VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

SHBA: Një forcë e re kundër ISIS-it vendoset në Irak

By | December 1, 2015

Komentet

Vendimi: administrata Trump shkeli ligjin duke bllokuar ndihmën për Ukrainën

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkelur ligjin vitin e kaluar, duke penguar përkohësisht 391 milionë dollarë ndihmë ushtarake të miratuar nga Kongresi për Ukrainën, ndërsa i bënte presion Kievit të niste hetimet për të përfituar politikisht. Në këtë përfundim ka dalë të enjten një agjenci mbikëqyrëse e veprimtarisë së qeverisë federale, një vendim që përbën thelbin e procesit që synon shkarkimin presidentit amerikan.

Zoti Trump e liroi ndihmën që Ukraina do ta përdorte për të mbështetur përpjekjet e saj kundër separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të vendit në muajin shtator, pasi e bllokoi atë për 55 ditë edhe pse Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy nuk nisi hetime ndaj ish-Nënpresidentin Joe Biden dhe djalit të tij Hunter Biden. Joe Biden është një nga kundërshtarët kryesorë të zotit Trump për zgjedhjet e 2020-s.

Pas një hetimi të kryer nga zyra e Kongresit për Kontrollin e Veprimtarisë së Qeverisë Federale ajo doli në përfundimin se “zbatimi me besnikëri i ligjit nuk e lejon presidentin të zëvendësojë përparësitë e politikave të tij me ato që ka miratuar Kongresi”. Aty thuhej se Agjencia e Buxhetit e kontrolluar nga zoti Trump kishte bllokuar lëshimin e parave “për arsye politikash”, gjë që nuk është e lejueshme sipas ligjit amerikan.

Vendimi i agjencisë amerikane u njoftua më pak se dy orë përpara fillimit zyrtarisht të procesit të gjykimit në Senat të Presidentit Trump. Zoti Trump akuzohet për abuzim me detyrën për shkak të përpjekjes së dyshuar për të nxitur zotin Zelenskiy të nisë hetimet ndaj zotit Biden dhe djalit të tij ndërsa mbante të bllokuar ndihmën ushtarake si dhe për pengim të hetimeve që po kryente Kongresi mbi këtë çështje.

Në kushtet kur republikanët kanë shumicën në Senat, 53 vende nga 100 gjithsej, është pothuajse e sigurt se ai do të lirohet nga akuzat. Shkarkimi i presidentit kërkon një shumicë prej dy të tretash të anëtarëve të Senatit.

Disa republikanë e kanë kritikuar kërkesën e zotit Trump për të hetuar zotin Biden, por asnjë prej tyre nuk ka kërkuar largimin e tij nga detyra ndërsa ka mbetur më pak se një vit nga gara e radhës presidenciale. zëri i amerikës

Parnas: Presidenti ishte në dijeni të lëvizjeve të Giulianit

Lev Parnas

Lev Parnas, bashkëpunëtori i akuzuar i avokatit personal të Presidentit Trump, i cili u përpoq të bindë Ukrainën që të hetonte ish-nënpresidentin Joe Biden, tha se Presidenti ishte në dijeni të aktiviteteve të avokatit të tij personal Rudy Giuliani në Ukrainë.

Presidenti Trump e ka mohuar se e dërgoi avokatin personal Rudi Giuliani në Ukrainë për të kërkuar fakte diskredituese për zotin Biden, rivalin e tij në zgjedhjet presidenciale të 2020-s.

Por Lev Parnas i tha rrjetit televiziv MSNBC se Presidenti Trump ishte në dijeni të të gjitha lëvizjeve të tij. “Unë nuk do të bëja asgjë pa pëlqimin e Rudy Giulianit ose të presidentit,” tha ai.

Parnas tha gjithashtu se ai kishte shkuar në terren pikërisht për të bërë punën e tyre.

Parnas, biznesmen me origjinë ruse dhe Igor Fruman, një bashkëpunëtor tjetër i zotit Giuliani, janë akuzuar për kontribute të paligjshme ndaj fushatës së kandidatit Trump në zgjedhjet e 2016. Që dy kanë deklaruar se nuk janë fajtorë.

Parnas i tha rrjetit MSNBC se udhëheqësit e Ukrainës nuk kishin asnjë arsye të takoheshin me të. “Por ishin ata, njerëzit e Presidentit Trump, që u thanë të takoheshin me mua. Dhe ky është sekreti që ata përpiqen të fshehin,” tha Lev Parnas.

Ai shtoi se interesi i Presidentit Trump për Ukrainën nuk ishte aspak çrrënjosja e korrupsionit qeveritar. Gjithçka ishte “për Joe Bidenin dhe të birin, Hunter Biden”.

I pyetur për pohimet e Presidentit Trump se nuk e njeh atë, Lev Parnas tha: “Ai gënjen” dhe shtoi se ai ishte me avokatin Giuliani katër ose pesë ditë në javë në Ukrainë, kohë gjatë së cilës Presidenti Trump ishte në kontakt të vazhdueshëm me avokatin. zëri i amerikës

Dhoma e Përfaqësuesve dhe dërgimi në Senat i akuzave për shkarkimin e Presidentit

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të mërkurën për të dërguar në Senat akuzat për shkarkimin e Presidentit Trump, duke lejuar fillimin e gjykimit të presidentit.

Kjo është hera e tretë në histori që në Senat zhvillohet gjyqi për shkarkimin e një presidenti.

Në një mbledhje me dyer të mbyllura të martën me ligjvënësit demokratë, zonja Pelosi bëri të ditur planin e saj për të emëruar të mërkurën ekipin e ligjvënësve që do të luajnë rolin e prokurorit në gjyqin që zhvillohet në Senat.

Procesi gjyqësor drejtohet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, ndërsa senatorët janë në rolin e anëtarëve të jurisë që ka në dorë të shpallë presidentin të fajshëm ose jo, për akuzat e ngritura nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Republikanët, që kanë shumicën në Senat, i kanë kundërshtuar akuzat kundër presidentit Trumë dhe nuk pritet që ai të shpallet fajtor. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Pelosi, priti gati katër javë për të dërguar akuzat në Senat, gjë për të cilëmn ajo është kritikaur nga republikanët. Zonja Pelosi thotë se ajo kërkonte të dinte më shumë hollësi rreth mënuyrës së si do ta zhvillonin procesin gjyqësor republikanët, duke i akuzauar ata për bashkëpunim me presidentin për ta shpallur atë të pafajshëm.

Dy presidentët e tjerë në të kaluarën që i janë nënshtruar gjyqit në Senat, janë Bill Klinton në vitin 1999 dhe Andrew Johnson 1868. zëri i amerikës

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi rezolutën që kufizon veprimet ushtarake kundër Iranit

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë më të cilën i kërkohet presidentit Donald Trump të marrë miratimin e Kongresit për veprimet ushtarake ndaj Iranit. Në favor të rezolutës ishin 224, ndërsa kundër votuan 194 ligjvënës.

Në një deklaratë të mëhershme, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kritikoi administratën e presidentit Trump për kryerjen e sulmit ajror javën e kaluar që vrau komandantin e forcave iraniane Quds, Qassem Soleimani, pa u këshilluar me Kongresin.

Ajo e quajti sulmin ajror një veprim “provokues dhe jo proporcional” që rrezikonte trupat dhe diplomatët amerikanë.

Rezoluta kërkon që presidenti të ndalojë përdorimin e forcave amerikane kundër Iranit derisa Kongresi nuk ka shpallur luftë ose nuk ka dhënë miratim ligjor, apo derisa një veprim i tillë ushtarak është i nevojshëm për t’u mbrojtur kundër një sulmi të menjëhershëm kundër Shteteve të Bashkuara, territoreve të saj apo forcave të armatosura.

“Administrata duhet të punojë me Kongresin për të çuar përpara një strategji të menjëhershme, efektive shtendosjeje që parandalon dhunën e mëtejshme,” tha zonja Pelosi. “Amerika dhe bota nuk mund t’i lejojnë vetes një luftë”, shtoi ajo.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, e cilësoi rezolutën e së enjtes “të gabuar” dhe “qesharake”.

Rezoluta nuk është detyruese, ndërsa vështirë që do të sigurojë votat e mjaftueshme në Senatin e kontrolluar nga republikanët. zëri i amerikës

Yuri Kim bën betimin për detyrën e ambasadores së SHBA në Shqipëri

Yuri Kim bëri të enjten betimin si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Zonja Kim, u emërua nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti. Ajo ka thënë se do të nxisë udhëheqësit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Zonja Kim ka thënë gjithashtu se do të inkurajojë Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformat në drejtësi. Ajo është shprehur se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.

onja Kim pritet gjithashtu të inkurajojë Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.

Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake. zëri i amerikës

Presidenti Trump paralajmëron sanksione të reja kundër Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të vendosë sanksione më të fuqishme ekonomike ndaj Iranit, pas sulmit iranian me raketa kundër dy bazave ushtarake në Irak që strehojnë trupa amerikane. Në fjalimin përpara vendit që mbajti të mërkurën, ai njoftoi gjithashtu se asnjë amerikan nuk u dëmtua në sulmin e mbrëmshëm.

“Të gjithë ushtarët tanë janë të sigurt dhe në bazën tonë ushtarake pati vetëm dëme minimale,” tha ai.

Pas sulmit me raketa, tha Presidenti Trump, “Irani duket se është tërhequr, gjë që është diçka e mirë për të gjitha palët e interesuara dhe një gjë shumë e mirë për botën.” “Asnjë jetë amerikane ose irakiane nuk humbi për shkak të masave paraprake të shpërndarjes së forcave dhe të një sistemi paralajmërimi të hershëm që funksionoi shumë mirë.”

Vendet e botës, tha Presidenti Trump, “e kanë toleruar gjatë sjelljen shkatërruese dhe destabilizuese të Iranit në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Por ato ditë kanë marrë fund.”

Irani, tha ai, ka qenë sponsori kryesor i terrorizmit dhe synimi i tyre për të patur armë bërthamore kërcënon botën e civilizuar. “Përsa kohë që unë të jerm president, Irani nuk do të lejohet të ketë armë bërthamore,” deklaroi Presidenti Trump.

Javën e kaluar, tha ai, ushtria e Shteteve të Bashkuara eliminoi “terroristin më të madh në botë”, Kasem Soleimani.

Solejmani, tha Presidenti Trump, ishte personalisht përgjegjës për disa prej mizorive më të rënda. “Ai trajnoi ushtri terroriste, përfshirë Hezbollahun, nxiti luftëra të përgjakshme civile, në të gjithë rajonin. Ai plagosi dhe vrau mijëra trupa amerikane. Duke eliminuar soleimanin ne i kemi dërguar një mesazh të fuqishëm për terroristët,” tha Presidenti.

Ai tha se SHBA vazhdojnë të shqyrtojnë opsionet në përgjigje të sulmit iranian. Ne, tha ai “do të vendosim menjëherë sanksione shtesë ndëshkuese ekonomike ndaj regjimit iranian, të cilat do të qëndrojnë në fuqi derisa Irani të ndryshojë sjelljen e tij.”

Irani, tha Presidenti, “duhet të braktisë ambiciet e tij bërthamore dhe mbështetjen për terrorizmin. Ka ardhur koha që Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina ta njohin këtë realitet.”

Këto vende, tha Presidenti, “tani duhet të shkëputen nga marrëveshja bërthamore me Iranin” dhe “ne të gjithë duhet të punojmë së bashku” për një marrëveshje të re me Iranin.

Ne, tha Presidenti, “gjithashtu duhet të bëjmë një marrëveshje që lejon Iranin të lulëzojë dhe përparojë.”

Presidenti Trump i kërkoi NATO-s “të përfshihet shumë më tepër në procesin e Lindjes së Mesme”.

“Ekonomia jonë, tha ai, është më e fortë se kurrë më parë Tani jemi prodhuesi numër një i naftës dhe gazit natyror kudo në botë. Ne jemi të pavarur. Dhe ne nuk kemi nevojë për naftë të Lindjes së Mesme.”

Ushtria amerikane, tha Presidenti, “është rindërtuar plotësisht nën administrimin tim me një kosto 2.5 trilion dollarë. Forcat e Armatosura të SHBA janë më të forta se kurrë më parë. Raketat tona janë po aq të fuqishme, vdekjeprurëse dhe të shpejta.”

“Në ndërtim e sipër janë shumë raketa hipersonike. Megjithatë, fakti që ne kemi këtë ushtri dhe pajisje të shkëlqyer, nuk do të thotë që duhet t’i përdorim ato. Fuqia amerikane, si ushtarake, ashtu edhe ekonomike është parandaluesi më i mirë,” tha Presidenti Trump.

Tre muaj më parë, tha Presidenti, “na u desh të shkatërrojnë 100 për qind të ISIS-it dhe kalifatin e tij territorial. Ne vramë udhëheqësin e egër të ISIS-it Al-Bagadi, i cili ishte përgjegjës për aq shumë vdekje, përfshirë therjet masive të të krishterëve, myslimanëve dhe të gjithë atyre që ishin pengesë në rrugën e tij. Ai ishte një përbindësh.”

“ISIS-i, tha Presidenti Trump, është një armik natyror i Iranit. Shkatërrimi i ISIS-it është diçka e mirë për Iranin. Dhe ne duhet të punojmë së bashku për këtë dhe përparësi të tjera të përbashkëta.” zëri i amerikës

Kushtetuta e SHBA: Si dhe kush e shpall luftën

Katherine Gypson

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara do të votojë këtë javë mbi legjislacionin që synon parandalimin e një angazhimi të forcave amerikane me ato të Iranit derisa Kongresi të japë miratimin.

Votimi pason vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani me urdhër të Presidenti Donald Trump javën e kaluar, duke përshkallëzuar tensionet në rajon. Shumë demokratë të kongresit kanë shprehur

shqetësimin se kjo mund të çojë në luftë të hapur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Si e shpallin luftën Shtetet e Bashkuara?

Sipas Nenit I të Kushtetutës amerikane, Kongresi ka autoritetin për të shpallur luftë ndërsa neni II i jep Presidentit përgjegjësinë për të qenë komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura. Autorët e Kushtetutës i ndanë qëllimisht këto kompetenca midis degëve të qeverisë amerikane për të parandaluar një lëvizje të pamenduar, të njëanshme drejt luftës.

Gjatë historisë amerikane, degët legjislative dhe ekzekutive janë përplasur rreth interpretimit të këtyre kompetencave siç përcaktohet në Kushtetutë. Këto pyetje u shtuan pas angazhimit të Shteteve të Bashkuara në konfliktet në Kore dhe Vietnam, që u bënë pa shpallje zyrtare të luftës. Hera e fundit që Kongresi miratoi një deklaratë zyrtare të luftës ishte pothuajse 80 vjet më parë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Çfarë thotë Ligji për Luftërat i vitit 1973 për të drejtën për të shpallur luftë?

Në vitin 1973, Kongresi miratoi legjislacionin që përcaktonte më tej rolin e Presidentit në drejtimin e veprimeve ushtarake jashtë vendit pas zbulimit që Presidenti i atëhershëm Richard Nixon kishte urdhëruar operacione të fshehta bombardimi në Kamboxhia. Ligji përcaktonte që presidentët amerikanë kanë 48 orë afat për ta njoftuar Kongresin pas operacioneve të forcave amerikane jashtë vendit, si dhe për të detajuar arsyetimet për ato veprime.

Sipas ligjit, këto masa mbrojtëse sigurojnë që “gjykimi kolektiv i Kongresit dhe i Presidentit do të duhet të zbatohet” për dislokimin e trupave amerikane jashtë shtetit. Ligji, gjithashtu kërkon që presidentët të përfundojnë përfshirjet jashtë shtetit pas 60 ditësh nëse Kongresi nuk miraton shpalljen zyrtare të luftës.

Presidentë nga të dyja partitë kanë kundërshtuar ose ripërcaktuar interpretime të këtij ligji pasi ai u quajt “jokushtetues dhe i rrezikshëm” nga Presidenti Nixon.

Cili është Autorizimi i vitit 2001 për përdorimin e forcës ushtarake, ose AUMF, dhe si lidhet ai me debatin e tanishëm?

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Presidenti George W. Bush i përshkroi ato sulme kundër Shteteve të Bashkuara si “akt lufte”. Presidenti Bush punoi me Kongresin për miratimin e një rezolute që autorizoi gjerësisht veprimet për të luftuar kërcënimin nga terrorizmi ndërkombëtar.

AUMF ka ndezur debate të vazhdueshme pasi Presidentët Bush, Obama dhe Trump kanë përdorur përkufizimet të përgjithshme të legjislacionit në lidhje me kërcënimet terroriste për të justifikuar veprimet ushtarake jashtë vendit. Për dallim nga autorizimet e tjera për konfliktet kundër vendeve ose zonave të veçanta, AUMF lejon veprime kundër organizatave ose individëve.

Përpjekjet në Kongres për të miratuar një ligj të ri të autorizimit për përdorimin e forcës jashtë vendit, i cili trajton natyrën në ndryshim të kërcënimeve terroriste, si dhe përcaktimin më specifik të individëve dhe subjekteve që përbëjnë një kërcënim, kanë dështuar. Ligjvënësit miratuan një ligj të tillë të dytë (AUMF të dytë) në vitin 2002, posaçërisht autorizimin e Shteteve të Bashkuara për të pushtuar Irakun.

Si i interpreton Presidenti Trump këto ligje?

Megjithëse administrata e Presidentit Trump nuk e ka cituar AUMF-in e vitit 2001 si justifikim për sulmin ajror që vrau gjeneral Soleimanin, Nënpresidenti Mike Pence postoi në Twitter një pretendim të pasaktë se gjenerali kishte mbështetur udhëtimin e disa prej rrëmbyesve të 11 shtatorit. Zyra e Nënpresidentit sqaroi më vonë se ai ishte duke iu

referuar Iranit, që ka lejuar disa nga rrëmbyesit të kalonin nëpër vend gjatë rrugëtimit të tyre drejt Afganistanit.

Analistët thonë se presidenti duket se po përdor të drejtën e tij për të autorizuar sulme në bazë të Ligjit mbi Kompetencat e Luftës.

“Përdorimi i autorizuar i forcës ushtarake aktualisht është i lidhur me operacionet tona antiterroriste kundër ISIS-it dhe bashkëpunëtorëve të tyre në rajon. Pra, është e vështirë që kjo të shtrihet edhe për kërcënimin nga Irani dhe njerëzit si Qassem Soleimani”, i tha Zërit të Amerikës Kirsten Fontenrose, drejtore e Nismës Scowcroft për Sigurinë e Lindjes së Mesme në Këshillin Atlantik.

“Administrata ndërmori një përpjekje për të shpallur Qassem Soleimanin terrorist të huaj për t’i dhënë autoritet mbi personin e tij në kuadër të ligjeve mbi luftën kundër terrorizmit. Pra, në mënyrë që administrata të kishte autoritet ta godiste Qassem Soleimani. Ata nuk kishin nevoj të mbështeteshin tek AUMF për sulmin sepse ata mund të mbështeten në Ligjin mbi Kompetencat e Luftës që i jep presidentit autoritet për këtë lloj sulmi”, tha ajo.

Administrata e Presidentit Trump e njoftoi Kongresin për sulmin ajror që vrau Soleimanin të Shtunën, duke cituar informacione e kundërzbulimit për sulme të planifikuar ndaj personelit amerikan.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se njoftimi bazuar në informacione sekrete “ngre më shumë pyetje” për operacionin.

Në një mesazh në Twitter të dielën, Presidenti Trump u duk se po fliste për Ligjin e Luftës, duke thënë, “Këto raportime të mediave do të shërbejnë si njoftim për Kongresin e Shteteve të Bashkuara që nëse Irani godet ndonjë person ose objektiv amerikan, Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjen, dhe mbase në një mënyrë disproporcionale. Një njoftim i tillë ligjor nuk kërkohet, megjithatë ai është dhënë!”

Udhëheqësit e Kongresit nuk kanë folur drejpërdrejt lidhur me pretendimet e Presidentit se njoftimi në mediat sociale është adekuat. Një postim në Twitter nuk do të mund të konsiderohej njoftim zyrtar, sipas Ligjit mbi Kompetencat e Luftës.

Si po përgjigjet Kongresi?

Demokratët e Kongresit kanë shprehur një numër shqetësimesh për vrasjen e Soleimanit, duke filluar nga komunikimet e administratës me degën legjislative në lidhje me sulmin ajror.

“Ne jemi të shqetësuar që administrata ndërmori këtë veprim pa u konsultuar me Kongresin dhe pa respektuar kompetencat e luftës që Kushtetuta ia jep Kongresit,” tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në një letër ku informonte anëtarët për votimin e ardhshëm të Dielën. Ajo tha se rezoluta “përsërit kompetencat mbikëqyrëse të vendosura prej kohësh nga Kongresi, sipas të cilave, nëse nuk ndërmerret ndonjë veprim i mëtutjeshëm nga Kongresi, operacionet ushtarake të administratës me Iranin duhet të pushojnë brenda 30 ditësh.”

Të premten, udhëheqësi i pakicës demokrate në senat, Chuck Schumer vuri në dukje se vrasja e Soleimanit ishte pasojë e mjaftueshme për ta çuar vendin në konflikt të hapur me Iranin.

“Unë mendoj që presidenti nuk ka autoritet për një luftë me Iranin,” tha Schumer gjatë një debati në senat. “Nëse ai planifikon një rritje të madhe të nivelit të trupave dhe armiqësi të mundshme për një kohë më të gjatë, administrata do të duhet të kërkojë miratimin e kongresit dhe të popullit amerikan. Vendimi i presidentit mund të përkeqësojë një situatë tashmë të rrezikshme dhe të vështirë në Lindjen e Mesme. Rreziku i një angazhimi shumë më të gjatë ushtarak në Lindjen e Mesme është akut. Ky veprim mund ta ketë afruar vendin tonë në një luftë tjetër të pafund, saktësisht llojin e një lufte të pa fund nga e cila presidenti ka premtuar se do të na largonte”.

Senatori demokrat Tim Kaine ka prezantuar një rezolutë mbi kompetencat e luftës që do të detyronte një votim në Senat për këtë çështje. Teksti i këtij legjislacioni thekson se administrata Trump nuk e ka pranuar se ligjet mbi kompetencat e luftës, AUMF, të vitit 2001 dhe 2002 nuk i japin autorizim të veçantë ligjor për veprime ushtarake kundër Iranit.

“Çështja nëse forcat e Shteteve të Bashkuara duhet të përfshihen në konflikt të armatosur kundër Iranit duhet të bëhet vetëm pas një njoftimi të plotë për Kongresin dhe publikun amerikan për çështjet në fjalë, një debat publik në Kongres dhe një votim në kongres, siç parashikohet nga Kushtetuta”, thuhet në tekstin e legjislacionit.

Legjislacioni shoqërues që do të hidhet për votim në Dhomën e Përfaqësuesve këtë javë akoma nuk është publikuar, por do të jetë në linja të ngjashme, sipas kryetares Pelosi.

Pushtetet piramidale po na fusin në labirinte politike…! – Nga Skënder MULLIQI

Zyrtarët e lartë partiakë dhe shtetëror, në pa kufi si në kor të përbashkët na i përseritën gjithë ato sllagane vëtem sa për të krijuar disponim publik…

Kurse në anën tjetër punuan më zell duke e ndarë shoqërinë, në miqë dhe armiqë ?! E ndanë shoqërinë në patriotë dhe tradhëtarë, në mercenarë me pagesë e kështu më radhë… Duke krijuar praktikë të “rrenave të grumbulluara”! Folën diçka tjetër dhe vepruan krejt ndryshe në praktikë. Na u paraqitën si të rëndësishëm në kohë të fushatave para opinionit publik,dhe para elektoratit duke krijuar para tyre disponim dhe shkëlqim të rrem , sa për të marrë vota. E kur erdhën në pushtet, nuk bën asgjë për popullin dhe as për shtetin e Kosovës. Edhe sot, e kësaj dite, po vazhdojnë të na krypin më rrena, dhe të simulojnë bukur në debate publike…

Nuk i lan kurrë kampanjat, nuk i lanë asnjëherë zënkat, prodhimin e krizave politike, prodhimin e krizave edhe institucionale… Gjitha këto vetëm sa për ta zhvendosur vëmendjën nga problemet e shumta të grubulluara, dhe për ta kullotë pushtetin të cilën e lidhën më të mira materjale. Natyrisht vunë kontroll të rreptë në të gjitha sistemet e jetës, për të mbetur të paprekshem nga ligji. Na dëshpruan dhe na mashtruan keq.Krijuan pushtet piramidal! Shkaqët për ti bojkotuar çdo zgjedhje te ardhshme , ekzistojnë, së në vazhdimësi, dhe në menyrë të pashembullt na diskriminuan këta oponent politikë më përkrahësit e tyre.Fatkeqësisht faktët po grumbullohen edhe më shumë pas gjithë kësaj çka po shohim që tre muaj, nga partnerët e koalicionit LVV dhe LDK!

Këto pushtete të sistemit piramidal na futën në labirinte politike , dhe na treguan të gjithëve së nuk janë të fjalës , të besës dhe së nuk janë as për shtet dhe për komb!Janë aty për ti ruajtë privilegjet që po ju sjellin postet pushtetare.Po i dëshprojmë miqët , dhe po ua bëjmë shumë qejfin armiqëve…!Aferim ju qoftë o burra, me ju thene…!

Bolton: Jam i gatshëm të dëshmoj

Ish Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton tha të hënën se ai është i gatshëm të dëshmojë në gjyqin që synon shkarkimin e Presidentit Donald Trump, nëse Senati ia kërkon këtë gjë.

Një dëshmi e zotit Bolton në Senat do t’u jepte demokratëve një element kyç në lidhje me përpjekjet e Presidentit Trump për të bindur Ukrainën të ndërmerrte hetime, nga të cilat ai mund të përfitonte politikisht.

Zoti Bolton, një mbështetës i fortë i fuqisë amerikane në të gjithë globin, ishte për 17 muaj rresht këshilltar i sigurisë kombëtare të Presidentit Trump deri sa ai e shkarkoi shtatorin e kaluar në një klimë mosmarrëveshjesh për politikat e SHBA ndaj Iranit, Koresë së Veriut dhe Afganistanit.

Në prag të votimit të Dhomës së Përfaqësuesve muajin e kaluar mbi ngritjen e akuzave për shkarkimin e zotit Trump, hetuesit vendosën që të mos e kërkonin paraqitjen e zotit Bolton. Ata shqetësoheshin se kjo mund të çonte në një betejë të gjatë ligjore në gjykatat amerikane për çështjen nëse ai do të duhej të dëshmonte apo do t’i përmbahej udhëzimit të Presidentit, i cili ua kishte ndaluar ndihmësve kryesorë të paraqiteshin. Disa prej ndihmësve iu përmbajtën udhëzimit, të tjerë jo.

Por ndërsa gjyqi i zotit Trump në Senat po afron, edhe pse asnjë datë nuk është vendosur, zoti Bolton tha në një deklaratë se atij i takon të “zgjidhë çështjet serioze të shtruara, sa më mirë që të jetë e mundur për të, bazuar në një shqyrtim të kujdesshëm dhe të studiuar.”

Ai tha: “Kam arritur në përfundimin se, nëse Senati kërkon dëshminë time, jam i gatshëm të dëshmoj”.

Zoti Bolton ishte në qendër të debateve të rëndësishme për politikën e jashtme të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë përpjekjet e zotit Trump për të bindur Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy që të hapte hetime rreth njërit prej sfiduesve të tij kryesorë demokratë në zgjedhjet e 2020-s, ish-nënpresidentit Joe Biden, djalit të tij Hunter dhe një teorie konspiracioni, tashmë të diskredituar, sipas së cilës Ukraina u përpoq të minonte fushatën zgjedhore të kandidatit Trump në vitin 2016.

Në një moment gjatë hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve, avokati i zotit Bolton tha se klienti i tij ka “njohuri personale” rreth takimeve dhe bisedave që lidhen me Ukrainën “të cilat ende nuk janë diskutuar në dëshmitë e deritanishme”. zëri i amerikës

SHBA akuzon Rusinë dhe Kinën

Shtetet e Bashkuara akuzuan të hënën Rusinë dhe Kinën për bllokimin e një deklarate në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që nënvizonte paprekshmërinë e objekteve diplomatike dhe konsullore.

Deklarata erdhi pas një sulmi kundër ambasadës amerikane në Bagdad më 31 dhjetor.

Deklarata të tilla Këshillit të Sigurimit, i cili ka 15 anëtarë, miratohen vetëm me konsensus.

Misioni amerikan në Kombet e Bashkuara tha se 27 vende u shprehën ashpër kundër sulmit ndaj ambasadës amerikane në Bagdad, në kontrast me heshtjen e Këshillit të Sigurimit për shkak të dy anëtarëve të përhershëm – Rusisë dhe Kinës, që nuk e lejuan miratimin e deklaratës. zëri i amerikës

Presidenti Trump paralajmëron Iranin

Turma masive u mblodhën të hënën në Teheran për të nderuar gjeneralin e lartë Qassem Soleimani, ndërsa personi që do ta zëvendësojë atë premtoi se do të hakmerrej për goditjen ajrore që shkaktoi vdekjen e tij dhe Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se do të godiste objektet kulurore iraniane, nëse Irani hakmerret.

Presidenti Trump foli me gazetarët në avionin presidencial të dielën vonë.

“Ata lejohen të përdorin bomba në anë të rrugës për të vrarë njerëzit tanë dhe ne nuk lejohemi të prekim objektet kulturore? Nuk funksionon kështu”, tha ai.

Sipas konventave të Gjenevës që përcaktojnë kufizimet ligjore për luftë, sulmi ndaj objekteve kulturore të një vendi tjetër është një krim lufte. Por Sekretari amerikan i Shetit, Mike Pompeo, i cili nuk e kritikoi komentin në Twitter të Presidentit Trump tha për ABC-në se:

“Ne (SHBA) do të veprojmë sipas ligjit e brenda sistemit. Çdo objektiv që godasim do të jetë një objektiv i ligjshëm dhe veprimet do të hartohet me një mision të vetëm, atë të mbrojtjes së popullit Amerikan”.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha në një letër për kolegët e saj demokratë se Dhoma do të votojë këtë javë për një rezolutë për kompetencat e luftës “për të kufizuar veprimet ushtarake të Presidentit lidhur me Iranin”.

“Ajo rikonfirmon përgjegjësitë mbikqyrëse të Kongresit, duke përcaktuar se nëse nuk ndërmerren hapa të tjera, veprimet ushtarake të administratës ndaj Iranit do të ndalen brenda 30 ditësh”, shkruante zonja Pelosi.

Ajo e quajti goditjen ajrore të javës së kaluar “provokuese dhe disproporcionale” dhe tha se vinte në rrezik trupat amerikane dhe përshkallëzonte tensionet me Iranin.

Zoti Pompeo tha se goditja erdhi në momentin e duhur.

“Nuk kishte asnjë mosbesim mes udhëheqësve të lartë që kishin qasje tek të gjitha informacionet e zbulimit. Vlerësimi i tyre, bënte të qartë se ishte shumë më e rrezikshme të lejohej Soleimani të vazhdonte komplotet e tij, fushatën e tij të terrorit, sesa të ndërmerrnim veprimin që morëm javën e kaluar”.

Republikanët e mbrojtën vendimin e zotit Trump.

Udhëheqësi suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei ka berë të ditur se “hakmarrja e Teheranit do të jetë e ashpër”. Këshilltari i tij i lartë ushtarak, gjeneral brigade Hossein Dehghan tha për rrjetin CNN se “me siguri përgjigja do të jetë ushtarake dhe kundër objekteve ushtarake”.

Irani po mban tri ditë zie para varrimit të Soleimanit të martën. zëri i amerikës

Presidenti Trump kërcënon Irakun me sanksione nëse dëbohen forcat amerikane

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të largohen nga Iraku, përderisa nuk shpaguhen për një bazë ajrore të ndërtuar atje.

Ai i bëri këto komente duke reaguar ndaj rezolutës së miratuar nga parlamenti irakian, i cili i kërkoi të dielën qeverisë të largojë 5 mijë e 200 trupat amerikane që ndodhen aty.

Presidenti Trump u tha gazetarëve në avionin presidencial të dielën se Shtetet e Bashkuara kanë një bazë ajrore “jashtëzakonisht të shtrenjte” që kushton miliarda dollarë.

“Ne nuk largohemi derisa ata nuk paguajnë”, tha ai duke kërcënuar me sanksione “çfarë nuk i kanë parë kurrë më parë”, nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të largohen “miqësisht” nga Iraku.

Shtetet e Bashkuara përdorin 12 objekte të ndryshme ushtarake gjithandej Irakut. Presidenti Trump nuk e saktësoi se për cilën bazë po fliste.

Parlamenti irakian kërkoi largimin e trupave amerikane, në shenjë proteste ndaj sulmit me dron në aeroportin e Bagdadit, që vrau gjeneralin iranian Qasem Soleimani.

Shumica shiite në parlament votoi për rezolutën nëpërmjet së cilës i bëhet thirrje qeverisë t’i japë fund marrëveshjes dypalëshe me koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja që parashikon qëndrimin e trupave në tokën irakiane.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u shpreh skeptik se forcat amerikane do të dëboheshin. Ai tha për rrjetin televiziv “Fox News” se “Uashingtoni ka besim se populli irakian dëshiron që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë atje”.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus, tha Shtetet e Bashkuara janë të “zhgënjyera” nga vendimi i Irakut dhe po presin sqarimin e ligjshmërisë së vendimit. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Irakut të ndryshojë qëndrimin e tij.

“Ne besojmë se është në interesin e përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Irakut që të vazhdojnë të luftojnë ISIS-in bashkërisht. Kjo administratë mbetet e përkushtuar për një Irak sovran, të qëndrueshëm dhe të përparuar”, tha ajo.

Shtetet e Bashkuara dhe Iraku, ranë dakord për rikthimin e trupave amerikane në Irak katër vite më parë për të ndihmuar në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Kjo ndodhi pas tërheqjes së të gjitha forcave amerikane që kishin ndërhyrë në vitin 2003 për rrëzimin e diktatorit irakian Saddam Hussein.

Rezolutat e parlamentit irakian nuk janë detyruese. Por, kryeministri në detyrë Adel Abdul Mehdi, i kishte kërkuar parlamentit më herët që të merrte masa urgjente dhe t’i jepte fund pranisë së trupave të huaja sa më parë që është e mundur.

Por, ai tha se çdo vendim rreth trupave amerikane duhet të ketë parasysh që interesat kombëtare dhe siguria e Irakut nuk do të dëmtohen.

Riyad Muhammad Ali Al Masoudi, anëtar i parlamentit Irakian, i tha shërbimit kurd të Zërit të Amerikës se “nuk duam të krijojmë një boshllëk politik ose të sigurisë në këtë drejtim. Ajo që ne duam me të vërtetë, është të ruajmë sovranitetin e Irakut dhe të ardhmen politike të vendit. Ne shpresojmë se kjo marrëveshje do të shërbejë në interes të Irakut dhe nuk do të përdoret kundër Irakut”.

Ndërkohë, udhëheqësi i Hezbollahut pro-iranian në Liban, Sheiku Hassan Nasrallah, mbajti një fjalim të zjarrtë para përkrahësve të tij në Bejrut, duke i kërkuar parlamentit Irakian “të dëbojë Shtetet e Bashkuara”, ndërsa nguli këmbë për hakmarrje pas vrasjes se Soleimanit.