E pakta kam 15 vjet që merrem me këtë temë. Dua të zbuloj dhe prapë sa nuk zbuloj, po aq dhe zbuloj. Dhe e gjitha kjo nuk është thjesht temë sportive. Është diçka më tepër se kaq. E shkruar, sidomos prej autorit të këtushëm, historia olimpike e Shqipërisë, tejet modeste, e harruar, e vonë, e shtrembëruar, e shkatërruar, e rilindur, prapë e rënë, mashtruese, sot e kësaj dite nuk i ka dhënë kombit të saj ende asnjë medalje olimpike.
Po edhe fakti i ri “anagrafik”, nëse mund ta përcaktojmë kësisoji, teksa po prekim një 80-vjetor të rrallë si ky, në fund të fundit është një risi apo rishkrim i historisë. Qëllimi i së cilës është jo thjesht të tregojë, por prej tregimit të saj ta shohësh edhe një herë në pasqyrë për të vlerësuar të vërteta, për të flakur tej rrènat dhe për të vepruar përmes nderimit dhe vënies në vend të protagonistëve e themeluesve çka në Shqipëri ende nuk është bërë.
Në këtë kontekst hyn dhe ky Dossier që i kushtohet 80- vjetorit të dukjes apo paraqitjes së parë, për ne disi të bujshme, të Shqipërisë në një Olimpiadë. Themi kështu se Shqipëria nuk mori pjesë, nuk dërgoi atje sportistë, nuk fitoi asnjë medalje. E megjithatë, plot 80 vjet më parë ajo ishte aty, çka historiani apo gazetari profesionist, jo ai amator që shkruan thjesht se ka qejf të shkruajë apo ngaqë ka do interesa meskine vetjake, e ka pra për detyrë ta trajtojë.
Sidomos kur sheh se me gjithë përpjekjet tona askush nuk i përmend, askush nuk i citon, askush nuk përkujton dhe nderon qoftë dhe personazhet e asaj “pjesëmarrjeje” të 80 vjetëve më parë, të atij viti 1936 për fat nën shkëlqimin berlinez të Gjermanisë Naziste. E pra?…
“ZBULIMI” I FLAKËS OLIMPIKE ‘36 PRANË KUFIRIT SHQIPTAR DHE KRITIKA E FORTË E “ARBËNISË”!
Mû këto ditë pra, në prag të Olimpiadës së Rio Janieros, në përpjekjet e mia hulumtuese zbulova një dokument të rrallë. Është një dokument që vjen prej kancelerive të Olimpiadës së Berlinit 1936. Është një dokument i rrallë, disi dhe gjeografik. Nuk është gjë tjetër veçse një hartë. Një hartë për mua fantastike për kah vlerat e historisë sportive dhe jo sportive.
Po e botojmë këtu në gazetën “Panorama” për herë të parë në Shqipëri. E shihni që është një hartë që përfshin gjithë Gadishullin e Ballkanit, përballë me atë Apenin të Bregut Italian, pak më lart bashkangjitur me Europën Qendrore dhe që mbërrin deri në Berlin. Vija udhëtuese që sundon hartën në drejtimin nga jugu në veri, nuk është asgjë tjetër, veçse rruga e Flakës Olimpike që niset nga Olimpia e që mbërrin deri në Berlin. Shihet qartë që Flaka Olimpike e Olimpiadës së Berlinit 1936 nuk kaloi nëpër Shqipëri.
Dhe nuk ka kaluar asnjëherë deri më sot nëpër Shqipëri, ndonëse e shihni në hartë se Olimpia e lashtë prej ku niset Flaka Olimpike është shumë afër Shqipërisë. Si ka mundësi vërtet që sot e kësaj dite asnjëherë rrugëtimi i saj nuk është përshkuar në Shqipëri? Përgjigjja është e thjeshtë: sepse Shqipëria kurrë nuk e ka dashtë që Flaka të kalojë në Shqipëri!
Ajo kurrnjiherë nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, çka sigurisht do ta ngarkonte me punë e përgjegjësina që, me sa duket, Shqipëria nuk i dëshiron. Ngaqë kalimi apo përshkimi i Flakës Olimpike në tokën e Atdheut tënd i ka do punë, detyron do organizime, që kërkojnë jo pak kulturë e disiplinë që Shqipëria olimpike asesi nuk është e zoja ose nuk ia ka ânda t’i marrë përsipër.
Edhe sepse gjithë këto vite njerëzit e Komitetit Olimpik Kombëtar, apo të ministrive përkatëse, nuk duan telashe asisoji. Sepse jo pak prej tyre kanë vetëm një ndërgjegje, ndërgjegjen e përfitimeve vetjake!… I kthehem vitit 1936 përmes kësaj harte. Rrugëtimi i Flakës Olimpike ka nisur nga Olimpia e Greqisë – vendlindja olimpike, ka mbërritur deri në Kosan e Veria, që ndoshta nuk janë më shumë se nja 150 kilometra larg kufirit të Shqipërisë, ka nxituar për në Selanik dhe drejt e në Sofje të Bullgarisë.
Prej këtu ka hyrë në Jugosllavi, për fat pa e shkelur kurrsesi tokën e Kosovës, ka hyrë në Nish e me radhë në Jagodina, Kragujevac e drejt e në Beograd – Budapest – Vjenë – Pragë – Drezden – Berlin! Shqipëria mënjanë si gjithnjë! Ajo nuk kishte marrë pjesë asnjëherë në Lojërat Olimpike.
Nuk do të mirrte pjesë as këtë herë, por me një ndryshim të madh: kësaj here ajo do të ishte aty, si të thuash, në një mënyrë apo një tjetër. Nuk ka dyshim se viti 1936 është ndër vitet më liberale që kalon Shqipëria e Ahmet Zogut. Asnjëherë si në këtë vit të qeverisë Mehdi Frashëri, sidomos shtypi, nuk është ndjerë më i lirë. Gazeta “Arbënia” e Nebil dhe Ikbal Çikës (por jo vetëm ajo) është pa dyshim flamurtare e kësaj lirie dhe kritikuese e rreptë e dukurive penguese që mbart koha.
Kështu, në numrin e 2 gushtit 1936, në faqen 4 të saj, “Arbënia” ka shkrimin e aperturës (kreut) që zë thuajse krejt faqen, me titullin “Olimpiada e Berlinit dhe Federata “Vllaznia Shqiptare”, ku më i rreptë, madje i pamëshirshëm, është sidomos nëntitulli: “Federata na vuri një njollë të zezë”. Gazeta shkruan se “Federatës “Vllaznia Shqiptare” i mungon iniciativa dhe kompetenca”. (Gati si sot, më 2016!)
Dihet që Federata “Vllaznia Shqiptare” është organizata sportive e kohës, një lloj Komiteti Olimpik i sotëm. Kritika është ndoshta më e ashpra që i bëhej një organizimi të pushtetit, sepse e tillë ishte edhe “Vllaznia Shqiptare” në gjithë vitet e Mbretërisë, teksa kujton se kryetar i saj ishte ministri i Arsimit, Dr. Nush Bushati. E jashtëzakonshme dhe e fshehur në pluhurat e arkivës është ajo çka mësojmë nga shtypi: më 1935, Komitetit Olimpik i Gjermanisë kërkon që Flaka Olimpike të kalojë për 1 kilometër edhe në Shqipëri, duke ia pasuar atë Jugosllavisë.
Befasia e madhe qëndron te fakti se një delegacion olimpik gjerman kishte ardhur posaçërisht në Tiranë dhe përmes Legatës së Gjermanisë në Shqipëri, ishte pritur në Ministrinë e Arsimit, ku u takua me kryetarin, sekretarin dhe nënkryetarin e Federatës, duke paraqitur edhe ftesën zyrtare për pjesëmarrje të Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Berlinit, deri dhe me një përbërje prej “50 djemsh, gratis pa asnjë shpenzim”!
Ndërkaq, mësojmë se Federata e paska refuzuar ftesën dhe propozimin për të pranuar të paktën shoqërimin e Flakës Olimpike në Kapshticë dhe duke e përcjellë atë përmes Bilishtit, Korçës e Pogradecit për në Jugosllavi. Ndërkohë që në Athinë, Flakën e kishte shoqëruar vetë kryetari i bashkisë dhe në Jugosllavi e kishte pritur vetë regjenti Paul. Ajo që të bën përshtypje krejt të pazakontë, është ftesa gjermane, në një kohë që Shqipëria nuk ishte anëtare e Komitetit Olimpik.
Por mos ndoshta “ishte” dhe ne kemi dalë prej tij Mbasluftës së Dytë, për t’u ripranuar më 1959?… Ky dyshim duket si paradoksal, po tashmâ, kur dimë se ende në Shqipërinë tonë vazhdon errësira mbi historinë kombëtare, thjesht për shkakun se ajo mbahet peng nga historianë të regjimit të shkuar, të cilët vazhdojnë të mbajnë monopolin e Arkivit, të Institutit, të Studimeve, e tjerë e tjerë, e drejta për të dyshuar nuk mund të na mohohet asesi. Si ka mundësi gjithë kjo ftesë për pjesëmarrje në Olimpiadë pa qenë anëtar i CIO-s (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar)?…
Dihej ndërkaq, Shqipëria kishte vetëm 12 vjet (1924-36) me shtet të rregullt të sajin, e pra shumë pak për të zhvilluar një sport kombëtar të stilit europian. Megjithatë, këto kaq pak vjet ne mund t’i përcaktojmë si 12 vitet e themelimit, apo të vënies së bazave të para të fuqishme për gjithë ecurinë e mëmbasme të sportit kombëtar. Gjashtë vjet më parë, më 6 qershor 1930, ishte themeluar Federata Sportive Shqiptare me emrin “Djelmnia Shqiptare”, e shtrirë me seksionet e saj në gjithë Prefekturat e Shqipërisë nën Patroneshën e Naltë të Sportit, N.S. Mbretënore Princesha Myzejen, për të vazhduar qysh nga 1935 me institucionin e emrit fisnik të bashkimit të popullit, “Vllaznia Shqiptare”.
E, në mënyrën më moderne, ajo ishte e ndarë në tri kategori: lojna sportive, atletikë dhe shumësportet e ndryshëm. Duke pasur në fillim kryetar Izedin Beshirin, mandej Musa Jukën dhe Dr. Mirash Ivanajn, Federata, e cila më 1936 kishte kryetar të saj ministrin e Arsimit, Dr. Nush Bushatin, ia kishte arritur t’i jepte një hop sportit kombëtar brenda një periudhe shumë të shkurtër: Ajo kishte organizuar deri në këtë periudhë 6 Kampionate Kombëtare të Atletikës së Lehtë (1929, 30, 31, 32, 33, 34); 6 Kampionate Kombëtare të Futbollit (1930, 31, 32, 33, 34, 36); 4 Kampionate Kombëtare të Notit (1931, 32, 33, 34); 2 Rrethe Çiklistike të Shqipërisë (1925 dhe 1936), ku ai i 1925-s ishte i pari në Europë për amatorët. Shqipëria ishte pranuar ndërkaq, zyrtarisht anëtare e IAAF dhe në FIFA, që janë Federata Ndërkombëtare të Atletikës së Lehtë dhe të Futbollit. Ajo kishte marrë pjesë rregullisht në 4 Kampionate Ballkanike të Atletikës së Lehtë (1932, 33, 34, 35). Kaq mjafton për të kuptuar se tashmâ Shqipëria kishte një sport mirëfilli të organizuar.
Dhe themelet tona sportive janë pikërisht këtu, në këtë periudhë, e cila vazhdon të injorohet në mënyrën më të pafalshme nga organizmat tona të sotme sportive, qeverisëse e shtetërore! E pra, mendimi publik shqiptar i asokohe për të shkuar në Olimpiadën e Berlinit 1936, ishte unanim dhe më se i përligjur. A do të shkonte?…
ÇKA ISHTE BERLINI 1936
Kështu, nëse më 2 gusht botohet kritika e pamëshirshme, kur Olimpiada fillon më 1 gusht 1936, delegacioni shqiptar tashmë gjendet në Stadiumin Olimpik të Berlinit! Çka tregon se shtypi nuk është i mirinformuar në kohë për praninë e Shqipërisë si shtet, si Federatë Sportive, si “Komitet Olimpik”. Por është i saktë në kritikën e tij për mospjesë- marrje në garat me sportistë.
Kjo do të dalë më në pah, kur mbas mbarimit të Olimpiadës, shtypi, madje vetë kritikuesja më e fortë ndaj Federatës, gazeta “Arbënia”, sikur ndërron kah dhe i bën jehonë jo të paktë pranisë së Shqipërisë, ndonëse pa pjesëmarrje me sportistë në gara e ndeshje. E vërteta është se Olimpiada ishte një rast ideal për ta shpalosur madhështinë e kësaj Gjermanie, si forca e botës. Dhe falë disiplinës, seriozitetit e mundësive të tyre të pashtershme, gjermanët ia arrijnë të organizojnë Olimpiadën më të mirë që kishte njohur bota qysh nga e para, ajo e vitit 1896.
Nëse sot shikon filmimet nga Olimpiada e Berlinit, sidomos të filmit epokal të regjisores Leni Riefenstahl, ithtarja më e fortë e vetë Adolf Hitlerit, e kupton se Berlini përfaqëson Olimpiadën më moderne të kohës. Është 1936. Lufta dukej ende larg. Ndonëse Italia fashiste vetëm pak javë më parë kishte pushtuar Etiopinë. Në Francë kishte triumfuar Fronti Popullor me Leon Blumin. Në Spanjë gjenerali Franko i ishte sulur qeverisë spanjolle të Frontit Popullor të atjeshëm, duke nisur kështu Lufta Civile. Dhe një vit më parë Hitleri kishte denoncuar Traktatin e Versajës.
E në Gjermani spikat shkëlqimi më paqtor që mund të merrej me mend. Ky është dhe paradoksi historik. Gjermania kishte triumfuar unanimisht ndaj kandidaturës së Barcelonës për organizimin e Lojërave dhe Presidenti i CIO-s-, belgjiani Henri de Baillet-Latour, kishte firmosur për Gjermaninë. Janë 3956 sportistë pjesëmarrës, më shumë se asnjëherë tjetër! Janë 49 shtete, më shumë se asnjëherë tjetër! Janë 328 sportiste femra, më shumë se asnjëherë tjetër! Ajo do të ishte Olimpiada e parë në historinë e njerëzimit që do të transmetohej në televizion!
25 ekrane u vendosen në Berlin dhe rrethinat e tij, që njerëzit të shihnin Olimpiadën. Pa harruar rastin e paprecedentë të shtypjes çdo ditë të buletinit të Lojërave “Olympia Zeitung” në 300.000 kopje dhe në 14 gjuhë! Dhe ndoshta ky është rekordi i rekordeve të Olimpiadës së Berlinit, i pathyer sot e kësaj dite! Pa dyshim në gjithë këtë organizim gjigant të papamë, mbi gjithçka spikasin ekzaltimet klasike teutonike, por edhe të miteve klasike me shqiponjat që mbushin gjithë Berlinin.
Me kohë qe thënë se Adolf Hitleri nuk e dëshironte këtë Olimpiadë në Gjermani, duke e përcaktuar publikisht si “një festival i padenjë dhe i sunduar nga hebrenjtë”. Por në kohë ka ndërhyrë ministri i propagandës, Joseph Göbbels, i cili arrin ta bindë Fyhrerin se, përkundrazi, Olimpiada do të ishte “një rast i mrekullueshëm për të shpalosë para botës imazhin e Gjermanisë dhe të regjimit me këmishë ngjyrë kafe, duke e shndërruar Olimpiadën në një makinë gjigande të propagandës”.
Dhe Gjermania, e cila do të triumfonte edhe në kahun e garave sportive. SHBA shkon në Berlin, humb Olimpiadën (33 medalje ari Gjermania, 24 SHBA) dhe presidenti i Komitetit Olimpik të saj, miliarderi i njohur Avery Brundage, njeriu i cili Mbasluftës do të jetë për 20 vjet President i CIO-s, kur kthehet në Uashington, deklaron me bujë: “Kemi shumë për të mësuar nga gjermanët”. 120.000 shikues presin dukjen e Fyhrerit në “Olimpia Stadion”, nën tingujt e himnit gjerman, marshit të nderit të Wagnerit dhe himnit të Olimpiadës simbas muzikës të Richard Strauss, ndërsa në qiell fluturojnë 100.000 pëllumba të paqes, një ide befasuese e shtetit i cili mbas 2-3 vjetëve do të shpallte Luftën e Dytë Botërore!
Një biondin me emrin Fritz Schilgen i jep jetë disaditore flakës olimpike që del nga tubat e çelikta të Krupit, prodhuesi i madh i topave të luftës! Dhe fjalët sublime të çeljes që dalin nga goja e Fyhrerit, atij që mbas 40 muajve në gjithë botën, do të njihet si simbol i së keqes: “Popuj. Qofshi miqtë e vendit tonë. Juve po ju çelim dyert, fjala jonë qoftë paqja. Olimpiada, festë e Paqes!”.
Mandej shfaqet Kampioni Olimpik legjendë i 1896-s, greku Spiridon Louis, i cili ka ardhur posaçërisht nga Athina për t’i dhuruar Fyhrerit degën e pemës së ullirit, ajo që më 2004 iu vu si kurorë në krye, medalistëve të Athina 2004! Foto Hitler-Louis që botojmë këtu bën rrethin (xhiron) e botës tash 80 vjet! Ajo ishte olimpiada e 4.5 milionë spektatorëve nga e gjithë Gjermania, në dispozicion të të cilëve ishin vënë 1000 trena! Ishte dhe Olimpiada e zezakut fenomenal, Jasmes “Jesse” Owens, katër medalje ari (100, 200, 4×100 dhe së gjati), sfidë kundër epërsisë së racës së bardhë ariane!
Dhe Adolf Hitleri, i cili braktis katër herë tribunën për të mos qenë i pranishëm në fitoret e racës së zezë mbi atë të bardhë! Kjo ishte olimpiada, flaka olimpike e së cilës gati e preku edhe tokën shqiptare…
NJË GAZETAR – SHQIPTARI I PARË I AKREDITUAR NË NJË OLIMPIADË: ANTON MAZRREKU
Dhe prapë e merr fjalën dokumenti autentik, provë e vërtetësisë historike që gjithashtu po e ribotojmë këtu. Ky është dokumenti krejt i thjeshtë që vërteton praninë e parë të Shqipërisë në Lojërat Olimpike 80 vjet të shkueme. Është edhe ky një dokument zyrtar, autentik i kancelerive të Olimpiadës.
Gjendet brenda “Official report”, “Raporti zyrtar i Olimpiadës” dhe është ky dokumenti që vërteton akreditimin e një përfaqësuesi shqiptar për herë të parë në një olimpiadë. Kishte ndodhur pra, në vitin 1936, Olimpiada e 11-të, çast kur në analet e saj për herë të parë është regjistruar zyrtarisht edhe emri shtetëror “Albania” (Shqipëria). Vështroni dokumentin tonë. Është faqja që tregon gazetarët e akredituar për lojërat (“Press Quotas According to Nations”) siç lexohet, të ndarë simbas shteteve. Në kolonën e shteteve gjen të shkruar “Albania”, që, simbas alfabetit, vjen menjëherë mbas Afganistanit e para Argjentinës. Dhe paralel me “Albania” është numri “1”.
Që do të thotë se Shqipëria ka akredituar “1” gazetar. Ishte 1 midis 593 gazetarëve. Nuk di a kemi sot në Olimpiadën e Rios 2016 të paktën 1 gazetar?!… Siç pata shkruar me kohë, e gjitha kjo dukej si një fakt i vogël, sidomos kur sheh se ballkanikët e tjerë kanë pasë shumë më tepër se Shqipëria: Bullgaria 11 gazetarë, Greqia 8, Rumania 10, Turqia 12, Jugosllavia 13 gazetarë.
Po për hir të së vërtetës, për ne ky është një fakt i madh sepse na zbulon që më 1936 një shqiptar ka qenë i akredituar në Lojërat Olimpike. Çka nënkupton se Shqipëria zyrtarisht është përfaqësuar në Olimpiadë. Dhe nëse është përfaqësuar vetëm me gazetarin dhe gazetarinë, prapë ky është një përfaqësim, ndonëse disi “sui generis”, kur kujton ndërkaq se asnjë sportist shqiptar nuk ka qenë në Berlin! Cili ishte ky njeri?
Askush tjetër përveçse Anton Mazrekut, futbollisti i dikurshëm i “Studente Shkodra”, por sidomos i Skënderbeut të Korçës, drejtori dhe themeluesi i gazetës “Sporti Shqiptar”, më 28 nëntor 1935, kryetari i Federatës Sportive Shqiptare (1945), botuesi i gazetës “Sporti” (1945), zëvendëskryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar (1958), zëvendëskryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (Mbasluftës), inspektori i FSHF, radiokronisti i madh, madje themelues i radiokronikës së parë, qysh më 1938.
Në kohën e sotme me nderimin përmes Çmimit “Anton Mazrreku” të themeluar prej autorit të këtij shkrimi dhe mikut të tij të paharrueshëm, Tonin Paloka. Më duhet të rikujtoj pra se kjo do të thotë që Shqipëria e ka filluar edhe në këtë rast me gazetarinë, mu me atë gazetari profesioniste të sprovuar, që na mungoi në Olimpiadën e Londrës 2012 e na mungon edhe në këtë të Rio De Janeiro-s!
Ky është paradoksi “olimpik” shqiptar i shekullit XXI i mundur keqas prej shekullit të shkuar XX”! Në paradoks me Shqipërinë e tij, shkruante Anton Mazrreku nga Berlini: “Prej Rrethit të Dytë të Shqipnis n’Olympiadën e përbotëshme të Berlinit: nji varg i gjatë parafytyrimesh e mbresash kalojnë si në një film cinematografik përpara mendes s’eme: tokohen, shndrrohen, përzihen.
Shoh një Owens të çuditshëm e kujtesa prap pushon mbi zotësin e ethet e Kërrëkut, kam parasysh një Stöck madhështor e nuk vonojnë të më dalin përpara tubolarit e çpuem të Gurashit, shijoj botën e Univesitarve italjan, deri diku paset e japonezve e mendoj prap fatkeqësin e Myftarit e të Kaçaçës, vërej kualt e Argjentinës që dërmojnë Anglin në Polo e më shkon mendja te Ljarja gjakftohtë, jam në Berlin e më duket sikur sot po nisem me çiklistat nga Berati…”…
Mbas pak ditëve, ai kulmon me shkrimin e fundit problematik, përimtues (analitik) me titullin “Mësimi i mosvalvitjes së flamurit t’onë në Olympiadën e Berlinit”. Thotë penda e tij: “… Kur flamujt e të pesë kontinenteve tundeshin në erë të gëzuar e faqebardhë afër njëri-tjetrit, atmosfera e evenimentit të pashoq m’i lagu mollëzat e faqeve me dy pika lot. Dy pika e jo më tepër, po të mjafta për të tërhequr vërejtjen e një biondeje të ndodhur rastësisht pranë meje.
Gjermania e tëra bionde: bionde në leshrat, bionde në sytë, bionde në mveshje, bionde dhe në zë po të duash, nuk ndenji dot pa më pyetur: “Warum weinen Sie?” Pse qani? Nuk mori përgjigjen e vërtetë. Po e merr sot: “Nuk jemi duke u përgatitur si duhet në fushën sportive”. Kështu apo ndryshe, na pëlqen apo nuk na pëlqen, Shqipëria pra ka qenë për herë të parë në Lojërat Olimpike jo më 1972, por më 1936, plot 80 vjet më parë, në Lojërat Olimpike të Berlinit.
Dhe ka qenë përmes gazetarisë! Ose e thënë më qartë: përfaqësuesi i parë shqiptar në Lojërat Olimpike ka qenë një gazetar. Emri i tij është Anton Mazrreku. Një befasi e madhe? Natyrisht! Ndonëse mbas kësaj do të kishte edhe befasi të tjera më të mëdha shqiptare që do të mbërrinin deri tek Adolf Hitleri…
Gjykata Themelore në Pejë e ka hedhur poshtë të premten një kërkesë të prokurorëve për ta dërguar në paraburgim atletin Akil Gjakova, i cili dyshohet për dhunë në familje.
Në një njoftim për media, Gjykata e Pejës tha, megjithatë, se ia ka ndaluar xhudistit të mirënjohur t’i afrohet më shumë se 50 metra viktimës, që dyshohet të jetë bashkëshortja e tij, në 30 ditët e ardhshme.
“Të pandehurit…i është ndaluar t’i afrohet vendit ku e dëmtuara banon, si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra”, thuhet në njoftim.
Gjykata tha se Gjakova rrezikon paraburgimin, nëse e shkel masën të cilën ia ka caktuar.
Gjakova, 28 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës më 16 prill, para se të vetëdorëzohej më vonë.
Në një reagim më 16 prill, Federata e Xhudos e Kosovës kishte thënë se Gjakova ndodhej jashtë vendit dhe se ai “do të dorëzohej menjëherë” te organet e rendit dhe të drejtësisë sapo të kthehej në Kosovë.
Shpallja e tij në kërkim nga Policia e Kosovës u bë në një kohë kur Kosova u trondit nga rastet e dhunës në familje, pas vrasjes së dy grave brenda pesë ditëve.
Për të dyja rastet, të dyshuar kryesorë janë burrat e tyre. REL
Nis rrugëtimi për në Lojërat Olimpike që do të fillojnë zyrtarisht pas 101 ditësh
VOAL- Rrugëtimi i madh i pishtarit olimpik të Lojërave të Parisit ka nisur. Në fakt, në vendin historik të Olimpias, Greqi, ceremonia e ndezjes së flakës nga një “priftëreshë e lartë” (e luajtur nga aktorja Mary Mina) u zhvillua gjatë ditës në prani të presidentit të IOC Thomas Bach. Flaka e shenjtë më pas iu dorëzua pishtarit të parë Stefanos Ntoukos (medalist grek i artë në vozitje në Tokio), duke nisur kështu udhëtimin që do të përfundojë më 26 korrik në kryeqytetin francez me hapjen zyrtare të Lojërave Olimpike 2024. rsi-eb
Mesfushori i Kombëtares Jasir Asani mesa duket e ka bërë edhe më zyrtare lidhjen e tij me të dashurën.
Disa kohë më parë i ftuar në “Wake Up” është shprehur se ka një partnere, por është shprehur shumë i rezervuar.
I pyetur nëse është i hapur për një martesë, Jasiri është shprehur: Unë dua nuse vetëm shqiptare. Ndoshta do martohem, dua një familje të madhe.
Së fundimi ai ka publikuar në rrjetet sociale një foto me partneren e tij, ku duken shumë të lumtur me njëri-tjetrin. Këtë foto futbollisti e ka shoqëruar vetëm me një zemër, pa bërë asnjë koment tjetër.bw
Panik për Elseid Hysajn dhe familjen e tij teksa Ferrari i mbrojtësit shkodran mori flakë papritur.
Lojtari i kombëtares dhe vjehrri i tij ishin brenda në makinë gjatë momentit që Ferrari mori flakë, ndërsa bashkëshortja ishte jashtë.
Për disa çaste, Hysaj dhe vjehrri i tij nuk po arrinin të dilnin me dyert që u mbyllën në mënyrë automatike.
Por, për fat të mirë kjo ngjarje kaloi pa pasoja teksa makina u dëmtua totalisht.
Vetë mbrojtësi në një prononcim të shkurtër për “Il Messaggero” bëri të ditur se zjarri mund të ishte shkaktuar nga një difekt i fabrikës në momentin e prodhimit.
“Makina mori flakë në mënyrë të papritur, për fat të mirë askush nuk u lëndua. Ia dolëm që t’i shpëtonim në kohë rrezikut, besoj se bëhet fjalë për një problem të fabrikës”, u shpreh Hysaj./dita
O.J. Simpson, ylli i futbollit amerikan dhe protagonisti i të ashtuquajturit “gjyq të shekullit”, ka vdekur në moshën 76-vjeçare njoftoi familja e tij.
“Më 10 prill, babai ynë, Orenthal James Simpson, u mposht në betejën me kancerin”, thuhet në mesazhin e publikuar nga familja e tij në rrjetin X, që më herët njihej si Twitter.
Më 1995, ai ishte liruar nga akuzat për vrasjen e ish-gruas së tij dhe shokut të saj, në rastin gjyqësor që u cilësua si “gjyqi i shekullit”.
Simpson shmangi dënimin me burg pasi u shpall i pafajshëm për therjen për vdekje të ish-gruas së tij, Nicole Brown Simpson, dhe shokut të saj, Ronald Goldman në Los Anxhelos më 1994. Simpson më vonë vuajti një dënim prej nëntë vjetësh burgim në Nevada, pasi më 2008 u gjet fajtor për vjedhje të armatosur dhe rrëmbimin e dy personave në një hotel në Las Vegas.
Simpson ishte një prej sportistëve më të mirë dhe më popullor në fund të viteve ’60 dhe në vitet ’70. Por, karriera e tij sportive ndryshoi pasi Nicole Brown Simpson dhe Goldman u gjetën të vrarë në shtëpinë e Nicole në Los Anxhelos më 12 qershor 1994.
Simpson menjëherë u bë i dyshuari kryesor. Ai u urdhërua që të dorëzohej në polici, por pesë ditë pas vrasjeve, ai së bashku me një bashkëlojëtar të tij u arratis. Ndjekja që pasoi nga policia përfundoi në zonën afër shtëpisë së Simpson dhe më pas ndaj tij u ngrit akuza për vrasje.
Gjykimi ndaj tij ishte ndër më të ndjekurit në Amerikë. Ai që në fillim u shpreh se ishte “100 për qind i pafajshëm” dhe kishte falënderuar gjykatësit kur e liruan nga akuzat më 3 tetor 1995.
Prokurorët kishin argumentuar se Simpson kishte vrarë ish-gruan e tij, Nicole, për shkak të xhelozisë, dhe kishin paraqitur prova të ndryshme, sikurse flokë dhe teste të fibrave që e lidhnin atë me vrasjet.
Prokurorët gjatë gjykimit kishin kërkuar që Simpson të provonte një palë doreza me gjak që ishin gjetur në vendin e krimit, të bindur se ato do t’i bënin atij, dhe kështu do të vërtetonin se ai ishte vrasësi.
Në gjykatore, Simpson kishte tentuar të fuste dorën në dorezë, duke u treguar gjykatësve se doreza ishte e vogël dhe ai nuk ishte vrasësi.
Pasi u lirua nga akuzat, Simpson kishte thënë se “qëllimi im kryesor në jetë është që të gjej vrasësin apo vrasësit e Nicole dhe Goldman”.
E gjithë kjo ngjarje u portretizua edhe në dokumentarin që fitoi Oscar më 2016 të titulluar “”O.J.: Made in America”, por edhe në disa dramatizime televizive.
Simpson u lind në San Francisko më 9 korrik 1947.
Ai u martua me gruan e tij të parë, Marguerite, më 1967, dhe çifti pati tre fëmijë. Më 1979, ata u divorcuan.
Simpson u takua me Nicole Brown, e cila atëbotë ishte 17-vjeçare, në kohën sa ende ishte i martuar me Marguerite. Simpson dhe Brown u martuan më 1985 dhe patën dy fëmijë. Gjatë martesës, ajo kishte telefonuar policinë pas disa incidenteve për dhunë.Radio Evropa e Lirë
Ka përfundon mesditën e sotme në Berat “Berat Green Half Marathon”, Maratona e madhe ku morën pjesë 400 vrapues, sportistë profesionistë dhe amator, nga mbi 30 shtete të ndryshme. Maratona e sotme nisi në qendër të qytetit, në orën 09:00 dhe sportistët pjesëmarrës ju nënshtruan dy garave, sipas përzgjedhjes së tyre.
Sfida më e gjatë ishte ajo prej 21 km dhe gara e dytë ishte gara në një distancë më të shkurtër, gara 10 km. Në të dyja garat e Maratonës vrapuesit përshkruan intenerare të ndryshme, duke shijuar pamjet piktoreske dhe muzeale të qytetit të Beratit, ndërkohë që e gjithë gara ishte e monitoruar nga organizatorët nëpërmjet Droneve. Maratona i çoi vrapuesit drejt zonave mahnitëse të Beratit, duke përshfaqur përpara tyre kështjellën madhështore dhe lumin piktoresk të Osumit.
Ai që mbërriti i pari në Finish, duke fituar edhe Maratonën e madhe të Beratit,në garën prej 21 km, ishte 21-vjeçari Nikola Bedini lindur dhe rritur në Itali, me origjinë nga qyteti i Beratit.
Garën prej 10 km të kësaj Maratone e fitoi kampionia shqiptare Luiza Gega, ndërkohë që çmimin e “maratobomakut” e mori 78-vjeçari Sotir Qirjaçi, për të cilin kjo ishte gara e tij e 262 ku kishte marrë pjesë.
Në përfundim të Maratonës, fituesit Nikola Bedini e Luiza Gega dhe pjesëmarrës të tjerë në Maratonë shprehën vlerësimet e tyre rreth këtij eventi si dhe folën rreth eksperiencës së tyre në këtë garim, ku konkurrenca ishte e lartë mes sportistëve pjesëmarrës.bw
VOAL- U deshën penalltitë, por në fund Athletic Bilbao arriti të thyejë një mungesë 40-vjeçare të trofeut. Baskët, skuadra e tretë më e suksesshme në Spanjë pas Real Madridit dhe Barcelonës, u rikthyen në gëzim duke fituar Kupën e 24-t të Mbretit, duke mposhtur Mallorca 4-2. Përfundoi 1-0 në ndeshjen e fundit në Sevilje falë golit të Dani Rodriguez në minutën e 21-të, Athletic barazoi rezultatin me Sancet në minutën e 50-të përpara se të shfaqej më i ftohtë nga pika (gabimi i Moralanes ishte vendimtar). rsi-eb
Jannik Sinner shkëlqen në Masterin e Majamit, thyen në finale Dimitrov duke siguruar një tjetër trofe të rëndësishëm. Tenisti italian shfaqi një formë të shkëlqyer duke mos e diskutuar për një asnjë moment suksesin përballë bullgarit, në fund fitoi pastër 2-0 me sete(6-3, 6-1), në një ndeshje që zgjati 1 ore e 12 minuta. Fal këtij suksesi, Sinner shkon në vendin e dytë në renditjen botërore, ndërsa arkëton afro 1 milionë euro:
“Falënderoj skuadrën time, kemi punuar shumë për këtë, kjo është rruga e duhur për të fituar dhe për t’u përmirësuar. Ky është një nga turnet më të rëndësishëm në botë, i kisha shkuar dy herë shumë pranë, më në fund ia dola të fitoj këtu në Majami. Jam krenuar për këtë rezultat”, u shpreh Sinner.BW
Amerikania çuditërisht e kalon Rybakina-n pasi njoftoi tërheqjen e saj nga tenisi
VOAL- Danielle Collins (WTA 53) fitoi Miami Open kundër të gjitha gjasave. Në finalen e luajtur kundër Elena Rybakina (4), amerikania arriti të mbizotërojë me rezultatin 7-5 6-3 në pak më shumë se dy orë lojë, duke fituar për herë të parë një trofe Master 1000.
Pasi arriti në finale pasi njoftoi tërheqjen e saj nga tenisi profesionist në fund të sezonit, Collins fitoi një set të parë të vështirë duke thyer në ndeshjen e 12-të, vetëm për ta mbyllur ndeshjen në pikën e katërt të ndeshjes në të dytin. Përveçse ishte titulli i tretë i WTA-s në karrierën e saj, 30-vjeçarja vendosi një rekord të ri duke u bërë lojtarja me renditjen më të ulët që fitoi Miami Open. rsi-eb
Është ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë në qytetin e Milanos, Itali, ish futbollisti i talentuar i Elbasanit, Dinamos, dhe i kombëtares Shpresa të Shqipërisë, Bashkim Tirana.
Kolegët dhe sportdashësit, e mbajnë mënd si një mesfushor sulmues puntor, teknik, që sakrifikonte shumë për ekipin ku luante. Ishte një talent i zbuluar, nga grupi i fëmijve dhe i të rrinjve që përgatiste në atë kohë, Mjeshtëri i Sportit Shefqet Lamçia, dhe që e ofruan në ekipin ”Labinoti” përfaqësues të qytetit të asaj kohe, në mezin e viteve gjashtëdhjetë.
Bashkim Tirana mbahet mënd në evenimentin e inagurimit të stadiumit të ri në qendër të Elbasanit, me një gol spektakolar të realizuar ndaj ekipit Flamurtari të Vlorës. Më pas kaloi tek skuadra kryeqytetase ”Dinamo”, ku luajti në mesfushë përkrah emrave të mëdhenj të futbollit të asaj kohe, si Iliaz Çeço, Faruk Sejdini, Ilir Përnaska e plot të tjerë, që lanë gjurmë dhe mbetën emblema në jetën sportive të atyre viteve.
Bashkim Tirana është grumbulluar edhe disa herë më ekipin ”Shpresa” të kombëtares sonë. Ka zhvilluar disa ndeshje ndërkombëtare jashtë vendit, me ekipet ku luante, si në Kinë, Rumani, Bullgari, Maqedoni… në vitet shtatëdhjetë.
Me Elbasanin ka luajtur me një brez tê talentuar futbollistësh si N.Hysi, E.Ibërshimi, A.Sejdini, K.Dalipi, vëllezërit Gjika, F. Jorgaqi, S. Mitrollari, Gj.Babani, Gogunja dhe N.Duçka…
Prej shumë vitesh jetonte larg atdheut, por pasioni për futbollin deri në moshë të thyer, e bëri që të drejtonte ekipe fëmijësh, kryesisht italianë dhe emigrantë, për gati dy dekada. Ndjehej i vlerësuar dhe i nderuar në komunën ku jetonte, si edhe ngashtypi sportiv i regjionit të atij vendi.
Mbeti gjithmonë një prind shëmbullor dhe një njeri fjalëpak e i dashur për të gjithë, jo vetëm për elbasanasit.
Ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit akuzohet për një krim të sulmit seksual dhe të përfrikësimit
VOAL- Ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, mund të kalojë dy vjet e gjysmë në burg për puthjen jo konsensuale me kampionen e botës, Jennifer Hermoso dhe frikësimin e mëpasshëm. Kjo është të paktën kërkesa për dënim nga prokuroria e gjykatës kombëtare të Audiencia Nacional.
Sipas prokurores publike Marta Durantes, puthja e dhënë nga Rubiales ndaj Hermoso-s gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të Kupës Botërore të Futbollit për Femra më 23 gusht dhe presioni i mëpasshëm që futbollistja të deklaronte se ishte konsensuale, përbën një krim të sulmit seksual dhe të përfrikësimit.
Prokuroria kërkon gjithashtu për përfrikësim dënimin me një vit e gjysmë burg për drejtorin sportiv të kombëtares së meshkujve, Albert Luque, për ish-trajnerin e përzgjedhjes së femrave, Jorge Vilda dhe për ish-menaxherin e marketingut të Federatës së Futbollit, Ruben Rivera.
“Situata e përfrikësimit nga të akuzuarit kundër Hermoso ndodhi kur i akuzuari Luis Manuel Rubiales Bejart u pezullua përkohësisht nga FIFA më 26 gusht 2023… Faktet e përshkruara bënë që Jennifer Hermoso Fuentes të përjetonte një situatë ankthi dhe stresi intensiv që zgjati për disa muaj”, thuhet në prokurori.rsi-eb
Mario Mitaj është një nga lojtarët më të mirë të Shqipërisë. Mbrojtësi kuqezi, me paraqitjet e tij, i ka dhuruar siguri kombëtares në prapavijë, në ndeshjet më të rëndësishme. Në një intervistë të dhënë në Rusi, Mitaj nuk heziton të flasë me përulësi për atdhe-dashurinë dhe natyrisht për kalimin nga AEK te Lokomotiva e Moskës.
“Kam pasur një situatë të vështirë në Greqi. Problemi me futbollin grek është se ata nuk u besojnë fare lojtarëve të rinj. Ata presin menjëherë një paraqitje të jashtëzakonshme nga një djalosh i ri në ndeshjen e tij debutuese. Praktikisht nuk ka asnjë shans për gabim, nëse dilni dhe nuk tregoni asgjë, ata fillojnë t’ju ‘marinojnë’ në një kavanoz. Për shkak të kësaj, shumë djem të rinj u mërzitën dhe i dhanë fund karrierës së tyre në futboll.
Jam përballur edhe me këtë tmerr. Në sezonin tim të parë për AEK-un në moshën 17-vjeçare kam luajtur rreth 30 ndeshje, por në sezonin tjetër kam luajtur vetëm dy. Oferta nga Lokomotiva ishte një frymë e freskët për mua, një shans për t’u larguar përgjithmonë nga një vend ku ata nuk besojnë në mua. Për më tepër, në atë kohë Premier Liga Ruse ishte liga e 6-të në Evropë. Preferoj të punoj në gjëra që mund të më bëjnë më të shpejtë, më fleksibël dhe më teknik. Unë nuk jam një bodybuilder për të patur parësore masën muskulore. Në artet marciale, muskujt nuk luajnë gjithmonë një rol kryesorë, ato mund të fitohen me dinakërinë dhe teknikën. Një futbollist i dobët mund të jetë mirë për shkak të inteligjencës së tij. Disavantazhet në Rusi? Gjëja e parë është bllokimi i trafikut. Unë jam mësuar tashmë! Së dyti, çmimet e larta për pothuajse gjithçka (përveç benzinës). Jeta në Moskë është shumë më e shtrenjtë se në Greqi. Dhe së treti, kamerat që kontrollojnë shpejtësinë. Kjo është absolutisht e tmerrshme, si arrijnë t’i kapin të gjithë kështu? Vitin e kaluar kam pasur 5-6 gjoba.
Unë kam lindur në Athinë, por jam shqiptar. Fakti që kam lindur në Athinë nuk më bën grek. Kam shumë miq atje, flas greqisht dhe e dua atë vend për mundësitë që ka dhënë për mua dhe familjen time. Por unë dashuroj më shumë Shqipërinë time, jam një patriot i atdheut tim. Kur shoh flamurin shqiptar dhe flas me shqiptarë, mbushem me një ndjenjë krenarie”, – tha ai.bw
Komentet