VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Shkrirja e kufirit me Kosovën – Shqipëria pret marrëveshjen rajonale

By | November 14, 2019

Komentet

Incidenti në Karaçevë, Kurti me Sveçlën i shkojnë komandantit të KFOR-it në zyrë

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se kreu i partisë, Albin Kurti, bashkë me Xhelal Sveçlën dhe Enver Dugollin, kanë realizuar një vizitë në selinë e KFOR-it ku dhe kanë takuar gjeneralin Michele Risi, raporton Express.

Në këtë takim ata kanë diskutuar për situatën pandemike në vend si dhe për ndodhinë e fundit në Karaqevë ku forca të ushtrisë serbe ishte parë duke lëvizur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës.

“Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, bashkë me ish ministrin në detyrë të punëve të brendshme dhe anëtarin e kryesisë, z. Xhelal Sveçla, dhe ish zëvendës ministrin e mbrojtjes, z. Enver Dugolli, u pritën në selinë e KFOR-it në Film City nga Komandanti, Gjenerali Risi, dhe ekipi i tij.Gjatë takimit, dy palët diskutuan për gjendjen e rëndë të krijuar në vend për shkak të pandemisë COVID-19 dhe menaxhimin e kësaj krize nga institucionet e Kosovës, si dhe për incidentin e fundit në Karaçevë, e për situatën e përgjithshme të sigurisë. Ata u pajtuan që të mirëmbajnë kontaktet e rregullta dhe të vazhdojnë komunikimin e ndërsjelltë”, thuhet në njoftim.

Banorët: “Xhandarmeria serbe hyn qe 19 vite në Karaçevë”

Banorët e fshatit Karaçevë sot kanë protestuar kundër hyrjes së xhandarmërisë serbe në këtë fshat. Kryetari i Këshillit Lokal të fshatit Karaçevë, Selver Lenjani tha se që nga vitit 2001 e deri më sot në territorin e Kosovës vazhdimisht kanë hyrë pjesëtarë të xhandarmërisë serbe dhe patrullimi i fundit nuk ka ndodhur për herë të parë.

Kritika për mospjesëmarrje në këtë protesta Lenjani ka adresuar edhe për kryetarin e komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Ai i bëri thirrje institucioneve serbe që t’i ndalin provokimet në këtë pjesë të Kosovës.

“Të nderuara institucione po ua bëj me dije që 19 vjet, as presidenti i Kosovës, as kryeministri, as kryeparlamentarja, as deputetët e Republikës se Kosovës nuk jeni marrë me Karaçevën , mirëpo megjithatë banorët stoikisht kanë qenë. Vallë i nderuar ku gjendesh Qëndron Kastrati”, tha ai.

Lenjani tha se pas reagimet të fundit për hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë janë shtuar patrullimet e Policisë së Kosovës në këtë anë.

“Tash janë shtuar patrullat e Policisë së Kosovës mirëpo kërkoj që patrullat e policisë të jenë tek Ura e Mohovcit, atje të stacionohen, dhe kërkoj nga kryetari i komunës (së Kamenicës, Qëndron Kastrati) që ekskavatori tua hap rrugën policisë për kodër atje”, tha ai.

Banori më i vjetër i fshatit Karaçevë, Ismajl Kastrati tha se armiku serb po tenton ta marrë këtë pjesë të tokës së Kosovës.

Ai tha se provokimet e xhandarmërisë serbe bëhen me qëllimn e vetëm që këta banorë të shpërngulen nga ky fshat.

“Këtë uzurpim që e ka bërë këtu Serbia e ka bërë me plan të planifikuar me qëllim që edhe këto dy bashkësi lokale çka janë këtu ta lëshojnë vendlindjen, të largohen dhe të jetë kufiri administrativ i zbrazur dhe mos të ketë popullatë shqiptare.. nuk është hera e parë që kanë ardhur këtu e dinë edhe KFOR-i vetë pasi si plak kam bashkëpunuar me KFOR-in 10 vite, sa herë që i kam thirrur kanë ardhur, edhe dy ushtarë nëse kanë hyrë brenda kufirit administrativ 10 metra i kanë zënë”, u shpreh ky banor.

Ish-kryetari i komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, i cili është edhe banor i kësaj ane, kërkoi të ofrohet siguri nga institucionet e Kosovës për të gjithë këta banorë të kësaj zone kufitare.

“Institucionet e Kosovës deri tani kanë bërë shumë pak për këtë problem, me siguri kanë pasur probleme më të mëdha, por edhe ky është ndër problemet që kërkon të merret më shumë, si parlamenti, presidenca, qeveria e Kosovës… këta qytetarë, duke përfshirë vetën dhe familjen time, duam të kemi siguri dhe mos të kemi frikë, nga frika ka raste që edhe janë shpërngulur njerëzit”, tha Surdulli.

Në mbështetje protestuesve u doli edhe ish-deputeti i Kosovës, Gani Geci i cili tha se është koha që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësinë për këtë pjesë.

Sipas tij, duhet të ngrihen kapacitetet për mbrojtjen e brezit kufitar me Serbinë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës në vend që të merret me ngritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e brezit kufitar, në ngritje të kapaciteteve të FSK dhe Policisë së Kosovës ata merren me mbrojtjen e individëve. Janë ndarë miliona euro për të mbrojtur disa individë që do i përgjigjen Gjykatës Speciale, ndërsa nuk është ndarë asnjë mjet për mbrojtjen e brezit kufitar. Ka kaluar koha e luftërave, tash kemi institucione, ato duhet ta marrin situatën nën kontroll prej presidentit, kryeministrit, Kuvendit të Kosovës duhet marr përgjegjësinë për këtë”, tha ai.

Që nga paslufta banorët e Karaçevës kanë kërkuar që menaxhimi i kësaj zone të merret nën kompetenca të institucioneve të Kosovës, pasi kjo pjesë menaxhohet nga KFOR-i. Këta të fundit, u panë duke mbikëqyrur edhe protestën e sotme.

Në pikë kontrollën në këtë brez kufitar shfaqeshin herë pas here edhe xhandameria serbe.

Deri tek kjo protestë erdhi pasi që xhandarmeria serbe ditë më parë ka hyrë në fshatin Karaçevë. Ky veprim ka ngjallur reagime të mëdha nga institucionet vendore.

Vjosa Osmani pritet me lule nga Ministri i LDK-së Anton Quni, FSK çon zyrtar ndërlidhës në Kuvend

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka shkuar sot në Ministrinë e Mbrojtjes, ku është pritur nga Ministri i LDK’së Anton Quni. Bashkë me Qunin, Osmanin e ka pritur edhe Komandanti i FSK’së Rrahman Rama. Në njoftimin e FSK’së thuhet se është folur edhe “për incidentin e Karaqevës së Kamenicës dhe për veprimtarinë e xhandarmerisë serbe” në atë pjesë. Osmani ka marrë lule nga Quni, ndërsa me FSK është dakorduar që një zyrtar i kësaj force të dërgohet në Kuvend.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë njoftimin.

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni priti kryetaren e Parlamentit të Kosovës zonjën  Vjosa Osmani

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari i Përgjithshëm i MM-së, Faruk Geci, pritën sot në një vizitë pune, kryetaren e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani të shoqëruar nga stafi i saj.

Ministri Quni pasi i uroi mirëseardhje kryeparlamentares Osmani, e njoftoi atë me aktivitetet që po zhvillohen në Ministri të Mbrojtjes, me procesin e transformimit të FSK-së, arritjet e deritashme si dhe me sfidat.

Ministri Quni, me këtë rast, foli për punën që është bërë, deri më tash, në hartimin e dokumenteve nënligjore, pas aprovimit të ligjeve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, me mision të ri, për të gjitha fushat dhe nivelet që garantojnë funksionalizim institucional dhe ligjor të FSK-së.

Ministri Quni, gjithashtu e njoftoi kryeparlamentaren Osmani edhe me bashkëpunimin e mirë që ka Ministria dhe FSK-ja me partnerin strategjik SHBA-të, bashkëpunimet bilateral, bashkëpunimin me KFOR-in, bashkëpunimin e mirë me ekipin e NALT-it, që është prezentë në Ministri dhe Forcë, duke vlerësuar se është rritur besueshmëria me partnerët ndërkombëtar.

Ministri Quni, gjithashtu theksoi se në kuadër plotësimit të infrastrukturës ligjore dhe të  dokumenteve të rëndësishme të fushës së sigurisë, është prioritet  procedimi i Strategjisë së  Sigurisë së Kosovës e cila i hap rrugë  procedimit të Strategjisë së Mbrojthjes.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në fjalën e tij, foli për planin e transformimit të FSK-së, duke theksuar rezultatet e arritura deri më tash përballë gjendjes së rënduar nga pandemia, se ju kemi përshtatur kësaj gjendje, dhe nuk kemi ngecje në realizimin e detyrave të planifikuara.

Ai, po ashtu, foli edhe për rezultatet e mira që kanë arritur kadetët tanë, në Akademitë më të njohura në botë, si: në Ëest Poent-SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Kroaci, Turqi, Maqedoni, etj.

Gjeneral Rama, e njoftoi znj. Osmani, dhe për angazhimet dhe kontributin e FSK-së, në menaxhimin e situatës me pandeminë COVID 19, brenda për brenda FSK-së, duke mos dëmtuar operacionalitetin e saj, si dhe angazhimet për të mbështetur institucionet mjekësore në logjistikë, transport edhe me kapacitete tjera shtesë.

Nga ana e saj, kryeparlamentarja Osmani, duke e falënderuar për pritjen e ngrohtë, vlerësoi lartë arritjet e FSK-së, duke shtuar se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja janë dy institucionet që vlerësohen lartë në Parlamentin e Kosovës, për shkak të punës dhe së mirë dhe vlerësimit të lartë që kanë për Juve.

Ajo vlerësoi lartë angazhimin dhe kontributin e FSK-së, në menaxhimin e situatës së pandemisë në ndihmë të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.

Zonja Osmani premtoi se aty ku ka nevojë FSK-ja, do ta ketë mbështetjen e përhershme dhe pa rezervë të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë takimit u bisedua edhe për incidentin e Karaqevës së Kamenicës, për veprimtarinë e xhandarmerisë serbe e cila i ka revoltuar banorët lokal, ku u vlerësua se në raste të tilla duhet të ketë informim më të shpejtë, transparencë dhe koordinim me të mirë në mes të institucioneve shtetërore dhe atyre të pranisë ndërkombëtare dhe detyrimet të institucioneve në situata të tilla.

Me vlerësimin e dyanshëm në takim u vendos për dërgimin e një oficeri ndërlidhës në Kuvendin e Kosovës, me qëllim të lehtësimit të komunikimit në mes Ministrisë dhe FSK-së, me Parlamentin.

Në kuadër të vizitës, kryeparlamentarja Osmani, qëndroi edhe në Qendrën Operative të  Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, ku nga Shefi i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, u njoftua me angazhimet operacionale të FSK-së.

Haradinaj: Kam marrë besimin nga AAK që të jem kandidat për President të Kosovës

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj thotë se ka marrë besimin nga AAK’ja që të jetë kandidat për President të Kosovës, ndërsa tregon se në mbledhjen e sotme të kryesisë është folur edhe për “rikonfigurim të Qeverisë”, derisa po spekulohet për përfshirjen e PDK’së në Qeveri.

“Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj, transmeton Gazeta Express.

Shkrimi i plotë i Haradinajt:

Sot në takimin me strukturat udhëheqëse të Aleancës, u diskutuam për zhvillimet politike dhe qeverisëse në vend, me theks të veçantë tek menaxhimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, dialogu Kosovë-Serbi dhe mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës.

Aleanca qëndron fuqishëm në përkrahjen e menaxhimit efektiv të pandemisë, duke përkrahur bizneset dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, me masa të propozuara nga ekspertët shëndetësor.

Gjithashtu në dialogun me Serbinë, ne jemi për marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë eksitues, duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës së 17 shkurtit.

Ne jemi kundër dialogut teknik, i cili për më shumë se një dekadë i ka shkuar në favor vetëm Serbisë, duke e lënë Kosovën të izoluar.

Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë.

RH

Edhe 11 të vdekur dhe 205 të infektuar nga koronavirusi në Kosovë

Kosovës i janë shtuar edhe 11 raste të vdekjeve nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Trendi i shifrave të larta të vdekjeve, krahasuar me numrin e popullsisë, po vazhdon tash e disa javë, përkundër masave kundër pandemisë të ndërmarra nga institucionet e Kosovës, siç është ndalimi i tubimeve, mbajtja e maskës dhe distancës fizike si dhe një kufizim i lëvizjes në disa komuna.

Numri i përgjithshëm i viktimave që nga muaji mars ka arritur në 365.

Instituti Kombëtar i Shendetësisë Publike (IKSHPK ) ka njoftuar se gjatë 24 orëve ka testuar 521 mostra dhe si rezultat 205 persona kanë dalë të infektuar me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 10.795.

Gjatë 24 orëve, sipas IKSHPK-së janë shëruar 163 pacientë. Deri më tani, nga sëmundja janë shëruar 6.411 persona.

Raste aktive në Kosovë aktualisht janë: 4.019.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar të mërkurën se në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, aktualisht janë të shtrirë 610 pacientë, prej tyre 449 janë të prekur me koronavirus.

Në raportin ditor të SHSKUK-së është thënë se 14 pacientë janë në respiratorë, 25 janë duke u trajtuar me makinat e frymëmarrjes, CPAP, derisa 393 të tjerë janë në oksigjenoterapi.

Kosova ka gjithsej 700 shtretër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale. rel

Futja e PDK-së në Qeveri nxit ambicjet e fshehura për pushtet

Isa Mustafa është i gatshëm për të qeverisur edhe një herë me PDK-në, “për çështje jetike të vendit”, e bashkë me të edhe Nisma e Fatmir Limajt. Por nga AAK-ja duket se nuk janë shumë komodë me këto qëndrime. Ata mbrëmë dhanë sinjale se e duan Ramush Haradinajn për president të vendit, e pikërisht kjo mund t’i bëjë edhe më shumë lëmsh punët. Xhavit Haliti i PDK-së mbrëmë tha se kjo parti duhet të bëhet pjesë e Qeverisë. Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj thotë për Gazetën Express se edhe ky subjekt synon ta marrë postin e presidentit nëse bëhet pjesë e koalicionit.

Lëvizja Vetëvendosje i ka lansuar akuzat e para se PDK-ja i ka nisur pazaret për poste ministrore në Qeverinë Hoti, tashmë kur kreu i LDK-së Isa Mustafa është deklaruar haptas pro përfshirjes së partisë që drejtohet nga Kadri Veseli.

Mustafa është i gatshëm që tripleta e PAN-it të bëhet bashkë përsëri në Qeveri, me LDK-në aty, sepse, sipas tij që nga koha e zgjedhjeve, kur ai u zotua se nuk bashkëpunon me PDK-në, kanë ndryshuar rrethanat dhe se vendit i duhet stabilitet për temat e mëdha.

Derisa përplasjet mes AAK-së dhe LDK-së u thelluan gjatë fundjavës, e kryeministri Avdullah Hoti e quajti “defilim” shkuarjen e Haradinajt në Karaçevë, Isa Mustafa një ditë pas i tha Gazetës Express se nuk e përjashton PDK-në si partnere të ardhshme.

“Në zgjedhjet e fundit jemi deklaruar se nuk bëjmë koalicion me PDK-në. Edhe PDK, pas zgjedhjeve është deklaruar se do të qëndrojë në opozitë. Mendoj se situata e pandemisë, paralajmërimi i aktakuzave për një numër të përfaqësuesve të lartë sikurse edhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke, kërkon një qasje tjetër”, tha Mustafa duke shtuar: “Të mos jemi përjashtues ndaj njëri-tjetrit dhe të sigurojmë pajtim për çështje jetike për vendin”.

PDK-ja zyrtarisht nuk ka dhënë akoma asnjë qëndrim të sajin rreth mundësisë që të kalojë nga opozita në një qeveri, që do ta linte vetëm Lëvizjen Vetëvendosje jashtë.

Zyra për Media e PDK-së i ka thënë sot Gazetës Express se në asnjë moment nuk e kanë diskutuar kalimin nga opozita në Qeveri.

“As prej kryetarit të partisë, as në kryesi, e as në këshillin drejtues të partisë nuk është diskutuar kjo çështje”, ka thënë Zyra për media e PDK-së.

Por, zyrtarë të lartë e me ndikim në parti konsiderojnë se duhet të bëhen pjesë e qeverisë Hoti.

“Po, PDK-ja duhet t’i bashkohet Qeverisë Hoti”, ka thënë Xhavit Haliti në Tv Dukagjini i cili në PDK drejton departamentin për grupe të interesit.

AAK-ja akoma nuk ka dhënë qëndrim zyrtar rreth mundësisë që PDK-ja t’i bashkohet Qeverisë, veçse Haradinaj ka mbledhur kryesinë e partisë për sot (e mërkurë) në orën 16:00. Burimet brenda kryesisë i kanë thënë Expressit se do të diskutojnë edhe për koalicionin qeverisës, pjesë e të cilit janë.

Por, AAK ka dhënë sinjale se e duan Ramush Haradinaj president të vendit.

“Unë jam që Ramush Haradinaj të jetë president. Do ta udhëhiqte vendin me lidership. Me trimëri. Në situata në të cilat unë vetë jam dridhur, në situata të cilat nuk dua të flas se sa vështirësi kemi pasur. Ai ka qenë i palëkundur”, ka thënë mbrëmë në Pressing zëvendëskryeministri Besnik Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj – Halimi, që vjen nga Nisma, thotë se partia e saj është pro hyrjes së PDK-së.

“Ne e kemi qëndrimin se edhe PDK-ja duhet të jetë pjesë e kësaj qeverie. Për shkak se ne duam të jemi unik përballë Serbisë me dialog dhe secili subjekt politik që i bashkohet kësaj ideje që qëllimi kryesor të jetë njohja mes dy shteteve të jemi më të qëndrueshëm dhe bashkuar”, ka thënë ajo gjatë fundjavës në KosovaPress.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se Mustafa po e dëshiron përfshirjen e PDK-së në Qeveri për ta minuar rolin e AAK-së në koalicion.

“Mustafa po kërkon që PDK të përfshihet në koalicion sepse është e vështirë që Qeveria Hoti të mbijetojë pa PDK-në. Po ashtu, ai dëshiron përfshirjen e PDK-së në mënyrë që të zbehë rolin e AAK-së në koalicion”.

Kryetari i LDK-së, të dielën për Expressin ka thënë se përveç dorëzimi i aktakuzave për Thaçin e Veselin, edhe çështja e presidentit në fund të vitit kërkon një marrëveshje.

“Rrethanat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë pas paralajmërimit të aktakuzave nga Prokurori i specializuar. Edhe mos të ishte kjo, në fund të vitit do duhej të uleshim e të merremi vesh për zgjedhjen e presidentit. Në çdo variant mungesa e një dakordimi për zgjedhje të presidentit na çon në zgjedhje të reja”, tha ai.

Mushkolaj thotë se pikërisht çështja e presidentit është një prej arsyeve pse, sipas tij, Mustafa e do PDK-në.

“Me përfshirjen e PDK-së në koalicion, gjasat do të ishin që kësaj partie t’i takojë posti i presidentit, vitin e ardhshëm. Po ashtu, me PDK-në në qeveri, në njëfarë forme do të garantohej edhe vazhdimësia e dialogut me Serbinë, që po kërcënohet nga qëndrimet e AAK-së dhe të Ramush Haradinajt i cili, siç duket, qasjen e tillë karshi qeverisë më tepër e ka vënë në funksion të krijimit të rrethanave për zgjedhjen e tij president, sesa që ka të bëjë me parimet e funksionimit të koalicionit. Mustafa po e fton tash PDK-në të bëhet pjesë e qeverisë, pavarësisht qëndrimit “kurrë më me PDK-në”. I mbetet PDK-së nëse do të mbajë ose jo qëndrimin se do të qëndrojë në opozitë”, thotë Mushkolaj.

Qeveria e përbërë nga LDK-ja, AAK-ja, Nisma Socialdemokrate dhe minoritetet është votuar me 3 qershor, me 61 vota pro. Kjo është qeveria e dytë e zgjedhur nga legjislatura që doli prej zgjedhjeve të 6 tetorit. Qeveria e fundit e Kosovës, ajo e Kurtit, pati jetëgjatësi prej 4 muajve, pasi LDK-ja i ngriti mocion votëbesimi. /Express /

Gani Geci me veshje ushtarake shfaqet në Karaçevë, proteston bashkë me banorët

Banorët e Karaçevës kanë dalë për të protestuar pas zhvillimeve të fundit në këtë fshat të Kamenicës.

Me flamuj të Kosovës e të Amerikës në duar ata po kërkojnë mbrojtje, pasi disa ditë më parë xhandarmëria serbe u fut brenda territorit të Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Në përkrahje të kësaj proteste ka dalë edhe ish-deputeti, Gani Geci, i cili iu është bashkua banorëve të Karaçevës në këtë protestë.

Geci ka thënë se banorët e Karaçevës nuk duhet të bien pre e provokimeve serbe, por në anën tjetër ka potencuar se duhet mbrojtur territori i vendit pasi këtë e garanton edhe Kushtetuta jonë.

“Qytetarët nuk duhet të bien pre e provokimeve duke ditur se kohët e fundit Serbia ka blerë armatim nga Kina e Rusia. Ne duhet ta mbrojmë territorin tonë sepse Kushtetuta na lejon dhe të gjithë deputetët e institucionet e vendit duhet t’i mbrojmë me të gjitha mjetet”, është shprehur ai.

Ishte infektuar me koronavirus, ndërron jetë drejtori i Birrarisë Peja Ernest Jusufi

Drejtori i Birrarisë Peja, Ernest Jusufi ka ndërruar jetë të martën nga koronavirusi.

Jusufi ishte diagnostikuar me Covid-19 dhe ka ndërruar jetë në Shkup.

Lajmin për ndarjen nga jeta të Jusufit e ka konfirmuar gazetari Adriatik Kelmendi, përmes një postimi në “Facebook”.

“Ernest Jusufi, një afarist shembull dhe një shok i mirë. Ngushëllime familjes dhe miqve të shumtë!”, ka shkruar Kelmendi, i cili ka publikuar edhe një fotografi të të ndjerit.

Jusufi ishte angazhuar me industrinë e ushqimit nga viti 2005.

Ai ka shërbyer më herët edhe si drejtor ekzekutiv i Devolli Distrubution.

Kosovë, përplasje brenda koalicionit qeverisës

Leonat Shehu

Marrëdhëniet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë u dukën të lëkundura që pas rifillimit të bisedimeve me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur pakënaqësi me kryeministrin Avdullah Hoti për shkak të mënyrës së udhëheqjes së bisedimeve dhe lënien anash të anëtarëve të saj në këtë proces.

Besnik Tahiri

Besnik Tahiri

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, njëherësh sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thotë për Zërin e Amerikës se koalicioni qeverisës nuk ka probleme të funksionimit por pakënaqësitë lidhen me një pozicion siç thotë parimor dhe politik rreth bisedimeve.

“Dhe e dyta kemi kërkuar dhe kërkojmë diçka që është në programin tonë qeverisës përfshirjen e SHBA-së në këtë proces për shkak se pa involvimin, lidershipin e drejtpërdrejt të SHBA-së dialogu nuk do të ketë sukses sikurse nuk ka me dekada sukses në dialogun që ka ndodh. Pra nga vjen kjo, kjo vjen nga përvoja jonë në qeverisjen Haradinaj në veçanti me dialogun që e ka menaxhu zonja Mogherini kur çështjet si territori, shkëmbimi dhe temat tjera nuk kanë qenë saktësisht të artikuluara kundër nga Bashkimi Evropian, këto rrethana, këto dy pika janë edhe pika programore të cilat duhet të respektohet dhe do të respektohen”, tha zoti Tahiri.

Ai thotë se kjo mënyrë e bisedimeve me Serbinë po e vendos Kosovën në një pozicion jo të favorshëm dhe kjo është vërejtur edhe në takimin e fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

“Andaj edhe me kryeministrin Hoti kemi biseduar edhe komunikimi që është me ekipin e dialogut ka të bëjë me një temë, të ulemi, të krijojmë një marrëveshje, një marrëveshje për njohje reciproke, një marrëveshje finale dhe të mos hyjmë në një proces të mundësive për fotografi, të takime që pastaj i përdorë presidenti Vuçiç me inskenimet e tij në dëmtim të imazhit të Kosovës dhe vet kryeministrit Hoti sikurse që e bëri në takimin e fundit”, tha ai.

Zëri i Amerikës ka kontaktuar edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike për të komentuar raportet e fundit ndërmjet koalicionit qeverisës, por deri në përgatitjen e këtij materiali ishin paqasshëm.

Zyrtarë të kësaj të fundit kanë paralajmëruar takime me zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të sqaruar kritikat ndaj kryeministrit Hoti.

Arton Demhasaj

Arton Demhasaj

Analisti Arton Demhasaj thotë se rifillimi i bisedimeve në Bruksel dhe emërimi i Skender Hysenit si bashkërendues i Kosovës për procesin e bisedimeve ka çuar në përçarje ndërmjet partnerëve të koaliciniot. Ai thotë se janë dy skenarë që mund të ndodhin aktualisht.

“Skenari i parë është që duke marr parasysh që qeveria Hoti ka pak numra dhe nuk po ka mundësi të shtyj politika të caktuara tutje për shkak se koalicioni është shumë i brishtë dhe nuk i kanë votat e mjaftueshme mund të lind nevoja dhe me gjasë edhe mund të futet edhe Partia Demokratike në një koalicion ku mund ta shohim një koalicion të gjitha partive politike përjashto Vetëvendosjen, kjo edhe për arsye se eventualisht arrihet një marrëveshje finale në mes të Serbisë dhe Kosovës që më pas një mundësi një shumicë të mjaftueshme parlamentare për të ratifikuar atë marrëveshje që e dimë që duhet 80 vota në Kuvendin e Kosovës, ndërsa skenari i dytë i mundshëm që poashtu ka gjasa me ndodh është që të shkohet drejt asaj që LDK ta në një mënyrë ta evitoj nga koalicioni AAK-në dhe Nismës Socialdemokrate dhe ta përshijë PDK-në në një koalicion pra ta shohim një qeveri tjetër LDK-PDK ku AAK dhe NSIMA do të mund mbetëshin jashtë si parti opozitare”, tha ai.

Zoti Demahasaj thotë se megjithatë këto skenarë do të varen nga pozita e presidentit të vendit.

“Problemi qëndron tek pozita e presidentit qoftë nga Partia Demokratike që mund ta synojë një pozitë të tillë, ta mbaj ose edhe tek Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës e cila mund të synojë ta marr këtë pozitë të lartë shtetërore. Pra krejt ajo se çfarë do të ndodh, a do të futet Partia Demokratike në koalicion apo do të hynë vetëm Partia Demokratike dhe të del Aleanca dhe Nisma mbetet tek çështja se si do të merren vesh për pozitën e presidentit”, tha zoti Demhasaj.

Kryeministri Avdullah Hoti mori detyrën më 3 qershor duke pasuar në këtë post ish kryeministrin Albin Kurti i cili u rrëzua me mocion mosbesimi më 25 mars që ishte ngritur nga Lidhja Demokratike. Koalicioni i ri qeverisës i kësaj partie me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave, që nga krijimi është përballur edhe me mungesë të votave të mjaftueshme në parlament.

Shifra të larta nga Kosova, 13 pacientë humbën jetën, 171 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit

Kosovës të martën i janë​ shtuar 171 raste të​ reja me koronavirus, pas marrjes së​ 463 mostrave.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar edhe 13 viktima, duke e çuar numrin total të të vdekurve me koronavirus në Kosovë në 354.

Sipas të dhënave të këtij Instituti të martën janë regjistruar edhe 190 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 3,988.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 10,590 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Disa laboratorë në Prishtinë, të licencuar për teste serologjike për koronavirus, kanë nisur punën duke njoftuar se çmimet variojnë nga 25 deri në 50 euro, varësisht nga numri i testeve për antitrupa.

Çmimet për teste serologjike në Kosovë dallojnë nga laboratori në laborator.

Në vendet e rajonit, çmimet për testimin serologjik në disa institucione private shëndetësore janë prej 17 deri 32 euro. Në Shqipëri, testimi serologjik kushton 32 euro. Në Serbi dhe Mal të Zi, ky lloj testimi kushton 17 euro, ndërsa në Maqedoni të Veriut ky testim kushton 20 euro.

Testet serologjike janë ato teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin dhe bëhet përmes mostrave të gjakut.

Ndërkaq dy nga institucionet shëndetësore të licencuara në Kosovë për testim me metodën PCR dhe teste serologjike për koronavirus, ende nuk kanë filluar të bëjnë këto teste dhe nuk e dinë sesa do të jenë çmimet.

Vjosa Osmani tregon se a ka folur me Albin Kurtin për rrëzimin e Hotit

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka deklaruar se ende s’ka biseduar me Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket mocionit për rrëzimin e Qeverisë Hoti, inicimin e të cilit kjo parti e bëri ditë më parë.

Osmani u pyet nëse kjo parti i kërkoi votën për mocionin e rrëzimit të Qeverisë, ajo tha se agjenda e ngjeshur të cilën e ka pasur, ia ka pamundësuar që të diskutojë me Vetëvendosjen lidhur me këtë çështje, transmeton Indeksonline.

Osmani gjatë vizitës së saj në Mitrovicë gjatë debatit për ambientin me të rinjtë tha se koalicioni qeverisës nuk ka qenë i qëndrueshëm që nga dita e parë.

“Koalicioni qeverisës s’ka qenë i qëndrueshëm që nga dita e parë sepse siç e dini disa nga votat janë bërë me presion të drejtpërdrejtë. Njëra nga votat ka qenë me presion antikushtetues, kur për tjetrën do të presim vendimin final nga Gjykata Kushtetuese nëse ajo do të mund të numërohet”, tha Osmani.

Hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë, Hoti mbledh krerët e institucioneve të sigurisë

Hyrja e ushtrisë serbe brenda territorit të Kosovës dhe shqetësimet e ngritura nga banorët të cilët jetojnë në zonën kufitare të Karaqevës, ka bërë që kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, të mbledh sot bashkë të gjithë krerët e institucioneve të sigurisë në Kosovë përmes një video-konference.

Në takim është biseduar për gjendjen e përgjithshme në vend dhe për bashkërendimin e veprimeve institucionale në fushën e sigurisë.

Prezent në këtë takim virtual kanë marrë pjesë ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, ministri i Mbrojtjes Anton Quni, drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës Kreshnik Gashi, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama, dhe drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj.

Në këtë bashkëbisedim, kryeministri Hoti ka falendëruar përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë në vend për përkushtimin dhe angazhimin e shtuar të tyre për përballimin e gjendjes së krijuar si pasojë e pandemisë COVID 19.

Po ashtu, kreu i qeverisë ka kërkuar që ky përkushtim dhe ky mobilizim i këtyre institucioneve të vazhdojë edhe më tutje, ndërkohë që kërkoi edhe koordinimin me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, e në veçanti me KFOR-in, si një partner strategjik i Kosovës në fushë të mbrojtjes dhe sigurisë./Express/