Shefi i kabinetit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se thirrja e presidentit Hashim Thaçi për heqjen e reciprocitetit, është thirrje që vendi të vendoset në raporte inferioriteti karshi Serbisë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se nga reagimi i të dërguarit të presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kuptohet se kjo do të bëhet në shërbim të një dialogu të ri me Serbinë.

“Presidenti i Republikës paska bërë thirrje publike në Twitter që shteti ynë duhet ta largojë reciprocitetin si parim në marrëdhëniet me Serbinë. Pra, le ta kuptojmë mirë: Presidenti i Republikës bën thirrje që shteti të vendoset në raporte inferioriteti karshi Serbisë. Vendi ynë ka raporte të barabarta me të gjitha shtetet e rajonit, por sipas tij ne nuk duhet të jemi të barabartë në raport me Serbinë. Për më tepër, nga reagimi i Grenell kuptohet se kjo bëhet në shërbim të një dialogu të ri me Serbinë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, “në vend që Thaçi ta forcojë pozicionin negociues karshi Serbisë para çfarëdo dialogu, ai e saboton pozicionin e Republikës së Kosovës duke bërë thirrje për diçka që është e padiskutueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare: parimi i reciprocitetit”.

Ai ka thënë se aventurat e tij nuk do të realizohen.

Sipas tij, nga kjo mund ta paramendohet se cilat janë lëshimet që Thaçi ka në plan t’ia bëj Serbisë, në kurriz të Republikës së Kosovës.

“Por, duhet ta kemi parasysh që aventurat e tij nuk mund të realizohen. Së pari, është shkelje kushtetuese nëse mandatari i ofrohet cilitdo subjekt tjetër politik. Sipas interpretimit të bërë nga Kushtetuesja dhe sipas praktikave të mëhershme, vendi duhet të shkojë në zgjedhje, sapo të dalim nga pandemia. Edhe në rrafshin politik zgjedhjet janë të domosdoshme pas ndërrimit radikal të qëndrimeve që e bëri LDK-ja nga koha e zgjedhjeve e deri më sot. Së dyti dhe më e rëndësishmja, qytetarët e vendit nëpërmjet protestës ‘Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu’, e cila ishte më e madhja që nga pavarësia e Kosovës, kanë treguar që do t’i kundërshtojnë aventurat e Thaçit”, ka thënë ai. bw