VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Shqipëri, dëme në 6000 pallate e banesa, 9000 banorë lanë shtëpitë (video)

By | December 1, 2019

Komentet

Raporti në parlamentin italian: Shqipëria ‘porta’ e heroinës, mafia e saj ndër më të rrezikshmet!

Ministrja e Brendshme italiane Luciana Lamorgese ka prezantuar sot në Dhomën e Deputetëve në Parlamentin Italian raportin me të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2019 mbi situatën kriminale në Itali.

Dhe në këtë raport të fundit të autoriteteve italiane grupet kriminale shqiptare konfirmohen ndër më aktivet ndër organizatat kriminale të huaja e Shqipëria identifikohet si vend tranziti i heroinës nga Azia Qëndrore e Afganistani drejt tregut të Europës Perëndimore.

RTV Ora News ka siguruar ekskluzivisht këtë raport të fundit të Ministrisë së Brendshme italiane ku që në hyrje të tij në kapitullin mbi aktivitetin e organizatave të huaja thuhet se; “Krimi i organizuar shqiptar konfirmohet si ndër më aktivët në Itali e mbështetet nga grupet kriminale të ngjashme shqiptarësh aktivë në Holandë, Belgjikë,Austri, Britani e Madhe, Gjermani e Spanjë. Këto grupe kontaktojnë drejtpërdrejtë me referentët e tyre në Shqipëri në mënyrë të veçantë në aktivitete kriminale komplekse.”

Sipas raportit të Ministrisë së Brendshme italiane, krimi i organizuar shqiptar në Itali është shtrirë pothuajse në të gjithë territorin kombëtar e me përqëndrim më të madh në Veri ne rajonin e Puglias në jug.

Kriminaliteti shqiptar merret me trafikun e drogës, emigracioni klandestin, prostitucion. Në raport evidentohet se aftësia e shqiptarëve në trafikun e drogës i ka dhënë atyre një rol të rëndësishëm në raport me organizatat e tjera kriminale, aq sa përfaqësojnë për disa grupe mafioze italiane një kanal të privilegjuar për furnizimin me drogë, falë dhe lidhjeve të gjera e rrjetit që zotërojnë në bashkëpunim me shqiptarë të tjerë në Ameriknë e Jugut, në Holandë, Spanjë, Turqi e Angli.

Format e kriminalitetit shqiptar shfaqen në mënyrë individuale ose në bashkëpunim për krime specifike, ndërsa format kriminale të organizuar janë të struktuara në kohë e shpesh në lidhje familjare mes tyre.

Autoritetet italiane nënvizojnë se grupet kriminale shqiptare kanë një aftësi të veçantë për të bashkëpunuar me grupe kriminale të tjera të huaja, por dhe me grupet autoktone italiane.

Shembull është operacioni “Mondo in mezzo” në Romë i cili shkatërroi një grup kriminal shqiptar që kontrollonte trafikun e drogë në zona të caktuar të kryeqytetit italian si dhe disa sipërmarje tregtare.

Duhet evidentuar, thuhet në këtë raport se “Shqipëria është një vend prodhues i marijuanës e një vend tranzi i heroinës së ardhur nga Azia Qëndrore e Afghanistani për tregun e Europës Qëndrore (e ashtuquajtura rruga ballkanike)./Oranews

Rruga detare Shqipëri-Puglia për trafikimin e marijuanës është konfirmuar dhe në raportet e autoriteteve gjyqësore në të njëjtën periudhë kohore të gjashtëmujorit të parë të 2019.

Gjatë këtij gjashtëmujori janë vërtetuar dhe raste për të diversifikuar pikat e zbarkimit të ngarkesave me marijuanës në brigjet italiane të Adriatikut për t’i shpëtuar kapjes nga autoritetet policore.

Këtë e dëshmon operacioni “Sfizio” i Guardia di Finanza i Mesinës i cili dëshmoi zbarkimin e ngarkesave të mëdha me marijuanë që mbërrin nga Shqipëria e zbarkonin në brigjet emiliane e kalabreze.

Grupet kriminale në Itali shfaqen të aftë të menaxhojnë dhe trafikun e drogave të tjera si kokainë e heroinë. Në trafikun e kokainës thuhet në këtë raport, “organizatat shqiptare kanë një aftësi kriminale me atë të mafias kalabreze Cosa Nostra me të cilat kanë ngritur në këmbë bashkëpunime të paligjshme.”

Gjatë një operacioni autoritetet antimafia italiane kanë zbardhur se gjatë dorëzimit të një dërgese droge grupet shqiptare në bashkëpunim me familjet mafioze Mazze e Santapaila-Ercolano kishin marrë peng dy bashkëpunëtorë siçilianë për të garantuar pagesën e drogës.

Në biznesin e drogës shqiptarët mbajnë lidhje të rregullta me shqiptarë të tjerë në vende të ndryshme të botës, duke realizuar trafik transnacional të ngarkesave me lëndë narkotike.

Përveç trafikut të drogës aktiviteti kriminal shqiptar gjatë gjashtë mujorit të parë të 2019 është përfshirë dhe në aktivitetin e prostitucionit e në krimin ndaj pasurisë si grabitje të dhunshme, kërëcënim e zhvatje.

Në raportin e Ministrisë Italiane renditen të gjitha operacione e sukseshme të kryera gjatë 6 muajve të parë të 2019 e të përcjella eskluzivisht dhe nga RTV Ora Neës, të cilat kanë çuar në shkatërrimin e trafiqeve të drogës në nivel kombëtar e ndërkombëtar në bashkëpunim me Interpolin e me autoritetet e policive të tjera europiane e jo vetëm.

Të tilla operacioen të suksesshme janë “Metropolis” i ekzekutuar nga Policia e Breshës, ku u vunë nën pranga 30 shqiptarë, 7 italianë e 2 tunizinaë.

Operacioni “Random” në Përugia, operacioni “Drug Queen” në Asti, operacioni angtidrogë “Hostage” në Katania e Kaltanisetta, operacioni “Fiori di Primavera” në Brindizi e Lecce, operacioni “Battleship” po në Lecce, operacioni “Sabbia” në Firenze, operacioni “Sfizio” në Messina, “Erostrato” në Viterbo etj./oranews

Haradinaj: Rama e Thaçi e qitën Kosovë në “ruletë ruse”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar përsëri homologun e tij shqiptar, Edi Rama, dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, se kanë bërë veprime të dëmshme për Kosovën.

Sipas tij, Rama dhe Thaçi janë koordinuar në qëndrimet e tyre për ndarjen e Kosovës.

“Thaçi ka mbështetur një koncept të tillë. Kemi pasur qëndrime të kundërta dhe në vështirësi kam vazhduar të mbajë këtë qëndrim. Kur kryetari i shtetit e merr vesh se vetë vendi është qitur në ruletë ruse, çka bën ai? E kuptoni sa e rëndë ka qenë për mua vetëm të dëgjoj këto fjalë?”, është shprehur Haradinaj.

“Nuk besoj se nuk kanë qenë” të koordinuar Rama e Thaçi, ka thënë Haradinaj për Syri.net. “Kanë pasur një koordinim mes tyre”, ka shtuar ai.

“Në 6 muaj e fundit nuk e kam dëgjuar Thaçin të flasë për këtë temë, ndërsa shkuarja e kryeministrit të Shqipërisë në Serbi, pa qenë Kosova, imagjinoni ku ka ardhur tejkalimi i Kosovës…”, ka thënë Haradinaj.

“Kryeministri i Shqipërisë mund të thoshte: ‘Mund të vij atje, por jo pa Kosovën’. Çdo fjalë që kam thënë për angazhimin e Ramës në ndarjen e Kosovës, qëndron”, ka deklaruar Haradinaj.

Më herët, Haradinaj ka folur rreth padisë që ka paraqitur ndaj tij homologu i tij shqiptar, Edi Rama, për gjoja shpifje.

Haradinaj ka thënë se nuk i tërheq deklaratat për Ramën. Nuk i kam thënë të gjitha për të, e kurseva kombin, ka deklaruar ai.

Djali i Smajl Hajdarit: Nuk do të ndalemi duke kërkuar drejtësi

Shpëtim Hajdari, djali i ish-veprimtarit të LDK-së, Smajl Hajdarit, në 18-vjetorin e vrasjes së prindit të tij, ka kërkuar drejtësi dhe që zbardhja e këtij rasti të bëhet sa më shpejt, raporton Gazeta Express.

Hajdari ka shkruar në Facebook që edhe pse janë bërë 18 vite, atë e kujtojnë si të kishte ndodhur dje.

Ai ka deklaruar se nuk do të ndalen duke kërkuar drejtësi.

“Hiç ma pak se 18 vite. Për ne është sikur të kishte ndodhur dje. Ne nuk do NDALEMI për të kërkuar të drejtën tënde dhe tonën , natyrisht nëse kjo varet nga ne ,ashtu siç nuk do NDALOJE ti, po të varej kjo nga ti. Smajl Hajdaraj , baba , je pjesë e ndërdijes tonë”, ka shkruar Hajdari.

Raporti i OKB – Sa do të jetë mosha mesatare e shqiptarëve

Projeksionet e popullsisë të OKB-së janë rishikuar me përkeqësim për Shqipërinë në raport me vitin 2018, për shkak të rishikimit të treguesve të emigracionit.

Sipas një skenari normal, pa rritje të emigracionit dhe rënie të lindjeve mosha mesatare e popullsisë Shqipërisë sipas projeksioneve të OKB-së shkon në vitin 2050 në 50.1 vjeç dhe në vitin 2100 arrin 61 vjeç.

Në skenarin pesimist me vijimësi të emigracionit dhe rënie të lindshmërisë, mosha mesatare e popullsisë arrin në 79.1 vjeç në vitin 2100 dhe gjithsej popullsia banuese brenda Shqipërisë arrin në 512 mijë banorë.

Projeksionet e popullsisë të OKB-së janë rishikuar me përkeqësim për Shqipërinë në raport me vitin 2018, për shkak të rishikimit të treguesve të emigracionit.

Gjithashtu OKB pasuroi projeksionet me tregues shtesë mbi normat e lindshmërisë, vdekjeve dhe anketave kombëtare të nivelit të jetesës, sipas shpjegimeve që shoqërojnë tabelat e popullsisë.

Mosha Mesatare e Shqiptarëve Për Vitin 2020

Në vitin 2020 mosha mesatare e popullsisë shqiptare do të jetë 36.4 vjeç, ndërsa të dhënat kombëtare raportuan se në vitin 2018 mosha mesatare ishte 35.4 vjeç.

Mosha mesatare e popullsisë së Shqipërisë do të rritet me ritme më të shpejta se vendet e tjera të grupit të Europës Jugore me dy ose tre fish.

Për shqiptarët mosha mesatare do të rritet me 25 vite gjatë periudhës, për italianët vetëm 6 vite, për boshnjakët 9.8 vite, për grekët 7 vite, për kroatët 8 vite, për serbët 10.5 vite dhe për maqedonasit 11.1 vite.

Mosha e mesatare e shqiptarëve do të rritet gjatë këtij shekulli gati dy herë më shumë se e popullsisë rajonale dhe tre herë më shumë se vendeve të Europës Jugore.

Skenari pesimist i OKB-së parashikon që deri në vitin 2100 në Shqipëri të banojnë rreth 512 mijë banorë ku 70 për qind e tyre do të jenë pleq të 70 -ve.

Çfarë Parashikohet për Dekadat e Tjera

Në parashikimet e publikuara në vitin 2018, sipas variantit të lartë të parashikimit (me normë të lartë fertiliteti), popullsia e vendit në vitin 2100 pritej të mbetej në rreth 2.8 milionë persona, në një rënie të lehtë nga niveli aktual prej 2.87 milionë banorësh.

Por vetëm një vit më pas, në 2019-n, pritshmëria është ulur ndjeshëm edhe për variantin optimist.

Në të gjitha rastet, edhe në variantin optimist, – pra nëse merret një nivel zero emigracioni dhe ecuri normale e normave të fertilitetit, në vitin 2100, Shqipëria nuk pritet që të ketë me shumë se 1.9 milionë banorë, ose 31% më pak se parashikimi i një viti më parë në rastin më të mirë dhe 512 mijë banorë në rastin më të keq./Burimi:Monitor

Kurti në Reçak: Kriminelët që ekzekutuan dhe ata që urdhëruan masakrën, të dënohen

Në 21-vjetorin e Masakrës së Reçakut e cila konsiderohet si masakra më e dhimbshme e njerëzimit në historinë e Kosovës kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve me ç’rast tha se është obligim i institucioneve vendore që të gjithë ata që urdhëruan dhe kryen këtë masakër të dënohen

Derisa tha se Masakra e Reçakut ndërgjegjësoi botën demokratike dhe solli intervenimin e NATO-s, Kurti tha se drejtësia e mohuar paraqet krim të vazhdueshëm ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës.

“Lajmi për Masakrën e Reçakut e tronditi dhe tmerroi Kosovën por e ndërgjegjësoi dhe alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare. Masakra e Reçakut ishte vendimtare që NATO ta bombardonte Jugosllavinë e Millosheviqit… 21 vite më vonë nuk ka drejtësi për viktimat dhe familjet dhe kjo drejtësi e mohuar paraqet krim të vazhdueshëm ndaj njerëzve tanë, popullit tonë, ndaj shtetit tonë, është obligim i institucioneve vendore dhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë që të sjellim drejtësi, të shtojmë trysni mbi Serbinë ashtu që të gjithë kriminelët që ekzekutuan dhe ata që urdhëruan masakrën e Reçakut të nxirren para proceseve gjyqësore dhe të dënohen”, tha Kurti.

Më 15 janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Pak kohë pas kryerjes së këtij akti barbar nga forcat paramilitare serbe, fuqitë e mëdha ndërkombëtare vendosën për intervenimin e NATO-s në Kosovë.

Kosova shënon përvjetorin e masakrës së Reçakut

Njëzetenjë vjet më parë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, rreth 25 kilometra në jug të Prishtinës, forcat serbe vranë 45 banorë të fshatit. Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe më pas ata u gjetën të ekzekutuar në një luginë mbi fshat.

Më 16 janar ish shefi i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ambasadori William Walker e cilësoi atë krim kundër njerëzimit.

“Nga ajo që unë personalisht kam parë, nuk hezitoj ta përshkruaj ngjarjen si një masakër, padyshim një krim kundër njerëzimit. Bota duhet ta dënojë këtë mizori”, tha atëbotë ambasadori Walker.

Më pas forcat serbe i kishin marrë trupat e të vrarëve dhe i kishin dërguar në Prishtinë në institutin e mjekësisë ligjore dhe vetëm pas një muaji ishte bërë i mundur varrimi i tyre.

Beogradi e shpalli atëbotë ambasadorin Walker person të padëshirueshëm ndërsa nuk lejoi hyrjen në Kosovë të ish prokurores së Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, Louise Arbour

Masakra e Reçakut shënoi fillimin e një fushate të re diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe më 6 shkurt përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Më 15 mars të viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë u nënshkrua nga përfaqësuesit e Kosovës por u refuzua nga Beogradi dhe më 24 mars NATO-ja filloi fushatën 78 ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e trupave të aleancës dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Njëzetenjë vjet pas masakrës në Reçak, Kosova po mbush dymbëdhjetë vjet të shpalljes së pavarësisë së saj, që vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila vazhdon të mohojë atë çfarë kishte ndodhur në këtë fshat.

Në fund të vitit të kaluar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nxiti reagime të zemëruara në Kosovë duke e cilësuar masakrën e Reçakut si “të fabrikuar nga një mashtrues, siç është William Walker, për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999”.

“Kur njerëzit më pyesin për reagimin tim lidhur me deklaratat e presidentit Vuçiç që më thërret gënjeshtar, duke thënë se Reçaku nuk ka ndodhur, reagimi është që po dëgjoj edhe njëherë fjalët e Sllobodan Millosheviçit” (ish presidentit serb që vdiq në Hagë në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte gje gjenocid)”, tha ambasadori Walker një ditë më parë.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, përkujtuan në një deklaratë të përbashkët masakrën e Reçaku e cila “çoi në ndërhyrjen e NATO-s për t’i dhënë fund katastrofës humanitare”.

“Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetët në Reçak dhe masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më pare, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe mirëqenies për brezat e ardhshëm”, thuhet në deklaratë.

Udhëheqësit e Kosovës thanë se e ardhmja nuk mund të ndërtohet duke mohuar krimet e së kaluarës, ndërsa i bënë thirrje Serbisë të pranojë përgjegjësinë dhe të kërkojë falje për krimet e luftës.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 20 vjet më pas nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave, pjesa më e madhe e të cilëve janë të përkatësisë kombëtare shqiptare. zëri i amerikës

Shqiptari i vë flakën vetes para Parlamentit Evropian

Një burrë me origjinë shqiptare ka kryer një akt të rëndë këtë të martë përballë ndërtesës së Parlamentit Evropian në Strasburg.

Sipas medias lokale franceze, shqiptari rreth moshës 39 vjeçare është spërkatur me benzinë dhe i ka vënë flakën vetes. Mësohet se shqiptari ka bërtitur “padrejtësi” para se ndërmerrte aktin ekstrem.

Në ndihmë të tij kanë ndërhyrë stafi i vëzhgimit dhe zjarrfikësit në detyrë pranë institucionit evropian.

Më tutje ka mbërritur ambulanca e cila e ka transportuar shqiptarin drejt spitalit. Incidenti i rëndë ndodhi rreth orës 4 të pasdites së sotme teksa aty pranë po zhvillohej një demonstrim. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes treguan se flakët e përshkuan trupin e shqiptarit për disa sekonda, derisa u krye ndërhyrja për ta shpëtuar.

Burri kishte me vete një valixhe me vetëm pasaportën dhe sendet e tij personale, por asnjë send të rrezikshëm. Ende nuk është mësuar se përse shqiptari ka kryer një akt të tillë./Express

Diplomatët perëndimorë në Kosovë përkujtojnë masakrën e Reçakut

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, përkujtuan në një deklaratë të përbashkët masakrën e Reçaku të para 21 vjetësh.

Në deklaratë thuhet se 21 vjet më parë “masakra që ndodhi në Reçak, çoi në fund në ndërhyrjen e NATO-s për t’i dhënë fund katastrofës humanitare”.

“Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetët në Reçak dhe masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më pare, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe mirëqenies për brezat e ardhshëm”, thuhet në deklaratë në të cilën theksohet se qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre të kenë qasje të plotë në drejtësi dhe në informatat për fatin e më të dashurve të tyre.

“Qytetarët e të gjitha etnive dhe besimeve ndjehen në shtëpinë e tyre dhe të lirë për të jetuar, punuar dhe besuar në paqe me fqinjët. Siç edhe thotë Deklarata e Pavarësisë së këtij vendi, Kosova është një vend ‘i përkushtuar për të përballuar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës në një frymë pajtimi dhe faljeje. Të përkushtuar për mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e larmisë së popullit tonë’. Qëllimi ynë i përbashkët është të mbështesim vazhdimisht Kosovën në këtë rrugë”, thuhet në deklaratë.

Edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, në një postim në rrjetet sociale përkujtoi masakrën e Reçakut.

“Përkujtimi i këtyre ngjarjeve të dokumentuara na kujtojnë rëndësinë e paqes, drejtësisë dhe ripajtimit”, shkroi ajo.

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimjes, në jug të Prishtinës. Ata hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre.

Të nesërmen, ish drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat dhe e quajti aktin një masakër dhe krim kundër njerëzimit, të kryer nga forcat serbe.

Masakra e Reçakut në vitin 1999 shënoi fillimin e një fushate të re diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe një muaj më vonë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Në mars të atij viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk u nënshkrua nga Beogradi dhe NATO-ja filloi fushatën 78ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nxiti reagime të ashpra duke e mohuar masakrën e Reçakut.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 20 vjet më pas nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave. zëri i amerikës

VV e publikon ofertën që ia bëri LDKsë – propozohen 14 ministri dhe formulim konsensual për Presidentin

Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka publikuar propozimin e Vetëvendosjes për arritjen e koalicionit me LDK-në e Isa Mustafës, raporton Gazeta Express.

Bislimi ka shkruar në Facebook se në takimin e fundit me ekipin e LDK-së iu është thënë se propozimi i tyre do të dërgohet në Këshill të Përgjithshëm, e për këtë arsye thotë se është e pakuptimtë se në partinë e Isa Mustafës po deklarojnë se ende janë duke pritur për propozime të reja.

“Propozimi ynë i nxjerrë (si kompromisi i katërt brenda të njejtit takim), mbrëmë i është dërguar me shkrim kryetarit Mustafa. Në përpilimin e këtij propozimi,Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për të rritur numrin e ministrive (nga të cilat VV nuk përfiton asesi), vetëm do ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe paszgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12 sosh). Shumica e skenarëve që janë listuar nëpër media gjatë ditës së sotme nuk janë nxjerrë nga propozimi origjinal, por janë më tepër të derivuara nga spekulimet që kanë qarkulluar në vazhdimësi në media”, ka thënë ai.

Ai thotë se ka disa persona në LDK që po vazhdojnë të deklarojnë duke e lënë të nënkuptohet se nuk preferojnë koalicion me Vetëvendosjen.

“Nisur nga fakti se vendi ndodhet para një udhëkryqi jetik që do ta determinojë fuqishëm perspektivën e vendit dhe orientimit drejt ndryshimit vendimtar për të mirë apo zhytjes së mëtejme në krim, korrupsion e mjerim, është shumë me rëndësi që vendimi (rekomandimi) i anëtarëve të KP të LDK-së të jetë reflektim i saktë i pritjeve dhe bindjeve të tyre. Tentimi për imponim të qëndrimeve të tyre përmes deklarimeve të hershme publike të personave të cilët që nga fillimi kanë lënë të kuptojnë se nuk e preferojnë një koalicion me VV, mund të rezultojë tepër i dëmshëm në kontekst të seriozitetit të momentit në të cilin ndodhemi”, thotë ai.

Ai ka publikuar edhe ofertën që Albin Kurti i ka dorëzuar Isa Mustafës ku konfirmohet se LV ka propozuar 14 ministri.

“Në kuadër të bisedimeve tona për formimin e koalicionit qeverisës, në takimin tonë të fundit të mbajtur të enjten, më 9 janar 2020, kam bërë propozimin përfundimtar për marrëveshje ndërmjet dy subjekteve tona. Sipas kërkesës suaj në komunikimin tonë të fundit, po ua dërgoj atë edhe me shkrim:

E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14 sosh, me ç’rast Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. 3 ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV-së.. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, ashtu që Kultura dhe Rinia i bashkangjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkangjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jipen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete”, ka bërë të ditur ai.

Tutje, Bislimi ka konfirmuar se do të bëjnë një formulim të përbashkët edhe për çështjen e presidentit që do të pasojë Hashim Thaçin.

“Bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in. Shpresoj ta pranoni propozimin tonë dhe pa humbur kohë ta formojmë qeverinë e ta zbatojmë programin e harmonizuar qeverisës”, shkruhet në postimin e Bislimit./

Ish-ambasadori Walker: Bota e kupton se Reçaku ka ndodhur

Ish-ambasadori i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), William Walker, i cili po qëndron në Kosovë për 21-vjetorin e masakrës së Reçakut, ka deklaruar se gjenocidi ndaj popullit të fshatit Reçak nuk mund të mohohet nga askush, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të organizuar nga Republikanët e Kosovës (REK) me titull “Reçaku nuk është gënjeshtër”, Walker tha se “nuk jam këtu për të dëshmuar se Reçaku s’është gënjeshtër, ngase gjithë bota e di se aty janë vrarë 45 njerëz nga forcat serbe”.

Walker duke folur për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili e quajti trillim të Walker-it Masakrën e Reçakut, tha se një deklarim i tillë i duket sikur po e dëgjon ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviç.

“Kur njerëzit më pyesin se cili është reagimi im ndaj deklaratës së presidentit Vuçiç, i cili më quajti gënjeshtar duke thënë se Reçaku nuk ka ndodhur, reagimi im është se ‘jam duke i dëgjuar fjalët e Sllobodan Millosheviçit, edhe një herë’. Reçaku ka ndodur, bota ka dëgjuar për të, ajo reagoi dhe tani kemi një shtet të ri të quajtur Republika e Kosovës”, tha Walker.

Ndërkaq, kryetari i REK-ut, Faton Kurti, tha se Vuçiçi duke e mohuar gjenocidin e Serbisë ndaj Kosovës, po rrezikon procesin e bisedimeve, duke punuar për të kundërtën e paqes në rajon.

 

“Nuk mund të ketë dialog mes dy vendeve tona nëse biseda bazohet tek mohimi. Vetëm duke kuptuar, pranuar dhe reflektuar mbi të kaluarën e errët, mund të shtrojmë rrugën për ndërtimin e së ardhmes. Nuk mund të ndërtohet një marrëdhënie reciproke me Serbinë derisa politikanët dhe partitë të cilat janë përgjegjëse të gjenocidit ndaj shqiptarëve, janë ende në pushtet”, tha Kurti.

Ndërkaq presidenti i Partisë Republikane në Serbi, Nikola Sanduloviç, shprehu ngushëllime për viktimat e Masakrës së Raçakut, duke thënë se në Serbi ka njerëz të nderuar të cilët nuk morën pjesë në të.

“Unë dua të flas për mizorinë që ju ndodhi. Unë kurrë nuk do t’ju kërkoj as si njeri dhe as si politikan të falni ose të harroni, sepse është e pamundur. Unë dua të bëj një hap drejt pajtimit për brezat që vijnë”, tha Sanduloviç.

Sanduloviç theksoi se “Serbia duhet të pranojë mëkatet e saj dhe t’i dënojë kriminelët të cilët i kanë bërë dëm”, duke shtuar se “Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë një modul për paqe”.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore-ushtarake, si dhe paramilitare serbe, vranë dhe masakruan 45 civil shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq, gra dhe fëmijë.

Të nesërmen, më 16 janar, Reçakun e vizitoi shefi i atëhershëm i misionit të OSBE-së, ambasadori William Wallker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur, duke deklaruar se “Nga ajo që pashë, ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit”.

Gjykata në Prishtinë më 5 dhjetor të vitit 2019 ka dënuar me 2 vjet burgim ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal nga radhët e serbëve në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq, për shkak se e quajti trillim masakrën e Reçakut. Pas këtij vendimi, në mbrojtje të Todosijeviqit ka dalë presidenti serb, Vuçiç i cili tha se “një gjë e tillë është e fabrikuar nga Walker”.

Sigurimi ishte në dijeni, ç’ndodhi në demonstratën e parë antikomuniste në Shqipëri. Ja 10 personat që u dënuan

Data 14 janar 1990, shënon demonstratën e parë antikomuniste në Shqipëri. Muzeu Kombetar “Shtepia me Gjethe” qe perkujton kete dite shkruan sot se mijëra qytetarë të Shkodrës u mblodhën në qendër të qytetit dhe protestuan në heshtje.

Qëllimi i tyre ishte rrëzimi i bustit të Stalinit. Kjo përpjekje ishte sinjal i veprimeve të tjera antikomuniste. Ngjarja u komentua dhe u përcoll edhe në mediat e huaja si BBC World Service, RAI, VOA – Zëri i Amerikës.

Ky tubim kishte ditë që planifikohej. Iniciatorët kishin njoftuar shumë qytetarë në mënyrë që t’i bashkangjiteshin protestës dhe përmasat e saj të ishin më të mëdha. Lëvizjet e organizatorëve nuk i kishin shpëtuar Sigurimit të Shtetit i cili ishte në dijeni të një tubimi të tillë, duke i konsideruar ata “elementë armiq të frymëzuar nga ngjarjet në vendet e Evropës Lindore”.

Qëndresa e parë antikomuniste u shoqërua me arrestime të disa personave të përfshirë në të. Dhjetë prej tyre:
1- Aldo Perrizi,
2-Dedë Kasenci,
3-Flamur Begu,
4-Gjergj Livadhi,
5-Klaudio Daka,
6-Kolec Hublina,
7-Nikolin Margjini, .
8-Nikolin Thana,
9- Rin Monajka,
10-Tonin Dema,
u dënuan me disa vite burg me akuzën e agjitacion e propagandë, diversion apo moskallëzim krimi.

Fëmijët e të pushkatuarit fitojnë gjyqin: I hiqet emri “Mehmet Shehu” një rruge në Ballsh!

Një gjyq i pazakontë është zhvilluar në Gjykatën Administrative në Vlorë, e cila ka vendosur të pranojë padinë e vëlla e motër, Osman dhe Mirvjen Kaceli, duke hequr emrin ‘Mehmet Shehu’ nga një rrugë në Ballsh. Ata janë fëmijët e Jonuz Kacelit, tregtarit nga Tirana, i cili ndërroi jetë në vitin 1951 nga torturat në hetuesi.

Vendimi për emërtimin e rrugës ishte marrë në 29 maj të vitit 2002 nga Këshilli Bashkiak i Mallakastër, dhe pas një beteje ligjore për dëmshpërblim moral dhe për heqjen e emrit të Mehmet Shehut, vëlla e motër ja kanë dalë të fitojnë. Me një vendim të 21 majit të vitit 2019, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Vlorë ka vendosur të dëmshpërblejë me 300.000 lekë Osman dhe Mirvjen Kaceli, ndërsa pala e paditur ishte Këshilli dhe Bashkia e Mallakastrës.

 

“A nuk e di që ta kanë vra babën?!..”, rrëfimi prekës i djalit të Jonuz Kacelit, ekzekutuar në diktaturë: Si i rriti nëna ime 7 jetimë në internim

Osman Kaceli, djali i madh i Jonuz Kacelit, të ekzekutuar nga regjimi komunist, përshkruan vitin e parë në internim, ku u dërguan të shtatë fëmijët bashkë me nënën e tyre, Mejremen

Nga Osman Kaceli

Ishte nata e 20 shkurtit të vitit 1951. Unë atëherë isha 9 vjeç. Merret me mend që n’atë moshë nuk mund ta kisha lexu Dante Alighieri-n. Por kur e lexova, pashë shumë ngjasime të FERRIT të tij me atë tonin. Po Nona jonë, heroina e këtij shkrimi, çfarë nuk kishte të drejtë të bluante në mendjen e saj?!.. Vetë Dantja i jepte te drejtë në vargjet e famshme:

….që nuk ka dhimbje ma të madhe se

te kujtojsh jetën e lumtun

në vuajtje të skajshme e mjerim.

Në ditët që pasuan arrestimin e Babës, dashamirësit dhe familjarët, siç e don zakoni, pa pushim i kishin qenë pranë. Ato ditë, qarkullonin lajme të ndryshme që, në më të shumtën e rasteve, binin në kundërshtim njani me tjetrin. Megjithatë shpresat ishin të mëdhaja dhe ne të gjithë prisnim lirimin e Babës tonë. Mirëpo të martën më 27 shkurt kur u kthyen plaçkat që Nona ia kishte çu në burgun e ri të Tiranës, vumë re që tenxherja e boshatisun e ushqimit ishte shtrëngu aq shumë me kapakun, sa që e patëm të vështirë ta zgjidhnim. Ai kishte përdor një copë pëlhure të grisun. Nona e njofti menjiherë; ajo ishte gris nga këmisha e trupit që ai kishte vesh atë natë mënxyrëzezë, kur xhelatët i dhunuen folenë e lumturisë së tij familjare. Dukej qartë që ai kishte nji siklet të madh. Shpresat u zbehën; iluzionet filluan të “humbin”. Të enjten me 1 mars bishat u kthyen përsëri, por këtë radhë me lajmin e kobshëm. Nona thuejse nuk i kishte ndigju ata, por nji fjalë i ishte ngulitun në trù. Ashtu e shastisun dhe e trullosun, kishte dalë në oborr duke thirr:-Zotni Hamdi, zotni Hamdi! – i ishte drejtu ajo Hamdi Karazit, që aso kohe banonte në shtëpinë e xhaj Romës. -Ç’do me thonë fjala “ekzekutim”?

Unë nuk e di me saktësi përgjigjen e tij, por veprimi që desh të kryej ajo e shpjegon më së miri gjendjen e rëndueme shpirtnore. Ajo në nji farë mënyre deshi t’i japë fund jetës. Por për fat u gjind moma e Prokop Mimës që me ambëlsinë e fjalës që e karakterizonte i pru koshiencën në vend, duke i kujtù detyrën e madhe që përveç përballimit të dhimbjes, ishte dhe rritja e 7 fëmijëve të saj. Lë të nënkuptohet se këto rreshta që po shkruej, nuk shprehin as edhe nji për qind, atë që ndodhi n’ato çaste që do të shënonin nisjen e atij kalvari të gjatë…..

Aso kohe unë sapo kisha kalu 9 vjeçët. Ishim në pushimin e madh në shkollën “Ismail Qemali” ku ndiqsha klasën e katërt. Ishte rreth orës tre e gjysmë të mbasditës kur më afrohet Nevini –çuni i daj Metit, që në mënyrë qortuese më boni të njoftun ngjarjen:

-Si të bohet me luejt?- m’u drejtù me ashpërsi, e sikur po më zinte në faj. Ato ditë ai do të mbushte 13 vjeç. -A nuk e dì që ta kanë vrà Babën?!..

M’u errën sytë e kështu që nuk mbaj mend se si jam largu nga shkolla e jam gjind tek porta e shtëpisë, në anën e majtë të së cilës ishte xhaj Sadiku që po vendoste në të nji shirit letre ku ishte shkruejt: “NUK PRESIM VIZITA”. Megjithatë, meqë lajmi ishte përhap me shpejtësi rrufeje, si rrugica e quejtun e Kacelve ashtu dhe oborri i shtëpisë së xhaj Romës ku ne banonim që prej 2 vjetesh, ishte plot me njerëz, të cilët me siguri do të më kenë drejtù për në vendin që ndodhej Nona. Nuk më kujtohet se kush i rrinte pranë, vetëm se nuk më hiqet nga sytë e nuk do ta harroj kurrë pamjen e saj. I kishte rà nji hije e randë që të ipte me kuptu se e dinte fare mirë hallin që e kishte zanë. Më vështroi me dashni e me keqardhje por –ndoshta m’u duk mù,-edhe me bindjen që unë do t’i isha pranë gjithmonë. Natyrisht vështrimi im do të ketë qenë aprovues. Që n’atë çast u zotova në heshtje:-Nonës do t’i rrijsha pranë gjithë jetën. Aty pranë me siguri do të ketë qenë gjyshja, që më donte pa masë. Unë kisha emrin e gjyshit, Osman Kaceli.

Të nesërmen në mëngjes, iu drejtova dorë për dore me motrën time të madhe, Verën, zyrave të sigurimit famëkeq. Nè në nji farë mënyre duhej, që në mos revoltë, të paktën ankesë duhej të banim. T’ekzaltuemit sigurimsa-komunistë, përveç lajmit të kobshëm të ekzekutimit të babës tonë, Jonuz Kaceli, e kishin urdhnù Nonën që të mos lëvizte nga shtëpia ajo e bashkë me té edhe të shtatë fëmijët. “Ditën e shtunë,-kishin thanë ato-, do të internoheni në Tropojë”. Ne kërkojshim të na çonin në nji vend ma të afërt, mbasi kishim ndigju që bashkëvuejtësit tanë ishin caktu në Berat, Vlonë, Lushnjë etj.. Ankesa jonë ra në vesh të shurdhër te pothuajse të gjithë, kur ma në fund Vera më mori për dore e më boni të ditun se kriminelët e kishin bò zemrën gur e do t’na internonin në Çorovodë të Skraparit. Ishte e para herë që i ndigjojsha këto dy emna vendesh.

Ndërkohë në shtëpi kishin ba vizitën e tyne edhe nënpunsit e përmbarimit të cilët zbatuen urdhnin tjetër: sekuestrimin e konfiskimin e të gjithë pasunisë së Babës e të Nonës, përveç plaçkave të trupit. Të gjitha këto i mbyllën në nji nga ambientet e shtëpisë dhe përveç drynave, i vunë dhe dyll të kuq me vulën famëkeqe të konfiskimit. Të shtunën, me 3 Mars 1951, në mëngjes rreth orës tetë e gjysmë, u ndigjù të hynte me zhurmë në rrugicë kamioni mbi të cilin do të ngarkoheshim ne të gjithë së bashku me ato pak plaçka. Në disa minuta dhe nën mbikqyrjen e policëve shoqnues u kryen këto veprime. Nuk di se kush kishte mujt me nxjerrë nga vendi ku ishin plaçkat e konfiskueme (ndoshta L. Fezolli që siç u tha nga dikush aty kishte shpreh keqardhje për ne) dy susta e dy krevate të vegjël portative, që iu shtuan atyne pak gjanave që ishin ngarku. Bashkë me ne po vinte me jetu në internim gjyshja Zyhra, e xhaj Liu, vëllai i madh i Babës, që ishte lirù nga burgu pak kohë më parë. Ai u leju vetëm për të na shoqnu deri në Skrapar. Kur hipëm të gjithë, e kamioni po bante manovrën e daljes nga rrugica, vuna ré xhaj Sadikun që na u drejtonte me fjalët: -Gajret e Sabër, kuptimin e të cilave e mora vesh ma vonë: -Forcë e Durim. Asgjë tjetër nuk mbaj mend. As nuk përfytyroj njeri. Xhaj Roma ishte akoma i burgos dhe sigurisht nuk më shkonte mendja me e kërku në grumbullin e madh që kisha para syve. Nondaja, Haxhire Katroshi (Tagani) e gjyshi Salih Efendi Tagani me siguri kanë qenë.

Ma në fund, kamioni u nis, por për çudinë tonë për të ndalu përsëri pa dalë te kryet e rrugës së Pishës. Së bashku me ne do të udhëtonin edhe dy familje të tjera, ato ishin familjarët e zotërinjve të nderuar, Manush Peshkëpia e Reis Selfo, qe kishin pësuar të njëjtën humbje. Nuk më kujtohet në ç’rrugë, në kamionin në fjalë u ngarkuen edhe familjarët e të ndjerit, Anton Delhysa, me ato pak plaçka. Kamioni ndërkohë filloi lëvizjen dhe më pas u turr me uturimë në drejtim të rrugës së Durrësit. Bante të ftohtë acar. Ne të gjithë ishim të strukun nëpër boshlliqet që lejshin plaçkat e ngarkueme në kamion. Mundohej gjithsekush të mbulohej me diçka, për t’evitu në një farë mase këtë të ftohtë…kur papritmas filloi nji shi që nuk na la plaçkë të trupit pa lag. Në afërsi të Lushnjës pushoi pak, për të ndalu fare, kur mbërritëm në atë qytet. Këtu zbritën familjarët e të ndjerit z. Reis Selfo. Ne të tjerët vazhduem. Ndërsa arritëm ne Berat, po binte muzgu. Aty do të ndalej familja e të ndjerit, z. Manush Peshkëpia dhe ajo e të ndjerit, Anton Delhysa. Kur ne mbetëm vetëm morëm vesh se nuk mund të udhëtonim mò me atë kamion, mbasi rruga ishte e ngushtë dhe u bò tepër vonë. E meqë në policinë e qytetit nuk kishin vend me na lanë, kishin vendos me na shkarku bashkë me plaçkat në hanin me të njejtin emër me vendin që do të qëndrojshim të internu. Quhesh “HAN SKRAPARI”. Ishte e shtunë, ditë pazari. Hani ishte jashtëzakonisht i pisët e plot me morra, pleshta e çimka. Kushedi sa të vështirë do ta ketë pas e mjera Nona jonë. Ajo ishte shumë meraklie nga të gjitha pikëpamjet.

Të hanën në mëngjes herët filluem t’i ngarkojmë plaçkat në kamionin që quhesh “Posta” e Çorovodës, natyrisht duke hyp dhe ne vetë. Ky ishte nji kamjon i vogël, për fat i mbuluem, që bante 3-4 herë në javë rrugën Berat-Çorovodë-Berat dhe shërbente për trasportin e postës dhe të udhëtarëve. Nga dreka mbërritëm në vendin e caktuem për né, në ate qendër të vogël të banueme. Ne na vendosën në nji ndërtesë të vjetër që shërbente si depo xhamash e vjetërsinash të policisë. Mbasi spostuem disa syresh dhe gocat –Vera, Berina e Drita- banë aq sa mundën nji farë pastrimi në atë pak hapsinë të lirueme, vendosëm të dy sustat dhe mbi tò plaçkat e tjera. Mbas pak, xhaj Liu që kishte qenë duke sistemù edhe problemin e dokumenteve në policì u kthy, e, për çudinë tonë, së bashku me nji burrë tjetër- që menjëherë e me nji farë kënaqësie na e paraqiti si mikun e vet. Ky ishte zoti Pjetri. Këtë zotni, Pjetër Dedën, për tridhjetë muej rresht do ta kishim gjithmonë pranë.

Bante shumë ftohtë. Nona sajoi nji si furrnelë, e me ca copa qymyri që i gjetëm në grumbullin e hinit ku si dukej zbraznin mangallat policët e burgut, ndezi nji zjarr që na shërbeu për me u ngrof pak, por më duket se po aty na gatoi diçka për me hangër. Dalëngadalë po afrohej mbromja, kur vuna ré që po vinte z. Pjetër. Në dorë kishte nji gavetë të vjetër të cilën e kishte të mbushun përgjysëm me çorbën që siç na tha ai, e kishte për racionin e darkës. Me xhentilesën që e karakterizonte, na ofroi dhe neve atë, por natyrisht që të paktën për atë mbramje, ne nuk deshëm. Pas pak na përshëndeti dhe shkoi në “dhomën” e tij tek mullini.

Ndërkaq kuptohet që ra nata dhe nuk mbetesh gja tjetër veçse me u pregatit me flejtë. U sistemuem në nji farë mënyre. Meret me mend që shtresat e mbulesat që na kishin leju me marrë ishin të ftohta, por të paktën ishin të pastra, kështu që me ngrohtësinë që u kriju nga ky grumbull njerëzish, do të kem gjet nji si lloj rehati e kështu do të më ketë zanë gjumi menjiherë…

Në të gdhirë të gjithë rrijshim pa lëviz nga shtrati e rrallë duke nxjerrë ndonji fjalë. Si Nona ashtu dhe Kanna i kishin sytë e përlotun e mundoheshin t’ia mshihnin njana-tjetrës. E para u ngrejtë Vera. Ajo na kujtoi atë që kishin thanë të djeshmen në polici. Ne nuk do ta kishim ushqimin të garantu si z. Pjetri, duhet ta siguronim vetë atë. Pra Vera e Berina përkatësisht 16 vjeç e gjysmë e 15 vjeç do të punonin bashkë me Nonën në ndërtim, Drita dhe unë do të vazhdojshim shkollën; Miri 6-vjeçar, me Laskën e Dhurin, binjaket 3- vjeçare do të rrijshin me Kannën në atë që duhet ta quejmë banesën tonë.

..Nanë Kanna 76 vjeçare ishte një zonjë e madhe e me personalitet të veçantë. Ishte e dashtun sa s’bohet. Buzëqeshja e saj ishte e gjallë, e natyrshme, e për mënyrën që ne ishim rrit, e domosdoshme, në këto momente të vështira. Kishte provu edhe dhimbje të tjera e shkreta gjyshe. Kishte pa vdekjen e vllait të vetëm, ate të burrit, e për ma tepër atë të djalit të saj Xhaj Ismailit, që u ndà nga jeta në moshën tridheteshtat-tetvjeçare, pa lanë së paku nji fëmijë për trashëgim. Pra asaj i lejohej edhe të qante me zà, për ç’ka i kishte rà me provù deri atëherë. Por kjo që i ngjau së fundi qe për tè mo e randa. Humbjen e Babës e kishte ndì thellë në shpirt. “-Kjo e Nuzit ma dogji e ma pervëloi shpirtin”-persëriste ajo herë pas here kur qante e mallëngjehej. –Vdekjen të gjithë e kemi hak por në mënyrën e natyrshme e si do Zoti i madh! Lotët i rridhnin çurk e pa pushim dhe shamija e dorës, mindili, siç i thonte ajo, i rrinte gjithmonë qullë, sadoqë Nona ia lante e thante vazhdimisht. E sërishmi ajo prapë na trasmetonte shpresë e besim. Me ne në internim mbeti plot 9 muej ajo. Kushtet skajshmërisht të vështira ja keqësuen më tej shëndetin. E pra xhaj Liu vendosi me e morë me vete, mbas njanës nga vizitat e shumta që na ka bo pa ndërpreje gjatë gjithë periudhës së internimit. Ne e ndjemë shumë mungesën, e sidomos Nona e cila gjente kurdoherë bekimet e saj. Ato të dyja kishin marrëdhanie shembullore dhe e stimojshin reciprokisht njana-tjetrën.

Nona megjithatë e përballoi si burrneshë. Megjithëse nuk ishim të rrethu me tela me gjemba, ne ishim krejtësisht të izoluem nga të gjitha pikëpamjet. Kështu e kalonte jetën Nona. Ishte një pastërtore e madhe dhe gjithçka shkëlqente kur binte në dorën e saj. Na shërbente me nji devocion të veçantë. Kujdesohej për rritjen e shëndetshme sidomos të Laskës e Dhurit që ishin fare të vogla. Me nji kujdes të jashtëzakonshëm, në mungesën e plotë të barnave dhe të medikamenteve mjekësore, ajo mjekoi dhe kuroi dy vogëlushet 3 vjeç e gjysmë, nga sëmundja e “flamës së pulave”, që thuejse i la të verbra. Ajo gjithashtu kujdesej veçanërisht për Mirin 6-vjeçar, që kishte pësu tronditjen e thellë, pa lanë mbas dore kujdesin për ne ma të rritunit. E dinte mirë Nona lodhjen e madhe të Verës e Berinës në punët e randa të krahut ku punojshin ato, se i kishte provù vetë e shkreta. Ajo punoi për pesë-gjashtë muej së bashku me tò për deri sa u këput në mes nga nji spondelio-artrozë e randë e shtyllës së kurrizit. Megjithë dhimbjet që ka kjo sëmundje, fare nuk u ankonte e shkreta Nona jonë. U desh ndërhyrja e guximshme e nji mjeku të zot e mjaft humanitar, me e shpëtù atë nga puna e detyrueshme dhe me i lehtësù dhimbjet me disa inxheksione. Quhej Ihsan Cabej ky njeri i mrekullueshëm që do t’na u gjindte e ndihmonte edhe në shumë raste të ngjashme e jo. Nona pra nuk shkonte mo në punë, e gjithë kohën bante gjithçka të nevojshme per jetesën ose mbijetesën e përditëshme. Pastrim e higjenë si kusht kryesor për ruejtjen e shëndetit si ajo dinte, por edhe si porositte Baba çdo ditë në të gjallë të tij. E theksova higjenën sepse jam i sigurtë që edhe lexuesit ma t’vëmendshëm ende nuk i ka shku në mend të pyesi, se ku e në ç’mënyrë, (këtë radhë nuk kam ndërmend ta tregoj nji gja të tillë) ne kryenim nevojat personale. Për punë të tjera si gatimin, arnimin e rrobave të punës të gocave (kjo punë “i ha rrobet me dhambë” përsëriste Nona, herë mbas here), e gjithçka tjetër ajo i quante e i kryente si art më vete. Kështu që Verës e Berinës mundohej t’ia bante sa ma të rehatshëm ambientin ku ishim të detyru me jetu. Po kështu për mù e për Dritën, kur na pregatiste për shkollë çdo mëngjes. Për fat ne të dyve na ishte njoft e drejta e shkollës. Ndërsa më vonë kur Drita e mbaroi atë shtatëvjeçare që në vitin e parë të internimit, ne me ndihmën e z.Pjetri, i drejtuem nji lutje policisë, që ajo të vazhdonte të mesmen në Tiranë pranë të afërmve. (Skrapari nuk kishte shkollë të tillë!…) Lutja u refuzu thuejse pa u shqyrtu fare. Asaj që nga ai moment i rà për detyrë furnizimi i shtëpise me ujë e me dru. Deri n’ate kohë mo i privilegjiumi mbeta unë.

Detyra ime e vetme ishte mësimi në shkollë. Kam qenë shumë i vogël me trup e kështu mbeta nji kohë mjaft të gjatë. Nuk e di çfarë fenomeni asht e as si shpjegohet, por unë në koshiencën time e kam quejt veten shumë ma të madh se sa isha në të vërtetë, pa pas aftësinë me ia bà të qartë të tjerëve. Më duket se Nona e kuptonte këte tendencë, që unë gjithë jetën jam përpjek ta manifestoj me veprime pozitive. E pra megjithëse nuk ishin detyra për mù, jam mundu ta ndihmoj Nonën e nëpërmjet saj edhe motrat në të gjitha drejtimet. Kam mbajtë ujë që e merrshim nga nji përru që rridhte rrëmbyeshëm dy-treqind metra afër nesh, kam pre dru në pyll dhe i kam mbajtë në shpinë së bashku me Dritën. Në shkollë rezultatet i kam pas shumë të mira, gjà që e kënaqte Nonën e të tjerët. Mësuesi i fillores Polizoi Gjika, e më vonë ato të shtatëvjeçares, Selim Gjeli, Mustafa Janina, Niazi Petrela, Liri Mehqemeja e Parashqevi Sahatçi, ia bojshin me dijtë asaj këto rezultate, me dashamirësi e me sigurinë që Nonës do t’i pëlqente. Unë personalisht kisha kënaqësi të madhe që kisha këto mësues të mrekullueshëm. Natyrisht pak përgatitje më duhesh, por jo shumë.

E kështu kalonin ditët, e pikërisht mbas pak më shumë se nji viti në internim, pati nji ndryshim si të thuejsh të konsiderueshëm sasior përsa i përket numrit të internuemve. Aty pra, rreth datës 15 Mars të vitit 1952, erdhën disa të internuem të kampit famëkeq të Tepelenës, që u instaluen në Skrapar. Ishin 57 burra, që si rezultuen ma vonë, ishin në ma të shumtën, njani ma i mirë se tjetri. Por ndër emnat që kam në mend, ma i shquemi për mu ishte prifti katolik, Dom Nikollë Mazrreku. Me siguri e them që, unë, pa e kuptu, jam mundu, që në vija të përgjithshme t’i ngjaj atij. Që në fillim, ai na u afru shumë dhe e manifestoi qartë si simpatinë e tij drejt nesh, ashtu dhe keqardhjen e skajshme për ngjarjen tragjike që i kishte ndodh Babës tonë e familjes së tij. Ai si prift nga nji anë, por dhe si njeri shumë i kulturuem, pozitiv e optimist nga ana tjetër, ka ba çmos që të na e lehtësojë atë dhimbje të madhe që na kishin shkaktu kriminelët komunistë, me sjelljet e tyne arrogante e barbare. E sidomos për Alaskën e Dhurin kishte dashni të veçantë, e shpesh i kallxonte prralla e historina shumë të bukura. Përveç asaj që mundohej t’u sajonte lloj-lloj lojnash me ato mjete rrethanore që kishte në dispozicion. Pra ishte dhe një mjeshtër artizan i shkëlqyeshëm. Përveç tij erdhën në Çorovodë, Fatbardh Kupi, Valentin Pervizi, etj., etj. Por ai që mbeti jo vetëm në kujtesën tonë, ishte Gjovalin Vasija.

Ai ishte një djalë i ri rreth 20-vjeçar, e që demonstronte nji gjallni e shkathtësi të veçantë. Kishte nji natyrë gazmore dhe që në pamjen e parë ta jepte përshtypjen e njeriut që e ka dhuntì humorin. Rasti e dha që ai të hyjë nji herë e përgjithmonë në jetën tonë…Ndërmjet tij e Berinës lindi nji idil dashunie që mbeti i tillë edhe sot e kësaj dite. Unë këte gja e mora vesh rastësisht kur ndigjova nji bisedë ndërmjet Nonës e Berinës, në të cilën, kjo e fundit po i shpjegonte Nonës, me fjalë shumë të përmallshme, për ç’ka po ngjiste në jetën e saj. E ndërsa ajo fliste, mundohej t’i mbushte mendjen Nonës, që ta ndihmonte në ndonji farë mënyre apo si me thanë të jepte nji farë pëlqimi. Ndërsa fliste ajo i kishte sytë të përlotuem edhe zanin të butë e lutës. Nuk e ndigjova se çfar’ i tha Nona, por vetëm se e pashë që e afroi dhe e përkëdheli me ngrohtësi.

Po afronte shtatori i 1951-shit. Unë kalojsha në të pestën, ndërsa Miri do t’fillonte klasën e parë. Mirëpo ai s’po na kishte as qejf as dëshirë. Donte të rrinte gjithmonë afër Nonës dhe si i thonë “s’kishte sy për qabe”. Trishtimi i asaj nate të 20 shkurtit kishte bò efektin e vet. Për fat iu afru shumë ish-mësuesi im Polizoi, që e tregoi veten edhe këtë radhë se ç’njeri i sjellshëm e bujar ishte. Ai e boni Mirin që jo vetëm të shkojë, por edhe të mësojë ma mirë se të tjerët. Edhe nji ndodhi tjetër ato ditë. Kur erdhi Xhaj Liu, veç gjanave ushqimore që na sillte zakonisht si makarona, vaj, sheqer,etj.,pru dhe një paketë të mbyllun, që menjëherë e nxiti kureshtjen tonë.

–Gëzimi ishte në Moskë- na shpjegoi ai, ndërsa po hapte atë.—Atje kishte taku mikun e Nuzit, Tuk Jakovën– vazhdoi, duke u mundu me përmbajt’ emocionet e veta pa ia dalë të ndalonte ngashërimet e Nonës e të Kannës, që qanin me zò të ulët. Ndërkaq paketa u hap dhe ne u gëzuem shumë per sendet që e përbonin. Aty ishin nji palë tuta, nji palë çizme gome të zeza me push përmbrenda, nji top i bukur llastiku, karamele, e ndonjë gjo tjetër që s’me bì ndërmend.–Tuku-filloi të fliste përsëri xhaja –i kishte shpreh Gëzimit keqardhjen e tij të thellë, për fatkeqsinë e madhe, duke i shpreh konsideratat e tij me të nalta për babën tuej. Ai kishte ndigju edhe për trishtimin e Mirit ne çastin e arrestimit të tij, e bashkë me të, i kishte ble këto gjona në nji dyqan të Moskës. “Nji gjo e vogël për djalin”, kishte thanë ai ndërsa, Gëzimi e kishte falenderu.

Unë me Mirin ndërkohë kishim dalë në nji shesh të vogël aty pranë dhe filluem të luejmë me topin e bukur duke ngjall kërshërinë e disa fëmijëve vendës që na shifnin nga larg. Miri bile veshi menjiherë çizmet, e kështu kjo ngjarje u bo nji motiv plus për me shku në shkollë ma me dëshirë. Xhaj Liu pru gjithashtu për Verën e Berinën 2-3 palë opinga gome nga ato që u shisnin te reciproku, nja dy xhakovente doku për punë etj..

Kujtoj nji nga ditët që kishim pushim në shkollë. Vendosa të shkoj me i pa e me i ndihmu motrat. Të shkretat po nxirrnin nga lumi Vlushë, gurë të mëdhenj, që duhet t’i grumbullonin ne stiva me gjansi e naltësi 1 metër, në mënyrë që gjatsia të përcaktonte direkt volumin në metra kub. Norma ishte shumë e madhe. Fillova t’i ndihmoj. Unë me Verën nxirrshim gurët nga lumi në breg. Berina i thyente me varé dhe i stivonte. Gurët ishin të limuem prej fërkimit me njeni-tjetrin. Mezi i kapsha me durët mjaft të vogla dhe shpesh më rrëshqitshin. Vlusha ishte nji perrù i rrëmbyeshem që vërshonte nga mali i Tomorricës. Uji i ftoftë brisk, mbas nja 2 orësh kishte bo efektin në kambët e mija.  Ishin mbush me flluska të të njëjtit lloj si ato që formohen nga djegia. Unë i pashë, po nuk desha ta boj veten. Meqë me shqetësonin, natyrisht do të kem dhanë ndonjë shenjë, se të dyja ato filluen të më bojnë thirrje që të lejsha punën se isha lodh. Por kur panë flluskat u preokupuen shumë dhe menjëherë më tërhoqën ne breg dhe me shamijat e tyne të kokës me mblodhën kombët për të m’i thà e ngrof sadopak. Afronte pushimi i drekës, e kryepuntori, u dha leje që të më shoqnonin në shtëpi. Ia shpjeguen Nonës, e cila më mori në dorë e si me thonë më boni derman. E kam harru sa kohë u desh për me e kalu kte shqetësim, por nuk do t’harroj kurrë se sa lodheshin ato të shkreta motra në atë punë të mundimshme. Për fat kur filloi të ndërtohet nji hotel i ri me tetë dhoma në dy kate, duhesh një lloj guri tjetër, që e bijshin nga gurorja. Ato filluen të punojnë në ndërtim ku puna ishte e rondë, por të paktën nuk kishte efektin e lagshtinës si rezultat i së cilës iu saju Nonës spondelio-artroza, e Berinës, i shkaktonte dhimbje të vazhdueshme shpine nga reumatizma, e lodhja e madhe.

Ditët e muejët kalonin. E ja, në nandor na ndrruen banesën. Me që erdhi nji makinë me xhama, na detyruen ta lirojmë atë e t’i ngrejmë ato pak plaçka, për t’u strehu në nji kthinë që ishte ngjitun me burgun. Ajo kishte shërby për stallë derrash që polictë e kishin si ekonomi ndihmëse. Merret me mend se çfarë pune iu desh Nonës me e pastru dhe me e ly me gëlqere të ashtquejtunënbanesë të re. Gëlqeren e gjeta unë në nji gropë që shërbente për shuemjen e saj e që ishte në afërsi të lumit. Natyrisht u desh ndihma e gocave që të përfundonte pastrimi e sistemimi i plaçkave. Natën e parë thuejse nuk flejtëm fare. Ca lagshtina e ca era e derrave luejtën rolin në këtë drejtim. Sidoqoftë u mësuem shpejt me gjendjen e re.

Ndërkaq me 6 nandor unë mbusha 10 vjeç, e Nona na pregatiti diçka për me e “festu”. Erdhi dhe Z. Pjetri, i cili bile më dha racionin e tij të makaronave peshqesh. Mbas tre ditësh ishte ditëlindja e Mirit. Për fat atë ditë erdhi teze Bakushi me Shyqyriun, e kështu u shtru në sofër diçka ma tepër se zakonisht. Tezja nuk i besonte syve për çfarë shifte. Ma se nji herë qau e shkreta teze kur e pa se ku ishim të detyru me ngrys ditët ne fëmjtë e Jonuz Kacelit, ish-kunatit të saj. Tezja ndejti vetëm tre ditë, por për ne qe nji gzim i madh.