VOAL

Please Wait ...
0%

Shkodra – si e imagjinoja dhe si ishte (1) – Nga Gani MEHMETAJ

By | December 5, 2017
1 Comments
  • author avatar
    Salih Sejdaj 1 week ago Reply

    Të lumtë mik Gani.për këtë shkrim.
    Të përshëndes nga New Yorku !

Komentet

Moj e bukura More! – Nga Gani Mehmetaj

(Nga kronika e fratit të paemër, mungon data)  
Kalabria! Sa s’klitha i entuziazmuar si Arkimedi para dy mijë vjetësh, kur e tha fjalën e famshme: e gjeta! M’u bë se edhe unë e gjeta çelësin e fshehtësisë. Arbëreshët mund ta dinë fshehtësinë e rivarrosjes, sepse mbretin tonë një herë e varrosën në Lezhë. Rivarrimin ku ia bënë? Në Kalabri, askund tjetër! Më lindi si shkreptimë rrufeje kjo ide dhe nuk më la të qetë shtatë ditë e shtatë net.
Ktheja kujtesën prapa, zbërtheja të gjitha fjalët e thëna, përpiqesha të kapja fjalët e pathëna për varrin e famshëm. Mund të më ndihmonin arbëreshët në këtë fshehtësi të madhe? Mund të më dërgonin labirinteve të fshehtësisë, që s’arriti ta zbërthente askush? Zemra nisi të më rrihte me shqetësim. E kapa fillin e enigmës. Kjo  do të jetë prova më e madhe e jetës sime. E blova net më radhë, i parashtroja vetes një mori pyetjesh, duke i qartësuar përgjigjet.
Sidoqoftë, mora guximin dhe ia paraqita ipeshkvit planin tim për pelegrinazh në tokat e reja të arbëreshëve, pa ia specifikuar pse doja të shkoja. Druaja që do të më paraqiste pengesa, ose do të me shkurajonte. Por nuk e bëri as të parën, as të dytën. Ipeshkvi sikur ta kapte qëllimin e pelegrinazhit, nuk ma bëri fjalën dy. Më dha zemër të gatitesha mirë e të nisesha. Më dha udhëzimet e duhura e adresat, ku do ta bëja natën e ku do të ndalesha më gjatë. Ai i kishte rrahur këto krahina njëzet vjet më parë. Kurrë s’më kishte folur për këtë pelegrinazh. 
“Kanë nevojë arbëreshët të takonin sivëllezërit nga Arbëria”, ma tha imzot Bogdani me tisin e hollë të nostalgjisë.
 “Takoji vëllezërit tanë, ua rrëfe gjendjen, por mos ua këput shpresat. Malli nga larg të përvëlon. Atdheu nuk të lë të qetë”.
Nuk e fshehu se ma kishte lakmi. Detyrimet e të parit të fesë në tokat arbërore nuk e lejonin të lëvizte nga selia e Ipeshkvisë së Shkupit.    
 Kur u nisa drejt viseve të Kalabrisë, aty ku u ngulitën shumë arbërorë- zemra më rrihte fort. Ishte hera e parë që vizitoja katundet arbëreshe. Përgjëroheshin e shkëlqenin nga gëzimi. I mbërtheu një eufori që më emociononte. Tisi  i mallëngjimit ua përshkonte fytyrat, ua dridhte shtatin.
Plakat m’i mbanin duart, duke më shikuar me sytë gjysmë të shuar. Burrat m’i rrihnin supet dhe më flisnin pa pra. Më pyesnin e nuk e prisnin përgjigjen, sepse rrëmbeheshin nga emocionet.
“Je arbëresh, je im vëlla!”, ma përsëritën tërë kohën refrenin mallëngjyes.
Pas disa ditësh çmallje, nisa të kuvendoja me burra të moçëm, të cilët ende e kishin ruajtur kthjelltësinë mendore, ndërsa gjuhën nuk ua kishte cenuar gjuha latine, sikurse i thoshin italishtes.
Kur e nisa bisedën, aty ku më dhembte gjuha sesi më shikuan të gjithë më habi.
“Ku është varri i Gjergj Kastriotit?”ma ktheu me kundërpyetje, Gjergji arbëresh, plaku që po i kalonte të tetëdhjetat. Mbreti ynë kurrë nuk e pati një varr. Ta kenë zhvarrosur? Gjergjin tonë? Kurrë! As të vdekur s’do ta kapnin turqit”, më thoshte i sigurt në atë që fliste Gjergji i përtej detit.
Ai nuk donte të fliste për varrin dhe për zhvarrimin, nuk e pranonte as varrin, as zhvarrin, sikurse e thoshte ai. Plaku nisi të më tregonte një mori legjendash për mbretin e arbërorëve, për princat e gjeneralët, duke i rritur në përmasa që më mrekullonin. 
“Kur e vërviste mbreti ynë shpatën e madhe të rëndë, tri koka turku këputeshin si të ishin kallinj gruri”, rrëfente ai, ndërsa sytë i flakëronin. “S’kishte kush i dilte para. Askujt s’ia kishte frikën”.
Sa shumë legjenda kalorësiake e trimëri të ushtarëve të Gjergj Kastriotit dëgjova ato net të nxehta gushti, në kopshtet a tarracat e arbëreshëve, ulur në tryezat të mbushura me fruta e me verë arbëreshe. E vërejta se as ai, as të tjerët nuk donin të bisedonin fare për varre e zhvarrime. Për ta Gjergji ishte hyjni, të tillë e kujtonin. 
“Kur e lamë prapa Arbërinë, nuk morëm asgjë me vete, pos kujtimeve”, më tha i pikëlluar plaku arbëresh. “Ato pamje të orëve të fundit në tym e flakë, na e mbajnë gjallë kujtesën, gjuhën e traditën”, vazhdonte të më tregonte ai.
“Mos e kërko Gjergjin këtu, mbretin atje e ke. Ne morëm vetëm kujtimet për të”.
Ai donte të më thoshte, ndërsa nuk e nxirrte nga goja se varrin e Skënderbeut atje e kishim, por ai nuk e përmendte asnjëherë varrin, ai fliste për Gjergj Kastriotin si për një trim të gjallë, i cili ishte diku, ndërsa një ditë do t’ia behte papritmas…
Të gjithë ishin në  pritje të tij. Arbëreshët e përtej detit, prisnin ringjalljen, që të ktheheshin në vatrat e tyre. Ndërkaq, arbërorët e këndej detit prisnin frymën e tij të shenjtë që të ngriheshin në kryengritje. Të gjithë ishin në ethe të pritjes…   
Kuvendonim e çmalleshim. Gotat e verës i rrëkëllenim tue u gëzue herë për shëndetin e të parëve tanë, herë për Arbërinë që gatiteshim ta çlironim. Vëllezërit e mi arbëreshë ishin edhe më entuziastë sesa unë.
“Asht punë muajsh vëllamthi im”, më thoshte prifti i katundit Maki, ndërsa ma shtrëngonte dorën si të donte të merrte tumirën time. Nuk  ua prishja asnjëherë. Atyre u kishte mbetur malli e shpresa me tepri.      
Natën e fundit kur e lashë katundin Maki e po kaloja në Shen Mitri Korone, ndërsa ecja buzëmbrëmjes së qetë, nëpër kalldrëm, vështroja i përhumbur pa u ndalur në asnjë vend. Duke kujtuar fatkeqësinë që e pllakosi Arbërinë, me dilnin para sysh arbërorët që kaptuan detin. Kolona të gjata, anije të stërngarkuara, britma fëmijësh e grash, burra që hakërroheshin, apo ata që kërkonin rend e qetësi. Prapa linin qytetet e shtëpitë që kishin marrë flakë. Shumica mezi shpëtuan kokën.
I zhytur në këtë pikëllim, nuk e di kur nisi një këngë, e cila një herë m’u bë se vinte nga larg, madje më dukej sikur era e valët  e bartnin nga përtej detit. Pastaj zëri më afrohej gjithnjë e më shumë, më përfshiu si puhiza e lehtë verore e Mesdheut të këndshëm.  Prapë valët e puhiza e sillnin drejt meje. Zëri i vajzës a gruas së re që e këndonte tingëllonte i pastër, melodik, me tingëllimë melankolike, që të fuste të gjallë në dhe. Më stepi kënga, më mallëngjeu deri në ngashërim, kur e qartësova kujt i këndonte. Malli i paskajshëm derdhej pikëllueshëm nga kjo këngë.
Vajza më dukej e mbante ngashërimin në kraharor, ndërsa në ajër derdhte tingujt e pastër e plot mall:
O, e bukura More, 
si te lashë, si të lashë, si të lashë   
e më s`të pashë 

si të lashë,
si të lashë, 
si të lashë.   
e më s`të pashë 
atje kam unë zotin-tatë

atje kam u mëmëm time

atje kam u tim vëlla…


E dëgjoja këtë këngë, lotët m’i rrëmbushën sytë e mjegulluar. Kur këngëtarja përsëriste refrenin: “si të lashë, e më s’të pashë”, sa s’më plasën mushkëritë. Zemra nisi të më rrihte fortë, fyti m’u ngushtua nga një ngashërim që donte të dilte nga kraharori duke ma dridhur shtatin.
Kënga ishte e re, e padëgjuar nga unë. Apo mbase ishte këngë e vjetër që unë e dëgjoja për herë të parë. Zëri i vajzës së re më molisi aq shumë. Nuk u emocionova as atëherë kur qëndroja  mbi muret e kështjellës në pritje të sulmit të armikut, nuk më tradhtoi shtati as atëherë, kur na rrethuan, ndërsa prisnim të pashpresë fundin tonë.  Kjo këngë më bënte të vuaja, të qaja, të klithja, ta ndieja veten të pafuqishëm, të kujtoja ata që ishim e nuk jemi më. Zëri zemërçjerrës i kësaj sibile arbëreshe që i këndonte Arbërisë së braktisur, më bënte ta kujtoja zërin melankolik të një sibile tjetër që këndonte po aq përmallshëm përtej detit, por që pas betejës nuk e pashë kurrë më. 
U ula në gurin e gdhendur afër murit të lartë që e mbështillte shtëpinë aristokratike të një arbëreshi. Sipër derës së hyrjes valonte flamuri ynë.
Mora frymë thellë, e qetësova zemrën dhe nisa të kujtoja motin e madh, kur të mallkuarit na lanë pa fe e pa atdheu, na i dhanë rrugët dhe gati na shprishën… 
Fragment nga romani: Zhvarrimi, 2016

“ATA QË I VRET UÇK-JA, PO I VAJTON LDK-JA” – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

     Kur një oficer i lartë i Rajhut të Tretë gjerman po i godiste, me një shufër metalike, skulpturat e përzgjedhura në Muzeun e Luvrit, në Francë, Ciceroni, zëmekur dhe i përlotur, i lutej oficerit gjerman: “Mos i dëmtoni kryeveprat e artit, zotëri, se do t´ju dënojë historia”. Oficeri, për një çast pushoi goditjen, kryqëzoi duart sipër shkopit metalik, duke u gjegjur, qetësisht: “Zotëri, nëse fitojmë luftën, historinë e shkruajmë vetë. Nëse e humbasim luftën, pavarësisht sjelljes time, fituesi tjetër do ta shkruajë historinë”. Dhe, vazhdoi me demolimin skandaloz të veprave të artit.

          Promovimi i “gjeneralëve” pa ushtarë dhe pa beteja

     Diçka e ngjashme po provohet të bëhet edhe në Kosovë, për 18 vjet radhazi. Qeveria e Përkohëshme, e krijuar nga Tirana zyrtare soial-komuniste, në koordinim konspirativ me Serbinë, pushtoi objektet e institucioneve të Kosovës, të braktisura nga pushtet-mbajtësit serbo-sllav. I mohoi dhe i quajti inekzistente, të paqena të gjitha institucionet paralele, të cilat funksionuan, për një dekadë radhazi, “nën hundën” e armikut, duke e sfiduar, mençurisht e trimërisht, administratën shtetërore dhe makinerinë policore e ushtarake serbo-jugosllave. Akuzat e shpifjet, pa asnjë bazë e argument, kundët Ibrahim Rugovës dhe partisë-lëvizje, LDK-së së Tij, të halabakëve të LPK-së, të cilët sabotuan financimin për mbijetësë të Kosovës, gjatë rezistencës aktive paqësore dhe, më vonë, edhe vet luftën, shënonin rrugaçërinë më neveritëse, tashmë, të organizuar në parti politike! 

     Një palë dhunues u larguan, duke u zëvendësuar me dhunues të së njëjtës ideologji komuniste, veçse shqipfolës! Ndonëse të panjohur në paqe dhe luftë, ata, për t`u promovuar, zgjodhën tam-tamët e zhurmshme, koncertet e hapura e masive, duke i keqpërdodrur këngëtarët, madje, nga të gjitha trevat shqiptare. Me bujë e pompë, i prezantonin “gjeneralët”, me shkollë fillore e ndoca edhe me të mesmen, duke ua atribuar luftën, “betejat heroike”, por, pa guxuar të përmendin as data dhe as vend-beteja, të cilat, realisht, ishin imagjinare, mungonin!

     Qysh gjatë luftës, Radio-Televizioni Shqiptar,(RTSH), përkatësisht, Redaksia për Kosovën, ishin pushtuar nga lëpëkeistët e nërkyer. Besa Çeku-Buçinca, alias, Hajrije spikerica, me hajrucët e tjerë, llomotisnin, pa fije censure, shpifjet për LDK-në, me aleatë. Dhe, gënjeshtrat përlavdëruese, për “komandantët”, të cilët, në vend të luftës kundër pushtuesit, kishin zgjedhur vrasjet e ushtarakëve FARK-istë, betejat e të cilëve kishin datime dhe emra vendësh, ku janë zhvilluar dhe fituar. Zhurmimet lehaqene shpifarake e përçarëse, në stilin stalinian, i thelluan që në ditën kur pushtuan dhunshëm, Radio-Televizionin e Prishtinës, njësoj si forcat policore pushtuese, në vitet `90-a, për të vazhduar edhe sot e kësaj dite.

 “Krahu i luftës” dhe “krahu i paqës”

     Trumbëtimi i slloganit, sa përçarës, aq edhe cinik, “krahu i luftës” dhe “krahu i paqes”, kishte për qëllim përvehtësimin e luftës të pa bërë. Përsëritja ricikluese e gënjeshtrës, bëri që edhe “komandantët” ta besojnë gënjeshtrën e tyre, të cilën vetë e kishin lansuar dhe hedhur në etër. Kësaj teneqeje të shpuar, i binin agjit-propët e dy partive-banda, PDK-së dhe të AAK-së. Ata filluan të krijojnë legjenda dhe epopera inekzistente, të paqena. E gjithë kjo hajkë e kampanjë, ishte e organizuar dhe e orkestruar nga Organizata ilegale, konspirative, kriminale e terroriste SHIK, e krijuar nga SHISH-i Shqipërisë dhe UDB-a (BIA) e Serbisë me aleatë.

     SHIK-u penetroi, depëtoi, shtriu tentakulat edhe në partitë tjera, që llogaritëshin të djathta, pra, edhe në LDK-e. Janë shënuar dhe regjistruar edhe debate e biseda, ku pranohet teza e SHIK-ut, për “krahun e luftës” dhe “krahun e paqes”. Disa tellallë të SHIK-ut, janë në strukturat vendimarrëse, deri në Kryesinë e LDK-së! Prandaj, anëtarësia e LDK-së, reagon, deri në abstenim në votime, dhe kërkon zgjedhje të parakohëshme, për t`i pastruar radhët e veta, me debat dhe votë të fshehtë e demokratike. 

     Historia e shkruar e Shqipërisë, përkatësisht, Lufta e Dytë Botërore, e falsifikuar, në mënyrën më të poshtër të mundshme, për pesë dekada radhazi, ku tradhtarët komunistë u bënë heronj dhe atdhetarët nacionalistë tradhtarë! Këtë kohëzgjatje e favorizoi mbijetasa e sistemit komunist, në Evropën Lindore dhe Ballkan.

     Nisma e falsifikimit të historisë më të re të Kosovës, filloi me ndarjen përçarëse në “krah të luftës” dhe “krah të paqes”, për të vazhduar me datimet e veçanta të qyteteve të çliruara të Kosovës, duke e relativizuar, deri në mohim, 12 Qershorin, si datë faktike e çlirimit të Kosovës. Dhe, kjo bëhet për t`u imponuar “komandantët” kriminelë, vrasës të ushtarakëve të FARK-ut dhe të veprimtarëve të LDK-së, si çlirimtarë të qyteteve, një apo dy-tri ditë, para ose pas 12 Qershorit! Broçkulla e pallavra të “komandantëve” vrasës e rrugaçë. Sikur Lufta në Kosovës është bërë në parahistori, dhe jo në kohën e degjitalizimit, internetit!

     Të ashtuquajturin “krah i paqes”, “komandantët” e Bllokut të Tiranës, e identifikojnë LDK-në me aleatët e saj të së djathtës!? Por, LDK-ja e ka të dokumentuar luftën, betejat faktike të saj, me datime dhe fushë-beteja me emër vendësh. LDK-ja, e djathta shqiptare, i ka heronjtë e shumtë anekënd Kosovës. Ndërsa “krahu i luftës”, me “UÇK-në” në letër, i cili identifikohet me bandat-partiake, PDK-në dhe AAK-në, nuk po arrijnë të dëshmohen, jo me luftë, por as me betejë, as me datë dhe as me emër vendi, ku jan zhvilluar “betejat” e tyre imagjinare, fiktive, të rrejshme.

     Edhe e majta shqiptare, ka heronj, madje, të lavdishëm. Por, ata u braktisën nga “komandantët” e tyre, sepse donin luftën, lirinë dhe jo llafet përçarëse dhe të turpshme, sallave luksoze të Evropës dhe hoteleve e bulevardeve të Tiranës. Ata, heronjtë, e denoncuan këtë, në gjallje të tyre, por, “komandantët” u hakmorën, me prapaskena tinzare dhe pusira vrastare.

     Dhe, shtrohet pyetja logjike: Kush, në fakt, ishte “krahu i luftës”, e kush i bishtnimit dhe i sabotimit të Luftës? Dhe, përgjigja është e qartë: Partitë-banda, me “UÇK-në” e SHIK-ut, përgjakën LDK-në dhe Kosovën, pa hyrë fare në luftë kundër Serbisë. E djathta shqiptare, e prirë nga LDK-ja, bëri rezistencën aktive paqësore dhe, ne FARK-un e saj, luftën e armatosur.

          PDK-ja i pranon vrasjet politike

     Kryesia e re e Lëvizjes Popullore të Kosovës, (LPK), e cila mori drejtimin e Lëvizjes me intriga e puç, duke e akuzuar ish-kryetarin Fazli Veliun me shokë, deri në tradhti kombëtare, pësoi një metamorfozë, sa të papritur, aq edhe të çuditshme! Kjo Kryesi, e përfaqësuar nga rrethi vicioz i Drenicës, me ndoca banditër të Dukagjinit, e mposhti, madje lehtësisht, një koxha Kryesi të vjetër të LPK-së, duke e sfiduar me akuza e shpifje monstruoze. 

     “I fundit i Mohikanëve”, Profesor Muhamet Kelmendi, dinjitetshëm, i demantoi dhe, bindshëm, shpjegoi se puçistët e Kryesisë së re të LPK-së, me Hashim Thaçin, Xhavit Halitin, Azem Sylën, Kadri Veselin, me shokë, janë një ogur i keq për Kosovën. Parashikimi i zotëri Kelmendit, rezultoi, tërësisht, i saktë.

     Ndër veprimet e para që mori klani puçist i Drenicës, ishte thellimi i përçarjes brenda-shqiptare, ide dhe praktikë shekullore e serbëve kundër shqiptarëve. Në këtë komplot kundra-kombëtar, u aktivizua, sforcueshëm, Tirana zyrtare, komunistët e rreshkur, mbeturinat e sistemit monist të Enver Hoxhës, të cilët shkrumuan Shqipërinë, që pushtetin e humbur me votë, ta rimarrin me dhunë e terror. Dhe, kjo bandë-mbeturinë, është cilësuar si “jashtëqitja e kombit”.

     Realisht, këta donin përtëritjen e aleancave të Luftës së Dytë Botërore, ruso-serbe me komunistët shqiptarë. Dhe, goditja e të djathtës të Kosovës, të përfaqësuar nga intelektuali, kombëtari i shekullit dhe i shekujve, Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Lidhja e re e serbëve, me socialistët shqiptarë, funksionoi si sahati “Sarkisuf”, pra, saktësishëm, gjatë dhe pas luftës.

     Me sknarin e gatshëm të Luftës së Dytë Botërore, të hartuar nga Dushan Mugosha, Milladin Popoviçi, Enver Hoxha me bandën e tij komuniste, me qëllim të marrrjes të pushtetit dhunshëm, filluan vrasjen e nacionalistëve shqiptarë, të organizuar në Partinë e “Ballit Kombëtar”, nën drejtimin e Mit`hat Frashërit, djali i Abdyl Frashërit. Pas luftës vazhduan me gjyqet dhe dënimet drastike: vrasje pa gjyq dhe me gjyqe të montuara; burgosje dhe dënime drakoniane politike; internime dhe dëbime të përjetshme, nga vendbanimet lindake; konfiskime të pasurive të tundshme dhe të patundshme. Me dhunë e terror, sunduan për afro gjysmë-shekulli.

     Edhe pse në rrethana të tjera, skenari i vjetër, u adaptua në kohë të reja. Bandat e organizuara në SHIK, filluan vrasjet e kundërshtarëve politikë në Shqipëri, për të vazhduar në Kosovë. Indiferenca, heshtja e UNMIK-ut, për krimet numerike të bandave të SHIK-ut, shpjegohet me angazhimin e koordinuar të Serbisë me aleatë. Sepse, krimi ndërshqiptar është rrënimi i vet shoqërisë shqiptare.

     Të trimëruar, të siguruar se mund të vrasësh dhe nuk përgjigjësh, nuk ndëshkohësh, edhe zyrtarët e partive, që identifikohen me krimet në Kosovë, e kanë “lëshuar gojën”, duke pranuar se vrasjet politike në Kosovë, kanë autorësi PDK-në dhe simotrat e saj në SHIK. Dhe, kjo dëshmohet me deklaratën pulike, por, edhe mjaft ironike, cinike të një zyrtari të lartë tëPDK-së: “Ata që i vret UÇK-ja, po i vajton LDK-ja”.

     E kemi thënë dhe e përsërisim, se vrasjet politike në Kosovë, janë një e fshehtë publike. Fakti që ka ekzistuar një Organizatë ilegale, kriminale e terroriste, por, që me kohë, më sakt, kur ka përfunduar misionin kryesor vrastar, ka njoftuar pushimin e aktivitetit, edhe pse, ky është një mashtrim i radhës. Themeluesit e kësaj organizate, vrastare të shqiptarëve të pafajshëm, me dhunë e terror dhe me shërbime speciale e lojalitet, ndaj Serbisë me aleatë të saj, sot janë në kupolë të shtetit dhe të pushtetit! Skajmërisht, tmerr!

LIBERALIZIMI I VIZAVE NË QORRSOKAK – Nga Prof. dr. Binak Maxharraj

LIBERALIZIMI I VIZAVE NË QORRSOKAK

PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE NË KOSOVË KANË MBETË MË U PLOTESU DY KUSHTE TË ZORSHME:

I PARI, APROVIMI I MARËVESHJËS SË DEMARKACIONIT MË MALIN E ZI.

U deshtën gadi tre vite të punohet në këtë drejtim. U formuan katër komisione për demarkimin e kësaj vije. Komisioni Meha në kohën sa ishte Hashim Thaqi doli më defekt, e zhvendosi kufirin nga Çakorri dhe Kulla për gjashtë kilometra në mbrendi të Kosovës. Shpërtheu revolta së pari nga partitë opozitare, por pati edherevolta nga qytetarët e Kosovës e, më së shumti nga ata të zonës së Rugovës, të cilët u hodhën në revoltë sepse andej po u mbesin kujtimet, tokat, varret, malet,etj. U dhez edhe Kuvedi i Kosovës për ta ndaluar miratimin e kësaj Mareveshje në Kuvend. Dhe u bllokua. Qeveria Thaqi e pastaj edhe ajo Mustafa formuan edhe dy Komisione sa për sy e faqe, por demarkacioni nuk kaloj.Kështu humbën gadi tri vite në rremuaj rrethe kësaj çështje pa asnjë rezultatë,bile për këte edhe ra Qeveria Mustafa .

Erdhi deri zgjedhjet e reja .Bindshem fitoi LVV,humbi PDK,u ringjall pak LDK.U deshtë gadi dy muaj për tu formur Qeveria.Pas shumë tentimeve shtyerje brylash çështja u lidhë dyqysh që Ramush Haradinaj u zgjodhë Kryeministër.
Ky menjëherë qe në ditën e parë në mbledhjen e Qeverisë e shkarkoj Komisionin Bulliqi .Ky Komision pas nja dy muajve pune në terrën doli këto ditë me rezultatet që Kosova po humbë tokë nja 8200 hektar .Kështu demarkacioni hyri përseri në qorrsokak.Por Kryeministri Haradinaj vendosi që të gjeturat nga të dy këto komisione
ti dërgoi në Kuvend për diskutim dhe miratim. S e si do të shkonë në më tutje është në duar të të deputeteve, dhe

LUFTIMI  I KORRUPCIONIT NË KOSOVE.

Lufta për luftimin e Korrupcionit si kushtë i dytë për liberalizimin e vizave ëshë një punë fortë e komplikueme.Siq dihet Kosova është vendi më i korruptuar në rajon por edhe më gjerë.Në Kosovë korrupcioni ka arrijtë deri në fytë.Siç dihet gjatë gjithë përiudhës së pasluftës të gjitha institucionet u kapën nga një klasë politike e dalë nga lufa aspak e përgjëgjëshm .Shiti dhe privatizoi çdo gjë që në Kosovë që  ishte ndërtu më dekada më çmime shumë të ulëta.Shtei u kapë nga kjo klasë politike e cila nuk u kujdes për ndërtimin e shtetit por për mbushjen e gjepave të tyre.Kështu qe kjo kastë politike shumë shpejtë u koruptua duke vjedhë çdo gja që u vinte ndorësh.Pothuajse mbrenda nates u banë milionera.Kjo kast politike,apo ma mire më thanë Klani Pronto,nuk u kujdes për forcimin e ligjit qe rezulton së u banë pak reforma në legjeslatur.Kështu u korruptuan edhe prokuroret dhe gjyqëtarët,të cilët nuk zbatonin ligjet por uredhat e politikës. E,si të luftohet korrupcioni nga njerëzit e korruptuar.Për të luftuar korrupcionin duhet qe kjo mafi pilitike të hiqet nga pushteti ,sepse,kjo do të thot së nuk mund të zbatohen ligjet atje ku mafia e banë politikën.

Dhe si përfundim çka do të ndodhë më këto dy kushte që duhet ti plotësoi Kosova?!.Po sypozojmë(anipse nuk jamë i sigurtë) së demarkacioni do të kaloj në Kuvend.A do të vijnë menjeherë vizat?..Jo,nuk do të vijnë.Po si do të plotësohet kushti i dytë që ka të baje më luftimin e korrupconit në të cilin Kosova ka sharru deri në fyt.Korrupcioni nuk luftohet me fjalë,por më zbatimin e ligjit,e ligji nuk mund të zbatohet më prokuror dhe gjykatës të korruptuar e me lider qe e kanë zbapu shtetin.Korrupcioni do jetë i luftuar vetem ateherë kur bahen ndrrime kardinale në sektorin e drejtesis,për të ardhe njerëz të pakorruptuar të cilët duhet ta zbatojn ligjin.Dhe tjetra a konsiderohet së korrupcioni po luftihet,nëse nuk u sekuistrohet të gjithëve pasuria e fituar pa ligj e që janë ba milionera vetem për pak vite. Unë thamë së jo dhe për këte duhet kohë e gjatë.

Pra siq po shihet lufta për korrupcon kërkonë kohë të gjatë,ndoshta me vite,sepse korrupcioni nuk luftohet vetem më fjalë por më vepra konkrete.Kjo do të thotë se edhe nese miratohet demarkacioni nga Kuvendi vizat nuk do të vijnë,por duhrt pritë edhe disa vite derisa të luftohet në zero edhe korrupcioni,e cila nuk kagjasa qe të ndodhë.E tere kjo do të sillet në një rreth vicioz,në ate stilin qe e thot populli:zbritë së të vrava,mos zbritë së të vrava.

Kurthi i “formulës ukrainase” për Kosovën në OKB – Nga SHABAN MURATI

Një burim diplomatik perëndimor nga Beogradi bën të ditur se qeveria serbe ka hartuar një plan të fshehtë për të kapërcyer kushtin e kushteve, që BE i ka vënë Serbisë për anëtarësim dhe që është njohja e Kosovës. Plani konsiston në atë që Serbia t’i ofrojë Kosovës anëtarësimin në OKB, por pa e njohur Kosovën si shtet. Në shkëmbim, Kosova duhet të ndihmojë Serbinë të anëtarësohet në BE, duke hequr dorë nga kërkesa e njohjes së Kosovës. Ky do të ishte sipas Beogradit thelbi i asaj, që po cilësohet si marrëveshje përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës. “Kosova mund të marrë vendin në OKB vetëm nëpërmjet marrëveshjes me Serbinë dhe Serbia duhet të marrë diçka”,-deklaroi në datën 5 dhjetor presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kur Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit të Serbisë, e pyeti se çfarë është kjo “diçka”, Vuçiç tha se nuk dëshiron të flasë tani, por do ta bëjë nga marsi ose prilli. Sipas burimit diplomatik, që përmendëm në fillim të analizës, kjo “diçka” është heqja dorë e Kosovës nga njohja prej Serbisë në shkëmbim të lejes serbe për të marrë një karrige në OKB.

Plani diplomatik serb ka nisur të diskutohet në disa qarqe të mbyllura diplomatike europiane dhe diplomacia serbe është në fazën e sigurimit të mbështetjes nga shtete të BE për këtë plan të saj. Burimi diplomatik perëndimor nga Beogradi bën, gjithashtu, të ditur se plani serb është konsultuar paraprakisht me Moskën dhe ka siguruar miratimin rus, sepse pa votën e Rusisë në Këshillin e Sigurimit në OKB nuk mund të hapet rruga e anëtarësimit të Kosovës në OKB, ashtu siç është veto ruse pengesa kryesore e anëtarësimit të Kosovës në OKB.

Në disa qarqe diplomatike kanë shfaqur interesim për këtë plan të diplomacisë serbe “për të ofruar anëtarësimin në OKB pa pranuar njohjen e Kosovës si shtet”, sepse është shtuar lodhja e Brukselit përballë një problemi të madh dhe të vështirë, siç janë marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, dhe do të shpëtojë një orë e më parë nga ky telash.

Çështja kryesore është se si do të jetë qëndrimi diplomatik dhe strategjik, që do të përcaktojë Kosova ndaj këtij plani serb. Diplomacia dhe institucionet e nëndheshme serbe, që kanë lidhje okulte me struktura të ndryshme në Kosovë, po përpiqen që në forma dhe rrugë të shumëllojta t’i krijojnë hapësirë pranimit të këtij plani serb në Prishtinë. Ka indikacione se në drejtim të këtij objektivi ata kanë arritur njëfarë suksesi, sepse në disa qarqe qeveritare në Prishtinë ka nisur të qarkullojë teza e habitshme se “Serbia nuk ka përse ta deklarojë se e njeh Kosovën”, çka në një farë kuptimi mund të merret si një sinjal i pranimit indirekt të planit serb.

Në hartimin e planit të tyre qeveria dhe diplomacia e Serbisë duhet të jenë inkurajuar edhe nga qëndrimi tolerant, me tepër se sa duhet, i qeverisë së Kosovës, e cila në bisedimet e Brukselit me Serbinë sorollatet prej gjashtë vitesh në unazën e vogël të bisedimeve teknike dhe administrative. Nuk është bërë asnjëherë e qartë se sa vite duhet të kalojnë për të dalë në trasenë e vërtetë të bisedimeve politike për legalizimin e statusit të bisedimeve si bisedime midis dy shteteve dhe në finalizimin e qëllimit të natyrshëm për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Qeveria dhe diplomacia e Serbisë janë inkurajuar edhe nga qëndrimi tolerant i qeverisë së Kosovës, e cila nuk ka reaguar asnjëherë në tryezën e bisedimeve për situatën absurde, kur çdo ditë qeveria dhe diplomacia e Serbisë vrapojnë nëpër botë për të penguar njohjen e Kosovës. Beogradi shkel çdo ditë marrëveshjen e famshme të “normalizimit të marrëdhënieve” me Kosovën të 19 prillit 2013, ku është angazhuar të pranojë anëtarësimin e Kosovës në BE si shtet dhe Prishtina shkon nga një raund bisedimesh në tjetrin sikur nuk ka ndodhur gjë.

Përshtypja e krijuar nga diplomatët, që i ndjekin prej vitesh raportet midis Serbisë dhe Kosovës, është se nga bisedimet midis dy shteteve me ndërmjetësimin e BE, pala që ka fituar më shumë është Serbia. Serbia siguroi nëpërmjet këtyre bisedimeve dhe kërkesave teknike të Kosovës, alibinë e madhe për “qetësimin e marrëdhënieve”, gjë që i hapi rrugën asaj për marrjen e statusit të shtetit kandidat në BE dhe për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE-në.

Tani jemi në një fazë të re, kur Serbia po avancon në hapjen njeri pas tjetrit të kapitujve të Traktatit të pranimit në BE dhe kur, siç deklaroi presidenti Vuçiç në 5 dhjetor, ajo parashikon që në vitin 2022 të bëhet anëtare e plotë e BE. Por për këtë ka një kusht të madh, që quhet kushti i kushteve, që Serbia dhe Kosova të njohin njëra-tjetrën. Pikërisht në këtë klimë, pra me afrimin e datës kur kushti i kushteve do të ngrihet në fund të tratativave të pranimit midis BE dhe Serbisë, qeveria serbe harton planin e saj të fshehtë të ofertës për Kosovën që të anëtarësohet në OKB, por të heqë kërkesën e njohjes si shtet nga Serbia. Një marrëveshje mbi këtë pazar, nëse pranohet nga Prishtina, i lejon Serbisë ta heqë kushtin e kushteve të BE me dorën e vetë Kosovës. Dhe pas kësaj, duke qenë anëtare e BE, Serbia jo vetëm do të bëhet shteti i gjashtë i BE, që nuk njeh Kosovën, por do ta bllokojë integrimin e Kosovës në BE.

Përballë këtij plani të rafinuar diplomatik serb, Kosova duhet të tregojë një syçeltësi të jashtëzakonshme dhe të mos bëjë as indulgjenca të nxituara dhe as hapa, që i shkojnë lojës së Serbisë. Oferta serbe për Kosovën në OKB pa e njohur Kosovën si shtet është një kurth serb kundër pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Kosovës. Çfarë do të thotë konkretisht një ofertë e tillë dhe a duhet ta pranojë Kosova? Së pari duhet thënë se Kosova duhet të peshojë nga pikëpamja strategjike prioritetin se çfarë i duhet asaj më shumë: anëtarësimi në OKB apo njohja si shtet i pavarur nga Serbia. Përgjigja, që dikton interesi kombëtar i sigurisë, i stabilitetit dhe i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, është se Kosovës i duhet më përpara që të njihet nga Serbia si shtet i pavarur, gjë që do të thotë që Serbia të heqë dorë nga rivendikimet koloniale mbi Kosovën, të cilat i ka shkruar edhe në Kushtetutën e saj. Kosova duhet ta ketë të qartë se nga njohja e Serbisë si shtet i pavarur ajo do të shkojë tek anëtarësimi në OKB, por nga anëtarësimi në OKB nuk mund të shkojë dot te njohja e saj prej Serbisë.

Formula e qeverisë serbe me planin e ri për t’i ofruar Kosovës anëtarësimin në OKB, por pa e njohur atë, është, në fakt, një formulë dinake, që unë do ta quaja “formula ukrainase”. Formula ukrainase është që një entitet bëhet anëtar i OKB, pa u njohur si shtet i pavarur dhe duke pasur statusin e të qenit pjesë e një shteti tjetër. Njësoj siç u bë Ukraina anëtare e OKB në vitin 1945 dhe ishte pjesë e një shteti tjetër, e Bashkimit Sovjetik. Pra, anëtarësia në OKB nuk i dha Ukrainës statusin e shtetit të pavarur dhe as të njohur ndërkombëtarisht si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare. Askush nuk vendosi marrëdhënie diplomatike me Ukrainën deri në vitin 1991, kur pas prishjes së Bashkimit Sovjetik, ajo u bë shtet vërtet i pavarur. Pikërisht këtu qëndron thelbi i dinakërisë bizantine të qeverisë dhe të diplomacisë serbe. Duke i ofruar Kosovës anëtarësimin në OKB, ata jo vetëm nuk e njohin Kosovën si shtet, por sanksionojnë të drejtën ta konsiderojnë pjesë të Serbisë, njësoj si Bashkimi Sovjetik dikur Ukrainën.

Institucionet qeveritare të Kosovës duhet të jenë tepër të vëmendshme dhe të mos hutohen nga joshja prej karriges në OKB. Kina, një fuqi e madhe, mbeti 22 vjet jashtë radhëve të OKB. Ka edhe një element tjetër të rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë. Anëtarësimin në OKB Kosovës mund t’ia japë Rusia, duke hequr veton si anëtare e KS të OKB, dhe jo Serbia, sepse po desh Rusia, Kosova hyn në OKB edhe pa lejen e Serbisë. Po nuk desh Rusia, Kosova nuk hyn në OKB, edhe sikur të dojë Serbia. Pra, Serbia po kërkon të shesë diçka, që në fund të fundit nuk është kompetencë e saj. Nuk besoj se Rusia do të futet në një pazar të vogël ballkanik për sytë e bukur të Serbisë. Po të vijë puna deri futja e Kosovës në OKB, Rusia do t’i kërkojë Perëndimit diçka të madhe mbiballkanike, që ka lidhje me Krimenë, me Abhazinë apo Osetinë e Jugut.

Problemet e mprehta të kërcënimit për sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës vijnë nga Serbia dhe jo nga OKB. Ato probleme nuk i zgjidh OKB-ja. Ndaj Kosova duhet të jetë e qartë dhe e ftohtë që bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës nuk po bëhen për të hyrë në OKB, por që të përfundojnë në një marrëveshje apo traktat të njohjes reciproke midis dy shteteve. Anëtarësimi në OKB është objektiv pas sanksionimit të njohjes së Kosovës nga Serbia, sepse njohja mbyll zyrtarisht dhe juridikisht çdo rivendikim serb ndaj saj.

Është tepër e rëndësishme që Kosova në kanale diplomatike të hedhë poshtë planin serb të “formulës ukrainase” dhe t’i bëjë të qartë Serbisë, por edhe BE-së, se Kosova nuk do t’ia japë Serbisë alibinë e re të OKB. Zgjidhja e vetme për normalizimin e marrëdhënieve është respektimi i kushtit të kushteve, që është njohja e Kosovës nga Serbia.

Pse heshtin Tirana e Prishtina në 5 vjetorin e heqjes së Lapidarit të UÇPMB-ës në Preshevë – Nga Refik HASANI

A thua edhe sa kohë do heshtin Tirana e Prishtina pas heqjes së Lapidarit të UÇPMB-ës në Preshevë. Nëse heshtin këto dy qendra sigurisht Beogradi nuk do të ndryshoj mendjen për të kthyer lapidarin në vendin e vetë.
Më datën 20 Janar 2013 është hequr dhunshëm Lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-ës në Preshevë nga forca policore të armatosura deri në dhëmbë. Me rastin e pesë vjetorit të heqjes së lapidarit, me këtë datë ia vlen të ndezën qirinj dhe të vizitohet nga liderë institucional të Prishtinës dhe Tiranës. Ndezja e qirinjve duhet të jap dhe të shpërndaj një mesazh të fuqishëm në të gjitha anët se aty ku ishte vendosur lapidari do të duhej të kthehet. Kurdo qoftë por ai Lapidar duhet të kthehet sepse e ka vendin aty, dhe se vendi ku ai duhet të qëndroj është tokë shqiptare e mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë. Simbolika është në këtë datë të heqjes së dhunshme të lapidarit të ndezen qirinjë në të gjitha hapsirat tona etnike Shqiptare. Qirinjë të ndezën edhe nga njerëz që do të shkojn në Preshevë në mënyra të organizuar ku do të vendosin lule të freskta dhe të ndezin qirinjë para objektit të Komunës së Preshevës. Respektimi me një minutë heshtje duke qëndruar gatitu para këtij vendi në vendin ku ishte vendosur lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-ës është obligim moral,institucional,Kombëtarë dhe Kushtetues. Në këtë ditë kjo hapsirë para objektit të Komunës së Preshevë do të duhej vizituar edhe nga krerët më të lartë nga Prishtina dhe Tirana zyrtare. Ky vend i shenjët dhe i bekuar tani ka mbetur që të vizitohet edhe nga gazetarë e punëtorë shkencor e hulumtues të instituteve por edhe anëtarë të Akademisë së Shkencave.
Simbolika e 20 Janarit,është tepër e madhe në pesë vjetorin e heqjes së lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-ës është shumë dimenzionale dhe ky gjest e veprim i strukturave më të lartë do prodhonte efekte pozitive, do të krijonte një motivim shtesë, një mbështetje morale për struktura institucionale e veçmas do të ishte një mbështetje për popullatën e ksaj Krahine. Fryma Shqiptare nuk mbrohet vetëm në Tiranë, Shkup e Prishtinë e gjetiu por edhe në çdo cepë të Komunës së Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës dhe hapasira tjera etnike Shqiptare. Vizita, si veprim do të kontribonte që sa më shumë opinioni i gjërë Shqiptarë dhe ai ndërkombëtar të njoftohet, alarmohet dhe sensibilizohet nga pësimet e diskriminimit që janë duke u bërë ksaj Krahine.
Liderët institucional e politik as në pesë vjetorin nuk e vizitojn vendin e lapidarit. Tirana e Prishtina vazhdojn heshtjen që tash e pesë vjetë, asgjë nuk kan ndërmarrë as në kuptimin deklarativë apo ndonjë kushtëzim që ky lapidarë të kthehet aty ku e ka vendin.
Dëshmorët tanë meritojnë respekt dhe homazhe për të treguar se ata janë gjithmonë në mendjet, ndjenjat dhe në gjitha zemrat tona Shqiptare që u sakrifikuan për ditë të mira për popullatën e ksaj Krahine.

Eni Vasili, të ftoj të bësh detyrën, rrëzoje një shpifje ! Nga Elida Buçpapaj

Këtë ftesë kisha ndërmend me kohë të ta bëja, por prita se mos reagoje vetë. Pa ftesë.

Në fund të fundit, do të bëje vetëm detyrën, të hidhje dritë në të vërtetën, ta publikoje të vërtetën dhe për konseguencë të rrëzoje një shpifje që amplifikohet prej 27 vitesh nga basifondet e diktaturës në mënyrën më barbare të mundëshme.

Zbuloje se kush ka thënë se “Refugjatët janë jashtëqitja e kombit” që vijon të atribuohet si një thënie e Kadaresë. Deri aty sa dalin kinse dëshmitarë që gjoja kanë marrë pjesë në atë mitingun e organizuar nga regjimi diktatorial, nga ku paskëshin parë e dëgjuar me veshët e tyre se shkrimtari i shquar Ismail Kadare e paskësh thënë me gojën e tij.

Nuk po të ftoj të shkosh në Mars apo në ndonjë planet tjetër, veç të sjellësh tek publiku kronikën e një mitingu famëkeq.

Në intervistën që ti i more shkrimtarit në shtator të këtij viti, Kadare u shpreh për ngrehinën e ndyrë të shpifjes duke u fokusuar tek rasti i mitingut në fjalë.  Një ngjarje që ka ndodhur para 27 vitesh dhe nuk ka dalë askush që ta përgënjeshtrojë. Asnje gazetar, asnjë televizion.

Kadare në mënyrë të shkoqur tha se ai nuk kishte qenë në atë miting dhe se natyrisht nuk e kishte shqiptuar kurrë atë çka edhe sot e 27 vjet i vihet si autorësi e tij. Në një farë mënyre, në mënyrë implicite, ai kërkoi që të zbardhet ajo ngjarje.

Normalisht, pas atij deklarimi të Kadaresë, nëse në Shqipëri do të egzistonte ndonjë medium i pavarur, do të duhej të hidhte dritë në të vërtetën se kush i ka njollosur refugjatët si jashtëqitja e kombit.

Dhe pasi opinioni ta shihte me sytë e ballit, ngrehina e një shpifjeje do të binte!

Por meqe deri tani s’ka dalë askush që të dritësojë mendjet e robëruara të opinionit publik shqiptar, unë të ftoj ty që ta bësh. Sepse në bisedën me ty Kadare u shpreh rreth saj.

Reagan e ftoi Gorbaçovin të hidhte në tokë e të rrëzonte Murin e Berlinit, unë të ftoj ty të rrëzosh një shpifje. Jo se do të bësh diçka të jashtëzakonshme, se kjo do të jetë vetëm një përmbushje detyrimi ndaj së vërtetës, por prapë do të bësh diçka të jashtëzakonshme sepse në Shqipëri gazetarët dhe opinionistët shërbejnë si klientelistë për ta nxirë të vërtetën duke e kthyer ne kult shpifjen.

SHQIPËRIA: DREJT LINDJES APO PERËNDIMIT? – Nga Frank Shkreli

Në takimin e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor organizuar nga “Miqtë e Europës” në Bruksel këtë javë, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama u ankua se Evropa nuk po ngutet të  antarësojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe  deklaroi se përveç integrimit në Bashkimin Evropian, për Shqipërinë dhe për Ballkanin, ka edhe alternativa të tjera.  Ndër “alternativat” tjera, ndoshta sipas tij të pranueshme për të dhe për vendin që ai përfaqëson, për ndryshe pse do t’i përmendëte, kreu i qeverisë shqiptare tha se ato alternativa përfshijnë Rusinë, Turqinë dhe Kinën dhe islamin radikal.  Ja deklarata që bëri Z. Rama në Bruksel, në lidhje me këtë çështje:

 

“Nuk jam shumë dakord apo tërësisht me miken tonë këtu që përmendi Turqinë, Rusinë, Kinën si vende që s’kanë ç’të ofrojnë.  Po, po kanë shumë të ofrojnë. Rusia për shembull ka një rrugë shumë të lehtë për të ofruar. Harroni shtetin e së drejtës, harroni institucionet, mbaje pushtetin për gjithë jetën dhe nuk është pa interes.  Dhe kanë para që të mund t’i derdhin dhe nuk është se ka ndodhur në ndonjë pyll në Siberi, ka ndodhur në mes të Evropës që qeveria, që kryeministri gjatë zgjedhjeve u kërcënuan me vdekje dhe kryeministri gati u vra dhe kjo ndodhi në Malin e Zi, një vend që negocion në BE.

 

Pra, rreziku është real, është rrezik i pranishëm, siç do thonin kolegët tanë amerikanë. Por që Kina mendon në afat të gjatë, për 20 vite të tjera, ndërkohë që këtu mendojmë për 4 vjet megjithatë nuk mund të themi që nuk kanë asgjë për të ofruar, dhe ju harruat edhe një forcë tjetër që është islami radikal. Në rajonin tonë ne jemi shumë etnikë, shumë fetarë, shumëçka dhe tashmë me gjithë këtë shumëllojshmëri ne duam BE. Në qoftë se BE nuk do të vrapojë, të presë, por të vrapojë të na kapë, atëherë më besoni do të kenë një larmi problemesh të tjera që do të nisin dhe do të jetë shumë herë më e kushtueshme që të martoheni me ne.”

 

Që të jemi të drejtë, Z. Rama nuk është as i pari as i mbrami ndër udhëheqsit shqiptarë që kanë bërë deklarata të tilla, megjithse ky vet i ka përsëritur disa herë këto “alternativa”, si opcione të mundshme,ose si mënyra trysnie, për të mos thënë shantazh ndaj Bashkimit Evropian.  Është e vështirë të konstatohet nëse me këtë deklaratë dhe të tjera si kjo, Z. Rama ka në mend të kërcënojë evropianët apo është një flirtim i tërthortë me Putinin, Erdoganin e kinezët, për të tërhequr ato që ai i quan “alternativa” dhe influencën politike, ushtarake dhe ekonomike të këtyre vendeve në Shqipëri dhe në rajon, nëqoftse BE-ja, sipas tij, “nuk vrapon për t’i kapur” ato, duke ofruar integrim të plotë euro-atlantik për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.    Ndërkaq, as komentet e kryetarit të opozitës shqiptare Z. Basha, dhënë një gazete ruse — të raportuara nga disa portale shqiptare pothuaj në të njëjtën kohë – nuk i bëjnë nder atij, partisë që ai përfaqëson dhe as Shqipërisë dhe as nuk ndihmojnë Shqipërinë në rrugën e saj drejtë integrimit evropian.  Nëqoftse Z. Basha pret simpati për Shqipërinë e shqiptarët nga lexuesit e një gazete pro-qeveritare ruse, ai gabohet rëndë.

 

Bashkimi Evropian mund të ketë bërë gabime gjatë kësaj periudhe të tranzicionit në Shqipëri.  Por Bashkimin Evropian dhe zyrtarët e tij nuk mund t’i akuzojë askush se nuk kanë qenë të qartë dhe transparent me Shqipërinë mbi kushtet që kërkohen, përsa i përket antarësimit të Shqipërisë në BE, ashtu siç u është kërkuar të gjitha vendeve anëtare dhe siç u kërkohet të gjithë atyre të mbetura jashtë, e që aspirojnë antarësimin e tyre në Bashkimin Evropian. Rregullat dhe kushtet për antarësim në BE, janë të njëjtat për të gjithë dhe të tilla janë edhe për Shqipërinë.

 

Por pse këto kushte të BE-së nuk i kanë zbatuar qeveritë shqiptare gjatë viteve, kjo është diçka tjetër.  Zyrtarët evropianë kanë qenë kryesisht transparent dhe konsekvent në kërkesat dhe kushtet që duhet të plotësojë gjithnjë Tirana zyrtare, për antarësim.  Të gjithë e dinë se Shqipërisë i kërkohen rezultate konkrete si dhe plotësimi i pesë kushteve të përcaktuara nga komuniteti evropian.  Por është pikërisht mos plotësimi i këtyre kushteve, gjatë 27 viteve post- komunizëm nga klasa sunduese shqiptare, ai që ka ngadalësuar dhe që po vonon procesin e integrimit të plotë të shqiptarëve në Evropë, më shumë se një çerek shekulli pas rënjes së Murit të Berlinit.

 

Kryeministri Rama citohet të ketë thenë në Bruksel se Turqia, Kina dhe Rusia, “Po, po kanë shumë të ofrojnë (Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit)…kanë para që t’i derdhin…” — sikur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk ka derdhur mjaft para në Shqipëri gjatë 27 viteve të fundit.  Duket se autoritetet shqiptare e shikojnë Bashkimin Evropian si një thes me plot para, që me antarsimin në BE do të derdhën në Shqipëri.  Fatkeqsisht, ky është problemi. Autoritetet shqiptare e kanë shikuar vazhdimisht antarësimin në BE si një përfitim ekonomik, që në të vërtetë do të ishte, por për vendet anëtare është diçka më tepër se kaq.  Besohej se antarësimi në BE për Shqipërinë dhe për shqiptarët duhej të ishte diçka më shumë se një “derdhje parashë”.   Me shembjen e një regjimi komunist, ndër më mizorët në botë, shqiptarët shpresonin dhe u deklaruan se e donin Shqipërinë si gjithë Evropa.  Nënkuptohet, jo vetëm për parat dhe ndihmat që mund të derdheshin aty nga  Evropa, por mbi të gjitha për vlerat perëndimore, për lirinë dhe demokracinë, për drejtësinë, për të drejtat e njeriut, për respektin për jetën e njeriut, e të tjera.  Tiranës zyrtare gjatë gjithë kësaj periudhe, fatkeqsisht, i ka munguar vazhdimisht ndërmarrja e veprimeve konkrete dhe serioze për një transformim rrënjësor demokratik të vendit dhe si rrjedhim ka munguar edhe zbatimi i reformave që kërkohen nga Evropa si kushte për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 

Në këtë pikë, nuk mund të mburren as pozita as opozita se njëra apo tjetëra palë kanë bërë më shumë në procesin e integrimit.  Fakti është se as njëra palë politike, në pushtet ose në opozitë në Shqipëri, nuk e kanë kuptuar ende se kanë përgjegjësi të përbashkët, jo vetëm për integrimin, por për mbarë mirëqenjen e popullit shqiptar dhe të kombit në përgjithësi.  Kjo klasë politike ende nuk ka mësuar se një nga përgjegjësitë ndaj popullit, në një demokraci të mirëfilltë, është dialogu serioz politik midis palëve kundërshtare, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, duke përfshirë edhe respektimin për rolin që duhet të luajnë media dhe shoqëria civile në një vend demokratik.  Me fjalë të tjera, për çështjet madhore të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar duhet të ketë një konsensus politik midis palëve. Një ndër këto çështje madhore të kombit është edhe integrimi i i vonuar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në përgjithësi, në Bashkimin Evropian.

 

A ka evropianë që ndoshta nuk e duan Shqipërinë dhe shqiptarët në organizmat evropiane? Edhe mund të ketë.  Por është kjo klasë politike shqiptare, me mos veprimin e saj, ajo që ua ka bërë qëndrimin e kundërshtarëve të integrimit të shqiptarëve në Evropë, më të justifikueshëm dhe më të lehtë për ta mbrojtur.  Pa dyshim se Evropa ka përgjegjësitë dhe fajet e saja aktuale dhe historike ndaj shqiptarëve, por janë udhëheqsit shqiptarë të post-komunizmit, ata të cilët kanë vonuar, me qëllim e pa qëllim ndoshta, antarësimin e plotë të Shqipërisë në organizmat euro-atlantike.  Atyre dhe vetëm atyre duhet t’u kërkohet përgjegjësia, nëqoftse “alternativat” ruse, turke e kineze, për të cilat flet Kryeministri shqiptar në forume ndërkombëtare si në takimi i javës që kaloi në Bruksel, bëhen realitet. Ky do të jetë faji i kësaj klase politike dhe jo i Evropës dhe aq më pak i popullit shqiptar, i cili është përcaktuar me kohë se ku dëshiron ta ketë vendin e tij.

 

Mendohej se Shqiptarët e kishin vendosur në fillim të 1990-ave se e donin Shqipërinë si gjithë Evropa.  Madje megjith zhgënjimet e politikanëve shqiptarë gjatë këtyre dy-tre dekadave për të plotësur më në fund këtë dëshirë historike, shqiptarët e thjeshtë — gjatë kësaj periudhe — e kanë përcaktuar qartë alternativën e tyre të preferuar:   Me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara dhe jo me “alternativat” dhe opcionet e mundëshme që përmendi Z. Rama në Bruksel: Rusinë, Turqinë, Kinën, a po radikalizmin islamik.  Dihet se me qindra mijëra shqiptarë janë shpërngulur drejt vendeve perëndimore, duke votuar siç thuhet “me këmbë”, në favor të alternativës perëndimore, të vlerave dhe demokracisë perëndimore, që ata dëshirojnë edhe për vendin e tyre.  A mund të thotë Z. Rama ose ndonjë politikan tjetër aktual ose i periudhës post komuniste, se sa shqiptarë  në këtë ndërkohë i janë drejtuar Rusisë, Kinës, ose Turqisë gjatë 30-viteve të fundit për një jetë më të mirë, si alternativë ndaj Bashkimit Evropian ose botës perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara?  Kombi shqiptar është përcaktuar qartë se gjeografikisht dhe historikisht i përket Perëndimit.  Fatkeqsisht, duket se autoritetet shqiptare të këtyre 27-viteve ende nuk e kanë të qartë dhe si rrjedhim nuk janë të vendosur, se kah do t’ia mbajnë, drejtë Lindjes apo Perëndimit? Drejt një demokracie të vërtetë perëndimore, apo drejt thellimit të mëtejshëm të një sistemi autoritar të llojit putinist dhe erdoganist lindor?

 

Frank Shkreli

 

 

KRYEMINISTËR, MBAJE FJALËN – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

Këto ditë u përkujtua, me lot e dhimbje, 14 vjetori i ekzekutimit të paramenduar politik, i dy oficerëve të Kosharës, Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj. Familjet, bashkëluftëtarët, qytetarët që nuk pajtohen me krimin, nga Peja, Gjakova, Deçani, Klina, Istogu dhe gjetkë, bënë homazhe tek pllaka përkujtimore, në hyrje të objektit të Policisë në Pejë, një lokacion shumë domëthënës; ke vend-prehja e Sabahatës në Pobërxhë dhe në kompleksin memorial në Koshare, ku prehen edhe eshtrat e Isuf Haklaj.

Realisht, varrimi i Sabahatës duhej të ishte Kosharja, por, prindërit e moshuar, babë Dema dhe nënë Shaha, donin ta kishin pranë, edhe të vdekur, vajzën e tyre, krejt të veçantë, Sabahatën. Andaj, u bë kjo ndarje, ky përjashtim. Por, më vonë, eshtrat e Sabahatës do të bartën në Koshare, tek shokët e saj të luftës.

     

          Njohja me shefen e Emërgjencës, Sabahate Tolaj

Kohë lufte. Ushtrimorja ushtarake e Brigadës “Mërgimi”, ishte kontraktuar nga nipërit e mi, Hasan dhe Ismet Rexhaj, në lokacionin e ish-pikës ndërlidhëse ushtarake për Veriun e Shqipërisë, në Drojë të Mamurrasit, rrethi i Kurbinit. Kolonel Tahir Zemaj, një ushtarak me shumë veçantira, i shquar në strategji ushtarake dhe trimëri qytetare, u përzgjodh komandant i kësaj ushtrimoreje, nga Ministri i Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqi. Fitorja e Betejës të Loxhës, i kishte dhënë shumë shkëlqim e madhështi. Por modestia proverbiale e Kolonel Zemaj mbetej dominante në sjelljen e tij me vartësit, kolegët dhe miqtë numerikë që kishte ai.

Brigada “Mërgimi” ishte bërë e njohur për përgaditjen e ushtarëve dhe përcjelljen e tyre në frontin e luftës. Pranë kësaj qendre ushtrimore, fillimisht, ishte vendosur teknikja specialiste e aviacionit, tani, në cilësinë e shefes të Emërgjencës të Luftës, Sabahate Tolaj. Ajo erdhi me një fuoristradë, xhip, në Fabrikën e Miellit “Etniku”, e cilat ishte bërë pikë-pritjeje dhe shpërndarëse e refugjatëve, ikanakëve të luftës nga Kosova. Kjo firmë pushoi aktivitetin e saj bisnesor dhe me 18 punëtorët që kishte, 4 (katër) kamionat e tonazhit të madh, mori përsipër edhe furnizimin e ushtrisë, në Malësinë e Gjakovës dhe të Prizrenit, me bazën materiale dhe armatimin, nën drejtimin e vëllezërve Hasan dhe Ismet Rexhaj, nga Cërca e Istogut. I pari, Hasan Rexhaj, absolvent në Universitetin e Tiranës, luftëtar i orëve të para në Koshare, tani, nuk është në jetë.

Sabahate Tolaj shoqërohej nga Rrustem Demaj, nga Vrella e Istogut, ish-burgaxhi politik, i dënuar si kuadër i Ministrisë të Mbrojtjes, të drejtuar nga ministri i parë, gjeneral Hajzër Hajzeraj. Oficer Rrustemi e prezantoi Sabahatën, në cilësinë e shefes të Emërgjencës. Sabahatja shquhej për bukurinë, zgjuarësinë dhe trimërinë, cilësi këto të harmonizuara për lakmi. Oficerja e UÇK-së të FARK-ut, shquhej si organizatore, duke mbuluar me furnizime zonat kufitare, me bazën kryesore Kosharën, legjitimuese e luftës të Kosovës.

Bashkëpunimi me shefen e Emërgjencës të Luftës, oficeren e aviacionit, Sabahate Tolaj, ishte një privilegj për mua dhe nipat e mi. Njohëse e shkëlqyer e misionit që përfaqësonte, e sjellshme, e përkorë me vartësit, por, kërkuese e rreptë në zbatimin, kryerjen e detyrave.

Lufta nuk ka të papritura dhe befasira. Sepse përgaditja për të përballuar humbjet e bashkëluftëtarëve, është e pritshme. Kjo, sa i përket kohës përgjatë betejave të luftës. Por, pas lufta, paqja, humbja e shokëve në liri, madje, nga vetë shqiptarët, ishte goditje e rëndë, për shefen e Emërgjencës, ende në detyrë. Rexhë Osaj, Bashkim Balaj, Sinan Musaj, Ramë Idrizaj (Peja), të ekzekutuar në mesnatën e 22 qershorit 1999, ishte shokuese për Sabahate Tolaj dhe të gjithë bashkëluftëtarët FARK-istë.

Oficerja e luftës së Kosharës, Sabahate Tolaj, ishte shkolluar edhe në fushën e drejtësisë. Dhe, ajo, së bashku me oficerin e Kosharës, Isuf Haklaj, shërbenin në Hetuesinë Speciale, në Pejë, duke trajtuar, hetuar rastet e vrasjeve të pas luftës, në zonën e Dukagjinit.

Më 18 prill 2003, së bashku me kuadrin e luftës, Milazim Maraj, ishim për homazhe të organizuara në Koshare. Si miq të vjetër, takova dhe ndejem me shefen time të respektuar, Sabahatën, e cila shoqërohej nga një djalë. “Është kushëriri im, Agron Tolaj, i liruar, së fundi, nga burgjet e Serbisë”,- ma prezantoi kushëririn e saj Sabahatja. Duke biseduar për rastet në hetim e sipër, ajo më rrefeu diçka, sa dyshuese, aq edhe shokuese, për shefat e saj të UNMIK-ut: “Krejt në fund, duke e përmbyllur një dosje hetimi, shefat që na përcjellin, në vijimësi, na thonë: “Ju lumtë për punën e bërë! Tani filloni një rast tjetër krimi!” Dhe, dosja deponohet në kasafortat e UNMIK-ut, për të mos e hapur asnjërën prej tyre, të paktën, deri më tani!

Prej Kosharës zbritëm në Junik. Drekuam, modestisht, në një restorant të fshatit, së bashku me Sabahatën dhe, pothuajse, të gjithë oficerët e karrierës të luftës në Koshare. Të nesërmen, më 19 prill, organizohej Akademia Përkujtimore, për komandantin dhe komisarin Sali Çekaj. Një parti, që shefi i saj kishte lëshuar fletë-arrestin e parë për një ushtarak, kuptohet, ekzekutimin e tij, tani, pas vrasjes, kishte kërkuar ta kishte primatin, parësinë organizative të kësaj Akademie! Sabahatja, e cila, nganjëherë “lozte me nënë”, shfryu zëshëm, duke u zotuar se  kjo nuk do të ndodhë. Dhe, oficerët  e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK), e mbështetën, pa rezerva, kolegen e tyre oficere, gjithë sharm e karizëm, Sabahate Tolaj. Kjo ishte edhe ndeja ime e fundit, me shefen time luftarake dhe dinjitoze.

Pak muaj më vonë, pikërisht, më 24 nëntor 2003, në një pritë, mirë të organizuar, nga një treshe kriminelësh, kur ekipi hetues, prej tre vetash në veturë, udhëtonte për në punë, u goditën me breshëri automatikësh, në fshatin Raushiq të Pejës, duke lënë të vrarë dy punonjësit e Hetuesisë Speciale, Sabahate Tolaj e Isuf Haklaj, dhe duke e plagosur kolegun e tretë, Hysen Lataj, që ndodhej në të njëtën makinë, i cili, fatlumërisht, mbijetoi atentatin.

           Kryeministri kërkoi zbulimin e vrasjeve politike

Qasja e drejtëpërdrejtë e kryeministrit Ramush Haradinaj, për hetimin dhe zbulimin e vrasjeve politike, u mirëprit nga qytetarët e Kosovës, përkatësisht, nga ata që e duan Kosovën, ndryshe, nga ajo që është sot, e kriminalizuar, që nga institucionet e larta shtetërore, e deri poshtë, në administratën lokale. Në këtë gjendje mjerane, të të gjithë sistemit shtetëror, me theks të veçantë, të drejtësisë, me degëzimet e saj, prokurorinë dhe gjykatat, deklarata e kyeministrit Haradinaj, për ndriçimin e vasjeve numerike politike, duket si shumë skëptike, dyshuese dhe për konsum politik, “sa ta hajë mileti, populli!”

Në letrën dërguar kryeprokurorit Lumnezi, kryeministri shkruan: “Kërkoj nga Ju, që në kuadër të mandatit tuaj, të angazhoni të gjithë mekanizmat për ndriçimin e plotë të vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës, si dhe zbardhjen e secilit rast të pandriçuar të vrasjeve të profilit të lartë qoftë politik apo ushtarak. Kam gadishmërinë e plotë, t`ju ofroj gjithë përkrahjen e nevojshme financiare, kadrovike, dhe çdo përkrahje tjetër, që mekanizmat tuaj të sigurisë dhe ato hetuese e konsiderojnë të nevojshme”.

Kërkesë për hetimin dhe zbulimin e vrasjeve politike kanë bërë, para Haradinaj, edhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të cilët, bashkë me Ramush Haradinaj, janë më të dyshuarit për  gjëmën e madhe të Kosovës, vrasjet politike, para, gjatë dhe pas luftës.

Por, në përgjigje të tre zyrtarëve më të lartë të Kosovës, kuadri besnik i Presidentit Rugova, heroi i gjallë, Fetah Rudi, i atentatuari i mbijetuar, por, i invaliduar përjetësisht, rekomandon një reçetë efikase, për zbulimin e vrasjeve dhe të plagosjeve politike, gjatë dhe pas luftës në Kosovë: “Vetëm bëhuni burra, ti Kryeministër, Presidenti, Kryeparlamentari dhe komandantat, që i keni në Qeveri dhe në Parlament, dhe i tregoni të gjitha, se ju i dini”. Diç tjetër pse nuk e thonë kaq troç, si burri  atdhetar e me kurajo qytetare i Malishevës, Fetah Rudi, por, i kësaj mendjeje është edhe opinioni shqiptar, që jo vetëm nuk pajtohet me krimin, por edhe kërkon dënimin e urdhërdhënësve dhe të ekzekutorëve të krimeve makabre e fatale për Kosovën tonë.

 

          “Misioni i pamundur” i kryeministrit

Kështu titullohet një film, i cilësuar nga më problematikët, por edhe me shikueshmëri rekorde, me preferencë të veçantë nga opinioni botëror. Dhe, pse misioni i ri, kërkesa logjike e kryeministrit Haradinaj, shihet me dyshim, deri në mosbesim, për t`u realizuar? Ish agjentët e SHIK-ut, nga informacionet që kanë denoncuar, nga çerdhja kriminale e SHIK-ut, thonë e faktojnë se vetëm gjatë Qeverisë të Përkohshme, në përbërje të së cilës ishin PDK-ja dhe AAK-ja e sotme, janë vrarë 456 persona. Ndërsa, nga 12 qershori 1999 deri më 30 qershor 2000, janë regjistruar 600 vrasje të listuara, të gjitha të konsideruara vrasje politike: ushtarakë të FARK-ut, kuadro dhe veprimtarë të LDK-së të Ibrahim Rugovës.

Motivin e këtyre vrasjeve, bindshëm, e jep KFOR-i: “Qëllimi kryesor i SHIK-ut, të vriste intelektualë të afërt me LDK-në, të cilët paraqisnin problem, për ardhjen në pushtet të krahut të luftës”. Dhe, përsëri, KFOR-i, në një prononcim tjetër, nga vëzhgimet e tij në Kosovë, konfirmon: “Qëllimi kryesor i Organizatës ShIK, është vrasja e liderëve politikë të LDK-së. Celulat e vogla të SHIK, u japin caqe specifike, që duhet të vritën. Celulat veprojnë të pavarura”.

Këto të dhëna të qarta, të sakta, mirë të faktuara, përputhën edhe me dëshmitë e agjentëve të SHIK-ut, të cilët kanë qenë pjesë e këtyre celulave, vrasës të dëshmuar, duke besuar “arsyetimet” e shefave të tyre, se po vrisnin “në emër të popullit”! Dhe, krismat e tyre vrastare i mendonin si patriotizëm, si luftëtarë elitë të Kosovës.

Kur kuptuan hilenë e madhe të shefave të tyre, argatë të Serbisë, pranuan mashtrimin dhe fajësinë, duke dëshmuar pendesën e thellë dhe kërkim-faljen e çiltër, familjeve të viktimave të tyre. Kundër anëtarëve të tij të penduar, SHIK-u pagoi shuma të majme, për vrasjen e tyre, duke i gjuajtur, granatuar, në errëirën e natës, shtëpitë e tyre. Ata shpëtuan vetëm në saje të guximit të tyre qytetar: “Ose hunin, ose tirqit!”

Për çudë, SHIK-u denoncoi ke pushtuesi, i vuri në pritë ose i ekzekutoi fshehtas, anëarët idealistë të hershëm të LPK-së, të cilët u aktivizuan në luftë, pa lejën e “UÇK-së” të SHIK-ut, duke ua fshehur edhe kufomat, për vite me radhë! Sepse, kjo biçim “UÇK-je” hoqi dorë nga lufta kundër pushtuesit. Dhe, të gjitha bateritë i zbrazi kundër LDK-së të Ibrahim Rugovës dhe FARK-ut luftëbërës.

Këtë fakt e denoncon edhe Fehmi Lladrovci, tani, Hero i Kosovës, kur akuzon “shokët” e tij të LPK-së, pse zhurmojnë sallave luksoze të botës, duke shpërdoruar parat e mërgimtarëve, përkatësisht, të Fondit “Vendlindja therret”, hoteleve e vilave të “Bllokut”, duke mrizuar nën hijen e drurëve dekorativë – mimoza dhe bredhave hije-rëndë të Tiranës hyjnore. Akuza për tradhtinë e SHTAB-istëve dhe pyetja dëshpëruese deri në vajë, “pse nuk vini, të luftoni në Kosovë”, e luftëtarit vetanak, Lladrovci, i cili, kur u vra ishte vetëm me Xhevën e tij besnike dhe një vajzë, e bashkuar atyre, në ikje e sipër, flet më shumë se mijëra fjalë të sotme.

1) Pritjes dyshuese, për “mrekullirat” e kryeministrit Haradinaj, i shtohet edhe fakti se njëri nga tre atentatorët e Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj dhe Hysen Lataj, krimineli Bedri Krasniqi, ishte një ish-truproje i kryetarit të partisë. Ai ishte, relativisht, i ri dhe nuk kishte asnjë lidhje, asnjë motiv bindës personal, për të ekzekutuar oficerët e Hetuesisë Speciale, me punë në Prokurorinë e Pejës. Ndonëse ai u zbulua nga gishtërinjtë e lënë sipër makinës, kur u afrua për të parë, nëse atentatimi ka qenë i suksesshëm, dy shokët e tij kriminelë, nuk u zbuluan kurrë!! Porositësit e atentatit, kanë penguar dje dhe, pengojnë edhe sot, pas 14 vitesh, zbulimin e identitetit të dy pjesëmarrësve tjerë në vrasje.

2) “Arratisja” e Bedri Krasniqit nga Burgu i Dubravës, u bë kur ministri i drejtësisë ishte nga AAK-ja, i cili e kishte vizituar burgun, duke e lavdëruar si “çlirimtar”, edhe pse vuante dënimin si vrasës i dyfishtë dhe plagosjen e një të treti! Dhe, kur kishte reaguar një polic i pranishëm, “pse merr në mbrojtje një vrasës, zoti ministër”, truproja i ministrit i është ofruar policit, me kërcënimin: “Kam dëgjuar që keni një djalë. Është mirë ta rrisni!”

3) Një fakt shtesë është përzieja e politikës në drejtësi. Atentatori i Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Hysen Lataj, nuk mori dënim të përjetshëm, për vrasje të cilësuara, siç ishin Hetuesit e Prokurorisë Speciale. Ndëkohë, për një vrasje të paramenduar në Londër, dy shqiptarë ekzekutuan një shqiptarë të tretë, u dënuan të dy me burgim të përjetshëm.

4) Shoqërimi, fotografimi i kryeministrit Haradinaj, me persona me recedent kriminal, si dhe akomodimin e tyre në poste, ngjallë dyshimin e bazuar se më shumë se sa seriozitet, kemi tymnajë. Njëri syrësh është i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e Tolaj dhe Haklaj.

5) “Unë nuk di që kanë bërë krime ushtarët pas luftës! Ndonjë gabim edhe mundet me ndodhë”, – thotë kryeministri Ramush Haradinaj! Vallë, a mund të besohet se kaq naiv dhe kaq i pa informuar qenka kryeministri i Kosovës?!! Një gënjeshtër, sa dizinformative, aq edhe e qëllimshme. Këtu, doza e dyshimit e kryeministrit Haradinaj, se nuk do ta mbaj premtimin publik, për ndriçimin e vrasjeve politike, kulmon. Sepse, siç ka deklaruar Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës, se “asnjë krim politik, ekonomik dhe ordinier, nuk është bërë pa pjesëmarrjen e ushtarëve të TMK-së dhe të

Policisë të Kosovës”

     Dhe, këtë e kanë dëshmuar të gjitha gjyqet e bëra, përgjatë 18 viteve të fundit. Dhe, TMK-ja e Policia e Kosovës, ishin pikërisht “ushtarët”, të cilët i rehabiliton, shfajëson kryeministri i Kosovës. Pas luftës, klani i Drenicës, i Dukagjinit, i Llapit, përkatësisht, shefat e SHIK-ut, në këto tri zona, më të kriminalizuara të Kosovës, nxituan për t`i strehuar në TMK-e dhe PK-së “ushtarët” kriminelë të tyre, në ekzekutimet e shqiptarëve të pafajshëm. Nuk e mohojmë praninë edhe të vajzave dhe të djemëve, në TMK-e dhe PK-së, të cilët kanë qenë dhe mbetën të pastër si loti, por, mjerisht, ishin minoritet në mesin e banditëve.

Megjithatë, faktet e numëruara, që, logjikisht, relativizojnë angazhimin, premtimin publik të kryeministrit Haradinaj, për zbulimin e vrasjeve politike në Kosovë, para, gjatë dhe pas luftës, të cilat janë aq numerike, sa e tejkalojnë numrin e dëshmorëve, të rënë në luftë. Vrasjet politike kanë ndodhur, realisht. Varret janë anekënd Kosovës, por, mbizotërojnë, në shumësi, në Dukagjin,  Drenicë e Llap, ku kanë vepruar bandat e SHIK-ut, madje, në koordinim me njëra tjetrën, duke bashkëpunuar në kryerjen e krimeve reciproke, për të humbur gjurmët e krimeve. Kjo është konfirmuar në gjyqe dhe në denoncime tjera, nga disa ish SHIK-as, kriminelë të penduar.

Varret i viktimave politike, shtatoret, bustët, pllaka përkujtimore, janë të pranishme gjithandej Kosovës. “Vrasjet politike nuk i kanë bërë jashtëtokësorët”, – siç pati thënë presidenti Fatmir Sejdiu, gjë që i kushtoi me shkarkimin e tij, për të intriguar me “argumente” tjera “motivuese”.

          Zyrtarët monitorohen nga populli, kujdes kryeministër!

Zotimi publik, premtimi i dhënë, monitorohet, sidomos, kur bëhet nga zyrtarët e lartë. Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, nga foltorja e Parlamentit tha se “unë jap dorëheqje nga kreu i Kuvendit, nëse është dënuar qoftë edhe një anëtar i SHIK-ut për vrasje”. Ne i sollëm fakte të bollshme të krimit të vrasjes, të bëra nga anëtarë, madje, me librezë të prezentuar të SHIK-ut, të bërë publike, nga vetë ata. Por, Kadri SHIK-u gënjeu, nuk u dorëhoq! Dhe, “kur mbreti pjerdhë, mileti dhjetë”, – thotë populli.

Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së, si kryeministër, ministër i jashtëm, sot President i Kosovës, ka mashtruar dhe gënjyer popullin e Kosovës, në vijimësi. Ata që e votonin, e besonin. Kur tha, vetëm një të vërtetën, se “Gjykatën Speciale e solli dështimi i sistemit të drejtësisë dhe kërcënimi e vrasja e dëshmitarëve”, nuk donin ta besonin! Për këtë të dytën, pra kërcënimin dhe vrasjen e dëshmitarëve, Presidenti, faturimin ia bëri Dukagjinit, meqë prinë në shumësi krimesh të tilla.

Kjo akuzë e rëndë duhet ta motivojë edhe me shumë zotin Haradinaj, për të këmbëngulur, për ta hulumtuar e zbuluar të vërtetën, për vrasjet politike, deri në shterrim.

Zoti kryeministër, jeni në monitorimin gjithë-popullor, për fjalën e dhënë, për të hetuar e zbuluar krimin e madh ndërshqiptar, vrasjet e listuara politike. Edhe pse nuk e keni kushtëzuar me dorëheqje, si Kadri Veseli, megjithatë, është morale, ose mbaje fjalën, kryeministër, ose dorëhiqu. Dhe, çdo alternativë tjetër, përjashtohet. Urojmë të mos zhgënjehemi!

“SHQIPTARËT E TRUMP-IT GODASIN SERBINË” – Nga Frank Shkreli

Kështu shkruante ditët e fundit një gazetë serbe mbi dy vëllezër shqiptarë nga Kosova të cilët kanë punuar në Pentagon dhe tani punojnë në Shëpinë e Bardhë. Fjala është për vëllezërit Ylber dhe Ilir Bajraktari për të cilët, në fakt, një vit e gjysëm më parë unë kisha shkruar një artikull mbi karierën dhe punën e tyre në nivelet më të larta të politikës mbrojtëse dhe asaj të sigurimit të Shteteve të Bashkuara.   Siç duket inteligjenca serbe nuk qenka aq e përsosur siç mendonim, pasi vetëm tani dhe pas një takimi të Ministrit serb Daçiq në Shtëpinë e Bardhë me Këshilltarin e Presidentit Trump për Sigurimin Kombëtare, Gjeneralin H.R. Macmaster, zbulojnë se dy vëllëzërit shqiptraë nga Kosova punojnë në detyra kyçe në fushën e mbrojtjes dhe të sigumit kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Gazeta serbe “Srpski Telegraf” në faqen e parë njofton titullin e artikullit “Shqiptarët e Trump-it Godasin Serbinë”, por duke përdorur fjalën denigruese “shiptari”, kur serbët duan të ofendojnë shqiptarët.   Gazeta serbe shkruan për “Vëllëzërit Ylber dhe Ilir Bajraktari nga Kosova, të vendosur në detyra kyçe të Ministrisë së Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, në të cilat ata ushtrojnë influencë mbi ngjarjet në Ballkan”.  Gazeta në fjalë citon Ministrin serb Daçiq të ketë thënë se, “Kur pashë në Uashington se afër Këshilltarit të Sigurimit Kombëtar, Gjeneralit Macmaster qëndronte shefi i kabinetit të tij, Bajraktari, çdo gjë më është bërë e qartë”, është shprehur Ministri i jashtëm serb.  Bëhet fjalë, u shpjegon gazeta serbe lexuesve të saj, për dy shqiptarë, (gjithnjë duke përdorur fjalën denigruese “shiptari”), të cilët në administratën e Presidentit Barak Obama u bënë si yje dhe tani falë urdhërit të gjeneralit Macmaster përcaktojnë edhe çështjet kryesore të politikës së Donald Trump-it, përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin dhe me Serbinë, shkruan gazeta serbe, për rolin që vëllëzërit Bajraktari luajnë në politikën amerikane të mbrojtjes dhe të sigurimit kombëtar.

Gazeta serbe është e shqetësuar për përparimin e shpejtë dhe për punën që bëjnë vëllezërit Bajraktari në nivele të larta të administratës amerikane në Washington, duke filluar nga ardhja e tyre në Amerikë nga Kosova para 20-viteve, gjë për të cilën shkruhet shumë pak, dhe për të cilin fakt, sipas gazetës serbe, janë habitur edhe mediet amerikane.

“Për ndryshe”, shkruan gazeta serbe, “Ilir Bajraktari, tani për tani,

është dora e djathtë e Z. MacMaster dhe njeriu më i besueshëm dhe më i afërt i tij, i cili kontrollon çdo gjë, kërkesat dhe të dhënat e informacionit që duhet të arrijnë në zyrën e gjeneralit Macmaster ndërkohë që Ylber Bajraktarin, gazeta serbe e cilëson si “Drejtor të lartë të Këshillit për politikën dhe mbrojtjen kombëtare”.

 

Siç duket për të alarmuar edhe më tepër lexuesit serbë mbi praninë e dy shqiptarëve në administratën amerikane, gazeta në fjalë, i referohet gjithashtu edhe vizitës së fundit të Zëvëndës Presidentit amerikan, Mike Pence në disa vende të Ballkanit,  gjatë së cilës thotë gazeta, udhëheqsi amerikan kishte sjellur me vete edhe dy vëllëzërit shqiptarë, Ylberin dhe Ilir Bajraktarin, të cilët shkruan ajo, me këtë rast ia paraqiti edhe presidentit të Kosovës, Z. Thaçi, duke thënë se ishte i kënaqur që kishte mundësinë t’a informonte udhëheqsin e Kosovës se tani në Shtëpinë e Bardhë punojnë dy persona nga ai vend.

Vëllëzërit Ylber dhe Ilir Bajraktari në Pentagon

 

Gazeta serbe citon Zëvendës Presidentin amerikan t’i ketë thënë Presidentit Thaçi se, “Kam nderin të njoftoj se dy të rinjë nga Kosova, Ylber dhe Ilir Bajraktari punojnë me ne në Shtëpinë e Bardhë. Këtë, ata e kanë arritur me punën e tyre.  Kjo flet gjithashtu edhe për zemërgjërësinë e popullit amerikan, i cili më së shumti vlerëson punën, guximin dhe besnikërinë.”

 

Është e qartë se Ministri i Jashtëm serb nuk ishte i kënqaqur me faktin se   në Shtëpinë e Bardhë punonin dy shqiptarë nga Kosova. Kjo shihet nga deklaratat e tija dhënë medies serbe pas takimit të tij në Uashington me Këshilltarin e Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare dhe për faktin se këta dy shqiptarë janë në detyra të rëndësishme të politikës së mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, e për më tepër se ata, në këtë fushë të veprimtarisë së tyre, ata merren edhe me çeshtjet që prekin Serbinë dhe Ballkanin.  Për ne që kemi jetuar dikur nën regjimin komunist ish-jugosllav është e lehtë ta marrim me mend se sa i ofenduar duhet ta ketë ndie veten Daçiqi në takimin me gjeneralin MacMaster, Këshilltarin e Presidentit Trump për çeshtje të Sigurimit Kombëtar, kur ka mësuar se bashkpuntori i tij i ngushtë ishte një shqiptar i ri nga Kosova.  Por në të vërtetë, reagimet serbe, përfshirë Ministrin e jashtëm serb Daçiq, ndaj këtij rasti dhe në raste të tjera, tani dhe më përpara gjatë viteve, nuk kanë asnjë rëndësi.  Ajo që ka rëndësi është fakti se shqiptarëve, kur tu jepet mundësia të jetojnë dhe të veprojnë në liri, ata arrijnë nivele të larta në administratë, madje edhe duke konkuruar me më të mirët, bile edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.   Ky është edhe rasti i vëllëzërve Bajraktari nga Kosova, të cilët, siç është shprehur edhe Zëvëndës Presidenti amerikan, Mike Pence, me punën e tyre, me guximin dhe me besnikërinë ndaj këtij vendi që u siguroi atyre lirinë dhe të drejtat e tyre të njeriut si refugjatë nga Kosova, ata kanë mundur të arrinë nivelet më të larta të administratës në Pentagon dhe në Shtëpinë e Bardhë. Nga ky lajm suksesi nuk duhet të ketë frikë as Serbia, por duhet të shërbejë si shembull për të trajtuar të gjithë qytetarët pa dallim, ashtuqë të gjithë të kenë mundësi të arrijnë nivele të larta suksesi me punën e rëndë dhe me përkushtimin e tyre edhe ndaj vendit që i ka strehuar.

 

Vëllëzrit Bajraktari me Zv.Presidentin amerikan Mike Pence, Presidentin Hashim Thaçin dhe me ambasadorene Kosovës në Washington, Vlora Çitaku

DEMARKACIONI NE LUHAJË – Nga Prof. dr. Binak Maxharraj

-PDK: DO TA VOTOJME DEMARKACIONIN SIPAS VERSIONIT POLITIK MEHA.

Keta po flasin pa lidhje, sepse une mendoj se hala ka patriot  ne PDK qe nuk falin toke kosove. Kujtese: Evrodeputetja nga  Sllovenia qe dikur perkujdesej per Kosoven deklaroi se demarkacioni nuk u vu si kushte me zor, por me pelqimin e  Qeverise Thaqi. Pra ja kush na e solli ujkun ne torishte.

-LVV: NUK E VOTOJME DEMARKACIONIN.

Sepse keta te LVV jane te vetmit qe me zemer dhe shpirt luftojne per mbrojtjen e çdo pllame te teritorit te Kosoves per  kete aresye populli i çmon, anipse pushteti i denigron. LVV  kete e kundershtoj me protesta masive ne rruge dhe ne Par lament. Sepse siq tha ish Kryetari i Kroacise dashamiresi i  Shqiptareve se:”gazi lotsjelles nuk eshte asgje kur te coptohet teritori.”

-AAK dhe NISMA: NUK E VOTOJNE DEMARKACIONIN, E  PERKRAHIN VERSIONIN BULLIQI SI TE SAKTE DHE SHKENCOR E PROFESIONAL.

Sepse po te votonin do te bije ndeshe me qendersen e tyre madheshtore gjate tri viteve te fundit te cilet si ne rruge poasshtu edhe ne Parlament fuqishem e kundershtuan versionin  politik te pushtetareve ne pushtet te cileve Bulliqi ua perplasi faktet fytyres se, Kosova po humbe teritor.

-LDK, SHKO E EJA SI ADEM PEJA, KUR ESHTE NE PYE- TJE DEMARKACIONI.

Sa ishte gjalle Presidenti historik dr Ibrahim Rugova, themeluesi i LDK-se i pate vrejte shqetesimet e banorve te Zones se Rugoves ne lidhje me levizjen e kufirit.Ata kete e kishin nuhat
ne teren. Rugova i vizitoI rugovasit, bisedoI me tA dhe ju tha: “sa une te jeme gjalle nuk do te lejoj qe kufiri te levize, sepse  ai historikishte ka qene dhe duhet te jete ne QAKORR DHE
KULLE”. Por Rugova shume shpejte iku nga jeta. LDK e rrem-byen,e pushtuan antirugovistat te cilat asgje nuk kishin me  parimet e rugovizmit. Hyne ne valle me ata te cilet jane te gatshme te ia hjekun nje cukel toke Kosove, ku me e dijte se per çfare interesash. Por une mendoj se hala ka njerez ne LDK qe mendojne esull dhe nuk do te votojne per vesionin politik te demarkacionit.

-NDERKOMBETARET: MIRATOJENI DEMARKACIONIN, ESHTE I SAKTE.

Por spo thone se me cilin version;versionin politik te Mehes, apo me vesionin shkencor te Bulliqit?

SILLE KAH TE SILLESH, DEMARKACIONI DO TA RREXOJE QEVERINE.

Pse, sepse nese nuk miratohet demarkacioni sipas vijes poli tike Meha, PDK tanime e specializuar per rreximin e qeverive do te futet ne veprim qe se bashku me LDK ta rrexojne Qeverine Harajdinaj dhe,

Nese miratohet demarkacioni sipas vijes politike Meha Qeveria ne krye me z.Ramush Harajdinaj vetevetiu do te jepe doreheqje per ta ruajte fytyren e vete per te cilen luftoi gadi tri vjete qe kjo vije te mos miratohet, ose te rrine ne Qeveri si te pafytyre.

Fusha e Rrmajit – Nga Gani MEHMETAJ

Cikli i shkrimeve: Shkodra-si e imagjinoja dhe si ishte (3)

Kisha e Madhe, Arra e Madhe, Kafja e Madhe janë tri pikat karakteristike të Shkodrës së dikurshme, mbase do të bëhen edhe të Shkodrës së rinovuar e të konservuar. Një vendës na i përmendi edhe Arrën e Madhe e Malësinë e Madhe, për rimë a për koincidencë nuk e mora vesh.
Më 28 nëntor 2017, kur shkova në Shkodër me gruan që të festonim Ditën e Flamurit, do të më mbetej peng po qe se nuk shkoja në Fushë të Rrmajit, te vorret e moçme të shkodranëve, meqë ma kujtonte poezinë e Filip Shirokës: “Shko dallëndyshe”.
… Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rrmajit,
dallendyshe ulu me pushue;
kam dy vorre n’at vend t’vajit,
t’nans e t’babs qi m’kan mjerue:
qaj me za t’përmallshëm shqim
nji kangë tanden gjith vajtim!…
Rastësia është mbret i botës. Kur e përmenda Fushën e Rrmajit, vëllai im, Haxhiu-Leka, arkeolog, që erdhi po ashtu me gruan, nisi të recitonte vargjet për Fushën e Rrmajit, ndërsa miku im, Pauli, shkodran, që jetonte në Itali, m’i dërgoi në ato çaste në Viber të njëjtat vargje. Unë në heshtje kujtoja çastin nga fëmijëria, kur arsimtari Ludvig i lexonte këto vargje, m‘u mbushen sytë me lot, sepse kisha një vorr n’at vend të vajit… t’ nanës që në moshën nëntëvjeçare më kishte mjerue. Kishin kaluar 53 vjet nga ajo kohë. E kapa veten në befasi, unë po bridhja nëpër Shkodër deri në Fushë të Rrmajit në kërkim të fëmijërisë sime, në kujtim të nanës e babës që s’i kisha më. E kërkoja kohën që s’kthehej. Ktheva edhe një herë kokën nga Fusha e Rrmajit dhe ika tutje…
Sa herë kam ardhur në Shkodër, emocione të veçanta ma përshkonin shtatin. Sa herë ia mbushja vetes mendjen të futesha në qytet, diçka më pengonte, m’i shtangte këmbët, nuk më bënte zemra, prandaj ndalesha në ndonjë pijetore në cep të qytetit, freskohesha pak e vazhdoja tutje. S’di pse ngurroja, kur aq shumë kisha dëgjuar për këtë qytet. Imagjinata fëmijërore e zmadhonte disa herë më shumë, s’kishte qytet të filmave që mund t’ia dilte. Më kujtohej kur më 1991 apo 1992 e luta shkodranin e thekur e aktorin e famshëm, Rikard Ljarja, të ma zgjidhte mëdyshjen: ta vizitoja apo jo qytetin. Ai ma tha atë që nuk e prisja: Nuk është koha të shkosh në Shkodër, nuk është Shkodra ajo që e kërkon! Prit ditë më të mira! Dhjetëra herë kam kaluar nga ura e Bunës për të vazhduar në Ulqin, Dubrovnik, Split, Zarë e tutje në Itali e Zvicër, sepse s’bëja ballë të futesha në qytetin e ëndrrave.
Nga Shkodra e fëmijërisë sime ka mbetur fare pak, mbase asgjë nga ajo që kërkoja. Shkrimtarët që i adhuroja kishte kohë që nuk jetonin, nuk ishin në mesin e të gjallëve as atëherë kur i lexoja. Disave nuk u dihej as varri. Por qyteti ishte aty: atraktiv e joshës, me qytetarët mikpritës, të sjellshëm e të butë, me sheshe e zona kalimtarësh të meremetuara, me qetësinë që ta pushonte shpirtin e trurin. Natën e kalova në shtëpinë e Filip Shirokës, tash hotel e restorant “Tradita”, ruajtur e rinovuar në bazë të ambienteve të moçme shqiptare, ku druri e guri luajnë rolin kryesor në ndërtim. Asnjëherë nuk më ka rastisur që një shtëpi të ta ringjallë të kaluarën e tradicionalen. Oxhaku në krye të restorantit, hapësira tjetër e rregulluar për mysafirë, kati i dytë ku ishte vendosur orkestra, kthinat që të shpinin nga restoranti në oborr e pastaj në fjetore. Aty pihej kafja e moçme, që pjesa tjetër e shqiptarëve nga mosdija i thoshin “kafe turke”, aty pihej vera e mirë e Kallmetit, dëgjohej muzika e shkëlqyeshme shkodrane, që ma kujtonte fëmijërinë e rininë. Atë mbrëmje e këndova për herë të parë së bashku me mysafirët e me këngëtaren himnin e flamurit të Gjergj Fishtës “Bini toskë e bini gegë”, e kënduam edhe himnin kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar”. Me shtatin e drejtuar për nder himnit, me dorën në zemër e kokën e thinjur, dukeshim si ushtarët e moçmuar që nuk dorëzoheshin.
Atë mbrëmje në atmosferë të hareshme me gotat e verës që i rrëkëllenim njërën pas tjetrës, me bubullimën e zjarrit të oxhakut që ngrohte me cunga të mëdhenj, ulur në karrige të drurit, me kamerierët me veshje tradicionale, kapa diçka nga ajo që e kërkova. Shkodranët po i ktheheshin vetes, ndërsa mysafirët që kishin ardhur në pjesën më të madhe nga Dardania, por kishte edhe korçarë, pogradecarë, tiranas, ulqinakë, nga Presheva, një zgjatim i Dardanisë përtej kufijve shtetërorë, e gjetën Shkodrën e tyre të kërkuar, sepse të gjithë nga nostalgjia erdhën.
Shkodra me gjithë ndeshtrashat ka ruajtur diçka nga e kaluara.
Kështjella, e cila të duket madhështore kur shikohet nga poshtë qytetit, por qyteti duket edhe më i mrekullueshëm kur e shikon nga kështjella. Qyteti të bën për vete me pamjen, me sharmin, me historinë, me ciklet tragjike që kaluan stuhishëm mbi të.
Shkodra e shkodranët kanë shumëçka për të treguar e për të rinovuar. Qyteti i vjetër, Kompleksi i françeskanëve, shtëpitë e shkrimtarëve të famshëm, të piktorëve e fotografëve në zë, duhet të rindërtohen, konservohen e të rinovohen. Qyteti duhet t’i ketë edhe shumë shtatore të personaliteteve që i pati dhe i bënë nder, ndërsa fatkeqësisht nuk i ka. Shkodra duhet ta ketë shtatoren e mbretit Agron, mbretit Genc e mbretëreshës Teuta. Ata janë në themelet e këtij qyteti të lashtë. Në Shkodër nuk e pashë asnjë shtatore të kolosëve të mesjetës, nuk ma kapi syri as ndonjë shtatore të Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Marin Barletit, Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Filip Shirokës e Pashko Vasës, Shtjefën Gjeqovit.
Shkodranët duhet t’ia ngrenë një shtatorë monumentale Rozafës, simbolit të flijimit e të besës, Shkodra është e njohur kudo me këtë simbol të flijimit. Shkodrën shteti duhet ta shpallë qytet-muze, ku do të investoheshin miliarda nga shteti, por edhe nga organizatat ndërkombëtare që përkujdesen për ruajtjen e kultivimin e trashëgimisë kombëtare, sepse Shkodra ka thesare të trashëgimisë botërore si pak qytete.

Shkodra e periudhës së lavdishme – Nga Gani MEHMETAJ

Nuk fliste në erë as nëna dhe as baba. Shkodra ngërthente në vete lavdi nga parahistoria, antika, mesjeta, Rilindja e deri në ditët e sotme sa asnjë qytet tjetër në Gadishullin Ilirik. Për qytetin e Bunës e të Kirit u bënë aq shumë luftëra të përgjakshme që nga koha e mbretërve të famshëm ilirë, Agronit, Teutës e Gentit, sa rrallë në ndonjë qytet a mbretëri tjetër në Gadishullin Ilirik. Kronistët shënojnë se shkalla e qytetërimit në mesjetë kishte arritur në atë nivel sa të zbatoheshin Statutet e Shkodrës, ndërsa në dispozitat penale u futën elementet shqiptare, besa e gjakmarrja. Qyteti u bë qendra më e madhe e kulturës, e arsimit dhe e vetëdijes kombëtare sa rrezatoi në tërë hapësirën shqiptare e më gjerë shekuj me radhë.
Kështjella e Rozafës, rreth së cilës thuren legjendat, është po aq e njohur për rezistencën kundër romakëve, venedikasve e sllavëve. Është e njohur lufta e arbërorëve kundër Perandorisë Osmane, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Me rënien e kështjellës së famshme ranë njëra pas tjetrës qytetet shqiptare Ulqini e Tivari, përderisa rezistenca në Gadishull ishte shuar.
“Rrethimi i Shkodrës” i Marin Barletit dëshmon një luftë heroike për jetë a vdekje. Barleti shkodran e përjetësoi qytetin e vet dhe shkodranët që e mbrojtën deri në atomin e fundit të energjisë. “Shkodra e rrethueme” është një kronikë tjetër e një kohe tjetër, e Don Ndoc Nikajt, që e përjetësoi një luftë tjetër të përgjakshme të shqiptarëve kundër malazezëve.
Kronistët e huaj edhe në kohën e mesjetës e më vonë e përshkruajnë qytetin me karakteristikat që e shquajnë nga qytetet tjera shqiptare, me popull të veçantë, me tipare dalluese dhe dinamike. Ky qytet ndër më të vjetrit në Evropë u shqua për lulëzimin e kulturës, të ekonomisë, tregtisë e të shkëmbimit me botën më shumë se asnjë qytet tjetër shqiptar nga Shkupi në Janinë.
Kur e bën një rekapitullim nga mesjeta, apo mbase edhe më herët nga antika, qyteti ka më shumë personalitete të kulturës, historisë kombëtare, rezistencës, mendjeve të ndritura, shkrimtarëve e burrështetasve sa të gjitha qytetet tjera së bashku. Madje asnjë qytet në Gadishull nuk ka aq shumë personalitete sa Shkodra, asnjë qytet tjetër nuk shquhet për klerin katolik, që ishin mbrojtja e qenies kombëtare shqiptare.
Kisha Katolike Shqiptare u bë për pesëqind e më shumë vjet strumbullari e palca kurrizore e kombit. Pjetër Budi me “Doktrinën e krshtenë”, Frano Bardhi me “Apologjinë e Skënderbeut”, Pjetër Bogdani “Çeta e profetëve” e një armatë e njerëzve të mëdhenj shërbyen në Shkodër, apo u lindën nën diellin e kësaj hapësire, duke i dhënë aq shumë Arbërisë.
Shkodra u godit nga romakët, u përgjak nga sllavët, turqit e gjymtuan në mënyrë të frikshme, sundimi i tyre zgjati shumë, ndërsa pas vitit 1945 ishte periudha më e përgjakshme, kur u vranë pjesa dërmuese e elitës kombëtare, priftërinjtë katolikë. Me ta u vra kombëtarja, ajka e kulturës e arsimit, fryma liridashëse. Kështu u shua bërthama e kulturës shqiptare, sepse kleri katolik shqiptar nga Palë Engjëlli, prift e diplomat i Gjergj Kastriotit e deri tek atë Zef Pllumi kultivuan kulturën e kombëtaren shqiptare me përkushtim e fanatizëm. Qyteti peshon për mendësinë, kujtesën e historinë shqiptare nga Kështjella e Rozafës në Kështjellën e Balshajve të Ulqinit, të Prishtinës së Pjetër Bogdanit, Nuovo Bardon e Pjetër Spanit deri në Shkup e në Ohër, ku ishte dikur selia ipeshkvore e Kishës Katolike Shqiptare.
Nga ato kohëra të lavdishme e tragjike ka mbetur kujtesa, kanë mbetur gjurmë materiale. Rrënojat na bëjnë me dije se duhet t’i rinovojmë. Kështjella e Rozafës një dëshmi monumentale mbi 2500-vjeçare që duhet të rindërtohet, të restaurohet, të bëhet jo si është, por si ishte dikur: e madhe, e ndritshme, monumentale, e pathyeshme. Është e pafalshme se si ka mbetur dhe se si prezantohet para shqiptarëve e të huajve. Shtetet fqinje do të bënin mrekulli me monumente të tilla. Serbët qysh para pesëdhjetë vjetësh e kanë rinovuar kështjellën e perandorit me prejardhje ilire, Konstantinit, në Nish, ku organizonin njërin ndër festivalet më të mëdha në Gadishull. Manifestime e ngjarje kulturore mund të organizohen edhe në Kështjellën e Rozafatit, në Kompleksin e françeskanëve, por edhe në Kishën e Madhe.
Kompleksi i françeskanëve, një monument i traditës e kulturës shqiptare po ashtu kërkon të rindërtohet e të rinovohet, sepse është pjesë e kulturës së Shkodrës dhe e kulturës kombëtare. Ai kompleks ndërtesash historike nuk i takon më vetëm kishës, i takon kombit, por shteti duhet të investojë në të pa e penguar veprimtarinë e mëtutjeshme të klerit. Qendra françeskane, njëra ndër qendrat më të mëdha jo vetëm të kulturës shqiptare, por edhe asaj në Gadishull nuk i ngjason kohës së mëparshme. Kisha e Madhe, e cila në kohën e komunizmit u shndërrua në qendër sportive, e ka marrë veten pak, madje ka arritur që në pjesën e vet të fusë edhe Muzeun Arkeologjik.
Kafja e Madhe, një monument tjetër, ku shkodranët me emër takoheshin, këtu takoheshin edhe shkrimtarët e mëdhenj, mbase mund ta kenë pasur tryezën ku e pinin kafen e moçme, sot i ngjason objektit ku Hiçkoku mund të xhironte filma të frikës e tmerrit.
Sa herë shkoj në Shkodër më mbërthen kujtesa për të kaluarën, më dalin përpara beteja e ndeshje të pafundme, më shpalosen shekujt, më stepin emrat e mëdhenj të Rilindjes Shqiptare, të Pavarësisë kombëtare, të kulturës e letërsisë. Sa shumë luftëra e beteja, sa shumë fitore e disfata, aq shumë rrezatim diturie e energji të pashtershme. Kështjella e Rozafatit më del përpara herë si një sfinks që ta kujton legjendën e themelimit, ta tërheqë vërejtjen: Qytetar, sa herë të shkelë këmba në portën e kështjellës, kujtoje se këtu u flijua një grua, që të jetojë një qytet me kështjellë, me kulla vrojtimi e bedena që kanë pamje mbi tërë atë hapësirë deri në det e në male të mjegullta; kujtoje se malli i gruas së flijuar për foshnjën që e la jetime ishte i pafund, se virtyti e fjala e dhënë qëndrojnë në themelet e këtij qytetërimi.
Kur bredh mureve të kështjellës a të hapësirave të braktisua, të duket sikur i dëgjon krismat e thata të armëve që nxjerrin xixa, të vijnë në vesh britmat e luftëtarëve kur sulmojnë, apo ofshamat e dhimbshme të atyre që bien.
Nesër: Fusha e Rrmajit