VOAL

VOAL

SHBA KRITIKON GJYKIMIN E GAZETARIT TË WASHINGTON POST

May 27, 2015

Komentet

Ukraina shkatërron dhjetëra dronë rusë

Forcat ukrainase kanë rrëzuar 26 nga 28 dronët e lëshuar gjatë natës nga Rusia, tha ushtria e Kievit të enjten, më 28 mars.

Dronët Shahed, të prodhimit iranian, u shkatërruan në zonat në lindje, jug dhe juglindje të Ukrainës, shtuan Forcat Ajrore ukrainase.

Guvernatori i rajonit të Zaporizhjës tha përmes një postimi në Telegram se dy gra u plagosën pasi copëzat e një droni të shkatërruar ranë në një zonë të banuar në kryeqytetin rajonal.
Dëmtimet në ndërtesat e banimit në qytetin e Harkivit pas sulmeve ruse më 27 mars 2024.

Prokurorët në rajonin lindor të Harkivit raportuan se një restorant, një dyqan dhe disa zyre pësuan dëme nga fragmentet e tre dronëve.

Forcat Ajrore ukrainase thanë po ashtu se Rusia gjatë natës ka kryer sulme me disa lloje raketash, duke mos dhënë më shumë detaje.

Rusia vazhdimisht kryen sulme ajrore ndaj qendrave të populluara, që gjenden larg vijave të frontit, teksa Moska po vazhdon pushtimin e paprovokuar të Ukrainës që nisi në shkurt të vitit 2022.REL

Vulin: Do na shkatërrojnë, Serbia do shpallet shtet gjenocidal! Dodik do arrestohet

Ish-drejtori i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë (BIA), Aleksandër Vulin ka thëne se më 27 prill Serbia do të shpallet shtet gjenocidal.

Vulin pretendon se është planifikuar të miratohet një rezolutë për gjenocidin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Ideja është që të votohet ajo rezolutë më 27 prill, e ne të shpallemi komb gjenocidal dhe 11 korriku të shpallet si Ditën Ndërkombëtare të Gjenocidit”, tha Vulin.

Sipas Vulin nga të gjitha vendet në botë, Gjermania është ajo që do t’i shpallë serbët një komb gjenocidal. Sipas tij, Gjermania flet në emër të Bashkimit Evropian, SHBA-të e mbështesin atë rezolutë, “plus vendet islamike”, dhe se kjo do të çonte në shfuqizimin e RS dhe kërkesën që Serbia t’i paguajë dëmet e luftës pothuajse gjithë Ballkanit.

Duke folur për presionet, Vulin pretendon se pak ditë më parë Amerika kërcënoi Serbinë për shkak se kishte marrë një sistem të fuqishëm anti-drone rus që rrëzon dronët “Bajraktar” në Ukrainë dhe shpjegoi se Turqia e ka pajisur Kosovën me dronë të tillë.

Themeluesi i Lëvizjes Socialiste, i sanskionuari nga Amerika, ish-shefi i BIA-s serbe dhe pro-rusi Aleksandar Vulin po ngjall panik dhe po përhap propagandë së fundmi në mediat serbe.

Ai këtë herë ka sulmuar BE-në e SHBA-në duke pretenduar se janë në “finalizim të komplotit kundër Republika Srpska dhe Serbisë dhe se ata që qëndrojnë pas tij duan të rrëmbejnë presidentin Milorad Dodik dhe të shkatërrojnë Serbinë”.

Vulin vuri në dukje se Schmidt nuk do të ndalet pas imponimit të ndryshimeve në Ligjin Zgjedhor në Bosnje dhe Hercegovinë, por do të vazhdojë të ndjekë penalisht këdo që nuk respekton vendimet e tij, “do të sajojë histori për prishjen e Dejtonit dhe akuza të rreme për korrupsion”.

“Së bashku me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, ata do të punojnë për të çmontuar plotësisht Srpska-n, tha Vulin.

Me herët ai ka thënë se CIA, shërbimi sekret amerikan kontrollon zyrë e Vuçiç./ euronews/

Bujar Osmani: Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës në prill

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka përshëndetur miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, lidhur me pranimin e mundshëm të Kosovës në këtë institucion evropian.

“Kam kënaqësinë të mirëpres vendimin e Komisionit Politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të ftuar Kosovën që të bëhet anëtare. Votimi i suksesshëm ka rezultuar me 31 vota “pro” dhe katër “kundër”,” shkruan Osmani në rrjetin social “X”.

Ai shtoi se uron që sesioni i prillit i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të jetë hapi i fundit për procesin e anëtarësimit të Kosovës në atë institucion evropian.

Republika e Kosovës ka kaluar me sukses votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për Çështje Politike ka miratuar opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis, e cila e rekomandon Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare.

Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.sn

‘Bordin e fondacionit për Butrintin e drejton një personazh i panjohur’

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka bërë sot një denoncim në rrjetin social ‘Facebook’ sa i takon Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për çështjen e Butrintit.

Në reagim theksohet se AADF sjell për drejtim të fondacionit drejtorin nga Amerika Latine, një personazh totalisht të panjohur dhe pa CV në administrim të pasurive botërore kulturore.

DENONCIMI

…dhe tragjikomedia e AADF me Butrintin vazhdon!

Pas bordit shkencor me hortikulturistë pensionistë dhe specialistë të historisë koreane, AADF sjell për drejtim të fondacionit, drejtorin nga Amerika Latine, personazh totalisht të panjohur dhe pa CV në administrim të pasurive botërore kulturore.

Gjithashtu zv.drejtor është zgjedhur një guidë turistike.

Edhe më i çuditshëm është fakti që dy punonjëse të Parkut Kombetar, Erjona Qillo dhe Evjeni Mato janë tashmë edhe pjesë e fondacionit të AADF. E publikuar kjo në uebsite zyrtar të fondacionit.

A ka dijeni Ministria e Kulturës për këto emërime në konflikt të pastër interesi? A ka dijeni z. Gonxhja për emërimet e paraardhëses së tij, që i shërbente edhe AADF, edhe shtetit shqiptar? A bien ndesh këto emërime me ligjin e administratës publike?SN

Transporti hekurudhor mori 40 mln euro më 2023, 60% shkoi për Tiranë-Durrës

Programi i “Transportit Hekurudhor” kishte 4.1 miliardë lekë shpenzime vitin e shkuar, apo rreth 40 milionë euro. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë tregojnë se plani i përgjithshëm i shpenzimeve ishte sa 90% e planit fillestar. “Plani vjetor, për shpenzimet korrente në vlerën 515 mln lekë, realizimi financiar vjetor në vlerën 503 mln lekë, ose 97.6%. Plani vjetor, për shpenzimet kapitale me financim të brendshëm, në vlerën 860 mln lekë, realizimi financiar vjetor në vlerën 815 mln lekë ose 94.8%.

Plani vjetor, për shpenzimet kapitale me financim të huaj, në vlerën 3,2 mld lekë, realizimi financiar në vlerën 2,8 mld lekë 88.1%” thuhet në dokument. Sa u takon projekteve të financuara, duket se shumica e këtyre shpenzimeve kanë shkuar për investimin që po kryhet në rehabilitimin e Tiranë-Durrës dhe shtesës së re të hekurudhës në Rinas. Fondet që kanë shkuar për këtë projekt janë sa 60% e totalit dhe janë të klasifikuara si investime me fonde të huaja.

“Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Termali i pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranës–Rina 1, planifikuar për vitin 2023 në shumën 1,78 mld lekë dhe është realizuar investimi në vlerën 1.35 mld lekë lekë ose në masën 75%.

Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Termali i pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranës-Rinas2, planifikuar investime për vitin 2023 në vlerën 1.25 mld lekë dhe është realizuar financimi në vlerën 1.15 mld lekë ose në masën 92%. Supervizioni i punimeve “Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Tiranë dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore për në Aeroportin e Rinasit”, planifikuar për vitin 2023 në vlerën 75,000,000 lekë dhe është financuar në vlerën 45,000,000 lekë ose në masën 60%” thuhet në përmbledhjen e raportit të buxhetit.

Një tjetër projekt që është financuar nga fondet e huaja është ai për hartimin e projektit paraprak Rrogozhinë – Pogradec – Lin (Kufi me Maqedoninë e Veriut) planifikuar për vitin 2023 në vlerën 81.6 mln lekë dhe është realizuar financimi në vlerën 52.4 mln lekë ose në masën 64.3%. Punimet për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës kanë filluar në nëntor 2021 kur nisi edhe zhvendosja e shinave të vjetra. Kompania që po zbaton këtë projekt është INC spa, e cila u shpall fituese në vitin 2020, me një ofertë 69.7 milionë euro.

Linja e rikonstruktuar e Tiranë-Durrës do të kalojë mbi linjën e vjetër ndërkohë që shtesë do të jetë pjesa e Tiranë-Rinas, linjë hekurudhore totalisht e re. Sa u takon stacioneve nga Hekurudha Shqiptare është konfirmuar më herët se stacionet ekzistuese do të vijojnë të mbeten në të njëjtat vendndodhje, ndërsa stacionet e reja do të jenë në aksin e ri nga Domje në Aeroportin e Rinasit.

Në fillim të marsit Hekurudha Shqiptare njoftoi mbi hapjen e procedurës për ndërtimin e stacioneve përgjatë linjës së re që po ndërtohet dhe që në disa dalje nga ana e përfaqësuesve të qeverisë është deklaruar se do të përfundojë brenda këtij viti./Monitor

Drejtori i Policisë së Kosovës: Grupe kriminale serbe po përgatiten për sulm në veri!

Prishtinë – Drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ka deklaruar se janë në dijeni se grupet kriminale serbe po përgatiten dhe trajnohen në kazerma ushtarake serbe për një sulm tjetër ndaj policisë, por që sipas tij, Policia e Kosovës është e gatshme dhe ka kapacitete për kundërpërgjigje efikase.

“Mund të jenë grupe të ngjajshme sikurse grupi i Banjskës, ndoshta me numër më të vogël se ata, por që që ata mund të jenë më të përgatitur profesionalisht, mund të jenë ekspert të fushave të caktuara që mund ta godasin policinë e Kosovës për interesat e tyre në veri të vendit. A do të ketë ndonjë invazion, agresion nga Serbia në territor të Kosovës, kjo është çështje që duhet të diskutohet në nivele tjera, mirëpo ne si polici i kemi kapacitet tona, të përgatitura profesionale për tu ballafaqu me çfarëdo sulmi të këtyre grupeve kriminale. Ndërsa për pjesë të tjera është përgjegjësi e KFOR-it, FSK-së normalisht edhe Policisë së Kosovës”, deklaroi Hoxha.

Drejtori i Policisë ka folur edhe për lëvizjet e mjeteve ushtarake serbe afër kufirit me Kosovën, duke deklaruar se ushtria serbe po u hap rrugë dhe shtigje terroristëve që synojnë destabilizimin e vendit.

“Këto janë tentativa të Serbisë që të tregojë se është afër kufijve të Kosovës. Ka qenë një prezencë e ushtrisë serbe gjatë javës që shkoi. Janë informacione dhe pamje të siguruara nga institucione të sigurisë së Kosovës që punojnë rreth kufirit. Ne e kemi alarmu KFOR-in dhe kemi qenë në kontakt me KFOR-in rreth kësaj prezence dhe poashtu gjatë javëve të fundit ne kemi qenë në përgatitje maksimale sa i përket mundësisë së levizjes së depërtimit të qoftë forcave kriminale, qoftë ndonjë veprimi diverzant të ndonjë grupi të caktuar nga institucione të sigurisë së Serbisë”, tha drejtori Hoxha.

Ai gjithashtu informoi se makineritë serbe të ushtrisë shpesh herë po punojnë rreth kufijve të Kosovës, duke riparuar ose hapur rrugë e që sipas tij kjo ndodh për të krijuar mundësi që grupet si ai i “Banjskës” të depërtojnë më lehtë.

“Është një kërcënim por që ne po vazhdojmë ta monitorojmë dhe jemi të gatshëm të i dalim ballë”, deklaroi Hoxha.sn

U arrestua me urdhër të Ramës për të shpëtuar Olta Xhaçkën, Jorgo Goro jep dorëheqjen si kryebashkiak i Himarës

Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro ka dhënë dorëheqjen.

Goro u arrestua pasi janë gjetur shkelje të ligjeve në procedurat e tenderimeve publike, mosmbledhjes së të ardhurave, mospasqyrimit të drejtë të të ardhurave dhe debive në buxhetin e bashkisë dhe në dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.

Goro akuzohet edhe për falsifikimin e dokumenteve në rastin e investimit strategjik të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Punëve të Jashtme Olta Xhaçka. Kjo është edhe arsyeja kryesore që Rama lëshoi Goron, përtej asaj që thonë se është edhe përpjekja për të zbutur marrëdhëniet me Greqinë.sn

Letra e dorëheqjes:

Tiranë, 25 Mars 2024

Lënda: Dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Bashkisë

Drejtuar:

Këshillit Bashkiak Himarë

Për dijeni:

Prefektit të Qarkut të Vlorës

Të nderuar,

Ishte një nder i madh dhe motivim i veçantë t’i shërbeja qytetit tim për 12 vite e 10 muaj si qytetari i parë falë votës së himariotëve të mi. Kandidova për të fituar dhe megjithëse humba mbeta këto kohë lidhur në detyrë me legjitimitet të cunguar formal dhe moral.

Rezultati tepër i ngushtë me 19 vota diferencë nuk ishte në favorin tim, po as zhvillimet negative pas zgjedhjeve nuk ishin as në dëshirën as në dorën time. S’mund ta lija detyrën se s’kishte kush ta merrte dhe largimi im vetëm do të shtonte konfuzionin kur Himara u kthye në mollën e një konflikti politik absurd në nivelet më të larta mes dy shteteve.

Megjithëse e dija se sa shumë ishin lidhur fijet e manipulimit propagandistik për gjoja shpëtimin e pronave të Himarës me fijet e manipulimit elektoral për të mbushur autobuzët me premtime dhe xhepat e pasagjerëve elektoralë me para, nuk e prisja atë rezultat. Por nuk kisha as si të flisja dhe t’i hidhja benzinë një zjarri përçarjeje që përfshiu mediat e Athinës dhe Tiranës dhe arriti deri në Bruksel. Një organizatë anadollake e minoritetit fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së se po lufton gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë. Po në fakt ajo organizatë orkestrohet nga njerëz të paditur, pa skrupuj dhe pa ideale. Përveç parasë dhe rakisë! Marifetçinj të babëzitur që kush i njeh e di për kë dhe për çfarë flas. Tamam një çetë nga ato të kohërave të errëta që mbahet për forcë politike. Vetëm sherrin i ka parë dhe do t’i shohë Himara dhe minoriteti grek në tërësi për sa kohë nuk do t’u bjerë maska edhe në Athinë.

Himara është shumë e vogël për t’u bërë mollë sherri mes dy vendeve fqinje. Ndërsa pretendimet e mia për batërdinë që u bë me lloj-lloj marifetesh, listat e asistencave dhe bursave matanë kufirit, kërcënimet me heqjen e letrave të qëndrimit andej për të sjellë votues që kishin ikur nga Himara fëmijë dhe s’kishin shkelur më, pagesat me listë për blerje votash, nuk kishin më asnjë kuptim mbas arrestimit në flagrancë të “fitimtarit”. I dhashë dorën sa mbaroi numërimi dhe e mbylla kapitullin tim bashkë me gojën.

Por di të them se zullumi i asaj “fitoreje” me më pak se 20 vota ishte shumë më i madh se sa duket nga ato që dëgjohen në media për hetimin. E vetmja gjë që dua sot është që Himara të vazhdojë punën e nisur dhe fqinjësia e vjetër tradicionale mes dy shtetesh të mos bëhet pengu i ca spekullantëve lokalë të maskuar si viktima të një padrejtësie të re shtetërore që nuk ekziston për pronat e himariotëve. Një marrëzi qesharake dhe e rrezikshme e ngritur si kurth ndërshtetëror nga këta spekullantë të djallëzuar.

Himara sot ka statusin e transformimit total të saj, ku prona dikur e destinuar për të provokuar deri edhe tragjedi familjare vlen shumëfish më shumë. Ku çdo banor ka shërbime në mjekësi, shikon investime të konsiderueshme dhe të vazhdueshme në arsim, infrastrukturë, energji elektrike, ujë i pijshëm, etj. Dhe për të shkuar tek turizmi, Himara dikur vetëm me shqiptarë nga vendi dhe Kosova sot kampione e frekuentimit masiv të miliona turistëve nga mbarë bota. Jo në hotele dhe rezidenca të ndërtuara mbi prona të grabitura nga shteti për “oligarkët” siç bërtasin spekullantët anadollakë të lokalitetit, po në troje të kontraktuara me çmime apo kushte gjithnjë dhe më të favorshme nga cilado familje himariote që ka dëshiruar t’i japë të vetat për zhvillim.

Po ndërkohë nga fundjava që sapo kaloi jam në një situatë absurde me drejtësinë për një faj që nuk e kam bërë. Akuzohem për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” me zyrtarë në Vlorë që s’kam asnjë lidhje dhe për “falsifikim” dokumentash që tek kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë. Por ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral.

Prandaj duke i falenderuar me shpirt të gjithë himariotët (më kanë votuar apo s’më kanë votuar, ky falenderim nuk i ndan), për të gjithë nderin e madh që më bënë në këto vite, dorëhiqem nga detyra me kokën lart dhe zemrën plot me mirënjohje të përulur. Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqiat që na gjejnë!

Me shumë respekt,

Jorgo Goro

Bardhi pret raporteren e PE: Të drejtat e opozitës bllokohen nga Kuvendi! Mazhoranca kontrollon drejtësinë

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka pritur Znj. Isabel Santos, raportere për Shqipërinë në Parlamentin Europian.

Në postimin e tij në Facebook, Bardhi thekson se e ka informuar Znj. Isabel Santos për përpjekjet e opozitës në lidhje me funksionimin e parlamentit, moszbatimin nga Kuvendi i vendimeve të Gjykatës Kushtetutese, si dhe tentativat e mazhorancës socialiste për të kontrolluar politikisht institucionet e drejtësisë.

Postimi i plotë:

Znj. Isabel Santos, raportere për Shqipërinë në Parlamentin Europian, e informova për përpjekjet e opozitës që Shqipëria të ketë një Parlament funksional, që respekton të drejtat kushtetuese të opozitës, lejon kontrollin efektiv ndaj Qeverisë, dhe që punon në interes të qytetarëve. Moszbatimi nga Kuvendi i vendimeve të Gjykatës Kushtetutese është minim i parimeve të shtetit ligjor dhe akti më brutal antikushtetues i ndodhur në 33 vite. Mazhoranca duhet të heq dorë nga tentativa për të kontrolluar politikisht institucionet e drejtësisë dhe nga çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e organeve të drejtësisë.

Gjithashtu, e informova për bllokimin 2 vjeçar të Reformës Zgjedhore nga mazhoranca dhe nevojën që ka Shqipëria, si vend kandidat për anëtar të BE, që të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm. E sigurova se për opozitën përmbushja e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, garancitë për barazi të palëve në zgjedhje, dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, janë një prioritet jo vetëm i shpallur, por pikënisja e një reforme kuptimplotë zgjedhore, që duhet përmbyllur sa më parë në kohë.sn

Bislimi: Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese nga BE-ja dhe t’i jepet statusi i vendit kandidat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova i takon Bashkimit Evropian dhe se çdo vend demokratik brenda BE-së e di se Kosova është ndër vendet më demokratike në rajon.

Në takimin e 11-të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, Bislimi ka thënë se Kosova i është bashkuar vendeve që kanë vënë sanksione ndaj Rusisë.

“I jemi bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Kemi qenë të angazhuar edhe në planin e rritjes të Komisionit Evropian. Progresi demokratik nënkupton anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Nuk ka asnjë problem teknik që Kosovës t’i dërgohet pyetësori. Mosnjohja nga pesë shtetet nuk ka qenë problem për vendimin për vizat. Institucionet do të jenë të gatshme t’i përgjigjen këtij pyetësori. Çdo vend demokratik brenda BE e di se Kosova është një ndër vendet më demokratike në rajon”- ka thënë Bislimi.

Sipas Bislimit, përgjigjja e BE-së dhe e NATO-s ndaj kërcënimeve që i janë bërë Kosovës, ka qenë shumë e qartë.

“Përgjigjja e BE-së dhe NATO-s në rajonin lindor të Evropës ka qenë shumë e qartë, kështu duhet të trajtohet edhe kërcënimi i sigurisë për Ballkanin Perëndimor”, ka vijuar ai.

Kosova, sipas Bislimit, i vlerëson rezolutat dhe thirrjet e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Bislimi ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqen masat ndëshkuese nga BE-ja dhe duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat.

“Duhet të largohen masat ndaj Kosovës. Kosova duhet të marrë statusin e vendit kandidat dhe të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, ka theksuar Bislimi.sn

Shefja e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të KiE: Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës

Udhëheqësja e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), Biljana Pantiq-Pilja, ka thënë se hapësira e Serbisë për manovrim është shumë e ngushtë para mbledhjes së nesërme (27.03) të Komisionit Politik të (APKiE) ku do të votohet raporti i Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të pranohet në këtë organizatë.

‘Bakoyannis do të prezantojë raportin dhe qëndrimin e saj, të cilin fatkeqësisht e ka ndryshuar në krahasim me dy javë më parë. Do të ketë një diskutim dhe pritet një votim dhe dy të tretat e votave do të jenë të mjaftueshme për të kaluar raportin. Duke pasur parasysh se në PSSE nuk ka më asnjë delegacion rus dhe që nga janari as delegacioni i Azerbajxhanit, hapësira e Serbisë për manovrim është ngushtuar mjaft për sa i përket numrit të miqve tanë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës’, thotë Pilja.

Siç transmetojnë mediat serbe, krahas rekomandimit që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës, raportuesja Bakoyannis shprehu mendimin e saj në media se anëtarësimi i saj do t’i sillte të drejtën komunitetit serb dhe të gjitha pakicave të tjera në Kosovë që t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila, sipas saj do t’u sillte mbrojtje më të mirë, për çfarë Pantiq-Pilja thotë se kjo është një deklaratë shumë hipokrite.

Shefja e delegacionit serb ka akuzuar raportuesen Bakoyannis se ‘vetëm dy javë më parë, ajo ka përsëritur me vendosmëri disa herë se do të jepte një mendim pozitiv vetëm kur Kosova t’i plotësojë tre kushtet: kthimin e tokës Manastirit të Deçanit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shpronësimin e tokave. Dhe e vetmja gjë që bëri Prishtina në ndërkohë ishte zbatimi përfundimisht i vendimit të Gjykatës Kushtetuese’.

Lidhur me letrën e dërguar raportueses Bakoyannis nga presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, në të cilën thuhet se marrin përsipër të respektojnë të gjitha nenet e marrëveshjes nga Brukseli dhe aneksin e saj nga Ohri, duke përfshirë edhe formimin e Unionit të Komunat serbe, shefja e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të KiE, thotë se nuk ka peshë, sepse është dashur të përmbushet 11 vjet më parë.

‘Është një letër falënderimi për Bakoyannisin, APKiE dhe gjithë të tjerët që sipas një procedure shumë të përshpejtuar dhe të çuditshme duan të pranojnë Kosovën e pavarur si anëtare e Këshillit të Evropës’, ​​thotë Pantiq-Pilja.sn

Biden deklaron: Putini është kasap!

“Nëse do të rrisnim taksat për miliarderët, mund të bënim shumë gjëra, duke përfshirë përfundimisht sigurimin që të kujdesemi për Ukrainën që po sulmohet nga ai kasapi, Putin”.

Kështu tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në një tubim elektoral në Raleigh të Karolinës së Veriut.

Gjatë seancës së shkurtër me pyetje-përgjigje në Stadion Narodovy, Biden tregoi se si kishte qenë në vende të tilla në jetën e tij, por tha se ishte gjithmonë i befasuar nga “thellësia dhe forca e shpirtit njerëzor”.
(BalkanWeb)

Vuçiçi i fal dhëndrit të Trumpit ndërtesën e goditur nga NATO më 1999, serbët: Më mirë t’ia jepnim Rusisë

Dhëndri i ish presidentit amerikan Donlad Trump Jared Kushner, ka prezantuar dy projekte sa i përket Ballkanit Perëndimor, një për ndërtimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit dhe një në Serbi.

Qeveria e presidentit Aleksandër Vuçiç planifikon t’i japë për 99 vite, pa asnjë pagesë, dhëndrit të Trump një godinë e cila shihet si memorial i bombardimeve të NATO-s në 1999.

Banorët janë shprehur se një godinë e tillë shërbente për të kujtuar periudhën e vështirë të vendit ndërkohë që thonë se në rast se një gjë e tillë duhej “t’i falej” dikujt, pa dyshime që duhet të ishte Rusia, jo SHBA.

“Kujtimi i këtyre viteve 1990 është i pakëndshëm, por ne duhet t’i lëmë këto ndërtesa ashtu siç janë në mënyrë që të na kujtojnë këtë periudhë të pakëndshme. Ne nuk duhet të kujtojmë vetëm gjërat e bukura. Më shumë se një hotel luksoz, duhet të bëhet një vend kujtimi.

Këto ndërtesa duhet t’i ruajmë, t’i konservojmë dhe t’i bëjmë muze. Për të na kujtuar rëndësinë e paqes, dhe faktin se këto gjëra nuk duhet të ndodhin më”, shprehet Zoran Stosiç, 83 vjeç.bw


Send this to a friend