VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Shkatërrimi i Senaçerib – Poezi nga BAJRONI (1788-1824) LORD BYRON (GEORGE GORDON) – Përktheu KUJTIM MORINA

By | May 5, 2019

Komentet

KOLOS I RI* – Poezi nga EMMA LAZARUS (22 korrik 1849 – 19 nëntor 1887) – Shqipëroi ASTRIT LULUSHI

*“The New Colossus”, poezi e shkruar në vitin 1883; vargjet e saj janë gdhendur në një pllakë bronzi në piedestalin e Statujës së Lirisë, e vendosur në vitin 1903 në Nju Jork.

Jo si kolos prej bronzi i famës greke,
Pushtues, këmbëhapur nga bregu në breg;
Këtu e larë nga deti, portë muzgu do të qëndrojë
Një grua i fuqishëm me pishtar, flaka e të cilit
Eshtë rrufe e pritur, dhe emri i saj
Nënë e të Ikurve. Me pishtarin në dorë
Me vështrim drejt brigjeve të largta
Në botë shpërndan mirëseardhjen;
Sytë e saj të butë urdhërojnë;
“Mbajini tokat e lashta dhe historitë pompoze!”
– qan ajo me buzë të heshtura;
“Më jep të lodhurit, të pikëlluarit e tu,
Njerëzit që duan të marrin frymë të lirë,
Të pashpresët që mbushin brigjet tuaja
Dërgo, të pastrehët, të hedhurit nga stuhia për mua,
Unë ngre dritën pranë derës së artë! ”

TRUPAT E SULMIT – Poezi nga ERNEST HEMINGWAY (1899-1961) Përktheu: FASLLI HALITI

 

Të lumtur njerëzit shkonin të vdisnin
Por s’ishin ata
Që marshuan
Me vite
Gjer në front.
Këta bën pak udhëtime
Dhe u zhdukën
Duke lënë një trashëgimi këngësh të neveritshme

Paris,  rreth1920

FUSHA E NDERIT – Poezi nga ERNEST HEMINGWAY (1899-1961) Përktheu: FASLLI HALITI


S’është kurrë e bukur vdekja e ushtarëve,
Terreni i shënuar me kryqe,
Kryqe druri aty ku kanë rënë;
Ngulur mbi fytyrat pa zë.
Shembet ushtari, përdridhet dhe pështyn gjak,
Një gjëmim kuqezi është gjithë bota;
Mbytur në kanalin ku dergjet,
Gjatë sulmit duke vdekur.

Çikago,  1920-1921

BASHKË ME ERËN… Nga Inis A. Jorgo

Më prit mos ik
po vij tek ty me erën
dhe retë çuditur e zilepsur
i lë pas

Do të të gjej kudo të jesh
pranë tokës me aromën që ia njoh
në pikëzën e shiut pa shkëputur ende degës
kudo ku mund të të has..

Do të më presësh dhe kur s’më pret
sa here me erën të vij unë
a do më flasësh, a do çuditesh që kam ardhur
kur era të më sjellë ?

Sytë me pëllëmbët e mallit do vi nga pas t’i mbyll
e çfarë lamë pa thënë do të t’i them
pushtuar do të rrimë kështu si jemi,
edhe gjatë..

…….sa here era të më sjellë!

Inis A.Jorgo

 

disfata – Poezi nga CHARLES BUKOWSKI – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

dëgjoj Brucknerin në radio

duke pyetur veten pse nuk jam gjysmëçmendur

për ndarjen time të fundit me të dashurën

time të fundit

 

duke pyetur veten pse nuk jam duke ngarë makinën rrugëve

i  pirë

duke pyetur veten pse nuk jam mbyllur në dhomen time të gjumit

në terr

 

në terr të dhimbshëm

për të vrarë mendjen

i bërë mëdysh nga gjysmendimet.

 

ndërmend

se fundja

si një mesoburrë:

kam njohur tepër femra e

në vend që të mendoj pyes veten

kush është duke i shkërdhyer tashi?

mendoj se bash në këtë çast

ajo është duke i sjellë një mori kokëçarjesh

ndonjë tjetri bir kurve të gjorë.

 

të dëgjosh Bruckerin në radio

duket paqësore.

 

kam kaluar nëpër tepër femra

më në fund jam vetëm

pa qenë vetëm.

 

marr një penel Grumbacher

dhe i pastroj thonjtë me tehat e tij të fortë

 

dalloj një prizë në mur.

 

shiko, kam fituar.

 

 

 

 

NJË E MËNGJESIT – Poezi nga CHARLES BUKOWSKI – Përktheu ROLAND GJOZA

 

pres thonjtë e këmbës
në një të mëngjesit
mbërthyer keqas
në një cep të ngushtë të dhomës
ndërsa dëgjoj
Çajkovskin

Çajkovski dhe unë
dukemi njëlloj
të mjeruar
në të njëjtën orë ( ndonëse
ai e shpreh më me ekspresivitet
këtë gjendje)

përpiqem të
qesh ndërsa
pres një copëz
thoi
nga gishti
i madh
i këmbës

tek e fundit
ende nuk jam gati
të pres
fytin

dhe them
i dashur Jesus
më janë dhënë
kaq shumë shanse
për t’i vlerësuar
ose
për të mos
i vlerësuar

ndërsa pres
thonjtë e këmbës
në një të mëngjesit

ndërsa dëgjoj
Çajkovskin
dhe ia jap
një ulërime
patetike

errësirë

MESAZHI FILOZOFIK NË ROMANIN E MUHARREM KURTIT ”JETA E RRËNOJAVE” – Vështrim libri nga TAHIR BEZHANI

 

Krijuesi nga Gjakova,z. Muharrem Kurti,tani është një emër i theksuar në letrat shqipe,  një poet i spikatur dhe romancier i dalluar me temat e përditshmërisë sonë, të kohës dje e sot, si në  prozë ashtu edhe në poezi. Ky autor, kohë të gjatë bartë në vete historinë e dhimshme të popullit që i përket, vuajtet e mësuara e të përjetuara që në moshë të re, të cilat, tani janë shndërruar në art të mirëfillt, si reflesion dhe filozofi letrare, ku lexuesi e gjenë vetën e tij brenda këtsaj filozofije shoqërore.Në të vërtetë, ka ca gjëra që krijuesin Muharrem Kurti e bëjnë si të veçant nga emra tjerë, sepse ka një stil krijuesi ndyshe nga të tjerë, një  diapazon të njohurive të përgjithshme letrare,njeh mirë psikologjinë e popullit dhe traditat, ka një shpirt të ndjeshëm prej artisti e krijuesi, ku reflesionet e filozoifisë përsonale, shpërthejnë fuqishëm  dhe  gama e tyre frymëzuese është depërtuese, universale, optimiste në kapërcimin e  barierave jetësore. E gjithë kjo filozofi  krijuese ka shtrirje  në tema të nduar-duarta, atraktive dhe përmbajtësore,ku lexuesi,padyshim se e kerkon krijimin e këtij poeti e prozatori të mirëfillt.

 

 

 

Tani, me përvojen e gjatë krijuese e jetësore, si profesor dhe njohës i mirë i letërsisë shqipe, z.Kurti njihet nga lexuesit me temat e tij  bashkohore e tërheqëse për gjitha moshat. Temat që e dominojnë krijimtarinë e këtij krijuesi janë; dhimbja, dashuria, motivet sociale, marrëdhënjet ndërnjerëzore të kolektivitetit, por ka edhe tema të nxehta të politikës së shtrembëruar. Në këtë kuptim mban qëndrimin e një opozitari të rrespektuar.Nga gjitha këto, çdo herë, na e rrëfenë kohezionin e largpamësisë si udhërrëm për dalje nga situatat e ngërqruara, të zbehura…..

Këto që u thanë më sipër, mund t’i lexojmë në romanin e tij më të rij,”Jeta e rrënojave”,botuar në maj të këtij viti. Që në fillim të hapjës së librit për lexim, ndeshemi me temën përvluese të luftës,e cila mbolli dhimbjen  në palcë,varfërinë,duke shkretëruar çdo gjë në tokën e durimeve historike. Në pëlcitjen e gjithë atyre dhimbjeve e përjetimeve, z.Kurti, me fantazinë dhe filozofinë krijuese, na jep tabllo jete e shprese edhe kur je në fund të durimit ekzistues.

Në shtjellimin e ngjarjës në rroman,  z.Kurti, përmes dy protagonistëve kryesorë, shtjellon tërë ngjarjen,duke ua ngarkuar tërsinë e peshës, situaten në dy kahje: në një anë qëndron Rean Urti,i mbijetuari i tërmetit dhe i fatkeqsisë familjare  e njerëzore; ndërsa nga ana tjetër, na sjellë Svetllana Vukmiroviqin, përsonalitetin  e ngjarjeve negative, e cila gjatë luftës në Kosovë,ka vrarë e djeg,ka bënë gjitha të kqiat që mundshme,si një oficere e lartë e ushtrisë okupatore serbe. Ajo,ka vrarë edhe familjen e Rean Urtit,vëllan Ilirin,motrën etj. Por ma në fund,mbetët fillikat e vetmuar,nga se edhe asaj i vritën të gjithë në luftë,e gjithë familja e farefisi i Svetllanës.

 

Në këtë situatë të krijuar, z. Kurti, me imagjinaten e tij, krijon baraspeshën e   luftës,  si dukuri, si hegjemonizëm shtetërorë i trashigimisë  serbe,  nuk sjellë asnjë  të mirë as për vet popullin Serb, pos skamjës, varfërisë e shumë të kqijave  tjera. Në fakt autori në libër situaten pas shkatrrimeve nga lufta e quan simbolikisht tërmet, sepse në këtë mënyrë identifikon vet ashpërsinë luftarake të Sërbisë ndaj shqiptarëve, një populli  pa armatin,numërikisht më i vogël. Por, ven në spikamë, qëndresen historike luftarake, si provë  nërpër shekuj në mbrojtje të tokave të veta.

Në ato momente të jetës në rrënoja të protagonistit në liber,Rean Urti,në një mbrëmje të ftoftë,me borë e acar,në shtëpi gjysëm gërmadhë,troket në derë përsoni i panjhur, duke kërkuar shpëtim. Është Svetllana,e mbetur nën mëshirën e stuhisë së acartë dhe egërsirave të malit, kur kërkoi ndihmë tek Rean Urti. Ai pa hezitim,e pranon brenda,e ushqen,e ndihmon  në ato kushte që vet, duke mos e ironizuar për asnjë çast kombësinë dhe bëmat e saj.

Gjatë ditëve në vijim,ajo ia rrëfen luften e dirigjuar nga një sistem i egër ndaj popullit shqiptarë, me synime për ta zhbë nga faqja e dheut. Të gjitha, të gjitha ia tregon, pos rastin se si ia kishte vrarë vëllanë e ç’njerzuar motrën me paramilitarë serb ,nuk  ia kishte tregaur. Me gjestet humane e tepë njerëzore, Rean Urti, nuk donte të dëgjonte asgjë nga lufta, për ta lënë si të kaluar dhe për të mbijetuar në ato rrethana gërmadhore që ua kishte sjellë lufta teper e pa pastër e kreut të Sërbisë.

Duke parë çdo ditë,duke komunikuar mes veti në një shtëpi gjysmë të rrenuar,mes tyre ndizen xixat e dashurisë,ndizen epshet e arsyeshme në mes dy gjinive të kundërta. Rean Urti nuk i lutet për dashuri,por as nuk e kundërshtonte bukurinë e një sllavje që çmend në shtrat,e që rrezon pamja e saj. Kështu një natë,Svetllana,humb durimin dhe i futet në krevat Rean Urtit, ku pastaj lindë një dashuri . Reani imagjinonte ish bashkëshortën e tij, Dinorën e bukur,me të cilën kishte krijuar familjeën,ndërtuar jetën, por çdo gjë ia rrënoi lufta…

Svetllana për çdo ditë duke e parë se Reani shte i sinqert,i bukur,i edukuar,me gjitha karakteristikat njerëzore,veten e ndiente shumë keq nga brenda,dhe në heshtje namte veten me fjalët:” Zot më fal,edhe pse nuk e meritoj! Kam vrarë shqiptarë të pafajshëm madje edhe fëmijë! Sikur po u vjen era gjak duarve të mija!….” Autori i librit “Jeta e Rrënojave”,z. Muharrem Kurti,me një dije prej prozatori të spikatur,me pak fjalë na jep shumë kuptime në aspektin diverziv te të menduarit për  luftën,inspiruesit e fajtorët e saj dhe krimet e kryera. Ndërsa Reani,reagon ndryshe,jo duke folur me veten,por haptazi: “të gëzojmë dashurinë tonë të sapolindur me kaq bukuri! Ta lëmë hasmërinë prapa,edhe krimet,sado na dhëmbin,se plagët nuk ndreqin gjë.”Me dy këtyre opsioneve,mes nemës së vetvetës dhe dëshirës për ndërtimin e së resë (kur ka mundësi), reflektohen dy botë të ndryshme: ate që kryesi duhet të pendohet për bëmat e veta kriminale, ndërsa viktima, të jetë humane dhe të falë faje, për një  jetë  të re mes botës së qytetërua.

Autori Muharrem Kurti,me  motivin e shtjelluar në këtë vepër,na del jo vetëm se një mjeshtër i prozës, por lozë rrolin e prezentimit të humanizmit nga një popull viktë,një humanizëm i lindur në palcën e kombit të tij. Këtë virtyt e gëdhend nga faqja njerëzore, jo nga frika, siç mund të paramendojë dikush. Shumë shkrimtarë me renome kanë trajtuar këso temash në botë e Evropë, bile edhe Nobelista, si Imre Kertes etj. Do merrja guximin të them se këto ide, mund të jenë edhe si një platformë maredhënjesh mes njerzëve e shteteve.

 

 

 

Dy çenje njerëzore, në rrethana të papritura, iu dorzuan dashurisë dhe fatit në jetën e rrenojave, si befasi dhe detyrim jete…Pas një kohe dashuri e thelluar mes dy fateve njerëzore, si produkt jep lindjen e një fëmije. Të dy të dashuruarit kanë mirëkuptim edhe për emërimin e fëmijës.  Pas shumë kohe, një ekspeditë e Kryqit të Kuq ndërkombëtarë, përmes helikoipterit, heton jetesën e vetme në atë rreth, të dy përsonave me kombësi të ndryshme. Befasohen së tepërmi për mënyren se si ia kanë dalë me jetën,befasohen ma tepër për dashurinë mes tyre kur dihet se gjitha ato gërmadha ishin shkaktuar nga barbaria serbe. Përsoneli i Kryqit të Kuq ,e  merr anash dhe pyet Svetllanen se “a mos ishte e grabit dhe  shantazhuar nga ky përson”,por ajo regaon ashpër e kategorikisht se “e don shume,si jetën e vet!…” Me të parë se ishte ofruar koha e lindjës së fëmijës,e marin Svetllanen me helikopter dhe e dërgojnë në veri të Mitrovicës për lindje. Pas lindjës, Reani tenton ta vizitojë ,por nuk e lënë ndërkomëtarët. Duke trajtuar atë pjesë të Kosovës si “zonë neutral” edhe me shërbime spitalore serbe,asesi nuk e lejojnë Reanin ta vizitojë bashkëshorten Svetlla Vukmiroviqin dhe birin e sapolindur. Arsyetimi i përsonelit spitalor-serb ishte se nuk kanë kunorizim dhe se për fëijën duhet të konstatohet atësia përmes ADN-së…..

 

Pse kërkohet ADEN-ja e atësisë?……

Tema e trajtuara dhe stili bashkohorë me modernitetin prozaik të z.Kurti, na bëjnë të shkojmë më tej në filozofinë e këtij apsurditeti. Pra,duke e njohur prozën dhe poezinë e  këtij autori,mendoj se ADEN-ja nuk paraqet thjeshtë identifikimin e një atësie ,por ma thellë se kaq, identitetin e regjionit të Mitrovicës veriore për të cilën,populli Serb,qe njëzet vite, imagjinon përherë konflikte ,krime kërcnime, shantazhime e pasiguri. E gjitha këjo si shtrojerë për bisedime,për përfitime të tokave të huaja……

 

Krejt në fund, romani i z. Kurti ”Jeta e Rrënojave”,na vjen si një sihariq i kohës, për ta njohur një periudhë të mbushur sakrifica për një jetë të lirë,pa hasmëri. Pos kësaj,z.Kurti paraqet një humanizëm si kapital i kombit të tij,i cili nuk është agresorë,hakmarrës,uzurpues i tokave të huaja,nuk ka prirje kriminale luftarake ndaj askujt. Mirëfilli tregon humanizmin e gadishmërinë si për luftë mbrojtje,si për paqë të ndershme mes njerëzve,njerëzorës.

 

Kjo vepër është një pasuri për gjeneratat,pasuri për bibliotekat shkollore e universitare.

BLLOKIMI I SHKRIMTARIT – Poezi nga CHARLES BUKOWSKI – Përktheu ROLAND GJOZA

makina e shkrimit hesht, sikur
te ketë ndodhur një tradhti, sikur të ketë ndodhur një
vrasje.
të vetmet fjalë që ende përshkojne trutë e mi;
“ zogjtë e Spanjës këndojnë!”
ç’kuptim ka kjo
ç’kuptim?
është thjesht një kotnajë, në qoftë se nuk të hyn në punë.

kur do të bien
tastat
mbi letër
përsëri?
është më lehtë të vdesësh përpara se kjo
të ndodhë.

vështroj makinën e shkrimit nën një mbulesë
të zezë; një fature gazi e papaguar fle
mbi të.

ështe një frigorifer i vogël në
dhomë, i vetmi që bën zhurmë
këtu.

e hap dhe shikoj brenda;
krejt bosh.

ulem në karrige dhe pres; pastaj
vendos ta quaj budalla
makinën e shkrimit

nis të shkruaj
me një stilolaps
në një
bllok
të kuq;
jepem i tëri pas një poezie;
pas pak ajo ka për t’i dhënë urdhër
makinës së shkrimit
që ka ngrirë
se ç’duhet të bëjë.

nje shprehje franceze thote: ” pa
letërsi
jeta është një ferr.”

lavdia dhe fuqia janë aty!

t’i lëmë zogjtë e Spanjës të këndojnë!

VALSI I THIKËS – Poezi nga CHARLES BUKOWSKI – Përktheu ROLAND GJOZA

 

ata të lënë vetëm
me muret
midis tymit të pafundmë
të cigareve
pi uiski
zorrët sa s’të çahen
e njeh këtë përvëlim dhe
rezultati:
rënie
në rrethin e dhjetë
të ferrit

por
ti bën të njëjtën gjë
për shkak të tyre
një njeri i thjeshtë nuk ndjehet më mirë
se një
tjetër.

gjithsesi
ti e pranon këtë
mbrëmje
siç ke pranuar shumë
mbrëmje
si kjo
tani je në depresion
dhe përfundimisht jashtë çdo gjeje;
muzikës
shpresës
dhe
cigareve

NJU JORK, NJU JORK – Poezi nga CHARLES BUKOWSKI – Përktheu ROLAND GJOZA

 

ai ishte në holl te telefoni
e dashur, në qoftë se nuk kthehesh
tek unë
do të vras veten!
të betohem!

kalova pranë tij
dhe u ngjita
në dhomën time.

ishte një poet i atyre anëve
mbante një shall mendafshi,
një beretë,
kishte mjekër dhe mustaqe të bashkuara dhe një
bisht derri

ishte 9 e mëngjesit
por unë e ndieja veten
shumë të lodhur

hyra në dhomë
dhe rashë si i vdekur
në shtrat

ai ishte një njeri
që donte të vriste veten
në qoftë se e dashura e linte
unë kisha patur dhe s’kisha patur një femër
për tre vjet
dhe isha
24 vjeç

dhe më dukej se kisha humbur
diçka

u ngrita
shkova për t’u veshur
hapa një shishe
vere
ktheva një gotë të plotë
pastaj e shkullova të gjithë verën
dhe shishen e flaka tej

ai njeri qëndronte ende te telefoni
në holl
u ula dhe vështrova
telefonin
nuk fliste njeri.

dola jashtë
në rrugë
turma e njerëzve lëvizte
lart e
poshtë

mora një drejtim kuturu
dhe eca në atë
drejtim
u futa në të parin bar që pashë
dhe kërkova
një vend
per t’u ulur
porosita një birrë
ndieva një goditje
dhe papritur dikush më
tha:
ai njeri
në telefon nuk
foli me njeri.

nuk e di përse
e dija këtë
po ja
që e
dija.

bir kurve, shava
lashë pas Greenwich Village
dikur
dhe unë
kisha bërë te njëjtën
gjë.

VIZITORJA MISTERIOZE – Tregim nga HAMIT TAKA

 

Sapo u hapa rrugën unë, i dënuari i ndërgjegjes, dy familjet e motrave të mia u vendosën në Tiranë. Për habinë e tyre, ndryshe nga qyteti i vogël periferik, ku banonin më parë, gjithë banorët e pallatit, ende pa u njohur mirë, i përshëndesnin, u flisnin me ëmbëlsi, i respektonin e i nderonin si miq të vjetër. Bile, edhe banorët e lagjes, i lumturonin me vizitat e tyre, për t’u uruar mirëseardhjen. Pa lere ata të anës tonë, që u kishte dhembur zemra e u ishte djegur xhani për kalvarin e tyre! “Eh, ç’sistem i urryer, që na ndau bashkëfshatari me bashkëfshatarin, shoku me shokun, miku me mikun, vëllai me vëllain, motra me motrën, shqiptari me shqiptarin!”, qaraviteshin ata më patriotët. Të shikoje vjehrrën e motrës së madhe si i shtrembëronte buzët! Nejse, tani motrat ishin të qeta dhe ndiheshin mirë në kryeqytet.
Mirëpo edhe qetësia e lumturia s’ishte e thënë se do të vazhdonte pafundësisht për motrat e mia. Ende pa e mbushur muajin, trokiti te dera e motrës së vogël një vizitore e panjohur. Motra mbeti e shushatur kur pa portretin e së panjohurës, i cili nuk shprehte atë harenë e vizitorëve që trokisnin, për të uruar mirëseardhjen. Veshja elegante, sido që e përdorur, tualeti i kursyer dhe buzëqeshja e lehtë, si e stamposur në fytyrën simpatike, më tepër shprehnin trishtim dhe nuk mbulonin dot gjëndjen e rënduar shpirtërore, që pasqyrohej dukshëm nga ndryshimi i toneve në sytë e saj të blertë.
-Mirëdita!- përshëndeti vizitorja.
-Mirëdita!… Urdhëroni, bujrum! Mirë se erdhët! Ju lumshin këmbët!- lëshoi motra ime një breshëri përshëndetjesh e urimesh, duke manifestuar atë drojën dhe përunjen e grave periferike.
Në sekontë mbriti edhe motra e madhe. Pa mbritur mirë te dera, e ftoi të panjohurën të hynte brenda, sikur të ishte edhe ajo zonjë shtëpie. Vizitorja misterioze dukej e dyzuar, ta hapte apo mos ta hapte fare gojën. Pastaj uli kokën dhe dukej se mundohej të formulonte diçka sa më konçize e sa më qartë. Qëndrimi i ngurosur i saj i hutoi edhe më shumë motrat e mia.
-Më falni, – tha vizitorja, – sot s’kam ardhur për t’ju uruar mirëseardhjen. Kam vetëm një kërkesë për ju të dyja, për vizitë mund të vij një herë tjetër.
– Urdhëroni, flisni. Mos bëni zor nga ne, jemi gra të thjeshta, -u përpoq t’ia lehtësonte barrën motra e madhe.
– Dua të bëj një takim me vëllain tuaj. Dhe këtë e kërkoj vetëm nga ju… Se mbi vëllain nuk ka askush ndikim më të madh se motra… Ashtu e kam punën. Ashtu e kam hallin, desha të them, – u përgjigj vizitorja, e cila ua ndezi më shumë kureshtjen motrave të mia. Ato vështruan njëra-tjetrën.
– Ju mund ta takoni vetë vëllain, – ia ktheu sërish motra e madhe.
– Nuk di ku ta gjej, – tha me përunje vizitorja misterioze.
– Siç gjete shtëpinë time, mund ta gjesh edhe vëllain. Atë mund ta gjesh gjithë ditën në redaksinë e gazetës…- nisi t’i shpjegonte motra e vogël dhe emri i gazetës i mbeti në gojë, pasi motra e madhe i shkeli këmbën, që ta hante gjuhën me dhëmbë. Vizitorja misterioze dha një buzëqeshje të sforcuar dhe tha me përvuajtje:
-Trokita në derën tuaj, që të ma ndërmjetësoni ju dhe vetëm ju këtë takim. Bile do t’ju lutesha e përgjërohesha të mos e konsumoni me askënd tjetër kërkesën time, duke përfshirë edhe familjet tuaja, – e mbylli bisedën vizitorja misterioze dhe ktheu këmbët andej nga kishte ardhur. Motrat mbetën gojëkyçur. Por ajo e madhja u kujtua ta qortonte të voglën, që filloi t’i jepte të dhëna për vendndodhjen time vizitores misterioze.
– Po ne mbetëm të habitura nga vizitorja e çuditshme dhe nuk e pyetëm as për emrin, as ku banon e as ku punon, – tha motra e vogël.
– Me sa kuptova unë, ajo do vetëm një takim të fshehtë më vëllain tonë, pa lënë asnjë gjurmë…Po, hajt, moj, bëri një kërkesë e iku. Halli i saj është, s’është i yni, – iu përgjigj motra e madhe.
– Me gjithë xhentilencën e kulturën e saj qytetare, ajo ka për të na mbirë në derë, me sa pashë unë… – e mbylli bisedën motra e vogël.
Vizitorja trokiti te dera e motrës së vogël të nesërmen po në atë orë që kishte trokitur një ditë më parë. Kërkoi përgjigjen dhe si pa që motra belbëzonte, iku menjëherë.

Profecia e motrës së vogël u bë realitet shqetësues dhe i bezdisur për të. Këmbëngulëse dhe e habitshme në atë që kërkonte, vizitorja misterioze u mbiu vërtetë në derë. Rituali vazhdonte çdo ditë dhe fiks në orën njëmbëdhjetë. Nuk priste asnjë bashkëbisedim, vetëm kërkonte përgjigje: po ose jo.
Sado dinake dhe të zhdërvjellta që janë femrat fshatare, për të zhbiruar të fshehtat dhe për të depërtuar në labirintet e shpirtit të seksit të dobët, motrat e mia nuk patën asnjë sukses me vizitoren misterioze. Vetëm për orën fikse të vizitës mundën t’ia shkulnin përgjigjen. U tha se ishte në punë zyre dhe në orën njëmbëdhjetë bënin një pushim të shkurtër, sa për një kafe. Ajo vetëm u lutej e u përgjërohej të më bindnin mua, për të pranuar një takim me të. Arsyen do të ma tregonte vetëm mua. “Mjafton që vëllai juaj të pranojë të takohemi në një vend që do ta caktojë vetë ai dhe pastaj do të mësoni gjithçka për t’jua qetësuar ndërgjegjen”, u tha prerazi ditën e pestë të vizitës. “Çfarë sjellje të pakuptueshme kanë këto femrat kryeqytetase!” –tha motra e vogël.

Tani kërshëria e motrave të mia ishte ngjitur në stadin e fantazisë. Bashkëbisedonin me njëra-tjetrën dhe ngulnin këmbë si mushka se, pa i sqaruar kush ishte dhe arsyen e takimit, nuk do t’ia plotësonin dëshirën. Edhe më kokëforta i bënte mospranimi që t’u jepte qoftë edhe një informatë imcake për idenditetin e saj. Motra e madhe, falë intuitës së saj, do të ishte e denjë edhe për dialogjet e Sokratit dhe të zgjidhte sofizmat e filozofëve nëpër portiqet e Athinës së lashtë, por me vizitoren misterioze nuk i eci. Ama edhe pa gjë fare nuk doli. Herë-herë arrinte ta mbante për disa minuta në këmbë dhe t’ia çelte paksa gojën e kyçur. Nga ato pak çaste komunikimi kishte krijuar bindjen se ishte një femër e kultivuar, me etikë mirësjelljeje dhe me një të shkuar të dyshimtë. Po aq ishte e bindur se jeta e kishte lëndur shumë, por besonte se tërë ai pikëllim në shpirt ishte grumbulluar nga disfatat në dashuri e jo nga vështirësitë e hallet që kanë njerzit e zakonshëm.
“Që e ka një peng në shpirt ajo e ka, por unë nuk ia nxjerr dot”, i thoshte motrës së vogël. E po, konkluduan, do të jetë ndonjë e rënë nga vakti dhe vjen këtu të afrohet me vëllain tonë, se i ka hipur në kokë të pastrohet nga e kaluara e saj. Ose do të ketë qënë ndonjë tekanjoze me pretendime të mëdha dhe ka dështuar në martesë, tani mendon se mund t’i ngjitet vëllait tonë, disi i kaluar nga mosha e martesës… Pastaj fillonin të hamendësonin, mos ajo femër në të kaluarën, domethënë në të ritë e saj, kishte ndonjë lidhje erotike me mua, vëllanë e tyre dhe tani donte të afrohej sërish. Se unë beqar isha e beqar kam mbetur. Por përvoja u thoshte të qëndronin më shumë te dyshimi se mos ajo grua provokonte apo donte të më fuste në ndonjë kurth. S’dihet kush është kjo femër e ç’qëllime kanë këta, thonin me njëra-tjetrën. Mbase duan t’i ngrejnë ndonjë kurth vëllait tonë. Ja, një shtrigë si kjo ia bëri gjëmën e madhe. Nuk u zihet besë këtyre. Kushedi çfarë kurdisin qëkur është hapur fjala se vëllai do të vërë kandidaturën për deputet në zgjedhjet e ardhshme.

Të jemë i sinqertë, jeta i kishte bërë pak të ashpra motrat e mia, por në thelb ishin zemërbuta e bujare. Nga subkoshienca e tyre, ngrenin krye virtytet e larta të trashëgimisë fisnore, si ai i dobësisë dhe mëshirës për ata që vuajnë nga plagë të thella shpirtërore. Kur vizitorja misterioze u dukej shumë e pikëlluar, logjikonin se mund të ishte e sinqertë dhe delikate në shpirt. Mbase vërtetë, si femër, mund të donte ndonjë ndihmë për ndonjë vëlla a motër, për burrin apo prindërit e vet. Njeriu njeri është, ka dhe halle, ka të mira, ka dhe huqe e të këqija… Se kemi parë edhe nga ata, ndërronin mëndje ato, që, kur kanë ndonjë gjë në dorë dhe ti ua shtrin dorën tënde nga nevoja, ta thyejnë. Ama, kur ti ke gjë në dorë dhe ata kanë nevojë, kthehen e ta puthin dorën që dikur e kanë thyer.
Dilema: të më tregonin apo të mos më tregonin mua, filloi t’ua brente ndërgjegjen. Edhe kureshtja femërore bënte punën e vet.
Një të shtunë në mbrëmje, kalova nga shtëpia e motrës së madhe, për të parë nipat e mbesat e për të darkuar me ta. Atje gjeta edhe motrën e vogël në një bisedë kokë më kokë me të madhen. Diçka të pa qartë më zuri veshi.
-Ç’do t’i tregoni vëllait? -u thashë me të qeshur dhe i përqafova të dyja njëherësh. Më përqafuan, më puthën me mallë e m’u lidhën si kulpëra rreth trupit. Pastaj më liruan dhe vështruan njëra-tjetrën.
-Vëllai ynë i dashur, – filloi motra e vogël, – kemi gati një muaj që rezervohemi të të tregojmë diçka, se nuk duam të të trazojmë me gjëra të parëndësishme dhe mbase të dyshimta. Por sot vendosëm të të tregojmë për vizitat e përditshme dhe kërkesën këmbëngulëse të një gruaje të panjohur, që kërkon, gjallë a vdekur, të takohet me ty.
Fillimisht nuk qe diçka aq befasuese për mua, pasi në redaksi na vinin çdo ditë me dhjetra sojesh, ku secili shprehte emocionalisht mendimet e tij për të ardhmen. Kush i sinqertë e kush jo i tillë, ne i dëgjonim të gjithë. Pasi më thanë ca gjëra motrat, fillova të dyshoja dhe të vrisja mëndjen se kush mund të ishte ajo vizitore. I pyeta motrat për tiparet e saj, më thanë se duhej të kishte qënë e bukur, kur ishte e njomë, por ishte e fishkur dhe e pa shpresë për veten. U thashë që të më thërrisnin, me rastin e parë që ajo do të trokiste sërish në portat e tyre. Bile të nesërmen u zgjova me një parandjenjë se do ta takoja atë ditë, me qënë se ishte e diel dhe vendosa mos të dilja herët nga shtëpia. Prita deri në orën njëmbëdhjetë, kur kishte orën periodike të mbritjes, por ajo nuk erdhi. Pastaj dola të takoja miqtë e mi, që më prisnin. Sa mbrita te lokali ku takoheshim, më thanë se një femër, rreth të tridhjetave, ishte vetëhelmuar në spital.
-Si ishte vetëhelmuar ne spital, kur fare mirë mund të vethelmohej në shtëpinë e vet? – pyeta ashtu kot, sa për t’u gjendur në bisedë, por mëndja më punonte gjetiu. Me një herë mendova atë grua që më kishte kërkur disa ditë me radhë dhe fajësova motrat, që s’më kishin treguar më herët. Ika pa u kthyer përgjigje të pranishmëve. Me një frymë u gjenda në polici. Trokita te dera e shefit të rendit. E pyeta për ngjarjen. Ai më tregoi, për aq sa dinte, se ishte helmuar në shtëpi. Sa kishin mbritur me urgjencë në spital, kishte ndërruar jetë.
-A mund të shkojmë në morg? – i thashë.
–Po, -më tha, pasi hezitoi pak.
Shkuam rrufe me një makinë të policisë. Sa u futëm brenda dhe pashë kufomën e saj të zbuluar, u befasova. Ndonëse kishte ndryshuar në mënyrë të habitshme, nuk e pata të vështirë ta njihja.
-Është ajo, – thashë instinktivisht dhe mallkova veten që më shpëtoi fjala.
-Cila ajo? – më pyeti shefi.
-Emrin nuk ia di ose nuk ia mbaj mend pas kaq vitesh, por më kujtohet si portret, – iu përgjigja, duke iu shmangur pyetjeve të tjera.
-Ke patur njohje në të shkuarën me të? –pyeti shefi, pa djallëzi.
-Jo. Dikur, kur unë frekuentoja Bibliotekën Kombëtare, e gjeja shpesh atje, – iu përgjigja. Më shkuan djersë të ftohta. Ishte një ngërthim ndjenjash urrejtjeje dhe keqardhjeje për aktin e vetëvrasjes.

Shkuam te seksioni i kriminalistikës. Shefi pyeti specialistët, në se kishin zbuluar ndonjë gjë të veçantë.
-Vetëvrasje e zakonshme. Vethelmim… – shpjegoi mjeku ligjor.
-Nuk i gjetën ndonjë letër a diçka të tillë? – e pyeta unë. Ai nguroi, por shefi i bëri me shënjë të tregontë çfarë dinte.
– I gjetëm një letër në xhep për t’ëmën, por e ëma na e mori nga duart dhe nuk e lëshoi më. Ajo shkoi me vrap në tualet dhe mund ta ketë djegur.
-Na ço te shtëpia e saj, -i thashë si me urdhër shoferit të makinës së policisë. Ai nguroi, por shefi ia bëri me kokë të nisej.

Me marifet të madh mezi e nxorrëm jashtë nënën e viktimës. Na shikoi me frikë.
-Nuk e kam letrën. E dogja, – tha ajo.
Shefi qëndroi indiferent. Ai nuk i kushtoi rëndësi këtij detaji, gjë që tregonte se policia ishte shkrehur.
-Nuk e ke djegur, -i thashë me ton të vendosur.
-Kush jeni ju? – pyeti e frikësuar.
-Kjo nuk ka rëndësi për juve, – i thashë, – pohimi juaj është shumë i rëndësishëm.
Shefi i shpjegoi diçka për mua. Asaj i iku fytyra. Bëri të futej brenda, por te pragu u kthye dhe më vështroi me sy të zgurdulluar.
– A mund të ma thuash emrin? – më pyeti me bezdi të madhe. U bëra gati t’i thoshja jo, por nuk ishte njerëzore t’i përgjigjesha ashtu një nëne, e cila sapo ka humbur bijën e vet. I thashë emrin tim. Gruan e lëshuan fuqitë fare, sa thamë se i ra të fikët. Shefi më shikoi me vëmëndje.
U larguam. Pas pak u gjenda tërë zemëratë në shtëpinë e motrës së vogël. E dija që do t’i gjeja atje të dyja. Bisedonin për tragjedinë e asaj femre.
-Ju, të dyja bashkë, keni bërë një krim. Sot keni vrarë një njeri, – u thashë i hakërruar. Motrat shtangën.
-Gruaja që trokiste tek dera juaj, sot është vetëhelmuar, – u shpjegova.
– Kush ishte ajo? Ç’lidhje kishte me ty, – më pyeti motra e vogël, e verdhë limon në fytyrë.
-Asgjë, – u thashë. Ndeza një cigare dhe ika turivarur nga motrat e mia.
-Po është nga ato… bëri gjënë më të mirë. Sa kanë vrarë ata, tani le të vrasin veten,- dëgjova të thoshte motra e madhe pas shpinës sime.
Në darkë, nëna e viktimës erdhi e shoqëruar me dy djem dhe trokiti në derën e hyrjes time në katin e tretë. Sa hapa derën, e kuptova qëllimin.
– Solle letrën? – e pyeta.
– Ku e di ti se solla letrën? – m’u përgjigj.
– E mora me mend, se gënjeve para shefit të policisë së kryeqytetit, kur the se e kishe djegur dhe tani do të më përdorësh mua… Çojeni vetë në polici, – u thashë prerazi. Ajo heshti pak kokulur, pastaj tha nëpër dhëmbë.
– Letra është pë ty, nuk është për policinë, prandaj trokita në derën tuaj. Po të qe për shefin e policisë, as ia çoja fare.
– Si e gjete derën time?! – pyeta instinktivisht.
Hera e parë që më vështroi mospërfillëse, që donte të thoshte, se ne gjejmë edhe vrimën e mizës, jo ty.
– Me të pyetur, – m’u përgjigj ironikisht.
– E di, por letrën duhet ta çosh në polici, jo tek unë, – i thashë.
– Nuk erdha me dëshirën për t’ju parë juve… Si nënë nuk mundem të mos e çoj në vend amanetin e vajzës sime të vdekur, – tha dhe sytë iu rrëmbushën me lot. Pastaj i fshiu me inat me kurrizin e dorës.
-Të kuptoj, – i thashë, se nuk gjeta fjalë tjetër, – por letrën duhet ta çoni ju në polici.
– Eshtë për ty, – tha ajo me vendosmëri dhe ma rrasi në dorë. Unë e lashë të binte në tokë.
Ajo s’e preku më letrën, qëndroi pak e dyzuar dhe vuri djemtë përpara, për të zbritur shkallët.
– Natën e mirë! – u kujtua të më thoshte pasi zbriti 3-4 shkallë.
– Natën e mirë! Shëndoshë vetë e t’ju rrojnë gjithë të dashurit! – e ngushëllova.
Pasi zbritën disa shkallë, dëgjova sërish hapa, që po ngjiteshin lart. Unë rrija shtangur në këmbë, siç isha pak më parë, pa guxuar ta prekja letrën, që priste para këmbëve të mia. Ishte po ajo, nëna e dy djemve dhe e viktimës. M’u afrua me qetësi dhe më tha.
– Vajzën ma vrave, të lutem, mos m’i vra edhe djemtë!
Më hipi gjaku në kokë dhe filloi të më dridhej trupi.
– Unë nuk jam kriminel të vras njerëz, vrasësit janë në anën tuaj. Vajzën s’ta vrava unë. Ajo vrau veten. As e njoh fare.
– Nuk besoj mos ta njohësh, deri sa letra ju drejtohet juve, me emër e mbiemër, – më tha tërë mllef.
Vështrova letrën para meje dhe pashë se nuk kishte adresë.
– Ishte në zarfin tim adresa. Më porosiste t’jua jepja vetëm juve, – më shpjegoi, pasi e kuptoi pse e vështrova zarfin.
E shikoja drejt në sy i zbrazur nga mendimet dhe ndjesitë.
-Të lutem dhe një herë, mos na dëmto më, duke na lënë fëmijët, nipat e besat pa shkolla, pa profesion, pa punë.
-Ne nuk do të bëjmë ato që keni bërë ju, – iu përgjigja prerë, por ndieja një dhimbje thellë qënies sime, që nuk kuptoja se nga buronte. Desha t’i thoshja se vetëvrasja e vajzës nuk kompenson ato që na kishin bërë, por nuk më bëri zemra. Para dhimbjes së një nëne për humbjen e fëmijës, përunjen edhe perënditë. Ndërkaq ajo po zbriste shkallët me nxitim.

Nuk e kam ndier herë tjetër më ngushtë veten. Në çast mendova se po të më kishin thënë motrat disa ditë më parë kërkesën e vizitores misterioze, vajza e asaj nëne do të ishte gjallë dhe sytë e saj nuk do të skuqeshin e përloteshin para meje. Mendova si do të veproja me letrën. Po ta lija atje në shesh, mund ta merrte dikush tjetër. E futa në xhep, që ta çoja të nesërmen te shefi. Bëja sikur nuk më intrigonte fare ai zarf i mbyllur me të fshehtën, që mbante brenda, por e vërteta ishte se më ishte zbrazur zemra nga një ndjenjë e lashtë sa bota. Natyrisht më brente dhe kureshtja se çfarë kishte shkruar para vetëvrasjes dhe në se do të ndryshonte vendimi i saj, po të ishte takuar me mua.

U nisa për te motrat i dërrmuar nga dhimbja. Ato m’u hodhën të dyja në qafë. Pastaj më pyetën një zëri të shqetësuara:
-Ç’të ka ndodhur, vëlla?
-Ajo që s’duhej të ndodhte. Po jua përsëris: Ne të tre kemi vrarë një femër, – u thashë tërë trishtim dhe instinktivisht nxorra zarfin nga xhepi.
-Ç’është ai zarf pa adresë e i pa hapur? – më tha motra e madhe. Unë bëra ta fusja në xhepin e brendshëm të pardesisë, por ajo ulëriu:
– Mos! Kush ta dha atë zarf? Ma jep mua! Nuk duhet t’u besosh atyre. Mund të jetë provokim. Mund të ketë brenda helm vdekjeprurës. Mos, o Zot!…
Dhe ma mori zarfin nga dora. Unë e humba toruan. Ajo iku me vrap në tualet, që ta hapte, për ta hedhur në ujë helmin e dyshuar. Atëherë i bërtita:
-Mos, motër, më duhet ta çoj në polici, se ndryshe do të jemë i akuzuar për vrasje.
Motra u trondit.
-E kam hapur, vëlla. Por nuk ka gjë nga ato që mendova unë. Më fal. S’e mendova…
-Arrite të lexoje ndonjë gjë? – e pyeti nën zë motra e vogël.
-Arrita të lexoja vetëm rreshtin e parë: “I dashuri….
-Ju lutem motra, se po bëni gabimin e dytë ndaj meje. Jo gabimin, fajin! – u thashë dhe ua mora zarfin, e futa në xhep dhe dola jashtë të mbushesha me frymë. Atje jashtë, në vetmi, nuk m’u durua. E hapa zarfin dhe fillova ta lexoja.

“Shumë i dashuri…
Emrin nuk guxoj ta zë në gojë, se ta bëj pis.
Jam e bindur se motrat e tua jua kanë thënë kërkesën time, por ju nuk e pranuat, e vetdijshme se kishit të drejtë.
Unë s’kam fytyrë t’ju shikoj në sy, nuk kam ndërgjegje t’ju kërkoj ndjesë dhe kurrësesi s’do t’ju kërkoja të falur. Vendimin e kisha marrë më herët…
Kokulur dhe në gjunjë para juve vetëm do t’Ju shpjegoja të vërtetën…
Gjithçka që bëra, e bëra e detyruar. Edhe ato që kisha shkruar në fletët tuaja të daktilografuara, i shkrova me xhelat mbi kokë…
Edhe atë që thashë si dëshmitare para juve dhe trupit gjykues, se më kishe kërkuar arratisjen jashtë vendit, m’u imponuan me një mijë kërcënime për vete e për familjen time… Ju kujtohet si u alivanosa…
Kjo histori filloi qëkur filluam të rrinim bashkë në universitet, ndonëse ishim në fakultete të ndryshme.
I vura kokën në gjunjë nënës dhe i tregova se e kisha të pamundur të spiunoja njeriun që doja më shumë në këtë botë të padrejtë. Ajo e quajti besim të madh ndaj meje dhe më këshilloi të mos bëja gabime të asaj natyre, domethënë të mos dëshmoja… Nëna, pas disa kohësh, ia tregoi me marifet babait. Ai i tha se do të ishte mirë të mos isha përzier në ato punë, por tani duhej ta çoja deri në fund. Bile i hyri frika se mos ajo ishte një sprovë për familjen tonë. Se isha nga një familje e madhe e Luftës, që do të humbiste meritat…

Kur dashuron një njeri me zemër e me tërë zjarrin e shpirtit dhe atij ia bën jetën ferr, me dashje apo pa dashje, ke vetëm një shpërblim: dënimin kapital-vetëvrasjen.
Me vdekjen time dua vetëm të rrëfehem se ia dhashë vetes dënimin e merituar dhe e dhashë jetën për dashurinë tonë të pastër… Ju mund të thoni se duhej ta kisha bërë më herët vetëvrasjen, por ashtu ju s’do ta mësonit kurrë të vërtetën.
Miupafshim, i dshuri im!
Qofsh i lumtur për ato vite që të kanë mbetur në liri.
Emrin s’e vë, për të mos ua shuar kureshtjen motrave të tua dhe për të mbetur përjetësisht, “zonja(në fakt zonjusha) misterioze”.