VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

“Shpirti i ekipit është gjithçka për fitore!” Meta: Urime ‘Dardanëve’ për fitoren ndaj Çekisë

By | September 7, 2019

Komentet

Deshamp: Duam vendin e parë, nesër do luajnë lojtarët më në formë!

Trajneri i Francës, Didie Deshamp doli pasditen e sotme në sallën e konferencave të stadiumit “Air Albania”, në vigjilje të sfidës së nesërme ndaj Shqipërisë. Deshamp u shpreh se ka vlerësim për Shqipërinë, duke deklaruar se kuqezinjtë do të kërkojnë të paraqesin identitetin e tyre, në një takim ku gjithashtu inaugurohet edhe stadiumi i ri. Ai zbuloi mungesën e Komanit, i cili nuk figuronte në listën e delegacionit francez dhe se nesër do zbresë në fushë lojtarët në formë fizike më të mirë

Mungesa e Kinglsej Koman?
Komani nuk është i disponueshëm, kështu që morëm vendim që ai të jetë i gatshëm për klubin e tij, Bajernin e Mynihut.

Çfarë keni biseduar me lojtarët, pas ndeshje me Moldavinë?
Do të thosha që nesër do të jetë një ndeshje e fortë, pasi do të luajnë në fushën e tyre, në inaugurimin e stadiumit. Shqiptarët do të manifestojnë dashurinë e tyre për futbollin.

Cili lojtar shqiptar do grumbullohej me Kombëtaren e Francës?

Do përpiqem të japë një përgjigje. Mund të përzgjedhë vetëm lojtarë francezë, jo shqiptarë (qesh). Do thosha që ju keni lojtarë shqiptarë të një cilësie të mirë, duhet ta pohoj këtë. Duhet t’i referohem dhe humbjes që pësuam në Elbasan 1-0. Duhet të them se lojtarët shqiptarë kanë një cilësi të mirë.

Vendi parë?
Nuk mund të them, që mund të kemi një grup të mirë apo më pak të vështirë, po morëm vendin e parë. Ne duhet të marrim vendim e parë, pastaj shorti është short. Ne duhet të punojmë që të mundim ekipet e tjera.

Ndryshime në formacion?
Duhet të them se të gjithë lojtarët kanë dëshirë të luajnë nesër. Koha e shkurtër lë pak kohë për të reflektuar. Por, kjo varet nga forma. Mund të ketë një lojtar në një formë më të dobët se lojtarët e tjerë.

Revansh për ndeshjen me Moldavinë?
Nuk mund të ketë një revansh. Realiteti është që me Moldavinë nuk ishim mirë në pjesën e parë, por në pjesën e dytë luajtëm më mirë. Objektivi u arrit dhe në arritëm fitoren, atë që kërkohej. Mund të them që edhe lojtarët elitarë gabojnë, por nuk është ky rast që duhet të dënohet. Edhe një futbollist kur gabon në ndeshje, nuk mund të marrim ndonjë masë ndaj tij.

(Balkanweb)

Sheshet e Prishtinës, plot flamuj të Anglisë dhe të Kosovës

Sheshet e Prishtinës janë dekoruar me flamuj të Kosovës dhe të Anglisë, në shenjë respekti për Kombëtaren e Anglisë dhe tifozët e saj që udhëtojnë në Prishtinë për ta përcjellë ndeshjen e nesërme mes dy Kombëtareve.Kosova do ta presë nesër në orën 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Kombëtaren e Anglisë, për ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express.

Para kësaj ndeshjeje, Kombëtarja e Anglisë do të arrijë në aeroportin “Adem Jashari” sot në orën 18:30, ndërsa trajneri anglez Gareth Southgate do të mbajë konferencë në Prishtinë në orën 19:30.

Për t’i pritur sa më mirë anglezët në Prishtinë, sheshet e kryeqytetit janë zbukuruar me flamuj të Kosovës dhe të Anglisë, si dhe me pankarta me sloganin “Welcome&Respect”.

Vlera e kësaj ndeshjeje të së dielës ka rënë për Kosovën pas humbjes të së enjten në Çeki, pasi që tani “Dardanët” e kanë të pamundur të kualifikohen në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A.

Në anën tjetër, Anglia e ka siguruar kualifikimin, mirëpo i duhet fitorja për t’u siguruar që është fituese e grupit. Nëse e kalon grupin si fituese, Anglia ka më shumë gjasa të përballet me Kombëtare më të dobëta në letër në fazën e grupeve të Evropianit.

Ndeshja Shqipëri-Andorra përfundon me barazim

Tiranë

Ndeshja Shqipëri-Andorra në kuadër të fazës eliminatore për Kampionatin Evropian “Euro 2020” ka përfunduar me barazim, raporton Anadolu Agency (AA).

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll e drejtuar nga trajneri Edoardo Reja ka barazuar 2-2 ndaj Andorrës, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”.

Golat për Shqipërinë u shënuan në minutën e 6-të nga Bekim Balaj dhe minutën e 55-të nga Rey Manaj, ndërsa për ekipin e Andorrës golat u shënuan nga Cristian Martinez në minutën e 18-të dhe 48-të.

Në stadium ishin të pranishëm edhe tifozët kuqezi, ndërsa Policia e Shqipërisë kishte marrë masa për të parandaluar incidentet.

Shqipëria bën pjesë në Grupin H të këtyre eliminatoreve së bashku me Turqinë, Francën, Islandën, Moldavinë dhe Andorrën.

Kombëtarja e Shqipërisë ndeshjen e fundit për kualifikimet e Euro 2020 do ta zhvillojë ndaj Francës në stadiumin e kombëtar në Tiranë më 17 nëntor.

Kualifikimet për Euro 2020, Kosova pëson humbje kundër Çekisë

Kombëtarja e Kosovës në futboll pësoi humbje me rezultatin 2-1 në ndeshjen kundër Çekisë në kuadër të kualifikimeve në Grupin A për Kampionatin Evropian “Euro 2020”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ndeshjen e zhvilluar në Doosan Arena në Plzen të Çekisë, pjesa e parë e ndeshjes përfundoi pa gola.

Ndërkaq, në pjesën e dytë, Kosova kaloi në epërsi në minutën e 50-të me golin e Atdhe Nuhiut.

Çekia barazoi shifrat në 1-1 me golin e Alex Kral në minutën e 71-të, ndërsa në minutën e 79-të ngriti rezultatin në 2-1 me golin e të njëjtit futbollist.

Me këtë rezultat, Çekia siguroi kualifikimin nga ky grup së bashku me Anglinë.

Në ndeshjen kundër Çekisë, kombëtares kosovare i mungoi sulmuesi Vedat Muriqi, i cili të premten e kaluar u lëndua në një ndeshje në ligën turke, ku ai luan për klubin Fenerbahçe.

Kombëtarja e Kosovës ndeshjen e radhës do ta zhvillojë më 17 nëntor në Prishtinë kundër Anglisë.

Në ndeshjen tjetër në grup, Anglia mposhti Malin e Zi me rezultatin 7-0.

Ndryshe, pas Anglisë me 18 pikë dhe Çekisë me 15 pikë, Kosova renditet në vendin e tretë me 11 pikë në Grupin A të kualifikimeve për “Euro 2020”, duke u pasuar nga Mali i Zi dhe Bullgaria me nga 3 pikë.

Vedat Muriqi do të mungojë në ndeshjet kundër Çekisë dhe Anglisë

Sulmuesi i kombëtares së Kosovës në futboll, Vedat Muriqi, do të mungojë në dy ndeshjet e radhës kundër Çekisë dhe Anglisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se aktualisht Muriqi është i lënduar dhe se për çdo ndryshim eventual të gjendjes së tij publiku do të informohet në kohë.

“Përkundër përpjekjeve maksimale dhe dëshirës së madhe të futbollistit për t’i ndihmuar bashkëlojtarët në këto ndeshje të rëndësishme, pas ekzaminimeve të bëra mjekësore dhe konsultimeve edhe me ekspertë të kësaj fushe në Zvicër ka rezultuar që paraqitja e tij është e pamundshme të ndodhë”, tha Federata e Futbollit e Kosovës.

Muriqi, i cili luan edhe për klubin turk Fenerbahçe, u lëndua të premten e kaluar në ndeshjen e ligës turke me klubin Kasımpaşa. Trajneri i kombëtares kosovare, Bernard Challandes, dje në një konferencë për media njoftoi se Muriqi i ka thënë se ka dhimbje, por se gjendja e tij po përmirësohet.

Kombëtarja e Kosovës më 14 nëntor do të zhvillojë ndeshjen kundër Çekisë si mysafire në Plzen, ndërsa më 17 nëntor do të presë në Prishtinë Anglinë.

Ndryshe, pas Anglisë me 15 pikë dhe Çekisë me 12 pikë, Kosova renditet në vendin e tretë me 11 pikë në Grupin A të kualifikimeve për “EURO 2020”, duke u pasuar nga Mali i Zi dhe Bullgaria me nga 3 pikë.

Reja publikon listën e futbollistëve për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Francës

Tiranë

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në futboll, Edoardo Reja, në një konferencë për media ka folur për futbollistët e grumbulluar dhe dy ndeshjet e radhës, të vlefshme për kualifikueset e “EURO 2020”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndeshja e parë do të luhet më 14 nëntor ndaj Andorrës, në stadiumin “Elbasan Arena” dhe ndeshja e fundit për këto kualifikuese ndaj Francës në stadiumin e ri kombëtar në Tiranë më 17 nëntor.

Reja është shprehur se “Dua që të luajmë gjithmonë në të njëjtën mënyrë, me maksimumin tonë. Ndeshja e radhës do të jetë me Andorrën dhe ka një nënvlerësim nga media. Pasi me Francën vëmendja është e madhe nisur kjo nga vetë kundërshtari, por edhe nga stadiumi i ri. Objektivi ynë i parë është që të arrijmë maksimumin në këto ndeshje”.

“Së bashku me Federatën Shqiptare të Futbollit kemi të njëjtin projekt për të ardhmen. Me Turqinë ju e patë që ishim shumë pranë fitores dhe situata do të ishte e hapur. Na duhej atje një mrekulli dhe nuk ndodhi. Unë kam një apel për tifozët shqiptarë që të na mbështesin ndaj Andorrës. Kam dëgjuar që nuk ka shumë interes dhe pa tifozë nuk ka futboll”, tha trajneri Reja.

Lista e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e radhës është: Etrit Berisha, Alban Hoxha, Thomas Strakosha, Berat Djimsiti, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Lorenc Trashi, Frederik Veseli, Enea Mihaj, Kastriot Dermaku, Hysen Memolla, Lindon Selahi, Taulant Xhaka, Keidi Bare, Emanuele Ndoj, Ledian Memushaj, Klaus Gjasula, Kristi Qose, Ylber Ramadani, Ermir Lenjani, Bekim Balaj, Myrto Uzuni, Florian Kamberi, Odise Roshi, Rei Manaj dhe Taulant Seferi.

Për fazën eliminatore të “EURO 2020” Shqipëria është në grupin H, së bashku me Turqinë, Francën, Islandën, Moldavinë dhe Andorrën.

Intervista – Ademi: Unë e shoh Kosovën në “Euro 2020” (video)

Arton Konushevci

Kryetari i Federatës se Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kombëtarja e Kosovës po punon fort që të kualifikimin në “Euro 2020”. Kurse sa i takon ndeshjen ndërmjet Republikës Çeke dhe Kosovës ai beson se ekipi i Kosovës do të kthehemi nga Çekia me rezultat të mirë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ademi, po e fillojmë këtë bisedë me një parashikim tuajin për ndeshjen ndërmjet Republikës Çeke dhe Kosovës. Cilat janë parashikimet tuaj për këtë ndeshje?

Agim Ademi: Tani në futboll është vështirë të japësh një rezultat apo të parashikosh diçka, sepse vetë futbolli është i paparashikueshëm, dhe për ne që kemi luajtur futboll ndoshta është joprofesionale të japim ndonjë rezultat. Nuk është se jam entuziast, por po mundohem të jem realist për faktin që jemi në situatë dhe fazë çfarë jemi, fillimisht jemi në fazë të mirë dhe jemi në trendin e mirë të rezultateve dhe të formës së futbollistëve gjë që po e tregojnë edhe nëpër ekipet e veta shumica e futbollistëve ose futbollistët kyç që i kemi në ekipin kombëtar dhe normalisht që kemi ardhur në pozitën e pikëve që kemi dhe kjo ndeshje është e rëndësishme për të dyja palët, si për çekët, ashtu edhe për ne.

Mund të them që e di që mund të favorizohen çekët për faktin se dimë që janë një ekip nacional edhe i njohur edhe shumë më i organizuar më herët në UEFA dhe FIFA sesa ne, më shumë kompeticione ka marrë pjesë në gara, por fakti është se ne po luajmë shumë mirë dhe sidomos në lojërat që i luajmë jashtë stadiumit të Prishtinës, deri tash kemi pasur shumë më shumë rezultate dhe po e luajmë lojë shumë të mirë. Shpresoj që këtë trend ta vazhdojmë dhe ne. Normalisht, që shkojmë për fitore dhe unë u besoj këtyre djemve, i besoj punës, sepse nuk po e them që me lutje, se jo gjithherë kryhen punët me lutje dhe dëshirë, por edhe me punë. Ia kemi bërë punën, ia kemi bërë të gjitha parapërgatitjet edhe organizimin po ashtu edhe ekipi dhe forma e tyre, dhe besoj se do të kthehemi me rezultat të mirë nga Çekia.

*Video nga arkivi: Ëndrra Euro 2020

Radio Evropa e Lirë: Federata e Futbollit të Çekisë ka thënë se ka ngritur kapacitetet e sigurisë për ndeshjen Çeki – Kosovë. Si i keni parë ju punët rreth organizimit të kësaj ndeshje?

Agim Ademi: Unë më shumë e shoh që vërtet e kanë ngritur nivelin e sigurisë në nivelin më të lartë dhe unë pak e shoh këtë nga ata ndoshta si presion psikik jo vetëm për ne, por për të gjithë. Kjo për faktin që edhe për ta është një lloj presioni, sepse nuk besoj se mund të ndodhë ndonjë gjë, thjesht ne jemi të liruar prej atij kompleksi, ne shkojmë për të luajtur futboll dhe çfarëdo që ndodh rreth futbollit, nuk na vjen mirë, por nuk është se neve na luhat aq shumë apo ndikon në ne. Ne një qëllim e kemi, të shkojmë të luajmë atje futboll dhe të prezantohemi siç është më së miri dhe normalisht të kemi një rezultat të mirë, por ata e kanë frikën sepse ta organizosh një ndeshje të aspektit ndërkombëtar, është goxha e vështirë dhe nëse ka paralajmërime të tilla se mund të ketë ndonjë diçka që është pengesë për një ndeshje, mund të vijë deri te ndërprerja e ndeshjes që sanksionohet. Ose nëse nuk vjen deri te ndërprerja mund të sanksionohet shumë keq Republika Çeke dhe Federate e Çekisë.

Prandaj, nuk besoj se është vetëm për shqiptarët që e bëjnë atë, sepse shpesh po i dëgjoj që po e bëjnë për ne. Nuk është ndoshta që e bëjnë për neve, por është ndeshje e rëndësisë së veçantë, ngritja e nivelit të sigurisë është në më të lartin dhe normalisht që këto parapërgatitje do të bëhen. Pak jam i zhgënjyer te ta për punën e biletave. Nuk na kanë dhënë shumë mundësi për bileta përveç atyre që na takojnë me ligj.

Ato i kemi paguar dhe i kemi marrë, ato të tifozëve që janë, mirëpo i kanë ndaluar shumë njerëz që kanë shtetësi evropiane që deri sot nuk ka ndodhur kushdo që është me shtetësi evropiane të Unionit Evropian kanë pasur mundësi të blejnë bileta.

Ata e kanë ndërruar edhe stadiumin, në Pelzen na kanë çuar – është një stadium pak më i vogël, është pjesa thjesht ku nuk është se vetëm për ne e kanë bërë, se është si stadiumi alternativ që i bën ndeshjet, por unë mendoj se kur ka interesim kaq të madh, meqë futbolli luhet për publik, është dashur t’i jepet mundësi gjithë publikut, gjithë njerëzve në stadiumin e tyre më të madh që e kanë në Pragë.

Radio Evropa e Lirë: Prisni kualifikimin e Kosovës në “Euro 2020”?

Agim Ademi: Gjithsesi, kemi punuar për këtë, po punojmë me gjithë Komitetin Ekzekutivi dhe të gjitha hallkat e zinxhirit të federatës. Po ashtu, synimi tashmë dihet, sepse në një garë synon kualifikimin ose nivelin më të lartë. Unë e shoh Kosovën në Evropian sivjet, në këtë kompeticion dhe besoj se në ketë kompeticion në Kampionatin Evropian, edhe pse e kemi mundësinë tjetër në Ligën e Kombeve, por unë e shoh Kosovën, gjithsesi në njërën apo tjetrën, të kualifikuar.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ademi, cilat janë aktualisht kapacitetet e Kosovës në garat ndërkombëtare?

Agim Ademi: Nuk është vetëm niveli i A-së, por Kosova ka arritur dhe është duke arritur rezultate, është duke u ngritur në nivelin organizativ të saj dhe kemi edhe dokumente të UEFA-s, rreth organizimit dhe zhvillimit, ku jemi të vlerësuar në vendin e katërt në Evropë, e që nuk do të thotë pak për këtë kohë. Kur them kështu, jemi të organizuar shumë mirë, me shumë kapacitet, kemi dhe shumë njerëz, kemi futbollistë jashtë dhe brenda, të gjitha niveleve, të të gjitha kategorive, e sidomos kategoritë e reja – shoh se është një e ardhme jashtëzakonisht e mirë.

*Video nga arkivi: Infrastruktura sportive e klubeve kosovare

Në kuadër të kësaj, ne po bëjmë strategjinë e futbollit që t’ju mundësojmë këtyre talentëve që të zhvillohen sa më shumë edhe në Kosovë, por sigurisht që jashtë janë duke u zhvilluar, sepse janë nëpër vende të mira dhe shoh një të ardhme shumë të mirë të Kosovës dhe sidomos në aspektin e futbollit. Realisht mund të them që do t’i tejkalojë pritshmëritë e shumë ekspertëve, natyrisht edhe tonat.

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te kjo çështje, të talentet e shumtë që janë duke luajtur në shtete të ndryshme, çfarë ju ofroni ju atyre që të përfshihen në Kombëtaren e Kosovës?

Agim Ademi: Në fakt, nëse më lejohet pak të zgjerohem në këtë temë, unë do të thosha se kjo është një ndjenjë e tyre dhe këtë meritë ua lë prindërve të tyre, sepse ju e dini represionin që ka qenë të kosovarët dhe prindërit e tyre kanë ikur të gjithë po thuajse që e kanë lëshuar Kosovën, kanë ikur nga një represion jashtëzakonisht i tmerrshëm dhe me sakrificën më të madhe të mundshme, kanë ikur në Evropë dhe kur kanë arritur në Evropë, atje, në vend se ta sistemojnë veten, dhe para se ta sistemojnë veten, ka ndodhur që pjesa tjetër e familjes është dëbuar nga puna, siç dihet, dhe atyre përveç obligimit të sistemimit të vetes, iu ka shtuar edhe një obligim shtesë në solidaritetin që ne e kemi, për t’i mbajtur familjet tona këtu . Dhe, duke pasur parasysh këtë sakrificë që e kanë bërë, tash kanë arritur t’i rrisin fëmijët e tyre me ndjenjën patriotike që nuk kanë mundur t’ia japin atdheut ata dhe normalisht fëmijët e tyre po na bëjnë krenarë. Kjo është kënaqësia më e madhe. Ky është afrimi më i madh që mund t’ia bëjmë ne, thjeshtë që ta prezantojnë atdheun e baballarëve të tyre dhe aty ku i kanë rrënjët. Kjo është më e madhja.

Radio Evropa e Lirë: Ndërsa, po flasim për talentë të Kosovës në klube të ndryshme evropiane, çfarë po bëhet në Kosovë për ngritjen e kapaciteteve të futbollit në harmoni me standardet e UEFA dhe FIFA?

Agim Ademi: Në fakt ne e kemi bërë një strategji të cilën po e realizojmë dhe jemi duke ecur me standardet e UEFA –s. Kur them kështu, fillimisht kemi marrë masa, kemi bërë edukimin e trajnerëve, referëve, edukime të pafundme organizative. Po ashtu edukime në organet e klubeve, sekretarët, menaxherët e klubeve. Kemi hyrë në sistemin digjitalizimit. Dhe çka është më e rëndësishme, shumë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, por edhe ata që punojnë në vendin tonë, po investojnë jashtëzakonisht shumë në futboll.

Natyrisht duke pasur parasysh zhvillimin dhe edukimin e trajnerëve, kanë ardhur shumë trajnerë të licencuar, po ashtu edhe nëpër shkolla nuk lejohet që të ketë trajnerë të palicencuar, që nga baza e parë që merret në futbollin bazik. Në futbollin bazik që e quajmë ne, jemi të lidhur shumë ngushtë me UEFA-n. Po, bëjmë të pamundurën, tashmë kanë arritur rezultatet e para të dukshme, ku një ekip nga këto organizime U15, në një turnir të UEFA-s që është mbajtur në Shqipëri, ku kanë marrë pjesë tetë shtete të Ballkanit dhe Evropës, ky grup 15 vjeç ka zënë vendin e parë. Dhe dukshëm më të mirë janë treguar në lojën e futbollit, jo vetëm në rezultate.

Kështu gjithçka po bëhet që sa më shpejtë dhe sa më mirë të organizohemi bashkë me klubet që të ngritët niveli dhe cilësia e futbollit. Kështu që talent ka dhe falë qytetarëve që po investojnë në futboll, ngritja ekonomike sigurisht që ndikon edhe në rritjen e cilësisë, sepse futbollistit i mundësohet të ketë një pagë më të mirë dhe të ketë punë primare futbollin, që deri më tani nuk ka ndodhur në Kosovë, sepse futbollisti është dashur të ketë edhe një punë tjetër. Dhe nëse lojtari punon edhe një punë tjetër dhe shkon në stërvitje dhe lojë nuk mund të pritet qind për qindëshi. Ndërsa tash futbollistët e japin qind për qindëshin falë investimeve që bëhen dhe ne jemi një hap përpara për organizimin dhe tërheqjen e klubeve në organizime sa më të mira dhe sa më afër vendeve të Evropës.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të ndalemi tek infrastruktura. Çfarë mund të bëhet me investimet aktuale që terrenet e futbollit në Kosovë të jenë të standardeve të UEFA-s?

Agim Ademi: Ne UEFA na ka ndihmuar dhe na ndihmon gjithmonësepse kemi qenë mbrapa dhe jemi ende mbrapa në infrastrukturë, por kemi hasur në mirëkuptim edhe në komunat dhe me ministrinë. Ju e dini se i kemi përfunduar gjatë fusha stërvitore përveç dy stadiumeve që është dashur t’i kemi, gjithsesi për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare për faktin që ju e dini në mungesë të një stadium kemi zhvilluar ndeshje në Shkodër.

Tani është stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë kategoria katër dhe është stadiumi në Mitrovicë “Adem Jashari” i cili është kategoria e dytë. Tash po behët kategoria katër dhe ju e dini që është shpallur tenderi dhe është bërë projekti për stadiumin nacional për ndeshje nacionale.

Ndërsa, në aspektin e ndeshjeve lokale të ligës sonë, ne kemi bërë gjatë stadiume të cilat janë të parapara me 12 ekipet të Super Ligës që ta kenë edhe nga një stadium stërvitor të nivelit sintetik, për faktin se këtu kemi temperatura dhe stinë të ndryshme dhe është shumë e nevojshme. Gjashtë i kemi të përfunduara të nivelit më të mirë të mundshëm teknologjia e fundit e barti. Janë duke u punuar shumë mirë dhe pastaj kemi edhe gjashtë të tjera në proceduar të cilat janë në fillim e sipër.

Unë tash jam në komisioni hetrik pranë UEFA-s, atje jam zgjedhur dhe ky hetrik i ndan të gjitha mjetet e UEFA-s për infrastrukturë. Unë e kam bërë një projekt për mandatin tim katërvjeçar që të behën 100 fusha sintetike në Kosovë. Ato 100 fusha veç do të fillojnë dhe sigurisht që do të kemi edhe mirëkuptimin e komunave. Cila komunë e bën bazën, pra e gjenë tokën edhe e bën bazën për atë klub, ne do ta sigurojmë barin.

Sigurisht në këtë projekt do të futet edhe ministria e Sportit, pra do punojmë në të gjitha komunat, aty ku ka nevojë. Unë garantoj këtu se shumë shpejt gjatë këtij mandati nuk do të mungojë më baza e parë materiale siç është stadiumi, topi apo një fanellë që fëmijët që të mos mund të zhvillojë talentin e tij, pikërisht për këto gjëra elementare.

Radio Evropa e Lirë: Para pak kohësh kishte një përpjekje të Federatës së Serbisë që të organizonte një ndeshje zyrtare futbolli në Kosovë. Por, kjo u pengua. A është sqaruar çështja e organizimit të ndeshjeve në Kosovë edhe me organet e UEFA-s?

Agim Ademi: Kjo është e sqaruar në organet e UEFA-s, që në një territor apo në një shtet, të drejtën e organizimit të garave e ka vetëm Federata e Futbollit, e cila është e licencuar në UEFA dhe FIFA. Në Kosovë jemi ne Federatë e Futbollit të Kosovës dhe unë këtu i falënderoj organet tona të policisë, të cilat i kanë ndaluar, sepse tentimi ka qenë (të futen lojtarët)… do të thotë këtë më shumë e shoh si vendim politik sesa si vendim sportiv dhe natyrisht që është penguar dhe do të pengohen edhe më tej. Të gjitha klubet që janë të nacionaliteteve të tjera mund të marrin pjesë në ligat tona. Garat organizohen këtu dhe këtë e di edhe Serbia dhe Federata Serbe se nuk lejohet dhe nuk do të lejohet sigurisht as me rregullat e UEFA-s e as me ligjin e shtetit tonë, që një shtet tjetër të organizojë gara.

Publikohet lista e futbollistëve të Kosovës për ndeshjet me Çekinë dhe Anglinë

Prishtinë

Përzgjedhësi Bernard Challandes ka publikuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet e fundit në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Siç është bërë publike në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të premten, formacioni do të jetë për dy ndeshjet e ardhshme, atë me Çekinë më 14 nëntor në stadiumin “Doosan Arena” në Plzen dhe kundër Anglisë më 17 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Stërvitja e parë e Dardanëve zhvillohet të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndërsa paraprakisht, përzgjedhësi Challandes do të paraqitet në konferencë për media para ndeshjes.

Ekipi i kombëtares për këto dy ndeshje, sipas FFK-së, do të jetë si në vijim:

Samir Ujkani, Arijanet Muric, Visar Bekaj, Amir Rrahmani, Fidan Aliti, Mërgim Vojvoda, Florent Hadërgjonaj, Leart Paqarada, Ibrahim Dresheviq, Benjamin Kololli, Arbenit Xhemajli, Idriz Voca, Anel Rashkaj, Besar Halimi, Valon Berisha, Herolind Shala, Bersant Celina, Florent Hasani, Edon Zhegrova, Florent Muslia, Elbasan Rashani, Milot Rashica, Vedat Muriqi dhe Atdhe Nuhiu.

Kosova aktualisht ndodhet në pozitën e 3-të në grupin A, pas Anglisë dhe Çekisë. aa

Një selfie buzë Tamizit nga kampionët e tenisit

VOAL – Nga e diela ata do të luftojnë në fushë për titullin e mjeshtrit të tenisit të vitit 2019, por ndërkohë Roger Federer, Rafa Nadal, Novak Djokovic dhe pjesëmarrësit e tjerë në finale të ATP në Londër kanë përfituar nga ajo për një udhëtim të bukur në Tamiz. Gjatë ngjarjes promovuese nuk mund të mungonte selfie klasike: marrë për rastin nga Aleksandër Zverev, i cili preu pak jashtë kornizës Stefanos Tsitsipas (shiko foton e artikullit), fotografia u ndryshua më vonë në të pastër.

Sarri: Ronaldo nuk është në formë

Torino

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Kampionëve, të cilën ekipi i tij e fitoi përballë Lokomotiv Moskës me rezultatin 2:1 në minutën e 81-të e zëvendësoi Cristiano Ronaldon, duke inkuadruar në fushë Paulo Dybalan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kur u largua nga fusha, Ronaldo ishte i pakënaqur me vendimin e trajnerit, por Sarri dha përgjigjen e tij.

“Ronaldo nuk është në formën që dëshiron. Ai kishte probleme edhe me gjurin. Gjatë pjesës së parë, problemet me gjurin e tij ishin të dukshme. Ai bëri një lëvizje gjatë sprintit dhe kjo nuk dukej si duhet. Kisha frikë se mund të lëndohet dhe më pas bëra lëvizjen më të mirë për të, e nxorra nga loja”, tha Sarri.

Ronaldo në katër xhirot e deritanishme në grupin “D” të Ligës së Kampionëve ka shënuar vetëm një gol ndërsa as në Seria A nuk tund rrjetet si në sezonin e kaluar.

Arsenal, Aubameyang zgjidhet kapiten në vend të Xhakës

Gabonezi Pierre-Emerick Aubameyang është bërë kapiteni i ri i Arsenalit, pasi mesfushori shqiptar nga Zvicra, Granit Xhaka ishte temë e kritikave pasi u grind me tifozët derisa doli nga loja në ndeshjen me Crystal Palace, raporton Anadolu Agency (AA).

“Bisedova me Xhakën dhe i tregova se më nuk do të jetë kapiten. Ai e pranoi vendimin tim. Duhej të vendosja në lidhje me këtë dhe çështja u mbyll. Duhet të vazhdojmë rrugën tonë dhe të përqëndrohemi në ndeshjen e ardhshme. Kemi Aubameyang, Bellerin, Lacazette dhe Mesut Özil nga skuadra jonë për kapiten. Kapiteni ynë i parë do të bëhet Aubameyang”, tha trajneri i klubit Unai Emery para ndeshjes me Vitoria në UEFA Ligën e Evropës.

Xhaka në ndeshjen me Crystal Palace u përjashtua nga loja në minutën e 61, derisa rezultati ishte 2-2. Ai i ishte përgjigjur me gjeste dore ndaj reagimeve të ardhura nga tribunat. Ai më pas nga llogaria e tij në rrjetin social kishte kërkuar falje nga tifozët.

Pas kësaj në ndeshjen me Liverpool në vend të Xhakës, kapiten ishte zgjedhur spanjolli Hector Bellerin dhe në ndeshjen me Wolverhampton, Aubameyang.

Xhaka ashtu si në ndeshjet me Liverpool dhe Wolverhampton, edhe kundër klubit portugez Vitoria nuk është pjesë e skuadrës.

Alpinisti nepalas thyen rekord, ngjitet në 14 majat më të larta në botë

Kathmandu

Banori i Nepalit, Nirmal Purja ka thyer rekordin paraprak malor për kohën që nevojitet për ngjitjen me sukses në 14 majat më të larta në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Purja arriti të ngjitet për gjithsej 189 ditë në 14 majat më të larta.

Ai dje u ngjit në majën e malit kinez Shishapangma në lartësi prej 8.027 metra, e fundit prej 14 majave mbi 8.000 metra.

Rekordi i kaluar për ngjitje në 14 majat ishte shtatë vite, dhjetë muaj dhe gjashtë ditë, ndërsa e vendosi alpinisti i Koresë së Jugut, Kim Chang-ho.

Ish-pjesëtari i ushtrisë britanike, Purja filloi misionin më 23 prill me ngjitjen në malin Annpurna në Nepal, ndërsa në Mount Everest u ngjit më 22 maj.