VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

SHBA emëron ambasador në Kubë pas 55 vitesh

By | September 28, 2016
blank

Komentet

blank

Ish-shefi i Pentagonit: SHBA duhet të dërgojë trupa përgjatë Detit të Zi

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të dërgojë më shumë trupa përgjatë Detit të Zi, në Bullgari dhe Rumani, për ta frenuar agresionin e mundshëm nga Rusia, në kohën kur tensionet mes Moskës dhe Uashingtonit janë shtuar.

Esper, tani pjesë e Institutit McCain për Lidership Ndërkombëtar në Universitetin Shtetëror të Arizonës, tha: “Unë mendoj se ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë përballë Rusisë dhe të përpiqemi ta frenojmë sjelljen e tyre të keqe.”

Në një intervistë për agjencinë Reuters, Esper gjithashtu tha se Uashingtoni duhet t’i sigurojë aleatët evropianë dhe duhet ta fuqizojë NATO-n duke dërguar më shumë forca në Poloni, në Baltik, dhe në vendet si Rumania dhe Bullgaria. Sipas tij, nëse jo në mënyrë të përhershme, trupat duhet të vendosen me rotacion.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i bëri thirrje homologut të tij rus, Vladimir Putin, që t’i ulë tensionet e nxitura nga grumbullimi i trupave ruse afër kufirit me Ukrainën dhe propozoi një samit për diskutimin e mosmarrëveshjeve, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Rusia e aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, ndërsa luftimet në Ukrainën lindore janë shtuar javët e fundit, ku forcat qeveritare po përballen me separatistët e përkrahur nga Moska. Ukraina thotë se në këtë konflikt janë vrarë rreth 14.000 njerëz.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën se do t’i shtojnë trupat në Gjermani në valën e fundit të tensioneve me Rusinë për Ukrainën, duke u tërhequr nga plani i ish-presidentit Trump për largimin e rreth 12.000 ushtarëve amerikanë nga ekonomia më e fuqishme evropiane.

blank

Biden përshëndet myslimanët me rastin e Ramazanit

VOA

Presidenti i SHBA Joe Biden përshëndeti komunitetet myslimane në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën me rastin e muajit të Ramazanit.

Në një mesazh të shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë, ai shkruante se në këtë kohë pandemie, miqtë dhe të afërmit ende nuk mund të mblidhen së bashku dhe shumë familje do të ulen për iftar pa njerëzit e tyre të dashur që mungojnë.

Megjithatë, tha Presidenti Biden, “komunitetet tona myslimane e fillojnë muajin e agjërimit me shpresë të përtërirë.”

“Amerikanët myslimanë e kanë pasuruar vendin tonë që nga themelimi. Ata janë po aq të larmishëm dhe të gjallë sa Amerika për ndërtimin e së cilës kanë ndihmuar. Sot, myslimanët po luajnë rol udhëheqës në përpjekjet tona për të luftuar COVID-19, duke luajtur role të dorës së parë në krijimin e vaksinave dhe duke shërbyer si punonjës të kujdesit shëndetësor në vijën e parë,” shkruan Presidenti Biden.

Por megjithatë, shprehet ai, “myslimanët amerikanë vazhdojnë të jenë në shënjestër të ngacmimeve, fanatizmit dhe krimeve të urrejtjes. Ky paragjykim dhe këto sulme janë të gabuara. Ato janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. Askush në Amerikë nuk duhet të jetojë kurrë me frikën e praktikimit të besimit të tij ose të saj.”

Ai tha se ishte krenar që në ditën e tij të parë si President, i dha fund “ndalimit të udhëtimeve për myslimanët”.

Presidenti Biden tha se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e njeriut kudo, duke përfshirë ujgurët në Kinë, rohingyat në Birmani dhe komunitetet myslimane në të gjithë botën.

blank

Biden bisedë telefonike me Putinin mes tensionesh mbi Ukrainën

VOA

Presidenti Biden theksoi angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës gjatë një telefonate sot me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se Presidenti Biden shprehu shqetësimet amerikane në lidhje me shtimin e papritur të forcave ushtarake ruse në gadishullin ukrainas të Krimesë të aneksuar nga Rusia si dhe në kufijtë me Ukrainën. Ai i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet.

Sipas deklaratës, Presidenti Biden ripohoi synimin e tij për ndërtimin e një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me Rusinë në përputhje me interesat e SHBA dhe propozoi një takim të nivelit të lartë në një vend të tretë në muajt e ardhshëm për të diskutuar çështjet me interes për të dy vendet.

Biseda telefonike zhvillohet në një kohë tensionesh të ngritura Rusi-Ukrainë, që kanë shkaktuar shqetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera perëndimore.

blank

Blinken: Veprimet e Rusisë tejet provokuese. Reagon Moska

VOA

Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje të martën Rusisë të ndalë rritjen e pranisë ushtarake në kufirin me Ukrainën ndërsa Moska, me një fjalor që të kujton Luftën e Ftohtë, tha se “kundërshtari” i saj duhet t’i mbajë anijet luftarake amerikane larg nga Krimea e pushtuar.

Moska e pushtoi Krimenë, një territor i Ukrainës në vitin 2014. Luftimet janë përshkallëzuar në javët e fundit në pjesën lindore të Ukrainës, ku forcat qeveritare kanë luftuar me separatistët e mbështetur nga Rusia në një konflikt që zhvillohet prej shtatë vitesh e që Kievi thotë se ka vrarë 14,000 persona.

Këtë javë në Detin e Zi pritet të mbërrijnë dy anije luftarake amerikane.

Në Bruksel, Sekretari amerikan Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni qëndron fort pas Ukrainës. Ai ndodhet aty për bisedime me udhëheqësit e NATO-s dhe ministrin e jashtëm të Ukrainës.

Zoti Blinken tha gjithashtu se do të diskutonte edhe rreth planeve të Kievit për t’u bashkuar një ditë me NATO-n megjithëse Franca dhe Gjermania prej kohësh kanë shprehur shqetësimin se anëtarësimi në NATO i ish-republikës sovjetike do të nxiste armiqësinë me Rusinë.

Shtetet e Bashkuara janë kundërshtari ynë dhe po bëjnë gjithçka që munden për të minuar pozicionin e Rusisë në skenën botërore“, shkruanin të martën agjencitë ruse të lajmeve duke cituar zëvendës ministrin e Jashtëm rus Sergei Ryabkov.

Komentet e zotit Ryabkov sugjerojnë se qasjet e kujdeshme diplomatike të cilat ish-armiqtë e periudhës së Luftës së Ftohtë kanë kërkuar përgjithësisht t’i ruajnë, janë shkatërruar në dekadat e fundit dhe se Rusia do të vepronte me forcë kundër asaj që ajo e sheh si ndërhyrje të papranueshme nga ana e SHBA-së në sferën e saj të ndikimit.

Paralajmërojmë Shtetet e Bashkuara se do të ishte më mirë për ta që të qëndrojnë larg Krimesë dhe bregdetit tonë në Detin e Zi. Do të jetë për të mirën e tyre“, tha zoti Ryabkov, duke e quajtur dislokimin e SHBA-së një provokim të krijuar për të vënë në provë durimin rus.

Thirrje për ulje të tensioneve

Zoti Blinken u takua me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba pasi ministrat e Jashtëm të vendeve që përbëjnë Grupin e Shtatëshes dënuan atë që ata thanë se ishte rritje e pashpjegueshme e numrit të trupave ruse në kufi me Ukrainën.

Duke i bërë jehonë komenteve të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili u takua më herët me zotin Kuleba, zoti Blinken tha se Moska po grumbullonte forca në dislokimin më të madh të trupave nga viti 2014, kohë kur Moska aneksoi Krimenë. Ai i quajti veprimet e Rusisë “tejet provokuese”.

Në javët e fundit Rusia ka zhvendosur mijëra trupa të gatshme për luftime në kufijtë e Ukrainës, zhvendosja më e madhe e trupave ruse që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në 2014“, tha zoti Stoltenberg.

Rusia duhet t’i japë fund kësaj rritjeje të numrit të trupave si brenda dhe rreth Ukrainës, të ndalë provokimet e saj e të ulë menjëherë tensionet“, tha zoti Stoltenberg në një konferencë shtypi me zotin Kuleba.

Rusia ka thënë se ajo i lëviz trupat ashtu siç e gjykon të arsyeshme, përfshirë edhe për qëllime mbrojtëse. Ajo ka akuzuar rregullisht NATO-n për destabilizim të Evropës me përforcimet e trupave të saj në Baltik dhe Poloni që nga aneksimi i Krimesë.

blank

NASA shënon 40 vjetorin e fluturimit të parë në orbitë

VOA

Dyzet vite më parë, më 12 prill 1981, anija hapësinore e NASA-s “Columbia” fluturoi në orbitë, duke sjellë një erë të re në fluturimet hapësinore. Pas 30 vitesh e 134 misionesh, Agjencia Amerikane e Hapësirës i dha fund këtij programi, që sipas astronautit Robert Crippen ishte një vendim që lidhej jo vetëm me dështimet e disa fluturimeve, por edhe politik. Robert Crippen ishte njëri nga dy astronautët që kryen fluturimin e parë drejt orbitës me anijen hapësinore “Columbia”.

Në shtator të vitit 1976, NASA prezantoi anijen e saj të parë hapësinore “Enterprise”, gjatë një aktiviteti në Palmdale të Kalifornisë.

Por fluturimi i parë në orbitë ndodhi në 12 prill të vitit 1981 me anijen hapësinore të NASA-s “Columbia”, çka sjolli një ere të re në fluturimet hapësinore.

Ajo ishte anija parë hapësinore e cila mund të përdorej sërish.

Projektuar për t’u nisur si një raketë e manovruar si anije hapësinore ndaj saj mund të kryeheshin shërbime teknike e të lëshohej sërish, brenda disa muajsh. Ajo ishte anija e parë hapësinore e sigurt dhe e ripërdorshme.

Në bordin e anijes, në fluturimin përurues të saj, ishin astronautët Robert Crippen dhe i ndjeri John Young. Fluturimi i tyre dyditor ishte veçanërisht i rrezikshëm pasi shënoi nisjen e parë të një anijeje hapësinore pa kryer asnjë provë paraprakisht.

“Gjithçka që donim të bënim ishte të provonim se sistemi do të funksiononte. Ndaj puna jonë ishte të niseshim, të futeshim në orbitë, të kontrollonim të gjitha sistemet e mjetit fluturues dhe të garantonim një ulje të sigurt”, thotë 83 vjecar Robert Crippen, i cili shërbeu si drejtor i Qendrës Hapësinore John F. Kennedy të NASA-s pas daljes në pension si astronaut.

“Kjo na dha mundësinë që të dërgonim grupe të ndryshme njerëzish në hapësirë, për t’u bërë astronautë. Nuk kishim më nevojë të provonim pilotë, kjo e zgjeroi fushën e astronautëve në një gamë shumë më të gjerë sesa kishim patur ndonjëherë më parë”, shton ai.

Zoti Young, i cili ka ecur më parë në Hënë, vdiq në janar të vitit 2018 në moshën 87 vjeçare.

Pas 30 vjetësh dhe 134 misionesh, programi i anijeve hapësinore të NASA-s përfundoi në korrik 2011.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të garantuar sigurinë e ekuipazhit dhe përgatitjen e mirë profesionale të tyre, gjatë misioneve humbën jetën 14 astronautë dhe shpërthyen dy anije, “Challenger” dhe “Columbia”.

Anija hapësinore “Challenger” shpërtheu 73 sekonda pas shkëputjes nga toka në Cape Canaveral të Floridës në janar të 1986. Të shtatë anëtarët e ekuipazhit humbën jetën.

Po kështu shtatë astronautë mes tyre izraeliti Ilan Ramon humbën jetën më 1 shkurt të vitit 2003, kur “Columbia” u shkatërrua në qiell mbi Teksas.

Më 21 korrik të vitit 2011, anija hapësinore e NASA-s “Atlantis” u ul në toke, duke i dhënë fund programit në orbitë të agjencisë.

“Kur Atlantis zbarkoi pas fluturimit të fundit, ajo anije hapësirore ishte një gjendje aq e mirë sa mund të kishte qenë në gjendje të fluturonte edhe më shumë, por politika dhe aksidentet shënuan fundin e programit”, thotë zoti Crippen.

“Do të kalojë shumë kohë para se të kemi një anije hapësinore pothuajse aq madhështore sa ishte ajo”, shton ai.

Pasi anija u nxorr jashtë përdorimit në vitin 2011, NASA iu drejtua kompanive private për të transportuar ngarkesa dhe ekuipazh në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Në maj të vitit të kaluar SpaceX i Elon Musk-ut dërgoi dy astronautë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, kompania e parë private që bëri një gjë të tillë.

Që nga viti 1961 vetëm tre vende kanë nisur njerëz në orbitë: Rusia, SHBA dhe Kina, sipas kësaj renditjeje. SpaceX u bë kompania e parë private.

“Ne duhet të dalim nga orbita e Tokës, duhet të kthehemi në hënë, kjo është gjëja e duhur. Ne duhet të mësojmë të jetojmë dhe të punojmë jashtë këtij planeti”, thotë zoti Crippen.

“Ne duhet të kthehemi dhe të mësojmë të jetojmë në Hënë dhe të fluturojmë në Mars. Kjo do të ndodhë një ditë por nuk besoj se do të jem gjallë për ta parë”.

blank

SHBA, mbi 70 milionë njerëz morën dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19

Washington DC

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA njoftoi se më shumë se 117 milionë njerëz morën dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 dhe më shumë se 70 milionë dozën e dytë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në 24 orët e fundit në SHBA, 709 persona humbën jetën si pasojë e koronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 561.783.

Të dhënat nga Universiteti “Johns Hopkins” tregojnë se numri i personave të infektuar me COVID-19 është rritur me 66.653 dhe tani arrin në 31.151.904 raste.

Kalifornia është shteti federal më i prekur nga pandemia në SHBA me më shumë se 3.69 milionë persona të infektuar me koronavirus dhe më shumë se 60 mijë viktima nga COVID-19. Më pas vijon Teksasi (më shumë se 2.82 milionë të infektuar) dhe Florida (më shumë se 2.1 milionë).

Sa i përket numrit të personave të infektuar në botë, SHBA-ja ndiqet nga Brazili (më shumë se 13.4 milionë) dhe India (më shumë se 13.3 milionë). Ndërsa lidhur me numrin e vdekjeve nga COVID-19, pas SHBA-së janë Brazili (më shumë se 351 mijë) dhe Meksika (më shumë se 209 mijë).

blank

SHBA, Komisioni i Etikës nis hetimet ndaj republikanit Matt Gaetz

VOA

Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili kontrollohet nga demokratët njoftoi të premten se kishte nisur një hetim mbi pretendimet se ligjvënësi republikan Matt Gaetz “mund jetë përfshirë në akte të paligjshme seksuale dhe përdorim të paligjshëm të drogës”.

Kryetari demokrat dhe republikani kryesor i komisionit thanë në një deklaratë se ata ishin “në dijeni të akuzave publike” se zoti Gaetz, një mbështetës i vendosur i ish-Presidentit Donald Trump, mund të ketë shkelur “rregulloren e Dhomës së Përfaqësuesve, ligjet ose standardet e tjera të sjelljes”.

Sipas një burimi të zbatimit të ligjit që foli në kushte anonimiteti zoti Gaetz po hetohet nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për shkelje të mundshme të ligjit, pasi ka paguar shpenzime për udhëtimet e një vajze 17-vjeçare me të cilën ai kishte një marrëdhënie romantike.

Ndaj ligjvënësit të Floridës nuk janë ngritur akuza dhe ai vetë ka pohuar në mënyrë të përsëritur se nuk ka kryer asnjë të paligjshme.

Udhëheqësit e Komisionit të Etikës thanë se do të hetonin nëse zoti Gaetz “ishte përfshirë në sjellje të paligjshme seksuale ose përdorim të paligjshëm të drogës, nëse kishte shpërndarë fotografi ose pamje filmike të papërshtatshme në Dhomën e Përfaqësuesve, nëse kishte përdorur fondet e fushatës për qëllime personale dhe nëse kishte pranuar ryshfet, apo dhurata të paligjshme”.

Zyra e zoti Gaetz reagoi nëpërmjet një deklarate: “Përsërisim edhe një herë se këto pretendime janë haptazi të rreme dhe se nuk janë vërtetuar nga askush”.

Të enjten ligjvënësi Adam Kinzinger u bë i pari republikan në Kongres që bëri thirrje që zoti Gaetz të japë dorëheqjen.

“Matt Gaetz duhet të japë dorëheqjen”, shkruante në një postim në Twitter zoti Kinzinger, një kritik i hapur i zotit Trump.

Të enjten burime zyrtare njoftuan se një mik i zotit Gaetz, Joel Greenberg, pritet të vetëdeklarohet fajtor në një proces gjyqësor kundër tij që po zhvillohet në një gjykatë federale në Florida, nën akuzat për trafik seksual e mashtrim.

blank

Eksperti: Floyd vdiq nga mungesa e oksigjenit, jo nga droga

Marrë nga Associated Press

George Floyd vdiq nga mungesa e oksigjenit e shkaktuar nga gjuri që i shtrëngonte qafënndërsa ishte i shtrirë në trotuar, tha në dëshminë e tij një ekspert mjekësor të enjten në gjyqin e ish-oficerit Derek Chauvin. Ai e hodhi poshtë prerazi teorinë e mbrojtjes se përdorimi i drogës dhe problemet shëndetësore shkaktuan vdekjen e George Floydit.

“Edhe një person i shëndetshëm do të vdiste nëse do të trajtohej në të njejtën mënyrë siç u trajtua zoti Floyd”, tha dëshmitari i thirrur nga prokuroria, Dr. Martin Tobin, specialist për mushkëritë dhe kujdesin kritik në spitalin Edward Hines Jr. dhe i fakultetit të mjeksëisë në Universitetin Loyola në Ilinoi.

Duke përdorur një gjuhë të lehtë për t’u kuptuar, Dr. Tobin i tha jurisë se frymëmarrja e zotit Floyd ishte e kufizuar rëndë ndërsa Chauvin dhe dy oficerë të tjerë mbanin afrikano-amerikanin 46-vjeçar të shtrirë në tokë, të prangosur dhe me fytyrën në tokë, majin e kaluar.

Mungesa e oksigjenit rezultoi në dëmtim të trurit dhe bëri që zemra e tij të pushonte, tha dëshmitari.

Dr. Tobin, duke analizuar një paraqitje grafike të tre oficerëve që e mbajtën nën kontroll zotin Floyd për 9 minuta a gjysmë, tha në dëshminë e tij se gjuri i ish-policit Chauvin ishte “praktikisht në qafë” për më shumë se 90 përqind të kohës. Ai përmendi disa faktorë të tjerë që ai tha se gjithashtu e bënin të vështirë për zotin Floyd që të merrte frymë: ngritja e të dyshuarit nga oficerët përmes prangave, sipërfaqja e fortë e rrugës, pozicioni e tij, koka e kthyer dhe gjuri në shpinë.

Chauvin e mbajti gjurin në qafën e Floydit për 3 minuta e 2 sekonda, pasi Floyd kishte “arritur pikën ku nuk i kishte mbetur aspak oksigjen në trup”, tha Dr. Tobin.

Ndërsa prokurorët vazhdimisht luajtën një videoklip të Floydit në tokë, Dr. Tobin identifikoi atë që ai tha se ishte një ndryshim në fytyrë që linte të kuptohej se Floyd ishte i vdekur. Ai moment ndodhi rreth pesë minuta pasi policia filloi ta mbante Floyd-in të shtrirë në tokë.

“Në fillim mund të shihni se ai është i vetëdijshëm, ju mund të shihni një dridhje të lehtë, dhe pastaj ajo venitet”, tha Tobin. Ai shpjegoi se “Ky ishte momenti që jeta doli nga trupi i tij”.

Chauvin, 45 vjeç, është akuzuar për vrasje në lidhje me incidentin e vdekjes së George Floydit më 25 maj. Floyd u arrestua jashtë një dyqani të lagjes pasi u akuzua se ishte përpjekur të blinte një pako cigaresh me një kartmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe.

Videoja e regjistruar nga një kalimtare rasti, që tregon Floydin duke thënë se ai nuk mund të merrte frymë ndërsa kalimtarë të tjerë rasti po i bërtisnin oficerit Chauvin që të tërhiqej, ndezi protesta dhe veprime të dhunshme në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Avokati i mbrojtjes Eric Nelson ka argumentuar se oficeri i bardhë, tani i shkarkuar nga puna, bëri atë që kishte mësuar në trajnime dhe se vdekja e Floydit ishte shkaktuar nga përdorimi i dorgave të paligjshme dhe problemet e tjera shëndetësore, përfshirë presionin e lartë të gjakut dhe sëmundjet e zemrës. Një autopsi gjeti shenja të fentanolit dhe metamfetaminës në organizmin e tij.

Por Dr. Tobin tha se ai analizoi frymëmarrjen e Floydit në videot e regjistruar nga kamerat në uniformat e policëve dhe shpjegoi se ndërsa fentanoli zakonisht ul normën e frymëmarrjes me 40 përqind, frymëmarrja e Floydit ishte rreth “nivelit normal” pak para se ai të humbte ndjenjat. Në mënyrë të ngjashme, ai tha se njerëzit me sëmundje të rënda të zemrës kanë ritme shumë të larta të frymëmarrjes.

Dr. Tobin gjithashtu tha se niveli i lartë i dioksidit të karbonit në gjak i matur në spital mund të shpjegohet me faktin se Floyd nuk po merrte frymë për gati 10 minuta para se ekipi i ndihmës së shpejtë të fillonte përpjekjet për ta kthyer në jetë.

Një toksikolog ligjor gjithashtu dëshmoi të enjten se ai testoi gjakun e marrë nga zoti Floyd në spital, si dhe urinën nga autopsia e tij dhe gjeti një sasi metamfetamine “shumë të ulët”. Daniel Isenschmid tha se u gjet gjithashtu fentanol dhe një nënprodukt i tij i tretur në trup, por ai nuk tha menjëherë se çfarë sasie ishte e pranishme.

Më herët, zoti Tobin shpjegoi se fakti që Floyd po fliste dhe shihet duke lëvizur në video, nuk do të thotë se ai po merrte frymë në mënyrë adekuate. Ai tha se një lëvizje e këmbëve e parë në video ishte e pavullnetshme. Dhe ai tha se një person mund të vazhdojë të flasë deri në pikën kur rrugët e frymëmarrjes ngushtohen në 15 përqind, një moment kur “ju jeni në telashe të mëdha”.

Oficerët mund të dëgjohen në video duke i thënë Floydit se nëse ai mund të flasë, ai mund të marrë frymë.

Avokati mbrojtës Eric Nelson i sugjeroi zotit Tobin se fentanoli i blerë në rrugë mund të ndikojë tek njerëzit ndryshe nga fentanoli i blerë në mënyrë të ligjshme. Ai ngriti pyetje edhe për metamfetaminën, duke theksuar se ka pak arsye për të cilat kjo drogë përdoret ligjërisht për trajtime mjekësore. Dr. Tobin ishte dakord se këto droga rrisin ritimin e rrahjeve të zemrës, por ai theksoi se ato nuk ndikojnë në ritimin e frymëmarrjes.

Në një moment, mjeku liroi kollaren e tij dhe vuri duart në qafën e tij dhe në pjesën e pasme të kokës për të demonstruar se si funksionojnë rrugët e frymëmarrjes, duke ftuar juristët të ekzaminojnë qafat e tyre. Shumica e tyre e bënë këtë, megjithëse gjykatësi më vonë u tha atyre se nuk ishin të detyruar ta bënin një gjë të tillë.

Avokati i zotit Chauvin u ka treguar në mënyrë të përsëritur jurisë imazhe nga videoja, që sipas tij tregojnë se gjuri i oficerit Chauvin ishte në supin e Floydit, jo në qafën e tij. Por pothuajse të gjitha ato imazhe janë marrë pesë minuta pasi ai mund të kishte arritur pikën kur ishte i pajetë.

blank

SHBA nuk angazhohet për anëtarësimin në NATO të Ukrainës

Monumenti i Pavarësisë në sheshin qendror të Kievit, Ukrainë (6 prill 2021)

Jeff Seldin

UASHINGTON – Shtetet e Bashkuara riafirmuan të martën angazhimin ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, por nuk ofruan mbështetje publike për një proces të përshpejtuar anëtarësimi në NATO.

“E kemi diskutuar këtë aspiratë prej kohësh me Ukrainën”, u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, kur u pyet për përpjekjet më të fundit të Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore.

“Ne jemi mbështetësit e tyre të fortë”, shtoi ajo. “Por ky është një vendim që duhet ta marrë NATO”.

Ukraina, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë, ka shprehur shqetësimin për lëvizjet e forcave ruse në ditët e fundit përgjatë kufirit ukrainas, të cilat shihen si një përpjekje për të frikësuar Kievin.

Gjatë telefonatave më herët të martën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe Kryeministrin kanadez Justin Trudeau, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i bëri thirrje aleancës t’i dërgojë një mesazh Moskës duke e lejuar Ukrainën të anëtarësohet.

“Vetëm reformat nuk do ta ndalojnë Rusinë”, shkruajti zoti Zelenskiy në Twitter pas telefonatës me zotin Stoltenberg. “@NATO është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës në #Donbas”, tha ai, duke iu referuar rajonit në Ukrainën lindore, pjesë të së cilit kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

“MAP i Ukrainës (Plani i Veprimit të Anëtarësimit) do të jetë një sinjal i vërtetë për Rusinë”, shtoi zoti Zelenskiy.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes të martën nuk pranuan të komentojnë mbi kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në NATO, megjithëse shprehën shqetësim të vazhdueshëm për veprimet e Rusisë.

“Ne vazhdojmë t’i shohim forcat ruse të grumbulluara përgjatë kufirit me Ukrainën, veçanërisht në Krime, më shumë drejt juglindjes”, u tha gazetarëve sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby, duke i quajtur lëvizjet ruse shqetësuese.

“I bëjmë thirrje Rusisë t’i bëjë më të qarta qëllimet e saj për atë çfarë po bëjnë me këtë mori forcash përgjatë kufirit”, tha zoti Kirby.

“Vazhdojmë të bëjmë thirrje për armëpushimet e parashikuara edhe nga Marrëveshja e Minskut … dhe për të qetësuar situatën”, tha ai.

Ukraina thotë se goditjet me artileri nga forcat pro-ruse në Donbas kanë vrarë 24 ushtarë këtë vit dhe tetë gjatë vetëm dy javëve të fundit.

Rusia ka mohuar se lëvizjet e saj ushtarake paraqesin një kërcënim për Ukrainën.

Gjatë një vizite në Indi të martën, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov përshkroi deklaratat e fundit nga Kievi si shqetësuese dhe tha se Rusia kishte kontaktuar vendet e tjera evropiane.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov akuzoi gjithashtu Kievin për përpjekjen për të destabilizuar më tej situatën.

“Deri më tani nuk po shohim një synim nga pala ukrainase për t’u qetësuar disi dhe për t’u larguar nga temat agresive”, tha zoti Peskov.

Separatistët në Donbas kanë luftuar me forcat ukrainase që kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina në 2014.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore akuzojnë Rusinë për armatosjen e separatistëve dhe dërgimin e trupave ruse për t’i ndihmuar përpjekjet e tyre.

blank

Biden: 18 vjeç e sipër mund të vaksinohen nga 19 prilli

Steve Herman

Presidenti Biden e ka shkurtuar me gati dy javë afatin kur çdo i rritur në SHBA do të kualifikohet për vaksinim kundër koronavirusit.

“S’do të ketë më rregulla konfuzuese, s’do të ketë më kufizime,” tha presidenti të martën në Shtëpinë e Bardhë duke njoftuar se që nga data 19 prill “çdo 18 vjeç e sipër përmbush kushtet për t’u vaksinuar”.

Njoftimi i presidentit vjen në një kohë kur vendi po përballet me valën e katërt të rritjes së infeksioneve, sidomos në radhët e të rinjve.

“Nuk jemi ende te vija e finishit,” tha presidenti. “Ende kemi shumë punë për të bërë. Jemi në garë për jetë a vdekje me virusin”.

Presidenti vizitoi të martën një objekt vaksinimesh rreth 12 km nga Shtëpia e Bardhë, ku ai foli për shpejtimin e ritmeve të imunizimit.

“Kur të ktheheni në shtëpi, tregojuni miqve që të vaksinohen sapo ta kenë mundësinë”, u tha zoti Biden atyre që prisnin për t’u vaksinuar në një kishë të vogël të Shkollës Teologjike të Virxhinias.

blank

Gjatë javës së fundit, infektimet e reja kanë shënuar 7% rritje krahasuar me periudhën e mëparshme shtatë ditore. Shtrimet në spitale janë rritur 3%, ndërsa vdekjet nga COVID-19 kanë shënuar rënie të vogël duke arritur në rreth 800 viktima në ditë.

Shtimi i infektimeve shihet si pasojë e uljes së numrit të personave që vënë maskë, shtimi i pjesëmarrjes në aktivitete publike, intensifikimi i udhëtimeve dhe përhapja e varianteve të reja.

“Këto variante janë më ngjitëse,” tha presidenti. “Ato janë më të rrezikshme, por vaksinat japin efekt”.

Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarë të shëndetësisë po përpiqen t’i mëshojnë mesazhit për vigjilencë, pasi popullata ka shfaqur lodhje nga masat kufizuese pas 13 muaj pandemie.

“Njerëzit e kanë të vështirë të pranojnë dy nocione: vaksinat janë të suksesshme dhe mbrojnë shumë njerëz, por përsëri duhet të vë maskë dhe të ruaj distancë fizike,” thotë Dr. William Schaffner, profesor i mjekësisë parandaluese në Universitetin Vanderbilt. “Duhet të vazhdojmë t’ua kërkojmë njerëzve këto gjëra edhe për pak muaj”.

Ashtu si shumë shtete të tjera, Virxhinia kishte njoftuar banorët se nga mesi i muajit prill të gjithë ata mbi 16 vjeç do të mund të vaksinoheshin. Por në pjesën veriore të shtetit, një zonë me të ardhura të larta ku ndodhen shumë institucione të qeverisë federale dhe jetojnë punonjës e kontraktorë të qeverisë, kërkesa e lartë e ka tejkaluar sasinë e disponueshme të vaksinave.

“Në mënyrë që të përmbushim synimin e guvernatorit, do të na duhen shumë më tepër doza për Virxhinian veriore,” tha shefi ekzekutiv i komunës Feirfaks të Virxhinias.

Ndërkaq, kategoritë e punonjësve të klasifikuar si me përparësi për vaksinim, ndër to punonjësit e shërbimeve sanitare, kamarierë, stilistë sallonesh dhe llogaritarë, përmbushin kushtet për vaksinim në zonat rurale të Virxhinias, por ende jo në pjesën veriore të shtetit.

Në rajonin e kryeqytetit, Uashington, shumë doza janë rezervuar për pacientë të rrezikuar, ndërsa shumë banorë që duan të vaksinohen nuk po arrijnë pasi nuk ka sasi të mjaftueshme.

Premtimi i presidentit se brenda dy javësh do të shtohet ndjeshëm numri i vaksinave në disponim do të jetë një arritje e konsiderueshme, por kjo nuk zgjidh problemin e rezistencës ndaj vaksinave.

“Secili prej nesh duhet të kontaktojë njerëz që shfaqin hezitim dhe t’ua shpjegojë që t’i bindë se vaksinat nuk janë të rrezikshme,” tha për Zërin e Amerikës Dr Schaffner.

Në Shtetet e Bashkuara janë bërë deri tani mbi 150 milionë doza vaksine, sipas Shtëpisë së Bardhë, e cila deklaron se “afro 1/3 e popullatës amerikane dhe rreth 40% e të rriturve kanë bërë të paktën një dozë, ndërsa afro 1/5 është e imunizuar plotësisht” me një nga tre vaksinat që kanë marrë miratim emergjent nga autoritetet federale amerikane.

Data e re e kualifikimit për vaksinë do t’u japë të gjithë të rriturve mundësinë të caktojnë orar për vaksinim në qendrat e tyre komunitare.

Shtetet e Bashkuara “mjaft shpejt” do të kenë doza të mjaftueshme për t’ua dhënë edhe vendeve të tjera, tha presidenti gjatë vizitës në qendrën e vaksinimit në Virxhinia.

“Ky problem kërkon zgjidhje në mbarë botën,” tha presidenti. “Nuk mund të ndërtojmë dot një mur apo gardh aq të madh sa që të mos lejojë futjen e virusit”.

Vende të tjera kanë kërkuar ndihmë nga Uashingtoni për t’u dërguar doza vaksine, por administrata e Presidentit Biden ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se dëshiron fillimisht të sigurohet se ka sasi të mjaftueshme për të imunizuar amerikanët.

blank

Rekord i ri i vaksinimeve në SHBA, 4 milionë në 24 orë

VOAL – Autoritetet shëndetësore amerikane thanë të shtunën se më shumë se 4 milion doza të vaksinës u janë dhënë Amerikanëve në vetëm 24 orë, një rekord i ri në fushatën e vaksinimit i administratës Biden që synon të vaksinojë 200 milion njerëz në njëqind ditët e para të presidentit të ri. Dozat e administruara deri tani në SHBA janë mbi 161 milionë.

Por ka ende një rezistencë të fortë në vend, me një bërthamë të fortë No Vax sidomos midis republikanëve, siç doli nga disa sondazhe javët e fundit. Ashtu si ai i kryer nga televizioni publik PBS, sipas të cilit 41% e votuesve konservatorë ende nuk kanë në plan të vaksinohen. ansa-eb

blank

Pamje të rënda dhe dëshmi dramatike në javën e parë të gjyqit të ish-policit Chauvin

Java e parë e gjyqit të ish-policit të bardhë Derek Chauvin, i cili akuzohet për vrasje në lidhje me incidentin ku mbeti i vdekur afrikano-amerikani George Floyd ndërsa ai ishte nën arrest, u shoqërua me shfaqjen e video-klipeve të rënda dhe dëshmi dramatike nga incidentit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton se shefat e zotit Chauvin ngritën pikëpyetje për veprimet e ish-policit, ndërsa avokati i tij u përpoq të hidhte hije dyshimi mbi akuzat e ngritura.

Imazhe e rënda të filmuara nga kamerat e vendosura në uniformat e policëve, kamerat e sigurisë dhe nga celularët e kalimtarëve të rastit, ofruan një kronologji të ngjarjes së 25 majit të vitit 2020, ndërsa policia po mundohej të fuste George Floydin në një makinë patrullimi. Derek Chauvin më vonë i vuri gjurin në qafën George Floydit, duke e mbajtur për nëntë minuta e gjysmë.

Kjo nuk është praktikë standarde, tha një zyrtar policie i cili u mor në pyetje nga prokurori Steve Schleicher.

“Çfarë niveli i forcës mund të jetë kjo?”, pyeti prokurori Steve Schleicher.

“Kjo do të ishte forcë vdekjeprurëse e nivelit më të lartë”, u përgjigj Toger Richard Zimmerman, hetues i rasteve të vrasjeve.

Prokurori Schleicher: “Pse?”

Zimmerman: “Për faktin se nëse i vë gjurin në qafë një personi, kjo mund ta vrasë atë”.

Anëtarët e jurisë gjithashtu dëgjuan këtë javë nga kalimtarët e rastit, duke përfshirë një zjarrfikëse që nuk ishte në detyrë, e cila ishte trajnuar për të ofruar ndihmën e shpejtë. Ajo u përpoq të kontrollonte emocionet, duke thënë se ofroi të ndihmonte George Floydin, por një oficer policie nuk e lejoi.

“M’u duk se George Floydit i ishte enjtur fytyra, gjë që ndodh nëse një i rritur rëndon me gjithë peshën mbi qafën e dikujt”, tha zjarrëfikësja Genevieve Hansen.

Ekipi mbrojtës i zotit Chauvin e portretizoi George Floydin si një njeri trupmadh nën ndikimin e drogës, që po krijonte një kërcënim të vazhdueshëm, të përkeqësuar nga kalimtarë që rrezikonin ta ndiznin situatën.

Policia po i përgjigjej një raportimi se George Floyd ishte përpjekur të blinte cigare me një kartmonedhë 20 dollarëshe të falsifikuar.

“Unë e pashë 20 dollarëshin. Vërejta se kishte një pigment blu në të, ashtu si 100 dollarëshi. Dhe kjo për mua ishte e çuditshme”, tha Christopher Martin, punonjës dyqani.

Por gjatë incidentit, Christopher Martin tha se ai filloi të ndjente mosbesim dhe faj për mënyrën se si po trajtohej George Floyd.

Një koordinatore e përgjigjes urgjente të policisë që po shikonte drejtpërdrejt videon e incidentit u shqetësua dhe njoftoi njërin nga shefat e saj.

“Diçka mund të mos jetë në rregull”, tha Jena Scurry në linjat e komunikimit të policisë.

Rreshteri në pension David Pleoger tha se pasi Floydi u prangos, ishte i shtrirë në tokë dhe nuk po bënte më rezistencë,Oficeri Chauvin duhet t’ia kishte hequr gjurin nga qafa e tij.

Avokati i mbrojtjes, Eric Nelson tha se vdekja e George Floydit nuk u shkaktua nga oficeri, por nga droga dhe probleme me zemrën dhe se polici Chauvin po luftonte për ta vënë nën kontroll Floydin në një situatë që po bëhej gjithnjë e më tensionuar.

Punonjësit e ekipit të ndihmës së shpejtë thanë se George Floydi nuk kishte puls ndërsa ishte shtrirë në tokë. Më vonë ai u fut në një ambulancë, ku përpjekjet për ta sjellë në jetë ishin të pasuksesshme. Gjyqi rifillon të hënën.


RSS
Follow by Email
Twitter
LinkedIn
LinkedIn
Share
Send this to a friend