VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

SHBA: Emërohet prokuror i posaçëm për çështjen e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje

By | May 18, 2017

Komentet

Raporti amerikan i zbulimit: Princi saudit i kurorës miratoi vrasjen e Khashoggit

VOA

Raporti i agjencive amerikane të zbulimit liston 21 persona për të cilët SHBA ka besim të madh se ishin përgjegjës për vdekjen e gazetarit në emër të princit të kurorës. Zyrtarët amerikanë besojnë se princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman miratoi operacionin për “kapjen ose vrasjen” e gazetarit, thuhet në dokumentin e sapo lëshuar.

Ky lajm është në përditësim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, telefonoi mbretin Salman të Arabisë Saudite, ndërsa administrata e tij pritet të publikojë një version të deklasifikuar të mandatuar nga kongresi të një raporti të zbulimit, që pritet të vërë në pah se i biri i mbretit, princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, ka miratuar vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në vitin 2018.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, gjatë bisedës telefonike, presidenti Biden dhe mbreti Salman “diskutuan mbi sigurinë rajonale, duke përfshirë përpjekjet e ripërtërira diplomatike të drejtuara nga Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Jemen dhe angazhimin amerikan për të ndihmuar Arabinë Saudite që të mbrojë territorin e saj, teksa përballet me sulme nga grupe të lidhura me Iranin”.

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë mbi telefonatën, vuri në dukje lirimin e fundit të disa aktivistëve amerikanë sauditë dhe veprimtares saudite për të drejtat e grave, Loujain al-Hathloul nga paraburgimi dhe pohoi rëndësinë që Shtetet e Bashkuara u kushtojnë të drejtave universale të njeriut dhe sundimit të ligjit. Njoftimi nuk përmendi raportin mbi vrasjen e Jamal Khashoggit, i planifikuar për t’u publikuar pas telefonatës.

Shtëpia e Bardhë nuk dha një shpjegim se pse njoftimi nuk përmendi Khashoggin, i cili ishte një banor i ligjshëm i Shteteve të Bashkuara dhe me fëmijë me shtetësi amerikane.

Jamal Khashoggi, kolumnist në Washington Post, u josh në konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018 dhe u vra nga një ekip operativësh të lidhur me princin e kurorës. Ata më pas e copëtuan trupin e tij. Eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë.

Riadi përfundimisht pranoi se gazetari Khashoggi u vra gabimisht në një operacion që shkoi keq, por mohoi çdo përfshirje të princit të kurorës

Roli i princit të kurorës, i njohur nga nistoret e tij MBS, në vrasjen e Jamal Khashoggit, është subjekt i raporteve të medias që nga fundi i vitit 2018. Administrata e ish presidentit Donald Trump hodhi poshtë kërkesat e ligjvënësve për të publikuar një version të deklasifikuar të raportit, pasi që Shtëpia e Bardhë i dha përparësi shitjes së armëve në mbretëri dhe aleancës me Riadin, mes tensioneve në rritje të Shteteve të Bashkuara me rivalin e saj rajonal, Iranin.

Rivlerësimi i marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, dhe synimi për të vënë theksin tek të drejtat e njeriut, është një zotim fushate i presidentit Biden. Që nga marrja e detyrës, ai i ka dhënë fund shitjes së armëve që Riadi mund të përdorë në Jemen dhe emëroi diplomatin veteran Timothy Lenderking si të dërguarin e posaçëm për të udhëhequr përpjekjet e diplomacisë amerikane “për t’i dhënë fund luftës në Jemen, një luftë e cila ka krijuar katastrofë humanitare”.

“Presidenti Biden dëshiron të jetë i qartë se rruga e vjetër nuk është rrugë e e re,” tha Gerald Feierstein, nënkryetar i Institutit për Lindjen e Mesme.

Administrata po kërkon gjithashtu të distancohet nga MBS, sundimtari 35 vjeçar de facto vendit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, shpesh ka theksuar se presidenti Biden do të komunikojë vetëm me mbretin saudit.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po rishikojnë marrëdhëniet me sauditët, Shtëpia e Bardhë po përpiqet të nxisë rivalin rajonal të Riadit, Iranin, që të veprojë në përputhje me marrëveshjen bërthamore që u prish pasi ish presidenti Trump u tërhoq prej saj në vitin 2018.

Marrëveshja e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit u arrit nga Irani dhe P5 + 1 (Kina, Franca, Gjermania, Rusia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara) nën administrimin e ish presidentit Barack Obama, në vitin 2015.

Dhënia fund e shitjeve të armëve sulmuese në Riad është pjesë e kalkulimeve më të mëdha gjeopolitike që përfshin drejtpeshimin e këtyre dy fuqive rajonale, tha zoti Feierstein, i cili ishte gjithashtu ambasador në Jemen në kohën e ish presidentit Obama.

“Ideja është që nëse ka një zgjidhje politike të konfliktit në Jemen, kjo mundet, në fakt, të zvogëlojë tensionin në rajon…”. tha ai.

Krahasuar me Libanin dhe Irakun, Jemeni është një përparësi më e vogël e sigurisë kombëtare për Iranin. Zbutja e tensioneve mund të jetë një masë e ndërtimit të besimit për të nxitur Teheranin përsëri në bisedimet bërthamore dhe përfundimisht të trajtojë shqetësimet tjera, duke përfshirë programin e tij të raketave balistike dhe mbështetjen për milicitë në Irak dhe Liban. Në fakt, tha zoti Feierstein, rirreshtimi i presidentit Biden me sauditët në Jemen, mund të ndihmojë më tej interesat e Shteteve të Bashkuara në rajon.

Por, analistë të tjerë thonë se rivlerësimi i marrëdhënieve me Riadin dhe riangazhimi me Teheranin mund të ketë kundërefekt. Kjo mund të bëjë që sauditët të ndjehen të braktisur nga Shtetet e Bashkuara dhe t’i shtyjë ata drejt veprimeve kundër interesave amerikane, tha Bradley Bowman, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, një institucion pro-izraelit i njohur për qëndrimet kundër marrëveshjes bërthamore me Iranin.

Por, Kelsey Davenport, nga Shoqata për Kontrollin e Armëve, kërkimet e së cilës përqendrohen në programet bërthamore dhe raketore në Iran, tha se mënyra më e mirë për të parandaluar një garë rajonale bërthamore është rivendosja e marrëveshjes bërthamore.

“Përballja me programin bërthamor të Iranit do të parandalojë që Arabia Saudite të ndjejë nevojën që të barazohet me mundësitë e Iranit,” tha ajo.

Zonja Davenport theksoi se gjatë disa viteve të fundit, sauditët kanë hedhur bazat për të zhvilluar një armë bërthamore, nëse do të zgjidhnin të bënin një gjë të tillë.

“Nga pikëpamja e sigurisë së Shteteve të Bashkuara dhe qëndrueshmërisë rajonale, rivendosja e një marrëveshjeje bërthamore është një hap i parë i rëndësishëm për të siguruar që nuk do të ketë krizë me Iranin që kalon në një krizë bërthamore rajonale”, tha ajo.

Ushtria e SHBA po ndërton armën më të fuqishme me lazer në botë

Ushtria e SHBA-së po ndërton armën më të fuqishme me lazer në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përgjigjja Operacionale Taktike e Fuqisë së Lartë (THOR) u ndërtua në Bazën e Forcave Ajrore Kirtland në shtetin New Mexico. Ajo do të jetë e aftë të sigurojë mbrojtje kundër shënjestrave të shumta njëkohësisht.

Lazeri pretendohet të jetë një milion herë më i fuqishëm se çdo lazer tjetër në botë. Mund të avullojë dronë, të ndalojë raketa ose të prishë sistemet elektronike.

Ndërsa prototipi i parë dhe testimi në terren është planifikuar për në vitin 2024 dhe sipas raporteve pritet të vendoset për të mbrojtur bazat ushtarake.

“Aftësitë e energjisë së drejtuar të ushtrisë do të duhet të sigurojnë një mbrojtje të shtresuar me shumë mënyra për të mposhtur kërcënimet që vijnë”, tha në një deklaratë gjenerali i ushtrisë L. Neil Thurgood.

“Lazerët me energji të lartë vrasin një objektiv në çast, kurse mikrovalët me fuqi të lartë mund të vrasin grupe ose tufa. Kjo është arsyeja pse po ndjekim një kombinim të të dy teknologjive”, shtoi ai.

Shefja e Policisë: Përkrahësit e ish-presidentit Trump duan të sulmojnë përsëri

Marrë nga Reuters

Përkrahësit e ish-presidentit Donald Trump që ndërmorën sulmin vdekjeprurës në Kapitol më 6 janar kanë lënë të kuptohet se duan të “hedhin në erë” selinë e Kongresit dhe të vrasin anëtarë të tij, tha të enjten shefja e policisë së Kapitolit.

Kërcënimet sugjerojnë që ekstremistët mund ta vënë në shënjestër ndërtesën gjatë një fjalimi të Presidentit Joe Biden, u tha ligjvënësve shefja në detyrë e policisë Yogananda Pittman e cila shprehu nevojën e mbajtjes në fuqi të masave të sigurisë së lartë përreth ndërtesës.

“Anëtarët e grupeve të milicive që ishin të pranishëm më 6 janar janë shprehur se duan të hedhin në erë Kapitolin dhe të vrasin sa më shumë anëtarë të Kongresit jetë e mundur duke bërë një lidhje të drejtpërdrejtë me Fjalimin për Gjendjen e Vendit”, u tha shefja e policisë Pittman anëtarëve të një Komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Ne mendojmë se do të ishte e kujdesshme që Policia e Kapitolit të mbajë në fuqi masat e forta të sigurisë derisa të zgjidhim ato dobësi,” tha ajo.

Data për mbajtjen e fjalimit për gjendjen e vendit nga ana e Presidentit Biden para Kongresit nuk është njoftuar ende, që zakonisht është në fillim të vitit.

Pas sulmit vdekjeprurës të 6 janarit ndaj Kapitolit në Uashington, u vendosën masa të pashembullta sigurie, përfshirë gardhe me tela me gjemba dhe postblloqe me forca të Gardës Kombëtare.

Rreth 5,000 trupa pritet të vazhdojnë të qëndrojnë deri në mes të marsit.

Përkrahësit e zotit Trump sulmuan Kapitolin në një përpjekje për të mos lejuar Kongresin të çertifikonte fitoren e demokratit Biden ndaj presidentit republikan, i cili këmbëngulte në mënyrë të pasaktë se kishte pasur mashtrime të përhapura në zgjedhjet e nëntorit.

Sulmi vonoi për disa orë çertifikimin e fitores së zotit Biden, pasi ligjvënësit u detyruan të fshiheshin nga turma. Pesë persona vdiqën nga dhunë, përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit.

Më shumë se 200 vetë janë akuzuar deri tani për rolet e tyre në sulm, përfshirë disa që kishin lidhje me grupe të ekstremit të djathtë si “Oath Keepers” dhe “Proud Boys”. VOA

Biden viziton senatorin Bob Dole pas diagnostikimit me kancer

Presidenti amerikan Joe Biden, ka vizituar të shtunën senatorin Bob Dole, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, pasi përfaqësuesi nga Kansas, i pensionuar tashmë, ka njoftuar se është diagnostikuar me kancer në mushkëri.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë është thënë se të dy politikanët, kanë shërbyer bashkë në Senat dhe Dole “është mik i afërt” i presidentit Biden.

Dole, i nominuar për president nga republikanët më 1996, ka qenë një prej republikanëve që kanë thënë zëshëm pas zgjedhjeve të 3 nëntorit të vitit 2020, se Biden ka fituar.

“Zgjedhjet kanë mbaruar dhe (Joe) Biden do të jetë president më 20 janar. Unë e di që presidenti nuk e ka pranuar humbjen dhe mund të mos e pranojë kurrë, mirëpo ai nuk do të jetë në Shtëpinë e Bardhë më 21 janar”, ka thënë Dole në dhjetor të vitit të kaluar, duke iu referuar ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Dole, 97-vjeçar ka bërë të ditur lajmin për kancer më 18 shkurt.

“Së fundmi, janë diagnostikuar me kancer në mushkëri, në fazën e katërt. Trajnimi im i parë do të nisë të hënën”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

“Teksa kam disa pengesa përpara, unë e di se iu bashkohem miliona amerikanëve që po përballen me sfidat e tyre shëndetësore”.

Dole ka shërbyer për 27 vjet si senator amerikan nga Kansas.

Në janar të vitit 2018, ai është shpërblyer me Medalje të Artë nga Kongresi, njëherësh çmimi më i lartë civil që ndan ky institucion.

Dole ka udhëhequr një delegacion të Shteteve të Bashkuara në Kosovë në vitin 1990.

Në muajin gusht të vitit të kaluar, busti i tij është vendosur në Prishtinë.

Përmes një video-mesazhi, senatori Dole ka shprehur mirënjohje për inaugurimin e bustit.

“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën e para 30 vjetëve. Tridhjetë vjet kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, ka thënë Dole. rel

Biden: Çdo amerikan do të vaksinohet deri në korrik

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se të gjithë amerikanët do të kenë qasje në vaksinat kundër koronavirusit deri në fund të korrikut.

Biden parashikoi më herët se vaksinat mund të jenë në dispozicion për të gjithë deri në pranverë, por Shtëpia e Bardhë e shtyu datën për shkak të vështirësive në disponueshmërinë e vaksinave dhe në mundësitë për t’i dhënë ato.

“Deri në fund të korrikut do të kemi 600 milionë doza, të mjaftueshme për të vaksinuar çdo amerikan”, tha Biden në takimin e parë me votues, prejse ka marrë detyrën në muajin janar.

Ai tha se do që shkollat të rihapen më shpejt dhe se mbështet vaksinimin e mësimdhënësve me prioritet.

Biden tha se SHBA-ja ka ende rrugë të gjatë përpara për të arritur imunitetin e tufës dhe për të lejuar rikthimin e jetës në normalitet.

Numri i rasteve të reja me koronavirus në SHBA është në rënie, por vazhdon të mbetet në dhjetëra mijëra në ditë.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i viktimave të martën ka qenë pak më pak se 1,000.

Koronavirusi ka vrarë mbi 487,000 njerëz në të gjithë SHBA-në.

Shumë pyetje, me të cilat u përball Biden nga audienca në shtetin e Uiskonsinit, kishin të bënin me pandeminë dhe ekonominë, ndërsa në politikën e jashtme ai u pyet për Kinën dhe trajtimin që u bën ky vend pakicave në rajonin Ksinjiang.

“Do të ketë pasoja për Kinën dhe ai e di këtë”, tha Biden, duke iu referuar presidentit të Kinës, Xi Jinping.

Xi është përballur me kritika globale për mbajtjen e ujgurëve – kryesisht myslimanë – dhe të grupeve të tjera të pakicave në kampe internimi.

Pekini këmbëngul se objektet janë “qendra të arsimit profesional”, që synojnë t’i ndihmojnë njerëzit të largohen nga terrorizmi dhe të riintegrohen në shoqëri.

“Kina po përpiqet shumë për t’u bërë udhëheqëse botërore… Për aq kohë sa ajo është e angazhuar në një veprimtari që është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, do të jetë e vështirë për ta arritur këtë”, tha Biden në ngjarjen që organizoi rrjeti televiziv CNN.

Në një telefonatë dyorëshe me Xinë, më 11 shkurt, Biden vuri në dukje prioritetin e tij për të ruajtur një rajon të lirë dhe të hapur të Indo-Paqësorit, si dhe shprehu shqetësimin në lidhje me praktikat “shtrënguese dhe të padrejta” tregtare të Pekinit dhe me çështjet e të drejtave të njeriut.

Media shtetërore kineze tha se Xi kërkoi kujdes nga SHBA-ja, rreth ndërhyrjes në çështjet e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës, përfshirë Hong Kongun dhe Ksinjiangun.

Anëtarët e audiencës në Uiskonsin ishin të përzier: demokratë, republikanë dhe të pavarur.

Biden gjithashtu shfrytëzoi ngjarjen për të reklamuar një paketë ndihme prej 1.9 trilion dollarësh, për trajtimin e pasojave të pandemisë.

Presidenti është duke kërkuar nga ligjvënësit republikanë në Kongres, që e kundërshtojnë paketën, ta pranojnë atë si mënyrën më të mirë për të kthyer fuqinë e ekonomisë amerikane.

Biden tha se paketa masive e ndihmës tashmë ka mbështetje të gjerë publike dhe shtoi se “tani është koha për ta shpenzuar”.

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA pritet ta votojë atë javën e ardhshme.

Përgatiti: Valona Tela

Senati arrin marrëveshje për të mos thirrur dëshmitarë në gjyqin ndaj ish-Presidentit Trump

Marrë nga Reuters

Të shtunën Senati arriti një marrëveshje për të mos thirrur dëshmitarë në gjyqin ndaj ish-Presidentit Trump duke i hapur rrugë paraqitjes së argumenteve përmbyllëse të palëve.

Por fillimisht Senati u përfshi nga paqartësitë mbi këtë çështje. Senatorët votuan për të vlerësuar mundësinë e thirrjes së dëshmitarëve në gjyqin ndaj ish-presidentit Donald Trump.

Përplasjet e minutës së fundit për dëshmitarët ishin pasojë e komenteve të bëra të premten në mbrëmje nga një ligjvënëse republikane e Dhomës së Përfaqësuesve në lidhje me një telefonatë të nxehtë gjatë ditës së trazirave mes zotit Trump dhe udhëheqësit të pakicës së kësaj dhome Kevin McCarthy, që demokratët thonë se është dëshmia e indiferencën së zotit Trump ndaj dhunës në Kapitol.

Fillimisht në Senat po diskutohej nëse duhej të thirrej për të dëshmuar ligjvënësja Jaime Herrera Beutler, një nga 10 republikanët që votuan për ngritjen zyrtarisht të akuzës ndaj zotit Trump në Dhomën e Përfaqësuesve. Në një deklaratë të premten vonë ajo tha se zoti Trump kishte kundërshtuar një lutje të zotit McCarthy për t’i ndalur protestuesit. Demokratët e konsiderojnë atë një provë kyçe që konfirmon se presidenti ” braktisi qëllimisht detyrën si komandant i përgjithshëm”.

Procesi gjyqësor u ndal papritmas të shtunën në mëngjes dhe madje senatorët dukeshin të hutuar për hapat e ardhshëm.

Ndërkohë, udhëheqësi republikan Mitch McConnell e ka bërë tashmë të qartë se ai do të votojë për ta liruar zotin Trump nga akuza, sipas një personi në dijeni të qëndrimit të tij. Parë nga ky këndvështrim, pikëpamja e udhëheqësit të republikanëve mund të ndikojë tek të tjerë anëtarë të partisë së tij.

Ndërsa demokratët pritet të votojnë për fajësimin e ish-presidentin, gjasat janë të mëdha që ai të shpallet i pafajshëm në dhomën prej 100 anëtarët të ndarë 50 me 50 mes palëve. Që zoti Trump të shpallej fajtor mbi akuzën e ngritur do të nevojiteshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Senatit.

Gjyqi në Senat ka nxjerrë në pah rrezikun e jashtëzakonshëm me të cilin u përballën ligjvënësit më 6 janar, ndërsa zoti Trump u bëri thirrje ndjekësve të tij të marshonin drejt Kapitolit, në një përpjekje për të parandaluar ligjvënësit që të çertifikonin ditoren e tij ndaj demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.Si pasojë pesë persona humbën jetën.

Pamje filmike të marra nga kamerat e sigurisë të cilat u paraqitën gjatë procesit të gjykimit tregonin se protestuesit ishin afruar shumë pranë e duke vendosur në rrezik ligjvënësit ndërsa ata po evakuoeshin nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.

Në shënjestër të protestuesve ishte edhe Nënpresidenti Mike Pence, i cili më herët gjatë asaj dite kishte refuzuar kërkesën e zotit Trump për të ndërhyrë në procedurat për çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Në një postim në Twitter zoti Trump kritikoi zoti Pence për mungesë “guximi” menjëherë pasi senatori republikan Tommy Tuberville kishte njoftuar zotin Trump se nënpresidenti po evakuohej për arsye sigurie.

Avokatët e zotit Trump dhanë përgjigje kontradiktore të premten kur u pyetën nëse zoti Trump e dinte se zoti Pence ishte në rrezik kur publikoi postimin e tij. Disa senatorë republikanë thanë se ata kishin ende pyetje në lidhje me rolin e zotit Trump në sulmin e dhunshëm në Kapitol.

“Çështja është se cili ishte qëllimi i presidentit? Për këtë gjë vetëm presidenti mund të përgjigjej. Dhe presidenti zgjodhi të mos e bëjë”, u tha gazetarëve senatori republikan Bill Cassidy. Ai shtoi se nuk e kishte ndarë ende mendjen se si të votonte. Ish-Presidenti Trump e hodhi poshtë kërkesën e prokurorëve të çështjes për të dëshmuar në gjyqin e tij. VOA

Rezoluta dypartiake e Kongresit Amerikan që mbështet kryengritjen iraniane, bën thirrje për mbylljen e ambasadës iraniane në Shqipëri

Një rezolutë e nënshkruar nga 113 ligjvënës të Kongresit Amerikan nga të dy partitë, dhe mbështetës të një Irani demokratik, dhe dënimin e komploteve terroriste të regjimit në të gjithë botën dhe në Shqipëri, u prezantua të enjten, 11 Shkurt 2021.



Rezoluta shpreh mbështetjen e saj për planin me 10 pika të udhëheqëses së opozitës znj. Maryam Rajavi për të ardhmen e Iranit, e cila kërkon të drejtën universale për të votuar, zgjedhje të lira, ekonomi tregu dhe mbron barazinë gjinore, fetare dhe etnike, një politikë e jashtme e bazuar në bashkëjetesë paqësore dhe një Iran jo-bërthamor.

Lajmet e TV Fox TV raportuan se në një letër drejtuar Presidentit Biden duke e njoftuar atë për rezolutën, Kongresmeni McClintock (Republikan) dhe Kongresmeni Sherman (Demokrat) thanë se Shtetet e Bashkuara “duhet të qëndrojnë të vendosura në mbajtjen e përgjegjësisë së qeverisë iraniane për destabilizimin e saj bërthamor dhe të tjera. aktivitetet në rajon; të tilla si, mbështetja e tij për terrorizmin, zhvillimi i raketave balistike dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. “

 

“Me paraqitjen e kësaj rezolute, një koalicion dypartiak i anëtarëve të Kongresit inkurajon të gjitha përpjekjet për të njohur të drejtat e popullit iranian dhe luftën e tyre për të krijuar një shtet republikan e demokratik, sekular dhe jo-bërthamor të Iranit duke e quajtur regjimin në pushtet përgjegjës për sjellje shkatërruese “, shkruajnë ata.

 

Nënshkruesit e rezolutës kujtuan se: ”Në Dhjetor 2018, Qeveria e Shqipërisë dëboi Ambasadorin e Iranit, Gholamhossein Mohammadnia dhe shefin e stacionit të MOIS në Shqipëri, Mostafa Roudaki, për planifikimin e aktiviteteve terroriste kundër disidentëve iranianë dhe anëtarëve të Organizatës Popullore Muxhahedine të Iranit (PMOI / MEK) në15 Mar 2010.

 

Në një pjesë të rezolutës thuhet se:

“Ndërsa, më 15 nëntor 2019, protestat popullore kundër regjimit iranian filluan dhe u përhapën me shpejtësi në të paktën 100 qytete në të gjithë vendin, raportet tregojnë se forcat iraniane të sigurisë përdorën forcë vdekjeprurëse dhe rreth 1,500 njerëz u vranë në më pak se dy javë, dhe mijëra të tjerë u arrestuan gjatë këtyre protestave. “

Rezoluta i kërkon administratës amerikane të punojë për të mbledhur seanca urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të punojë me partnerë dhe aleatë të Shteteve të Bashkuara për të dënuar shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut të kryera nga regjimi iranian dhe të krijojë një mekanizëm me të cilin Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mund të monitorojë shkelje të tilla.

Përfaqësuesit e Kongresit Amerikan që nënshkruan rezolutën i bënë thirrje qeverisë amerikane që:

(1) Të dënojë sulmet terroriste të sponsorizuara të së kaluarës dhe të tanishme të Iranit kundër qytetarëve dhe zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, si dhe disidentëve iranianë, përfshirë komplotin terrorist të regjimit iranian kundër tubimit ‘‘ Irani i Lirë 2018 – Alternativa ’’ në Paris.

(2) U bën thirrje agjencive përkatëse të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët evropianë, duke përfshirë ato në Ballkan ku Irani ka zgjeruar praninë e tij, për ta quajturIranin përgjegjës për shkeljen e privilegjeve diplomatike dhe për t’i bërë thirrje kombeve për të parandaluar aktivitetet malinje të Iranit sic janë misionet diplomatike të regjimit duke mbyllur qendrat e tyre, përfshirë Ambasadën iraniane në Shqipëri.

(3) qëndron me popullin e Iranit i cili po vazhdon të mbajë protesta legjitime dhe paqësore kundër një regjimi shtypës dhe të korruptuar; dhe

(4) njeh të drejtat e popullit iranian dhe luftën e tij për të krijuar një Republikë demokratike, laike dhe jo-bërthamore të Iranit.

Pezullohet punonjësi i Shtëpisë së Bardhë, pasi u njoftua se kërcënoi gazetaren

Marrë nga Reuters

UASHINGTON – Shtëpia e Bardhë tha të premten se pezulloi përkohësisht një ndihmës për shtypin pasi ai thuhet se kërcënoi një gazetare e cila po punonte për një artikull në lidhje me marrëdhënien e tij romantike me një tjetër gazetare.

Revista “Vanity Fair” njoftoi të premten se zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë TJ Ducklo kishte kërcënuar – duke përdorur edhe fjalët “Unë do të shkatërroj ty” – një korrespondente të grupit mediatiak Politico, e cila po hartonte një artikull në lidhje me marrëdhëniet e zotit Ducklo, të zbuluara së fundmi, me një reportere të revistës Axios, Alexi McCammond.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, shkruajti në Twitter se zoti Ducklo ishte pezulluar për një javë pa pagesë dhe se ai nuk do të punojë më me reporterët e Politico-s.

Zonja Psaki tha se zoti Ducklo i kishte kërkuar falje gazetares Tara Palmeri, “me të cilën ai pati një bisedë të nxehtë për jetën e tij personale… Ai është i pari që pranon se ky nuk është standardi i sjelljes i përcaktuar nga Presidenti”.

Ducklo, McCammond dhe Palmeri nuk iu përgjigjën email-ve që kërkonin komente. Një zëdhënëse e Axios tha se zonja McCammond informoi për marrëdhënien redaktorët e saj në muajin nëntor dhe u transferua nga detyra ku mbulonte Shtëpinë e Bardhë.

Pezullimi vjen pasi Presidenti demokrat Joe Biden, i cili mori detyrën muajin e kaluar, u zotua të mbante një qëndrim të ashpër për çdo sjelle të padenjë në radhët e anëtarëve të administratës së tij.

“Nëse jeni duke punuar ndonjëherë me mua dhe unë dëgjoj se trajtoni pa respekt një koleg tjetër, i flisni dikujt me fodullëk, ju premtoj se do t’ju pushoj nga puna në vend … pa nëse dhe pa por”, u tha Presidenti Biden të emëruarve politikë gjatë një ceremonie betimi virtuale. “Të gjithë kanë të drejtën të trajtohen me mirësjellje dhe dinjitet”.

Zonja Psaki u tha gazetarëve gjatë një konference të premten se Presidenti Biden nuk ishte i përfshirë në vendimin për pezullimin e zotit Ducklo dhe theksoi se Shtëpia e Bardhë e mori çështjen seriozisht.

Sjellja e Ducklo-s ishte “plotësisht e papranueshme. Ai e di këtë”, tha Psaki. “Ne kemi bërë biseda me të … Kjo nuk do të ndodhë më kurrë.”

“Dënojeni Trumpin, ose dhuna mund të përsëritet”

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke folur para mbështetësve të tij më 6 janar. “Nëse nuk luftoni si ferr, nuk do të keni më shtet”, ka thënë Trump. Pak kohë më vonë, mbështetësit e tij kanë sulmuar Kongresin.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara i përfunduan argumentet kundër ish-presidentit Donald Trump, duke u bërë thirrje senatorëve ta dënojnë atë për nxitjen e sulmit të turmës në Kongres.

Senati amerikan ka nisur këtë javë gjykimin e ish-presidentit, nën akuzat për “nxitje të kryengritjes”.

Sipas menaxherëve të procedurave të fajësimit, që veprojnë si prokurorë, retorika e rreme dhe e zjarrtë e tij për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, ka bërë që mbështetësit e tij ta sulmojnë Kongresin, më 6 janar.

Sulmi ka ndodhur derisa ligjvënësit kanë qenë duke certifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale.

“Nëse nuk luftoni si ferr, nuk do të keni më shtet”, u ka thënë Trump mbështetësve të tij atë ditë.

Video:

Pesë vetë, në mesin e tyre një zyrtar i policisë, kanë mbetur të vrarë në dhunë.

“Me përulje ju kërkojmë ta fajësoni presidentin Trump për krimin e kryer”, tha përfaqësuesi demokrat, Joe Neguse.

“Nëse nuk e fajësoni, nëse pretendojmë se kjo nuk ka ndodhur – ose, edhe më keq, nëse e lëmë pa përgjigje – kush thotë se nuk do të ndodhë përsëri”, pyeti ai.

“Askush nga ne nuk e ka imagjinuar se do të përballeshim me rrezik vdekjeprurës nga një turmë e nxitur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”, tha përfaqësuesi tjetër demokrat, David Cicillin.

Ai po ashtu tha se disa protestues të dhunshëm kanë pranuar se kanë planifikuar të vrasin ish-nënpresidentin Mike Pence dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ndërsa të tjerët, sipas tij, kanë folur për vendosjen e ligjvënësve në bodrum dhe për “lëshimin e gazit”.

Avokatët e Trumpit do të kenë 16 orë kohë për të paraqitur mbrojtjen e tyre, nisur nga sot, megjithëse disa ndihmës kanë thënë se ata mund t’i përfundojnë argumentet e tyre brenda një dite.

Votimi në Senat, për fajësimin ose jo të Trumpit, mund të zhvillohet më 13 shkurt.

Sipas një sondazhi të kryer nga ABC News dhe Qendra e Kërkimeve Ipsos, shumica e amerikanëve – 56 për qind – duan që Senati amerikan ta dënojë Trumpin dhe, në këtë mënyrë, ta ndalojë atë të udhëheqë ndonjë zyrë publike në të ardhmen.

Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, ka votuar për shkarkimin e Trumpit pak ditë para se ai të përfundonte mandatin presidencial, më 20 janar.

Për ta shpallur fajtor atë duhen dy të tretat e votave të Senatit 100-anëtarësh.

Fajësimi duket se nuk ka gjasa, pasi shumica e senatorëve republikanë i kanë qëndruar besnikë ish-presidentit.

Duke iu bërë jehonë qëndrimeve të tyre, senatori Marco Rubio tha për Fox News se sulmi në Kongres ishte “i tmerrshëm”, porse fajësimi i Trumpit nuk është i përshtatshëm, duke qenë se ai nuk është më në detyrë.

Në vitin 2019, Trump është përballur edhe me një proces tjetër të gjykimit, nën akuzat se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili pritej të ishte rival i tij në zgjedhjet e vitit 2020. Senati nuk e ka fajësuar Trumpin në atë proces.

Përgatiti: Valona Tela

Gjyqi ndaj ish-presidentit: Pas argumenteve të demokratëve, reagojnë senatorët

Marrë nga Associated Press

Senatorët mbeten të ndarë në pikëpamjet e tyre rreth gjykimit të ish-Presidentit Donald Trump lidhur me sulmin e dhunshëm të 6 janarit në Kapitol.

Prokurorët demokratë përshkruan me fraza të forta, me përshkrime personale ngjarjet e 6 janarit, duke i shoqëruar me klipe nga komentet e presidentit drejtuar protestuesve.

Në mbyllje të seancës së të enjtes, pasi dolën nga salla, disa senatorë iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve të agjencisë së lajmeve Associated Press:

Senatori republikan Josh Hawley tha se nuk kishte asgjë të veçantë në argumentet e ofruara nga demokratët, të enjten në gjyqin ndaj ish-presidentit Trump në Senat.

“Mendoj se argumentet ishin përsëritëse dhe nuk pati një analizë ligjore,” tha senatori republikan.

Ndërsa, senatori demokrat Richard Blumenthal pati një vlerësim të kundërt për këtë.

“Pati argumente shumë të fuqishme. Nëse kolegët e mi dëgjojnë ndërgjegjen e tyre dhe ngrihen në këtë moment, ata do ta shpallin atë (ish-presidentin Trump) fajtor. Unë vërtetë besoj se nëse votimi do të ishte i fshehtë, ai do të rezultonte në një vendim për ta shpallur fajtor dhe unë mendoj se faktet dhe ligji u demonstruan në mënyrë të fortë”, tha senatori demokrat Richard Blumenthal.

“Ata treguan sot se kishte një mungesë totale pendese ose keqardhjeje (nga ana e ish-presidentit), në fakt, duke u kënaqur me dhunën që ishte aq flagrante dhe e qartë dhe se mungesa e pendimit tregoi vetëdashje dhe qëllim që unë mendoj se është kriminale dhe ngrihet në nivelin e fajësisë”, shtoi ai.

“Mendoj se ligjvënësit që vepruan si prokurorë bënë një punë të mrekullueshme. Ata jo vetëm prezantuan argumente bindëse para senatorëve republikanë, por edhe para popullit amerikan. Na bënë pjesë të historisë për të regjistruar atë që bëri Donald Trumpi për të përmbysur Kushtetutën,” tha senatorja demokrate Elizabeth Warren lidhur me përshtypjet e saj për seancën.

Senatorja demokrate nga Minesota Tina Smith u pyet nga një gazetar nëse po mendon për veprime të tjera që mund të ndërmarrin senatorët për të ndëshkuar ish-presidentin në qoftë se ai lirohet nga akuzat në Senat.

“Ta marrim gradualisht. Ligjvënësit kanë paraqitur fakte dhe shpjegime shumë, shumë të forta për të mbështetur argumentin që ish-Presidenti Trump duhet të shpallet fajtor. Aty jam përqëndruar për momentin”.

Zonja Smith më pas u pyet për videot e transmetuara në sallë nga ngjarjet e dhunshme të 6 janarit.

“M’u mbushën sytë me lot. Më kujtohet si e përjetova vetë. Por pashë edhe si e kishin përjetuar të tjerët, kuptova përvojën e policëve të Kapitolit. Ato që kaluan ishin tronditëse. Kur mendon që dhuna vazhdoi për orë të tëra, ndërkohë që ne ishim strehuar në një vend të sigurtë… të gjitha këto ishin pamje shumë të rëndaa, e kisha të vështirë kur i pashë,” tha senatorja.

Gazetarët e pyetën zonjën Smith nëse senatorët republikanë që ende ishin të lëkundur tani do të jenë bindur të votojnë për ta shpallur ish-presidentin fajtor.

“Nuk di ç’të them. Tani ata duhet të gjykojnë se çfarë kanë në zemër dhe të vendosin se cili është veprimi i drejtë. Shpresoj se do të ndërmarrin veprimin e duhur”.

Pasi ligjvënësit demokratë përmbyllën argumentet në mbështetje të akuzës për nxitje dhune, tani ekipi mbrojtjes i ish-Presidentit Trump përgatitet të paraqesë argumentet e tij.

Megjithëse senatorë republikanë janë shprehur të impresionuar nga puna e ligjvënësve demokratë në paraqitjen e argumenteve të tyre, nuk duket se ekziston numri i nevojshëm i votave për ta shpallur zotin Trump fajtor. VOA

Senat, demokratët përmbyllin argumentet: prova të qarta se ish-presidenti nxiti dhunë

Marrë nga Reuters dhe AP

Prokurorët në gjyqin kundër ish-Presidentit Trump në Senatin amerikan thanë të enjten se ka prova “të qarta dhe të pamohueshme” se ish-presidenti nxiti rebelimin e 6 janarit duke dërguar përkrahësit e tij drejt Kapitolit për të penguar procesin e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Në argumentet përmbledhëse, prokurori kryesor, ligjvënësi Jamie Raskin u tha 100 senatorëve që po luajnë rolin e jurisë se duhet të përdorin “logjikën e shëndoshë për ngjarjet në Kapitol”.

“Një parim bazë është se askush nuk duhet të nxisë dhunë” në demokracinë amerikane, tha zoti Raskin.

Senati amerikan përmbylli ditën e tretë të gjyqit ndaj ish-Presidentit Donald Trump në Senat. Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që luajnë rolin e prokurorëve, përmbyllën paraqitjen e argumenteve të tyre mbi rolin e ish-Presidentit Donald Trump në protestat e dhunshme të 6 janarit. Në ditën e tretë të gjyqit, ata u përqëndruan tek dëmi i shkaktuar gjatë trazirave në Kapitol dhe roli i ish-presidentit në nxitjen e protestuesve.

Në ditën e fundit të paraqitjes së argumenteve nga pala akuzuese, demokratët përshkruan me shembuj nga përvoja personale tmerrin e asaj dite, skenat nga salla ku tani po zhvillohet gjyqi.

Demokratët ngritën një numër pyetjesh të cilave, ata thonë, duhet t’u gjejnë​ pë​rgjigje argumentet e ekipit ligjor të ish-presidentit.

“Përse Presidenti Trump nuk u tha përkrahësve të ndalin sulmin në Kapitol menjëherë pasi mësoi pë​r ngjarjet? Pë​rse Presidenti Trump nuk bë​ri asgjë​ pë​r të​ ndalur sulmin për të paktën dy orë pasi filloi,” tha ligjvënësi Jamie Raskin.

Procesi do të vazhdojë në ditën e katërt të gjyqit me paraqitjen e argumenteve të ekipit mbrojtës. Pasi të mbarojë paraqitjen e argumenteve pala mbrojtëse, senatorët do të kenë mundësinë për t’i bërë pyetjet secilës palë.

Dhoma e Përfaqësuesve ka ngritur ndaj zotit Trump akuzën për nxitjen e një rebelimi, duke inkurajuar mijëra mbështetës të tij për të marshuar drejt Kapitolit, ditur kur Kongresi ishte mbledhur për të çertifikuar fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.

Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve, që e kanë paraqitur çështjen në Senat, e kaluan pjesën më të madhe të së mërkurës duke folur për ngjarjet që çuan në trazirat e 6 janarit dhe duke theksuar kërcënimet që iu bënë ish-nënpresidentit Mike Pence atë ditë.

Të enjten ata përshkruan “çmimin e lartë” të trazirave dhe “rolin e zotit Trump në grumbullimin, nxitjen dhe ndezjen e kryengritësve”, tha një ndihmës i Dhomës së Përfaqësuesve.

Ata sollën në vemendje “mungesën e pendesës” nga ana e zotit Trump gjatë dhe pas trazirave, “që është një tjetër element në planet e tyre për procedimin e çështjes”, tha ndihmësi.

Disa senatorë republikanë kanë thënë se demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve po i paraqesin mirë argumentet e tyre kundër zotit Trump, por shumë prej tyre nuk janë të bindur se ish-presidenti duhet të shpallet fajtor.

Senatori republikan Marco Rubio tha për Fox News se ndonëse sulmi i 6 janarit ishte “i tmerrshëm”, shpallja fajtor e zotit Trump do të ishte e papërshtatshme, duke patur parasysh se ai nuk është më në detyrë.

Një ndihmës i lartë republikan i Senatit tha se “çështja tashmë është e vendosur”, sepse shumica e të 50 senatorëve të kësaj partie janë kundër shpalljes fajtor.

PROKURORËT SHFAQIN VIDEO TRONDITËSE

Anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuseve në rolin e prokurorëve treguan të mërkurën video të reja tronditëse të kamerave të sigurisë në gjyqin ndaj ish-Presidentit Donald Trump, ku shihej turma duke hyrë me forcë në Kapitol, duke thyer dritare dhe dyer dhe duke kërkuar në mënyrë kërcënuese Nënpresidentin Mike Pence dhe Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, ndërsa policia që nuk përmbante dot turmën lutej në radio për ndihmë. ​

Në regjistrimet e papublikuara më parë, prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve shfaqën skena shtangëse që bënin të qartë se sa afër ishin pjesëmarrësit në rebelim me udhëheqësit e vendit, duke qarkulluar lirisht nëpër salla duke brohoritur “Të varet Mike Pence”, disa prej tyre me veshje luftarake ndërsa anëtarë të grupeve ekstremiste ishin ndër të parët që kishin hyrë brenda. Jashtë, turma kishte ngritur një trekëmbësh të improvizuar.

Në një moment dramatik, në video shihet një punonjës i rendit që hap zjarr drejt turmës përmes një dritareje të thyer, duke vrarë një grua nga San Diego, Ashli Babbitt.

Pamjet tregojnë Nënpresidentin Pence, i cili po kryesonte seancën për të çertifikuar fitoren e Joe Bidenit ndaj zotit Trump – duke ngjallur zemërimin e zotit Trump – që shoqërohet me nxitim për t’u strehuar në një zyrë me familjen e tij, vetëm 30 metra larg protestuesve.

Zonja Pelosi u evakuua nga kompleksi ndërsa stafi i saj u fsheh në zyrat e saj. Punonjësit e rendit, të mbingarkuar nga turma, në gjendje paniku thonë “e humbëm kontrollin”. Një oficer shihet duke u shtypur nga turma dhe prokurorët thanë se një tjetër pësoi një goditje në zemër. Më pas një prej tyre humbi jetën.

Megjithëse shumica e senatorëve që shërbejnë si anëtarë të jurisë e kanë marrë vendimin e tyre mbi pafajësinë ose dënimin, ata shihnin të shtangur videon që tregonte si protestuesit morën kontrollin e të njëjtës sallë ku tani po zhvillohet gjyqi. ​

“Ata vepruan sepse zoti Donald Trump i dërgoi në këtë mision,” tha një nga prokuroret, Stacey Plaskett, delegate demokrate që përfaqëson Ishujt Virgin.

Paraqitja tronditëse hapi ditën e parë të plotë të argumenteve në gjyq ndërsa prokurorët argumentuan se zoti Trump nuk ishte një “spektator i pafajshëm” por “nxitësi kryesor” i trazirave vdekjeprurëse të Kapitolit, një president që për muaj me radhë përhapi gënjeshtra për zgjedhjet dhe ushqeu zemërimin e një turme mbështetësish, të gatshëm të ndiqnin thirrjen e tij për të ndalur fitoren e zotit Biden.

Demokratët argumentuan se ish-Presidenti Donald Trump mbolli farën për sulmin vdekjeprurës në Kapitol shumë më përpara datës 6 janar, me pretendimet e tij të rreme se zgjedhjet ishin vjedhur.

Në ditën e dytë të gjyqit të ish-presidentit në Senat ata thanë se ligjvënësit kishin detyrimin për ta mbajtur ish-presidentin përgjegjës për ngjarjen.

“Trump e kuptoi pranverën e kaluar se ai mund t’i humbiste zgjedhjet e nëntorit dhe filloi të mbjellë farën e zemërimit midis mbështetësve të tij, duke thënë se ai mund të humbte vetëm nëse zgjedhjet vidheshin,” tha ligjvënësi demokrat Joseph Neguse.

“Nëse duam të mbrojmë republikën tonë dhe të parandalojmë që diçka e tillë të ndodhë përsëri, ai duhet të shpallet fajtor,” tha ligjvënësi.

Ai vlerësoi ish-Nënpresidentin Mike Pence, i cili më 6 janar drejtoi seancën e çertifikimit zyrtar të fitores së Presidentit Joe Biden, pavarësisht presionit nga zoti Trump për ta ndalur procesin.

Avokatët e zotit Trump argumentojnë se retorika e ish-presidentit mbrohet nga garancia e fjalës së lirë në bazë të Amendamentit të Parë dhe se individët që hynë në Kapitol dhe jo zoti Trump, ishin përgjegjës për sjelljen e tyre kriminale. Ata thonë gjithashtu se gjyqi synon thjesht t’i japë fund karrierës politike të zotit Trump.

“NXITËSI KRYESOR”

Anëtari i Kongresit, Joaquin Castro citoi ato që ai i quajti akte të qarta të frikësimit politik kundër punonjësve të zgjedhjeve në shtetet ku zoti Trump po humbte. Në Filadelfia, Atlanta dhe Miluoki, tha zoti Castro, mbështetësit e ish-Presidentit Trump u përpoqën të përdornin forcën e armatosur për të penguar numërimin e votave.

Delegatja Plaskett tha se në mënyrë të përsëritur, zoti Trump “inkurajoi qëllimisht” dhunën nga mbështetësit e tij.

“E vërteta është se Presidenti Trump për muaj të tërë u kishte bërë thirrje përkrahësve të tij që të marshonin në një ditë të caktuar, në një kohë të caktuar, në një vend të caktuar, për të ndaluar çertifikimin,” tha ajo.

Veprimet e zotit Trump kërcënuan një nga tiparet dalluese të demokracisë amerikane, transferimin paqësor të pushtetit, thanë menaxherët demokratë, duke e quajtur zotin Trump “nxitësin kryesor”. ​

“Kjo çështje nuk ka të bëjë me shpalljen fajtor të një spektatori të pafajshëm për dhunën e tmerrshme dhe dëmin që ndodhi më 6 janar,” tha në hapje të seancës ligjvënësi Jamie Raskin, që luan rolin e kryeprokurorit në gjyqin e Senatit. “Kjo ka të bëjë me kërkesën e llogarisë ndaj personit që ishte përgjegjës për nxitjen e sulmit.”

Që zoti Trump të shpallet fajtor, duhet që një shumicë prej dy të tretave e anëtarëve të Senatit të votojnë për një gjë të tillë, çka do të thotë se të paktën 17 republikanë duhet të bashkohen me 48 demokratët e Senatit dhe dy të pavarur për të votuar kundër zotit Trump, i cili mbetet figura më e fuqishme e partisë së tij edhe pasi nuk është më në detyrë.

Të martën, vetëm gjashtë nga 50 senatorë republikanë votuan së bashku me demokratët për të përcaktuar se gjyqi ishte në përputhje me Kushtetutën dhe mund të vazhdonte edhe pse mandati i zotit Trump përfundoi në 20 janar.

Senatori Republikan Ron Johnson, një aleat i zotit Trump, u tha gazetarëve gjatë një pushimi se procedurat do të bëheshin “mjaft të zvarritura”.

“Kjo është një lojë politike,” tha ai.

I pyetur nëse Republikanët kishin marrë udhëzime nga udhëheqësi i pakicës republikane të Senatit Mitch McConnell mbi votimin, senatori Kevin Cramer tha se senatorët do të votonin në bazë të “ndërgjegjes së tyre”.

NJË VEND I PËRÇARË

Në një sondazh të Ipsos për Reuters, rezultatet e të cilit u bënë publike të mërkurën, 47% e të anketuarve thanë se zoti Trump duhet të dënohej, ndërsa 40% u shprehen kundër, të ndarë sipas përkatësisë partiake.

Gjyqi në Senat nuk është hetimi i vetëm me të cilin përballet zoti Trump pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. Prokurorët në distriktin më të madh të Xhorxhias kanë hapur një hetim penal mbi përpjekjet e zotit Trump për të ushtruar ndikim tek rezultatet e zgjedhjeve të atij shteti pasi doli në pah një telefonatë më 2 janar ku ai i bënte presion sekretarit të shtetit për të “gjetur” votat e mjaftueshme për të përmbysur humbjen e tij në Xhorxhia.

Gjyqi i Senatit mund të përfundojë të shtunën ose të dielën, sipas një këshilltari të lartë të Senatit.

Disa demokratë kishin shprehur shqetësimin se një gjykim i zgjatur mund të vonojë ecurinë e programit të zotit Biden, përfshirë një paketë të propozuar prej 1,9 trilionë dollarësh mbi koronavirusin. Zoti Biden nuk kishte në plan ta shikonte gjyqin, tha Shtëpia e Bardhë. I pyetur të martën në lidhje me procedurat, presidenti tha se ai ishte përqendruar në punën e tij.

Zoti Trump është i vetmi president që gjykohet nga Senati pas largimit nga detyra dhe i vetmi ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza nga Dhoma e Përfaqësuesve. Ai është presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara ndaj të cilit ngrihen akuza nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Asnjë president amerikan nuk është hequr nga detyra pas ngritjes së akuzave nga Dhoma e Përfaqësuesve. Procesit të shkarkimit i janë nënshtruar Bill Clinton në vitin 1998 dhe Andrew Johnson në 1868, por edhe ata u shpallën të pafajshëm. Richard Nixon dha dorëheqjen në 1974 në vend që të përballej me procesin e shkarkimit për skandalin Watergate. VOA

Dhjetëra ish-zyrtarë republikanë, në bisedime për formimin e një partie anti-Trump

VOA

Dhjetëra ish zyrtarë republikanë, të cilët e shohin partinë si të pavullnetshme për t’i rezistuar ish-Presidentit Donald Trump dhe përpjekjeve të tij për të minuar demokracinë amerikane, janë në bisedime për të formuar një parti të të qendrës së djathtë, thanë për agjencinë Reuters, katër persona të përfshirë në bisedime.

Diskutimet në fazën e hershme përfshijnë ish zyrtarë të zgjedhur republikanë, ish zyrtarë që kanë shërbyer në administratat republikane të Ronald Reaganit, George H.W. Bush, George W. Bush dhe Trump, ish-ambasadorë republikanë dhe strategë republikanë, thonë personat e përfshirë në bisedime.

Më shumë se 120 prej tyre zhvilluan një telekonferencë të premten për të diskutuar shkëputjen e grupit, i cili do të funksionojë mbi platformën e “konservatorizmit parimor”, duke përfshirë besnikërinë ndaj Kushtetutës dhe shtetin e së drejtës – ide që personat e përfshirë thonë se janë hedhur poshtë nga ish presidenti Trump.

Plani është futja e kandidatëve në disa gara, por edhe mbështetja e kandidatëve të qendrës së djathtë në të tjera, qofshin ata republikanë, të pavarur apo demokratë.

Evan McMullin, i cili ka qënë drejtor i politikave në Konferencën Republikane të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kandidoi si i pavarur në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, i tha agjencisë Reuters se ai organizoi telekonferencën me ish zyrtarët e shqetësuar në lidhje me kontrollin e Trumpit ndaj republikanëve dhe kthesën anti-imigracionit që ka marrë partia.

Tre persona të tjerë konfirmuan për agjencinë Reuters telekonferencën dhe diskutimet për një parti të mundshme, por kërkuan të mos identifikohen.

Midis pjesëmarrësve ishin John Mitnick, këshilltar i përgjithshëm në Departamentin e Sigurisë Kombëtare në administratën Trump; ish-kongresmeni republikan Charlie Dent; Elizabeth Neumann, nëndrejtore kabinetit në Departamentin e Sigurisë Kombëtare në administratën Trump; dhe Miles Taylor, një tjetër ish-zyrtar i sigurisë kombëtare në administratën Trump.

Bisedimet nxjerrin në pah përçarjen e thellë brenda partisë mbi pretendimet e rreme të Trumpit për manipulimin e zgjedhjeve dhe sulmin vdekjeprurës të 6 janarit në Kapitolin. Shumica e republikanëve i qëndrojnë besnikë ish-presidentit, por të tjerët kërkojnë një drejtim të ri për partinë.

Pjesëmarrësit në telekonferencë thanë se ishin veçanërisht të tronditur nga fakti që më shumë se gjysma e republikanëve në Kongres – tetë senatorë dhe 139 ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve- votuan për të bllokuar çertifikimin e fitores së Bidenit në zgjedhje vetëm disa orë pas rrethimit të Kapitolit.

Shumica e senatorëve republikanë gjithashtu kanë treguar se nuk do të mbështesin dënimin e Trumpit në gjyqin e Senatit nën akuza se nxiti dhunën në Kongres.

“Pjesë të mëdha të Partisë Republikane po radikalizohen dhe po kërcënojnë demokracinë amerikane”, tha zoti McMullin. “Partia duhet të përkushtohet përsëri ndaj të vërtetës, arsyes dhe idealeve themelore ose duhet të ketë dale diçka e re.”

‘Këta dështakët’

I pyetur në lidhje me diskutimet për një parti të tretë, Jason Miller, një zëdhënës i Trumpit, tha: “Këta dështakë u larguan nga Partia Republikane kur votuan për Joe Bidenin.”

Një përfaqësues për Komitetin Kombëtar Republikan iu referua një deklarate të fundit nga kryetarja Ronna McDaniel.

“Nëse vazhdojmë të sulmojmë njëri-tjetrin dhe të përqendrohemi në sulmet ndaj republikanëve, nëse kemi mosmarrëveshje brenda partisë tonë, atëherë do të humbasim vështrimin nga zgjedhjet e vitit 2022,” tha McDaniel në kanalin Fox News muajin e kaluar.

“E vetmja mënyrë për të fituar është të bashkohemi”, tha ajo.

Zoti McMullin tha se një shumicë e atyre që morën pjesë në telekonferencën e javës së kaluar mbështesnin idenë e një partie të tretë kombëtare, të shkëputur nga partia republikane. Një tjetër mundësi në diskutim është formimi i një “fraksioni” që do të funksiononte ose brenda partisë aktuale republikane ose jashtë saj.


Send this to a friend