VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Shkodra, Korça e Gjirokastra në protestë, thirrje kundër Ramës e Qeverisë

By | February 9, 2019

Komentet

Scott ligjëron me harta të Serbisë pa Kosovën, tensione në një shkollë fillore

Një vizitë e ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, në shkollën fillore ‘Zarko Zrenjanin’, ka nxitur reagime të shumta të prindërve dhe qytetarëve, pasi në ligjëratën që e kishte mbajtur Scott aty kishte prezantuar tri harta të Serbisë të cilat nuk e përfshijnë edhe Kosovën.

Siç shkruan mediumi serb ‘Srbija Danas’, nxënësit kur e kanë parë një gjë të tillë janë ngritur dhe kanë thirrur ‘Kosova është Serbi”, ndërkohë ambasadori Scott thuhet se ka ndërruar faqen e ligjëratës, dhe ka vazhduar ligjërimin sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

Përveç nxënësve kjo ligjëratë ishte ndjekur edhe nga drejtori i shkollës dhe disa mësues.

Lidhur me këtë ngjarje ka folur Nebojsha Mediç, njëri prej prindërve. Sipas tij një ngjarje e tillë është një turp, transmeton Gazeta Express.

“Unë u zemërova kur djali im më tha se gjatë ligjëratës, Ambasadori amerikan kishte paraqitur tre harta të Serbisë, dhe në asnjërën nuk ishte Kosova. Vetëm kur fëmijët filluar të bërtasin ‘Kosova është Serbi, ai hoqi atë slide të ligjëratës dhe vazhdoi sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Nuk mund ta besoj se kjo po ndodhte në mesin e Serbisë, në mes të shkollës, para drejtorit dhe se do të kalonte pa reagimin dhe protestën e tyre”, ka thënë Mediç i cili ka marrë pjesë në ligjëratë.

Gazeta serbe shkruan se qëndrimi i këtij prindi u mbështet nga qytetarë të tjerë por edhe disa mësuese të cilët protestuan për shkak të hartave të Serbisë pa Kosovë.

Ndërkohë nuk kanë komentuar rreth kësaj çështje nga shkolla fillore “Zharko Zrenjanin”.

Rrëfimi i fotografit gjerman për krimet serbe dhe shkatërrimin e Kosovës gjatë luftës

Prill 1998: Gratë dhe fëmijët që kanë arratiur nga Kosova në Kukës, Shqipëri

Gazeta prestigjioze “Frankufrter Allgemeine Zeitung”, i ka kushtuar një artikull 20 vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovë, duke sjellë fotografitë e shkrepura nga dora e reporterëve të tyre të cilët kanë qëndruar në zonat e konfliktit gjatë viteve 90-ta.

Fotografi gjerman i FAZ, Wolfgang Eilmes, dhe korrespodenti i kësaj gazete, Matthias Rub, përmes fotografive dhe shkrimeve të tyre kanë paraqitur gjithë krimet makabre që kishte kryer policia dhe ushtria paramilitare serbe ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë.

Përveç vrasjeve, regjimi i Sllobodan Millosheviqit, ishin kujdesur që të shkatërrojnë çdo gjë që iu kishte dalë përpara.

Në këtë artikull, rikujtohet fakti që dhimbja për humbjet e pësuara gjatë luftës në Kosovë është ende e gjallë, dhe se mospajtimet mes serbëve dhe shqiptarëve janë ende të thella.

“Dhimbja dhe vuajtja e humbjeve vazhdon të jetë prezentë edhe sot. Ndarja është e thellë në mes grupeve të ndryshme etnike në Kosovë, edhe nëse është e mundur që ajo të zbutet, përpara është ende një rrugë e gjatë”, shkruan FAZ, transmeton Gazeta Express.

Gazeta gjermane ka kujtuar faktin se shqiptarët ishin viktimat e para të një ‘spastrimi etnik’, nga ushtria serbe.

“Rindërtimi dhe ri pajtimi, janë punë për gjeneratat e ardhshme”, vazhdon shkrimi.

Por çfarë thotë fotografi gjerman, Wolfgang Eilmes, për përvojat e tij gjatë raportimit nga lufta e Kosovës.

Njëzet vjet më parë, NATO vendosi që të ndërhyjë në luftën e Kosovës. Ushtarët e Bundesëehrit luftuan së bashku me ushtarët britanikë dhe amerikanë në kuadër të KFOR-it, kundër ushtrisë serbe. Një vit para se të ndërhynte NATO, në prill të vitit 1999, unë raportova me kolegun tim, korrespodentin Matthias Rub, mbi konfliktin në Kosovë. Fotografitë e mia të para janë realizuar në fshatin e shkattërruar të Prekazit, pas vrasjes së Adem Jasharit së bashku me 60 anëtarët e familjes së tij, nga një njësi speciale e ushtrisë serbe.

Bashkë me ne ka qenë edhe Tyler Hicks, fotograf i The New York Times, unë dokumentova shkatërrimin e fshatit Prekaz. Ne me lejen e ushtrisë serbe, kalonim nëpër rrugët e shkatërruara. Njerëzit tashmë ishin varrosur, kafshët e vrara ishin kudo. Ne ishim vetëm, dhe rreziku që të goditeshim nga snajperët e  UÇK’së ishte shume  madhe, sepse ata mund të na llogarisnin për anëtarë të ushtrisë serbe.

Kam raportuar edhe për situatën e refugjatëve shqiptarë nga Kosova të cilët kishin ikur në Shqipëri, Maqedoni, Bosnje e Gjermani.

Fotot e Kosovës janë marrë me kamera nga kompanitë Leica dhe Nikon.  Por sot unë fotografoj me  një Canon EOS R.

Deklarata e fotografit gjerman Wolfgang Eilmes për FAZ

Shkatërrimi në Prekaz

20.04.1998, Fshati Hreq, në një shërbim përkujtimor për nëntë shqiptarë të Kosovës, babai në mes me djalin e tij

Pranverë 1998: Fshati Hreq i Kosovës

Prishtinë, qershor 1999

Në rrënojat e një shtëpie në Krushë të Madhe, banorët zbulojnë trupin e një familjari

Qershor 1999: Kjo xhami në afërsi të Prizrenit u godit rëndë gjatë luftës.
Atje, refugjatët kishin kërkuar mbrojtje nga granatimet, por më kot

Jashtë xhamisë së shkatërruar

Prill 1999: Të lodhur – gra dhe fëmijë që ikën nga Kosova në Kukës, Shqipëri. 

Prill 1999: Të lodhur nga ikja prej atdheut të vjetër – një baba dhe djali i tij duke qarë në Shqipëri, Morinë, jo shumë larg Prizrenit

Në arrati nga lufta: Një familje shqiptare nga Kosova kalon me sukses në Morinë me qerre dhe kalë, kufiri në Shqipëri

Një ushtar iu shpërndanë bukë refugjatëve nga Kosova në qendrën pritëse shqiptare në Kukës

Maqedoni, prill 1999: Shqiptarët e Kosovës po presin në Shkup për një fluturim të veçantë për Hamburg

Qershor 1999: Ushtarët e Bundeswehrit

Një patrullë e KFOR-it Bundeswehri në Prizren monitoruar ikjen e një familjeje në një traktor me rimorkio.
Në sfond Xhamia e Sinan Pashës.
Është xhamia më e madhe në Prizren.
Porta me tre harqe, e cili u shkatërrua në atë kohë, tani është rindërtuar.

Dy ushtarë të UÇK’së të armatosur me AK 47 kalojnë rrugën

Qershor 1999: Ushtarët britanikë po pushojnë në një stacion benzine në Prishtinë

Qershor 1999: Ushtarët e Bundeswehrit kontrollojnë qytetin e vjetër të Prizrenit

Qershor 1999: Luftëtarët e rinj dhe të vjetër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë

Qershor 1999: Pritjet e mëdha të ushtarëve të NATO-s nga qytetarët e Prizrenit

Reporterët pa Kufij: Shqipëria e 82-ta për lirinë e shtypit, rënie me 7 vende

“Reporterët pa Kufij” kanë publikuar Indeksin botëror të lirisë së medias, në të cilën  Shqipëria ka një rënie me 7 vende, duke u renditur në vendin e 82-të.

Në seksionin për Shqipërinë, ‘Reporterët pa kufij’ theksojnë së sulmet ndaj medias si nga qeveria, ashtu edhe nga krimi i organizuar arritën në një nivel të paprecedentë në 2018.

“Gazetarët iu nënshtruan fyerjeve, kërcënimeve me vdekje dhe procedimeve ligjore, që synojnë t’i intimidojnë dhe t’i frenojnë ata nga investigimi i korrupsionit.

Politikanët, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i quajnë gazetarët kazan dhe prodhues lajmesh të rreme.

Kryeministri ka propozuar një ligj që ka për qëllim të forcojë kontrollin e shtetit mbi median elektronike dhe, siç thonë kritikët, të kufizojë aksesin tek lajmet dhe informimi.

Një raport i përbashkët i publikuar nga Reporterët pa Kufij dhe BIRN, në mars 2018, nxori në pah një numër kërcënimesh që i janë bërë medias në Shqipëri.

Raporti gjeti se standardet rregullatore të medias po manipulohen në favor të interesave të qeverisë dhe pronësia r mediave televizive është përqendruar në duart e pak biznemenëve të mëdhenj.

Kjo ka krijuar një situatë në të cilën vetë-censura është gjerësisht e përhapur  dhe 80% e gazetarëve nuk kanë besim për të ardhmen e tyre profesionale.” – thuhet në raport.

Organizata “Reporterët pa Kufij” në raportin më të ri e ka renditur Kosovën në vendin e 75 në botë sa i përket lirisë së shtypit.Sipas kësaj organizate, situata politike në Kosovë është bërë gjithnjë më e tensionuar dhe e paqëndrueshme, si pasojë përafrimit të Serbisë fqinje me Bashkimin Evropian, gjë që e la Qeverinë e Kosovës në izolim diplomatik.

Mungesa e transparencës së qeverisë për çështjet e raporteve me Evropën ka ngjallur reagime të fuqishme nga opinioni dhe gazetarët, thuhet në raport.

Më tej aty theksohet se media të caktuara kanë kritikuar politikat nacionaliste të presidentit Hashim Thaçi dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Qeveria në anën tjetër, thekson raporti, ka akuzuar gazetarët se janë “tradhëtarë” ose “simpatizantë të serbëve”.

Sa i përket gazetarëve të komuniteteve tjera, raporti thekson se ndarjet etnike në Kosovë janë burim shumë shqetësues për gazetarët e komunitetit serb. Mediat ne gjuhën serbe, sipas raportit, janë shpesh objektiva të sulmeve verbale, ngacmimeve kibernetike dhe fushatave nga mediat pro-qeveritare.

Indeksi botëror i Lirisë së Shtypit 2019 i përpiluar nga Reporterët pa Kufij (RSF) tregon se si në nivel botëror urrejtja ndaj gazetarëve ka degjeneruar në dhunë, duke kontribuar në rritjen e frikës. Sipas raportit numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre në media.

Norvegjia renditet e para në Indeksin 2019 për të tretin vit, ndërsa  Finlanda ka marrë vendin e dytë, të Holandës,  ku dy reporterë që mbulojnë krimin e organizuar u është dashur të jetojnë nën mbrojtje të përhershme policore. Një rritje në ngacmimet kibernetike bëri që Suedia,  të humbiste një vend. Renditja e Etiopisë dhe Gambia janë përmirësuar ndjeshëm nga Indeksi i vitit të kaluar.

Si rezultat i një klime gjithnjë e më armiqësore që shkon përtej komenteve të Donald Trump, Shtetet e Bashkuara (48) kanë rënë tre vende në Indeksin e këtij viti dhe klima e medias tani është klasifikuar si “problematike” .

Kërkesa nga Hollanda për pezullimin e vizave, debate të forta në Shqipëri

Në Shqipëri vendimi i marrë të martën nga parlamenti hollandez për të kërkuar nga Komisioni europian pezullimin e rregjimit të lëvizjes së lirë pa viza për qytetarët shqiptarë, ka shkaktuar debate të forta të brendshme. Presidenti Ilir Meta foli për “një këmbanë alarmi”, ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha e cilësoi si “një akt të pastër mosbesimi ndaj qeverisë”. Ministria e Jashtme nga ana e saj theksoi se kërkesa e Hollandës “nuk përmbush asnjë prej kritereve të parashikuara nga legjislacioni i Bashkimit Europian që çojnë në zbatimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm”, ndërsa e vlerësoi vendimin si të ndikuar nga klima elektorale në Hollandë

Dhoma e përfaqësuesve në Hollandë miratoi të martën me shumicës votash, 92 nga 150, një propozim të paraqitur nga 5 forca politike, 3 prej të cilave pjesë e koalicionit në pushtet, sipas të cilit Qeveria e këtij vendi do të duhet t’i kërkojë Komisionit Europian të pezullojë mekanizmin e rregjimit pa viza. Kërkesa u motivua me rritjen e aktivitetit të organizatave kriminale shqiptare që veprojnë në këtë vend. Gjatë diskutimeve, ministri i Jashtëm hollandez Staf Blok por dhe ai i Brendshëm e i Drejtësisë Ferdinand Grapperhaus mësohet se e kanë kundërshtuar kërkesën. Zoti Grapperhaus ishte vetëm pak javë më parë në Tiranë dhe në konferencën e tij për shtyp me ministren shqiptare të Drejtësisë Etilda Gjonaj foli me tone pozitive për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian si dhe për bashkëpunimin edhe me autoritetet policore shqiptare.

Vendimi i Hollandës provokoi debate të forta në Tiranë. Në një intervistë në emizionin “Përballë” në RTSH, presidenti Ilir Meta tha se “akti i parlamentit holandez është i paprecedentë. Sepse në dijeninë time, më parë nuk ka ndodhur që të kemi një mocion të tillë për një vend tjetër, të paktën të Ballkanit Perendimor apo të rajonit tonë dhe sigurisht që është një kambanë alarmi për të gjithë ne, për të reflektuar në mënyrë që të japim mesazhe shumë më të forta, më konsistente në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, që është një shqetësim jo vetëm për Holandën, por edhe për disa vende të tjera të Bashkimit Europian”. Sipas zotit Meta “ky hap na kujton që janë disa arritje, të cilat nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, të cilat mund të cënohen në rast se ne nuk respektojmë detyrimet tona dhe unë shpresoj se kjo nuk do të shkojë më tej, drejt akteve të tjera të cilat mund të kërcënonin liberalizmin e vizave, qoftë në hapësirën Shengen apo qoftë edhe në Holandë për qytetarët tanë, por kërkon edhe një reflektim edhe një angazhim të fortë”, theksoi ai, duke shtuar se “përderisa kjo ndodhi në Holandë, kjo nuk përjashtohet të ndodhi edhe në një vend tjetër”.

Me tone të forta foli gjatë një interviste në emisionin “Tempora” në televizionin “OraNews”, kryetari demokrat Lulzim Basha. Sipas tij “ky nuk është një akt racizmi ndaj popullit shqiptar. Ky është një akt i pastër mosbesimi ndaj qeverisë aktuale”, pasi siç u shpreh ai “këtu kemi një shtet që është tërësisht i kapur nga krimi”. Vendimin e parlamentit hollandez ai e quajti pikërisht pasojë të situatës së krijuar në Shqipëri. “Është hera e parë në botë, është e paprecedentë që një vend që ka votuar të na heqë vizat, tani voton të jua rikthejë vizat. Nuk ka ndodhur në botë diçka e tillë. Ky është tregues i qartë i shembjes totale dhe kapjes totale të shtetit”. Zoti Basha e konsideroi vendimin një parathënie shumë të keqe për mundësinë e hapjes së bisedimeve për anëtarësim. “Çfarë prisni ju, që një shtet, parlamenti i të cilit kërkon kthimin e vizave do të votojë për hapjen e negociatave?! Absolutisht jo. As Holanda, as Gjermania, as shtetet e tjera”, theksoi zoti Basha.

Ministria e Jashtme shpërndau në mbrëmje një deklaratë të gjatë ku shpjegonte se “një shtet anëtar i BE-së mund t’i kërkojë Komisionit Evropian hapjen e procedurës së pezullimit të lëvizjes pa viza vetëm mbi bazën e kushteve të mirëpërcaktuara në legjislacionin e BE dhe asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë”. Deklarata theksonte më tej se “duke gjykuar objektivisht, në bazë të fakteve dhe shifrave zyrtare”, ajo është “besimplotë se rezoluta në fjalë nuk mund të gjejë mbështetje në Komisionin Evropian, pasi asnjë nga kriteret që do të çonin në aplikimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm nuk është plotësuar në rastin e Shqipërisë”, shprehet ministria duke nënvizuar se “migracioni i paligjshëm i shtetasve shqiptarë drejt Holandës ka rënë vazhdimisht, ndërkohë që pezullimi aplikohet në rast rritje mbi 50%. Shifrat e krimit shënojnë gjithashtu ulje përmbajtësore. Po ashtu, edhe kriteri i fundit që ka të bëjë me bashkëpunimin mes strukturave ligjzbatuese të dy vendeve janë cilësuar të shkëlqyera qoftë nga zyrtarët shqiptarë, qoftë nga ata hollandezë”, vë në dukje ministria e Jashtme sipas së cilës vendimi është ndikuar dhe nga klima për zgjedhjet europiane të majit: “Klima elektorale në Holandë padyshim ka ndikimin e vet dhe edhe pse jemi të keqardhur për futjen e Shqipërisë në agjendën e partive në garë, s’kemi asnje dyshim në faktin se përtej horizontit të zgjedhjeve evropiane, faktet do të prevalojnë mbi klishetë elektorale”.

Gazmend Kapllani: Shqiptarët ende nuk e njohin historinë e tyre: Shihni se si ka censuruar qoftëlargu!

Shkrimtari i njohur Gazmend Kapllani, që sot jep mësim në Boston, Massachusetts, sjell dy foto, njëra që përkon me realitetin dhe tjetra e censuruar nga diktatori Hoxha. Sikur mund ta shihni krimineli Enver Hoxha i kishte prerë të gjitha kokat dhe në foto ka lënë vetëm veten e tij. Ja si shkruan më poshtë Prof.Kapllani:

“Ne se shihni keto dy foto (origjinalen e Marubit dhe tjetren qe shperndante propoganda e Qofte Largut, pasi zhduku nga foto dhe nga jeta te gjithe njerezit rreth e rrotull), do kuptoni pse Shqiptaret ende nuk e njohin historine tyre: perderisa eshte perdhunuar, retushuar, falsifikuar ne menyren me barbare per nje gjysem shekulli.

Prandaj kane nevoje per nje debat serioz mbi historine bazuar mbi te gjitha ne fakte dhe burime arkivore (duke perfshire edhe hapjen e dosjeve famekeqe te Sigurimit).

ps: ”moda”e retushimit dhe falsifikimit te fotove dhe dokumenteve historike nisi me Stalinin. Te gjithe udheheqesit komuniste (nga Europa ne Azi dhe nga Afrika ne Ameriken Latine) kane retushuar foto dhe falsifikuar ne mase dokumente historike, duke imponuar me dhune versionin e tyre te historise. Megjithate, ne asnje vend, as ne Korene e Veriut qe eshte ende nje cmendine e vertete, nuk arriti perdhunimi dhe falsifikimi i dhunshem i historise ne ato nivele kriminale dhe groteske bashke qe arriti ne Shqiperine e udhehequr nga banda enveriane.

Ky eshte nje problem kolosal me te cilin perballet historiografia shqiptare dhe kujtesa kolektive.

 

Haradinaj: Nuk lejojmë ndarjen e Kosovës, s’preken as kufijtë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj mori pjesë sot në tubimin përkujtimor për Dëshmorët e Kombit, Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj, Luan Nimanaj dhe invalidin e UÇK-së, Enver Haradinaj.

Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës tregoi nivel të lartë devotshmërie duke mbrojtur deri në fund popullsinë civile, e cila sulmohej pabesisht nga forcat e regjimit serb.

Kreu i ekzekutivit kosovar foli edhe për çështjen e kufijve dhe të territoreve, teksa pohoi prerazi se nuk do të bëhet asnjë hap në këtë drejtim dhe tërësia territoriale e Kosovës nuk do të preket.

Fjala e plotë e kryeministrit Haradinaj:

Ju falënderoj për prezencën në nderim të dëshmorëve, heronjtë të Kosovës.

Nuk ka qenë traditë të mbahen fjalime në homazhe, por nuk kemi organizuar akademi për heronjtë dhe në shenjë kujdesi për të gjithë ju që keni ardhur, ju drejtohem me pak fjalë.

Është një mënyrë modeste, pa e ngarkuar më shumë secilin prej jush, që të jemi bashkë me ata që i kanë bërë nder kombit, nder atdheut, me heronjtë, që të jemi bashkë në vendin ku ata pushojnë, njëkohësisht, me familjet e tyre dhe më lejoni që t’i drejtohem familjes së Hasimit, Fatmirit, Luanit, Enverit, bacës Smajl, Shkëlzenit dhe gjithë të tjerëve.

Sot jemi në përvjetor të rënies heroike të Shkëlzenit, të Hasimit, të Fatmirit, Luani i plagosur nuk i mbijetoi plagëve, pra, Luan Nimanaj, edhe pse bashkëluftëtarët u munduan ta bartnin deri në shërim.

Ndryshe thënë, kjo ditë e ’99-tës ka qenë ditë e vështirë. Ishte një përpjekje e madhe për të shpëtuar jetë, forcat serbe kishin kaluar një gjah, jo një gjah ndaj UÇK-së, por një gjah ndaj civilëve. Një pjesë e madhe e familjeve ishin strehuar në një zonë e quajtur “Lugu i Duboçakës”.

Ne nuk kishim pozicione lufte atje, nuk operonim në atë pjesë dhe kur erdhi lajmi se forcat serbe kanë mësy në drejtim të Duboçakës, ku ishin shumë civilë, familje të fshehura, nuk kemi mundur të mos vepronim. Në fakt, nuk i kam caktuar dikujt detyrë, por i kam pyetur a ka ndokush që mund të shkojë për t’i dalë përpara forcave serbe që të mos i lejojnë me mbërri te ato familje, tek ata civilë, fëmijë, gra, që ishin strehuar në atë zonë të Kosovës.

Shkëlzeni tha po shkoj unë dhe menjëherë pas tij, janë lajmëruar ata që i ka pasur më afër çdo herë gjatë jetës së tij në luftë, pra, Fatmiri, Hasimi, Luani dhe djem të tjerë.

Kësisoj, në përballje, për të mos i lejuar forcat serbe me arrit te civilët shqiptarë të pambrojtur, në pozicione lufte, që kanë qenë të papërgatitura paraprakisht, të pastudiuara, pa asnjë plan, por vetëm të mos lejohet që të shkojnë tek civilët, kanë rënë heroikisht njerëzit më të shquar të UÇK-së, të cilët nuk kanë rënë në betejat tjera frontale, sepse në ato beteja ne i kemi prirë luftës, e kemi ditur si bëhet lufta, ndërsa këtu nuk kemi pasur kohë as të përgatitet ndonjë plan, por vetëm jemi detyruar në urgjencë, për shkak të civilëve, të dalim përpara.

Dua të theksoj këtë element, sepse është shumë i rëndësishëm. Pra, Shkëlzen Haradinaj si luftëtar, i cili ka pasur plot plagë, kurrë nuk e ka lëshuar Kosovën, ndër të parët që është plagosur prej ushtarëve të UÇK-së. Ai nuk do të ishte vrarë asnjëherë në luftë, edhe pse ka qenë trim, por arsyeja pse është vrarë, është se nuk kanë pasur kohë, janë detyruar të dalin në mbrojtje të civilëve.

Ky është një mesazh i kësaj beteje të ditës së sotme. Djemtë më të zot, luftëtarët më të zot, që kaluan mbi një vit lufte intensive nga 24 marsi, të mos flasim për periudhën përpara, 24 mars ‘98 dhe 24 mars ’99, asnjëherë pa u ndalë, pa e lëshuar vendbetejën dhe nuk janë vrarë këta djem, por janë vrarë, sepse nuk kanë pasur kohë, janë detyruar të dalin pa pozicion lufte, përballë forcave serbe, që të mos i lejojnë të arrijnë tek civilët shqiptarë.

Këtu janë dy porosi që dalin prej kësaj dhe që duhet t’i kuptojmë të gjithë ne.

E para është se UÇK-ja me kapacitete të limituara, por nuk e ka kursyer veten, nuk ka vepruar vetëm në bazë të planeve të luftës, por është detyruar të veprojë dhe të mbrojë civilë të pambrojtur. Do të ishte shumë më lehtë për Shkëlzenin, për Luanin, për Fatmirin, Hasimin e shumë të tjerë, vetëm të zgjedhin një betejë me forcat serbe, këta me zgjedh ku me u përballë me ata, dhe ju siguroj se ka pasur beteja deri atë ditë, por këta janë dalë fitues, e forcat serbe kanë humbur.

E vetmja arsye pse këta kanë rënë heroikisht është se janë detyruar pa planë lufte, pa asnjë përgatitje paraprake, pa asnjë mundësi reale të luftojnë, janë detyruar të dalin në vetëbetejë frontale dhe të luftojnë ballë për ballë, me luftua në afërsi, me harxhua  municionin që kanë pasur me vete dhe të përdorin edhe thika dhe kësisoj kanë rënë.

Kjo është një e vërtetë e historisë sonë të lavdishme të UÇK-së që i bënë shqiptarët vërtetë të ndihen krenarë. Nuk është e vetmja, fatmirësisht kemi plotë beteja, plotë ngjarje të një lavdie të tillë.

Porosia tjetër që duhet ta dimë si shqiptarë e si Kosovës, është se ata që mundohen të mohojnë krimet që janë bërë mbi shqiptarë,  edhe pse ne shqiptarët jemi popull i respektuar, por nuk duhet askush ta teprojë me ne. Ata që mendojnë se mund ta mohojnë dhe të ofendojnë dhimbjet, luftën, plagët, por edhe krenarinë tonë, sepse askush nuk ka të drejtë ta ofendojë krenarinë tonë, sepse nuk është krenari e falur, por që vjen nga jetët e djemve dhe vajzave më të mirë të atdheut, atëherë nuk i bëjnë mirë vetës, rajonit dhe më tutje.

Duke qenë kështu, unë dua të them për fund se jemi të vetëdijshëm se edhe në atë kohë ka qenë vështirë, edhe në atë kohë ka pasur keqkuptime, ka pasur agjenda të tjera, ose janë përzier agjendat ngapak. Unë e di se edhe në ditën e sotme plotë njerëz i përziejnë agjendat.

Vetëm një gjë dua t’ju them të gjithëve në këtë vend. Ne do ta qojmë Kosovën ku i takon, në familjen e popujve dhe shteteve, pastaj një Kosovë popull e shtet i pavarur e i anëtarësuar në OKB dhe në NATO le të vendos si do të sillet ndaj vëllezërve tjerë të vet, ndaj vëllezërve e motrave të vet shqiptarë, ndaj Shqipërisë, ndaj vëllezërve të tjerë, e mendoj se do të sillet si i takon dhe kurrë nuk do ta koritë vetën, por askush nuk do të mund ta ndalojë Kosovën deri në vendin e merituar që i takon si e drejtë e shqiptarëve, një popull martir i Ballkanit.

Njëkohësisht nuk janë të vërteta ato goditjet që i japin nën brez plot në Kosovë. Nuk është e vërtetë që Kosova e ka falur Çakorrin, jo Ramushi, po Kosova, as Çakorrin, as Kullën. Ju e dini, ne shpesh nuk i kemi deklaruar gjitha rrjedhat e punëve që i kemi kryer. Shumë kujt këtu ju ka rënë befasi edhe ushtria kur ka ardhur punë e kryer, dhe shumë kanë menduar se është fjalë, gënjeshtër, punë në letër. Por, sot kemi ushtri. Nuk është falë Çakorri as Kulla, gënjeshtër është dhe gjithë ata që gënjejnë e dinë se po gënjejnë dhe këtë e bëjnë për arsye të ulëta.

Nuk do të lejojmë të ndahet Kosova, as të preken kufijtë e Kosovës, e as toka e territori  i Kosovës. Kush shkon asaj rruge e ka gabim, qoftë vëlla i yni, qoftë tjetër.

Miqve u bëjmë thirrje, nuk keni aleatë më të fortë si shqiptarin në Ballkan, jemi properëndimor, euroatlantik, do t’i kryejmë punët e Kosovës.

Pushtetet shkojnë e vijnë. Unë i kam kaluar 12-13 vjet, jo në opozitë, jo pranë familjes, por i kam kaluar disa vjet edhe në burg. Kurrë nuk jam ligur dhe kurrë nuk kam bërë gabime në interes të atdheut, as unë e as familje ime.

Ata që po koriten shumë e kanë për vete, por do të vijë dita kur shumë prej tyre do të skuqen për ato që po i bëjnë e që janë të padrejta, në kohën kur po përballemi me Serbinë, me agjendat e Vuçiqit, me planet e tij për ta ndarë Kosovën, me planet e ndërkombëtarëve të tjerë për të na ulur kokën, goditjet që vijnë nën brez të vëllezërve dhe motrave tona nuk janë në rregull.

Duhet ta korrigjojnë vetën ata që e dinë si kemi ardhur deri këtu, sa vështirë ka qenë dhe çka na pret përpara. Nuk e kanë korrigjuar vetën as atëherë të gjithë, por e kemi përballuar edhe atëherë, do ta përballojmë edhe sot, do të ecim përpara.

Sot jam i nderuar me prezencën e të gjithë juve, por besoj se edhe unë dhe të gjithë ne kemi ardhur sot në nderim të atyre që janë nderi dhe lavdia e kombit tonë dhe në atë nder do të shërbejmë. Lavdi të rënëve të sotëm, lavdi të gjithëve!

Mohimi i krimeve të luftës – fyerje ndaj viktimave

Arton Konushevci

Adem Ramadani, i plagosur në ditën kur ndodhi masakra e Reçakut në janar të vitit 1999, thotë se ndihet i fyer nga deklaratat e fundit të një ish-ministri të Kosovës nga komuniteti serb se ngjarja në Reçak është trilluar.

Ai ka kritikuar drejtuesit e institucioneve të Kosovës që nuk janë marrë me masakrën që ndodhi në fshatin e tij, ku humbën jetën më shumë se dyzet persona. Sipas tij, deri tash as gjykatat e Kosovës nuk kanë akuzuar asnjë person për krimet e bëra.

“Masakra e Reçakut është e njohur besoj në gjithë botën. Ne ndihemi të fyer. Si nuk ndihemi të fyer kur njerëzit kanë humbur nga 3 anëtarë të shtëpisë në Reçak e në vendet tjera edhe me shumë. Por, neve na zbeh edhe një fakt tjetër ai i qeverisë tonë pasi që kurrë nuk ka akuzuar serbët për Reçakun dhe të gjitha masakrat e tjera. Në fakt po i hapet dera Beogradit të na kundërvihen neve më këso akuza edhe të thonë se nuk ka masakra, pasi ne vet nuk po i ecim kësaj pune”, tha Ramandani.

Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka filluar me përgatitjet për hartimin e një ligji që të dënohet secili person që mohon krimet dhe masakrat që janë bërë gjatë luftës 1998-99.

Një iniciativë e tillë erdhi pasi një ish-ministër dhe një ish-zëvendës ministre e Qeverisë së Kosovës, nga komuniteti serb, u shkarkuan nga kryeministri Ramush Haradinaj, pasi thanë se shumë krime të kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe në të vërtetë nuk kishin ndodhur kurrë.

Ballkani perëndimor, rajon që ka përjetuar luftërat më të përgjakshme në Evropë që nga mbarimi i Luftës së Dytë botërore, njihet si rajon ku liderët e shteteve që kanë kryer krime i mohojnë ato.

Lideri i serbëve të Bosnjës dhe njëherësh kryetar i Kryesisë së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ka thënë javën e kaluar se në Srebrenicë gjatë luftës ka ndodhur një fatkeqësi tmerrësisht e rëndë mirëpo sipas tij “boshnjakët po përpiqen ta ndërtojnë mitin për Srebrenicën. Ky është një mit i rrejshëm, ai mit nuk ekziston”.

Njohësit e sistemit të drejtësisë në Kosovë e shohin me skepticizëm iniciativën e Qeverisë së Kosovës për hartimin e një ligj i cili sanksionon mohimin e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë.

Qeveria e Kosovës, ka autorizuar Ministrinë e Drejtësisë, që të hartojë ligjin bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, duke folur për Radio Evropa e Lirë, thotë se ky ligj është i mirëseardhur, por ka mundur të inkorporohet në disa nene ne Kodin Penal të Kosovës.

“Kjo iniciativë është e mirë. Do të ishte mirë sikur kjo të ishte në kuadër të Kodit Penal. Gjermania, Polonia, Çekia e disa shtete te tjera e kanë të paraparë ketë si vepër penale. Ketë e kanë paraparë në rastet kur Gjykata ka konstatuar se është kryer krimi dhe nëse ndonjë person tjetër thotë se nuk ka ndodhur ai krim dhe e mohon atë, ai duhet të dënohet”, tha Salihu.

Profesori Salihu, i cili së fundmi ka punuar në plotësim ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës kishte propozuar që me ndryshimet e bërë në Kodin Penal të futen disa nene për ketë çështja. Ai tha se propozimet e tij nuk ishin pranuar për shkak të mosmirëkuptimit.

“Më praktike kishte më qenë po të ishte në kuadër të Kodit Penal, por edhe tash mund të bëhet një dispozitë dhe atë dispozitë duhet ta përpilojnë ekspertët sepse kjo është shumë me rëndësi dhe shumë e ndjeshme. Me ketë do të duhej t’u tregohet të gjithëve se nëse deklaron për shembull se është imagjinare, e sajuar ose fiktive që nuk është ai krim të cilin gjykata e ka konstatuar ai duhet të përgjigjet penalisht dhe parashihet dënimi nga 1 deri në 5 vjet”, ka shpjeguar Salihu.

Amer Alija, analist ligjor dhe monitorues i gjykimeve për krime të luftës në Fondin për të Drejtën Humanitare, tha për Radion Evropa e Lirë se Fondi për të Drejtën Humanitare mendon se duhet të ketë një raport të të gjitha krimeve të cilat kanë ndodhur gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.

Sipas tij, raporti para se gjithash duhet bazuar në të dhëna të sakta dhe të pranohet nga palët në konflikt dhe të thonë se ata persona janë vrarë si shkak i luftës.

Alija thotë se hartimi i ligjit i cili sanksionon mohimin e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë mendon se do të ketë vështirësi në arsyetimin e atij ligji.

“Së pari duhet të këtë një bazë ligjore dhe një fakt gjyqësor e pastaj me anë të ligjit të trajtohet mohimi i atij fakti gjyqësor i cili është vërtetuar në gjykata. Normal në ligj ekzistojnë nxitja e urrejtjes dhe veprat penale tjera të ngjashme. Mund të nxirret një rregullore por, jo një ligj i posaçëm për mohimin e të gjitha krimeve”.

“Ne e dimë se disa prej fakteve të krimeve të luftës janë vërtetuar nga Tribunali i Hagës dhe gjykatave vendore, por jo të gjitha krimet kanë marrë një epilog gjyqësor. Andaj është e mirë që të dy palët të jenë të përmbajtura kur i përdorin këto deklarata të forta për shkak se deklarimet e tyre vetëm se më shumë i rëndojnë familjarët e viktimave të luftës. Askush nuk ja mohon atyre të thirren në faktet e vërtetuara gjyqësore”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, javën e kaluar e ka shkarkuar nga detyra ministrin e Administratës të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, i cili vjen nga radhët e partisë Lista Serbe. Haradinaj tha se deri te ky vendim erdhi pas disa komenteve të bëra nga Teodosijeviq, lidhur me masakrën e Reçakut.

Në Zveçan, gjatë një organizimi për të shënuar 20 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, përfaqësuesi i Listës Serbe, Ivan Teodosijeviq, ka thënë se arsye për “agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Në muajin mars, kryeministri Haradinaj ka shkarkuar edhe zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pasi ajo kishte deklaruar se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka thënë se përkushtimi ndaj të së vërtetës për të kaluarën e luftës është jetësor për një të ardhme paqësore.

“Mohimi i mizorive fyen kujtimet për viktimat, i traumatizon familjet edhe më shumë dhe minon përparimin në ndërtimin e një shteti demokratik dhe shumetnik”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane e lëshuar të hënën pasdite.

Më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 në Kosovë. Këto shifra i kishte publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante.

Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Lutje dhe himne për Katedralen e Notrë Damit

Brigada e zjarrëfiksave të Parisit tha të martën se struktura e katedrales së famshme të Notrë Damit është shpëtuar, së bashku me punimet kryesore të artit, pasi 400 zjarrfikës luftuan për më shumë se nëntë orë me një zjarr që shkaktoi dëme masive.

Dy kullat ikonë të ndërtesës dhe struktura e gurit i rezistuan zjarrit , por çatia dhe maja e katedrales së shekullit të 12-të, u shembën nga flaka.

Kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo falënderoi zjarrfikësit dhe oficerët e policisë që ndihmuan në shpëtimin e objekteve të shenjta dhe veprave të mëdha të artit nga katedralja.

Merci aux @PompiersParis, aux policiers et aux agents municipaux qui ont réalisé ce soir une formidable chaîne humaine pour sauver les œuvres de #NotreDame. La couronne d’épines, la tunique de Saint Louis et plusieurs autres œuvres majeures sont à présent en lieu sûr. pic.twitter.com/cbrGWCbL2N

— Anne Hidalgo (@Anne_Hidalgo) April 15, 2019

Ajo tha se Notrë Dami është një vend ku “rezonohet shpirti i Parisit”.

Brigada e zjarrëfikësave tha se dy policë dhe një zjarrfikës u plagosën gjatë përpjekjes për të shuar zjarrin.

“E keqja më e madhe u shmang, edhe pse beteja nuk është fituar ende plotësisht”, tha presidenti francez Emmanuel Macron para gazetarëve në katedralen pak para orës lokale të mesnatës. Ai tha se do të niste një fushatë kombëtare për grumbullimin e fondeve për të rindërtuar katedralen dhe u bëri thirrje “talenteve më të mëdhenj” të botës për të ndihmuar me këtë përpjekje.

Disa orë më vonë, miliarderi francez François-Henri Pinault premtoi 113 milionë dollarë ndihma në përpjekjen e rindërtimit, i ndjekur shpejt nga një tjetër miliarder francez Bernard Arnault, familja dhe kompania e të cilit tha se do të kontribuonin me 226 milionë dollarë.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, megjithëse mediat franceze njoftuan zyrtarët të kenë thënë se ai mund të ishte “i lidhur potencialisht” me punët rinovuese që po bëhen në ndërtesë.

Disa pjesë të ndërtesës ishin nën skela dhe zyrtarët thanë se statujat prej bronzi u hoqën javën e kaluar për rinovimin.

Zyra e prokurorisë së Parisit tha se ka nisur një hetim mbi zjarrin dhe tha se po e trajtonte incidentin si një zjarr “të pavullnetshëm”.

Vatikani lëshoi një deklaratë ku shprehet tronditje dhe trishtim dhe e quajti Notrë Damin një “simbol të krishterimit në Francë dhe në botë”.

Zjarri ndodhi gjatë përkujtimeve të Javës së Shenjtë, dhe më pak se një javë para Pashkëve. Një meshë për Pashkët ishte planifikuar për në katedrale të dielën.

Kryepeshkopi i Parisit Michel Aupetit ftoi priftërinjtë anembanë Francës t’u binin këmbanave të kishave në një thirrje për lutje.

Zjarrfikësit në Paris evakuan ndërtesat pranë Notrë Damit dhe pastruan zonën rreth katedrales, ndërsa hiri ra mbi blloqet përreth.

Mijëra dashamirës u rreshtuan në urat mbi lumin Senë vonë në mbrëmje për të parë skenën ndërsa të tjerë u mblodhën pranë kishës Saint Julien Les Pauvres duke kënduar himne dhe duke bërë lutje.

Katedralja katolike mesjetare është një nga monumentet historike më të vizituara në Evropë, që pret çdo vit miliona njerëz. Ajo është e famshme në portretizimin e romanit klasik të Viktor Hugosë, “Kurrizoja i Notrë-Damit”.

Sot bëhen 20 vite nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës

Sot bëhen 20 vite nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.

Për veç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.

20 vite nga rënia heroike e Shkëlzen Haradinajt

Këtë të martë shënohet 20-vjetori i rënies së luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral Shkëlzen Haradinaj, komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit dhe eprorëve të lartë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të rënë në betejën e Maznikut.

OVL e UÇK-së në Dukagjin organizon homazhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan, si dhe te shtatorja e Shkëlzen Haradinajt në Pejë.

Shkëlzen Haradinaj lindi më 25 mars 1970 në Gllogjan dhe konsiderohet si njëri ndër figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sinonim i shumë betejave të Dukagjinit.

Rënia e Shkëlzenit që kishte bërë gjashtë vjet luftë pa kompromis, ishte një humbje e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar, raportojnë mediat kosovare.

Shkëlzen Haradinaj është vëllai i gjeneral Luan Haradinajt, i cili kishte rënë më 6 maj të vitit 1997 në kufirin shqiptaro-shqiptar, deri sa me një grup bashkëluftëtarësh po hynin në Kosovë.

Paris, zjarri në Notrë Damë nën kontroll

Autoritetet e Parisit thanë se zjarri i madh që përfshiu të hënën katedralen e njohur të Notrë Damës në qendër të Parisit, është vënë në kontroll.

Zjarri i shkaktoi dëme të mëdha ndërtesës së shekullit të 12-të, duke shkatërruar çatinë kryesore dhe kullën me majë të saj. Megjithatë dy kullat kryesore mbetën të paprekura, thanë zyrtarët

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili shkoi në vendin e ngjarjes, tha se më e keqja u shmang.

Katedralja vazhdoi të digjej me rënien e mbrëmjes; flakët ngriheshin në qiell edhe pas rrëzimit të kullës me majë. Zjarrfikësit luftuan për gati shtatë orë me zjarrin.

Në orët e vona të pasdites, nënkryetari i Bashkisë së Parisit Emmanuel Gregoire tha se punëtorët po përpiqeshin “të shpëtonin të gjitha veprat e artit që mund të shpëtonin”.

Policia franceze thotë se nuk ka njoftime për viktima. Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin.

Agjencia franceze e lajmeve tha se sipas zjarrfikësve, flaka mund të ketë lidhje me punimet e rinovimit që po i bëhen ndërtesës.

Në disa pjesë të katedrales ishin vendosur skela dhe zyrtarët thanë se statujat prej bronzi ishin hequr javën e kaluar për arësye të rinovimit.

Presidenti francez Emmanuel Macron shkruante: “Si të gjithë bashkatdhetarët, jam i trishtuar këtë mbrëmje kur shoh të digjet kjo pjesë që është e ne të gjithëve”.

Për shkak të zjarrit, zoti Macron shtyu një fjalim televiziv që duhet të mbante të hënën për politikën kombëtare.

Zjarrfikësit në Paris evakuan ndërtesat pranë katedrales Notre Dame dhe pastruan zonën rreth saj nga hiri që binte.

Dëshmitarët thanë se zjarrfikësit shkuan me urgjencë në zonën e katedrales menjëherë pas shpërthimit të zjarrit, pak para orës 7 të mbrëmjes. Qindra njerëz u mblodhën në urat e Parisit mbi lumin Senë për të parë skenën.

Presidenti i SHBA, Donald Trump shkruante në Twitter: “Është vërtet e tmerrshme të shohësh zjarrin masiv në katedralen Notre Dame në Paris, ndoshta duhen përdorur çisterna me ujë nga ajri. Duhet vepruar shpejt!”

Zonja e parë e SHBA, Melania Trump shkruante: “Më dhemb zemra për popullin e Parisit kur shoh zjarrin në katedralen Notre Dame. Lutem për për sigurinë e secilit “.

Katedralja katolike mesjetare është një nga monumentet historike më të vizituara në Evropë. Ajo daton në shekullin e 12 dhe është e famshme si vendi ku vendosen ngjarjet e romanit klasik të Victor Hygosë, “Kurrizoja i Notrë Damës”.

Ndërtesa është e njohur për figurat mitologjike prej guri, dritaret prej qelqi të ngjyrosur dhe trarët karakteristikë që mbajnë muret.

Historia e katedrales Notre-Dame, ikonës së Parisit!

 

Një zjarr i madh shpërtheu këtë të hënë në katedralen Notre-Dame në Paris. Imazhet që tregonin një tym të bardhë që vjen nga çatia e strukturës u shpërndanë në të gjitha mediat dhe rrjetet sociale. Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, ndërsa mendohet se ai mund të jetë shkaktuar nga punimet që po kryhen për restaurimin e katedrales.

Notre-Dame de Paris (domethënë “Zonja jonë e Parisit”) është katedrale mesjetare katolike në Île de la Cité, qarku i katërt i Parisit, Francë. Katedralja konsiderohet një nga shembulli më i mirë i arkitekturës gotike franceze dhe kisha më e mirë n Kishën Katolike në Francë, dhe në botë.
Ndërtimi

Në vitin 1160, për shkak se kisha në Paris ishte bërë ”Famulli e mbretërve të Evropës”, peshkopi Maurice de Sully e cilësoi katedralen e mëparshme të Parisit, Saint-Étienne (Shën Stephen’s), e cila ishte themeluar në shekullin e 4-të, e padenjë rolin e saj të lartë dhe e kishte prishur menjëherë pas marrjes së titullit të peshkopit të Parisit. Sipas legjendës, Sully kishte një vizion të një katedrale të lavdishme të re për Paris, dhe e skiconte atë në tokë jashtë kishës origjinale.

Për të filluar ndërtimin, peshkopi kishte shembur disa shtëpi dhe kishte ndërtuar një rrugë të re për të transportuar materiale për pjesën tjetër të katedrales. Ndërtimi filloi më 1163 gjatë mbretërimit të Louis VII dhe mendimi ndryshon nëse Sully ose Papa Aleksandri III hodhi gurithemelet të katedrales. Gjatë ndërmtimit, një numër i arkitektëve punuan me ndërtimin, diçka që stilet e ndryshme (dhe lartësitë) e kullave dëshmojnë për të. Ndërtimi i katedrales përfundoi në vitin 1345.
Këmbanat

Katedralja ka 10 këmbana, më e madhja, Emmanuel është vendosur në kullën jugore dhe peshon pak më shumë se 13 ton dhe është ngarkuar për të shënuar orët e ditës dhe për raste të ndryshme dhe shërbime. Kjo këmbanë gjithmonë bie e para, të paktën 5 sekonda para pjesës tjetër. Deri kohët e fundit, kishte katër këmbanat e shekullit të 19-të në rrota në kullën veriore, të cilat ishin duke u rrokullisur. Këto këmbana duhej të zëvendësonin nëntë që u hoqën nga katedralja gjatë Revolucionit dhe u vendosën për shërbime dhe festivale të ndryshme. Këmbanat dikur u rrokulluan me dorë, përpara se motorët elektrikë të lejonin që ato të vinin pa punë manuale. Kur u zbulua se madhësia e këmbanave mund të shkaktonte që të gjithë ndërtesën të lëkunde, duke kërcënuar integritetin e saj strukturor, ato u morën jashtë përdorimit. Këmbanat gjithashtu kishin çekiçë të jashtëm për të bërë një dallim nga një tastierë i vogël.

Këmbanat e Notre-Dame de Paris
Emmanuel 13271 kg 261 cm
Marie 6023 kg 206.5 cm
Gabriel 4162 kg 182.8 cm
Anne Geneviève 3477 kg 172.5 cm
Denis 2502 kg 153.6 cm
Marcel 1925 kg 139.3 cm
Étienne 1494 kg 126.7 cm
Benoît-Joseph 1309 kg 120.7 cm
Maurice 1011 kg 109.7 cm
Jean-Marie 782 kg 99.7 cm

Ndërtimi i saj edhe sot shihet si një nga arritjet më të mëdha të arkitekturës franceze të stilit gotik.

Katedralja ishte pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s, vizitohej nga 12 milionë turistë në vit. Francezët e kishin ruajtur atë jashtëzakonisht mirë. Shumica e dritareve ishin origjinale dhe që nga shekulli i XIII kishte parë vetëm ndryshime të vogla.

Katedralja, mbi 100 metra e lartë, dallohej veçanërisht për 3 fasadat e saj të mëdha, ku janë gdhendur pamje e figura që ilustrojnë temat kryesore teologjike dhe tregime biblike.

Për arsye të arkitekturës, Katedralja Notre-Dame de Chartres vazhdonte të ishte një destinacion i rëndësishëm turistik për njerëz fetarë ose laikë. Katedralja ishte dikur qe tempull galo-romak; në shekullin IV, mbi tempullin e rrënuar, u ngrit një bazilikë merovinge e mbi të, një kishë romanike.

Një nga shembujt më të shkëlqyer të artit gotik-klasik, katedralja ishte 130 metra e gjatë, 48 e gjerë, 36 e lartë nga brenda, ndërsa nga jashtë, 69 metra. Ajo mund të zinte 6550 persona.

Katër rozonet, lule të mëdha prej guri e qelqi, me diametër trembëdhjetë metra, mbi një balaustër 7-metrash, ishin kryevepra të papërsëritshme. Lakueshmëria e plumbit u krijon vetratave mundësinë t’i bëjnë ballë erës, ndërsa struktura e fuqishme prej guri e prej hekuri e mbante prej shekujsh gjithë peshën e ndërtesës.

Katedralja kishte 10 kambana, më e madhja, Emmanuel është vendosur në kullën jugore dhe peshon pak më shumë se 13 ton dhe është ngarkuar për të shënuar orët e ditës dhe për raste të ndryshme dhe shërbime. Kjo kambanë gjithmonë bie e para, të paktën 5 sekonda para pjesës tjetër.
Deri kohët e fundit, kishte katër kambanat e shekullit të 19-të në rrota në kullën veriore, të cilat ishin duke u rrëzuar. Këto kambana duhej të zëvendësonin nëntë që u hoqën nga katedralja gjatë Revolucionit dhe u vendosën për shërbime dhe festivale të ndryshme.

Kambanat dikur u lëvizeshin me dorë, përpara se të përdoreshin motorët elektrikë. Kur u zbulua se madhësia e kambanave mund të shkaktonte lëkundje në të gjithë ndërtesën ato u morën jashtë përdorimit.