VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Shkoi nga Kosova në Zvicër me vetëm 20 franga, historia e shqiptarit me kartëmonedhën do ju habisë

By | December 5, 2017

Komentet

Lara e Valoni kanë thënë “Po”

VOAL – Futbollisti me origjinë shqiptare i kombëtares zvicerane Valon Behrami u martua dje, të mërkurën, me skiatoren zvicerane Lara Gut.

“Nuk mund të kisha imagjinuar një mënyrë më të mirë për të thënë ‘E dua’,” dy shkruajnë ata në profilet e tyre të Instagram. Pritja u zhvillua në Monte Brè. Në këtë ngjarje ishin të pranishëm “familja dhe miqtë më të dashur”.

Marrëdhënia mes dy sportistëve u bë publike marsin e kaluar në një postim të gjatë në Facebook. “Valoni është me të vërtetë gjëja më e mirë që mund të më ndodhë”, pranoi 27-vjeçarja.

13 vite me helvetët, por Behrami nuk heq dorë

Valon Behrami ka vendosur që të vazhdojë të jetë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës. Futbollisti i cili ka thyer rekordin në këtë vit, duke luajtur në Botërorin e katërt radhazi në karrierën e tij, mendohej se do t’i jepte lamtumirën përfaqësueses së Zvicrës pas 13 viteve pjesë e saj. Por menjëherë pas ndeshjes kundër Suedisë, ku Zvicra u eliminua përsëri në fazën 1/8-ave, Behrami tregoi se kishte ndryshuar mendje dhe nuk e mendonte largimin, përkundrazi, ai kishte bindjen se mund të ishte protagonist në Europianin pas dy viteve.

“Si sportist jam shumë i zhgënjyer nga eliminimi, por vazhdoj të jem krenar. Dal nga ky Botëror me kokën lart. Suedezët na kanë treguar se kemi limitet tona. Por këtë unë e interpretoj si një objektiv të ri për t’u arritur. A do largohem? Jo, unë dua të vazhdoj. Unë kam ende motivim të madh në mendjen time, shpresoj që kështu të jetë edhe fizikisht. Pse ndryshova mendje? Gjatë ditëve të fundit u ndjeva mirë këtu në ekip. Ndjej se mund t’i jap përsëri kësaj skuadre. Dështimet në Botëror? Tani jam bërë si tip eksperti…”, tha duke qeshur mesfushori shqiptar që luan për Zvicrën, ku dje mbante shiritin e kapitenit.

Vrau kushëririn se dyshonte që gruaja e tradhtoi me të, del para gjykatës në Zvicër shqiptari

Të hënën një 61-vjeçar nga Kosova duheshte të përgjigjet përballë gjykatës rajonale të St. Gallen në Zvicër, pasi akuzohej për vrasjen e kushëririt të tij në mes të rrugës në vitin 2016, shkruan tagblatt.ch.

Haki S. pak përpara orës 5:00 ishte nisur të shkonte në punë. 42-vjeçari vinte shpesh ilegalisht në Zvicër për të punuar. Të njohurit e paraqitnin atë si miqësor dhe të respektueshëm. Kur ai doli nga shtëpia, kushëriri e priti me një armë. Nga një distancë prej 10 ose 20 centimetra 61-vjeçari qëlloi në kokë Hakiun. Pasi tërhiqet pak, ai qëllon edhe njëherë me një plumb tjetër të afërmin e vetë. Kësaj herë Hakiu bie në tokë dhe vdes.

Rrëzimi misterioz nga ballkoni
Autori i dyshuar më vonë pretendoi se Haki S. kishte pasur marrëdhënie intime me gruan e tij, andaj mori vendimin e rëndë. Por gruaja e tij nuk mund të pyetej për këtë, pasi ajo ishte rrëzuar fatalisht nga ballkoni në Kosovë, ku edhe ndërroi jetë.
Të afërmit dhe miqtë e Haki S. e përshkruajnë këtë pretendim të shpifur. “Bashkëshortja me Hakiun ishin kushërinj dhe shumë më e vjetër se sa ai,” tha një mik i viktimës. “Kurrë nuk kishin marrëdhënie ata të dy.” Ata pretendojnë se gjithçka ka ndodhur për para.
“Hakiu i kishte besuar kushëririt të tij prej disa vitesh rreth 100 mijë franga,” thotë i afërmi i viktimës. “Pasi ai ishte ilegalisht në Zvicër, nuk mund të hapte konto bankare.”
Në këto kushte i dyshuari për vrasje kishte keqpërdorur paratë e tij, përkundër faktit se gruaja i kishte kërkuar që Hakiut t’i ktheheshin paratë.

Ç’vendosi Prokuroria dhe ç’tha avokati
Të martën u mbajt seanca e parë kundër 61-vjeçarit. Ai jeton prej kohësh në rajon dhe ka një familje me katër fëmijë. Prokuroria kërkoi dënimin me 18 vjet heqje lirie për vrasje. Drejtësia zvicerane nuk ka gjetur prova që gruaja e tij të ketë pasur lidhje intime me viktimën, ndërsa vrasësi pretendon se kishte blerë mjete teknologjike për të vëzhguar gruan. Ai kishte qenë tepër xheloz, shkruan tagblatt.ch, raporton albinfo.ch.

Avokati i tij kërkoi një dënim maksimal prej dhjetë deri dymbëdhjetë vjet burg, për shkak se klienti i tij kishte vepruar në “gjendje emocionale”. Gjykata do e bëjë publik vendimin në ditët e ardhshme.

Flamujt e Zvicrës ne Kosovë, reagojnë mediat serbe: Pamje shokuese në fshatin e lindjes së Shaqirit!

Do të zhvillohet sot një nga ndeshjet më të nxehta të Botërorit, ku Serbia do të përballet me Zvicrën. Kjo sfidë nuk do të mbajë të mbërthyer vetëm zviceranët, por mbështetës të kësaj skuadre do të jenë edhe shqiptarët.

Sot në fshatin Zhegër të Gjilanit duket haptazi mbështetja, teksa shihen të valviten flamuj zviceran. Rruga është mbushur me flamuj, për të treguar haptazi se sot bëjnë tifo për Zvicrën.

Kjo ka sjellë menjëherë reagimin e mediave serbe, të cilat kanë shkruar: “Pamje shokuese në fshatin e lindjes së Shaqirit në Kosovë! Shqiptarët provokojnë ashpër serbët, në prag të ndeshjes me Zvicrën”.

Banorët vendës të këtij fshati e kanë bërë të qartë se sonte do të anojnë me zjarr kundër Serbisë, shkruan “Kurir”.

Gazeta zvicerane “Blick” ka shkruar se përveç zviceranëve në ethe në orën 20:00 janë edhe miqtë tanë kosovarë.

Rrëfimi i pabesueshëm – Historia prekëse e Xherdan Shaqirit: S’kisha para as për stërvitje

Xherdan Shaqiri dha një intervistë të gjatë për The Players Tribune. Në këtë intervistë shqiptari nga Kosova ka shpjeguar në detaje jetën e tij dhe karrierën sportive që nga fillimi deri tani, duke treguar disa ngjarje dhe tregime të ndryshme që nga emigrimi i tij me familje në Zvicër.
Shaqiri është pjesë e skuadrës së Zvicrës në Kampionatin Botëror që po mbahet në Rusi. Ai tregon se rruga deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë, transmeton Gazeta Express.

“Shtëpia jonë nuk kishte nxehje qendrore. Vetëm një oxhak të madh. Ishte një shtëpi shumë e vjetër në një fermë në Basel, ishte ashtu si ishte. As që më shkonte mendja për shtëpinë dhe kushtet e saj, ngrohesha vetë duke vrapuar si një budalla. Vëllai im i madh ishte ai që ankohej më së shumti për të ftohtin, pasi dhoma e tij ishte sipër, larg nga oxhaku. Ai detyrohej të mbulohej ndoshta me pesë batanije gjatë kohës së dimrit.”

“Familja ime u largua nga Kosova para se të fillonte lufta, unë isha katër vjeçar, ata provuan që të krijojnë një jetë të re në Zvicër me mua dhe dy vëllezërit e mi. Nuk ishte e lehtë. Babi im nuk dinte gjuhën gjermane, kështu ai filloi të lajë enët në një restorant. Më pas ai filloi të punojë në ndërtimin e rrugëve. Nëna ime punonte si pastruese në zyrë të qytetit. (Unë i ndihmoja me fshesën elektrike, kurse vëllezërit pastronin dritaret).”

“Zvicra është një vend i shtrenjtë për të gjithë, por ishte shumë më i vështirë për prindërit e mi sepse ata dërgonin para tek familjarët tanë që ishin në Kosovë. Në fillim ne udhëtonim për Kosovë një herë në vit. Nëna ime gjithmonë tregon, ‘Në aeroplan, ti gjithmonë ishe një djalë i keq!
Gjithnjë duke tentuar të kërcesh mbi karrige dhe duke prekur njerëzit në kokat e tyre! Nuk pushoje asnjëherë!’

Kur lufta filloi ishte e pamundur që të shkojmë në vendlindje, dhe gjërat ishin të vështira për familjarët e tjerë që ngecën atje. Shtëpia e xhaxhait tim ishte djegur deri në themel. Babai im dërgonte para sa më shumë që mundte, kështu që ne nuk kishim para për të shpenzuar ekstra gjatë kohës sa fillova të rritem, duke veçuar ndonjë gjë në ditëlindje.

“Një tregim qesharak… Ronaldo ishte idhulli im. Ai origjinali. Mënyra se si luante, ishte një magji për mua. Gjatë finales së Botërorit ’98, kur ai u lëndua dhe Brazili humbi nga Franca, unë qaja dhe vetëm qaja sepse isha shumë i mërzitur për të. Ditëlindja ime e shtatëmbëdhjetë ishte tre muaj pas Botërorit, dhe unë vazhdimisht e lusja Nënën time për tre muaj rresht, ‘E vetmja gjë që dua për ditëlindje është fanella e verdhë e Ronaldos. Të lutem, ma blej atë fanellë’.

‘Ditëlindja ime erdhi dhe nëna ime kishte vetëm një kuti për mua. E hapa atë, dhe ishte fanella e verdhë e Ronaldos. Ishte nga ato fanellat false të cilën e blenë në market. Nuk e di bile a kishte ndonjë emblemë në të. Ishte vetëm një fanellë e verdhë me numrin nëntë’.

“Prindërit e mi nuk kishin para për të ma blerë fanellën origjinale, mua nuk më pengoi kjo. Ishte dita më e lumtur e jetës sime. E vesha atë për një 10 ditë rresht, po ashtu kisha edhe pantallonat e shkurta me ngjyrën e verdhë.”

“Me sa e di unë isha emigranti i vetëm në shkollën time dhe nuk mendoj se fëmijët zviceran e kuptuan se përse isha aq i dhënë pas futbollit. Në Zvicër, futbolli është vetëm një sport. Nuk është jetë siç është në vendet e tjera”.

“Më kujtohet, katër vite më vonë, kur Ronaldo ishte në Botërorin e vitit 2002 me atë stilin e flokëve në formë trekëndëshi, shkova menjëherë te berberi dhe i thashë, ‘ma bëj stilin e flokëve si të Ronaldos’.
Por unë kisha flokë kaçurrela atë kohë, nuk dukeshin edhe aq mirë. Kur shkova në shkollë të gjithë fëmijët më shikon me habi duke thënë, Çfarë i ndodhi këtij? Çfarë dreqin ka bërë?
Nuk e kisha problem. Isha thjesht vetvetja. Shkolla ime ishte në pjesën e mirë të qytetit, ndërsa shtëpia ime ishte vetëm pesë minuta larg ecje nga pjesa me të vërtetë e keqe e qytetit dhe aty bëhej futbolli i mirë.
Nëna ime më përgjërohej që të mos shkoja atje, por unë shkoja atje çdo ditë pas shkollës për të luajtur. E di që njerëzit mendojnë se Zvicra është e gjitha e mirë, dhe pjesa më e madhe e saj është ashtu, por në këtë park, ishte çmenduri. Ekipet aty ishin si Shtetet e Bashkuara.
Aty kishte turk, afrikanë, serbë, shqiptarë, gjithçka. Dhe nuk ishte vetëm futbolli aty, të gjithë qëndronin aty kotë, aty kishte njerëz duke kënduar hip-hop-in gjerman, kishte fëmijë që këndonin muzikë rep, kishte vajza që ecnin ne mes të fushës edhe pse loja ishte duke u zhvilluar.
Futbolli aty ishte i vërtetë. Mund të shihje çuna duke mgrënë grushte gjatë gjithë kohës. Unë nuk u grushtova asnjëherë sepse e mbaja gojën e mbyllur, gjithmonë. Koha ime në atë park më ndihmoi shumë, pasi që unë isha një fëmijë i vogël, mësova se si të luaj me çuna shumë më të mëdhenj se unë të cilët nuk luanin për shaka”.

“Kur isha 14-vjeç, isha duke luajtur për ekipin e të rinjve të FC Baselit, dhe na erdhi mundësia të luajmë në Nike Cup në Pragë. Problemi ishte se më duhej të bëja disa mungesa në shkollë, dhe kur e pyeta mësuesin, ai tha jo. Në Zvicër, mësuesit janë shumë serioz për punën e shkollës. Mendova, M**, në rregull, tani më duhet të bëhem kinse jam i sëmurë.
I thashë Nënës sime që të shkruaj një letër Shkollës, në të cilën shkruan se jam i sëmurë ose diçka, dhe pastaj shkova në Pragë për turnirin që mbahej. Luajta shumë, shumë mirë, dhe ishte hera e parë kur pashë fëmijët e tjerë të cilët më shikonin duke thënë, Shiko, ai është fëmija nga Baseli. Është ai. Ishte një ndjenjë shumë e mirë.
U kthyem në shtëpi dhe pastaj shkova në shkollë të hënën, ende duke u bërë kinse kam qenë i sëmurë, e dini ju? Pastaj mësuesi im më tha, ‘Xherdan, eja këtu. Eja, eja, eja’.
Ai më pa dhe pastaj nxjerri gazetën nga tavolina e tij. Ai vendosi gishtin te lajmi dhe tha, ‘Oh, ti ishe i sëmurë?’ Në faqen e parë të gazetës, ishte një foto e imja duke buzëqeshur, duke mbajtur trofeun e Lojtari më i mirë i Turneut”.

“Vetëm e pashë mësuesin në sy dhe vendosa duart lartë, ashtu, Mirë… në djall! Fillova të tërheqë vëmendje pas ati turneu, por paratë ende ishin problem për familjen time, sepse po ashtu dy vëllezërit e mi luanin për Baselin. Kurdo që kishim për të shkuar në ndonjë turne, duhej të paguanim çmimin më shtrenjtë pasi që ishim të tre vëllezërit. Kur isha 16-vjeç, duhet të paguanim për një kamp stërvitor në një vend të Spanjës, dhe çmimi ishte rreth 700 franga zvicerane. Babai erdhi te ne dhe na tha, “Shikoni, është e pamundur. Nuk mund ta paguajmë këtë”.

“Kështu vëllezërit e mi dhe unë filluam të punojmë punë të ndryshme për t’i siguruar paratë. Punuam në lagjen tonë për atë që kishte nevojë dhe në fund disi i grumbulluam paratë duke siguruar udhëtimin për në Spanjë. Frika ime nuk ishte mos shkuarja në Spanjë, frikësohesha shumë se shokët e mi të skuadrës do e marrin vesh se ne nuk po mundemi t’i gjejmë paratë”.

“E dini se si është kur fëmijët e tjerë tallen me ju, veçanërisht kur je 16 apo 17 vjeçar. Pas stërvitjeve, të gjithë fëmijët shkonin për të blerë ushqim në dyqan, unë dhe vëllezërit e mi nuk kishim asnjëherë para kështu që detyroheshim të gënjejmë dhe të gjejmë arsye se duhet të shkojmë në shtëpi menjëherë. Kjo më bëri të uritur në një mënyrë tjetër. Isha i uritur që të luajë kundër më të mirëve, gjithmonë.

Një vit më vonë, kur u bëra 17 vjeç, mora thirrjen për t’u bërë pjesë e ekipit të parë të Baselit. U futa në 20 minutat e fundit të ndeshjes, dhe mendova se luajta mirë. Shkova të nesërmen në stërvitje, dhe trajneri ynë i të rinjve tha, “Çfarë dreqin ishte ajo? Çfarë mendoje se ishe duke bërë?”

Unë thashë, “Për çfarë jeni duke folur?” Ai tha, “Bisedova me trajnerin. Ai më tha se e vetmja gjë që bëje ishte driblimi. Tani je përsëri në ekipën e dytë. Kjo është e tëra”. Isha i tronditur. Mendova se përfundova këtu.
Dy javë më vonë, ata shkarkuan trajnerin. Një trajner i ri erdhi. Ai më thirri që të jem pjesë e ekipit të parë, dhe më nuk ktheva kokën mbrapa. Ishte qesharake sepse ai më vendosi në krahun e majtë të mbrojtjes, dhe ju e dini që unë e dua sulmin dhe krijimin e sulmeve, kështu që mbrojtësit ishin duke bërtitur gjithmonë, “Duhet të kthehesh mbrapa! Kthehu mbrapa!”
Hahaha! Çfarë të them? Në fund doli shumë mirë për mua, sepse gazetat filluan të shkruajnë për një mundësi që unë të jem pjesë e Botërorit 2010. Nuk e dija se çfarë të mendoja. Ishte një çmenduri. Kur u bëra pjesë e skuadrës, ishte një moment shumë emocional. Shkova direkt te nëna dhe babai im, ata ishin shumë të lumtur.
Ndodhi shumë shpejt. Një ditë isha nj 16-vjeçar, duke u kujdesur për kopshtet e njerëzve në mënyrë që t’i siguroj paratë për një biletë në Spanjë, dhe pastaj u bëra 18 vjeç, duke hipur në aeroplan për të shkuar në Botërorin e Afrikës Jugore.
Më kujtohet loja kundër Spanjës, duke parë Iniestan përballë meje dhe duke menduar, Wow, është Iniesta të cilin e kam parë në tv, ai është këtu. Por diçka që do ta mbaj mend gjithmonë është dita e parë që shkuam në hotel dhe ata kishin një rojtar të armatosur përpara secilës derë të dhomës. Rojtari ynë personal duke na mbrojtur. Mendova se kjo ishte gjëja më interesante në botë, sepse para një viti isha duke vrapuar nga parku për në shtëpi natën vonë, tani kam rojtarin tim personal të armatosur?
Për prindërit e mi ishte një moment krenarie pjesëmarrja ime në Botëror, sepse ata erdhën në Zvicër me asgjë dhe ata punuan shumë për të bërë një jetë të mirë për fëmijët e tyre. Mendoj se mediat i keqkuptojnë ndjenjat e mia për Zvicrën. E ndjejë se kam dy shtëpi. Është aq e thjeshtë. Zvicra i dha familjes time gjithçka, dhe unë tentoj të jap gjithçka për Kombëtaren. Por sa herë që shkoj në Kosovë, menjëherë e përjetojë ndjenjën e shtëpisë, gjithashtu. Nuk është diçka logjike. Është vetëm një ndjenjë që e kam brenda meje.
ne luajtëm kundër Shqipërisë, unë vendosa flamujt e Zvicrës, Shqipërisë dhe Kosovës në këpucët e mia, dhe disa prej mediave zvicerane thanë disa gjëra negative. U kritikova për këtë gjë. Gjëja më e mirë për Zvicrën është se ky vend ka qenë shumë mikpritës për njerëzit të cilët erdhën nga lufta të cilët kërkojnë për një jetë më të mirë.
Zvicra ka liqenet dhe bjeshkët e të gjitha këto. Por Zvicra ka edhe parkun në të cilin kam luajtur me turqit, serbët, shqiptarët, afrikanët, vajzat dhe reperët gjerman. Zvicra është për të gjithë.
Kur të hyj në fushat e Botërorit në Rusi, do t’i kem flamujt e Zvicrës dhe Kosovës në këpucët e mia. Jo për diçka politike. Por sepse këta flamuj tregojnë historinë e jetës time. Mos u brengosni, flamuri zviceran është në këmbën time të djathtë”.

Tronditet kombëtarja e Zvicrës, Valon Behrami kërcënohet me vdekje

Tifozët e kombëtares braziliane nuk e kanë kapërdirë barazimin e skuadrës së tyre kundër Zvicrës ditën e djeshme, dhe për më tepër kanë reaguar ashpër ndaj mesfushorit me origjinë shqiptare Valon Behrami.

Sipas asaj që raporton media zvicerane Uatson.ch, Behrami është vërshuar nga komentet në profilin e tij të “Instagramit” nga tifozët brazilianë, disa prej të cilëve e kanë kërcënuar edhe me vdekje.

“Nëse do të vish në pushime në Brazil, do të të mbysim”, shkruante një brazilian në drejtim të Behramit. Ndërkaq, një tjetër kërcënues shkruante: “Ti je në listën e zezë të Brazilit”. Por kishte edhe nga ata që i thoshin Behramit se “nëse ke pasur punë me Nejmarin, atëherë do kesh punë me tërë Brazilin”.

Shtatorja e Nënë Terezës në Wintethur të Zvicrës (Video)

Në foto kryetari i bashkisë të Winterthur Michael Künzle

Në qytetin e dytë për nga madhësia në Kontonin e Cyrihut, në Winterthur, prej datës 2 qershor shtatorja e Shën Terezës ( treta me radhë në Zvicër), do të zbukurojë njërin nga paraqet më të bukura e të frekuentuara të qytetit por edhe ndërlidhë ura paqe e miqësie midis pjesëtarëve të komuniteteve.

Ceremonia e inaugurimit të shtatores, në saje të idesë dhe punës së palodhshme të SH. K. A. “Dardania” në krye me Shefqet Cakollin, vepër e skulptorit Bashkim Beqiri, jo vetëm që kishte sjellë mërgimtarë të shumtë shqiptarë nga shtete të ndryshme të Evropës e krerë të bashkësive fetare, nga Kosova e Shqipëria, si dhe përfaqësuesit e koreve diplomatike nga Shqipëria e Kosova, por edhe autoritetet vendase zvicerane, por bashkë me ta edhe një ngrohtësi të thellë njerëzore e pse mos të themi edhe atdhetare, ngase figura e Nënës Terezë, sa shqiptare aq edhe botërore, trupshkurt e vepërmadhe bashkon e ofron popuj, religjione e shtete.

Shtatorja u vendos më 2 qershor në parkun e rrugës General-Guisan të Winterthurit. Në ceremoni u gjenden bashkë Biografi i Shën Terezës, Dom Lush Gjergji, Vikar i Përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovë, Kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve baba Edmond Brahimaj, imami i xhamisë shqiptare në St.Gallen Fehim Dragusha. I pranishëm ishte edhe deputetit i parlamentit të Kosovës, Anton Quni. Ndërsa nga figurat e shquara të kulturës shqiptare merrte pjesë “Artisti i Popullit”, Reshat Arbona, që ishte një nga pjsët më të dashura të programit në akademinë e organizuar. Po ashtu nga Gjermania merrte pjesë edhe skulptori Mal Myrtaj që poashtu ka ngritë një bustë të nënës Terezë në Singen, si dhe nga Italia Pirro Qendro, një kontribues i madh i ndërlidhjes së arbreshëve me tokën e të parëve.

Si ngritja e kësaj shtatore të Shën Terezës brenda një viti, e treta me radhë, pas Wilit e Lozanës tash edhe në Winterthur u zbulua në kuadër të 550 vjetorit të kalimit në përjetësi të kryetrimit tonë Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, të cilit edhe iu kushtua një akademi në organizim po të Shoqërisë “Dardania” të Winterthurit me shoqëritë simotra: Shkollën Shqiptare të Vallëzimit në Zvicër “Shota” dhe Ansamblin “Arbëresha” nga Sirnachu si dhe Kori i femrave shqiptare “Lyra” me seli në Cyrih.

Më shumë se tri vite angazhim, lodhje, sakrifikim të kohës së lirë, për Shefqet Cakollin, më 2 qershor 2018 kanë pasur një fund të lumtur. Ato janë kurorëzuar me njërën nga veprat jetësore të tij dhe të SHKA “Dardania”, me përurimin e shtatores së Nënë Terezës në qytetin Winterthur. “Tash mund të marr më në fund frymë lirisht”, shprehet Cakolli për albinfo.ch pasi që shtatorja e shenjtëreshës shqiptare është zbuluar me një ceremoni që rodhi shumë mirë dhe që u nderua nga prania e shumë personaliteteve. Kryesori dhe më i merituari për aktin e vendosjes së shtatores është kryetari i qytetit, Michael Künzle, i cili qëndro gjatë gjithë kohës në ceremoni dhe e mori dy herë fjalën e tij.

Künzle u shpreh i nderuar me mundësinë që i jepej të ofronte një shërbim për bashkëqytetarët e tij nga komuniteti shqiptar, duke u mundësuar vendosjen e shtatores së një personaliteti kaq të rëndësishëm botëror siç është Nënë Tereza në një shesh të qytetit “të tij”. Ai, në fjalën e tij evokoi “parahistorinë” e këtij evenimenti, duke filluar nga propozimi që Shefqet Cakolli në emrin e SHKA “Dardania” e kishte bërë përmes ish pjesëtarit të ekzekutivit të qytetit, Joseph Lisibach e deri sot. Gjatë kësaj kohe mbi 3 vjeçare, idenë e kanë përcjellë edhe mjaft dilema nga anë të ndryshme.

Akademia kushtuar Skënderbeut dhe Nënë Terezës

Pas solemnitetit të zbulimit të shtatores, festa u bart në një pjesë tjetër të qytetit, në Hotel “Töss” ku do të mbahej akademia solemne kushtuar Nënë Terezës dhe 550 vjetorit të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.

Akademia rodhi e kombinuar me leximin e punimeve kushtuar Skënderbeut dhe Nënë Terezës, me fjalët përshëndetëse të përfaqësuesve të besimeve fetare dhe të personaliteteve politike si dhe me një program të pasur artistik.

Me një punim rreth rëndësisë së figurës së Gjerg Kastriotit Skënderbeut për shqiptarët është paraqitur dr. Fehmi Cakolli. Ai ka hedhur dritë mbi shumë burime historike që flasin për Skënderbeun, duke u marrë  me vlerësimin kritik të disa prej tyre. Në veçanti, Cakolli është marrë me disa nga rrymat që kanë kundërshtuar përpjekjet unifikuese të kryetrimit, Skënderbeut në kohën e tij dhe pastaj. Ai po ashtu ka kundërshtuar tezat sipas të cilave Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka luftuar vetëm për kauzën fetare, duke argumentuar me fakte të njohura e të reja historike përkushtimin e tij për mbrojtjen dhe çlirimin e trojeve arbërore.

Nënë Tereza si simbol që duhet ndjekur

Dom Lush Gjergji, i njohur edhe si biografi kryesor i Nënë Terezës, ka thënë se ne, si shqiptarë, e njohëm Nënë Terezën pak me vonesë, vetëm pasi që ajo, me veprën e saj të madhe humanitare, qe bërë e njohur në botë. Por ne u identifikuam pastaj me këtë nënë që përveç simbolit human dhe të krishterë bartte edhe substratin shqiptar për nga përkatësia e gjakut, siç e kishte dëshmuar edhe vetë. Don Lush Gjergji kujtoi se e kishte përcjellë dhe njohur Nënë Terezën për 28 vjet për të gjallë të saj dhe si rezultat i kësaj njohjeje janë 17 librat kushtuar asaj, të përkthyera në 35 gjuhë. Ai më tutje porositi se nuk mjafton vetëm ta njohim Nënë Terezën dhe të krenohemi me të por duhet edhe të përpiqemi ta imitojmë, të identifikohemi me shpirtin humanitar të saj.

Baba Mondi, kryetar i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, me seli në Tiranë, ka përshëndetur tubimin në emrin e miliona besimtarëve të besimit që përfaqëson, siç ka thënë ai. Gjithashtu kreu i bektashinjve ka çmuar lart rolin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Nënë Terezës për kompaktësinë e shqiptarëve në periudhat kur kanë jetuar dhe pas tyre.

Imami që në një ditë Ramazani nderon shenjtëreshën e krishterë

Me një fjalë përshëndetëse është paraqitur edhe imami Mr. Fehim Dragusha. Ai ka dhënë një mesazh të rëndësishëm sa i përket harmonisë ndërfetare te shqiptarët. Imami Dragusha ka thënë se petku i tij prej kleriku mysliman nuk e pengon që të vlerësojë lart figurat e kombit si Gjergj Kastriotin Skënderbeun ashtu dhe Nënë Terezën. Prandaj ka thënë se nuk ka hezituar aspak që, në një ditë Ramazani dhe duke agjëruar, të vinte në përurimin e një shenjtëreshe katolike me rrënjë shqiptare. Me këtë, ai ka vënë theksin në porosinë e madhe që, sipas tij, të gjitha fetë në burim kanë paqen dhe tolerancën ndërsa për devijimet e tyre janë përgjegjës njerëzit.

Me një përshëndetje të veçantë i është drejtuar publikut Joseph Lisibach, ish këshilltari i qytetit (pjesë e ekezekutivit) të Winterthurit. Ai ka meritën kryesore për shtyrjen përpara në qeverinë e qytetit, të idesë dhe propozimit për ngritjen e shtatores së Nënë Terezës. Lisibach (nga SVP), ka kultivuar që prej kohësh një raport shumë të afërt e miqësor me komunitetin e këtushëm shqiptar. Ai në fjalën e tij ka evokuar pjesëmarrjen në manifestimin për nder të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, të organizuar nga “Dardania” më 28 Nëntor 2012 duke vlerësuar lart angazhimin e komunitetit shqiptar në ruajtjen e traditave por edhe në integrimin me vlera në jetën shoqërore të qytetit.

Program i pasur artistik

Një program i pasur kulturor ka shoqëruar këtë akademi, duke i dhënë asaj një petk solemn dhe frymë artistike. Ka qenë në radhë të parë  shoqata nikoqire SHKA “Dardania” e Winterthurit e cila me një sërë vallesh të grupeve të saj të ndryshme dhe me orkestrën e instrumenteve folklorike ka bërë “kolonën muzikore” të aktivitetit, duke kënduar edhe këngë kushtuar Nënë Terezës. Atë e kanë ndihmuar edhe Ansambi “Arbëresha” nga Sirnach-u (me një koreodramë kushtuar Nënë Terezës) dhe Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota” me vallet e saj tashmë të njohura për publikun shqiptar të Zvicrës. Me këngën e njohur arbëreshe “Moj e bukura More” është paraqitur kori i garve “Lyra” nga Cyrihu, i cili sa vjen e po konsolidohet. Një kolazh poezish të Nënë Terezës e ka deklamuar aktorja e grupit “Aktrimi”, Yllka Zuzaku Mustafa dhe një këngë kushtuar Nënë Terezës e ka kënduar Isuf Rashiti.

Ndërsa aktori i madh Reshat Arbana, i ardhur enkas nga Shqipëria me deklamimin e poezive nga Naim Frashëri, Gjergj Fishta etj. ka emociunuar të gjithë të pranishmit.

Gjithë aktivitetin e ka moderuar, si gjithmonë, me invencion dhe me elokuencë, aktori Ramadan Morina, i ndihmuar herë pas here nga Albulena Cakolli-Kqiku./Rexhep Rifati dhe Blerim Shabani

Zvicra publikon listën përfundimtare, 4 shqiptarë të përfshirë

Trajneri i Zvicrës Vladimir Petkoviç ka publikuar listën përfundimtare të përbërë nga 23 futbollistë. Behrami, Xhemajli, Granit Xhaka dhe Shaqiri janë 4 futbollistët me orgjinë shqiptare që janë përfshirë në këtë listë.

05-02-2016-8478144-20160205105557360646_1528122929-2604613

Jashtë ngeli Albian Ajeti, edhe pse zhvilloi një sezon fantastik ku shënoi 17 gola në 32 ndeshje duke u shpallur edhe kryegolashënues i Superligës Zviceriane.  Gjithashtu edhe Mehmedi nuk u thirr pasi ka lënduar ligamentet.

Nocioni “Fondamentalizëm islamik shqiptar” është produkt i Shërbimit Sekret të Serbisë Nga Bardhyl Mahmuti

Në shtator të vitit 1998, Grupi Diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës organizoi konferencën e radhës me gazetarë të akredituar në selinë e OKB-së në Gjenevë. Isha së bashku me Jashar Salihun (Hero i Kosovës), Ramadan Avdiun dhe Agush Bujën. Salla plot e përplot me gazetarë. Pasi bëra hyrje informuese për situatën në Kosovë, fjala iu dha gazetarëve. I pari që kërkoi fjalën ishte gazetari i Agjencisë Telegrafike të Rusisë, ITAR-TASS (siç quhej në atë kohë). Me qëllim që ta zhvendoste vëmendjen e gazetarëve të tjerë nga dhuna serbe në probleme të sajuara, ai shtroi pyetjen se “sa ushtarë fondamentalistë islamikë luftonin në radhët e UÇK-së”. Kësaj pyetjeje grackë iu përgjigja ashtu siç e meritonte: “Ju keni shtruar një pyetje shumë interesante, që lidhet me implikimin politik të religjionit në luftërat, të cilat u zhvilluan në hapësirat që dikur ishin nën Jugosllavinë. Ju sigurisht e dini, por po sjell disa të dhëna që, eventualisht, mund t’i hyjnë në punë ndonjë gazetari të painformuar për këtë çështje. Po rikujtoj se para disa vitesh, me bekimin e Kishës Ortodokse serbe, është bërë luftë kundër katolikëve në Slloveni. Pas luftës në Slloveni, me bekimin e Kishës Ortodokse serbe, është bërë luftë kundër katolikëve në Kroaci. Lufta vijon në Bosnjë. Me bekimin e Kishës Ortodokse serbe është bërë luftë kundër myslimanëve dhe katolikëve në Bosnjë dhe tani, në fund, me bekimin e Kishës Ortodokse serbe është bërë luftë kundër myslimanëve dhe katolikëve në Kosovë. Fondamentalizimi ortodoks i Serbisë është jashtëzakonisht i implikuar në luftën e Kosovës dhe ka arritur të mobilizojë fondamentalistë ortodoksë nga disa shtete të Lindjes, ku shumica e popullsisë janë të religjionit të krishterë ortodoks. Kam kënaqësinë t’ju njoftoj, se gjatë ofensivës së fundit të Forcave të Armatosura të Serbisë janë vrarë shumë fondamentalistë që kishin ardhur nga Rusia, Rumunia dhe vende të tjera (…)”. Gazetarë të tjerë më vërshuan me pyetje se ku ishin vrarë, sa ishin vrarë dhe nga cilat shtete kishte më shumë fondamentalistë ortodoksë që kishin ardhur të luftonin në Kosovë. Gazetari rus e braktisi konferencën.
                                          *** 
Është tepër interesante të bëhet një analizë e konteksteve politike në skenën ndërkombëtare, për të parë “harmonizimin” e stigmatizimit të shqiptarëve me të gjitha “etiketat” negative që ishin “në modë” në kohë të caktuar. Kështu, për shembull, në periudhën historike të krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan, shqiptarët stigmatizoheshin si “mbeturina të Perandorisë Otomane, që dëshironin ta ruanin praninë e Turqisë në Europë”; pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur Jugosllavia socialiste kishte marrëdhënie të shkëlqyera me Bashkimin Sovjetik, shqiptarët u cilësuan si “antikomunistë” dhe “shërbëtorë të nazistëve dhe të fashistëve”; pas prishjes së marrëdhënieve të Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik, shqiptarët u akuzuan si “stalinistë”; pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, u akuzuan si “nacionalistë”, si “irredentistë”, si “separatistë” e kështu me radhë. Në kohën e shpërthimit të luftës së armatosur dhe të shpartallimit të Federatës Jugosllave, “terrorizmi me motive fetare” ishte cilësimi më negativ në kontekstin politik ndërkombëtar. Për këtë arsye, në rrafshin ndërkombëtar, stigmatizimi i UÇK-së si “organizatë terroriste me pikëpamje fondamentaliste islamike” përbënte një nga shtyllat kryesore të orientimit propagandues të Shtabi Strategjik të pushtetit të Millosheviqit. Në funksion të kësaj strategjie, Sigurimi Shtetëror i Serbisë përgatiti materialin e titulluar “Libri i Bardhë: Terrorizmi i separatistëve shqiptarë në Kosovë dhe në Metohi”, të cilin e botuan të përkthyer në gjuhën angleze dhe në gjuhën frënge, në shtator të vitit 1998. Këtë material propagandistik Ministria e Punëve të Jashtme, e asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia, ua shpërndau falas institucioneve me rëndësi në marrëdhëniet ndërkombëtare, institucioneve shtetërore të shteteve anëtare të OKB-së, mediave ndërkombëtare, bibliotekave universitare dhe personaliteteve me peshë në fusha të ndryshme intelektuale. Jo vetëm në konferencën e lartpërmendur me gazetarë, por në të gjitha takimet diplomatike dhe shkrimet publike kam argumentuar në mënyrë bindëse, se nocioni “fondamentalizëm islamik shqiptar” është nocion që u përpilua dhe u shpërnda përmes të ashtuquajturve “libra të bardhë” të Shërbimit Sekret Serb, “libra të bardhë” që kishin vetëm një qëllim: të nxinin shqiptarët. Këtë aspekt, si një ndër aspektet kryesore ku ishte mbështetur propaganda serbe, e kam përfshirë edhe në librin “Mashtrimi i madh”. Po sjell disa pjesë të librit, që kanë të bëjnë me këtë çështje, jo për të sqaruar qëndrimet e mia, por për arsye se mundëson për lexuesin që nuk ka pasur mundësi t’i lexojë këto gjëra, që ta kuptojë se kush fshihet realisht prapa kësaj sajese që njollos shqiptarët dhe në funksion të kujt janë angazhuar ata që indoktrinuan një numër të rinjsh shqiptarë, që të shkojnë në “luftërat e shenjta” për krijimin e të ashtuquajturit “Shtet islamik” (ad-dauvlaal-islamijja) , i cili shpalli kalifatin në korrik të vitit 2014. Për të mbështetur tezat e lartpërmendura dhe për të manipuluar opinionin publik ndërkombëtar, në materialet propagandistike serbe silleshin gjoja “prova dhe fakte”, tërësisht të sajuara prej tyre! Referencat e të gjitha citateve që do të përmenden në këtë shkrim, janë në librin tim, që mund të konsultohet falas edhe në internet. Sipas kësaj propagande, “një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera u përfshinë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë dhe ishin angazhuar si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së”. Për të qenë sa më “bindës”, përpiluesit e këtij libri pohonin se gjoja “më tepër se 1000 mercenarë të huaj nga Shqipëria, Arabia Saudite, nga Jemeni, nga Afganistani, nga Bosnja-Hercegovina dhe nga Kroacia ishin të angazhuar në radhët e UÇK-së”. Madje, ky fluks i “xhihadistëve” drejt Kosovës interpretohet se gjoja ishte në përputhje me vendimet e Konferencës Islamike. Sipas kësaj propagande, “në Konferencën e 18-të Islamike, të mbajtur në Pakistan në vitin 1998, separatizmi shqiptar në Kosovë ishte cilësuar si “xhihad” dhe të gjitha vendet myslimane ishin ftuar për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane! (…) Në përputhje me këtë thirrje, një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera iu përgjigjën thirrjes dhe u përfshinë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë, si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së”. Përmes kësaj gënjeshtre, propaganda serbe synonte të manipulonte atë kategori njerëzish që kishin frikë nga “fondamentalizmi islamik” dhe nuk kishin njohuri për zhvillimet reale në Kosovë. Në të njëjtën kohë, kjo gënjeshtër u shërbente politikanëve të llojit të Jean-Marie Le Pen-it, që “t’i frikësonin” europianët me rrezikun që u kanosej të islamizoheshin nga Kosova e pavarur, apo gazetarëve dhe publicistëve që kërkonin të stigmatizonin mbështetjen që i jepej luftës çlirimtare të Kosovës, sikur të ishte luftë me konotacion fetar. Të vetëdijshëm se realiteti ishte krejtësisht ndryshe, sajuesit e kësaj gënjeshtre shpresonin se informatat nuk do të verifikoheshin. Të gjithë atyre që u interesonte e vërteta për pohime të tilla, kanë pasur mundësi të vërtetojnë se Konferenca e 18-të Islamike nuk u mbajt në Pakistan, siç pretendohej në këtë “Libër të Bardhë”, por në Arabinë Saudite dhe në datat 13-16 mars 1989! Pra, gati dhjetë vjet para Luftës së Kosovës! Madje, jo vetëm Lufta e Kosovës që nuk ka mundur të përmendet dhjetë vjet para se të fillojë, por në këtë Konferencë Kosova nuk është përmendur fare! Sa i përket Pakistanit, në këtë shtet është mbajtur Konferenca e 21-të Islamike nga 25-29 prill të vitit 1993. Pra, edhe Konferenca Islamike në Pakistan është mbajtur para shpërthimit të luftës në Kosovë dhe, rrjedhimisht, nuk kishte mundësi që të kualifikohej si “xhihad” një luftë që ende nuk kishte filluar. Gjatë Konferencës Islamike të mbajtur në Pakistan në vitin 1993, në kuadër të rezolutës 7/21-P, kushtuar situatës në Bosnjë-Hercegovinë, në pikën 28 të saj përmendet edhe Kosova. Përmes kësaj rezolute “kërkohej nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes, tani më të tendosur, në Kosovë, në Vojvodinë, në Sanxhak dhe në Republikën e Maqedonisë”. Siç shihet qartazi, qëndrimet e shprehura në këtë rezolutë nuk dallojnë aspak nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përkundrazi, janë më pak të ashpra se qëndrimet e shprehura përmes rezolutave të asaj kohe të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ndërsa në vitin 1998, në kohën kur zhvillohej lufta në Kosovë, Konferenca Islamike mbajti mbledhjen e radhës në Katar. Gjatë sesionit të 25-të të kësaj konference u miratua rezoluta 19/25-P, që kishte të bënte me situatën në Kosovë. Kjo rezolutë nuk përmbante asnjë cilësim të luftës së Kosovës si “xhihad” apo “thirrje drejtuar vendeve myslimane për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane”, siç gënjente propaganda serbe. Propaganda për gjoja lidhjet e UÇK-së me ideologjinë e ekstremizmit fetar islam dhe për gjoja “instruktorë të fondamentalizmit islamikë, që stërvitnin ushtarët e UÇK-së”, nuk gjeti mbështetje të gjerë, siç kishin shpresuar udhëheqësit e propagandës së regjimit të Beogradit. Përveç disa artikujve në gazeta, ku shihej ndikimi i kësaj propagande, përpjekjet për të paraqitur UÇK-në si “organizatë terroriste me pikëpamje fondamentaliste islamike” kishin dështuar. Zhgënjimin e autoriteteve serbe për këtë dështim e shprehu publikisht ministri i Informacionit të Republikës së Serbisë, Goran Matiqi. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Medjunarodna politika” ai deklaroi se “është e pabesueshme se si fondamentalistët islamikë cilësohen si terroristë vetëm kur vrasin amerikanë. Ndërsa kur vrasin qytetarë të pafajshëm të Jugosllavisë, ata cilësohen si luftëtarë të drejtësisë”. Dështimi i propagandës për gjoja “instruktorë fondamentalistë islamikë që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” dhe sidomos qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare kundër dhunës së forcave të armatosura policore dhe ushtarake serbe e tërbuan pushtetin e Beogradit. Ky tërbim mori përmasat e një histerie, veçanërisht pas denoncimit që William Walker-i i bëri vrasjes së civilëve shqiptarë në fshatin Reçak. Kualifikimi i Walker-it, se ajo që kishte ndodhur në këtë fshat “ishte krim kundër njerëzimit” dhe se “ata që kishin dhënë urdhër për këtë krim duhej të jepnin llogari para drejtësisë”, bëri që “instruktorët e fondamentalizmit islamik që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” të harroheshin përkohësisht nga propaganda e Beogradit. Ata u “zëvendësuan” me “instruktorë ose specialistë me mbiemra amerikanë ose anglezë që kishin ardhur të stërvitnin ushtarët e UÇK-së…”. Sipas qëndrimit të ri propagandistik të regjimit serb, “ekspertët që stërvitnin ushtarët e UÇK-së kanë mundur të jenë instruktorë të Walker-it ose mercenarë të shërbimeve dhe të organizatave të tjera anglo-amerikane”! Para se të vazhdoj më tej me këtë temë, kërkoj nga lexuesi të jetë i vëmendshëm në logjikën propagandistike, që është karakteristikë e Shërbimit Sekret të Serbisë: ndërrimi i akuzave në varësi të kontekstit. Madje, pesë pare nuk i japin, që e njëjta strukturë akuzohet të jetë e trajnuar herë nga “fondamentalistët islamikë”, e herë nga “ekspertët e shërbimeve sekrete anglo-saksone”! Krahas stigmatizimit të shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike, si të implikuar në “përgatitjen e terroristëve shqiptarë”, nuk mungojnë autorët që implikojnë edhe Shërbimin Sekret Francez dhe atë Gjerman në lidhjet me UÇK-në. Kjo strategji, sado paradoksale të duket, është e qëllimshme. Të gjitha shoqëritë perëndimore që përballeshin me aksione terroriste me konotacion religjioz fondamentalist islamik, duhej të shihnin rrezik nga lufta çlirimtare e Kosovës. Ndërsa vendet arabo-islamike ta shihnin UÇK-në si “instrument të imperializmit amerikan”. Për ta kompletuar akuzën, se gjoja “komploti kundër Serbisë vjen nga jashtë”, shteti serb denoncoi edhe “tolerancën” e shteteve të demokracive perëndimore në raport me “terroristët shqiptarë”. Këto akuza u drejtuan në veçanti kundër “tolerancës” së autoriteteve gjermane dhe zvicerane. Sipas “Librit të Bardhë” të Shërbimit Sekret të Serbisë, “autoritetet gjermane ia kishin lënë UÇK-së kazermat e braktisura të NATO-s (në Hanover, në Nuremberg, në Bon dhe në Frankfurt) dhe qindra kampe të azilkërkuesve, ndërsa autoritetet e Zvicrës i paskëshin lejuar “kampet paramilitare private, sallat e gjuajtjes me armë dhe klubet e sporteve luftarake për nevojat e UÇK-së”. Me një fjalë, sipas propagandës serbe, shumë shtete perëndimore ishin mobilizuar në kuadër të një komploti kundër Serbisë! Përkundër faktit se pas krimeve në fshatin Reçak “instruktorët anglo-amerikanë” dolën në rrafshin e parë propagandistik të regjimit të Milosheviqit, ndërrimi i “instruktorëve islamikë fondamentalistë” me “instruktorët anglo-amerikanë” nuk e hoqi tërësisht propagandën serbe që synonte përafrimin e UÇK-së me grupet terroriste islamike. Në të gjitha ribotimet e mëvonshme të “librave të bardhë”, kjo njollosje mundohej të mbahej gjallë duke u ilustruar me sajime të reja, që plasoheshin në opinionin publik ndërkombëtar si “argumente”. Ngjarjet e 11 shtatorit 2001 krijuan një kontekst të ri në orientimin strategjik të politikës së shteteve të demokracive perëndimore në përgjithësi, dhe asaj amerikane në veçanti. Lufta kundër terrorizmit global të proveniencës religjioze doli në plan të parë. Duke shpresuar se konteksti i ri ndërkombëtar, i krijuar pas atentateve të 11 shtatorit 2001, ishte i favorshëm për të shpërndarë propagandën e moçme të “lidhjeve” të UÇK-së me ideologjinë “fondamentaliste islamike”, propaganda e pushtetit “të ri” të Beogradit (pas arrestimit të Millosheviqit) aktivizoi arsenalin e vjetër propagandistik. Në botimin e vitit 2003 të “Librit të Bardhë” u përsërit deklarata e Millosheviqit në fjalën hyrëse në procesin gjyqësor kundër tij, se gjoja “në vitin 1995 Osama Bin Ladeni kishte qëndruar në Shqipëri, si mysafir i presidentit të atëhershëm, Sali Berishës”. Shërbimet sekrete serbe shpërndanë dezinformatën, se kinse “në atë kohë janë formuar bazat për mbështetje logjistike dhe për përkrahje financiare të organizatës “Al Kaeda” dhe celulat e saj në Kosovë dhe në Metohi (siç e emërojnë Dukagjinin)”. Sipas kësaj propagande, përveç Bin Ladenit, “në atë takim kanë qenë të pranishëm edhe Muhamet Al-Zawahiri, vëllai i ideologut të “Al Kaedës”, Ajman Al-Zawahirit, ndërsa nga pala shqiptare, përpos presidentit Berisha, të pranishëm ishin edhe Bashkim Gazidede, ish-shef i policisë sekrete të Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj…”. Shpërndarja e kësaj dezinformate synonte pezmatimin e opinionit publik perëndimor e, në veçanti, opinionin amerikan që kishte mbështetur luftën kundër regjimit të Millosheviqit. Gënjeshtra se gjoja Osama Bin Ladeni kishte qëndruar në Kosovë dhe se kinse kishte krijuar bazat e “Al Kaedës” në këtë pjesë të Europës ishte gënjeshtra më skandaloze që trilloi Shërbimi Sekret Serb. Fatkeqësisht, edhe pse shumica e autorëve që e përmendin këtë “informatë” theksojnë se është “e pabesueshme që Bin Ladeni të ketë qëndruar në Shqipëri”, kjo dezinformatë gjeti një vend të konsiderueshëm në mediat dhe në veprat e autorëve të ndryshëm perëndimorë. Dhe, si e tillë, ajo paraqet një mundësi për vazhdimin e manipulimeve me lexuesit e painformuar. Mirëpo, për të qenë të besueshme në opinionin publik të shteteve perëndimore, provat konkrete që do të dëshmonin për rrezikun nga “fondamentalizmi islamik shqiptar”, imponohen si domosdoshmëri. Në funksion të këtij qëllimi, shërbimet sekrete të Serbisë dhe të Maqedonisë orientuan një numër teologësh myslimanë shqiptarë, që ishin bashkëpunëtorë të tyre, që të përhapin ndër shqiptarë frymën e mobilizimit për një “luftë të shenjtë”. Të jem i qartë. Propaganda për një “luftë të shenjtë” islamike nuk është produkt i shërbimeve sekrete sllave, por i rrymave islamike që dëshironin t’i jepnin dimensionin politik religjionit. Ky aspekt është objekt i hulumtimit që kam bërë rreth një dekadë dhe që do të botohet si vëllim i veçantë. Ajo që është karakteristike për t’u veçuar ka të bëjë me mobilizimin e institucioneve shtetërore serbe dhe maqedonase për të krijuar njerëz me origjinë shqiptare që do të implikoheshin në këtë luftë. Ky rezultat do të ngjallte shpresat e tyre që në këtë raport forcash të skenën politike ndërkombëtare, ku shtetet e demokracisë kanë fuqinë kryesore, të krijonin imazhin e rrezikut që gjoja i kanoset Europës dhe Perëndimit nga “Fondamentalizmi islamik shqiptar”.
(Vijon shkrimi: “Fondamentalistët islamikë” me origjinë shqiptare janë produkt i bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete të Serbisë dhe Maqedonisë”.

Rikthimi madhështor i heroit të Shqipërisë Etnike – Ndue Përlleshi – Nga Mr.sc. Nue Oroshi

(Kjo kumtesë është mbajtur nga Nue Oroshi më, 26 maj 2018 në Zvicer me rastin e mbajtjes së akademisë perkujtimore për heroin e kombit Ndue Perlleshi organizuar nga Shoqata atdhetare Ndue Perlleshi ne Zvicerr)

Kohëzgjatja në mes të jetëlindjes e deri tek jetëvdekja për njeriun është një periudhë kohore ku duhet bërë jeta, ku tek të gjithë nuk është e njejtë . Kohëzgjatja nga jetëlindja e deri tek jetëvdekja ku njeriu duhet bërë jetën është një provë se kah do të shkoj njeriu. Gjatë kësaj kohe krijohën edhe herojtë e atdhetarët që shpeshherë shoqëria jonë shqiptare nuk i sheh dhe nuk i njehë aty për aty heroizmin e tyre qoftë ky heroizëm: atdhetarë, kulturor apo edhe heroizma të tjerë. Dikur shkrimtari ynë i madh Sami Frashëri thoshte:“ Kalben njerëzit e ndershëm atje ku lartësohen kriminelët “.

Një harresë e gjatë ju bë edhe heroit të kombit shqiptarë Ndue Perlleshit i cili ishte heroi që më së gjati ju bëri rezistencë efektive regjimeve komunisto – pansllaviste në Shqipëri dhe ish Jugosllavi.Ndue Perlleshi me ardhjën e murtajes komuniste në trojet shqiptare ai e la zyrën e tij ku ishte kryetar komune dhe prej atij fillim dhjetori të  vitit 1944 e deri sa bie heroikisht vet i treti më,29 Gusht 1949 bëri 4 vjetë e nëntë  muaj luftë dhe rezistencë të pandërprerë antikomuniste, ku në këtë  rezistencë  hynë 1730 ditë luftë dhe rezistencë të pandërprerë dhe asnjëherë nuk ka ndodhur në historinë e njerëzimit që të bëj një  rezistencë aq të gjatë dhe të mos ketë mundësinë që një makineri ushtarake shumë  e vrazhdë dhe kriminale në ish Jugosllavi dhe në Shqipërinë komuniste të ndjek këmba- këmbës dhe mos të ketë mundësinë që ta nxenë të gjallë edhe atëherë kur me dy apo tri plagë në trup shtegtonte maleve të Bokshiqit, Pashtrikut maleve e kodrave  të  Iballës apo shtegtimët  nëpër  Drenicë, Dukagjin dhe në tërë Shqipërinë Etnike.

Për këtë rezistencë të heroit të Shqipërisë Etnike përveç monografisë grup studiuesish dhe shkrimtarësh mund të shkruajnë edhe romane të shumta, jeta dhe rezistenca e tij përveç që në këngët popullore ajo mund të paraqitët edhe në shkrimin e dramave të ndryshme. Por kjo rezistencë është një mësim për gjeneratat e reja se si me përkushtimin e një idealisti atdhetarë duhetë të rezistohet. Një kontribut të madhë për rezistencën dhe luftën e heroit të kombit Ndue Perlleshi e kishin edhe luftëtarët e tij që e ndoqën këmba- këmbas deri në rënjen heroike por edhe jatakët apo strehuesit e Ndue Perlleshit të cilët shpesheherë rrezikuan jetën e familjen e tyre e shumë prej të cilëve edhe u burgosën dhe u maltretuan vetëm e vetëm se i kishin dalur në ndihmë heroit të Shqipërisë Etnike Ndue Perlleshit.

 Kohë të  gjatë  heroizmi i Ndue Perlleshit u mundua  të mbulohet me tisin e harresës por populli kurrë nuk e harroi heroin e tij ai nëpër odat e Kosovës kreshnike i këndonte këngën:    ‘‘ Ndue Perlleshi prej Paskalicës fort po e ndjekin kta klyshtë e Titës‘‘ kurse pas viteve të nëntëdhjeta dy studius të vyer dhe të zellshëm Jetish Kadishani dhe Tomë Mrijaj filluan një punë të shkëlqyer në rikthimin e heroit të Shqipërisë Etnike – Ndue Perlleshi ku studiuesi Jetish Kadishani botoi dy monografi për Ndue Perlleshin ndersa studiuesi tjetër Tomë Mrijaj botoi shkrime të shumta ku me forcën e argumentit shkencor u arrit që të rikthehët në vetdijën komëbtare Ndue Perlleshi.

 Ky rikthim i Ndue Perlleshit u zyrtarizua me themelimin e Shoqatës ‘‘Trojet e Arbrit ‘‘në vitin 2004 tash e katërmbëdhjetë vjet me radhë ku në veprat enciklopedike të ‘‘Trojeve të Arbrit‘‘ u botuan mijera studime për veprën e Ndue Perlleshit dhe idealistave të tjerë bashkëluftëtarë të tij që u sakrifikuan për Shqiperinë Etnike dhe kjo shoqatë nën udhëheqjën e prof.dr.Muhamet Shatrit dhe mr.sc.Nue Oroshit për katërmbëdhjetë vjet mbajti gjashtëmbëdhjetë sesione shkencore tetë akademi dhe botoj gjashtëmbëdhjetë vepra enciklopedike më gjithsejt 11.000 faqe material shkencorë.

Pak gjeneologji për familjen Perlleshi

Perlleshet vazhdimisht brez pas brezi ishin patriotë e luftëtarë të drejtë për çështjen kombëtare. Para afër 150 vjetësh në Shishman të Bokës ushtria turke vrau një mashkull të kësaj familje pastaj dikund kah fundi i shekullit të kaluar po ashtu në luftë me okupatorin pesë shekullor iu vranë Pren dhe Prekë Perlleshi  më të birin Markun. Familja Perlleshi erdhi para gjashtë brezash nga fshati Gojan (afër Iballës së Pukës) ata u vendosën në fshatin kufitarë të krahinës së Gjakovës  në Shishman të Bokës  ku as aty nuk u pritën mirë nga fqinjët  dhe shpesh binin në konflikt ku ndodhi edhe një vrasje, e cila u bë shkaktarë që vëllezërit Mark dhe Llesh Gojani vendosën ta lënë fshatin Shishman të Bokës dhe të kërkonin ndonjë vend tjetër. Kështu që Marku me familjën e tij u vendos në fshatin Marmullë të rrethit të Gjakovës ndërsa Lleshi me familje u vendos në fshatin Budisalc të Lugut të Drinit. Duke u bazuar në rrethanat e kohës dhe në vendin e vendosjës familja e Markut sot njihet me mbiemrin Gjergjaj ndërsa e Lleshit me mbiemrin Përlleshaj.

Ndue Perlleshi ishte femija i dytë i Gjonit dhe i Prenës i lindur në vitin 1908 në Paskalicë. Si fëmijë ishte i zgjuar,  temperament jo aq i  rehatshëm por i dashur për shokët e fëmijërisë. Alfabetin e gjuhës shqipe e mësoi vet dhe lexonte libra dhe gazeta të kohës, por në odën e burrave të babait Gjonit dhe kusheririt Markut kishte fatin të takoj shumë figura kombtare shqiptare.Është me interes të theksohet se si e përshkruanin bashkëluftëtarët e tij  Ndue Perlleshin njëri ndër të cilët Mark Dedë Prekaj nga Dobërdoli thotë:‘‘ Ndou ishte burrë i gjatë me shtat belhollë, i pashëm në fytyrë me mustaqe të gjata. Bante gjithëherë rroba kombëtare  revole me dorëz, bomba italiane dhe pushkë të gjatë.

Kur erdhi Shaban Dema nga Burgu i Pejës,  në vitin 1946 ja solli automatikun e rrëmbyer nga roja e burgut të cilën Ndou e ka bartur deri në momentin e fundit të jetës . Kishte shkathtësi luftarake sa që të gjithë ata që e njihnin thonin:‘‘As zogu në fluturim nuk mund t‘i shpetojë pa e qelluar me pushkë.(Jetish Kadishani Ndue Perlleshi Trimi i Dukagjinit Prishtinë 2002 faqe21.)

            Veprimtaria politike dhe luftarake e Ndue Perlleshit

Ndue Perlleshi nga viti 1940 kishte kryer disa funksione si kryetar komunash të vogla. Ai fillimisht ishte emruar kryetar komune në Bec të Gjakovës ku kishte qëndruar 14 muaj me pas tre muaj qëndrimi në shtëpi u emrua kryetar komune në Vogovë të Hasit ku qëndroj 18 muaj dhe nga atje u kthye kryetar komune në Budisalc ku qëndroj 4 muaj prej fillim korrikut 1944 e deri në mbarim të nëntorit të vitit 1944 kur doli në mal.

Vëllai tjeter i Ndue Perlleshit ,Zefi kishte vëtem një djalë Tomën. Pas dy – tre ditësh që doli në mal Ndou me dy vëllëzerit Hilin dhe Zefin në Paskalicë erdhi ushtria partizane e Brigadës së VII të Shaban Haxhisë  e cila ja futi zjarrin shtëpisë së Ndue Perlleshit  duke e nxjerr jashtë familjen dhe gjitha gjesendet tjera. Në këtë shtëpi të kallur u dogj për se gjalli djali Toma që ishte foshnje në djep dhe qe ishte i vetmi fëmijë që e kishte jetuar  Zef Perlleshit për faktin se 9 të tjerë i kishin vdekur deri sa Zef Perlleshi u vra në vitin 1945 në fshatin Volljakë të Klinës  i cili ishte në roje të çetës se Ndout i cili u hetua nga Brigada serbo-qetnike partizane që erdhi nga gryka e Mirushës dhe u qellua me armë snajperkë dhe u vra në vend.

Këtu shihet vrazhdësia e regjimit kriminalë komunistë i cili në pamundësi që të luftoj ballë për ballë me forcat atdhetare nacionaliste që udhehiqeshin prej Ndue Perlleshit e bënte luftën më të papastër që njeh historia e njerëzimit duke kallur shtëpi e kulla dhe duke djegur fëmijë mbrenda këtyre kullave siç ishte rasti i djeg‘jës së kullës së Ndue Perlleshit dhe si pasojë e kësaj djeg‘je që ja bënë forcat kriminale partizane të Shaban Haxhisë dhe Sali Manit që kishin ardhur t‘iu ndimojnë serbëve për t‘ia kthye sërish Kosovën, Serbisë la pa pasardhës familjen e vëllait të Ndue Perlleshit ,Zef Perlleshin rreth këtyre ngjarjeve gjatë një interviste të bërë kohë më parë me vëllain e Ndue Perlleshit, Hilin ai nderë të tjera kur e spjegon rezistencën antikomuniste të Ndue Perlleshit do të përgjigjet kështu:‘‘A nuk e kupton luftën vella-vrasëse? A nuk e kupton t‘i luftën e shqiptarit kundër shqiptarit? Për hesape të  huaja. Kush i mobilizoj të rinjët nga Dukagjini e Drenica për Istri dhe Srem?‘‘

Këtyre pyetjeve sigurisht do t’iu përgjigjet Fadil Hoxha. E në pyetjën e gazetarit se kush qëndron pasë akteve në fjalë Hilë Perlleshi përgjigjet:‘‘Kush tjetër pos partizaneve shqiptarë  të indoktrinuar e të veshur me të kuqe. Kush tjetër pos partizaneve (vëllezërve) tanë dorë për dorë të vëllazëruar e të bashkuar me serbët e malazezët. Partizanët e Enverit vranë në vitin 1943 Patër Lorenc Mazrekun dhe Prenkë Prend Ademin. Me 1945 vranë Pjeter Jakun,Llesh Gjonin, Pren Laskun, Martin Qunin, Mark Sadrin, Ndue Mark Doden, Dakë Beqirin, Zef Pren Kolën, Mark Pren Gjinin, Tomë Gjinin, Pjetër Tomën, Zef Sokolin, Mark Zefin, Hasan Shalën, Shaban Sadik Ramën, Lazër Berishën, Patër Bernard Llupin, Marie Shllakun, Palë Lumezin, Rexhep Hotin, Llesh Demirin, Emrush Miftarin.

Me 1945 brigadat vrastare partizane shqiptare vranë Zef Perlleshin, Pren Mark Bibën, Palë Mark Bibën, Ymer Berishen.

Me 1947 vranë Ndrecë Lleshin, Pren Mirakajn, Gjon Mark Qunin, Pren Ndue Ademin.

 Me 1948 vranë Ndrecë Nikollën Kangjin, Shaban Demën, Pren Gojanin dhe në  fund në gushtin e vitit 1949 sigurimi shqiptarë e pabesisht e vranë Ndue Perlleshin, Ndoc Miraka dhe Ndue Fusha ndërkaq i plagosur shpëtoi Elez Myrta dhe vdiq pas plagëve të marra Metë Hasani nga Botusha por edhe shumë e shumë të tjerë.‘‘ përfundon Hil Perlleshi.

‘‘ Mjerisht të gjithë  këta trima e patriot u vranë nga dora e shqiptarit ashtu sikur brigadat vrastare shqiptare të Shaban Haxhisë e të Sali Manit  të cilët kishin ardhur më, 11 dhjetor 1944 ta shfarosnin familjën time. Me atë rastë për së gjalli dogjën birin e vëllait Zefit -Tomën në djep e shtëpitë i dogjën dhe i plaqkitën. Ashtu sikurse që tani veprojnë shkijet me vëllezërit tanë në Kosovën martire përfundon përgjigjen e tij Hil Perlleshi.

Lidhur me veprimin e Ndue Perlleshit në krye të  komunës së Vugovës  na rrefen Pashk Mark Ukaj nga Vugova ku thotë: ‚‘‘Unë në kohën kur ishte kryetarë komune në Vogovë, Ndue Perlleshi isha nxanës i klasës së parë fillore që punonte në të njejtën ndërtesë në  katin e parë. Në  katin e dytë ishte komunja. Mësuesi i jonë ishte Nikollë Veseli i Shpenadisë i cili banonte të  Prenk Doqi që kishte shtëpinë përtej rrugës vetëm 500 metra larg shkollës. Ndou shpesh zbriste nga kati i dytë  ne oborr të shkollës dhe kërkonte nga mësuesi Nikollë që ti dërgonte dy nxënës që këndonin bukur për të kënduar këngë folklorike të cilat i adhuronte shumë. Ai e donte dhe e ndihmonte shkollën me aq sa kishte mundësi‘‘.

Për qëndrimin e Ndue Perlleshit në krye të komunës së Budisalcit Pjeter Marku nga Budisalci deklaron: ‘‘Në ndërtesën e komunës u zhvillua një aktivitet i madhë patriotik për çështje kombëtare sidomos pas ardhjes së Marie Shllakut nga Peja sipas rekomandimeve te patër Bernard Llupit frat shkodran në Kishën e Pejës  Maria dhe Ndou mbajtën një miting të madhë para popullatës së Komunës së Budisalcit  por edhe të shumë fshatrave te tjera.

Aktiviteti Luftarak i Ndue Perlleshit

Ndue Përlleshi me të ndegjuar për nisjen e Brigadës së VII Partizane të Shaban Haxhisë  drejtë Rahovecit dhe luginës së Drinit të Bardhë drejtë Zllakuqanit e Budisalcit la postin e kryetarit të Komunës e doli në mal të popit mbi Budisalc për të mos u kthyer kurrë më nga jeta e kaqakut.

Sipas të dhënave që jep bashkëluftëtari i Ndue Perlleshit, Pren Nikollë Kangji (1914-1996) nga Klina , takim i parë në mes të çetës se Ndue Perlleshit dhe të asaj të Ukë Sadikut e profesor Ymer Berishës u bë në malin e Gllarevës  në fillim të marsit 1945. Aty strategu i luftës guerile të Kosovës profesor Ymer Berisha ishte ai i cili i bashkoi dy çetat kryengritëse me një ideal të përbashkët.

Me takimin e këtyre dy çetave i treguan njëra – tjetrës edhe parullën e njohjës me luftëtarët dhe bashkpuntorët e vetë  gjatë ditës e natës.Parulla e çetës së Ukë Sadikut dhe e profesor Ymer Berishës ishte „Ulërima e Ujkut“ ndërsa çeta e Ndue Perlleshit e kishte parullën „Besa Kombëtare-Liria Shqiptare“, këto parulla i tregoi Pren Nikollë Kanxhi i cili ishte luftëtarë i çetës së Ndue Perlleshit.

Ndue Perlleshi pasi doli maleve dhe nuk kishte tashm kthim prapa atij ju bashkuen përveç dy vëllëzerve Zefi dhe Hili, iu bashkuan edhe Ndrecë e Pren Nikolla-Kangji nga Novosella e Dejollit, Zef Shllaku nga Videja, Gjoni i Marka Qunit-Mataj nga Dersniku, Zef Hamza nga Bokshiqi, Ukë Smajli nga Grabanica, Xhemë,Musli dhe Isa Hoti nga Resniku, Sadik Hysen dhe Zeqir Lutani nga Turiqevci i Drenicës, Bardhec , Sadik dhe Ukë Rogani nga Jashanica, Mark Dedë Prekaj nga Dobërdoli, tre vellezerit Pren,Mhill dhe Palush Pren Ademi nga Dollci,Zef Gjin Doda nga Plankqori me dy kusherinjët Ndoun dhe Preken me vendbanim në Videjë të Lugut të Drinit, Zef Sokoli me të birin Markun 18 vjeçar nga Jagoda, Zef Deda nga Meja e Gjakovës, Mark Avdyli Nreja me të vëllain Nikën me axhën Palush Nika dhe  djali i axhës Prek Tahiri, Zef Mark Lulashi, Cubë Sadiku, Pjeter Bubi pastaj një Gjergj Ndou dhe Preni nga Ramoci i Gjakovës, Feriz Boja nga Kërrnica, Ukë Dava nga Grabanica dhe më vonë në vitin 1946 Ndout ju bashkua edhe Shaban Dema nga Stupa, Dedë Ahmet Rrustemi nga Rakoci i Gjakovës që ishte korrier i Ndue Perlleshit dhe profesor Ymer Berishes.Për disa muaj në çetën e Ndue Perlleshit ishte edhe luftëtari i shquar Nrec Lleshi me disa luftëtarë të tjerë nga Prizreni si edhe shumë luftëtarë të tjerë që qëndronin disa muaj dhe shkonin nëpër rajone tjera.

Bashkëpunimi i çetave dhe ideja e profesor Ymer Berishes sollën edhe themelimin e organizatës politike dhe ushtarake ‘‘Besa Kombëtare ‘‘që ishte trashëguese e Lidhjës së Dytë të Prizrenit.

Kjo qetë filloj luftërat dhe përleshjet e mëdha siç ishte përleshje me policinë komuniste në Dollc buzë Drinit të Bardhë por u nda pa humbje në luftëtarë, beteja në Novosellë të Dejollit. Por beteja më e madhe u zhvillua në Pyjet e Prronit të Zi (në mesë të Junikut dhe Plangqorit të komunës së Gjakovës. Me çrast nga çeta e Ndue Perlleshit u vra Zef Deda nga Meja profesor  Ymer Berisha dhe mësuesi Fehmi Kura ndërsa u plagosën Mark Avdyli Nreja  e Nikë Avdyli Nreja dhe Cub Sadiku nga Ramoci, Feriz Boja nga Kerrnica ndërsa nga radhët e armikut kishte shumë të vrarë e të plagosur ku vetëm nga armët e Mark Avdylit dhe Zef Dedës u vranë shtatëmbëdhjetë ushtarë të armikut shkruan në librin e tij studiuesi dhe biografi i parë i Ndue Perlleshit – Jetish Kadishani.)

Sulme të vrarë dhe të plagosur pati edhe në Mal të Bokshiqit në përleshje të drejtpërdrejtë në mes të tre luftëtarve Ndue Perlleshit,Ndrecë Nikollë Kangjit dhe Shaban Demës kundër ushtrisë OZNES dhe vullnetarve komunistë  më 7 dhe  8 shkurt 1948 ku u vranë dhe u plagosën 28 policë e vullnetarë por edhe dy atdhetarë nacionalist Nrecë Nikollë Kangji e Shaban Dema ndërsa Ndou shpëtoi me dy plagë në trup.

Aktiviteti luftarak i çetës së Ndue Perlleshit shtrihej nga fshatrat e Lugut te Drinit, Podgurit, Llapushës  dhe të rrethit të Gjakovës. Gjatë veprimtarisë së saj pati mjaftë aksione,ku armiku u demtua shumë por edhe nga ana e çetës se Ndue Perlleshit pati të vrarë dhe të plagosur.Aksionet e kësaj çete shpesheherë kordinoheshin me aksione të përbashkëta me çetat e Ukë Sadikut e profesor Ymer Berishës, Qazim Bajraktarit,Alush Smajlit, por edhe të Mustafë Ibishit nga Anadrini.Në gusht të vitit 1945 profesor Ymer Berisha kalon nga çeta e Ukë Sadikut në çetën e Ndue Perlleshit takimi  u mbajt të kroni i hajnave në kodrën e Kastratit mbi fshatin Dollc ndërsa Zef  Sokoli me të birin Markun kalon në çetën e Ukë Sadikut.

Në arat e fshatit Hereq nga një pritë komuniste e përgaditur më parë vritet profesor Ymer Berisha nga një plumb që e goditi në gjoks.Nga ai plumb Ymer Berisha vdiq në vend në prehër të Ndue Perlleshit  i cili lau me lot trupin e tij. Momenti ishte tepër i vështirë ushtria po e ndiqte mrapa dhe nuk kishte kohë të prisnin ta varrosin strategun e madh por trupi i profesor Ymer Berishës u fut shpejtë në misër dhe u mbulua me loze kungulli që të mos e gjej ushtria. Çantën e tij se bashku me ditarin, Ndue Perlleshi ja dha mësuesit Fehmi Kura duke i thënë:‘‘Merre çantën e profesorit, ti je mësues dhe mund ta deshifrosh ditarin i cili ndriçon luftën tonë.Pasi që i bën nderimet trupit të profesor Ymer Berishës , Ndou me shokë vazhduan rrugën drejtë fshatit Rakoc ku me pas dolën në Lugun e Drinit.

Vrasjën e Profesor Ymer Berishës,Ndue Perlleshi e përjetoi shumë rëndë për faktin se rezistenca kombëtare shqiptare humbi strategun e idelogun kryesorë të saj në Kosovë, strateg i cili njihte shumë mirë edhe anën politike,luftarake dhe strategjinë e veprimit në teren.Tek profesor Ymer Berisha bëheshin bashkë atdhetarizmi, arsimimi, dashuria për atdheun dhe lufta deri në fund për një Shqipëri Etnike.

Aktivitetin luftarak të heroit të kombit Ndue Perlleshi, studiuesi Tomë Mrijaj i cili e ka dhënë një kontribut të çmuar për ringjalljen e heroit të Shqipërisë Etnike në të gjitha aspektët e përshkruan në këtë mënyrë:Me ardhjen e brigadës së VII partizane me komandant Shaban Haxhiun, i cili e njihte shumë mirë aktivitetin e Ndue Përlleshit,Ndou me shumë shokë u takua në kullën e Ukë Bekës në Krushevë të Madhe me brigadën e Shaban Haxhiut. Me të hyrë brenda, parulla përshëndetëse e partizanëve ishte: – Vdekje fashizmit – Liri Popullit! Por Ndou, që e dinte se çfarë fshihej pas asaj parulle, nuk u përgjigj.Ai me shpejtësi nxori revolen dhe ia drejtoi komandantit.Të pranishmit ndërhynë me të shpejtë.Që nga ai moment Ndou filloi jetën e kaçakut.Çeta e tij u rrit shumë shpejtë.Në malet e Dollcit u takua me çetën e Ukë Sadikut. Me çetën e Ndout ishte edhe Marije Shllaku, dikur sekretare e Iliaz Agushit dhe Xhafer Devës. Ajo u bë shembull i rezistencës për bashkimin e trojeve.

Çeta e Ndue Përlleshit, së bashku me vëllezërit e tij Zefin, Hilin dhe bashkëluftëtarët Ndrec Nikollën, Zef Sokolin e shumë të tjerë bashkëpunoi me Ukë Sadikun, Shaban Polluzhën, Prof. Ymer Berishen, Qazim Bajraktarin, Alush Smajlin etj.

Shembull i rezistencës së forcave kaçake ishte lufta në Trestenik të Drenicës më ,21 shkurt 1945 dhe vrasja e dy kreshnikëve të Drenicës, Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës.Më datën 4 dhe 5 gusht 1945 u mbajt kuvendi i Dobërdolit, në Llugë të Dan Pjetrit, ku u mblodhën 2000 luftëtarë e prijës të çetave kryengritëse të rajoneve të ndryshme të Kosovës, Shqipëria e Veriut, Sanxhaku dhe Rozhaja. Aty gjindeshin krerët e lëvizjes për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet si: Ndue Përlleshi, Ukë Sadiku, prof. Ymer Berisha, Qazim Bajraktari, Marije Shllaku, Mehmet Aga i Rashkocit, Alush Smajli, Dem Ali Pozhari, Prek Shyti nga Prizreni, përfaqësuesit e Muharrem Bajraktarit – Kruma e Luma, Pashuk Biba, Shaban Boshnjaku nga Pazari me 800 luftëtarë, krerë nga Drenica, Llapi, Gollaku, Gjilani, Shala e Bajgorës, Ferizaj, Kaçaniku, Rugova, Podguri etj. Pranë Dardhës së Madhe valonte flamuri me shkabën dykrenare, tetë metra i gjatë, të cilën e kishte sjellë Alush Smajli i Llazicës. Kuvendin e ruenin luftëtarët e Ndue Përlleshit, Alush Smajlit dhe Qazim Bajraktarit, të udhëhequr nga Smajl Hajdari Gjurgjevikut të Madh dhe vëllai i Ndue Përlleshit, Zef Përlleshi.

Pas kuvendit të Dobërdolit u bënë shumë takime me popullatën e vendit për organizimin dhe mobilizimin rreth organizatës “Besa Kombëtare” Ndue Përlleshi, Ukë Sadiku, Qazim Bajraktari, Mehmet Aga i Rashkocit dhe prof. Ymer Berisha u nisën për një mbledhje të përbashkët me krerët e Shqipërisë së Veriut diku në malin e Pashtrikut. Çeta e Ukë Sadikut mbeti nën udhëheqjen e vëllait të Ukës, Shaban Sadiku.Në Fushëgropë mes maleve të Çelisë së Jellovcit, brigada famëkeqe e Kotorrit kishte rrethuar Çelinë ditën e tretë të Bajramit. Gjatë luftimeve të ashpra aty mbetën të vrarë 23 luftëtarë dhe 9 të plagosur rëndë. Nga çeta e Ndue Përlleshit ishte plagosur rëndë heroina e vetme vajza shkodrane Marije Shllaku dhe u vranë në fushë të betejës deshmorët Zef Sokoli me djalin e tij, Markun 18-vjeçar.

Çeta e Ndue Përlleshit kishte mbetur të veprojë thuajse e vetme, me pak luftëtarë dhe shumë e ndjekur nga OZN – a. Më 8 shkurt të vitit 1948, së bashku me dy shokët e tij, Ndrec Nikollën e Shaban Demën u rrethuan nga OZN – a. Ata mbas disa orë luftimesh mbetën të vrarë dy shokët e tij Ndrec Nikolla dhe Shaban Dema ndërsa Ndou i plagosur qëndroi në mesin e pyllit deri në orët e para të mëngjesit, ku me një breshëri plumbash çanë rrethimin duke lënë në fushë të betejës shumë të vrarë e të plagosur nga partizanët vullnetarë. Atë mëngjes komandanti i OZN – ës pushkatoi në vendin e ngjarjes të riun Pren Gojani nga fshati Dugajevë, i cili ishte nga fisi i Ndue Përlleshit, me pretekst se i kishte hapur rrugë këtij të fundit.

Ndou, me plagë të rënda arrin në shtëpinë e tij. Kur po i mjekonin plagët, aty arrin kryetari i komunës së Jagodës, Jank Boriçi, i cili hedh një bombë brenda në shtëpi. Ndou me shpejtësi e kap dhe ia kthen mbrapshtë. Bomba pëlcet dhe plagoset rëndë Janku. Që të mos kapej nga partizanët, Ndou largohet menjëherë dhe shkon të Ibish Sokoli, vëllai i Zef Sokolit, të vrarë në Çelinë e Jallovcit.Tek Ibishi qëndron, deri sa shërohet. Nga aty kalon në Llapçak, tek Pren Gjoka, që ishte një shok i tij. Ky fshat i takonte komunës së Istogut. Qeveria Jugosllave kur merr vesh se Ibish Sokoli e kishte strehuar Ndue Përlleshin, e dënon Ibishin me 8 vjet burg dhe gruan e tij me 6 vjet. Në fshatrat e Lugut të Drinit ushtria sllavo – komuniste e torturoi popullatën e kësaj ane në mënyrën më çnjerëzore dhe shumë vetë pësuan dënime me burgje të rënda.Pas një qëndrimi në familjen e Pren Gjokës, Ndou duke parë se Partia Komuniste kishte depërtuar thuajse në çdo krahinë të Kosovës, largohet me disa bashkëluftëtarë për në Shqipëri, ku bashkohet me çetën e Ndoc Mirakës në viset e Pukës, të cilët vepronin në atë territor.

Vrasja e Ndue Perlleshit

Vrasja e Ndue Perlleshit ka bërë një jehonë të madhe në të gjitha viset etnike shqiptare . Rreth vrasjes së Ndue Perlleshit janë dhënë disa shenime kontradiktore por varianti me i besuar është ai i studiuesit Tomë Mrijaj,që ka gjetur në revistën ’’Shejzat’’ të profesor Ernest Koliqit.

Sipas shënimeve të botuar në “Shejzat” e Ernest Koliqit në Romë dhe në “Albanien Liber”, shkruhej: “Ndue Përlleshi së bashku me Ndoc Mirakën dhe Ndue Fushën, u vra nga forcat partizane të Shqipërisë në Bjeshkët e Iballes, në vendin e quajtur Boset, me datën 29 gusht të vitit 1949. Ata një ditë më parë ishin nisur të largoheshin (arratiseshin) për në Greqi. Largimi pengohej pasi në urën e Bërdhetit në Pukë ishte plagosë rëndë bashkëluftëtari i Ndue Përlleshit, Elez Myrta nga Kosova“.

Komandanti trim Ndue Perlleshi, nuk pranoi në asnjë mënyrë të lejë vetëm në frontin e luftimit shokun e plagosur rëndë  gjatë përleshjeve me forcat komuniste. Mbasi i lidhin plagët e rënda tre bashkëluftëtarët Ndue Perlleshi, Ndoc Mirakaj dhe Ndue Fusha e marrin në krahë të plagosurin dhe nisen drejtë kullës më të afërt.

Ata e lënë në besë të shqiptarit luftëtarin e plagosur i cili nuk mund të levizte. Dhe kjo familje fisnike shqiptare, me tradita nderi dhe burrërie i shpëtuan jetën një luftëtari të pamposhtur nacionalistit Elez Myrtës.

I plagosuri qëndroi në këtë kullë deri sa u shërua dhe u përcollë në besë nga meshkujt trima të familjes deri sa ai mbërriti në vendlindje e tij në fshatin Batushë të Kosovës.

Tre luftërët nën flakën e bastisjeve dhe shkatërrimit të shtëpive nacionaliste nga komunistët e diktatorit Enver Hoxha, u kthyen në Boset të Pukës për tu shlodhur. Por për fat të keq, dikush kishte treguar pranë forcave të Sigurimit, se Ndue Perlleshi, Ndoc Mirakaj dhe Ndue Fusha, janë të strehuar në bazën e mëparshme të nacionalistëve antikomunistë në Boset.

Por sa mbërrinë në bazën e tyre, forcat e ndjekjes së sigurimit pas një rezistence dhe lufte të madhe i vrasin të tre nacionalistët, ku tre të vrarët i marrin zvarrë deri tek kulla e Kolë Bibë Mirakës në Iballë të Pukës.

Të nesërmen me urdhër të Enver Hoxhës ,Ndoc Mirakën dhe Ndue Fushën i nisin për në Sh’Pal të Mirditës të lyer me vaj guri dhe i djegin para mirditasve, në shenjë hakmarrje për Bardhok Bibën i cili ishte vrarë më, 7 gusht 1949 në Qafë të Valmirit.

Për trupin e pajetë të deshmorit Ndue Perlleshit komunistët e Tiranës, kishin dhënë urdhërin që ta varrosin në qytezën e Pukës, ku ende nuk i dihet varri,por që në fakt ish puntorët e sigurimit komunist në Shqipëri mund të kenë informacione se ku pushojnë eshtrat e heroit të Shqipërisë Etnike ,Ndue Perlleshi.

Përjetësia

Tash që heroi i Shqipërisë Etnike ,Ndue Perlleshi është përjetësuar për meritat dhe luftën e tij heroike është në dorën e shqiptarëve atdhetarë që kjo përjetësi të jetë e përhershme. Edhe themelimi i Shoqatës së re me emrin e Ndue Perlleshit në Zvicer që sot po e promovojmë më 26 maj 2018 edhe kënga e re që sot po shfaqet për herë të parë për Ndue Perlleshin hynë në vazhdën e përjetësisë.

Ne sot nuk po bëjmë asgjë më shumë përveç se po i kthejmë një borgj të kahmotshëm luftëtarit të pamposhtur dhe qendrestarit të pashembulltë i cili për 4 vjet e 9 muaj apo 1730 ditë bëri një heroizëm të pashembullt dhe luftoi kunder kriminelëve komunistë, për një Shqipëri të shqiptarve për një Shqipëri Etnike.

LIDHJA E ARSIMTARËVE DHE PRINDËRVE SHQIPTARË «NAIM FRASHËRI» NË ZVICËR MBAJTI KUVENDIN ZGJEDHOR Nga Nexhmije Mehmetaj

Nexhat Maloku u rizgjodh kryetar

Të dielën, më 20 maj 2018 në Lagental , Bernë, në Zvicër u mbajt Kuvendi zgjedhor i LAPSH  me praninë e mësimdhënësve dhe prindërve shqiptarë.

Shkolla shqipe në Zvicër ka formuar një traditë, shkollë tashmë në vitin e 28 të jetës së saj, shkollë tashmë me një histori të vetën, që lidhet me gjuhën e nënës, me fjalën e artë shqipe, atë fjalë që e ka mbledhë si bleta nektarin lule më lule, Naim, Asdreni, Pashko Vasa, Fishta, Kadare …

Kuvendin e hapi kryetari Nexhat Maloku, mësues në Cyrih. Punimet e kuvendit i drejtoi z. Abas Fejzullahu, sekretar.

Në raportin e punës Nexhat Maloku veçoi disa nga veprimtaritë e shkollës, vlerësoi punën e përkushtuar të mësimdhënësve që tashmë në kuadër të LAPSH -rë numëron 65 mësues/e që japin mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Vlerësoj bashkëpunimin zyrtar të Lidhjes me organet arsimore  të Zvicrës dhe Kosovës. Mësimi plotësues zhvillohet në klasat e shkollës zvicerane janë 133 klasë, fëmijët shqiptarë që ndjekin mësimin shqip janë 1798. Mbajtja e Seminareve për mësimdhënës, Konferenca për Mësimin plotësues, Garat e Diturisë, Mbrëmje festive me rastin e 7 Marsit- Dita e Mësuesit etj. Synimi ka qenë që nëpër mes këtyre veprimtarive jo vetëm të ruajmë identitetin tonë por dhe të  njohim të tjerët më mirë me gjuhën,  historinë dhe kulturën tonë me trashëgimin që kemi sjell nga atdheu. Një formë e mirë për të u integruar me dinjitet në shoqërinë zvicerane.

Në kuvend u theksua problemi kyç që në vazhdimësi e ka shoqëruar mësimin plotësues është numri i vogël i fëmijëve shqiptarë që mësojnë shqip. Ne me organizimin tonë u kemi dhënë mundësinë që të fëmijët ta ruajnë, ta kultivojnë, ta mësojnë gjuhën shqipe.

Besojmë se do të gjejmë mirëkuptimin dhe angazhimin e institucioneve shqiptare duke e vendosur çështjen e mësimit plotësues të gjuhës shqipe ndër të parat, ndonëse është nënshkruar Marrëveshja për Mësimin Plotësues në  diasporë mes dy shteteve shqiptare,  presim rrugën e zgjidhjes institucionale.

Punimet e kuvendit i nderuan me praninë e tyre: Zoti Ilir Gjoni, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bernë. Zoti Mustafë Xhemajli, nga Ambasada  e Republikës së Kosovës, z. Nuhi Gashi, përgjegjës për koordinimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë – MASHT dhe Abdyl Lipoveci zyrtar nga Ministria e Diasporës.

Një urim na ka dërguar

Në kuvend me shumicë votash u zgjodh kryetar i LAPSH-rë për Zvicër  përsëri Nexhat Maloku, nuk pati kundër kandidat.

Një e veçantë e këtij kuvendi është dhënia e mirënjohjes mësueses Saime Zeka nga MASH e Republikës së Kosovës.

Kuvendi që pati një rrjedhje të qetë e të natyrshme pune  filloi në orën e 14.00 dhe mbylli punimet  në 16.00. Qenë të pranishëm përfaqësues të shkollave ku zhvillohet mësimi shqip si: Arau, Basel Land, Bern, Cyrih, Friburg, Glarus, Gjenevë, Jura, Schaffausen, St. Gallen, Thurgau, Vaud, Obwalden. Të pranishëm ishin 51 persona anëtarë të LAPSH-it dhe mysafirë.

Në fund të punimeve, Kuvendi uroj komunitetin shqiptar në Zvicër të bëjmë çmos secili nga ne që ta mësojmë gjuhën tonë të bukur, ta ruajmë atë, ta flasim atë, ta shkruajmë atë sepse ne po humbim nga dita në ditë gjuhën tonë, që historia na tregon se e kemi trashëguar brez pas brezi.

Delemont, 22.05. 2018                                                                    Nexhmije Mehmetaj

 

Shoqata “Nue Përlleshi”në Zvicër organizon Akademi përkujtimore dhe promovimin e këngës për Nue Përlleshin

“Rikthimi madhështor i Heroit të Shqipërisë Etnike – Nue Përlleshi”
Shoqata e saporformuar” Nue Përlleshi” në Zvicërr organizon më,datën 26.05.2018 në ora 19 në adresën :Schutz 4, 6022 Grosswangen akademi perkujtimore për trimin e Dukagjinit dhe heroin e Shqipërisë Etnike Nue Përlleshin Për figurën e Nue Përlleshit heroit të papërseritshëm të Shqipërisë Etnike do të flasë historiani i mirënjohur Nue Oroshi që njëherit është edhe Kryetar i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit”.Në këtë akademi përkujtimore dhe promovuese gjithashtu në pika të shkurtëra do të paraqitën synimet dhe koncepti i Shoqatës “Nue Perlleshi “për të ardhmën. Pastaj do të vazhdohet me pjesën artistike ku do të promovohet kënga më e re kushtuar Nue Perlleshit e kënduar nga Gofile Papleka,teksti dhe muzika:Frane Kodra i gjithë ky manifestim do të përcillet nga Grupi “Treva e Dukagjinit”(Franë Kodra,Ndue Shytani,Nikolin Perpali dhe TV Blue Skay).Pastaj grupi muzikor do të vazhdoj me këngë dhe valle të tjera të muzikës burimore shqiptare. Prandaj ftojmë të gjithë shqiptarët që jetojnë në Zvicërr pa dallim krahine,feje apo ideje që të marrin pjesë në këtë akademi shkencore, promovuese dhe artistike.Kështu të fillojmë dalëngadalë por sigurtë ta çojmë në vend amanetin e heroit të kombit Nue Përlleshit i cili ishte një luftëtarë e strateg i rrallë i kombit shqiptarë.
 

Ju mirëpret kryesia e Shoqatës Shqiptare “Nue Perlleshi “në Zvicerr Pjetër Gjergjaj Kryetar