VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Shikimi që mbretëresha i ka bërë Meghan Markle po bën “xhiron” e botës (foto)

By | May 21, 2018

Komentet

Poli i Veriut, në 5 vitet e fundit periudha më e ngrohtë në histori

NEW YORK – Në Polin e Veriut, në pesë vitet e fundit është regjistruar periudha më e ngrohtë në histori ndërsa ky rajon është ngrohur dy herë më shumë se pjesa tjetër e botës.

Programi për studime të Polit të Veriut pranë Agjencisë Kombëtare të SHBA-së për Oqeane dhe Atmosferë (NOAA) publikoi raportin për Polin e Veriut, ku kanë punuar 81 shkencëtare nga 12 vende.

Në raport thuhet se në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2018, në rajonin e Polit të Veriut, që nga viti 1900, kur filloi regjistrimi i temperaturës, është regjistruar periudha më e nxehtë deri tani. Po ashtu thuhet se ky rajon është ngrohur dy herë më shumë nga pjesa tjetër e botës.

Raporti potencon se ndryshimi i temperaturës u ndje në rajonet e largëta nga Poli i Veriut, duke shkaktuar ndryshime të rëndësishme në trendet e temperaturës në mbarë botën.

Më tej shtohet se akullnaja më e vjetër në Polin e Veriut është shkrirë për 95 për qind në 33 vitet e fundit dhe se popullata e irvasëve (drerit verior) në rajon është reduktuar me 56 për qind në dy dekadat e fundit, nga 4.7 milionë në 2.1 milionë.

Susan M. Natali, nga Qendra Woods Hole në Massachusetts, e cila merret me studimet e Polit të Veriut, për “New York Times” deklaroi se raporti paraqet një lloj paralajmërimi.

“Çdo herë kur shohim një raport, na bëhet e qartë se gjërat shkojnë në drejtimin e gabuar, dhe nuk ndërmarrim asgjë. Raporti në fjalë mbështet qëndrimin se ndryshimet klimatike janë të dukshme”, tha Natali. aa

Revista Time shpall gazetarët “Personat e Vitit”

Faqja e parë e revistës Time

Revista Time ka shpallur të martën gazetarët “Personat e Vitit”.

Në këtë listë është përfshirë gazetari i vrarë, Jamal Khashoggi dhe dy gazetarë të Reutersit, të burgosur nga Qeveria e Mianmarit, si “Personazhe të Vitit”.

Në shkrimin e publikuar nga revista, të titulluar “Gardianët dhe Lufta për të Vërtetën”, Time ka nderuar një varg të gazetarëve, duke përfshirë gazetarët e agjencisë së lajmeve, Reuters, Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo, të cilët janë dënuar në muajin shtator nga Qeveria e Mianmarit, sipas një Akti të epokës koloniale për Sekrete Zyrtare.

Në mesin e të nderuarve janë edhe gazetari saudit, Jamal Khashoggi, i cili është njohur si kritik i princit saudit të kurorës, Mohammed bin Salman.

Ai është vrarë dy muaj më parë në konsullatën saudite në Stamboll, pasi ka hyrë aty për të rregulluar disa dokumente për martesë.

Revista po ashtu ka nderuar themeluesen e sajtit të Filipineve, Rappler, Maria Ressa, e cila ka qenë kritike e presidentit të këtij vendi, Rodrigo Duterte.

Në këtë listë janë vënë edhe stafi i gazetës Capital Gazette, pasi një person ka shtënë me armë dhe ka vrarë pesë persona në muajin qershor në selinë e mediumit.

Time ka thënë se ka vendosur të nderojë gazetarinë në kohën kur demokracia është nën rrezik nga qeveria dhe avancimet teknologjike.

Shefja financiare e Huawei mbetet prapa grilave, pritet vazhdimi i gjyqit

TRENTON – Dita e dytë e gjykimit të hënën nuk solli asnjë zgjidhje për pyetjen nëse drejtoresha e çështjeve financiare e gjigantit teknologjik kinez Huawei do të lirohet me kusht, ndërsa seanca e radhës pritet të vazhdojë ditën e sotme.

Arrestimi i zyrtares së lartë të kompanisë Meng Wanzhou më 1 dhjetor në Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit ishte me kërkesë të qeverisë amerikane. SHBA dëshiron që Meng, vajza e themeluesit të Huaweit dhe shefit ekzekutiv Ren Zhengfei, të ekstradohet në SHBA për t’u përballur me akuzat për mashtrim.

Seanca dëgjimore për lirimin e saj me kaucion u shty për të hënën dhe Meng kaloi fundjavën në burgun kanadez.

Huawei dyshohet për operimin e një filiali që Meng e ka mbajtur si firmë të veçantë dhe më pas e ka përdorur për të bërë biznes ilegal me Iranin duke shkelur sanksionet amerikane ndaj këtij vendi.

Avokati i saj, David Martin, argumentoi të hënën se edhe pse kishte qasje në shuma të mëdha parash, ajo nuk do përbën rrezik për t’u arratisur, sepse klienti i saj “është një grua me karakter dhe dinjitet” dhe “thellësisht respekton sundimin e ligjit”.

Ai tha gjithashtu se Meng nuk do të ikte, sepse kjo do të turpëronte qeverinë kineze.

Martin propozoi që nëse Meng do të lirohej, ajo do t’i nënshtrohej monitorimit elektronik dhe se një ekip privat i sigurisë do ta ndiqte dhe ajo vetë do t’i paguante shpenzimet. Ai gjithashtu tha se ajo do të qëndronte në shtëpinë e saj në Vankuver gjersa rasti i saj vazhdon.

Arrestimi i saj në Vankuver të shtunën shkaktoi reagim të rreptë nga qeveria kineze.

Ngjarja gjithashtu shkaktoi rënien e aksioneve pas shqetësimeve se incidenti do t’i jepte fund armëpushimit të përkohshëm tregtar të arritur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe ai kinez Xi Jinping.

Kryeministri Justin Trudeau tha para gazetarëve të enjten se politika nuk ka luajtur asnjë rol në arrestimin e Meng për ekstradim të mundshëm në SHBA.

Tensionet me Pekinin kanë bërë që Kanadaja të përgatitet për një sulm të mundshëm kibernetik nga Kina në rrjetin e saj të komunikimit.

Huawei është furnizuesi më i madh në botë i pajisjeve të rrjetit të telekomunikacionit dhe prodhuesi i dytë më i madh i smartfonëve pas Samsung. aa

Washington Post: “Vrasja e Khashoggit na zgjoi për mënyrën se si Princi saudit drejton vendin”

UASHINGTON – Gazeta “Washington Post” ka mbrojtur idenë e saj se gratë aktiviste në Arabinë Saudite janë burgosur dhe shumica e mediave perëndimore nuk shfaqin interes për këtë çështje.

Në artikullin e Sarah Aziza të titulluar “Qëndrimi brutal i Arabisë Saudite ndaj reformistëve femra duhet të na zgjonte shumë kohë më parë” tërhiqet vëmendja ndaj praktikave kundër aktivisteve femra në vend.

Më tej në artikull thuhet se shumë liderë perëndimorë përkundër paralajmërimeve të organizatave të të drejtave të njeriut, janë përqendruar në “Rilindjen Saudite” të princit të ri reformist Mohammed bin Selman, ndërsa është tërhequr vëmendja në ironinë ndaj mbajtjes pas hekurave të aktivistëve që ia kanë kushtuar jetën e tyre të drejtave të grave.

Provat që dolën në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi kanë shkaktuar dyshime nëse princi Selman do të jetë apo jo një udhëheqës legjitim në të ardhmen e afërt, thuhet në artikull. “Më në fund vrasja e Khashoggit si një makth, na zgjoi për mënyrën se si princi saudit drejton vendin. Megjithatë, kjo vrasje ishte vetëm një zgjatje e modelit të shtypjes së pamëshirshme të krijuar nga Princi i Kurorës”, theksohet më tej.

Komuniteti ndërkombëtar, princin Mohammed bin Selman, duhet ta kishte qortuar shumë kohë përpara vrasjes së Khashoggit, qëndron në artikull.

“Nëse ishte koha për të dyshuar për natyrën e qeverisjes së Princit të Kurorës, ajo ka mbetur shumë prapa. Raportet për torturat e tmerrshme na kujtojnë se ne ende po paguajmë çmim të madh për shkak të kreditimit që kemi bërë në vendet e gabuara. Edhe pse shumica prej nesh nuk do të mund të shohin brenda një burg saudit, rreziku i një Muhammed bin Selman i cili nuk është penduar është një kërcënim global. Përderisa Princi i Kurorës beson se nuk paguan një çmim domethënës për pamëshirshmërinë e tij, ne mund të presim më shumë gjakderdhje në Arabinë Saudite, Jemen dhe vende të tjera”, thuhet ndër të tjera. aa

Dimri në Salekhardin rus ku akulli qëndron 200 ditë në vit

SALEKHARD – Në qytetin rus Salekhard, kryeqytet i qarkut autonom Jamalo-Neneckog, këto ditë temperaturat kanë rënë në minus 25 gradë celsius dhe tërë qyteti është nën akull.

Fotoreporteri i AA-së solli detaje shumë interesante që tregojnë një dimër të ashpër në këtë qytet që gjendet 2.436 kilometra në veri të Moskës, por në të cilin qytetarët ende vazhdojnë të jetojnë, ndërsa fabrikat punojnë pa ndonjë problem të madh.

Salekhard është qyteti i vetëm në rrethin polar, ndërsa në këtë zonë bora dhe akulli qëndrojnë rreth 200 ditë në vit.

Në dhjetor të vitit 1978 u regjistruan temperatura rekord të ulta prej madje minus 53 gradë celsius.

Peshkimi është dega e vetme e biznesit lokal në qytetin, ku momentalisht jetojnë rreth 48.300 banorë.

Vendet anëtare të OKB-së miratojnë marrëveshjen globale të emigracionit

MARRAKESH – Ministri maroken i Punëve të Jashtme, Nasser Bourita, ka bërë të ditur se vendet anëtare të OKB-së miratuan një marrëveshje mbi emigrimin global.

“Paketa globale për emigracionin e sigurtë, të organizuar dhe të rregullt (GCM)” u miratua gjatë një konference dy-ditore të Kombeve të Bashkuara (OKB) në qytetin maroken Marrakesh, ku morën pjesë udhëheqësit botërorë dhe zyrtarë të lartë, përfshirë edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

“Pakti u miratua me shumicën e votave dhe pa kundërshtim nga asnjë vend”, tha Bourita në një konferencë për media.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se marrëveshja do të jetë një udhërrëfyes për të adresuar problemet me të cilat përballen emigrantët. Pjesëmarrësve në konferencë, ai u tha se ky moment është produkti frymëzues i përpjekjeve të përkushtuara dhe të përpikta.

“Emigrimi ka qenë gjithmonë me ne. Por, në një botë ku është gjithnjë e pashmangshme dhe e nevojshme, duhet të menaxhohet mirë dhe të jetë i sigurt, jo i parregullt dhe jo i rrezikshëm”, tha Guteres.

Duke theksuar se politikat kombëtare kanë më shumë mundësi për sukses me bashkëpunimin ndërkombëtar, Guterres paralajmëroi për numrin e madh të vdekjeve të migrimit të parregullt, i cili që nga viti 2000 arrin në 60 mijë të vdekur.

Shumë vende pjesëmarrëse në konferencën e OKB-së kanë refuzuar të nënshkruajnë kartën jo-detyruese, veçanërisht Austria, Polonia, Republika Çeke, Estonia, Bullgaria, Kroacia, SHBA-të, Hungaria, Australia dhe Izraeli.

Kompakti global përfshin një sërë parimesh, duke përfshirë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të drejtat e fëmijëve, njohjen e sovranitetit kombëtar, një indeks për të ndihmuar vendet në trajtimin e emigracionit, si dhe masat për të përmirësuar integrimin e emigrantëve dhe shkëmbimin e përvojave. aa

Londër, britanikët ndryshojnë qëndrimin për Brexit

Pjesa më e madhe e britanikëve mendojnë tashmë se vendi duhet të qëndrojë në BE, sipas një sondazhi të ri të publikuar disa ditë përpara se parlamenti të votojë për marrëveshjen Brexit mes Londrës dhe unionit, sipas gazetës ”Independent”.

”Sondazhi tregon se 52% e qytetarëve do të votonin për qëndrimin e vendit të tyre në BE”, sipas institutit kërkimor, BMG.

”Kjo mbështetje është rritur muaj pas muaji që nga vera e kaluar për të kaluar nivelin prej mbi 50% në dhjetor, kur u pa edhe realiteti kompleks i Brexit”, thekson BMG.

Po kështu, nga ky sondazh doli se qytetarët mbështesin deputetët që do të votojnë kundër marrëveshjes në parlament.

Vogëlushja siriane kthehet me këmbët protezë në vendin e saj

HATAY – Vogëlushja 8 vjeçare siriane Maya Meri, e cila ishte sjellë në Turqi për trajtim derisa përpiqej ta kalojë jetën në një kamp në Idlib të Sirisë me një mjet të improvizuar të bërë nga babai i saj nga tubi dhe një kanaçe konserve, është kthyer në vendin e saj me këmbët protezë të vendosura në Turqi.

Përpjekja për mbijetesë e sirianes 8 vjeçare Maya, e cila jetonte në kampin Ser Ceble në Idlib që kishte ikur nga sulmet e regjimit të Bashar al Asadit, ishte vërejtur nga gazetarët e AA-së në rajon. Për shkak të një problemi gjatë lindjes, këmbët e saj janë prerë nën gjunj. Jeta e Maya-s, e cila përpiqej të ecte me një mjet të bërë me kanaçe të konservës nga babai i saj, i cili poashtu është me aftësi të kufizuara, ndryshoi pas lajmit të AA-së.

Pas këtij lajmi ka vepruar kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Kerem Kınık, i cili mundësoi sjelljen e Maya Merit dhe babait të saj në Turqi. Eksperti për protezë, Mehmet Zeki Çulcu, vullnetar i Gjysmëhënës së Kuqe turke, i bëri protezat e Maya-s, e cila pas trajtimit 3 mujor së bashku me babain e saj, në koordinim të Gjysmëhënës së Kuqe turke u kthyen në vendin e tyre.

Maya dhe babai i saj të cilët kaluan në Siri në kalimin kufitar Cilvegozu në qarkun Reyhanli të qytetit Hatay në Turqi, përjetuan një gëzim të madh.

Vogëlushja 8 vjeçare siriane Maya Meri, e cila ishte sjellë në Turqi për trajtim derisa përpiqej ta kalojë jetën në një kamp në Idlib të Sirisë me një mjet të improvizuar të bërë nga babai i saj nga tubi dhe një kanaçe konserve, është kthyer në vendin e saj me këmbët protezë të vendosura në Turqi. Përpjekja për mbijetesë e sirianes 8 vjeçare Maya, e cila jetonte në kampin Ser Ceble në Idlib që kishte ikur nga sulmet e regjimit të Bashar al Asadit, ishte vërejtur nga gazetarët e AA-së në rajon. Për shkak të një problemi gjatë lindjes, këmbët e saj janë prerë nën gjunj. Jeta e Maya-s, e cila përpiqej të ecte me një mjet të bërë me kanaçe të konservës nga babai i saj, i cili poashtu është me aftësi të kufizuara, ndryshoi pas lajmit të AA-së. ( Cem Genco – Anadolu Agency )

Koordinatori për terrenin në Siri të Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Kadir Akgündüz në deklaratën për AA tha se në ekzaminimet e bëra në rajon janë informuar për gjendjen e Mayas dhe se pas kësaj kanë filluar punimet që t’i ndihmojnë asaj.

“Për 3 muaj vazhdoi trajtimi për protezë. Si rezultat i kësaj, Maya tani filloi të ecë me protezat e saj. Me siguri që ishte një periudhë e vështirë, por ne si Gjysmëhënë e Kuqe ofruam çdo lloj të mbështetjes. Tani Maya po kthehet përsëri në shtëpinë e saj dhe mund të shkojë në shkollë duke ecur”, tha Akgündüz.

Ai tha se do të vazhdojnë të ndjekin trajtimin e Mayas. Akgündüz thotë se me rritjen e saj, Mayas do t’i nevojiten edhe protezat e reja dhe se Gjysmëhëna e Kuqe do të kujdeset për të gjatë këtij procesi.

Akgündüz bën të ditur se edhe babai i Mayas tanimë ka proteza, por për shkak të sëmundjes së diabetit po vazhdon procesi për fillimin e përdorimit të tyre. Ai shtoi se janë në ndjekje të edhe këtij procesi.

“Do të kemi mundësi ta dërgojmë Maya-n në shkollë duke ecur”

Edhe babai i Maya-s, Muhammed Ali Meri tha se edhe ai kujdeset nga afër me trajtimin e vajzës dhe vetes, duke shtuar se tanimë kanë këmbë proteza. “Trajtimi ka përfunduar dhe falënderimi i qoftë Zotit që tani po kthehemi në shtëpi. Tanimë do të kemi mundësi ta dërgojmë Maya-n në shkollë duke ecur. Nëna e saj po na pret me padurim, tani do t’u bashkohemi atyre”, tha ai.

Imazhi i Putinit dhe i Rusisë “vuajnë ndërkombëtarisht”

Imazhi i Rusisë dhe i presidentit të saj, Vladimir Putin, po vuajnë ndërkombëtarisht, thuhet në një studim që publikoi Qendra amerikane e Kërkimeve Pew.

Sondazhi në 25 vende gjeti se Rusia “luan një rol më të rëndësishëm në çështjet ndërkombëtare sesa një dekadë më parë”, porse kjo “nuk do të thotë se ajo pëlqehet”.

“Putini dhe shteti rus janë kryesisht negativ”, thuhet në studim.

Sipas të njëjtit, një mesatare prej 34% e të anketuarve shprehin pikëpamje të favorshme për Rusinë, ndërsa 26% besojnë se Putini bën gjënë e duhur në çështjet botërore.

Në vetëm katër vende: Filipine, Tunizi, Kore të Jugut dhe Greqi, së paku gjysma e të anketuarve kanë pikëpamje pozitive për Rusinë.

Për dallim, shumica në Amerikën e Veriut dhe pjesën më të madhe të Evropës e shohin Rusinë në një dritë negative.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit janë të tensionuara prejse Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Perëndimi e kritikon Moskën edhe për ndërhyrjen ushtarake në luftën e Sirisë, ndërsa e akuzon për ndërhyrje në zgjedhjet e disa vendeve.

Rusia e quan “shqetësuese” situatën në Kosovë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se situata në Ballkan, veçanërisht në Kosovë “është shqetësuese” si dhe ka dënuar rolin “destabilizues” të BE-së dhe NATO, njofton agjensia BETA.

“Ne shohim sesi BE-ja dhe NATO-ja po rrisin përpjekjet që ta “gëlltisin” rajonin duke i vënë vendet para dilemës së rrejshme: ose me Moskën ose me Uashingtonin dhe Brukselin” ka thënë Lavrov.

Ai theksoi se vendi kryesor për destabilizim mbetet Kosova, pikërisht për shkak të përpjekjeve të autoriteteve të Prishtinës për të formuar ushtrinë.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërkaq plani nuk po gjen mbështetje te vendet tjera anëtare të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, iu bëri thirrje autoriteteve në Prishtinë, të mos vazhdojnë me këtë plan, pasi mund të përballen me pasoja.

Kina i kërkon Kanadasë lirimin e shefes financiare të Huaweit

Meng Wanzhou.

Kina i ka kërkuar Kanadasë të lirojë shefen financiare të gjigantit teknologjik kinez, Huawei, Meng Wanzhou, që është arrestuar dje dhe përballet me ekstradim në Shtetet e Bashkuara, pas supozimeve se ajo ka tentuar të anashkalojë sanksionet amerikane në Iran.

Disa ekspertë kanë thënë se arrestimi i Wanzhousë, shefe financiare në Huawei mund të rrisë tensionet në mes të Pekinit dhe Uashingtonit, të cilat kanë nisur fillimisht për shkak të tarifave tregtare në mallrat e njëra-tjetrës.

Meng është pjesë e bordit të Huaweit dhe vajza e Ren Zhengfei, i cili ka qenë ish inxhinier i ushtrisë kineze.

Huawei është furnizuesi më i madh në botë i pajisjeve të përdorura për telefona të mençur dhe kompani të internetit.

Zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë akuzuar Wanzhoun se ka qenë në qendër të spiunimit të ushtrisë kineze dhe shërbimeve të sigurisë.

Uashingtoni ka rivendosur sanksione ndaj Teheranit në maj të këtij viti, pasi Shtetet e Bashkuara në muajin maj janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore që ka nënshkruar Irani me fuqitë botërore më 2015.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton i ka thënë radios NPR se ai ka pasur njohuri për arrestimin e Mengut paraprakisht, mirëpo nuk ka komentuar detajet e këtij rasti.

SHBA do të dërgojë luftanije në Detin e Zi?!

Anije luftarake ruse në Detin e Zi.

Rrjeti televiziv CNN raportoi se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të dërgojnë anije luftarake në Detin e Zi.

CNN raportoi se zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë kërkuar nga Departamenti i Shtetit të njoftojë Turqinë me planin që luftanija të kalojë nëpër ngushticat e Bosforit dhe të Dardaneleve, që ndajnë Stambollin dhe lidhin Mesdheun me Detin e Zi.

CNN citoi si burim për raportin tre zyrtarë amerikanë, të cilën nuk deshën të identifikoheshin.

Një traktat i vjetër me dekada, kërkon që të gjitha vendet që nuk kanë dalje në Detin e Zi, ta njoftojnë Turqinë 15 ditë më herët për kalimin e luftanijeve të tyre nëpër ujëra.

Dy nga zyrtarët e paidentifikuar i thanë CNN-it se plani nuk është finalizuar ende.

Në anën tjetër, komandanti Kyle Raines, zëdhënës i Flotës së Gjashtë të SHBA-së, tha për CNN-in se forcat amerikane kryejnë vazhimisht operacione për të avancuar sigurinë dhe stabilitetin përgjatë zonës së flotës së 6-të amerikane, që përfshin ujërat ndërkombëtarë dhe hapësirën ajrore të Detit të Zi.

“Ne rezervojmë të drejtën për të vepruar lirshëm në përputhje me ligjet dhe normat ndërkombëtare”, tha Raines.

NATO, që përfshin disa shtete anëtare të Detit të Zi dhe Shtetet e Bashkuara, ka dërguar vazhdimisht anije luftarake për të patrulluar në Detin e Zi, pavarësisht shqetësimeve të Rusisë.

Pas luftës pesëditëshe të Rusisë dhe Gjeorgjisë në vitin 2008, Uashingtoni ka ankoruar një luftanije për Flotën e Gjashtë amerikane jashtë brigjeve të Gjeorgjisë, në shenjë mbështetjeje për vendin.

Avionët dhe dronët mbikëqyrës të SHBA-së rregullisht fluturojnë mbi pjesën ruse të Detit të Zi, si dhe mbi Krime – gadishullin ukrainas që Moska ka aneksuar në vitin 2014. Avionët rusë vazhdimisht i kanë konfrontuar avionët mbikëqyrës.

Plani i raportuar i Shteteve të Bashkuara vjen në kohën e tensioneve të larta midis Kievit dhe Moskës, rreth një konfrontimi detar që ka ndodhur më 25 nëntor.

Rusia ka hapur zjarr ndaj anijeve detare të Ukrainës që kanë bërë përpjekje të kalojnë nën një një urë në Ngushticën Kërç, që lidh Rusinë me Krimenë.

Rusia ka kapur tri anije dhe 24 marinarë ukrainas, të cilët i ka akuzuar për kalimin ilegal të kufirit.

Veprimet ruse e kanë kufizuar qasjen e anijeve të Ukrainës në Detin e Azov dhe në portin tregtar, Mariupol.

Përgatiti: Valona Tela