ligj, edhe në prova. Unë këto dy vepra penale për të cilat jam akuzuar dhe dënuar nuk i kam kryer. Nuk kam bërë agjitacion e propagandë dhe as sabotim ndaj shtetit. Thëniet e dëshmitarëve nuk i pranoj. Me dëshmitarin Anastas C. nuk kam folur kundër shtetit. Me Thanas J. kam pasur shoqëri gjatë viteve 1968-1975, por me të nuk kam bërë biseda armiqësore. Ky dëshmitar gënjen. Ai nuk ka personalitet të mirë. Po të qe kështu, pse nuk denoncoi më përpara. Me dëshmitarin Skënder H. kam biseduar në vitin 1966 për varrezat e qytetit, por jo me qëllim armiqësor. Me dëshmitarin Gjylani Koçi, ato ia kam thënë për shaka. Nuk kam folur me dëshmitarin Ibrahim B., ashtu siç janë shkruar. Nuk kam bërë bisedë armiqësore me asnjë person. Në një bllok kam hedhur disa citate, por pa qëllim të keq e armiqësor. Nuk jam njohur me materialet e Hetuesisë. Kam firmosur pa i lexuar procesverbalet. As krimin e sabotimit nuk e pranoj. Godina e zdrukthëtarëve u rrëzua nga era e fortë dhe jo për fajin tim. Me ekspertët dhe konkluzionet e tyre nuk jam dakord. Dëshmitarët nuk kanë thënë të vërtetën, mbasi ata kanë përgjegjësinë e tyre. Për veprat mbrojtëse në puset 5,6,7 ‘Danaj’ ndofta kam përgjegjësi se nuk kam ushtruar kontrollin e nevojshëm. Ky objekt është sabotuar prej teknikut Thimjo Jonuzi. Nuk janë parë mirë dokumentet dhe për fabrikën e fosforit. Në këto vepra mund të ketë gabime teknike, por ato nuk janë bërë me qëllim armiqësor. Nga puna e madhe që kam pasur, nuk kam ushtruar kontrollin e nevojshëm në të gjitha punimet. Ekspertimi nuk është i drejtë dhe objektiv. Kërkoj prishjen e vendimit dhe rigjykimin e çështjes. Po me dënoni pa faj, nuk ua fal”.

AFRIM IMAJ

75-VJETORI I GJYQIT SPECIAL 1 mars- 1 prill 1945 – Nga Lek Pervizi

Një ngjarje renqethëse  me të cilën regjimi komunist institualizoi e ligjëroi  krimin në Shqipëri, me një proçes gjyqsor të emërtuar  Gjyqi Special,  me  të cilin e kishte shëndrruar Teatrin që u quajt më vonë kombëtar, në një një gjykatë, për të dënuar ata që i quenin armiq të popullit e të partisë, me dënigrime e akuza të tjera të turpshme. Ky Gjyq Special  vazhdoi një muaj të terë,  duke e mbajtur në ankth kryeqytetin dhe Shqipërinë. Kush ishin këta gjykatës që merrnin përsipër të gjykonin ajkën inteleketuale e patriotike shqiptare ? Po pse, si kujtoni, se  do të varroset kjo histori, e të mbulohet me turp, e të mos përmendet sepse fyhet e ulet  dinjiteti e komunistëve, që akoma livadhisin në këtë demokraci të tanishme?

Mos vallë një trup gjykues me pesë klasë fillore ose hiç, që s’dinin nga  binte drejësia, ishte në gjendje të gjykonte 60 shqiptarë të dilomuiar në universitet euroiane, ku mes tyre kishte dhe juristë të lartë ?  Për hir të së vërtetës, japim përbërjen e asaj gjykate specilale,dhe felenderojme Wikipedia, që i  e ka fiksuar atë gjyq specil  dhe na e jep trupn gjykues si më poshtë.

 

Trupi gjykues përbehej nga 9 veta, kryetar i saj u emërua Koçi Xoxe, dhe anëtarë: Hysni Kapo, Beqir Balluku, Hajdar Aranitasi, Gaqo Bobo, Medar Shtylla,  Faik Shehu,  Halim Budo,  Gaqo Floqi. Prokuror i Gjyqit ishte Bedri Spahiu. Më 10 mars 1945, u emëruan si ndihmësgjyqtarë të Gjyqit Special,  Bilbil Klosi,Gjon Banushi dhe Haki Toska.[5]

Ndërsa kujtohën ngjarje të tjera si e Spaçit e Qafë Barit, apo Tepelenes, mos vallë Gjyqi Special  ishte më i pakët si krim? Gjyqi Special shënon institunializilin, zyrtarizim e ligjërimi e krimi, që u hapën gjyqet speciale ne çdo qytet, që çuan ne pushkatim mbi 6000 shqiptarë,  viktima te pafajshme, dhe me mija të tjerë të vdekur në burgje e  kampe internimi  ku s’u kursyen as fëmijët. Ḉudi e madhe ështëë, se këto gjyqe specilae u zhvilluan ne salla kinemaje, si Rozafati i famshëm i Shkodrës, ku ato gjyqe vazhduan dy vjet, duke korrur  ajkën e qytetarëve të atij qyteti ku për çdo javë, fynd gjyqi,  pushkatoheshin dhjetra të tjerë burgosur.

 

Sipas Bedri Spahiut, Enver Hoxha ishte udhëheqësi, gjykatësi e prokurori. Zhvillimi i Gjyqit Specil në atë teatër  ishte vetëm një shfaqje e autoritetit dhe forcës së regjimit  komuniste. Enver Hoxha e përsëriste vazhdimisht :  Grushit i diktaturës së proletaritit do bjeri  pamëshirë  si  grusht çeliku, mbi armiqt e popullit e  të partisë.

 Vendimet ishin marrë më përpara, dhe gjyqi ishte vetëm një shfaqje  teatrale, dhe prandaj  u zgjodh dhe ai teatër që të luhej në skenën e tij, me një publik që mbushte krejt sallën, partizanë e komunistë, të gatshem të duartrokisnin e brohorisnin për çdo vendim, e te rrihnin  kembët mbi dyshëme thua po binte  termet.

 

 

Ndërojmë kujtimin e këtyre viktimave të komunizmi, dhe me këtë rast i përmendim emrat e tyre, i rikujtojmë që të mos harrohen

 

 Të pushkatuar

Të burgosur