(Përsiatje – refleksione, ndërlidhje tekstuale me poetiken e “Drama e Zogjve” të Aleksandër Peçi)
(…krahë kuartash, vallë janë krahë zogjsh apo njerëzish, që copëtohen nga Zeusecët lart në rëmbimthin e fluturimit drejt regjistrave të ferrit dantesk… / përplasje, tension, ngjitje në lartësi të mprehta, zbritje në thellësi, një fluturim i stërmundimshëm… / por kur trasta me ushqim mbaroi, dhe kishin ende fluturim për të bërë, njeriu për ta ushqyer shqiponjën filloi të presë mish nga trupi i tij, derisa tek Botëndrra njeriu dhe shqiponja mbërritën si skelete / botëndrra është larg, shumë larg. Kabaizmi dhe muzika kabaistike e sjell më pranë nesh, më pranë shpirtit…)
***
Është diç si privilegj nëse për një kompozim të caktuar muzikor ndjehemi të kapur “për dore” nga vetë kompozitori, tashmë nëpërmjet ndihmës autoriale, nëpërmjet introduksionit, nëpërmjet guidës profesionale… dhe që na udhëheq përgjatë shtegut të përjetimit.
Pasi që, kuptohet, gjuhën e zogjve në pyll, para se ta kuptojnë të tjerët, aty për aty e kuptojnë vetë zogjtë Diç e natyrshme dhe afërmendsh, gjuhën e zogjve më së miri e kuptojnë zogjtë. Pra, sa për zogjtë, kur është fjala për komunikimin poetik-muzikal, atyre s’iu duhen fare “guidat”.
Në rastin tim, introja e z. Peçi, për “Sonata Nr. 1 për piano – Drama e Zogjve” më bëri të vetëdijshëm që pa “guidën”, vetëm duke “lexuar” me veshët… për disa nuanca do ngelesha më i varfër. Sigurisht, nuk ma mohon kush pafajsinë, por desha të them që pa “guidën” sikur shumçka do më shmangej e humbej diku prapa veshëve, as pa qenë i vetëdijshëm. Sepse edhe tingujt “fluturojnë” e na ikin. Ose na anashkalojnë, ndoshta sepse disa gjëra vijnë në jetë sipas ligjeve të caktuara, sipas parakushteve të caktuara të cilat pritet nga ne t’i kemi bërë gati.
[ Zhurma si “muzikë”, dhe muzika si “zhurmë” ]
Varësisht nga sa i kuptojmë disa segmente “brenda” muzikës (apo sa nuk i kuptojmë), këtë mangësi zakonisht e konsiderojmë si jopërgatituri, si deficit personal, si mosinteres, si mospërputhje shijesh etj. etj. Rrallë, tepër rrallë i “akuzojmë” vetë muzikat. Zakonisht i flasim vetes dhe i sjellim në mendje shijet tona, gjërat që na pëlqejnë, ndonjëherë ato që s’na pëlqejnë, mendojmë për “disponimin”, për muzikalitetin e veshëve e të zemrave… Por duke i lënë muzikat “rehat”, duke e marrë gjithë “fajin” për vete sa i përket shijeve, preferencave etj.
Muzikat na vijnë të këndshme, i përjetojmë si diç e këndshme, dhe as nuk i definojmë kurrë si “zhurmë”. Por athua vallë pse nuk i përjetojmë si “zhurmë”?
Mos ndoshta sepse të këndshme – dhe kaq na mjafton. Apo ndoshta thjesht sepse na e ofrojnë njëfarëlloj “qartësie”. Ndoshta pavetëdijshëm, muzikat gjithmonë i marrim, i përjetojmë si qartësi tingujsh.
Nga ana tjetër, jo gjithçka që dëgjojmë, ashtu tek vibrojnë membranat e veshëve tanë, medoemos është, ose duhet të jetë “qartësi”, dmth. s’do jetë as muzikë.
Nëse jo, atëherë pse jo? Mos vallë të jetë kompleksiteti ai që shkakton “paqartësinë”, dhe tutje gjërat na vijnë si “zhurmë”? Apo thjesht është joharmonia e tingujve? Apo ndoshta diç e tretë, diç e katërt… apo të gjitha së bashku, apo ndoshta dhe fare diç tjetër? Unë vetë nuk e kam idenë.
Sa për vete, që nga kur di për veten, dëgjoj vetëm gjëra që më pëlqejnë. Meqë ra fjala, mund t’më duken të këndshme dhe ato “hoooi-aaaa-hooootë” e apaçëve tek hedhin valle ashtu të përhumbur a në “trans”, rreth e rrotull zjarrit. Se ç’kanë diç të ngrohtë, diç mistike… përherë më ngjallet buzëqeshja kur i dëgjoj. Them buzëqeshje sepse nuk i kuptoj, e megjithatë sikur e kanë një lloj “qartësie”, sikur e ndiej njëfarë qartësie, anise dmth. pa kuptuar asgjë. Pra thjesht sa për ta përmendur ndonjë shembull bazik.
Por shmangem dhe rri sa më larg zhurmave, prapë meqë ra fjala, ta zëmë të aso grupeve ekstreme si “heavy metal” e të ngjashme.
Vallë e si nuk qenka “zhurmë” një përzierje e tingujve të egër metali, e quajtur “thrash”, “death metal”, “grindcore” (për disa gjëra shqipja sikur është aq e “prapangelur” : ) Si mund të shkohet aq larg sa të pohojnë se “zhurmat” e tilla qenkan ose na paskan stil unik? Atëherë sikur detyrohemi te pyesim vallë ç’na qenka vetë “stili”? Tutje, si mund të jenë këngë kur tekstet e tyre flasin përherë për vrasës serik, pastaj për vrasës në masë, për dhunime, për gjëra jashtëzakonisht banale… dhe ku gjithçka përshkohet me humorin më të sëmurë që ekziston mbi rruzullin?!
Por ja që, sipas fansave zhurma e tyre është muzikë e përtej muzikës. Nëse zhurma e tyre është muzikë për fansat, atëherë pse vallë nuk është dhe për mua?!
Pakëz e çuditshme, i kuptoj tekstet dhe muzikat e “metalistëve” pothuaj plotësisht, e megjithatë më vijnë ose i përjetoj si zhurmë! Apaçët nuk i kuptoj asfare, e megjithatë ma ngjallin buzëqeshjen dhe mund të kënaqem me këngëtimin e tyre!
[ Ndihma për ta “kuptuar” zhurmën… ]
Le të largohemi për pak… larg muzikave. Le t’i harrojmë zogjtë e pyllit e cicërimat e ëmbla, le t’i lëmë anash ariet e meloditë, të gjitha gjërat e këndshme muzikale. Le të flasim për vrazhdësinë e ndonjë diçkaje që e regjistrojnë veshët tanë.
Ndonjë mokër mulliri, ashtu me monotoninë e vet, fare lehtë do t’na vënte në gjumë si ninulat e ëmbla, meqë në vazhdimsinë e saj ritmika sikur fillon e ëmbëlsohet për veshin. Tjetër, nëse t’i pyesnim bretkocat, sa u përket koncerteve të bujshme moçalike – sipas tyre, ato fare nuk bëjnë “zhurmë”. Po t’i pyesnim gjinkallat e fushës, ndoshta njëjtë do na përgjigjeshin. As bretkocat as gjinkallat s’do ta pranonin që këngëtimi i tyre, le që është bezdisje, kakofoni e pashije por dhe zhurmë.
Ndërsa ne, për fat të keq s’kemi si ta definojmë ndryshe pasionin e tyre koncertal… përveç si zhurmë. Hm, duke bërë kështu, mos vallë dhe hyjmë në “hak” të lloj-lloj krijesave, si muzikante të pakontestueshme që na qenkan? Mirëpo, s’kemi si ta dimë.
Se faktori i relativitetit ka rëndësi, kjo qëndron, por sa më shumë “paqartësi”, ndoshta pikërisht atëherë kemi prirjen t’i përjetojmë si “zhurmë”. Mirë, në rregull, por ç’na qenka vetë zhurma? Si t’i definojmë pra zhurmat, qoftë dhe teknikisht, me gjuhën më të “ftohtë”.
Fjalori prestigjioz “merriam-webster” sa i përket “zhurmës” për botën anglishtfolëse i ofron sqarimet si vijon:
1) diç e zëshme, e hutuar (përhumbur), ose thirrje e pakuptimtë dhe pa ndjenjë, klithmë
2)
a – zëri; sidomos i tillë që i mungon cilësia e pranueshme muzikore apo që është dukshëm i pakëndshëm
b – çdo tingull që është i padëshiruar ose që ndërhyn në dëgjimin e dikujt për diçka
c – sinjal i padëshiruar ose një çrregullim shqetësues (si diç statike ose si një variant i tensionit) i një pajisjeje elektronike apo instrumenti (psh. radio ose televizioni)
d – rrezatim elektromagnetik (si valë drite apo si radio-valë të lehta) që është i përbërë nga disa frekuenca dhe që përfshin ndryshimet e rastit në frekuencën ose në amplituden
e – info, të dhënat e parëndësishme ose të pakuptimta, apo emitim që ndodhë së bashku me informacionin e dëshiruar
3) të folurit e zakonshëm: thashetheme; në veçanti: shpifjet, përgojimet
4) diç që tërheq vëmendjen
5) diç e folur ose e shprehur
6) një stil i muzikës rock që është shumë i zëshëm, shpesh i vrazhdë, dhe zakonisht e përdor zhurmën elektronike (si prapaveprim)
Ndërsa fjalori shpjegues i shqipes së sotme “zhurmën” na e sqaron si vijon:
1) Zëra e tinguj të çrregullt e të përzier, zakonisht kur përplasen a fërkohen sende njëri me tjetrin, kur punon një makinë ose një mjet tjetër, kur pëlcet diçka, kur lëviz, shtypet a thyhet ndonjë gjë etj.; krismë, rrapëllimë. Zhurmë shurdhuese. Zhurmë e lehtë (e mbytur). Zhurmë hapash. Zhurma e erës. Zhurma e aeroplanit
(e traktorit, e makinës, e rrotave të trenit). Zhurmat e pyllit. Zhurma e ujit (e përroit, e detit). Zhurma e lopatave. Zhurma e armëve. Bën zhurmë. Ra (u shemb, u përplas) me zhurmë. Hyri (u ngjit) pa zhurmë. Pushoi (u pre) zhurma. Nuk dëgjohej asnjë zhurmë.
2) Britma e thirrje njerëzish që grinden ose që flasin njëkohësisht, zëra të ndryshëm të përzier e të çrregullt që të vrasin veshin, potere. Zhurma e nxënësve në klasë. Zhurma e dasmorëve. Ka shumë zhurmë. Mos bëni zhurmë! Pa zhurmë!
3) spec. Tinguj të çrregullt që lëshohen nga aparate të posaçme për të penguar dëgjimin e radios etj.; tingëllim i çrregullt e jo i qartë i zërit që del nga një radio a nga një aparat tjetër. Zhurma e aparatit radiomarrës. Zhurmat e zhurmuesit.
Zhurma e radios (e stacionit).
4) mjek. Tingull që nuk shfaqet me tone të qarta. Ka zhurmë në zemër.
5) keq. Diskutim i madh e i fryrë, që bëhet qëllimisht në shtyp etj. rreth një njeriu, një vepre a një çështjeje për të tërhequr vëmendjen e njerëzve, për të mashtruar, për t’u dukur etj.; bujë. Zhurmë demagogjike. Zhurma e propagandës borgjeze (revizioniste). Prirje për bujë e për zhurmë. Pa zhurmë e pa bujë. Bën shumë zhurmë. E shpallën me zhurmë.
[ Turbullirat dhe pafajsia e audiencës ]
Sidoqoftë, kuptohet duke mbetur mirënjohës për ndihmën e dy fjalorëve, ndoshta zhurmat s’janë asgjë tjetër por diç si “turbullira” tingujsh. Them turbullira… sepse si të tilla s’na flasin gjë. Turbullirat s’kanë transparencë (përndryshe dhe s’do quheshin ashtu – na e thotë logjika). Megjithatë koncertalja e bretkocave është zero në krahasim me ndonjë shembull më ekstrem, ta zëmë me “muzikën” avionëve. Këtu, e kisha në mendje zbutjen e “decibelazhit”, teorikisht – aq sa gjithçka të ishte e durueshme për veshët tanë. Nëse jo tani turbullirë e tmerrshme, padyshim do ishte një “turbullirë” e jashtëzakonshme. S’marrim “vesh” gjë nga muzika motorike, absolutisht. Mbase veshët tanë janë tepër të vegjël për të procesuar turbullira aq të dendura.
Le të supozojmë se veshët tanë e kanë fuqinë e tillë analitike – nëse të hidhej në kartë secili instrument i “orkestrës” motorike, secili dhëmbëzor, secila fletë turbine, pra duke e shtrirë për së gjeri e për së gjati gjithë gamën e valëve sonike, padyshim do ta kishim të qartë edhe “muzikën” e tyre marramendëse.
Shkurt, çfarë po doja të them është: ndoshta sa më shumë qartësi, dhe vetë “zhurma” (cilado zhurmë) do na kthehej në muzikë. Nëse nuk e kapim kthjelltësinë, nëse nuk e përjetojmë transparencën sikur shumë gjëra ikin e treten diku, paçka se nuk e kemi idenë. Pa qartësinë e “zhurmës” shumçka e harmonisë tingullore do na shmangej diku prapa veshëve tanë, pa qenë fare të vetëdijshëm.
Pse i rendita gjithë këto gjëra?
Sepse, lidhur me “pafajsinë” time, m’u kujtua pafajsia e audiencës londoneze lidhur me dramat shekspiriane, e përshkruar shkurtazi nga kritiku i mirënjohur letrar, Northrop Frye.
Pa “guidën” e z. Peçi sikur do m’ishte shmangur pjesa dërrmuese e materies poetike. Ngjashëm siç humbisnin sipri kokave të audiencës londoneze metaforat shekspiriane. Punëtorët, shtresat e varfëra që s’kishin patur fatin apo mundësinë për studime, i përcillnin shfaqjet po ashtu (me bileta më të lira, shpesh dhe falas). Dhe atyre, duke mos e patur fuqinë “analitike” e përgatiturinë për t’i kapur finesat shekspiriane, padyshim shumçka u përvidhej mbi kokat, pa i kuptuar. Ndersa, kuptohet, ata kënaqeshin dhe me aq sa “kapnin”. Shfaqjet teatrale të asaj kohe, e sidomos perlat dramaturgjike të Shekspirit, ishin mjaft të ngjeshura me surpriza për secilën audiencë. Edhe për vizitorët e tillë pra kishte gjërash të panjohura, elementesh kyç që humbisnin diku në “erë”, por dhe kishte mjaft kthesash interesante, bujë e të papritura, segmente argëtuese, tension e mahnitje.
[ Shpirti si “cantus” zogjsh – Rrugëtimi kabaistik ]
“Botëndrra është larg, shumë larg. Kabaizmi dhe muzika kabaistike e sjell më pranë nesh, më pranë shpirtit” – shprehet autori z. Aleksandër Peçi
Mirëpo ç’është “rrugëtimi kabaistik”? Autori vazhdon me sqarimet:
***
Premiera e Sonatës Nr. 1 për piano është një nga ngjarjet më të mëdha në jetën time krijuese. Për një sonatë, si forma më e madhe e muzikës instrumentale, është si ngjarje jo vetëm për autorin por dhe për panoramën muzikore. Do jem shumë i lumtur që publiku të asistoje në këtë kreacion. Është sonata e pare që luhet premierë botërore në Pianodrom.
Kabaizmi apo muzika kabaistike (siç unë e quaj) është drejtimi i ri ku kam hyrë (fillimisht pothuaj pa e kuptuar) në vitet ’70, me Rapsodi Nr. 2 për violon e ork. Tokë e përgjakur, Gjeneral Gramafoni (të cilat mbajnë frymëzimet e vendlindjes sime si kompozitor, Përmetin). Pas viteve ’90 në mënyrë të menduar e duke u strukturuar materia viti pas viti, me La chanson brisée, Rrënjët e tingujve, Un soufle du vent, Carousel structure, OIRAT, Oisosfonia, 12 Cartesius cantus, Etera tondo, Planetears, për të mbrritur ky drejtim i Kabaizmit në mënyrë të plotë tek Sonata nr 1 për piano, Skeletoidet fluturuese.
Koha e parë: Drama e zogjve.
Si një simbolikë e dramës njerëzore, ma solli idenë të nis një rrugëtim kabaistik. Me fluturime kuartash nga lart-poshtë, ku cantus-i i një sekonde minore çukit me sqepin e me zërin e një bilbili me vesë, më tej bëhet së bashku një cantus zogjsh. Këto mikrostruktura zmadhohen duke i dhënë formë temës së parë me ngarkesë dramatike, si dhe temës së dytë në të cilën vesëzojnë “ostinato modale” të pastra për nga lirizmi dhe me marëdhëniet e marrësit, prerësit, isos në shumëzërëshin e polifonisë toske të Përmetit.
Peizazhi i këtij rrugëtimi kabaistik të dhimbjes pasurohet më tej me një obo…bo…bo…bo…ooo… ku rënkon poeti, merr formë dhimbja e poetit se mos i vdesë, kush? (ndoshta ëndrra). Ëndrra me krahë kuartash ngjitet në regjistra parajsor. Por vallë janë krahë zogjsh apo njerëzish, që copëtohen nga Zeusecët lart në rëmbimthin e fluturimit drejt regjistrave të ferrit dantesk? Rugëtimi kabaistik drejt ëndrrës riniset me energji të shumfishuar në shtresa polifonike të përpunuara, ku tingujt ngjiten… zbesin… rizbresin… në këtë spirale “volante” nga poshtë–lart–poshtë. Më tej në atmosferë me koloristikën vesëargjentë të bilbilit, nga një curil melodik i saj buron një episod të cilin do ta quaja “syri i kaltër i veprës”, e që me sonoritetin e vet e freskon gjithë ngarkesën dramatike të kohës së parë.
Rrugëtimi sonor vazhdon. Drama muzikore gjithashtu.
/ – – – /
Në shtresën fundore nga copëzime të ri-fragmentuara të serisë (në faza të mëparshme të sonatës) formohet tashmë i plotë rrugëtimi koral me nota të zmadhuara për nga vlerat ritmike. Pas saj e çukisin hapësirën sonike ca terca të temës së dytë, e çdo gjë shkon trishtueshëm drejt morendos. Nuk i vura vetes per detyrë thjesht të jepja idenë e një kënge zogjsh, por kisha nje ambicje me tej: krahas këngëtimit te zogjve, doja më shumë ta zbërtheja simboliken, filozofinë e dramës së dhimbjes njerëzore. Po ashtu doja ta sjellë muziken time kabaistike kah një drejtim i ri i Kabaizmit, si dhe të krijoja një marrëdhënie zërore midis “Cantus-it” e Fraktaritetit.
Koha e dytë: Kaba e Ferrparajsës, një kompozicion linguistik dantesk.
Ferrparajsa (të cilën në tregun poetik e ka hedhur fillimisht poeti Xhavahir Spahiu), hyn drejtpërsëdrejti në thelbin e Kabaizmit. Referenca ime per këtë kohë është kabaja e Lulushit (Korçë) dhe e Usta Laverit (Përmet). Makroforma ndërtohet duke ekuilibruar tingullin pianistik solo, me ansamblin pianistik.
/ – – – /
Kabaja si ndjesi, si përjetim emocional është pasqyrë binjake e shpirtit. Kjo pasqyrë e reflekton atë që nga djepi me përkëdheljen e një nina-nane, e deri tek arkivoli, dashuron si shpirti, fërferin si flladi, gurgullon si Vjosa e ngjan me të për nga gurgullimat, ondulacionet, pastertia, kthjellteisia… lëndohet, qan e klith si shpirti. Kabaja në kete kohë të dytë është një “oi” e madhe e cila përthyhet në mijëra “oi” të vogla, e aftë të prodhojë nga disa filiza sonik nje plantacion të tërë me tinguj nga i njëjti varietet, duke gërshetuar dy dimensionet universale, hapësirën dhe kohën.
Kabaja gërsheton në mënyre perfekte 3 elementet përberëse te saj, marrësin, prerësin dhe iso-në. Sistemi klasik mazhor/minor është i huaj për kolanën vërtebrore pentatonike të kabasë. Iso-ja është gravideti ku tërhiqen tingujt, është fusha magnetike ku kadencojnë iteniraret melodike / polifonike të marrësit e të prerësit. Tingujt e tjerë në atë pëlhurë të hapësirës shëtisin si tinguj satelitorë përreth atij tingulli bazal që e quajme Iso – Gravitet.
Koha e tretë: Skeletoidet fluturuese.
Sipas mitit “hip mbi krahët e mi, i tha shqiponja njeriut, të të çoj në botën që ke ëndërruar…”. Por kur trasta me ushqim mbaroi dhe kishin ende fluturim për të bërë, njeriu për ta ushqyer shqiponjën filloi të presë mish nga trupi i tij, derisa tek Botëndrra njeriu dhe shqiponja mbërritën si skelete. Një kryesimbolikë e mitologjisë shqiptare, sa para saj, Miti i Sizifit duket fare i vogël. Këtë vend e kane ngrënë me mish e me kokalla.Trile, tremolo, në formë arabeskash në regjistra të errët, sjellin imazhe zërash nga Humbëtirat e botës.
/ – – – /
Temës tashmë i ka mbetur vetëm skeleti, e kërkova të tillë… duke i hequr temës mishin melodik. Për 82 masa jane skeletet e lëndës në 4 linja nën një lëvizje metronomike 1/8 = 225, që gjenerojnë dramën muzikore. Më tej masa 256 vjen si një transformim i lëndës, akorde prej 3 tingujsh i japin një pamje të re shtyllës kurrizore të tematizmit, për ta vazhduar këtë udhëtim mitik, përtej të imagjinueshmes, ndoshta përtej vdekjes. Botëndrra është larg, shumë larg. Kabaizmi dhe muzika kabaistike e sjell më pranë nesh, më pranë shpirtit.
– – – – – – –
Atashuar: 2 versione të sonatës, dhe ballina e publikimit:
Aleksandër Peçi – Sonata Nr. 1 për piano – Drama e Zogjve (Ekzekutuar nga Dimidtri Vassilakis)
http://www.youtube.com/watch?v=n6cS3ejfpp8
Aleksandër Peçi – Sonata Nr. 1 për piano – Drama e Zogjve (Ekzekutuar nga Mikhail Doubov)
http://www.youtube.com/watch?v=TgN5-o79yT4
[ SG – Shpirti si “cantus” zogjsh – Rrugëtimi kabaistik! – Shtator, 2016 ]
Komentet