VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

SHBA intensifikon kritikat ndaj Rusisë për Ukrainën

By | April 1, 2017

Komentet

Ogur i mirë! Inaugurimi i Joe Biden bëhet në një ditë me diell, ndodh pas tre dekadash

Mund të duket e çuditshme por mediat në Amerikë i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë edhe kohës në Washington DC.

Sipas CNN, kjo e sotmja e betimit të Joe Biden si President është një ditë me diell, por pas tre dekadash që kur President u betua Bill Clinton.

Një mot i tillë i kthjellët nuk ishte parë prej tri dekadash të inaugurimeve të Presidentëve të SHBA.

Ja një vështrim i motit në përurimet e fundit:

Përurimi i Donald Trump 2017: Temperatura 48 gradë në mesditë. Me re. Shi i dobët në fillim të paradës.

Përurimi i Barack Obama 2013: Vranësira. Temperatura prej 45 gradë në mesditë.

Përurimi i Obamës në vitin 2009: Dielli i zënë nga retë. Erëra me shpejtësi rreth 20-25 mph.

Përurimi i George W. Bush në vitin 2005: Kryesisht qiell me re me një temperaturë prej 35 gradë në mesditë. Rreth 1 inç dëborë.

Përurimi i Bushit në vitin 2001: Një ditë e ftohtë e zymtë, me shi dhe mjegull, shikueshmëri deri në 2 milje dhe një temperaturë prej 36 gradë në mesditë.

Përurimi i Bill Klintonit 1997: Temperatura prej 34 gradë në mesditë me qiell kryesisht të vranët.

Përurimi i Klintonit në vitin 1993: Me diell dhe i këndshëm me një mesditë me temperatura të larta 40 gradë.

Në ditën e parë, Joe Biden pritet të zhbëjë politikat e presidentit Trump për klimën, virusin

Marrë nga Associated Press

Në orët e tij të para si president, Joe Biden synon të godasë në zemër të trashëgimisë së politikës së presidentit Donald Trump, duke nënshkruar një seri veprimesh ekzekutive që përmbysin urdhrat e paraardhësit të tij për emigracionin, ndryshimet e klimës dhe trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

Zoti Biden të mërkurën do t’i jap fund ndërtimit të murit kufitar me Meksikën, do t’i japë fund ndalimit të udhëtimit nga disa vende me shumicë myslimane, të bashkohet me Marrëveshjen e Parisit për klimën dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe të heqë miratimin e tubacionit të naftës Keystone XL, thanë ndihmësit e tij. Presidenti i ri do të nënshkruajë urdhrat pothuajse menjëherë pasi të bëjë betimin.

Pesëmbëdhjetë veprimet ekzekutive të tij janë një përpjekje për të kthyer mbrapsht katër vitet e fundit të politikave federale me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Vetëm dy presidentë të kohëve të fundit nënshkruan veprime ekzekutive në ditën e tyre të parë në detyrë – dhe secili nënshkroi vetëm një. Por, zoti Biden, duke u përballur me pandeminë rraskapitëse të koronavirusit, ka për qëllim të demonstrojë një ndjenjë urgjence dhe kompetence. që ai argumenton se i ka munguar paraardhësit të tij.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme që mund të themi është që nesër të fillojë një ditë e re”, tha Jeff Zients, i zgjedhuri i zotit Biden për të drejtuar një zyrë të re të Shtëpisë së Bardhë që do të bashkërendojë qasjen e qeverisë federale ndaj pandemisë.

Urdhrat shtrihen përtej pandemisë. Zoti Biden synon të urdhërojë një rishikim të të gjitha rregulloreve dhe veprimeve ekzekutive të presidentit Trump, që konsiderohen të dëmshme për mjedisin ose shëndetin publik. Ai do të urdhërojë agjencitë federale që t’i japin përparësi barazisë racore dhe rishikimin e politikave që forcojnë racizmin sistemik. Ai do të anulojë një urdhër të presidenti Trump që synonte të përjashtonte qytetarë pa shtetësi amerikane nga regjistrimi dhe do të urdhërojë punonjësit federalë të bëjnë një zotim etik që i angazhon ata të mbështesin pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë.

Susan Rice, këshilltarja e zotit Biden për politikat e brendshme, tha se presidenti i ri do të anulojë gjithashtu raportin e sapo-lëshuar të “Komisionit 1776” të presidentit Trump për të promovuar “arsimin patriotik”.

Këto veprime do të ndiqen nga dhjetëra të tjera në 10 ditët e ardhshme, thanë ndihmësit e zotit Biden.

Në veprimet e para nuk janë përfshirë hapa të menjëhershëm për t’u rikthyer në marrëveshjen bërthamore me Iranin që u braktis nga presidenti Trump dhe të cilën zoti Biden është zotuar ta rizbatoj.

Jen Psaki, sekretare e ardhshëm e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, tha se ndërsa nuk u përfshinë në urdhrat e ditës së parë, presidenti i ri do të anulojë në ditët në vijim ndalimin e Pentagonit për shërbimin ushtarak nga amerikanët transgjinorë si dhe qasjen e cila ndalon financimin amerikan për organizatat ndërkombëtare që kryejnë ose referojnë gratë për shërbime aborti.

Zonja Psaki tha se veprimet që do të ndërmerren të mërkurën janë të përqendruara në sigurimin e “lehtësimit të menjëhershëm” për amerikanët.

Në një përpjekje tjetër për të sinjalizuar një kthim në kohërat para Trumpit, Psaki tha se do të mbajë një konferencë për gazetarët të mërkurën vonë në një shenjë të angazhimit të administratës për transparencën. Shtëpia e Bardhë e zoti Trump kishte braktisur praktikën e informimit të gazetarëve çdo ditë.

Biden dhe Harris arrijnë në Kongres

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden, dhe zonja e parë, Jill, kanë arritur në ndërtesën e Kongresit. Bashkë me ta ka arritur edhe nënpresidentja e zgjedhur, Kamala Harris, me bashkëshortin e saj.

Ata do të bëjnë betimin në mesditë, sipas kohës lokale.

Demokrati Joe Biden inaugurohet sot si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Kamla Harris po ashtu bën betimin si nënpresidente.

Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën.

Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.

Inaugurimi është një ceremoni zyrtare që shënon fillimin e një presidence të re në Shtetet e Bashkuara dhe, sipas ligjit, zhvillohet më 20 janar në Uashington.

Presidenti bën betimin me fjalët: “Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”.

Ceremonia e inaugurimit sivjet është ndër më të pazakonshmet në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ajo zhvillohet nën masa të pashembullta të sigurisë, të cilat pasojnë dhunën e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit.

Presidenti në largim, Donald Trump, nuk do të marrë pjesë në ceremoni.

Pjesëmarrja e publikut në inaugurim është po ashtu rreptësisht e kufizuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Presidenti Trump largohet nga Shtëpia e Bardhë

VOA

Mandati i Presidentit Trump përfundon të mërkurën. Ai u largua nga Shtëpia e Bardhë paradite për një fluturim të fundit me avionin presidencial drejt rezidencës së tij të pushimeve në Florida.

Pas mbërritjes me helikopter në bazën ajrore Andrews në Uashington, presidenti mbajti një fjalim ku përshëndeti të ftuarit dhe foli për arritjet e administratës së tij. Para futjes në avion ai u përcoll me një ceremoni me tapetin e kuq, me bandë ushtarake dhe përshëndetje me 21 gjëmime topash.

Në të njëjtën kohë që presidenti mbërrin në Florida, në Uashington do të jetë në zhvillim ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri, Joe Biden. Këtë radhë një traditë e vjetër do të thyhet, pasi Presidenti Trump nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri.

E ardhmja e zotit Trump, përfshirë edhe ndonjë aspiratë politike, mbetet e paqartë.

“Duhet ta dini që lëvizja që nisëm është vetëm në fillimet e saj,” tha presidenti në një mesazh lamtumire të bërë publik të martën me një videoklip. “Nuk ka pasur diçka të ngjashme më parë. Bindja se vendi duhet t’u shërbejë qytetarëve nuk do të lëkundet, por do të forcohet nga dita në ditë”.

Presidenti Trump largohet nën hijen e një procesi të dytë gjykues, i vetmi president në historinë amerikane ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkim të mundshëm. Nuk është e qartë se kur Senati mund ta fillojë gjykimin lidhur me rolin e tij në sulmin e dhunshëm të turmës ndaj Kapitolit më 6 janar.

Të martën, ai foli shkurtimisht për sulmin, duke thënë se amerikanët “ishin tmerruar” dhe se dhuna politike “nuk mund të tolerohet kurrë”.

Presidenti Trump përmendi edhe një numër nismash të politikës së jashtme të realizuara nga administrata e tij, përfshirë tërheqjen nga marrëveshja tregtare, e njohur si Partneriteti Trans-Paqësor si dhe nga Traktati i Parisit për Klimën, arritjen e një marrëveshjeje të re tregtare për Amerikën e Veriut si dhe tarifat ndaj importeve nga Kina.

“Rikthyem sovranitetin duke u ngritur për Amerikën në OKB dhe duke u tërhequr nga traktate që ishin në interes të palës tjetër dhe jo tonin,” tha zoti Trump. “Tani vendet e NATO-s paguajnë qindra miliarda dollarë më shumë se sa para administratës sime. Ishte shumë e padrejtë”.

Ai u shpreh se kishte qenë një “privilegj i jashtëzakonshëm” që shërbeu si president.

Presidenti miratoi edhe një numër faljesh të reja, përfshirë për ish-bashkëpunëtorë të tij.

Po ashtu, zoti Trump anuloi një urdhër ekzekutiv që kishte nxjerrë në fillim të administratës ku ish-zyrtarë amerikanë nuk lejoheshin të bëheshin lobistë për pesë vjetët e parë pas largimit nga detyra zyrtare. Kur e shpalli atë masë, presidenti e prezantoi si pjesë e përpjekjeve për të “tharë moçalin” dhe për të çrrënjosur korrupsionin në Uashington.

Në prag të inaugurimit, Presidenti i zgjedhur Biden nderon viktimat e koronavirusit

Marrë nga Reuters

Presidenti i zgjedhur Joe Biden drejtoi të martën një ceremoni përkujtimore kombëtare në prag të inaugurimit të tij të mërkurën, për të nderuar 400,000 amerikanët që kanë vdekur nga COVID-19 gjatë 11 muajve që kur koronavirusi shkaktoi viktimën e parë në Shtetet e Bashkuara.

Ceremonia që u mbajt në të perënduar të diellit, u mbajt vetëm disa orë para se Presidenti Donald Trump të largohet nga Shtëpia e Bardhë duke lënë një vend në krizë. Ceremonia, e drejtuar nga zoti Biden dhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris nga Memoriali i Linkolnit, shënoi pranimin për herë të parë zyrtarisht të qeverisë federale të numrit të madh të vdekjeve nga pandemia.

“Duhet të kujtojmë. Ndonjëherë është e dhimbshme të kujtosh, por kështu rimëkëmbemi. Është e rëndësishme ta bëjmë një gjë të tillë si komb,” tha zoti Biden në komentet e shkurtra që shënuan fillimi i ceremonive të ngjashme përkujtimore në qytete anembanë vendit.

Ndërsa errësira binte mbi kryeqytetin e vendit, 400 llamba elektrike që ishin vendosur në të dy anët e Pishinës Reflektuese u ndezën për të nderuar 400,000 jetët e humbura, pasuar nga interpretimi i këngës “Hallelujah” nga këngëtarja e muzikës ungjillore Yolanda Adams, dhe më pas nga një moment heshtje në kujtim të të vdekurve nga COVID-19.

“Megjithëse mund të jemi të ndarë fizikisht, ne populli amerikan jemi të bashkuar në shpirt,” tha zonja Harris në komentet e saj.

Një infermiere e një spitali të Miçiganit, Lori Marie Key, këndoi “Amazing Grace” përpara se zoti Biden të dilte në podium. Rreth 6.5 km nga vendi ku u shfaq zoti Biden, këmbanat e Katedrales Kombëtare u kumbuan 400 herë pasi ai foli.

Sipas të dhënave të agjencisë Reuters, Shtetet e Bashkuara kanë tani mbi 24 milionë infeksione me COVID-19 dhe mbi 400,000 jetë të humbura nga virusi. Vendi ka regjistruar më shumë se 200,000 raste të reja dhe 3,220 vdekje mesatarisht gjatë shtatë ditëve të fundit.

Ndër monumentet e tjera që u ndriçuan për ceremoninë ishin ndërtesa Empire State në qytetin e Nju Jorkut dhe Space Needle në Siatëll, tha komisioni i inaugurimit i zotit Biden në një deklaratë. Komisioni gjithashtu tha se po inkurajonte amerikanët të ndiznin qirinj në dritaret dhe kishat e tyre, në një shenjë uniteti.

Zyrtarët lokalë nga qyteti i Majemit në Florida deri tek San Diego në Kaliforni, thanë se ndërtesat në qytetet e tyre pritej të ndriçoheshin posaçërisht për këtë rast.

Katedralja e Shën Gjonit në qytetin e Nju Jorkut po ftonte publikun të ndizte qirinj në shkallët e saj të përparme të martën në mbrëmje para rënies së një kambane solemne.

Një kapitull i ri në përgjigjen ndaj pandemisë

Ceremonia shënoi fillimin e një kapitulli të ri në betejën e vendit kundër COVID-19 nën drejtimin e zotit Biden, i cili është zotuar ta bëjë lehtësimin e koronavirusit një përparësi kryesore kur të marrë detyrën të mërkurën nën masa të pashembullta sigurie në kryeqytetin e vendit.

Zoti Biden trashëgon një vend në zi dhe të përfshirë nga pandemia nga zoti Trump, për të cilin kritikët thonë se ishte përgjegjës për një përgjigje të pakoordinuar dhe joefektive ndaj pandemisë, duke sjellë si rezultat numrin më të lartë të vdekjeve në Shtetet e Bashkuara në shkallë kombëtare nga COVID-19, në krahasim me vendet e tjera.

Të martën, ditën e tij të fundit të plotë si president, zoti Trump nuk kishte planifikuar ndonjë ngjarje publike, megjithëse nënpresidenti Mike Pence po planifikonte të mblidhte Grupin e Punës për koronavirusin për takimin e fundit nën drejtimin e tij.

Shumë nga planet e politikave të zotit Biden janë diametralisht të kundërta me qasjen e administratës Trump për të luftuar pandeminë. Ato përfshijnë një përdorim të detyruar të maskës në objektet federale, avionë dhe autobusë dhe një rikonfirmim të angazhimit ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë pas nxjerrjes së Shteteve të Bashkuara nga zoti Trump nga kjo agjenci.

Zoti Biden do të përballet gjithashtu me detyrën e mbikëqyrjes së shpërndarjes dhe administrimit të vaksinave kundër COVID-19. Shtetet e Bashkuara kanë mbetur pas me objektivin e tyre të vaksinimit, me vetëm 12.3 milionë vaksina të injektuara nga më shumë se 31 milionë të shpërndara që nga 15 janari, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Shtetet, të ngarkuara për të përgatitur programet e tyre të vaksinimit, janë ankuar për mungesën e fondeve dhe mbështetjes nga qeveria federale. Disa lokalitete thonë se nuk kanë furnizim të përshtatshëm për të përmbushur kërkesën.

Kryetari i bashkisë Bill de Blasio paralajmëroi të martën se qyteti i Nju Jorkut do t’i mbarojë dozat e vaksinave ndoshta që të enjten dhe do të detyrohet të anulojë shumë vizita vaksinimi nëse nuk furnizohet shpejt.

“Nuk do të na mbetet asgjë për të dhënë që nga e premtja,” tha zoti de Blasio në një konferencë shtypi. VOA

Trumpi fal Steve Bannonin dhe dhjetëra të tjerë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka falur ish-këshilltarin e tij, Steve Bannon, në kuadër të valës së fundit të faljeve dhe ndryshimeve të dënimeve, pak para se të largohet nga zyra e presidentit më 20 janar.

Trump ka bërë 143 falje dhe ndryshime dënimesh për një numër të madh individësh, përfshirë një ish-mbledhës të fondeve, republikan, një reper dhe një ish-kryetar qyteti.

“Presidenti Donald Trump ka siguruar falje për 73 individë dhe ndryshime të dënimeve për 70 individë tjerë”, ka thënë administrata e tij përmes një deklarate.

Fati i Bannonit, një këshilltar me ndikim te Trumpi, i cili i ka ndihmuar të menaxhojë fushatën presidenciale të vitit 2016, është shikuar me shumë vëmendje.

Ai është përballur me akuza federale për mashtrim të njerëzve, teksa ka mbledhur fonde për ndërtim të murit në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Ai ka thënë se nuk është fajtor për akuza që rëndojnë mbi të.

Ndonëse ka pasur spekulime në media, Trump nuk ka falur vetën, vajzën e tij, Ivanka, dhëndrrin, Jared Kushner, dhe dy djemtë e tij, Donald Junior dhe Eric.

Ai po ashtu nuk ka përfshirë në listë as avokatin e tij personal, Rudy Giuliani, i cili ka mbështetur pretendimet e rreme të Trumpit për mashtrime zgjedhore në zgjedhjet e 3 nëntorit, të fituara nga demokrati, Joe Biden.

Trump pritet të largohet nga Uashingtoni më 20 janar në mëngjes dhe të niset drejt klubit të tij Mar-a-Lago në Florida.

Biden nis udhëheqësinë në mesditë. rel

Në fjalën e lamtumirës, Presidenti Trump uron administratën e re

Marrë nga Reuters

Presidenti amerikan Donald Trump, në një fjalim lamtumire të bërë publik të martën, bëri thirrje për lutje për administratën e re të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, por nuk e përmendi emrin e pasardhësit të tij demokrat.

“Këtë javë, ne përurojmë një administratë të re dhe lutemi për suksesin e saj në mbajtjen e Amerikës të sigurt dhe të begatë”, tha presidenti republikan në video-mesazhin e tij. “Ne i shprehim urimet tona më të mira dhe gjithashtu duam që ata të kenë fat, një fjalë shumë e rëndësishme.”

Presidenti Trump nuk e ka pranuar kurrë plotësisht humbjen ndaj demokratit Biden, i cili fitoi zgjedhjet e 3 nëntorit me 306 vota të Kolegjit Zgjedhor kundrejt 232 votave të zotit Trump. Presidenti në largim nuk do të takohet me zotin Biden para inaugurimit të demokratit në mesditën e së mërkures. Në vend të takimit me zotin Biden, Donald Trump ka planifikuar udhëtimin për në Florida, ku ai pritet të banojë pas mbarimit të mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Trump bëri fushatë me premtim për ta bërë “Amerikën të madhe përsëri” por largohet nga detyra në një kohë kur mbi 400,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi, rrezikun e të cilit ai e minimizoi, ekonomia vazhdon të vuajë pasojat e pandemisë dhe marrëdhëniet e Shteteve të Bashkura me aleatët e saj kryesorë vazhdojnë të jenë të tensionuara.

“Rreziku më i madh me të cilin përballemi është humbja e besimit në veten tonë, humbja e besimit në madhështinë e vendit tonë”, tha Presidenti Trump. “Amerika nuk është një vend i ndrojtur i shpirtrave të dobët që duhet të ruhen dhe të mbrohen nga ata me të cilët ne nuk jemi dakord”.

Presidenti Trump është ngujuar në Shtëpinë e Bardhë në javët e fundit të mandatit të tij, i zemëruar pas protestës së dhunshme nga mbështetësit e tij në Kapitol që la pesë persona të vdekur, përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit.

Dhuna, e cila pasoi një tubim në të cilin Presidenti Trump përsëriti akuzat e rreme për manipulim të zgjedhjeve, ka lënë në hije çdo përpjekje për të nënvizuar trashëgiminë e presidentit në ditët e tij të fundit në detyrë.

Në fjalimin e regjistruar më parë, Presidenti Trump u përpoq të nxirrte në pah aspektet e presidencës së tij me të cilat ai ishte krenar.

“Ne bëmë atë për të cilën erdhëm këtu, dhe shumë më tepër”, tha ai. “Unë zgjodha betejat e vështira, çështjet më të vështira, zgjedhjet më të vështira, sepse ju më zgjodhët për ta bërë këtë”.

Presidenti Trump vuri në dukje marrëveshjet e paqes në Lindjen e Mesme, të ndërmjetësuara nga administrata e tij dhe lavdëroi axhendën e tij të politikës së jashtme.

“Ne ringjallëm aleancat tona dhe bashkuam kombet e botës për t’i bërë ballë Kinës si kurrë më parë,” tha ai. “Unë jam veçanërisht krenar që jam presidenti i parë në dekada që nuk ka filluar asnjë luftë të re.”

Presidenti Trump, i cili largohet mes përçarjeve të thella në vend, përmendi protestën e dhunshme në Kapitol, të cilën ai nuk e dënoi menjëherë pasi ndodhi më 6 janar.

“Të gjithë amerikanët u tmerruan nga sulmi ndaj Kapitolit tonë. Dhuna politike është një sulm ndaj gjithçkaje që ne si amerikanë e vlerësojmë. Nuk mund ta tolerojmë kurrë (dhunën)”, tha ai.

Dhe presidenti, ish-këshilltarët e të cilit parashikojnë se ka dëmtuar të ardhmen politike pas trazirave, sugjeroi se lëvizja e tij do të vazhdonte. “Tani, ndërsa jam duke u përgatitur t’ia dorëzoj pushtetin një administrate të re në mesditën e së mërkurës, dua që ju ta dini se lëvizja që kemi filluar vetëm sa ka filluar”, tha zoti Trump.

“Unë largohem nga ky vend madhështor me një zemër besnike, të gëzueshme, një frymë optimiste dhe një besim të fortë se për vendin tonë dhe për fëmijët tanë, do të vijnë ditë më të mira.”

McConnell, akuza presidentit Trump: Provokoi trazira

VOA

Udhëheqësi i shumicës republikane të senatit amerikan Mitch McConnell akuzoi të martën presidentin Donald Trump, për provokimin e trazirave të 6 janarit në Kapitol.

“Turma u ushqye me gënjeshtra. Ata u provokuan nga presidenti dhe njerëz të tjerë të fuqishëm,” tha zoti McConnell në një fjalim në Senat.

Dhoma e Përfaqësuesve të mërkurën e kaluar ngriti për herë të dytë akuza në fillim të një procesi për shkarkimin e presidentit Trump. Senati ende nuk ka planifikuar datën e një gjyqi për të përcaktuar fajësinë ose jo të zotit Trump.

Zoti McConnell javën e kaluar tha se në gjyqin e Senatit ai do të dëgjonte argumentet e paraqitura përpara se të vendoste se si të votohej për akuzën e ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve: nxitjen e një rebelimi që rezultoi në rrethimin e Kapitolit.

Udhëheqësi i demokratëve të Senatit Chuck Schumer, i cili në ditët e ardhshme do të bëhet udhëheqës i shumicës së Senatit, tha në një fjalim në Senat se zoti Trump “është kërcënim për rendin tonë kushtetues pavarësisht nëse është në pushtet ose jo.”

Mandati i zotit Trump si president përfundon të mërkurën kur Presidenti i zgjedhur Joe Biden të bëjë betimin.

Zoti Schumer shtoi se nëse Trump shpallet fajtor, Senati do të votonte për ta ndaluar të kandidojë përsëri për president.

Mbështetësit e zotit Trump sulmuan Kapitolin në 6 janar, duke e vonuar me disa orë procesin e çertifikimit të fitores së zotit Biden në zgjedhjet e nëntorit dhe duke i detyruar ligjvënësit të kërkonin mbrojtje. Sulmi rezultoi në vdekjen e pesë personave, përfshirë një oficer të policisë së Kapitolit.

Inaugurimi i presidentit të ri, festime kryesisht virtuale

VOA

Ditën e mërkurë më 20 janar, Shtetet e Bashkuara inaugurojnë presidentin e ri Joe Biden, në Uashington DC. Pas sulmeve të dhunshme në Kapitol në fillim të muajit nga mbështetës të Presidentit në largim Donald Trump, amerikanët po përgatiten për më të keqen por shpresojnë në bashkimin, që është edhe motoja kryesore e inaugurimit të zotit Biden. Siguri e lartë për ceremoninë më të rëndësishme në vend e cila mbahet një herë në katër vite, ajo e inaugurimit të presidentit. Me një prani të paparë ushtarake në Uashington që nga Lufta Civile.

Dhoma e Përfaqësuesve javën e kaluar ngriti akuza për shkarkimin e Presidentit në largim Donald Trump, për herë të dytë gjatë mandatit të tij.

Motoja kryesore e inaugurimit të zotit Biden është “Amerika e Bashkuar”, që është një synim sfidues.

Janë thirrur gati 25 mijë trupa të Gardës Kombëtare dhe është shtuar prania e policisë. Ish shefi i Policisë së Kapitolit i tha Zërit të Amerikës se situata e sigurisë është e qëndrueshme.

Planifikimet për këtë ditë bëhen prej më shumë se një viti, kur unë drejtoja disa nga ato operacione. Do të ketë rreth pesë mijë oficerë të zbatimit të ligjit të cilët do të plotësojnë Shërbimin Sekret, FBI-në dhe Policinë e Kapitolit. Unë kam besim se inaugurimi i presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara do të zhvillohet normalisht”, tha Terrance Gainer, ish shef i Policisë së Kapitolit.

Ceremoni e sigurt dhe duke respektuar distancimin fizik. Shumica e festimeve do të bëhen virtualisht, të drejtuara nga Tom Hanks dhe yje si Lady Gaga e Jennifer Lopez.

Pjesa më e madhe e Uashingtonit do të jetë e mbyllur, me flamujt që përfaqësojnë qindra mijëra njerëz që normalisht do të ishin të pranishëm në ceremoni. Në qytetet kryesore amerikane ka pasur protesta prandaj priten masa sigurie në të 50 shtetet. Sipas një sondazhi të fundit tre çereku i amerikanëve frikësohen se do të ketë dhunë ditët në vazhdim. Një grua thotë se tensionet përkeqësohen nga politikanët që shpesh nuk u përgjigjen nevojave të vendit.

“Mendoj se njerëzit shpesh shkëputen nga komuniteti që mendojnë se përfaqësojnë. Shoqëria është dëmtuar”, thotë Caroline Beresford-Wood.

Dy mikesha që kanë dallime politike, pajtohen në një gjë. Amerikanët duhet të bashkohen.

E djathta po shkon shumë në të djathtë. E majta po shkon shumë në të majtë“, thotë Laura.

Këtu pajtohem me të. E djathta është shumë e djathtë ndërsa e majta shumë e majtë“, vazhdon Linda.

Mes sfidave të zotit Biden, kapaciteti ushtarak i Koresë së Veriut, e cila së fundmi prezantoi armë të reja në një video të paverifikuar në televizionin shtetëror.

Sfidat e brendshme përfshijnë infeksionet në rritje me COVID, papunësinë e lartë dhe përçarjet politike.

Është e rëndësishme që të ecim përpara”, thotë Anwar Huq, profesor kolegji.

Ndërsa shumë amerikanë shpresojnë në bashkimin e vendit.

Përgatitjet e Shtëpisë së Bardhë për banorët e rinj

Dora Mekouar

Ndërsa mandatit të Presidentit Trump po i vjen fundi, të enjten e kaluar para Inaugurimit, pjesë të Shtëpisë së Bardhë ku ka qasje media, dukeshin gjithnjë e më bosh.

Kuti të shumta ishin të mbushura me sende personale të ekipit të Shtëpisë së Bardhë në largim, ndërsa disa punonjës pozonin për foto në Kopështin e Trëndafilave.

Me betimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden të mërkurën me 20 janar para Kongresit amerikan, një tjetër komponent i kalimit paqësor të pushtetit do të jetë duke u zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, por jashtë syrit të publikut, rreth 3.5 kilometra larg ceremonisë së inaugurimit.

Dita e Inaugurimit është gjithashtu edhe dita e largimit të banorëve nga godina ekzekutive. Në vetëm pak orë, familja presidenciale të cilës i mbaron mandati, largohet nga banesa. Shtëpia e Bardhë pastrohet dhe bëhet gati për banorët e rinj që do të qëndrojnë aty për katër vitet e ardhshme.

“Qëllimi përfundimtar atë ditë është t’i japim lamtumirën e fundit presidentit dhe familjes së tij dhe brenda pesë ose gjashtë orësh, në mënyrë të përpiktë, të krijojmë një mjedis të ngrohtë e mikpritës që mishëron shtëpia për presidentin e ri dhe familjen e tij”, thotë Angella Reid, ish-drejtuese e stafit që siguron mirëmbajtën e Shtëpisë së Bardhë dhe që ka mbikëqyrur këtë proces në vitin 2017.

Angella Reid

Angella Reid

Por ky proces mund të duket ndryshe këtë vit. Para se zoti Biden të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, ku janë identifikuar të paktën tre raste me koronavirus, mjediset do të pastrohen në thellësi. Ende nuk është thënë se kur familja presidenciale do të zhvendoset në rezidencën ekzekutive.

Planifikimet e hershme

Planifikimet për ditën e madhe tradicionalisht fillojnë disa muaj më parë dhe transformimi organizohet me kujdes. Rrjeti televiziv CNN raporton se zonja e parë, Melania Trump, tashmë ka dërguar shumë gjëra në vendpushimin Mar-a-Lago në Florida, ku familja Trump pritet të zhvendoset pas mbarimit të mandatit të Presidentit Trump.

CNN-i raportoi gjithashtu se drejtuesi kryesor i personelit të mirëmbajtjes së Shtëpisë së Bardhë, Timothy Harleth, i cili më parë ka punuar në hotelin Trump në kryeqytetin amerikan, po konsultohet me ekipin e zotit Biden për të lehtësuar transferimin aty të familjes së presidentit të ardhshëm.

Tradicionalisht, familja e re presidenciale zgjedh orendi e vepra arti para se të futet në Shtëpinë e Bardhë nga një koleksion i gjerë, që ruhet në një depo në Merilend. Ata po ashtu kanë bërë të ditura preferencat e tyre personale kur bëhet fjalë për gjëra të tilla si ushqimi, pijet, çarçafët apo peshqirët. Zonja Reid thotë se dita e ndërrimit të presidentëve shoqërohet me një “koreografi” shumë të spikatur.

“Bëhen planifikime shumë të thella dhe ka një organizim shumë të detajuar e të kujdesshëm. Është një përvojë e shpejtë dhe shumë energjike”.

Anita McBride

Anita McBride

Anita McBride ka punuar për tre administrata presidenciale. Si shefe e stafit e zonjës së parë Laura Bush, ajo e di se çfarë e pret familjen presidenciale Biden prej ditës së parë.

“Kur ata të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë, sipas traditës pas paradës së inaugurimit, të gjitha rrobat e tyre do të jenë të varura në dollap. Të gjitha fotot e tyre personale do të jenë vendosur atje ku ata kanë zgjedhur të jenë. Transformimi është i mahnitshëm”.

Punonjësit e Shtëpisë së Bardhë bëjnë gjithçka munden para kohe për të mundësuar një transferim sa më të qetë nga një familje presidenciale tek tjetra. Për shembull, disa lyerje me bojë dhe meremetime bëhen kur presidenti në largim ndodhet me pushime gjatë festave në fund të dhjetorit. Por pjesa tjetër kryhet në ditën e zhvendosjes.

Dy ashensorë përdoren për heqjen e orendive të presidentit në largim ndërsa futen brenda gjërat e presidentit të ri. Disa prej tyre me përmasa të mëdha transportohen përmes shkallëve.

“Lyhen mure e gjithashtu duhen ndryshuar veprat e artit e sende të tjera si shandanë, krevatë apo dysheqe. Pra ka shumë gjëra që duhen bërë”, thotë zonja Reid.

Presidenti i ardhshëm zgjedh se si do ta mobilojë Zyrën Ovale. Shumica e presidentëve zgjedhin një tryezë të bërë nga druri i një anijeje britanike që Mbretëresha Viktoria ia dhuroi Presidentit Rutherford B. Hayes në fund të viteve 1800.

“Edhe qilimi shërben për përcjellë ndjenjat që ka një president apo emocionet ndërsa futet në atë zyrë. Padyshim që portreti i Presidentit George Washington ka vendin e spikatur mbi oxhak dhe praktikisht askush nuk e ka ndryshuar atë”, thotë zonja McBride.

Persona të caktuar në Shtëpinë e Bardhë sigurohen që objekte në pronësi të qeverisë të mos dalin prej saj ditën e largimit të presidentit që i ka mbaruar mandati. Gjithçka etiketohet, duke ndarë gjërat personale të presidentit nga ato që duhet të rrinë aty.

Ish-Presidenti Bill Clinton ktheu mbrapsht dhurata me vlerë 28 mijë dollarë mes konfuzionit nëse ato i ishin dhënë familjes së tij personalisht apo i përkisnin koleksionit të Shtëpisë së Bardhë.

Ditë emocionale

Emocionet mund të jenë të larta kur stafi do të duhet t’i japë lamtumirën familjes presidenciale.

“Ata kanë krijuar miqësi dhe lidhje me shumë njerëz dhe atë ditë është fundi. E kupton që dita ka ardhur ose po vjen dita që këto lidhje të shkëputen”, thotë zonja Reid.

Zonja McBride kujton emocionin e largimit nga Shtëpia e Bardhë.

“Marrëdhënia mes një punonjësi të përhershëm dhe familjes presidenciale, kryesisht nëse kanë fëmijë dhe sidomos kur fëmijët janë të vegjël bëhen shumë e afërt. Është e vështirë të thuash lamtumirë”, thotë ajo.

Kjo ndjesi përjetohet edhe nga njerëz si punonjësi veteran Dale Haney, i cili kujdeset për kafshët shtëpiake të familjes së presidentit.

“Për të ka qënë eksperiencë e dhimbshme ndarja nga kafshët shtëpiake për të cilat është kujdesur për vite, sepse kanë qënë si pjesë e familjes së tij”, thotë zonja McBride.

Largimi nga Shtëpia e Bardhë mund të jetë veçanërisht i vështirë për një president me një mandat, thotë zonja McBride, ndërsa kujton rastin e Presidentit George H.W. Bush i cili humbi përballë zotit Clinton në vitin 1992.

“Ndihesh sikur nuk ke bërë gjithçka ashtu sikur ke shpresuar. Kur largohesh pas katër vitesh dhe veçanërisht për një familje presidenciale është emocionuese. George H.W. Bush shkruante në kujtimet e tij se ishte e dhimbshme dhe kështu u ndje edhe Barbara Bush. Ata e ndjenë thellë dhimbjen, por ata janë gjithashtu familje patriote dhe vepruan si duhet”.

Për punonjësit e Shtëpisë së Bardhë si zonja Reid, Dita e Inaugurimit mund të zgjasë 21 orë, por ndjenja e misionit dhe detyrës ndaj vendit tejkalon çdo lodhje. Zonja Reid thotë se dita e futjes në Shtëpinë e Bardhë është pikërisht aty ku fillon dhe mbaron transferimi paqësor i pushtetit, duke shtuar se shkathtësia, profesionalizmi dhe angazhimi i punonjësve të rezidencës e bëjnë të mundur tranzicionin pa ndërprerje.

“Mendoj se kjo është një pjesë e gjithë ditës dhe fillimit të presidencës. Është një ditë kaq domethënëse dhe me ndikim sa që asgjë tjetër nuk e tejkalon domosdoshmërinë e krijimit të një përvoje pozitive e të paharrueshme për të gjithë ata që janë të përfshirë”, thotë ajo.

Jetoi 3 muaj në Aeroportin e Chicago-s sepse kishte frikë të hipte në avion për shkak të COVID-19

Një person nga shteti i Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i cili nuk dëshironte të hipte në avion për shkak se frikësohej nga koronavirusi i ri (COVID-19), ka jetuar në mënyrë të fshehtë 3 muaj në zonën e sigurt të Aeroportit Ndërkombëtar Chicago O’Hare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të gazetës Chicago Tribune, 36-vjeçari Aditya Singh, i cili erdhi në Aeroportin Ndërkombëtar Chicago O’Hare më 19 tetor 2020 nga Los Angeles, qëndroi për 3 muaj në zonën e sigurt.

Singh i cili u vu re pasi punonjësit e kompanisë United Airlines më 16 janar e pyetën për letërnjoftim, u arrestua nga policia.

Ai në gjykatë tregoi se për arsye se frikësohet nga COVID-19 nuk dëshiron të kthehet në Los Angeles, duke shtuar se në aeroport ka jetuar në zonën e sigurt pa u vërejtur me letërnjoftimin e një punonjësi në aeroport.

Nuk është bërë e ditur se pse Singh ka ardhur në Chicago, ndërsa ai jeton në rajonin Orange të Kalifornisë

Për të kërkohet kusht prej 1000 dollarësh me akuzën e “hyrjes në hapësirë private pa leje”, si dhe ndalesë të përhershme në Aeroportin Ndërkombëtar Chicago O’Hare.

Joe Biden pritet të propozojë një rrugë 8-vjeçare drejt shtetësisë për emigrantët

VOA

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, planifikon të shpalosë një projektligj gjithëpërfshirës të emigracionit në ditën e parë të administratës së tij, duke shpresuar të sigurojë një rrugë tetë-vjeçare drejt shtetësisë për rreth 11 milionë njerëz që jetojnë në Shtetet e Bashkuara pa status ligjor, një ndryshim masiv nga politikat e ashpra të të imigracionit të administratës së presidentit Trump.

Legjislacioni e vë zotin Biden në rrugë për të përmbushur një premtim të madh fushate të rëndësishëm për votuesit latino-amerikan dhe komunitetet e tjera të imigrantëve pas katër vitesh të politikave kufizuese të presidentit Donald Trump dhe dëbimeve masive. Ai siguron një nga rrugët më të shpejta drejt shtetësisë për ata që jetojnë pa status ligjor vitet e fundit, por nuk arrin të përfshijë një kompromis rreth rritjes së sigurisë së kufirit të favorizuar nga shumë republikanë, duke vënë në dyshim miratimin në Kongres.

Sipas një personi të njohur me legjislacionin, që foli me kusht që të mos identifikohet, projektligji që pritet të ketë qindra faqe, do të paraqitet pasi që zoti Biden të bëjë betimin të mërkurën.

Si kandidat, zoti Biden i cilësoi veprimet e presidentit Trump mbi imigracionin një “sulm të pamëshirshëm ” ndaj vlerave amerikane dhe tha se ai do të “zhbëjë dëmin”, ndërsa do të vazhdojë të mbajë kufijtë të përforcuar.

Sipas legjislacionit, ata që jetojnë në Shtetet e Bashkuara që nga 1 janari i vitit 2021 pa status ligjor, do të kishin një rrugë pesë-vjeçare drejt statusit të përkohshëm ligjor, ose një leje të përhershme qëndrimi (Green Card), nëse kalojnë kontrollet e sigurisë, paguajnë taksa dhe përmbushin kërkesat tjera themelore. Prej andej është një rrugë tre-vjeçare drejt natyralizimit, nëse synojnë shtetësinë.

Për disa emigrantë, procesi do të ishte më i shpejtë. Të ashtuquajturit ëndërrimtarë, (dreamers) të rinjtë që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme si fëmijë, si dhe punëtorët e bujqësisë dhe njerëzit me status të përkohshëm mbrojtës, mund të kualifikohen menjëherë për Green Card nëse janë duke punuar, janë duke u shkolluar, apo plotësojnë kërkesa të tjera.

Projekt-ligji nuk është aq gjithëpërfshirës sa rishikimi i fundit i madh i imigracionit i propozuar në kohën kur zoti Biden ishte nënpresident gjatë administratës së zotit Barack Obama.

Zoti Biden pritet të ndërmarrë veprime të shpejta ekzekutive për të ndryshuar veprimet e tjera të presidentit Trump rreth imigracionit, duke përfshirë edhe dhënien fund të ndalimit të hyrjeve të personave nga disa vende me shumicë myslimane.


Send this to a friend