VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

SHBA, historiku i procedurave për shkarkimin e një presidenti

By | September 28, 2019

Komentet

Presidenti Trump i shmanget angazhimit për pranimin e një kalimi paqësor të pushtetit

Presidenti Donald Trump flet gjatë një aktiviteti për nderimin e veteranëve, 23 shtator 2020.
Steve Herman

SHTËPIA E BARDHË – Presidenti Donald Trump nuk ka pranuar të konfirmojë nëse do të ishte i gatshëm për një kalim paqësor të pushtetit nëse do të humbiste betejën për t’u rizgjedhur më 3 nëntor përballë kandidatit demokrat për president Joe Biden.

“Do të duhet të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha presidenti në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një konference për shtyp të Shtëpisë së Bardhë të mërkurën në mbrëmje. “Unë jam ankuar me shumë forcë për fletëvotimet dhe ato janë një katastrofë”.

Pa paraqitur asnjë provë, Presidenti Trump ka folur vazhdimisht për manipulime masive falë dhjetëra miliona fletëvotimeve të dërguara nëpërmjet postës, sistem të cilin demokratët e kanë inkurajuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Ne duam të kemi – t’i heqim fletët e votimit”, vazhdoi presidenti, duke shpjeguar se nëse do të krijohej një situatë e atillë “nuk do të ketë një transferim, sinqerisht; do të ketë një vazhdimësi”.

Zoti Biden u pyet t’u përgjigjej komenteve të Presidentit Trump, kur mbërriti në Delauerë të mërkurën në mbrëmje.

“Në cilin vend jemi? Po e them me humor”, tha ish-nënpresidenti. “Thashë, në cilin vend jemi? Shikoni, ai thotë gjërat më të palogjikshme. Nuk di çfarë të them”.

Të paktën një nga kolegët e tjerë republikanë të Presidentit Trump në Senat, u shpreh i alarmuar për komentet e presidentit.

“Thelbësore për demokracinë është kalimi paqësor i pushtetit; pa atë kemi Bjellorusi”, tha në Twitter Senatori Mitt Romney nga shteti Jutah. “Çdo sugjerim që një president mund të mos respektojë këtë garanci kushtetuese është i paimagjinueshëm dhe i papranueshëm”.

Zoti Romney ishte kandidati i partisë së tij për president në 2012-ën dhe ka qenë një nga republikanët e paktë në Senat që herë pas here nuk ka qenë dakort me retorikën dhe veprimet e Presidentit Trump.

“Nuk ka dyshim që ai nënkupton pikërisht atë që tha”, tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff, kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, në kanalin MSNBC rreth komentit të presidentit, duke shtuar se ishte koha që ata që shërbenin në administratën Trump “të jepnin dorëheqjen” në protestë.

Një nga grupet më të vjetra të të drejtave kushtetuese të vendit gjithashtu komentoi.

“Transferimi paqësor i pushtetit është thelbësor për një demokraci funksionale. Kjo deklaratë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara duhet të shqetësojë çdo amerikan”, tha David Cole, drejtori kombëtar ligjor i Unionit Amerikan të Lirive Civile.

Më herët të mërkurën, Presidenti Trump tha se ai mendon se zgjedhjet e nëntorit “do të përfundojnë në Gjykatën e Lartë dhe unë mendoj se është shumë e rëndësishme që të kemi nëntë gjyqtarë”.

Presidenti planifikon të shpallë të emëruarën e tij për Gjykatën e Lartë të shtunën që nëse miratohet do të zëvendësonte gjykatësen liberale Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq të premten e kaluar.

Nëse Senati konfirmon kandidaten e presidentit para zgjedhjeve, kjo do t’i jepte krahut konservator një shumicë 6-3 në gjykatë.

“Ky mashtrim që demokratët po bëjnë, është një mashtrim, mashtrimi do të jetë përpara Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara dhe unë mendoj se të kesh një situatë 4-4 nuk është një situatë e mirë”, tha Presidenti Trump.

Presidenti ka shprehur vazhdimisht shqetësimin në lidhje me planet nga një numër shtetesh, duke përfshirë shtetet Kaliforni, Kolorado, Hauai, Nevada, Nju Xhersi, Oregon, Jutah, Vermont dhe Uashington, për të dërguar automatikisht fletëvotime për zgjedhjet të gjithë banorëve të shtetit.

Benjamin Ginsberg, një avokat i njohur për çështjet zgjedhore i cili ka përfaqësuar katër kandidatë republikanë për president, është cituar këtë muaj duke thënë se parashikimi i Presidentit Trump për mashtrim me këto vota nuk ka prova.

“Fjalët e presidentit e bëjnë retorikën e tij dhe të Partisë Republikane të duket më pak si një shqetësim i sinqertë – dhe më shumë si hipokrizi për të siguruar një avantazh elektoral”, shkruajti zoti Ginsberg në një artikull në gazetën Washington Post. “Dhe ata dalin ndërsa republikanët që përpiqen të fitojnë çështjet e tyre në gjykata duhet të përballen me të vërtetën themelore se katër dekada hetimi të dedikuar kanë prodhuar vetëm incidente të izoluara të manipulimit të zgjedhjeve”.

Rasti Breonna Taylor: Një zyrtar policor akuzohet për bastistjet që rezultuan me fatalitet

Pamje nga protestat kundër racizmit në Shtetet e Bashkuara. Foto nga arkivi.

Një juri e përbërë nga një grup qytetarësh në Shtetet e Bashkuara, të cilët sipas ligjit kanë fuqi që të nisin procedura ligjore dhe të hetojnë krime potenciale penale, ka akuzuar një zyrtar policor të bardhë për të shtënat kundër të ndjerës Breonna Taylor në shtëpinë e saj në Kentaki.

Taylor, afrikano-amerikane, 26-vjeçare, teknike në një dhomë të emergjencës në spital, është qëlluar disa herë gjatë një bastisjeje policore më 13 mars të këtij viti.

Vdekja e saj është kthyer në një prej cështjeve kyçe në protestat kundër racizimit në Shtetet e Bashkuara, në të cilat është bërë thirrje që tre zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast, të arrestohen dhe të dënohen.

Zyrtarët amerikanë më herët janë pajtuar që t’i paguajnë familjes së saj 12 milionë dollarë dëmshpërblim.

Zyrtari policor, Brett Hankison, është ngarkuar me tre akuza për “rrezikim të paarsyeshëm” gjatë të shtënave.

Ai është përjashtuar nga Departamenti i Policisë në Luisvill, pasi hetuesit kanë gjetur se ai “ka shtënë 10 herë, pa shkak dhe verbërisht” brenda në apartament, bazuar në letrën e tij të shkarkimit.

Dy zyrtarë tjerë policorë që kanë shtënë atë natë, Jonathan Mattingly dhe Myles Cosgrove, nuk janë akuzuar.

Taylor ka qenë në shtëpinë e saj më 13 mars, kur zyrtarët policorë kanë hyrë në apartament pak pas mesnatës, ka thënë familja e saj.

Zyrtarët për narkotikë kanë bastisur vendbanimin e saj, mirëpo nuk kanë gjetur ndonjë lloj droge aty.

Taylor, mes tjerash, nuk ka pasur histori kriminale.

Policia ka kryer një lloj të kërkimit të njohur si “kërkim pa trokitje”, që u mundëson zyrtarëve policorë të hyjnë brenda një shtëpie pa paralajmërim.

Zyrtarët policorë besojnë se kanë trokitur dhe kanë njoftuar para hyrjes brenda, mirëpo familja dhe fqinjët e Taylorit kanë mohuar këtë gjë.

Në atë kohë, Taylor ka qenë bashkë me të dashurin e saj Kenneth Walker, që ka pasur leje për të mbajtur armë.

Walker thuhet të ketë besuar se dikush po tenton të hyjë në shtëpi dhe më vonë i ka thënë policisë dhe ka shtënë një herë me armë zjarri.

Zyrtarët thonë se plumbi i Walkerit ka plagosur një zyrtar policor, i cili më vonë i është nënshtruar operimit.

Tre zyrtarët policorë më pas kanë qëlluar më shumë se 20 herë me armë zjarri në banesë.

Taylor është qëlluar disa herë dhe ka vdekur në ambiente të apartamentit, kanë thënë avokatët e familjes së saj. rel

Trump: Zgjedhjet do të përfundojnë në Gjykatën e Lartë

Marrë nga Reuters

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ai mendon që zgjedhjet e vitit 2020 do të përfundojnë në Gjykatën e Lartë, duke shtuar se kjo është arsyeja se përse ka rëndësi që ajo t’i ketë të nëntë gjyqtarët.

Duke folur në një takim në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se senatori republikan Lindsey Graham, i cili kryeson Komisionin e Gjyqësorit në Senat, as që është e nevojshme të zhvillojë një seancë dëgjimore për personin që do të emërohet për anëtar të Gjykatës dhe se procesi do të kryhej shpejt.

“Unë mendoj se çështja do të përfundojë në Gjykatën e Lartë dhe se është shumë e rëndësishme që të kemi nëntë gjyqtarë,” tha Presidenti Trump kur u pyet nëse do të duhej një Gjykatë e plotë për të trajtuar ndonjë sfidë të mundshme për zgjedhjet e 3 nëntorit midis tij dhe rivalit demokrat Joe Biden.

Presidenti Trump ka hedhur dyshime mbi integritetin e zgjedhjeve, duke thënë pa prova se votimi me postë për shkak të pandemisë do të çonte në mashtrime.

“Ky mashtrim që po përgatisin demokratët … do të dalë para Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se të kesh një rezultat 4 me 4 nuk është një situatë e mirë,” tha ai.

Deri tani, vetëm një garë presidenciale, ajo e vitit 2000 midis republikanit George W. Bush dhe demokratit Al Gore, është vendosur në Gjykatën e Lartë.

Presidenti Trump po lëviz me shpejtësi për të emëruar një pasardhëse të gjyqtares liberale Ruth Bader Ginsburg, e cila ndërroi jetë të premten.

Ndërkohë ish-Nënpresidenti Joe Biden, rivali demokrat i zotit Trump për zgjedhjet e 3 nëntorit, ka bërë thirrje që presidenti i ardhshëm, të përzgjedhë kandidatin për Gjykatën e Lartë, pas inaugurimit të tij në janar.

Aleatët republikanë të zotit Trump në Senat thonë se ata mund të zhvillojnë një votim para zgjedhjeve. Kjo do të vuloste një shumicë konservatore 6 me 3 në gjykatën më të lartë të vendit.

Presidenti Trump ka thënë se do ta shpallë të zgjedhurën e tij mes pesë grave kandidate të shtunën pasdite.

Të hënën, ai u takua në Shtëpinë e Bardhë me gjyqtaren Amy Coney Barrett, e cila shihet si pretendente kryesore.

I pyetur për gjyqtaren tjetër, Barbara Lagoa, ai u tha gazetarëve të mërkurën: “Nuk kam planifikuar një takim, por ajo është në listën time”.

Gjatë mandatit të tij, Presidenti Trump ka emëruar dy konservatorë në gjykatën e Lartë, Neil Gorsuch në vitin 2017 dhe Brett Kavanaugh në vitin 2018.

Emërimet në Gjykatën e Lartë, anëtarët e së cilës shërbejnë për jetë, kërkojnë konfirmimin e Senatit. Aleatët republikanë të Presidentit Trump kontrollojnë 53 nga të 100 vendet e Senatit.

Dy senatore republikane, Susan Collins dhe Lisa Murkowski kanë njoftuar se do të votojnë kundër emërimit të zotit Trump para zgjedhjeve, kur mbeten më pak se 40 ditë në krahasim me 70 ose më shumë që zakonisht i është dashur Senatit për të shqyrtuar e miratuar kandidaturën për një vend në Gjykatën e Lartë gjatë administrave të kaluara.

Por asnjë senator tjetër republikan nuk u është bashkuar atyre në përpjekjen për të vonuar shqyrtimin e kandidaturës.

Udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell ka thënë se është gati të veprojë, sapo Presidenti Trump të shpallë emërimin. zëri i amerikës

Kundërshtarët dhe kriminelët kibernetikë e vënë rezultatin e zgjedhjeve amerikane në shënjestër

Jeff Seldin

UASHINGTON – Zyrtarët e sigurisë së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara po përgatisin publikun amerikan për një lloj të ri të skenarit më të keq për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit – një vërshim dezinformimesh në orët menjëherë pas mbylljes së votimeve, duke hedhur dyshime mbi rezultatet dhe vetë procesin, ndërsa votuesit do të jenë në pritje të mësojnë se kush do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme.

Zyrtarët paralajmërojnë se sulmet e mundshme do të jenë të përhapura dhe të projektuara për t’i bërë amerikanët dyshues për çdo informacion që marrin, madje edhe nga burime normalisht të besueshme.

“Aktorët e huaj dhe kriminelët kibernetikë mund të krijojnë faqe të reja në internet, të ndryshojnë faqet elektronike ekzistuese dhe të krijojnë ose ndajnë përmbajtje korresponduese të mediave sociale për të përhapur informacion të rremë”, paralajmëroi Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit Kibernetik (CISA) përmes një njoftimi të lëshuar të martën vonë.

“FBI dhe CISA nxisin publikun amerikan të vlerësojë në mënyrë kritike burimet e informacionit që ata konsumojnë dhe të kërkojnë informacione të besueshme dhe të verifikuara nga burime të besuara, të tilla si zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore dhe lokale,” thuhet në njoftim. “Publiku duhet të jetë i vetëdijshëm se nëse aktorët e huaj ose kriminelët në internet do të ishin në gjendje të ndryshonin me sukses një faqe elektronike të lidhur me zgjedhjet, të dhënat themelore dhe sistemet e brendshme do të mbeteshin të pakompromentuara.”

Shqetësimet nuk janë të reja. Për muaj me radhë, zyrtarët e sigurisë së zgjedhjeve federale dhe shtetërore janë përpjekur të përgatisin votuesit, duke u thënë atyre se për shkak të një rritjeje të pritshme të fletëvotimeve me postë për shkak të pandemisë së koronavirusit, mund të kalojnë disa ditë para se të shpallet fituesi i zgjedhjeve presidenciale .

Zyrtarët amerikanë të kundërzbulimit kanë paralajmëruar gjithashtu muajt e fundit se vende si Kina, Rusia dhe Irani, si dhe aktorë të tjerë kibernetikë, kanë kryer operacione ndikimi për të “minuar besimin e popullit amerikan në procesin demokratik të SHBA”.

Por paralajmërimi i ri i FBI-së dhe CISA-s shkon më tej, duke dhënë hollësi se si kundërshtarët mund të përpiqen të mashtrojnë publikun amerikan në internet dhe përmes mediave sociale.

Bllokimi i valës së dezinformimit ndërsa zgjedhjet po afrojnë mund të jetë një sfidë e vështirë.

Megjithatë, disa zyrtarë zgjedhorë shohin arsye për shpresë, bazuar në vullnetin që kanë treguar kompanitë e mediave sociale për t’u takuar me ta gjatë disa muajve të fundit për të folur se si mund të shmangen fushatat e dezinformimit. Disa nga këto përpjekje po japin rezultat.

Të martën, Facebook-u hoqi më shumë se 150 llogari, faqe dhe grupe të lidhura me Kinën, disa prej të cilave kishin në shënjestër zgjedhjet amerikane.

Facebook-u dhe Twitter-i gjithashtu kanë njoftuar heqjen e llogarive të lidhura me Agjencinë ruse të Kërkimit në Internet, që merret me dezinformimin online.

Në fillim të këtij muaji, firma Microsoft doli publikisht me informacionin se si hakerat e lidhur me Kinën, Rusinë dhe Iranin kishin vënë aktivisht në shënjestër fushatat e Presidentit Donald Trump dhe rivalit të tij kryesor, Joe Biden.

Disa ekspertë shqetësohen se kjo mund të mos jetë e mjaftueshme.

“Shumë nga platformat kryesore online kanë vendosur të tregohen shumë më aktive,” thotë Emily Fry, drejtoreshë për Integrimin Kibernetik në Korporatën MITRE.

Disa zyrtarë shtetërorë janë po aq të shqetësuar se a do të jenë të aftë një fushatë dezinformuese të përmasave të mëdha.

“Unë shqetësohem për dy ditët e fundit dhe për ditën e zgjedhjeve,” thotë Sekretarja e Shtetit e Pensilvanisë, Kathy Boockvar.

CISA dhe zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve po marrin masa, duke u përpjekur të imunizojnë votuesit ndaj valës së pritshme të dezinformimit, duke i nxitur ata të përgatiten, të marrin pjesë në zgjedhje dhe, veçanërisht, të jenë të durueshëm.

“Ndoshta do të duhet pak më shumë kohë për të bërë numërimin për shkak të rritjes së numrit të fletëvotimeve me postë”, tha Drejtori i CISA-s Christopher Krebs javën e kaluar në Samitin e Sigurisë Kibernetike në Billington. “Kini pak durim. Demokracia nuk është krijuar brenda një dite.”

Shqetësimet nuk janë të reja. Për muaj me radhë, zyrtarët e sigurimit të zgjedhjeve federale dhe shtetërore janë përpjekur të përgatisin votuesit, duke u thënë atyre se për shkak të një rritje të pritshme të përdorimit të fletëvotimeve me postë për shkak të pandemisë së koronavirusit, mund të kalojnë disa ditë para se të shpallet fituesi i zgjedhjeve presidenciale .

SHBA, arrin në 200 mijë numri i vdekurve nga koronavirusi

Të martën Shtetet e Bashkuara regjistruan 200 mijë raste vdekjesh si pasojë e koronavirusit, por ekspertët e shëndetit thonë se shifra mund të vazhdojë të rritet me dhjetëra mijëra në muajt e ardhshëm. Numri i të vdekurve i ka tejkaluar parashikimet e hershme dhe shifra është gati sa dyfishi i viktimave amerikane në luftërat e zhvilluara në Kore, Vietnam, Gjirin Persik, Afganistan dhe Irak.

Në prill, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive doktor Anthony Fauci pati thënë se numri i të vdekurve do të arrinte “në më shumë se 60 mijë”, ndërsa Presidenti Donald Trump, i cili fillimisht e minimizoi koronavirusin si diçka të ngjashme me gripin sezonal, tha në muajin maj se numri mund të shkonte diku tek 75 në 100 mijë të vdekur.

Tashmë ekspertët e shëndetësisë në universitetin e Uashingtonit thonë se numri i të vdekurve mund të arrijë në 410 mijë deri në fund të vitit.

Në fund të prillit në SHBA regjistroheshin çdo ditë më shumë se 2,000 vdekje, tashmë shifra është rreth 800 vdekje në ditë.

Ekspertët po përpiqen të zhvillojnë një vaksinë kundër koronavirusit e cila mund të miratohet për përdorim urgjent në muajt e ardhshëm. Por në mungesë të një vaksine dhe me futjen në një sezon të ftohtë, ekspertët druhen se numri i përditshëm i të vdekurve mund të rritet sërish. SHBA-ja ka numrin më të lartë të vdekjeve krahasuar me të gjitha vendet e botës, por disa vende në Evropë dhe në Amerikën Latine kanë regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve për frymë.

Të martën Presidenti Trump nuk bëri asnjë koment mbi shifrën e të vdekurve si pasojë e virusit. Përpjekjet kundër COVID-19 janë shndëruar në një pikë kryesore të debatit në kuadër të fushatës për zgjedhjet presidenciale. Zoti Biden akuzon Presidentin për keqmenaxhimin të krizës e cila ka çuar në ato që ai i quajti vdekje të parandalueshme, ndërsa presidenti Trump i dha vetes “notën 10” gjatë një intervistë të hënën lidhur me përgjigjen ndaj pandemisë.

Ata po vdesin. Kjo është e vërtetë. Situata është ajo që është. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk po bëjmë gjithçka që mundemi. Situata ndodhet nën kontroll për aq sa mund ta kontrollojmë“, tha zoti Trump gjatë një interviste në fund të korrikut për Axios.

Të martën në një konferencë për shtyp Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany u pyet se çfarë do t’u thoshte Shtëpia e Bardhë atyre amerikanëve që e fajësojnë për 200 mijë rastet e vdekjeve si pasojë e virusit.

Fakti që jemi shumë larg shifrës prej 2 milionë të vdekurish është një dëshmi se ky president po ndërmerr veprime të menjëhershme“, tha ajo.

Të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se 156 vende do të marrin pjesë në një iniciativë globale për të zhvilluar, prodhuar dhe shpërndarë në mënyrë të barabartë një vaksinë kundër COVID-19.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, tha se 64 vende të pasura kanë rënë dakord të marrin pjesë në lehtësimin e qasjes globale ndaj vaksinave kundër COVID-19, falë një projekti të përbashkët të quajtur COVAX, bashkëpunim i OBSH-së, Koalicionit për Inovacione e Gatishmëri ndaj Epidemive dhe Gavi-t, Aleanca e Vaksinave, një organizatë e themeluar nga Bill dhe Melinda Gates, që synon vaksinimin e fëmijëve në vendet më të varfra të botës.

Nisma synon të shpërndajë deri në 2 miliardë doza të një vaksine të sigurt dhe efektive në të gjithë botën deri në fund të vitit 2021, duke nisur fillimisht me 3 për qind të popullsisë së vendeve pjesëmarrëse, ku futen punonjës e kujdesit shëndetësor dhe ata me rrezik të lartë për t’u prekur nga sëmundja.

Zoti Tedros tha se 38 vende të tjera pritet t’i bashkohen COVAX-it në ditët në vijim.

“Kjo nuk është bamirësi është në interesin më të mirë të çdo vendi”, tha ai. “Ne do të fundosemi ose do të notojmë së bashku”.

Në listën e kombeve pjesëmarrëse mungojnë Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia. SHBA-ja paralajmëroi më parë se nuk do të marrë pjesë në projektin COVAX për shkak të rolit udhëheqës të OBSH-së në këtë përpjekje. zëri i amerikës

Presidenti Trump flet në asamblenë e OKB-së për virusin, sulmon Kinën

Në një fjalim për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mbajtur virtualisht, Presidenti amerikan Donald Trump tha se 75 vjet pas Luftës së Dytë Botëtore dhe themelimit të OKB-së, bota është përsëri e përfshirë në një luftë të madhe globale, atë kundër “një virusi të padukshëm”.

Presidenti Trump, tha se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë mobilizimin më agresiv që pas Luftës së Dytë Botërore, duke përmendur prodhimin e një numri rekord të respiratorëve, trajtimet që po zhvillohen, uljen e përqindjes në 5 për qind që nga prilli, dhe përpjekjen për zhvillimin e vaksinave që ai tha se janë në fazat përfundimtare të provave klinike.

“Ne do ta mundim virusin dhe do t’i japim fund pandemisë”, tha Presidenti Trump.

Fjalimi i pararegjistruar, pjesë e një Asambleje virtuale të Kombeve të Bashkuara, jepej ndërsa numri i të vdekurve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara arriti në 200 mijë dhe vendi ka numrin më të madh të viktimave dhe të infektuarve në botë, 6.9 milionë.

Presidenti Trump është kritikuar ashpër nga rivali i tij demokrat, Joe Biden për mënyrën si e ka trajtuar pandeminë.

“Ai po i nxit njerëzit që të mos ndjekin këshillat shkencore të ekspertëve të shëndetësisë. Presidenti duhet japë dorëheqjen”, tha zoti Biden, duke shtuar se nëse ai do të kishte vepruar më herët, do të kishte shpëtuar mijëra jetë njerëzish nga koronavirusi”.

Në fjalimin e tij, zoti Trump, që e quajti COVID-19-ën një virus kinez, tha se OKB-ja duhet ta vërë Kinën para përgjegjësisë si vendi që e “përhapi këtë murtajë” dhe kritikoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë për deklarata të rreme për virusin. Ai tha se ajo kontrollohet nga Kina.

Presidenti Trump tha se nëse OKB-ja do që të jetë efektive, duhet të përqendrohet tek problemet e vërteta të botës, përfshirë terrorizmin, shtypjen e grave, punën e detyruar, trafikun e drogës dhe atë të njerëzve, persekutimin fetar dhe spastrimin etnik të pakicave fetare.

“Amerika do të jetë gjithnjë një udhëheqëse për të drejtat e njeriut. Administrata ime po çon përpara lirinë fetare dhe mundësitë për grate”, tha ai duke shtuar se “ne e dime që mirëqenia e Amerikës është guri i themelit i lirisë dhe sigurisë së botës”.

Presidenti Trump përmendi rritjen e ekonomisë para virusit dhe tha se Shtetet e Bashkuara po e bëjnë përsëri me shpejtësi një gjë të tillë. Ai përnendi gjithashtu edhe shpenzimet për ushtrinë dhe tha se SHBA rigjallëroi NATO-n ku vendet e tjera po paguajnë tani shumë të tepër në kuotat për aleancën.

politikën e tij jashtme, zoti Trump ka vënë pikëpyetje publikisht vlerën e aleancave dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, Organizatën Botërore Tregëtisë dhe Organizatën Botërore Shëndetësisë.

Mes atyre që i quajti suksese ndërkombëtare të administratës, Presidenti Trump përmendi marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Këtë muaj ne arritëm një marrëveshje paqeje mes Serbisë dhe Kosovës. Ne arritëm dy suksekse të mëdha me dy marrëveshjeje paqeje në Lindjen e Mesme”, tha ai duke iu referuar atyre të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.

Presidenti Trump foli gjithashtu edhe për përpjekjet për t’i dhënë fund luftës Afganistan, ku forcat amerikane janë dislokuar nga viti 2001. Sipas planeve administratës, niveli i trupave amerikane atë vend, do ulet 4,500 deri nëntor.

Shtetet e Bashkuara po punojnë për t’i dhënë fund luftës Afganistan, duke i sjellë trupat shtëpi. Amerika po kryen rolin e saj historik për vendosjen e paqes”, tha ai.

“Ne jemi më të fuqishëm se kurrë më parë”, tha Presidenti Trump duke shtuar se vetëm duke u kujdesur për qytetarët e tu, mund të arrish bashkëpunim të vërtetë.

“Unë me krenari vë Amerikën të parën, ashtu si edhe ju duhet të vini vendet tuaja të parat”, tha ai.

Presidenti shprehu bindjen se vitin e ardhshëm Asambleja do të mblidhet si gjithmonë me praninë e udhëheqësve dhe se do të jetë një nga vitet më madhështore në histori.

Trump bën pjesë të fjalimit arritjen e marrëveshjes: Po ndalojmë vrasjet masive Kosovë- Serbi, u thashë: Djema, le të bëhemi bashkë!

Presidenti i SHBA, Donald Trump gjatë një tubimi në Karolinën Veriore ka cekur mes arritjeve të tij, dhe marrëveshjen Kosovë- Serbi.

Trump theksoi gjatë tubimit për fushatën se marrëveshja e 4 shtatorit është për Çmim Nobel, pasi sipas tij, Shtëpia e Bardhë po ndalon vrasjet masive mes dy shteteve.

Po ashtu ai thotë se u tha krerëve të shteteve respektive, që të bëheshin bashkë. Trump përmendi se Kosova dhe Serbia prej qindra vjetësh janë në konflikt me njëra- tjetrën.

“Historia tjetër, unë jam i sigurt se është një Çmim Nobel për paqen. Ne jemi duke ndaluar vrasjet masive midis Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë vrarë njëri-tjetrin për kaq shumë [vite]. Ata do të ndalojnë vrasjen. Unë i thashë” fellas, le të bashkohemi. Ju e dini, ata e kanë bërë atë për qindra vjet sinqerisht me emra të ndryshëm, “tha Trump. bw

Media: Zarf me lëndë helmuese drejtuar Shtëpisë së Bardhë

Marrë nga Reuters

Një zarf që i ishte drejtuar Shtëpisë së Bardhë, përmbante një substancë të identifikuar si ricinë, një lëndë helmuese vdekjeprurëse, njoftuan disa media të shtunën, duke cituar një zyrtar federal të informuar për këtë çështje.

Zarfi që besohet të ketë ardhur nga Kanadaja u kap në një qendër postare qeveritare para se të mbërrinte në Shtëpinë e Bardhë, njoftuan New York Times, CNN dhe Wall Street Journal.

I pyetur në lidhje me njoftimet, FBI-ja tha se agjencia dhe “Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara dhe dhe partnerët e Shërbimit të Inspektimit Postar po hetojnë një letër të dyshimtë të marrë në një objekt të postës qeveritare. Në këtë moment, nuk ka ndonjë kërcënim për sigurinë publike”.

Shtëpia e Bardhë dhe Shërbimi Sekret i SHBA nuk pranuan të komentojnë.

Ricina gjendet në gjendje të natyrshme, por duhet ndërmarrë një veprim i qëllimshëm për ta shndërruar atë në një armë biologjike. Ricina mund të shkaktojë vdekje brenda 36 deri në 72 orësh nga ekspozimi në një sasi aq të vogël sa një majë gjilpëre. Asnjë antidot i njohur nuk ekziston.

Ka pasur incidente të shumta që përfshijnë zarfe të postuara me ricinë për zyrtarët amerikanë.

Në vitin 2018, një person nga Utah, William Clyde Allen III, u akuzua për kërcënimeve të lidhura me ricinë, përfshirë postimin e një kërcënimi kundër Trump dhe zyrtarëve të tjerë federalë përfshirë Drejtorin e FBI-së Christopher Wray. Të gjitha zarfat e dërguara përmbanin ricinë. Allen mbetet në paraburgim.

Dy persona u dënuan në incidente të veçanta për dërgimin e letrave të me ricin Presidentit të atëhershëm Barack Obama.

Në maj të vitit 2014, një person nga Misisipi, James Everett Dutschke, u dënua me 25 vjet burg pasi u shpall fajtor për dërgimin e letrave me substancën vdekjeprurëse zotit Obama, si dhe një senatori amerikan dhe një gjykatës i shtetit.

Në korrik 2014, një aktor nga Teksasi u dënua me 18 vjet për dërgimin e letrave që përmbanin ricinë për zotin Obama dhe ish-kryebashkiakun e New York-ut, Michael Bloomberg. zëri i amerikës

Fillon beteja politike për zëvendësimin e anëtares së Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg

Masood Farivar

Vdekja e anëtares së Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg i jep Presidentit Donald Trump një mundësi për të emëruar një tjetër konservator në gjykatën më të lartë të vendit dhe për ta zhvendosur edhe më shumë nga e djathta, balancën e saj, vetëm më pak se shtatë javë para zgjedhjeve presidenciale.

Vdekja e saj po ndez një betejë politike lidhur me faktin nëse zoti Trump duhet të emërojë dikë për të zëvendësuar gjykatësen me një seancë konfirmimi në senatin me shumicë republikane, apo ta lërë të paplotësuar vendin e saj, derisa të dalë rezultati i zgjedhjeve.

Aktualisht gjykata ka një shumicë konservatore 5 me 4. Emërimi në Gjykatën e Lartë është i përjetshëm.

Presidenti Trump shkruante të shtunën në Twitter se republikanët kanë detyrimin “të veprojnë pa vonesë”, për të zëvendësuar gjykatësen Ginsburg.

“Ne jemi vendosur në këtë pozicion me pushtet dhe rëndësi për të marrë vendime për njerëzit që me aq krenari na zgjodhën dhe për një kohë të gjatë më i rëndësishmi është konsideruar ai për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. E kemi këtë detyrim, (ta bëjmë) pa vonesë”, tha ai.

Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell tha në një deklaratë të premten se çdo kandidat që mund të caktojë Presidenti Trump “do të marrë një votim votim në senatin amerikan”.

Kandidati demokrat për president, Joe Biden tha i bëri thirrje Senatit që të priste për konfirmimin e dikujt tjetër në postin e gjykatëses, duke thënë se “votuesit duhet të zgjedhin presidentin dhe presidenti duhet të zgjedhë kandidatin që duhet të shqyrtojë Senati”.

Radioja publike NPR njofton se vetëm disa ditë para se të vdiste, gjykatësja Ginsburg i kishte diktuar një deklaratë mbesës së saj, ku shprehej: “Dëshira ime më e zjarrtë është që mos zëvendësohem deri kur të zgjidhte presidenti i ardhshëm”.

Me një shumicë të re edhe më të thellë, forcat konservatore mund të mbizotërojnë për çështje që nga të drejtat e abortit, tek imigracioni dhe deri tek kompetencat ekzekutive. Deri tani zoti Trump ka ruajtur status quo-në, duke caktuar dy gjykatës konservatorë – Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh – për të zëvendësuar anëtarë të tjerë të emëruar nga republikanët.

Por me vdekjen e gjykatëses Ginsburg, Presidenti Trump mund të bëjë diçka që asnjë president nuk e ka bërë prej dekadash, të zëvendësojë një anëtare demokrate me një anëtar republikan të gjykatës. Hera e fundit që kjo ndodhi ishte në vitin 1991 kur Presidenti republikan, George H.W. Bush emëroi gjykatësin konservator Clarence Thomas për të zëvendësuar ikonën liberale, Thurgood Marshall.

E emëruar në vitin 1993 nga ish-Presidenti Bill Clinton, zonja Ginsburg që vdiq në shtëpinë e saj në Uashington në moshën 87 vjeçare nga kanceri, ishte gjykatësja liberale më e moshuar dhe që kishte shërbyer më gjatë në Gjykatën me nëntë anëtarë.

Për shumë liberale, mundësia e emërimit të një kandidati konservator, materializon diçka të cilës i ishin druajtur prej kohësh.

“Kandidati i ardhshëm, me siguri do të ketë pozicione edhe më të djathta se sa gjykatësit Kavanaugh dhe Gorsuch”, thotë drejtori ekzekutiv i organizatës “Fix the Court”.

Zonja Ginsburg, një zë i fuqishëm për kauza liberale ishte vetëm e dyta grua që bëhej anëtare e Gjykatës së Lartë.“Kombi ynë ka humbur një gjykatëse me një stature historike,” tha përmes një deklarate Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts. Zonja Ginsburg, gruaja e dytë që shërbeu në gjykatën më të lartë amerikane, e filloi profesionin në një periudhë kur kishte shumë pak gra juriste. Ajo u përpoq gjatë karrierës së saj të zgjeronte barazinë e grave dhe arriti në statusin e pothuajse një ikone në radhët e qarqeve progresiste.

“Unë kam katër vajza dhe u thashë atyre se kjo grua konsolidoi të drejtat e grave si qenie të barabarta njerëzore”, tha Kimberly Wehle, profesore e së drejtës në Universitetin e Baltimorës.

“Sigurisht ka shumë gra dhe burra që kanë pasur rol në këtë drejtim. Por përsa i takon jurisprudencës, ishte puna e saj si jurist dhe sigurisht si anëtare e Gjykatës së Lartë”, tha ajo.

E nohur si dikush që shprehte atë që mendonte, gjykatësja Ginsburg u përplas me zotin Trump gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, duke thënë se ai ishte dikush që shtirej, duke shkaktuar reagimin e tij që ajo të jepte dorëheqjen.

Presidenti Trump u shpreh në një deklaratë pas vdekjes se “gjykatësja Ginsburg tregoi se mund të mos jesh dakord, pa qenë i pasjellshëm ndaj kolegëve apo këndvështrimeve të ndryshme”.

Pas vdekjes së gjykatëses Ginsburg, një betejë e pritshme politike

Një flamur amerikan i ulur në gjysmë shtizë për nder të gjykatëses Ruth Bader Ginsburg, para Gjykatës së Lartë

 

Vdekja e anëtares së Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg i jep Presidentit Donald Trump një mundësi për të emëruar një tjetër konservator në gjykatën më të lartë të vendit dhe për ta zhvendosur edhe më shumë nga e djathta, balancën e saj, vetëm më pas se shtatë javë para zgjedhjeve presidenciale.

Vdekja e saj ka gjasa ta ndezë një betejë politike lidhur me faktin nëse zoti Trump duhet të emërojë dikë për të zëvendësuar gjykatësen me një seancë konfirmimi në senatin me shumicë republikane, apo ta lërë të paplotësuar vendin e saj, derisa të dalë rezultati i zgjedhjeve.

Aktualisht gjykata ka një shumicë konservatore 5 me 4. Emërimi në Gjykatën e Lartë është i përjetshëm

Radioja publike NPR njofton se vetëm disa ditë para se të vdiste, gjykatësja Ginsburg i kishte diktuar një deklaratë mbesës së saj, ku shprehej: “Dëshira ime më e zjarrtë është që mos zëvendësohem deri kur të zgjidhte presidenti i ardhshëm”.

Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell tha në një deklaratë të premten se çdo kandidat që mund të caktojë Presidenti Trump “do të marrë një votim në senatin amerikan”.

Presidenti Trump u shpreh në një deklaratë se “gjykatësja Ginsburg tregoi se mund të mos jesh dakord, pa qenë i pasjellshëm ndaj kolegëve apo këndvështrimeve të ndryshme”.

Ai shkruante sot në Twitter se republikanët kanë detyrimin “të veprojnë pa vonesë”, për të zëvendësuar gjykatësen Ginsburg.

Kandidati demokrat për president, Joe Biden tha për zonjën Ginsburg, se ajo “ishte gjithmonë zëri që godiste në zemër të çdo çështjeje”.

Ai i bëri thirrje Senatit që të priste për konfirmimin e dikujt tjetër në postin e gjykatëses, duke thënë se “votuesit duhet të zgjedhin presidentin dhe presidenti duhet të zgjedhë kandidatin që duhet të shqyrtojë Senati”. zëri i amerikës

Ndahet nga jeta anëtarja e Gjykatës së Lartë të SHBA, Ruth Bader Ginsburg

Anëtarja e Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg u nda nga jeta të premten në banesën e saj në Uashington, njftoi Gjykata. Ajo ishte 87-vjeçe.

Gjykatësja Ginsburg vdiq nga komplikimet nga kanceri i pankreasit, sqaron njoftimi i Gjykatës së Lartë.

Zonja Ginsburg, një zë i fuqishëm për kauza liberale ishte vetëm e dyta grua që bëhej anëtare e Gjykatës së Lartë.

“Kombi ynë ka humbur një gjykatëse me një stature historike,” tha përmes një deklarate Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts.

Para se të bëhej anëtare e Gjykatës së Lartë në 1983, zonja Ginsburg kishte marrë emër si një aktiviste e zjarrtë për të drejtat e grave.

Vdekja e saj i jep Presidentit Donald Trump mundësinë të zgjerojë shumicën konservatore në Gjykatën e Lartë duke emëruar një gjyjatës të tretë gjatë mandatit të tij.

Kanali radiofonik NPR njoftoi se disa ditë para vdekjes gjykatësja i diktoi një deklaratë mbesës së saj, Clara Spera, ku zonja Ginsburg thoshte: “Dëshira ime më e zjarrtë është që të mos zëvendësohem deri kur të zgjidhet presidenti i ri”. zëri i amerikës

Drejtori i FBI-së: Rusia nuk heq dorë nga ndërhyrja në zgjedhje

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray paralajmëroi ligjvënësit se Rusia nuk po heq dorë nga përpjekjet për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve të nëntorit, duke u munduar të dëmtojë shanset e fushatës së kandidatit demokrat, ish-nënpresidentit Joe Biden, një përfundim që duket se nuk po i shkon për shtat Presidentit Donald Trump.

Zoti Wray, duke dëshmuar para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare i përshkroi operacionet e Kremlinit për ndikim si “shumë, shumë aktive” në mediat sociale, në mediat shtetërore dhe organe të tjera të lidhura me të.

Ai tha se synimi i këtyre operacioneve është “kryesisht të denigrojnë ish-nënpresidentin Biden dhe atë që rusët e shohin si strukturë anti-ruse”.

Ishte hera e parë që zoti Wray paralajmëronte publikisht për intensifikimin e operacioneve ruse, që kur fushata presidenciale hyri në fazën e saj të fundit. Paralajmërimi i tij përputhej gjithashtu me vlerësimin e zyrtarit më të lartë amerikan të kundërzbulimit, William Evanina në gusht.

Zoti Evanina, kishte paralajmëruar gjithashtu se aktorë të lidhur me Rusinë, po “përpiqeshin të rrisnin shanset” për kandidaturën e zotit Trump, diçka që zoti Wray nuk e pohoi, kur u pyet për ndërhyrjen ruse.

Presidenti Trump reagoi të enjten duke iu drejtuar drejtorit të FBI-së me emër.

“Por Chris nuk po sheh aktivitet nga Kina, megjithëse është rrezik SHUMË më i madh sesa Rusia, Rusia, Rusia. Të dyja ato, plus të tjerë do të jenë në gjendje të ndërhyjnë në zgjedhjet e 2020-ës, me votimin tonë të ekspozuar me manipulimin e fletëve të votimit”, shkruante ai në Twitter.

Megjithë akuzat e presidentit për problemet e votimit me postë, që ai i ka përsëritur shpesh, drejtori i FBI-së u tha ligjvënësve se shqetësime të tilla ishin pa bazë.

“Nuk kemi parë ndonjëherë deri tani në zgjedhje kombëtare një përpjekje të koordinuar për mashtrim me votimin”, tha zoti Wray, duke u bërë jehonë garancive të dhëna nga zyrtarë të lartë amerikanë të rendit dhe zbulimit, të cilët folën me gazetarët muajin e kaluar.

Drejtori i FBI-së tha se është më i shqetësuar për valën e keqinformimeve nga Rusia dhe të tjerë, që kanë në shënjestër votuesit amerikanë.

“Shqetësimi im më i madh është breshëria e keqinformimit dhe amplifikimi i ndërhyrjeve më të vogla kibernetike. Druhem se me kalimin e kohës këto do të kontribuojnë tek gërryerja e besimit e votuesve amerikanë”, tha zoti Wray.

“Një përshtypje e tillë do të ishte perceptim, jo realitet. Mendoj se amerikanët mundet dhe duhet të kenë besim tek sistemi ynë i zgjedhjeve dhe tek demokracia jonë”, shtoi ai. zëri i amerikës


Send this to a friend