VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Serbia jep “dezinformacione” për aeroportin e Prishtinës

By | December 6, 2018

Komentet

Paris, Budapest, Tiranë: Po proteston gjysma e Evropës?

Protesta në Tiranë

Në Hungari njerëzit dalin në rrugë kundër një ligji, në Shqipëri kundër tarifave të larta studentore, në Serbi kundër dhunës së shtetit. Në Gjermani ka pasur protesta të para të ‘jelekëve të verdhë’. Quo Vadis Europë?

Nëse sheh vetëm fotot, mund të mendosh, se deti i dritave të Budapestit është spektakël soditës për Krishtlindje. Por njerëzit që të dielën në mbrëmje u mblodhën në kryeqytetin hungarez nuk mbajnë qirinj, por telefonë në duart e tyre – dhe mesazhi i tyre nuk është fetar, por politik. Ata kërkojnë që Kryeministri Viktor Orban të tërheqë ligjin, sipas të cilit kërkohet që punëdhënësit të mund të kërkojnë deri në 400 orë pune shtesë jashtë orarit nga punëtorët e tyre.

Që nga votimi parlamentar të mërkurën e kaluar, gjithnjë e më shumë njerëz po mobilizohen kundër këtij “ligji të skllevërve”, siç u quajt ai, madje ka pasur trazira të dhunshme. Të dielën, protestat ishin të qeta në fillim, më vonë policia përdori përsëri gaz lotsjellës. Me 10,000, ndoshta 15,000 pjesëmarrës, ky ishte kulmi i një valë proteste që nuk ka ndodhur në Hungari gjatë mandatit tetëvjeçar të Orbanit. Edhe në Francë protesta e sapo e ‚jelekëve të verdhë‘ erdhi pas një shpalljes së një ligji. A po ndodh tani në rrugët evropiane “ngrohja globale” e klimës politike?

Ungarn Protest vor dem Hauptsitz des öffentlich-rechtlichen Rundfunks MTVA (picture-alliance/AP Photo/B. Mohai)

Protesta në Budapest

Hungaria: “Largohu Orban”

Shumë demonstrues shprehën nëpërmjet thirrjeve të tyre se ata janë nuk e mbështesin jo vetëm  ligjin e orarëve shtesë së punës, por as politikën sociale të Kryeministrit të tyre. Nën udhëheqjen e Viktor Orban, punëtorët humbën gjithnjë e më shumë të drejta, ndërkohë që pozicioni i sipërmarrësve u forcua edhe më tej. Gjithashtu ka pakënaqësi me veprimet e Orban kundër të pastrehëve dhe emigrantëve dhe operacionin e tij të shpëtimit për ish-kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski, i cili është dënuar me burg në vendin e tij.

Serbia: kundër pushtetit shtetëror

Në Beograd në kryeqytetin e Serbisë, në këtë fundjavë mijëra vetë dolën sërish në rrugë. Shumë prej tyre e shprehën zemërimin ndaj qeverisë me bilbila si në protestat masive kundër regjimit të Millosheviçit në vitet 1990. Shkaktari për protestat aktuale ishte një sulm brutal ndaj një lideri të së majtës serbe, Borko Stefanoviç. Njerëzit me këmisha të zeza e kishin rrahur politikanin në fund të nëntorit në qytetin jugor të Krushevcit me një shufër metalike të hekurt dhe e kishin plagosur rëndë. Presidenti Vuçiç e dënoi sulmin dhe autorët e krimit u kapën. Por opozita vazhdon të fajësojë retorikën e mprehtë të Vuçiçit për një klimë dhune në vend.

Shqipëri: Më shumë se sa taksat e larta të shkollimit

Në Shqipëri, që nga fillimi i muajit studentët po protestojnë për uljen e tarifave të shkollimit. Në universitetet shtetërore, tarifat variojnë nga 160 dhe 2560 euro, të ardhurat mesatare në vendin e varfër ballkanik janë vetëm 350 euro. Megjithatë, demonstruesit në kryeqytetin e Tiranës dhe në disa qytete të tjera të vendit gjithnjë e më shumë po shtojnë kritikat edhe ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Ndër të tjera, me bllokimin e rrugëve ata tërhoqën vëmendjen për varfërinë e përhapur në vend dhe çmimet e larta të benzinës.

Francë: Si do të vazhdojnë më tej “jelekët e verdhë”?

Bllokimi i rrugëve për shkak të çmimeve të larta të benzinës kishte filluar disa javë më parë në Francë, protesta e “Gilets Jaunes”. Protesta gjithnjë e më masive, mbarëkombëtare, pas koncesioneve të presidentit Emmanuel Macron dhe sulmit në Strasburg e ka humbur pak vrullin. Nivelet e protestave në Paris fundjavën e kaluar ishin shumë prapa atyre të javëve të mëparshme. Dimensionet e protestave në Paris javën e kaluar ishin larg atyre të javëve të mëparshme.

Frankreich Gelbwesten-Proteste in Paris (Getty Images/AFP/Z. Abdelkafi)

Protesta në Paris

Programi emergjent prej miliarda dollarësh, i cili ndër të tjera, parashikon një rritje të pagës minimale me 100 euro, në vitin 2019 e vë Francën në vështirësi buxhetore, Parisi ka gjasa të bëjë më shumë borxhe sesa e parashikon Pakti i Stabilitetit të Euros. Objektivi i tyre origjinal heqja dorë nga rritja e eko-taksave në lëndët djegëse fosile, është arritur nga “jelekët e verdhë”. Sidoqoftë, lëvizja në pak javët e ekzistencës së saj, ka dhënë një dinamizëm të jashtëzakonshëm dhe në një farë mënyre është rritur fuqishëm në drejtime të ndryshme politike. Por kjo rritje e shpejtë mund ta dëmtojë lëvizjen, nëse qëllimet e palëve ndryshojnë aq shumë sa që nuk mund të bien dakord për një agjendë të përbashkët.

Zëri i Amerikës: Studentët vazhdojnë protestat. Rama nis dialogun

Sot u mbushën plot dy javë që mijëra studentë të universiteteve publike kanë lënë auditoret dhe janë hedhur në protesta me kërkesa ekonomike dhe akademike për drejtuesit e qeverisë dhe universiteteve.

Ata po protestojnë prej një jave para kryeministrisë dhe një javë më parë para ministrisë së arsimit me 8 kërkesa për të lehtësuar studimet e tyre universitare.

Grupe të tyre ndërprenë simbolikisht qarkullimin e automjeteve në disa kryqëzime të Tiranës, shumica e protestuesve u bashkuan si përditë në sheshet pranë fakulteteve të tyre dhe më pas marshuan për t’u mbledhur para kryeministrisë.

Gjatë gjithë kohës së protestës kryeministri Edi Rama qëndroi për më shumë se 3 orë në një mbledhje të thirrur nga rektori me pedagogë dhe studentë në Universitetin Bujqësor.

Ashtu si edhe mbrëmë në fakultetin gjeologji miniera, zoti Rama po përpiqet të ngrejë një dialog me pedagogë dhe studentë, por këta kanë theksuar se kërkesat janë të panegociueshme dhe se protesta e tyre nuk ka përfaqësi dhe se askush nuk mund të flasë në emër të protestës.

Kryeministri Rama ka shprehur herë pas here dyshimet se protesta e studentëve është shtyrë nga partitë e opozitës për përfitime politike, por protestuesit i kanë hedhur poshtë akuzat për implikime politike dhe thonë se ata protestojnë vetëm për interesat e tyre dhe familjeve, që i mbështesin.

Edhe sot ata thanë se protesta do të vazhdojë, ndonëse kryeministri po përpiqet të shpërndajë përgjegjësinë e gjendjes së rëndë në universitete përmes dialogjeve dhe mbledhjeve me rektorë, dekanë e studentë.

Kërcënohet me jetë drejtuesi i “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi

Drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi, raportohet se është kërcënuar me jetë. Është faqja që drejtohet nga Rakipi, ‘Tpz.al’, që njofton se “këto kërcënime vijnë menjëherë pas publikimit të aferës korruptive, me tenderin e Unazës së Re dhe personave të cilët qëndrojnë pas kësaj afere.”

“Kërcënimet në drejtim të gazetarit, janë të formave të ndryshme. Ato janë bërë së pari në mënyrë indirekte, nëpërmjet postës elektronike dhe më pas edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Lidhur me këto kërcënime, gazetari u është drejtuar organeve kompetente. Pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve, emisioni “Të Paekspozuarit”, do të vijojë të kryejë detyrën dhe misionin e vet në interes të publikut”, thuhet në reagim.

Ylli Rakipi ka patur edhe disa përplasje publike me kryeministrin Edi Rama, sa i përket skandaleve korruptive ku dyshohet se janë përfshirë ministra dhe deputetë të mazhorancës.

Ylli Rakipin ndërkohë e akuzojnë si një gazetar i shndërruar në biznesmen, nga përfitimet politike, si klient i të gjitha krahëve të politikës, që është duke keqpërdorur rolin e tij si gazetar.

Çka na duhen këto kumbari shqiptare me Serbinë?! – Nga Ramiz LUSHAJ

 

1.

Bash ditën kur në Shqipërinë tonë Qeveria e parti të majta e festuan, sipas traditës, 29 nëntorin 2018, si “Ditën e Çlirimit” (ende festë zyrtare shqiptare!), njejtësisht e festoi dhe Serbia e Vuçiqit, biles deri në Pekin, ku me ceremoni solemne e festive hapi Qendren Kulturore Serbe.

Dikur, 75 vjet ma herët, J.B. Tito e shpalli 29 nëntorin 1943 të Jajcës si “Festë Kombëtare të Federatës së Jugosllavisë”, të cilën dy vite ma vonë edhe vet E.Hoxha do ta legalizonte dhe si “Festë Kombëtare të Shqipërisë”, pikërisht asokohe kur Shqipëria rrezikonte të mbetej “Republika e Shtatë” e Jugosllavisë.

Pra, ende Tirana e Beogradi po e kena 29 Nëntorin, si festë të përbashkët (!)

 

2.

Ish kryeministri e presidenti aktuali Aleksandër Vuçiqi i Serbisë dëshmoi dhe në Pekin se nuk ndryshon prej ish kryeministrit Nikola Pashiq në udhë, ideale, ideologji. Janë edhe të së njëjtes amë partiake, të Partisë Radikale Serbe.

Serbia e Vuçiqit Qëndres Kulturore Serbe në kryeqytetin e Kinës ia ka vnue emnin “Iva Andriq”, emrin e njërit prej antishqiptarëve të njohur.

Shumkush e din se diplomati shovinist, racist e pro genocidit ndaj shqiptarëve, shkrimtari nobelist Iva Andriq i Jugosllavisë së Parë, një politikan pro-fashist (prej vitit 1941) është hartuesi i “Elaborat”-it antishqiptar të 30 janarit 1939, me 10 kapituj e 11 nëntituj, ku i mbron e zhvillon idetë pansllaviste të Pashiqit, kërkon ndarjen e aneksime të Shqipërisë si Shkodren e Pogradecin, Durrësin, etj., kërkon coptimin e Shqipërisë në mes Jugosllavisë e Serbisë. Sipas Andriqit “më mirë një dritare e Italisë në Ballkan se sa një shtëpi shqiptare”.

Pra, Andriqi ishte një Nikola Pashiq i ri, ashtu sikurse dhe Vuçiqi i përngjan bukur fort në ideologji, politika e sjellje “sikur të ishte djali i tij bio-politik”. Edhe Përfaqësuesi i lartë i Serbisë për Kosovë, antishqiptari tjetër Marko Gjuriq (i origjinës së hershme shqiptare nga Gjyriqët e Plavës) e ka rrënjas dajë të tij Nikola Pashiqin, ish kryeministrin sllav antishqiptar. Pra, edhe ky shteti i sotëm serb është edhe i Pashiqit, edhe i Andriqit, edhe i Vuçiqit.

Dr. Ibrahim Rugova, lideri historik i Shqiptarëve të Kosovës, prej vitit 1988, kur ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, e ka pasë thanë shqiptarisht (e tashti ky është një nder amanetet e tij) që të hiqet nga literatura emri e veprat e shkrimtarit e diplomatit, të nobelistit antishqiptar Ivo Andriq, që Serbia e Vuçiqit sapo ia vnoi emnin e tij Qendres Kulturore Serbe në Pekin. Pra, ai nuk donte kumbari kurrfare e kurrqysh as me antishqiptarin Andriq e as me Serbinë.

 

3.

            Me 29 nëntor 2018, në kryeqytetin e Kinës, në Pekin, në grupin artistik, në koncertin festiv të atyshëm të hapjes së Qendres Kulturore Serbe, ishte dhe një lahutar. Ai këndoi aty kangë me lahutë. Githkush ka të drejtë me këndue kangë, edhe të të tjerëve, po ndera e ligji e thonë se duhet e drejta e autorit, amësia, autorësia e saj. Po Serbia e quan lahuten krejt të veten dhe gjithçka shkon me lahuten e quan pjesë të saj serbe, edhe kangët e Eposit të Kreshnikëve, edhe gjithçka tjetër, derisa në Sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale u paraqit e rregjistrua nga Serbia, si pjesë identitare të saj, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

Në fakt, siç dëshmon dhe ky rast me Lahutën, Serbët e Beogradit, këta ardhacakë të vonë prej Uraleve, duan ta përvetsojnë çdo gja si të veten e për vete edhe nga trashëgimia jomateriale e Shqiptarëve Trojenik dhe të popujve të tjerë të Ballkanit. Dihet se, ashtu siç keqshkuan punët e historisë e të territoreve shqiptare, tashti Lahuta nuk është vetëm e Serbisë, po edhe e Shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi, Sanxhak (Tregu i Ri), etj.; edhe e Malit të Zi, edhe e Bosnje-Hercegovinës, edhe e Kroacisë. Ndaj këto shtete (don Zoti të jenë nisiatorë Shqiptarët, shtetarët shqiptarë) që në këto kushte, në këtë situatë, të mos ia lejojnë Serbisë “pronësinë mbi Lahutën (e gjithçka tjetër rreth saj) po të rregjistrohet në UNESCO si pasuri e tyre e përbashkët.

Kur Serbia e nxori lahutarin me këndue në përurimin e Qëndres Kulturore Serbe në Pekin u ngrit Ministria e Kulturës e Malit të Zi dhe lëshoi komunikatë, doli me deklaratë, mbajti qëndrimin e vet zyrtar.  Mesa duket serbët e kanë paraqit lahutarin me kapicen malazeze, ndaj theksojnë se: “Përmes paraqitjes së lahutarit në hapje të Qendrës Kulturore të Serbisë “Ivo Andriq” në Pekin, i cili ishte i veshur me kostume popullore malazeze, si një veçori identitare skajshmërisht eksplicite, organizatorët e kësaj shfaqjeje kanë vënë dorë në trashëgiminë konkrete kulturore të Malit të Zi, duke e prezantuar si të veten” dhe, ma tej, në fjalatekst, nënvizojnë: “Serbia me rastin e prezantimit të kësaj trashëgimie traditën e këndimit me lahutë e konsideron të veten sikurse edhe çdo gjë që shkon me të, siç është veshja, domethëniet simbolike dhe burimore si dhe autentiteti i teksteve të këngëve të lahutës”.

E shihni se sa të vëmendshëm janë fqinjtë tanë, si në këtë rast Mali i Zi, shtet ma i vogël në sipërfaqe e popullsi se sa Shqipëria, që kanë veç 12 vjet si janë shkëput nga Unioni Serbi-Mali i Zi, të cilët mbajnë qëndrim zyrtar publik ndërkombëtar edhe për një rast të tillë të përdorimit të lahutës e veshjes së tyre në një veprimtari zyrtare kulturore të Serbisë në Pekin. Gjithashtu, Mali i Zi është mjaft aktiv e në pararojë të rregjistrimit të Lahutës në UNESCO edhe si Trashëgimi Kulturore Jomateriale të Malit të Zi dhe të Njerëzimit. Po, Ne – Shqipëria, çka po bajmë kështu? E kam lexue një deklaratë të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë pas rregjistrimit nga Serbia të Lahutës në UNESCO, teksa kjo ministri fliste për “Guslen Serbe” dhe pashë se Ministria e Shtetit tim e kishte humbur “busullen” e saj të qëndrimit ma të hapur e te prerë kombëtar shqiptar(!)

Pse, edhe Ne – Shqipëria, nuk mbajmë qëndrim si fqinjët tanë, si Mali i Zi, edhe për një rast si ky i Serbisë në Pekin?! Nuk na duhen kaq shumë kumbari të vjetra e të reja me Serbinë zonja ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro, kur bahet fjalë dhe për keqpërdorimin e pronësimin nga Serbia të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë, të Shqiptarëve, si në rastin e Lahutës të Eposit të Kreshnikëve, kësaj pasurie e krenarie panshqiptare.

Vuçiq vajton në OKB për taksën e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për taksën prej 100 për qind, që Qeveria e Kosovës ka vënë ndaj mallrave nga vendi i tij, në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju-Jork, e cila është thirrur me kërkesë të Serbisë dhe Rusisë, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.

Vuçiq ka thënë se Kosova ka vendosur këtë taksë ndaj Serbisë “në kundërshtim me CEFTA’n dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”.

“Fillimisht ishte 10 për qind. Por, kur e panë që audienca shqiptare reagoi mirë ndaj asaj mase, e rritën atë tarifë në 100 për qind”, është shprehur ai në KS të OKB’së, raporton Gazeta Express.

“Kanë ndalur, kanë mbytur çdo lloj tregtie mes Serbisë dhe Kosovës”, ka deklaruar presidenti serb.

Vuçiq ka thënë se Qeveria e Kosovës “ka vënë në rrezik një komunitet të tërë serb në Kosovë, sepse  tregtia është e vetmja mënyrë për ta për të fituar para, për të mbijetuar, për të marrë barna e ilaçe në spitalet e udhëhequra nga Serbia”.

Duke u paraqitur si viktimë, Vuçiq ka thënë se Kosova “ka shkelur, ka rrënuar marrëveshjet” që Bashkimi Evropian i ka ndërmjetësuar mes dy vendeve.

“Në shekullin 21, një vend ndalon, pengon rrjedhën e lirë të mallrave, sepse nuk i ka pëlqyer vendimi politik nga ana tjetër”, është shprehur ai. /Express/

Zëri i Amerikës: Protesta e studentëve vazhdon në ditën 13 pa zgjidhje e pa bisedime

Studentë të universiteteve publike po vazhdojnë sot për të 13-tën ditë protestën e tyre me 8 kërkesa ekonomike dhe akademike.

Prej shumë ditësh është e njëjta gjendje; kryeministri kërkon dialog dhe shpreh dyshime se ata po i përdor opozita, ndërsa studentët thonë se duan kërkesat e tyre.

Ata kërkojnë të përgjysmohen tarifat universitare, të rritet buxheti për arsimin dhe të marrin pjesë në bordet e menaxhimit të fakulteteve dhe në zgjedhjen e drejtuesve të universiteteve.

Studentëve të universiteteve të Tiranës iu bashkuan edhe grupe studentësh nga universitetet e qyteteve të tjera, Durrësi, Elbasani, Shkodra.

Protestuesit kanë ndërprerë studimet qysh prej dy javësh dhe thonë se kërkesat e tyre janë të panegociueshme dhe se nuk do të bisedojnë me asnjë prej autoriteteve shtetërore dhe universitare.

Kryeministri Edi Rama edhe sot komentoi në rrjetet sociale se protestuesit para zyrave të tij ishin veprimtarë të opozitës dhe se ai priste të dialogonte me përfaqësues të studentëve.

Zoti Rama mori pjesë në një mbledhje rutinë me drejtues të institucioneve kryesore të shtetit lidhur me luftën ndaj krimit të organizuar, ku mbajti edhe një fjalë të shkurtër pa ndonjë lidhje me protestën e mijëra studentëve.

Donald Trump i vë vulën politikës së jashtme amerikane

Presidenti Donald Trump i shtoi detaje të reja doktrinës së tij politike “Amerika e Para” në vitin 2018, me politika që synuan shkundjen e institucioneve të ngritura pas Luftës së Dytë Botërore. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës” për çështjet e diplomacisë, Cindy Saine, hedh një vështrim rreth asaj se si po ndryshon politika e jashtme amerikane nën administratën Trump.

Kur Mike Pompeo mori detyrën e sekretarit të Shtetit në muajin maj, pas shkarkimit të Rex Tillerson-it, ai premtoi të ndihmojë agjencinë të rifitojë sigurinë si dhe të formësojë politikën e jashtme të presidentit Trump “Amerika e para”.

Në një linjë me këtë, në një fjalim përpara një publiku thellësisht dyshues evropian, zoti Pompeo tha se rendi ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore kishte “tradhëtuar si amerikanët ashtu edhe ata”.

“Kur traktatet nuk zbatohen, duhet të ballafaqohemi me shkelësit. Traktatet duhet të ndreqen ose të prishen.” tha ai.

Në funksion të këtij qëllimi, Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Presidentit Trump u larguan nga marrëveshja bërthamore me Iranin si dhe marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet klimatike. Presidenti iu vu pas dhe një numri zyrtarësh të lartë. Për disa analistë, zoti Trump po rikrijon një ekip më të bashkuar, në mbështetje të platformës së tij.

“Aktualisht pas dy vitesh ai rrethohet me besnikë, me njerëz që janë të përkushtuar për të zbatuar vizionin e tij,” thotë Celia Belin e Institutit Brookings.

Takimi i nivelit të lartë mes presidentit Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në Singapor qershorin e kaluar, nuk ka dhënë ende rezultate konkrete.

“Ndërsa ajo që rezultoi nga ato bisedime nuk dha shumë, nga pikëpamja e thelbit, në vetvete fakti që këto bisedime u zhvilluan, ishte një arritje mjaft e madhe” thotë Luke Coffey i “The Heritage Foundation”.

Por zoti Trump u kritikua ashpër lidhur me takimin e tij të muajit korrik me Presidentin rus Vladimir Putin. Takimi u pa nga shumë si miratim i qëndrimit të zotit Putin mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

“Pa dyshim do ta përshkruaja takimin e Presidentit Trump me Presidentin Putin në Helsinki si pikën më të ulët të politikës së jashtme, jo vetëm përgjatë këtij viti, por të administratës Trump deri më tani”.

Vrasja e gazetarit të Washington Post-it Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll tronditi komunitetin ndërkombëtar javët e fundit. Por ndërsa e dënoi vrasjen, zoti Trump tha se do të vazhdojë të qëndrojë me një aleat të rëndësishëm sikurse Arabia Saudite. Për disa analistë ky qëndrim dërgon mesazh të gabuar tek qeverisjet autoritare në mbarë botën.

“Ai e tha qartë se interesat ekonomikë kanë më shumë rëndësi sesa vlerat morale” Celia Belin, Instituti Brookings.

Sa i takon Kinës, vëzhguesit po përgatiten për një konflikt të mundshëm vitin që vjen ndërsa dy vendet kanë mosmarrëveshje lidhur me tregtinë, detin e Kinës së Jugut dhe sigurinë kibernetike.

Deutsche Welle: E ardhmja shqetësimi kryesor i studentëve

Mijëra studentë para kryeministrisë në Tiranë kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre për arsimin. Ata nuk janë për dialog, pasi nuk kanë besim se në politikë zhvillohet një lojë e ndershme edhe kur dialogohet.

Mijëra studentë kanë protestuar të hënën (17.12) para kryeministrisë në Tiranë për 8 kërkesat e parashtruara për ndryshime në arsimin e lartë shqiptar. Madje ka pasur edhe tensione, kur studentët kanë tentuar të kalojnë në pjesën e pasme të kryeministrisë e janë penguar nga policia. Por një grup studentësh ka ndërhyrë për të qetësuar situatën.

Studentët thonë se do të hyjnë në grevë urie, nëse të hënën kryeministri, Edi Rama nuk jep përgjigje pozitive për kërkesat e tyre. Mbështetja e studentëve vjen ndërkohë edhe qytetarë, por nga studentët e rretheve, mjaft prej tyre janë nisur drejt Tiranës. “Protesta në ditën e 13 e ka dhënë efektin e vet, ujërat kanë filluar të lëvizin, të gjithë e kanë kuptuar se këtu diçka çalon. Kjo protestë e ka dhënë mesazhin e saj, që arsimi është në udhëkryq”, thotë një student për Deutsche Wellen. “Duhet të vazhdojmë e të këmbëngulim”, kërkon një studente tjetër. Ndërsa një studente e komunikimit thotë, se ne do ta vazhdojmë të bllokojmë shkollën e “do të vazhdojmë të qëndrojmë deri sa të marrim atë për të cilën kemi dalë.”

Refuzim i politikës

Ajo që bie në sy në këtë protestë është refuzimi i qartë që studentët i kanë bërë përzierjes së politikës në to. Sipas tyre, politika është përgjegjëse për krizën morale, shoqërore e ekonomike të vendit. Nga kryeministri Rama kanë ardhur këto ditë disa ftesa për dialog, por studentët nuk i kanë pranuar. Refuzimin e ftesave për negociata, një student i gazetarisë, i pyetur nga Deutsche Welle e shpjegon kështu. “Kemi kuptuar se në këtë vend nuk ka fairplay, nuk ka lojë të drejtë”. Frika e studentëve duket se është “shitja”, siç thotë një student në protestë, shkon në dialog dhe protesta sfumohet. “Ne e kemi parë se ku kanë shkuar dialogjet e mëparshme, prandaj nuk e duam, atë e i themi jo negociatave.”

Ku do të punoj? Pyetja që i shqetëson studentët

Shumë studentë shqetësim kryesor kanë të ardhmen e tyre pas studimeve. “Jam student i gazetarisë, viti i tretë bachelor”, thotë një student, dhe nuk e di se çfarë do të bëhem nesër. Si unë janë 90% e studentëve në të gjithë Shqipërinë.” Shumë prej tyre janë të zhgënjyer edhe nga puna e pedagogëve. Para disa ditësh u publikua edhe një listë me emra pedagogësh të përmendur si ata që u kërkojnë studentëve para për provimet. Prandaj një ndër kërkesat e studentëve është edhe vetingu për pedagogët.

Protesta mbështetet edhe nga vetë pedagoët, që kërkesat e tyre i quajnë legjitime. Shkrimtari e pedagogu i letërsisë në Universitetin e Tiranës, Agron Tufa, thotë se për studentët tarifat janë të papërballueshme, kushtet e padurueshme që nga auditorët deri tek konviktet e sistemi korruptive e klientelist qeveritar. Por për pedagogun Agron Tufa më jetike mbetet e ardhmja e studentëve pas studimeve, “shumë prej tyre kanë një të ardhme të zymtë kur mbarojnë studimet, prandaj unë e lexoj atë si formë proteste për sistemin e dështuar politik”, thekson Agron Tufa.

Ndër kërkesat kryesore të studentëve janë ulja ose përgjysmimi i tarifave studentore, rritja e buxhetit shtetëror për investime në fakultete, përmirësim infrastrukturor të fakulteve, duke shtuar laboratorët e të tjera./DW

Rritet konsumimi i produkteve vendore dhe numri i të punësuarve

Luljeta Krasniqi – Veseli

Taksa prej 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina ka bërë që të rritet konsumimi i produkteve vendore, thonë përfaqësues të bizneseve.

Aleanca Kosovare e Biznesit ka bërë një hulumtim lidhur me ndikimin e taksës 100 për qind në ekonominë kosovare nga data 21 nëntor deri më 5 dhjetor 2018. Në këtë hulumtim, AKB thuhet të ketë anketuar 300 kompani të zgjedhura në industrinë ushqimore, tregtare, shërbyese dhe të ndërtimtarisë me 250 konsumatorë të Kosovës.

Lumnije Ajdini, menaxhere e përgjithshme e AKB-së, bënë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në bazë të hulumtimit del se te bizneset kosovare, masa prej 100 për qind, ka dhënë efekte pozitive për prodhimin vendor.

Prodhimtaria vendore, shton Ajdini, përgjatë kësaj periudhe kohore ka shënuar rritje për 25 për qind.

“Bizneset tregojnë se është rritur shitja e produkteve të tyre përgjatë kësaj periudhe që nga vendosja e taksës 100 për qind, në industrinë ndërtimore 40 për qind, në atë ushqimore 25 për qind, transport 20 për qind, tregti dhe shërbime 5 për qind dhe të tjera 10 për qind, për shkak se prodhuesit e Kosovës kanë rritur kapacitete prodhuese është rritur edhe punësimi”, thotë Ajdini.

Kompania Pestova, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates është një nga kompanitë e shumta vendore, të cilat thonë se është shënuar rritje e prodhimit.

Pronari i kësaj kompanie, Bedri Kosumi, thotë për Radion Evropa e Lirë se është rritur dukshëm prodhimi dhe numri i të punësuarve.

“Pas taksës 100 për qind, e cila ka qenë e domosdoshme, është bërë një rritje e madhe e konsumit të produkteve vendore. Po flas për rastin tonë, që në kompani, ne kemi zgjatur orarin e punës po punojmë më tre ndërrime dhe po ashtu edhe gjatë vikendit. Rritja e prodhimit ka bërë që të rritet edhe numri i të punësuarve në kompani”, thotë Kosumi.

Tregtia vazhdon të mbetet aktiviteti ekonomik më i preferuar në Kosovë, duke lënë anash prodhimin. Prodhuesit në Kosovë, vazhdimisht u kanë bërë thirrje institucioneve të vendit që të krijojnë politika të favorshme fiskale, për të fuqizuar sektorin e prodhimit.

Për rritje të kapaciteteve prodhuese vendore, Ajdini thotë t’i kenë rekomanduar kompanive prodhuese që të rrisin cilësinë e produkteve si dhe i kanë rekomanduar Qeverisë së Kosovës të subvencionojë bizneset prodhuese, në mënyrë që këto të fundit të fuqizohen.

“Kërkoj nga Qeveria e Kosovës të heqë taksat për grurë, misër, miell, vaj, detergjent dhe në produktet tjera esenciale që ndikojnë në shportën e konsumatorit. Të mbështetet promovimi i biznesit vendor më shumë. Po ashtu, për të parandaluar kontrabandën, kërkojmë nga institucionet që në pikë 1 dhe 31 dhe në brezin kufitar me Serbinë të shtojë numrin e pjesëtarëve të doganave dhe të policisë”, thotë Ajdini.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, pati kërkuar nga prodhuesit që të fokusohen në ngritjen e cilësisë.

Kosova, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar.

Për shkak të industrisë së dobët të prodhimit në Kosovë, eksporti i produkteve “Made in Kosova” në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, kap vlerën e mbi 300 milionë eurove në vit, kurse importi i produkteve të huaja në vend arrin rreth 3 miliardë euro në vit.

“The Independent“: Deputetët britanikë kërkojnë që islamofobia të shpallet si një lloj i racizmit

LONDËR – Një grup deputetësh të Britanisë së Madhe ka nisur një peticion që bën thirrje që islamofobia në këtë vend të shpallet një lloj i racizmit.

Gazeta britanike “The Independent“ raporton se 53 deputetë britanikë i kanë bërë thirrje Qeverisë në Londër që të rishikojë definimin e islamofobisë.

Sipas tyre, islamofobia aktualisht është definuar si diskriminim kundër myslimanëve, për shkak se dhuna e shkaktuar nga islamofobia nuk është përfshirë në raportet mbi krimet e urrejtjes, dhe as nuk është diskutuar lidhur me këtë problem.

Deputetët në një apel drejtuar qeverisë, thonë gjithashtu se masa të gjera janë viktima të islamofobisë, dhe jo vetëm myslimanët që janë objektiv i drejtpërdrejt.

Ata kërkojnë që islamofobia të përkufizohet si një lloj racizmi kundër islamit dhe myslimanëve.

“Është e papranueshme që në Britani të Madhe, muslimanët ende të diskriminohen”, porositën deputetët.

Sipas raporteve zyrtare të qeverisë britanike, numri i sulmeve të urrejtjes në 5 vitet e fundit është dyfishuar, ndërsa numri i sulmeve në bazë të përkatësisë fetare është pesëfishuar. aa

Ushtria e Kosovës shterron ëndrrat serbiane – Nga Azgan Haklaj

E drejta e çdo populli për të patur ushtrinë e tij dhe për tu mbrojtur nga agresorët, është e drejtë hyjnore dhe e panegociueshme e çdo populli.  E kjo në rastin e Kosovës është dyfish legjitime dhe e domosdoshme për ti mbrojtur lirinë dhe popullin e saj.

Ky popull në shekuj është kërcenuar nga shfarosja, dëbimi nga trojet e veta amtare, kolonizimi e asimilimi i dhunshëm nga hordhitë e Azisë dhe falangat e pergjakshme serbo-sllave.

Sot është një moment historik për Kosovën e mbarë Kombin Shqiptar.


Ditëlindja e Ushtrisë së Kosovës, ushtrisë më të re në botë, e pagëzuar nga aleati ynë i madh Amerika, nga fuqitë europiane: Gjermania, Franca dhe Anglia, nga gjaku i bijëve të saj trima, të cilët si kalorësit e vjetër dardan, e ata të Gjergj Kastriotit u hodhën si shqiponjat në zjarrin e betejave për liri dhe e dhanë jetën për të.

Gjeneralët trima që i komanduan në shekuj djemtë trima të Kosovës, mbretërit dardan, Milloshi i Drenicës e Lekë Dukagjini, Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Mic Sokoli, Sef Kosharja e deri tek UÇK-ja e lavdishme e emblemat e saj Jasharajt dhe Haradinajt, i ndanë fishekët e fundit në betejë me bashkëluftëtarët e tyre sipas kodit të lashtë të nderit të rrënjosur prej shekujsh në genin e luftëtarëve të lirisë.

Nga sot Kosova, Kombi ynë dhe Ballkani do të jenë më të lirë, sepse ekuilibri i forcës është i garantuar tashmë në gadishullin tonë, i cili jo për faj të shqiptarëve u ba shesh beteje, masakrash, jo vetëm në Mesjetë, por dhe në dy luftrat e fundit botërore dhe në vitet 90-të, pas Aktit të shpërbëries së Jugosllavisë Titiste. Mungesa e shtetit dhe e një ushtrie të armatisur e të stërvitur ka qënë thembra e Akilit për shqiptarët në epokën e nacionalizmit të egër ballkanas të shekujve 19-20.

Një popull i paarmatosur u vu prej 150 vjetësh në grykën e topave, mitralozave, bajonetave dhe tankeve.

Fqinjët tanë barbarë të armatosur deri në dhëmbë kanë vrarë e masakruar, shpërngulur me dhunë, burgosur e internuar gati gjysmën e popullsisë autoktone shqiptare të  Kosovës, Nishit, Sanxhakut, Shkupit, Manastirit, Kushumelisë, Çamërisë e Malit të Zi.

Në historinë e Europës nuk ka ndodhur kurrë që ndaj një populli të hartohen projekte shfarosëse, kolonalizuese e asimiluese, siç ishin “Megalidhea” greke dhe “Neçertania” serbe.

Shpërnguljet me dhunë masive të shqiptarëve nga trojet e veta kanë filluar qysh në vitet 70-të të shekullit të 19-të duke kulmuar në dëbimet masive drejt Turqisë në marrëveshjen serbo-sllave-turke të vitit 1937. Shpërnguljet e Çamëve të vitit 1945 dhe Projekti Tito-Rankoviç 1952.

U desh një makineri kolosale lufte dhe plot 270.000 ushtarë serbë që Kosova e lirisë dhe kuvendeve të mëdha, Kosova e Kryengritjes së Përgjithshme për shpalljen e Pavarsisë të pushtohej nga barbarët sllavë në Luftën e Parë Ballkanike.

Sot Kosova ka Ushtrinë e saj.

Historia na ka mësuar se një popull që e ka bërë lirinë idealin më të lartë të ekzistencës së tij kur është i armatosur, është i pamposhtur në rrugën e tij historike e në vetë ardhmërinë e tij.

Askush tjetër përveç barbarëve, çetnikëve e falangave të përgjakshme të etura pěr gjak e zaptim territoresh të huaja nuk e ka frikë krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Shqiptarët kanë dhanë prova të qarta gjatë historisë tyre e madje edhe në kulmin e fuqisë së tyre ushtarake se nuk janë treguar agresorë ndaj fqinjëve të tyre. E kundërta ka ndodhur ndaj nesh.

Sot në trojet iliro-dardano-arbërore janë vendosur kryeqytetet e Maqedonisë e Malit të Zi. Kjo jo për faktin se shqiptarët nuk ishin trima e patriot, por për shkak të forcës së armëve, intrigave të Fuqive të Mëdha e barbarizmave të agresorëve gjakatarë.

Jepu armën në dorë shqiptarëve e nxirri në mejdan përballë bajlozëve të tokës dhe detit dhe bëhen të gjithë Gjergj Elez Alija.

Armatose një vajzë apo grua arbërore e ajo do të kujtojë në betejë Amazomat, Teutën Ilire, Mamica Kastriotin, Norën e Kelmendit e Shote Galicën.

E drejta zakonore shqiptare dhe kodi ynë i nderit e ndalon rreptësisht jo vetëm pushtimin e territoreve të huaja, por dhe vrasjen e burrave të paarmatosur, grave, femijëve e pleqëve.

Për ta mbrojtur lirinë e Atdheun nuk mjafton trimëria dhe dashuria për të, apo fakti se je më i madh, apo më i vogël në numër se agresori. Në rradhë të parë duhet të jesh i armatosur deri në dhëmbë dhe i gatshëm për të ndarë fatet e Atdheut tënd në fushën e mejdanit.

Shumë historianëve u duket sot absurde fakti që mongolët pushtuan Kinën, Aleksandri i Madh Europën, Persinë, Egjiptin, Indinë e Babiloninë me ushtrinë iliro- trake, aztekët e Hindusit përzunë pushkët e topat e pushtuesve spanjollë, Suedia e vogël mundi Rusinë.

Ka mbetur e skalitur në memorien historike qëndresa për mbrojtjen e Trojës, apo Kartagjenës, beteja e Spartanëve të Leonidhës përballë ushtrive të Kserksit, beteja me hordhitë turke në muret e Konstandinopojës që zgjati 53 ditë deri sa ra më 29 maj 1453. Aktet heroike të luftëtarëve të Konstadinopojës udhëhiqeshin nga ky flamur që kanë shqiptarët sot.

Sikur Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) të zotëronte mjetet e Aleksandrit të Madh apo të Jul Qezarit do të debonte përgjithmonë Turqit nga Europa dhe do të ndryshonte krejt rrjedhën e historisë. Sot, bijtë e Gjergj Kastriotit e kanë ushtrinë e tyre dhe Atdheu i thërret nën armë.

Sot ëndrrat serbe janë shterruar përgjithmonë. Endrrat e Car Llazarit, Stefan Dushanit, të Çubriolloviçëve, Rankoviçit, Sheshelit e Aleksander Vuçiçit u shuan përgjithmonë.

Atyre që janë skeptikë për aftësitë luftarake e forcën ushtarake të Kosovës dua të ju kujtoj se shqiptarët e armatosur shndërrohen në gladiatorë në betejë dhe janë të pamposhtur. 600-700 kalorës të Maltës, në shekullin 16-të, e mbajtën fortesën e tyre për 13 muaj përballë 40.000 forcave turke dhe i detyruan të zmbrapseshin.
Në se agresorët e nesërm do të guxojnë ta provojnë forcën e Ushtrisë së Kosovës, fati i tyre nuk do të jetë më i mirë se ai i Koalicionit Egjiptiano-Arab i vitit 1967 kundër Izraelit.

Ushtria e Kosovës kërkon pregatitje të lartë, disiplinë e sakrifica të mëdha, por është mënyra e vetme për të mbrojtur kështjellen e pamposhtur. I madhi Xhorxh Ëashington kur luftonte kundër ushtrive separatiste të jugut në Amerikë ndërtoi në katër vjet një rrjet prej mijra kilometrash rrugësh e hekurudhash për zhvendosjen e shpejtë të ushtrisë e mjeteve të saj logjistike, i cili është faktor vendimtar për fitoren.

Së shpejti Ushtria e Kosovës do të ketë arsenalin e saj jo vetëm artilerinë e rëndë, por dhe tanke dhe autoblinda, helikopterë e avionë luftarakë.

Rruga e Kombit është arteria kryesore ku do të operojë Ushtria e Kosovës në rast nevoje.

Por kërkohen sigurisht dhe rrugë të reja strategjike e auro-portuale.

Shqipëria si shtet nuk guxon të shmanget nga detyrimet e saj. Qeveritë shqiptare të sotme e të nesërme duhet të venë në dispozicion të gjitha asetet kombëtare, ushtarake e bazat e veta logjistike për Ushtrinë e Kosovës , që të garantojë një mbrojtje të përbashkët dhe të pathyeshme, e cila do të legjimonte të drejtën historike hyjnore të shqiotarëve: “Një Komb, Një Ushtri”.

Kombi Shqiptar pas betejash të përgjakshme për Liri e Pavarësi është rreshtuar para botës në kahun e drejtë të historisë.

Ai është aleat i NATO-s, i SHBA-së dhe Europës Përendimore.

Është aty ku e ka vendin e rrenjët e veta historike e kulturore.

Aty ku e ka vendosor kryetrimi i historisë sonë: “Gjergj Kastrioti, Moisiu Ynë”.

Lavdi, bekim e të ardhme të ndritur Kosovës e Ushtrisë së saj, krijuar në Vitin Jubilar të Gjergj Kastriotit ( Skënderbeut).

Çka e dallon Tribunalin e Hagës me Gjykatën Speciale?

Arton Konushevci

Rastet e dyshuara për krime lufte në Kosovë, që nga viti 1999 e këndej janë trajtuar në formë të ndryshme nga organet e drejtësisë, kryesisht ato ndërkombëtare.

Fillimisht, me këto raste është marrë administrata e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila kishte shtrirë pas luftës së fundit edhe sistemin e saj të drejtësisë në Kosovë, si dhe Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë të Holandës, e themeluar nga Kombet e Bashkuara.

Më pas, këto raste u trajtuan edhe nga drejtësia e Bashkimit Evropian, përmes misionit të EULEX-it.

Ndërkaq, aktualisht, këto raste i kanë marrë përsipër Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura ndryshe edhe si Gjykata Speciale.

Këto Dhoma të Veçanta apo kjo Gjykatë Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty.

Risia e trajtimit të rasteve të dyshuara, tani qëndron te fakti se Dhomat e Specializuara edhe pse të përbëra nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe me seli në Hagë, do të funksionojnë me Kodin Penal dhe ligjet e aplikueshme të Kosovës.

Zyrtarët e Gjykatës Speciale kanë deklaruar se puna është duke vazhduar në përputhje me mandatin e këtyre institucioneve gjyqësore të Kosovës.

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, duke folur për Radio Evropa e Lirë, thotë se ingerenca, kompetencat dhe juridiksioni i Gjykatës Speciale, në krahasim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë është i njëjtë. Por, ka dallime vetëm forma e themelimit, qëe përcakton edhe me cilat ligje do të veprojë kjo gjykatë.

“Dallimi esencial, krucial, vendimtar, është se kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës me ligjin e Kosovës. Ky është dallimi i parë në krahasim me Tribunalin e mëhershëm. Kjo gjykatë do të gjykojë sipas ligjit të aprovuar dhe ligjeve penale që kanë qenë dhe që janë në fuqi në Kosovë. Përndryshe, të tjerat dallime janë se është e themeluar në Kosovë, por selinë e ka në Hagë. Kurse, kompetencat dhe juridiksioni është i njëjtë sikurse i asaj gjykatës së mëhershme të Tribunalit të Hagës”, shpjegon Salihu.

Ai thotë se edhe dënimet eventuale do të shqiptohen sipas ligjeve që kanë qenë në fuqi në kohën e kryerjes së krimeve eventuale.

“Sipas atyre ligjeve, me një kusht, nëse janë më të buta këto ligjet tona ose më të favorshme do të gjykohen sipas ligjeve të Kosovës, por nuk janë më të buta. Janë njësoj bile ato të mëparshme kanë qenë më të buta se sa tash”, konsideron Salihu.

*Video nga arkivi: Faktografi e krimeve të luftës në Kosovë

Kurse, profesori i Çështjeve Kushtetuese – Juridike, Riza Smaka, konsideron se dallimet midis këtyre dy gjykatave asaj Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe kësaj që e kanë themeluar institucionet e Kosovës, janë të mëdha dhe të papërputhshme e të papara.

Sipas tij, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, i ka trajtuar të gjitha rastet e dyshuara për gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, kurse Dhomat e Specializuara të tashme, do të trajtojnë kryesisht vetëm rastet e supozuara të krimeve të luftës të kryera në Kosovë.

“Te rasti ynë, te këto kolegjet gjyqësore dhe Prokuroria, është se këtu i referohet territorit të Kosovës, ama është një klauzolë, e cila nuk përkon as me parimet fondamentale të së Drejtës Penale Ndërkombëtare e as me doktrinën, judikaturën, do të thotë me aktet ligjore në fuqi. Këtu një ligj që është akt juridik i përgjithshme u është referuar vetëm pjesëtarëve shqiptarë të Kosovës, por jo edhe të tjerëve, për shembull të serbëve e të tjerë që është rast i paparë”, vlerëson Smaka.

Profesori Smaka nuk e sheh fare si pozitive që një gjykatë e tillë zbatohet vetëm për një territor të caktuar.

“Është joparimore dhe ka kolizione me doktrinën juridike penale sa i takon kësaj gjykatës penale që i referohet trajtimit të rasteve të përmendura”, thotë Smaka.

Ai thekson se Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar, janë vonuar për të hyrë në funksionim e tyre.

“Çdo vonesë mund të ketë implikim te parashkrimet e mundshme si për ngritjen edhe posedimin e çështjeve juridike penale të rasteve konkrete”, shton ai.

*Video nga arkivi: Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?

Ndërkaq, ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rexhep Haxhimusa, konsideron se nuk ka dallime të mëdha ndërmjet Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Dhomave të Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.

“Unë nuk e di sa ka dallime aty. Proceduara nëse duhet të zhvillohet me legjislacionin e Kosovës, ai është i njëjtë. I gjithë legjislacioni që është ndërtuar [në Kosovë] është ndërtuar sipas normave ndërkombëtare dhe ato raste kanë mundur të trajtohen edhe këtu. Por, po shkojnë atje, tash ku është kompetenca ku është zhvilluar ngjarja. Ata i kanë marrë ato rastet e veçanta më herët, por i kanë pasur edhe normat që i kanë nxjerrë”, thotë Haxhimusa.

Ndryshimet ndërmjet Gjykatës Speciale dhe asaj të Tribunalit Ndërkombëtar për Krime në Territorin e ish-Jugosllavinë, kanë të bëjnë edhe me strukturën. Gjykata për ish-Jugosllavinë ka qenë me tri dhoma, Gjykatën, Apelin dhe Organin e Akuzës.

Gjykata e Kosovës ka dy institucione, Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.

Dhomat janë pjesë e sistemit kosovar të drejtësisë dhe i bashkëngjiten Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Në to punojnë gjykatës të emëruar nga EULEX-i.

Gjykata Speciale, pritet të trajtojë raste të dyshuara të krimeve të luftës, si dhe ato të fazës së parë të pasluftës.

Themelimi i kësaj Gjykate nga ekspertët e çështjeve penale – juridike është konsideruar si dështim jo vetëm i organeve vendore, por edhe autoriteteve ndërkombëtare që për këta 18 vjetët e fundit kanë punuar në fushën e sistemi të drejtësisë në Kosovë.

Aktualisht, Zyra e Prokurorit Special u ka dërguar ftesat e para për intervista disa personave, kryesisht ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, në këto ftesa nuk është sqaruar se në çfarë cilësie janë ftuar ata për intervistim.